Në këtë orë nisë performancën Dua Lipa në Prishtinë, Martin Garrix do të qëndrojë rreth 90 minuta në skenë

Sunny Hill, festivali ndërkombëtar i muzikës që mbahet në Parkun e Gërmisë më 10, 11 dhe 12 gusht, do të mbledh shumë yje botërore e vendore.

Dukagjin Lipa, organizatori i këtij festivali për emisionin “Prite të Gjelbrën” ka dhënë më shumë detaje rreth këtij festivali.

Sipas tij, që nga dita e sotme fillon ardhja e mysafirëve ndër të cilët Action Bronson, reperi i njohur i cili arrin sot në Prishtinë, për t’iu bashkuar emrave të mëdhenj të muzikës, ku do të mbajë konferencë për media.

Lipa ka thënë se më 10 gusht, nga ora 12:30 fillojnë aktivitetet e shumta, të cilat ndahen në disa arena, fillimisht në pishinë, food court dhe sunny chill. Sipas tij fillojnë me performanca akustike dhe bende vendore, pjesa e heronjve lokalë përfundon me Jerichon dhe Oda, për të vazhduar pastaj me Grace Carter dhe Stanaj, dhe në fund me Dua Lipën që fillon nga ora 00:30.

Aktivitetet e natës së dytë, fillojnë me hiphop artistat në mainstage: si Ledri Vula, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lyrical Son, Lumi B, Buta, pastaj Gashi dhe Col3trane. Nata e tretë do të ketë muzikë elektronike, ku do të performojnë Dj vendor dhe ndërkombëtar si: Bondax, SG Leëis.

Aktivitetet e natës së tretë përfundojnë me Martin Garrix, Dj e njohur ndërkombëtar i cili do të performojë 90 minuta vetëm në Prishtinë, gjë që sipas Lipës nuk ka ndodhur më herët në festivale tjera.

Dukagjin Lipa ka thënë se nuk ka financa prej shtetit dhe se përmes këtij festivali po promovohet shteti dhe rinia e Kosovës.

“Po mendoj qe jemi duke ia arritur qëllimit, për me mujt me e paraqit Kosovën dhe të gjithë ne që jetojmë këtu. Si popull që nuk jemi të interesuar për konflikte, si popull paqedashës, si popull që jemi të interesuar me ec përpara”, ka thënë Lipa.

Ai tregoi se kanë mbet edhe rreth 3 mijë deri 4 mijë bileta për shitje. Biletat për Sunny Hill Festival mund të blihen online, nga e gjithë bota në www.sunnyhillfestival.com, në Shqipëri në gjitha pikat e Easy Pay, në rrjetin e shitjes Ria / Vllesa Co në gjithë Kosovën, si dhe në pikat fizike të shitjes të festivalit sikurse ajo në sheshin Zahir Pajaziti, në Albi Mall dhe shumë vende tjera publike.

Çmimet e biletave për tre ditë të festivalit fillojnë prej 40 euro, ose me mesataren ditore prej 13.3 eurove. Festivali ka karakter humanitar, sepse 25 për qind e të hyrave neto që mbesin nga festivali do t’i dhurohen organizatave kosovare që kujdesen për zhvillimin e fëmijëve kosovarë, posaçërisht atyre me nevoja të veçanta./ KultPlus.com

EC Ma Ndryshe kërkon “Trashëgimi kulturore, jo vendparkingje” në Prizren

Është finalizuar iniciativa “Trashëgimi kulturore, jo vendparkingje!” e konceptuar nga pjesëmarrësit e Shkollës së Aktivizmit Urban në kuadër të projektit “Rikthimi i Qytetit” në Prizren.

Kjo iniciativë ka për qëllim të potencojë problemin e parkimit të automjeteve në afërsi të objekteve të trashëgimisë kulturore (ndër të tjera në afërsi të Xhamisë Sinan Pasha, në afërsi të Urës së Gani Tadës, në afërsi të Muzeut Arkeologjik etj).

Kjo praktikë përveç se kufizon qytetarët në lëvizje, dëmton rëndë imazhin e qytetit në përgjithësi dhe objekteve të trashëgimisë kulturore në veçanti. Parkimi në afërsi të perimetrit të objekteve të trashëgimisë kulturore pengon vizurat ndaj vlerave të trashëgimisë, qasjen në objektet kulturore si dhe ndikon në dëmtimin e peizazhit kulturor. Rrjedhimisht, kjo problematikë ndikon jo vetëm te qytetarët e Prizrenit por edhe te turistët dhe vizitorët e shumtë të qytetit.

Lidhur me këtë problematikë, EC sot ka intervenuar në rrugën “Vatra Shqiptare”, e cila lidh Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe Kompleksin e Marashit, duke vendosur pengesa në formë të ulëseve, të cilat do të zëvendësojnë automjetet e parkuara në këtë zonë edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar.

“‘Ulëset pengesë’ shprehin revoltën për pengesën në lëvizje dhe në vizuara ndaj dy komplekseve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Prizren si rezultat i mosveprimit të institucioneve ndaj qytetarëve të cilët parkohen në vend të ndaluar”, thotë kjo organizatë në njoftimin për media.

Ideja për protestën artistike ndaj vendparkingjeve në afërsi të objekteve të trashëgimisë kulturore është dhënë gjatë Modulit 1 të Shkollës së Aktivizmit Urban, të mbajtur në muajt prill – maj të këtij viti, gjatë së cilës të rinjtë pjesëmarrës të shkollës kanë patur rastin të aftësohen lidhur me principet e aktivizmit urban.

Lidhur me porosinë që kjo iniciativë tenton të përçojë te institucionet përgjegjëse, përfshirë këtu Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Inspektoriatit dhe Policinë e Kosovës –Rajoni Jug, të Premten, datë 03.08.2018, nxënësit pjesëmarrës të Shkollës së Aktivizmit Kulturor kanë dorëzuar peticionin e nënshkruar nga 243 qytetarë.

Kjo iniciativë do të përcillet me iniciativat e radhës të dizajnuara në kuadër të Shkollës së Aktivizmit Urban. Veprimet e propozuara trajtojnë çështje të caktuara të komunitetit në qytet, dhe u takojnë fushëveprimeve të ndryshme me fokus në hapësirat publike.

Shkolla e Aktivizmit Urban është pjesë e projektit ‘’Rikthimi i Qytetit’’ që në mënyrë specifike synon të avokojë për gëzimin e plotë të së drejtës mbi qytetin përmes një sërë platformash të aktivizmit. Nëpërmjet Shkollës së Aktivizmit Urban, projekti ofron një platformë edukimi dhe aktivizmi qytetar për të rinjtë, duke transformuar nxënësit e shkollave të mesme në qytetarë politikisht aktiv dhe social.

Projekti “Rikthimi i qytetit – E Drejta mbi Qytetin për grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit në Prizren” përkrahet financiarisht nga National Endowment for Democracy./ KultPlus.com

U hap ekspozita kolektive “Ekspo për mërgatë”

Në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë të hënën u hap ekspozita kolektive “Ekspo për mërgatë” me temën “Ndërmjet artit konceptual dhe atij tradicional”.

Organizator i ekspozitës ishte Ilir Muharremi i cili edhe e bëri hapjen e ekspozitës.

Dy dhoma të Galerisë së Fakultetit të Arteve ishin të mbushura me punime. Dhoma e parë dominohej nga pikturat abstrakte, ekspresive, reale, impresive, grafika dhe një skulpturë. Temat ishin nga imagjinata e artistëve, disa arkeologjike, disa të tjera edhe reale.

Ndërsa, në dhomën e dytë konkretisht të arti konceptual ishin vetëm tre artiste. “Ana e errët e hënës”, ishte një punim nga artisti Bekim Korça. Aty paraqitej hëna dhe një banane. Qëllimi i këtij punimit është të hulumtohej se çfarë fshihet në këtë anë të errët të hënës. Aty artisti Korça zbulon bananet. Lëvoret e bananes i kishte shtrirë në gjithë dyshemenë e galerisë, derisa në mes qëndronte një tepsi e mbushur me banane të qëruara. Ato banane i shërbenin publikut si koktej i ngjarjes.

Pastaj, një punim tjetër në këtë dhomë ishte nga artisti Rifat Kasapolli. Ai kishte instaluar në pëlhurë pjesë nga xhinsit, kishte bashkuar zanatin e vjetër të Pejës, tekstilin në art.

Ndonëse, edhe artisti Eroll Murati u prezantua me një instilacion me ndriçim i cili kishte kornizë të vjetër.

Artistët e tjerë pjesmarrës janë: Agron Mulliqi, Agnesa Muharremi, Avni Behluli, Agim Kryeziu, Arbnor Morina, Besim Geshi, Bekim Korca, Bujar Jakupi, Bedri Haziraj, Bislim Elshani, Driton Kastrati, Eroll Murati, Esat Valla, Florie Bajraktari, Isuf Gallapeni, Klodian Valla, Merita Myderizi Maloku, Majlinda Kelmendi, Rifat Kasapolli, Sali Shkupolli, Shyqri Gjurkaj, Shahadin Mejzini, Veton Gusia dhe Xhevdet Spahija.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur një muaj ndërsa u përkrahë nga Ministria e Diasporës./ KultPlus.com

Alketa Xhafa Mripa në revistën e famshme Guardian Weekend

Artistja e artit bashkëkohor, Alketa Xhafa Mripa ka zënë vend në revistën e famshme Guardian Weekend.

Portreti i saj shpërfaqet si grua që ka luajtur një rol të madh në ndihmën për të siguruar një pozitë më të mirë për mijëra gra të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke e përmendur kontributin e saj në fitoren historike për pensionet ndaj viktimave të dhunës seksuale.

Xhafa Mripa është e njohur për instilacionin e saj “Thinking of You”, “Mendoj për Ty”, ku në shenjë solidariteti u varën fustane dhe funde për t’u dhënë zë këtyre viktimave.

Fotografia është realizuaar nga Richard Saker. Alketa Xhafa-Mripa është një artiste bashkëkohore kosovare me banim në Londër, Britani e Madhe. Ajo ka përfunduar studimet në “Central Saint Martins” dhe Histori të Artit në “Tate Modern”, Londër. Artistja e artit konceptual e ka transformuar stadiumin e futbollit në një instalacion arti, me mijëra fustane, duke e përmendur kontributin e saj në fitoren historike për pensionet ndaj viktimave të dhunës seksuale.

Artistja, 35 vjeçare zgjedhi fustanet ose fundet për të simbolizuar brishtësinë dhe delirësinë. Duke i vendosur 5 mijë fustane në telin e rrobave, “Rrobat e papastra në publik”, është mënyra për të treguar çështjet private në publik, por në rast se rrobat janë të pastra, të lara, si femrat që shpëtuan të cilat janë të pastra, ato nuk mbajnë asnjë njollë”, ka thënë ajo për një intervistë në Londër.

“Dua që këto mijëra fustane të iu godasin me realitetin që ndodhi dhe dua që njerëzit të flasin për të. Instalacioni mund të shtrëngohet nga secili, pavarësisht gjuhës së tyre”, ka thënë ajo. Alketa Xhafa – Mripa ka përfunduar studimet në “Central Saint Martins” dhe Histori të Artit në “Tate Modern”, Londër.

Gjatë kohës së luftës ajo u kthye në refugjate dhe prej atëherë ka shfaqur punën e saj në ekspozita në mbarë Evropën, duke përfshirë Berlinin, Londrën, Italinë, Portugalinë dhe Kosovën e saj të lindjes, ku ajo fitoi njohje më të gjerë për instalimin e saj artistik ‘Thinking of You’. / KultPlus.com

Post Magazine: Gjirokastra, një perlë e vërtetë

Muaji gusht është kulmi i sezonit turistik për pushime në Europën Perëndimore. Kompanitë, dyqanet dhe restorantet mbyllen, duke lejuar qytetarët e vendeve të tilla si Franca, Italia dhe Spanja, të dynden në plazhe, të lundrojnë nëpër dete, të bëjnë ngjitje në male dhe të mbushin parqet kombëtare.

Revista britanike “Post Magazine” sugjeron Shqipërinë mes vendeve si Ukrania, Moldavia, Bosnje Hercegovina si një ndër gjashtë destinacionet e Europës Lindore për të kaluar pushimet verore larg plazheve të mbipopulluara.

Në artikullin kushtuar gjashtë destinacioneve turistike në Europën Lindore ”Post Magazine” shkruan për Shqipërinë se ,”vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit që qeveriste Shqipërinë për më shumë se 40 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 1985, nuk mund të dukej si një vend për t’u ekspoluruar, por Gjirokastra është një perlë e vërtetë”.

Nëpër labirintin e rrugëve dredha-dredha ,”Gjiro” njihet si qyteti i një mijë hapave i cili kalon në pazarin e epokës osmane dhe shtëpitë dykatëshe të cilat njihen nga Unesco, transmeton atsh.

Në kështjellën e shekullit të 12-të, mund të shihni shpendët e luginës së Drinos, ose mund të pini një kafe dhe aventurierët mund të shijojnë një zhytje.

Nëse doni një ndryshim të ritmit, ose kërkoni diçka ndryshe për të kaluar gushtin e nxehtë ,ishulli grek i Korfuzit është vetëm dy orë larg me taksi ose mund të shkoni me traget.

Si të shkoni: Lufthansa ose Turkish Airlines ofrojnë fluturime lidhëse në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, nga Hong Kongu. Merrni një autobus ose merrni me qira një makinë për të arritur në Gjirokastër./KultPlus.com

Filmi i Winnie-the-Pooh ndalohet në Kinë

Një filmi i ri i frymëzuar nga librat e Winnie-the-Pooh është ndaluar që të jepet në kinematë në Kinë, pasi arushi shihet si simbol i mospajtimit politik.

Që nga viti i kaluar, referencat ndaj karakterit janë ndaluar në faqen e internetit të medias kineze Weibo, pas një numër të madh postimesh që krahasojnë ‘arushin me pak tru’ me presidentin e vendit Xi Jinping.

Asnjë arsye nuk është dhënë për bllokimin e filmit më të ri të Disney, Christopher Robin por besohet se ka të bëjë me referencat ndaj karakterit aq shumë të dashur për fëmijët.

Në një foto në vitin 2015, ku Xi shihej në një autokolone pranë një imazhi të Winnie-the-Pooh në një makinë lodër quhej “fotografia më e censuruar e Kinës”.

Figura të tjera politike janë bërë pjesë e shakasë. Kur Xi u takua me Barak Obamën, ish presidenti amerikan u krahasuan me tigrin në rrjetet sociale ndërsa presidenti kinez me Winnie-the-Pooh./KultPlus.com

Versioni shqiptar i ‘Kiki Challenge’ (VIDEO)

Kënga “Keke” e Drake është kthyer në një sencazion në rrjetet sociale.

‘Kiki Chalange’ është ‘moda’ e fundit që ka ‘infektuar’ të gjithë.

Madje në disa raste kjo ka qenë edhe fatale. Mirëpo, videoja më qesharake vjen nga shqiptarët.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet se si një vajzë teksa është duke vozitur traktori dhe bënë ‘Kiki Chalange’.
Për më shumë, shikojeni videon e mëposhtme./KultPlus.com

Çfarë thoshte Rugova më 1992 për “Der Spiegel” rreth ndarjes së Kosovës

Duket se politika e ndarjes së Kosovës ka qenë e vjetër në rrethin elitar serb dhe kjo ka qarkulluar prej fillim viteve të 90-të. Për këtë është pyetur edhe Ibrahim Rugova në intervistën e dhënë për “Der Spiegel” gjatë 8 qershorit 1992.

“Serbët shikojnë me këtë ‘ndarje’, që secila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave”, thoshte Rugova, transmeton AlbInfo.ch.

Der Spiegel: A do të kthehet Kosova në betejë të ardhshme të Ballkanit?

Ibrahim Rugova: Ushtria Jugosllave është e dërmuar pas disfatës së rëndë në Slloveni, duke dashur që këtë ta mbulojë me ndonjë luftë tjetër. Udhëheqësi serb, Slobodan Milosheviq është i pasigurt, shtuar kjo edhe pas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara. Nëse ai do të vendoste intervenim ushtarak kundër Kosovës, atëherë nuk do të ishte çudi nëse edhe OKB-ja do të ndërhynte ushtarakisht. Personalisht do kërkoja ndihmë ushtarake nga jashtë, nëse Serbia e kërcënon Kosovën.

Der Spiegel: Presidenti kroat, Tuxhman, ka kërkuar disa herë që shqiptarët të hapin frontin e jugut kundër Serbisë. A jeni tërhequr ju nga ky front?

Rugova: Indirekt Po. Neve shpesh na është kërkuar të mbështesim politikën pasive të rezistencës gandiane. Fatkeqësisht koalicioni mes sllovenëve, kroatëve dhe shqiptarëve është shembur. Gati një vit unë s’kam kontakte me Zagrebin.

Spiegel: Serbia pretendon se shqiptarët e Kosovës janë deri në dhëmbë të armatosur?

Rugova: Vlen e kundërta, ne s’kemi armë zjarri.

Spiegel: A ka shanse që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës?

Rugova: Njohja e Kosovës është më e mirë se e kundërta e saj – domethënë se një krizë permanente në kufijtë e Serbisë. Ne jemi të gatshëm të shpallim një shtet neutral dhe të evitojmë bashkimin me Shqipërinë. Megjithatë, bashkimi me Shqipërinë është qëllimi ynë natyral.

Der Spiegel: Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se kufijtë e ish-Jugosllavisë janë të paprekshëm?

Rugova: Udhëheqësia shqiptare është nën presion, pasi edhe situata ekonomike në Tiranë është e rënduar. Por, kjo nuk vlen nëse do të kishte luftë. Ata do të na ndihmonin në një gjendje të tillë.

Der Spiegel: Për çfarë ndihme bëhet fjalë?

Rugova: Në gjendje lufte me ne do solidarizoheshin edhe shqiptarët e Maqedonisë. Atje janë rreth 40% dhe jo 20% siç pretendohet nga regjimi i Shkupit. Natyrisht unë shikoj rrezikun e ndërkombëtarizimit të konfliktit, pasi edhe Bullgaria mund të kyçej në luftë nëse “destabilizohej” Maqedonia, duke u shfaqur si shpëtuese.

Der Spiegel: Rrethi intelektual i serbëve është pajtuar ta ndajë Kosovën mes shqiptarëve dhe serbëve?

Rugova: Atëherë prapë do të jetonin një milion shqiptarë jashtë mëmëdheut. Gjithashtu serbët shikojnë me këtë “ndarje”, që secila tokë me pasuri natyrore ti takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave. Do pranonim një protektorat të përkohshëm të OKB-së, sepse do të ishte qesharake të mendohej se 8% e minoritetit serb të sundonte dhe të mundte me dhunë 2 milionë shqiptarë.

Der Spiegel: Kosova në vitin 1974 de fakto kishte statusin e republikës, pse erdhi deri në protestat e dhunshme të 1981.

Rugova: Prej çlirimit nga turqit ne dëshironim shtetin tonë të pavarur. Në Jugosllavinë e 1918 ne nuk përfaqësoheshim si pjesë e Serbisë, por të pavarur, pra si Kosovë. Për kombin tonë është tragjedi të jemi nën shtypjen serbe.

Der Spiegel: Si e sqaroni ju këtë shtypje?

Rugova: Ne asnjëherë s’kemi pasur të drejtat të njëjta me kombet tjera. Prej 1990 janë arrestuar dhe burgosur 100.000 shqiptarë, nga punëtori i thjeshtë deri te profesorë të njohur. Papunësia te shqiptarët sot arrin 90%. Situata ekonomike është katastrofale. Mbijetesa jonë është falë remitencave të diasporës.

Der Spiegel: Kryeministri serb ju ka ftuar për takim në Beograd. Do shkoni ta takoni?

Rugova: Nuk kam marrë dakordësi nga “gjithë partitë e Kosovës” për të zhvilluar bisedime. Edhepse serbët janë zhytur deri në fyt, ata duan ti tregojnë botës se janë të gatshëm për bisedime. Ne e dimë prej tani se policia në Kosovë kërkon të pezullojë parlamentin e Prishtinës qoftë edhe me dhunë. Për Kosovën duhet të ketë takime, por më së miri me ndërmjetësimin e shteteve të Evropës.

Der Spiegel: Sa kohë ka mbetur deri te zgjidhja paqësore?

Rugova: Numri i radikalëve rritet nga ditë në ditë. Fatmirësisht e mbaj situatën akoma në kontroll- por me shumë vështirësi. Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë patriotë, duke u shqetësuar për të ardhmen. Por unë nuk mund të premtoj, që ata një ditë të kthehen në nacionalistë. Jugosllavia është shpërbërë. Të gjitha kanë krijuar shtetet e tyre, por çdo ndodhë me 2 milionë shqiptarët?

Jahjaga krenare me festivalin DokuFest

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se ndihet krenare me festivalin DokuFest, i cili sivjet ka përfshirë 210 gra regjisore dhe producente.

“Tema e tyre “Reflektimi” jetëson pasqyrimin që vendi ynë duhet ta japë për gratë”, shkruan në një status në Facebook, Jahjaga.

Sot, Jahjaga ka marrë dhuratë nga drejtorja e DokuFest-it, Nita Deda, një bluzë me sloganin e sivjetshëm të këtij festivali, “Girls now”.

Jahjaga ka përgëzuar drejtoren Nita Deda, stafin dhe vullnetarët për punën e bërë në DokuFest./KultPlus.com

Beyonce zbulon prejardhjen (FOTO)

Në një intervistë për revistën “Vogue”, ku ka folur ndër të tjera për racën, imazhin e linjat e trupit, fëmijët e saj dhe krijimtarinë, Beyonce ka bërë publik edhe një lajm të paditur më parë. Faktin që ajo rrjedh nga një ish-pronar skllevërish.

“Kam kërkuar për prejardhjen time dhe kam mësuar se vij nga një pronar skllevërish, i cili ra në dashuri dhe u martua me një skllave”, tha ylli amerikan i muzikës. “Zbulimin duhej ta thelloja edhe më tej me kalimin e kohës. Kam kërkuar se çfarë do të thotë kjo dhe jam përpjekur ta vendos këtë në perspektivë. Tashmë besoj se, është pikërisht kjo arsyeja përse Zoti më bekoi me binjakët e mi. Energjia mashkullore dhe femërore kanë mundur të bashkekzistojnë dhe të rriten në gjakun tim për herë të parë. Lutem që jam në gjendje të thyej mallkimet e brezave të tërë në familjen time dhe që fëmijët e mi të kenë një jetë më pak të komplikuar”, vijoi më tej ajo.
https://www.instagram.com/p/BmI27Y9lc78/?taken-by=beyonce
Beyonce tha se familja e saj ka një “lidhje të marrëdhënieve të prishura mashkull-femër, abuzimi me pushtetin dhe mosbesimi. Vetëm kur pashë këto, u binda se isha në gjendje të zgjidh këto konflikte në marrëdhënien time personale”, duke iu referuar kështu mosmarrëveshjeve martesore mes saj dhe bashkëshortit Jay Z, teksa është thënë se ai është i pabesë, transmeton tch.

Ajo e përshkroi atë “si një ushtar dhe një sistem mbështetjeje kaq i fuqishëm” për vet këngëtaren, në momentin kur solli në jetë binjakët Rumi dhe Sir.

Beyonce zbuloi gjithashtu se binjakët ishin sjellë në jetë përmes operacionit cezarian të detyrueshëm dhe se, ndryshe nga koha kur solli në jetë fëmijën e saj të parë, Blue Ivy, ajo i rezistoi presionit për të ndjekur “gjërat që shoqëria thoshte mbi pamjen e trupit të saj”, e për të përqafuar më pas “faktin e të qenit e kolme”.
https://www.instagram.com/p/BmI2-WKlyIl/?taken-by=beyonce
Imazhet shoqëruese të intervistës janë bërë nga një fotograf 23-vjeçar, Tyler Mitchell, i cili bëhet i pari afrikano-amerikan që publikon një foto të tij në kopertinën e “Vogue”.

“Ekzistojnë shumë barriera social-kulturore mbi atë se çfarë më pëlqen të bëj, për të prezantuar një pikëpamje të ndryshme për njerëzit që mund të ndihen sikur zërat e tyre nuk kanë vlerë”, tha këngëtarja amerikane./KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BmI3AWyFVp7/?taken-by=beyonce

Action Bronson realizon në Kosovë episode të emisionit të tij të gatimit

Reperi shqiptaro-amerikan Action Bronson nesër arrin në Prishtinë për t’iu bashkuar emrave më të mëdhenj të muzikës botërore të momentit, Dua Lipa dhe Martin Garrix në Sunny Hill Festival, që do të mbahet me 10/11 dhe 12 gusht.

Emisioni Express Summer në KTV, mëson se përveç performancës në parkun e Gërmisë, reperi me origjinë shqiptare, Arian Asllani gjithashtu do të realizojë disa episode të emisionit “The Untitled Action Bronson Show”, një emision i cili njihet për talentin e tij në gatim.

Mësohet se një nga qytetet ku do të realizohet emisioni do të jetë qyteti i Prizrenit. Kjo është edhe arsyeja e ardhjes së Bronsonit, disa ditë para festivalit Synny Hill./KultPlus.com

Sahat Kulla e Rahovecit, pika turistike në gjendje të rëndë

Në gjendje të mjerueshme ka mbetur Sahat Kulla e Rahovecit, objekt i cili është nën mbrojtje të përkohshme të trashëgimisë kulturore.

Ky monument është në këtë gjendje tash e 8 vjet, pasi nuk është marrë asnjë masë për ta ruajtur objektin, i cili daton që nga shekulli 18 e që tregon lashtësinë e qytetit, raporton KTV.

Përgjegjësit e këtij objekti thonë se Sahat Kulla është e hapur çdo ditë për vizitorët, sidomos në kohën e verës kur ka vizitorë më shumë.

Por, gjendja qëndron krejt ndryshe.

Përveç se qasja në të është e mundur vetëm përmes tejkalimit të rrethojave, asetet që e bënin funksional këtë monument janë të shkatërruara e madje shumica edhe janë vjedhur.

Komuna e Rahovecit për gjendjen e tillë i fajëson qytetarët për moskujdesin e duhur ndaj këtij objekti dhe premton se do të këtë investime të reja në meremetimin e Sahat Kullës.

Zyrtarët për trashëgimi kulturore në kuadër të muzeut të qytetit e akuzojnë komunën e Rahovecit, që sipas tyre, nuk ka bërë asnjë investim për objektet historike.

KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Kulturës për këtë çështje por ata nuk janë përgjigjur.

Sahat Kulla e Rahovecit është prej objekteve më të vjetra në këtë komunë, që daton nga viti 1791 dhe për herë të fundit aty është investuar në vitin 2009 nga CHwB-ja./KultPlus.com

Mbretëresha Geraldinë: Do të të dua përgjithmonë, por ti je mysliman dhe unë katolike (FOTO)

Nga Ilir Ikonomi

Geraldina 22-vjeçare arriti në Shqipëri në fund të vitit 1937 dhe pas një njohjeje të shkurtër me Mbretin Zog, ditën e vitit të ri ai e pyeti:

– A thua se mund të më duash përgjithmonë, pavarësisht çfarë ndodh në jetën tonë?

– Po unë të dua tashmë, – u përgjigj ajo.

Pastaj ata folën për dallimet e tyre fetare.

– Unë do të të dua përgjithmonë, – tha Geraldina, – por ti je mysliman dhe unë katolike. Si do ta rregullojmë këtë punë? Asgjë në botë nuk mund të më detyrojë mua ta ndryshoj fenë. Ashtu siç shohim hënën dhe diellin, ashtu edhe unë kam fenë time dhe nuk mund ta ndryshoj.

Mbreti qeshi:

– Edhe unë e kam menduar këtë dhe nuk bëhet fjalë që ti të ndryshosh fenë. Ne jemi myslimanë europianë dhe unë kam shumë respekt për kishën tuaj. Falë Kishës Katolike dhe manastireve në Shqipëri ne ia arritëm ta mbajmë gjallë gjuhën tonë. Nën Perandorinë Osmane ishte e ndaluar të flisje shqip, vetëm turqishtja lejohej. Por nëpër manastire ishte ndryshe, prandaj ne u kemi atyre një borxh të madh që e mbajtën gjallë gjuhën tonë. A dëshiron ta mësosh shqipen?

– Më jep një mësues qysh nesër, – tha Geraldina.

(Nga libri i Gwen Robyns “Geraldine of the Albanians”)

Në Drenas tri rrugë do të mbajnë emrat e Demaçit, Vokrrit dhe Lumit

Drenasi emëron tri rrugë më emrat e personaliteteve të shquara nga Kosova që vdiqën këtë vit.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marrë vendim që tre rrugë në këtë qytet të emërohen me emrat e personaliteteve nga Kosova që vdiqën ditëve të fundit, Adem Demaçi, Fadil Vokrri dhe Bekim Lumi.

Rruga “Adem Demaçi”, do të jetë rruga që përjetëson dhe lartëson Bacën Adem në qytetin tonë, duke e bërë pjesë të jetës tonë, kujtesës dhe nderimit të përjetshëm për të. Me veprimtarinë e tij patriotike, si asnjë tjetër në historinë tonë, mbi 6 dekada, Baca Adem, ishte ndërgjegjja dhe boshti kurrizor i rezistencës, qëndresës dhe krenarisë tonë, përball okupatorit shekullor. Rruga e tij, u njëjtësua me rrugën e popullit tonë për çlirim, liri dhe barazi. “Rruga Fadil Vokrri”, do të jetë rruga tjetër në komunën tonë që do të nderoj jo vetëm futbollistin me nam, por edhe krenarinë tonë në ndërkombëtarizimin e sportit më të popullarizuar në botë. Ai do të udhëheq me sukses pranimin e përfaqësueses së Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke e bërë Kosovën për herë të parë, të barabartë me shtet tjera në botë në gara të futbollit, popullarizimin e sportit dhe armatës së sportdashësve. “Rruga Bekim Lumi”, do të jetë rruga tjetër e propozuar, që do të përjetësojë jetën dhe veprën e Bekim Lumit në skenën teatrore, të regjisë së dramave, të papara ndër ne, duke përcjell mesazhin me cilësi të jashtëzakonshme. Ai, me jetën e tij, veprën dhe personalitetin e tij, bëri që të jetë i paharrueshëm emri i tij, jo vetëm në teatër por edhe si profesor, pedagog dhe personalitet i çmuar i artit që tejkalon kufijtë e kombit tonë”, ka shkruan Lladrovci në Facebook.

Ai ka shtuar se pret që Komisioni të vlerësoj këto propozime, duke emërtuar tri rrugë. Simboli i rezistencën kombëtare Adem Demaçi vdiq me 26 korrik të këtij viti në moshën 82 vjeç. Në anën tjetër ish futbollisti dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri vdiq më 8 qershor të këtij viti në moshën 57 vjeç. Kurse regjisori Bekim Lumi vdiq me 30 korrik po të këtij viti në moshën 51 vjeç pas një beteje dy vjeçare me një sëmundje të rëndë./KultPlus.com

Këtë fotografi e ka realizuar një fotograf shqiptar (FOTO)

Disa persona arrijnë që me aparatin e tyre të fokusojnë pamje të mahnitshme nga bukuritë natyrore, shkruan KultPlus.

Shqipëria është një vend që ofron pamje të mrekullueshme natyrore, dhe të gjithë ata artistë, fotografë të cilët e duan peizazhin dhe dëshirojnë të fokusojnë bukuri natyrore, e kanë një mundësi të jashtëzakonshme që këtë gjë ta bëjnë në Shqipëri.

Përderisa fotografët shqiptarë, nuk e lejojnë që kjo mundësi të ju ik. Ata shfrytëzojnë këto bukuri për të nxjerrë fotografi mahnitëse.
Një të tillë e ka realizuar edhe fotografi i njohur shqiptar Ardian Fezollari.

Fezollari ka treguar për KultPlus se kjo fotografi është realizuar më herët me metodën e më hershme, me film.

Kjo fotografi nuk do koment, shikojeni dhe shijojeni. /KultPlus.com

Mos kalofshi një ditë të mirë! Kaloni një ditë që ka kuptim

Mirëmëngjes… Ju lutem mos kaloni një ditë të mirë. Kaloni një ditë që ka kuptim, kaloni një ditë të vërtetë.

Kaloni një ditë të sinqertë, të drejtëpërdrejtë. Një ditë të mirë?!…Do të jeni të mjeruar. Sidoqoftë ky është mendimi im që duhet ta kuptoni teksa jeni duke bërë punët e shtëpisë, detyrat e shtëpisë, punën e ngarjes së makinës, punën e lojës, punën e punës…Kaloni një ditë që ka kuptim për diçka…

(Fragment nga filmi “The last word”)

Rikthehet Tuna me ‘Chonga’ (VIDEO)

I ka munguar skenës që sa kohë, por ajo tashmë është rikthyer me një projekt mjaft interesant, shkruan KultPlus.

Është kjo këngëtarja e njohur shqiptare, Altuna Sejdiu – Tuna, e cila sapo publikoi këngën e titulluar “Chonga”.

Për këtë këngë ajo ka bashkëpunuar me Cricketin për muzikën, ndërsa për tekstin me Sevenin dhe Elinelin. Melodinë e kanë bërë Kidda dhe Seveni./KultPlus.com

Çka e bëri njeriun njeri

Nga Arsim Canolli

Shpeshherë kur ulemi pranë zjarrit dhe bisedojmë, na kujtohet fëmijëria, përrallat, apo edhe ndjejmë njëfarë nostalgjie për natyrën dhe ekzotiken. Zjarri bën njerëzit bashkë dhe rreth tij njeriu ka krijuar shumë gjëra.

Paleoantropologët thonë zjarri na ka mbajtur të sigurt nga grabitqarët, zjarri na ka bërë që të kujdesemi për njëri tjetrin, madje disa potencojnë se rreth zjarrit ka nisur edhe zhvillimi i komunikimit njerëzor apo aty e ka origjinën gjuha. Pra, dija antropologjike thotë se zjarri dhe kontrolli i zjarrit, kanë qenë esenciale në evolucionin e njeriut. Por, pyetja shtrohet: çfarë tjetër ka krijuar njeriu nga zjarri? Në librin e tij të mirënjohur, të shkruar në një prozë të rrjedhshme, “Zjarri: si gatimi na bëri njerëz”[Catching Fire: How cooking made us human, 2009], paleoantropologu britanik Richard Wrangham na jep një pikëpamje të bazuar në mbi 25 vite hulumtime, duke konstatuar se zjarri ka mundësuar gatimin dhe gatimi na ka bërë njerëz. Në fakt, ajo që Wrangham propozon është se pjekja e mishit e ka bërë njeriun njeri. Si e argumenton ai këtë tezë?

Pyetja se çfarë e ka bërë njeriun njeri ka qenë pyetje e përhershme e kureshtjes njerëzore. Antropologët e biologët e ndryshëm kanë dhënë hipoteza të ndryshme të cilat kanë pasuruar konversacionin njerëzore për origjinën e tij. Disa kanë theksuar ngritjen e paraardhësve tanë në dy këmbë apo bipedalizmin, disa theksojnë rënien e qimeve, disa theksojnë lindjen e vështirë, disa trurin e madh, disa gjuhën e kështu me radhë. Por, deri më tani pak teori kanë arritur që të japin një pamje që, në fakt, i lidh të gjitha teoritë me një emërues të përbashkët sqarues për atë se çfarë e bën njeriun njeri, në kuptimin parësor efektiv të zhvillimit të tij të hershëm. Si nisi transformimi i tij në njeri?

Për Richard Wrangham-in, gatimi është esencial për zhvillimin e njeriut. Në fakt, qysh në fillim ai thekson se momenti transformativ qe kontrolli i zjarrit dhe pjekja e mishit. Si ka ndikuar pjekja e mishit në zhvillimin e njeriut? Wrangham na jep të dhëna empirike e laboratorike, duke marrë edhe nga shkencat tjera ndihmëse, që tregojnë se ngrënia e mishit të pjekur ka zvogëluar barkun dhe ka rritur trurin e njeriut. Po ashtu, energjia nga mishi i pjekur i ka dhënë njeriut fuqinë e duhur për të vrapuar dhe mbijetuar mes grabitqarëve. Të dhënat fosilike tregojnë se paraardhësit tanë kanë qenë sikurse ne dhe kanë ecur në dy këmbë, por truri i tyre ka qenë krejt pak më i madh se sa i shimpanzeve, barkun e kanë pasur më të madh, trupin më të vogël dhe pamje fytyre sikurse të shimpanzes. Në fakt, sipas Wrangham-it, këta paraardhës tanë kanë qenë pothuajse të njëjtë me shimpanzet. Por, në zinxhirin e shpërndërrimeve evolutive të këtyre paraardhësve, diku rreth 1.9-1.8 milion vite më parë, doli në skenë “homo erectus”, një prej paraardhësve tanë që i dha botës një hulli të re prej se cilës dolën edhe paraardhësit tanë direkt “homosapiens”.

Antropologët kanë hamendësuar se arsyeja që ka zhvilluar homo erectus-in ka qenë mishi dhe gjatë viteve ‘50 ideja e njeriut gjahtar [Man the Hunter] ishte ideja kryesore që mbizotëronte debatin antropologjik mbi evolucionin e gjinisë homo prej pellgut të australopitesinëve (e habilinëve) nëpër transformimin homo erectus e deri te homosapiens. Por, Wrangham thekson se hipoteza e “njeriut gjahtar”, lë shumë pyetje pa përgjigje, sidomos për ngritjen e homo erectus-it, apo ngritjen e “njeriut të ngritur”, si edhe përkthehet ky emër. Ndonëse Wrangham peshon tezat e ndryshme të deritanishme, ai thekson se të gjitha lënë anash evidencat empirike mjaft të theksuara në këtë drejtim: homo erectus-i ka nofull më të vogël, dhëmbë më të vogël, që s’janë të adaptueshëm për ngrënie të mishit të papjekur. Ai po ashtu korrekton edhe tezën e Darvinit se ne përdorim zjarrin, por zjarri nuk ka rëndësi të madhe biologjike, gjë që edhe antropologu i kulturës Lévi-Straus-i kishte potencuar, duke u bazuar në vrojtime të kulturave të ndryshme fisnore, pa ndonjë bazë nga evidencat që japin studimet biologjike, gjenetike dhe të fushave tjera. Madje, sipas Wrangham-it, Lévi-Strauss kishte prodhuar analiza revolucionare të kulturave njerëzore mbi tezën se gatimi ka peshë esenciale kulturore, por asnjë peshë biologjike. Pra, në fjalët e Lévi-Strauss-it, “njerëzit nuk kanë nevojë të gatuajnë, por e bëjnë atë për arsye simbolike për të treguar se janë njerëz e jo kafshë”. Kjo është thjesht tezë e gabueshme, thotë Wrangham. Mishi i pjekur në zjarr e bëri njeriun njeri: mishi i pjekur i dha njeriut mundësi të mëdha, absolutisht transformuese biologjike, për të menduar, për të qenë aktiv, për të riprodhuar më mirë, e me radhë. Pra, mishi i pjekur ndërroi njeriun dhe rrethanat e tij: fiziologjinë, anatominë, psikologjinë, shoqërinë dhe ekologjinë. Wrangham thotë se humaniteti ynë, njerëzorja jonë është krijuar nga gatimi, nga fakti se paraardhësit tanë kanë ngrënë mish të pjekur.

Ja një paragraf mjaft përmbledhës në fund të librit, ku Wrangham thotë:

“Posa arritën të mbajnë të ndezur zjarrin, një grup habilinësh i një vendi të caktuar, hodhën aksidentalisht copa mishi në zjarr dhe pasi ato copa qenë ngrohur apo pjekur për një kohë në zjarr, ata i hëngrën ato dhe panë se kishin shije më të mirë se sa copat e papjekura. Duke përsëritur shprehinë e tyre, ky grup evoluoi shpejt në homo erectus. Gatimet e tyre të reja dhe mjaft të shijshme u bënë shkas për evoluimin e tyre: barku më i vogël, truri më i madh, trupa më të mëdhenj, qime më të pakta në trupin e tyre, vrapime më të gjata, gjah më të madh, jetë më të gjatë, temperament më të qetë dhe specifika të reja në lidhjen mes meshkujve dhe femrave. Butësia e ushqimeve të tyre të gatuara përzgjodhi dhëmbë më të vegjël, siguria që zjarri u krijoi atyre gjatë natës u dha mundësi të flenë në tokë dhe të humbin aftësinë e ngjitjes në lisa dhe femrat filluan të gatuajnë për meshkujt, koha e të cilëve qe shumë me e lirë duke kërkuar mish dhe mjaltë. Përderisa habilinët tjerë në vendet tjera të Afrikës vazhduan me qindra mijëra vite duke ngrënë mish të papjekur, një grup fatlum u bë homo erectus – dhe filloi njerëzimi.”

Në këtë libër, Wranghham diskuton evidenca empirike, teza ekzistuese, analiza të reja dhe jep argumente të bollshme për të inkurajuar mendimin antropologjik drejt një hullie të re të hulumtimit: paleoantropologjisë së bukës. Paleontropologjia e bukës, në jehonën e argumentit të Wrangham-it, mund të na japë interpretime bindëse se kush kemi qenë e si kemi ardhur deri këtu, krahas interpretimeve se kush jemi ne sot. Në anën tjetër gjithë antropologjia e bukës, përfshirë paleoantropologjinë, mund të na jap edhe interpretime për të ardhmen tonë: kah po shkojmë si mishngrënës në këtë botë që po shtohet me shpejtësi? Njerëzimi është mjaft vigjilent ndaj rritjes së popullsisë dhe shpeshherë thuhet se kur bota të arrijë 9 miliardë njerëz, nuk do të ketë ushqime të mjaftueshëm, shkaku i zvogëlimit të resurseve dhe nevojës së energjisë për ushqim. Por, studiuesit e botanikës na tregojnë se bota mund të përballojë lehtësisht 45 miliardë njerëz nëse avancohet teknologjia e ushqimit dhe njerëzit fillojnë të bëhen vegjetarianë.

Ndoshta, ngritja e njeriut të tanishëm nga gjendja “homo sapiens sapiens” në një gjendje tjetër, nuk varet nga mishi i pjekur, si paska qenë rasti me paraardhësit tanë, por nga perimet e pjekura apo të avulluara. Ndoshta gjithë Toka do të mbetet një kopsht i egër për pasardhësit tanë, të cilët duhet së pari të mbijetojnë stuhinë transformuese të antropocenës./KultPlus.com

(Shkruan Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)

‘Unë ty moj të kam dashtë’, nga zëri magjik i sopranos Marie Kraja (VIDEO)

Sopranoja e njohur Marie Kraja, mbetet ndër më të preferuarat për të gjithë ata që e dëgjuan për vite me radhë zërin e saj magjik, zë ky i cili edhe sot mbetet ndër më të komentuarit e dëgjohet me shumë nostalgji, shkruan KultPlus.

Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithçka që ndodhi në muzikën shqiptare.

Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,

Ajo interpretoi në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.

Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.

Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë./KultPlus.com

Krijues nga diaspora bashkohen në “Promenadë mërgimtare”

Edhe sivjet, në kuadër të takimeve tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u mbajt ora letrare “Promenadë mërgimtare” me krijues e shkrimtarë nga diaspora.

Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë nga Mërgatës.

Aktiviteti letrar nisi me një minutë heshtje për nder të figurave të njohura të artit, politikës e kulturës që më nuk janë në mesin tonë – Adem Demaçi, Bekim Lumi, Ragip Syla dhe Sulejman Lokaj. Këtë aktivitet letrar, i shndërruar tashmë në festival poezie, e hapi kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, Hasan Qyqalla.

“Jemi mbledhur rreth bërthamës së artit, meqë kujtoj se është forma më e përkryer e reflektimit të identitetit dhe kulturës sonë kombëtar dhe intensifikimit në mjediset ku jetojmë”, tha Qyqalla.

Në emër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, zv.ministri Faruk Nura tha se diaspora nuk kishte vetëm krijues, por kishte njerëz të të gjitha profileve që iu deshën atdheut tonë kur ishte në ditët më vështira.

“Do t’i keni dyert e hapura dhe do të trajtoheni si njerëz tanë, sepse jeni në vendin tuaj”, u shpreh Nura.

Në emër të kryeministrit Haradinaj, një fjalë rasti e mbajti edhe këshilltari i tij politik, Halil Matoshi.

Në këtë aktivitet u promovuan shumë tituj librash, ndër ta: katër libra të Rexhep Jasharit; vepra poetike e Mentor Thaçit “Trungu”, “Çështja shqiptare në shtypin kroat”, i autorit Murat Ajvazi etj.

Festivali poetiko-letrar do të vazhdojë edhe pasdite, me orën letrare, e cila do të ketë karakter garues./KultPlus.com

Ky është fjalimi më rrëqethës i presidentit Ibrahim Rugova (VIDEO)

Në vitin 2001, më 28 nëntor, është vendosur monumenti i Skënderbeut në qendër të Prishtinës. Fjalën e rastit e kishte mbajtur Presidenti Ibrahim Rugova, atëherë ende në cilësinë e kreut të LDK-së.

Në fjalimin e tij Rugova kishte thënë se shumë gjenerata e kishin ëndërruar një ditë të tillë.

“Shumë gjenerata të mëparshme, si dhe gjenerata jonë e kemi ëndërruar këtë ditë. Gjeneratat e reja fëmijët tani, do të rriten me Skënderbeun, do të rriten me heroin e vet. Do të ndihen më të qetë edhe dëshmorët e shumë brezave dhe ata të luftës së fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot Kosova është e lirë, e bën të lirë nipat e tij dhe miqtë e Skënderbeut”, është shprehur Rugova me këtë rast.

Ky është fjalimi më rrëqethës i presidentit Ibrahim Rugova i mbajtur më 28 nëntor ditën kur u vendos monumenti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Prishtinë.

Më poshtë po ju sjellim fjalimin e plotë të presidentit Rugova. /KultPlus.com

Arti konceptual dhe ai tradicional vijnë përmes një ekspozite kolektive

Galeria e Fakultetit të Arteve organizon ekspozitë kolektive ndërmjet artit konceptual dhe atij tradicional, përcjellë KultPlus.

“EKSPO për mërgatë” është titulluar kjo ekspozitë e cila ka grumbulluar rreth vetës një numër të madh artistësh të artit pamor të cilët do të paraqesin punën e tyre sonte.

Artistët pjesëmarrës janë: Agron Mulliqi, Agnesa Muharremi, Avni Behluli, Agim Kryeziu, Besim Gashi, Bekim Korca, Bujar Jakupi, Bedri Haziraj, Bislim Elshani, Driton Kastrati, Eroll Murati, Esat Valla, Florie Bajraktari, Isuf Gallapeni, Klodian Valla, Merita Myderizi Maloku, Majlinda Kelmendi, Rifat Kasapolli, Sali Shkupolli, Shyqri Gjurkaj, Shahadin mejzini, Veton Gusia, XhevdetSpahija.

Ekspozita hapet sonte në ora 19:00. /KultPlus.com

Rritet buxheti i filmit në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, nesër në ora 11:00 do të vizitojë Qendrën Kinematografike të Kosovës, përcjellë KultPlus.

Ministri Gashi do të takojë drejtuesit e QKK-së dhe do të diskutojë për avancimin e politikave të filmit në vendin tonë dhe do t’u konfirmohet rritja e buxhetit dhe e përkrahjes së formave tjera për institucionin kryesor të filmit në Republikën e Kosovës./KultPlus.com