Paulin Zefi: Flamujtë turq, serbë dhe grekë le të valëviten nëpër ambasada, por jo të përdhosin tokën tonë Iliro-Arbnore

Historiani Paulin Zefi ka reagur në lidhje më procedimin penal të 61 protestuesve të cilët prishën stemën e flamurit në hidrocentralin e Qaf-Mollës në Mirditë, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, historian Zefi ka shkruar se ne 150 Kreshnikët e Mirditës që i dhamë leksion autoriteteve shtetërore të Sanxhakut Arvanid me dt.31.12.2017, po del në pah brishtësia e kësaj ngrehinë të kalbur që quhet “Shtet Shqiptar” për të cilin derdhën gjakun të Parët tanë.

“Duke proceduar penalisht 61 dhe duke shpallur në kërkim 14 nga 150 Kreshnikët e Mirditës që i dhamë leksion autoriteteve shtetërore të Sanxhakut Arvanid me dt.31.12.2017, po del në pah brishtësia e kësaj ngrehine të kalbur që quhet “Shtet Shqiptar” për të cilin derdhën gjakun të Parët tonë. Të gjithë jemi të përkohshmëm në këtë botë por “Kauza jonë Kombërare është e shenjtë dhe e përjetshme”… Flamujtë turq, serbë dhe grekë le të valëviten nëpër ambasada por jo të përdhosin tokën tonë Iliro-Arbnore dhe aq me keq në Mirditë. Duke penalizuar 75 prej nesh, a do t’ia dilni që të nënshtroni 7.000.000 Shqiptarë?!… KURRE JO!. Turpi iu përket juve por lavdia kastriotiane qëndron vetëm pranë nesh!… Edhe ZOTI është me ne sepse kemi të drejtë.
*Rrnoftë Shqypnia dhe Flamuri i saj…/KultPlus.com

Shpjegimi i Presidencës për logon e 10 vjetorit të Pavarësisë

Kosova në muajin shkurt të këtij viti mbush 10 vjet, me këtë rast është lansuar edhe llogoja për përvjetorin e pavarësisë së saj.

Këtë vit organizimi i saj festiv do të bëhet nën patronatin e Presidentit. Zyrtarë kanë bërë edhe përzgjedhjen se si do të duket llogoja.

Ata e kanë konsideruar logon lart si më kreativen për atë që është kërkuar për shënimin e ditëlindjes së 10 të Kosovës.

“Kjo simbolizon ditëlindjen e 10-të të shtetit, simbolizon kontribut në paqen rajonale, po ashtu ka simbole edhe të fishekzjarreve, të cilat simbolizojnë festë ngase është jubile, ndërsa cepat që janë në logo simbolizojnë yllat e hartës po ashtu edhe si formë simbolizon me yllin polar”, ka thënë një zyrtar nga Këshilli Organizativ për shënimin e përvjetorit të Pavarësisë.

Hartuesit e kësaj llogoje janë Arbër Racaj dhe Egzon Cakaj.

Presidenca së bashku me anëtarët e qeverisë kanë vendosur që të ketë festë, nga data 8 deri më 18 shkurt. / KultPlus.com

Aktorët s’heqin dorë nga kërkesa për ngritje pagash, kërcënojnë me grevë

Një aktor i teatrit në Kosovë paguhet 400 euro në muaj.

Duke e konsideruar këtë shumë të vogël dhe nënvlerësuese, aktorët vazhdimisht kanë kërkuar rritje të pagës.

Pak muaj më parë, ata kanë mbajtur grevë dhe kanë pezulluar shfaqjet teatrale, por hoqën dorë pasi ministri i Kulturës u premtoi se do t’u bëjë zgjidhje, raporton KTV.

Tashmë është formuar një grup punues, i cili ka përpiluar një koncept dokument që i paraprin ndryshimit të rregullores aktuale për “Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës si dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore”.

Edhe pse nuk është përcaktuar shifra e rritjes së pagës, Veseli thotë se kanë marrë për bazë vendet e rajonit, ku aktorët paguhen sa një profesor universitar.

Ky koncept dokument është dërguar në Ministrinë e Financave, i cili sipas ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, shumë shpejt do të kthehet në Ministri për procedim të mëtutjeshëm.

Nëse e miraton qeveria, edhe rregullorja pritet të ndryshohet krahas këtij koncept dokumenti.

Por ministri thotë se me buxhetin aktual, pagat e aktorëve mund të rriten vetëm deri në 50 përqind të pagës bazë.

Sipas ministrit Gashi, rritje të pagave pritet të ketë edhe për krijuesit dhe performuesit e Kulturës dhe Punonjësve profesionalë të Trashëgimisë Kulturore.

Rregullorja aktuale parasheh pagesën për punëtorët e secilit institucion kulturor, kryesisht të ndarë në tri nivele, por nuk është respektuar asnjëherë, andaj pritet ndryshimi i saj.

Aktorët këmbëngulin se greva është e pashmangshme ngase nuk është në rregull që të avancohen vetëm zyrtarët qeveritarë. / KultPlus.com

Status i frymëzuar nga programi festiv i Vitit të Ri

Gezim Selaci / Twitter

1/ Nji kohë, në hapësira publike Meda e Labi mund të dëgjoheshin veç në pazar, dyqane të kasetave dhe kombi e autobusa urbanë e ndërurbanë. Pastaj edhe në televizione me frekuenca kombëtare për t’i pru në “mainstreamin” e kulturës. (Plus qi Labi asht edhe në Kuvend të Republikës)

2/ Tyj pa prirjet, druaj qi shpejt ka me ardhë dita kur edhe Linda Morinën kanë me e pru në televizione kombëtare dhe në kulturën “mainstream”. Tallavaizimi i televizioneve kombëtare asht paralajmërues i sigurt i kësaj. (Ky status i frymëzuar nga programi festiv i vitit të ri).

Aktorit Mirush Kabashi i rritet pensioni shtetëror

Qeveria ka marrë një vendim duke i bërë “dhuratë” për Vitin e Ri, aktorit të njohur Mirush Kabashi, të cilit i është rritur pensioni.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave për artistin shqiptar, të cilit përveç pensionit të përfituar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, i është shtuar në masën e katërfishit të pensionit social.

Kabashi përfiton edhe 280 mijë lekë të vjetra më shumë, nga pensioni që merr aktualisht.

Vendim

Për dhënie shtese pensioni të posaçëm shtetëror z. Mirush Musa Kabashi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

Vendosi

Dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror z. Mirush Musa Kabashi, në masën e katërfishit të pensionit social, por shuma e pensionit, që përfiton sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, plus këtë shtesë, të mos kalojë tetëfishin e pensionit social. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Shfaqja e parë e luajtur në Prishtinë dhe fuqia e disa aktoreve (FOTO)

Në Prishtinë, teatri profesional (sot Teatri Kombëtar) është themeluar përfundimisht më 1948, ndërsa me 1949 ka filluar programi i rregullt, me dy-tri premiera shqip e serbisht.

Shfaqja e parë e luajtur në teatrin e Prishtinës është “Personi i dyshimtë” i Nushiqit, e përkthyer. Nushiqi nënën e ka pasur shqiptare, të grabitur prej një serbi të Maqedonisë. Serbët thonë se është serb, maqedonasit se është maqedonas, ne themi se e ka marrë mbiemrin e së ëmës – Nushës, një bareshë e bukur, e re, e rrëmbyer nga kaçakët, – rrëfen Vehap Shita, kritiku më i njohur i teatrit, që nga ditët e para të themelimit të tij, gazetar shumëvjeçar dhe përkthyes.


Lajde Sopi, Meli, Meribane Shala, Katarina Josipi

– Unë, kur kam shkruar për zhvillimin e teatrit, e kam marrë vitin 1930. Edhe atëherë janë dhënë shfaqje teatrale në gjuhën shqipe nëpër shtëpi nëpër oborre, kopshte.. Teatro amatore ka pasur edhe gjatë okupacionit. Në Prizren, për shembull, kanë qenë Tajar Hatipi, Mysafere Gjinali, Nuhi Sherifi, Xhemil Doda…

Në Prishtinë, rolin e parë kryesor e ka luajtur Shani Pallaska, amator i thjeshtë i ardhur nga Gjakova. Shaniu ka kënduar bukur dhe i ka rënë kitarës. Aktorët Abdurrahman Shala e Muharrem Qena kanë ndjekur Shkollën e Teatrit në Beograd, me profesorë shumë të zotët. Fillimisht regjisorët vinin nga Beograd. Muharrem Qena, në fakt, aktrimit ia ka nisur në Mitrovicë, mandej ka ardhur në gjimnazin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

E para aktore e Teatrit të Prishtinës ka qenë Meriban Shala, mandej Katarina Josipi, Melihate Ajeti, Musherefe Preka. / KultPlus.com

Burimi: Sanije Gashi – “Prishtina e fëmijërisë sime”

Pamje të aksidentit ku humbi jetën nobelisti Albert Camus

Kanë kaluar gjithsej 58 vjet nga dita e 4 janarit 1960, kur Albert Camus – një gjeni i letrave, ndërroi jetë.
Është e çuditshme se si një ditë para se ai të bënte aksident me veturë, e tha vetë se ‘vdekja më absurde është ajo në trafik, me veturë’.

Camus – fituesi i Nobelit për Letërsi dhe dora që shkroi “Të huajin”, ndërroi jetë në një aksident në Villeblevin, 90 kilometra larg Parisit, në Francë, bashkë me Michel Gallimard – botuesin kryesor të veprave të tij, shkruan KultPlus.

Vetura ku ishte Camus (Kamy) u përplas për një pemë, ndërsa ende mbetet misterioze e tërë ngjarja në fjalë. Shkrimtari ishte 47 vjeç kur vdiq.
Ditën kur u dha lajmi, radiot franceze ndërprenë çdo program që po transmetohej për të dhënë lajmin e kobshëm.

Gazetari spanjoll Federico García-Requena e kujton momentin kur edhe në Spanjë erdhi lajmi për Kamynë e vdekur, një vdekje absurde dhe e papritur.

Camus bëhet i njohur me 1942 me botimin e eseut filozofik “Miti i Sizifit”, sfidë krenare e njeriut ndaj universit të dhunës e të pakuptimte që Kamyja e emërton me emrin “absurd”. Po atë vit boton romanin “I Huaji”, pasqyrë e brishtësisë së njeriut dhe e vuajtjes absurde. Krijimtaria e Kamysë pasurohet dhe me dy drama. “Kaligula”, me 1944, përshkrim poetik i çmendurisë njerëzore te mishëruar ne figurën e perandorit romak Kaligula. Drama tjetër është “Të drejtët” himn i sakrificës për liri. Vepër tjetër është eseja “Mendime për gijotinën” ku dënon heqjen e dënimit me vdekje. Botime tjetër është romani “Murtaja” që mbahet si një nga romanet më të mira të shek XX, ku i bëhet një sinteze qëndresës njerëzore ndaj të gjitha formave të tiranisë. / KultPlus.com

Liliana Çavolli, intervistë e zonjës së muzikës zbavitëse në vitin 2007

Po e sjellim sonte për lexuesin e KultPlus një intervistë të realizuar në vitin 2007 me artisten Liliana Çavolli.

Çavolli ndërroi jetë në vitin 2015-të.

Nga Flora Durmishi

Liliana Cavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Liliana u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942 nga nënë Miseretja-aktore dhe këngëtare dhe babai Isak Cavolli, mësues. Liliana ishte fëmijë dhe mezi e mban në mend kur familja e saj u shpërngul në Shkup ku qëndroi disa vjet.Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio. Fati përsëri e këtheu në Prizren ku Liliana filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhet shpejt si emër premtues. Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Liliana Cavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin adutet kryesore të Lilianës që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve Liliana është shumë mirënjohëse.
Opusi i këngëve të Lilianës është shumë i gjerë dhe ajo, sic vlerësojnë krijuesit dhe kritikët e muzikës, interpretoi shkëlqyeshëm në të gjitha zhanret.

Në Radio Prishtinë Liliana këndonte vet dhe këndonte bukur por njëkohësisht ka dhënë një ndihmesë që edhe këngët tjera, që transmetoheshin, të kishin nivelin e duhur artistik. Liliana ishte redaktore e muzikës dhe udhëheqëse e emisioneve të paharrueshme si “Unë ti muzika dhe poezia”, “Evergeen” etj. Edhe sot ajo udhëheq emisionet më të dëgjuara muzikore në Radio Kosovë ku ndihet shumë mirë.

Liliana Cavolli ishte dhe do të mbetet “ Zonjë e muzikës zbavitëse”.

Jeni ndër kengëtaret më me emër, keni qenë redaktore e muzikës në ish Radio Prishtinë dhe autore e disa emisioneve ndërsa tash jeni autore e dy emisioneve shumë të dëgjuara në Radio Kosovë! A mund të tërheqni një paralele nga koha kur keni punuar në Radio Prishtinë me të sotmen kur punoni në Radio Kosovë?

S’ka ndonjë dallim të madh! Punoj me dashuri dhe entuazëm si dikur! Jam e lumtur që më dëgjojnë edhe më tutje ata që dikur kanë qenë gjeneratë e re e tash janë të rritur.


Rridhni nga një familje artistësh. Nëna juaj, Meserete Cavolli, ka qenë këngëtare dhe aktore. Keni lindur në Prizren, jeni rritur në Shkup. Jeni rikthyer në Prizren ku edhe keni mbaruar shkollën e muzikës. Pse kjo lëvizje Prizren-Shkup-Prizren?

Në vitin 1953 u larguam nga Kosova për në Shkup ngase i ndjeri babi im, Isak Cavolli, ka qenë i përndjekur nga UDB-a serbe dhe gjithënjë i burgosur. Prandaj shkuam në Shkup, me nënën dhe dy vëllezërit e mi, dhe jetuam atje vite të tëra. U këthyem në Prishtinë. Nëna ime ishte aktore në Prishtinë fillimisht, e pastaj edhe në Shkup njëherit ishte edhe një ndër këngëtaret e para të Kosovës krahas Zehra Mulës, pastaj kanë ardhur Vera Shahta e më pas Nexhmije Pagarusha, Sanije Shala e kështu me radhë.

Çfarë kujtoni nga fillimet tuaja në fushën e muzikës? Si lindi dashuria për këngën?

Diku në vitet e 60 u paraqita dhe unë si pasardhëse e nënës sime, se këngën e kam kultivuar në shtëpi, jam rritur me këngën. Nëna ime ka qenë për nga natyra shumë e gjallë dhe duke kryer punët edhe këndonte ndërsa unë e përcillja me zërin e dytë. Mund të kujtoj me këtë rast kur në Radio Shkup, isha shumë e vogël, nëna këndonte gjallë, pra drejtëpërdrejtë. Shkonim në mëngjes në radio, me që ishte drejtpërdrejtë, dhe unë e përcillja në këngë. P.sh. kemi pasur disa duete pastaj në Radio Prishtinë i kemi regjistruar ato. Nuk jam e sigurt a ekzistojnë më ato këngë. Do doja shumë që t’i kem në fonotekën time, më shumë për shkak të vajzës sime e cila do donte shumë t’i ketë ato. Edhe babai im ka qenë adhurues i këngës e muzikës. Të gjithë kemi kënduar, ka qenë një atmosferë muzikore në shtëpi.

Keni qenë gjithashtu edhe pjestare e SHKA “Agimi”. Paraqitja e parë para publikut kosovar a ju kujtohet?

Po, paraqitja e parë ka qenë si pijestare e shoqërisë “Agimi” shoqëri me traditë. “Agimi” ka pasë në gjirin e vet orkestrin zbavitës, popullor, korin. Atje jam paraqitur për herë të parë para publikut prizrenas me këngë zbavitëse nga festivali i Sanremos i cili atëbotë ishte shumë i popullarizuar, festival Italian. Ne e dëgjonim në radio, i kopjonim këngët e tyre dhe i këndonim. Pastaj erdha në Prishtinë.

Në karrierën tuaj komunikimet me Shqipërinë?

Kam pasë fatin që të shkoj, me ansamblin “Shota”, në Shqipëri diku në vitet e shtatëdhjeta dhe nuk mund ta harroj pritjen që na është bërë! Publiku i Shqipërisë na ka admiruar! Nuk mund t’i harroj ato suksese qe kam pasur atje! Cdo takim me adhuruesit e mi në Shqipëri më krijon emocion dhe kënaqësi të posacme.

A janë realizuar të gjitha ëndërrat e Lilianës?

Kam pasur shumë dëshirë të merrem me muzikë klasike. I kam pasur të gjitha predispozitat të bëhem këngëtare e operas por ja kështu nuk u bë. Erdha në Kosovë, fillova të këndoj… më morën ujrat e zbavitjes, muzikës zbavitëse, popullore, u punësova… Kështu që as vet nuk u angazhova për ta plotësuar këtë dëshirë, por këtë ua dëshiroj talenteve të reja. Ka shumë prej tyre që vërtet mund të arrijnë. Do t’u kisha thënë atyre të mos shkojnë të këndojnë nëpër kafene por ta ruajnë zërin, të shkollohen, se një ditë patjetër që do të funksionojë si duhet edhe ky segment.

2 vjet, 8 muaj e 28 ditë

Salman Rushdie

Përktheu Ilir Baçi

Në fillim të çdo dashurie ka një pakt vetjak që bën me veten secili prej dashnorëve, një marrëveshje për të lënë mënjanë gjërat negative te tjetri për hir të atyre pozitive. Dashuria është pranvera pas dimrit. Vjen për të shëruar plagët e jetës, që i ka hapur i ftohti mizor. Kur në zemër lind kjo ngrohtësi, papërsosuritë e të dashurit të duken si asgjë, më pak se asgjë, dhe pakti i fshehtë me veten lidhet me lehtësi. Dyshimit i mbyllet goja. Më pas, kur fashitet dashuria, ky pakt i fshehtë duket si budallallëk, por edhe sikur të jetë i tillë, është një budallallëk i nevojshëm që lind nga besimi që kanë dashnorët te bukuria, pra te mundësia e të pamundurës, te dashuria e vërtetë.

Pasaporta në kohën e Mbretit Zog: Çdo shqiptar është vëllai yt

Kureshtja na shtyn ta shohim me detaje këtë pasaportë të vjetër të Mbretërisë së Shqipërisë. Shumë ndryshe nga pasaportat e tjera që dolën me pas dhe kokë e këmbë ndryshe nga biometrikja që jemi pajisur sot.

Ajo që bie në sy janë disa rregulla që në vitet 1937 duket se kanë qenë të arta. Janë për kombin, për emrin shqiptar, për gjuhën shqipe, për flamur dhe një urdhër ku këshillohet ruajtja e karakterit kombëtar, bindju ligjeve të vendit.

Kjo pasaportë është një model i viteve 1930 dhe që i përket kohës së Mbretërisë së Zogut./ KultPlus.com

Po të ishim pa’ me veten sy më sy, a ishim puth’, a ishim pshty’

Nga Kozeta Kurti

Jam aq e guximshme për të thënë që e kisha marrë veten me shpulla, sepse jam e pafuqishme dhe e vetme për ta mbajtur larg dorën e gjakatarit që të vret natën e ndërrimit të viteve, ku mes mijëra hallesh, edhe më i pafati, edhe më i varfri, edhe më i vobekti, edhe më i diskriminuari, edhe më i dhunuari, kërkon të festojë, ashtu sipas mundësive të veta.

Jam aq e guximshme për të thënë që e kisha marrë veten me shpulla, sepse jam e pafuqishme dhe e vetme për t’i kërkuar llogari një grupi njerëzish që s’i zgjodha me emra, por u zgjodhën me numra e që tani kanë në dorë fatin e jetës sime e vendosin për shkollimin tim, për kurimin tim, për urinë time, për etjen time…

Jam aq e guximshme për të thënë që e kisha marrë veten me shpulla, sepse jam e pafuqishme dhe e vetme për ta nxitur forcën time të reagimit e për t’u zgjuar nga letargjia e pafundme.

Do të doja të kisha të drejtë kur e lë fëmijën tim me orë në duar çerdhesh, kopshtesh, shkollash e dadosh, duke humbur magjinë e rritjes së tij, por jam e pafuqishme për ta bërë, sepse herë nevoja, herë rutina, herë makutëria, herë papjekuria, herë egoizmi, ma kanë mbyllur shpirtin me dryn.

Do të doja të kisha të drejtë kur i mbyll prindërit në shtëpi të moshuarish, sepse nusja e vëllait nuk i duron dot të mitë e unë nuk duroj dot ata të bashkëshortit, por s’kam e ndaj me veten s’puthem dot.

Do të doja të kisha të drejtë ndërsa kam harruar dyert e gjyshes, dajës, hallës, tezes, xhaxhait e kujtohem për to për angari dasmash e vdekjesh që dreqi e mori, tani e gjetën, se kemi pasur shumë shpenzime për darkën, fustanin, fishekzjarrët e Viti të Ri, por jam aq e guximshme sa të them: je e pistë për të të puthur.

Do të doja të kisha të drejtë kur u nisa mesazh të njëjtë të gjithë kontakteve që kam në telefon, duke e ditur që njerëzit ose nuk duhen, ose duhen me dashuri të ndryshme, por s’kam të drejtë dhe jam aq e guximshme për të thënë se e bëra sa për sy e faqe, ndaj s’të puth dot vete, se ti ke harruar të duash, madje ke harruar edhe nevojën që ke për t’u dashur.

Do të doja të kisha të drejtë kur zhyta dikë për të dalë në sipërfaqe vetë, se fundja në lojë shkon për të fituar dhe nuk ka rëndësi mjeti, por qëllimi, por e di që s’kam, sepse lumturia ime nuk mund të ndërtohet mbi fatkeqësinë e tjetrit, ndaj si të të puth moj vete?

Do të doja të ishte e vërtetë që pas flokëve të stiluar në parukieri, kostumit fringo, takave spilë e bizhuve plot dritë, pjatave me dekor e shampanjës së shtrenjtë, të mos fshihej një shpirt bosh, sy pa jetë e një përpjekje e dëshpëruar për të kapur lumturinë, por e di që është shkëlqim i rremë, ndaj si të të puth moj vetja ime e pavërtetë?

Do të puth vete, kur të mësosh e të kuptosh ç’është dashuria; ajo që lind nga gjestet e vogla ose shqetësimet e mëdha. Vetëm ajo të udhëheq drejt zgjidhjes; të tjerat janë stërmundime për të fshehur e manipuluar mungesën e saj. Nuk ka rëndësi sa merr e sa jep, por të marrësh e të japësh.

Unë jam aq e guximshme sa të them: “Vete! Eja në vete!” Po ti?

Oscar Wilde: Dashuria e burrit është më e madhe se sa ajo e gruas

“Një burrë ideal”, është dramë komike të cilën Oscar Wilde, e kishte sjellë në vitin 1895 duke shtjelluar brenda vetës temën e nderit publik dhe privat. Filozofia.al ka sjellë paragraf të këtij libri, e cila flet për mënyrën se si gratë i idealizojnë burrat duke i parë si “idhuj”, dhe duke ua fshehur atyre dobësitë.

“Gabimi të cilin të gjitha gratë e bëjnë. Pse nuk mundeni ju gra, të na dashuroni neve, fajet tona dhe gjithçka tjetër? Pse na vendosni neve në piedestale të tmerrshme?

Të gjithë, si burrat ashtu e gratë, këmbët i kemi nga balta; por atëherë kur ne, burrat, i dashurojmë gratë, ne i dashurojmë duke ua njohur dobësitë, budallallëkun, papërkryeshmërinë, i duam gjithnjë e më shumë, ndoshta pikërisht për këto arsye.

Nuk është e përkryera, por e papërkryera, ajo që ka nevojë për dashuri. Atëherë kur ne jemi të plagosur nga duart tona, ose nga duart e të tjerëve, atëherë duhet të vijë dashuria për të na shëruar – përndryshe për çfarë tjetër do nevojitej ajo?

Të gjitha mëkatet, përveç mëkatit ndaj vetes, dashuria duhet t’i falë. Dashuria e burrit është e tillë. Është më e gjerë, me e madhe, më shumë se sa ajo e gruas.

Ajo çfarë ato po bëjnë me ne (burrat) janë idhuj të rremë. Ti e ke bërë një idhuj të rremë nga unë, dhe unë nuk e pata guximin të zbres poshtë, të t’i tregoj plagët, të t’i rrëfejë dobësitë e mia. Kisha frika se mund ta humbisja dashurinë tënde, kështu siç e humba tani”./ KultPlus.com

Gjilani gati për “Flakën e Janarit 2018”, i dedikohet 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja e bordit të drejtorëve, njësive dhe zyrave, për të raportuar për planifikimin e muajit janar, mbledhje kjo e cila u transmetua drejtpërdrejt nga radiot lokale.

Në këtë mbledhje kanë qenë në fokus edhe përgatitjet për manifestimin “Flaka e Janarit 2018”, për të cilin u tha se është gjithçka gati për të nisur në mënyrën më të mirë.

“Gjatë këtij muaji, fokusi kryesor është manifestimi “Flaka e Janarit”, i cili i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Skënderbeut dhe 50-vjetorit të demonstratave për Flamur. Ky manifestim është tejet i rëndësishëm pasi i kushtohet vlerësimit të dëshmorëve të kombit, të cilët u sakrifikuan për ditët e sotme. Këtë vit, do ta nderojmë edhe njeriun i cili dha shumë për lirinë e shqiptarëve, heroin Metush Krasniqi”, ka thënë kryetari Haziri./ KultPlus.com

Balada e një të vdekuri që ecën

Poezi e shkruar nga Ndriçim Ademaj.

Djelmosha,
Dashurohuni me vajza nga qytete të largëta…

Dashurohuni rrugëve që nuk do t’i shkelni më kurrë,
Dashurohuni në adresa që harrohen lehtë…

Më kujtohet takimi i parë,
Kur u ndalëm n’mes të rrugës e u puthëm si të marrë
makina të ngutura na fërshëllenin
shoferët na shanin nënën
por për ne kjo ish veç festë…

Djelmosha,
dashurohuni me femra që s’kanë lexuar asnjë libër,
për të cilat asnjë libër nuk është shkruar…

Nuk e harroj letrën e saj të parë
e kishte filluar mallshëm, me “I dashur burrë”
pastaj u ndamë nja katër herë
dhe nuk më shkroi më kurrë…

Dashurohuni teatrove ku perdet bien vetëm një herë
kafeneve të largëta
ku kamerierët s’do të presin
që në krahun tuaj të djathtë të jetë ajo
flokëlëshuar
si vdekja e ëmbël, e ngadaltë…

Dashurohuni, djelmosha
se të shtunat një ditë s’do t’ju thonë më asgjë,
nuk do t’vraponi mbas autobusëve të fundit
si të çmendur
për të shkuar në kryeqytetin e afërt
tek vajza që ju pret ulur me kapelë në kokë,
një ditë nën kapelën e saj do të pikojë
shiu
i një dhjetori tjetër…

Mbaj mend gjithçka,
edhe ato që dukej se i kisha harruar
me kthehen herë pas here si letra dërguar askund,

dashuria një ditë shkon,
por malli t’i ha ditët një nga një
si krimbi kokën e krevatit të zjarrtë
ku do t’shkrryheni të vetmuar
me ndonjë femër tjetër…

Djelmosha,
bëni çka të bëni,
dashurohuni me vajza nga qytete të largëta…

Tre librat që Universiteti i Stanford u kërkon çdo studenti të ri t’i lexojë

Të freskët nga entuziazmi që janë pranuar në universitetin më konkurrues në Amerikë, studentët e Universitetit të Stanfordit do të duan ta shfrytëzojnë verën për t’u çlodhur pak, por ky universitet përmes programit “Tre libra”, i nxit ata të jenë më të aftë për të menduar dhe studiuar për çështje të rëndësishme, përcjellë KultPlus.

Administratorët në Stanford dëshirojnë që studentet që vijnë të vazhdojnë të mendojnë në mënyrë kritike për çështje komplekse, dhe kështu kanë realizuar programin të quajtur “Tre Libra” , i cili çdo verë u sugjeron studentëve libra që të gjithë komuniteti duhet t’i lexojë dhe të diskutojë për to.

“Programi Tre Libra është projektuar për t’ju prezantuar përvojën e leximit, të menduarit dhe të diskutimit rreth temave sfiduese si anëtar i komunitetit intelektual të Stanfordit”, kishte thënë profesori i këtij universiteti Noah Diffenbaugh.

Diffenbaugh, udhëheqësi i programit dhe profesor i shkencës së sistemit të tokës, tha se tema e këtij viti bazoheshin në qëndrueshmërinë dhe barazinë.

“Të tre këto libra kanë pasur një ndikim të thellë tek unë dhe mendimet e mia,” shkroi ai. “Dhe, ashtu si secili prej këtyre librave ofron një ndjenjë shprese dhe optimizmi në rrethana jashtëzakonisht sfiduese, jam optimist se në diskutimin e këtyre sfidave mund të ndihmojmë njëri-tjetrin të gjejë një ndjenjë shprese për të ardhmen”, kishte treguar profesori Diffenbaugh.

KultPlus ju përcjellë tre librat që Stanford dëshiron që studentet e ardhshëm të lexojnë gjatë kësaj vere.


1. Homegoing, nga Yaa Gyasi

“Homegoing ndjek rrugët paralele të disa motrave dhe pasardhësve të tyre nëpër tetë breza: nga Bregu i Artë në Plantacionet e Misisipit, nga Lufta Civile Amerikane në Jazz Age Harlem. Romani i jashtëzakonshëm Yaa Gyasi ndriçon trashëgiminë e trazuar të skllavërisë si për ata që janë viktimizuar dhe ata që kanë arritur të qëndrojnë. Ky libër tregon se kujtimi i robërisë është shkruar në shpirtin e kombit tonë “.

2. “The Sixth Extinction: An Unnatural History’ nga Elizabeth Kolbert

“Në këtë libër Kolbert detajon dëshminë se aktiviteti njerëzor po shkakton atë që shkencëtarët e quajnë zhdukjen e gjashtë në masë – humbjen e gjysmës së të gjitha llojeve të gjalla në Tokë. Kolbert gjurmon historinë intelektuale se si shkencëtarët erdhën për të kuptuar zhdukjen dhe u zgjua në ndikimin që kemi në ekosistemet e planetit”.

3. Salvage the Bones, nga Jesmyn Ward

“Ky libër shtjellohet brenda familjes Batiste: Esch, një katërmbëdhjetë vjeçare shtatzënë, vëllezërit e saj adoleshentë dhe babai i tyre alkoolik, të cilët gjenden përballë uraganit Katrina. Ardhja e stuhisë është në zemrën e “Salvage the Bones”, ndërsa tregon historinë e katër fëmijëve të dhënë pas nënës, duke u përpjekur për të mbrojtur shtëpinë e tyre dhe njëri-tjetrin kundër një shkatërrimi të paimagjinueshme “./ KultPlus.com

Shpend Ahmetit, demagogut parekselancë

Marrëdhënia e Kryetarit të Prishtinës me qytetarët është marrëdhënie jo-estetike. Kohë më parë, Kryetari i Prishtinës, me nonshalancë dhe prepotencë të pakuptimtë, refuzoi të takonte investitorë potencial të ardhur enkas nga jashtë, të investojnë në infrastrukturën artistike dhe kulturore të qytetit.

Ndërkohe që gjatë orarit të punës, ai gjen kohë për t’u deklaruar për problemet partiake, për t’ju përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale, dhe për tu krekosur në intervistat e shumta. Sikur gjysma e energjisë së tij e shpenzuar në selinë partiake, rrjetet sociale dhe intervista të investohej në punë, do të arrinte të rregullonte ndonjë gjë të vockël të dukshme. Se të padukshmet përmirësime i shikon vetëm ai (dhe stafi i tij i afërt). Mua, Prishtina më duket si një qytet i mbarsur me tmerr.

Demagogu i përkryer Shpend, nuk sillet si kryetar komune por si Rock Star. Dhe këtij Rock Star-i, këtij kryetari të varur nga vëmendja, më duhet t’ia kujtoj disa fakte, që të zbres nga lartësitë e botës së tij imagjinare.

Shpend, në Prishtinën tënde imagjinare, të janë bërë njësh dëshira dhe imagjinata. Prishtina për të cilën flet ti, kur i referohesh të arriturave, është qytet imagjinar. Tmerrësisht bukur i përshkruar. Madje më ngjason me shtetin e presidentit aktual, ku çdo gjë është perfekte në këtë vend. Ju (ti dhe ai, Kryetari i Kosovës) silleni dhe veproni me një komoditet të tepruar. Në habitatet tuaja përkatëse, keni gjetur “gjërat” e munguara. Por, qytetarët s’kanë pse ua ushqejnë egot. Sepse qytetarët kanë preokupime madhore ekzistenciale, për të cilat ju (ti dhe ai, kryetari) s’keni dijeni.

Mjaft u krekose me refrenin tënd të tejpërsëritur për kungja dhe kifle. Është banalitet të gjesh strehë në një klishe. Deklaratat tua janë mizantropi vetëvlerësuese. Në Prishtinën tënde të arrirë, nuk arrin të ç’nervozohesh. Për pasojë, izolimi të bëhet përditshmëri.

Mjaft u solle si një superkryetar i një superkryeqyteti. Mjaft u solle si totem, qytetarët e së cilit duhet të të falen për “gjithë të mirat” që ua paske sjellë. Qytetarët nuk janë të detyruar të të adhurojnë. As të të trajtojnë si tabu. Përkundrazi, duhet të ti kujtojnë problemet e pafundme. Qytetarët e kryeqytetit e meritojnë një jetë më të dinjitetshme. Nuk përmirësohet cilësia e jetës duke i larguar investitorët dhe as nga deklarata tua optimiste. Unë habitem me cilësimet që ti i bën punës tënde, arritjeve tua, veprës tënde madhore. Ti ma ofendon inteligjencën, sepse më trajton si të paditur. Si miop. Që s’arrij të shikoj atë që shikon ti. Mjaft me këto mediokritete të rafinuara. Mjaft më me “brain pollution”. Ka kohë që ne kemi humbur aftësinë për t’i gëlltitur gënjeshtrat. Edhe “macchiato society” e qytetit është vetëdijesuar. Dëshmi janë rezultatet e fundit…

Mjaft u solle si Rock Star. Dil nga membrana jote dhe “ekzaminoje” qytetin. Shikoje se ç’gjendje është, në realitet. Ti, (me punën tënde) je kontribuues madhor i kaosit dhe anarkisë. Ti (me të arriturat tua) je kontribuuesi kryesor i dhimbjes konstante që na shkakton përditshmëria. Ti (me projektet tua madhore) je kontribuuesi më i madh i depresionit kolektiv. Ti (me eksperiencën tënde) je kontribuuesi kryesor i gjendjes se mjerë artistike dhe kulturore.

Por, ti për çdo mossukses ke arsyetim. Çdo “sukses” ia atribuon vetes. Paralelisht, je shndërruar në krekosës profesionist dhe vajtues profesionist. Duhet të jesh shumë naiv për të qenë i lumtur. Qeverisja jote, nëse mund të quhet qeverisje, quhet: zhgënjim dhe dëshpërim.

Ka kohë që je shndërruar në politikan profesionist, vetëm flet dhe asgjë s’punon. Ka kohë që e konsideron veten gjigant. Ti je një gjigant, por një gabim gjigant.

Besoj që e ke arritur moshën kur duhet të hysh në fazën e shqyrtimit të ndërgjegjes. Merr shembull kryeqytetet e rajonit dhe bëj krahasime. Zgjohu. Dil nga bota jote imagjinare në realitet. Dhe fillo nga pastrimi. Por, fillimisht nga pastrimi i mendjes tënde.

****

P.S.

Sa për të ta kujtuar. Ti nuk fitove se kishe program dhe do t’i sillje të mira Prishtinës. Ti fitove sepse qytetarët deshën ta ndëshkonin tjetrin, që pretendonte se do të vazhdonte të qeveriste me duar në xhepa. Sepse në zgjedhjet parlamentare, ti dhe partia yte FER, fituat pak mbi 1 %. Ti qëllove të ishte kundërkandidat në një moment të caktuar. Rrethanat të sollën në krye të Prishtinës. Që pastaj të na dënoje me të “arriturat” tua.

Arroganca di të të ndëshkoj. E provove. Fitorja jote e dytë është fitore e hidhur. Dhe nuk e pate atë buzëqeshje të gdhendur në fytyrë. Trete disa kilogram në pritje të rezultateve. (Dhe shumë të tjera ke për të tretur deri në fund, me këtë përbërje dhe këtë mentalitet…)

Pa asnjë respekt për ty
Arben I Kastrati

Evolucioni i bukurisë së Madonnës: Gjurmimi i 20 transformimeve të saj ikonike (FOTO)

Madonna ka rizbuluar shumë herë bukurinë e saj gjatë karrierës. Pas dekadave të tëra pasi ajo hyri në sferën e muzikës së popit me një kulturë bionde perokside, me këngën “Material Girl”, ajo tani një 59 vjeçare, vazhdon edhe të jetë renegatë e bukurisë, përcjellë KultPlus.

Megjithëse ajo është aktualisht sinonim i një bionde, nuk është e lehtë të harrosh se ikona e muzikës, Madonna Louise Ciccone që erdhi nga Bay City, Michigan, arriti në skenën e klubit të Nju Jorkut me pamjen natyrale të një zeshkaneje. Pamja e saj kishte vazhduar të jetë e zakonshme deri në momentin kur pamja e saj iu besua stilistes Maripoli, që së pari e filloi zbardhjen e kaçurreleve të modës së viteve ’80.

Ndërsa mbante vetulla të trasha dhe buzët e saj të kuqe, ajo në fillim të viteve të 90-ta u karakterizua me periudhën e turneut të saj “Blond Ambition”, ku shfaqej duke kombinuar kostumet e Jean Paul Gauiltier me flokët e kapura lartë, me flokët e inspiruar nga Marilyn-Monroe. Por, Madonna kurrë nuk ka qenë për minimalizëm, para se të hynte në kontakt me anën e saj bohem dhe duke adoptuar tekstet më të gjalla, ajo përqafoi Kabbalah-n dhe mbizotëroi listat me këngën “Ray of Light” të vitit 1998.

Që nga fillimi i viteve 2000 deri në ditët e sotme, ajo rrallë ndalohet për të dhënë një goditje, veçanërisht kur është fjala për ndryshimin e pamjes së saj. /KultPlus.com

Vdes shkrimtari i njohur izraelit Aharon Appelfeld, i mbijetuar i Holokaustit

Shkrimtari izraelit, Aharon Appelfeld, një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë izraelite dhe që i mbijetoi Holokaustit, vdiq sot në moshën 85-vjeçare, njoftuan të afërmit e tij.

Vepra e tij, kushtuar në pjesën më të madhe jetës së hebrenjve në Evropë para dhe gjatë Holokaustit, u përkthye në disa gjuhë. Lindur në vitin 1932 në një fshat pranë Czernowitz, në Ukrainë, në një familje hebreje, mamaja e tij u vra nga nazistët dhe ai u depërtua me babain e tij në një kamp.

Ai iku i vetëm në vitin 1942 dhe mbijetoi në pyje, adoptuar nga një bandë kriminelësh ukrainas. Pasi ra në duart e sovjetikëve, ai u bë kuzhinier për nëntë muaj i Ushtrisë së Kuqe, nga ku u largua në vitin 1945.

Ai emigroi një vit më vonë në Palestinë.

“Askush nuk donte jetimë në Evropë. E vetmja rrugë ku mund të shkoje ishte Palestina”, tregon shkrimtari në një intervistë për AFP-në në 2010.

Aharon Appelfeld rigjen babain e tij, edhe ai i mbijetuar i barbarisë naziste, në vitin 1957 në Izrael. Libri i parë i tij u publikua në vitin 1962 dhe do të pasohej nga më shumë se 40 vepra, romane dhe poezi. Ai tregon në autobiografinë “Historia e një jete” (1999) se si i mbijetoi Holokaustit./ KultPlus.com

Konkursi i brendshëm për drejtor të QKK-së nxit akuza për manipulim

Me konkurs të brendshëm, në të cilin të drejtë aplikimi kanë shërbyesit civilë të institucioneve të kulturës, trashëgimisë kulturore e të Ministrisë së Kulturës, kjo e fundit ia ka mësyrë ta bëjë me drejtor Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Por ende pa u mbyllur konkursi tetëditësh, në komunitetin e kienastëve kanë shpërthyer akuza se ai është i paligjshëm dhe se po bëhet për t’ia vazhduar mandatin drejtorit të deritashëm të QKK-së, Arben Zharku.

Një reagim i Shoqatës së Autorëve dhe Producentëve të Filmit dhe Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, të mërkurën, u është dërguar ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Aty kërkohet edhe anulimi i konkursit të brendshëm që ka shpallur MKRS-ja më 29 dhjetor të vitit të kaluar, sikurse edhe shkarkimi i këshillit drejtues të QKK-së, shkruan sot Koha Ditore./ KultPlus.com

Rita Ora sjellë këngë të re (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka njoftuar se të premten do të publikojë këngën e re.

Projekti i ri i krijueses së hitit “Anywhere” pritet të jetë bashkëpunim me anëtarin e grupit “One Direction”, Liam Payne.

Kënga do të jetë kolonë zanore e filmit “Fifty Shades Freed”./ KultPlus.com

Nën patronazhin e kryeministrit Haradinaj, orë letrare për Gjergj Kastriotin Skënderbeun

Nën patronazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 15 janar, me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, organizohet ora e madhe letrare kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Më titullin “Ora e Gjergjit” e iniciuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ftohen të gjithë krijuesit nga bota e emigracionit dhe të gjithë ata që kanë dëshirë që të marrin pjesë në këtë manifestim të rëndësisë së veçantë.

Pra më 15 janar me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, mbahet “Ora e Gjergjit”, kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut./ KultPlus.com

Sot 94 vjetori i lindjes së Kadri Roshit (FOTO)

Më 4 janar të vitit 1924, kishte lindur aktori i madh shqiptar Kadri Roshi, shkruan KultPlus.

Sot, Roshi ka 94 vjetorin e lindjes ndërsa Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, zgjodhi që ta përkujtoj me disa fjalë e disa fotografi.

Kadri Roshi vdiq më 6 shkurt të vitit 2007.

Po sjellim të plotë shkrimin nga Ministria e Kulturës:

“Përkujtojmë sot me respekt dhe nderim 94-vjetorin e lindjes së aktorit Kadri Roshi, “Artist i Popullit”, Ezopi shqiptar, apo “Patriarku i fjalës së kënduar shqipe” si e ka cilësuar poeti Dritëro Agolli-Fjala në gojën e tij sjell tingullin e zileve të këmboreve të Malit të Nemërçkës, Malit të Gjerë, të kengës polifonike, apo rrjedhës se lumenjve.

Jo vetëm aktor brilant, por edhe një njohës i shkëlqyer i historisë, politikës, gjeografisë, apo ekonomisë botërore. Këto njohuri i konsideronte të domosdoshme në interpretimin e roleve të veta. Pasionant i duhanit dhe peshkimit. Besonte se për të qenë i suksesshëm duhej më shumë punë dhe pak talent. U nda nga jeta me dëshirën dhe ëndrrën për të jetuar me skenën.

“Të gjitha rolet që nuk i kam luajtur i kam pengje. Kështu e ka jeta e aktorit”.

Jetoi me skenën dhe kinemanë dhe na solli një portret që mbeti i dashur në celuloid, me qindra role dhe personazhe duke na dhuruar Artin e bukur të fjalës. Dhe mbeti i dashuruar me vendin e tij: “Unë jam shqiptar. Jam aktor shqiptar nga koka tek këmbët, nga këmbët tek koka dhe për këtë krenohem””, thuhet në shkrimin nga Ministria e Kulturës./ KultPlus.com

Korridori i pafund i Nivicës (FOTO)

Në majat e larta në jug të Shqipërisë, në rrugët gjarpëruese ndodhen një grup fshatrash, ku duket se koha është ndalur prej dekadash.

Fshati Nivica, një fshat i panjohur i vendosur në malet jugore në zonën e sipërme të Kurveleshit, po tërheq shumë tifozë të sporteve ekstreme dhe aktiviteteve të tjera rekreative. Ndërkaq, një grup alpinistësh profesionistë eksploruan kanionet e panjohura të Nivicës.

Në këtë zonë prej disa vitesh po zbatohet një projekt që synon krijimin e një modeli të qëndrueshëm të turizmit në rajon. Nivica është vendi i përsosur për ata që e duan natyrën dhe historinë. Jeta në fshat dhe në të gjithë rajonin ndjek një ritëm të ngadaltë që pasqyron rëndësinë e bujqësisë dhe traditave të vjetra.

Mediat ndërkombëtare si Washington Post dhe FOX News dhe së fundmi edhe “Canyon Cult Slovenia”, një shoqatë alpinistësh në kërkim të thesareve të fshehura të natyrës, shkruan për projektin Nivica. Përmes shkrimeve të tyre ata paraqesin tiparet unike të natyrës dhe njerëzve në zonë që mbetet e paprekur nga jeta moderne.

Kanioni që mund të eksplorohet dhe aktivitete të tjera në natyrë pritet të ndihmojë zhvillimin social dhe ekonomik të komuniteteve lokale në të gjithë rajonin e Kurveleshit./ KultPlus.com