‘Shfaqja e fundit e Marie Gjonit’ për Bekim Lumin

Tashmë janë shpeshtuar aktivitetet artistike për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, i cili po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit, shkruan KultPlus.

Për ta ndihmuar regjisorin, do të shiten 200 kopje të dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”. Këtë e ka bërë të ditur vet Surroi, shkruan KultPlus. “Drama e ndaluar, ‘Shfaqja e fundit e Marie Gjonit’, nesër në Skenën e Vogël. 200 kopje për Bekim Lumin”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Paratë e mbledhura do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj./KultPlus.com

Vijnë filmat e ‘Javës së Filmit Frankofon’ në disa qytete të Kosovës

Nesër do të shfaqet filmi i parë në kudër të organizimit “Java e filmit frankofon”. Filmat do të shfaqen në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë. KultPlus ju sjellë listën e plotë të filmave që do të shfaqen, të cilët mund t’i ndiqni pa pagesë.

Java e filmit frankofon – 12 deri me 16 Mars

PRISHTINË

• 14 mars : 20 :00 ; L’affaire SK1, F. Tellier (Francë) – KINEMA ABC.
• 15 mars : 20 :00, Demain,apres la guerre C. Wagner (Luksemburg) – Cineplexx.
• 16 mars: 17:30, Wolf,nga Royal Vineyard Street, J. Nemec (Republika e Çekisë) – Aleanca Franceze e Prishtinës.
• 16 mars : 19 :00 Melody, B. Bellefroid (Belgique) – Alliance Française de Pristina.
• 17 mars, 20 :00 – La prochaine fois, je viserai le cour . Anger (Francë) – Cineplexx.
• 18 mars, 20 :00 –Le dernier diamant E. Barbier (Francë) – Cineplexx.
• 21 mars, 10 :00 – S, X. Beauvois (Suisse) – Université de Pristina.

PRIZREN – DokuKino
• 16 mars, 19 :30 –: La rançon de la gloire X. Beauvois (Suisse).
• 18 mars,17 :00- Rétrospective « Triller francez» (Bob Flambeur, J.-P. Melville ; La fleur de mal, C. Chabrol ; Inspecteur Lavardin, C. Chabrol).

PEJË – Kinema Jusuf Gërvalla
• 17 mars, 16 :00 – L’Affaire SK1, F. Tellier (Francë).
• 17 mars, 19 :00 – La rançon de la gloire, X. Beauvois (Zvicërr).

MITROVICË
• 17 mars, 20 :00 – L’Affaire SK1, F. Tellier (Francë) – 7 Arte
• 23 mars : La rançon de la gloire, X. Beauvois (Zvicërr) – Aktiv.
Edicioni i 18-të i “Javët e Frankofonisë 2018” do të zgjasë deri më 31 mars. / KultPlus.com

“Shqiptarët i ka çmendur mendjemadhësia”, 15 këshilla të Mit’hat Frashërit, që tregojnë shqiptarin e vërtetë

“Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat, pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre”.

Kjo është thënia simbol e Mit’hat Frashërit, alias Lumo Skëndo, e thënë në vitet ’30 kur shkëlqeu një plejadë dhe traditë letrare, por dhe elitare në Shqipëri.

Mit’hat Frashëri u lind më 25 mars 1880 në Janinë; vdiq më 3 tetor 1949 në Nju-Jork, SHBA.

Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit.

Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit.

Ai është konsideruar si njëri nga intelektualët më të shquar të brezit të vet. Gjatë pesë dekadave të sundimit komunist, ai mbeti i hetuar dhe u quajt “reaksionar”, “tradhtar” etj.

E vetmja tradhti që kishte bërë ishte ajo ndaj ideologjisë komuniste dhe ideologëve të saj…

Pa u zgjatur shumë te veprimtaria letrare dhe patriotike e Mit’hat Frashërit, e cila studiohet që në shkollë dhe interneti “gëlon” me to, supershendeti.com ka përzgjedhur disa nga thëniet e tij më të spikaura për shqiptarët, që duket se do të mbeten gjithnjë aktuale; sado shekuj kalojnë.

Ja çfarë thotë Mit’hat Frashëri për shqiptarët:
1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës – të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12 – Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

13 – Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.

14 – Shpesh herë zemërimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.

15 – Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai qe rrëfehet./konica.al

Të gjitha vallet më pëlqejnë që i luan bota, por më shumë zemrën ma ndez e imja Shota (VIDEO)

Vallja e Shotës është një ndër vallet më të njohura në Kosovë. Vallja luhet ne disa variante: dy vajza dhe dy djem bëhen çifte. Është valle lirike e cila luhet në të gjitha tubimet festive, shkruan KultPlus.

Në mars të vitit 2013, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi një ligj që e bën Shotën një pjesë të aktiviteteve kulturore të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve. Me veshje tradicionale kjo valle, sjellë një atmosferë të veçantë në të gjitha tubimet festive.

Dashuria ndaj kësaj valle reflektohet si tek valltarët që me lëvizjet e tyre e jetësojnë atë, po ashtu dhe tek shikuesit që me duartrokitje e përcjellin atë. Andaj KultPlus sot ju sjellë një këngë që më së miri flet për dashurinë e shqiptarëve ndaj kësaj kënge. Kjo këngë ka qenë një hit i viteve të 90’ta.
KultPlus ju sjellë tekstin e kësaj këngë së bashku me interpretimin e Gafur Muratit.

E dua sangon,e dua sangon zemra ime thërret
Karnevalin brazilian ëndërr e kam ne jetë
Edhe katrin edhe shqiptatin hiq si adhuroj
Çdo pjesë e trupit me vallëzon’
Kur t’i dëgjoj
Ne te vërtet çdo valle unë e dua
Zemër muzikale, rreh në mua

Refreni
Te gjitha vallet me pëlqejnë
Qe i luan bota
Por ma shumë zemrën ma ndez e imja Shota
Te gjitha vallet me pëlqejnë
Qe i luan bota
Por ma shumë zemrën ma ndez e imja Shota e, imja Shota, e imja Shota

E dua tangon,e dua tangon
Eni pra të vallëzojmë
Boten tonë te bukur rinore
Edhe me ta zbukurojmë
Dhe flamenkon edhe flamenkon pa mas me pëlqejnë
Sa herë që atë e luaj zemrën ma rrëmben
Ne te vërtet çdo valle unë e dua
Zëmër muzikale rreh për mua

Refreni:
Te gjitha vallet me pëlqejnë
Qe i luan bota
Por ma shumë zemrën ma ndez e imja Shota
Te gjitha vallet me pëlqejnë
Qe i luan bota
Por ma shumë zemrën ma ndez e imja Shota e imja Shota e imja Shota

Refren:
Te gjitha vallet me pëlqejnë
Qe i luan bota
Por ma shumë zemrën ma ndez e imja Shota
Te gjitha vallet me pëlqejnë
Qe i luan bota
Por ma shumë zemrën ma ndez e imja Shota, e imja Shota, e imja Shota.

Pse myslimanët nuk luten shqip?

Gani Mehmetaj

Perandoria turke që nga fillimi i islamizimit të dhunshëm në Gadishullin Ilirik, i shpalli luftë kombit dhe gjuhës sonë. Luftën nuk e pushoi asnjëherë. Me Shqipërinë nuk bëri armëpushim e paqe, ndërsa bëri armëpushim e lidhi marrëveshje paqe më Serbinë, Greqinë, Rumaninë e Bullgarinë. Me Shqipërinë nuk i përcaktoi as kufijtë, që do të ndalte sulmet serbe, greke e malazeze, por bëri marrëveshje të fshehtë ushtarake me armiqtë tanë, duke ua dhënë territoret shqiptare fqinjëve kriminelë, pasi ushtria turke i vrau e ua dogji shtëpitë shqiptarëve.

Turqia po ashtu lidhi një varg marrëveshjesh me Serbinë e Greqinë për zhvendosje të popullatës: dha grekë nga Anadolli e mori shqiptarë nga Selaniku, Trakia lindore e Çamëria. Turqia bleu me para shqiptarë të okupuar nga Serbia dhe i dërgoi në fund të Anadollit për t’ia ruajtur kufijtë me Kurdistanin.

Edhe gjatë okupimit turk, bullgarët, serbët, grekët e rumunët patën të drejta e privilegje, i kishin shkollat laike e predikimin në kisha në gjuhën e tyre amtare, nuk i detyronin me forcë të shkonin në luftërat e perandorisë turke, ua pranonin kombin, gjuhën e fenë.
Ndërkaq shqiptarët Porta e lartë i vriste, i ndiqte, nuk ua lejonte gjuhën shqipe në shkolla e në predikimin fetar.

Që ta përshpejtonin shkombëtarizimin, zyrtarët turq lejuan hapjen e 3000 shkollave në gjuhë greke bullgare, serbe e rumune në krahinat shqiptare, por shkolla shqipe nuk lejuan. Xhamitë i ndërtuan mbi kishat shqiptare katolike e ortodokse, ndërsa nëpër xhami urdhëruan lutjet e predikimi në arabisht e turqisht. Kishat ortodokse e katolike ua morën shqiptarëve e ua dhanë serbëve.

Deri vonë në Shqipëri (Dardania ishte një tërësi me Shqipërinë) hoxhallarët i sillnin nga Turqia, Rusia e Arabia. Dikur nisën t’i rekrutonin edhe nga territoret shqiptare, kryesisht ardhacak aziatikë të natyralizuar, por më parë ua shpërlanin trurin, i bënin antishqiptarë të tërbuar. Sot pjesa më e madhe e hoxhallarëve janë antishqiptarë sa edhe serbët.

Meqë luftën kundër shqiptarëve nuk e kanë pushuar, myslimanët nuk luten shqip. Prandaj shqiptarët që deklarohen myslimanë janë shtresa më e nëpërkëmbur dhe më e diskriminuar në dy shtetet e tyre.
Një armatë hoxhallarësh gjysmë analfabetë, i nëpërkëmbin besimtarët, ua përbuzin gjuhën, i fyejnë kombëtarisht, i trajtojnë si dele, ua heqin qeleshen dhe i detyrojnë të vënë kapele beduinësh. Edhe hoxhallarët mbajnë kapele beduini ose çallme osmane. Kjo kope besimtarësh që shkon në xhami e lutet në gjuhën që nuk e kupton s’ka si të trajtohet ndryshe./KultPlus.com

A e dini kush e ka shkruar tekstin e këngës së famshme “Baresha” (VIDEO)

Kënga e famshme “Baresha” vulë e përhershme e Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha është këngë perlë shqiptare që po i reziston kohës, shkruan KultPlus.

Edhe pse kanë provuar shumë talent ta risjellin këtë këngë të fuqishme, interpretimi i vet Nexhmije Pagarushës konsiderohet të jetë më i fuqishmi.

Mirëpo, shumë pak kanë njohuri se kush qëndron prapa krijimit të kësaj kënge të fuqishme. Tekstin e kësaj kënge e ka shkruar shkrimtari i njohur për fëmijë Rifat Kukaj, kurse kompozimi i kësaj këngë është rezultat i kompozitorit të mirënjohur Rexho Mulliqi./KultPlus.com


Tre musketjerët e rock-ut me koncert në Prishtinë

Redon Makashi, Elton Deda e Aleksandër Gjoka do të vijnë me një koncert të madh në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Tre musketjerët, që tashmë e shumë vite përbëhet nga treshja e famshme do të mbajë këtë koncert i përcjellë edhe nga orkestra e madhe.

KultPlus ka kuptuar se ky koncert do të mbahet më 14 prill, në Sallën 1 tetori në Prishtinë. /KultPlus.com

Rugova në përurimin e monumentit të Skënderbeut: Gjeneratat e reja do të rriten me heroin e vet (VIDEO)

Presidenti historik, Ibrahim Rugova ishte ai që u ishte drejtuar të gjithë të qytetarëve dhe të pranishmëve që kishin ardhur në përurimin e monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Fjalimi i tij cilësohet si një fjalim emocionues, në atë ditë të rëndësishme për Kosovën. Në fjalimin e tij presidenti Rugova, kishte thënë se kjo ishte një ditë e madhe për Kosovën, që ndër gjenerata e kishin ëndërruar.

“Sot është një ditë e madhe sepse po përurojmë monumentin e heroit nacional të shqiptareve në Prishtinë. Shumë gjenerata të mëparshme dhe gjenerata jonë, e kemi ëndërruar këtë ditë. Gjeneratat e reja, fëmijët tanë do të rritën me Skënderbeun do të rritën me heroin e vetë”, kishte thënë Rugova gjatë fjalimit të tij.

Ndër të tjera, ai kishte shtuar se edhe Gjergj Kastrioti do të ndihej i lumtur për lirinë e Kosovës dhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
“Gjergj Kastrioti ndihet lumtur për lirinë e Kosovës, të Dardanisë antike. Ndihet i lumtur sepse miqtë e tij janë në Kosovë dhe me Kosovën. Ndihet i lumtur sepse Kosova shqiptarët do të bashkohen dhe integrohen në botën evropiane, aty ku e kanë vendin, në atë botë që Kastrioti e ëndërroi”, kishte thënë ndër të tjera Ibrahim Rugova.

Po ashtu, në këtë video shihen edhe Mark Krasniqi, Nekibe Kelmendi, Tahir Zemaj, Skënder Hyseni dhe shumë veprimtarë./ KultPlus.com

Kanë filluar punimet në Sheshin “Adem Jashari”, premtohet gjelbërim dhe ulëse për pushim (FOTO)

Komuna e Prishtinës ka filluar punimet në Sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Sipas një njoftimi për medie, këto punime kanë filluar sot dhe do të zgjasin për 90 ditë.
“Sot kanë filluar punimet për rregullimin e sheshit “Adem Jashari”. Kjo hapësirë do të shndërrohet në një shëtitore të përshtatshme dhe do të përfshijë brenda vetes edhe pjesët e gjelbëruara, edhe ulëset për pushim. I gjithë projekti pritet të përfundojë për 90 ditë pune”, thuhet në këtë njoftim./KultPlus.com

Mantia dhe muzikë Jazz, midis New Yorkut

Kitaristi i njohur nga Kosova, Taulant Mehmeti, këtë të shtunë do të mbaj një mbrëmje të muzikës Jazz, në New York, shkruan KultPlus.

Krahas muzikës së tij, vizitorët e kësaj mbrëmje do të mund të shijojnë edhe mantiat, një ushqim tradicional shqiptar. Kitaristi Mehmeti përmes një postimi në Facebook, ka treguar se mantiat do të përgatiten nga nëna e tij, ndërsa ju ka bërë ftesë të gjithëve që t’i bashkëngjiten në këtë mbrëmje, ku ai do të interpretoi parmes kitarës.

“Nëse ju ka marr malli për mantija t’Kosovës, Nana jem i maron mantijat ma t’mira n’botë edhe oshtë n‘vizit n’New York. Hajdeni te veni hani mantija edhe ngone muzikën tem origjinale”, ka shkruar kitaristi Mehmeti.

Mbrëmja do të mbahet këtë të shtunë në Caffe Buon Gusto Riverdale, duke filluar nga ora 21:00./ KultPlus.com

“Baby” film me Arta Dobroshin, tani mund ta shikoni edhe në Vimeo (VIDEO)

Filmi i metrazhit të shkurtë “Baby”, me regji të Daniel Mulloy, tashmë është lansuar edhe online, shkruan KultPlus.

I realizuar në vitin 2010, ky film flet për një grua e cila ndiqet nga një i huaj. I nominuar edhe në disa festivale të njohura, në këtë film luan aktorja kosovare Arta Dobroshi, kurse me role të tjera janë edhe aktorët: Daniel Kaluuya, Etela Pardo, Celia Meiras. Për më shumë mund ta shikoni të plotë këtë film në videon e bashkangjitur./KultPlus.com

BABY (short film) from Daniel Mulloy on Vimeo.

Vaje

Poezi e shkruar nga Andon Zako Çajupi.

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë,
lotët që kam derdhur s’më janë dhe tharë!
Shumë vjet u bënë, sot u mbushën dhjetë,
që kur më ke lënë dhe s’të shoh në jetë!

Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua? S’të vjen mall për djalë?
O ëngjëll i bukur, mos mëno në botë,
kthehu të të shomë, të na mbeten lotë.

S’rrojmë dot pa tynë, ti si rron pa neve?
Motemot që rrojtëm bashkë, s’më urreve.
Atje. tek rri janë qipariz’ e varre. ..
Kthehu të të shomë, mos na le për fare!

Mos na le të gjorë, me zemër të ngrirë,
kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë;
E ke lenë foshnje, tani u bë burrë,
s’arrite ta rritje, s’të ka parë kurrë!

Për ty shumë herë çoç do të më thotë.
po s’mund t’i përgjigjem, se më mbytin lotë:
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë,
duke psherëtitur te zot’ i vërtetë.

O zot i vërtetë, s’t’erdhi keq për djalë,
kur i more mëmën dhe më le të gjallë?
Të më keshe marrë, do të qe më mirë
dhe të rronte mëma, të rriste të birë.

Me se rrojnë foshnjat? Ç’i rrit çilimitë?
Dashuria e mëmës dhe përkëdhelitë.
0 zot, të jam falë, mos më le të mjerë,
dërgom’ Evgjeninë ta shoh dhe një herë!

“Pse s’kuvëndon mirë, more punëbardhë,
cili vdiq njëherë dhe prapë ka ardhë?
Gjith’ humbasën gruan, mëmën e babanë,
po ata që mbetën si ti nukë qanë:
të vdekurin lotët s’e bien në jetë,
po lutu dhe falu të rriç djalën vetë.

Doje drit, o qiell, more dritën time
dhe më mbushe jetën plot me hidhërime!
Tani rroj pa shpresë, ndaj s’dua të rroj,
se dhe perëndinë tani s’e besoj!

“KOSOVA” në anglisht dhuratë nobelistit Ferid Muradi

Me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Shoqata Shqiptaro-amerikane në Darllas organizoi një manifestim të madh, ku morën pjesë rreth 500 veta nga Teksasi.

Në këtë manifestim botuesi i “Jalifat Publishing” Ramiz Tafilaj për të pranishmit dhuroi 50 komplete të “Kosovës” në anglisht. Me një dedikim të veçantë “Kosova” iu dhurua edhe nobelistit shqiptar Fund Muradi, i cili ishte mysafir i veçantë i mbrëmjes.

Nobelisti shqiptar Fund Muradi, në fjalën e tij tha se veprat e mëdha shpesh vinë nga individë. Prandaj e përgëzoj historianin Jusuf Buxhovi si dhe botuesin Ramiz Tafilaj, që nëpërmes kësaj vepre madhështore na kanë dhënë identitet dhe krenari. Kjo vepër madhore më ndihmon që miqve në Amerikë dhe më larg t’u flas për kombin tim me temë cilin krenohem dhe prej të cilit kam rrjedhë edhe unë.

Edhe kryetari i shoqatës Shqiptaro-amerikane në Darlas, Bano Ceka falendëroi botuesin “Jalifat Publishing” për dhuratë. Me këtë rast, zoti Ceka tha se ai dhe gjithë komuniteti shqiptarë në Amerikë ndjehen krenarë që Kosova e fitoi lirinë dhe pavarësinë, por njëherësh edhe të lumtur që po e festojmë 10 vjetorin e pavarësisë./KultPlus.com

Nëna ime ha bukë më këmbë!

Shkruan Ilir Kadia

Nëna ime ha bukë më këmbë!
I ka mbetur nga koha kur mënjanë lindte djemtë e mënjanë ushqente vajzat, mënjanë qepte në makinë e mënjanë thurrte triko, mënjanë trazonte gjellën në zjarr e mënjanë vraponte tu hapte derën miqve nga fshati, mënjanë shtronte dyshekë e mënjanë lante çarçafë, mënjanë ndërtonte metalurgjik e mënjanë mbillte ullinj, mënjanë vraponte të shihte prindërit në fshat e mënjanë na përciĺlte ne në kamp pioneri, mënjanë priste plitharë e mënjanë zbardhte shtëpinë me gëlqere, mënjanë lyente flokët me këna e menjanë kërcente në dasma si flutur, mënjanë qante dajën e mënjanë këndonte për nipin e mbesën…
Nëna ime flinte tek hante… në këmbë!
Nëna ime sot mbush 83 vjeç!
Në këmbë!

Shqiptarët, populli më optimist për 2018, ja kalojnë edhe suedezëve!

Statistikat vazhdimisht sugjerojnë se cilësia e jetës po përmirësohet në të gjithë globin, megjithatë njerëzit mbeten pesimistë.

Sipas një sondazhi të kryer nga Komisioni Europian, rezulton se pjesa më e madhe e Europës kanë pritshmëri të ulëta se si do të jetë 2018-a për ta, në aspektin e përmirësimit. E ndërsa fqinjët tanë grekë janë populli më pesimist për 2018, me 36% të tyre që mendojnë se gjërat në 2018 do të shkojnë keq, panoramë tjetër duket për Shqipërinë.

Sipas sondazhit, të zhvilluar në 2017, shqiptarët janë populli më optimist për 2018 sipas KE. 61% e tyre mendojnë se pritshmëritë për 2018 janë më të mira, 13% e tyre që do të përkeqësohen, 25% në kushte të njëjta dhe 2% e tyre janë përgjigjur me “nuk e di”.
Kjo është përqindja më e lartë e optimizmit në të gjithë Europën.

Në hartë vetëm Shqipëria është me jeshile të errët (nivel i lartë optimizmi) dhe është e vetmja që e ka nivelin e optimizmit mbi 60%. Më pas, me jeshile më të lehtë është Suedia dhe Irlanda.

Pritshmëritë e fqinjëve ballkanikë nuk kanë të njëjtat nota optimizmi, përkundrazi 48% e serbëve mendojnë se nuk do të kenë ndryshim në jetën e tyre dhe 15% mendojnë se do të përkeqësohet jeta e tyre në 2018. Në Maqedoni, 42% e tyre mendojnë se nuk do të kenë ndryshime në cilësinë e jetës, 14% përkeqësim dhe 40% përmirësim.

Sipas KE, çdo anketë përbëhet nga rreth 1000 intervista ballë për ballë për çdo vend. Raportet publikohen dy herë në vit. Flash Eurobarometrat janë intervista ad-hoc telefonike tematike të kryera me kërkesë të çdo shërbimi të Komisionit Europian. Sondazhet e Flash mundësojnë që Komisioni të marrë rezultate relativisht të shpejta dhe të përqendrohet në grupe specifike të synuara, kur dhe kur kërkohet.

Raportet e veçanta të Eurobarometrit bazohen në studime tematike të thelluara të kryera për shërbime të ndryshme të Komisionit Europian ose institucioneve të tjera të BE-së dhe të integruara në valët e votimit të Eurobarometrit Standard. /Monitor

Fotografi e rrallë e Safete Rogovës kur ishte e re (FOTO)

Safete Rogova është një nga artistët më të shquara që u kanë dhënë jetë shumë roleve në skenën e filmit dhe të teatrit shqiptar, shkruan KultPlus.

Ajo numëron pothuajse një gjysmë shekulli në skenën artistike shqiptare, ku ndër vite ka lënë gjurmë. Aktorja Safete Rogova në vitin 2013 është dekoruar nga Presidentja Atifete Jahjaga me Medaljen Presidenciale e Meritave, çmim ky që u jepet personave që me punën e tyre kanë kontribuar në fusha të veçanta si arsim, shkencë, kulturë, rini, sport, siguri, shërbim civil.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi ku aktorja shihet në një moshë të re. Fotografia është publikuar nga Micky Haxhiislami./ KultPlus.com

Intervistë e rrallë e Fan Nolit: Nëse mund të sigurojmë pavarësinë e Shqipërisë, duhet të jemi të përgatitur për ta ruajtur atë

Korrespondenti i gazetës BOSTON GLOBE kishte biseduar me Atë Fan Nolin, të cilin e përshkruan si prift i degës shqiptare të Kishës ruse nën juridiksionin e arqipeshkvit të Nju Jorkut. Fan Noli ishte shuguruar prift në Nju Jork në vitin 1908 dhe kishte mbaruar Universitetin e Harvardit.

BOSTON GLOBE: Si është gjendja sot në Shqipëri?

FAN NOLI: Ju nuk mund ta merrni dot me mend se sa të mëdha janë vuajtjet atje. Kur shpërtheu lufta, vendi ynë u sulmua nga ushtritë e shteteve ballkanike fqinje, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ne nuk ishim në gjendje të mbroheshim, por kishim shpallur asnjanësinë. Kjo ndërhyrje ishte një shkelje po aq skandaloze e marrëveshjeve ndërkombëtare sa ç’ishte edhe ndërhyrja e Gjermanisë ndaj Belgjikës. Për këtë shkelje të vendit tonë nga ushtritë e shteteve të tjera nuk pati kurrfarë provokimi, as edhe ndonjë ftesë të çfarëdo lloji që ata ta përdornin Shqipërinë për operacionet e tyre. Italia, jo vetëm pushtoi portin shqiptar të Vlorës, por shpalli edhe një bllokadë të krejt bregdetit tonë, ndaj së cilës, për fat të keq ne nuk kishim fuqinë të protestonim. Ne kemi pak të dhëna për luftën në Europë, përveç atyre që shkruhen në gazetat amerikane. Kur fqinjët tanë ballkanikë sulmuan Shqipërinë dhe Italia vendosi bllokadën në bregdet duke pushtuar Vlorën, austriakët dhe bullgarët u detyruan të pushtojnë vendin tonë për t’i nxjerrë ata jashtë. Pra, ju e shihni se ne ishim viktima të pafajshme të intrigave të vendeve të huaja.

BOSTON GLOBE: Përse shqiptarët nuk u bënë dot ballë këtyre ndërhyrjeve?

FAN NOLI: Ne ishim të papërgatitur dhe, si rezultat i natyrshëm i kësaj, vendi ynë po vuan pasojat; shumë nga njerëzit tanë po vdesin urie. Një numër i madh shqiptarësh kishin ardhur në Amerikë dhe, pas shpërthimit të luftës, erdhën edhe shumë të tjerë.

BOSTON GLOBE: Si do të veprojnë shqiptarët e Amerikës pas luftës?

FAN NOLI: Ne jemi në pritje të mbarimit të luftës dhe e kuptojmë se duhet të përgatitemi për ditën kur ky dyluftim i madh të ketë marrë fund. Nëse mund të sigurojmë pavarësinë e Shqipërisë pas luftës, na duhet të jemi të përgatitur për ta ruajtur këtë pavarësi. Për këtë arsye kemi formuar Shoqëritë Shqiptare të Stërvitjes dhe prandaj shumë nga të rinjtë tanë janë organizuar në kompani ushtarake dhe stërviten rregullisht. Një numër të rinjsh shqiptarë kanë hyrë në Milicinë Vullnetare të Shteteve të Bashkuara dhe disa prej tyre kanë shkuar në kufirin me Meksikën. Atje ata shpresojnë të marrin njohuritë dhe trajnimin ushtarak për të cilat kanë aq shumë nevojë.

BOSTON GLOBE: Çfarë do të bënin në Shqipëri këto njësi ushtarake?

FAN NOLI: Në mbarim të luftës botërore, nëse Shqipëria mbetet një shtet sovran dhe i pavarur, këto kompani ushtarake të cilat tani stërviten në Amerikë, do të përdoren si bërthamë e një ushtrie të Shqipërisë, me të cilën do të ruhet ajo pavarësi. Populli ynë i përket një race të fortë dhe mjaft luftarake dhe vendi ynë, në shumë pjesë të tij, mbrohet lehtë nëse ka një forcë të stërvitur si duhet për këtë punë.

BOSTON GLOBE: Ç’mendojnë shqiptarët e këtushëm për Presidentin Woodrow Wilson?

FAN NOLI: Presidenti Wilson është bërë jashtëzakonisht popullor në mesin e shqiptarëve të Amerikës që kur ai vendosi të mos dërgojë më nota proteste por ultimatume në adresë të Gjermanisë dhe Meksikës.

BOSTON GLOBE: A keni dërguar ndihma në Shqipëri?

FAN NOLI: Kemi organizuar një Komision Ndihmash për Shqipërinë në Nju Jork, i cili u themelua kryesisht nga zoti Charles R. Crane. Ai ka qenë ambasador i Amerikës në Kinë dhe i biri i tij është sekretar i Sekretarit të Shtetit Lansing. Dërguam një anije me ndihma ushqimore për shqiptarët në Vlorë, por qeveria italiane nuk e lejoi kështuqë ndihmat arritën në një pjesë tjetër të Shqipërisë, ku nevoja nuk ishte aq e madhe. Na kanë thënë se plot 60 mijë shqiptarë kanë vdekur nga uria. Tani po përpiqemi të dërgojmë një tjetër anije me ndihma dhe këtë punë e ka marrë përsipër zoti W. W. Howard, që i ka zyrat në Nju Jork./ KultPlus.com

13 shkrimtarë kandidatë për Man Booker 2018 (Foto)

Gjithsej 13 shkrimtarë nga vende të ndryshme të botës janë pretendentë për çmimin e madh Man Booker 2018.

Franca është nominuar me shkrimtarët Laurent Binet dhe Virginie Despentes, Spanja ka dy tre autorë Javier Cercas, Antonio Munoz Molina, dhe Gabriela Ybarra. Këtë herë kandidat është dhe Korea e Jugut me Han Kang dhe shkrimtari nga Iraku Ahmed Saadwai. Po kështu nuk mungojnë dhe letërsia e vendeve si Argjentina, Polonia, apo Japonia. Ata do të gjykohen nga një juri e përbërë nga Lisa Appignanesi,Michael Hofman,Hari Kunzru, Tim Martin dhe Helen Oyeyemi.

Ky çmim jepet për përkthimin më të mirë në gjuhën angleze. Më parë me këtë çmim është vlerësuar dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, ndërsa dy vjet më parë libri i tij “Kamarja e turpit” ishte sërish kandidat për këtë çmim nën përkthimin e John Hodgson.

Të nominuarit: • Laurent Binet (France), Sam Taylor, The 7th Function of Language (Harvill Secker) • Javier Cercas (Spain), Frank Wynne, The Impostor (MacLehose Press) • Virginie Despentes (France), Frank Wynne, Vernon Subutex 1 (MacLehose Press) • Jenny Erpenbeck (Germany), Susan Bernofsky, Go, Went, Gone (Portobello Books) • Han Kang (South Korea), Deborah Smith, The White Book (Portobello Books) • Ariana Harwicz (Argentina), Sarah Moses & Carolina Orloff, Die, My Love (Charco Press) • László Krasznahorkai (Hungary), John Batki, Ottilie Mulzet & George Szirtes, The World Goes On (Tuskar Rock Press) • Antonio Muñoz Molina (Spain), Camilo A. Ramirez, Like a Fading Shadow (Tuskar Rock Press) • Christoph Ransmayr (Austria), Simon Pare, The Flying Mountain (Seagull Books) • Ahmed Saadawi (Iraq), Jonathan Wright, Frankenstein in Baghdad (Oneworld) • Olga Tokarczuk (Poland), Jennifer Croft, Flights (Fitzcarraldo Editions) • Wu Ming-Yi (Taiwan), Darryl Sterk, The Stolen Bicycle (Text Publishing) • Gabriela Ybarra (Spain), Natasha Wimmer, The Dinner Guest (Harvill Secker)

Rita Ora dhe Dua Lipa nominohen në të njëjtën kategori në “Echo Awards”

Emrat e këngëtareve shqiptare, nuk po mungojnë në asnjë event të madh artistik. Dua Lipa dhe Rita Ora në muajin prill do të marrin pjesë në ceremoninë “Germany’s Eho Awards”, atje ku janë të nominuar në të njëjtën kategori, shkruan KultPlus.

Kjo ceremoni do të mbahet në kryeqytetin e Gjermanisë, në Berlin. Dua dhe Rita janë konkurrente për çmimin “Künstlerin international” apo “Artisti më i mirë ndërkombëtar”.

Në kategorinë “Artisti më i mirë ndërkombëtar” përveç Rita Orës dhe Dua Lipës të nominuara janë edhe këngëtaret e njohura Taylor Swift, Pink dhe Camila Cabello./ KultPlus.com

Dua Lipa me 8 milionë ndjekës

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa brenda një kohe të shkurtër, ka arritur të gëzoi famë anë e mbanë botës, ndërsa sot ajo kurorëzoi edhe një sukses të ri sa i përket famës, shkruan KultPlus.

Në llogarinë e saj në Instagram, ajo ka arritur të mbledh plot 8 milion ndjekës. Këtë e ka bërë të ditur vet këngëtarja e cila ka publikuar një fotografi, me të cilën falënderon të gjithë fansat e saj.

“8 milion ndjekës uhhhuuu!! Tash më është pastruar fytyra, më është përmirësuar gjoksi!! Ju dua shumë miq! Jo pa shaka ju dua vërtet. Faleminderit”, ka shkruar Dua Lipa në përshkrimin e fotografisë.

Kohëve të fundit Dua Lipa është duke realizuar një turne në Australi, atje ku po magjeps publikun me performancat e saj./ KultPlus.com

Bebe Rexha për herë të parë në top-pesëshe në SHBA

Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha ka hyrë për herë të parë ka hyrë në top-pesëshen e top-listës prestigjioze të Billboardit në Amerikë.

Kënga e saj “Meant to Be” me grupin Florida Georgia Line’s udhëheq top-listën e zhanrit Country për 15 javë. Bebe Rexha me këtë fakt bëhet këngëtarja e parë në histori që me një këngë të tillë ka udhëhequr kaq gjatë në këtë top-listë.

Suksesi më i madh para hyrjes në top-pesëshe, për Rexhën ishte me këngën “Me, Myself & I” me G-Eazyn më 2016.

Kënga më e dëgjuar mbetet “God’s Plan” e Draket./ KultPlus.com

Anës lumenjve

Poezi e shkruar nga Fan Noli.

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës vjosës, anës bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet’ e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
Ëndërronj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.

arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

Arbnor Karaliti sjellë ekspozitën “4minute walk”

Arbnor Karaliti këtë të premte do të hapë ekspozitën e tij personale “4minute walk”, në Galerinë e Arteve në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e titulluar “4minute walk” do të kurohet nga nga HAP – contemporary art community.
Një nga fjalitë kqye që e përshkruan këtë ekspozitë është “Walk walk walk , things I never said, things I never did!”

Ekspozita e artistit Arbnor Karaliti hapet të premten në Galerinë e Arteve në Ferizaj, duke filluar nga ora 19:00./KultPlus.com

“Vienna World Orchestra” në Prishtinë më 31 mars

Ansambli 8 anëtarësh “Vienna World Orchestra” do të mbajë koncert në Prishtinë në kuadër të edicionit të 13-të të DAM Festivalit.

Orkestra e cila në muajin shkurt pati koncert në njërën nga sallat më prestigjioze të Vjenës “Musikverein”, do sjellin materialin e tyre muzikor përpara publikut të Prishtinës në mbrëmjen e 31 marsit në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Anëtare e këtij formacioni është edhe violonçelistja nga Kosova, Rina Kaçinari, e cila prej shumë vitesh jeton dhe vepron në Vjenë. Anëtarët e tjerë të orkestrës vijnë nga Austria, Irani, Kuba dhe Turqia.

“Vienna World Orchestra” duke pasur në përbërjen e saj anëtarë nga vende të ndryshme, një pjesë e të cilëve kanë kaluar nëpër rrugën e migrimit, arrin të përçojë frekuenca të tilla duke i mundësuar publikut të zbulojë humanitetin e tyre të përbashkët.

Koncerti është mbështetur edhe nga Ambasada Austriake në Prishtinë përveç mbështetësve të tjerë të festivalit.

DAM do të mbahet nga 29.03 deri më 03.04.2018 dhe në koncertet e këtij edicioni do të prezantohet mbi 300 muzikantë nga Amerika, Evropa dhe Azia.