Placido Domingo zbulon datat e ‘Operalia’

Sopranot kosovare, Marigona Qerkezi dhe Elbenita Kajtazi të cilat po vazhdojnë suksesshëm të jenë pjesë e skenave operistike botërore, së fundmi janë bërë pjesë në njërën ndër garat më prestigjioze siç është ajo e konkursit të famshëm operistik “Operalia”, shkruan KultPlus.

Qerkezi dhe Kajtazi janë zgjedhur në mesin e 40 artistëve që do të konkurrojnë në këtë konkurs për çmimin “Operalia”.

Tashmë kanë mbetur vetëm edhe një muaj deri në finalen e kësaj gare.

Vetë Placido Domingo ka njoftuar përmes rrjetet sociale rreth datave dhe vendit se ku do të mbahet kjo garë si dhe ka zbuluar posterin e Operalia 2018.

Operalia 2018 e Placido Domingo do të zhvillohet në Teatro Nacional de São Carlos në Lisbonë, Portugali nga 27 gusht deri më 2 shtator.

Pjesë e këtij konkursi në vitin 2016-të ishte edhe tenori kosovar Ramë Lahaj, ku kishte fituar vendin e tretë, ndërkaq Elbenita dhe Marigona, do të performojnë në “Teatro Nacional de Sao Carlos” në Lisbonë të Portugalisë./ KultPlus.com

‘Home Alone’ vjen në një film për të rritur

“Home Alone” (I vetëm në shtëpi) do të ketë një film të ri dhe producent do të jetë aktori i famshëm Ryan Reynolds.

Titulli i këtij projekti është “Stoned Alone” dhe do të prodhohet nga “20th Century Fox”, e njëjta studio e filmit origjinal.

“Stoned Alone” do të ketë të njëjtin shpirt si “Home Alone” dhe do të jetë një përzierje e mirë e pushimeve klasike me shumë batuta, edhe vulgare.

“Stoned Alone” do të tregoje një përdorues të marijuanës, i cili humbet fluturimin për pushimet e tij dimërore, transmeton lapsi. Ky projekt është në hapat e parë të prodhimit dhe ende nuk dihet se kush do të jetë protagonisti dhe nëse do të jetë një film për Krishtlindje./KultPlus.com


Eleni Foureira dhuron të ardhurat e koncertit në Tiranë për viktimat e zjarrit në Athinë

Tragjedia në Greqi ka prekur zemrat e njerëzve në të gjithë botën, por disa prej tyre e kanë ndjerë të bëjnë diçka më tepër për ta lehtësuar sadopak dhimbjen. Një prej tyre është edhe këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foireira.

Pas koncertit në sheshin “Skënderbej”, Eleni Foureira ka vendosur që të ardhurat e grumbulluara t’i dhurojë për viktimat e zjarrit në Athinë. Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Instagram./KultPlus.com


Kalendari Pirelli 2019 frymëzohet nga “Liza në Botën e Çudirave” (FOTO)

Pirelli e ka gati kalendarin për vitin 2019, realizuar mjeshtërisht nga Albert Watson. Gigi Hadid, Misty Copeland, Laetitia Casta dhe Julia Garner janë yjet e përzgjedhur për të pozuar, njësoj si për rolin e një ylli kinematografie.

Është hera e parë që britaniku Watson, i punësuar i revistës prestigjioze “Vogue” realizon një kalendar të tillë.

Kalendari i Pirellit është i njohur botërisht për ekskluzivitetin e tij vit pas viti dhe i dhurohet klientëve dhe personazheve të famshëm.

Watson, lindur në Skoci në vitin 1942, ka krijuar disa nga fotografitë ikonë dhe portretet më të famshme të Steve Jobs dhe Alfred Hitchcock.

Fotografitë e tij i kanë siguruar të ardhura marramendëse revistave Harper’s Bazaar, Time dhe Rolling Stone si dhe për brendet më me emër si Prada, Channel, Levis dhe Revlon.

Fotografitë për Pirellin janë realizuar për më shumë se 10 ditë në muajin prill, në Miami dhe Nju Jork. Për herë të parë, kalendari i Pirellit është publikuar në vitin 1963.

Aktorja Julia Garner luan rolin e një fotografeje në një kopsht botanik, e cila aspiron të realizojë portrete. Bashkë me të në foto shfaqet edhe Astrid Eika.

Gigi Hadid luan rolin e një gruaje të suksesshme, në krah të saj shfaqet stilisti Akeksandër Wang. Fotot e bukuroshes janë realizuar në Nju Jork. Tema e këtij kalendari, ideuar nga redaktori i “Vogue”, Edward Enninful është “Liza në Botën e Çudirave”./a.a/KultPlus.com

Drake publikon videoklipin “Nonstop” (VIDEO)

Drake ka publikuar videoklipin më të ri të tij të titulluar “Nonstop”.

Është ky një prej 25 projekteve që theu rekorde nga albumi “Scorpion” dhe që debutoi suksesshëm në Apple Music.
Klipi bardh e zi me regji të Theo Skudras ishte xhiruar në Londër gjatë vizitës së fundit të reperit në Evropë.

“Nonstop” aktualisht është në vendin e 20-të në Billboard Hot 100 pasi arriti në vendin e dytë.

Ndërkaq, Scorpion mbetet albumi numër 1 për të tretën javë në Billboard 200.

Drake po ashtu ishte parë në New Orleans më herët gjatë javës duke xhiruar klipin e “In My Feelings” me Shiggy dhe Big Freedia./KultPlus.com

Dokumenti i rrallë për Ksamilin, plani për ta kthyer në një zonë turistike elitare (FOTO)

A do të shkoni për pushime në Ksamil? Tek notoni në ujërat ngjyrë topazi, merrni me vete një pjesë të historisë së Ksamilit, të asaj historie që nuk ndodhi.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar planin e vitit 1992 dhe si parashikohej të shndërrohej Ksamili në një zonë turistike elitare.

Përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 1992, Ksamili parashikohej të shndërrohej në një zonë turistike elitare, me fshat turistik dhe zonë hotelerie, por edhe me fushë golfi dhe aeroport turistik.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sqaron se “sheshi i i ndërtimit i vihej në dispozicion Drejtorisë së Përgjithshme të Albturizmit, e cila kishte të drejtë të kontraktonte kompani private të huaja, për zhvillimin e planit”.

Këtë plan të vitit 1992 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave na e servir si një ndër thesaret e shumta që ajo mbart./a.a/ KultPlus.com

Vdekja e të pavdekshmit

Nga Agim Vinca

Nderim simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit (1936-2018)

U nda nga jeta Adem Demaçi. Vdiq njeriu që qysh për së gjalli fitoi pavdekësinë.

“Vdekje, kosën paloje”, do të thoshte poeti. S’ke ç’i bën një lisi si Demaçi!

Ai bëri për Kosovën dhe kombin shqiptar atë që s’e ka bërë askush tjetër: rezistencën shembullore dhe sakrificën sublime!

Ai ishte frymëzuesi më i madh në luftën tonë të gjatë e të vështirë për liri, që ende s’ka marrë fund.

Ai ishte idoli i ditëve tona djaloshare, njeriu që na mësoi si duhet atdheu dhe si luftohet për lirinë e mbrothësinë e tij.

Brezi im është rritur me emrin e Adem Demaçit, të cilin e kemi mbajtur në zemër dhe ia kemi pëshpëritur njëri-tjetrit edhe atëherë kur s’kemi guxuar ta shqiptojmë publikisht.

Adem Demaçi! Ai është një dhe s’ka të dytë!

Njëzet vjeç shkroi romanin emblematik “Gjarpijt e gjakut”, që u botua në vitin 1958, duke dhënë mesazhin e madh: “Jo atyne që janë trima me ngreh gishtin e krimit, por atyne që janë trima me shtri dorën e pajtimit”.

Duhet t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit për ta mundur armikun.

E burgosën, “në emër të popullit” (“Në emër të cilit popull?”, u tha inspektorëve të UDB-së kur e arrestuan në zyrën e “Rilindjes”, ku punonte si gazetar dhe e dënuan për “agjitacion e propagandë ”.

Kishte kërkuar në ndeja me kolegët e vet që të organizoheshin në mbrojtje të popullit të cilit i takonin, sepse kjo ishte detyrë e tyre si intelektualë.

Herët, shumë herët, kish guxuar atë që të tjerët nuk guxonin as ta ëndërronin: Luftën për liri kombëtare e dinjitet njerëzor.

Ai, Adem Demaçi, që me kalimin e kohës do të marrë nofkën “Baca Adem”.

Pas daljes nga burgu i parë, ra përsëri në burg, në vitet ‘60, tani për shkak se kishte formuar organizatën e tij të fshehtë politike “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (LRBSH), të shtrirë në tërë Kosovën, programin e së cilës e pat shkruar vetë, me dorën e tij, duke kërkuar çlirimin e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me “Nanën Shqipni”.

Ç’herezi!

Nuk u pendua kurrë, nuk u ligështua kurrë, edhe në pranga e brenda mureve të qelisë ai ishte i lirë.

E sakrifikoi talentin e shkrimtarit të dorës së parë për hir të kauzës kombëtare. Pa asnjë dilemë e mëdyshje. Pa u ankuar kurrë për vete.

Populli ishte ylli i tij polar. Dhe mbarë njerëzimi, sepse ai ishte atdhetar i madh, por edhe humanist i madh.

Kur doli nga burgu i tretë, pas njëzet e tetë vjetësh, në prill të vitit 1990, deklaroi: “Dola nga burgu i vogël dhe hyra në burgun e madh prej dy milionë njerëzish”.

Kosova vuante si gjithnjë, madje edhe më keq se më parë, nën thundrën e një regjimi kriminal.

Atdhetar, veprimtar, lider shpirtëror e politik, publicist dhe shkrimtar, mësues dhe luftëtar, vizionar edhe kur dukej utopik, Adem Demaçi është një institucion më vete.

Hazërxhevap dhe me talent të lindur oratorik, ai shkëlqeu në intervista dhe duele televizive jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Beograd, Zagreb, Lubjanë e gjetkë, brenda dhe jashtë.

Kurrë s’i shkruante fjalimet, fliste pa tekst dhe nuk ngecte pothuajse kurrë.

Mendje brilante, që fliste rrjedhshëm dhe troç (ashtu siç edhe shkruante) edhe para Zotit edhe para djallit. Kudo. Dhe në çdo kohë.

I vogël me trup, por i madh me zemër e shpirt.

Ishte i tëri guxim e vendosmëri, por edhe dije e dashuri.

“Dashuri, energji, krijimtari”. Kjo ishte formula e tij.

Nuk e njihte rrezikun, nuk i tutej vdekjes.

Ai, Adem Demaçi, Biri i madh i një kombi të lashtë, por me fat tragjik, që rrallë e lindin shekujt.

Baca na la! Iku në amshim. Shkoi te ai Ademi tjetër dhe shokët e tij, dalzotësit e Kosovës.

Nuk kemi ditur ta nderojmë sa e meritonte gjatë jetës.

Do të dimë vallë ta bëjmë këtë pas vdekjes?

Strugë , 27 korrik 2018

Ndryshim në agjendën zyrtare të ceremonisë së varrimit të veprimtarit, Adem Demaçi

Këshilli Organizativ i ceremonisë së varrimit të veprimtarit të shquar Adem Demaçi, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se ceremonia komemorative do të mbahet nesër në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 08:30.

Ndërsa dje, përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidentit të Kosovës, teksa ishte bërë me dije se Hashim Thaçi ka marrë vendim që Adem Demaçi të varroset me ceremonitë më të larta shtetërore duke emëruar edhe Këshillin Organizativ për organizimin e ceremonisë së varrimit, ishte shfaqur edhe agjenda për ditën e shtunë.

“Të shtunën, në ora 09:00 Garda e Nderit do të sjell kortezhin në sallën “1 Tetori” në Prishtinë e ku në ora 09:30 do të fillojë Ceremonia komemorative. Nga ora 10:00 do të fillojnë fjalimet e liderëve të institucioneve të Kosovës dhe rajonit. Në ora 11:00, kortezhi do të niset nga salla “1 Tetori” dhe do të lëvizë në itinerarin “1 Tetori” nëpër rrugët “Bill Clinton”, “Xhorxh Bush”, sheshi “Zahir Pajaziti”, sheshi “Nëna Tereze”, sheshi “Ibrahim Rugova”, rruga “Agim Ramadani”, rruga “Rrustem Statovci”, rruga “Isa Kastrati” deri tek Varrezat e Dëshmorëve ku do të varroset kolosi Adem Demaçi. Pas përfundimit të ceremonisë komemorative, kortezhi së bashku me qytetarët do të niset drejt varrezave të Velanisë”, ishte thënë në njoftimin e djeshëm për agjendën.

Dua Lipa apo Gigi Hadid, cila shkëlqen më shumë me veshjen Versace (FOTO)

Me një veshje shumëngjyrëshe nga koleksioni i fundit pranveror Versace, këngëtarja nga Kosova, Dua Lipa duket si një yll i vërtetë, shkruan KultPlus.

Dua përmes rrjetit social “Instagram”, ka shpërndarë fotografi në të cilën me këtë veshje duket ndryshe ngaqë jemi mësuar ta shohim.

Krahas fotografisë në të cilën duket me plotë stil dhe tërësisht e veshur, Dua ka shkruar se ndihet si një superhero.
Këngëtarja 22-vjeçare e “One Kiss” kishte veshur një kostum të ngjashëm me numrin e Versace, të veshur nga Gigi në CFDA
Fashion Awards muajin e kaluar.

Veshja e Duas, edhe pse ndan karakteristikat e njëjta me ngjyrat si Gigi, në të vërtetë kishte një model gjeometrik pak më të ndryshëm dhe e tregonte zeshkanen shqiptare si një ylber.

Madje fansat në internet kanë hapur duel mes dy bukurosheve se cilës i shkon më shumë kjo veshje, Dua Lipa vs Gigi Hadid.

Kujtojmë, se me datat, 10,11 dhe 12 gusht këngëtarja me famë botërore Dua Lipa do të performojë në Prishtinë në “Sunny Hill Festival”./KultPlus.com

NEW YORK, NY – JULY 27: Dua Lipa wears the same Versace bodysuit that Gigi Hadid wore at the 2018 CFDA awards when out and about for dinner on July 27, 2018 in New York City. (Photo by Gotham/GC Images)

NEW YORK, NY – JULY 27: Dua Lipa wears the same Versace bodysuit that Gigi Hadid wore at the 2018 CFDA awards when out and about for dinner on July 27, 2018 in New York City. (Photo by Gotham/GC Images)

Në Gjermani zbulohet biblioteka më e hershme romake

Arkeologët i datojnë mbetjet e mureve, që zënë një sipërfaqe prej gati 200 metra katrorë, në shekullin e 2-të. Ekspertë të arkeologjisë thanë për gazetën “Kölner Stadt-Anzeiger” se biblioteka e lashtë qe ndërtuar në forumin e një ish-vendbanimi romak mes vitit 150 dhe 200 të Erës Sonë.

“Sipas njohurive tona, kjo është biblioteka e parë romake që mund të dëshmohet”, tha Marcus Trier, drejtor i Muzeut Romako-Gjermanik të Këlnit.

Ndërtesa duhet të ketë qenë dykatëshe dhe shtatë deri në nëntë metra e lartë.

“Me siguri aty ka pasur mijëra dorëshkrime në pergamenë apo papirus që mund të merreshin hua për t’u lexuar”, tha Trier.

Arkeologët hasën në mbetjet masive të mureve një vit më parë kur nisën punimet për ngritjen e një qendre të re të Kishës Protestante.

“Në fillim menduam se ishin mbetjet e një salle takimesh publike”, tha Trier. Por muret kishin ndarje të veçanta, që dukeshin si vend për të mbajtur objekte jo të zakonshme.

Këto ndarje në muret e brendshme ndarje kishin një thellësi prej rreth 80 centimetra dhe pas krahasimeve për disa muaj me gjetje të tjera të lashta hulumtuesit arritën në përfundimin: se ashtu si në ndërtesat e lashta në Efes, Pergamon, Aleksandri dhe Romë frëngjitë në muret e Këlnit duhet të kenë shërbyer për mbajtjen e kutive me pergamenë ose papirusë.

Arkeologët gjithashtu supozojnë se në një apsidë në një nga dhomat me kupolë gjysmërrethore duhet të ketë qenë statuja e Minervës, perëndeshës së mençurisë dhe diturive.

Ku ka biblioteka të tjera romake në Gjermani?

Sipas ekspertëve, ndërtesa është biblioteka më e vjetër romake, nga e cila u gjetën mbetje arkeologjike. Por ka shumë gjasa që biblioteka të tilla të ketë pasur edhe në Trier, ndoshta edhe në Augsburg, Mainc dhe Xanten. Këto ende nuk janë gjetur.

Frëngjitë në muret e bibliotekës së Këlnit duhet të kenë shërbyer për mbajtjen e kutive me pergamenë ose papirusë

Kisha Protestante e ka ndryshuar ndërkohë planin e ndërtimit dhe rrënojat do të integrohen në qendrën e re, në mënyrë që një pjesë e mureve të jetë e mundshme të vizitohet.

Megjithëse nga biblioteka më e vjetër e Gjermanisë kanë mbetur vetëm themelet, hulumtuesit do të përpiqen të gjejnë përmes analizave se cila mund të ketë qenë përmbajtja e pergamenëve dhe papirusëve./KultPlus.com

Bienalja e Venecias çelet me muzikën e mjeshtrit shqiptar

Bienalja e Venecias këtë vit do të çelet me filmin klasik të kinemasë pa zë, “Golem – si erdhi në jetë’, i Paul Wegener. Filmi, i shfaqur në një kopje të re digjitale, do të shoqërohet me muzikën e mjeshtrit shqiptar Admir Shkurtaj, bën të ditur ATSH.

I diplomuar për muzikë në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë, Admiri është një kompozitor i shumëvlerësuar në Itali.

I vendosur në Pragën e shekullit të 16-të, II Golem tregon përrallë hebraike për krijesën e baltës që u krijua nga rituali i egër i një rabi. Duke pritur dëbimin e ardhshëm të hebrenjve nga qyteti, Rabbi Loew zgjon Golemin mitik për të mbrojtur popullin e tij.

Pas një sërë ngjarjesh, Golemi shpëton jetën e Perandorit (Otto Gebühr), duke e bindur që të mos i dëbojë më hebrenjtë. Por për shkak të intrigave të një shërbëtori xheloz (Ernst Deutsch), Golemi del jashtë kontrollit dhe kthehet kundër krijuesit të tij.

Drejtori dhe skenaristi Paul Wegener, i cili gjithashtu luan Golem, kishte përshtatur më parë dy herë historinë, në vitin 1914 dhe më pas në vitin 1917. Por vetëm përpjekja e tij e tretë, e udhëhequr nga një ambicie e madhe artistike, e bëri atë të fitonte një konsensus të gjerë .

Drejtimi i tij i shquar, me skenografinë e Hans Poelzig dhe fotografinë e Karl Freund, e bëri II Golemin një nga filmat më të vlerësuar dhe të famshëm të kinemasë së Weimar. Filmi u bë një sukses i madh ndërkombëtar për industrinë e filmave të heshtur gjerman, me parashikime të shitura për muaj edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë. Stili emblematik ekspresionist ka ndikuar në klasikët e Hollivudit të horrorit dhe kulturës popullore deri më sot.

Sa i përket muzikës origjinale me të cilën II Golem do të shoqërohet në mbrëmjen e 28 gushtit, maestro Admir Shkurtaj tha,”e gjithë vepra i referohet një leksiku muzikor, duke reflektuar rastësinë e formës që është e përshtatshme për argjilën; një përzierje në të cilën mund të njihen elementet e xhazit, muzikës bashkëkohore, modulet melodike dhe ritmike të traditës muzikore të Evropës Lindore dhe të muzikës elektronike”.

Festivali i Filmit të Venecias do të zhvillohet në Lido nga 29 gusht deri më 8 shtator 2018 drejtuar nga Alberto Barbera dhe me organizator Paolo Baratta./KultPlus.com

Daddy Yankee prek tokën shqiptare, sonte pritet koncerti madhështor (FOTO)

Kanë mbetur edhe pak orë nga koncerti madhështor i Daddy Yankee në sheshin “Skënderbej”, këngëtari nga Porto Riko ka mbërritur në Tiranë.

Fotot ekskluzive të Top Channel tregojnë momentet e para të Daddy Yankee në Shqipëri.

Koncerti i madh do të startojë në orën 20:00 me Encën dhe Ledri Vulën, që do të ngrohin atmosferën, para se Daddy Yankee të nisë performancën e tij që do të zgjasë rreth 90 minuta.

Biletat për koncertin e mbështetur nga Top Channel, shiten në sheshin “Skënderbej”. Të ndara në disa kategori, ato nisin nga 19.5 euro, ndërsa për ata që duan më shumë komoditete si tavolina, ndenjëse dhe një pamje më të mirë të skenës, koncerti rezervon zonat Vip Gold, Platin dhe Diamant./KultPlus.com

Ndryshohen 22 tekste shkollore, kanë gabime të ndryshme

Njëzet e dy teksteve shkollore të përdorura në arsimin fillor dhe dy tekstet e shkollave nga shkolla e mesme do të kenë korrigjime ose shtesa në përmbajtje, sipas gabimeve të treguara nga mësuesit deri tek Shërbimi Pedagogjik.

“Tani janë në proces përgatitja e disa teksteve të reja, si dhe programet e reja për përgatitjen e teksteve shkollore për ato lëndë. Këtu duhet të marrim parasysh se në arsim gjithmonë ka nevojë për ndryshime sipas drejtimeve, programet dhe tekste për të përmirësuar cilësinë.

Për shembull, për arsimin profesional këtë vit kemi pasur konkurs për rreth 30 libra të rinj. Ka edhe rreth 15 tekste të tjera në procedurë, shumica e tyre për lëndët e gjuhëve të huaja në arsimin fillor dhe të mesëm”, thonë nga Ministria e Arsimit.

Për vite me radhë, tekstet mësimore me gabime po hiqen. Në një pjesë të tyre ka dhe lëshime teknike, përkthime joadekuate, të dhëna të pasakta në lidhje me historinë e etnive, por edhe mospërputhje gjeografike./KultPlus.com

U mbajt sesion shkencor për 104 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, mblodhi në Prizren studiues, intelektualë, e personalitete të shumta nga të gjitha trojet shqiptare, në një sesion shkencor që ia kushtoi 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Hapjen e sesionit e bëri Osman Ahmetgjekaj nënkryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, duke shprehur një falënderim të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët ishin në numër të madh në këtë sesion. “Faleminderit që na jeni bashkuar sot në këtë sesion, në Prizrenin tonë, në kryeqendrën shqiptare. Dua të falënderoj në veçanti donatorët, pa ndihmën e të cilëve nuk mund të veprojmë”, tha Ahmetxhekaj, i cili po shoqërohej nga njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj Naim Latifi.

Shoqata e shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI Albani”, kishte ideuar dhe kishte ngritur një Këshill Organizativ për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kryetari i këtij Këshilli Mustafë Kabashi, tha se kishin bërë përpjekje maksimale për të realizuar këtë qëllim sa më mirë. Ai falënderoi anëtarët e Këshillit dhe komunën e Prizrenit, për gjithë mbështetjen që kanë ofruar.

Ndërkaq, kryetari i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë dhe mbetet një amanet i hapur për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.

“Ne çdo ditë kemi qenë të frymëzuar nga ajo Lidhje se si duhet punuar për atdheun. Tani, sa më shumë që shkruajmë dhe i përkthejmë ngjarjet tona historike, aq më shpejtë dhe më drejtë do të kuptojë bota për historinë shqiptare”, tha Ibrahimi në pjesën hyrëse.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka vlerësoi punën e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” se ka mbajtur gjallë kulturën në mërgatë, duke theksuar se është e nevojshme të shkruhet edhe më shumë për çështjet dhe zhvillimet kombëtare, siç ka qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. “Lidhja e Prizrenit është një datë e rëndësishme e kombit shqiptar, ku për herë të parë kishte një bashkim të vilajeteve me kërkesa të njëjta, duke u bashkuar politikisht dhe ushtarakisht. Edhe 140 vjet pas ne nuk kemi arritur idealet e Lidhjë së Prizrenit, bashkimin e trojeve shqiptare. Ne nuk duhet t’i harrojmë ato kërkesa, përkundrazi, duhet të jenë synim i yni”, tha me këtë rast Haskuka.

Ai theksoi rolin e mërgatës, duke e cilësuar atë si bërthamë, që ka mbajtur gjallë Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe kërkesat e saj, si mërgata nga Kosova por edhe nga viset tjera shqiptare. “Mërgata ende na e mbanë gjallë këtë frymëzim dhe nëse mërgata shqiptare nuk e ka humbur lidhjen me Kosovën, Shqipërinë, është pikërisht aspekti kulturor dhe ne si komunë do të vazhdojmë të bashkëpunojmë më të gjitha shoqatat që mbajnë gjallë këto lidhje”, tha kryetari I Prizrenit Mytaher Haskuka.

Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali, Nikollë Lleshi, vlerësoi angazhimin e SHSHASH “Papa

Klementi XI Albani”, që ka zgjedhur Prizrenit të shënojë këtë ngjarje të madhe historike.

“Këtu në Prizren, që në themelet e tij ka punën dhe sakrificat e mëdha që shqiptarët kudo që ndodhën shpalosen identitetet e tyre më shumë dinjitet dhe largpamësi. Prizreni i Kuvendeve dhe i vendimeve të mëdha historike, i ka skalitur ato sakrifica në gurë, që nuk vdesin kurrë, ato janë një shembull i qendrës dhe i burrërisë së këtij vendi”, tha Lleshi.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqyri Galica tha se SHSHASH në momentet vendimtare të historisë kombëtare ka ndihmuar ne pasqyrimin e aktivitetit te mërgatës. Kurse sot po vazhdon përpjekjet për ta ndihmuar edhe nëpërmjet krijimtarisë letrare e artistike dhe shkencore, për ta ngjallur vetëdijen e brezave të ardhshëm, për kontributin dhe sakrificën që do të bëjë çdo shqiptar. Krijimet e tuaja inventive, kontaktet me krijues gjithandej, dëshmojnë përkushtimin tuaj për ta ndihmuar atdheun edhe në rrethana të reja dhe për ta pasuruar krijimtarinë letrare e artistike me vepra moderne”, vlerësoi Galica, duke shprehur gatishmërinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës për bashkëpunim shumëdimensional.

Ndërkaq, Prof. Asllan Murati, foli për figurën e Ymer Prizrenit, ai kishte bërë bashkë burrat e kombit për të pavarësuar trojet shqiptare. “Lidhja e Prizrenit është gurthemeli i pavarësisë së trojeve shqiptare. Ani që Turqia ishte islame, duke e parë që vendet ballkanike, kërkonin të merrni trojet shqiptare. Ymer Prizreni kishte tubuar rreth tij bashkë me Abdyl Frashërin shumë burrat tjerë të kombit për mbrojtjen e tokave shqiptare. Ata kanë hyrë në historinë e kombit tonë dhe janë të pavdekshëm. Ata duhet të jenë busullë për ne, se si ne duhet të shkojmë gjurmëve të tyre”, tha Prof. Asllan Murati, ish kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, duke përcjell mesazhin edhe njëherë se, pavarësisht përkatësive fetare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë për kombin.

Në sesionin e gjashtë shkencor u paraqiten tetë kumtesa shkencore:

* “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe rëndësia e saj”, autor Fadil Geci
* “Lidhja e Prizrenit në epikën historike, autor Mehmet Rukiçi
* “Për poemën, kënga e Lahutarit për Lidhjen e Prizrenit, I botuar 40 vjet më parë”, autor Nuhi Vinca
* “Burimet arkivore për themelimin dhe rolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrnit”, autor Ruzhdi Panxha
* “Lidhja historike shqiptare e Prizrenit”, autor Sylë Osmani
* “Rrugëtimi i ekspozitës së Lidhjës së Prizrenit”, autor Jusuf Osmani
* “Mbrojtja e dokumenteve në Lidhjen e Prizrenit”, autore Myvedete Basha
* “Lidhja e Prizrenit – frymëzim për mërgatën shqiptare”, autor Hysen Ibrahimi

Të gjitha kumtesat në fokus kishin Rolin e Lidhjes së Prizrenit në proceset vendimarrëse të shqiptarëve, në të gjitha kohërat. Kumtesat e plota të sesionit të gjashtë shkencor të organizuar nga SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi do të botohen në vëllimin nr. 10-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi, që do të dalë vitin e ardhshëm.

Në kuadër të këtij sesioni u promovuan edhe 7 libra të rinj, të autorëve të ndryshëm, të cilët i mbështetë SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”:

* “Princesha Meri”, roman i autorës Elhame Gjurevci, referoi Mone Juniku
* “Fjalor, shprehje, fraza, dhe këshilla në shërbimet mjekësore, shqip-suedisht”, autor Fetah Bahtiri, referoi, Elhame Gjyrevci
* “Po të pres”, autor Idriz Gashi, referoi Isuf Bajraktari
* “Pëshpëritje e jetës në mërgim”, roman, autor Xhavit Çitaku, referoi Hysen Ibrahimi
* “Vullkan i shpërthithur”, autor Bajram Muharremi, referoi Fetah Bahtiri
* “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, autor Hyrë Tejeci Murati, referoi Mehmet Rukiqi
* “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare”, nr.9, SHSHASH, “Papa Klementi XI Albani, në Suedi, referoi Rrahman Rrahmani

Në fund të sesionit shoqata ndau mirënjohje për disa personalitete që kanë kontribuar për Lidhje Shqiptare të Prizrenit dhe për ata që kanë ndihmuar organizimin e Sesionit e gjashtë shkencor të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Ndërsa Hyrë Tejeci Murati, u shpall “Anëtare Nderi” e shoqatës, për kontributin e saj me librin “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, një përmbledhje e 9 vëllimeve e “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” në Suedi./KultPlus.com

Dua Lipa e mrekullueshme me performancën e saj në ‘Late Show’ (VIDEO)

Superylli shqiptar Dua Lipa e cila do të performojë në Sunny Hill Festival më 10 gusht në Prishtinë, po vazhdon me angazhimet e saj, shkruan KultPlus.

Mbrëmë ajo ishte pjesë e një prej emisioneve më të shikuara. “Late Show” me Stephen Colbert.

Në këtë emision ajo performoi edhe hitin e saj “IDGAF”.

E veshur me një fustan të hollë argjendi, Lipa me plot energji fillon performancën e saj të cilës i bashkohen edhe katër kërcimtare.

Më poshtë po ju sjellim performancën e Duas Lipës në Late Show. /KultPlus.com

Fadil Berisha: E ardhmja është me Era Istrefin (FOTO)

Fotografi i njohur shqiptar i cili jeton dhe punon në New York, ka ndarë me ndjekësit e tij në Instagram disa fotografi të artistes kosovare Era Istrefi, e cila tashmë është bërë e famshme në botë falë talentit të saj, shkruan KultPlus.

Poshtë fotografive, Berisha shkruan: “E ardhmja është me Era Istrefin”.

Era Istrefi edhe kësaj radhe ka shkëlqyer nën objektivin e fotografit të njohur Fadil Berisha. /KultPlus.com

Kur nëna e Era Istrefit i këndonte Demaçit (VIDEO)

Syzana Tahirsylaj, dikur ishte një nga këngëtaret më të njohura për publikun kosovar, por karriera e saj muzikore u mbyll shpejtë, shkruan KultPlus.

Me talent, me zë të bukur, e me pamje skenike, por pa dëshirën e madhe për ta quar më tej rrugën e muzikës, këtë rrugë po e vazhdojnë sot me një sukses të jashtëzakonshëm vajzat e saj Nora dhe Era Istrefi.

Këngëtarja Syzana Tahirsylaj, dikur i këndonte edhe figurës së shquar shqiptare Adem Demaçit i cili vdiq dje pas një sëmundje të rëndë.

Kjo këngë kushtuar flakadanit të lirisë, Adem Demaçit, vjen e interpretuar për mrekulli nga Syzana.
KultPlus ju sjellë këngën së bashku me videoklip. /KultPlus.com

Presidenti Meta merr vendim për ligjin e shembjes së Teatrit

Presidenti Ilir Meta ka vendosur të kthejë në Parlament ligjin për shembjen e Teatrit.

Në njoftim thuhet: Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në funksion të transparencës dhe informimit të opinionit publik, Presidenti i Republikës bën me dije se sot më datë 27 korrik 2018, ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, mbështetur në argumentet e më poshtme:

1. Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

2. Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.

3. Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.

4. Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

5. Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.

6. Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.

7. Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

8. Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.

9. Së fundmi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”./KultPlus.com

Anulohet nata e dytë e BeerFest për nder të Demaçit

“Nata e dytë e BeerFest Kosova nuk do të mbahet sonte, në nderim të figurës kombëtare Adem Demaçi, dhe në respekt të ditës së zisë të shpallur nga Presidenti i Kosovës”.

Kështu kanë njoftuar organizatoret e festivalit të birrës në Kosovë.

“Ekipa e Beerfest Kosova dhe Partnerët e saj në Beerfest, shprehin ngushëllimet me të sinqerta familjes së kolosit tonë kombëtar Adem Demaçi dhe qytetarëve të Kosovës për këtë humbje të madhe”, thuhet në njoftimin për media./KultPlus.com

Astrit Ismaili: Ishte kënaqësi të punoja në videoklipin e ri të Erës

Regjisori i videoklipit të Era Istrefit sot ka ditëlindjen.

Nuk është hera e parë që Astrit Ismaili dhe Era Istrefi bashkëpunojnë. Kësaj here, Ismaili – artist i njohur në Kosovë, ka bërë koreografinë dhe pjesën artistike të videoklipit më të ri nga Era Istrefi dhe Konshens – “Oh God”.

“Është kënaqësi të punoj me Erën dhe me videoklipin e xhiruar në Xhamaika, dhe i cili doli sot për ditëlindjen time” shkruan artisti Ismaili.

Kënga u lansua dje me videoklip dhe ka rreth 300 mijë shikime në Youtube. / KultPlus.com

Ndahet lokacioni për ndërtimin e kompleksit ‘Baresha’ që i kushtohet Nexhmije Pagarushës

KK i Malishevë, mori vendim për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e kompleksit “Baresha”.

Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, ndërsa me vota unanime të anëtarëve të KK, që ishin prezent, ka marrë vendim për ndarjen e një lokacioni në fshatin Pagarushë, për ndërtimin e kompleksit “Baresha”, që do ti kushtohet mbretëreshës së muzikës shqiptare, bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha.

Anulohet koncerti ‘Këngë te Kopshti’

Koncerti i planifikuar për nesër anulohet për shkak të vendimit të Presidentit të Kosovës, për të shpallur tre ditë zie në Kosovë, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel, në nderim të figurës së Adem Demaçit, i cili vdiq një ditë më parë.

Për ta respektuar këtë vendim, Fondacioni Lumbardhi ka vendosur që ta anulon koncertin e paraparë të mbahet nesër. Të gjithë ata që i kanë blerë biletat paraprakisht mund të vijnë te Lumbardhi dhe të rimbursohen.

Ekipi i Lumbardhit shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së veprimtarit të shquar Adem Demaçi. / KultPlus.com

Shpalosen detaje tjera nga edicioni i radhës i DOKUFEST

Sot në Prishtinë u mbajt konferenca e përvitshme për media e festivalit DOKUFEST, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 17 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 03-11 gusht 2018 në Prizren, Kosovë.

Në këtë edicion do të shfaqen mbi 260 filma në kategori të ndryshme, nëpërmjet programeve garuese dhe atyre speciale.

Përveç programit, organizatorët e festivalit: Nita Deda (drejtoreshë), Veton Nurkollari (drejtor artistik), Eroll Bilibani (drejtor ekzekutiv) dhe Samir Karahoda (programer i filmave nacional dhe te shkurtë) prezantuan më gjerësisht edhe temën e sivjetme, që është “Reflektimi”.

Frymëzuar nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, programi i DokuFest synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi.

Kjo temë do të hulumtohet përmes kampanjës së festivalit si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore.
Ky edicion i DokuFest shënohet edhe me një laramani të gjerë të paneleve, të cilat do të eksplorojnë në thellësi temën e reflektimit. Përmes tyre, do të reflektohet mbi të kaluarën e Kosovës dhe rajonit, por edhe mbi të ardhmen e filmit në Kosovë me anë të industri-eventeve të Kosovës Kreative.

Gjithashtu, ky edicion ka kuruar një program shumë special për DokuKids, me filma dhe punëtori, klasa vallëzimi dhe lojëra.

As programi muzikor nuk do të mungojë sivjet, me një listë të gjerë artistësh dhe performancave speciale.

Në tri skena të ndryshme – Andrra, Kalaja dhe Lumbardhi – DokuNights vjen i guximshëm dhe mbulon një selektim të kujdesshëm të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, nga ansambli Saz’Iso, këngëtarët legjendarë dhe interpretuesit virtuozë të Sazeve shqiptare – deri te reperi, artisti, poeti dhe aktivisti Mykki Blanco nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com

‘Kur shqiptarët s’kishin shkolla Demaçi ishte mësues, kur s’kishte ushtri ai ishte luftëtari’

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se kur nuk kishin shkolla shqiptarët, Adem Demaçi ishte mësues, kur nuk kishin universitet ishte intelektuali i tyre, e kur nuk kishin ushtri ai ishte luftëtari.

“Është tallur me vdekjen dhe i ka buzëqeshur rrezikut. I qëndrueshëm përtej imagjinatës dhe frymëzues jashtë vetëdijes. Me kthjelltësi në mendje, më këngë në zemër, me kurriz në trup dhe me fjalët në majë të gjuhës. Bindjet nuk ia ndryshoi as koha e as mosha. Adem Demaçi ka jetuar gjatë dhe shumë, i tillë do jetë edhe ndikimi i tij: i gjatë në ardhmëri dhe i shumtë ndër brezat që do të vijnë. Përkulem para jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit! Lavdi!”, ka shkruar Kurti në një postim të tij në Facebook.

Kujtojmë se në hollin e Kuvendit në orën 12:00 kanë nisur homazhet për Demaçin, të cilat pritet të zgjasin deri në orën 20:00. / KultPlus.com