Shqipëria po jep çdo ditë dhe më shumë oferta turistike për pushuesit që eventualisht planifikojnë të shkojnë atje.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka prezantuar Belshin një vend afër Elbasanit.
Rama tha se ky vend është rikthyer nga një ferr braktisje.
“MIRËMËNGJES dhe me Belshin e kthyer nga një ferr braktisjeje, plehrash e ferrash, në një destinacion turistik ku hapen vijimësisht bujtina e shërbime të reja për turistët dhe përveç punës tradicionale në bujqësi, ku prodhimi rritet çdo vit, ka nisur një erë e re zhvillimi në agroturizëm, ju uroj një ditë të mbarë”.
Stanishori është vend i staneve, pyjeve plot gjelbërim të ecjes, lumit, vilave prej druri, shtëpive tradicionale të banimit dhe atyre moderne. Gurthyesve, pluhurit të bardhë dhe të vazhdueshëm nga qarkullimi i mjeteve të rënda të transportit, dhe vendbanim në Artanë, por përskaj dhe afër dy komunave, Gjilanit dhe Dardanës. Sanishori dikur vend i staneve e sot shfrytëzohet për ecje, vrapime gara me motor krosa. Stanishori konsiderohet si Gërmia e banorëve të Artanës, e sidomos Gjilanit.
Projekti i Varg e Vi , “Healthy Walk” që po zhvillohet mu në vendin e staneve, në Stanishor ka si synim që ti tregoj audiencës se si një prerje druri, ka detyruar shtegtimin e zogjve nga pyllnaja e Stanishorit për një jetë më të mirë, diku tjetër.
Nëpërmjet këtij projekti të gjithë pjesëmarrësit gjatë rrugës që do ndjekin nëpër shtigje të ndryshme, do të kenë mundësinë që të dëgjojnë audiodokumetnarin gjatë kohës sa ata shëtisin nëpër historinë e Stanishorit.
Projekti “Healthy Walk” mëton ecje të shëndetshme në pyll, vetëm duke e ruajtur identitetin e pyllit dhe e lufton qethjen e pyllit, ndotjen akustike dhe pluhurin e bardhë të gurëthyesve
“Healthy Walk” është në anën e biodiversitetit, duke e bërë betejën për të krijuar ikona “recycle bin”, për reduktim, ripërdorim dhe riciklim, përmes kreativitetit artistik, dhe duke thirrur për ekoqytetari dhe ekoart. / KultPlus.com
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në komisionin për Arsim ka thënë se klasa e parë dhe e dytë do të kthehen në objektet shkollore. Gjithashtu përparësi i është dhënë edhe nxënësve të klasave të gjashta pasi kanë kaluar nga sistemi me një mësimdhënës në atë me shumë mësimdhënës, si dhe nxënësit e klasës së dhjetë.
Pas këtij konfirmimi nga ana e ministrit Likaj, kanë reaguar përmes një letre, nxënësit e klasës së katërt të cilët kërkojnë kthimin në shkolla.
KultPlus ju sjell letrën e plotë:
Letër MASHTIT nga nxënësit e klasës së katërt!
Ju përshëndesim nga zemra, ju Ministër i nderuar por edhe po ju lusim nga zemra, keni mëshirë për ne nxënësit e klasës së katërt, të cilët të ardhmen e kemi në duart e juaja! Mos na leni të gjymtë, mos na i theni ëndrrat, mos na shuani shpresën. Edhe ne jemi shkollarë të vegjël, edhe ne kemi të drejtë të ulemi nëpër bankat tona. Ju lutem mos filloni prapë me skena aktrimi. Ju lutem mos na detyroni të luajmë shfaqje teatrale, mos na detyroni të dëgjojmë rekomandime (gjysmë të gabuara e të përqeshura nga shoqëria), vetë ju t’i zgjidhni model dhe ti paguani shtesë. Po na e humbni durimin. Besoni nuk është tjetër veçse një shfaqje teatrale amatore me një tufë akterësh amaterë. Po u infektuan shkalla e parë le të infektohemi edhe ne, por ju lutemi na lejoni të kthehemi në bankat tona! Kemi shumë punë për të bërë. Jemi lodhur nga skenat e rreme, jemi lodhur nga dekorimet e rreme. Na lejoni të mësojmë, ju premtojmë që do t’i ndjekim të gjitha rregullat. Kësaj radhe ju lutem mos përfitoni! Bëjeni për ne kinse jemi fëmijët tuaj. Shëndet! Klasa 4/B . / Nga mësuesja Arguriana Alaj / KultPlus.com
Më 12 gusht të vitit 1987, u shua në moshën 39-vjeçare nga një sëmundje e rëndë këngëtarja dhe instrumentistja e shquar tropojane, Fatime Sokoli. Për brezin e sotëm më shumë se një cak kujtese, asgjë tjetër mund të mos i interesojë nga ky fak. Por Fatime Sokoli nuk ishte vetëm një nga këngëtaret më të shquara, dhe një pasuri e traditës sonë të vyer të folkut. Ajo ishte shumë më shumë, ishte gruaja e parë që dëshmoi, së pari në malësi dhe kudo gjetkë, ku gruaja mbahej nën zgjedhë, se nuk ishte vetëm për të lindur, rritur dhe edukuar, fëmijë, për punët e shtëpisë dhe për t’iu nënshtruar pushtetit të burrit, ajo ishte për më shumë, ishte edhe për të sfiduar kohën dhe skenën. Ajo ishte dhe mbeti një zë i jashtëzakonshëm, një interpretuese dhe instrumentiste që do të mbetet në fondit e artë të traditës sonë të shkëlqyer të folklorit. Ata që e dëgjuan, që e njohën, e shijuan zërin e saj, e duartrokitën, nuk do ta kenë patur të vështirë ta ruajnë në kujtesë. Ajo kishte ardhur për të mbetur një emër, një kontribut, një vlerë, një simbolikë e shprehive më të qenësishme të pasurisë sonë shpirtërore. Fatime Sokoli u lind në Dragobi të Tropojës, më 18 qershor 1948. Kontributi i saj i shquar e ka shpërblyer atë me titullin “Artiste e Merituar”, një vleësim i merituar dhe arritur me shumë punë dhe përpjekje. Pas shumë vitesh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malësie e në skenat e disa vendeve të Evropës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës, këngës dhe shpirtit të saj. “Bilbili i Tropojës”, Fatime Sokoli u shua më 12 gusht të vitit 1987 në një moshë të re, ndoshta pikërisht atëherë kur mund të jepte ende në fushën krijimit, interpretimit dhe virtuozitetit. U nda nga të gjallët e saj për të lënë në eterin e maleve të Dragobisë, gumëzhimën e Valbonës, bashkë me tingujt e saj magjepsës, edhe zërin e saj kumbues. Ajo s’i kishte mbushur të dyzetat, por la pas këngët e saj të pavdekshme, zërin e saj të papërsëritshëm, la mesazhet patriotike, mesazhet për jetën dhe punën, për njeriun dhe dashurinë. Te shpella e Dragobisë, buçiti zëri i saj për popullin trim të Gjakovës, Aty këngëtarja e Dragobisë, meritoi duartrokitjet e para, që nuk pushuan më pas në Tiranë, Gjirokastër, në mbarë Shqipërinë, në Kosovë e Maqedoni, në shumë skena të Ballkanit e të Evropës. Këndoi ajo dhe u laureua në festivale brenda dhe jashtë vendit; këndoi ajo për Bac Bajramin, Mic Sokolin, Emin Durakun, Haxhi Zekën e Tom Kolën. Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar, ruhen shumë këngë të saj, por ato kanë mbetur në gojë të popullit, duke përjetësuar kujtimin e këngëtares ndër shekuj. Fatime Sokoli ka mbetur në kujtesën e njerëzve si një dëshmi e gjallë e përpjekjeve dhe arritjeve të një gruaje, edhe atje ku pushteti i ligjësive zakonore i kishte privuar asaj të ishte diçka tjetër, më shumë se nënë, grua, argate. Ajo provoi duke guxuar, arriti duke u përpjekur, sfidoi duke luftuar, besoi te talenti dhe u shpërblye. Dhe ne sot i detyrohemi një përulje me respekt për veprën që la si testament vlerash, pasioni dhe përkushtimi. / Nga Albert Vataj/ KultPlus.com
Disa muaj pasi ëndrra e saj për të qenë presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ndal në gjysmë, Kamala Harris tashmë do të provojë një mundësi të dytë me Partinë Demokratike, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Një vit më parë senatorja nga Kalifornia kishte arritur të përparoj në debate të mbushura përplot me kandidat dhe me një kritikë marramendëse ndaj rivalit të saj Joe Biden për garën. Megjithatë, në fund të vitit 2019, fushata e saj kishte marrë fund.
Tani që Biden është kandidati i Demokratëve për president të ardhshëm të Amerikës, 55 vjeçarja është zgjedhur si zëvendëspresidente e ardhshme e vendit dhe nëse Biden i fiton zgjedhjet ajo do të shënohej në histori si zëvendespresidentja e parë grua në Amerikë dhe për herë të parë me ngjyrë.
Demokratja nga Kalifornia u lind në Oakland, Kaliforni, nga dy prindër imigrantë: një nënë me origjinë indiane dhe baba të lindur në Xhamajka. Pas divorcit të prindërve të saj Harris u rrit nga nëna Shyamala Gopalan Harris, një studiuese për kancerin dhe aktiviste për të drejtat civile. Ajo u rrit duke bashkëjetuar me kulturën indiane, gjatë kohës sa qëndronte së bashku me nënë e saj në Indi. Vitet e para të senatores Harris gjithashtu përfshinë një periudhë të shkurtër në Kanada. Kur nëna e saj Shymala Gopalan Harris u punësua si profesoreshë në Universitetin McGill, Harris dhe motra e saj e vogël Maja shkuan me të, ku ndjekën shkollën në Monteral për pesë vite me radhë. Ajo kreu kolegjin në SH.B.A., duke kaluar katër vjet në Universitetin Howard, një nga kolegjet kryesore të personave me ngjyrë të zezë, të cilat ajo i ka cilësuar si ndër përvojat më formuese të jetës së saj. Në vitin 2019, ajo i tha Washington Post se politikanët nuk duhet të futen në ndarje për shkak të ngjyrës ose sfondit të tyre. Kur ajo filloi kandidimin për presidente për një turmë prej më shumë se 20,000 në Oakland, Kaliforni, në fillim të vitit të kaluar, oferta e saj për vitin 2020 u prit me entuziazëm fillestar. Por senatorja nuk arriti të artikulojë një arsyetim të qartë për fushatën e saj, dhe u dha përgjigje të paqarta për pyetjet në fushat kryesore të politikës si kujdesi shëndetësor. / KultPlus.com
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në komisionin për Arsim ka thënë se klasa e parë dhe e dytë do të kthehen në objektet shkollore.
Ai ka thënë se do të dezinfektohen hapësirat shkollore dhe do të zbatohen masat tjera.
Ndryshe edhe drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në takim me kryeministrin është dakorduar që nxënësit e klasës së parë të kenë prioritet në shfrytëzimin e bankave shkollore pasi sipas tij ata kanë nevojë të familjarizohen edhe me mësimdhënësin.
“Edhe nxënësit e klasës së dytë duhet të jenë të favorizuar në këtë drejtim pasi gjysmë vjetorin e dytë ata nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin mësimet në shkolla. Edhe nxënësit e klasave të gjashtë do të kenë përparësi për shfrytëzimin e bankave shkollore pasi kanë kaluar nga sistemi me një mësimdhënës në atë me shumë mësimdhënës. Edhe nxënësit e klasës së dhjetë do të kenë të njëjtën përparësi pasi kalojnë nga shkolla fillore në atë të mesme”, tha Ibrahimi. / KultPlus.com
Përpos parandalimit të përhapjes së COVID-19, Komuna e Gjilanit e ka në prioritet të lartë sektorin e arsimit, këtë javë, e cila vije nga takimi online me kryeministrin Hoti dhe përfaqësuesit e komunave.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë të mërkurën se po shqyrtohen seriozisht tri opsionet e MASH’it, por ka shtuar se nuk është në përgjegjësinë e tyre se cili nga këto opsione do të duhej të implementohet, për normalizim të sistemit të arsimit.
“Unë mbetem i përkushtuar që arsimi duhet të normalizohet me vijueshmëri të rregullt në shkollë, por duhet të gjendet modaliteti që të parandalohet përhapja e infeksionit. Është e paqëndrueshme të pretendohet që mund të ndërtojmë arsim online në Republikën tonë, pa kurrfarë kapacitete, përvoje e mundësie teknologjike. Edhe ashtu, sistemi arsimor në Kosovë në rrafshin e vlerësimit të PISA’s, është shumë keq dhe pandemia mund ta përkeqësojë”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se arsimtarët, prindërit, nxënësit dhe institucionet komunale, duhet të mobilizohen në gjetjen e rrugës më të mirë, në mënyrë që testi i arritshmërisë, regjistrimi i nxënësve dhe fillimi i shkollës të normalizohet në kushte pandemie. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi i ka vazhduar aktivitetet për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, në Skenderaj. Në Skenderaj ministrja u shoqëruara nga zv. ministri Engelbert Zefaj dhe përfaqësues të MKRS-së, ku u pritën nga Kryetari Bekim Jashari i cili i falënderoi qe kanë përzgjedhur këtë komunë për të shënuar një ditë kaq të rëndësishme.
Ministrja u shpreh e lumtur për vizitën dhe theksoi që të rinjtë e Skenderajt ashtu siç të rinjtë e gjithë Kosovës do të kenë vëmendjen e saj dhe të ministrisë duke i ftuar ata që të aplikojnë për grante dhe projekte të cilat i ofron MKRS-ja. Ndër të tjera ajo falënderoi Kryetarin Jashari për mbështetjen në trajnimet për ndërmarrësi të cilat po i ofron MKRS.
“Programi për rimëkëmbje ekonomike i Qeverisë Hoti e ka fokus kryesor punësimin e të rinjve, andaj në këtë frymë bazohet edhe gjithë aktiviteti i MKRS-së. Po përpiqemi të bëjmë maksimumin e angazhimit që situatën me Covid-19 ta përballojmë sa më mirë dhe të jemi pranë të gjithë të rinjve që kanë nevojë për mbështetje.
Ministrja e theksoi nevojën që të punohet më shumë në drejtim të përfshirjes së të rinjve në institucione të cilët për shkak të mungesës së përvojës së punës shpesh herë diskualifikohen nga konkurset publike. Me ligjin për fuqizimin e rinisë i cili qysh dje ka nisur plotësim-ndryshimin edhe kësaj problematike do t’i gjejmë zgjidhje.” – theksoi ministrja Dumoshi.
Ministrja Dumoshi dhe Kryetari Jasharaj zbuluan bashkërisht punimin “I Love Kosova” të Qendrës Rinore të Skenderajt i cili u vendos në Sheshin “Idriz Rreci” në Skenderaj.
Kryetari Jashari u shpreh se është fakt i pamohueshëm që Kosova ka një rini profesionale dhe konkurrente në tregun e dijes. “Personalisht kam vendosur që të rinjtë ti kem aleatët më të afërt për zhvillimin e Komunës tonë” – theksoi kryetari Jashari.
Gjatë qëndrimit në Skenderaj, ministrja Dumoshi vizitoi edhe pastiçerinë “Snap Cake” i cili në kuadër të projektit “Praktika në punë”, mbështetur nga Departamenti i Rinisë në MKRS.
“Ndjehem jashtëzakonisht mirë kur shoh që si ministri kemi kontribuar për diçka kaq madhore e të rëndësishme. Më gëzon jashtëzakonisht fakti të shoh se si mbi 10 të rinj janë angazhuar në këtë ndërmarrje sociale, gjë që reflekton më së miri shpirtin ndërmarrës të të rinjve të vendit tonë, të cilët me përkrahjen e duhur arrijnë të ecin përpara në biznes e ndërmarrësi.” – theksoi ministrja Dumoshi. / KultPlus.com
Kodi i lashtë i nderit dhe i sjelljes, besa shqiptare, një fjalë e dhënë që duhet të mbahet përtej vdekjes, premtimi i cili nuk mund të thyhet në asnjë rrethanë edhe atëherë kur ta mbrosh atë do të thotë të japësh edhe jetën tënde. Historia e besës është po aq e gjatë sa edhe vet historia e vendit tonë, kodi i nderit që karakterizoi shqiptarët ndër vite nuk u kufizua në statuset shoqërore të njerëzve, madje ajo kaloi edhe përtej feve, shkruan KultPlus.
Filmi i metrazhit të shkurtër “Dilema e Ismailit” pasqyron Shqipërinë e vitit 1944, kohën kur nazistët e kishin bërë luftën pjesë të pandashme të jetës. Njëri nga personazhet kryesore të këtij filmi, Ismaili përballet me një nga dilemat më të mëdha të kohës. Për një periudhë të gjatë shtëpia ku ai banonte me familjen e tij, ishte bërë streha më e ngrohtë për dy hebrenjtë që ikja e fshehja ju kishte bërë sinonim i jetës.
Ishte pasiguria ajo që shoqëroi të gjithë personazhet e këtij filmi, pasiguria për jetën, pasiguria për besën e fjalën e dhënë njëri-tjetrit.
Kujtojmë që përpara Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishin të vendosur diku rreth 300 hebrenjë, kurse pas përfundimit të saj më shumë se 3000 prej tyre e konsideronin Shqipërinë shtëpi të tyre. Hebrenjtë që qëndruan në Shqipëri, nuk u vranë madje as nuk u dorëzuan tek nazistët. Kjo besnikëri e popullit shqiptarë e ka ngacmuar regjisorin Dhimitër Ismailaj i cili vendosi ta kthejë në film.
Në një intervistë për KultPlus, Ismailaj shpalos detajet që ndoqën rrugën deri te realizimi i filmit të metrazhit të shkurtër “Dilema e Ismailit”. Ai rrëfen mesazhin, qëllimet madje edhe pengesat që i ka hasur gjatë punës së tij.
Xhirimet e këtij filmi kishin filluar në majin e vitit që lam pas, në thellësinë e fshatrave Shëngjergj e Baladushk të Shqipërisë.
Ismailaj ka thënë se procesi i realizimit të këtij filmi nuk ka qenë i lehtë për shkak se trajton një temë që ka ndodhur para më shumë se 70 viteve dhe që nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar, që nga vendet dhe ndërtesat e ndërtuara në atë periudhë. Ai ka shtuar se sigurimi i kostumeve dhe armëve naziste, por dhe makinave, ka qenë i vështirë sepse Kosova, Shqipëria madje edhe Maqedonia nuk posedojnë rekuizita të tilla.
“Procesi ishte i vështirë për faktin se kemi të bëjmë me një ngjarje që ka ndodhur pak a shumë 70 vite më parë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, duke përfshirë këtu edhe vend xhirimet, domethënë ishte e vështirë të gjenim vend xhirime që janë të paprekura nga ndërtimet e reja apo moderne. Një vështirësi tjetër e madhe ka qenë gjetja e kostumeve naziste si dhe të armëve, makinave të asaj kohe. Fatkeqësisht Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nuk kane rekuizita të tillë, dhe është për të ardhur keq, sidomos për Shqipërinë që ka qenë e pasur me këtë lloj rekuizite gjatë viteve të funksionit të plotë të Kinostudios”, ka pohuar Ismailaj.
Regjisori tutje ka shpjeguar se kjo nuk ishte pengesa e tij e vetme që ka hasur gjatë realizimit të këtij filmi. Ai ka thënë se ndonëse kishte konkurruar në QKK në Shqipëri e Kosovë, projekti i tij nuk kishte fituar sepse sipas tij ai nuk posedonte “lidhjet” e duhura për të marrë fondet për realizimin e këtij projekti.
“Po, përveç vështirësive që përmenda pak më lart me rekuizitën, vështirësi patëm edhe me gjetjen e buxhetit. Unë konkurrova si në QKK-në e Shqipërisë ashtu edhe në atë të Kosovës, por në të dyja rastet projekti nuk fitoj, ndonëse mendoj se tema është shumë pak e trajtuar nga kineastët në Shqipëri apo edhe në Kosovë, të paktën në këtë formë. Tani dihen nga të gjithë sesi funksionojnë këto konkurse dhe se kush fiton, dhe duke qenë se unë nuk jetoj në Shqipëri apo Kosovë dhe nuk kam “lidhjet” e duhura, besoj se ndikoj në faktin që nuk fitova. Por, kur konkurrova, konkurrova me idenë dhe shpresën se subjekti dhe tema e filmit do të fitonin, jo unë”, ka thënë Dhimitër Ismailaj i cili u detyrua që 90% të filmit ta financojë vet dhe 10% nga disa donacione të hebrenjve në NY, e bërë e mundur nga këshilltari i Bashkisë së New York-ut, Mark Gjonaj.
Ndonëse i realizuar me mjaft vështirësi “Dilema e Ismajlit” mban në vete një nga mesazhet më të mëdha që mund të përcillen përmes një filmi të tillë. Tridhjetë e dy minutat e këtij filmi, e gjejnë personazhin kryesor, Ismailin të ulur në një sofër me dy hebrenjtë që strehonte dhe At Lekën, që s’kishte shumë kohë që kishte përfunduar udhëtimin e tij në Kosovë.
Edhe pse i përkisnin religjioneve të ndryshme, Musliman, Katolik dhe Judaist, të katër personazhët bashkëvepronin e bashkëjetonin mes vete, ndanin bukën, gëzimin madje edhe hallet së bashku.
Për regjisorin, përpos faktit që besa është një nga konceptet e qarta të këtij filmi, ai ka dashur që të vë në pah edhe faktin që besa ju përket shqiptarëve, pa marrë parasysh fenë e tyre, madje sipas tij ajo është më e hershme se çdo fe që ne e praktikojmë sot.
“Natyrisht përveç faktit që është i qartë në konceptin e Besës, desha të vë në dukje që besa është një fenomen, një lloj filozofie sesi një popull apo grup njerëzish e shohin dhe praktikojnë jetën e përditshme, të paktën deri 30-50 vitet me parë. Por, mesazhi kryesor mendoj se ka të bëj me faktin se besa nuk i përket ndonjë feje të veçantë, siç janë munduar rëndomtë të bëjnë disa individ brenda dhe jashtë vendit, me ose pa qëllim. Besa në fakt, mendoj se është shumë më e hershme se çdo fe që ne praktikojmë sot”, ka theksuar ai.
Dhimitër Ismailaj është shprehur i kënaqur me lojën e aktorëve, siç e shpjegon ai, kushdo që do të shikoj filmin gjëja e parë që do t’i bie në sy është edhe aktrimi që kanë bërë personazhet e filmit.
Filmi tashmë ka marrë pjesë në shumë festivale dhe ka rrëmbyer çmimin si: Filmi më i mirë i huaj i metrazhit të shkurtër në Festivalin e Filmit “Carmathen Bay”. Ndërkaq është edhe pjesë e edicionit të 19-të të “Dokufest-it”.
Regjisori Ismajlaj ka thënë se është inkurajuese kur merr pjesë në festivale që kanë reputacion për drejtësi dhe paanësi. Madje për të “Dokufest-i” ka një vend të veçantë sepse ka një mënyrë unike të realizimit. Sipas tij puna që kanë bërë organizatorët përgjatë këtyre 19 viteve dëshmon forcën kulturore të këtij festivali.
“Për mua “Dokufest” ka një vend special sepse është unik në organizim dhe larmin e projekteve, sikurse dhe për faktin që kur ja kanë nis kësaj rruge, janë hasur pak a shumë me të njëjtat probleme dhe vështirësi që jam hasur edhe unë apo shumë kineastë të tjerë, pra me vështirësi financiare, me cinizmin e të tjerëve apo duke pasur edhe dilemë për sukses. Por, fakti që mbas 19 vitesh festivali nga një dhomë e vogël është bërë një forcë e madhe dhe e rëndësishme kulturore për rajonin, dëshmon në punën kolosale dhe besimin e organizatorëve në projektin e tyre”, ka përfunduar kështu intervistën Dhimitër Ismailaj.
“Dilema e Ismajlit” tashmë ka filluar udhëtimin edhe në festivale të tjera, në Toronto dhe Berlin, por që sipas regjisorit detaje të tjera do të bëhen të njohura kur vetë festivalet do t’i shpallin nominimet. / KultPlus.com
Ekonomia e Britanisë së Madhe e ka pësuar rënien më të madhe mes prillit dhe qershorit pasi masat kufizuese të pandemisë e futën vendin në recesion për herë të parë që nga viti 2009.
Krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, ekonomia në tremujorin e dytë u tkurr për 20.4 për qind, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Shpenzimet e amvisërisë ranë me të madhe pas urdhrit për mbylljen e dyqaneve, ndërsa rënie shënuan edhe prodhimi në fabrika dhe sektori i ndërtimtarisë.
Kancelari Rishi Sunak i tha televizionit BBC se qeveria britanike është duke u përballur me diçka që është e pashembullt dhe se kjo është një kohë shumë e vështirë dhe e paqartë.
Sidoqoftë, Zyra për Statistika kombëtare njoftoi se ekonomia filloi të rimëkëmbet në qershor pasi qeveria filloi t’i lehtësojë masat e izolimit.
Në baza mujore, ekonomia britanike nga maji në qershor u rrit për 8.7 për qind, ndërsa nga prilli në maj ishte rritur vetëm për 1.8 për qind.
Mbyllja e fabrikave ndikoi që prodhimi i veturave të binte në nivelin më të ulët që nga viti 1954, ndërsa ekonomia pësoi më së shumti në prill, kur ishte kulmi i pandemisë. / KultPlus.com
Robotët marrin në kontroll botën dhe vrasin të gjithë njerëzimin. Sipas organizatës së të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, robotët vrasës nuk janë edhe aq shumë fantazi. Organizata bën thirrje për të përpiluar legjislacionin e duhur kundër “robotëve vrasës” duke ndaluar me ligj armët plotësisht të automatizuara.
“Heqja e kontrollit njerëzor nga përdorimi i forcës konsiderohet gjerësisht si kërcënim i madh i njerëzimit, që, sikurse ndryshimet klimatike, meriton të ndërmerren masa të shumta”, tha Mary Wareham, pjesëtare e Human Rights Watch, në një deklaratë për mediat.
Raporti i cili analizon politikat e mbrojtjes në 97 vende të ndryshme, thekson rrezikon që përbën robotika vdekjeprurëse dhe gjithashtu përcjell se pjesa më e madhe e ligjvënësve mendojnë që ndërhyrja njerëzore është thelbësore për të ruajtur etikën e sistemit të armatimeve.
Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, António Guterres, i ka quajtur nismat për automatizimin e armëve si “moralisht të pështira dhe politikisht të papranueshme.” / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi bashkë me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, zv-ministrat e MKRS-së, dhe përfaqësues të “Let’s do it Kosova”, me rastin e ditës ndërkombëtare të rinisë, kanë shpërndarë maska në sheshin përgjatë sheshit në Prishtinë. Ky aktivitet u realizua me qëllim të sensibilizimit të të rinjve në lidhje me rreziqet e pandemisë Covid-19 dhe për të promovuar kujdesin që duhet të kemi në përballje me këtë virus.
Para shpërndarjes Ministrja Dumoshi dhe Ministri Zemaj patën një adresim për mediat e pranishme ku ndër të tjera Ministrja Dumoshi theksoi që i janë bashkangjitur kësaj iniciative meqenëse është shumë e rëndësishme që të rinjtë e Kosovës të jenë pjesë e fushatës sensibilizuese ndaj luftës me Covid-19, një situatë e paprecedentë për të gjithë globin.
“Si ministri jemi angazhuar vazhdimisht që të rinjtë ti mbështesim me projekte dhe mjete financiare dhe në situatën me pandeminë e kemi shumëfishuar përpjekjen dhe përkrahjen. Unë pata një takim me Kuvendin e të rinjve të Kosovës dhe aty i informova për plotësim ndryshimin e ligjit për fuqizimin e rinisë i cili përveç ndryshimit që do të ketë në grup moshën që konsiderohet i ri/e re do të njohë edhe punën vullnetare të të rinjve” – theksoi ministrja.
Në anën tjetër Ministri Zemaj e theksoi që ka qenë një periudhë me angazhime të jashtëzakonshme të punëtorëve shëndetësorë dhe këtë iniciativë e mbështet meqenëse është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jeni zëri i vetëdijesimit shoqëror ndaj këtij virusi.
“Në rrethana të tjera do ta shënonim ndryshe këtë ditë, mirëpo situata me pandeminë na e determinoi edhe agjendën e kësaj e dita e cila edhe pse në këso rrethana nuk duhet mbetur pa u shënuar” – tha ministri Zemaj.
Pas këtij adresimi Ministrja Dumoshi dhe Ministri Zemaj shpërndanë maskat për qytetarët përgjatë sheshit të Prishtinës. / KultPlus.com
N’tansi nji valë e përcëllueme ndjenje Ma mbytë frikën e mos t’patunit n’krahë. N’tansi nji dallgë deti sa vetë shpirti Ma freskon trupin që digjet prej vetë diellit.
Mandej në mua hyn e rreze i falë Brendisë që digjet e tana për pak buzë, pak lang. Pak mshirë për t’etunin që t’falë pështymën e fundit, për pak frymë.
Matanë ke çirë me mbërri sa ma parë, atje, n’atë vend ku mundimet i japin opium plagës që t’ban t’dridhesh Kur mendon se veç je shliru prap kthehesh N’pikënisje.
E kamt’ t’lshojnë, sa smundesh ma veç me u tretë, M’iu dorzu me sy mbyllun si kur mban vesh nji lajtmotiv. I ngreh me hundë avujt që kanë mbushë kozmosin, Vështron për-rreth, vështron që ke mbërri. / KultPlus.com
Me rastin e 12 gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi bashkë me zv-ministrat Valdete Bajrami, Arbër Grabovci, Engelbert Zefaj, Halil Matoshi dhe përfaqësues të MKRS-s priti në zyrën e saj një grup të rinjsh nga Kuvendi i të rinjve të Kosovës me të cilët diskutoi për planet e Ministrisë në fushën e rinisë dhe ndoqi shqetësimet dhe sugjerimet që ata kanë.
Ky takim ishte i veçantë për faktin se të rinjtë pjesëmarrës ishin nga komuniteti shqiptar, serb dhe RAE andaj edhe diskutimi dhe preokupimet ishin nga perspektiva të ndryshme.
Ministrja u shpreh e lumtur që ndonëse në rrethana pandemie MKRS po shënon ditën e rinisë.
“Shënimi i kësaj dite synon promovimin e aktiviteteve për të rinjtë, me qëllim që të pranojë dhe njoh përpjekjet dhe përkushtimin e të rinjve në mbarë botë për përmirësimin e shoqërisë. Andaj edhe ne si Ministri dhe si bartës të institucioneve që përkrahin fushën e rinisë ndonëse në rrethana pandemie u përpoqëm që kjo ditë mos t’i mungojë kalendarit të ditëve të shënuara”- u shpreh ministrja Dumoshi.
Kastriot Luma nga Kuvendi i të rinjve të Kosovës e falënderoi ministren për pritjen e përzemërt dhe u shpreh i lumtur që MKRS ka treguar gatishmëri që të mbështesë të rinjtë e Kosovës.
Ministrja Dumoshi i njoftoi për punën që po bëhet në plotësim ndryshimin e ligjit për fuqizimin e rinisë për të cilin ka pasur kërkesa të ndryshme nga Kuvendi i të Rinjve, KVRL-të dhe organizatat rinore.
Ajo i njoftoi edhe për projektet të cilat janë ndarë dhe do të ndahen nga MKRS, në shumë totale prej 820.000 eurosh. Kjo shumë akomodon sado pak nevojat rinore dhe reflekton rëndësinë që institucionet kanë për fushën e rinisë.
Ministrja Dumoshi falënderoi për vizitën i përgëzoi për aktivitetet e tyre të vazhdueshme dhe u premtoi që do të mundohet maksimalisht që do të shtyjë përpara ide sa më inovative dhe përmbushëse për të rinjtë e Kosovës. / KultPlus.com
Fotografitë që shpalosin kujtime, periudha të ndryshme kohore, nga njëri vend në tjetrin, vende sa të huaja, aq edhe të vogla, por mjaftueshëm sa për të krijuar një të kaluar që do mbetet vetëm suvenir në kohë. Kjo është përmbajtja e filmit “She asked me where I came from”, që sjell historinë personale të regjisores Aulona Fetahaj, që filloi të ndihej e huaj në vendin ku jetonte, sepse një nga pesë njerëz nuk pëlqenin refugjatët si ajo, shkruan KultPlus.
Filmi kishte filluar të realizohej si një ide për temën e bachellorit, si dëshirë e regjisores që tash e sa kohë jetonte në Belgjikë, për të krijuar diçka për vendin e saj, Kosovën. Ajo në një intervistë për KultPlus tregon se nga pamundësia për të udhëtuar për në Kosovë asaj i lindi ideja që të krijoj një film të tillë nga prapa ekranit të saj.
“Nuk kam mundur të shkoj në Kosovë për të filmuar, kështu që u detyrova me mendu se si mund të krijoja diçka për Kosovën nga Belgjika. Si një e huaj në Belgjikë, ishte një pozicion që automatikisht përcaktoi përmbajtjen e filmit. Duke qenë e tillë, mendoj se këtu është formuar edhe forma e narracioni i filmit, nga një distancë (nga prapa ekranit tim) duke parë botën e jashtme ishte në gjendje të reflektoja më mirë për të”, ka deklaruar ajo.
Regjisorja thotë se ajo filloj të ndjehej e huaj në Belgjikë atëherë kur partitë e ekstremit të djathtë tashmë kishin fituar zgjedhjet. Sipas saj përgjigja emocionale kundrejt këtyre zhvillimeve ishte pikërisht përmbajtja e këtij filmi.
“Kur partitë ekstreme të krahut të djathtë në Belgjikë kanë fituar zgjedhjet, filmi mori një kuptim të ri. Sepse papritmas më duhet ta konsideroja veten të huaj edhe këtu. Filmi pastaj u bë një përgjigje emocionale për ato zgjedhje”, vazhdon rrëfimin regjisorja.
Filmit që ju deshën një vit e gjysmë që të përfundonte plotësisht, që në fillimet e tij nuk ishte menduar të ishte kaq personal, por kjo ndodhi në mënyrë automatike gjatë procesit të realizimit sepse u konsiderua si reflektim për pozicionin e regjisores ndaj Belgjikës.
Regjisorja përgjatë këtij filmi e thekson se ata që “vinin në rend të parë njerëzit e tyre” kanë filluar të tundin themelet e ndërtesës që prindërit e saj për një kohë të gjatë ishin përpjekur që ta kthenin në një shtëpi.
Aulona Fetahaj nuk ka lënë pa përmendur edhe vështirësitë që ka hasur gjatë realizimit të këtij dokumentari. Ajo e konsideronte aq personale përmbajtjen e këtij filmi me mendimet dhe situatat, sa që e kishte të vështirë t’i vije një përfundim.
“Pjesa më e madhe e filmit erdhi vetvetiu. Vetë filmi diktoi një formë dhe narrativitet që duhej të ndiqja. Por pata shumë telashe për ta përfunduar filmin. Sepse ishte kaq personal dhe sepse qëndrimi im për filmin dhe e gjithë situata ndryshonte çdo ditë. Por unë mendoj se në fund kam qenë në gjendje të arrij në një lloj përfundimi ose përfundimi për të cilin jam e kënaqur”, ka thënë ajo.
Fetahaj është shprehur e befasuar me talentin që ka parë në Kosovë, sipas saj nga ky talent që ka parë tashmë ka zbuluar një ton të ri të filmave që do t’i shërbejnë për të ardhmen.
Krejt për fund, Aulona shprehet e lumtur me pjesëmarrjen e saj në Dokufest, por ajo shpreson që udhëtimi i këtij dokumentari të vazhdoj në formën fizike. Ajo tashmë ka filluar përgatitjet për një film tjetër, realizimi i të cilit do të bëhet vitin e ardhshëm në Prizren. / KultPlus.com
Ed Sheeran dhe partnerja e tij Cherry Seaborn janë në pritje të fëmijës së tyre të parë.
Këngëtari, 29 vjeç dhe Cherry, 27 vjeç, të cilët u takuan për herë të parë në shkollë, thuhet se i ndajnë vetëm pak javë nga të qenët prindër, pasi e mbajtën shtatzëninë sekret gjatë izolimit të COVID-19, shkruan IconStyle të mërkurën.
“Izolimi ishte një justifikim i përsosur për të mos u dukur, por gjërat po afrohen dhe nga emocioni i madh ata kanë filluar t’ia tregojnë lajmin miqve dhe familjes. Ata po bëjnë përgatitjet e fundit në shtëpi dhe foshnja pritet të vijë në jetë këtë verë. Është një kohë me të vërtetë e lumtur dhe familjet e tyre janë të lumtur për ta dhe mezi po presim”, ka thënë një burim pranë çiftit.
Lajmi vjen pasi këngëtari Ed njoftoi në fund të vitit të kaluar se do të bënte një pushim të zgjatur nga karriera e tij për t’u përqendruar në udhëtime dhe jetën e tij personale.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë organizohet më 12 Gusht të çdo viti. Ajo është caktuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 me miratimin e rezolutës 54/120.
Kjo ditë është menduar si një mundësi për qeveritë dhe të tjerët për të tërhequr vëmendjen për çështjet rinore në mbarë botën.
Koncerte, seminare, ngjarje kulturore, që përfshijnë zyrtarë dhe takime kombëtare dhe lokale qeveritare dhe organizatat rinore zhvillohen në botë në nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Edhe në Kosovë për nder të kësaj Dite MKRS-ja do të zhvillojë disa aktivitete si në vijim:
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, sot me datë 12 gusht, MKRS dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, do të ketë këtë agjendë:
09:30-10.00
Pritja e një grupi të të rinjve nga Ministrja Vlora Dumoshi, (Objekti i MKRS-së)
10:00-10:45
Shpërndarja e maskave nga Ministrja Vlora Dumoshi dhe Ministri Armend Zemaj (Përgjatë Sheshit në Prishtinë)
11:50-12:00
Skenderaj- Zbulimi i punimit “I love Kosova” nga Ministrja Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, (Sheshi “Adem Jashari”, Skenderaj)
12:00-13:30
Vizitë ndërmarrjes sociale “Pastiçeria Snap cake” në kuadër të projektit ‘Praktika në Punë” i mbështetur nga Departamenti i Rinisë MKRS, (Skenderaj)
15:10 -15:20
Aktivitete virutale: Lidhje në platformën Zoom, fushata “Psikologët e rinj për të rinjtë”
17:00 – 17:20
Linku shpërndahet në rrjetet sociale të MKRS. Lidhje në platformën Zoom, organizuar nga zyra e UNICEF-it në Kosovë / KultPlus.com
Gjatë ditës së martë qendra për edukim dhe kulturë “Libart” ka mbajtur takim me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Krajën. Gjatë këtij takimi u diskutua për përvojën e shkrimtarit, si dhe ish – gazetarit në raport me librin, dijen, artin dhe kulturën si dhe veprimtarinë e ASHAK, shkruan KultPlus.
Mehmet Kraja gjatë takimit që u moderua nga Roland Peraj shpalosi përvojat e tij që nga koha sa ishte student, më pas shkrimtar e gazetar për artin, të shkruarit, kulturën, gjuhën por dhe kujtesën historike të popullit tonë. Biografia e Mehmet Krajës tregon se ai ka pasur një jetë në lëvizje, nga një qytet në tjetrin, e ka ushtruar profesione të shumta, që nga ai i shkrimtarit, gazetarit, profesorit e së fundmi edhe kryetar i akademisë së shkencave të Kosovës. Kraja ka shpjeguar se pikërisht këto lëvizje të shumta të tij nga Ulqini në Kosovë, pastaj në Tiranë dhe përfundimisht prap në Kosovë kanë ndikuar që ai ta njoh deri në detaje botën shqiptare, madje edhe ta njoh gjuhën, dialektet dhe të folmet e saj.
“Në një pikëpamje kjo lëvizja imja ka ndikuar që unë botën shqiptare ta njoh shumë mirë, njoh zakonet, gjuhën, kulturën mentalitetin e shqiptarëve në krejt hapësirën ku jetojnë, sepse kam jetuar gjithkund ku jetojnë shqiptarët dhe kam jetuar me ta”, u shpreh ai gjatë këtij takimi.
I pyetur se nëse mbështetë idenë e rishikimit të gjuhës ai ka thënë se gjuha standarde është një dhe e pandryshueshme që nga koha kur për këtë standard shqiptarët janë marrë vesh në kongresin e drejtshkrimit të 1972. Sipas tij gjuha standarde nuk lind së bashku me njeriun sikur gjuha e nënës, standardi është gjuha e cila mësohet.
Gjatë këtij diskutimi ai ka shtuar se gjuha standarde është ajo që duhet mësuar e kultivuar dhe se ajo ndryshon nga gjuha e folur ngase nuk mund të pasurohet me dialektizma apo edhe të folmet krahinore.
“Gjuha e folur krijon hapësirë dhe mundësi për variante për lokalizma për dialektizma, gjuha e shkruar është ajo që mat standardin. Pra ne duhet ta mësojmë gjuhën e shkruar ajo është standardi dhe përmes saj komunikojmë në mënyrë standarde dhe mënyrë të kultivuar”, ka thënë tutje Kraja.
Ai ka folur edhe për ligjin e gjuhës i cili tash e disa kohë diskutohet edhe ne vendin tonë. Sipas tij Shqipëria mund të krijoj një ligj të tillë ngase është një vend monoetnik, por jo edhe Kosova sepse vendi jonë ka si pengesë pakon e Ahtisarit dhe shumë etni. “Shqipëria ka filluar të bisedojë për punën e një ligji që rregullon gjuhën dhe mënyrën e përdorimit të saj, ata le ta bëjnë sepse janë shtet monoetnik, por ne nuk mundemi sepse nuk na lejon Pakoja e Ahtisarit sepse ne jemi shtet shumë etnik”, ka thënë tutje Kraja.
Sipas tij rregullimi i gjuhës, standardit të gjuhës shqipe nuk mund të rregullohet me një ligj, sepse ligji nuk ndryshon dot kulturën dhe zakonet e një vendi. Përgjatë diskutimit të gjatë ku Kraja shpalosi mendimet e tija, u fol edhe për kujtesën kolektive të vendit tonë, bazën e saj si dhe pengesat.
Mehmet Kraja pohoi se historia kërkon një distancë më të gjatë kohore, madje më të gjatë se kjo e jona me luftën e fundit ngase në vendin tonë ende ngatërrohet e bardha me të zezën. Ai përmend qasjen e ndryshme që njerëzit kanë kundrejt komunizmit dhe regjimit të Titos. Sipas tij personat që flasin me nostalgji për atë periudhë kohore të vendit tonë, janë po ata persona që nuk përjetuan komunizmin jugosllav sepse jetuan me privilegje.
“Nuk mund të ngatërrohet e bardha me të zezën, askush nuk mund të thotë që periudha e komunizmit në Kosovë ka qenë e lehtë dhe ka qenë e tillë që i ka dhënë Kosovës mundësitë që të zhvillohet. Unë kam jetuar në dy kohë, po jetoj në dy kohë, unë e kam provuar në lëkurën time se çka është komunizmi, liria për të cilën tani një numër i njerëzve flasin me nostalgji, është liri për ata që flasin jo për mua”, ka deklaruar gjatë këtij diskutimi Kraja.
Sipas tij komunizmi si ideologji ka bërë shumë pak dëme në Kosovë, komunizmi i Jugosllavisë që ka luftuar deri në momentin e fundit për zhbërjen e Kosovës dhe shqiptarëve është dëmi më i madh që mund t’i ketë ndodhur ndonjëherë vendit tonë.
Kraja nuk ka lënë pa përmendur edhe fjalorin enciklopedik të Akademisë së Shkencave të Kosovës, sipas tij pritshmëritë për këtë fjalor ishin keqkuptuar sepse ky fjalor nuk shënonte derën e hyrjes së vendit në histori, por është më tepër një mbledhje e shënimeve, databazë universale që vendoset para një standardi dhe prezantohet. Ai madje ka shpjeguar edhe arsyen se pse ky fjalor nuk përmban disa nga të vrarët e pasluftës, ish – anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se akti i vrasjes kriminale nuk të bënë hero, ti mund të cilësohesh viktimë por asnjëherë hero. Ai këtë qasje e shpjegon edhe me vrasjen e Hasan Prishtinës ku thotë se nuk ishte vdekja ajo që e bëri hero atë po ishin të bëmat e tij ato që e lartësuan më tepër.
“Një prej vërejtjeve që i ka pasur dhe ndër debatet me të forta për fjalorin enciklopedik është se disa të vrarë te pasluftës të LDK-së nuk janë të përfshirë sepse unë kam thënë akti i vrasjes kriminale nuk e bënë hero, është viktimë, por hero nuk është sepse nuk bëhesh hero se pse ta zë rrugën një kriminel e të vret”, ka shtuar kryetari i akademisë së shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja.
Ai ka diskutuar edhe për kritikat e vazhdueshme në adresë ASHAK-ut. Sipas tij, ASHAK-u është akademi honorifike dhe se nuk është në tagrin e saj që të bëjë ndryshime.
“Njerëzit kërkojnë që Akademia të veprojë si ajo e Serbisë, e cila bënte në të kaluarën memorandume e programe. Po kërkohet që Akademia të luajë rolin që nuk e ka”, ka thënë Kraja.
Gjatë bashkëbisedimit, studenti i gazetarisë, Shpend Bujari, pyeti akademik Krajën nëse mund të ngrihet paralele mes Kosovës dhe Moldavisë për të krijuar identitet të ri, larg shtetit amë. Për Mehmet Krajën, procesi i formimit të kombeve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, njëlloj edhe në rastin e shqiptarëve. Ai ka shtuar se Kosova ishte e përfshirë në të gjitha proceset kombformuese prej Lidhjes së Prizrenit deri në vitin 1913, kur u aneksua dhunshëm nga Serbia.
“Kosova ka përfunduar procesin e kombëtarizimit dhe nuk është normale të flitet edhe një herë për këtë gjë”, ka thënë Kraja. Për paralelen e ngritur me Moldavinë, ai ka thënë se modeli i veriut të Kosovës është përvijuar edhe në rastin e Transnistrisë.
“Në rast se moldavët do të bashkoheshin me shtetin e tyre amë, Rumaninë, rusët brenda 24 ore do të pushtonin Transnistrinë”.
Diskutimi vazhdoi tutje me të pranishmit të cilët ishin të interesuar të merrnin përgjigje nga Kraja e ky i fundit me shumë përkushtim u përgjigj në secilën prej tyre. / KultPlus.com
81 vjeçari Stephen Jacobs, ra dakord që të punojë në memorialin pasi mësoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj se më parë pas Luftës së Dytë Botërore. Përveç që nuk ua dorëzuan ndonjë hebrenj nazistëve, qindra hebrenj që largoheshin nga vendet e tjera iu ofrua strehim në vendin me shumicë myslimane.
Stephen Jacobs është i njohur në botën e arkitekturës së Nju Jorkut, për krijimet e tij multimilion dollarëshe, siç është Hotel Gansevoort, unik në llojin e tij, i cili ishte hoteli i parë luksoz në qytetin e modës Meatpacking.
Por kohët e fundit Jacobs përfundoi një projekt shumë më ndryshe.
Për disa vjet ai punoi për të hartuar një memorial të Holokaustit për kryeqytetin e Shqipërisë. Muajin e kaluar është zbuluar në hyrje të Grand Park të Tiranës, memoriali i thjeshtë që përmban tre pllaka guri – në shqip, anglisht dhe hebraisht, që nxjerrin në pah historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
81 vjeçari Jacobs, ra dakord që të punojë në memorialin pasi mësoi se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj se më parë pas Luftës së Dytë Botërore. Përveç që nuk ua dorëzuan ndonjë hebrenj nazistëve, qindra hebrenj që largoheshin nga vendet e tjera iu ofrua strehim në vendin me shumicë myslimane.
“Mendova se kjo ishte një histori shumë e rëndësishme që duhej të tregohej”, tha ai.
Motivimi i tij tejkalon dëshirën për të nxjerrë në pah trimërinë e shqiptarëve gjatë luftës. Vetë Jacobs është një i mbijetuar nga Holokausti që kaloi kohë si fëmijë në një kamp përqendrimi nazist.
“Për mua kjo nuk ka të bëjë thjesht me projektimin. Kjo është një lloj përvoje personale”, tha ai.
Në qytetin polak të Lodzit, Jacobs dhe familja e tij laike do të shpërnguleshin në Piotrkóë, një qytet që u bë shtëpia e getos së parë të nazistëve. Vendi që strehonte 25,000 njerëz, u likuidua në 1942.
Jakobs dhe familja e tij, konkretisht prindërit e tij, vëllai i madh, gjyshi dhe tre hallat përfundimisht u dërguan në kampe përqendrimi. Meshkujt shkuan në Buchenwald, femrat në Ravensbruck. Ai ishte vetëm 5 vjeç në atë kohë.
Në Buchenwald, Jacobs arriti të mbijetojë përmes fatit dhe ndihmës së një rezistence nëntokësore që funksionoi për të shpëtuar fëmijë. Ai i kaloi ditët e tij në dyqanin e këpucarit, i cili e lejoi të dilte nga kampi, ku rojet me siguri do ta kishin vrarë atë për shkak moshës së re. Më vonë u fsheh në repartin e tuberkulozit të spitalit të kampit, ku babai i tij po punonte rregullisht.
“Kam kujtime të qeta”, tha Jakobs. “Kam kujtime që nuk janë kronologjike, veçanërisht javët e fundit sepse kjo ishte një kohë shumë traumatike dhe e rrezikshme, sepse ata po përpiqeshin të ekzekutonin të gjithë kampin.”
Mrekullisht e gjithë familja e afërt e Jakobit i mbijetoi luftës, megjithëse gjyshja e tij vdiq menjëherë pasi u çliruan kampet. Familja u nis për në Zvicër, ku ata jetuan për tre vjet. Më 1948 u transferuan në Shtetet e Bashkuara, duke u vendosur në lagjen Washington Heights të New York City.
Jacobs do të bëhej një arkitekt i shquar i Nju Jorkut, duke themeluar firmën e tij dhe duke u bashkuar me gruan e tij me dizanjuesin, Andi Pepper.
Karriera e tij përfundoi dhe ai u kthye përsëri në Buchenwald. Ai u ngarkua që të krijonte një memorial për “kampin e vogël”, ku të burgosurit e rinj, përfshirë Jacobs, qëndruan në kushte brutale.
Jacobs u pajtua me krijimin e saj, por me dy kushte: Ai nuk do të paguhej pasi “këto janë gjëra që nuk i bën për të jetuar”. Memoriali u përurua në 2002, në 57 vjetorin e çlirimit të kampit.
“Shqipëria natyrisht ishte më e largët sepse nuk isha atje. Unë nuk dija shumë për Shqipërinë më parë. Unë sigurisht nuk e dija historinë. Buchenwald ishte krejtësisht i ndryshëm, kështu që fillimisht ishte e vështirë”, tha Jacobs.
Në hartimin e përmendoreve, përparësia e Jacobs ishte që të sigurojë që vizitorët të largohen me një kuptim më të madh të Holokaustit. Ashtu si memoriali i Tiranës, ai në Buchenwald përmban pllaka me informacione rreth kampit dhe vendeve nga ku ishin internuar të burgosurit.
“Memorialet e Holokaustit priren të jenë një nga dy ekstremitetet. Ata kanë tendencë të jenë ose memoriali heroik i stilit sovjetik, rezistenca heroike ndaj fashizmit, ose aq plotësisht abstrakte sa që shikuesit laik kanë nevojë për një shpjegim se çfarë po shikon, si shembull memoriali i Peter Eisenman në Berlin.
Gjëja më domethënëse në lidhje me një memorial të Holokaustit, veçanërisht pasi ne po e bëjmë këtë për brezat e ardhshëm, është t’u tregojmë njerëzve saktësisht se çfarë ndodhi këtu”, tha Jacobs.
Vitet e fundit, Jacobs ka dalë në media jo vetëm për punën e tij arkitektonike, por edhe për kritikën e tij të ashpër ndaj Presidentit Donald Trump.
Unë mendoj se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, pasi rezultati do të përcaktojë të ardhmen e këtij vendi.
Jacobs ka mbështetur fushatën presidenciale të senatorit Bernie Sanders dhe tha se ai do të votojë për Joe Biden në nëntor.
Pandemia e koronavirusit e pengoi atë të marrë pjesë në përurimin e memorialit në Tiranë.
Ai tha gjithashtu se e ka falur Gjermaninë për të kaluarën e saj. Këtë e vërtetoi edhe pjesëmarrja e një zyrtari gjerman në përurimin e memorialit të Buchenwald.
“Kjo nuk ka të bëjë me faljen, për mua, kjo ka të bëjë me mbylljen. Gjithçka duhet të marrë fund, dhe kjo është arsyeja pse kjo është një gjë e tillë e rëndësishme për mua për të bërë në një nivel personal” tha Jacobs/Shqiptarja / KultPlus.com
Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, mblidhet në ora 10:00, ku pritet të bëjë përzgjedhjen e listës së ekspertëve.
Ndërsa në ora 11:00 ministri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, do të raportojë në komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2022. / KultPlus.com
Një ndër monumentet më interesante që ndodhen në Shqipëri sa i përket historisë së saj dhe pozicionit ku ndodhet është edhe kalaja e Porto Palermos, në gjirin me të njëjtin emër në brigjet e detit Jon.
Kryeministri Rama ka publikuar një foto nga kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo si ftesë për këtë sezon turistik për turistët e huaj dhe pushuesit vendas si një destinacion i veçantë ku takohet historia, kultura dhe madhështia e detit.
Kalaja e Porto Palermos ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të. Ajo është një nga sarajet e shumta të strategut Ali pashë Tepelena, të cilat ai jo pa qëllim i ndërtonte në pika strategjike. Por kjo kala, qëndron në mes të detit dhe legjendës.
U ndërtua nga Ali Pasha si një dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë, të cilën, sipas kronikanëve të kohës, pashai i Janinës e kishte shumë për zemër. Bukuria dhe madhështia e kësaj kalaje ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i “Konti Monte Kristos”. /atsh/ KultPlus.com
Mitrush Kuteli do të flasë edhe anglisht – “Tregime të moçme shqiptare” është libri i përzgjedhur nga përkthyesi, Ron Berisha. Për vlerat e jashtëzakonshme letrare dhe më gjerë, si dhe për faktin se, ka ardhur koha t’i njohin lexuesit në mbarë botën.
Njëmbëdhjetë rrëfimet e “Tregime të moçme shqiptare” nga Kuteli, do të vijnë në anglisht me përkthyes, Ron Berishën. I gjendur këto ditë në Tiranë, ai tregon punën që bën me rrëfimet, si: “Rozafati“, “Gjergj Elez Alia” e “Ymer Agë Ulqini“, apo “Muji dhe zanat“, të cilat trajtojnë motivet tona popullore, baladat, eposin e kreshnikëve dhe luftërat shqiptaro-osmane
“Janë njëmbëdhjetë tregime të moçme shqiptare, legjendat që i njohin të gjithë, si e Rozafatit, Gjergj Elez Aliz, Mujit etj. Kuteli është një shkrimtar i madh. Tregimet, unë ia pëlqej shumë, sepse janë thellësisht shqiptare dhe merren me eposin, legjendat e rapsoditë, që janë në të vërtet thesar për kulturën tonë kombëtare”, – shprehet Berisha.
Ndonëse, prej 25 vitesh jeton edhe punon jashtë vendit, Berisha na rrëfen se lidhjet me letërsinë shqipe nuk i ka shkëputur, madje shton, se do t’i rikthehet sërisht leximit të veprës së Migjenit, Camajt e Koliqit.
“Mundohem që të lexoj sa më shumë, sepse po rikuperoj kohën e humbur, pasi kam lexuar në anglisht, shumë letërsi ruse dhe latine. Jam vazhdimisht në kontakt me gjuhën shqipe, përkthimin e kam pasur profesion në fushën legale. Autor shqiptar, do të veçoja: Gjergj Fishtën, Rudolf Markun,.. I rikthehem herë pas here, romaneve të Ismail Kadaresë. Kam ndërmend që të zbuloj Migjenin, Martin Camajn dhe Ernest Koliqin, që e kam pas përherë përzemër”.
Përpos përkthimit në gjuhën angleze, Ron Berisha është dhe autor i disa librave me tregime po në anglisht. /Konica.al /KultPlus.com
Të martën Facebooku ka bërë të ditur se ka larguar 7 milionë postime në tremujorin e dytë të këtij viti për shpërndarjen e informacioneve false rreth koronavirusit, përfshirë këtu edhe përmbajtje që promovonte masa parandaluese të rreme dhe shërime të ekzagjëruara.
E gjithashtu ajo ka fshirë shumë postime që përmbanin urrejtje, raporton Reuters.
Kompania ka fshirë rreth 22.5 milionë postime me përmbajtje urrejtëse, një rritje dramatike prej 9.6 milionë sa ishte në tremujorin e parë. Ajo ia atribuoi këtë përmirësimit të teknologjisë në verifikim, transmeton KOHA.
Facebooku gjithashtu ka fshirë 8.7 milionë postime që lidheshin me organizatat “terroriste”, krahasuar me 6.3 milionë postime sa kishte fshirë në tremujorin e parë.
Kurse më pak material ka pasur në grupet me “urrejtje të organizuar”: 4 milionë postime në tremujorin e dytë, kurse në të parin kishte fshirë 4.7 milionë postime.
Disa muaj pas ndarjes nga jeta të gurëgdhendësit të njohur gjirokastrit Muhedin Makrit, djali dhe nipi i tij po mbajnë gjallë punën dhe kujtimet që ai la pas. I biri shprehet se mjeshtri e ka inkurajuar gjithmonë ta bënte këtë punë ndërsa tregon se tashmë këtë zanat po e trashëgon tek Eltoni, vetëm 11 vjeç.
Eltoni është vetëm 11 vjeç dhe prej vitesh ai qëndronte në punishten e gjyshit të tij të ndjerë, mjeshtrit Muhedin Makri për të mësuar zanatin e gurëgdhendjes.
Disa muaj pas ndarjes nga jeta të Muhedinit, djali i tij Ermali së bashku me të birin po mbajnë gjallë traditën e veçantë që përcolli ndër vite babai.
Ermal Makri pohon se ky zanat është sa i vështirë aq edhe i bukur.
”Unë jam krenar për zanatin që më ka lënë babai, dhe kam dëshirë që ta vazhdoj si zanat. Është një zanat që mua më bën të ndihem krenar, dhe dua të vazhdoj në gjurmët e babait tim.”
Çekicin me të cilin janë gdhendur qindra e mijëra gurë tani e ka në dorë më i riu i familjes.
”Djali që kur ishte i vogël kishte qejf të rrinte pranë gjyshit. Gjyshi e mësonte, e përkëdhelte, kishte dashuri për nipin e tij. I jepte çekiçin, daltën, dhe e mësonte. Djali kur ishte i vogël ishte kureshtar.”
Mjeshtri Gjirokastrit Muhedin Makri e filloi punën në pazarin e Gjirokastrës në vitet 60 e deri në ditët e fundit të jetës ai punoi në këtë punishte të vogël.
Ai ka tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve ndër vite të cilët fotografonin dhe filmonin në aparatet e tyre punën e palodhur të tij. /Ora News /KultPlus.com