Albert Heta prezanton Shkollën Verore si Shkollë sot në Beograd

Albert Heta dhe Branimir Stojanović sot me fillim nga ora 19:00 në Remont – Asociacioni i Pavarur Artistik prezantojnë programin e Shkollës Verore si Shkollë, shkruan KultPlus.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur edicionin e katërt të Shkollës Verore si Shkollë dhe thirrjen e dytë për aplikim në Shkolla Verore si Shkollë 2018.

Përmes kësaj thirrje vetëm një numër i caktuar i bursave të pjesshme është i mundshëm. Afati i fundit për regjistrim në kurset e Shkollës Verore si Shkollë 2018: E hënë, 25 qershor, 2018. Rezultatet shpallen jo më vonë se më 28 qershor, 2018.

Në prezantim Albert Heta, drejtor i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Branimir Stojanović do prezantojnë programin dhe bashkëbisedojnë më të pranishmit për kontekstin dhe zhvillimin e projektit, synimet dhe mundësitë e bashkëpunimit me programin dhe partnerët të projektit.

Programi i vitit 2018 do të përfshij seminare, punëtori, ligjërata, performanca, program filmi dhe ekspozita nga artistët, kuratorët, filozofët, arkitektët, shkrimtarët dhe dijetarët duke përfshi: Julieta Aranda, Zdenka Badovinac, Carolyn Christov-Bakargiev, Sezgin Boynik, Boris Buden, Mladen Dolar, Slavco Dimitrov, Linda Gusia, Jakup Ferri, Kate Foële, Lek Gjeloshi, Felix Gmelin, Laura J Kurgan, Thomas Keenan, Sami Khatib, Vjollca Krasniqi, Nita Luci, Meriton Maloku, Ari Benjamin Meyers ëith Sandhya Daemgen, Miran Mohar, Andrej Nikolaidis, Renaud Proch, Danilo Prnjat, Bernhard Rüdiger, Anri Sala, Jelena Vesić, Branimir Stojanović, Milica Tomić, Alenka Zupančič, Dardan Zhegrova.

Programi mbahet prej 16 korrikut deri me 2 gusht 2018.

Me Shkollën Verore si Shkollë, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka krijuar një platformë të unike të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, të stacionuar në Prishtinë, si model përparimtar; duke zhvilluar një planprogram ndërdisiplinar, duke angazhuar profesionistë të zgjedhur për të përhapë dije dhe shkëmbyer ekpertizën e tyre në Prishtinë me studentë ndërkombëtarë dhe me publikun.

Fillimisht e inspiruar nga rasti i Kosovës, ku sistemi arsimor ishte strukturuar në mes të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, Shkolla Verore si Shkollë është e dizajnuar për të bashkuar dhe për të përhapur dijen dhe për të trajtuar sfidat e ditëve të sotme, duke zbatuar modele të reja dhe mundësi në arsimimin artistik dhe bashkëpunimin arsimor dhe artistik.

Pas suksesit të arritur gjatë këtyre viteve të kaluara, Shkolla Verore si Shkollë e ndërton agjendën e saj duke u bazuar në perspektiva dhe eksperienca të cilat në teori dhe praktikë reflektojnë dhe sfidojnë historitë aktuale në rajon dhe lidhjet me artin dhe shoqërinë edhe më gjerë.

Nëpërmjet situatave të cilat i ikin kufizimeve normale, Shkolla Verore si Shkollë synon të ndërlidhë dijen dhe praktikat artistike, kulturore, politike, institucionale dhe shoqërinë civile në mënyrë që të hulumtoj dhe pozicionoj këtë rajon në raport me koordinatat ndërkombëtare dhe globale.

Udhëheqësit e Shkollës Verore si Shkollë 2018 kanë përpiluar një program sfidues dhe inspirues prej 16 korrikut deri me 2 gusht 2018, duke kombinuar klasë të bazuara në teori dhe produksion./ KultPlus.com

Prestigjiozja britanike: 7 arsye pse duhet ta vizitoni Shqipërinë

E përditshmja britanike “Metro” me tirazhin më të lartë në vend (1.47 milionë), i ka kushtuar në edicionin e mëngjesit të sotëm një artikull promovues Shqipërisë. Gazeta jep “7 arsye për të shkuar në Shqipëri”, të cilat variojnë që nga jeta e natës e deri tek kulinaria dhe natyra, duke e bërë kështu tërheqëse për shumë grupmosha të ndryshme.

“Mund të kërcesh tërë natën” është arsyeja e parë dhe jep si shembull festivalin butik “Kala”, i cili organizoet këtë vit për herë të parë në plazhin e Dhërmiut.

Arsyeja e dytë është “të qetësohesh në plazh”. Metro shkruan se vija bregdetare e Shqipërisë është e mjaftueshme e gjatë për ta eksploruar gjatë gjithë jetës. E përditshmja veçon rivierën e jugut, e cila është në një pjesë të madhe e pazbuluar dhe e pazhvilluar në një sens pozitiv. Edhe pse i mungojnë resortet luksoze, sipas Metro, vendi e kompenson këtë me plazhet e guvat e fshehura, si dhe me kampingjet e shpërndara përgjatë bregdetit.“Të zbuluarit një botë të lashtë” është arsyeja e tretë, e cila risjell në vëmendje pasuritë e shumta arkeologjike të Shqipërisë dhe pikat e mbrojtura nga Unesco.

Në të shkuarën mbështetet edhe arsyeja e katërt: “të rijetuarit trazirat e pasluftës”. Bunkerët e mëdha antiatomike dhe muzetë që tregojnë historinë e komunizmit e bëjnë sipas gazetës britanike Shqipërinë një vend plot sekrete për të zbuluar.

Koktejlet dhe kryeqyteti shumëngjyrësh janë arsyeja e pestë për të vizituar Shqipërinë. Gazeta vlerëson transformimin e Tiranës dhe baret e shumta që kanë lulëzuar në hapësirën e ish-bllokut.

Kulinaria është arsyeja e gjashtë dhe Metro shkruan se turistët mund të kënaqen duke ngrënë pjata të shijshme që variojnë që nga sufllaqet, sallatrat, mishi e deri tek ushqimi i freskët i detit.

Në fund, Metro ka rezervuar si arsye shumë të rëndësishme për të vizituar vendin tonë edhe Alpet e Shqipërisë, si dhe Liqenin e Ohrit. Këto janë vende ideale për të zbuluar më tepër mbi folklorin e vendit, jetën bujqësore të mbetur thuajse të pandryshuar për shekuj me radhë. Në lindje, shkrimi sugjeron të vizitojnë ujërat e kristalta të liqenit, por edhe qytetin e Pogradecit për të zbuluar më tepër mbi jetën e tij buzë liqenit./scan/

Në GKK hapet ekspozita “Artteen Club-Laboratorit të kreativitetit”

Më 20 qershor me fillim nga ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, hapet ekspozita “Artteen Club-Laboratorit të kreativitetit”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë përmbyllëse e projektit me titull Artteen Club – Laboratori i kreativitetit, promovon punën e nxënësve, punë kjo që u realizua gjatë periudhës Mars – Qershor 2018 .

Ky projekt u implementua në kuadër të programit të edukimit i cili vazhdon ende të zhvillohet në GKK.

“Krijimet e këtyre të rinjve të cilat do të keni rastin t’i shihni në këtë ekspozitë do të ju lidhin direkt me sinqeritetin tyre e mbi të gjitha dëshirën e tyre për t’u shprehur përmes artit”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Protestë për logon e re të FFK-së

Shumë pakënaqësi e reagime ka shkaktuar Federata e Futbollit e Kosovës të shtunën, kur zbuloi logon e re të FFK-së. Dhe për këtë të martën, nga ora 12:00, ndërtesa e FFK-së pritet të pushtohet nga protestues të shumtë, për ta ndryshuar atë.

Një top i futbollit, sikur i vizatuar me laps kimik ngjyrë të kaltër, gjashtë yje dhe mbishkrimi, Federata e futbollit e Kosovës, është logoja e re e FFK-së, e zgjedhur nga një komision për përzgjedhjen e logos.

Federata e Futbollit të Kosovës prezantoi ditë më parë fanellat e reja të Kombëtares ku sponsor i ri do të jetë kompania zvicerane “Fourteen”.

Bashkë me fanellat, u prezantua edhe logoja e re e FFK-së që ka shkaktuar shumë pakënaqësi e reagime te adhuruesit e futbollit që kanë reaguar në një apo tjetër mënyrë në rrjetet sociale.

Anëtari i grupit Prishtina Designers, Arben Lezi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se do të ketë protestë me 19 qershor para zyrave të FFK-së, në shenj pakënaqësie për logon e re të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Reagime ka pasur nga më të ndryshmet, teksa artisti, Rrezeart Galica, ka reaguar në FB: “Kjo logo duhet të anulohet, mos formoni komisione matrapazësh sepse rezultati është si më poshtë”, duke publikuar edhe logon e re të FFK-së.

Pas logos së re, i pakënaqur është edhe kryetari i tifozerisë së Kosovës “Dardanët”, Lulzim Berisha, i cili ka shkruar në Facebook se do ta pranojë me shumë kënaqësi vetëm nëse është zgjedhur nga i ndjeri, Fadil Vokrri.

“Duhet me dal me komunikatë FFK dhe me tregu autorin, domethënien e loges mesazhin, nëse kjo është vendos sa ka qenë gjallë legjenda, nëse dëshmohet që ai e ka zgjedh, unë e pranoj me përkulje si logo të pa vdekshme të legjendës”, ka shkruar ai.

Ndërkohë në rrjetet sociale është përhapur një peticion online, përmes të cilit synohet ndryshimi i logos së re.

Peticionin e ka iniciuar Adrian Berisha, asamblisti në Komunën e Prishtinës, nga radhët e PSD-së.

“Ky është peticioni te cilin sapo e krijova kundër logos se re te FFK-se. Ne si qytetar te Kosovës, nuk duhet të lejojmë që një logo e tille të simbolizojë një institucion si Federata e Futbollit të Kosovës”, ka shkruar Berisha në Facebook.

E një anketë në “Twitter” për logon e FFK-së, e ka bërë edhe faqja që promovon futbollin e Kosovës, “Kosovan Football”.

Në pyetjen se a e pëlqeni apo jo logon e re të FFK-së, 70 përqind e të anketuarve e kanë vlerësuar negativisht, raporton Gazeta Express.

Më poshtë keni disa nga logot që pretendohen se i hodhi poshtë FFK-ja:

Nënshkruhet për herë të pestë radhazi Kalendarit Kulturor Kosovë-Shqipëri

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro- Furxhi, në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nënshkruan sot Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi.

Përmes këtij akti, dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktiviteteve kulturore në një kalendar të përbashkët, i cili është i bazuar në “Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” nënshkruar në Prizren më datë 11 janar 2014.

Kalendari i sivjetmë i përbashkët kulturor do të realizohen aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime e edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit; ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve, në fushën e teatrove do të mbahet festivali mbarëkombëtar i teatrit dhe do të realizohen shfaqje teatrale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, në fushën e filmit do të jepen premierat e pesë filmave. Në fushën e artit pamor do të realizohet një ekspozitë e në Shqipëri. Këtë aktivitete do t’i bartin institucionet kombëtare përkatëse të kulturës.

Nënshkrimin e këtij kalendari ministri Kujtim Gashi e ka cilësuar si ditë shumë të rëndësishme për të dy vendet. “Është ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë. Nënshkrimin e kalendarit vjetor kulturor e kemi ideuar në lokacion të veçantë në shtëpinë tonë të përbashkët. Ky akt hap rrugë të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë ministri.

Ministri Gashi ka pohuar se të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.

“Mendoj që ky është një moment që dy institucionet tona janë në krye të organizimeve pa e prek pjesën e pavarur të institucioneve të kulturës. Besoj që këtë vit është më i veçantë sepse jemi ndalë në aktivitetet specifike”, u shpreh Gashi duke shfaqur edhe vlerësim për punën e ministres Kumbaro në raport me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Në anën tjetër, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, tha se kultura e dëshmon më së miri se nuk ka kufi tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë përveç atyre administrativ.

“Është për mua viti i pestë si Ministre e Kulturës të nënshkruaj këtë kalendar por duke pranuar siç e tha edhe ministri është që është një formalizim i një aktiviteti e një bashkëpunimi që merita në radhë të parë i shkon institucioneve të kulturës”, tha ministrja.

Ajo pati vlerësim për institucionet e kulturës dhe skenën e pavarur kulturore të Kosovës. “Ne kemi njohur të gjithë energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës me të cilën duam ta kemi një bashkëpunim por edhe për të mësuar më shumë sepse skena e pavarur ne Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri. Kufijtë janë administrativë kultura është si lumenjtë. Lumenjtë kur kalojnë vijën e ujin nuk pyesin a ka kufi. Ne duhet te krijojmë të njëjtin mjedis për kulturën”, vlerësoi Kumbaro.

Që të dy ministrat thanë se koncepti i kalendarit të përbashkët është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë.

“Koncepti i kalendarit të përbashkët kulturor është një koncept që është një skenë e hapur me Maqedoninë, me Malin e Zi, padyshim edhe me Greqinë por jo vetëm”, tha në fund ministrja shqiptare. / KultPlus.com

Rockuzinë

Rockuzinë është një klub i muzikës dhe restorant në kryeqendër të Kosovës, në Prishtinë.

Nëse jeni të pasionuar pas muzikës rok, ky është vendi ideal për ju. Mund të dëgjoni muzikë të mrekullueshme gjersa shijoni ushqimin tuaj të përgatitur më shumë dashuri dhe stil në kuzhinën e restauronit.

Nën përkujdesjen e stafit profesional të Rockuzinës juve ju mbetët vetëm të shijoni muzikën dhe ushqimin tuaj.

Bashkim Kërqeli, Jericho, Haliband, Asgjë Sikur Dielli, Na, Malda Susuri, Albina Kelmensi, Florent Abrashi, Flaka Krelani, janë vetëm disa nga yjet të cilët mund ti dëgjoni në Rockuzinë./KultPlus.com

Arberia, Vicianum p/n (0.42 mi)
Pristina 10000
043 514 312
www.rockuzine.com
https://www.facebook.com/rockuzine/

Jolie viziton qytetin e rrënuar të Mosulit dhe refugjatët sirianë në Irak

E dërguara speciale e OKB-së për refugjatët, Angelina Jolie, gjatë të dielës e ka vizituar kampin e refugjatëve sirianë në veri të Irakut, për t’i mbështetur të ikurit nga lufta disavjeçare në Siri.

Ylli hollivudian e ka vizituar kampion Domiz, në të cilin qëndrojnë 33.000 refugjatë, të larguar nga lufta që po zgjat qe shtatë vite.

43-vjeçarja ka arritur atje në orët e hershme të mëngjesit dhe është takuar me familjet që ndodheshin në kamp.

Një ditë më parë, Jolie e kishte vizituar Mosulin, qytetin verior të Irakut, të cilin forcat qeveritare e kanë kthyer nën kontroll në vitin e kaluar duke triumfuar ndaj militantëve të Shtetit Islamik./ KultPlus.com

The Fader: Vëmendje të veçantë ndaj koncertit të Dua Lipës në Prishtinë

Dua Lipa tash e sa kohë ka paralajmëruar koncertin që do ta mbajë në Kosovë.

Ajo do jetë e pranishme me 10 gusht në një koncert në Prishtinë “Sunny Hill Festival”, biletat e të cilit tanimë janë në shitje, shkruan lajmi net.

Për këtë së fundmi ka shkruar edhe The Fader një faqe e internetit në New York, ku i përkrah yjet e njohura.

“Babi i Dua Lipës ka ëndërruar gjithmonë të organizojë një festival në shtëpinë e tij në Prishtinë (Kosovë), “për ta vënë Kosovën në hartën kulturore”, sipas Duas. Puna e madhe dhe këmbngulja e Dukagjin Lipës, e bëri atë ëndërr në realitet. Dua Lipa dhe Action Bronson do të kryesojnë festivalin ‘Sunnyhil’, i cili do të zhvillohet në mes 10 dhe 12 gushtit në Prishtinë, Kosovë. Artistë të tjerë do shpallen deri me 17 korrik. biletat mund t’i bleni këtu.

Swedish Nomad: 15 fakte interesante që ndodhin vetëm në Shqipëri

Shqipëria konsiderohet por edhe sugjerohet nga shumë media të huaja një ndër destinacionet që duhet vizituar gjatë 2018.

Blogu i famshëm i udhëtimeve Swedish Nomad ka renditur 15 fakte nga Shqipëria, të cilat janë unike dhe vështirë se mund t’i gjesh në vendet e tjera.

Që nga dordoleci për të larguar shpirtrat dhe deri tek shpulla që “ha” pasi qethesh, faqja e njohur tregon 15 faktet interesante të cilat njëkohësisht janë edhe argëtuese.

1.Ka më shumë Shqiptarë që jetojnë jashtë vendit se sa brenda territorit të Shqipërisë. Komunitetet më të mëdha të diasporës shqiptare janë gjetur veçanërisht në Itali, Argjentinë, Greqi, Kroaci, Turqi, Skandinavi, Gjermani, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe sigurisht Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë plot me shqiptarë.

2.Në Shqipëri nuk ka McDonald. Nëse jeni duke kërkuar për një restorant McDonald në Shqipëri do t’iu marrë shumë kohë pasi nuk ka një të tillë në asnjë cep të vendit. Megjithatë ka një zinxhir të ngjashëm me ushqim të shpejtë të quajtur Kolonat.

3.Gjuha shqiptare është shumë unike. Nuk ka asnjë gjuhë tjetër të ngjashme me shqipen. Është e njohur si gjuhë indo-evropiane, edhe pse ka “një degë të pavarur në pemën e kësaj gjuhe”. Ka shumë dialekte, por dy kryesoret janë Tosk dhe Geg.

4.”Xhiro”- shëtitja e mbrëmjes. Një traditë shqiptare ku njerëzit bëjnë shëtitje në mbrëmje në një rrugë kryesore. Është një mënyrë e mirë për të biseduar.

5. Ka pasur vetëm 3000 automjete në gjithë vendin pas rënies së komunizmit. Në fund të “epokës” komuniste, në vend kishte rreth 3 milion njerëz, por kishte vetëm 3000 vetura. Kjo ndodhi për shkak se makinat private ishin të paligjshme gjatë komunizmit.

6.”Po-ja” nënkupton “Jo” dhe “Jo” nënkupton “Po”. Kjo mund t’ju bëjë disi konfuzë por kur shqiptarët përgjigjen me po nënkuptojnë “jo” dhe kur tundin kokën ata thonë “po”. Mbajeni këtë mendje nëse zakonisht i përgjigjen pyetjeve me kokë.

7.Zyrtarisht 70% e shqiptarëve janë myslimanë por numri i shqiptarëve që e praktikojnë këtë fe është më i ulët. Këto janë numra zyrtarë, por në realitet, ka shumë më pak njerëz që e praktikojnë në mënyrë aktive fenë. Kjo është edhe për faktin se feja u ndalua gjatë epokës komuniste. Shqipëria u bë vendi i parë në botë që përvetësonte ateizmin nën sundimin e Enver Hoxhës.

8.Kultura e kafes është e lartë. Sidomos ekspresi është një pjesë e kulturës dhe jetës së përditshme Ju do të shihni njerëz të ulur në bare dhe kafene gjatë gjithë kohës. Shumë prej tyre gjithashtu e fillojnë ditën me një kafe turke.

9. Pasi keni prerë flokët, berberi mund t’ju japë një shuplakë. Pasi t’ju ketë qëlluar mund t’ju thotë një “me shëndet” që domethënë se po e bën “për shëndetin tuaj”.

10.Shqipëria ka më shumë se 3250 lloje të ndryshme bimësh. Kjo është e barabartë me 30% të të gjithë florës së Evropës. Ka një shumëllojshmëri bimësh dhe lulesh.

11.Supersticionet. Në përgjithësi shqiptarët janë të njohur si supersticiozë, sidomos në brezat e moshuara. Nuk është e pazakontë që të besojnë në fat të mirë ose të keq, si psh: S’duhet të prisni thonjtë gjatë natës, nëse të dridhet syri ndodh diçka e keqe, nuk duhet të hedhësh bukën, nuk mund të hysh në shtëpi me këmbën e majtë, e marta është ditë tersi etj. Të gjitha këto janë shenja se të ndjek fati i keq.Por ka edhe shenja të tjera që mund të jenë fat i mirë si psh kur një zog mund t’ju bëjë glasën sipër ose kur një fëmijë mund të urinojë në prehrin tuaj. Për këto nuk duhet të shqetësoheni pasi ju pret diçka e mirë.

12.Shqipëria ka 70% të sipërfaqes së saj të mbuluar nga malet. Mund t’ju duket si vendi i maleve pasi 70% e territorit mbulohet prej tyre. Mali më i lartë është Korabi me lartësi 2764 metra.

13.National Geographic e përshkruan si një ndër destinacionet më të mira në vitin 2018.Në vitet e fundit, turizmi është rritur shumë në Shqipëri dhe gjithnjë e më shumë njerëz po e zbulojnë këtë vend të bukur.

14. Mbi 700 000 bunkerë u ndërtuan gjatë kohës së komunizmit. Ka shumë bunkerë. Megjithatë, shumë nga ata janë shkatërruar, por ka ende disa që kanë mbetur për të provuar ekzistencën e tyre të mëparshme. Disa prej tyre janë bërë edhe brenda bareve, kafeneve e kështu me radhë.

15. Nënë Tereza është shqiptare dhe ka marrë çmimin NOBEL.Ajo konsiderohet si heroina e vendit dhe është e vetmja shqiptare që ka marrë çmimin Nobel.

“Java e Albanologjisë”, sivjet i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti

Më 20 qershor në Institutin Albanologjik në Prishtinë, nisë edicioni i nëntë i “Javës së Albanologjisë”, shkruan KultPlus.

Kjo Konferencë Shkencore, sivjet i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Java e Albanologjisë” nisë më 20 qershor me fillim nga ora 11:00 ndërsa zgjat deri më 21 qershor.

Në vijim po sjellim të plotë programin e “Javës së Albanologjisë”:

KONFERENCË SHKENCORE
GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU
DHE EPOKA E TIJ
kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar
(JAVA E ALBANOLOGJISË 9/2018)
Prishtinë, 20-21 qershor 2018


Këshilli Organizues
Prof. dr. Hysen Matoshi
Prof. dr. Pëllumb Xhufi
Prof. dr. Lulëzim Lajçi
Prof. dr. Qemal Murati
Prof. dr. Leontina Gega – Musa
Prof. asoc. dr. Bashkim Lajçi
Prof. asoc. dr. Fadil Grajçevci
Prof. asoc. dr. Memli Krasniqi

PROGRAMI

20 qershor, e mërkurë, në orën 11.00
SEANCA PLENARE
(Salla e katit II )
Drejtojnë seancën:
Rexhep Qosja, Pëllumb Xhufi, Shefkije Islamaj, Hysen Matoshi, Lulëzim Lajçi
Himni kombëtar
Pikë muzikore nga nxënës të shkollës “Prenk Jakova”
Fjala e hapjes: Hysen Matoshi
Fjalë përshëndetëse
Referat: Akademik Rexhep Qosja: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe shqiptarët sot
Lulëzim Lajçi: Përurimi i veprave të IAP-it të botuara më 2017
Hapja e ekspozitës kushtuar 550 -vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” & Instituti Albanologjik)
Pushim

20 qershor, e mërkurë, në orën 12.30
SESIONI I (Salla e katit II)
Seanca e parë1
Drejtojnë seancën:
Pëllumb Xhufi, Lulëzim Lajçi, Etleva Lala,
Qerim Dalipi
1. President Alfred Moisiu, Tiranë: Skënderbeu nga pikëpamja ushtarake
2. Prof. dr. Pëllumb Xhufi, Tiranë: Atlet i Krishtit, apo fatos i lirisë
3. Gjeneral Kudusi Lama, Tiranë: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu udhëheqës e komandant fitimtar dhe stra-teg me vizion të gjerë
4. Prof. dr. Iljaz Rexha, Holandë: Vendosja e sundimit osman në Shqipëri dhe fillet e kryengritjes së Skënder-beut (sipas Halil Inalcikut, historianit të mirënjohur të periudhës klasike osmane)
5. Prof. dr. Lulëzim Lajçi, Prishtinë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Dardania
6. Prof. dr. Etleva Lala, Budapest: Një dokument i pabo-tuar nga Archivio Segreto Vaticano i vitit 1451 per Gjergj Kastriotin Skënderbeun dërguar nga Papa Nocalus V
7. Prof. dr. Sadri Fetiu, Prishtinë: Skënderbeu në baladat e arbëreshëve të Italisë
8. Prof. dr. Shyqri Nimani, Prishtinë: Frymëzim i am-shueshëm – Gjergj Kastrioti Skënderbeu në artet pamore
9. Prof. asoc. dr. Qerim Dalipi, Tetovë: Rrethanat socio-etnike në Vilajetin e Shkupit sipas regjistrimit të viteve 1452-1453
10. Prof. dr. Hristo Matanov, Sofje: Tëo Problems in con-nection ëith the Resistance of George Kastrioti Skander-beg
Diskutime

Dreka 14.30-16.00

20 qershor, e mërkurë, në orën 16.00
SESIONI I (Salla e katit II)
Seanca e dytë
Drejtojnë seancën:
Sadri Fetiu, Evalda Paci, Agron Xhagolli
1. Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Tiranë: Zulma e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe jehona e bëmave të tij në letër-sinë e kohës dhe në rrjedhë të shekujve (Kundrime, rivë-shtrime dhe përditësime)
2. Prof. dr. Anton Panchev, Sofje: Historiografia bullgare për Skënderbeun
3. Prof. dr. Miaser Dibra, Tiranë: Kujtesa sociale për Skënderbeun, model artistik për konceptimin e luftëtarit në këngët epike të shek. XIX
4. Prof. dr. Agron Xhagolli, Tiranë: Kënga historike shqip-tare dhe Skënderbeu
5. Prof. dr. Hakif Bajrami, Prishtinë: Dorëshkrimi i parë serb për Skënderbeun
6. Prof. dr. Xhevat Lloshi, Tiranë: Figura e Skënderbeut në literaturën nordike
7. Dr. Musa Ahmeti, Budapest: Dokumentet origjinale që ruhen në Arkivin e Dubrovnikut të lëshuara nga kancelaria e Skënderbeut
8. Prof. dr. Zeqirja Ballata, Prishtinë: Skënderbeu në krijimtarinë e kompozitorëve të Kosovës
9. Skender Blakaj, Prishtinë: “Skënderbeu” i autorit polak Martin Bielski, 1556
10. Prod. ass. dr. Evalda Paci, Tiranë: Figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, frymëzuese modelesh rrëfimta-rie dhe shkrimtarie
Diskutime

21 qershor, e enjte, në orën 9.30

SESIONI II (Salla e katit II)
Seanca e parë
Drejtojnë seancën:
Agim Vinca, Shefkije Islamaj, Naser Ferri
1. Prof. dr. Agim Vinca, Prishtinë: Skënderbeu në poezinë e sotme shqipe
2. Prof. dr. Shefkije Islamaj, Prishtinë: Karakterizimi i Skënderbeut në romanin “Skënderbeu” të Sabri Godos
3. Prof. dr. Emil Lafe, Tiranë: Rreth studimeve gju-hësore për vepra kushtuar Gjergj Kastriotit – Skën-derbeut
4. Prof. dr. Hysen Matoshi, Prishtinë: Skënderbeu në projektet shkencore të Institutit Albanologjik të Prishtinës
5. Prof. dr. Naser Ferri, Prishtinë: Disa veçori iko-nografike të paraqitjes figurale të Skënderbeut
6. Prof. dr. Qemal Murati, Prishtinë: Shqipja dhe kujtimi për Skënderbeun – dy shenjat më kryesore të identitetit të shqiptarëve
7. Prof. dr. Valter Memisha, Tiranë: Ilustrime me figurën e Skënderbeut në fjalorë të shqipes
8. Prof. dr. Idriz Metani, Tiranë: Vëzhgime mbi leksikun e veprës së Naim Frashërit: “Istori e Sken-derbeut” (1898)
9. Dr. Virion Graçi, Tiranë: Kështjella letrare e Heroit Kombëtar: Gjergj Kastrioti në romanin bashkëkohor shqiptar
10. Prof. ass. dr. Bedri Muhadri, Prishtinë: Veprim-taria e Skënderbeut në vitet 1443-1448
Diskutime
Pushim

21 qershor, e enjte, në orën 12.00
SESIONI II (Salla e katit II)
Seanca e dytë
Drejtojnë seancën:
Leontina Gega-Musa, Sali Bashota, Lush Culaj
1. Prof. dr. Sali Bashota, Prishtinë: Sintezë e dijeve his-torike për Skënderbeun – Aurel Plasari: Skënderbeu – një histori politike
2. Prof. dr. Leontina Gega-Musa & Dr. Lumnije Kadriu, Prishtinë: Kujtesa për Skënderbeun dhe ruajtja e iden-titetit arbëresh
3. Dr. Ana Martinoska, Shkup: “My Skenderbej” by Dragi Mihajlovski, a Postmodern Novel on History and Present
4. Prof. dr. Lush Culaj, Prishtinë: Barleti si burim histo-riografik i Bardhit për Skënderbeun
5. Prof. asoc. dr. Arben Hoxha, Prishtinë: Skënderbeu i kontestuar dhe Skënderbeu kontestues
6. Dr. Nehat Krasniqi, Prishtinë: Skënderbeu nga këndvë-shtrimi i historianit gjerman Zinkejsen
7. Prof. as0c. dr. Memli Krasniqi, Prishtinë: Afirmimi i shqiptarëve përmes figurës së Gjergj Kastriotit – Skënder-beut në shtypin britanik në shek. XVIII
8. Dr. Xhevat Syla, Prishtinë: Figura e Skënderbeut në poezinë shqipe për fëmijë
9. Dr. Nuridin Ahmeti, Prishtinë: Skënderbeu në faqet e “Kalendarit Kombiar”
10. Dr. Ardian Muhaj, Tiranë: Modeli monoheroik shqip-tar i historisë kombëtare përballë modelit poliheroik evro-pian.
Diskutime
Dreka 14.30-16.00

21 qershor, e enjte, në orën 16.00
SESIONI III (Salla e katit II)
Seanca e parë
Drejtojnë seancën:
Bashkim Lajçi, Fadil Grajçevci, Erenestina Halili
1. Prof. dr. Emin Kabashi, Prishtinë: Skënderbeu i De Radës
2. Prof. asoc. dr. Fadil Grajçevci, Prishtinë: Skënderbeu i Naimit dhe Skënderbeu i Çajupit
3. Prof. dr. Ragip Mulaku Prishtinë: Skënderbeu te shkrim-tarët e vjetër
4. Prof. asoc. dr. Bashkim Lajçi, Prishtinë: Veshja dhe armët e Skënderbeut
5. Prof. dr. Nebi Bardhoshi, Tiranë: Etnografia për Skë-nderbeun: Një analizë antropologjike për Heroin Kombëtar
6. Prof. dr. Riza Sadiku: Prishtinë: Gjergj Kastrioti-Skën-derbeu në shtypin e mërgatës shqiptare
7. Prof. asoc. dr. Ag Apolloni, Prishtinë: Hija e Skënderbeut te Kadare dhe Qosja
8. Prof. dr. Begzad Baliu, Prishtinë: Antroponimia dhe toponimia historike e romaneve me temë periudhën e Skënderbeut
9. Dr. Erenestina Halili, Tiranë: Një dramë për heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shkruar nga Át Bernardin Palaj O.F.M
10. Mr. Arbana Ajdini, Tetovë: Ndikimi i Elena Gjikës në motivimin e shkrimtarit Henry Ëadsëorth Longfelloë për të shkruar poemën për Skënderbeun
Diskutime
Pushim

21 qershor, e enjte, në orën 17.30
SESIONI III (Salla e katit II)
Seanca e dytë
Drejtojnë seancën:
Sali Bytyçi, Zeqirja Neziri, Besim Rexhaj
1. Avni Dehari, Prishtinë: Gjergjat në drita përkrenaresh
2. Prof. asoc. dr. Besim Rexhaj, Prishtinë: Figura e Skënderbeut midis qëndresës, tradhtisë dhe dashurisë për atdheun
3. Prof. dr. Izaim Murtezani, Shkup: Kah interpretimi i legjendave popullore me motivin lindja e Skënderbeut
4. Prof. dr. Sali Bytyçi, Prishtinë: Madhështorja dhe tragjikja e figurës së Skënderbeut në poezinë e sotme shqipe
5. Prof. dr. Zeqirja Neziri, Shkup: Epi i Andrija Kaçiç Mioshiçit mbi Skënderbeun
6. Prof. ass. dr. Nevrije Ismaili, Prishtinë: Modeli arbëresh i këngëve historike për Skënderbeun
7. Dr. Gëzim Aliu, Prishtinë: Skënderbeu i “Kështjellës” së Kadaresë
8. Prof. ass. dr. Emine Shabani, Tetovë: Historia e Skën-derbeut nga Marin Barleti, burim i letërsisë artistike
9. Dr. Vlorë Fetaj –Berisha, Prishtinë: Figura e Skënder-beut në ninullat shqiptare
10. Mr. Valon Shkodra, Prishtinë: ‘Interpretime identi- tare përmes figurës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

21 qershor, e enjte, në orën 19:00

Mbyllja e punimeve të
KONFERENCËS SHKENCORE
GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU
DHE EPOKA E TIJ
kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar
(Salla e katit II)
Drejtojnë seancën:
Hysen Matoshi, Izaim Murtezani, Lulëzim Lajçi
Fjala e mbylljes: Lulëzim Lajçi

Kosova pjesë e shpërblimit të madh të arkitekturës Europiane

Kosova para disa dite është bërë pjesë e shpërblimit të madh të arkitekturës Europiane “European Union Prize for Contemporary Architecture – Mies van der Rohe”.

Pjesëmarrja e Kosovës në shpërblimin më të madh të Europës vjen pas pranimit të Kosovës në programet e grandeve kulturore të Unionit Europian dhe lobimit të komunitetit arkitektonik pranë organizatorëve të shpërblimit.

Shpërblimi “Mies van der Rohe” jepet çdo dy vite dhe shpërblen projektet më të mira në kontinentin e Europës. Shpërblimi ka për qëllim promovimin e cilësisë së arkitekturës Europiane. Nga çdo shtet nominohen një numër i caktuar i projekteve kurse nominues për Kosovën është emëruar udhëheqësi i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës Bekim Ramku.

Javën e parë të korrikut përgjatë Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, sekretari dhe kuratori i shpërblimit “Mies van der Rohe”, Ivan Blasi do të mbajë një ligjëratë për shpërblimin si dhe do të jetë pjesë e një punëtorie dy javore.

Këtu mund të shihni më shumë informata rreth shpërblimit dhe rreth kuratorit:

http://kosovoarchitecture.com/ivan-blasi/
ëëë.miesarch.com

Action Bronson i lumtur që përfshihet në “Ekipin e Kosovës” për Botërorin 2022

“Image of Kosovo” ka publikuar sot një foto me yjet që “do ta përfaqësojnë” Kosovën në Botërorin 2022.

Në të janë përfshirë yje të ndryshme të sportit e muzikës, përveç futbollistëve.

Në mesin e tyre është edhe reperi me prejardhje shqiptare, Action Bronson, përkrah yjeve të tjerë të muzikës si Dua Lipa, Rita Ora, e Bebe Rexha.

Bronson, që do të performojë në Kosovë në muajin gusht në festivalin “Sunny Hill”, në instagram ka shkruar, “ekip i madh”, duke i bashkangjitur edhe foton e “Image of Kosovo”.

Ky ekip përbëhet nga: Ilir Latifi, Herolind Nishevci, Majlinda Kelmendi, Haxhi Krasniqi, Akil Gjakova, Action Bronson, Ramë Lahaj, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi, e Rita Ora./ KultPlus.com

Festivali shqiptar mbush sheshin qendror të Detroitit

Është viti i tretë radhazi që shqiptarët shpalosin këngët dhe vallet e tyre në qendër të Detroitit në shtetin Miçigan. Festivali Shqiptaro-Amerikan që zgjat dy ditë, mbledh artistë nga SHBA, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Kanadaja.

Nisma për të mbledhur çdo vit këngëtarë dhe valltarë shqiptarë në sheshin Hart Plazza të Detroitit hyri në vitin e tretë.

Sheshi që përdoret zakonisht për grupe të mëdha amerikane të rokut apo teknos, po pret këtë qershor muzikën shqiptare me disa nga interpretuesit më të mirë që ofron ajo.

Hart Plazza ndahet vetëm nga nje brez i vogël uji nga Kanadaja dhe ky është një rast i mirë që në festival të vijnë edhe shqiptarë nga ana tjetër e kufirit.

Bordi i Festivalit është kujdesur të sjellë muzikë dhe valle nga të gjitha trevat shqiptare.

Organizatorët thonë se qëllimi kryesor është për të mbajtur të afruar komunitetin dhe për t’i treguar botës se shqiptarët kanë mjaft për të ofruar përsa u përket vlerave të kulturës.

Në fakt, sipas organizatorëve shqiptarët janë sot për sot të vetmit që mbajnë një festival etnik në qendër të Detroitit.

Shoqatat dhe biznesmenët që mbështesin këtë festival i thanë Zërit të Amerikës se shpresojnë ta bëjnë Festivalin një ngjarje të rregullt të përvitshme, duke u nisur nga interesimi i shtuar që pati këtë vit.

Pasi grupet muzikore mbaruan interpretimin, sheshi i festivalit u hap për të gjithë të pranishmit./ KultPlus.com

Arben Meksi fiton Çmimin Ndërkombëtar për Karikaturë

Në konkursin botëror të karikaturës të zhvilluar në Qipro, ku morën pjesë rreth 348 karikaturist nga 64 vende të ndryshme të botës, u parapriten 802 punime.

Karikaturisti Arben Meksi u nderua me çmim special. Ky konkurs trajtonte temën e ruajtjes së paqes në botë, e shprehur përmes simbolit të pemës së ullirit.

Ideja që ka paraqitur autori në këtë punim, janë pemët e prera të ullirit dhe pëllumbi i cili fluturon sipër tyre me folenë e lidhur pas trupit duke mbajtur në sqep degë e ullirit, duke shpëtuar kështu simbolin e paqes.

Karikatura u vlerëua jo vetëm për mesazhin që përcillte por edhe për paraqitjen grafike të saj. Punimet e paraqitura në këtë konkurs, u vlerësuan nga një juri ndërkombëtare. Fituesit që u nderuan me çmim, do të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së tyre, shkruan Java News./ KultPlus.com

Beyonce dhe Jay Z publikojnë albumin “Gjithçka është dashuri”

Diva e muzikës R&B Beyonce dhe bashkëshorti i saj Jay Z, kanë publikuar albumin e tyre të ri që titullohet “Gjithçka është dashuri”.

“Gjithçka është dashuri”, nuk gjendet në Youtube por ata kanë njoftuar se albumi mund të shkarkohet në faqen e Jay Z, Tidal, transmeton Koha.net.

Vet Beyonce albumin e kishte paralajmëruar më herët. Në Londër teksa po performonte në skenë ajo tha “Sepse ne ju duam dhe shumë shpejt do kemi diçka të veçantë për ju”./ KultPlus.com

“Si flasin dhe si shkruajnë shqiptarët”

Shkruan Ndue Ukaj.

Meqë përtej këtij gardhit primitiv ku jetojmë nuk na përfillë kush, atëherë i kemi mprehë shpatat kundër njëri- tjetrit, dhe po tregojmë sa të “hollë” dhe të “dijshëm” që jemi, duke krahasuar një të keqe me një të keqe tjetër, por rrallëherë me të mirën.

Nga perspektiva e sotme, kur e analizojmë kohën kur kanë vepruar- ta zëmë Budi dhe Bogdani- të duket se ata ishin shumë më të hapur, seç i kemi sot shumë personazhe të sferës publike.

Mos të flasim pastaj për Rilindjen Kombëtare dhe periudhën e pavarësisë, kur kultura shqiptare kishte një elitë shumë të kultivuar, që nuk i mbyllte sytë në mjerimin ballkanik.

Kjo elitë, e formuar në kushte të vështira, por me ideale të mëdha, kur shkruante dhe vepronte, donte t’ia rikthente kombit dinjitetin e humbur, besimin, dhe aspironte Europën në tanësi: si botë kulturore dhe si mënyrë jete. Dhe, për të arritë këtë, ata gishtin e vënin në plagët kryesore që pengonin përparimin kombëtar.

Të pakompromis dhe të ditur, ata donin ta orientonin drejt kombin, dhe, model për të shkruar dhe për të vepruar, kishin qendrat e mëdha perëndimore, dhe jo moçalin ballkanik, ku dergjej populli i tyre i shtypur dhe i pa edukuar me ndjenja lirie.

Shtrohet pyetja, sot, si flasin dhe si shkruajnë shqiptarët, dhe cilat janë modelet e tyre?
Përveç stigmatizimit që i bëjnë realitetit social dhe politik, a propozojnë ata ndonjë alternativë?
A kanë ndikuar debatet e shumta në këndelljen apo e kundërta, në trullosjen e shqiptarëve?
A kanë ndikuar debatet për çlirimin e tyre nga e keqja?
Dhe, çka është më e rëndësishmja, çfarë ushqimi shpirtëror marrin ata sot ?

Me përjashtime të pakta, sot, krejt çka lexojnë shqiptarët, janë gulçima dhe nihilizmi kundër çdokujt dhe çdo gjëje, madje edhe kundër historisë së tyre. Një gjuhë spekulative, përplot intriga dhe pa kurrfarë respekti. Pikërisht kjo gjuhë dhe ky soj i debateve, kanë ndikuar në ligështimin moral të shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë.

Prandaj, çdo ditë takojmë njerëz të hutuar, që të habitur pyesin:
Hej, e ke parë çka ka shkruar filani e fisteku kundër atij ose këtij?
Hej, a e ke parë çka ka bërë ai ose ajo?
Dhe habia bëhet më e çuditshme kur bëhet fjalë për tema të karakterit historik.
Shqiptarët përditë habiten me “zbulimet” e reja historike.
Hej, e sheh, X figura historike nuk ishte ashtu siç kemi besuar.

Ky është kurthi ku na ka futë një inxhinering ideologjik që po vërtitet në hapësirat shqiptare, dhe po e nxit formimin e një njeriu të ri, pa traditë dhe pa histori. Një njeri që nuk beson në kulturën e vet, duke ndikuar kështu në shkatërrimin e atij, që, studiues të ndryshëm e quajnë shkatërrim i mjedisit moral apo etik.
“Të gjithë kemi mësuar të jemi të ndjeshëm ndaj mjedisit fizik. E dimë se varemi nga ai, se është fragjil dhe se e kemi pushtetin ta shkatërrojmë; e duke bërë këtë shkatërrojmë jetët tona, apo më saktësisht ato të pasardhësve tonë. Ndoshta pak nga ne jemi të ndjeshëm ndaj atij që e quajmë mjedisi moral apo etik”
(Simon Blackburn, Etika, një hyrje e shkurtër, përkthyer nga Kushtrim Canolli, Cuneus, 2018)
Pikërisht ky mjedisi moral apo etik është toka ku mbillet e ardhmja e një vendi. Nëse e shkatërrojmë atë, e kemi shkatërruar të ardhmen e tij./ KultPlus.com

Letrat

Poezi nga Dritëro Agolli.

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thellim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhoma telefon
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast.

“Francesca on the top World”: Pesë arsye për të vizituar Prizrenin

Nuk njoh asnjë person të vetëm (përveç meje kuptohet) që e ka menduar Kosovën si destinacion udhëtimi. Megjithatë ky shtet i vogël në zemër të Ballkanit , larg rrugëve klasike turistike, ka kaq shumë për të ofruar për vizitorët e tij, të cilët duhet ta konsiderojnë atë duke e përfshirë në itinerarin e tyre të Evropës Lindore.

Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e njohur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”.

Në veçanti, Prizreni, i konsideruar nga kosovarët si kryeqyteti kulturor i vendit, me shtëpi otomane, xhami të lashta dhe rrugë të shtruara. Ai mund të vizitohet si një udhëtim ditor nga Prishtina, pasi janë rreth një orë nga njëri-tjetri.

Çdo verë, në gusht, Prizreni pret DokuFest, një festival kushtuar dokumentarëve më të mirë të Kosovës dhe Ballkanit, është një mundësi e mirë për të ardhur këtu.

Në vijim 5 arsyet pse, sipas mendimit tim, ia vlen të shkosh në zbulimin e këtij qyteti përpara se të gjithë të bëhen të vetëdijshëm për bukurinë e tij.

Të humbasësh në lagjen Shatërvan

Lagjia Shatërvan është zona më e rëndësishme (dhe turistike) historike e qytetit. Të bën për vete me praninë e shtëpive të shumta me ngjyrë në stilin osman, të ruajtura mirë. Këshilla është të humbasësh në rrugët e saj të ngushta dhe të admirosh ndërtesat fetare që gjenden njëra pas tjetrës. Prizreni është në të vërtetë, një nga qytetet më multikulturore në Ballkan: gjuhët zyrtare këtu janë tre (shqip, serbisht dhe turqisht) dhe pavarësisht numrit të xhamive që është dukshëm i lartë, qyteti ka gjithashtu shtëpi të bukura ortodokse dhe një kishë katolike.

Të vizitosh xhaminë Sinan Pasha

Ndërtesa më e rëndësishme fetare në Prizren është padyshim xhamia e Sinan Pashës. Është një xhami imponuese, e vendosur në hyrje të rrethit të Shatërvanit. Ajo mund të vizitohet dhe brenda saj mund të fotografoni (gjë që mund të duket normale, por nuk është sepse në kishën ortodokse serbe të San Giorgio-s në Prizren nuk më lejuan të fotografoj as nga jashtë). Unë rekomandoj që sapo të arrini në xhami, të ngrini kokën lart sepse dekorimet si në pjesën e jashtme edhe në kupolën e brendshme, janë thjesht të mrekullueshme.

Të shëtisësh gjatë rrjedhës së lumit Lumbardhi dhe të arrish banjot turke

Prizreni shtrihet përgjatë lumit Lumbardhi, i cili ndan qytetin në dy pjesë. Lumi është i ndërprerë nga disa ura, duke përfshirë Urën e Gurit, rindërtuar sipas parametrave origjinale, pasi u rrëzua pas një përmbytje në fund të viteve ’70. Në anën tjetër të qendrës historike të Prizrenit, ju mund të admironi dy ndërtesa të vendosura përgjatë rrugës Adem Jashari: një minare pa një xhami, diçka që kurrë nuk e kisha parë më parë dhe banjot turke që janë duke u rinovuar.

Zbuloni historinë e vendit në ligjet e Prizrenit

Prizreni është qyteti ku delegatët shqiptarë të provincave osmane u takuan në qershor 1878 për të diskutuar mbi kufijtë dhe për të frenuar ambiciet ekspansioniste të vendeve fqinjë. Gjatë takimeve themeluan themelet për shtetin e ardhshëm shqiptar që do të formohej, pak vite më vonë, në vitin 1912 në Vlorë. Sot, në godinën që mirëpriti lidhjen e Prizrenit ndodhet një Muze Etnografik, në dhomat e të cilit ekspozohen objekte dhe artefakte tipike të epokës osmane dhe piktura që riprodhojnë përfaqësuesit e Lidhjes së Prizrenit.

Të admirosh qytetin nga lart

Përfundimisht, nuk mund të thuash se ke qenë në Prizren pa e admiruar atë në të gjithë shkëlqimin e tij nga lart. Për pamje që të lë pa frymë ju duhet të arrini Kalanë, fortesa që dominon qytetin nga lart. Pasi në krye është e pamundur që të mos goditet nga numri i minareve që tregojnë peizazhin: ka kaq shumë. Isha me fat që gjeta veten në pikëpamje gjatë momentit të thirrjes për namazin e pasdites dhe nuk ishte gjë e shkurtër për magjinë.

Nis edicioni i dhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAKT”

Sot në Pejë, nis edicioni i dhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAKT”, shkruan KultPlus.

Ky edicion nis nga data 17 dhe zgjat deri më 21 qershor ndërsa njëjtë sikurse viteve të kaluara edhe sivjet pjesë e tij do të jenë vende të ndryshme të botës. Përpos shfaqjeve që do të jepen përgjatë këtij festivali, në aktivitetet e tij shtrihen edhe disa vizita që do të bëhen në vende të ndryshme të Pejës.

Sonte festivali nis me monodramën “Ëndrrat e Hamletit”, nga Mentor Zymberaj njëherësh edhe drejtor i festivalit.

Në vijim po ju sjellim të plotë programin e MonoAKT:

“Kosovo NEXT10”, ekspozita që paraqet vizionin e të rinjve për Kosovën

Më 27 qershor në Muzeun e kosovës, do të hapet ekspozita “Kosovo NEXT10”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do t’i paraqes në mënyrë virtuale vizionet e më shumë se 50-të të rinjve për të ardhmen e Kosovës në 10 vitet e ardhshme. Këto vizione do paraqiten përmes artit interaktiv të dizajnuar nga dizajner Tajvanez.

“Për të festuar hapjen, ne do të mbajmë një konferencë për media dhe një festë në mbrëmje. Konferenca do të fillojë në ora 16:00 dhe do mbarojë në orën 17:00, duke përfshirë edhe një ciceron për ekspozitën. Festa do të fillojë në ora 21:00 deri 00:00, ne kemi ftuar grupin RRETH që ju të kënaqeni atë natë! Ushqimin dhe pijet do i mbulojmë ne”, thuhet në njoftim.

Ekspozita dhe konferenca mbahen në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, ndërsa nisin që nga ora 16:00 e deri në 00:00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 korri./ KultPlus.com

Artistët në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, paralajmërojnë përshkallëzim të protestave

Artistët protestuan mbrëmë në oborrin e Teatrit Kombëtar, kundër projektit të qeverisë që parashikon prishjen e godinës aktuale dhe ndërtimin e një teatri të ri, duke iu bashkangjitur disa kulla shumëkatëshe.

Protesta ishte konceptuar me pjesë recitimesh, muzikë dhe shfaqje teatrale, veç fjalimeve të zakonshme, ku shprehej kundërshtia e artistëve dhe qytetarëve ndaj projektit qeveritar.

Regjisori Robert Budina duke iu drejtuar të pranishmëve tha se në rast se qeveria nuk do ketë tërheqje nga projektligji për ndërtimin në këtë zonë, ata do të intensifikojnë protestat pranë Kuvendit dhe Ministrisë së Kulturës dhe kanë paralajmëruar për protesta shumë më të forta.

“Në rast se sot qytetarët po kalojnë një kohë mjaft të bukur këtu tani duke dëgjuar këngë patriotike, qytetare, këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, edhe nga Kosova, duke dëgjuar recitime, duke parë dhe performanca, ky është mesazhi që ata po marrin, sepse e gjitha kjo po bëhet që kjo hapësirë të mbrohet.

Për të gjitha komentet që janë bërë pas dëgjesës së ka pasur kryetari i Bashkisë me artistët, mesazhi më i fundit është ky: Nuk mund të quhen më dëgjesa publike me qytetarë apo artistë në rast se zhvillohen në kullat e oligarkëve, ashtu sikurse pretendojnë artistët se ishte dëgjesa e fundit.

Një koment tjetër që kanë bërë në këtë skenë ishte se nuk janë të përçarë, nuk kanë përdorur gjuhë raciste ndaj kolegëve që mendojnë ndryshe, por kanë mbajtur një qëndrim të prerë ndaj atyre personave që nuk kanë qenë koherentë gjatë gjithë kësaj periudhe të protestave në Teatrin Kombëtar, duke qenë protestues në fillim dhe duke ndryshuar qëndrimin gjatë rrugës”.

Ndër ata që folën ishte dhe regjisori Robert Budina, i cili theksi se nëse qeveria nuk i dëgjon artistët, ata do gjejnë zgjidhje më të forta për të arritur qëllimin e tyre në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. “Ne do të dalim në protesta derisa qeveria të tërhiqet”, vijoi ai./ KultPlus.com

Një cover interesant i Himnit të Botërorit (VIDEO)

Tashmë kënga “Live it Up”, është duke u dëgjuar në gjithë botë, këngë kjo e cila është kënga zyrtare e Kampionatit Botërorë “Rusia 2018”, shkruan KultPlus.

Kësisoj, kanë nisë edhe videot e ndryshme që ngjajnë me cover-a për këtë këngë por ajo çka po bie më shumë në sy tash e tri ditë në YouTube, është artisti QPark, i cili ka realizuar në videoklip duke kënduar këtë këngë nëpër qytet, aty ku ka më shumë njerëz.

Shikoni reagimin e tyre se si ja bëjnë QPark-ut, teksa interpreton këngën e Will Smith, Era Istrefit dhe Nicky Jam./ KultPlus.com

Formacioni i Kosovës në Kampionatin Botëror

Image of Kosovo, kanë publikuar një fotografi që tregojnë “Ekipin e Kosovës” në Kampionatin Botërorë të 2022, shkruan KultPlus.

Emrat e njohur që kthyen sytë e botës nga vendlindja e tyre Kosova, përbëjnë këtë formacion prej 11 personash, aq sa ka një ekip futbolli.

Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, Majlinda Kelmendi, Bebe Rexha, Action Bronson, Ramë Lahaj, Haxhi Krasniqi, Herolind Nishevci, Akil Gjakova dhe Ilir Latifi, janë lojtarët e Kosovës që po mahnitin botën./ KultPlus.com