Albert Ajnshtajn dikur ka thënë: “Çdokush është një gjëni, por nëse e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për t’u ngjitur në një pemë, ai do ta jetojë gjithë jetën duke besuar se është budalla”.
Unë dua t’i drejtohem gjithë sistemit arsimor që ekziston. Dua të di nëse është krenar për gjërat që po bën. Ky sistem arsimor po i kthen miliona njerëz në robotë. Mos ndoshta kjo gjë i duket argëtuese? A e kuptoni se sa fëmijë ndihen si peshku në thënien e Ajnshtajnit? Ata ndihen si budallenj, bësojnë se janë të pavlerë, sepse nuk arrijnë dot ta gjejnë veten në një sistem arsimor që i pengon të mendojnë në mënyrë kritike, apo të krijojnë vetë diçka.
Nëse krahasoni një telefon të dhjetra viteve më parë me një telefon aktual, do të kuptoni se midis tyre ka një ndryshim të madh. Nëse krahasoni një makinë të dhjetra viteve më parë me një makinë të ditëve të sotme, do të kuptoni se midis tyre ka një ndryshim të madh. Mirëpo nëse krahasoni një shkollë të shumë viteve më parë me një shkollë aktuale, ndryshimi i vetëm është përmirësimi i kushteve. Mënyra si zhvillohet mësimi, koncepti se si duhet të jetë arsimi, thuajse ka mbetur i njëjtë.
Ne u themi fëmijëve tanë të mësojnë dhe të marrin sa më shumë dhjeta; u kërkojmë të mësojnë dhe ta ngrejnë dorën për t’u përgjigjur; i kërkojmë atyre të mësojnë gjëra që të tjerët i kanë shpikur, ndërkohë që vetë fëmijët tanë i mësojnë ato përmendsh, ashtu si robotët. Ne nuk kemi nevojë për një sistem arsimor që prodhon robotë. Ne kemi nevojë për të rinj që mendojnë në mënyrë kreative, kritike, si dhe që veprojnë në mënyrë të pavarur, por duke ruajtur aftësinë për t’u kuptuar sa më mirë me njëri-tjetrin.
Nëse një mjek do t’i jepte të njëjtën recetë 20 pacientëve të ndryshëm, rezultatet do të ishin tragjike. Atëherë pse ky sistem arsimor vazhdon të veprojë ende në të njëjtën mënyrë, duke nxjerrë një mësuese përpara minimalisht 20 nxënësve që shpjegon njësoj për të gjithë, ndërkohë që fëmijë të ndryshëm kanë kapacitete dhe ambicie të ndryshme? Nuk ka dy njerëz njësoj dhe këtë mund ta vini re edhe vetë, nëse jeni prind i dy fëmijëve. Ata nuk mendojnë njësoj.
Nuk kanë të njëjtat mënyra të mësuari. Ndërkohë, sistemi është i tillë që të dyve u ofron të njëjtën mundësi të mësojnë, sikur të dy fëmijët të ishin njësoj.
Dhe faji nuk është i mësuesve, sepse ata punojnë në një sistem që këto mundësi u ofron. Atyre nuk u jepen mundësi dhe të drejta të tjera të veprojnë ndryshe. Kurrikulat mësimore shpesh krijohen nga njerëz që nuk kanë mësuar një ditë të vetme në jetën e tyre.
Pse mendoni se sistemi arsimor në Finlandë po ecën më së miri? Ata kanë më pak orë mësimi, kanë më tepër mësues dhe këta të fundit përpiqen të mësojnë çdo nxënës sipas mënyrës se si ata arrijnë të mësojnë më shumë. Sistemi i tyre arsimor nuk bazohet mbi konkurencën, por mbi bashkëpunimin.
Unë dua që sistemi ynë arsimor të përshtatet me çdo nxënës, sepse nëse fëmijët e shkollave mund të jenë ndoshta 20% e popullatës së një vendi, ata janë 100%-ëshi i së ardhmes sonë. Unë dua që çdo fëmijë të mos ndihet më si ai peshku në thënien e Ajnshtajnit, të cilit i duhet të ngjisë pemën, por që sistemi të përshtatet me të dhe ai të ndihet një gjeni. / KultPlus.com
Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.
Në mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.
Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësishtë i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.
Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm ne luftën për liri dhe pavarësi.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit. / KultPlus.com
Në shoqërinë shqiptare të së kaluarës, drita e cigares së ndezur ka rrezatuar simbolikisht mesazhe të shumëllojshme.
Kur burrat rrugëtonin natën, mbanin ndezur duhanin dhe kjo tregonte se nuk ishin të përfshirë në veprimtari kriminale ose siç thuhej, “nuk i binin askujt në qafë”, “nuk shkonin në shtigje të liga”.
Madje, në mendësinë e shqiptarëve, “shkalla” e fortësisë së duhanit shprehte “shkallën” e burrërisë së burrave. Ata që pinin duhan të fortë konsideroheshin më të qëndrueshëm në mbajtjen e fjalës si dhe burra më për të qënë në krahasim me ata që pinin duhan më të butë.
Por, sipas mendësive mbisunduese, në shoqërinë tradicionale shqiptare ndezja e duhanit në rrethana të caktuara mund edhe ta ekspozonte burrin përballë keqbërësve, të cilët mund ta sulmonin për ta grabitur ose për ta vrarë, të nxitur nga motive të dobëta.
Për të ilustruar këtë ide mjafton t’i referohemi një kënge popullore, e cila me pak vargje i udhëzonte me zgjuarsi burrat, sidomos djemtë e rinj, të bënin kujdes me ndezjen e duhanit, sepse drita e tij mund t’i viktimizonte.
Mos ban dritë djal me cigare, Kam ba be me t’ba batare! Mos kërko djalë nëpër banë, Kan ba be t’duen me t’xanë!
Në shoqërinë tradicionale shqiptare gjendja emocionale shprehej edhe në mënyrat e komunikimit me cigaren. Cigarja krijonte korrelacione të caktuara me modele sjelljesh, me gjeste dhe sidomos me ndryshime të mimikës së fytyrës.
Një cigare e fikur në buzët e një fytyre të ngrysur shprehte një gjendje hidhërimi të skajshëm. Për njerëz të tillë thuhej se “duan të kalojnë helmin e hidhërimit me helmin e duhanit, por nuk munden”. Gjithashtu, cigarja në buzë shprehte simbolikisht shuarjen e shpresave për realizimin e një qëllimi të rëndësishëm.
Në shoqërinë tradicionale shqiptare kur martohej një vajzë, përgjithësisht të afërmit e saj, veçanërisht vëllai, paraqiteshin të brengosur në mjedise publike. Të afërmit e dhëndrit, veçanërisht vëllai, e shprehnin hapur gëzimin në mjedise publike të gjera.
Ndërkohë, drita e cigares bashkë me dritën e buzëqeshjes, me dritën e një fytyre të çelur shprehte gëzim dhe lumturi.
Mesazhe të tilla simbolike përcillen qartë edhe në vargjet e kësaj kënge popullore përmetare:
U nisçë e vajta për ujë, Gjeçë të vëllain e nuses, Me cigare të shuarë, Me buzë lëshuarë, Rrinte zemëruarë. U nisç e vajta për ujë, Gjeta të vëllain e dhëndërrit, Me cigare të ndezur, Me buzë të qeshur. /konica/ KultPlus.com
Drita e ëmbël e diellit në mëngjes është e pamëshirshme ndërsa zhytesh gjithnjë e më thellë në rehatinë e ngrohtë të çarçafëve tuaj, duke shpresuar dhe lutur që të mund të mblidhni energji për të mbijetuar gjatë ditës. Ju ndjeni peshën e botës mbi ju, ndiheni të lodhur duke menduar se si të merreni me dhimbjen tuaj, me eksperiencën tuaj të jetuar vetëm edhe për një ditë tjetër.
Por ju nuk jeni aspak vetëm në jetë, ju kërkoni guxim dhe forcë, edhe nëse keni frikë se zemra juaj do të thyhet. Sepse ndonjëherë edhe unë jam lodhur duke qenë kaq e fortë. Unë jam lodhur duke lejuar që mendimet e mia të brendshme të shpëtojnë nga qenia ime, duke bërtitur në mendjen time pa dalë kurrë nga goja ime. Jam lodhur duke pritur për përgjigje që nuk duket se vijnë kurrë.
Jam lodhur duke parë jetën time që kalon pafuqishëm para syve të mi. Jam lodhur nga kujtesat që e tashmja nuk është përgjithmonë, se një ditë fragmentet e jetës sime do të bashkohen dhe unë do të rizbuloj lumturinë. Jam lodhur duke dëgjuar banalitete, duke pranuar faktin se kur përpiqem të bëj diçka, pothuajse duket se nuk mund të gjej kurrë paqen që kërkoj. Jam lodhur duke qenë e sjellshme dhe e qetë kur jam inatosur. Jam lodhur nga zbutja e zjarrit në zemrën time, duke marrë frymë e qetë edhe kur dëshiroj të qaj me zë.
Jam lodhur duke buzëqeshur përmes lotëve, duke shpresuar se dikush do ta shohë dhimbjen time. Ndonjëherë jam lodhur duke qenë kaq e fortë. Shpresoj se do të zbuloni guximin të pranoni se jeni gjithashtu të lodhur. / meb.al / KultPlus.com
Nesër shënohet Dita e Mësuesit dhe emocionet në lidhje me këtë festë tashmë shihen te mësuesit, nxënësit, por edhe te familjet që brenda tyre kanë mësues, shkruan KultPlus.
Por një mësimdhënëse e matematikës nga Komuna e Ferizajt ka vendosë mos të festojë këtë festë, pikërisht për suksesin e dobët të nxënëseve kosovarë të treguar në testin PISA.
Nxënësit kosovarë të cilët janë vlerësuar
në këtë test kanë dalë më një test shumë të dobët, dhe Zoja Lohaj Konjufca,
duke iu referuar këtij testi, ka vendosë mos ta festojë këtë festë.
‘Jam mësimdhënëse, 7 marsin do ta festoj kur të kemi rezultate të mira në testin PISA’, ka deklaruar ajo. /KultPlus.com
Hapet klasa me mësim plotësues në gjuhën shqipe, në qytetin e Landshutit në landin e Bavarisë, transmeton KultPlus
Është bërë e ditur se në këtë qytet u hap shkolla shqipe, e cila iu ka bashkëngjitur shkollave të tjera në landin e Bavarisë, ku dhe pritën me 10-tra klasa të reja të hapen në këtë vit.
Hapja e kësaj klase ishte sukses i vazhdueshëm i LAPSH-it në Bavari, në përkrahje të Këshillave të Prindërve dhe prindërve, të cilët me punën e tyre serioze dhe me një përkushtim premtojnë se do të angazhohen për një sensibilizim sa ma të madh tek bashkëkombësi ynë mërgimtar, konkretisht për hapjen e klasave të reja me mësim plotësues në gjuhën shqipe në Bavari.
Hapja e shkollës në Landshut dëshmon interesimi e prindërve shqiptarë që kanë për fëmijët e tyre, që ta mësojnë gjuhën e tyre-shqipen. Ku nxënësit, prindërit dhe mësuesja, Nife Arifi, në prani të Konsullit të Republikës së Kosovës, Faket Kajtazit, të kryesisë së LAPSH-it, kryetarit Milazim Uka dhe seketarit Avdi Kolukaj, në mënyrë ceremoniale bën hapjen e klasës.
Në fund të cerimonisë nxënësve ju shpërndan librat të dhuruar nga Ministria e Diasporës, kurse Ukaj i dorëzoi mësueses Nife ditarin e punës. Ndërsa për nder të pranishëmve dhe hapjes së klasës me mësim plotësues në gjuhën shqipe. /albinfo.ch/ KultPlus.com
Ylli amerikan i muzikës, Taylor Swift, i ka dhuruar 1 milion dollarë për fondacionin “Middle Tennessee Emergency Response Fund”, pas tornados shkatërrues që e preku vendin gjatë javës.
Këngëtarja 30-vjeçare, e cila si fëmijë ishte shpërngulur në Tennessee dhe e konsideron këtë vend si shtëpinë e saj, e ka dhuruar këtë shumë të lartë të hollash për t’i ndihmuar personat e prekur nga tornado, transmeton KultPlus.com
Përmes një postimi në Instagram, Swift ka deklaruar: “Nashville është shtëpia ime dhe fakti që aq shumë njerëz në Tennessee i kanë humbur shtëpitë e tyre dhe shumë më shumë, më ka prekur tej mase. Prandaj kam vendosur t’i dhuroj para fondacionit ‘Middle Tennessee Emergency Response Fund’. Nëse jeni të interesuar të veproni njësojë, ndiqni këta hapa,” kishte shkruar pop këngëtarja në mesazhin e saj, të përcjellë me linkun ku të interesuarit mund t’i bëjnë donacionet.
Edhe pse Swift nuk e ka potencuar shumën e të hollave që i ka dhuruar, organizata në fjalë ka bërë të ditur se ajo i ka dhuruar plot 1 milion dollar.
Sipas fondacionit, të hollat e grumbulluara nga këto donacione, do t’i dedikohen organizatave joprofitabile të cilat i ndihmojnë viktimat e kësaj katastrofe natyrore, që i la të vdekur 24 persona. / KultPlus.com
Aktori i njohur amerikan Liam Nesson, i cili u bë shumë i njohur ndër shqiptarë për rolin e tij në filmat ‘Taken’, bëhet e ditur se është në xhirime të një filmi që zë vend në Kosovë, shkruan KultPlus
U bënë dy vite që emri i tij është lakuar si aktori kryesor në filmin thriller “Charlie Johnson in the Flames”, nën regjinë e Tarik Salehit.
Neeson do të ketë rolin kryesor të gazetarit Charlie Johnson, i cili ndodhet për të mbuluar luftën e Koosvës. Reporteri amerikan Charlie Johnson dhe kameramani i tij polak Jacek vihen nën hetimin e dhunës që po ndodhte në Kosovë. Ndërsa në territorin e pushtuar nga serbët, ata fshihen në një shtëpi që i përket një familje myslimane. Më pas një njësi patrullimi serbe i vë flakën një shtëpie dhe shikohet gruaja që ndërron jetë mes flakëve.
Në përpjekje për të kuptuar se si mund të justifikohen veprime të tilla, Charlie gjurmon zyrtarin përgjegjës për ta pyetur atë pse e bëri atë veprim të kobshëm.
Data e lansimit të filmit ende nuk është bërë e ditur për publikun. / KultPlus.com
Sot në 93 vjetorin e lindjes së njërit nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore, KultPlus ju sjell letrën preksëse të Markezit, të cilin shkrimtari e shkruajti kur e kuptoi se vuante nga kanceri.
“Miqtë e mi lamtumirë!
Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copë jetë, mbase nuk do të thosha të gjitha ato që po mendoja, por, sigurisht, do të mendoja të gjitha ato që po them. Do t’i jepja rëndësi gjerave, por jo vetëm nga vlera e tyre, por për domethënien që kanë.
Do të flija pak, e do të ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë, humbasim 60 sekonda dritë. Do të vazhdoja kur të tjerët të ndalonin, do të zgjohesha kur të tjerët të flinin… dhe do të shijoja një akullore me çokollatë!!!
Nëse Zoti do të më jepte një copë jetë, do të vishesha thjeshtë, do të shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar, jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin. Zoti im, nëse do të mundja do të shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do të prisja sa të dilte dielli.
Do të pikturoja një ëndërr të Van Gogut mbi yje, do të recitoja një poezi të Bernardit, dhe një këngë e Shtradus do të ishte serenata që do t’i dhuroja hënës. Do të ujisja me lotët e mi trëndafilat, që të ndjeja dhimbjen nga gjembat e tyre, dhe puthjen ngjyrëkuqe nga fletët e tyre.
Ah, Zoti im, sikur të kisha një copë jetë, nuk do të lija të kalonte as edhe një ditë pa u thënë njerëzve që i dashuroj. Do të bëja çdo burrë e çdo grua të besonte se i dashuroj, dhe do të dashurohesha me dashurinë.
Njerëzve do t’u tregoja se sa gabim bëjnë kur mendojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa e kuptuar se plakemi kur pushojmë së dashuruari.
Fëmijës do t’i jepja pendë, por do e lija të mësonte vetë se si të fluturonte. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”. Mësova kaq gjëra nga ju njerëzit…
Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit” pa e kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën sesi e zbret “faqen e pjerrët”.
Mësova gjithashtu, se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël për hërë të parë gishti që i zgjatet nga babai i tij, e robëron atë përjetë.
Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet të ndihmojë atë të ngrihet.
Janë kaq shumë gjëra që mesova prej jush, por në të vërtetë nuk do të më hyjnë në punë, sepse kur të më mbajnë të mbyllur brenda në këtë valixhe, fatkeqësisht do të kem vdekur.
Të thuash atë që ndjen dhe të bësh gjithnjë atë që mendon, sepse askush nuk do të të mbaj mend për mendimet e tua të fshehta. Nëse do të dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort…fort.., dhe do t’i lutesha Zotit të bëhesha roje e shpirtit tënd. Nëse do të dija se sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje, dhe do të të thërrisja përsëri të të jepja të tjera…” / KultPlus.com
Diana Rexhepi është një shkrimtare e re që së fundi ka botuar romanin e saj të parë të titulluar ‘Pa emër’, roman ky që trajton një temë sociale, ku trajtohet fati i trishtë i një vajze e cila jeton me të atin, e që ky i fundit abuzon me substanca narkotike.
Përmes ngjarjes së shtjelluar në roman, autorja tenton të shpalosë problemet që vijnë si pasojë e faktorëve të ndryshëm shoqëror, të tillë si pranimi i vetvetes, ballafaqimi me një realitet të hidhur dhe rolin e madh që familja luan në formimin e karakterit të individit, shkruan KultPlus.
‘Ky roman i shkrimtares është me veçanti nga stili, që dallon për nga mënyra e shtjellimit, duke u radhitur jashtë formave konvencionale, dhe nga përmbajtja e cila ka për bazë temën e shthurrjes familjare; të një familje të cilës i kanë humbur rrugët, siç thuhet, në oborr. Kemi të bëjmë me prindin (babanë) e frustruar, përkatësisht të larguar nga jeta normale dhe të mbetur në mëshirën e drogës dhe të primitivizmave tjera që lidhen me pasojat që kushtëzohen nga droga. Sado që tema si e tillë ka vështirësi të skajshme të raportit të babait me bijat e veta dhe (si lexues) të rrëmben nervikosja, autorja i është përkushtuar në mënyrë më serioze, duka pasur parasysh se (edhe në mesin tonë) kjo temë e ka aktualitetin e vet.’, thuhet në recensionin e Ibrahim Kadriut.
Në një intervistë për KultPlus, Diana Rexhepi shpalos më detajisht temën e romanit të saj, procesin e shkrimit, frymëzimin për të trajtuar pikërisht një temë delikate siç është familja si dhe planet e saj të mëtutjeshme në fushën e letërsisë.
Sa kohë ju ka marrë romani dhe si ka shkuar procesi i shkrimit?
‘Pa Emër’ e kam shkruar përgjatë gjithë vitit të dytë të shkollës së mesme, si një projekt me të cilin kam filluar ta kuptoj dhe zbërthej stilin tim të të shkruarit. Pasi e kam përfunduar, e kam lënë anash për njëfarë kohe, vetëm për t’iu rikthyer disa vite më vonë, në përmbushjen e zbrastirave të krijuara paraprakisht, duke e kompletuar në ato detaje që më herët nuk i kam vërejtur. Pra, më janë dashur diku 4-5 vjet punë deri tek botimi final dhe kjo kohë më ka kaluar me hulumtime, shënime, ku kam shikuar shumë dokumentarë, kam biseduar me shumë njerëz etj.
Cila ka qenë pika kyçe në të cilën keni gjetur inspirimin tuaj për romanin në fjalë?
Si shkrimtare, unë nuk bazohem shumë në inspirim kur bëhet fjalë për gjetjen e një ideje ose shkrimit të një romani në tërërsi. Pasioni dhe dëshira për të shkruar janë ato që fitojnë mbi inspirimin, ato që më detyrojnë t’i lëviz gishtat edhe kur nuk dua. Këto të fundit kanë qenë edhe pikat kyçe për ‘Pa Emër’; dëshira për të treguar një anë tjetër të dhunës, një perspektivë më të thellë, më personale të kësaj të fundës. Pastaj paraqitja e luftës me vetveten, e mendjes njerëzore me korridoret e saja, gjetja e personalitetit. Të gjitha këto janë arsyet përse ky romani ekziston.
Pse pikërisht keni vendosur të trajtoni temën sociale ku përfshihen dhuna, pranimi i vetvetes etj?
Temën sociale, stili im i të shkruarit e kërkon domosdo, bashkë me jetën e njeriut në përgjithësi dhe psikologjinë e tij. Këto elemente më tërheqin shumë dhe gjithmonë jam e gatshme të futem me qejf shumë thellë në ato ujëra të vështira. Ky roman nuk përbën ndonjë përjashtim. Temat e këtij të fundit janë të jetës, janë të njeriut, të realitetit, të shoqërisë sonë në përgjithësi – qoftë ajo e dhunës ose e pranimit të vetvetes. Këto të fundit bashkëjetojnë me ne, prandaj edhe kam vendosur t’i trajtoj, sepse janë tonat. Sepse kam pasur çfarë të them për to.
A ka elemente autobiografike romani, jeni inspiruar nga ndonjë ngjarje e caktuar apo është e gjitha fiksion?
Jo “autobiografike” në kuptimin literal të fjalës. Jeta dhe ngjarjet që i ndodhin personazhes kryesore në roman nuk janë të miat, por pastaj, sigurisht, ekziston lidhja e ndjenjave, e disa vendimeve, por asgjë më shumë. Në fund të fundit, ngjarja dhe personazhet dalin nga shkrimtarët dhe deshe apo nuk deshe, aty do ketë ndonjë gjë të përbashkët, sado e vogël që të jetë. Në anën tjetër, nuk jam bazuar në ndonjë ngjarje specifike dhe nuk është e gjitha vetëm fiksion. ‘Pa Emër’ merr nga realiteti, nga secila histori – e madhe apo e vogël qoftë ajo dhe e kthen në fiksion.
Cili ka qenë mesazhi që keni tentuar të përçoni përmes romanit dhe a mendoni se keni arritur ta përçoni tek lexuesit?
Mesazhi që kam tentuar të përçoj është ai i njerëzimit, për këdo që ka kaluar ose jo në diçka të ngjajshme. Në thelb, ‘Pa Emër’ është rrugëtimi i një vazje nëpër rrugët e jetës, me ngritjet dhe uljet e saja, e cila pas humbjes së indentitetit, të fytyrës dhe emrit, kërkon të krijoj diçka për vete. Mesazhi që “nuk je vetëm” në këtë odise jetësore nuk është thjesht i personazhes, por i secilit prej nesh. Tani sa e marrin lexuesit këtë mesazh, sa e kuptojnë, apo nxjerrin një komplet të ri prej përvojës së tyre personale, është komplet në dorën e tyre. Gjë që më gëzon po kaq shumë.
Cilët janë autorët të cilët inspirojnë dhe ndikojnë në artin tuaj të shkrimit?
Si dikush që ka lexuar si fëmijë dhe ende lexon letërsi botërore, atëherë edhe autorët që kanë ndikuar dhe ende ndikojnë në artin tim të të shkruarit janë të po njëllojt. Nga shumë prej tyre, më duhet të veçoj Oscar Wilde, Hermas Hesse, Haruki Murakami, Paulo Coelho dhe Pearl Buck.
Si është pritur romani nga dashamirësit e librit?
Në një mënyrë që as vetë nganjëherë nuk arrijë ta besoj, është pritur shumë mirë. Një fakt i këtillë e bënë atë vajzën e vogël me ëndrra të mëdha brenda meje shumë të lumtur. Si një dashamirëse e librit dhe e fjalës së shkruar, kurrë nuk e kam bërë këtë punë sepse kam dashur një nga ato famat përrallore, por vetëm sepse kam dashur të them diçka me një temë të caktuar, e cila më ka flerë në shpirt. E tani, të kuptoj që ajo që kam shkruar është pritur aq mirë, më bënë të besoj se nuk kam bërë aq punë të keqe.
Cilat janë ambiciet tuaja në letërsi dhe me çka do të vini për lexuesit në romanin e radhës?
Letërsia është një oqean i madh, të cilës nuk i dihet fundi. Një mister brenda secilit prej nesh dhe ambicia ime është ta zbuloj sa më shumë që të mundem, që në të njejtën kohë edhe ta kuptoj veten më mirë. Kjo është një punë me të cilën merrem si fëmijë dhe tani që e kuptoj shumë më mirë vlerën që ka, atëherë do përpiqem që gjithmonë t’i qëndroj besnike, si asaj, njëlloj edhe principeve të mia për ta shkruar. Dua të nxjerrë histori para publikut, dua të krijoj personazhe të cilët kanë jetë të tyret, dua t’i bëjë lexuesit të mendojnë e të qeshin, të lidhen me ngjarjen e t’i shpëtojnë sado pak realitetit. T’ua hap zemrat, e t’ua hap sytë. Kjo është edhe ajo që lexuesi mund të pres nga unë me romanet e ardhshme, ndonëse jo aq të shpesht sa mund të mendoni. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ndodhet në vizitën zyrtare të saj të parë si ministre në Tiranë, ku u prit nga homologia e saj Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Në takimin që u zhvillua në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, u diskutua për harmonizimin e aktiviteteve të kalendarit të përbashkët kulturor dhe për shtrimin e rrugës së bashkëpunimit në fushën e kulturës.
Kalendari i përbashkët kulturor do të reflektojë aktivitete të rëndësisë së madhe kulturore për të dy vendet, si iniciativë që institucionet dhe ngjarjet kulturore të realizohen suksesshëm si në Kosovë, si në Shqipëri.
Ministrja Dumoshi theksoi që është kënaqësi të vizitojë Tiranën në cilësinë e Ministres dhe se shpreson që kultura të jetë fushë ku vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtë.
Gjithashtu e informoi Ministren Margariti për planet që ka për Ministrinë që po e drejton, ndër të tjera, fuqizimin e institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore si dhe përkrahjen për skenën e pavarur e cila e pasuron jetën kulturore në Kosovë.
Në anën tjetër, Ministrja Margariti në pritjen e ngrohtë të organizuar për delegacionin nga Kosova, uroi Ministren Dumoshi dhe shprehu gatishmëri që dy ministritë të thurin plane të përbashkëta në rrafshin kulturor.
Ministria që ajo drejton konsideron që kalendari i përbashkët kulturor është një nga shtyllat e këtij bashkëpunimi dhe se do të angazhohet që aktivitetet brenda tij të jenë të pasura e përmbajtjesore.
Dy fushat që Ministrja Margariti theksoi që duhen të jenë në fokus të përbashkët janë kinematografia dhe libri. Dy ministritë do të gjejnë rrugë dhe mjete për të akomoduar propozimet nga dy vendet që në këto fusha të thellohet bashkëpunimi.
Kosova dhe Shqipëria kanë pasur një histori të bashkëpunimit të mirë në vitet e kaluara. Vlen të përmendet pjesëmarrja e përbashkët në shtandin e Festivalit Ndërkombëtar “Berlinale” të cilin Ministrja Dumoshi e ka vizituar sivjet.
Ministrja Dumoshi ftoi Ministren Margariti për një takim në Prishtinë me qëllim të harmonizimit të punës së mëtejme për kalendarin e përbashkët kulturor. / KultPlus.com
Tetë karrige në skenë, tetë njerëz për të cilët poezia ka rëndësi sa vetë jeta.
Meli Qena, Shpëtim Selmani, Ardiana Rexhepi, Sibel Halimi, Edis Galushi, Arbër Selmani, Qëndresa Kajtazi dhe Daniela Markaj mbrëmë sollën 25 poezi në një mbrëmje ku dikush qau e dikush qeshi, drejt përjetimit të emocioneve që veç poezia mund t’i zgjojë në epshet e njeriut.
‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 marsi’, organizuar nga ArtPolis, mbrëmë në Menzën Ramiz Sadiku mblodhi këta poetë e aktivistë për të lexuar për gruan, për fuqinë e gruas, për gruan e nënshtruar por edhe gruan e suksesshme, për gruan e përulur por asnjëherë të parëndësishme. Për një grua në jetën e gjithsecilit e gjithsecilës.
Zana Hoxha, drejtoreshë e ArtPolis dhe moderatore e natës, disa herë i rikujtoi audiencës rëndësinë e natës së poezisë në prag të 8 marsit, e cila organizohet tanimë tradicionalisht. Mbi 150 të pranishëm dëgjuan poezitë dhe u emocionuan edhe me muzikën nga ‘Dont listen to your neighbours’.
Meli Qena e nisi dhe e përfundoi mbrëmjen. Me leje nga vetë Ali Podrimja, Meli e solli poezinë ‘Unë, bija yte Kosovë’ – në versionin origjinal ‘Unë, biri yt Kosovë’, ndërsa e vazhdoi natën duke sjellë edhe poezi në gjuhën ruse, dhe magjinë e fjalëve të Rumit, shkruan KultPlus.
Secili prej të pranishmëve në skenë solli edhe tri poezi të tjera, nga dashuria për nënën, për fëmiun, për burrin, për gruan, për të vdekurit e për të gjallët. Edis Galushi lexoi edhe në gjuhën rome, ndërsa Izet Sarajlic erdhi përmes tij në gjuhën e tij amë.
Në skenë një poezi e lexoi edhe Ulrika Richardson nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa më pas secili prej poetëve, aktorëve e aktivistëve për të drejtat e njeriut solli poezi personale dhe poezi të poetëve të tjerë të njohur në vend dhe botërisht, shkruan KultPlus.
Shpëtim Selmani i ‘këndoi’ poezive e vjershave që nuk janë shkruar kurrë, ndërsa Sibel Halimi gjeneratave që pafajësisht janë me faj. Arbër Selmani solli tri poezi me motiv familjen, dashurinë dhe fenë, ndërsa Ardiana Rexhepi erdhi fuqishëm me sharmin prej aktoreje me poezi për gjuetarin e dashuruar. Qëndresa Kajtazi recitoi një poezi nga Majlinda Bregasi ndërsa në gjuhën angleze, Daniela Markaj solli poezi për fuqinë e gruas dhe zemrës së mirë të saj. /KultPlus.com
Më 6 mars të vitit 1926 lindi njëra nga ikonat e Teatrit shqiptar, Violeta Manushi, e cila ka lënë një bagazh të madh artistik pas vetes, shkruan KultPlus.
Manushi e cila ka shkëlqyer në komedi e në dramë, numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema.
Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shqipërisë (sot TK), më 1946. U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit” (1957) ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, ende në fuqi.
Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre.
Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977. / KultPlus.com
Pas premierës botërore që pati në Australi, ku u vlerësua me çmimin e parë, si filmi më i mirë i festivalit ‘Flickerfest’, ‘The News’, filmi i regjisorit Lorin Terezai, tashmë po vazhdon të ngjitë shkallët e suksesit botëror.
Filmi me metrazh të shkurtër, kësaj radhe vjen i përzgjedhur si pjesëmarrës në Festivalin Prestigjioz Ndërkombëtar të Filmit dhe Videos, që zhvillohet nga data 6 – 12 prill 2020, në Ohio, SHBA.
Ky është festivali i dytë, që ky film është zgjedhur të marrë pjesë dhe festivali i dytë kualifikues për çmimet “Oscar”, që përzgjedh këtë bashkëprodhim nga Shqipëria e nga Spanja.
“The News” është filmi i metrazhit të shkurtër, për temën e të cilit, regjisori merr shkas nga realiteti i egër mediatik, atë me të cilin përballemi çdo ditë. Skenari i filmit është shkruar nga Lorin Terezi, që është njëherësh dhe producent i filmit dhe nga Anila Balla. Filmi vjen nga kompania e filmave “Mailuki Films” (Spanjë), nën financimin e Qendrë Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri.
Dua Lipa, e cila vetëm para pak javës e publikoi videoprojektin e ri muzikor me titull ‘Physical’, sot publikoi një version të ri të këngës në formatin “360 Reality Audio” si dhe të krijuar enkas për ushtrime.
Projektin, Lipa e ka shoqëruar dhe me videoklip, ku ajo së bashku me disa shoqërues shfaqet duke ushtruar e vallëzuar, transmeton KultPlus.
Lipa i ka sugjeruar adhuruesit që këtë version të këngës ta dëgjojë me kufje. Për shkak të formatit të njohur si “360 Reality Audio”, dëgjuesit falë kësaj teknologjie të re mund ta kenë një eksperiencë më të veçantë, që mund të ndikojë dhe në procesion e kryerjes së ushtrimeve.
“Dua Lipa – Let’s Get Physical Work Out Video” tashmë gjendet në platformën muzikore YouTube.
Panoramë e shpejtë mbi realitetin e sotëm të artit shqiptar dhe rishqyrtimi i një termi.
Sa herë duam të përkufizojmë mungesën e talentit dhe nivelin e ulët të ndokujt në fushën e arritjeve të artit apo të kulturës, rëndom na pëlqen të përmendim termin mediokër. Duke shqiptuar këtë term, mendja na thotë se i kemi larë duart me individin të cilit ia mveshim, dhe kujtojmë se e kemi përulur sa më s’ka. Në fakt, shpeshherë, me apo pa vetëdije, ne i mveshim akshit një cilësi që, s’duhet të jemi edhe aq të sigurtë se e zotërojmë edhe ne vetë. Kohë më parë, një miku im artist, të cilin vazhdimisht e kam çmuar për shijen, përkorjen dhe maturinë në zejen e vet, më pati thënë se një ndër synimet e tij të mundshme, synim që do përbënte një stacion të rëndësishëm në lëvizjen drejt kësaj të panjohure që quhet art, do të kishte qenë pikërisht mediokriteti. Nëse i thoje mediokër, sigurisht që s’ta jepte kënaqësinë e duhur për të pretenduar se po e ofendoje. Në Shqipëri mund të gjesh ose jo ndonjë artist të mirëfilltë, e një numur të vogël mediokrish, thoshte ai; të tjerët as që numurohen fare. Kësisoj, ne gabojmë kur mëtojmë ta përdorim termin “mediokër” në cilësinë e asgjësimit terësor estetik të dikujt, kur në fakt, ky term do të thotë thjesht mesatar. Por, të jesh mesatar, ju duket vërtetë diçka e kollajtë? Assesi: do të thotë të jesh diçka. Për ta merituar këtë emërtim, duhet shumë punë dhe përpjekje serioze. Sepse një mediokër është i përkushtuar, i kulturuar dhe jo pa talent. Talent mediokër, por ama talent! Le të mos ngutemi të themi që kultura dhe arti ynë nuk e meriton të quhet mediokre, sepse do të përbënte kësisoj diçka. E, nuk mund të ndjehemi edhe aq të sigurtë se kultura dhe arti ynë është diçka. Sigurisht, ne themi po, por rezultatet na kundërshtojnë me tërë forcën. Parë nga ky këndvështrim, të thuash përshembull se, “Realizmi socialist arriti të prodhonte vetëm art mediokër”, është shumë e gabuar. Shprehja e duhur do të qe: “Ajo që arriti të prodhonte realizmi socialist nuk ka kurrfarë lidhje me artin”. Kësisoj, mediokër mund të quajmë vetëm dy-tre më të mirët e kësaj gjëje apo gjëme që e patëm quajtur gabimisht art. Mes të gjithë atyre individëve shqiptarë që kanë vendosur ta çojnë jetën dëm duke u marrë me art, mbase vetëm nja dyqind vetë meritojnë mbase të quhen mediokër, kurse rreth nja njëzet të tjerë mund të kuturisim t’i quajmë artistë të vërtetë. Kusuri, jo që s’janë artistë fare, as prej vërteti e as prej betoni, por kurrsesi nuk meritojnë të quhen qoftë dhe mediokër, sepse në këtë rast ky term do të përbënte titull për ta, si psh. kont, kalorës, markez, sër, a si të doni. Sepse, pavarësisht nëse duam ta besojmë apo jo, deti as është bërë e as do të bëhet ndonjëherë kos. Në artomaninë shqiptare, që veç shqiptare nuk është për nga vizioni estetik, tematika, stili, -përkundrazi, një aliazh i përbindshëm keqkuptimesh, imitimesh e plagjiaturash-, është e zorshme dhe pothuaj e pamundur të ndeshësh artistë që zotërojnë parametrat e një arti bashkëkohor që lëviz në të njejtin rrafsh cilësor me vëndet e tjera. Është aq e pamundur të hasësh punë origjinale dhe bashkëkohore e njëkohësisht shqiptare, saqë, nëse iu krijohet ndonjëherë bindja e një zbulimi të tillë, besojeni se është thjesht iluzion. Në këtë pikë, po iu shmangem përgjithësimeve, duke thënë se, personalisht, meqë s’më pëlqen fare ta ha sapunin për djathë, kur më qëllon të ndodhem para një pune me cilësi artistike mbi mesataren, e shijoj, por, njëherësh, më duhet edhe të zbuloj se ku e ka kopjuar. Që e ka kopjuar, në të shumtën e rasteve nuk vihet fare në dyshim, por çështja është të zbulohet se ku. Vini re se ç’ndodh me këngën shqiptare, që veç shqiptare s’është. Mbizotërojnë ritmet e muzikës e evgjite, turke, greke, hispanike, amerikane, etj. Këtu s’bëhet fjalë të gjesh mediokritet, por thjesht shpifësirë dhe kutërbim. Shih pikturën shqiptare. Në punët e shumicës së autorëve shqiptarë do gjesh Van Gog, Renuar, Brak, Pikaso, Magrit, Miro, Matis, Shagall, e sa e sa të tjerë. Do gjesh impresionistë, kubistë, surrealistë, futuristë, fokistë, tamburistë, e gjithçka tjetër që, në mjedisin bashkëkohor perendimor janë shndërruar tashmë në histori. Por, mesa duket historia jonë nuk ka të bëjë fare me Historinë. A ka këtu mediokritet? A meritojnë këta të quhen mediokër? Sigurisht që jo.
Shikoni letërsinë shqipe! Ende ka letërsibërës që vijojnë të krijojnë të frymëzuar nga shkrimtarë të shekullit XVIII, XIX, duke rrëfyer gjëra të mërzitshme, që s’kanë të bëjnë asfare me shijen dhe ritmin e brëndshëm të lexuesit bashkëkohor. Stili i tyre rrëfimor i ngjan një karroce të vjetër që kërkëllin nëpër kalldrëmin tonë mesjetar, a thua se ndërkohë nuk është zbuluar energjia atomike, njeriu nuk ka zbritur ende në hënë, sondat nuk po vrapojnë për në Mars, nuk ekzistojnë ende avionët supersonikë dhe mjetet e stërholluara të komunikimit dhe informacionit. Duhet patur parasysh se njeriu i kohës sonë, në rastin tonë lexuesi, nuk jeton më në qyp; ai ka mundësi të mëdha njohjeje, kulture, informacioni, përdor celularin, internetin, e sa e sa mjete të tjera ndihmëse që, sigurisht, jo gjithmonë mund të të japin përparësi. Por, dua të them se, letërsibërësit në fjalë nuk mund t’i trajtojnë këta lexues si veten e tyre, pra si injorantë dhe të prapambetur. Një pjesë e më të përkushtuarve në letërsibërje, arrin deri tek Kamy e Sartër; ca të tjerë mbërrijnë tek letërsia hispanamerikane, dhe rropaten duke na vizatuar dofarë personazhesh që s’kanë lidhje me realitetin dhe mendësinë tonë shqiptare. Jetojmë në mijëvjeçarin e tretë, njerëz, ndaj bëjmë mirë ta mbajmë parasysh këtë fakt. Shqipëria jonë është një vend që ofron një terren të shkëlqyer për shkrimtarët mediokër. Por, sa keq që i kemi me aq pakicë.
Apo duam të flasim për ata që bëjnë teatër? Druaj se këta individë përbëjnë detashmentin më të prapambetur të artit shqiptar. Këta nuk janë fare këso bote. Shumica dërrmuese e tyre janë qënie që nuk kanë lexuar gjë tjetër veç librave të shkollës. Sa për doktrinat dhe platformat estetike të vetë zhanrit të tyre, as që bëhet fjalë, nëmos, i kanë lexuar siç lexohet një roman, sa për të kaluar radhën e për të cituar ndonjë emër si Stanislavskij, Lee Strasberg, Giorgio Strehler apo ndonjë tjetër! Nuk kanë lexuar, e them me siguri, gjithë duke e ditur se kultura e një artisti paditet hapur nga cilësia e punës së tij artistike. Kemi një mungesë të theksuar talenti dhe bashkëkohësie, që fshihet kujdesshëm mbas autorëve të mëdhenj të teatrit botëror. Asnjeri prej tyre nuk e zgjat kokën përtej gardhit kulturor shqiptar, për të parë se me çfarë dreqin po i mbjellin fqinjët tanë perendimorë ngastrat e tyre estetike. Në teatrin shqiptar, fatkeqësisht, mediokrit gjendet më me pakicë se kudo.
Mandej kemi filmin, ku sundon rrëfimi i mërzitshëm linear e patetizmi, klisheja e imitimi, ku mungojnë detajet e holla artistike dhe ku më shumë dëgjon sesa shikon, aq sa, në një fare pike nuk e merr vesh më nëse ndodhesh para radios apo para ekranit. Gjithnjë duke u treguar dorëlirë, mund të themi se nga e tërë trashëgimia jonë kinematografike, rrinë apo jo më këmbë nja pesë a gjashtë filma. Pjesa që mbetet nga këta individëve-kineastë, të dikurshëm apo të tashëm, kanë harxhuar e harxhojnë më kot ca shuma parash, të cilat mund të përdoreshin në mënyrë mjaft më të volitshme: pra, për të ushqyer të varfërit dhe lypësat, të cilët i kemi me aq shumicë në rrugët tona. Pra, edhe në këtë zhanër, mediokrit i kemi mjerisht në një numur mjaft të kursyer. Kurse të mirët, mund të jenë dy ose tre, secili me nga një apo dy punë. Por, meqë jemi në temë, po shtoj edhe diçka. Në Shqipëri bëhen edhe festivale ndërkombëtare filmi, mor aman, (pa llogaritur shfaqjet e filmave në televizor e kinema), por një gjë nuk e marr vesh: si ka mundësi që regjisorët dhe aktorët tanë nuk mësojnë diçka të hajrit nga mjeshtrat e botës, xhanëm? Nuk dinë ç’është e bukur, nuk dinë ta lexojnë të bukurën, apo nuk janë në gjendje të përfitojnë prej saj? Në këtë pikë, nuk mund të rri pa e përmendur rastin kur, teksa në Millenium shfaqej filmi “Tickets” i Ken Loach, mjaft nga regjisorët dhe aktorët tanë të nderuar ndiqnin tërë interes një ndeshje futbolli të Ligës së Kampionëve. Hata fare! Sigurisht, asnjëri prej tyre nuk është mediokër, por prapë… dreqi e mori, kinema ishte përplot me njerëz të thjeshtë, megjithëse nuk shpresonin të bëheshin ndonjëherë mediokër.
Kësisoj, them se duhet të matemi mirë përpara se ta cilësojmë dikë “mediokër”, sepse në fakt jemi duke e vlerësuar goxha, jemi duke i atribuar një cilësi që fitohet vetëm me punë dhe përkushtim. Sepse, e thamë: mediokri nuk është njeri pa talent, pa përkushtim dhe seriozitet, por një individ që ka luftuar pajada për ta merituar këtë status. Pra, ka artistë të vërtetë, ka mediokër, e më poshtë akoma ka vetëm njerëz të thjeshtë të cilët, në kohën e lirë zbaviten me një lojë që quhet art. Do Zoti e na shtohen me bollëk mediokrit, sepse pa këta, të jemi të sigurtë se nuk do mund të shtrohet kurrëndonjëherë rruga e vërtetë e artit, mbi të cilën, në një të ardhme jo dhe aq të largët, do të parakalojnë kalorësit: artistët e mëdhenj shqiptarë. /KultPlus.com
Ajo i thërret burrit në rrugë
“Zotëri a mund të më ndihmosh?
Po bën ftohtë dhe nuk kam ku të fle,
ka ndonjë vend që mund të ma thoni?”
Ai ecën, prapa nuk shikon
dhe pretendon se s’po e dëgjon atë
duke fërshëllyer rrugës,
sikur të jetë i turpëruar që qe aty.
Oh, dy herë mendo sepse është një ditë tjetër
për mua dhe për ty në parajsë,
oh, mendoje dy herë këtë
një tjetër ditë në parajsë
për mua dhe për ty.
Mendo për këtë!
Ajo i thërret atij burri në rrugë,
ai mund t’ia sheh qartë lotët,
oh, thembrat i djegin asaj
dhe s’mund të ecë më, por përpiqet…
Oh, mendo dy herë,
është një ditë tjetër në parajsë
për mua dhe për ty,
mendo dy herë,
ti dhe unë në parajsë.
O Zot, a ka diç më shumë
që mund të bëhet?
A ka diçka që mund ta thuash, Zot?
Mund t’i vrojtosh vijat e fytyrës së saj,
mund ta shohësh se ajo ishte aty,
tani mesa duket është rropatur
në ndonjë tjetër vend,
oh, ajo s’mundi të futet atje…
Oh, mendo dy herë sepse është një tjetër ditë
në parajsë për mua dhe për ty.
Oh, është një tjetër ditë,
ti dhe unë tok në parajsë,
është një ditë tjetër për ty dhe për mua në parajsë. Vetëm mendoje këtë! /KultPlus.com
Edonita Bytyqi përfituese e bursës nga Kolegji Universum për shkëmbim semestral në “Staffordshire University” në Angli tregon për përvojen e saj gjatë studimeve në Angli. Si Edonita kanë përfituar edhe 135 studentë të tjerë në kuadër të bursave ndërkombëtare që i ofron Kolegji Universum për studime në 26 shtete të BE-së.
Se pse duhet të studiojmë jashtë vendit dhe cilat janë përfitimet nga shkëmbimet semestrale e mësojmë nga Edonita në vijim.. Të studiosh jashtë vendit është me të vërtetë një përvojë që të ndryshon jetën. Ka përfitime personale, akademike, madje dhe përfitime nga karriera. Është një shans të provoni diçka krejt të re, me sfidat të cilat do të përballeni dhe do t’ju ndihmojnë të rriteni, por nëse jeni të friksuar nga ideja për tu larguar nga rutina dhe për të filluar një aventurë. Studimi dhe të jetuarit jashtë vendit është një hap i madh. Dalja nga comfort zone nuk është gjithmonë e lehtë, por patjetër që do të rrisë aftësitë tuaja personale dhe profesionale. Programi Erasmus në Kolegjin Universum është një mundësi e shkëlqyeshme për ju të jetoni përvoja të reja, pavarësisht nëse vendosni të studioni ose bëni një praktikë jashtë vendit. Ndoshta po ndjeheni shqetësues dhe nuk po mund të vendosni nëse duhet të shkoni në Erasmus, por kjo është plotësisht normale. Ne fakt Pjesa më e vështirë është vendimi, por mund të garantojmë që nuk do të pendoheni pasi që . është një shans të provoni diçka krejt të re, me sfidat të cilat do të përballeni dhe do t’ju ndihmojnë të rriteni Për këtë arsye në bazë të përvojës sime ju tregoj disa arsye se pse duhet:
Përjetoni një kulturë tjetër
Duke jetuar në një mjedis multikulturor, do të mësoni shumë nga kulturat e tjera. Takimi me njerëz nga vende tjera do të eliminojë disa nga mitet për vendet e tjera dhe paragjykimet që keni pasur për kultura të ndryshme pasi që do të jeni në gjendje të provoni ushqime të reja, të dëgjoni muzikë tradicionale, të bëni aktivitete lokale dhe të eksploroni gjithçka tjetër që kultura juaj pritëse ka për të ofruar.
Bëni miq të rinjë
Kur studioni jashtë vendit, ju do të keni një mundësi unike për tu bërë miq me njerëz nga kultura të ndryshme, dhe të mësoni për vendet dhe zakonet e tyre me të cilët do të jeni në gjendje të jetoni, mësoni dhe udhëtoni së bashku gjatë këtyre muajve studimi.
Udhëtoni
Gjatë shkëmbimit semestral ju do të keni mundësinë të njiheni me vende të reja. Një mundësi unike për të parë më shumë në botë dhe do t’ju tregojë se sa e madhe dhe e mahnitshme është bota në të cilën jetojmë e që në vetvete është një përvojë jashtëzakonisht e dobishme arsimore.
Mundësitë Profesionale
Nëse doni të përfitoni punën tuaj të ëndërrave, më së miri është të studioni jashtë vendit. Përfitimet në karrierë pas studimeve jashtë vendit janë të pafundme. Shfrytëzoni mundësinë për të shtrirë përvojën tuaj akademike në botën profesionale.
Mundësia për të studiuar jashtë vendit me mbështetje financiare!
Me programin Erasmus, ju nuk do të duhet të paguani tarifat e shkollimit për universitetin tuaj pritës. Për më tepër, Komisioni i BE ju siguron një Grant 950 euro në muaj dhe 375 euro për shpenzime të transportit për t’ju ndihmuar me shpenzimet tuaja gjatë kohës tuaj jashtë vendit bazuar në vlerësimet mesatare në lidhje me kostot e jetesës në vendin ku do të studioni.
Siç mund ta shihni, përfitimet e Erasmus janë të pakufizuara. Ju garantoj se pas Erasmus ju do të keni mjaft histori për të treguar dhe shumë kujtime që do t’i mbani pranë zemrës suaj. Edhe pse mund të jeni të mërzitur kur kjo të marrë fund, do të kuptoni se sa me fat keni qenë për këtë mundësi.
Apliko edhe ti përfito shkëmbim semestral në një nga 26 shtetet e BE-së përmes Kolegjit Universum http://tiny.cc/i0nxkz
Për më shumë info rreth programit dhe mundësisë për shkëmbim semestral përmes Kolegjit Universum ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062. /KultPlus.com
Rikthehet me kujtimet e 24 viteve më parë, kur në skenë, ai mori duartrokitje dhe admirim. “Don Zhuani” i Molierit, nga Artan Imami, vjen sërish para publikut shqiptar. Tashmë, Imami e sheh këtë rikthim, ku ai është protagonist, regjisor dhe skenograf në një prej veprave më të suksesshme tragji-komike, si një sfidë profesionale.
“Pas 24 vitesh, pasi ka lënë shije të mirë në mendjen e publikut që e ka parë shfaqjen, për mua është një sfidë që të jetë po në të njëjtin nivel. I ka bazat për të pasur sukses, sepse vepra është shumë e mirë” – ka theksuar artisti, për mediet.
Në kërkim të aventurave, “Don Zhuani” lë pas histori, që duket se nuk krijojnë tek ai aspak pendesë. Ndonëse Dona Elvirën e bind të lerë edhe manastirin, forca e zakonit nuk e bën të fortë t’i rezistojë tundimeve.
Sepse natyra njerëzore është e tillë, ripërsëritëse. Ndryshojnë vetëm metodat, ndërsa thelbi mbetet po ai. Ishte viti 1996, kur Artan Imami sprovoi veten në regji, duke ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë tragjike, “Don Zhuani”. Një vepër e jashtëzakonshme e Molierit, që bëri bujë dhe u ndalua në kohën e vet, pasi përmes personazheve të tij godiste kishën. Don Zhuanin e “mbajti” për vete. Tashmë e kishte korrur suksesin me “Zbutjen e kryeneçes” dhe deri diku ishte i familjarizuar me karaktere të “vështira”, veçse këtë herë nuk do të duhej të zbuste një kryeneçe, por ishte ai që duhej “zbutur”. Pas 24 vjetësh, si për të shlyer një peng, pse asokohe shfaqja e veprës së tij u ndërpre nga trazirat e vitit të marrë 1997, Artan Imami i rikthehet sërish “Don Zhuanit”.
Sërish Don Zhuan, regjisor, madje edhe skenograf. Premiera e veprës do të jetë në datën 6 mars, në skenën 400 të “arTurbinës”. Në rolin e regjisorit, ai premton një shfaqje mbështetur në simbolika të fuqishme, që nuk vizaton vetëm portretin e një gruari, një fisniku të shthurur ateist, që nuk lodhet duke vrapuar nga njëra aventurë dashurore te tjetra, pa gjetur asnjëherë paqe.
Përkundrazi, i neveritur nga mishi, ndërsa nxiton te një tjetër histori, te një tjetër grua, fati i së cilës nuk do të jetë më i mirë se i paraardhëses. Artan Imami synon të “zhveshë” hipokrizinë politikoshoqërore të kohërave që jetojmë, shënjuar nga mashtrimi, raportet e dyshimta dhe sipërfaqësore.
Ngjarjet do të zhvillohen në një ambient, që i ngjan një mauzoleu. Janë historitë e dashurive ngurosur nëpër mure, që do të donin të shpëtonin prej kësaj gracke të thurur mjeshtërisht nga një njeri, jo i pashpirt, por tragjik. Kësaj skene do t’i përshtaten edhe kostumet, të cilat ai ia ka besuar as më pak e as më shumë, por bashkëshortes së tij, Florenca Bellova.
E gjithë kjo duke i dhënë publikut një ndërthurje emocionesh, sa komike aq edhe dramatike.
“Do të mbeten të kënaqur edhe ata që vijnë për të parë një komendi, edhe ata të cilëve u pëlqen drama, sepse ka momente që do t’ju mbushen sytë me lot” – thotë Imami.
Nën interpretimin gjithashtu të Luiza Xhuvanit, Xhejni Famës, Dajana Nenaj, Alesia Xhemalaj, Genti Deçka, Donald Shehu dhe Xhuliano Briskut, “Don Zhuani” vjen prej 6 marsi, për 10 shfaqje rresht, në sallën e ArTurbinës, ora 19.30. /KultPlus.com
Sot, kur kanë kaluar më shumë se 20 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime kundër njerëzimit të ndodhur gjatë luftës në Kosovë, respektivisht kundër krimeve të dhunës seksuale, si një nga krimet më mizore dhe më sistematike që kishin karakterizuar luftën në Kosovë.
QKRMT, si
një organizatë jo-qeveritare e cila punon që dy dekada me të mbijetuarit e
dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, me qëllim të rehabilitimit të
traumave dhe avokimit për të drejtat e tyre, konsideron që ngritja e kësaj
aktakuze përbën hap të rëndësishëm në arritjen e drejtësisë për viktimat – të
mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.
QKRMT, që
nga viti 2017 ka punuar me viktimën, si në ofrimin e ndihmës psiko-sociale,
gjithashtu edhe në përgatitjen sa më të mirë të këtij rasti.
“Falënderojmë
Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe
profesionalizmin e treguar gjatë përgatitjes së kësaj aktakuze si në fazën e
intervistimit, gjithashtu edhe në hapat e tjerë të rëndësishëm për mbrojtjen e
identitetit dhe të dhënave të tjera konfidenciale të viktimës. Shpresojmë që ky
hap i rëndësishëm për drejtësinë, do të pasohet me veprime tjera më dinamike,
me qëllim të arritjes së drejtësisë për këtë kategori të ndjeshme shoqërore”,
thuhet në komunikatë teksa shprehen që një veprim i tillë të shërbejë si
shembull inkurajues për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e
luftës në Kosovë, që sa më shumë të ngrisin zërin për krimet që kanë përjetuar,
sepse vetëm përmes dokumentimit, krimi jo vetëm që nuk mund të mohohet por edhe
do të ndëshkohet.
“Gjithashtu, u bëjmë thirrjeve të gjithë aktorëve relevantë, që kjo aktakuzë e ngritur të shërbejë si një motiv shtesë për të gjithë ne që angazhohemi në avancimin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale”, përfundon me këtë thirrje komunikata. / KultPlus.com
Nuk ka se si mos t’i kujtojmë veprat “Lushi si askushi”, “Pëllumbat e kujtimeve” e plot të tjera të cilat e kanë shoqëruar fëmijërinë tonë dhe që ma mallëngjejnë çdoherë. Këto vepra, dhe të tjera, kanë dalë nga penda e shkrimtarit të shquar Arif Demolli, i cili kishte një imagjinatë të pasur dhe dinte si të krijonte letërsi të mirëfilltë për fëmijë dhe për të rritur, shkruan KultPlus.
Arif Demolli
futet në mesin e shkrimtarëve më të afirmuar shqiptar, me krijimin e veprave që
edhe sot e kësaj dite janë të rëndësishme për nxënës, student e studiues.
Mjafton të përmendet vepra “Vdekja e Akanit” e cila trajton temën biblike të
vrasjes së Akanit, për ta parë mjeshtërinë e rrëfimit të Demollit që e bën atë
shkrimtarë të veçantë.
Në hapësirat
e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, sot u përurua ky libër i
rëndësishëm që përmbledh recensione e trajtesa nga të tjerët për Arif Demollin.
Libri “Arif
Demolli mes dhimbjes, gazit e mrekullisë” i cili u prezantua para një publiku
të madh, u përgatit nga bashkëshortja e Demollit, Nergize Demolli.
Për 40 vjet,
ajo qëndrojë pranë tij mes dhimbjeve, vështirësive dhe gëzimeve, si
bashkëpunëtore e vyer.
“Letërsia e
tij prekte botën shpirtërore, sociale e politike të shqiptarit të Kosovës”, tha
ajo. “Kisha mëdyshje nëse duhej t’i ndaja shkrimet për fëmijë dhe të rritur,
pastaj vendosa që t’i radhisja kronologjikisht. Shpresoj se kjo përmbledhje t’i
hyjë në punë secilit që e ka ndarë mendjen të merret me krijimtarinë e tij
letrare”.
“Le të
shërbejnë këto shkrime si hyrje në botën e pasur letrare dhe shpirtërore të
Arifit. Në botën e mistereve, dhembjeve dhe gëzimeve”, u shpreh bashkëshortja e
tij.
Për Arif
Demollin foli edhe shkrimtari Skënder Zogaj i cili e cilësoi atë korife të
fjalës së shkruar shqipe derisa lavdëroi bashkëshorten e Demollit për
përgatitjen e librit.
“Arif
Demolli është njëri nga korifenjtë e kultivimit të fjalës së shkruar shqipe. Pa
të nuk ka liri, këngë e as atdhe”, tha Zogaj duke u ndalur dhe përmendur
shkrimet kritike të personaliteteve të njohura të letrave shqipe.
Drejtori i
Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni po ashtu e vlerësoi lartë figurën
e Demollit.
“Me mënyrën
e të vepruarit, forcën e shkrimit, ai gjeti strehën e përjetshme në art. Arif
Demolli shkroi lloje të ndryshme, skica, tregime, përkthime, recensione, romane
e tekste këngësh”, u shpreh ai. Tutje, Hyseni theksoi se vepra e Demollit nuk
ka prerje për të rritur apo për fëmijë. Sipas tij, Arif Demolli arrin të
shkruajë për fëmijë dhe të mendojë për të rritur dhe anasjelltas.
Ky libër përmban 29 tekste nga të tjerët për Demollin. Mes personaliteteve që kanë shkruar për Demollin dhe që gjenden në këtë libër janë Sabri Hamiti, Ymer Elshani, Hasan Hasani, Rushit Ramabaja, Nysret Krasniqi, Abdullah Konushevci e të tjerë. /KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me ZERO1, Ambasadën Amerikane në Prishtinë dhe Zyrën e Edukimit dhe çështjeve kulturore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, sot hapin “American Arts Incubator — Kosovo”.
Lori Hepner- artiste nga Pittsburghu, do të njoftojë me American Arts Incubator- Kosovo gjatë eventit të Artist Talk, sot prej orës 18:00.
Veprimtaria artistike e Lorit varion nga fotografitë 2D e deri të performancat interaktive që përdorin teknologji me dritë LED të qepura në veshje për të shfaqur lëvizjet e trupit përmes imazheve dhe tekstit gjatë video-projektimit në kohë reale, të cilat e lejojnë të pikturojë me dritë. / KultPlus.com