Komuna e Prishtinës ndan 10 mijë euro për dhurata të Vitit të Ri

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ndarë rreth 10 mijë euro për furnizim me dhurata për festat e fundvitit për komunën.

Përmes njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik, është bërë e ditur se afati kohor për furnizim është pesë ditë.

Kompanitë e interesuara për të furnizuar komunës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti kanë afat që t’i dorëzojnë ofertat e tyre deri më 16 dhjetor, në orën 13:30. / KultPlus.com

Shanset e dyta funksionojnë

Edona Shala

Emri i Elizabeth Gowing është tani më mjaft i njohur në Kosovë. Ajo në vitin 2006 erdhi në Kosovë për një periudhë 6 mujore, e që përfundoi në një qëndrim tash e 14 vjet këtu. 14 vjet më parë ajo u takua rastësisht me një familje të komunitetit ashkali në Fushë Kosovë. Ishte pikërisht ky takim i rastësishëm që e fokusoi punën e organizatës “The Ideas Partnership” në lagjen 28 dhe 29 të Fushë Kosovës.

Fillimisht ideja ishte që të dërgojnë një fëmijë në shkollë, pra vajzën e asaj familje, e pastaj përmes asaj vajze ata e kuptuan që nuk është vetëm një fëmijë që ka nevojë të arsimohet, ka shumë të tillë.

Sipas statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga përfshirja e nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët 95.3 % janë shqiptarë, ndërsa 4.7 % janë grupet tjera etnike.

Graf nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi numrin e nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët sipas përkatësisë etnike.

Pasi u takua me këtë familje Gowing e fitoi një ide më të qartë të domethënies së arsimit në zhvillimin e jetës, duke parë kushtet më të cilat rriteshin këta fëmijë. E nga instinkti i mësueses u inspirua të filloj punën e saj këtu në këtë drejtim.

Foto: Elizabeth Gowing së bashku me familjen e parë që e takoi në Fushë Kosovë

Elizabeth tregon se me kontaktin e vazhdueshëm me familjet e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian përveç arsimimit u vunë në pah edhe shumë fenomene tjera të cilat duhet luftuar si p.sh martesat e hershme, vdekshmëria e foshnjave, papunësia etj.

“Kur je pjesë e një komuniteti, ti i kupton sfidat edhe arsyet e këtyre sfidave edhe kështu ke mundësi me vepru diçka” shprehet ajo në një intervistë për KultPlus.

The Ideas Partnership filloi punën para 11 viteve. Emri The Ideas Partnership, thotë Elizabeth erdhi si rezulat e mënyrës si është hapur organizata në fillim. Në fillim puna nuk është menduar të ketë ndonjë fokus të veçantë. Ka qenë një ide e përgjithshme të ndihmojë në shumë fusha, me komunitetet, me ambientin, me kulturën, arsimin etj.

Tani me organizatën e saj, Elizabeth punon në Fushë Kosovë e Janjevë, dhe në vendet tjera ku komunitetet romë, ashkalinj e egjiptian janë më të lokalizuara. Ka shumë projekte të cilat organizohen me grup-mosha të ndryshme.

Elizabeth tregon që këtë punë e bëjnë me vullnetin më të madh për të sjellë ndryshime në jetën e atyre që kanë nevojë.

“Nuk jemi aty me fitu një projekt, jemi aty sepse kemi dashuri për këtë punë” shprehet ajo.

Foto: Elizabeth dhe disa prej pjesëmarrësve në The Ideas Partnership

Ajo flet për punën e kësaj organizate për fuqizimin e grave të komuniteteve përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme.  Është klubi i vajzave në Fushë Kosovë dhe Janjevë, që ka rreth 40 vajza që shkojnë çdo javë, të mësojnë për të drejtat e tyre, të inspirohen prej grave të suksesshme, të hapin horizontet për të parë se sipas saj :“Ka mundësi përtej martesës, përtej punës në shtëpi”

TIP punon edhe me gratë analfabete, projekt i cili përveç që ndihmon me gratë sigurisht ndihmon shumë edhe për fëmijët e tyre sepse ato nuk mund ti arsimojnë fëmijët nëse nuk kanë njohuri. Në Fushë Kosovë dhe Janjevë, çdo javë marrin pjesë 40 gra të cilat punojnë në aftësimin e tyre dhe mësojnë edhe për prindërimin.

Gratë që janë pjesë e projekteve të TIP, shkojnë aty me kusht që fëmijët e tyre të vijojnë shkollën. Sipas Elizabeth “Ideja është që të ndërprehet cikli i mos shkollimit të fëmijëve”.

Iniciativa për fuqizimin e grave

Të dhënat e përfshira te Strategjia për përfshirjen e komuniteteve romë dhe ashkali në shoqërinë kosovare 2017-2021  tregojnë se në komunën e Obiliqit dhe të Fushë Kosovës shkalla e punësimit të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë mbetet 7% në krahasim me 40% të komunitetit shumicë shqiptar. Ndërsa, sipas një raporti  të Bankës Botërore, më 2017 punësimi i përgjithshëm i popullatës rome në Kosovë ishte 13%-22% për burrat, 4% për gratë. 

Një ndër iniciativat më të suksesshme të “The Ideas Partnership”, e cila synon të ndryshojë gjërat në këtë aspekt është ndërmarrja sociale “Sa Punë”.

Sa Punë funksionon si biznes nga viti 2012. Aktualisht ky biznes i ka të punësuara 13 gra të gjitha nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian. Ky biznes synon të fuqizojë gratë duke ju mundësuar atyre të punojnë, mësojnë, ti shesin produktet e tyre dhe kështu të kenë mundësi të shkollojnë fëmijët e tyre.

Kur u themelua kjo ndërmarrje ato filluan me prodhimin e sapunëve, prandaj edhe emri i këtij biznesi është SaPunë.

Foto: Elizabeth së bashku me disa prej grave që punojnë në Sa Punë

Mergimtare Berisha, menaxhere e kësaj ndërmarrje tregon se gratë që punojnë aty tani merren me prodhimin e çantave, çantave me lavander, kartolinave e gjërave të tjera. Të gjitha këto produkte prodhohen nga materiale të cilat riciklohen dhe janë ekologjike.

Gjatë pandemisë gratë e Sa Punë kanë qepur edhe maska të cilat pastaj janë shpërndarë për familjet që kanë pasur nevojë.

Mergimtarja tregon se situata me pandeminë si në çdo aspekt tjetër edhe në tek ato ka ndikuar, mirëpo ajo i veçon momentet kur kanë pasur më shumë shitje të produkteve si disa prej momenteve më të mira, sepse gratë kanë fituar më shumë dhe sigurisht kjo drejtpërdrejtë ndikon në mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre.

Ajo më tutje tregon se Sa Punë synon të vazhdojë punën në drejtimin e njëjtë, duke rritur numrin e të punësuarave, të krijojnë edhe grupe tjera, dhe të përfshijnë edhe më shumë gra.

“Njerëzit duhet ta dinë qëllimin e krejt kësaj pune, kjo nuk bëhet për përfitimin material tonin, por t’i ndihmojmë gratë që me i mbajt të angazhume gjatë tërë kohës, që ato me pas mundësi me u shoqëru me njëra-tjetrën, edhe sigurisht me ju ndihmu edhe fëmijëve të tyre, dmth me të ardhurat që i fitojnë, të kenë mundësi të ju ofrojnë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë. Ne kemi dëshirë që përmes neve si një urë lidhëse edhe fëmijët e tyre të përfitojnë.” Shprehet Berisha për KultPlus.

Puna në këtë ndërmarrje në vitin 2012 filloi me punësimin e 5 grave. Vjollca Krasniqi është njëra prej grave të këtij grupi e cila punon në Sa Punë që prej themelimit të saj.

Vjollca është nënë e 4 fëmijëve, ajo e mban familjen e saj me punën që e bën këtu, sepse as burri i saj nuk punon. Fëmijët e saj të gjithë janë shkolluar prej kur ajo ka filluar të punojë këtu. Ajo tregon se ka arritur të fitojë mjaft edhe për veten edhe për fëmijët e saj. E para se të fillojë të punojë ajo tregon se gjithçka ka qenë më ndryshe.

“Kur spo i ki kushtet, fminë spo guxon as me i qu në shkollë” thotë ajo për KultPlus.

Ajo mbetet me shpresë për një të ardhme më të mirë për vajzën e saj ndërsa punën e saj vazhdon ta bëjë me dëshirën me të madhe.

Një storje tjetër është ajo e Arlinda Murtezi e cila jeton në lagjen 29 në Fushë Kosovë. Ajo është njëra prej grave përfituese të punës së “The Ideas Partnership”.

Ajo nuk ka shkuar kurrë në shkollë, mirëpo mësimet që i ka marrë në klasat e TIP, i kanë ofruar asaj mundësinë që të bëhet pronare e biznesit të saj personal.

Ajo e ka regjistruar biznesin e saj dhe tani e mban familjen me punën që e bën. Artizanet e saj Murtezi përveç në Kosovë ka arritur ti shes edhe në Angli. Ajo ka filluar të krijojë linjën e produkteve duke u inspiruar nga aktivitetet e mbledhjes së mbeturinave, të cilat janë burim kryesor i të ardhurave në komunitetin e saj.

E histori si kjo e Arlindës e Vjollcës, e shumë grave të tjera që kanë arritur të fuqizohen nga puna e pa lodhshme janë tregimet më të mira të ofrimit të shanseve të dyta.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)/ KultPlus.com

GKK bëhet me Këshill të ri Drejtues, reagon ish-anëtarja e bordit Arjeta Miftari

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka shkarkuar 6 anëtarë të Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës të cilit ishin me mandat 4 vjeçar. Driton Axhani, Xhevdet Pantina, Malbora Krajku, Arjeta Miftari, Enver Hoxha dhe Arlinda Hajrullahu, kanë marrë njoftim përmes emailit për shkarkimin e tyre, ndërsa kryetarja e Këshillit, Zake Prelvukaj i ka mbijetuar këtij vendimi, shkruan KultPlus.

Ndërsa, pa humbur kohë, janë emëruar edhe anëtarët e rinjë të Këshillit Drejtues të GKK-së. Me në krye Zake Prelvukajn, anëtarët e emëruar janë: Blerta Syla-Surroi, Agim Salihu, Shyqri Nimani, Vjosa Sadriu- Hamiti, Bastri Makolli dhe Fatmir Hoxha.

Këshilli i ri tashmë pritet të votojnë për zgjedhjen e drejtorin të kësaj galeria, konkursi për të cilin është hapur më datë 26 nëntor.

Por vendimi që është marrë nga ministra Vlora Dumoshi, ka nxitur reagime tek ish anëtarët e KD-së. Skulptorja Arjeta Miftari ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke e quajtur këtë vendim plotësisht politik. Sipas Miftarit shkarkimi ka të bëjë me emërimin e drejtorit të ri të GKK-së.

“Nuk habitem me vendimin, pasi që sikurse çdo gjë tjetër në Republikën e Kosovës edhe ne Galerinë Kombëtare të Kosovës agjendat partiake dhe politike duan të shtynë përpara, ndoshta përbërja aktuale e Këshillit Drejtues është parë si pengesë në këtë drejtim”, shkruan Miftari.

Tutje Miftari shprehet: Kjo formë e shkarkimit ngjason me format e një sistemi që ne nuk e kemi zgjedhur dhe kundërshtuar me dekada të tëra, është fatkeqësi të shohësh vendime të tilla.

Do të isha shumë e lumtur, nëse pjesë e këtij vendimi do të ishte edhe arsyetimi që e ka shtyrë ministren të marr një vendim të tillë. Në të gjitha rastet dhe rrethanat, nëse shkarkimi ka ndodhur si rezultat i mos punës time ose në rastin konkret të mos punës se Këshillit Drejtues dhe e njëjta të argumentohet atëherë, unë nuk do të kisha fytyrë të shkruaja ose reagoja”, shkruan kështu Miftari. / KultPlus.com

Një telefonatë dhe dy paradokse

(Gabriel Garsia Marquez: Erdha vetëm për të folur në telefon)

Shkruan: Gentiana Softolli

Një ndër tregimet, pothuaj gati në nivel novele, e cila është cilësuar si tekst antologjik, si për nga zhvillimi tematik, drama e personazheve, thyerjeve narrative, përmbysjet fabulare deri në paradokse është “Erdha vetëm për të folur në telefon”, të cilin provojmë t’i bëjmë një analizë tekstuale, nga niveli tematik, diskursi, modeli narrativ, tipi i narratorit dhe çështje të tjera si perspektivat e ndryshme prej nga rrëfen autori.

Tregimi “Erdha vetëm për të folur në telefon” është pjesë e librit “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” të Marquezit dhe në gjuhën shqipe është përkthyer nga Bajram Karabolli.

Në fokus të këtij tregimi vihen përjetimet e Marias, një zonjë 27 vjeçare, e cila di prej nga niset, por jo kur përfundon. Në bazë të dhënave kontekstuale, ky tregim duket se është një hipertekst  mbi një ngjarje reale në Spanjën diktatoriale.

Udhëtimi pasionant drejt izolimit

Tregimi “Erdha për të bërë një telefonatë” nis si një udhëtim pasionant, argëtues e surprizues, e përfundon në një udhëtim dhe izolim tragjik. Ndodh diçka e paparashikuar nga lexuesi, meqë është e papritur edhe nga personazhi, autori narrator bën kthesa të mëdha fabulare, ku fati i personazhit merr udhë tjetër. 

Narratori në këtë tregim është narrator- autor, madje herë-  herë i gjithëdijshëm, i cili arrin që personazhin kryesor ta vendosë nga një situatë, në një tjetër krejtësisht të papritur për lexuesin. Protagoniste në këtë tregim është Maria, kurse antagonistë janë gardianet e spitalit (Herkulina) dhe burri i saj, i cili në fillim na paraqitet si protagonist, por që shpërfytyrohet gjatë rrjedhës së tregimit dhe në fund ndodh paradoksi i madh.

Tregimi në fjalë për nga modeli zhanror, duke qenë i gjatë, me një linjë narrative dhe një fokus fabular, mund të cilësohet edhe si një novelë, sepse ka strukturën, kompozicionin, shumësinë e personazheve anësorë.

 Struktura rrëfimore e këtij tregimi është retrospektive. Situatat dramatike janë ato që nuk na lejojnë të shkëputemi për asnjë çast nga leximi. Nëpërmjet detajeve dhe ndërhyrjeve të kohëpaskohshme narratori na rrëfen përjetime dhe afera intime të protagonistes që na adresojnë drejt një motivi (të dhunshëm) erotik.

 

Diskursi, figura dhe dy paradokse

Diskursi i këtij tregimi fillimisht është psikologjik, por lind pyetja: pse Maria u gjend pikërisht në një spital mendor dhe jo diku tjetër? Kishte ajo, vërtet, nevojë për një trajtim psikologjik?

Mënyra se si autori i ka dhënë kahje tregimit është goxha mistike dhe sigurisht se na bën kurioz. Përveç diskursit psikologjik, ky tregim ka edhe diskurs social, meqë shtjellohet tema e keqtrajtimit dhe abuzimit të femrës dhe e gjithë kjo ndodh në një vend si Spanja, e cili atë kohë udhëhiqej nga një sistem diktatorial, që na bën të dyshojmë edhe për diskurs ideologjik.

Figurat mbizotëruese të këtij tregimi janë metonimia dhe paradoksi. Personazhi kryesor në këtë rast niset për një shfaqje interesante, por që përfundon në çmendinë.

Prandaj, ky tregim në nivel novele strukturohet mbi kërkesën e një telefonate, e cila përmbyset në dy paradokse. Paradoksi i parë, njeriu normal përfundon në godinën e çmendisë. Paradoksi i dytë dhe, pothuaj më i rëndë është neglizhenca dhe heqja dorë e njeriut më të dashur nga personazhja fatkeqe, viktimë e një sistemi totalisht të padrejtë dhe neglizhent.

Mirëpo, më paradoksale janë copëzat për të cilat autori na lë ne që t’i plotësojmë e që mund t’i japin një kahje krejtësisht tjetër tregimit p.sh.; përse Maria hipi në një autobus pa e ditur se ku po e dërgonte? Pse ajo nuk e pyeti askënd se për ku po udhëtonin? Si ajo mundi të flinte në autobus me gjithë problemet që ajo ishte duke i kaluar, dhe a ekzistonte mundësia që gruaja me të cilën Maria ishte ulur në autobus të kishte informacione në lidhje me situatën të cilën ishte futur Maria? Të gjitha këto janë pyetje që ngjallin vërtet dilema në interpretim, por duke qenë Marquezi një mjeshtër i mirë i situatave, lë hapësirë për shumëkuptimësi, dilema dhe madje kah të nisesh dhe ku ta përfundosh interpretimin. 

Kulmi dramatik

Ajo që është diskutuar nëpër rrjete të ndryshme sociale, madje edhe nga kritika akademike, mund të konkludojmë se,  “Erdha vetëm për të folur në telefon” është një hipertekst mbi një ngjarje reale, një novelë në të cilën rrëfehen ndodhitë e Marias, një femër 27 vjeçare me origjinë meksikane, e cila duke u kthyer në shtëpi pas një vizite që i kishte bërë disa familjarëve të saj pëson një dëmtim të makinës ku edhe fillon e gjithë ngjarja.

Situata merr tjetër drejtim kur Maria përfundon në çmendinë vend të cilin as që do ta kishte imagjinuar. Ngjarja bëhet edhe më dramatike kur ndaj saj fillojnë keqtrajtime nga gardianet e spitalit. Pas shumë përpjekjeve arrin që ta njoftojë burrin e saj për gjendjen në të cilën ndodhej, pikë kjo e cila shënon kulminacionin dramatik në tregim kur ai fillon të dyshojë që Maria është vërtet një e çmendur. Me kalimin e kohës thuhet se ajo ishte adaptuar me jetën në çmendinë çka na njofton për fundin tragjik të protagonistes, kështu që edhe njeriu më i afërt i saj, për habi, bindet dhe heq dorë nga mikja e tij e jetës.

Në fund

Me gjithë kthesat dhe misteret e këtij tregimi autori na ka dhuruar një përvojë tejet interesante edhe përkundër fundit tragjik. Njëri prej mesazheve që na ofrohet është mënyra e trajtimit të një femre po prej femrave. Jo të gjithë na duan pa kushte, ndonjëherë egoja mund ndjenjat dhe dashurinë dhe udhëtimet jo gjithmonë përfundojnë ashtu siç ne parashikojmë. Mund të dimë për ku nisemi, por nuk mund të dimë se ku do të përfundojmë. (Autorja është studente e vitit të dytë në Fakultetin e Filologjisë, dega e Gjuhës shqipe

Stokholmi nuk ka pasur asnjë orë të vetme me diell gjatë dhjetorit

Ky dhjetor duket i tmerrshëm për suedezët. Mediat e huaja shkruajnë se në disa pjesë të vendit, përfshirë kryeqytetin Stokholm, nuk kanë parë as edhe një orë të vetme dielli gjatë dhjetorit.

“Stokholmi, zonat në Karlstad, Luginën Tarfala në Kiruna dhe kepi verior i Öland nuk arritën të regjistronin asnjë dritë me diell këtë muaj”, shkroi në Twitter meteorologia Ulrika Elvgren

Sipas “Aftonbladet”, hera e fundit që u mat drita e diellit në Stokholm ishte 28 nëntori, gati dy javë më parë, ndërsa në Karlstad ishte 27 nëntori.

Zakonisht, muaji dhjetor në Suedi zëvendëson motin gri dhe me re të nëntorit, me një freski dhe qiell më të kthjellët. Mirëpo, këtë vit, si rrallëherë, kjo gjë nuk ka ndodhur. / KultPlus.com

Historiku 100 vjeçar i Tiranës përmes 150 fotografive

Në kuadër të aktiviteteve “Tirana 100 vjet kryeqytet” u hapë një tjetër ekspozitë në sheshin “Skënderbej”.

Ekspozita e hapur sot pasqyron kryeqytetin në disa aspekte ku ajo që spikat më shumë në këto foto është që Tirana ka qenë një vend gjithmonë social dhe mikpritës.

Rreth 150 fotografi të ekspozuara tregojnë historikun 100-vjeçar të Tiranës sa i përket ndërtesave, zhvillimit urbanistik, veshjeve, traditave, artizanatit dhe ngjarje të rëndësishme historike.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës Andi Seferi.

“Ky aktivitet është në vazhdën e të gjithë aktiviteteve që janë bërë. Do të doja të falënderoja të gjithë ata persona që ndihmuan në realizimin e kësaj ekspozite në të gjitha komponentët e saj. Ne vërtetë festojmë 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet, por historia e këtij qyteti është shumë më e hershëm dhe e trashëguar brez pas brezi. Këto janë foto të mbledhura me shumë kujdes, por ajo që të bie më shumë në sy është një Tiranë sociale dhe historia ka treguar që ne jemi një qytet mikpritës”, tha Seferi.

Kjo ekspozitë u çel me ndihmën e fondacionit “ALSAR” dhe mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Ekspozita do qëndrojë e hapur nga data 11-13 dhjetor nga ora 10:00 deri në 16:00  për artdashësit kryeqytetas në sheshin “Skënderbej” dhe më pas do vendoset në të gjitha qendrat kryesore shqiptare dhe shqipfolëse. /atsh/ KultPlus.com

Vdiq në moshën 83-vjeçare aktorja britanike Barbara Windsor

Aktorja britanike Barbara Windsor, e cila bëri famë në vitet 1960 në komeditë popullore Carry On, ka vdekur në moshën 83-vjeçare, shkruan të premten The Guardian.

E cilësuar si një thesar kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar, ajo fitoi njohje mbarëkombëtare për rolet e saj shpesh të rrezikshme në nëntë nga seritë e filmave Carry On.

Por, në vitet e mëvonshme ajo ishte e njohur për rolin e saj në telenovelën Eastenders.

Aktorja shtatshkurtër, vetëm 1.47 metra e gjatë, kishte një pjesëmarrje të jashtëzakonshme në ekran, skenë dhe film, e famshme për të qeshurën e saj dhe theksin londinez “Cockney”.

Windsor u diagnostikua me sëmundjen Alzheimer më 2014. Ajo u bë ambasadore për Shoqatën Alzheimer, duke u takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson më 2019 për të promovuar kujdesin ndaj sëmundjes.

Ajo u shfaq për herë të fundit në Eastenders më 2016 dhe në të njëjtin vit mori titullin Damë për shërbimet e saj për bamirësi dhe argëtim. / KultPlus.com

Mbyllet Muzeu Historik Kombëtar pas dëmeve të shkaktuara gjatë protestave

Protestat në Tiranë që erdhën si revoltë për ngjarjen e së martës, ku një polic qëlloi dhe vrau 25-vjeçarin Klodian Rasha, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, kanë shkaktuar edhe dëme. Protestuesit i kanë vënë flakën pemës së Krishtlindjeve tek kryeministria si dhe kanë thyer gjëra përreth.

Dëmtime ka marrë edhe Muzeu Historik Kombëtar.

Andaj, në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Kulturës “Për mbylljen e përkohshme të aktivitetit për publikun të Muzeut Historik Kombëtar, Teatrit Kombëtar Të Operas, Baletit Dhe Ansamblit Popullor dhe të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, për shkak të dëmeve të shkaktuara gjatë protestës së ditës së djeshme, 10 dhjetor 2020, Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet përkohësisht, deri në një njoftim të dytë.

Në faqen zyrtare të Muzeut Historik Kombëtar kanë njoftuar se tashmë është ngritur edhe Grupi i Emergjencës për të marrë masat e menjëhershme për riparimin e dëmeve të shkaktuara dhe rikthimin në normalitet. / KultPlus.com

Vdes shkrimtari i njohur afgan Rahnaward Zaryab

Shkrimtari dhe aktivisti i mirënjohur afgan, Rahnaward Zaryab vdiq nga Covid-19 në një spital në Kabul, konfirmuan kolegët dhe miqtë e tij.

”Zaryab kohët e fundit u shtrua në spital pasi kontraktoi virusin dhe vdiq të premten”, theksoi kolegu i tij Lotfullah Najafizada në Twitter.

Zaryab vlerësohet si shkrimtari bashkëkohor më me ndikim në Afganistan dhe ka shërbyer si kryeredaktor i Tolo TV, transmetuesi më i madh i vendit.

“Profesori Rahnaward Zaryab ka kaluar shumë vite të jetës së tij si shkrimtar, romancier, media dhe aktivist kulturor i vendit dhe ka lënë pas një trashëgimi. Vdekja e tij është një humbje e madhe në letërsinë dhe kulturën e vendit’’, theksoi presidenti Ashraf Ghani në një deklaratë.

“Humbja është shumë e madhe, e pariparueshme, ne nuk kemi askënd në nivelin e Profesor Zaryab në Afganistan,” deklaroi miku i tij Sediqullah Tawhidi.

Shkrimtari studioi gazetari në Universitetin e Kabulit dhe Universitetin e Uellsit në Britaninë e Madhe./os/ KultPlus.com

Filmi “Vulë” nga Valmir Tertini pjesë e festivalit ‘Ayodhya Film Festival’

Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini është përzgjedhur të jetë pjesë e festivalit ‘Ayodhya Film Festival’ (AyoFF) 2020, shkruan KultPlus.

Me qëllim për të ekspozuar përmbajtjen më tërheqëse dhe inovative, festivali tre ditor AyoFF 2020 është planifikuar të mbahet nga 17-19 Dhjetor, 2020, por për shkak të rrethanave të krijuara nga Covid-19, ashtu si edhe festivalet e nivelit të lartë të Filmit si Cannes, Sundance dhe Toronto, edhe AyoFF do të mbahet virtualisht.

Filmat do të shfaqen falas në YouTube nga data 13 deri më 19 dhjetor dhe do të jenë të disponueshëm për të gjithë e në mesin e tyre edhe filmi shqiptar “Vulë”.

Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.

Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

“Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë. Ndërkaq gjatë muajit korrik të këtij viti “Vulë” shënoi edhe premierën e tij evropiane në festivalin e njohur italian BCT. Kujtojmë që deri më tani filmi “Vulë” ka fituar 5 çmime. / KultPlus.com

Deart Ramadani, kineasti shqiptar në SHBA: Unë nuk them se do jem ajo drita e shpresës për Kosovën, por po përpiqem shumë që ta ndezi atë dritë

Deart Ramadani, 21-vjeçari me origjinë nga Kosova, aktualisht ndjek studimet në Universitetin Shtetëror të Guvernatorëve në Chicago, drejtimi Digjital Media dhe Film dhe është në listën e studentëve më të mirë të universitetit.

Ndonëse ka lindur në Amerikë dhe është rritur dhe shkolluar atje, dëshira e Deartit është që të kthehet në vendlindjen e prindërve të tij, në Kosovë dhe të kontribuojë në avancimin e filmit. Për këtë, ai ka një vizion të qartë.

Në një intervistë të gjatë për gazetën online Mediafokus, Deart Ramadani, ndër të tjera thotë: Identiteti i Kosovës është i rëndësishëm për t`u shfaqur para botës. Hollywood-i nuk është qëllimi për të cilin Kosova duhet të përpiqet si dhe shumë gjera të tjera interesante, që ky kineast i ri i shpërfaq për herë të parë publikisht.  

Emri im është Deart Ramadani dhe kam lindur në Amerikë në vitin 1999. Kam jetuar si çdo fëmijë amerikan në moshën time. Kam kaluar kohë jashtë, duke luajtur video-game dhe një kohë të mirë duke shikuar TV. Gjate fëmijërisë time, gjithnjë u ndjeva që isha shqiptar, sepse për çdo fjalë angleze që mësoja, mësoja edhe fjalën shqipe. Kam konsumuar gjithçka që ka bërë një fëmijë amerikan, kam parë shumë filma vizatimorë dhe kam dashur ikonat e njohur si Batman dhe Spiderman. Prisja që Kosova të kishte homologë për këto, ashtu si për të gjitha fjalët dhe konceptet që po mësoja. Në ditëlindjen time të gjashtë, në kulmin e asimilimit tim amerikan, hipa në aeroplan për të lëvizur në Kosovë për një kohë të pacaktuar, për të jetuar me familjen dhe për të qenë afër gjyshit tim i cili ishte diagnostikuar me kancer. Pritjet e mia për homologët kosovarë të argëtimit jo vetëm që ishin të paplotësuara, por është qesharake sa shumë kisha pritur.

Kosova ishte arsyeja pse hoqa dorë nga mjekësia dhe vendosa të merrem me filmin 

Lufta në Kosovë kishte përfunduar dy muaj para se të lindja unë, Kosova ishte ende duke u rikuperuar nga të gjitha dëmet, përfshirë edhe kinemanë. Ajo që pashë në ekran-filmat në vitet e mia në Kosovë, ishte rrallë shqiptare. Ne kishim varg telenovelash nga vendet tjera, si Spanja dhe Turqia, shumë ndeshje sportive te ekipeve te huaja dhe filma vizatimorë që nuk ishin kurrë në një gjuhë që unë i kuptova. Unë mund të flisja anglisht dhe shqip, por isha shumë i ri për të lexuar ose shkruar, duke bërë që të mos isha në gjendje të lexoja titrat. Gjithçka që pashë nuk kishte kontekst ekspozues dhe besoj se këtu duhet të mësoj t’i kushtoj vëmendje të madhe ekranit për informacion. Kam mësuar të shfrytëzoj burime të ndryshme të mediave që kam ndjekur gjatë qëndrimit tim në Kosovë dhe kjo më kishte hapur idenë e perspektivës kulturore në media deri në kohën kur unë u ktheva në Amerikë, pas një viti dhe kam jetuar këtu në SHBA që nga atëherë, përjashtimisht vizitave të rastit në Kosovë, për të parë familjen.

Kam kaluar një pjesë të madhe të jetës time duke dashur të bëhem mjek, deri rreth 5 vjet më parë kur kërkova në internet filma kosovarë. Rezultatet ishin: një ose dy filma të bërë nga shqiptarët e Kosovës dhe pjesa tjetër e filmave të lidhur me tema të Kosovës që financohen dhe bëhen nga krijuesit serb. Pjesa tjetër e rezultateve ishin filma që mund të kenë një aktor apo aktore shqiptare.

Duhet të ketë një dritë mbi popullin shqiptar, artin e krijuar nga populli shqiptar, për popullin shqiptar. Unë nuk kam vendosur që të jem ajo drita për Kosovën, aq shumë sa po përpiqem ta ndezi atë dritë. Prezantimi im i fundit në festivalet e filmit më ka bërë që të gjej filma vërtetë të bërë nga shqiptarët. Kjo më ka frymëzuar dhe më ka ngjallë një shpresë për popullin shqiptar në Kosovë. Jo vetëm që dëshiroj ta shtyj praninë shqiptare në ekran, por dëshiroj ta bëj këtë. Ajo që kam mësuar në Amerikë është se media mund dhe do të humbasë identitetin e saj kur orientohet drejt fitimit në vend se te orientohet drejt punës.

Hollywood-i nuk është qëllimi për të cilin Kosova duhet të përpiqet

Disa nga filmat më të mirë në Amerikë janë krijuar nga artistë që kërkuan të shtyjnë mediumin për shprehjen artistike. Hollywood-i nuk është qëllimi për të cilin Kosova duhet të përpiqet, ne nuk duhet të krijojmë një recetë për filmat dhe t’i shkulim ato pa mend. Në vend të kësaj, ne duhet t’i kushtojmë përpjekjet tona në krijimin e një pune të mbushur me substancë, punë që sfidon mendjen dhe perspektivat e një shikuesi. Me qëllimin e vetëm fitimin, vepra shqiptare nuk ka shanse të ngrihet kurrë si shtet për argëtimin dhe kulturën.

Do të mundohem të hap rrugën për filmin në Kosovë për individë me mendje të njëjtë që kërkojnë të shprehin artistikisht diçka, jo vetëm duke qenë shqiptarë, por njerëz si njerëz të artit. Pas të gjithë filmave që ne krijojmë duhet të argëtojmë dhe informojmë së pari njerëzit e Kosovës. Ne tashmë e dimë se çfarë do të thotë të jesh shqiptar, ne duhet t’i sigurojmë vetes dritare të vërteta për botën që na rrethon dhe atë qe nuk na rrethon. Pjesa më e madhe e përvojës sime me filmat e bërë nga shqiptarët, ka qenë në lidhje me luftën në një formë apo në një tjetër. Unë respektoj objektivin e këtyre filmave dhe rëndësinë e tyre në kujtimin e historisë sonë. Sidoqoftë, unë duhet të theksoj rreziqet në identifikimin e vazhdueshëm të një populli nga ajo që të tjerët u bënë atyre. Populli i Kosovës duhet ta shoh veten në ekran në prezantime të ndryshme për të kuptuar më mirë identitetin shqiptar dhe sa larg ka arritur që nga përpjekja e armikut për ta shtypur atë.

Sa isha në Kosovë takova njerëzit më të aktivë që do të kem takuar në jetën time. Pas shkollës së mesme, u ktheva në Kosovë për herë të parë pas dhjetë vjetësh dhe isha i kënaqur kur zbulova se njerëzit ishin aq të ndritshëm dhe dinamikë si kurrë më parë. Tani është koha, kjo klimë gjithnjë në ndryshim e ndryshimeve moderne që përplasen me historinë tonë të rrënjosur thellë ka sjellë një shprehje interesante në mënyrën e modës dhe muzikës sonë. Në të njëjtën mënyrë siç kemi arritur të shprehim një identitet të ri shqiptar përmes këtyre mediumeve, ne duhet ta transformojmë edhe kinemanë tonë. Tani është koha që ne të shohim veten në kinema, ashtu siç e shohim ne veten tonë.

Kam mësuar shumë për artin në vitet e fundit, ndryshimi në shprehje midis kohës dhe kulturës është i madh. Unë kam vlerësim të thellë ndaj artit nga të gjitha kulturat dhe jam shumë mirënjohës që kam qenë në gjendje të përjetoj identitetin shprehës të krijuesve gjatë gjithë historisë. Unë nuk kam hasur në shembuj shqiptarë në studimet e mia, unë e kuptoj estetikën dhe artin e shumë kulturave, por gjatë studimeve të mia po kërkoj të gjej diçka për kulturën time në këto studime. Më duhet të mendoj për gjendjen e artit të lënë pas nesh sot. Vijon…/Mediafokus.info/ KultPlus.com

“Katedralja e Akullit” në Alpet zvicerane u ofron vizitorëve një shfaqje unike

Një shpellë akulli e cila formohet natyrshëm në një akullnajë të një lartësie të lartë në Alpet Zvicerane u hap të enjten për  vizitorët që erdhën të mrekulloheshin me qemerin e madh blu të “katedrales së akullit”, shkruan Reuters.

Shpella vecohet me një tavan të rrumbullakët të bërë me akull të trashë rreth rreth 5 metra dhe të gjatë rreth 20 metra.

Deri tek katedralja mund të arrihet duke ecur për 15 minuta.

“Theshtë hera e parë që ne e tregojmë dhe e hapim zyrtarisht. Vitevë të fundit … kishim një lloj shpelle akulli, por ishte ndryshe, ishte më e pjerrët. Dhe këtë vit duket si një katedrale akulli, kështu që është me të vërtetë e bukur, ”tha Bernhard Tschannen, CEO i Glacier 3000, për Reuters brenda shpellës.

4468LO-SWISS-ICECAVE_ROUGH_CUT__O_

Këtë vit brendësia e shpellës është mjaft e rrafshët, duke e bërë më të lehtë hyrjen, tha më tutje  ai.

Shpella natyrore, e njohur gjithashtu si “Mulliri”, formohet përmes një efekti sifoni. Çdo pranverë dhe verë, zgavra mbushet me ujë nga shkrirja e borës, duke formuar një liqen. Në vjeshtë, spina zhduket dhe uji kullon. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Në Zvicër nga viti 2021 udhëtimi prej shtëpisë në zyrë do të llogaritet orar pune

Në Zvicër nga 1 janari, udhëtimi në shtëpi-zyrë, qoftë me tren apo autobus, mund të konsiderohet orar pune, me kusht që të përmbushen disa detyrime të parashikuara në kontratë.

Ky revolucion siç përshkruhet nga mediat e huaja, ia njeh kështu punonjësve publik të drejtën që koha e udhëtimit të konsiderohet pjesë e orarit zyrtar të punës.

Kjo risi buron nga një ndryshim në direktivën “Puna e lëvizshme në administratën federale”, e cila thotë se “performanca e punës gjatë udhëtimit në zyrë” mund të miratohet me kusht që lloji i punës, kohëzgjatja dhe kushtet të udhëtimit ta bëjnë këtë të mundur.

Kështu pra, më në fund pranohet se është punë edhe nëse i përgjigjeni një telefonate të shefit, dërgoni dhe merrni e-mail ose mesazhe përmes rrjeteve sociale me udhëzime, kujtesa dhe sqarime mbi angazhimet e ditës.

Deri më tani, në Zvicër, puna e bërë gjatë udhëtimit nuk konsiderohej pjesë e orarit të punës, edhe në disa raste të jashtëzakonshme, ishte konsideruar si e tillë. Kërkesa u paraqit vitin që shkoi nga katër sindikata, të cilat pretendonin fleksibilitet më të madh në formën e punës.

Direktiva e re është gjithashtu pasojë e evolucionit teknologjik, i cili me telefon, apo laptop falë internetit, lejon që të kryhet edhe jashtë zyrës një pjesë e detyrimeve të punës. / KultPlus.com

Revista “Time” zgjedh Bidenin dhe Harrisin “Persona të Vitit”

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe Nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, së bashku janë zgjedhur si “Persona të Vitit” nga revista e njohur amerikane, “Times”.

Në njoftimin për ofrimin e këtij epiteti, revista shkroi se Biden dhe Harris ofruan ndreqje dhe përtëritje me një biletë të vetme, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Pas një fushate zgjedhore me tensione të shumtë, të ndodhur një mesin e një pandemie vdekjeprurëse, një krize ekonomike dhe një lufte me racizmin, Biden dhe Harris triumfuan në zgjedhjet që nxitën numrin më të madh të votuesve në shekullin e fundit.

“Për ndryshimin e rrëfimit amerikan, për dëshminë se forcat e ndjeshmërisë janë më të mëdha se tërbimet e përçarjes, për ofrimin e një vizioni të shërimit në një botë në vuajtje, Joe Biden dhe Kamala Harris janë Personi i Vitit 2020”, tha kryeredaktori dhe shefi ekzekutiv i kësaj reviste, Edward Felsenthal.

Në mesin e kandidatëve për ta marrë këtë titull ishin edhe Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, punëtorët shëndetësorë që janë duke ofruar ndihmë në luftën kundër pandemisë dhe pjesëmarrësit e lëvizjes për drejtësi racore, e cila u krijua pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd.

Personi i Vitit i kësaj reviste zakonisht është një individ, por viteve të fundit ka pasur raste kur janë nominuar disa persona për të njëjtën vepër.

Revista “Time” e kishte filluar traditën e përzgjedhjes së “Personit të Vitit” që nga viti 1927. Vitin e kaluar, këtë titull e mori aktivistja suedeze për mbrojtjen e klimës, Greta Thunberg. / KultPlus.com

Piktura 280 000 euroshe i shpëton një fundi fatkeq

Një vepër arti me vlerë 280 000 euro (339 570 dollarë), i piktorit surrealist francez, Yves Tanguy, u shpëtua nga një fund fatkeq kur u zbulua në koshin e riciklimit të letrave në një aeroport, sipas policisë gjermane.

“Një biznesmen e kishte harruar pikturën, e paketuar në një kuti kartoni, në aeroportin e Dusseldorfit, para se të nisej për në Tel Aviv”, tha ajo në një deklaratë.

Sapo pronari i pikturës e kuptoi se e kishte harruar pas bagazhin e tij të vlefshëm, u përpoq të gjente përgjigje në Izrael, por pa sukses.

Nipi i tij, nga Belgjika, u nis për në Dusseldorf dhe raportoi për pronën e humbur.

Policia e atjeshme kontaktoi me kompaninë e pastrimit, e cila kontrolloi të gjitha letrat e hedhura imtësisht.

“Në fakt, piktura e vlefshme ishte pikërisht në fund të koshit”, sqaroi policia.

Piktura iu rikthye pronarit të saj./atsh/ KultPlus.com

Disney konfirmon se do të sjellë seri të katër animacioneve

Katër animacione të famshme të Disneyt do të sillen në seri gjatë viteve të ardhshme, ka konfirmuar kompania.

Bëhet fjalë për animacionet “Baymax!”, “Zootopia+”, “Tiana” dhe “Moana”.

Personazhi kryesor i “Big Hero”, roboti i kujdesit shëndetësor Baymax do ta ketë serinë i vendosur në San Fransokoyo, Baymaxi do të ketë supër fuqi të reja për të ndihmuar njerëzit.

E gjithashtu seri do të krijohen edhe për dy heroinat e Disneyt, “Tiana” dhe “Moana”.

“Baymax!”, “Zootopia+”, dhe “Tiana” do ta kenë premierën në vitin 2022, derisa “Moana” më 2023. / KultPlus.com

Mark Aurel Klaudi, perandori romak me prejardhje Ilire

Mark Aurel Klaudi i njohur gjithashtu si Klaudi II ishte një perandor romak me prejardhje ilire.

Ai lindi më 10 maj 213 ose 214. Klaudi erdhi nga Dalmacia ose Iliria, megjithëse është e mundur që vendi i tij i lindjes të ishte rajoni i Dardanisë.

Para se të vinte në pushtet, Klaudi shërbeu me ushtrinë romake, ku bëri një karrierë të mirë dhe siguroi emërimin në postet më të larta ushtarake. Në vitet 249–251, ai shërbeu si një tribun ushtarak. Në këtë post, Klaudi u dërgua për të mbrojtur Termopilet, në lidhje me të cilën guvernatori i Akaas u urdhërua t’i dërgonte atij 200 ushtarë dardanë, 60 kalorës, 60 shigjetarë kretas dhe një mijë rekrutë të armatosur mirë. Trupat e tij më pas e shpallën atë Perandor mes akuzave, kurrë të provuara, se ai vrau paraardhësin e tij Gallienus. Sidoqoftë, ai shpejt provoi të ishte më pak se i etur për gjak, pasi kërkoi nga Senati Romak që të kursejë jetën e familjes dhe mbështetësve të Gallienus.

Ai ishte më pak zemërgjerë ndaj armiqve të Romës, megjithatë, dhe pikërisht kësaj i detyrohej popullaritetit të tij. Klaudi ishte i pari në një seri të “perandorëve ushtarakë” të fortë që përfundimisht do të rivendosë Perandorinë pas Krizës së Shekullit të Tretë. Në kohën kur Klaudi u bë perandor, Perandoria Romake ishte në rrezik serioz nga disa ndërhyrje, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të saj. Më e rëndësishme prej tyre ishte një pushtim i Gotëve në Iliri dhe Panoni. Megjithëse Gallienus u kishte shkaktuar atyre disa dëme në Betejën e Nestus, Klaudi, jo shumë kohë pasi u emërua Perandor, e ndoqi këtë duke fituar fitoren e tij më të madhe, dhe një nga më të mëdhatë në historinë e luftrave romake. Në betejën e Nishit, Klaudi dhe legjionet e tij shpartalluan një ushtri të madhe gotike.

Nga kjo fitore Klaudin mori mbiemrin e tij “Gothicus” (pushtuesi i Gotëve), dhe kështu njihet deri më sot. Gotët shpejt u dëbuan përtej lumit Danub nga Aurelian, dhe kaloi gati një shekull para se ata përsëri të përbënin një kërcënim serioz për perandorinë. Klaudi shpartalloi Alamanet ne betejen e liqenit Benacus ne vjeshte te vitit 268 disa muaj pas betejes se Nishit.

Në fund të vitit 269 ai kishte udhëtuar në Sirmium dhe po përgatitej të shkonte në luftë kundër Vandalëve, të cilët po sulmonin në Panoni. Sidoqoftë, ai ra viktimë e Murtajës dhe vdiq në fillim të janarit 270. / KultPlus.com

“Ermira” e Santorit në kohë moderne, Metropol sjell tragjikomedinë në 5 podkaste

Edhe pse kohë të papërshtatshme për teatrin dhe artin në përgjithësi, teatri Metropol ka gjetur një formë për të organizuar si çdo vit festivalin e veprës shqiptare të arkivit, “Metrofest 4”.

 I realizuar brenda kushteve të pandemisë globale, teatri i prezantoi publikut nga distanca, atë që njihet deri më tani si drama e parë e shkruar në gjuhën shqipe “Emira” nga Antonio Santori, pjesa e parë e së cilës është botuar më 1883 nga Jeronim De Rada. Tragjikomedia “Emira” është një prej 3000 fletë dorëshkrimeve që Antonio Santori ka lënë trashëgimi, dhe është cilësuar nga studiuesit si drama e parë shqipe në prozë që njihet deri më tani. Paraqet mes koloritesh mjaft të gjalla jetën e arbëreshëve me një të folme arbëreshe të krahinës Kalabrisë, me personazhe mjaft interesantë që paraqesin jetën e banorëve të fshatit Picilia, në një kohë historike kur cubëria trazonte banorët dhe shteti i sapokrijuar i Italisë, për të mbajtur rendin dhe rregullin, dërgon komandant Fumellin.

Vepra flet për dy vajza të reja, Emira dhe Kallina, dashurojnë të njëjtin djalë, Mirianin, mirëpo atij i pëlqen Emira dhe jo Kallina, mirëpo këtë e ka lakmie dhe Kallo njeri cub e hajdut, që i vjen rrotull edhe Kallinës.

Krahina është e trazuar nga hajdutët dhe përplasjet me rendin shtetëror, që po përpiqej të vendosej. E cilësuar nga autori si tragjikomedi, ajo ka fund të gëzuar me dasmën e Emirës dhe bashkimin e Kallinës me Albencin.

Regjisorja Sonila Kapidani shprehet se pas një faze të gjatë leximesh dhe në rrethana të pandemisë që e kanë zhvendosur takimin me publikun nga distanca, edicioni 4 i “Metrofest” realizoi dhe po përcjell në publik një përmbledhje në 5 seri në formatin podcast të një përmbledhje të tragjikomedisë së parë, që njihet deri më tani në gjuhën shqipe “Emira” nga Franqisk Antonio Santori, një vepër e gjatë që prej disa vitesh ishte në vëmendje të gjetjes së një rruge realizimi.

“Ishte një punë e vështirë me shumë pikëpyetje, por edhe kërshëria ishte po aq e madhe. Ndërkohë që njihej grupi i punës me të dhëna nga historia dhe autori, mbaheshin shënime mbi fjalorin dhe dallimet mes botimeve, që kishim në dorë. ASA dhe Merita Bruci që sugjeronte origjinalin; Zijaudin Kodra dhe Klara Kodra. Një punë mjaft intensive dhe e pasur në njohuri të reja me shumë dobi për stafin artistik dhe edukativ të teatrit Metropol, por edhe bashkëpunëtorët e jashtëm. U vendosën kontaktet me disa figura nga komuniteti arbëresh, të cilët në çdo hap shprehnin mirënjohje për këtë realizim dhe gatishmërinë për të qenë pjesë”, tregon regjisorja.

Seritë e veprës, në 5 episode

Në datë 5 dhjetor në orën 19:00 u prezantua seria e parë e kësaj vepre, që u shfaq online. Seritë e kësaj vepre, të cilat janë ndarë në 5 episode transmetohen në të gjitha platformat online të teatrit Metropol, si Youtube, Facebook ashtu edhe në Instagram, për çdo javë, gjatë gjithë muajit dhjetor.

Regjisorja Kapidani tregon se si fillim nisi puna me “Leximi drejtuar” mbi gjuhën dhe dialektet, një punë shumë interesante për stafin artistik dhe edukativ.

 “Më pas vazhduam provat dhe e regjistruam në studio. Ndërkohë në datën 7 dhjetor u zhvillua një tryezë bisedash (kombinim të pjesëmarrësve në sallën “Shekspir” të teatrit me të ftuar mes videos nga Italia) mbi fillimet e dramaturgjisë shqipe, autorin, trashëgiminë dhe përcjelljen e saj, gjuhën dhe veçoritë e saj dhe punën e aktorëve për të gjalluar atë.

Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe të ftuar nga komuniteti arbëresh në Itali: prof. Fernanda Pugliese, këngëtarja Silvana Likursi, Lucia Martino mësuese dhe presidente e një grupi teatror dhe Emilia Mblajioti, drejtoreshë e një shkolle në Frashineto, të cilët përmes videos prezantuan përvoja, mendime dhe këndvështrime mbi rëndësinë e njohjes dhe trashëgimisë dhe fuqisë, që teatri ka në aspektin edukativ”, shprehet Sonila Kapidani.

Sipas saj, do të pasojë një punë tjetër edukative në vazhdim, një modul ndihmues për shkolla me fragmente nga “Emira” dhe të informacioneve, që nxënësit të njohin këtë krijimtari domethënëse në lidhje me këtë tekst, që njihet deri më tani si i pari në gjuhën shqipe në lëminë e dramës.

“Materiali i përcjellë në faqet e teatrit do t’u shërbejë edhe shkollave si model në një orë mësimi”, thotë Kapidani.

Në këtë produksion interpretuan Amri Hasanlliu, Armela Demaj, Elona Hyseni, Edvin Mustafa, Ketjona Pecnikaj, Klesta Shero, Klea Konomi, Klodiana Keco, Roerd Toçe, Sedmir Memia, Mario Bali, Mihal Kaçi, Rexhina Mollaymeri, Xhino Musollari dhe  Margent Caushi. / SOT/ KultPlus.com

104 vite nga shpallja e Korçës krahinë autonome

Sot janë bërë 104 vite që nga shpallja e Korçës krahinë autonome, shkruan KultPlus.

Ishte 10 dhjetori i vitit 1916 kur u shënua një kthesë e rëndësishme historike për qytetin shqiptar.

Qyteti i Korçës rrezikonte të binte nën pushtimin grek. Bisedimet mes Themistokli Gërmenjit dhe kolonelit të atëhershëm francez, Dekoen bënë që Korça të fitonte autonominë nën mbrojtjen e Francës.

Administrata ishte shqiptare, teksa në përbërje të saj kishte të krishterë dhe myslimanë.

Në këtë kohë qyteti pati një zhvillim të madh ekomomik, u hartuan rregullla të reja, u mbyllën shkollat e huaja dhe u hapën të tjera shkolla në gjuhën shqipe, qarkullonin monedha dhe pulla të reja të Krahinës Autonome.

Qeveria vetë qeverisëse pati një jetëgjatësi të shkurtër deri kur qyteti u drejtua plotësisht nga Francezët në vitin 1918, por megjithatë francezët nuk ju hoqën të drejtën themelore korçarëve për të mësuar në gjuhën shqipe dhe shkollat vazhduan aktivitetin e tyre. / KultPlus.com

Shpresa, e vogla e luftës por e madhja e lirisë që asnjëherë nuk e ndali ndihmën ndaj tjerëve

Suada Qorraj

Ndonëse ishte vetëm gjashtë vjeçe kur në derën e familjes së saj kishte trokitur një paramilitar i ushtrisë serbe, Shpresa Karaxha e ka ende të freskët në kujtesën e saj atë ditë. Vetura e cila gjendej jo shumë larg shtëpisë u bë shkaku i shumë plumbave që ndoqën rrugën nëpër të cilën ecte babai i saj.

“Më kujtohet përderisa ishin në shtëpi, një pjesëtar i ushtrisë serbe kishte hyrë brenda duke kërkuar makinën që posedonte familja jonë. Babi e kishte fshehur makinën jo shumë larg shtëpisë, prandaj atij iu desh që të shkonte së bashku me ushtarin e ta merrte atë. Ushtari ishte i dehur dhe gjatë tërë rrugës ai gjuante me armën e tij në drejtim të babit tim. Babi kishte ecur në mes të plumbave, e përmes tyre”, ka treguar Karaxha për KultPlus, për përjetimet e saj përgjatë luftës së fundit në Kosovë.

Karaxha tregon se tmerri i kësaj dite nuk ishte kufizuar vetëm me makinën e babain e saj. Arma e paramilitarit serb nuk e kishte kursyer as nënën e Shpresës, ngase për disa minuta ajo kishte qëndruar mu në mes të fytyrës të së ëmës. Paramilitarit nuk i mjaftohej vetëm me veturën, ai kërkonte para e çdo gjë që brenda asaj shtëpie kishte vlerë.

“Babai im u kthye gjallë, makina nuk ishte më, por bashkë me makinën kishte ikur edhe ushtari, kështu kishim shpëtuar edhe ne”, tha ajo përderisa mundohej që të fshihte emocionet që i shkaktonte ky tregim.

Shpresa Karaxha rrëfimin për kohën e luftës nuk e përfundon këtu. Lagjja ku ajo jetonte në qytetin e Gjakovës kishte vetëm tre familje me këtë mbiemër, dhe që të tria ishin bërë pjesë e një liste ku shkruhej se bashkë me shtëpitë do digjeshin edhe ata që jetojnë brenda tyre.

“Ne jemi tre familje me mbiemrin Karaxha dhe më kujtohet që në atë kohë çdo herë tregonin për listat në të cilat vendoseshin se cilat janë familjet e radhës që do të digjeshin bashkë me shtëpitë e tyre. Të tre familjet tona ishin pjesë e asaj liste. Një person që emri i të cilit mua nuk më kujtohet, falë të cilit jemi gjallë, ka kërkuar që familja ime dhe e kushërinjve të mi të hiqej nga ajo listë. Ne shpëtuam falë lidhjes që ai kishte me ne”, vazhdoi tutje rrëfimin e saj Karaxha, përderisa në sytë e saj reflektohej një rizgjim shprese.

Por fatin e familjes së Shpresës nuk e kishin edhe shumë familje tjera. Një ndër to është edhe një nga shtëpitë ku banonte shoku i babait të saj, e të cilin për disa kohë familja e Shpresës e kishte ndihmuar.

“Ne ju kemi ndihmuar shumë familjeve tjera, sepse babai im në atë kohë punonte dhe më kujtohet disa shokëve të babit iu kemi dërguar miell, vaj e gjëra të tjera elementare. Shtëpia e tyre gjendej më larg tonës, në Qabrat. Një ditë pas vizitës sonë, shtëpia që ndihmuam u dogj, fatmirësisht anëtarët brenda saj shpëtuan. Por, kjo ishte shumë e rëndë për ne.”

Karaxha tregon se pas luftës filloi dhe normalizimi i jetës, mirëpo ndodhitë e këtyre muajve, ishin të dukshme në ditët e para të shkollës. Pikërisht në klasën e parë Shpresa thotë se sipas nënës së saj, vështirësitë për përshtatje kishin qenë më të theksuara, ngase ajo ishte ende e traumatizuar.

Tek Shpresa vërehej nostalgjia e madhe që kishte për ditët që ajo i kalonte në bankat shkollore. Teksa sot është një e diplomuar në fakultetin e Psikologjisë, përgjatë këtij rrugëtimi ajo kishte pasur përkrahjen jo vetëm të familjes, por edhe të shokëve e mësuesve të shumtë, me të cilët kishte pasur fatin të mësonte.

“Mësuesit çdo herë kanë qenë shumë të mirë, madje edhe shoqëria ka qenë shumë e afërt. Asnjëherë nuk jam ndjerë e diskriminuar, apo e veçuar kam qenë dhe jam e rrethuar me njerëz që më donin dhe më mbështesnin.”

Shpresa si pjesëtare e komuniteti egjiptian, ka një kohë të shkurtër që ka filluar të merret me avokimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ajo nuk u përball me diskriminime, por sot lufton që edhe të tjerët të mos përballen me to.

Ndonëse ka më pak se një vit që prej kur është bërë pjesë e organizatës Advicing Together, Karaxha ka arritur që të mësojë më tepër e tu ndihmoj edhe më shumë komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas me problemet e tyre.

“Në organizatë jam që nga shkurti dhe merrem më shumë me familjet që janë të kthyera nga Mali i Zi. Unë i ndihmoj ata me problemet që mund ti kenë, si ato shëndetësore, rregullimin e dokumenteve apo edhe regjistrimin e fëmijëve në shkollë.”

Por, për Karaxhën ndihma dhe puna për krijimin e kushteve më të mira për pjesëtarët e komuniteteve nuk përfundon brenda një orari të punës. Ajo shpesh herë punon edhe me organizata, por edhe së bashku me komunën për tu siguruar pako ushqimore, higjienike apo edhe shkollore familjeve të komuniteteve që jetojnë në qytetin e Gjakovës.

Pikërisht para takimit tonë, Shpresa kishte përfunduar vetëm njërën nga ditët e shumta të cilat tash e disa kohë ia kushton dhurimit të çantave me mjete shkollore për fëmijët, pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas. Sigurisht që këtë punë nuk e bënë vetëm, por së bashku me donatorë e organizata të ndryshme. Por, entuziazmi dhe dëshira për të ndihmuar çdo herë e më tepër është ajo çka Shpresën e bënë të veçantë.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)KultPlus.com

“Dilema e Ismailit” do të merr pjesë në Festivalin Hebre të Filmit

Filmi i metrazhit të shkurtër “Dilema e Ismailit” u nominua në Festivalin Hebre të Filmit, shkruan KultPlus.

Lajmin për nominimin në Festivalin “Boca Racton” e ka bërë të ditur regjisori i filmit, Dhimitër Ismailaj Valona.

Ky film pasqyron Shqipërinë e vitit 1944, kohën kur nazistët e kishin bërë luftën pjesë të pandashme të jetës. Njëri nga personazhet kryesore të këtij filmi, Ismaili përballet me një nga dilemat më të mëdha të kohës. Për një periudhë të gjatë shtëpia ku ai banonte me familjen e tij, ishte bërë streha më e ngrohtë për dy hebrenjtë që ikja e fshehja ju kishte bërë sinonim i jetës. / KultPlus.com

Skena e Salzburgut do ta mirëpres sopranon Elbenita Kajtazi

Sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi është duke vazhduar suksesshëm debutimin në skena ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Kajtazi së fundmi ka bërë të ditur që vera e vitit të ardhshëm do ta dërgoj në festivalin e Salzburgut, në të cilin ka qenë 4 vite më parë.

Skena e Mozarteum do të mirëpret sopranon shqiptare përgjatë intervalit kohor 24-25 korrik, teksa bashkë me të do të performojnë edhe emra të njohur të muzikës, siç janë Valentina Stadler, Mingjie Lei, Tobias Moretti, Riccardo Minasi.

Linku për më shumë detaje: https://www.salzburgerfestspiele.at/en/p/missa-in-tempore-belli-mozart-matinee-minasi?fbclid=IwAR13JaUs-piIG4r8v581EjceYOk9Irc4eddUYtzhnjV5mTL3AqLR7xRplXg / KultPlus.com

Prush n’gji

Poezi nga Xhevat Latifi

(Sërish me nanën)
Nana, vonë binte me fjetë
mbulonte fëmijte e më pas babës, i vinte dhe xhup.
Te e vona shkrifte flokët
E para fytyrë në mëngjes që shihja ishte nana:
-Zgjohu me shkue n’shkollë, mos vono!
Kështu kaluen shumë vjet
Nana mbulonte çdo zhurmë, çdo mungesë, mbulonte fëmijët edhe nga frika
Dhe nga nji shtet që vriste e hahej me botën se ishte i drejtë.
Nji ditë në gjykatën e Gjilanit,
nana përgjigjej për armën që kurrë s’e pamë,
ishte sajesë regjimi!
Nanë,- a frigohesh i thashë,
për me mund frikën time!
Nuk frikohet Nana!-dhe mbylli butë derën e gjykatës së pakuptimtë!
Çfarë arme ishte mbulesa e nanës
sall flakrat e nositit- gji i thellë…
*
Pas luftës nanës i ra nuri i paqes,
sërish binte vonë duke mbuluar fëmijët,
tash në katër anët e botës!
Pa shkuar kurrë në shkollë dinte përmendsh kohën
si matet në meridiane kohore
E ndante pensionin e pleqërisë me nipa dhe mbesa
luante lojën “një ty, një mua”
Gjersa një ditë drita ju ndal në qerpik!
*
Nanën kurrë s’e kam kuptuar pse aq shpejt ndizte zjarrin,
Nji ffyyyyy dhe zjarri bëhej murlan
Prushi i zjarrit t’nans m’vjen tash n’gji
Kur unë mbuloj fëmijët në dhomë,
a nga larg, nëpër qoshet e botës.
Zjarri i nanës gjithmonë rri ndezur! / KultPlus.com

Dekorohet nga Presidenca aktivistja Sevdije Ahmeti

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar humanisten Sevdije Ahmeti, shkruan KultPlus.

Dekorata “Urdhri Dr. Ibrahim Rugova” iu është dorëzuar familjes së Sevdije Ahmetit, e cila ishte një aktiviste e pashoq që kishte vdekur në vitin 2016.

Ahmeti do të kujtohet si ideatore dhe shtyllë e lëvizjes së grave në Kosovë, duke përkrahur përherë interesat dhe të drejtat e tyre.

Pas luftës, Ahmeti ishte ndër të parat që inicioi çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. / KultPlus.com