Fisnik Maxhuni fiton çmim në ‘Sarajevo Talents’

61 talente të rinj kanë qenë këtë vit pjesë e programit Sarajevo Talents i cili mbahet në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Ky edicioni i 12-të i Sarajevo Talents kishte edhe tre pjesëmarrës nga Kosova.
May-Linda Kosumoviq, Dritëro Mehmetaj dhe Fisnik Maxhuni.

Ky i fundit sapo ka bërë të ditur që është shpallur fitues në këtë garë.

Fisnik Maxhuni fitoi çmimin Pack & Pitch të Talenteve të Sarajevës me filmin e tij “The Land Within Me”.

“”The Land Within Me”, my first feature film in development gets awarded at the SARAJEVO FILM FESTIVAL ! Merci SËISS FILMS, JJ Basic”, ka shkruar Maxhuni në Facebook. / KultPlus.com
https://www.sff.ba/en/news/10966

“Shënime nga shtëpia e të vdekurve”

“Në një kohë të turbulltë, luhatjesh ose tranzicioni, shfaqen kudo e gjithnjë ca palo njerëz. Unë se kam fjalën për ata që vetëquhen “përparimtarë”, të cilët shpejtojnë gjithnjë para të tjerëve (ky është kujdesi kryesorë i tyre), ndonëse shpesh shpejtojnë për një qëllim të marrë, por të përcaktuar mirë.

Jo, e kam fjalën për fundërrina. Në çdo kohë tranzitore dalin në sipërfaqe e ngjiten lartë këto fundërrina që ekzistojnë në çdo shoqëri, të cilëve nuk u mungon vetëm qëllimi, por edhe aftësia për të menduar dhe që shprehin me gjithë forcën e tyre nervozizëm dhe padurim.

Këto fundërrina, pa e ditur vetë, blihen e vihen nën komandën e një klike të vogël “përparimtarësh”, që veprojnë sipas një qëllimi të përcaktuar; kjo klikë i drejton ato fundërrina aty ku i duhet, ndonëse kjo klikë ndodh të jetë e përbërë edhe prej idiotësh të vërtetë… Dhe mëndjet më të ndritura habiten dhe bëjnë pyetjen: si ia lejuan vetes të mashtrohen prej tyre?”

– Fyodor Dosteovesky, “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”

Kam uri për gojën tënde

Pablo Neruda

Kam uri për gojën tënde, zërin tënd, flokët e tu,
dhe shkoj rrugëve i uritur e i heshtur,
nuk më ngop buka, agimi me ngasje më çorodit,
në kërkim të tingujve të ujshëm të hapave të tu nëpër ditë.

Kam uri për të qeshurën tënde që si lumë rrjedh,
për duart e tua në ngjyrë të grurit të pjekur,
Për të zbehtën e gurtë të thonjve të tu,
Kam uri për lëkurën tënde si bajame e paprekur.

Dua të ha rrufenë e djegur në hijeshinë tënde,
hundën kryeneçe të fytyrës tënde të bukur,
dua të ha hijen fluturake të qerpikut tënd

shkoj e vij i uritur i muzgut nuhatës,
ty duke të kërkuar, në kërkim të zemrës tënde ngrohtësi,
si një pumë që endet në të Kitrates vetmi.

Vdes rokeri i njohur amerikan

Është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare muzikanti i njohur amerikan, Edward C. “Ed” King.

Rokeri klasik ishte i njohur më shumë si kitaristi i grupit të njohur Lynyrd Skynyrd, dhe bashkë-autor i këngës së famshme “Sweet Home Alabama”.

Artisti ndërroi jetë në Nashville, si pasojë e vuajtjeve nga kanceri në mushkëri.

Ed King nuk ishte me grupin në vitin 1977 kur Van Zant dhe anëtarët e tjerë vdiqën në një aksident avioni.

Ai gjithashtu është një ndër bashkë-themeluesit e ” Strawberry Alarm Clock”, grup i formuar në Los Anxhelos në mes të viteve 1960.

Ai u fut në “Hall of Fame Rock and Roll” në vitin 2006 bashkë me të gjithë anëtarët e tjerë të Skynyrd.

Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga faqja e Ed King në Facebook.

“Është një trishtim të madh që ne të ju njoftojmë për humbjen e Ed King, i cili vdiq në shtëpinë e tij në Nashville, Tennessee më 22 gusht 2018. Falënderojmë shumë miq e tifozë për dashurinë dhe mbështetjen e tyre ndaj Edit gjatë jetës dhe karrierës së tij”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

Fjalët e Enver Hoxhës në gjyqin kundër Zef Pllumit

Një prej hetuesve të periudhës së komunizmit, Shqyri Çoku, është përshkruar me mjeshtëri në librin “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi, duke krijuar portretin e një hetuesi të diktaturës, por edhe për përshkruar mekanizmat si funksionin hetuesitë dhe gjykatat e regjimit komunist, dredhitë për të marrë deklaratat e të arrestuarve, por edhe kërcënimet dhe dhunën që ushtronin në dhomat e hetuesisë. Tre fragmentet e mëposhtme janë shkëputur nga “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit (libri III)

Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.

– Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.

– Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?

– I shkrova se i the ti.

Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi (Shyqyri Çoku) më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë i Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Përveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? – pyet Enveri. – Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

– I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, – iu drejtova Shyqit (Shyqyri Çokut), – por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.

– Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: “Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len”. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.

– Jonuz, e ke gadi tjetrin?

– Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pyesin aty.

– Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.

Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.

***

Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te “kafazi i të pandehurve”. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: “Drejtësia në shërbim të popullit”. Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi (Shyqyri Çoku) më tha:

– Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.

Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.

– E vetmja gja që i mungon asht ngrofja.

– Ditë kaq të ftohta janë të rralla.

– Sot asht 7 gradë nën zero, – tha Shyqi (Shyqyri Çoku).

***

Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:

– Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?

– Sigurisht që po!

Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi (Shyqyri Çoku) shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:

– A asht motra jote ajo?

– Jo, nuk e njof.

– Nuk e njef?

Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.

***

Shyqyri Çoku më tha: – Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin.

Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital te ne dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dhe jo të fesë, tha ajo./KultPlus.com

Performanca e magjishme e Jennifer Lopez, bëri të vallëzojnë edhe Rita e Bebe (VIDEO)

Artistja e shumë hiteve JenniferLopez, me performancën e saj të jashtëzakonshme, mori gjithë vëmendjen në mbrëmjen e madhe të MTV VMA 2018.

E realizuar me një vallëzim tejet profesional, përcjellë nga kërcimtar të tjerë, Jennifer shkëlqeu me paraqitjen, vallëzim të cilin vështirë se do e realizonin edhe mosha më të reja.

‘Get On The Floor’, ‘Love Don’t Cost A Thing’, ishin dy këngët që këngëtarja performoi, me ç’rast bëri që bashkë me të, të kërcenin edhe emra të njohur botëror, prezent në atë spektakël.

Në atë mes, u panë edhe dy këngëtaret shqiptare Rita Ora e Bebe Rexha, të cilat u bënë bashkë në përkrahje të J.Lo-s, e edhe për argëtimin e tyre.

Më të afërta se asnjëherë, dyshja e famshme shfaqen gjatë sekuencave të videos ku performuese ishte artistja nga Amerika Latine./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=605&v=_tPIq1SB4Dk
Shikojeni videon.

Si e përjetoi Dritëro Agolli sëmundjen e Xhevahir Spahiut?

Në kohën kur poeti Xhevahir Spahiu kaloi një sëmundje jo të lehtë , Dritëroi , me optimizmin që e shquante në çdo situatë sado të vështirë, i shkruante mikut të tij, Xhevos, plot humor:

D: – Si je, o Xhevo? Xhevua qesh.

D: – Jam Dritëroi. Mos u mërzit. Do të të hapet në mendje një vidhë që do ta shpjesh poezinë në një shkallë më të lartë; do të bësh një poezi të çuditshme. Përsëri Xhevua qesh.

D: – Edhe unë u sëmura dhe u shtrova në spital për 11 ditë. Unë e humba jo vetëm mendjen, po edhe këmbët, por m’u hap një vidhë në tru: vidha e të shkruarit aforizma, dmth fjalë të urta. Xhevua qesh dhe thotë: -Ashtu.

D: – Nuk dua të të shqetësoj. Së shpejti do të vij të të vizitoj me helikopter, se këmbët mezi më punojnë.

Letrat me këto shënime janë bërë publike nga e bija Elona Agolli. / KultPlus.com

Robert Walsh: Shqiptarët janë racë e bukur, e guximshme, krenare dhe aventuriere

Nga Aurenc Bebja

Në dokumentin me titull “Voyage de Constantinople en Angleterre, par les Balkans, le Danube, la Hongrie et l’Allemagne – Narrative Of A Journey From Constantinople To England (1828)”, të klerikut, historianit, shkrimtarit dhe mjekut irlandez, Robert Walsh (1772-1852), gjejmë një përshkrim të veçantë për shqiptarët, më saktësisht në faqen n°4, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“Shqiptarët janë ndoshta raca më e bukur e Turqisë; ata u ngjajnë më shumë grekëve sesa sllavëve.

Nëse shqiptari ka cilësitë e zviceranëve dhe tirolezëve (banorë të Tirolit); nëse ai është si ata një këmbësor i patrembur, i cili ngjit, me pushkën mbi supe, malet si dhitë, ai ka më shumë se ata gjallërinë dhe harenë jugore të kombinuar me një mprehtësi të jashtëzakonshme e të menjëhershme.

Ashtu si grekët, shqiptarët, në mënyrë perfekte, janë popull i lumtur. Krenaria kombëtare shfaqet në fjalët më të vogla të ‘Schkipetareve’, në gjestet e tyre, në qasjen e tyre të lehtë apo edhe teatrale.

Guximi është për ta diçka e natyrshme ; dhe të civilizuar, në vend se të jenë zviceranët e Lindjes, ata ngjajnë me francezët, domethënë, me ata popuj të cilëve pushtimet u buzëqeshin më së shumti.

Jeta aventuriere është një nga elementët e tyre.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/robert-walsh-1828-shqiptaret-jane-race-e-bukur-e-guximshme-krenare-dhe-aventuriere/.

Sonte nis festivali ‘Hyjnesha në Fron’

Me shfaqjen e filmit lituanez ‘Breathing Into Marble’, sonte nis në Prishtinë edicioni i XI-të i festivalit ndërkombëtar të filmit ‘Hyjnesha në Fron’, shkruan KultPlus.

Ceremonia hapëse paraprakisht ka rezervuar për publikun edhe një performancë muzikore nga duoja Makfire Miftari (Vokal) dhe Taulant Rruci (Violinë).

Ngjarja do të zhvillohet në Stacionin e trenit në Prishtinë, gjatë pesë ditëve të ardhshme duke shpalosur tek publiku ofertën e pasur artistike të këtij viti me llojllojshmërinë e prodhimeve filmike nga kineastë të vendeve të ndryshme.

Nata përmbyllëse e 27 gushtit, mbyll edicionin e sivjetmë me ndarjen e çmimeve fituese./KultPlus.com

Sot 11 vite pa Faruk Begollin

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007.

Ai ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë.

Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.

Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë së Kosovës. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit.

Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani./ KultPlus.com

Dita e Viktimave të Komunizmit shënohet me ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar

Përkujtohet në Tiranë Dita Europiane e Kujtesës së viktimave të komunizmit, ndërsa Muzeu Historik Kombëtar prezantoi ekspozitën e hapur “Pantallonat e Gjon Tunxhit”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.

Pantallonat e Gjon Vatnikaj (Tunxhi) janë të arnuara me fije flokësh të nënës së tij, Mrika Tunxhi, gjatë kohës së internimit.

Ky objekt ekspozohet në Pavijonin e Terrorit Komunist në Shqipëri, i cili gjendet në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar. Në pavijon paraqiten dokumente, fotografi dhe rreth 130 objekte historike të vendosura në linjën tematiko-kronologjike për periudhën 1944-1990.

Interes paraqesin fotografitë kushtuar incidentit në Ambasadën Sovjetike dhe të gjyqeve të zhvilluara ndaj deputetëve liberalë të parlamentit shqiptar. Në pavijon është paraqitur edhe përndjekja politike ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë. Në pavijon vizitorët do të gjejnë një hartë ku pasqyrohen burgjet, kampet me punë të detyruar si dhe kampet e internimit në territorin e shtetit shqiptar.

Në Shqipërinë e asaj kohe gjendeshin spitale-burgje dhe spitale psikiatrikë ku “kuroheshin” të akuzuarit politikë. Atmosfera brenda modelit të një qelie të asaj periudhe padyshim që krijon emocione tek vizitorët./ata

Nga Shkodra te riviera e jugut, italianët rekomandojnë pesë pika turistike

Është e qartë për të gjithë se Shqipëria tani ka hyrë në radarët e destinacioneve turistike që nuk duhen humbur. Është afër, lirë dhe plot me thesare për t’u vizituar.

Le të zbulojmë së bashku pesë vendet që nuk duhet të humbasin gjatë një udhëtimi në vendin e shqiponjave.

Tirana: qyteti që nuk fle kurrë

Kryeqyteti shqiptar po merret gjithnjë më shumë në konsideratë nga turistët (kryesisht italiane), të cilët janë kuriozë për të zbuluar qytete të ndryshme. I lidhur me shumicën e aeroporteve më të mëdha italiane, Tirana është një variant i mirë për t’u vizituar gjatë një fundjave apo edhe gjatë një qëndrimi më të gjatë.

Riviera Shqiptare, një mijë hije blu

Ju nuk mund të thoni se keni qenë në Shqipëri pa kaluar pak kohë në Rivierën e bukur shqiptare, shtrirjen e bregdetit që del nga kalimi malor i Llogarasë dhe përfundon në kufirin me Greqinë. Bregdeti jugor i Shqipërisë është vendi i plazheve idilike, gjiret e fshehura, fshatrat ortodokse me kisha me kupola blu dhe manastire të fshehura në pyje që shpëtojnë nga syri më i hutuar.

Gjirokastra, qyteti muze i Shqipërisë

Vend i Trashëgimisë Botërore që nga viti 2005, shembulli unik i arkitekturës otomane dhe qytet-muze i vendit, Gjirokastra është destinacioni më interesant i Shqipërisë. Jo vetëm për bukurinë e saj të padiskutueshme, por edhe për vendndodhjen e saj piktoreske, të rrethuar me male dhe të vendosura pak kilometra nga kufiri grek.

19th-century traditional Ottoman houses, mosque, from Castle hill in Gjirokastra (Gjirokaster), UNESCO World Heritage Site, Albania

Berat, qyteti me dritare të mbivendosura

Pak më shumë se një orë larg nga kryeqyteti, këtu është Berati, një xhevahir i vogël i vendosur mes maleve të larta dhe karakterizohet nga disa nga ndërtesat më të bukura në vend. Berati i detyrohet nofkën e tij shtëpive të mrekullueshme të tij të bardha të shpuara nga pikat e shumta të dritës që e kanë fituar pseudonimin e qytetit me dritare të mbivendosura.

Shkodër, dera në veri

Më pak i famshëm nga jugu, por po aq interesante, Shqipëria e veriut është një nga destinacionet e domosdoshme për këdo që kërkon të eksplorojë anën e egër dhe autentike të vendit. Pika fillestare për veriun e madh është Scutari, qyteti historik i Shqipërisë, vendi i vetëm i muzeut fotografik në Shqipëri, Muzeu Marubi dhe Kalaja Rozafa, një nga më të mëdhatë në Ballkan.(TravelNews.it, monitor)./ KultPlus.com

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë ndan mirënjohje për profesorin Aleksandër Novik

Këto ditë po mbahet edicioni i 37-të i Seminari i 37-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova sot ka ndarë mirënjohje për profesorin Aleksandër Novik, si shenjë mirënjohje për promovimin e kulturës shqiptare në botë dhe kontributin e dhënë për shqiptarët e Ukrainës. Ajo theksoi se vitin e kaluar në sallën ku po mbahet Seminari i 37-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, është bërë promovimi i dy vëllimeve voluminozë të veprës për Gjuhën dhe Kulturën e shqiptarëve të Ukrainës, dy kopje të së cilit i janë dhuruar Fakultetit të Filologjisë.

“Unë e mbaj mend pjesëmarrjen e Novikut dhe bashkëpunëtorëve të tij që nga viti 2005 dhe jo vetëm që vjen por edhe sjellë studentë të interesuar për shqipen, është Konsullë Nderi i shqiptarëve në Rusi, kam pasur nderin të marr pjesë në një konferencë të organizuar nga Noviku dhe kolegët e tij në Shën Petersburg në vitin 2011 dhe vetëm atëherë e kam kuptuar që vijnë në Kosovë dhe Shqipëri bëjnë për shqipen në Shën Petersburg, Fakulteti i Filologjik për ta falënderuar për gjithë këtë kontribut të jashtëzakonshëm, sot kemi vendosur t’ia ndajmë një mirënjohje të veçantë për punën që kanë bërë për shqiptarët e Ukrainës dhe për promovimin e kulturës shqiptare në botë”, tha në fjalën e saj dekanja Lindia Rugova./ KultPlus.com

Nxënësit e Liceut “Jordan Misja” kërcejnë vallen e Tropojës në Gjermani (VIDEO)

Kultura të ndryshme janë bërë bashkë në Aachen të Gjermanisë ku muzika shqiptare u përfaqësua nga nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Ambasada Gjermane në Tiranë njoftoi aktivitetin duke ndarë “momente nga Mbrëmja e kulturave të ndryshme“ në Aachen, Gjermani”.

“Në kampin veror trejavor PASCH nga Shqipëria marrin pjesë Bora, Borjon, Hepi dhe Heidi, nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”, shprehet ambasada Germane.

Po ashtu ambasada Gjermane poston dhe video ku performojnë nxënësit e Liceut Artistik me vallen e Tropojës. / KultPlus.com

Gashi takoi ekipin punues për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në kabinetin e tij anëtarët e ekipit punues për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore. Ky takim vjen pas miratimit të koncept dokumentit për Trashëgimi Kulturore nga Qeveria e Kosovës dhe emërimit të këtij ekipi me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së.

Ministri Gashi përgëzoi grupin punues për punën dhe ju ofroi mbështetje të vazhdueshme duke u zotuar që të punojnë bashkërisht për të finalizuar hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore.

Ai tha: “Sot takova ekipin punues për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore, i cili është përgjegjës të punoj për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore. Është takimi i parë i ekipit punues për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi, në kuadër të planifikimeve tona për avancimin e infrastrukturës ligjore duke pasur parasysh që ligji aktual nuk i plotëson kërkesat e kohës dhe duhet të punojmë që të shtyjmë përpara këtë ligj”.

Nga ekipi punues, ministri Gashi kërkoi që të kenë bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me organizatat ndërkombëtare në mënyrë që të kemi një ligj i cili i ka konsultuar të gjitha palët.

“Përkushtimi im si ministër i MKRS-së, ka qenë dhe mbetet përmirësimi kushteve të punës, investimi në Institucionet e Kulturës, por edhe ngritja performancës institucionale dhe pasurimi i jetës kulturore dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në vendin tonë”, shtoi ministri Gashi. Ai po ashtu tha:“Plotësimi dhe avancimi i kornizës ligjore dhe infrastrukturore konform praktikave dhe standardeve ndërkombëtare mbetet një ndër prioritetet e mia si ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit i përcaktuar edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore, ministri Gashi u shpreh se është një ndër masat e shumta legjislative dhe zbatuese në fushën e trashëgimisë kulturore, që po ashtu koincidon edhe me fillimin e Vitit Evropian.

“Trajtimi i trashëgimisë kulturore duhet bërë në mënyrë të integruar, si trashëgimia arkitekturale, trashëgimia shpirtërore, ajo arkeologjike, peizazhet kulturore si dhe të gjitha asetet nën mbrojtje të shtetit duhet të mbrohen, ruhen, studiohen e promovohen sa më shumë dhe të bëhen objekte të hartës turistike të Republikës së Kosovës”, tha ai.

“Ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore mbetet në vazhdimësi prioritet i imi si ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës i përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës si sektor i veçante me rol kyç në zhvillimin e shtetit”, përfundoi ministri Gashi.

Ndërkaq anëtaret e ekipit punues u zotuan se do të jenë të përkushtuar maksimalisht që të punojnë deri në finalizimin e Hartimit të Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore./ KultPlus.com

“Kafja e Madhe” odiseja e një monumenti në Shkodër

Ishte fundi i shekullit XIX kur në Shkodër vazhdonte të lulëzonte tregtia e për rrjedhojë, shumë familje të kamura nga jashtë vitin dhe e vizitonin Skutën e Arit (sipas prof.. David Lluka, emërtimi në i italisht i Shkodrës Scutari shpjegohet etimologjikisht prej fjalës skutë dhe ar.

Familja Ashiku e pa të udhës të investonte në infrastrukturën e mirëpritjes së vizitorëve, prandaj i kërkoi arkitektit të njohur Kolë Idromeno të skiconte një vend që do të ishte i përshtatshëm për to. Menjëherë Idromeno filloi punën dhe përgatiti këtë skicë e cila edhe sot gjendet në Arkivin Qëndror të Shtetit.

Me të përfunduar ndërtimin, Kafja e Madhe filloi të frekuentohej jo vetëm prej të huajve, por edhe prej shkodranëve duke u kthyer shumë shpejt në strehën ku takoheshin intelektualë. Nëse vërtet Shkodra është djepi i kulturës, Kafja e Madhe është vendi ku kultura u diskutua më së shumti.

Debate të forta intelektuale nën sfondin e një muzike të lehtë klasike me nuanca baroke. Diskutime mbi libra e shkrimtarë që ndoshta pjesa më e madhe e shoqërisë as që i njihte. Anekdoda që i dhanë Shkodrës edhe titullin “Nana e Humorit” me të cilat akoma edhe sot vazhdojmë të qeshim. Biseda rreth muzikës dhe operave më të famshme. Kjo ishte ajo që përbënte Kafen e Madhe, vendtakimin e kulturës me aristokracinë.

Ndërtesa ndahej në dy kate ku i pari kishte ambient të bollshëm me kapacitet deri në 200 persona dhe 50 tavolina, plot me dritare dhe pasqyra ku pranë tyre mund të luaje bilardo apo të pije një kafe në një kënd dedikuar vetëm kafesë. Vend me një joshje të veçantë për të huajt të cilët nuk kalonin asnjëherë pa u ndalur. Në katin e dytë ishin 9 dhoma gjumi dhe dy banjo të përbashkëta ku turistët apo të huajt që vinin për punë kalonin ditët.

Sipas një shkrimi të Flora Nepravishtës dhe Andi Çeudarit botuar në revistën “Monumentet”, 2009-2010, në vitin 1920 Ndoc Luka, konsulli i Italisë në Shkodër e bleu Kafen e Madhe. Me vdekjen e tij, gjithçka i kalon së bijës e cila martohet me Muzale (Muzhalë) që trashëguan atë godinë.

Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: Fillimisht quhej Kafe “Adriatik”. Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund, me ardhjen e malazezëve “Grand Hotel Savija”. Por gjithnjë, prej përmasave që për kohën nuk mund të imagjinoheshin, për të gjithë ruajti emrin Kafja e Madhe.

Me ardhjen e komunizmit, Kafja u shtetëzua dhe ndryshoi disu fizionominë e saj ndërsa funksioni u ruajt. Në vitin 1960, me vendim të Ministrisë së Kulturës, Kafja e Madhe shpallet “Monument Kulture”. “Konkurenti” i saj i vetëm në Shkodër ishte Kafe – Hotel “Turizmi” i cili nuk gjendej larg, por në të cilin asnjëherë nuk përjetoje klasin e Kafes së Madhe.

Me ardhjen e demokracisë në vitet ’90, godina duhej t’u kthehej pronarëve. Nga një që kishte qenë dikur, tani të shumë në numër, trashëgimtarët e rinj nuk ranë dakord për ta ndarë, e për këtë arsye, ajo mbeti e braktisur dhe askush nuk u kujdes për të. Aq i madh qe mjerimi i saj, sa prej vendit ku pinte kafe Tefta Tashko u kthye në vend reklamash për muzikë tallava.

Në vitin 2007, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e shpalli “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”, por përveç vendosjes së një pllake, nuk bëri asgjë që të mund të ndalte degradimin e godinës simbol. Shkodranët në të nuk shohin veç nja kafe apo klub. Ajo godinë është pjesë e trinomit të krenarisë së qytetit. Nëse pyet dikë se çfarë ka të madhe Shkodra, menjëherë do të përgjigjet “Kafen e Madhe, Kishën e Madhe dhe Arrën e Madhe”.

Nëse ajo godinë do të shembej apo do të ndërronte identitet, Shkodrës do t’i humbiste një pjesë e rëndësishme.

Sot godina i është nënshtruar një restaurimi i cili do ta kthejë në identitet me shpresën për të mos qenë një tjetër kafe në Shkodër, por për t’u shndërruar sërish në vendin ku puqet aristokracia dhe kultura./ Konica.al

Dorëshkrimet e papublikuara të Dritëro Agollit, diktatura në fshat

Viteve ’90 po u vinte fundi dhe një tjetër fund ndihej në ajër. Diktatura, si një kafshë e plagosur, shkaktonte viktimat e fundit… Por, kishte jetuar gjatë dhe pasojat dhe varret që kishte hapur ishin të thella, ndoshta të pashërueshme.

Varfëria e njerëzve nuk mund të mbulohej dot më. Po aq e dhimbshme ishte edhe varfëria shpirtërore. Ndalimi i besimit fetar qysh në vitin 1967, u kishte mohuar shqiptarëve të kishin shpresë, të besonin përtej së prekshmes.

Ndonëse Dritëro Agolli besonte te letërsia, dukej se e vuante mungesën e besimit në Zot. Kështu shkruan ai në shënimet e mbajtura mes viteve 1988-1990. “Unë jam pa perëndi. E kam gjoksin e zbrazur”. Asokohe e kishte të ndaluar ta thoshte hapur këtë, ndaj e mbajti ndryrë në shënimet e tij, të publikuara nga e bija, Elona.

Ai e kishte vështrimin e mprehtë. Gazetaria ishte profesioni i tij, por syri i gazetarit e ndihmonte edhe në shkrimtari, në ndërtimin e ngjarjeve, vizatimin e karaktereve… Ishin detajet ato që e bënin diferencën. Dhe, prej këtij vrojtimi dhe ndjeshmërie, veprat e Dritëro Agollit janë aq të pasura, me ngjyra të gjalla, si të shikoje vetë jetën.

Dritëro Agolli pati mundësi të botonte shumë në gjallje dhe ta thoshte të vetën nëpër biseda e faqe të shtypit, por duket se s’kanë të sosur shënimet e Dritëroit. E bija, Elona, teksa vazhdon të rrënojë nëpër shënimet e të atit, herë pas here ndesh nëpër blloqe e fletore, gjëra të atilla dhe nuk i reziston dot tundimit që t’i ndajë me të tjerët. Thuajse çdo ditë ajo boton poezi e faksimile të shënimeve të Dritëroit, aq sa duket sikur ai është i pranishëm më shumë se kurrë.

Dje ajo ka publikuar disa copëza shkrimesh, që datojnë përpara rënies së komunizmit. Ndonëse ishte i majtë në bindje, madje për shumë vite kishte drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, një organ me shumë autoritet përpara viteve ’90, ai nuk e kishte të vështirë të shquante problematikat. Ato i haste kudo ku shkonte me bllokun e gazetarit dhe mbante shënime nga ato që shihte apo ia tregonin. Elona i ka quajtur “thagma të komunizmit”, sepse të atilla ishin në atë kohë dhe vazhdojnë të mbeten. Madje, sot, marrin edhe më tepër një karakter qesharak dhe të pabesueshëm.

“Thagmat e komunizmit në shënimet e Dritëroit. Blloku shënjon në faqen e parë ‘Shënime, 1988- 1990’. I ruajtur së bashku me blloqe të tjera të vogla: shënimet e gazetarit, shënime udhëtimesh, ngjarje për tregime, aforizma e thënie (syresh mjaft të guximshme për t’u shkruar e ruajtur) shënime me kuriozitete nga shtypi ndërkombëtar apo lajmet e ATSH etj.”, shkruan Elona Agolli.

Përmes këtyre shënimeve shprehet shqetësimi i Dritëroit për gjithfarëlloj temash, që kishin të bënin me jetën në fshat, me kulturën, vëzhgime që lidheshin me përditshmërinë e shqiptarëve, me mungesën e kulturës shëndetësore… “Në vendin tonë shpenzohen një milion e gjysmë tubeta dhëmbësh në vit. D.m.th, gjysmë tubete në vit për frymë. Aq pak sa s’bëhet!”, shkruan në fletoret e tij Dritëroi.

Si një devolli, bir fshatari, që nuk e mohoi asnjëherë lidhjen me vendlindjen dhe me tokën, Dritëro Agolli duket se ishte i shqetësuar për atë që ndodhte në fshat. Edhe për atë ishte e pakuptueshme se si fshatarit t’i hiqej e drejta mbi tokën, të prodhonte, të mbillte e të korrte, të rriste shpezë në oborr.

Këtë dëshmojnë edhe shënimet në fletoret e tij, të shkruara mes humorit dhe keqardhjes. Ndërsa e vlerësonte shumë punën që pa gdhirë, mirënjohje që e shpreh përmes këtë aforizëm: “Zgjohet dielli mbi pikën e parë të djersës”, shkruante ai.

Ishte ndaluar të mbaje në fshat pula e gjela deti. Njëri e mbante fshehurazi. E mori vesh kryetari i këshillit dhe shkuan me dy-tre veta për t’ia hequr.

– Është klloçkë. Është mbi vezë! – tha i zoti i shtëpisë.

– There! S’duhet ta mbash.

Donte, s’donte, e theri në sy të tyre dhe e hodhi, pasi klloçka nuk hahet. /KultPlus.com

Marigona Qerkezi në garë për çmimin “Operalia”

Sopranja kosovare, Marigona Qerkezi po vazhdon suksesshëm të jenë pjesë e skenave operistike botërore. Soprano Qerkezi është në garë për çmimin `Operalia`.

Qerkezi tha se pjesëmarrja në këtë garë është me rëndësi. “Unë fitova edhe në “Portofino”, në Itali dhe kjo është një arritje shumë e madhe”, i tha ajo sot RTK-së.

Ajo është zgjedhur në mesin e 40 artistëve që do të konkurrojnë në këtë konkurs për çmimin “Operalia”.

“Çdo herë duhet të sjellësh më të mirën nga vetvetja, unë mezi pres që të jem në skenë”, tha ajo.

Gara do të mbahet shumë shpejt. ‘Unë kam një program shumë të pasur së bashku me pedagogë”, deklaroi ajo.

Ndryshe në këto skena kanë arritur sukses edhe Inva Mula dhe Ramë Lahaj./ KultPlus.com

Foto e rrallë: Ibrahim Rugova në ditët e fundit

Ish Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në ditët e tij të fundit përderisa luftonte me sëmdunjen është takuar me priftërinjtë.

Ai është i ulur në mes dhe vërehet gjendja e tij shëndetësore. Është i thinjur dhe qartazi vërhet rrënja e flokëve si pasojë e sëmundjes. Në anën e djathtë të tij është imzotë Don Lush Gjergji, trasnmeton Express.

Ky i fundit edhe kishte shkruar për filozofinë e Rugovës. Ai në shkrimet e tija kishte thënë se nga bashkëpunimi dhe njohja nga viti 1981 e deri në vdekje ka pasur përvoja shumë pozitive.

“. Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën”, thoshte Don Lush Gjergji.

Natalie vjen si regjisore dhe aktore në një film të ri

Natalie Portman ka mbyllur një marrëveshje për të bërë regjinë dhe të luajtur një film biografiko-dramatik.

Ajo do të interpretojë rolin e motrave binjake Abigail Van Buren dhe Ann Landers, të cilat lindën në vitin 1918.

Aktorja do të tregojë historinë e dy motrave shkrimtare e opioniste, me një rivalitet të hidhur profesional, që nuk ndryshon shumë dhe nga jeta private.

Ndryshe, filmi i ri do të tregojë ngjarjet e një harku kohor prej 15 vjetësh, duke nisur prej 1999-s deri në ditët e sotme.

“Gardhi” me një tjetër shans drejt “Oscarit”

Me dy trofe tashmë, “Gardhi” i Kosovës vazhdon rrugëtimin nëpër festivale.

Pas suksesit në një prej festivaleve më prestigjioze të filmit të shkurtër në veri të ShBA-së, ”Palm Springs International Short Film Festival”, ku në qershor mori çmimin si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar të drejtën për kualifikim për “Oscar” dhe triumfit në “DokuFest”, filmi i Lendita Zeqriajt është në garë zyrtare në “New Orleans Film Festival”.

“‘Gardhi’ është filmi që ka marrë më së shumti poenë nga juria vlerësuese, por që në fakt ka pasur më së paku buxhet në Kosovë. Tashmë është pranuar edhe në një prej festivaleve të njohura të filmit të shkurtër në New Orleans të SHBA-së”, ka thënë Zeqiraj.

‘Gardhi’ po vlerësohet ndërkombëtarisht ndërkohë që në Kosovë është filmi me më së paku buxhet, filmat e tjerë që kanë qenë në listë kanë marrë dy herë më shumë sesa ‘Gardhi’”, ka thënë Zeqiraj, për filmin e saj në të cilin luajnë Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Çelaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina./KultPlus.com

Kushdo që shkruan për budallenjtë, gjithmonë gjenë audiencë të madhe

“Arti i të mos lexuarit është diçka shumë e rëndësishme. Ai qëndron duke mos pasë interes në çfarëdo që mund të ketë tërhequr vëmendjen e publikut të përgjithshëm në çfarëdo kohe të caktuar.

Kur ndonjë pamflet politik ose fetar, ndonjë novelë ose poemë është duke bërë zhurmë të madhe, ju nuk duhet të harroni se kushdo që shkruan për budallenjtë gjithmonë gjenë audiencë të madhe.

Një parakusht për të lexuar libra të mirë nuk është edhe për librat e këqinjë: sepse jeta është e shkurtër.”

– Arthur Schopenhauer, “Essays and Aphorisms”

Gilan apo Gjilan, pyetja e dekadave vjen nëpërmjet ‘Varg e Vi’

“Varg e Vi” përmes projektit “Me ‘G’, a me ‘Gj’?”, synon kthimin e vëmendjes kah trashëgimia kulturore, historike dhe urbane e qytetit të Gjilanit, përcjellë KultPlus.

Kujtimet kanë dërguar organizatorët e eventit në aktivitetin e parë me këngë të interpretuara nga grupet lokale muzikore, e pastaj kënga pas një kohe tjetër, i dërgon edhe në aktivitete dhe shenja të tjera të kujtesës së re urbane: tek Ëmbëltorja, te Faraxhia, te Përmendorja, te Soliteri, tek Ura e Maskatarit…”.

Qyteti ka kujtime, ashtu si njerëzit. Kujtimet e para dhe më të lehta, riprodhohen nga muzika. Një këngëtar me origjinë nga Gjilani, Agron Berisha, u lind në Shkup, u kthye herë pas herë në Gjilan – në vendlindjen e familjarëve të tij, si dhe u bë pjesë e kujtesës kolektive të këtij qyteti, duke kënduar rok e balada dashurie në “Ish-Shtëpinë e Armatës”, “Palestrën e Sporteve”…

Qyteti krijon kujtime. Ato kodohen, depozitohen dhe riprodhohen nga njerëzit dhe duke i parë monumentet. Njerëzit që lënë gjurmë në një qytet, numërohen në gishta. Kujtesa nuk ngjizet vetëm me njerëzit e lindur në një qytet, por edhe me ata dhe ato që ecën nëpër të, kënduan në të dhe lindën rrëfime urbane, duke u kujtuar ende edhe sot nga shokët e tij të dikurshëm. Qyteti krijon figura, profile, portrete, zëra, fytyra dhe kujtime. Njëri nga këto është edhe Agroni. Duke e kujtuar atë, i kujtojmë sidomos vitet e ’70-ta dhe ’80-ta (shek. XX) të Gjilanit.

Për tu rikthyer në kohë, për të sjellë muzikën e viteve 70-ta dhe 80-ta, në këtë ngjarje do të performojnë artistët si: Valdrin Halimi: muzicient/ koordinator i pjesës muzikore, Diana Toska: Vokal, Njomëza Hyseni: Vokal, Xhaner Gashi: Vokal/ Kitarë, Premtim Selimi: Klaviaturë, Gramos Kërqeli: Perkusione, Luftim Dalipi: Vokal/ Kitarë.

Ngjarja do të mbahet më datë 25 gusht, duke filluar në ora 20:00 tek Shtëpia e Rinisë, prapa Sahat Kullës në Gjilan. / KultPlus.com