Rona Nishliu këndon ‘A Natural Woman’ nga Aretha Franklin (VIDEO)

Këngëtarja Rona Nishliu sot ka postuar një video ku performon një këngë të njohur botërisht.

Duke kujtuar ikonën Aretha Franklin e cila ndërroi jetë sot, Rona ka postuar një video ku këndon ‘(You Make Me Feel Like) A Natural Woman’, këngën e ikonës e incizuar në origjinal në vitin 1967.

‘Faleminderit që je arsyeja pse shumë gra kanë dëshiruar dhe ende duan të këndojnë’ ka shkruar sot Rona duke e kujtuar këngëtaren të cilën bota e deshi shumë për më shumë se pesë dekada karrierë.

“Natural Woman” is for you Aretha! #tribute #arethafranklin

A post shared by Rona Nishliu (@rona1shliu) on

Revista letrare irlandeze ‘The Galway Review’ e përkujton poetin Ragip Sylaj

Revista letrare irlandeze “The Galway Review” po e përkujton shkrimtarin Ragip Sylaj i cili ndërroi jetë para pak ditësh.

I botuar disa herë edhe në këtë revistë, Sylaj po përkujtohet kësisoj me poezitë dhe krijimet e tij artistike.

“Shumë autorë të tjerë do të identifikohen me Ragipin” ka shkruar The Galway Review.

Revista e ka bashkangjitur kësisoj edhe versionin anglisht të poezisë “Vdekja e poetit”, ndërsa shkruan edhe për biografinë e Ragipit, i cili nisi të shkruante në fundin e viteve 70-të dhe punoi edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Kosovë.

Ai ka botuar shtatë pëmbledhje me poezi, pesë libra me tregime të shkurtra dhe dy libra me ese e me kritikë letrare.

Death of the poet

What about the poet criss-crossing the country
seeking a sponsor for his new book,
absorbing himself like a cigarette
inside emptiness and outside solitude?

One day he will seek a sponsor for longing,
a sponsor for his passion and renewal,
and will find only a sponsor for suffering,
for the art kills the poet himself.

Don’t become sponsors of the crazy poet,
of the poet drunk on the human grief.
Let him realise that in crisis situations
he gets prepared for a cruel decease.

The sainted oak tree watered with tears,
rooted in the dream and branched in hope,
his magic is the magic of Dodona.[1]
Is it futurity or only memory?

After the poet’s death the book is published.
It finally overcomes its humiliation,
not reconciling with its epoch,
awaiting its revival and solidification.

© Ragip Sylaj

Dukagjin Lipa flet pas përfundimit të “Sunny Hill”

Cilësuar si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në vend, festivali “Sunny Hill” mbylli tri ditë të suksesshme në datat 10, 11 dhe 12 gusht 2018.

Nën petkun e artistëve më të mirë vendorë, festivali “Sunny Hill” arriti që të sjell në Prishtinë edhe tre emrat e njohur ndërkombëtar: Dua Lipa, Action Bronson e Martin Garrix.

Pas interpretimeve e performancave spektakolare, gjithçka pati një fund të suksesshëm, për t’i lëshuar rendin organizimit që do të bëhet edhe për vitet e ardhshme.

Organizatori kryesor i festivalit, Dukagjin Lipa, në një intervistë për Telegrafin ka rrëfyer kënaqësitë e tij, pas përmbylljes së suksesshme të “Sunny Hill” këtë vit.

“Festivali “Sunny Hill” është një ndër festivalet më të suksesshme të Evropës Juglindore, edhe pa kurrfarë modestie më duhet ta them se kënaqësia e vet audiencës dhe e njerëzve që na afrohen çdo ditë për të na dhënë lëvdata duke na përgëzuar për organizimin, na bën të ndihemi aq mirë, ndjenjë të cilën s’mund ta përshkruaj vetëm me fjalë. Është kënaqësi me qenë në shërbim të rinisë së Kosovës dhe “Sunny Hill” do të vazhdojë gjithmonë të jetë në shërbim të rinisë së Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi. Po shpresojmë se me edicione tjera tona të ardhshme do të kemi shumë më tepër mysafirë nga jashtë”, tha Dukagjin Lipa për Telegrafin.

I njëjti, ka treguar në vazhdimin e bisedës se ajo çfarë i dha dritë festivalit është synimi i tij për ta promovuar Kosovën, gjë e cila u përmbyll me sukses.

Ai shprehet se ndjehet i lumtur që tashmë shumë njerëz nga mbarë bota kanë dëgjuar për festivalin “Sunny Hill”, si rrjedhojë kanë mësuar edhe se ku është Kosova.

“E konsideroj që suksesi më i madh i festivalit “Sunny Hill” është vendosja e Prishtinës dhe Kosovës në hartën e festivaleve të kulturës dhe muzikës të nivelit botëror dhe ndërkombëtar”, tha tutje Lipa.

“Sunny Hill” arriti të ketë një organizim të suksesshëm fal shumë përkrahësve, ku përjashtim nuk bënë as institucionet e shtetit. E për krejt ata që ndihmuan, Dukagjini ka një falënderim të posaçëm.

“Me kënaqësinë më të madhe e them se me ekipin tonë të shumë-devotshëm, me punën e tyre të palodhur, me miqtë dhe dashamirët të cilët na kanë ndihmuar, duke filluar prej bizneseve të Kosovës e deri te Dogana dhe Policia e Kosovës, që na kanë lehtësuar të gjitha procedurave, ndaj i falënderoj për ndihmën e tyre të pakrahasueshme. Mendoj që këto janë pikat më të ndritshme të festivalit tonë”, ka thënë Dukagjin Lipa për Telegrafin.

Se festivali “Sunny Hill” do të shndërrohet tashmë në traditë, kjo nuk ka më as edhe një pikë dyshimi.

Organizatori Lipa tha se ideja dhe koncepti për realizimin e tij vitin e ardhshëm, do të fillojë që në shtator të këtij viti.

“Pa kurrfarë dyshimi, do të fillojmë që nga shtatori me organizimin e festivalit “Sunny Hill”, edicionin e dytë. Do të jemi sërish së bashku përsëri, jo vetëm në vitin 2019, po edhe në shumë e shumë vite tjera, të cilat na presin me edicione të reja, me mysafirë të rinj, me emra shumë të mëdhenj të muzikës botërore, edhe do ta vërtetojmë se Kosova, Prishtina, dhe hapësira mbarëshqiptare do të jetë reprezentuese e këtij festivali”, ka përfunduar Dukagjin Lipa për Telegrafin.

Më se e lumtur për punën e bërë është edhe vajza e të lartpërmendurit, artistja me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, e cila përgjatë pesë ditëve të qëndrimit të saj në Kosovë, e tregoi edhe njëherë më shumë se kurrë se sa krenare është me prejardhjen e saj. /KultPlus.com

Hashim Thaçit i dhurohet verë e lirë dhe vendore

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) ka dërguar një pako me verë të prodhimit vendor, dedikuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky aksion sipas FIQ mbahet pas raportimeve të mediave se presidenti aktual ka shpenzuar mijëra euro në verëra të shtrenjta në kohën sa ka qenë kryeministër i Kosovës.

Pakoja me verë u la para ndërtesës ku gjendet Presidenca pasi që përfaqësues të FIQ nuk u lejuan të hyjnë brenda nga Policia e Kosovës, raporton KP.

Dajana Berisha drejtoreshë e FIQ ka thënë se ky është një akt simbolik për t’i sensibilizuar njerëzit që është plotësisht gabim që të shpenzohet paraja publike për pije të shtrenjta.

“Unë kisha pasur dëshirë me i bërë të qartë presidentit që njerëzit nuk janë budallenj e di, një faturë e tillë, një mijë euro për verë dhe ushqime detare, duhet gjithqysh me pasur një justifikim një argumentim prej kabinetit të Presidentit për çka është organizuar ajo drekë. Drekat zyrtare me mjetet financiare të buxhetit të shtetit duhet me pasur arsyetimin pse janë shpenzuar ato mjete. Megjithatë, me gjithë justifikim e mundshëm janë një shumë e jashtëzakonshme, duke e pasur parasysh situatën e mjerueshme që është nëpër komunat e Kosovës”, ka thënë Berisha.

Për këtë shpenzim të lartë ajo ka marrë shembull gjendjen e rëndë të krijuar sot në komunën e Suharekës pas reshjeve të shiut.

Ndryshe mediat kanë raportuar për shpenzime të larta të zyrës së kryeministrit në kohën kur këtë pozitë e ka mbajtur presidenti aktual Hashim Thaçi.

Më nep ma shumë kurajë

Poezi nga Sarandë B. Rugova

Zot!
Ti ma dhe jetën
e bashkë me jetën, ma çove dhëmbjen
buka kenka e shenjtë
e mungesa e saj fort e randë
por, ma t’amel e paska shijen shneta
se çdo gja përskej
M’dhe frutin e bashkë me ta m’fale forcën
M’dhe kambën, por ma mohove hapin
jeta nuk kenka mish
kjo kenka trishtim e lot e molisje
por, jeta kenka edhe g’zim pa fije arsye
Zot!
Ti m’fale fëminë
e bashkë me ta m’nepe nji krevat
për cilin u tërheq si magneti
ajo e pas saj dhe unë
n’sytë e saj t’hidhun prej shkëlqimit
ti m’dhe kurajon
e pas shpine lotët m’rrjedhën
jeta kenka nji çarshafë i bardhë
n’atë bardhësi ku shuhet ngadalë
ajo dhe unë pas saj. /KultPlus.com

Disa nga hitet e Aretha Franklin (VIDEO)

Ajo bëri që të qajë Barack Obamën dhe shumë persona të tjera derisa shumë kohë më parë ajo mori epitetin si “Mbretëresha e Soulit” edhe pse shumë pretendimeve se ajo nuk e meriton këtë epitet ajo po vazhdonte ta mbante frontin e mbretëreshës së muzikës soul. Ajo do të përmendet si këngëtarja më e madhe e kohës moderne.

Aretha Franklin, ka vdekur sot në moshën 76-vjeçare, por muzika e “Mbretëreshës Soul” do të dëgjohet çdo herë. Këngët e saj që patën shumë ndikim tek shumë shtresa shoqërore derisa ndikimi më i madh i hiteve të saj ishte tek njerëzit me ngjyrë në Afrikë.

Këngët e saj që përshkruanin ngjarjet e asaj kohe, përshkruanin gjendjen e shumë skllevërve afrikane, ajo ishte një zë i shoqërisë civile dhe një feministët që ngriti zërin me këngët e saj, ajo këndonte për vuajtjen dhe dashurinë.

Disa nga hitet e Aretha Franklin

Aretha Franklin ka shërbyer si inspirim për shumë gjenerata me hitet e saj si “Respect”, Naturale Woman” dhe “Think”, shkruan KultPlus.

Chain Of Fools – Fitoi çmimet si Grammy Award for Best Female R&B Vocal Performance, dhe Grammy Hall of Fame Award. Karakteristik e kësaj këngë është se është kompozuar plotësisht në minore dhe është një nga hitet e pakta të bazuar vetëm në një notë (minor chord).

Freeway of Love – Këngë fituese e çmimit Grammy. Kënga u bë hiti i viti 1985 të njëjtin sukses e pati edhe videoklipi i xhiruar në Detroit, Michigan.

Until You Come Back To Me – Kënga ishte incizuar fillimisht nga Stevie Wonder në vitin 1967 mirëpo versioni i tij nuk ishte lansuar deri në vitin 1977. Versioni më i suksesshëm i kësaj këngë ishte ai i vitit 1973 nga Aretha Franklin. Më këtë këngë Aretha arriti që të ishte këngëtarja e parë e cila pati një këngë në çdo pozitë nga 1 deri në 10 në tabelë. Këtë më vonë e arritën Marvin Gaye, Madonna dhe Taylor Swift.

Respect – Kjo këngë besohet se i dha këngëtares njohje ndërkombëtare dhe jo vetëm në Mbretëri të Bashkuar. Kënga shërbeu si një pikë referimi për lëvizjet feministe si dhe i solli këngëtares dy çmime Grammy.

I Knew You Were Waiting (For Me)- është këngë fituese e çmimit Grammy dhe e para këngë e incizuar nga një këngëtare amerikane Aretha Franklin dhe një këngëtar britanez George Michael, një duet i vitit 1987.

Franklin ka fituar 18 çmime Grammy dhe rreth 100 milionë disqe të shitura e bëjnë atë një prej emrave më të mëdhenj të muzikës. / KultPlus.com

Kur Aretha Franklin e bëri Barack Obamën të përlotet (VIDEO)

Legjenda e muzikës soul, Aretha Franklin, sot ka ndërruar jetë.

Emri të cilin e njeh bota për zërin e fuqishëm dhe për karizmën e saj, në vitin 2015-të e bëri të qajë edhe asokohe presidentin amerikan, Barack Obama.

https://www.youtube.com/watch?v=XHsnZT7Z2yQ

Aretha po e këndonte këngën “A natural woman” në Kennedy Center Honors 2015 kur Obama u përlot gjatë performancës.
Performanca sot numëron rreth 12 milion klikime në Youtube dhe mbetet ndër performancat e fundit dhe më fantastike të Franklin.

Vetë Obama pati thënë më parë se nëse do të shkonte në një ishull dhe larg njerëzve, do ta merrte me vete Aretha Franklin – për magjinë e zërit të saj dhe për dashurinë që ajo ka si person.

Më vonë në vitin 2016-të, Obama prapë e ftoi Franklin në Shtëpinë e Bardhë për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Muzikës Jazz. / KultPlus.com

Rita dhe Elena Ora krenare me gjyshin, një rrugë në Kosovë mban emrin e tij (FOTO)

Këngëtarja Rita Ora është një prej emrave shqiptarë më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare.

Ajo është e lindur më 19 nëntor të vitit 1990 në Prishtinë, nga prindërit Besnik dhe Vera Sahatçiu.

Jo rastësisht Rita është marrë me art, pasi një gjë të tillë e ka bërë edhe gjyshi i saj nga babai, Besim Sahatçiu.

Ai ka qenë regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.

Rita ka treguar se është shumë krenare me gjyshërit e saj. Ndërsa sot ajo ka postuar një story në Instagram ku ka shpërndarë një tabelë që tregon emrin e një rruge në Kosovë, e cila bart emrin e gjyshit të saj, Besim Sahatçiu.

Ajo është shprehur krenare me gjyshin dhe e lumtur që kjo rrugën në qytetin e saj të lindjes mban emrin e gjyshit.

Një veprim të tillë e ka bërë edhe motra e saj e madhe, Elena Ora, e cila ka shpërndarë në Instagram një fotografi të dy gjyshërve bashkë.

“Gjyshërit e mi të mrekullueshëm. Inspirimi im për sot”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e fotografisë.
https://www.instagram.com/p/BmiV8i4njxj/?taken-by=elenaora
Tutje, Elena ka publikuar edhe fotografinë e tabelës që tregon rrugën e cila mban emrin e gjyshit të saj.

“Gjyshi im ka qenë nga regjisorët e parë nga Kosova, në një kohë kur ne nuk ishim të lejuar të bëjmë filma dhe të tregoheshim kreativë. Ata e kanë njohur kontributin e tij në kulturën dhe komunitetin e filmit, duke emëruar një rrugë me emrin e tij. Të dua (Unë isha mbesa e preferuar natyrisht)”, ka shkruar tutje Elena Ora në Instagram.
Përndryshe, edhe gjyshi nga nëna i artistes Rita Ora, Osman Bajraktari, ka qenë një emër i njohur për publikun shqiptar, pasi ai ishte ambasador i Kosovës në Rusi. /KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BmiYc7SnQnI/?taken-by=elenaora

Krimineli – pjellë e çmendurisë kolektive

Nga Mimoza Hysa

Një krim makabër e ka vënë në provë shoqërinë tonë, që prej ditësh mundohet t’i japë kuptim këtij akti ekstrem. Por, si gjithnjë, përsëritim gabimet e përhershme, duke i bishtnuar fajit e duke e kërkuar atë përtej vetes. Gjetja më e thjeshtë është ta kthejmë kriminelin në të sëmurë. Kjo mënyrë kategorizimi na çliron nga përgjegjësitë dhe na e bën të arsyeshme një ngjarje përtej çdo arsyeje. Nuk është i pari rast dhe nuk do të jetë i fundit: kjo jo sepse “kështu ndodh në gjithë botën”, që është sërish një shprehje parashutë, e cila na nxjerr nga situata, duke harruar se shifrat e krimeve për frymë janë dëshmuese të një shoqërie që nuk po mëson të piqet dhe të nxjerrë mësim nga historia e saj. Ka të tjerë tregues kjo ngjarje, që dëshmojnë për thelbin që përpiqemi ta shmangim: si ka mundësi që një gjysh, që e ka rritur atë fëmijë, të shfaqet natyrshëm para kamerave dhe të mos arrijë të kuptojë përgjegjësinë e thellë të familjes në këtë krim? Si ka mundësi, që banorët përqark flasin për një familje të nderuar dhe një djalë që papritur i çuditi me gjestin e tij?

Përgjigja e shkurtër do të ishte: sepse një shoqëri e sëmurë nuk e dallon dot të sëmurin që ka para syve, sepse ai përsërit po të njëjtat veprime si të gjithë, bën të njëjtën jetë si të gjithë dhe reagon pak a shumë si të gjithë. Prandaj, jeta e tij nuk na çudit, sepse ai është njëri nga ne, një kriminel potencial i rritur në një shoqëri me probleme të rënda, që kthehet në “kriminel” vetëm kur bën aktin final, zbraz armën. Por, a arrihet deri të zbrazja e armës?

Ritvan Zykaj

Nëse do të donim të njihnim shkaqet e kësaj ngjarjeje, mund të provonim një pyetësor, në dukje të pafajshëm, për vrasësit mendjeftohtë. T’i pyesnim në dy nivele: si e ndërtojnë jetën e përditshme dhe si kujdesen për jetën shpirtërore. Pra, konkretisht, çfarë bëjnë sa hapin sytë? Me siguri shumica prej tyre do të thonë se shkojnë të pinë kafenë me kaçurrel a një gotë raki në klubin e fshatit. Në qofshin më të pasur e me prindër më zullumqarë, e pinë në bllok të shoqëruar me një pije më të shtrenjtë se rakia e rrushit. Po t’i pyesim se si e nxjerrin bukën e gojës, një pjesë e mirë do t’ia vënë fajin qeverisë, edhe pse vetë nuk e kanë marrë mundimin ta kalojnë klasën e katërt e të mësojnë të punojnë bahçen para shtëpisë, ose, nëse i kanë paratë me shumicë, do t’ju shesin mend se si bëhet paraja mal duke shitur motrën, komshien, gruan apo duke shitur drogë. Po t’i pyesim se çfarë muzike dëgjojnë, do të rreshtonin zhurmë Noizi, Stresi apo Kallashi. Po t’i pyesim se çfarë emisionesh shikojnë, do të përmendin të gjitha batutat e gallataxhinjve të ekraneve, që kanë ditur të përqeshin veten, pa ditur të stigmatizojnë e të turpërojnë veset e qelbura të kësaj shoqërie. Po t’i pyesim nëse kanë lexuar ndonjë rresht, do ta kuptojmë se kanë qenë potencial i gatshëm krimi i përgatitur nga vetë shoqëria jonë, që pasi i prodhon, i zbraz jashtë si jashtëqitje, duke dashur të pastrohet.

Thirrja e hapjes dhe mbushjes së çmendinave nuk na shpëton: ne vetë kemi kontribuar për të ngritur një Çmendinë gjigante. Kur Franco Basaglia, psikiatri italian, ia doli më 1978-ën të fitonte luftën për të miratuar ligjin e mbylljes së çmendinave, kishte në mendje ndërmarrjen e një hapi revolucionar të trajtimit të çmendurisë si një sëmundje që shërohet përmes komunikimit dhe jo përmes izolimit. Po kjo nënkuptonte një angazhim të madh shoqëror, jo një lënie në gjendje të lirë, duke e kthyer në barut mendjet e sëmura. Për Basaglia-n, mbyllja e çmendinave ishte vetëm hapi i parë që shënjonte fillimin e një këndvështrimi të ri ndaj shëndetit mendor, si një çështje të cilën shoqëria nuk mund ta shmangë me eliminimin dhe mbylljen, por duhet ta përballë me një angazhim total. Por, edhe pse revolucionar si hap, në një shoqëri si e jona mbetet utopi, sepse kërkon nga shoqëria pikërisht atë që i mungon: ndërgjegjësimin për detyrën.

E vetmja fushatë ndërgjegjësuese që pati efekt në shoqërinë amerikane ka qenë ajo kundër duhanit, gjë që bëri që duhanpirësit të shihen ende sot e kësaj dite në atë vend jo vetëm si dëmtues të vetvetes, por edhe si ndotës të ambientit e për më tepër të stigmatizohen për vesin e tyre. A nuk duhet ta kishte bërë me kohë një gjë të tillë edhe shoqëria jonë me pijanecët, kur rezulton se pas shumicës së krimeve në familje fshihet alkooli? A nuk duhet ta kishte etiketuar pijanecin si një figurë dështake, që prodhon dhunë, krim dhe degjenerim? A nuk do të kishte qenë e udhës që shoqëria dhe shteti të kishin marrë masa serioze për një dukuri të tillë, kaq karakteristike për Shqipërinë? Si ka mundësi, që kudo të shitet alkooli kaq lirshëm për adoleshentët, të porositet pa problem nëpër lokale, pa u kërkuar kartë identiteti, të mbyllen sytë kur gjimnazistët dehen paq netëve nëpër klube nate? Si ka mundësi, që një shoqëri që ka mbushur rrugët e botës me prostituta, nuk stigmatizon kofshët e gjoksin jashtë të gjimnazisteve në ambientet e shkollës dhe vend e pa vend në ekranet televizive? Çdo qeveri ka për detyrë të studiojë veçantitë e vendit dhe shoqërisë së saj, duke marrë masa konkrete në përgjigje të plagëve konkrete. Nëse lojërat e fatit apo klubet e lotove janë një çerdhe dembelizmi dhe lulëzimi vesesh, atëherë është detyra e shtetit të ndërhyjë me dorë të fuqishme. Por, natyrisht, kjo është si të heqësh pjesën e kalbur e jo të shërosh burimin e kalbëzimit.

Ajo çka përbën burimin është gjithnjë e më e vështirë për t’u evidentuar e gjithnjë më e pamundur të eliminohet. Edhe pse ne tashmë nga një shoqëri e kontrolluar me darë të hekurt, kemi kaluar në lirinë pa kufi e të keqinterpretuar, pa kaluar fazën kryesore, atë të ndërgjegjësimit dhe të civilizimit. Kemi keqkuptuar konceptimin e kufirit në emër të “emancipimit”, fjala e përditshmërisë në fjalorin e rinisë së sotme, ku çdo gjë është e lejueshme. Kjo lëvizje është kuptuar kundër çdo institucioni dhe pengese që vë kufi: familja si burg, shkolla kazermë ushtrie, puna tjetërsim dhe ligji si dhunë nga e cila duhet të çlirohemi. Por, si ta kuptojnë të rinjtë kufirin mes lirisë seksuale dhe abuzimit seksual e prostitucionit, mes përmirësimit të imazhit nga të meta të lindura dhe transformimit tërësor të paraqitjes, deri në tjetërsim dhe sëmundje; kufirin mes njohjes dhe mbajtjes nën kontroll të gjendjes emocionale dhe abuzimit me droga gjithfarë për të arritur gjithnjë kulmin e energjisë dhe të lumturisë; kufirin mes të qenit i dobishëm dhe të qenit i njohur, pa dalluar në është për të mirë apo për të keq; kufirin mes lirisë për të plotësuar dëshirat e tua dhe përgjegjshmërinë për të mos cenuar të drejtat e tjetrit?

Do të besoja se kemi filluar të kuptojmë, nëse do të kisha dëgjuar gjyshin e vrasësit që të merrte përgjegjësitë e të thoshte vetëm dy fjalë në ekran: kam dështuar me familjen time; të shikoja dy prindër që të kërkonin ndjesë për papërgjegjshmërinë në rritjen e një krimineli, ose, së paku, nëse flasim për një të sëmurë mendor, të kishin kërkuar ndihmë. Është e vërtetë që kapacitet mendore janë të ndryshme, por një familje, edhe pse nuk është e thënë të kultivojë mendimtarë dhe filozofë, e ka për detyrë të rritë qytetarë që respektojnë ligjin dhe detyrimet shoqërore. E kjo arrihet kur fëmijët rriten me dashurinë për të bukurën e për të mirën.

Nëse krimineli i drejtohet në rrjetet sociale kryeministrit të vendit, kjo nuk përbën asnjë çudi, përderisa e kemi ngritur vetë një platformë të tillë komunikimi, ku siç thotë Umberto Eco, ia japim fjalën në kuvend edhe të paditurit, edhe të pakultivuarit, edhe budallait, që dikur ia qepnin gojën edhe te klubi i fshatit. Jemi vetë ne ndërtuesit e një sistemi të tillë, pasojat e të cilit po vuajmë. Atë armë vrasësit ia fali politika e degjeneruar e gjithë këtyre viteve të tranzicionit, ia mbushi padija e bërë mullar, që prodhojnë institucionet tona shkollore dhe ia zbrazi keqedukimi, apo më mirë mosedukimi, indiferenca familjare. Ai djalë është pasqyra që na nxjerr zbuluar, që ne nuk mund ta thyejmë dhe ta zhdukim as duke e kategorizuar si të sëmurë, as duke e varur e as duke e kalbur në burg. Ai është pasoja e jetesës që kemi ndërtuar, e cila nuk pasqyron vetëm atë që Niçja paralajmëroi një shekull më parë, rrënimin e vlerave njerëzore, por edhe të një indiference absolute. Nëse përpiqemi që këto tri instanca të një shoqërie, si familja, shkolla, shteti, të mos i vëmë para përgjegjësisë e ta kategorizojmë edhe kësaj here thjesht si një vrasje të radhës së një të çmenduri, atëherë le të presim në heshtje edhe vdekjen tonë./KultPlus.com

Bashkë me Ritën, edhe Bebe Rexha do të ndajë një çmim në MTV

Rita Ora dhe Bebe Rexha janë ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare në rrafshin ndërkombëtar.

Por, dyshja kësaj here do të vijnë më ndryshe se kurrë së bashku në një vend.

Këngëtaret tona do të jenë në rolin e dy prezantueseve në një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës botërore MTV “Video Music Awards 2018”.

Të dyja vajzat do të jenë në drejtimin e koncertit “VMA Kickoff” në New York të SHBA-ve.

Kështu së paku ka konfirmuar përmes llogarisë personale në Instagram teksa ka treguar se do të shfaqen së bashku në ngjarjen vjetore.

“New York!! Zemra ime, Bebe dhe unë do të drejtojmë koncertin e “VMA Kickoff” këtë të diele. Do të jetë një natë e egër dhe po përgatisim surpriza për ju”, ka shkruar ajo në Instagram.

Ndryshe, 27-vjeçarja Rita edhe vitin e kaluar ka qenë udhëheqëse e këtij shout televiziv. /KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BmhFOSrnDE5/?taken-by=ritaora

Rrahen mes vete dy shitës të biletave të ‘Sunny Hill Festival’

Dy shitës të biletave të kompanisë e cila ka qenë e kontraktuar për shitjen e biletave të festivalit “Sunny Hill” janë rrahur mbrëmjen e kaluar te Lagjja “Arbëria” në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar rastin, por që nuk ka dashur që flas për arsyet e kësaj rrahje.

“Mund të ju them se gjashtë persona janë përfshirë në një rrahje në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Të njëjtit janë dërguar në stacionin policor. Policia është duke u marrë me rastin”, tha Ahmeti.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe njërin nga tre organizatorët e Festivalit Sunny Hill, Alban Katratin i cili ka konfirmuar rrahjen e dy shitësve.

“Mund të ju konfirmoj se dy shitës janë rrahur mes vete. Dy shitësit i kanë takuar dy agjencive të ndryshme, njëri nga kontraktori të cilin e ka kontraktuar Sunny Hill dhe tjetri nga nënkontraktori i cili po ashtu ka qenë nga festivali. Të dy agjencitë kanë shitur bileta të festivalit, ndërsa rrahja ka ndodhur pasi që dy palët nuk janë barazuar mes vete, ku në këtë rast nënkontraktori ka rrahur kontraktorin për shkak se nuk janë barazuar për numrin e saktë të parave të fituara nga biletat”, tha Kastrati.

Ai shtoi edhe se asnjëri nga ta nuk janë staf i Sunny Hill Festival janë vetëm kontraktor dhe nënkotraktorë të festivalit.

U promovua libri “Pikturimi i fytyrës në Kosovë”, sjellë njohjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore

Dje, në hapësirat e Muzeut të Qytetit të Mitrovicës u promovua libri “Pikturimi i fytyrës në Kosovë; Ndërmjet traditës dhe modernitetit”, me autore Drita Halimi Statovci, pwrcjell KultPlus.

Lumnije Kadriu, etnologe dhe bashkëpunëtore shkencore në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë për veprën e fundit të autores theksoi se është për tu admiruar energjia dhe kureshtja e saj e pashtershme shkencore, për hulumtime si teorike ashtu edhe empirike, të terrenit.

Hulumtimi i saj i fundit në lidhje me “Pikturimin e fytyrës në Kosovë” është dëshmi e këmbëngulësisë së saj që t’i trajtojë temat thellë e me përkushtim, si në sinkroni ashtu edhe në diakroni e komparacion.

Njëherësh, Zanita Halimi (ligjëruese në Departamentin e Antropologjisë, në kuadër të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës) shtoi se libri në fjalë, na vjen i shkruar me një profesionalizëm të thellë shkencor, si tematikë e veçantë për njohjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Libri nuk është vetëm një përshkrim i fenomenit të pikturimit, por është një ndërlidhje e fuqishme teorike, duke analizuar autorë të ndryshëm për historinë e këtij fenomeni.

Promovimi i librit ”Pikturimi i fytyrës në Kosovë; Ndërmjet traditës dhe modernitetit”, u përmbyllë me një bashkëbisedim në mes të audiencës dhe më autores, ku të pranishmit u njohën me procesin e hulumtim, metodologjinë e punës kërkimore si dhe të ngjarjet e veçanta gjatë këtij procesi. Për organizatorët e aktivitetit dhe të pranishmit, autorja ndau një mori librash./ KultPlus.com

Ka vdekur Aretha Franklin

Ka vdekur sot Aretha Franklin.

Në moshën 76 vjeçare, një prej këngëtareve më të mira të të gjitha kohërave ka ndërruar jetë. Vitin e kaluar ajo morri pushim nga muzika për shkak të shëndetit të dobësuar.

Paraqitja e saj e fundit ishte në nëntorin e vitit të kaluar për Fondacionin Elton John.

Franklin ka fituar 18 çmime Grammy dhe rreth 100 milionë disqe të shitura e bëjnë atë një prej emrave më të mëdhenj të muzikës. / KultPlus.com

Blogu ndërkombëtar uron ”mirëseardhjen” me Shkodrën (FOTO)

Blogu ndërkombëtar ”The balkanista”, dedikuar mënyrës së jetës, opinioneve, udhëtimeve dhe të jetuarit shik, i ka kushtuar një artikull të veçantë Shkodrës historike dhe kulturore.

Në artikull Shkodra përshkruhet që nga elementët gjeografik e deri tek ato kulturor,historik dhe turistik duke ndarë detaje se pse ja vlen të vizitosh këtë qytet.

I renditur si qyteti i tretë më i madh në vend, gjurmët e tij datojnë që në fund të shek IV ku e kaluara e mbushur me tregime të ilirëve dhe mbretërve shfaq interes të madh për turistët.

Shkodra është një qytet i vendosur në veri-perëndim të Shqipërisë në buzë të liqenit të Shkodrës, shtrihet në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Një përzierje e pabesueshme gjeografike e maleve, fshatrave, lumenjve, liqeneve dhe hapësirës urbane, ajo ka çdo pjesë të Shqipërisë të përfshirë brenda në një vend.

Në hyrje të qytetit ndodhet Kalaja e Rozafës e cila ngrihet në qiell me një lartësi prej 130 metra, në të cilën qëndron një flamur i kuq shqiptar që valvitet me erën e verës.
Lumenjtë e Bunës dhe Drinit dhe për gati kanë siguruar pikën e përsosur që Shkodra të mbrojë kështjellën e tyre nga çdo forcë pushtuese potenciale.

Kalaja filloi jetën si një kështjellë ilire para se të merrej nga romakët rreth vitit 167 pes. Sot, fortifikimet e saj të ruajtura janë kryesisht me origjinë veneziane dhe muret këndojnë tregime të sazeve të Shkodrës nga ana e Osmanëve në vitin 1478 dhe sazet e Shkodrës nga malazezët në vitin 1912.

Kalaja është gjithashtu shtëpia e e legjendës së Rozafës

Legjenda, arkeologjia dhe historia e saj dëshmojnë për ekzistencën e saj të hershme. Legjenda është për iniciativën e tre vëllezërve që vendosën ndërtimin e kështjellës. Ata punonin gjithë ditën, por muret binin gjatë natës. Ata u takuan me një njeri të zgjuar të moshuar që i këshilloi ata që të sakrifikonin dikë në mënyrë që muret të qëndronin. Ata vendosën të sakrifikojnë një nga gratë e tyre, të cilët do të sillnin drekë për ta ditën tjetër.

Kështu ata ranë dakord se cilado nga gratë e tyre ishte ajo që do të sillte drekën të nesërmen ishte ai që do të varrosej në muret e kështjellës. Ata gjithashtu premtuan të mos u tregonin grave të tyre për këtë.

Megjithatë, dy vëllezërit më të mëdhenj, ua shpjeguan situatën grave të tyre atë natë, ndërkohë që vëllai më i ndershëm më i vogël nuk tha asgjë. Të nesërmen pasdite në kohën e drekës, vëllezërit pritën me padurim për të parë se cila grua mbante shportën e ushqimit. Ishte Rozafa, gruaja e vëllait më të ri. Ai i shpjegoi asaj se çfarë ishte marrëveshja, se ajo duhej sakrifikuar dhe varrosur në murin e kështjellës në mënyrë që ata të mund të përfundonin ndërtimin e saj dhe ajo nuk kunndërshtoi.

Rozafa, e cila ishte paracaktuar të murosej ishte e brengosur për djalin e saj të vogël, kështu që pranoi të ishte e murosur me kusht që ata të linin gjoksin e saj jashtë në mënyrë që të ushqehej djali i porsalindur, dorën e djathtë për ta përkëdhelur dhe këmbën e saj për të përkundur djepin e tij.Kjo legjendë tregon besën e shqiptarëve dhe sakrifikim e tyre.

Ndërsa zbret nga kështjella në zonat urbane , gjëja e parë që vura re kur hyra në qytet ishte prania e madhe e biçikletave.Kudo që shkon nëpër rrugët e këmbësorëve, nëpër rrugicat e ngushta, dhe përgjatë rrugëve kryesore, ju mund të dëgjoni zhurmën e zileve të biçikletave. Kjo për shkak se banorët vendas e kanë kuptuan se mënyra më e mirë për të lëvizur është me biçikletë.

Blogerja pjesë e blogut ”The balkanista” e cila ka vizituar Shkodrën dhe ka shkruar artikullin thotë se,”absolutisht e dua këtë qytet eko-miqësor, të sigurt dhe të shëndetshëm. Biçikletat janë kudo, të vendosura jashtë dyqaneve të kafeneve, të parkuara jashtë tregjeve dhe madje të mbështetura në shtylla ,ndërsa pronarët e tyre konsumojnë ndonjë ushqim ose kokteje me fruta.

Vetë qyteti është absolutisht i bukur ,një përzierje e vërtetë e arkitekturës, ajo ndryshon midis hoteleve të mëdha imponuese, ndërtesave të kohës komuniste dhe banesave më të vogla e më të vjetra që janë restauruar me dashuri dhe pikturuar me ngjyra të ndritshme.
I gjithë vendi ka një atmosferë të larmishme ,njerëzit që shëtisin nëpër rrugë, muzikë dhe valle shqiptare, lokale të cilat kanë tavolinat jashtë dhe nën ritmet e muzikës banorët shijojnë muzgun.

”Unë u ula në një lokal në tarracë në Shkodër duke shijuar një pije, ndërkohë që dëgjohej hoxha duke bërë thirrjen për namazin gjithashtu dëgjoheshin dhe këmbanat e kishave ,një testament plot vlerë i cili tregon tolerancën fetare dhe shoqërore të Shqipërisë”,shkruan blogeria e ”The balkanista”.

Ekziston një atmosferë shumë e veçantë në Shkodër e relaksuar dhe tepër boheme në të njëjtën kohë. Njerëzit nuk janë të nxituar këtu, ata janë duke ecur në këmbë ose në biçikleta, duke buzëqeshur dhe duke dëgjuar muzikë. Kam një ndjenjë se Shkodra do të jetë një nga qytetet e mia më të preferuara në këtë vend të bukur! /ata

41 vjetori i vdekjes së Elvis Presleyt

Elvis Presley ka lindur më 8 janar 1935 në Tupleo, dhe ka vdekur më 16 gusht 1977 në Memphis, në moshën 42 vjeçare.

Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti i Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”. Mbreti i muzikës rock&roll, sex simboli, mashkull me të cilin çdo femër ka dashur të ishte, me vite ka luftuar nga varësia. Vitin e fundit të jetës së tij, ai është shoqëruar me mjekët, duke pasur parasysh se kishte probleme të mëdha me mëlçinë, zemër, sistemin e tretjës etj, dhe e gjithë kjo si pasojë e përdorimit të drogës. Karrierën e tij, Elvis e kishte filluar në vitin 1954. Zbuluesi i talentit të tij ishte themeluesi i Sun Records, Sam Phillips. Elvis kishte ardhur në studio për të kënduar një këngë për ditëlindjen e nënës së tij.

Pak kohë pas kësaj, ai ka realizuar singlin “That’s All Right” i cili menjëherë është bërë hit. Ai ka marr pjesë në shumë emisione televizive dhe në radio, kurse mënyra e vallëzimit dhe lëvizjet e tij shumë shpejt janë bërë mjaft tërheqëse tek gjinia femrore. Për herë të parë ka debutuar në film në vitin 1956, në filmin “Love Me Tender”. Ai ishte këngëtari i parë, koncerti i së cilit (Aloha from Haëaii në 1973) është transmetuar në më shumë se 40 shtete të botës. Ai ka qenë 14 herë i nominuar për çmimin Grammy, dhe ka fituar tri çmime Grammy për vepër jetësore. Falë suksesit të madh në shoëbiz, Elvis ka fituar miliona, ka shpenzuar shumë, dhe për këtë arsyeje pak para vdekjes kishte bankrotuar. Trashëgimtarja e pasurisë së tij ishte Lisa Marie Prestley./ KultPlus.com

Madonna feston 60-vjetorin

Ylli i muzikës pop, aktore e regjisore, por edhe shkrimtare, ajo mbush plot 60 vjeç këtë të enjte.

Emri i saj i plotë është Madonna Louise Veronica Ciccone, njihet shkurt me emrin Madonna dhe në karrierën e saj ka performuar në 10 turne koncertesh, sikurse ka shitur edhe mbi 300 milionë albume, duke u bërë kështu artistja femër me më shumë albume të shitura në të gjitha kohërat, sipas librit të rekordeve botërore “Guinness”.

Por, le t’i hedhim një vështrim të shkurtër karrierës dhe jetës së saj, që nga fillimet e hershme kur nisi të studionte për kërcim në Nju Jork, e deri te suksesi i pamohueshëm, karriera në kinematografi dhe jeta familjare, transmeton tch.

Madonna është rritur në Rochester të Michiganit. Ajo u zhvendos në Nju Jork në vitin 1977, ku studioi për kërcim e punoi si modele. Ajo ka treguar që në moshë në re përkujdesje ndaj pamjes dhe sigurisht edhe zhvillimit të stilit të saj personal.

Në fillimet e karrierës muzikore, Madonna regjistroi disa “demo” me të dashurin e saj Stephen Bray. Një letër refuzimi e momenteve të para, në vitin 1981, u shit në ankand në Nju Jork në vitin 2001, në të cilën një profesioniste e muzikës shkruante: Nuk besoj se është gati, megjithatë vërej tek ajo bazat e një artisteje të madhe.

Por, “demo”-t e saj ranë shumë shpejt në duart e bosit të “Sire Records”, Seymour Stein, në një kohë kur ajo po kurohej në spital. “Holiday” ishte hiti i parë që la gjurmë në karrierën e saj në tregun amerikan, duke hyrë në klasifikime në fundin e vitit 1983 dhe duke u ngjitur deri në vendin e 16 në janar të vitit 1984. Tituj të tjerë të karrierës së hershme janë ato “Like A Virgin” apo “Material Girl”.

Viti 1985 do të ishte historik për këngëtaren e re. Turi i saj muzikor i mbiquajtur “Virgin” korri sukses, u mbështet nga “Beastie Boys”, ndërsa Madonna performoi në një koncert historik “Live Aid”, në përpjekje për të grumbulluar të ardhura për viktimat e urisë në Etiopi.

Madonna mori pjesë edhe në filmin e saj të parë, dramën-komedi “Desperately Seeking Susan”, në vitin 1985, duke marrë vlerësime përgjithësisht pozitive nga kritikët dhe frekuentuesit e kinemave.

Artistja u martua më pas me aktorin Sean Penn në një skaj të Kalifornisë, në vitin 1985, ndërsa media bënte xhirime nga helikopterët, kurse ajo iu përgjigj me një mesazh tejet të fortë. “Nuk duhet ta përsërisni më”, drejtuar fotografëve, por i shkruar në rërën e plazhit.

Çifti luajti gjithashtu në filmin e vitit 1986 “Shanghai Surprise”, i vendosur në kohë në Kinën e pushtuar nga japonezët gjatë vitit 1938.

Por, do të ishte albumi i saj i tretë “True Blue”, i publikuar në 1986-n, ai që do të përcaktonte ngritjen e saj në nivelin e yllit të popit, pasi kapi vendet e para në 12 vende dhe prej atij albumi dolën plot 5 hite.

Njëri prej tyre ishte “Papa Don’t Preach”, një këngë që i dedikohej shtatzënisë në adoleshencë, duke provuar edhe njëherë se Madonna ishte një artiste që nuk trembej të trajtonte çështje kontroverse.

Në vitin 1989, Madonna do të ndahej nga Penn, ndërsa po atë vit do të publikonte këngën “Like A Prayer”, videoklipi i së cilës shfaqje djegien e kryqit dhe këngëtaren teksa puthte një shenjt me ngjyrë. Nuk ishte aspak çudi fakti që ajo provokoi shumë protesta të zhurmshme. Pavarësisht debateve e kundërshtive, albumi kapi menjëherë vendin e parë.

Albumi u përvijua me këngën “Vogue” dhe turin “Blond Ambition”, me një ndryshim të theksuar të imazhit të Madonnës. Këtë herë, në qendër të mesazheve të saj ishin seksualiteti dhe femra.

Në vitin 1992, Madonna nisi të prekte me dorë penën, duke shkaktuar sërish debate. Ajo botoi një libër ilustrativ të titulluar “Sex”, ku shfaqej vet Madonna në një seri pozash tejet të nxehta, disa prej të cilave me personazhe të njohur të modës, si Naomi Campbell dhe Vanilla Ice. Sigurisht, edhe këtë herë reagimet ishin të përziera, disa e kritikonin, ndërsa të tjerë e duartrokisnin për kurajon e saj dhe mesazhin e fuqizimit.

Në vitin 1996, karriera kinematografike e Madonnës do të pasurohej me rolin kryesor të Evitës, Evita Duarte, gruaja e presidentit argjentinas Juan Peron. Vajza e parë e Madonnës, Lourdes, u soll në jetë në vitin 1996, pas lidhjes me trajnerin e fitnesit, Carlos Leon.

Madonna iu rikthye muzikës në viti 1998 me albumin “Ray Of Light”, me një stil dance dhe elektronik, e me tema si fama dhe prindërimi.

Regjisori Guy Ritchie do të ishte personi tjetër që do të hynte në jetën e Madonnës në vitin 1998, pasi u njohën gjatë një feste të zhvilluar nga gruaja e Sting, Trudie Styler. Me Ritchien, Madonna solli në jetë djalin Rocco, i cili u pagëzua më 21 dhjetor të vitit 2000. Ditën tjetër çifti u martua, me ceremoninë martesore të zhvilluar në kështjellën “Skibo” në Inverness të Skocisë. Mes të ftuarve “VIP” ishin Rupert Everett, Stella McCartney dhe Donatella Versace, sikurse edhe aktorja Gëyneth Paltrow, si shoqëruesja e nderit.

Ritchie e përfshiu gruan në filmin “Swept Away” të vitit 2002, ku spikat edhe roli i aktorit italian Adriano Giannini. Filmi tregonte historinë e një personazhi të njohur të bllokuar në një ishull të Mesdheut, me një marinar komunist.

Viti 2003 do të sillte një tjetër gjest të çuditshëm të Madonnës, teksa u puth me gjuhë me Britney Spears dhe Christina Aguilerën në mesin e një performance në “MTV Video Music Awards”, një ngjarje që sigurisht merr shumë vëmendje mediatike.

Madonna e zgjeroi familjen e saj teksa adoptoi foshnjen 13-muajshe David nga Malavi, duke marrë miratimin përfundimtar në vitin 2008. Po atë vit, Madonna e Ritchie do të divorcoheshin, duke i dhënë fund martesës 8-vjeçare.

Në vitin 2012, Madonna u bë e para femër e një finaleje “Super Bowl”-i që rrëmbeu titujt kryesorë të medieve, që kur Janet Jackson pati një “keqfunksionim të veshjes” në vitin 2004. Performanca e saj vendosi një rekord për audiencën më të lartë të shikueshmërisë. Në atë finale ishin edhe Nicki Minaj, Redfoo dhe Skyblu, në stadiumin “Lucas Oil” të Indinapolisit.

Në vitin 2014, Madonna u shfaq në tapetin e kuq me djalin David Banda Mwale Ciccone Ritchie në përvjetorin e 56 të Çmimeve “Grammy”, në Los Angeles të Kalifornisë. Në vitin 2016, Madonna dhe ish-bashkëshorti Ritchie e çuan në gjykatë mosmarrëveshjen për kujdesin e 16-vjeçarit Rocco.

Në vitin 2017, “Forbes” përllogariti pasurinë e Madonnës në 580 milionë dollarë, duke e bërë atë femrën më të pasur artiste në tokën Amerikane. Celine Dion ishte ndjekësja më e afërt me 380 mln dollarë./ KultPlus.com

“Festa e Miqësisë” tani edhe në Kosovë

Në vitin e katërt të saj, “Festa e Miqësisë” pozicionohet në të gjitha qytetet e Shqipërisë duke ofruar muzikë Live dhe argëtim për të gjithë miqtë e vërtetë, ndërsa këtë vit ka lëvizur edhe nëpër shtatë qytete të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo festë është vendi ideal për të kaluar netë të paharrueshme nën tingujt muzikorë të artistëve me të mirënjohur shqiptarë si, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Elton Deda, Eugent Bushpepa, Bujar Qamili, Anxhela Peristeri, Eneda Tarifa, Endri&Stefi, Devis Xherahu etj.

Këtë vit, për herë të parë “Festën e Miqësisë” organizohet edhe në shtatë qytetet kryesore të Kosovës, ndërsa këtë rrugëtim e filloi nga Gjakova më datë 5 Korrik dhe për të vazhduar çdo javë në sheshet kryesore të qyteteve si, Peja, Mitrovicë, Ferizaj, dhe Gjilan. Në këtë festë kanë performuar këngëtarët më të mirënjohur të Kosovës si, Mentor Haziri, Flaka Krelani, Offchestra, Valon Shehu, BB Poqi, Grupi NA, dhe shumë të tjerë.

Këtë javë karavani i ”Festës së Miqësisë” ndalon në qytetin e bukur dhe historik të Prizrenit në datat 16 – 19 Gusht për ta transformuar parkun e bukur të Marashit në një ambient festiv me performancat më të mira LIVE me artistë si Valon Shehu, Nita Latifi, Besnik Nurkollari, Mentor Haziri dhe për të kulmuar të dielën me legjendat e muzikës shqiptare; Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe Elton Deda të njohur po ashtu edhe si 3 musketjerët e muzikës cilësore.

Qyteti e Prizrenit do të ndizet me muzikën më të mirë për miqtë e vërtetë./ KultPlus.com

Teatri i Korçës në faqen më të madhe të arkitekturës botërore

Teatri i Korçës është paraqitur në faqen më të madhe të arkitekturës botërore, Archdaily.com.

Në përshkrimin e faqes, thuhet se teatri në Korçë u ndërtua fillimisht si një dhuratë e Moskës përpara prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë komuniste dhe Rusisë post-staliniste.

Klasicizmi sovjetik, më pas, u shndërrua në një lloj dekori ballkanik.

Sheshi i madh trekëndor i Teatrit, i madh mjaftueshëm për parada kombëtare, sipas faqes në fjalë, më pas u riformatua në vitin 2009 kur Bolles+Wilson fitoi konkursin ndërkombëtar për qendrën historike të Korçës. Aksi kryesor i masterplanit që aktualisht është pothuajse i zbatuar plotësisht, është bulevardi i Shën Gjergjit, qendra e re e qyetit, një shëtitore pedonale që kulmon në sheshin e Teatrit.

Ndërhyrja e radhës ndodhi tek vetë teatri, të cilit iu dha një fytyrë e re/ ata

Edhe Vushtrria i kërkon eshtrat e Hasan Prishtinës

Institucione qendrore e lokale ia kanë mësyrë iniciativës për sjelljen e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kosovë.

Por nisma e ditëve të fundit, i ndan në dysh edhe iniciatorët. Përderisa Kuvendi i Kosovës synon që mbetjet mortore të patriotit të rivarrosen në Prishtinë, Komuna e Vushtrrisë kërkon që ato t’i kthehen qytetit të lindjes.

Komuna e Vushtrrisë i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit. E kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë t’ua ketë dërguar një shkresë autoriteteve shqiptare për mbetjet mortore të ish-kryeministrit pesëditor të Shqipërisë, i varrosur në Kukës.

“Tue kënë se gjyshi i em, Haxhi Ali Berisha, para 150 vjetve ka ardhë në Vulçitirn nga katundi Polancë, prandej mbi-emni em duhet me kenë ‘Polanca’. Por mbasi qi u zgjodha deputet i Prishtinës e mbrapa, nëpër shkrime, fletore e tjera më quejshin Hasan Prishtina, për kët’ shkak po më vazhdon gjithnji ky mbi-emen”, kishte shkruar ai në përmbledhjen “Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 2012”.

Prishtina i lindur më 1873 ishte vrarë me 13 gusht 1933 në Selanik, ndërsa ishte varrosur në Kukës. Ka qenë nëpunës, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, aktivist shqiptar për autonominë e më pas pavarësinë shqiptare, ministër e kryeministër dhe deputet i shtetit shqiptar, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Vallja tradicionale shqiptare në shtëpinë 300 vjeçare të Skëndulatëve në Gjirokastër (VIDEO)

Shtëpia e Skëndulatëve, banesa 300-vjeçare ndër më të spikaturat në lagjen Palorto në Gjirokastër, ka mirëpritur vallëzimin tradicional nga jugu i Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Ky vallëzim tradicional në këtë hapësirë flet për ruajtjen e traditës ndërsa valltarët ndjekin ritmin e kësaj valleje të vjetër, instrumentistët qëndrojnë në shkallët e saj duke krijuar një atmosferë të veçantë për të pranishmit.

Kjo valle që vjen nga jugu i Shqipërisë, njihet si Vallja Çame e Osman Takës dhe është një valle tradicionale popullore e shqiptarëve të Çamërisë, që është bërë gjerësisht e njohur në Shqipëri. Vallja është e lidhur me Osman Takën, një udhëheqës çam, i cili luftoi kundër forcave Osmane. Kjo valle është një valle e vjetër çame, por me këtë emër është e njohur pas shekullit XIX./ KultPlus.com

Bebe Rexha këndon së bashku me fëmijët në spital (FOTO)

Këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha po shijon suksesin e albumit të saj të parë “Excpectations”, ndërsa së fundmi është shpërblyer edhe me një çmim në “Teen Choice Award” në kategorinë “Kënga më e mirë country” për hitin e saj “Meant To Be”, shkruan KultPlus.

Këngëtarja shqiptare dje ka shkuar për vizitën ë spitalin e fëmijëve në Los Angelos.

“U ndala në spitalin e fëmijëve në Los Angelos ku kënduam së bashku me pacientët. Ata ishin të fortë dhe të mrekullueshëm”, shkruhet në postimin e Bebe Rexhës.

Bebe Rexha së fundmi ka publikuar edhe videoklipin e këngës “I’m A Mess”, me të cilin për një kohë shumë të shkurtër ka arritur të mbledhë klikime. / KultPlus.com

Valltari që i shpëtoi varjes me litar, pasi kërkoi një vallëzim para vdekjes (VIDEO)

Hijeshia me të cilën e ka luajtur këtë valle përpara se të varej në litar ka bërë që t’i falej jeta e vallja të marrë emrin e tij.
Foto nga filmi “Gjeneral Gramafoni”

Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat jo vetëm të Çamërisë por të gjithë botës shqiptare dhe e mbarë Ballkanit, përcjellë KultPlus. Osman Taka ishte një nga luftëtarët kryesorë të degës çame të Lidhjes së Prizrenit me qendër në Prevezë që u kap rob në luftë me osmanlinjtë. Hijeshia me të cilën e ka luajtur këtë valle përpara se të varej në litar ka bërë që t’i falej jeta e vallja të marrë emrin e tij.

Vallja e Osman Takës është përfshirë edhe në filmin “Gjeneral Gramafoni”, se për cilën valle bëhet fjalë, shikojeni videon.

Edhe nëntë projekte filmike mbështeten nga QKK

Sarandë Selimi

Para disa javëve Qendra Kinematografike e Kosovës, publikoi listën e projekteve të subvencionuar për vitin 2018-të, shkruan KultPlus.

Kësisoj pas këtij vendimi erdhi edhe vizita e ministrit të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, ku konfirmoi rritjen e buxhetit për këtë institucion kinematografik. Pas konfirmimit të rritjes së buxhetit, QKK, mblodhi edhe njëherë juritë vlerësuese e krejt kjo për të subvencionuar edhe plotë nëntë projekte të tjera.

Këto projekte, janë përzgjedhur në bazë të radhitjes së poenëve të fituara më parë.

KultPlus, sjellë listën e projekteve që kanë fituar në QKK, nga rritja e buxhetit:

Në kategorinë e projekteve për filmit të metrazhit të gjatë:

Titulli i Projektit: “Debora”; Shtëpia Filmike: Raven City Production; Producenti: Luigj Bejta; Skenaristi: Arlinda Morina; Regjisori: Arlinda Morina.

Titulli i Projektit: “Lëkura e krokodilit”; Shtëpia Filmike: N.SH. Filmatory 2656; Producenti: Teuta Krasniqi; Skenaristi: Ilirjan Himaj; Regjisori: Ilirjan Himaj.

Titulli i Projektit: “Heshtja e sirenave”; Shtëpia Filmike: N.SH. Frame; Producenti: Arben Shala; Skenaristi: Gazmend Nela; Regjisori: Gazmend Nela.

Në kategorinë e projekteve për filmit të metrazhit të gjatë-dokumentar:

Titulli i Projektit: “Lufta për shkollën“; Shtëpia Filmike: N.I. Idea; Producenti: Nuhi Bytyçi; Skenaristi: Nuhi Bytyçi; Regjisori: Ilir Kabashi.

Titulli i Projektit: “Fisi i humbur“; Shtëpia Filmike: Sorra SH.P.K.; Producenti: Fitim Shala; Skenaristi: Garentina Kraja; Regjisori: Arzana Kraja.

Titulli i Projektit: “Rrugëtimi im nga Shkupi përmbi Zagreb, deri…“; Shtëpia Filmike: Ndërmarrja për marketing; Producenti: Kujtim Shabani; Skenaristi: Mirjana Novak Perjanec; Regjisori: Mirjana Novak Perjanec.

Titulli i Projektit: “Kosova dhe Hebrenjtë“; Shtëpia Filmike: AS-Film; Producenti: Lorena Sopi; Skenaristi: Jakov Sedlar, Rabbi Robert Selzer; Regjisori: Jakov Sedlar.

Në kategorinë e projekteve për Zhvillim Skenari:

Titulli i Projektit: Tifozi i Jugosllavisë, Shtëpia Filmike: N.SH. Industriel, Producent: Arian Krasniqi, skenarist: Arian Krasniqi.

Titulli i projektit: “Ikja”, Shtëpia Filmike: Fokus film, Producenti: Artur Tahiraj, Skenaristi: Artur Tahiraj./ KultPlus.com