Kur mësuese Fitorja tallte: Hana na ke sjellë ndonjë morr sot në klasë?

Ilir Seci

Kam kenë në klasen e pestë, stina ka kenë pranverë, e mbaj mend stinën sepse ajo qe ndodhi atë ditë mu duk se e pati nxi edhe bukurine e pranveres malësore…

Edhe atë ditë si për ditë bamë rreshtimin ne oborrin para shkollës tetëvjeçare, komandatja e çetës se pionierëve e dha komandën dhe u futëm nëpër klasa…Orën e parë kishim landën e gjuhës shqipe…Lânda që e kisha ma inat e ma, nga tana landët e mesimit. Jo se nuk mesoja, sepse kam kenë nxanës shumë i mirë, por e kisha inat se me dukej sikur na e mesonim me zor nji gjuhë që nuk e fliste kurrkush ndër tanë njerezit që njihja, në rrethin familjar, në rrethin farefisnor e ma gjanë në tanë rrethin shoqnor. Gjuhën Letrare si e thirrshin. Këtë pakënaqesi ia pata shprehë njiherë babës tem…nji natë vjeshte kur baba kishte vndue kazanin me pjekë rakinë në oborr të shpisë. Asokohe kazani merrej me rend, krejt katundi kishte vetëm nji kazan prandaj duhej me e pjekë shpejt e shpejt rakinë për me ia lëshue rendin shoqit. Baba rrinte tue pjekë rakinë disa ditë e netë rresht dhe nji natë unë iu luta babes me ndejte çuet me të te kazani. Natën vone, kur ishim vetem në oborr ia diftova babës pakënaqësinë teme per gjuhen letrare. Baba u mendue pak, më kqyri drejt e tha :

-“Bir, këto gjana mos ia thuej kujt, kurrkujt tjeter. Po biro ke të drejte me kenë i paknaqun…Gjuha letrare asht vendose me detyrim. Vendim partiak, nuk asht marreveshje gjuhëtaresh as studiuesish.” Dhe aty baba me diftoi se ideja e nji gjuhe letrare ishte ne fakt ide e vjeter qysh nga rilindasit…ishte provue me u vendose ne vitet 30-te por kishte pase kundershtime dhe Mbreti Zog nuk kishte nderhy me vendose pa dvetë kënd si bani Enveri me standartin e vitit 1972…

-“Ia kanë ba me të pa drejtë Gegnisë” – tha Baba, – ”nuk na asht mohue vetëm gjuha, por na asht mohue edhe tanë ai kontribut i madh në kulturën shqiptare….kontributi i klerit katolik që mohohet krejtiskreti. As përmendet kund At Fishta që asht poeti kombetar…”
Ato fjale mu gdhenden ne mendje pse erdhen si pergjegjie e dyshimeve të mia per gjuhen standarte…Sa herë me binin ndermend ne oren e gjuhes letrare…
Mu kujtuen edhe ne orën e parë të asaj dite pranvere, kur u ulem nëpër bankat që u kërcitshin tana gozhdat. Vetem kercitja e gozhdave ndihej para fillimit të orës se gjuhes, tanë klasa heshtnin. Heshtnin sepse mesuesja e Gjuhës ishte msuesja ma e frikshme e tanë shkollës. Të tanë i trembeshin asaj. Deri edhe vetë drejtori i shkolles i trembej. Ajo bante ligjin. Sepse ajo mesuese ishte prej poshti. “Prej poshti” – në Malesi thuhej per ata qe kishin ardhe nga rrethet e jugut.

Por kjo nuk ishte arsyeja kryesore pse të tane i trembeshin msuese Fitores. Arsyeja pse të tanë i trembeshin asaj ishte se mesuese Fitorja e kishte burrin te madh në Degën e Brendshme. Kjo gja e shpjegonte friken e drejtorit dhe tanë keshillit pedagogjik. Kjo gja shpjegonte pse nderpritej e qeshuna e grupit te mesuesve sa afrohej kolegia e tyne Fitorja. Çkado me kenë tue fole mesuesit nderveti, sa afrohej kolegia e tyen Fitorja menjihere ndrrohej tema, kputej ne mes e qeshuna dhe nji nga nji të tanë mesuesve u kujtohej se kishin harrue pa krye ndonji gja, kush me shkrue diçka në ditar e kush me rishikue edhe njihere korrigjimet e provimit…Mesuese Fitorja që e kish të shoqin të madh në Degën e Brendshme jo vetem qe nuk bezdisej nga kjo gja por mesa kishim verejte ndjente knaqsi prej frikës që ngjallte. E shijonte pushtetin e dhanun prej të shojt…Pushtetin qe ia jepte Dega e Brendshme…

Dega e Brendshme…ishte ajo siperfaqja e rrethueme me plepa mbrenda mureve te nalta, ne lagjen “Partizani”. Me oborrin aq të frikshem sa na dukej sikur edhe ajri i qytetit druhej me hy mbrenda atyne mureve të Deges. Edhe ajri druhej me hy aty sepse kushdo qe hynte aty nuk mund delte ma i lirë…Edhe ajri ngjante sikur donte me ike prej aty. Këtë bindje frike e perforconin edhe plepat mbrenda oborrit te Degës që tanaherat dukeshin si të vyshkyn, sikur nuk kishin ajër sa duhet. Malsoret me ate mekanizmin e tyne mbijetues ia kishin ndrrue emnin Deges tue krijue eufemizmin “Te Plepat”…”Rri se po te çojmë te Plepat.” – ishte kercenimi që i bante femijet me u palue në gjume pa ba fjalë…
Njatë friken e femijeve qe paloheshin ne gjume sa u permendeshin Plepat ma kujtonte nxitimi i mesuesve sa afrohej kolegia Fitore…Edhe faj nuk kishin me u drue se i shoqi i saj ish i madh te Plepat…
Si gjithëherë në heshtje u hap dera dhe mesuese Fitorja shkoi te tavolina e saj. Bani apelin tue u talle me secilin nga nxanesit qe ia thirrte emnin, “Fatmir, pse ia shpie bukën dëm familjes?”, “Artan kur i ke larë sitë herën e fundit?”, “Hana na ke sjellë ndonjë morr sot ne klasë mo?”…

Mbas apelit mesuesja nxori fletoret nga çanta, kishte ba korrigjimin e hartimit te fundit…
Nji nga nji ngriti ne kambë secilin tue i diftue gabimet qe kishin ba… kur mbrrini nga mesi i kapicës se fletoreve thirri Hanën që e talli per morrat kur bani apelin…

-“Hana fletoren e hartimit tënd e kam hapur gjithë frikë se mos kishte ndonjë morr brenda.”
Heshtje…vetem nja dy vajza qe njiheshin si servile te mesueses provuen me qeshë por e qeshuna e tyne ishte ma shume si kuisje bushtrash. Shumica e klases u ndie keq…U ndiem keq sepse na e dinim qe e Ama e Hanës vuente nga nje semundje e randë dhe kishte muej qe ishte e shtrueme ne spital ne Tiranë. Edhe i shoqi i saj kish mbetë atje me gruen e femijet kishin mbete mbas se keqi. Ishin gjashtë fmijë, 5 vllazen e nji moter dhe Hana në klase te peste ishte e vetmja femen ne atë shpi…Kush me u kujdese per ta!? …Normal qe kishin me i mblue morrat. Jetonin ne nji nga katundet rreth qytetit, asokohe katundet ngat qytetit shkonin ne tetevjeçare ne qytet dhe u duhej me ba disa ore në kambe perditë, dimen dhe verë, shi e borë, hangër e pa hangër… Por keto gjana nuk i hynin në sy mesuese Fitores qe tallej pashpirtesisht me Hanën e shkretë pse ia patën gjete nji morr nji dite kur banë kontrollin e pastertise ne shkolle.

-“Hanë, pse e ke shkruar prapë “Uki” në vënd që të shkruash “Ujku?…Moj kafshë po sa herë të kam thënë mesohu te shkruash me mbaresën “u” aty ku është mbaresa “i”?”

Hana si duket e fyeme sa nuk mbante ma nga permendja e morrave, u ngrit e i tha :
-“Msuese na “uki” i thom kendej ka Malsia. Ju prej poshti i thoni “ujku” punë per ju, vazhdoni me i thane “ujku”, nuk u detyrojme me e thane si na. Secili ta mbajne te vetën.”

E pamësueme me ndigjue kundershtime, mesuesja u shtang…per disa sekonda u bukos dhe nuk diti se çka me thanë. Mbasadnej si tanë njerezit qe kane pushtetin e krijuem me frikë, u turr drejt bankes së Hanës. Rresht per disa minuta kercitën shpullat ne faqet e Hanës.

-“Moj maloke e trashe…kujt ia thua atë ti moj?, Ore o të bej une ty njeri o do të ta nxij jetën.” – ulerinte mesuejsa qe e kishte humbe fillin…
-“Perzo kur të duesh nisja se ma zi se e kam jeten s’mundesh me ma nxi.” – ia ktheu Hana…Fyemja e mesueses ia kishte prekë ndonji nerv dikund çikës malsore sepse edhe mbas tane atij rrebeshi shputash, ajo nuk po nxirrte pikë loti.
Fap, fap, fap…u shtuen shputat…

-“Do të të ngordh në dru moj korbë derisa të thuash “Ujku” – ulërinte mesuesja…
-“O pasha Tyrben e Shkelzenit edhe në kopsh si krypa në prush njet se kam me i thanë ndryshe veç “Uki”…Ti kur të duesh kop.” – ia ktheu Hana e mbledhun grusht…

Ulërimat e mesueses jehuen në tanë shkollën :
-“Çfarë bëj une këtu me keta njerez të trashë mor aman? Kemi ardhur nga ane e anes burrë e grua per t’iu qytetëruar…Dhe as per nder nuk na e dini…Malokë të trashë.”
Dhe breshni i shpullave vazhdonte tue ra në faqet e Hanës…U hap dera e klases dhe hyni drejtori…
-“Mesuese Fitore çka është problemi?”
-“Ik qërohu birbo…edhe ti si këta je.”
Drejtori kishte ngri ne derë…as ishte ai qe rrinte as ai qe ikte. Mesuesja vazhdoi me e rrahë Hanën derisa iu lodhen krahët. E Hana tane kohën nji pikë loti se qiti…
***
Do kujtime në jetë njerit i shkaktojne plagë në shpirt…plagë që me kohe sherohen por që lanë mbrapa vragë që nuk zhduken kurrë sa të jesh gjalle… E tillë ka mbetë edhe vraga e njasaj dite të nxime në nji stinë pranvere… edhe shtatëqind vjet me rrnue sa herë ndiej dikënd që flet gjuhen letrare mue gjaja e pare që më bjen në mendje asht ajo ditë…/KultPlus.com

Merr formë busti i Mid’hat Frashërit, që do të vendoset në Tiranë

Në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit eshtrat e atdhetarit Mid’hat Frashëri do të kthehen në atdhe, pasi prehen tash e 69 vjet në New York, aty ku rilindësi vdiq, më 3 tetor të vitit 1949.

Për këtë arsye, Qendra Kombëtare e Riprodhimit të Veprave të Artit po punon për të pasur gati bustin në nder të Mid’hat Frashërit, raportojnë mediat shqiptare, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Me gjithë kalvarin e gjatë të Mid’hatit, më në fund u kthye tek nëna që e mbrujti dhe që e edukoi me këto ideale kaq fisnike. Ministria e Jashtme bashkë me Kryeministrinë dhe me përpjekjet e pashoqe të Uran Butkës e Tomas Frashërit, u bë e mundur që duke negociuar me shtetin amerikan, kockat e tij të vijnë nga Amerika e të prehen këtu”, ka thënë Agim Rada, drejtor i Qendrës Kombëtare të Riprodhimit të Veprave të Artit.

Busti i Mid’hat Frashërit do të vendoset krah vëllezërve Frashëri tek Kodrat e Liqenit në Tiranë, në një ceremoni të veçantë, që është paralajmëruar të mbahet më 12 tetor./ KultPlus.com

Vithkuq, punohet për restaurimin e çatisë së kishës së Shën Gjergjit

Në kishën e Shën Gjergjit, Vithkuq vazhdojnë punimet e fazës së parë. Restaurimi i çatisë do të shmangë rrezikun e lagështirës dhe e sjell objektin më qartë në tipologjinë e tij.

Mbas përfundimit të punimeve në çati, do të ndërhyhet në tavanin e kishës dhe pikturën murale, bën me dije DRKK Korçë.

Vithkuqi ka 24 kisha. Ai zë vend të veçantë në Shqipëri, jo vetëm për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe zbukurimin.

Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Kryeëngjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait, Shën Gjergjit, e shumë të tjera, kisha, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije, sesa predikime e ide fetare. /KultPlus.com

Sot shënohet Dita e Respektit

18 shtatori shënon Ditën e Respektit. Kjo ditë është themeluar me qëllim që t’i shtyjë njerëzit që të përqendrohen më shumë në mënyrën se si ata mund të respektojnë të tjerët.

Kjo përfshin që t’u kushtoni më shumë vëmendje të dashurve tuaj, mirëpo në përgjithësi merret si një arsye shtesë që t’i trajtoni njerëzit me mënyra më të sjellshme. Nuk ka ndonjë rregull mbi të cilin kjo ditë shënohet, kjo gjë varet nga ju, rrethi dhe nevojat tuaja.

Mund të vizitoni ndonjë të afërm tuajin, apo ta nxirrni partnerin për darkë.

Natyrisht, respekti është diçka që duhet të na shoqërojë gjithë vitin, por kjo ditë duhet të ju frymëzojë që të mendoni më shumë se si silleni me njerëzit rreth jush./KultPlus.com

Hapet ekspozita “Unë jam shqiptar”

Sot në Muzeun Arkeologjik në Prizren, u hap ekspozita me fotografi “Unë jam shqiptar”, që ka për protagonistë shqiptarët nëpër botë që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme.

Ekspozita u hap nga arkeologu Vesel Hoxhaj, i cili tha se kjo ekspozitë është aktivitet i kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës Shqipërisë, transmeton kp.

Ministrisë së Kulturës, foli Samir Hoxha, i cili tha se kjo ekspozitë që hapet sot në Prizren, është një ndër aktivitetet të cilat janë zhvilluar për nder të 550 vjetorit të vdekjes së heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

“Ekspozita që po hapet sot në Prizren, është një kontribut i çmuar i dy institucioneve të Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore në të dyja anët e kufirit, në lartësimin e figurave të rëndësishme historike por edhe atyre të kulturës, artit, letërsisë, sportit dhe personaliteteve të tjera kombëtare që emigruan shekuj më parë në vende të ndryshme të botës. Por edhe përkundër këtij fakti ata në asnjë moment nuk e harruan vendin e origjinës, kombin dhe vendin e tyre dhe në ç’do rast e potencuan faktin dhe lartësuan identitetin e tyre kombëtar duke thënë se ‘Unë jam shqiptar”, tha Hoxha.

Hoxha po ashtu tha se ky aktivitet duhet të jetë si shembull që secili të japë kontributin e tij për ndriçimin e historisë dhe personazheve që e kanë bërë këtë histori. Ai ka njoftuar që brenda disa ditëve një pjesë e Ministrisë së Kulturës do të bartet në Prizren.

“Brenda pak ditëve në Prizren do të bartet një pjesë e Ministrisë së Kulturës dhe veç qytet universitar, Prizreni po bëhet edhe qytet i institucioneve të republikës së Kosovës” tha Hoxha.

Hoxha tha se MKRS-ja do të vazhdojë të përkrahë aktivitete të tilla./KultPlus.com

Arkitekti Francisco Adão da Fonseca vjen në Festivalin e Arkitekturës në Kosovë

Në kuadër të Festivalit të Arkitekturës i cili mbahet çdo vit në Kosovë, kësaj radhe vjen arkitekti Francisco Adão da Fonseca, përcjellë KultPlus.

Francisco Adão da Fonseca është arkitekt dhe MSc nga Delft University of Technology, drejtimi i arkitekturës. Anëtar i Shoqatës Holandeze të Arkitektëve dhe Urdhrit të Arkitektëve në Portugali. Ai bashkëpunoi me Leembouw Nederland në studimin e teknikave të ndërtimit të energjisë së ulët (2004-09). Në vitin 2010 e themeloi Skrei Lda, i cili sot është një studio udhëheqëse në fushën e arkitekturës së qëndrueshme në Portugali.

Skrei filloi punën e tyre në vitin 2009 me një hulumtim mbi cilësitë e materialeve të papërpunuara që mund të gjinden në Portugali. Duke eksperimentuar me materiale dhe vegla ndërtimi, Skrei ishte në gjendje të zhvillonte materiale specifike dhe filloi ti implementoj veprat e veta arkitektonike. Skrei u shndërrua në një punëtori arkitektësh të specializuar në ndërtime eksperimentale ku teknikat e ndërtimit dhe të zejtarisë janë kombinuar me inxhinierinë e sofistikuar për klientët e rafinuar. Praktika arkitekturore e Skreit bazohet në një marrëdhënie të ngushtë midis projektimit, ndërtimit dhe prodhimit kulturor. Është një qasje që tregon se si materialet mund të inkorporojnë njohuritë dhe se si kjo njohuri mund të jetë instrumentale në përcaktimin e praktikës së arkitekturës.

Skrei u themelua nga Pedro Jervell dhe Francisco Adão da Fonseca. Dy arkitekt portugezë, të diplomuar ngaArchitectural Association dhe Delft University, fillimisht u drejtuan në mjedisin e ndërtuar për shkak të “fizionomisë së thjeshtë të gjërave” dhe “ankesës naive të formës”. Shpejt, ata e kuptuan se janë format dinamike të padukshme ato që japin forma dhe janë shumë më interesante – politika dhe ekonomia, teknologjia dhe mjedisi, arsimi dhe pushteti, ata shkëmbyen gjërën e realizuar për procese.

Fonseca vjen për të ligjëruar në Kosovë në kuadër të festivalit të arkitekturës më datë 21 shtatorë duke filluar nga ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

‘Gardhi’ i Lendita Zeqirajt pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘Hamptons’

Filmi “Gardhi” me regji të Lendita Zeqiraj i cili ka triumfuar në Palm Springs si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR, tashmë është përzgjedhur për të qenë pjesë e Festivalit të 26-të të filmit ‘Hamptons’, shkruan KultPlus.

Festivali mbahet nga data 4 deri më 8 tetor.

“Ne jemi të ngazëllyer për të zbuluar se ‘FENCE’ nga Lendita Zeqiraj është përzgjedhur për të qenë pjesë e Festivalit të 26-të vjetor të filmit Hamptons, i cili do të zhvillohet nga 4 tetori deri më 8 tetor”, kanë njoftuar në faqen zyrtare te filmit në Facebook.

‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës.

Në këtë film luajnë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina. / KultPlus.com
http://shortfilmfence.com/fence-hamptons-international-film-festival/

Së shpejti ‘Takimet e Dom Mikelit’, përurohet edhe busti i Skënderbeut

Për të 29-tën herë me radhë organizohet manifestimi kulturor, letrar e shkencor “Takimet e dom Mikelit”, që do mbahen në Stubëll të Vitisë.

Data 22 shtator do të mbledhë në Stubëll një numër të madh të krijuesve e studiuesve për pjesëmarrje në manifestim, sikundër dhe të figurave të larta të jetës publike tek ne.

Në akademinë shkencore, do trajtohet figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në 550 vjetorin e kalimit në amshim. Hë për hë, opinioni do njihet me kumtesat e studiuesve kompetent, si të: Jahja Drançollit, Antonio Belushit, Lucia Nadinit (Itali), Muzafer Bislimit (Shkup), Mark Palnikaj (Tiranë), Erenestina Halili – Gjergjit (Tiranë). Në këtë përvjetor do bëhet dhe përurimi i bustit të Skënderbeut, vepër e Agron Bytyqit.

Në kuadër të akademisë, me rastin e 170 vjetorit të kthimit në atdhe të martirëve të Malit të Zi të Shkupit, të internuar të Muhaliq të Turqisë (1846-1848),vjen historia e tyre, sa tronditëse, po aq madhështore, përmes kumtesës së studiueses së mirënjohur franceze, Odette Marquet. Në fakt, organizatori, bën botimin e një vepre të veçantë të kësaj studiueseje për historinë në fjalë, me titull: “Persekutimi i shqiptarëve të Malit të Zi të Shkupit (Stubëll, Binçë, Vërnakollë dhe Terziaj) në shekullin XIX sipas burimeve franceze”. Janë një sërë dokumentesh në gjuhën frënge (të përkthyera dhe në gjuhën shqipe) që prezantohen në këtë libër. Autorja, së shpejti, del dhe me botimin e një vepre tjetër në gjuhën frënge, për këtë dramë të historisë së popullit tonë.

Krijuesit nga mbarë trevat shqiptare, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Orën e Madhe Letrare, e cila ka karakter garues.

Këngë, kushtuar Skënderbeut -Kryezotit të Arbërisë (siç shprehet organizatori), vijnë përmes zërit kumbues të Shkurte Fejzës, ndërkaq ansambli “Albafolk” nga Gjilani, do performojë disa valle arbëreshe. / KultPlus.com

Shpresa e të rinjve dhe budallallëku i të rriturve

Nga: Pier Paolo Pasolini
Përktheu: Elona Caslli

Në të vërtetë skema e krizës së të rinjve nuk ndryshon kurrë.
Ajo ndërtohet në çdo brez. Të rinjtë janë qënie të adhurueshme, plot me fuqinë ushqyese dhe ende të virgjër të shpresës dhe të vullnetit të mirë.

Ndërsa të rriturit në përgjithësi janë trutharë, të shndërruar në harbutë dhe
hipokritë të tjetërsuar nga institucionet e shoqërisë, ku janë rritur
dalëngadalë dhe po aq ngadalë janë mbërthyer prej tyre.

Mendimi im është paksa piktoresk dhe e di këtë, por për fat të keq gjykimi
që mund të japësh për një shoqëri si kjo e jona është pak a shumë ky:

Ju të rinj keni vetëm një detyrë.

Ju duhet të racionalizoni budallallëkun që ju japin të rriturit, me hipokrizitë
e tyre solemne dhe institucionet e tyre të rrënuara dhe fraksioniste.

Për fat të keq, pjesa më e madhe prej jush, kapitullon. Sapo ingranazhi i
nevojave ekonomike ju mbërthen, fillon tjetërsimi.

Mund të arratiseni nga kjo gjë vetëm përmes një ushtrimi kokëfortë dhe të
egër të inteligjencës dhe shpirtit kritik.

Tjetër gjë nuk mund t’ju këshilloj.

Sepse, nuk dua ta bëj tërkuz dhe t’ju mërzis./KultPlus.com

A duhet ndrydhur dëshirat?

Mos u përpiquni t’i ndrydhni, eliminoni dëshirat tuaja, sepse do të rrezikonit të bëheshit apatik. Do të privoheshit nga energjia dhe kjo do të ishte e tmerrshme. Dëshira, në kuptimin e shëndosh të fjalës, është energji, sa më tepër që të kemi energji, aq më mirë. Prandaj mos i ndrydhni dëshirat, kuptojini. Kuptojini. Mos u përpiquni aq shumë t’i realizoni dëshirat, mjafton që t’i kuptoni.

Mos hiqni dorë thjesht nga objekti i dëshirave tuaja – kuptojini, shikoni në dritën e tyre të vërtetë.

Shikoni çfarë është vlera e tyre e vërtetë. Sepse, nëse përqendrohemi në atë që ta ndrydhim dëshirën tonë, duke u përpjekur të mohojmë objektin e dëshirave, me siguri do të mbetemi të lidhur për të. Në të kundërtën, nëse e vëzhgojmë dhe e shikojmë se sa ajo vërtetë ka vlerë, nëse e kuptojmë, nëse na e hap rrugën drejt palumturisë, zhgënjimit dhe depresionit vetëm atëherë dëshira shndërrohet në atë që e quajmë “ajo të cilës i japim përparësi”.

Kur jetohet për atë që i japim përparësi, duke mos lejuar që lumturia jonë të varet nga ajo, vetëm atëherë jemi me të vërtet të zgjuar. Të nisemi drejt gjendjes së zgjimit. Zgjimi, lumturia – quajeni si t’ju përgjigjet – është gjendje e mungesës së iluzioneve, gjendje në të cilën gjërat nuk shikohen përmes prizmës së asaj se çka jemi dhe si jemi, por çfarë janë ato, në atë masë në të cilën kjo është e mundshme për një qenie njerëzore.

Hidhni iluzionet, shikojeni botën rreth vetes dhe më në fund do të shihni realitetin, do të jetoni.

Sa herë që jemi të palumtur, diçka i është shtuar realitetit. Kjo kundërvënie na bënë të palumtur. Përsëris: ju jeni përgjegjës për këtë, ju keni shtuar diçka, reaksioni negativ është brenda jush./KultPlus.com

–Anthony De Mello , “Zgjimi i inteligjencës”

250.000 persona morën pjesë në “kërcimin e paqes“ në Biennale (VIDEO)

Mijëra njerëz morën pjesë në edicionin e 18-të të Biennales, në qytetin francez të Lyonit.

250.000 persona dolën në rrugë për të parë “ kërcimin e paqes “.

Latifa Ibn Ziaten, krijoi një organizatë për paqe pasi u vra djali i saj nga Mohammad Merah. Ajo është e nominuar për çmimin nobel për paqe, e cila është nderi i këtij organizimi.

Pjesëmarrës të këtij eventi është edhe ish futbollisti francez, Lilian Thuram.

Thuram i cili është edhe aktivist kundër racizmit, është kumbara e Biennales, shkruan euronews.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme, sidomos sot, me gjithçka që po ndodh politikisht, qoftë në Francë apo në Evropë, për të bërë gjëra së bashku për faktin se ne mund të marshojmë e të kërcejmë dhe të denoncojmë diskriminimin, problemet e përjashtimit. .. edhe për besimin në të ardhmen, kam ndjenjën që na nevojitet”. /KultPlus.com

Nesër hapet kiosku turistik në Prishtinë

Për të gjithë turistët dhe vizitorët që kanë nevojë për informata tashmë do të hapet kiosku turistik në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Kiosku turistik do të hapet nesër prej orës 13:00.

Në kuadër të këtij pilot-projekti me PPSE Program Sëisscontact, që fillimisht do ta jetë si një lloj testi në këtë kiosku në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, janë mbledhur dhe prodhuar materiale të ndryshme turistike, një pjesë prej të cilave janë përpiluar enkas për info qendër.

Për këtë gjë ka njoftuar drejtori i kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova. / KultPlus.com

Metrofest synon të nxjerrë nga harresa dramën shqipe

Drejtorja e teatrit të Metropolit, Jonida Beqo, në një intervistë për ABC News pranon se drama shqipe neglizhohet dhe paragjykohet nga regjisorët. Ndaj, sipas Beqos, surprizimi nga dramat e arkivit të autorëve shqiptarë dhe mirëpritja e spektatorit bëri që të realizonin festivalin e dytë të dramës shqipe, Metrofest 2.

Drama shqipe, shpesh e lënë në harresë, apo e neglizhuar nga regjisorët, tashmë duket se krijuesit skenikë i kanë kthyer syte drejt saj. Teatri i Metropolit për vitin e dytë radhazi krijon festivalin, ku në qendër ka veprat e arkivit, pjesë që nuk e kanë parë kurrë skenën. Drejtorja e metropolit Jonida Beqo, thotë se entuziazmi i publikut i bëri që të vazhdonin kërkimin në këtë fushë me 5 vepra të reja.

Jonida Beqo, drejtore e Metropol: “Përgjigja që morën nga publiku dhe kërkesat ishin kaq të mëdha sa që e pamë me vlerë që të vazhdonim edhe në këtë edicion të dytë me një grup të ri veprash nga arkivat. Metrofest vjen sërish sivjet më 5 shfaqje që janë premiera, ndër të cilat vlen të përmendet “Rrajët që lëvizin” e Ernest Koliqit.”

Beqo thotë se dramaturgjia shqipe e cila fle në sirtare është e shumtë, ndaj ajo kërkon vëmendje dhe rizbulim si dhe një punë kërkimore nga regjisorët për të nxjerrë një shfaqje me vlera.

“Gjëja e parë që ne vëmë re kur hulumtojmë është që në fakt ka shumë dramaturgji shqiptare, e cila për një arsye apo një tjetër nuk është lëvruar përtej letërsisë. Por këto vepra duhen marrë, përshtatur, hulumtuar dhe si ti sillet një publiku bashkëkohor ka komedi, drama dhe çdo gjë në mes. Kemi më shumë komedi.”

Spektatori i grupmoshave të ndryshme e kërkon dhe e shijon veprën shqipe, sipas drejtores së Metropolit.

“Publiku i të gjitha moshave e do veprën shqiptare. I dhamë mundësi publikut që të shprehet pas shfaqjes. Kërkesa ishte shume e madhe dhe sivjet po bëjmë dy javë të plota. Publiku e pëlqen veprën shqiptare sepse aty e sheh veten më shumë se në çfarëdolloj vepre tjetër.”

Drama shqipe has në paragjykime të teatërbërësve, pasi sipas Beqos, ata kanë vendos korniza.

“Një nga paragjykimet është se nuk ka dramaturgji shqiptare përtej kornizës së socializmit, gjë e cila nuk është e vërtetë. Ka vepra që janë shmangur qëllimisht për këtë arsye.”

Tashmë në çdo sallë të Metropolit po punohet për shfaqjet që do të jenë pjesë e Metrofestit në fillim të muajit tetor./KultPlus.com

Rruga më e famshme në Hamburg vjen me një projekt të madh, i besohet arkitektit Përparim Rama

Arkitekti i suksesshëm nga Kosova, Përparim Rama i cili ka themeluar Grupin 4M në vitin 2004 , aty ku edhe ushtron rolin e drejtorit, po vazhdon suksesshëm me projektet e tij të një pas njëshme.

Grupi 4M janë aktivë në zhvillim, projektim dhe ndërtimi, që veprojnë jashtë zyrës në Londër, Prishtinë dhe Irlandën e Veriut.

Rruga më e famshme në Hamburg po sjellë një projekt ngazëllues dhe për këtë projekt është angazhuar pikërisht Grupi 4M i udhëhequr nga arkitekti kosovarë Përparim Rama.

Në këtë rrugët ata do të hartojë dy hotele.

Rama është shprehur i ngazëllyer për këtë projekt duke thënë së do të na mbajë të njoftuar në procesin e bërjes së tij.

“’The Sinful mile’, siç e përshkruan Wikipedia, ose St Pauli, rruga më e famshme në Hamburg e emëruar sipas një kishe akoma funksionale, është tani një projekt ngazëllues për ekipin tonë. 4M GROUP (www.4mgroup.co.uk) sapo i është kërkuar të hartojë dy Hotele këtu. Ne jemi shumë të ngazëllyer dhe do t’ju mbajmë të përditësuar në procesin e bërjes së tij”, ka shkruar Rama në Facebook. / KultPlus.com

Ukrainasja Elena Lushaku sjellë modele unike të aksesorëve, të gjitha punë dore (FOTO)

Jeta Zymberi

Ukrainasja Elena Lushaku, vajza e cila tashmë njihet për punën e veçantë që bënë në realizimin e aksesorëve të ndryshëm, po mahnitë çdo ditë e më shumë me modelet unike që po i sjellë në tregun tonë. Ajo realizon aksesorë të mahnitshëm, të gjitha punë dore. Këtë punë ajo ka 5 vite që e bënë dhe gjithmonë duke e drejtuar në rrugën e perfeksionizmit.

Ndonëse ukrainase por e martuar me shqiptar, ajo ka arritur të ambientohet me vendin tonë dhe t’i kuptojë se si rrjedhin gjërat këtu, çfarë kërkohet e vlerësohet.

Elena Lushaku

Ajo tregon për KultPlus se në Ukrainë e bëjnë këtë punë më shumë andaj një frymë të tillë ajo ka vendosur ta sjellë edhe në Kosovë.

Elena e ka përfunduar Fakultetin e dizajnit në Ukrainë në ‘Art School’ dhe shkollimin e saj ajo e shkrin në idetë për realizimin e aksesorëve të mrekullueshëm.

Pasioni i madh për punën që bënë, ja lehtëson asaj realizimin e punimeve “handmade” që janë të një lloji unik.

“Pavarësisht se kam dy fëmijë, gjej kohën dhe organizoj ditën në atë formë që të arrij objektivat e mija. Normalisht në këtë aspekt të angazhimit më ndihmon jashtëzakonisht edhe bashkëshorti im. Vështirësi ka, por kur ekziston motivi dhe vullneti, puna bëhet argëtuese”, ka treguar Elena për KultPlus.

Aksesorët të cilët ajo i punon janë nga më të ndryshmit, por më së shumti nga klientët ka kërkesë për qafore dhe broshë, sidomos në kohën e vjeshtës ndër më të kërkuarat janë broshë të llojeve të ndryshme.

“Kërkesat e klientëve janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga më të thjeshtat në kuptim të realizimit të tyre e deri tek ato me të ndërlikuarat apo edhe të veçanta si modele të cilat unë nuk i kam pas në koleksion, por që duke u mbështetur në përvojën time të gjatë të këtij lloji të punës dhe ndjesinë artistike kam kombinuar idenë e klientit dhe timen duke shpërfaq një punë tejet interesante dhe aksesorë mjaft të bukur. Kam pasur kërkesa ku vajzat për martesën e tyre kanë kërkuar të ju punojmë krehër për flokët ashtu si duket një buxhet me lule”, ka treguar ajo rreth kërkesave të ndryshme të klientëve.

Por, Elena nuk ka hezituar të na zbulojë edhe rreth mënyrës se si i realizon këto punime kaq unike.

“Këtu qëndron sekreti i suksesit, andaj nuk mund të jap çdo detaj (hahaha). Jo, realisht kjo punë është sfiduese ngase ka disa procedura të realizimit final. Së pari, duhet materiali adekuat që përbëhet nga polimeri, pastaj mjetet teknike që bëjnë përpunimin e aksesorëve duke i dhënë jetë dhe ngjyra. Ky lloj materiali duhet pastaj të piqet në furrë elektrike që të marr formë dhe qëndrueshmëri, pastaj të qëndroj jashtë disa minuta apo orë, të vendosen edhe disa detaje tjera për të pas produktin final, që padyshim se në fund është një aksesor i bukur për t’u parë dhe vendosur”, ka treguar ajo tutje.

Ajo është shprehur e kënaqur me punën që bën dhe kërkesat që i adresohen çdo ditë.

“Jam jashtëzakonisht e kënaqur me kërkesat e klientëve, fatmirësisht deri tash kam arritur që t’i plotësoj shumicën e dëshirave të tyre, të cilat janë vërtet të veçanta, ngas unë si një femër që vij nga Ukraina, kam gjet një tjetër shije të njerëzve këtu në Kosovë, që është shumë artistike”, është shprehur ajo.

Punimet e dorës janë më të komplikuara, andaj edhe vlerësohet përgjithësisht më shumë, ndërsa sa i përket rrethanave e kushteve ekonomike në Kosovë, Elena mendon se vlerësohen mjaftueshëm, por me raste edhe kënaqshëm, pasi që klientët paguajnë më shumë se çmimi real, ngase e vlerësojnë dhe kuptojnë punën e kësaj natyre.

Të punosh një punë të tillë është kënaqësi për Elenën, duke filluar nga detajet e vogla, vështirësitë e deri të finalizimi, por më së shumti ajo vlerëson fjalët e mira që i dërgojnë klientët pasi marrin porositë, kur e vlerësojnë punën me zemër.

Puna e Elena Lushakut funksionon online, punimet e saj ju mund t’i porosisni dhe do të ju adresohen shumë shpejt. Por nëse ajo ka menduar të hapë edhe një pikë shitëse diku në Prishtinë, ajo pohon që e ka menduar shpesh një gjë të tillë por për momentin duke e parë se bizneset e këtij lloji funksionojnë online, ajo do të vazhdoj të punoj në këtë mënyrë.
Elena shumë shpejtë do të ju befasojë edhe me modele të reja tejet unike. /KultPlus.com

Veliaj letër për nxënësit e Tiranës: Edukimi i zemrës është po aq i rëndësishëm sa mprehtësimi i mendjes

Sot nxënësit e shkollave të Tiranës kanë marrë edhe një letër frymezuese e me keshilla nga kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes së cilës ai u uron suksese për vitin e shkollor. Në fjalet e shkruara plot emocion per nxënësit, Veliaj thote se çdo vit i ri është një mundësi për t’i treguar vetes, familjarëve e miqve se me dëshirë e vullnet mund të kalojë çdo sfidë.

“Urime për vitin e ri shkollor, ty dhe 70,000 shokëve e shoqeve, të cilët sot kanë nisur ditën e parë të shkollës në Tiranë. E mbaj mend shumë mirë emocionin e ditës së parë të shkollës, padurimin dhe gëzimin. Çdo vit i ri është një mundësi për t’i treguar vetes, familjarëve e miqve se me dëshirë e vullnet mund të kaloni çdo sfidë. Por, mos harroni asnjëherë se edukimi i zemrës është po aq i rëndësishëm sa edhe mprehtësimi i mendjes. Ndaj, çdo sfidë e arritje ndajeni me shokët, mësuesit e familjarët. Në skuadër çdo sfidë zgjidhet më lehtë dhe çdo fitore është më e bukur”, shkruan Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizon se shumë nxenes kanë fatin qe këtë vit ta nisin ditën e parë në mjedise krejtësisht të reja, ndërsa jep lajmin e mirë se shumë shpejt Tiranës do t’i shtohen edhe 17 shkolla të reja, duke sjellë kushte më të mira e të përshtatshme për edukimin e tyre. “Teksa, shumë prej jush do të kenë fatin të nisin ditën e parë në mjedise të reja e moderne, si ato të shkollës “Kosova” që hapet këtë vit, shkollës “Ardian Klosi”, “Betim Muço” dhe “Hasan Tahsin” apo në shkolla me ambiente të rikonstruktuara, si “Dora d’Istria”, “Dëshmorët e Lirisë”, “Isa Boletini” e “Ismail Qemali”, nëpërmjet kësaj letre doja t’ju kërkoja ndjesë të gjithëve ju, të cilët do të duhet të prisni edhe fare pak kohë, derisa të vijojmë me ndërtimin e 17 shkollave të reja në vitet e ardhshme, për të siguruar kushte më të mira e të përshtatshme për edukimin tuaj. Nuk do neglizhoj asnjë minutë këtë vit, gjersa shkollat e reja me arkitekturë moderne e kushte optimale të jenë vënë në vijë”, shkruan Veliaj, teksa i fton ata që të japin sugjerimet e mendimet e tyre se si Tirana mund të bëhet një qytet më miqësor e më i jetueshëm.

“Mësoni të jeni së pari, nxënës të mirë dhe qytetarë të mirë, të jeni garancia për një Tiranë të zhvilluar nesër. Çdo çast në jetë është një mundësi që të njihemi me diçka të re e me vlerë: një libër, një miqësi, një ndihmë në komunitet! Teksa ju mësoni, duam edhe ne të mësojmë prej jush. Mezi pres t’ju takoj shumë prej jush në Bashkinë e Tiranës për sugjerimet e mendimet tuaja, se si mund ta bëjmë më miqësor e më të jetueshëm qytetin, si mund t’i ndërtojmë edhe më mirë këndet e lodrave e fushat sportive, apo se si të mund të mbjellim edhe më shumë pemë këtë vit apo të ndihmojmë më shumë njerëz në nevojë në mensat sociale”, thotë ai.

Në mesazhin drejtuar nxënësve të kryeqytetit, Veliaj i inkurajon ata që pas mësimit të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara në hapësirat e shkollave që shërbejnë edhe si qendra komunitare, apo në aktivitetet e shumta kulturore dhe sportive që organizohen në qytet. “Ju inkurajoj që, pas mësimit, të merrni pjesë në aktivitetet e organizuara në hapësirat e shkollave që shërbejnë edhe si qendra komunitare, apo në aktivitetet e shumta kulturore dhe sportive që organizohen në qytet, të cilat do t’ju ndihmojnë të formoni karakterin tuaj, si dhe të mësoni të punoni e krijoni në skuadër. Më e mira për ju dhe qytetin tonë është përpara. Jam shumë krenar për ju dhe mbetem fansi juaj më i madh. Forca dhe suksese të gjithëve”, e mbyll letrën e tij drejtuar nxënësve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj./ dita

Tri rregullat që Steve Jobs i ndiqte për të qenë kreativ

Disa ditë duket sikur truri nuk ju punon, kur është fjala për kreativitet. Ndjeheni të lodhur, jo kreativ, dhe asnjë sasi e kafeinës duket se nuk ju ndihmon.

Do të përqendrohemi te një ikonë moderne, çka bënte Steve Jobs në momentet kur ndjente një bllok mental?

Jobs ishte një mendje e adhuruar për kreativitet, i cili dukej se kishte përgjigje për çdo pyetje. Më poshtë janë tri gjëra që Jobs bënte për të ndihmuar kreativitetin:

Mendoni teksa ecni

Nuk është sekret që ushtrimet ndihmojnë një formë të shëndetshme të mendjes, po ashtu edhe të trupit. Jobs shpesh ecte për të qartësuar mendjen, dhe për të kërkuar momentin kur gjërat marrin kuptimin që kërkon.

Meditimi

Meditimi është më i vështirë se që tingëllon, mirëpo ka arsye që njerëzit më të suksesshëm në botë mbështeten në këtë praktikë paqësore për të mbajtur jetën në rend. Një nga ta ishte edhe i famshmi Jobs.

Krijoni një tjetër interes

Kjo mund të ju tingëllojë më shumë si shpërqendrim se një metodë për frymëzim, mirëpo Steve Jobs këmbëngulte se “kreativiteti është thjesht aftësia për t’i lidhur gjërat”./ 21 media

Fisi i Shalës sipas Robert Elsie

Robert ELSIE, Fiset shqiptare

Pozita e territorit të fisit

Rajoni i fisit të Shalës ndodhet në trevën e Dukagjinit, në veri të lumit Drin, në qarkun e tanishëm të Shkodrës, në Shqipërinë e veriut. Shala jeton në pjesën më të epërme të luginës së lumit Shalë, afer fshatit Theth, ku përfundon lugina, që rrethohet me malet e larta nga të gjitha anët. Shala kufizohet, sipas rajonit tradicional të fisit, në perëndim me Bogën, Shkrelin dhe Planin përtej maleve, në veri me Kelmendin matanë maleve, në lindje me Krasniqen dhe Nikajn përtej maleve dhe në jug me Shoshin. Ngulimet kryesore të Shalës janë: Abati, Bregluma, Gimaj, Lekaj, Lotaj, Ndërlysa, Nënmavriqi, Pecaj,Thethi dhe Vuksanaj.

Popullata

Emri Shala paraqitet në gjuhën italiane në raportin kishtar të Bonaventura di Palakolo nga Verçelli në Pied¬mont, më 1634. Ai e quante këtë rajon Sciala. Në raportin e tij kishtar, të vitit 1671, vizitori papnor në Shqipëri, Pjetro Stefano Gasparini, e përdori fjalën Sala dhe shënoi:

“Në këtë anë të malit Agri, në fund të Pulatit të Epërm, gjendet fshati i Shalës, që përbëhet nga 32 shtëpi dhe 20 frymë. Ata janë të fortë dhe të armatosur, si me kushtet fizike ashtu edhe me pozitën e tyre janë tërësisht të pavarur. Ata i sulmojnë pareshtur rajonet fqinje turke dhe pothuajse, gjithmonë kthehen si ngadhënjyes.

Në hartën e vitit 1688, të hartografit venedikas, Francesko Maria Koronelli, ky truall quhet Scialia. Ai, në hartën e vitit 1821, të diplomatit francez Ygë Pukvill, paraqitet edhe si Scialia. Thuhet se ky term ka të bëjë me fjalën shqipe shalë, shalësinë, që do të thotë “tokë jopjellore dhe e thatë“. Por ky shpjegim nuk është aq bindëse nga pikëpamja etimologjike, sepse Shala është një ndër vendet e pakta në malet e veriut që është e pëlleshme dhe nuk është e thatë.

Shala është një fis që përbëhet nga një bashkësi që është e vetëdijshme për lidhjet e përbashkëta të gjaku, të historisë dhe të stërgjyshit.

Shala ka lidhje të ngushta me fisin e Shoshit. Te dy fiset janë kryesisht katolike dhe nuk kanë lejuar që të vendoset asnjë mysliman në luginë. Mbrojtësi i shenjtë i Shalës është Shën Gjoni, Evangjelisti, festa e të cilit kremtohet më 27 dhjetor. Megjithatë, siç ishte edhe rasti me fisin Nikaj, shumë pjesëtarë të fisit u kanë dhënë fëmijëve emra myslimanë. Famullia katolike e Shalës është themeluar më 1763, ndonëse disa herë është braktisur gjatë historisë. Fisi Theth është bërë famulli e pavarur më 1892.2
Shala e kremton edhe festën e Shën Mikelit, më 29 shtator, me prerjen dhe pjekjen e një dashi në hell. Para darkës, në vigjilje të festës së Shën Mikelit, në meshë ndizet një kandil dhe pas lutjeve shtrohet darka për nder të të shenjtit. Dikush nga familja duhet të bëjë roje tërë natën deri të nesërmen, për të siguruar që kandili të mos shuhet.

Nëse shuhet kandili, atëherë fati i lig do ta njollosë tërë familjen. Në: “Informata të shkurtra për fiset e Shqipërisë së veriut, veçanërisht të Malësisë së pavarur“, të botuar më 1841, Nikollai, Princi i Vasojeviqëve, pohon se Shala ka një popullatë prej 4000 banorësh,prej të cilëve 1000janë burra të armatosur.3 Hajsint Hekardi, në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë, raportonte se Shala kishte 275 shtëpi dhe 2500 banorë. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, thuhet se kjo trevë kishte 3000 banorë.4

Inxhinieri austriak, Karl Shtainmetc, i cili në gushtin e vitit 1903, i ka bërë vizitë rajonit të Shalës, ka lënë këtë vërejtje:

“Shala është fisi më i fortë dhe më i njohur në Malësinë katolike. Përbëhet nga 500 shtëpi dhe afro 4500 frymë.
Anëtarët e këtij fisi u përmbahen me një saktësi të madhe gjakderdhjes dhe tokave të yjetra. Dëshmia më e mirë për këtë janë ndërtesat e shembura të cilat i pashë derisa po kaloja rrugën nëpër këtë territor. Ky fis i ka lidhjet e ngushta me fisin e Shoshit, i cili jeton në pjesën jugore të luginës. Në tërë këtë luginë ka tre misionarë: njëri është në Abat, tjetri në Shosh dhe i fundit, që nga viti i kaluar, në Theth. Bajraktari i Shalës jeton në Pecaj, në truallin e Abatit.“5

Tani në Kosovë, pjesëtarët e fisit të Shalës janë të përqendruar kryesisht në rrethinat e Mitrovicës dhe të Trepçës, në rajonin kodrinor që i thonë Shala e Bajgorës. Bajgora është ngulimi më i madh i tyre, meqë ka 37 vendbanime. Ata ndahen në 4 klane ose vllazni: Gima, Peci, Maleti (ka farefisni me fisin Lotaj në Shqipëri) dhe Lopçi. Po kështu ka një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të fisit të Shalës në Isniq, te Lluka e Epërme dhe në Strellcin e Ulët afër Deçanit, në Ujëmirë në lindje të Klinës, në Kopiliqin e Epërm në Drenicë, në Rakosh dhe Çitak në Podgor dhe në disa fshatra të tjerë të luginës së epërme të Lepencit. Ç eshtë e vërteta, në numra më të vegjël, ata janë të pranishëm në mbarë Kosovën. Shumica e tyre e kanë ruajtur ndjenjën e përkatësisë fisnore.

Legjendat për fisin, stërgjyshërit dhe historia

Stërgjyshi legjendar i fisit të Shalës quhej Zog Diti, i biri i Dit Murrit dhe nipi i Murr Detit, i njohur po ashtu si Murr Dedi. Vëllai i Zog Ditit, Mark Diti, ishte stërgjyshi i fisit të afërm të Shoshit, ndërsa vëllai i tij, Mir Diti, konsiderohej si i pari i fisit të Mirditës.

Sipas një tradite tjetër orale, të ngjashme me këtë, stërgjyshi i parë i Shalës quhej Nik Gjeku, i biri i Gjek Murrësit dhe nipi i Murr Dedid. Nik Gjeku pati katër djem: Pec Nika, Lot Nika, Lek Nika, dhe Ded Nika. Tre të parët themeluan ngulimet në Pecaj, Lotaj dhe Lekaj. Pasardhësit e Pec Nikës, më vonë, themeluan disa vendbanime me emrin pak të ndryshuar, Nicaj.

Mirëpo, ndonëse kjo traditë nuk është aq e njohur, tradita orale e përshkruan Shalën me prejardhje nga një individ i quajtur Bal Shiroka.

Shala përbëhet prej katër bajraqeve: Thethi, Pecaj, Lothaj dhe Lekaj; tre bajraqet ishin ndarë rreth vitit 1530. Të tjerët e ndajnë Shalën në tre bajraqe: vet Shala në lindje të bregut të lumit Leshnica, Gimaj dhe Thethi; këto dy fise të fundit nganjëherë konsiderohen si fise të pavarura.12 Edith Durhami, bie fjala, shkruan se bajraku i Thethit përbëhet prej 180 shtëpive.13 Edhe bajraku i Gimajt, zakonisht, konsiderohej si pjesë e Shalës, por herë pas here e konsideronte vetën të pavarur.

Shaljanët njihen në mesin e fiseve malësore për dinakëri dhe dredhi, ashtu si thotë fjala popullore “Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpnia e Thaçit”./ KultPlus.com

“Rruga e portave”, destinacioni që ruan traditën shekullore (FOTO)

Rehova, një prej perlave të Kolonjës dhe një thesar ende i pazbuluar është destinacioni turistik i cili ofron për vizitorët traditën, historinë dhe mikpritjen.

“Rruga e portave”, është destinacioni i veçantë që ruan gjurmët e traditës shekullore të Rehovës.

Në pjesën e vjetër të fshatit Rehovë shihet “Rruga e Portave” ku një nga gjërat karakteristike që vihet re lehtësisht janë portat e shtëpive në rrugët me kalldrëm, të cilat në një pjesë të madhe të tyre ruajnë karakteristikat e punimit nga mjeshtrat rehovarë si dhe kohën kur janë ndërtuar, që daton deri në fillim të shekullit 20.

Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.

Rehova piktoreske, e cila shtrihet në rrëze të malit të Gramozit, është përzgjedhur në 100 fshatrat model dhe do krijoj të njëjtin itinerar si Voskopoja, duke i dhënë këtij fshati një zhvillim të ri turistik e ekonomik, përmes rijetëzimit të vlerave që mbart si për turistët vendas por dhe për turistët e huaj./ KultPlus.com

“Kah del fjala, del shpirti”

Fjalë të urta nga Shkodra.

Mos merr grue e buej në dhe t’huej.
Shqiptari për mik djeg shpinë.
Këpuca e huej të vret kamën.
Bane kishën? Thuej edhe meshën.
Ka le tuta para njerit.
S’bjen gjithnji dymbdhetë sahati.
Kah del fjala, del shpirti.
Dera e burgut çilet,dera e vorrit s’çilet.
Plaku e ka qefinin nën sjetull.
I vorfni ka thesin e shpuem.
Vriten buajt e shkelen bretkocat./ KultPlus.com

Piktorë shqiptarë dhe të huaj, me ekspozitë në qytetin e Ulqinit

Kolonia e piktorëve figurativë ndaloi në qytetin piktoresk të Ulqinit. Në këtë Koloni morën pjesë rreth 40 piktorë nga rajoni i Ballkanit: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shkupi, Serbia, të cilët edhe këtë vit qytetin e Ulqinit dhe rrethinat, si një ndër vendet më të frekuentuara dhe ndër pikat më të rëndësishme turistike të rajonit, që zotëron një pasuri të madhe historike-kulturore me arkitekturë romake, gotike dhe orientale.

Masivet malore dhe kodrinore, si dhe fusha pjellore, në juglindje dhe lindje të qytetit, krijuan një fushëpamje mbresëlënëse për piktorët figurativë, të cilët hodhën në telajo muzën e tyre të frymëzimit.

Kolonia e Piktorëve “Ulqini në telajo” rrit bashkëpunimin mes artistëve të rajonit tonë me qëllim promocionin e vlerave më të mira arkitekturore, të peizazhit të veçantë, por edhe të punës artistike të vetë artistëve pjesëmarrës.

Kjo koloni realizohet për të tretin vit, që nga 2014-a, falë bashkëpunimit të frytshëm të Institutit të Librit dhe të Promocionit – Tiranë dhe Komunës së Ulqinit, përfaqësuar nga Organizata Turistike e Ulqinit.

Në vijim të këtij sezoni dhe të tjerë artistë më parë nga Shqipëria kanë qenë pjesë e jetës artistike të qytetit të Ulqinit. Këtë edicion mori pjesë dhe piktori Pashk Përvathin dhe të tjerë autorë nga Shqipëria.

Ky rrugëtim i piktorëve të huaj dhe shqiptar në Ulqin u zhvillua nga data 12 deri më 16 shtator./ KultPlus.com

Hapet ekspozita “Dokumentet Osmane nga Shekulli XVIII-XX të Gjetura në Komunën e Prizrenit”

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren organizon ekspozitën me temë “Dokumentet Osmane nga Shekulli XVIII-XX të Gjetura në Komunën e Prizrenit”, nga autorja Mediha Fishekçiu, përcjell KultPlus.

Ekspozita “Dokumentet Osmane nga Shekulli XVIII-XX të Gjetura në Komunën e Prizrenit”, synon prezantimin dhe përhapjen e thesarit të pasur të dorëshkrimeve dhe aseteve të trashëgimisë së luajtshme të trashëguara nga Periudha Osmane.

Kjo ekspozitë hapet në kuadër të shënimit të Ditëve të Trashëgimisë Europiane.

Hapja bëhet më 20 Shtator 2018, duke filluar nga ora 18.00, në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës./ KultPlus.com