Nëna e Paul Walker rrëfen momentet e fundit me të birin

Nëna e Paul Walker, Cheryl ka zbuluar detaje të reja për ditën kur djali i saj vdiq tragjikisht në një aksident automobilistik në vitin 2013.

Në dokumentarin e ri për jetën e tij I Am Paul Walker, ajo zbuloi se ylli i Fast and Furious e kishte harruar eventin e tij të bamirësisë ‘Reach Out Worldwide’, që do të ishte dhe takimi i tij i fundit ku do të merrte pjesë.

Ai nuk do të kishte shkuar atje nëse nuk do të merrte një mesazh që do t’ia kujtonte eventin.Cheryl tha se mëngjesin e vdekjes së Paul, ku po bënte një pushim nga filmimet e Furious 7, ai ishte ulur në kuzhinë me vajzën e tij Meadow, duke bërë plane për të zgjedhur dhe dekoruar një pemë e Krishtlindjeve atë mbrëmje.“Ne po bisedonim dhe ai e kishte harruar eventin. Ai mori një mesazh dhe tha se duhet të shkonte diku.

Paul nxitoi për të marrë pjesë në eventin e bamirësisë për të mbledhur të ardhura për viktimat e Typhoon Haiyan në Filipine,”-tha ajo.

Walker u largua nga eventi me një Porsche Carrera GT që drejtohet nga miku e këshilltari i tij financiar Roger Rodas./KultPlus.com

BE: Po presim caktimin e lokacionit nga Komuna për Sallën Koncertale

Në lidhje me prononcimin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës se Zyra e Bashkimit Evropian mund të financojë ndërtimin e Sallës Koncertale, kjo e fundit ka dalë me një qëndrim, shkruan KultPlus.

Përmes postimit në Facebook, Zyra e Bashkimit Evropian ka treguar se financimi i projektit është një lloj konfirmim nga Komisioni Evropian. Mirëpo, fillimisht sipas tyre duhet që të caktohet një lokacion.

“Në lidhje me atë se BE mund të financojë ndërtimin e sallës koncertale, fillimisht duhet që të caktohet një lokacion i duhur nga ana e Komunës. Ne jemi momentalisht duke pritur që Kryetari i Komunës të sigurojë një lokacion të tillë, pa pengesa ligjore apo teknike. Pasi që kjo të bëhet, hapat e tjerë dhe thirrja për të dizajnuar sallën koncertale mund të vazhdojnë”, është shkruar në reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian.

Tutje në postim thuhet se Bashkimi Evropian punon vazhdimisht për të përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë ku shumë e rëndësishme është edhe kultura.

Projekti për Sallën Koncertale do të mbështetet me vlerën prej 15.4 milionë euro, nga fondet e Bashkimit Evropian, ndërsa projekti fitues pritet të përzgjidhet deri në fund të vitit. /KutlPlus.com

Po të kishte jetuar moshën e tij në botë, sot do ishte në listën e njerëzve më të shquar të botës

Nga Erion Kristo

Këtë mëngjes e kalova duke dëgjuar zërin mbretëror të Gaqo Çakos. Isha në mëdyshje, a të shkruaja diçka për të? Unë nuk e kam njohur. Po a ka nevojë artisti për ta njohur? Dhe ky artist është tejet i rrallë, më i rrallë se uraniumi. Çfarë ngjyre zëri, gurgullime burimi. E dëgjoja dhe nuk ngopesha.

Sytë i kisha me lot. Jo nga dhembja e humbjes, se një njeri i tillë nuk humbet, por nga emocionet që të shkakton arti kur të prek telat e zemrës. Dëgjoja “Nessun dorma” dhe mendoja se ai nuk bie asnjë miligram poshtë talenteve më të mëdha të botës.

Dëgjoja “As aman o trëndafili çelës”, dhe shumë këngë të tjera fantastike që ne kemi. Dhe mbetesha pa gojë nga fuqia e një njeriu për të gdhendur ajrin përmes zërit, për t’i dhënë formë diçkaje eterike si muzika. Dëgjoja poezinë e mrekullueshme të Xhevahir Spahiut dhe muzikën sublime të Limos Dizdarit se si përjetësohen nga disiplina artistike e Gaqos te Gjethja e dafinës. Dhe mbi të gjitha spikat himni i tij mbi atdheun, “Rrugët e atdheut më thërrasin”.

Kësaj familjeje artistike i detyrohemi shumë, qoftë Luizës, qoftë Pirros. Mbi të gjitha për fisnikërinë e tyre. Shikojeni sa fisnik ka qenë ky njeri, si kollos duket, me mollëzat e kuqe, i drejtë si plep, që ka zënë kaq pak vend në vendin tonë. Megjithëse Artist i Popullit dhe Nder i Kombit, ai kurrë nuk ka bërë reklamë për vete.

Shikojeni pak minuta emisionin e shkëlqyer që “Wake Up” ka bërë për të para 3 vjetësh: thjeshtësia vetë, emocioni vetë, dashuria vetë flasin përmes tij. Sa pak vend ka zënë ky njeri. Po të kishte jetuar moshën e tij në botë, sot do ishte në listën e njerëzve më të shquar të botës. Gjithsesi, është në listën e të paharruarve tanë dhe bronzi është pak për të.

Në vend të ngushëllimeve, në sot mund të postojmë këngët e tij, sidomos ato populloret. Të vjen keq kur shikon aq pak shikime për një zë që s’ka për të ardhur me tek ne. Postoni sot këtë gjigand të pakrahasueshëm e të vërtetë./KultPlus.com

Kraja: Si Edi Rama, si Thaçi, vazhdojnë të jenë nxënës të dobët të Rexhep Qosjes

Mehmet Kraja

Ideja serbe për ndarjen e Kosovës, e përtypur dhe e ripërtypur, e pohuar dhe e mohuar, e hedhur në opinion në mënyrën më makiaveliste, është krejt e mundur që në rrafshin e politikës reale të nxjerrë asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Është paradoksale, politikisht diletante që, ndërsa Britania e Madhe e mbyll diskutimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke konsideruar shtetësinë e saj si çështje të përfunduar, në botën shqiptare kemi presidentë dhe kryeministra, dhe një kor tjetër që iu shkon prapa, të cilët nëpër kancelaritë diplomatike rihapin çështjen e Kosovës në mënyrën më të papranueshme.

1.
Kohëve të fundit ndarja e Kosovës mori kuptimin e gjedhes politike, si zgjidhje-model e një konflikti të ngrirë, por me një potencial të fshehtë për të frikësuar kosovarët dhe për t’ua kthyer atyre idenë e humbjes pa alternativë. Ndarja u promovua edhe si ide, gjithashtu e fshehtë, e nënshtrimit të popullit kundrejt zotave të politikës, të cilët, duke qenë se janë të pajisur me fuqinë e ndarjes, pra edhe të zhbërjes, del se kanë në dorë potencialin e madh të shkatërrimit. Ndaj tyre populli duhet të rrijë kokulur. Idetë e këtilla në politikë përdoren për të sunduar, nuk përdoren për të zgjidhur ndonjë problem.
Ideja e ndarjes së Kosovës është ide serbe, nuk është shqiptare, as ndërkombëtare. Ajo u shfaq në vitet ’80 të shekullit XX në Serbi, si ide “post-memorandum”, për të gjetur alternativat e zbatimit praktik të manifestit antishqiptar të Akademisë Serbe. Në opinion u bë publik për herë të parë nga Vasa Çubriloviqi, i cili, pasi u dekorua nga Sinan Hasani, kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë, në një intervistë në medie doli me idenë e ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, si zgjidhje e vetme e problemit serb dhe shqiptar në Ballkan. Po pse i duhej Serbisë ndarja e Kosovës? Sepse, pas demonstratave të vitit 1981, demografët serbë të shkollës së Cvijiqit bënë një llogaritje: me Kosovën brenda Serbisë, siç propagandohej atëbotë, në gjysmën e dytë të shekullit XXI Serbia do të kishte mbi 50% të popullsisë me origjinë shqiptare. Kjo ishte perspektivë e zymtë e Serbisë. Prandaj Çubriloviqi, përmes ndarjes së Kosovës, kërkoi “vijë të qartë ndarëse” me shqiptarët.
Më vonë, gjatë viteve ’90, idenë e ndarjes së Kosovës e përfaqësoi dhe e zhvilloi Dobrica Qosiqi. Në opinionin serb kjo ide u promovua edhe si zgjidhje pragmatike e problemit të Kosovës dhe e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Të gjithë politikanët e rëndësishëm të Serbisë të fundit të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI, qofshin të majtë ose të djathtë, qofshin radikalë ose të moderuar, që nga Milosheviqi e Stamboliqi, përfshirë Koshtunicën, Sheshelin e Xhinxhiqin, e deri te Daçiqi, Nikoliqi e Vuçiqi, në punë të politikave nacionale të Serbisë, të çështjes së Kosovës dhe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe janë nxënës të dobët të Çubriloviqit dhe të Qosiqit.
Më anë tjetër, pavarësisht se ngjan si spekulim, mënyra si u zbatua spastrimi etnik në Kosovë, si u bënë shkatërrimet dhe dëmtimet pasurore, si u vendos dhe si u sollën trupat franceze të KFOR-it në zonën e Mitrovicës, përfshirë edhe sjelljet e UÇK-së dhe të faktorit politik shqiptar në muajt dhe vitet e para të pasluftës, duket se ideja e ndarjes së Kosovës nga një opsion i Serbisë, kishte kaluar edhe në mendjet politike ndërkombëtare dhe shqiptare.
Tanimë është e ditur se idenë serbe të ndarjes së Kosovës, sipas modelit të Qosiqit, në opinionin shqiptar e promovoi Rexhep Qosja. Ai e artikuloi qartë këtë ide, me atributin “këmbim territoresh”, duke e shndërruar në agjendë politike edhe fantazmën e frikshme të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX: të ashtuquajturën “zhvendosje humane të popullsisë”. Pavarësisht se Qosja nuk foli për ndarje të thjeshtë të Kosovës, por për këmbim territoresh, ky ishte shërbimi më i keq që një intelektual dhe shkrimtar mund t’i bëjë politikës. Me emrin e tij mund të lidhet edhe implikimi i Shqipërisë në këtë çështje, sepse, duke qenë i afërt me proveniencën e majtë dhe duke shërbyer si këshilltar i pashpallur i socialistëve, ideja e Qosjes “u kap në ajër” dhe u kthye në agjendë politike të Edi Ramës. Nuk është fshehtësi se Rama, në skenë dhe në prapaskenë është duke i ndihmuar Vuçiqit për ta promovuar në qarqet ndërkombëtare idenë e ndarjes së Kosovës. Marrë realisht, Edi Rama nuk ka ndonjë llogari të hapur me Kosovën dhe as që mund ta përdor atë për efekt elektoral, vetëm se, duke vazhduar një traditë të angazhimit subversiv të një pjese të faktorit politik të Shqipërisë në dëm të Kosovës, bën akrobacione të këtilla për t’u faktorizuar nëpër kancelaritë e shteteve evropiane, ndërsa shtetin e vet e ka copë-copë nga kontrabanda e drogës, kriminaliteti dhe korrupsioni. Ndërkohë, Hashim Thaçi, ekscentrik dhe plebè në politikë, nuk ka asnjë ide të qartë, por, i tronditur nga reputacioni i rënë brenda dhe jashtë vendit, paraqitet i gatshëm të shkaktojë tronditje përmasash të mëdha, me qëllim të rikthimit dhe të rikuperimit në skenën politike. Që të dy, si Edi Rama si Hashim Thaçi, në punë kombëtare dhe të çështjes së Kosovës vazhdojnë të jenë nxënës të dobët të Rexhep Qosjes.
Ndërkohë, ideja e ndarjes së Kosovës, e përtypur dhe e ripërtypur, e pohuar dhe e mohuar, e hedhur në opinion në mënyrën më makiaveliste, është krejt e mundur që në rrafshin e politikës reale të nxjerrë asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive dhe të lidhur me shtrirje territoriale. Sepse Rama, Thaçi dhe Vuçiq janë politikanë tipikë “postmodernistë”, diktatorë të vegjël të tipit të Erdoganit, të cilët kanë një kredo të përbashkët politike: manipulimin e pashembullt të opinionit.
Është paradoksale, e shëmtuar, zjarrvënëse dhe shkatërrimtare, politikisht diletante që, ndërsa Britania e Madhe e mbyll diskutimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke konsideruar shtetësinë e saj si çështje të përfunduar, në botën shqiptare kemi presidentë dhe kryeministra, dhe një kor tjetër që iu shkon prapa, të cilët nëpër kancelaritë diplomatike rihapin çështjen e Kosovës në mënyrën më të papranueshme. Nuk shtrohet më problemi se çfarë synimesh kanë këta eksponentë të politikës shqiptare, por thjeshtë duhet pyetur se ç’vende të çmendura janë këto, me parlamente, me qeveri dhe akademi (!), që iu japin mandat njerëzve të këtillë, për të folur për çështje madhore në një mënyrë kaq të papërgjegjshme.

2.
Po pse implikohet Shqipëria në këtë zhvillim politik, i cili ekskluzivisht do të duhej t’i takonte vetëm Kosovës? Dhe përse, pikërisht në këtë rrethanë, në Shqipëri shfaqen zëra që duan t’ia mbajnë krahun Serbisë, së paku duke ua bërë të ditur për të satën herë si serbëve ashtu edhe shqiptarëve (edhe kosovarëve, natyrisht) se Shqipëria është faktori relevant që i përcakton marrëdhëniet shqiptare-serbe dhe se Kosova është vetëm një episod i errët dhe i parëndësishëm i këtyre marrëdhënieve…?
Politikanë dhe analistë të Shqipërisë dinë t’i bëjnë vërejtje të shumta Edi Ramës në punët e udhëheqjes së shtetit dhe për punë të tjera politike, por nuk kam lexuar gjëkundi t’i ketë thënë dikush që të mos i bëjë çorap punët e Kosovës, siç i ka bërë ato të Shqipërisë. Më anë tjetër, nuk mund të gjendet ndonjë rast, që dikush nga Kosova ta ketë thënë publikisht qoftë edhe një fjalë të vetme për punët e detit, pra të ndarjes së ujërave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pse, kosovarët nuk qenkan rritur akoma për punë kaq të holla politike, apo nuk paskan aq ndjeshmëri, sa ta thonë fjalën e tyre për ndonjë çështje të rëndësishme të Shqipërisë? Kanë ndjeshmëri, gjithsesi, madje për habi të Shqipërisë, mund të kenë edhe dije, por te kosovarët është ngulitur bindja se Shqipëria i bën vetë punët e saj. Nëse Shqipëria ka vendosur t’i falë një copë det Greqisë dhe Mero Baze, ta zëmë, nuk e zë në gojë gjenocidin dhe masakrat greke në fshatrat e Tepelenës, ç’punë kam unë të shkoj në Athinë dhe t’u thonë grekëve se ne kosovarët ua kemi falur apo nuk ua kemi falur për punët e shëmtuara që keni bërë? Ndërkohë, analistë nga Tirana (ndonjëri prej tyre me mendje të kthjellët, ndërsa ndonjë tjetër i tillë që Shqipërinë e percepton deri në Kamëz dhe asnjë pëllëmbë më këndej), tani që Serbia i ka punët pisk me Kosovën për shkak të integrimeve dhe për shkak të marrëdhënieve të këqija me shumicën e fqinjëve, ngarendin në Beograd dhe, pasi hedhin në etër broçkulla politike dhe “gjenetike”, të lumtur që kanë arritur ta provokojnë opinionin e Kosovës, kthehen në Tiranë si triumfues të një kauze të dhjerë.
Në të vërtetë, të njëjtën gjë, përpara shqiptarëve të Shqipërisë deri në Beograd ia kanë therrë dhe vazhdojnë t’ia therrin vrapit vetë kosovarët, sekush për nostalgji, sekush për lojalitet ndaj Serbisë, sekush tjetër për ta verifikuar patriotizmin e zvjerdhur e sekush për të përfituar nga fondacionet europiane, por që të gjithë me agjendë të qartë politike: t’i ndihmojnë Serbisë më shumë se vetes së tyre. Opinionit në Kosovë nuk i bëhet vonë pse disa “bastardë kosovarë” ngarendin orë e çast në Beograd, herë legalisht herë ilegalisht, teksa ndihen shumë të lënduar, kur të njëjtën gjë e bëjnë shqiptarët e Shqipërisë. Duket se kosovarët nuk zmbrapsen nga marrëzia e kryehershme, se “kalamajve” të Kosovës nuk ua vë veshin njeri, kurse me Shqipërinë puna qëndron më ndryshe. Edhe pse zhgënjimet kanë qenë të vazhdueshme, shpesh tragjike dhe me pasoja largvajtëse, Kosova nuk heq dorë nga ky inferioritet i shëmtuar dhe nga ky shfajësim historik. Është një paradoks i çuditshëm që kosovarët kanë kërkuar ndonjëherë nga Shqipëria të bëjë për Kosovën atë që ata vetë nuk e kanë bërë për veten e tyre. Ndërkaq, shqiptarët e Shqipërisë, disa syresh, janë kujdesur në vazhdimësi të bëjnë deklarata lënduese për kosovarët, duke kompensuar kështu mungesën e potencialit real as për gjë më të mirë, as për gjë më të keqe për Kosovën.

3.
Në parantezë: Te kosovarët tashmë ekziston një përvojë dhe një kujtesë historike negative, se në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë shpesh herë ka hyrë në mes Serbia dhe se ajo, në raste të këtilla, gjithnjë ka dalë e fituar. Ja një sërë ngjarjesh, që ende rrinë “shtrembër” në raportet e Kosovës me Shqipërinë: Më 1921, në parlamentin e parë shqiptar bëhet një diskutim jashtëzakonisht përmbajtësor për Kosovën, por një vit më vonë Shqipëria dhe Jugosllavia e njohin njëra-tjetrën. Më 1923 ushtria shqiptare hyn në Zonën Neutrale të Junikut dhe e bën të paqenë atë, duke i dhënë goditje të pariparueshme lëvizjes kaçake në Kosovë. Më 1924 Noli vjen në pushtet i ndihmuar edhe nga Partia Përparimtare e Hoxhë Kadrisë, por pas tri ditësh urdhëron shpërbërjen e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Me ndihmën e Kryezinjve kosovarë Ahmet Zogu vë lidhje me Pashiqin dhe kthehet në pushtet në dhjetor të vitit 1924, por më pas vret një pas një dy liderët më të mëdhenj të Kosovës, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën. Komunistët kosovarë, që nga Ali Kelmendi e deri tek i fundit, ndihmuan komunistët e Shqipërisë të bënin partinë dhe t’i vendosnin lidhjet me Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe me Kominternin, por si shpërblesë morën Rezolutën e Bujanit, në të cilën garanci e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ishte edhe Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë. Vetëm se kjo ushtri nuk shkrepi asnjë plumb për ta realizuar këtë garanci. Pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia i shkatërroi grupet nacionaliste dhe antikomuniste kosovare me ndihmën e Shqipërisë, ndër të tjera, edhe duke marrë informacione përmes spiunëve grekë, me të cilët mbante lidhje Koçi Xoxe. Më vonë, gjatë sundimit komunist, disa nga grupet ilegale në Kosovë u dekonspiruan nga zyrtarët e Shqipërisë dhe më pas u dënuan me shumë vite burg, ndërsa pas vitit 1990 kosovarët u përdorën në Shqiëpri herë për të mbrojtur komunizmin e pashpresë, për ta marrë pushtetin me dhunë nga socialistët më 1997, ose për të rikthyer Berishën në pushtet më 1998 etj.
Pikërisht në këtë periudhë, gjatë viteve ’90, episodin më të shëmtuar do të përbëjë sjellja e pahijshme dhe lënduese e Shqipërisë institucionale dhe joinstitucionale në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Kur shpërthyen luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë, qindra shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë u gjenden në portin e Durrësit, nëpër rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, pa strehë dhe pa asnjë përkujdesje. Më pas, kur shpërtheu ofensiva kroate kundër Krajinës së rebeluar dhe ndodhi ikja e rrëmujshme serbe nga ajo hapësirë, disa emra të shquar të jetës publike të Tiranës ofruan shtëpitë e tyre për refugjatët serbë, ndonëse e dinin fare mirë se po këta refugjatë tashmë përdoreshin nga shteti i Serbisë për të rikolonizuar Kosovën. Po në këtë periudhë, kur dhuna serbe në Kosovë kishte marrë përmasat e gjenocidit dhe kishte filluar izolimi ndërkombëtar i Serbisë, pothuajse e tërë kryesia e Aleancës Demokratike, e përbërë nga intelektualë të shquar, ngarendën në Beograd gjoja për vizitë kurtuazie, ndërsa u takuan fshehtas me Milosheviqin. Më 1995-96, kur skemat piramidale kërcënonin me përmbysje të mëdha, ish-presidenti Berisha nxiti Demaçin kundër Rugovës dhe desh ta përdorte çështjen e Kosovës për të shpëtuar pushtetin e vet. Dhe, ndoshta, pika më zhgënjyese e këtyre raporteve nuk ishte takimi kokë më kokë i Nanos me Milosheviqin në Kretë më 1997, në vigjilje të luftës në Kosovë, por deklarata e kryeministrit të Shqipërisë në një forum të madh ndërkombëtar, në Lisbonë më 1998, se “Kosova duhet të ketë për kryeqytet Beogradin”, në kohën kur në Kosovë kishte filluar tashmë lufta e vërtetë. Mbyllje e parantezës.

4.
Si zakonisht, dua të bëj një përfundim kulturor: Në Shqipëri, gjatë 20 viteve të fundit janë botuar shumë autorë nga letërsitë e sllavëve të jugut, nga letërsia serbe, malazeze, boshnjake etj. Disa nga këto botime i kam në bibliotekën time, që kryesisht m’i kanë falur botuesit, si Andriqin, Paviqin, Tomasheviqin, Selimoviqin, Nikolajdisin, Hoxhiqin etj. shumica të përkthyer keq, madje edhe me tituj të gabuar, në disa raste duke u shërbyer me përkthimet e Kosovës. Askush nuk i lexon këta libra në Shqipëri, sepse përkthimi dhe gjuha e tyre është një tmerr (respekt për ndonjë përjashtim). Po, përse pra, askush në Shqipëri nuk e thotë se këta libra nuk i boton njeri për efekt leximi, as për efekt letrar e kulturor, por vetëm për efekte politike? Dhe përse për letërsinë e Kosovës, për gjuhën e saj, është bërë aq shumë zhurmë dhe botimi i saj në Shqipëri konsiderohet gati “mision i pamundur”? Atëherë, si ndodhë që këta autorë serbë, malazezë etj. i gjen me shumicë nëpër libraritë dhe panairet e Tiranës, ndërsa tek asnjë botues i Shqipërisë nuk e gjen dot Azem Shkrelin, Anton Pashkun, Esad Mekulin? Nuk bëhet fjalë për vlera letrare, assesi, as për kërkesa të lexuesit, por thjeshtë për ta refuzuar Kosovën me krejt gjedhen e saj kulturore.
Pse, pra, e gjithë kjo, pikërisht pse?

(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Gazetën Express). /KultPlus.com

Fjalët fundit të Lasgushit për dashurinë e jetës së tij

“Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë”, kështu e përshkruajnë të bijat, Konstadina dhe Marija reagimin e Lasgush Pogradecit, kur vdiq e ëma e tyre Nafija, shkruan KultPlus.

Dashuria në mes të Nafije Mema Pogradecit dhe Lasgush Pogradecit, ka qenë një dashuri e veçantë. Këtë e dallojmë edhe përmes letrave që Lasgushi i ka shkruar për Nafijen.

Mirëpo vajzat e tyre Konstadina dhe Marija kanë më shumë se letrat e shkruar, ato kanë kujtimet për prindërit e tyre dhe për dashurinë që kishin ndaj njëri tjetrin,

Kështu ato kanë mbledhur shënime që ata kanë lënë por edhe kujtimet e tyre për t’i sjelle në “ L. Poradeci Vepra III, “Shqipja, ditar, korrespondence”.

Më poshtë mund të lexoni të plotë përshkrimin e momentit kur Nafije Mema Pogradeci ndërron jetë:

Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgushi i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë.

Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit.

Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll.

Kur arkivoli ish vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të.

Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar?

E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”.

Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”.

E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë.

L. Poradeci Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”, përgatitur nga vajzat Kostandina dhe Marie Gusho./KultPlus.com

Suhareka anulon koncertin ‘Diafest’ pas aksidentit me dy të vdekur

Komuna e Suharekës ka anuluar koncertin “Diafest”, i cili do të mbahej sonte në qytetin e Suharekës për nder të mërgimtarëve të kësaj komune, shkruan KultPlus.

Kryetari Bali Muharremaj ka anuluar koncertin për shkak të aksidentit në fshatin Mushtisht, ku humbën jetën dy persona.

“Komuna e Suharekës, po përjeton çaste jo të mira këto ditë. Raste jo të këndshme po ndodhin, sidomos raste tragjike në komunikacion ku po humbin jetën qytetarët tanë. Sot edhe një rast i rëndë tragjik në komunikacion, ku humbën jetën dy të rinj nga fshati Mushtisht i Suharekës. Ky rast ka prekur rënd kryetarin e Komunës z. Bali Muharremaj, i cili ka anuluar koncertin e sotëm që ishte i planifikuar të mbahej në kuadër të aktiviteteve për mërgimtarët tanë, Diafest. Dhashtë zoti të mbetet i fundit!” thuhet në postimin e Komunës së Suharekës në faqen zyrtare në “Facebook”.

Personat e vdekur janë të moshës 33 dhe 38 vjeç dhe janë nga një familje ka njoftuar Policia e Kosovës.
Ky koncerti ishte anuluar po ashtu edhe ditë më parë në shenjë respekti ndaj regjisorit Bekim Lumi dhe shkrimtarit Ragip Sylaj. / KultPlus.com

Behgjet Pacolli shkruan për Dua Lipën

Zëvendës Kryeminsitri i Parë i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook, është shprehur shumë krenar për arritjet e artistëve tanë, e në veçanti ai shkruan për Dua Lipën dhe festivalin Sunny Hill, shkruan KultPlus.

“Është kënaqësi kur shohim sa kanë arritur të rinjtë shqiptarë. Nga Kosova kemi shumë talentë që bota sot i adhuron. Festivali ”Sunny Hill” në Germi, është iniciativa dhe mënyra më e mirë e promivimit të shtetit tone, që duhet përkrahur! Dua Lipa, Action Bronson dhe Martin Garrix janë vetëm disa nga yjet botëror që do të jenë mysafirët tonë në Prishtinë”, ka shkruar Pacolli.

Hill Festival do të mbahet me 10-11-12 gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, me artistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe me artistë të kërkuar në skenën botërore. / KultPlus.com

Poezia e Bekim Lumit kushtuar nënës

Poezinë “Of Nanë” Bekim Lumi e shkroi në vitin 1996 në Shqipëri.

Siç ka treguar ai: “Në një nga ato netët e mallit e të mërzisë, gjatë studimeve në Tiranë, kur, për shkak se Nanën nuk e kisha pa për disa vjet, dojsha me i kërkue falje për shumëçka të thanun e të pathanun”.

Of Nanë

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si rr’fe prej qielle
Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si ilaç për nerva
Emnin tand ndër dhambë e kafshova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta
Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si barrën e druve përmi shpinë
Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si bojaxhi i keq që jam
Flok’t me gëlqere t’bardhë mërzie t’i ngjyrosa

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si mbi jastëk andrrash
Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta

Of Nanë
Pashë Zotin
Pashë Ty
Pashë Babën
Pashë Mue
M’fal
Si mëkatar i keq që jam
Po t’lutem shumë
M’fal
Për dhembjet
Për sëmundjet
Për nervat
Për zjarminë
Për brengat
Për borxhet
Për mallin
Për mërzinë
Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme
M’fal
Njimijë herë m’fal
Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë. /KultPlus.com

Valle e ngadaltë

Poezi nga Jorge Luis Borges, përktheu Elida Buçpapaj.

A i ke parë ndonjëherë fëmijët duke luajtur?
Vallë a e ke dëgjuar tiktakun e shiut?
A e ke ndjekur ndonjëherë fluturimin e një fluture?
Vallë a e ke vështruar perëndimin e diellit?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Çdo ditë e jeton gjithmonë duke rendur?
Kur pyet veten kush je, a e dëgjon përgjigjen tënde?
Kur dita mbaron shtrihesh në shtrat apo zhytesh në mijëra mendime?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Ditët e tua rrjedhin shfrenueshëm?
A i ke thënë ndonjëherë fëmijës tënd “e bëjmë nesër”
Dhe në kotësinë tënde nuk e ke parë trishtimin?
Nganjëherë për mungesë mirësjelljeje a e ke lënë një mik të dashur
Të ketë vdekur pa e thirrur dhe pa i thënë lamtumirë?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Kur ti rend tepër me ngutje për të arritur çfarëdo vendi,
Ti humb gjysmën e zbavitjes për të arritur atje.
Nëse je i shqetësuar, nëse rend gjithë ditën e lume
Është njëlloj si të hedhësh jetën tënde në koshin e plehrave.
Jeta është një rendje, por do jetuar dhe përjetuar me qetësi.
Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar. /KultPlus.com

Poezi nga Ibrahim Rugova të botuara në ‘Rilindje’ kur ai ishte vetëm 18 vjeç

Ibrahim Rugova, intelektuali, politikani, akademiku dhe shkrimtari i njohur shqiptar, qysh në rinin e tij spikati me talentin e tij edhe në të shkruar, shkruan KultPlus.

Fryma e tij u ndje qysh herët, për të vazhduar rrugën pa ndalje, ku edhe sot ai mbetet një ndër figurat më të dashura për popullin shqiptar.

Kur ai ishte në moshën 18 vjeçare, dy poezi ju botuan në gazetën ‘Rilindja’.

“Le të rritet…”, është poezi e parë e botuar në Rilindje më 8 tetor 1963 dhe e dyta, “Kush e din…”, botuar katërmbëdhjetë ditë më pas, më 22 tetor 1963.

Më poshtë po ju sjellim këto dy poezi të mrekullueshme të shkruara nga Rugova.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës. /KultPlus.com

Nxënësit e “Prenk Jakovës”, do të përfaqësojnë Kosovën në Rumani (FOTO)

Të ftuar nga “Icon Arts Transilvania Festival”, në Rumani, nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” nga Gjakova do të përfaqësojnë Kosovën me kuartet harqesh në këtë festival, shkruan KultPlus.

Ky festival do të mbahet nga data 1 deri më 12 gusht 2018. Kosova do të përfaqësohet me kuartet harqesh në përbërje të tre nxënësve nga shkolla e muzikës ‘Prenk Jakova” Gjakovë (Hana Hana, Alkesta Gllogjani, Endrit Berisha), dhe një nxënës nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” Prishtinë (Arsim Gashi).

Ky kuartet apo siç vendosëm ta quajmë “NEWBORN”, do të interpretojnë në dy koncerte, njëri me datë 2 gushtë në “Dealu Frumos” fortesë e shekullit XIII, dhe koncerti i datës 4 gushtë në “Kështjellën Peles”.

Programi i cili do të interpretohet do të jetë 45 min, ku do të luhet: 1.W.A.Mozart: Divertimento nr.3 në F-Dur(Allegro, Andante, Presto).

2. F.Schubert: Kuartet harqesh nr.13 në a-mol ”Allegro ma non troppo”.

3. Astor Piazzolla S.V.P.

4. “Kënga e Rexhes” , arr.Tomor Berisha.

Pjesëmarrja në këtë festival u mundësua edhe falë mbështetjes së drejtorit të arsimit në Gjakovë, Bernard Frrokaj dhe kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjinit, për mbështetjen financiare për pjesëmarrjen në këtë festival për nxënësin Arsim Gashi, ata falënderojnë edhe Drejtorin e Arsimit në Prishtinë, Jonuz Salihaj dhe Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./KultPlus.com

Një foto emblematike: “Klithma e Kosovës”

Luan Rama

Kjo fotografi e fotografit francez Georges Merillon, që nga dita kur mori çmimin e fotografisë më të mirë të «World Photo Presse» më 1991, ajo u bë e njohur në të gjithë botën si dhe objekt i shumë analizave estetike, edhe pse vetë fotografia nuk kishte asnjë simbol apo semiologji politike, madje as «pieta», siç e cilësuan jo pak kritikë këtë fotografi: «Pieta du Kosova».

Vallë një ndjesi mëshire për një nënë apo familje që qan birin e saj, atje, në dyshemenë e zbrazët të asaj shtëpie të thjeshtë, në shtëpinë ku ajo kishte lindur pjellën e vet? Nëna është aty, rrethuar nga vajzat, nusja, njerëzit e afërt të familjes, në qendër të atij grumbulli njerëzor të ngërthyer nga dhimbja e ku përpara, si në prehërin e saj ka birin e vdekur. Dhe ajo klith.

Është kjo klithmë kundër vdekjes që e kapërcen përkufizimin që disa kritikë i dhanë kësaj fotografie dhe duke risjellë në memorjen kolektive veprat e njohura «Pieta» e Mikelanxhelos e vitit 1499, «Pieta» e Van Dyck e 1624, apo atë tablo madhështore të Caravaggio-s e pikturuar më 1606, ku qahet një i vdekur, apo Shën Marinë në kokën e Jezusë së vdekur.

Madje po atë vit, kur një gazetar e pyeti presidentin Mitterand të komentonte një nga fotografitë më emblematike të vitit, ai komentoi pikërisht këtë foto të botuar në dy faqet e «Figaro magazine», duke thënë ndër të tjera: «E shikon atë fotografi dhe nuk ke si të mos mendosh për një tablo të Mantegna-s apo Rembrandt… zemërimi dhe dhimbja kanë gjithnjë të njëjtën fytyrë!..».

Tablotë pa dyshim janë emblematike dhe kanë mbetur në historinë e artit, e ndoshta dikush mund ta krahasonte dhe me «Klithmën» e Munch, çka më duket më afër, por përsëri, në strukturën e saj, në raportet e dritë-hijes dhe për më tepër në atë thjeshtësi të zymtë kuadri pa asnjë artifis, me atë lloj drite qumështi, nga bryma e asaj dite të ftohtë dimri, e mbajtur në ekspozim në një shpejtësi 20-30 sekonda, kjo tablo qëndron e jashtëzakonshme dhe e tejkalon idenë e «Pieta»…

Ne nuk mëshirojmë atë nënë për djalin e saj, ne tronditemi gjer në thellësinë e ndjesive tona me atë klithje që ka mbetur ngjizur në ato buzë, në atë skenë të fotografuar brenda një çasti të shkurtër, papritur, pa i thënë askujt, pasi fotografi Merillon qëndroi në atë dhomë morti, ku qëndrojnë sipas traditës vetëm gratë, veçse dy-tre minuta, jo më shumë.

Ndoshta Merillon nuk e imagjinonte që në «dhomën e errët» të aparatit të tij të ishte regjistruar një nga fotografitë më kulmore në jetën e tij si artist. Jo, nuk ishte «Pieta», por një klithmë sa personale aq dhe e një populli. «Klithma e Kosovës».

Vite më vonë, kur gazetarja franceze Annick Cojean, e kishte parë këtë foto dhe do shkruante një libër rreth 13 fotografive embmblematike të botës, mes të cilave një e Hiroshimës, një tjetër e princeshës Diana, një e revolucionit feminist apo kundër dallimit racial, midis tyre ajo zgjodhi dhe këtë fotografi, për të parë me sytë e saj vendin e ngjarjes dhe rikrijuar edhe njëherë tablonë e kohës.

Bëhej fjalë për shkrimin e librit «Kthimi tek imazhet». Dhe ajo u nis drejt fshatit kosovar ku kishte ndodhur kjo ngjarje tronditëse. Me makinë kishte rrahur rrugët e Kosovës mbushur me policët e Milosheviçit. Dhe gazetarja e “Le monde” shkoi gjer në Rahovec, në fshatin Nagafc, ku Nasimi ishte vrarë më 29 janar të vitit 1990. Ishte vrarë në një pritë të policisë, kur bashkë me disa shokë po shkonin për të marrë pjesë në një manifestim, pa armë, vetëm me një copë flamur. Dhe ata i kishin vrarë ata katër të rinj të lirisë duke plagosur dhe 32 të tjerë… Në Rahovec ajo takoi nënën e Nesimit, atë që vuri atë kuje epike.

Ajo i tha se “Nesimi ishte i bukur, i fortë… se kështu Nesimi jeton sërish, dhe emri i tij mbush jetën e këtyre njerëzve»… «Në prag të martesës së tij, – i thoshte ajo, – ai manifestonte në Prishtinë për Kosovën dhe unë kisha frikë” Por atë ditë të akullt janari, kur Sabrija, nëna e tij kishte parë atë grup njerëzish ti afroheshin shtëpisë së saj, me ato fytyra në zi, me atë vështrim të heshtur e gjithë tmerr, ajo e kuptoi se vdekja e kishte marrë Nesimin. Dhe ajo ulëriu: «Oh, e mjera nanë, e mjera nanë që sheh birin e saj të vdekur! Si mund të hysh kështu biri im në shtëpinë tënde?…» Dhe atë e kishin futur ashtu të vrarë, duke e vendosur në mes të dhomës, ashtu siç do ta gjente pak çaste më vonë fotografi i GAMA-s Georges Merillon, që me të marrë vesh ngjarjen ishte nisur nga Prishtina.

Katër orë rrugë me makinë për të pikëtakuar vdekjen…

Në bisedë me gazetaren e «Le monde», motra më e vogël, Afërdita Elshani, i tregonte: «Një mbrëmje më parë isha shqetësuar kur vëllai im u kthye vonë nga mbledhja. Por e dija se çështja e Kosovës ishte thellë zemrës së tij. Një mëngjes unë e pyeta: «Do ta fitojmë dot lirinë, apo jo?» Dhe ai më buzëqeshi ëmbël: «Së shpejti!» E përcolla deri tek porta. Nxitonte përsëri në një tjetër manifestim dhe thashë me vete se kam një vëlla te mrekullueshëm. Më kujtohet se kur isha shtatë vjeçe, njerëzit e shtëpisë e përcollën me rastin e nisjes së tij ushtar. Por papritur policia serbe rrethoi shtëpinë duke kontrolluar kudo për të gjetur materiale propagandistike. Nasimi kishte frikë se mos thyenin gjithçka. «Mjaft! – u thirri më në fund. Dhe ai u dha disa kaseta e trakte ku shkruhej «Kosova Republikë». E arrestuan menjëherë. Por nuk kisha frikë. Isha shumë krenare që kisha një vëlla të tillë… Dhe ata e vranë. Përse? Ai ishte i drejtë, kurajoz dhe mbronte popullin e tij. Ja, tashmë në gjirin e familjes, i zbehtë, pa jetë, me fytyrën e tij të bukur dhe flamurin e vogël të Kosovës nën mjekër që i vuri gruaja e tij. Nuk mund të kesh një vëlla më të mirë. Dhe nuk mund të ketë vdekje më të bukur se ajo për lirinë…”

Që nga ajo shkrepje e aparatit të Merillon kanë kaluar 18 vjet dhe kjo fotografi mbetet një emblemë për Kosovën.

Një lloj ikone në historinë e fotografisë. Mjafton ta shohësh gjatë atë për të kuptuar semiologjinë e një historie të tërë. Britma e saj ka një emër: «Kurrë më!» Por fotografia ka një dimension edhe më universal: është humaniteti i përballur me barbarinë, vdekjen! Ja pse kjo «Pieta-britmë» mbetet një referencë e gjallë për kohërat që vijnë.
Gazeta Shqip, 2 gusht, 2018./ Kultplus.com

Publikohet traileri i filmit “Nëntor i Ftohtë”

Është bërë publike traileri zyrtar i filmit “Nëntor i Ftohtë” nga regjisori Ismet Sijarina që do të shfaqet premierë botërore në Festival de San Sebastián, shkruan KultPlus.com

Premiera botërore për filmin artistik të regjisorit Ismet Sijarina “Nëntor i Ftohtë” do të mbahet në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit.

Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë A, ku do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtar në Seksionin e Regjisorëve të Ri.

Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët: Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Regjia Ismet Sijarina./KultPlus.com

Shpallen juritë për DokuFest 2018

DukoFest ka bërë të ditur emrat e anëtarëve të jurisë së këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet gjashtë kategorive, ky kombinim i profesionistëve dhe entuziastëve të filmit do të shikojnë dhe përzgjedhin filmat e tyre të preferuar nga 102 sa janë në garë.
BALKAN DOX

Goran Dević u lind në Sisak më 1971. Ai ka studiuar për Arkeologji dhe Drejtësi. Më 2008 ai u diplomua në Regji Filmi dhe Televizioni në Akademinë e Arteve Dramatike të Zagrebit, ku ai punon sot në studimet diplomike të Filmit Dokumentar. Filmat e tij dokumentar dhe të metrazhit të gjatë janë shpërblyer në Pula, Cottbus, Prizren, Pragë, Sarajevë, Oberhausen, Neubrandenburg, Maribor, Motovun dhe Zagreb. Filmi i tij i debutues (regjinë dhe skenarin e të cilit e ka bërë bashkë me Zvonimit Juric) oshte një dramë e luftës psikologjike e vitit 2009 e brohoritur nga kritika e titulluar The Blacks. Retrospektivat e dokumentarëve të tij janë projektuar në Arsenal Berlin, Crossing Europe Filmfestival Linz dhe Dokukino Zagreb. Ai është themelues i kompanisë për produksion Petnaesta umjetnost.

Tara Judah është producente e kinemasë në Watershed në Bristol, dhe ka punuar në programim dhe editim për festivalin e filmit arkivi të kinemasë, klasik dhe repertor, Cinema Rediscovered që nga fillimi i tij më 2016. Para postit të saj në Watershed, Tara bashkë-drejtonte video shop-in 20th Century Flicks, programoi filma për teatrin ikonik australian me një ekran , The Astor, dhe për ngjarjen vjetore të filmit feminist në Melburn, Girls on Film Festival. Ajo ka shkruar për Senses of Cinema, Desist Film, Monocle dhe Sight & Sound dhe ka analizuar kinemanë gjatë transmetimeve në Britani dhe Australi për Monocle 24, BBC World Service, Triple R, ABC RN dhe Joy FM. Tara është person i besuar në bordin e drejtorëve në një nga kinematë me operim të vazhdueshëm më të gjatë, Curzon Cinema & Arts në Clevedon.

Marina D. Richter është një kritike e filmit nga Vjena e lindur në Beograd. Ajo është korrespondente e Cineuropa për Austri. Kritikat e saj, intervistat dhe raportet e festivaleve janë publikuar në publikimet ndërkombëtare Lupiga, Minotor & Sirp. Ajo ka shkruar për filmin dhe artin për gazetën e përditshme Politika që nga viti 2004. Ajo po ashtu është autore e botuar dhe ndihmës skenariste. Marina D. Richter ka studiuar gjuhët dhe letërsinë skandinave në universitetet e Beogradit, Getenburgut dhe Vjenës.

GREEN DOX

Sali Shoshi është arkitekt dhe ambientalit nga Kosova. Ai është përfshirë në diskutimet për trashëgiminë kulturore në Kosovë për 17 vjet si anëtar i Fondacionit Kosovar “Cultural Heritage without Borders” – CHWB Kosova. Shoshi është përfshirë në shumë iniciativa dhe projekte për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në kontekstin e pasluftës dhe të tranzicionit.

Elena Lazic është një bashkë-redaktore në Seventh Row dhe skenariste e pavarur e filmit që jeton në Londër, Mbretëria e Bashkuar. Botimet për të cilat ka shkruar përfshijnë Little White Lies, The Guardian, Sight & Sound, dhe Mubi.

Davide Oberto i lindur në Alba (Itali) më 1970, ai u shpërngul në Torino më 1989 ku studioi për Filozofi, Shkenca Humane dhe Histori të Filmit në Universitetin e Torinos. Më 1999 ai fillon bashkëpunimin me Festivalin e Filmit të Torinos ku më 2005 ai bëhet murator i garës italiane (Filma të Shkurtër dhe Dokumentarë). Tri vite më vonë ai krijon një seksion të ri kushtuar dokumentarëve ndërkombëtar në përpjekje për ti njoftuar filmat më interesant dhe më relevant nga një perspektivë shumë specifike dhe kinematografike në Itali: TFFdoc.

HUMAN RIGHTS

James Berclaz-Lewis, i cili vepron në MB dhe Zvicra, është Koordinator i Programit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Forumin për të Drejtat e Njeriut (FIFDH) në Gjenevë, Zvicër ku ka qenë i përfshirë që nga viti 2014. Ai po ashtu ka shkruar për Indiewire, The Lincoln Film Center, Festivalists, Movie Mezzanine dhe NextProjection duke pasuar pjesëmarrjen e tij në Locarno Critics Academy më 2013.

ANDRRA (Fatime Kosumi) është një muzikante dhe artiste me origjinë Kosovare veprat e së cilës rrotullohen rreth ndikimit të trashëgimisë dhe traditës në shoqërinë moderne. E lindur në Rosenheim të Gjermanisë, ANDRRA u kthye në fshatin e familjes së saj më 2001, shkurt pas ngjarjeve në Luftën e Kosovës. Aktualisht ajo banon dhe regjistron në Berlin.

Mette Hoffmann Meyer është drejtoreshë daneze dhe bashkë-themeluese e Fondacionit The Why, fitues i Çmimit Peabody, organizatë publike mediale që ka për qëllim të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm duke siguruar qasje të lirë në informacion të besueshëm për të gjithë qytetarët. The Why prodhon dhe shpërndan përmbajtje mediale që ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke arritur qindra miliona njerëz anembanë globit. Hoffmann ka punuar me filmin dokumentar për afërsisht 30 vjet, dhe është ish Drejtoreshë për Dokumentar dhe Bashkë-Produksione në shërbimin e transmetuesit publik danez. Tani ajo është e përqendruar në skllavërinë e kohës moderne, me që fushata WHY SLAVERY? lansohet këtë vjeshtë.

INTERNATIONAL DOX

Nico Marzano kuron programin e filmit dhe udhëheq krahun e shpërndarjes së filmit në Institutin e Arteve Bashkëkohore në Londër (ICA) duke sjellë një program unik të filmave të pavarur dhe relevant në aspektin shoqëror për audiencën e MB. Përveç këtij roli në ICA, Nivo është po ashtu themelues dhe drejtor i FRAMES of REPRESENTATION (FoR), një laborator kreativ i dokumentarëve dhe festival filmi i themeluar më 2015 për të promovuar prezantim, produksion dhe shpërndarje të vizioneve të reja të kinemasë. Nico ka qenë ligjërues i angazhuar në Universitetin Birkbeck në Londër, Universitetin Kingston, Universitetin Falmouth dhe ka dorëzuar punime dhe fjalime për agjenci dhe forume të tjera të filmave ndërkombëtar anembanë globit.

Ela Bittencourt është kritike filmi dhe programere nga Sao Paulo. Artikujt e saj për kinemanë dhe artin shfaqen në publikime ndërkombëtare, duke përfshirë Artforum, Art in America, Film Comment, Frieze Magazine, Hyperallergic dhe The Village Voice. Bittencourt punon si këshilltare programi për Sheffield Doc/Fest dhe shërben në përzgjedhjen e komitetit për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar É Tudo Verdade dhe Festivalin Semana de Cinema në Brazil. Ajo ka kuruar në mënyrë të pavarur retrospektiva filmash në Shtetet e Bashkuara dhe në Amerikën Latine, dhe është themeluese e një sajti filmi, Lyssaria.

Anna Zamecka është regjisore filmi dhe producente polake. Anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, ajo ka studiuar antropologji kulturore, gazetari dhe fotografi në Varshavë dhe Kopenhagë. Filmi i saj debutues i vitit 2016 “Communion” ka marrë një numër çmimesh duke përfshirë Çmimin e Filmit Evropian për Dokumentarin më të Mirë Evropian më 2017 dhe Çmimin e Javës së Kritikëve në Locarno IFF, në mes tjerash.

Alush Gashi, drejtor i Kino ARMATA, hapësirës publike në Prishtinë/Kosovë që promovon kulturë alternative dhe dialog shoqëror. Themelues i NO RECESS, platformës së artit me fokus në muzikë, dhe INIT, kompanisë së komunikimit dhe produksionit filmik. Me përvojë akademike në ekonomi, gazetari dhe shkenca kompjuterike, si dhe angazhim shumëvjeçar në udhëheqje të projekteve mediale. Regjisor dhe producent i katër filmave dokumentarë dhe kontribuues i kohëpaskohshëm në media të shkruara vendore dhe ndërkombëtare, mbi tema të shoqërisë dhe kulturës. Lojtar i pasionuar biliardi dhe koleksionist i pllakave të gramafonit.

Sérgio Gomes është një nga anëtarët themelues të Festivalit të Filmit dhe Medias Porto/Post/Doc në Portugali dhe aktualisht është anëtarë i bordit drejtues. Ai po ashtu është koordinator i programit dhe drejtor ekzekutiv i Porto/post/Doc. Që nga 2001, Sérgio Gomes bashkëpunon me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Curtas Vila de Conde, në Portugali, si programues dhe koordinator i garës. Ai po ashtu ka punuar si DJ dhe promovues ngjarjesh.

INTERNATIONAL SHORTS

Pamela Pianezza është fotografe dhe shkrimtare, e balancuar në mes të artistikes dhe jo-artistikes, detyrave redaksionale (për Variety, Dazed & Confused, Canal +, Arte) dhe projekteve personale. Ajo ka punuar me vite si programere filmi për Cannes’ Critics’ Week, pastaj u bë Drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Friburgut. Pozitë të cilën e ka ndërprerë së fundi për t’iu bashkëngjitur ekipit artistik të Kurzfilmtage Winterthur. Ajo është themeluese dhe redaktore e revistës së përditshme kulturore online Tess Magazine. Ajo ka gradën Master i Kinemasë dhe Gazetarisë dhe jep mësim për Artet Vizuale.

Ina Pira kuron Vimeo’s Staff Picks and Vimeo on Demand. Para kësaj, Ina ka punuar si programere e lartë për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Hamptons, Festivalin e Filmit Montclair, dhe Festivalin e Filmit Sarasota. Përveç punës në programim, Ina ka ndihmuar në menaxhim dhe përzgjedhje të skenarëve për Laboratorin e Skenaristëve të Hamptons dhe programit e tërë vitit. Ina ka shërbyer në juri të festivaleve dhe u ka folur grupeve të shumta për festivalet e filmit, programimin online, dhe shpërndarjen digjitale. Ina shërben në Bordin Këshillëdhënës për Festivalin e Filmit North Bend.

Ali Asgari u lind në Teheran, Iran. Ai është diplomuar për kinema në Itali. Ai është ish-nxënës i Berlinale Talent Campus 2013. Dy nga filmat e tij të shkurtër “More than Two Hours” 2013 dhe ‘The Silence” ( me regji të përbashkët me Farnoosh Samadi) 2016 ishin në garën e Filmit të Shkurtër në Festivalin e Kanës. Filmi i tij i shkurtër “The Baby” ishte dhënë premierë në garën e Festivalit të Filmit të Venedikut më 2014. Filmat e tij të shkurtër janë shfaqur në më shumë se 600 festivale të filmave përreth botës duke përfshirë Sundance, BFI, Melbourne… dhe kanë fituar më se 150 çmime ndërkombëtare. “Disappearance” është filmi i tij i parë i metrazhit të gjatë i cili është zhvilluar në Cinefondation La Residence of Festival De Cannes dhe e ka pasur premierën e tij botërore dhe amerikano veriore në Festivalin e Filmit në Venedik dhe Festivalin e Filmit në Toronto. Ai është anëtar i Akademisë së Oskar.

NATIONAL

Ben Vandendaele është producent i gjithanshëm, agjent shitjesh dhe distributor, që jeton në Bruksel ku ka studiuar për montazh filmi në Rits. Ai është themelues i dy kompanive: kompanisë së produksionit Bekke Films që përkrah kinemanë provokatore dhe autorët me një qëllim Radiator IP sales me të cilën ai ka përfaqësuar, distribuuar dhe shitur një total prej 80 filmave deri më sot. Filmat janë përzgjedhur në një numër festivalesh ndërkombëtare të filmit, duke përfshirë Berlinale, Clermont-Ferrnad, Sundance, SXSW, Locarno, Venice dhe shumë të tjera. Ai ka qenë pjesë e punëtorive të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë Berlinale Talents, Zurich Masterclass dhe anëtar i komitetit para-selektues për LIM. Prej dy vitesh ai është partner dhe konsulent për European Short Pitch.

Elsa Demo është gazetare e temave dhe çështjeve kulturore prej vitit 2000. Autore e artikujve të shumtë, eseve, reportazheve, analizave. Prej disa vitesh drejton “Arkapia”, emision televiziv për artet dhe kulturën. Është anëtare e disa jurive kombëtare dhe ndërkombëtare për letërsinë, kinematografinë dhe aderon në Federatën Ndërkombëtare të Kritikëve të Filmit (FIPRESCI). Lektore e gazetarisë në Universitetin e Tiranës e të Elbasanit. Bashkë me publicistin dhe studiuesin Ardian Klosi, Elsa Demo ka hartuar dhe botuar dy antologji dokumentare dhe letrare: “Shqipëria kujton. 1944-1991”, Tiranë 2009; dhe “Shqipëria tregon 1991-2010”, Tiranë 2010. Ka disa kontribute në botime shqiptare dhe të huaja. Është fituese e Çmimit “Woytila” për gazetarinë (Itali, 2009). Aktualisht ndjek studimet doktorale pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Petrit Halilaj, i lindur në Kostërc (Kosovë) më 1986. Petrit Halilaj jeton dhe punon në mes të Gjermanisë, Kosovës dhe Italisë. Puna e tij është thellë e lidhur me historinë e fundit të vendit të tij, dhe pasojat e tensioneve politike dhe kulturore në rajon. Por derisa përballet me një kujtesë kolektive, puna e tij shpesh buron nga një përvojë personale dhe zakonisht është rezultat i një procesi intim dhe një momenti të ndarë me dikë që do. Mënyra e tij unike dhe ndonjëherë mospërfillëse që të ballafaqojë me shaka esencën e realitetit rezulton në një reflektim të thellë për kujtesë, lirinë, identitetin kulturor dhe zbulimet jetësore./KultPlus.com

Kur simpatizantët e Hitlerit sulmonin Aleksandër Moisiun

Nga Aurenc Bebja

Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të enjten e 18 shkurtit 1929, në ballinë, një shkrim në lidhje me sulmet e simpatizantëve të Adolf Hitlerit ndaj aktorit të famshëm me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu.

Në vijim, teksti i plotë për publikun shqiptar.

Ngacmim grotesk, por hitlerian.

“Komediani i famshëm Aleksandër Moisiu, më i duartrokituri deri tani në vendet gjermanofolëse, është pre e ngacmimeve të mbështetësve të Hitlerit. Dhe pse? Sepse gushtin e kaluar, duke dashur të shkruajë një roman në të cilin do të ndodhte një lindje, ai dëshiroi të studionte këtë ngjarje në vend dhe veshi bluzën e bardhë me autorizimin e drejtorit të një spitali në Salzburg. Është reagim i zakonshëm për një shkrimtar. Kush është ai autor që nuk ka shkuar për të vizituar një spital, një azil, i fshehur mes pacientëve? E gjitha kjo për të përshkruar realen.

Por një praktikant i spitalit të Salzburgut, i shkarkuar nga puna, për t’u hakmarrë ndaj drejtorit, zbuloi këtë fakt në një gazetë të partisë së Hitlerit.

Shqetësimi i Aleksandër Moisut për ndërgjegjësinë profesionale u transformua si “përdhosje nga një ndërhyrës i bezdisshëm gjatë lindjes së një gruaje gjermane”.

“Henaurme!” – apo jo? Megjithatë, artikulli i gazetës lokale ishte riprodhuar, kështu Moisiu u vu në listën e zezë të hitlerianëve (nazistëve).

Dhe natën tjetër, në Deutsches Volkstheater të Vjenës, gjatë një shfaqjeje në të cilën ai luante rolin kryesor, aktori u prit mes sharjeve dhe topave me aromë të keqe të shpërndara nëpër sallë, diçka mjaft bezdisëse.

Policia vëzhgonte për fat të mirë dhe ndërhyrësit u dërguan në burgun më të afërt…

Nëse tallja mund të vriste, partia e Hitlerit nuk do të fitonte asgjë nga kjo ngjarje.”

Horatio

Burimi: (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania) – https://www.darsiani.com/la-gazette/comoedia-1929-kur-simpatizantet-e-hitlerit-sulmonin-aleksander-moisiun/

Ndizet debati në Mal të Zi: Të vendoset monumenti i Skënderbeut në Ulqin, është serb i lindur

Lajmërimi se një monument kushtuar heroit historik shqiptar Skëndërbeu do të ndërtohet në Mal të Zi ka hapur përsëri një debat në vend në lidhje me origjinën e tij.

Partitë politike shqiptare në Malin e Zi të mërkurën akuzuan aleancën pro-serbe të Frontit Demokratik se “po pretendon” pa pasur baza se Heroi Kombëtar shqiptar, Skënderbeu, ishte serb, shkruan BIRN.

Reagimi i tyre erdhi pasi Fronti Demokratik mirëpriti një nismë nga autoritetet lokale në qytetin me shumicë shqiptare të Ulqinit për të ndërtuar një monument të Skënderbeut, duke thënë se ai ishte një “hero i madh dhe i famshëm – një serb i lindur”.

Një zyrtar nga Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se ky ishte “një mit i krijuar nga Akademia Serbe e Shkencës dhe Arteve, SANU”.

“Dhe në lidhje me Skënderbeun, atë nuk e duan vetëm serbët, por edhe grekët dhe bullgarët. Jo vetëm atë, por edhe Nënë Terezën dhe figurat e tjera të njohura shqiptare,” tha Gjeloshaj për gazetën malazeze Vijesti.

I konsideruar një udhëheqës heroik i rezistencës ndaj osmanëve në Shqipëri, Gjergj Kastrioti, i njohur si “Skënderbeu” (‘Zoti Aleksandër’) – u rekrutua që një fëmijë në Ushtrinë Osmane, duke u shërbyer sulltanëve me besnikëri dhe duke praktikuar islamin.

Por në vitin 1443 ai dezertoi, hodhi tej besimin islam dhe mori qytetin e Krujës. Nga kjo bazë, ai bashkoi princat shqiptarë që vetëm grindeshin nën flamurin e tij dhe pa një pushtim otoman pas tjetrit deri në vdekjen e tij nga malaria në vitin 1468.

Veprat ushtarake të Skënderbeut kundër turqve bënë që ai të admirohej nga Papat dhe shumë sundimtarë të tjerë në Perëndim. Por admirimi i tyre nuk mbështetej me para, gjë që pengonte aftësinë e tij për t’i dhënë turqve një goditje të madhe.

Pas vdekjes së tij, shqiptarët u ndanë dhe osmanët shumë shpejt e pushtuan vendin. Megjithatë, kujtimi i Skënderbeut vazhdoi të jetonte, pavarësisht faktit se shumica e shqiptarëve deri atëherë ishin konvertuar në myslimanë, një besim që ai e refuzoi me vendosmëri.

Emblema e tij, shqiponja perandorake me dy koka, mbetet simbol i nacionalitetit shqiptar edhe sot.

Disa organizata dhe parti serbe gjatë viteve kanë cituar hulumtimet e historianëve lokalë rreth origjinës së Skënderbeut, që pretendojnë se ai kishte një prejardhje sllave dhe se nëna e tij ishte serbe etnike.

Megjithatë, këto hulumtime, të kritikuara ashpër nga historianët malazezë dhe shqiptarë, pohojnë gjithashtu se emri i parë i Skënderbeut nuk ishte Gjergj por Gjuragj, i cili ishte një emër sllav nga ajo periudhë.

Nisma për të ndërtuar një monument të Skënderbeut në një qytet tjetër shqiptar, Tuz, pranë kryeqytetit Podgoricë, shkaktoi gjithashtu një debat të ashpër në prill.

Ndërsa partitë shqiptare e mbrojtën nismën duke thënë se Skënderbeu është heroi kombëtar i të gjithë shqiptarëve që do të shënojë 550 vjetorin e tij të lindjes këtë vit, organizatat pro-serbe dhe disa historianë lokalë thanë se monumenti mund të shihet si një “shënim i territorit shqiptar” brenda Malit të Zi.

Autoritetet lokale në Ulqin thanë se diaspora shqiptare do të financojë ndërtimin e monumentit. Ata thanë se dizajni paraprak është përfunduar dhe se qeveria lokale ka marrë leje nga Ministria e Kulturës për monumentin./KultPlus.com

I jepet lamtumira tenorit Gaqo Çako, shkrime prekëse nga ata që e njohën

Dje është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, Gaqo Çako. Pas lajmit për vdekjen e tij kanë qenë të shumta reagimet nga miqtë e tij dhe të gjithë ata që e kanë njohur, shkruan KultPlus.

Gaqo Çako vdiq në shtëpinë e tij në Tiranë, ku jetonte së bashku me bashkëshorten, artisten Luiza Çako. Ai është babai i kantautorit të njohur Pirro Çako.

Më poshtë ju sjellim disa nga reagimet dhe mesazhet prekëse:

./KultPlus.com

Junaid Chndrigar bashkëpunëtor i Stan Lee të Marvel dhe Aisha Madu me prezantime në ‘Anibar’

Junaid Chndrigar për herë të parë në Ballkan do prezantojë në edicionin 9 të Festivalit të filmit te animuar ‘Anibar’, që organizohet nga 13-19 gusht në Pejë. Prezantimi i cili vjen si pjesë e programit special të festivalit do ndodh me 14 gusht, dhe është retrospektivë e punëve të Junaid, përcjellë KultPlus.

Junaid u lind në Amsterdam, në Holandë në vitin 1986. Qysh në moshë të re ishte i interesuar në vizatim dhe animacion, edhe pse i ri në moshë ka treguar suksese të mëdha, duke qenë animator në projekte të ndryshme -duke veçuar, ndër të tjera bashkëpunimin me legjendën amerikane të animacionit, Stan Lee të rrjet it Marvel Comics. Pas diplomimit në vitin 2011, filmi i animuar i metrazhit të shkurtër në të cilin ka punuar u bë i famshëm në internet, duke nisur edhe karrierën e tij si animator në seritë “Bad Days” së bashku dhe për legjendën e Marvel-it, Stan Lee. Që nga atëherë, ka punuar në shumë projekte. Ai tani iu është kthyer tregut të pavarur ku udhëheq studion e tij KLOMP! dhe punon nën emrin imaJunation.

Prezantimi me Junaid Chndrigar mbahet më 14 gusht, në orën 14:00-15:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla.

Me Juaid Chndrigar në ‘Anibar’ vjen edhe Aisha Madu me datën 15 gusht në kinon “Jusuf Gërvalla” në orën 14:00 me një program special.

Ky program ka në vete një përmbledhje të punës së regjisores së animacionit të bazuar në Amsterdam deri në ditët e sotme, ku shpjegohet procesi dhe mendimi prapa shumë projekteve. Ajo do të eksplorojë temat që informojnë rreth punës së saj dhe flasin rreth asaj se si është kur navigon në mes terreneve të ndryshme siç janë arti, ilustrimi, dizajni, filmi dhe interneti. Pjesëmarrja e Junaid Chndrigar dhe Aisha Maud mbështetet nga Ambasada Holandeze në Kosovë./KultPlus.com

Ministri Gashi ka vizituar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka vizituar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota”. Gjatë kësaj vizite ministri zhvilloi takim me drejtorin e Ansamblit “Shota” Shefqet Gjocaj i cili njoftoi ministrin me gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës në këtë institucion, përcjellë KultPlus.

Ministri Gashi premtoj mbështetje për valltaret dhe i përgëzoi për sukseset që kanë treguar gjatë vitit 2018, po ashtu i inkurajoj që këto rezultate dhe këtë angazhim ta vazhdojnë edhe më tutje.

Qëllimi i kësaj vizitë është për të parë nga afër se cilat janë nevojat financiare të këtij institucioni shumë të rëndësishëm kulturor, pasi që kemi marrë vendim që të gjitha institucioneve të kulturës tua rrisë buxhetin jam shumë i bindur që Ansamblin “Shota” ka qene i anashkaluar në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë mbështetje të duhur financiare. Dhe nga sot për shkak të punës edhe rezultateve të mëdha që kanë pasur , ju njoftoj që do të ketë rritje të buxhetit për vitin 2019 varësisht nga programi që do të paraqesin në këshill te në ministri ka thënë ministri Kujtim Gashi.

“Po ashtu ne jemi dakorduar edhe në takimet paraprake që ky institucion ka nevojë për arkivin e vet për ruajtjen e materialeve shumë të rëndësishme dhe sot e konfirmojmë që këtë projekt do ta iniciojmë si procedurë dhe jemi të interesuar që çdo kërkesë të marrim me seriozitet, po ashtu ky ansambël ka nevojë edhe për instrumente sepse një pjesë e tyre janë shumë të vjetra dhe besoj që bashkërisht do të gjejmë zgjedhje dhe mundësi buxhetore që ky institucion të pajiset edhe me instrumente të reja”. ka thënë mes tjerash ministri.

Ndërkaq, Shefqet Gjocaj, drejtor i Ansamblit Shota, tha se nga ministri kanë marrë zotimin edhe për realizimin e projekteve që Shota ka filluar si dhe për projektet e planifikuara.
“Besoj shumë që e kemi pasur mirëkuptimin dhe do ta kemi në vazhdimësi. Unë besoj shumë që projektet që i kemi filluar do të realizohen në një kohë të përshtatshme”./KultPlus.com

Jeta kulturore në Shqipëri, numri i spektatorëve në rënie

Numri i spektatorëve që kanë marrë pjesë në shfaqjet kulturore në vend gjatë periudhës Prill-Qershor është 49.678, duke pësuar rënie me 8,2 %, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave, i cili pohon këtë ulje të pjesëmarrjes, pavarësisht rritjes së numrit të shfaqjeve.

Gjatë tremujorit të dytë numri i shfaqjeve kulturore ka shkuar në 279 duke pësuar në këtë mënyrë një rritje me 28.6% krahasuar me tremujorin e vitit të kaluar.

Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve kulturore, 119 shfaqje dhe ekspozita e ndjekur nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë me 75 shfaqje/ ekspozita duke shënuar rritje me 31.6%.

Numri mesatar i spektatorëve në Teatrin Kombëtar Eksperimental, gjatë tremujorit të dytë 2018, është 124 spektatorë/vizitorë për shfaqje me një rënie prej 13,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë ky institucion regjistroi 14.702 spektatorë, rreth 3700 më shumë se një vit më parë.

Numri i spektatorëve u rrit edhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, duke arritur në 8.274. Ndërkohë, Teatri Kombëtar regjistroi gati 4 mijë spektatorë më pak, ndërsa Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit pati një rënie prej 6 mijë spektatorësh./ dita

Sezoni turistik, 500 aktivitete festive nga veriu në jug

Zonat turistike në të gjithë vendin nga veriu në jug, më shumë sesa kurrë më parë, vijnë me një kalendar festash dhe aktivitete argëtuese për të gjithë pushuesit.

Kështu, kalendari i festave numëron plot 500 festa për sezonin veror, 300 prej të cilave janë konsumuar me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra pushuesve dhe banorëve të zonave që kanë shprehur interes të madh kundrejt tyre. Shifrat u bënë publike nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi.

‘Viti 2018 ka sjellë risi në gjallërimin e të gjitha zonave turistike nga veriu në jug përmes një programi shumë të pasur festash dhe aktivitetesh argëtuese. Kalendari i festave numëron plot 500 festa për sezonin veror, 300 prej të cilave janë konsumuar me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra pushuesve dhe banorëve të zonave të cilët kanë ndjerë që ky është një moment shumë interesant jo vetëm për të zhvilluar imazhin turistik të zonave të tyre por edhe për të ngritur biznesin e vogël, e për të pasur mundësi riaktivizimi të burimeve të brendshme të komunitetit . Edhe gjatë muajit gusht do të vazhdojë ky kalendar sipas dakordësisë që kemi midis institucioneve tona”, tha Klosi.

Më tej, ai vuri në dukje se një nga projektet më interesant me të cilën ky sezon vjen është Smile Albania, ku të huajt mirëpriten në zonat kufitare nga të rinjtë e vendit, me buzëqeshje dhe informacione orientuese per ta.

”Programi ynë i ri, Smile Albania është aktiv në të gjitha zonat hyrëse të vendit tonë me përparësi zhvillimi të turizmit. Duke pasur parasysh që 1 mijë të rinjtë në 26 pikat e info-point të dhurojnë buzëqeshje, informacion mbi bukuritë natyrore të vendit tonë, potencialin turistik dhe të bëjnë edukimin e munguar mjedisor në konceptin e turizmit shqiptar”, -përfundoi Klosi./ ata

Në Odën e Librit sot debat rreth librit “Kur qau Niçja”

Klubi “Oda e Librit” sot mbledh lexuesit për të debatuar rreth librit “Kur qau Niçja” të autorit Irvin D. Yalom. Takimi do të mbahet sot në Bibliotekën Kombëtare, në ora 17:00.

“Zhozef Brojer, themeluesi i psikanalizës, është në kulmin e karrierës së tij. Friedrich Nietzsche, filozofi i madh evropian, është në prag të vetëvrasjes nga dëshpërimi. Për më shumë, shihemi me 2 gusht në Bibliotekën Kombëtare (amfiteatri i vogël), nga ora 17:00”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Organizatorët kanë njoftuar që në fund të takimit, Libraria Buzuku do të dhurojë tre libra për të pranishmit, transmeton kp.

Oda e Librit është koncept i klubit të librit që organizohet çdo muaj nga OJQ “ETEA” dhe Termokiss, dhe përkrahet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës./ KultPlus.com

Pse nuk shkruaj drama

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Kjo jetë as nuk i qaset fare dramës,
Dhe dramën nuk e vlen vërtet njeri.
Sot flet e Ëmë e Zeqos majë Thanës,
Nga thana bën me botën komedi .

Tani hamletët ikën larg nga drama ,
“Të rrosh a të mos rrosh “- njeri s ‘bërtet.
Po veç e Ëmë e Zeqos flet nga Thana
Dhe zërin ia dëgjon një parlament.

Çudia e statujës që qan

Kurioziteti dhe besëtytnia janë rritur ndjeshëm në një provincë të Meksikos kohët e fundit. Shkak për këtë është bërë fenomeni i çuditshëm i një statuje që papritmas filloi të derdhte lot.

Bëhet fjalë për statujën e virgjëreshës Mari, pronë e kishës së New Mexicos, transmeton abcnews. Lëngu i kuqërremtë që del nga sytë e saj thuhet te ketë një përbërje prej vajit të ullirit dhe balsamit, e njëjta përzierje që përdoret për disa nga ritualet e kishës.

Lotët e virgjëreshës Mari kanë domethënie për besimtarët e krishterë. Thuhet se ajo qan për mëkatet e botës, por edhe për dhimbjet e saj, duke e bërë atë ikonë të dhembshurisë dhe dashurisë.

Fenomene si këto janë të zakonshme në botën kristiane ku ndodhi si këto shihen si mundësi për të larë mëkatet dhe për t’iu lutur ikonës.

Kjo statujë tashmë mbrohet me fanatizëm nga banorët e zonës./ KultPlus.com