Meta: Djepi që përkundi simbolet e përkryera të Rilindjes Kombëtare, vezullon dritë patriotike

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është ndalur sot në Frashër të Përmetit, në vendlindjen e Addyl, Naim e Sami Frashërit.

Meta thotë se pikërisht ky fshat dhe familja Frashëri përkundi me dije dhe atdhedashur simbolet e përkryera të Rilindjes Kombëtare.

Meta thotë se edhe sot Frashëri vezullon dritë kombëtare patriotike dhe qytetare. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/3274760489236868

Prishtina me skulpturë të re dedikuar librit dhe shëndetit mendor

Kjo skulpturë  është vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, mes Kino “ABC” dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. E njejta do të qëndrojë për një muaj aty si lokacion ekspozues i veprës artistike, e më pas me organizimin e një ceremonie do t’i dhurohet bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”, në oborrin e së cilës do të qëndrojë përherë.

Në skulpturën e punuar nga Butrint Morina, qytetarët do të kenë mundësi të lexojë rezultatet e dala nga hulumtimi gjashtë mujor i organizatave partenere ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore si dhe Qendra për Afirmimin Social të të Rinjve.

Disa nga të gjeturat e gravuara në faqet e librit të kësaj skulpture janë, si vijon: “Nxënësit që lexojnë libra jashtëshkollor kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”; “Të lexuarit aktiv ka ndikim pozitiv në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve.”; “Fëmijët që lexojnë më shumë libra në vit dhe ata që janë të regjistruar në bibliotekë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”

Skulptura është pjesë e  projektit “Ndikimi i leximit aktiv në shëndetin mendor të fëmijëve” dhe është  përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe INDEP me burim financiar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjithashtu ky projekt përkrahet edhe nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Specialistët e monumenteve me ekspeditë për gjendjen e konservimit të pikturave murale në Kostar dhe Delvinë

Mirëmbajtja e monumenteve të kulturës vijon të jetë në qendër të vëmendjes së specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha sot se “së bashku me specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kultore Vlorë , Sektori Sarandë, u zhvillua një ekspeditë për gjendjen e konservimit të pikturës murale në Kishën e Manastirit të Shën Mërisë në Kostar dhe në Kishën e Manastirit të Shën Triadhës në Kardhikaq, Delvinë”.

“Qëllimi i kësaj ekspedite është verifikimi dhe hartimi i projekteve të ndërhyrjes konservuese e restauruese në pikturën murale të këtyre dy objekteve “monument kulture”, si dy objekte me mjaft vlera dhe interes në këtë zonë”, – tha Margariti.

Kisha Shën Meria e Kostarit ngrihet në anën lindore të qytetit antik të Finiqit dhe ndodhet brenda një shpelle të natyrshme në malin Kostari. Pjesa veriperëndimore u ndërtua për herë të parë në 1332 dhe, më vonë, në vitet 1690-1770 u unifikua me pjesën tjetër.

Duke u gdhendur në shkëmb, manastiri mbart një vlerë të madhe dhe të rrallë historike; Kjo ndodh sepse ndër të tjera, gjatë okupimit osman, funksiononte si një shkollë sekrete, mësuesi i saj i fundit ishte Pilo Papa.

Kisha e Shën Triadhës nga tiparet tipologjike duhet ti përkas fundit të shek. XVI- fillimi i shek. XVII, ndërsa mbishkrimi që gjendet mbi portën hyrës tregon se ajo është pikturuar në vitin 1827. /atsh/ KultPlus.com

“Në vend që ta mësoni të sakrifikojë veten e saj, të falë tradhtitë apo dhunën, mësojani vetrespektin”

Rrite dhe edukoje vajzën tënde aq të aftë dhe të fortë, sa të mos shqetësohesh fare se më kë do të martohet ajo.

Në vend që të kursesh para apo edhe të futesh në borxhe për ditën e martesës së saj, më mirë shpenzoji ato para në shkollimin dhe edukimin e saj.

Në vend që t’i thuash që të mësojë të bëjë atë e këtë se do ikësh në “derë të huaj”, në vend që t’ia fiksosh në tru që ajo duhet të mësojë punët e shtëpisë vetëm sepse do shkojë te burri e aty do luajë edhe rolin e “shërbyeses”, më mirë fiksoja në tru që pastërtia apo gatimi janë të domosdoshme në jetën e gjithsecilit dhe duke i mësuar ajo s’do varet nga askush që të ushqehet.

Në vend që ta përgatisni për martesën, shumë më mirë do ishte ta përgatisnit për veten e saj, po qe e përgatitur për veten, ajo do jetë në gjendje të përballojë gjithçka tjetër pa pranuar nënshtrimin.

Dhe më e rëndësishmja, në vend që ta mësoni të sakrifikojë veten e saj, të falë tradhtitë apo dhunën, të durojë për fjalët e botës, mësojeni të dashurojë veten e saj fillimisht, mësojani vetrespektin!

Mos i shkatërroni jetët e vajzave tuaja për tekat e juaja, për disa zakone që gjithmonë e kanë parë gruan shumë më poshtë se burrin, mos i shkatërroni sepse iu intereson më shumë për fjalët e botës, se sa për lumturinë e vajzës suaj.

Nëse vajza juaj pëson nga keqprindërimi juaj, askujt s’do i dhembë më shumë se sa juve, andaj mos i rrisni vajzat tuaja me idealet e kanunet me të cilat iu kanë rritur juve, mos ‘merrni hak’ tek vajzat e juaja, për mundësitë që nuk ua dhanë kurrë juve!

Mos iu thoni, “Unë kam duruar, duro dhe ti!”/ supergrate.net/ KultPlus.com

Gjirokastra, nga një thesar i braktisur, në një hapësirë të trashëgimisë kulturore që tërheq turistë

Investimet në kuadër të Rilindjes Urbane kanë transformuar qendrën historike të Gjirokastrës, ku ndër të tjera mjediset tregtare apo shtëpitë tradicionale janë kthyer në bujtina mikpritëse për turistët.

Kryeministri Edi Rama solli sot disa foto nga transformimi i Gjirokastrës, e cila sipas tij, “nga një thesar i braktisur po kthehet në një hapësirë të trashëgimisë kulturore, që tërheq turistë vendas, duke krijuar ekonomi e punësim”.

“Mirëmëngjes dhe me një prej plot shembujve të shpëtimit, restaurimit dhe transformimit të Gjirokastrës, e cila po kthehet hap pas hapi, nga një thesar i braktisur në një hapësirë të trashëgimisë kulturore, që tërheq turistë vendas, duke krijuar ekonomi e punësim, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Qendra Historike e Gjirokastrës, shpallur në vitin 2005 trashëgimi botërore e UNESCO-s, u kthye në një kantier punimesh restauruese, duke nisur me rikualifikimin e kalldrëmeve karakteristike të Qafës së Pazarit, rehabilitimin e 6 shesheve që lidhen në mënyrë integrale me rrugët e kalldrëmit, ndriçimin publik, përmirësimin e hapësirave të gjelbra deri te rrapi 100 vjeçar, simboli që ka shërbyer si pikë takimi për banorët që në vitet ’30.

Po ashtu u realizua restaurimi i kalldrëmeve ekzistuese, ku ruhet tipologjia midis gurëve të bardhë dhe gurëve gri, ndërsa në të njëjtën valë transformimi janë përfshirë edhe shtëpitë e vjetra karakteristike, si dhe bizneset buzë rrugicave.

Pjesë e projektit rehabilitues është edhe xhamia e famshme e Pazarit, e cila edhe pse monument kulture nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje restauruese. /atsh / KultPlus.com

Këngëtari kosovar në Islandë me këngë kundër racizmit

“The Awakening Hymn”, është kënga e artistit kosovar nga Islanda, Jasmin Rexhepi, i njohur me emrin artistik The Great Jazzby.

Kënga ka një tekst të bazuar në fjalët dhe tragjedinë e George Floyd-it dhe është lansuar në ora 18:46 me kohë të Minneapolisit, pikërisht në kohën kur Floyd ishte vrarë, transmeton KOHA.

“The Aëakening Hymn” është projekt i The Great Jazzbyt në bashkëpunim me veteranin e Hollyëoodit, Nick Jameson dhe artistin e talentuar francez Thincoer.

Rexhepi është edhe regjisor. Me filma të metrazhit të shkurtë ai ka marrë pjesë dy herë në Festivalin e Kanës. / KultPlus.com

Edicioni i katërt i “Zâ-Fest” vjen shumë shpejt, synon të sjell pak dritë shprese

Vlashent Sata, kantautori i mirënjohur shqiptar me banim në Francë, ka bërë të ditur se edicioni i katërt i eventit “Zâ-Fest” do të realizohet online, me pjesëmarrës nga artistët shqiptarë por edhe ata të diasporës.

Nëpërmjet një statusi të bërë në Facebook, është treguar se pavarësisht situatës së vështirë e cila tash e sa kohë është krijuar në vend, “Zâ-Fest” edhe këtë herë do të sjellë pak dritë shprese.

“Të dashur miq, këtë vit më shumë se kurrë, nuk donim të mungonim për ju, ndaj njoftojmë se Zâ Fest 4 vjen online këtë vit. Ndonëse të gjithë e njohim situatën e vështirë në të cilën ndodhemi, nuk duam gjithsesi të mungojmë, e të sjellim pak dritë shprese. Së bashku do të shihemi shumë shpejt nëpërmjet ekraneve të rrjeteve tona sociale”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fzafestival2017%2Fposts%2F2857059997733207&width=500

Bajraj: Këtyre që nuk shohin mirë nga interesat personale, u mjegullohet realiteti aq shumë, sa që fiket edhe drita e diellit

Se çka është poeti dhe cili është vendi i tij në një shoqëri, janë pyetje që shpesh ju adresohen shkrimtarëve. E këtyre pyetjeve të cilat i janë shtruar shpesh edhe poeti kosovar Xhevdet Bajraj, e kanë nxitur atë që të flasë më gjerësisht përmes një statusi në Facebook, si një formë që të ju përgjigjet të gjithë atyre që po i shkruajnë.

Sipas poetit Bajraj, ata që ju i njihni si poetë (se unë nuk e di kënd e quani ju ashtu), e që janë larg jetës së njeriut a kombit, ata janë edhe larg, shumë larg, tepër larg, poezisë.

Ky është statusi i plotë i poetit Xhevdet Bajraj:

STOP

Një përgjigje për disa që më japin publikisht këshilla miqësore (e që nuk i kam as miq në Fb) në lidhje me atë se çka është poeti, dhe më tej, cili është vendi i poetit në një shoqëri. YA BASTA! Poezia ka turp për shumicën absolute të poetëve të sotëm, e liria turpërohet nga ju. Ata që ju i njihni si poetë (se unë nuk e di kënd e quani ju ashtu), e që janë larg jetës së njeriut a kombit, ata janë edhe larg, shumë larg, tepër larg, poezisë.

Një ditë një kafshë apolitike u fut mes ezanit të hoxhës dhe të një vargu tim?! Dje mora shumë ‘udhëzime’ dhe ‘këshilla’ rreth një postimi?! Këto më bëjnë të kuptoj se për disa nuk qenka e mjaftueshme ajo që them përmes vargut.

Pajtohem se jeta e çdo njeriu të thjeshtë, të zakonshëm, është e vështirë, por rruga e artistit është plot gjemba, prandaj edhe me lehtësi e ngatërrojnë artistin me iriqin. Jeta është një lojë, dhe si në çdo lojë, të fitosh ose të humbësh nuk është njësoj, artistët, në këtë rast poetët, janë lojtarë që nuk heqin dorë. Në fund të fundit, atyre nuk intereson ajo thënia se gjëja më e rëndësishme në një lojë është të marrish pjesë e jo të fitosh. Këtë e dinë mirë edhe fituesit edhe humbësit. Letërsia vazhdon të jetë një punë serioze, e jo argëtim i lehtë. Realiteti e ka komoditetin të duket jo i besueshëm, poezia, arti, nuk e ka këtë komoditet, se përndryshe nuk do t’i shërbente njeriut e as njerëzimit. Një numër i konsiderueshëm i pushtetarëve tanë, përdorin të gjitha stilet e notit, në lumin tonë të jetës, në lumin tonë të shterur të jetës, në brigjet e të cilit akoma nuk janë zhdukur njollat e gjakut të njerëzve tanë. Pra është koha e fundit, që secili të ulet aty ku e ka vendin, në spital psikiatrik, në burg apo në një karrige që ia ka caktuar historia, qoftë në pjesën e errët, qoftë në pjesën e ndritshme të saj.

Mua nuk më pëlqen ky realitet i krijuar, prandaj nuk mund të rri duarkryq, ajo që më së paku mund të bëjë, është të shkruaj poezi, dhe nëpërmes saj, të mund të dal së paku nga ky realitet. Tek e fundit, letërsia ekziston sepse nuk i mjafton realiteti, çfarëdo qoftë ai, besa nuk i mjafton jeta më gjithë çka ka. Një poet nga Amerika veriore thoshte: “Poeti është një kafshë detare, që jeton në tokë dhe do të dëshironte të fluturojë”. E tërë bota duket se është shndërruar në një spital të madh. Mbrojtja nga kjo “ngrehinë” është arti. Arti është vet liria, me të poetët përballen çdo ditë, duke u përpjekur t’i japin kuptim. Në poezi kjo do të të thotë, ta asimilosh, mbizotërosh gjendjen në të cilën e ke gjetur ofertën estetike (po ashtu atë etike), dhe ta përshkosh, ta bësh një hap më tutje, në të panjohurën, nuk është edhe aq vështirë, traditën e ke me vete. Përndryshe njeriu akoma do ta ndizte zjarrin me fërkimin e dy krandeve apo goditjen e dy gurëve mes veti. (Ky ka qenë hap i madh për njerëzimin, hapi tjetër i madh ka qenë kur kanë vizatuar me gaca të fikura në shpella.) Nga ajo liri vjen origjinaliteti, një nga gjërat më të rëndësishme në poezi, në art në përgjithësi, dhe ai vjen, ekskluzivisht, nga sinqeriteti. Natyrisht, Salman Rushdie do të thoshte, duhet të jeni vrazhdësisht të ndershëm me vetveten. Unë nuk shkruaj për t’i argëtuar masat e gjëra popullore që gjenden në kllapi, por për ta zgjuar ndonjërin prej tyre nga ajo kllapi, t’ia prishi ëndrrën e keqe.

Kosova është një kapitull tragjik i historisë, po për fatin tonë të mirë, me një fund të bukur. Ama… kujdes, është vetëm një kapitull. Në kapitullin në vazhdim, drita e lirisë po shfaq shumë probleme, herë fiket, herë ndizet. Dhe kur ndizet drita, ajo është shumë e zbehtë, dhe këtyre që nuk shohin mirë nga interesat personale, u mjegullohet realiteti aq shumë, sa që fiket edhe drita e diellit. Ata që na sollën deri këtu, uzurpuesit, kapësit, dhunuesit, shkatërruesit, përvetësuesit, krimbat e lirisë, unë nuk do t’i përkrah më, sepse jam i lirë dhe nuk ka njeri që e shporr lirinë nga qenia ime. Të jesh i lirë do të thotë të mund ta zgjedhësh edhe të keqen, ama ja që ky nuk është opsion për mua.

P.S.“Shqiptarët duhet të jenë të denjë, për të qenë shërbëtorët e Shqipërisë”, Mithat Frashëri.

Xhevdet Bajraj,
21.08.2020, Meksiko Siti. /KultPlus.com

Për 4 muaj në karantinë, artisti krijon pikturën më të madhe në botë, sa 4 fusha basketbolli


Artisti britanik Sacha Jafri vendosi që në bashkëpunim me autoritetet e Dubait të merrte ‘peng’ sallën e ballos të hotelit ku po qëndronte i karantinuar për 4 muaj, Atlantis The Palm, duke e krijuar një vepër komplekse që në përfundim do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 2 mijë metrash katrorë, sa 4 fusha basketbolli.

I njohur për stilin e realizmit magjik të veprave, 43-vjeçari që ka studiuar në disa prej shkollave më prestigjioze britanike, si ajo e Eton Jafri, e ka quajtur veprën “Rrugëtimi i Njerëzimit” dhe është e kompozuar pjesërisht me qindra vepra që fëmijë nga e gjithë bota ia kanë dërguar online.

“I kërkova fëmijëve të dërgonin vepra që tregonin sesi ndiheshin në këto momente karantine dhe pandemie. Për të rriturit është mjaftueshëm e vështirë, mendoni për një fëmijë 4-vjeçar”, thotë Jafri, i cili mendon ta përfundojë veprën në rreth 6 muaj, ku 4 kanë kaluar tashmë.

Në përfundim, vepra do të ngrihet vërtikalisht dhe do të projektohet në qiellgërvishtësin më të lartë në botë, Burj Khalifa dhe më pas do të ndahet në 60 panele më të vogla për t’u shitur në ankand.

“Mendoj se do të ketë koleksionistë të mëdhenj që mund të paguajnë edhe 4 milionë dollarë për çdo panel”, thotë artisti, që mendon të mbledhë rreth 30 milionë dollarë nga e gjithë vepra.

Të gjithë paratë do të shkojnë në bamirësi, pikërisht për fëmijët në nevojë, një projekt ky i mbështetur nga UNESCO dhe yje të showbizit si Rita Ora dhe Eva Longoria. /KultPlus.com

Komuna e Prizrenit planifikon të zhvilloj turizmin në fshatin Struzhë

Komuna e Prizrenit po planifikon që të fillojë pilot projektin në fshatin Struzhë, ku do të investohet në rehabilitim dhe vënie në funksion të një numri të madh të shtëpive të vjetra të fshatit si bujtina për turistët vendorë dhe ndërkombëtar, përcjellë KultPlus.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook është bërë e ditur se si pjesë e këtij projekti parashihet edhe ndërtimi i muzeut etnologjik, ku do të ekspozohen eksponatet që janë në dispozicion aktualisht në atë fshat.

Më poshtë gjeni statusin e plotë:

Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik është duke planifikuar dhe analizuar mundësitë për fillimin e një pilot projekti në fshatin Struzhë, i cili do të konsistojë në krijimin e mundësive të zhvillimit turistik dhe eko-turizmit, ku parashihet të investohet në rehabilitimin dhe vënien në funksion të një numri të shtëpive të vjetra të fshatit, të murosura me gurë natyral, të cilat pastaj parashihet të shndërrohen në bujtina për turistët si vendor po ashtu edhe ndërkombëtar. Si pikë e dytë e këtij projekti parashihet krijimi i një muzeu etnologjik, ku do të ekspozohen eksponatet që janë në dispozicion aktualisht në atë fshat, dhe ato që mund të gjenden në vazhdimësi. Qëllim primar dhe kryesor i projektit është zhvillimi ekonomik i zonës në fjalë, zhvillimi i turizmit malor dhe pasurimi i ofertave turistike në kuadër të Komunës së Prizrenit. / KultPlus.com

Villa e Enver Hoxhës që me vite ka tmerruar shqiptarët, sot vendi ideal për turistët

Gjithçka që kishte të bëj me komunizmin sot nuk kujtohet për të mirë. Shqiptarët e kanë vuajtur atë kohë shumë, dhe sidomos vendet kur komunistët kanë zhvilluar veprimtaritë e tyre, ngjashëm si një villë në Sarandë.

“Santa Quaranta” sot është një nga hotelet më të mira e luksoze në Sarandë, por dikur ka qenë villë e ish-dikatorit shqiptar Enver Hoxha, dhe kamp i punëtorëve të tij. Me pamje nga deti Jon, do të duheshin të kapërceheshin 25 vite, që sot, kushdo që pushon në Sarandë të bëhet kurioz dhe të shkojë tek ish Kampi i punëtorëve.
“Aty nuk pushojnë më “shenjtorët” e komunizmit, siç ka pas qenë shpall klasa punëtore në atë kohë, por mijëra pushues kryesisht të ri, që i gëzohen hapësirës gjigande, plazhit të ri, diskove, restorantit dhe klubeve të ditës dhe natës.

Ndërtesa e vjetër ka ruajtur formën e saj, por e bardha e re dhe arkitektura moderne kanë përmbysur gjithçka për nga standardet. / Gazetametro / KultPlus.com

Ministria e Arsimit kërkon 1000 mësimdhënës shtesë për fillimin e vitit shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të mundësojë angazhimin e 1000 mësimdhënëseve me pagesë për vitin e ri shkollor, që pritet të fillojë më 1 shtator.

Angazhimi i këtyre mësimdhënësve, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, duhet të vlejë vetëm gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

Enver Osdautaj, këshilltar i lartë politik në kabinetin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky numër i mësimdhënësve duhet të jenë si staf rezervë në rast të infektimit me koronavirus apo izolimit të mësimdhënëseve të rregullt.

“Ne kemi kërkuar angazhim të rregullt të mësimdhënësve më gjysmë pagesë, vetëm për periudhën e pandemisë. Kemi kërkuar nga Qeveria që të mbështes me 1000 mësimdhënës si staf rezervë dhe staf teknik, varësisht nga nevojat. Këta mësimdhënës do të punojnë vetëm në rrethana pandemie. Këta janë mësues plotësues për të plotësuar nevojat varësisht prej situatave që vijnë dhe shpërndarja e tyre në nivel shteti bëhet në bazë të numrit të nxënësve nëpër drejtori komunale të arsimit”, tha Osdautaj.

Rritjen e stafit të personelit arsimor, për fillimin e procesit mësimor e ka kërkuar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Ymret Reshiti, kryetar i këtij Këshilli, në një bisedë për Radio Evropa e Lirë, tha se përveç infektimit të mundshëm me sëmundjen COVID-19 të mësimdhënëseve, stafi i ri duhet të ndihmojë edhe në rast të marrjes së vendimit për ndarjen e nxënëseve në dy ose tri klasa.

“Do të thotë mos të jetë barrë e një mësimdhënësi që të punojë në një klasë në tri grupe, sidomos e kemi fjalën për ato klasa që kanë numër të madh të nxënësve”, tha Reshiti.

Përveç kërkesës për 1000 mësimdhënës shtesë më pagesë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar edhe nga Universiteti i Prishtinës, konkretisht nga Fakulteti i Edukimit, që studentët të ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Këtyre studentëve do u njihet praktika, proces ky që është obligim për përfundimin e fakultetit. Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, para 10 ditësh, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar gatishmërinë e këtij fakulteti, për të ndihmuar Ministrinë e Arsimit në procesin e mësimit.

Skenarët për fillimin e vitit të ri shkollor

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme.

Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin, vendimi për këtë varet nga situata epidemiologjike në vend, thotë Osdautaj duke shtuar se te shumica e drejtorive komunale të arsimit, janë të gatshme të fillojnë me kthimin e nxënëseve në shkolla.

Opsionet mund të zbatohen nga komunat varësisht hapësirës nëpër objektet shkollore dhe gjendjes epidemiologjike në vend.

“Jemi takuar me shumicën e drejtorive komunale dhe të gjitha përgatitjet janë bërë që të fillohet procesi mësimor. Dhe më inkurajon besimi që kanë dhe vullneti që të provohet skenari A.

”Ne jemi duke shqyrtuar edhe një opsion që më 1 shtator të fillohet me klasat nga 1 deri në 5. Edhe ashtu ky është rekomandim i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike pastaj të fillohet më grupet tjera, me 14 shtator është opsioni tjetër. Por, ta shohim të fillojmë me të gjitha klasat. Mirëpo, skenarët do të përshtaten me kushtet e pandemisë”, tha Osdautaj.

KB: Gati gjysma e shkollave në botë kanë mungesë të ujit dhe sapunit për duar

Edhe Këshilli i Prindërve në Kosovë, preferon kthimin e nxënëseve në shkolla, por gjithmonë duke respektuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj COVID-19, thotë Reshiti.

Masat mbrojtëse janë mbajtja e maskave, respektimi distancës dhe mbajtja e higjienës personale.

“Ne si këshill, është e natyrshme që mbështesim Skenarin A, fillimi i vitit shkollor nëpër banka, të gjithë nxënësit nga klasa e parë e deri tek shkollat e mesme, duhet ti nënshtrohen shkollimit në objektet e shkollës. Për ne kjo është mënyra më e mirë dhe më e dëshirueshme edhe për nxënës, por edhe në aspektin e përfitimit të njohurive në mënyrë të kompletuar. Por, nëse rritet numri i personave të infektuar më COVID-19, ne duhet të pranojmë edhe versionin B.” tha ai

Qytetarët: Numri i lartë i rasteve të të infektuarave, rrezik për nxënësit

Disa qytetarë në Prishtinë, ndërkaq vlerësojnë se kthimi i nxënëseve në hapësirat e shkollave, sidomos nxënësit e shkollave të mesme, mund të rris shkallën e infektimit më koronavirus.

Qamil Dili, i cili tregon se ka nipa dhe mbesa në shkollë, frikësohet se me hapjen e shkollave mund të rrezikohen nxënësit.

“Sikur të ishte zbutur situata me koronavirus, do të ishte shumë mirë të kthehen fëmijët në shkolla, sepse kemi mbetur shumë mbrapa më mësim. Por, në këtë gjendje, kur numri i rasteve është në rritje, unë frikësohem se do të rritet edhe më shumë numri, pasi tashmë po vërehet se të infektuar janë edhe më moshat e reja”, thotë Dili.

Ngjashëm mendon edhe Osman Metushi:

“Unë jam që mos të hapen shkollat, sepse mund të përhapet epidemia”, shprehet Metushi.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube.

Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor. / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me rezolutën 72/165, vendosi para dy vitesh ta shpallë 21 gushtin, Ditë Ndërkombëtare për të përkujtuar e për të nderuar viktimat e terrorizmit. Synimi nuk është vetëm nderimi i viktimave, por edhe përkrahja e të gjithë atyre, që kanë mbijetuar nga terrorizmi, duke promovuar të drejtat e njeriut dhe liritë e tyre themelore.

Kryeministri i vendit, Abdullah Hoti, në Ditën Ndërkombëtare kundër Terrorizmit ka shkruar se vendi jonë nuk do t’i ndalë përpjekjet për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social në Facebook, Hoti ka shtuar se sot kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

 Sot, në Ditën Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit, kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat! Themeluar në vitin 2018, Dita Ndërkombëtare kushtuar viktimave të terrorizmit shënohet çdo 21 gusht. Terrorizmi është një sfidë globale, dhe po ashtu duhet të luftohet globalisht, në të gjitha format dhe shfaqjet e tij, pasi që u shkakton dëme të përhershme njerëzimit. Kosova mbetet partner në mbrojtjen e vlerave që vendet demokratike përqafojnë në të gjithë botën. Ne nuk do të ndalemi në përpjekjet tona për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin. / KultPlus.com

Gilan, sonte qetë frymon

Poezi nga Alketa Spahiu

Gilan, jemi binjake monozigote,
edhe pse shpirtrat
në parcela ujdhesash i kemi ndarë,
ah gjeodetë, si dështuat kështu
matjet e dashurisë tejkalojnë atlaset e mallit.

Gilan, sonte qetë frymon,
pa makinat e zhurmshme, ecejaket e te rinjëve,
pa dashuriçkat që bëjnë xhiro në ajër,
pa kujtimet që palohen lehtas në arkat e pajës së vajzave,
më jep sinjal qe je mirë, qyteti im,
mua që t’i njoh edhe dihatjet e melodive,
nën kalldrëmin shekullor
të eklipsuar padrejtësisht
nga asfaltet e atyre që makthet i kanë ëndrra.

Ndaj me mua sekretet nga bodrumet e zemrës,
ashtu si vajzat adoleshente
kur pëshpërisin me shoqen e bankës,
ty qe u mësova të të dua, pa e ditur ç’është dashuria,
në ty linden dëshirat,
fare lehtë, pa prerje cezariane,
për të ikur larg,
për të të dashur më shumë
pa e ditur ç’është dashuria. / KultPlus.com

Taylor Swift jep donacion për regjistrimin e studentes në universitet

Këngëtarja Taylor Swift ka bërë një donacion prej 23.000 sterlinave (25.700 euro) për studenten nga Londra në mënyrë që të ketë mundësinë e regjistrimit ne Universitetin Warwick, në degën e matematikës.

Studentja Vitoria Mario ka hapur një faqe të mbledhjes së fondeve në internet, ku edhe shkruan se si ka jetuar në Britani për katër vite, pasi që ishte shpërngulur nga Portugalia.

Por ajo nuk ka të drejtë për grante ne Britani.

Vitoria, për donacionin e Taylor Swift, tha: “Kisha brenga se ku do t’i gjeja paratë, çka duhet të bëj dhe çfarë pune të bëj. Ajo në fakt bëri që ëndrra ime të bëhet realitet”, shkruan BBC-ja të premten.

Këngëtarja amerikane, e cila ka shumë kënge të njohura nëpër top listat botërore, shkroi një mesazh në faqen e mbledhjes së fondeve të Vitorias.

Deri në paraqitjen e Swiftit, Vitoria kishte mbledhur afro gjysmën e 40.000 sterlinave të nevojshme për regjistrimin më fakultet.

“Vitoria, arrita deri tek tregimi yt online dhe jam aq e frymëzuar me vullnetin tënd për t’i bërë ëndrrat tua realitet”, i shkroi Swift Vitorias. “Dëshiroj që të dhuroj pjesën tjetër që ka mbetur. Shumë fat me çdo gjë që bën! Me dashuri, Taylor”.

Swift edhe më parë u kishte bërë donacione të ngjashme adhuruesve të saj për të cilët kishte lexuar online. / KultPlus.com

“Qasje për të gjithë” vë në pah vështirësitë që kanë personat me aftësi të kufizuara

Suada Qorraj

“Qasje për të gjithë” ishte tema që kishte bërë bashkë panelin për diskutim i cili u bajt mbrëmë në kuadër të festivalit “Anibar”. Pjesë e këtij paneli ishin: Matilda Zizolli – QKM Tiranë, Rijad Mehmeti – Avokues i të drejtave të fëmijëve dhe moderatore: Dafina Zuna Hoxha – UNICEF Kosova, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrësit e këtij paneli pasqyruan dhe diskutuan urgjencat e personave me aftësi të kufizuara, duke filluar nga gjithë përfshirja në arsim, punësimi e deri tek përshtatja e infrastrukturës, me fjalë të tjera, për mundësitë e qasjes për të gjithë.

Pjesë e diskutimit të këtij paneli ishte edhe nevoja për kujdes që kanë personat me nevoja të veçanta. Sipas panelistëve, personat e kësaj kategorie shpesh herë nuk mund të dalin nga shtëpia sepse nuk kanë qasje në qytet.

Gjatë këtij diskutimi, Rijad Mehmeti u shpreh se qasja në shkolla për personat me aftësi të kufizuar është e mangët.

“Shkollat kanë qasje me të vërtetë të mangët, është mungesë e vetëdijesimit plotësimi i të drejtave sepse mendoj që një fëmijë duhet të ketë qasje në të gjithë ambientin e shkollës sepse të gjithë janë të barabartë”, u shpreh ai.

Ndërkaq Matilda Zizolli tha se nuk duhet t’i viktimizojmë personat me nevoja të veçanta por as jetën e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që mos t’i shohim as mos t’i viktimizojmë ata si individë, as të viktimizojmë jetën e tyre. Për neve një orë kufizim, d.m.th. mos marrje e gjërave të përditshmërisë tonë na duket e tepërt, imagjinoni se çfarë ndodhë me një fëmijë i cili çdo ditë e ka këtë lloj kufizimi”, deklaroi ajo.

Ndërkaq sipas Rijad Mehmetit, personat me aftësi të kufizuara nuk kanë nevojë për një dorë ndihmëse por për qasje në shërbime në mënyrë të pavarur.

“Njerëzit me aftësi të kufizuar mund të jenë të pavarur nuk ka nevojë dora e dikujt çdoherë të jetë në ndihmën e tyre, qasja fizike, alfabeti i brajlit, gjuha e shenjave, do të thotë çka do që mund të ndihmoj jetën e tyre e bënë më të pavarur”, ka shtuar më tutje Mehmeti.

Duke u nisur nga aspekti personal, Rijadi, tregoi se nuk mund të dalë në Prishtinë pa pasur ndonjë asistues e që në të shumtën e rasteve janë babai ose nëna.

Gjatë këtij paneli u diskutua edhe për vështirësitë me të cilat janë përballur personat me aftësi të kufizuar gjatë pandemisë.

Matilda Zizolli tha se ka pasur probleme të shumta ngase as prindërit, as fëmijët e mbi të gjitha as personeli i specializuar nuk ishte i përgatitur për një situatë të tillë. Ajo veçoi si një nga rastet më të vështira, qasjen e vështirë që kanë pasur me personat e prekur me autizëm. Sipas saj e vetmja mënyrë që tu ndihmonin fëmijëve ishte që tu mbanin trajnime prindërve.

Ndërkaq Mehmeti u shpreh se mësimi online për të ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e mirë sepse ai nuk është përballur me vështirësitë që përballet çdo ditë. Gjatë diskutimit ai vuri në pah edhe faktin që jo çdo nxënësi i duhet një laps e një fletore, sepse sipas tij për të është më e përshtatshme të mësoj me anën e një kompjuteri.

Rijad Mehmeti rrëfeu me entuziazëm faktin që për herë të parë arsimtarët nuk i thanë t’i kryente e t’i dorëzonte detyrat më vonë për shkak të pamundësisë së tij që të jetë në hapin e shpejtë me të tjerët. Ai tha se për shkak se përdorimi i teknologjisë kishte lehtësuar procesin për të ai tashmë dërgonte detyrat me kohë, pa pasur nevojë për një orar shtesë.

Festivali “Anibar” sonte mban diskutimin e radhës me temë “Solidariteti në Veprim”. / KultPlus.com

.

Selca, një tjetër destinacion për t’u vizituar

Me ujëvarën dhe kanionet fantastike, fshati Selcë në Kelmend ofron për vizitorët bukuri të rralla natyrore.

Në vijim të promovimit të destinacioneve turistike shqiptare, Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga mrekullitë natyrore që ofron Selca.

Veriu i Shqipërisë është i mbushur me mrekulli të shumta që tërheqin vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Një prej tyre është fshati Selcë që shtrihet në lartësinë 353-1100 m mbi nivelin e detit, rreth 8 km në veri të qendrës së komunës Kelmend.

Selca është fshati i bukurive të fshehura, jo vetëm natyrore.

Në Selcë gjendet kanioni më i madh i Kelmendit, ujvara më e bukur, shumë shpella për t’u eksploruar, shtigje malore interesante, peizazhe shumë të bukura për t’u fotografuar, vende historike, shtëpi me arkitekturë të veçantë, punime artizanale të veçanta të lëkurës, drurit, gurit etj. /atsh / KultPlus.com

Coco Chanel: Vishuni sikur do t’a takoni armikun tuaj më të keq sot

Si njëra prej grave më me ndikim në modë, Gabrielle Bonheur ‘’Coco’’ Chanel kishte shumë për të ndarë gjatë jetës së saj. E lindur në vitin 1883 në Francë, Coco hapi dyqanin e saj në vitin 1910 dhe shpejtë u bë e njohur për stilin e saj të thjeshtë por elegant dhe me rroba të modës.

Jo vetëm që dizajnet e saj e dërgojnë luksin dhe modën në një nivel që bota nuk e kishte parë më parë, por ajo u bë zëri i grave.

Coco ishte një dizajnere, ndërmarrëse dhe një shembull. Keni shumë për të mësuar nga pionerja e modës.

Shikoni këto 10 thënie nga Chanel.

Për të qenit vetvetja

‘’Ngjyra më e mirë në botë është ajo e cila ju rri më mirë’’.

Për të qenit proaktiv

‘’Mos shpenzoni kohë duke goditur murin, duke shpresuar që do të transformohet në një derë.’’

Për suksesin

‘’Në mënyrë që të jeni të pazëvendësueshëm ju duhet të jeni gjithmonë ndryshe nga të tjerët’’.

Për fuqizimin

‘’Jeta ime nuk më kënaqte, kështu që e krijova atë’’.

Për udhëheqjen

‘’Akti më i guximshëm është ende të mendoni për veten tuaj’’.

Për mentalitetin

‘’Butësia nuk përfundon punët përveç nëse jeni një pulë e cila bën vezë’’.

Për kohën

‘’Nuk ka kohë për monotoni. Ka kohë për punë. Dhe kohë për dashuri. Ajo nuk lë kohë tjetër’’.

Për mundësinë

‘’Vishuni sikur do t’a takoni armikun tuaj më të keq sot’’.

Për lumturinë

‘’Ka njerëz të cilët kanë para dhe ka njerëz të cilët janë të pasur’’.

Për dështimin

‘’Suksesi shpesh arrihet nga ata të cilët nuk e dinë se dështimi është i paevitueshëm’’./ KultPlus.com

Fotografia që preku zemrën e mijëra njerëzve: Babi të lutem prit, dua të vij dhe unë

Kjo foto ikonë është marrë nga Claude P. Dettloff, më 1 tetor 1940, teksa Regjimenti i Kolumbisë Britanike ishte duke marshuar në Rrugën e Tetë në kryqëzimin e Kolumbisë në New Westminster të Kanadasë.

Fotografia mori ekspozim të gjerë dhe u përdor në disqet e lidhura me luftën e Dytë Botërore.

Një djalosh 5-vjeçar që vrapon drejt të atit për t’i kapur dorën duket sikur thërret, “Babi të lutem prit, dua të vij dhe unë”.

Sigurisht që një fëmijë në atë moshë nuk e kupton situatën në të cilën ndodhet, nuk e kupton luftën. Pas kësaj fotoje prekëse, fshihet edhe vetë historia…

Më 26 gusht 1939, Hitleri kërcënoi Poloninë. Në orën 4:15 në mëngjes Regjutori Admirues në British Columbia, Kanada, mori një telefonatë nga kryeqyteti kanadez duke e udhëzuar atë që të thërresë regjimentin e BC. Ushtarët u shpërndanë në qytet për të ruajtur pikat e rrezikuara.

Më 10 shtator 1939, Parlamenti i Kanadasë shpalli luftë kundër Rajhut Gjerman, i cili kishte pushtuar Poloninë në fillim të muajit. Ndërsa njësi të tjera u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar, Regjimenti britanik i Kolumbisë u la prapa në bregun perëndimor.

Pas disa muajsh stervitje dhe detyrës roje, regjimenti u urdhërua dhe më 1 tetor 1940 marshoi në New Westminster për të kapur një anije pritëse, SS Joan, në destinacionin e tyre sekret.

Duke dalë në Rrugën e Tetë në New Westminster, fotografi amerikan Claude P. Dettloff i gazetës The Province pozicionoi veten për të fotografuar të gjithë kolonën që marshonin poshtë kodrës. Ndërsa po përgatitej të merrte fotografinë, ai pa një djalë të vogël në mes të rrugës.

‘Më prisni dhe mua’ bërtiste vogëlushi, ndërsa i ati shikon djalin pesëvjeçar, Warren “Whitey” Bernard, duke u larguar nga e ëma e tij, për tek ai.

Fotografia e kapur nga Dettloff bëri bujë në të gjithë botën, duke u ekspozuar kështu në çdo shkollë të British Columbia.

Kur Jack Bernard u kthye në shtëpi, Dettloff ishte aty për të fotografuar momentin e ribashkimit të familjes.

Fotografia e djaloshit 5-vjeçar u bë pjesë e historisë dhe një statuje prej bronzi, që gdhend imazhin e vogëlushit, e cila është vendosur pjesën e poshtme të rrugës së 8-të, në sheshin Hyack, saktësisht aty ku është shkrepur edhe imazhi i cili është konsideruar si një ndër 10 fotografitë më të mira të viteve 1940. /konica/ KultPlus.com

Nënë, më fal se të përqafoj shumë rrallë

Nga Albina Krasniqi

Shkruaj, pastaj zhgarravis. Vazhdon kështu për shumë gjatë. Nuk e di pse sot lapsi nuk më bindet, frymëzimi im ka ikur larg.

Po ç’faj kam unë që fjalët e mia nuk munden të përshkruajnë portretin tënd?! Ti je ai imazhi i pandashëm i kujtimeve të mia. Ke qenë aty me mua edhe kur unë nuk e dija që isha me ty, je ninulla më e ëmbël, dora që më mbron, më përkëdhel. Je ajo që me entuziazëm të madh duartroket hapat e mi të parë, gërmëzimet e para, je kritikja nga e cila pranoj çdo mendim, je shtylla tek e cila mbështetem, burimi im i kurajos.

E di nënë! I gjithë blerimi i pranverës është kaq i zbehtë para syve të tu. Ndonjëherë kur kthehem nga shkolla, gjatë gjithë rrugës mendoj si do të të shpjegoj ndonjë të vërtetë të “dhimbshme“. Arrijë të krijojë një skenar shumë të sofistikuar, mbushur me zbukurime e manipulime, një histori fantastike plotë me gënjeshtra, të cilën jam gati për ta treguar. Dhe…kur përballem me atë shikim, e gjithë historia ndërtuar me aq mundim, shuhet në një sekond. Nuk mundem të të gënjej, nëse do ta bëja, do të jetoja me barrën e një kri mi të rëndë. Në fakt, gjithmonë kam menduar se si je aq e zonja në leximin e mendjes sime, ndonëse unë jam një aktore e mirë, ti gjithmonë e kupton atë që fsheh nga brenda. Ti nuk ke nevojë të shohësh lotët për të më pyetur pse jam e mërzitur, ndonjë ditë do të ma japësh edhe mua formulën e kësaj. Dua të të rrëfej diçka; ka raste kur unë nuk u bindem kërkesave të tua, më beso, nuk dua të të mërzis, por mua më pëlqen të fitoj pak vëmendje, të vjedh pak nga kujdesi yt.

Më pëlqen kur mundohesh të më bindësh të ha ushqim, kur më trajton si një fëmijë të llastuar. Më pëlqen kur gjatë natës, ndjejë dorën tënde tek më mbulon, kur me dashurinë tënde të madhe më largon mërzinë, kur së bashku mbjellim lulet e bukura të jetës. Më pëlqen prania jote, hija jote në rrezen time të shikimit. 

Unë gaboj karshi teje nënë, gaboj shumë, por falja jote i kalon kufijtë e mi, e di që unë të përqafoj rrallë, përveç takimeve të zakonshme si me të gjithë. Ndoshta akoma më rrallë, të shpreh ndonjë ndjenjë, të them që ti për mua ke shumë rëndësi, por e kam kaq të vështirë. Më ngjajnë ndonjëherë të tepërta veprimet, më duket vetja si një kukull e drunjtë, e akullt, pa ndjenja, por nuk e di sa herë mundohem të flas, në fyt më mblidhet një lëmsh gjigand.

E di nënë?! Ndjenjat e forta janë bërë për zemrat, ndoshta prandaj është e vështirë t’i nxjerrësh jashtë. Më fal për gjithçka të munguar nga unë, por dije këtë, unë të ruaj ty në thellësitë e zemrës sime, në vendin tim më të sigurt, nga i cili s’do të dalësh kurrë. Meqë s’u mjaftova nga fjalët e Botës, të shkrova ca rreshta me fjalë zemre. Ca rreshta për ty nënë nga vogëlushja jote. Nuk e di a të kam thënë ndonjëherë se të dua… / KultPlus.com

Dua Lipa konfirmon datën e publikimit të “Club Future Nostalgia”

Më 14 gusht Dua Lipa publikoi remiksin e parë nga mikstape “Club Future Nostalgia” – një version të ri të “Levitating” nga The Blessed Madonna, një bashkëpunim ky me Missy Elliottin e Madonnan.

Dua Lipa deri tani nuk kishte dhënë shumë informacione rreth mikstapet të ri që është remiks, përveç se Mark Ronson e Gwen Stefani do të paraqiten në remiksin e këngës “Physical”, transmeton KultPlus.

Por, sot ylli nga Prishtina vendosi që të publikojë listën e plotë të mikstapet që do të lansohet më 28 gusht, në të cilën paraqitet bashkëpunimi i saj i vitit 2018 me Blackpink “Kiss and Make Up”.

Ajo shprehet shumë e entuziazmuar për këtë projekt.

“Muajt e fundit kanë sureal. Ju kam shikuar duke vallëzuar në shtëpitë e juaja dhe festat në Zoom me ‘Future Nostalgia’ sikur të ishit në klub me mua. Më solli aq shumë kënaqësi në ditët që kalova në shtëpi, përkundër që më shumë do të doja t’i luaja këto këngë live për ju. Gjatë kësaj kohe kam vendosur ta çoj festën në një shkallë me të pakrahasueshmen ‘The Blessed Madonna’, që në mënyrë sekrete më ndihmoi ta krijojë mikstapen që do të bëhej ‘Club Future Nostalgia’. Ftuam disa miq dhe legjenda që të na bashkoheshin neve në këtë argëtim”, ka thënë ajo.

Lista e “Club Future Nostalgia”:

1. “Future Nostalgia” – Joe Goddard Remix

2. “Cool” – Jayda G Remix

3. “Good In Bed” – Gen Hoshino Remix and Zach Witness Remix (Sample: Neneh Cherry – “Buffalo Stance” Sample: Art Of Noise – “Moments In Love”)

4. “Pretty Please” – Midland Refix

5. “Pretty Please” – Masters At Work Remix (Sample: Cajmere – “Coffee Pot” (Percolator mix))

6. “Boys Will Be Boys” – Zach Witness Remix (Sample: Lyn Collins – “Think (About It)”)

7. “Love Again” – Horse Meat Disco Remix

8. “Break My Heart / Jamiroquai Cosmic Girl” (Sample: Jamiroquai – “Cosmic Girl” (Dimitri From Paris Dubwize Remix))

9. “Levitating (feat. Madonna and Missy Elliott)” – The Blessed Madonna Remix.

10. “Hallucinate” – Mr Fingers deep stripped mix (Sample: Gwen Stefani – “Hollaback Girl”Sample: Barbara Mason – “Another Man”)

11. “Hallucinate” – Paul Woolford Extended Remix (Sample: Larry Heard Presents Mr. White – “The Sun Can’t Compare”)

12. “Love Is Religion” – The Blessed Madonna Remix

13. “Don’t Start Now” – Yaeji Remix (Sample: Gaz – “Sing Sing”Sample: Fingers Inc & Robert Owens – “Bring Down The Walls”)

14. “Physical (feat. Gwen Stefani)” – Mark Ronson Remix (Mark Ronson Remix)

15. “Kiss and Make Up” (feat. Blackpink)

16. “That Kind Of Woman” – Jacques Lu Cont Remix (Sample: Stevie Nicks – “Stand Back” Acapella)

17. Break My Heart – Moodymann Remix. / KultPlus.com

Dikur ishim bashkë

Poezi nga Brunilda Zllami

Dikur ne u deshëm,
pak a shumë s’e di.
Dikur ishim bashkë,
vetëm unë dhe ti

Asgjë tjetër s’ekzistonte
veç i ëmbli përqafim,
trupi yt, që më ngrohte
butësisht gjer në amshim

Dikur ne u deshëm,
shumë a pak s’e di,
në jetën time, i dashur,
s’do të ketë tjetër dashuri.

Dikur ishim bashkë,
sot besnike më është vetmia,
duke u endur në errësirë,
ëndërroj një çast me ty të rrija! / KultPlus.com

‘Vera Andrron Detin’ nga Kaltrina Krasniqi shpërblehet me çmimin e ‘Postrepublic’ në Sarajevë

Filmi i gjatë artistik ‘Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, i cili është në fazën e postproduksionit që ishte pjesë e programit ‘Work in Progress’ në kuadër të festivalit fitoi çmimin kryesor në këtë kategori.

Filmi ka për personazh kryesor një 64-vjeçare përkthyese e gjuhës së shenjave, që jeton në Kosovë. Ajo e sfidon burrin e saj patriarkal me qëllim që të mbrojë vajzën e saj të cilën ai e ka mohuar.

Filmi “Vera Andrron Detin” me producent Shkumbin Istrefin, është bashkëprodhim i Puntoria Kreative Isstra (Kosovë), Dream Factory (Maqedoni e Veriut) dhe Papadhimitri Production (Shqipëri), dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike Kosovës, Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore dhe Qendra Kombëtare e Kinemaografisë në Shqipëri. / KultPlus.com

Filmi ‘Exil’ nga Visar Morina rrëmben ‘Zemrën e Sarajevës’ në festivalin e Sarajevës

‘Exil’ sonte triumfoi në Sarajevë duke e fituar çmimin kryesorë të festivalit ‘Zemrën e Sarajevës’ në një ceremoni të organizuar online për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. 

Këtë vit juria e programit kryesor garues përbëhej nga regjisori frances Michel Hazanavicius, drejtori artistik i Festivalit të Berlinit Carlo Chatrian, aktorja kroate Jadranka Dokic, regjisori serb Srdan Golubovic dhe nga ekspertja e industrisë nga Meksika Andrea Stavenhagen.

Në një video të dërguar, regjisori Morina shprehet mjaft i lumtur me çmimin: ‘ Jam shumë i gëzuar me çmimin, faleminderit! E kisha një vit shumë të ngarkuar në realizimin e këtij filmi dhe nganjëherë ndihesha më i humbur se karakteri i filmit, e ky çmim më ndihmon shumë. Falemnderit jurisë dhe festivalit’.

Filmi i cili u shpërblye më heret sot edhe nga magazina evropiane Cineuropa për regjinë më të mirë, rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.

“Exil”-i sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Ameli Kabashi etj.

‘Exil’-i është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, dhe German Federal Film Board. 

Ky edicion i Festivalit të Sarajevës kishte një presence të madhe të kinematografisë se Kosovës ku përveç pjesëmarrjes së filmit ‘Exil’ ishin edhe ‘Galaktika e Andromedës’, ‘Zana’ dhe ‘Vera Andrron Detin’. / KultPlus.com