Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me një grup të ish-burgosurve politikë, në krye me Fetah Berishën, kanë vizituar ish-burgun e Prishtinës.
Ministrja Dumoshi i njoftoi ish të burgosurit për planet që ka MKRS-ja në shndërrimin e ish-burgut të Prishtinës në muze për ta dokumentuar të kaluarën e rëndë që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës si pasojë e trysnisë dhe dhunës së sistemit të kryesuar nga regjimi monist i kohës e më pas.
Ministrja e informoi z. Berisha dhe ish të burgosurit se ka themeluar grupin punues që do ta konceptojë objektin e ish-burgut për ta shndërruar në muze. Ministrja tha se do të grumbullohet i tërë dokumentacioni ekzistues dhe i mundshëm, rrëfimet e të burgosurve, të dhëna tjera materiale, dhe do të realizohen brenda objektit disa ndërhyrje, për ta kthyer burgun në formën origjinale.
“Është obligim dhe detyrim i institucioneve të Kosovës që të dokumentojnë vuajtjet, përjetimet dhe tmerret që kanë kaluar gjeneratat e mëparshme për të ardhur deri sot kur ne kemi shtetin dhe institucionet tona”, u tha ministrja Dumoshi.
Ish i burgosuri Fetah Berisha, e falënderoi ministren për këtë nismë dhe u shpreh se në këto ambiente ku po qëndron bashkë me shokë kanë përjetuar tmerre të paimagjinueshme.
“Prej ditës së burgosjes 22 korrik në vitin 1981, natën e parë më kanë dërguar në kufi me Shqipërinë, ku policë të asaj kohe, më kanë shkreh në dru, më pas më kanë sjellë në burgun e Prishtinës dhe më kanë mbajt 6 muaj për të zhvilluar hetimet deri sa janë kryer ato dhe gjykata e atëhershme e qarkut e Prishtinës më pati dënuar me dy vite burg”, rrëfeu i emocionuar ish i burgosuri rahovecas Fetah Berisha.
Berisha, por edhe të burgosurit e tjerë vizituan qelitë dhe pavijonet e ish-burgut dhe sollën në kujtesë tmerret që kanë përjetuar aty dhe vlerësuan se është një veprim shumë i duhur dhe i pritur, nisma për të shndërruar ish-burgun e Prishtinës në muze.
“Është mirë që gjeneratat që vijnë pas të dinë se çfarë ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës për të ardhur deri tek liria”, u shprehën ish të burgosurit, të cilët edhe e falënderuan ministren Dumoshi për këtë projekt.
Ministrja dhe ish të burgosurit vizituan ambientet e ish-burgut, qelitë ku kanë qëndruar të burgosurit, dhomën e hetuesisë, ku sipas rrëfimeve të ish-burgosurve asnjë i burgosur nuk dilte në këmbë të veta por sillej në qeli kapur nga persona tjerë i tërhequr zvarrë, nga tortura e nga të rrahurat. / KultPlus.com
Revista arbëreshe “Lidhja” shënon 40-vjetorin e publikimit të saj të parë, si një nga revistat më të rëndësishme të kulturës shpirtërore shqiptare.
Kjo revistë përbën një kontribut të çmuar kombëtar për ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë arbëreshe. Revista është themeluar nga At Antonio Bellusci dhe botohet çdo gjashtë muaj në Frascineto-Frasnita të Kozencës.
Revista “Lidhja” përgjatë këtyre 40 vjetëve ka përcjellë materiale në fushën e etnologjisë, folklorit, letërsisë, gjuhës dhe traditave arbëreshe. Revista ka dokumentuar edhe zhvillimet kryesore në botën arbëreshe përgjatë dekadave të fundit.
Shkrimtarë dhe poetë kanë gjetur një hapësirë specifike gjithashtu në revistën “Lidhja” prej vitesh, një revistë proaktive, inovative dhe konkurruese. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com
Ylli i hitit “Vogue”, Madonna, ka vendosur që në moshën 62-vjeçare ta bëjë tatuazhin e saj të parë në trup. Kështu, ajo ka zgjedhur t’i nderoj fëmijët e saj, Lourdes, Rocco, David, Mercy, Stella dhe Estere, duke i vendosur inicialet e tyre në dorë.
Mbretëresha e muzikës pop me shumë krenari i ndau disa fotografi të tatuazhit të parë, me gjithë ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Teksa e falënderoi artistin, East Iz, nga dyqani i tatuazheve “Shamrock Social Club” në Hollywood, Madonna në mbishkrimin që e shoqëronte fotografinë kishte vendosur t’i ndryshojë fjalët e hitit të vitit 1984, “Like A Virgin”, dhe kishte shkruar: “E ngjyrosur për herë të parë… #family”.
Javën e kaluar, Madonna e ndau një videomontazh të rrallë të fëmijëve të saj, dhe të dashurit 26-vjeçar, Ahlamalik Williams, teksa po e festonin Ditën e Falënderimeve si familje.
Ndërkohë në lajme të tjera, ylli i njohur i muzikës e cila po ashtu e gëzon një karrierë të mirë edhe në kinematografi, do ta drejtoj filmin e saj biografik të cilin është duke e bashkëshkruar me Diablo Cody dhe do të realizohet nga studioja “Universal Pictures”.
Në një deklaratë për media të lëshuar muaj më parë, Madonna ka deklaruar: “Dua ta sjell në ekran rrugëtimin e jashtëzakonshëm në të cilin më ka dërguar jeta si artiste, muzikante, valltare dhe si një person duke u përpjekur t’i hapë rrugët e saj në këtë botë. Fokusi i filmit gjithmonë do të jetë muzika. Muzika më ka mbajtur aktive dhe arti më ka mbajtur të gjallë. Kam aq shumë tregime të parrëfyera më parë dhe tejet inspiruese, prandaj kush është më i përshtatshëm për t’i treguar ato sesa unë. Është shumë e rëndësishme t’i ndajë me publikun dhe fansat kujtimet e mira dhe të këqija të jetës sime, përmes zërit dhe vizionit tim.”
Amy Pascal do të shërbejë në rolin e producentes së këtij projekti krahas Madonnas, derisa Sara Zambreno dhe Guy Oseary do të jenë producentë ekzekutiv të tij.
Filmi i cili do t’i dërgojë fansat në një rrugëtim emocionues të karrierës së jashtëzakonshme të këngëtares në këto pesë dekada, aktualisht nuk ka ndonjë titull. / Koha.net/ KultPlus.com
Më 11 dhjetor 2020, do të fillojë aplikimi i kontributpaguesve për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kjo mundësi është krijuar në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili është miratuar më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.
Hoti tha se Trusti ka njoftuar se janë gati për lansimin e faqes online, lidhur me tërheqjen e 10 për qindëshit.
“Më vjen mirë që tash ligji është publikuar në gazetë zyrtare dhe këto institucione mund të fillojnë punën ashtu siç parashikohet me ligj. Nga informatat që morëm nga zëvendësguvernatori, nga kryetari i bordit dhe nga drejtori i Trustit është që të gjitha përgatitjet janë bërë, janë ndarë informatat në mes të këtyre dy institucioneve. Është përgatitur edhe sistemi është hapur edhe webfaqja dhe të premten në orën 15:00 pasdite hapet sistemi për qytetarët për të aplikuar për tërheqjen e këtyre kursimeve”, tha Hoti.
Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, së bashku me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, anëtarin e Bordit Drejtues të FKPK-së, Ruzhdi Morina dhe Sokol Havollin, zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës, tha se këto institucione kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar aplikimin.
Aplikimi për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve nga kontributdhënësit mund të bëhet vetëm online përmes një faqeje të veçantë interneti.
“Trusti i Kursimeve Pensionale në bashkëpunim me Bankën Qendrore dhe Ministrinë E financave dhe Institucionet tjera ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike. Jemi duke punuar intensivisht në mënyrë që të bëhen të gjitha testimet e nevojshme dhe të premten sistemi do të hapet për aplikim dhe të gjithë qytetarët do të munden të aplikojnë për tërheqjen e mjeteve. Gjithashtu sot lansohet platforma në internet që është www.trusti10.org do të jetë një faqe tjetër e internetit. Aplikimi do të jetë shumë i thjeshtë, numri personal dhe llogaria bankare. Në bazë të aplikimeve presim që shumë shpejtë të bëjmë pagesën e këtyre mjeteve dhe presim që pagesa më e madhe e këtyre mjeteve për të gjithë ata që aplikojnë para datës 22 apo 24 të këtij muaji, paratë do të mund të paguhen para festës së fundvitit. Besojmë që çdo jave do të bëjmë nga një pagesë të mjeteve dhe shpresojmë që në këtë drejtim nuk do të ketë ndonjë problem”, u shpreh Morina.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Kontributpaguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshme. / KultPlus.com
Erdhi pranvera. Qershitë kuqëluan. Naimi hipi në qershinë e madhe, zgjodhi kalaveshët më të mirë, i këputi ngadalë e me kujdes dhe i vari në dhomë.
– O qershiza, më falni që iu mbylla në dhomë,
por mos u brengosni fare se babai duhet të kthehet këto ditë. Më thoni, ju lutem, si të shkoni pa ju shijuar babai im i mirë? – foli Naimi i vogël.
Erdhi vera me xixëllonja, me kallinj të artë e dardha të ëmbla. Naimi hipi në dardhë, këputi kalaveshët më të mirë dhe i vari në dhomë.
– Dardha moj! Prita një pranverë, por babai nuk u kthye. Vera hyri e po kalon e babai nuk po duket asgjëkundi. Po si të shkoni pa iu shijuar babai im i mirë? – tha Naimi i përmalluar.
Ditët e bukura verore kaluan dhe në derë trokiti vjeshta. Ajo solli me vete erë, re dhe shira. Pyllin e ngjyrosi me brush të kuqërremtë, mollët i skuqi në kopsht. Naimi këputi një kalavesh mollë, e vari në dhomën e vet, siç i kishte varur më parë kalaveshët e qershive e të dardhave.
– O mollë, prita një pranverë e verë, por babai nuk u kthye. Po iu var këtu për babanë tim të mirë! – tha Naimi i mbushur shpresë.
Vjeshta kaloi dhe hyri dimri. Majat e bjeshkëve i veshi me të bardhë, pastaj bardhësinë e shtroi në kodra e lugina.
– A është e mundur të kalojë dimri e të mos kthehet babai? – mendoi Naimi.
Dita ishte e ftohtë, binte borë me fluska të mëdha. Naimi ishte duke rrëshqitur kur erdhi Blerta, motra e vogël dhe i foli gëzueshëm.
– Naim, erdhi babai!…
Naimi rendi. Babanë e gjeti në shtëpi, e përqafoi dhe iu ul në prehër. Ai i ndante dhuratat. Blertës i kishte sjellë qeska me bombone, triko të kaltër dhe një arith leshverdhë, kurse Naimit i kishte sjellë pallto ngjyrë trëndafili, këpucë dhe automatikun që bënte gërr – gërr.
– Nuk i dua, nuk i dua, – foli Naimi dhe buzëvarur hyri në dhomë.
– Ç’ke? – i foli babai me dhembshuri.
Pas pak Naimi shpërtheu. Zëri i tij ishte i mbushur me pritje.
– Këto qershiza, baba, i ruajta për ty, por ti nuk u ktheve. Ti nuk erdhe as në verë dhe kalaveshi i dardhave u vyshk. Ti nuk e pe as vjeshtën. Lëre, baba, lëre! Nuk i dua as pallton ngjyrë trëndafili, as këpucët, as automatikun që bën gërr – gërr! Të dua ty, baba!…
Kalaveshët e vyshkur qëndronin ende. Vetëm kalaveshi i mollës ruante freskinë. Babai e mori Naimin, e hodhi përpjetë disa herë, pastaj e puthi në ballë, ia gërrithi faqet me mjekrën e fortë dhe i foli butësisht: – Tash e tutje do të vij më shpesh, Naim.
Dhoma u mbush me tinguj të hareshëm. Në gurgullimën e zërit frynte një freski e këndshme. Ai foli për pranverën e kthimit. Kjo e gëzoi pa masë Naimin e vogël. U hodh përpjetë hareshëm. Mori automatikun dhe doli jashtë, gërr-gëmeet shpërndanin një lajm të gëzuar.
(Tregimi është botuar në revistën Rilindja, Prishtine, 1987.) / KultPlus.com
”I just shot John Lennon” (”Sapo kam qëlluar John Lennon”), ishin fjalët të shqiptuara me ton të ftohtë dhe cinik, më 8 dhjetor 1980, nga Mark David Chapman, i cili i dha fund jetës së ish-Beatles.
Lennon kishte mbushur 40 vjeç vetëm dy muaj më parë, më 9 tetor.
Dhe 40 vjet më parë vdekja e tij tronditi botën dhe veçanërisht një brez, e cili ishte rritur duke u ushqyer me idealet e paqes, që gjithashtu frymëzoi albumin e tij më të suksesshëm ”’Imagine”’ (1971), kënga me të njëjtin titull i të cilit u shndërrua në një himn ndërkombëtar të pacifizmit.
Natën e 8 dhjetorit 1980, Lennon ishte në shoqëria e bashkëshortes, Yoko Ono, pasi të dy po ktheheshin në banesën e tyre, brenda ndërtesës ”Dakota”, përballë njërës prej hyrjeve në Parkun Qendror, në rrugën 72.
Atë mëngjes fotografja e famshme e portreteve, Annie Leibovitz kishte qenë në shtëpinë e çiftit për të bërë një set fotografik për kopertinën e revistës ”Rolling Stone” dhe kishte realizuar foton e famshme në të cilën Lennon krejtësisht i zhveshur përqafon dhe puth Onon, e veshur plotësisht në të zeza.
Rreth orës 22:50, Chapman u afrua në hyrje të ndërtesës ”Dakota”.
Pas hyrjes së Lennon me Ono, ai nxori një pistoletë të kalibrit 0,38 milimetra dhe gjuajti me pesë fishekë.
Katër prej tyre kapën Lennon në shpinë, ndërsa një shpoi aortën. Ish-Beatle mezi shqiptoi fjalën ”Më qëlluan…”, para se të ndërronte jetë.
Ai u dërgua menjëherë nga një patrullë policie në spitalin ”Roosevelt”, ku u shpall i vdekur në orën 23:15.
Në 1969 Lennon kishte thënë se ”nuk kam frikë të vdes”.
Sidoqoftë, 40 vjet më vonë, miti i John Lennon vazhdon të frymëzojë brezat.
Ai mbetet një nga ikonat më të fuqishme ndonjëherë prodhuar nga kultura popullore, një njeri që falë muzikës dhe angazhimit për paqen ndryshoi botën.
Këtë vit, për shkak të pandemisë, nuk pritet të ketë ceremoni përkujtimore në Nju Jork për 40-vjetorin e zhdukjes së ”yllit” Lenon. /os/ KultPlus.com
Një gjest i ulët ka ndodhur në një kafene të Prishtinës, ku kamerierët kanë zgjedhur të tallen keq dhe rrezikshëm me një cigareshitës.
Reporteri.net ka publikuar një video të momentit kur një cigarexhiu të njohur në Prishtinë, iu lyen duart me një alkool të djegshëm dhe iu vu zjarri.
Cigarexhiu e përjetoi rëndë, duke u mundur t’i fikte e duke bërtitur, ndërkohë që ata që i vunë flakën qeshin dhe e tallnin.
Siç edhe shihet në video cigarexhiu vazhdon të ndjejë dhimbje dhe mundohet të shmanget nga tavolinat ku iu kurdis gjithçka.
Të qeshurat, ndërkaq, vazhduan me disa sekonda dhe askush nuk e mori mundin ta qetësonte e as t’i ofronte ndonjë ndihmë cigareshitësit.
Deri më tani nuk është arritur të kuptohet në cilën kafene ka ndodhur ky rast. Gjithçka dihet, është se është në një kafene tek rruga e njohur si “te kafetë e vogla”. / KultPlus.com
“Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit, le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, thekson Kreu i PD, Lulzim Basha në përkujtim të Lëvizjes Studentore të 30 viteve më parë.
Basha shprehet se “’E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, kjo ishte thirrja e tyre, teksa kapërcenin barrierat policore dhe dhunën e regjimi”
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa! 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut – dhe fituan. Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, thekson kreu i PD, Basha. / atsh/ KultPlus.com
Maja më e lartë në botë, Mount Everest, është për 0.86 metra më e lartë se në matjen e fundit zyrtare, kanë njoftuar Nepali dhe Kina.
Shtetet janë pajtuar që lartësia e re është 8,848.86 metra. Deri tash ato kishin dallime nëse duhej të përllogaritej edhe bora në majë.
Matjet e fundit zyrtare të Kinës prej 8844 metrash e kishin vënë majën më të lartë në botë për katër metra më ulët se Nepali.
Everesti qëndron në kufi mes Kinës dhe alpinistët ngjiten nga të dy anët.
Zyrtarët në Ministrinë e Jashtme të Nepalit dhe mbikëqyrës nga dy shtetet kanë arritur pajtim tani për lartësinë e re. Sipas marrëveshjes, matjet e majës më të lartë në Tokë u bënë gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në kryeqytetin e Nepalit, Katmandu, vitin e shkuar. / KultPlus.com
Duke qenë se pasuria personale e Mark Zuckerbergut është 33.3 miliardë dollarë, paga mesatare e punëtorëve të tij nuk është për t’u nënvlerësuar.
Referuar të dhënave të hulumtimit nga Glassdoor, mesatarja e pagës së inxhinierëve fillestarë është 106 mijë dollarë, ndërsa e një analisti mesatar është 118.864 dollarë.
Duhet theksuar se inxhinierët e programeve të gjigantit të mediave sociale marrin pagë mesatare prej 183.397 dollarëve.
Ndërkohë, vlera e Facebook-ut është aktualisht 200 miliardë dollarë, gjë që tregon se pagat e 8.348 punëtorëve janë goxha mbresëlënëse.
Facebook u themelua më 2004 nga studentët e Harvardit: Mark Zuckerberg, Dustin Moskovitz, Chris Hughes dhe Eduardo Saverin. Ky rrjet social së shpejti u zgjerua në universitetet tjera amerikane dhe më pas u bë një fenomen botëror. /Albinfo.ch/ KultPlus.com
Ka vdekur sot trajneri dhe gjyqtari i hendbollit, Shaban Demiri.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka shprehur ngushëllimet e saj duke e vlerësuar Demirin si një njeri të dashur e shumë të vlerësuar në hendbollin e Kosovës.
“Me pikëllim të thellë e mora lajmin se është ndarë nga jeta i dashuri i juaj, trajneri dhe gjyqtari ynë i hendbollit, Shaban Demiri. Jo vetëm ju si familje, por ne si Kosovë, humbëm një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në hendbollin e Kosovës. Shabani ka qenë lojtar, trajner, gjyqtar e vëzhgues-kontrollues i sportit të hendbollit, duke e dhënë kështu kontributin e tij në këtë sport në të gjitha segmentet e tij, sidomos në vitet e nëntëdhjeta”, ka shkruar Dumoshi.
Tutje është shprehur se Demiri do të kujtohet për përkushtimin dhe kontributin që ka dhënë për sportin e hendbollit.
“Shaban Demiri, do të kujtohet për përkushtimin dhe kontributin që ka dhënë për sportin e hendbollit sepse ai vazhdimisht ka sjellë energji dhe konkretizim në secilin angazhim të tijin. Ikja e tij nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh në hendbollin e Kosovës. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës. Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve të Shaban Demirit”, përfundon kështu telegram ngushëllimin ministrja Dumoshi. / KultPlus.com
Kujtimet e Bob Dylanit “Chronicles: Volume One” hapen në vitin 1962 me nënshkrimin e marrëveshjes së tij të parë muzikore – një kontratë për të drejtat e veprës së tij në embrion. Kushtet e asaj marrëveshjeje, të hartuar nga Lou Levy i “Leeds Music Publishing”, patën miratimin e Dylanit të ri.
“Lou më kishte dhënë si paradhënie qindra dollarë kundër honorarëve të ardhshëm për të nënshkruar atë letër”, shkroi ai, “dhe kjo ishte në rregull për mua”.
Për pesëdhjetë e tetë vjet, më shumë se 600 këngë dhe tevona një çmim “Nobel”, vlera kulturore dhe ekonomike e korpusit të Dylanit është rritur në mënyrë eksponenciale.
Të hënën, “Universal Music Publishing Group” ka njoftuar se ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë krejt katalogun e këngëve të Dylanit – përfshirë edhe klasikë që ndryshuan botën si “Blowin’ in the Wind”, “The Times They Are A-Changin’” dhe “Like a Rolling Stone” – në atë që mund të jetë më e madhja blerje e bërë ndonjëherë për të drejtat muzikore të publikimit në një akt të vetëm.
Marrëveshja, që përfshin krejt karrierën e Dylanit, nga këngët e tij të hershme deri te albumi i fundit “Rough and Rowdy Ways”, është pranuar drejtpërdrejt nga Dylani, 79 vjeç, që prej kohësh ka kontrolluar të drejtat e shumicës së teksteve të tij.
Çmimi nuk është bërë i ditur, por vlerësohet të jetë më shumë se 300 milionë dollarë.
“Nuk është sekret që arti kantautorit është çelës fondamental për krejt muzikën e madhe, dhe as nuk është sekret që Bobi është një prej praktikuesve më të mëdhenj të këtij arti”, ka thënë Lucian Grainge, drejtor ekzekutiv në “Universal Music Group”, nëpërmjet një deklarate që ka njoftuar mbi marrëveshjen e bërë.
Jody Gerson, drejtoresha ekzekutive e sektorit të publikimeve në Universal, ka shtruar: “Të përfaqësosh trupin e veprës së një prej kantautorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave – rëndësia kulturore e të cilit nuk mund të mohohet – është sa privilegj, aq edhe përgjegjësi”.
Dylani nuk ka dhënë ndonjë koment për këtë.
Marrëveshja është më e freskëta prej një profili të lartë për tregun zhurmues për katalogët e muzikës, teksa artistë të rinj e të moçëm i kanë shitur këngët e tyre, dhe publikuesit e investitorët kanë mbledhur miliarda dollarë nga burime publike e private për t’i rrumbullakuar këto marrëveshje.
Javën e kaluar Stevie Nicks ka shitur një thelë të madhe nga katalogu i saj për një shumë të vlerësuar 80 milionë dollarë për “Primary Wave Music”, publikues i pavarur dhe kompani marketingu.
“Hipgnosis Songs Fund”, një kompani britanike që ka bërë një hop të shpejtë në treg për vetëm dy vjet e gjysmë, së fundmi ka bërë të ditur se ka shpenzuar rreth 670 milionë dollarë nga marsi deri në shtator për të blerë të drejtat e më shumë se 44 mijë këngëve nga Blondie, Rick James, Barry Manilow, Chrissie Hynde nga Pretenders dhe të tjerë.
Por katalogu i Dylanit është një prej xhevahireve të muzikës botërore – një vitrinë këngësh që ka rimodeluar muzikën folk, rock dhe pop, si dhe ka frymëzuar pafund artistë. Ai është nderuar me çmimin “Nobel” për letërsi më 2016 se “ka krijuar shprehje të reja poetike brenda traditës së madhe amerikane të këngës”.
Dylani është edhe ai lloj autori për të cilin jargavitën publikuesit e muzikës. Jo vetëm që vepra e tij i ka qëndruar testit të kohës, por shumica e këngëve të tij janë shkruar vetë prej Dylanit dhe janë kënduar shpesh nga artistë të tjerë – ku secili përdorim ka përftuar honorarë. Sipas “Universalit”, këngët e Dylanit janë incizuar më shumë se 6 mijë herë.
Publikimet muzikore janë ajo anë e biznesit që merret me të drejtat e teksteve të shkruara dhe kompozimeve – lirikat dhe meloditë e këngëve në formën e tyre më themelore. Publikuesit dhe shkrimtarët mbledhin honorarë dhe tarifa leje kurdo që veprat e tyre shiten, transmetohen në radio apo përdoren në filma apo në reklama televizive.
Streamingu e ka ngjitur me të madhe krejt tregun e muzikës – publikuesit në ShBA kanë mbledhur 3.7 miliardë dollarë vitin e kaluar, sipas “National Music Publisher’s Association” – që ka sjellë investitorë të joshur nga të hyrat e qëndrueshme dhe në rritje që sjellin të drejtat muzikore.
Marrëveshja e Dylanit përfshin 100 për qind të të drejtave të tij për të gjitha këngët në katalog, përfshirë edhe të hyrat që ai merr si autor dhe kontrollin e tij për të drejtat e secilës këngë. Në shkëmbim për pagesën për Dylanin, “Universal”, një sektor i konglomeratit francez mediatik “Vivendi”, do të mbledhë të gjitha të ardhurat e ardhshme nga këto këngë. / The New York Times \ Koha.net/ KultPlus.com
Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se ky proces nuk mund të fillojë para stinës së pranverës.
“Ne po shpresojmë si OBSH që të jetë gjysma e marsit, eventualisht fillimi i prillit. Gjasa për të filluar më herët nuk ka, duke pasur parasysh sasinë e vogël të vaksinave që janë në prodhim dhe kërkesave shumë të mëdha që janë në mbarë botën”, tha ajo, përcjell Albinfo.ch.
Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se Kosova përballet me mungesë të kushteve teknike dhe profesionale për vaksinën e re kundër COVID dhe se janë duke mbështetur autoritetet në përgatitjen e terrenit për fillimin vaksinimit të popullatës.
“Si OBSH e kemi anën teknike, do të thotë do të bëjmë trajnimin e stafit mbi dhënien e vaksinën, për mbikëqyrjen e efekteve të padëshiruarve pas vaksinale, identifikimin e tyre, regjistrimin e vaksinave e kështu me radhë”, tha zonja Humolli.
Qytetarë të anketuar nga Zëri i Amerikës thonë se janë të gatshëm të marrin vaksinën, pasi që kjo të rekomandohet nga institucionet e vendit.
Të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi 519 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi dhe 14 viktima në 24 orët e fundit.
Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se tre muajt e ardhshëm pritet të jenë të vështirë.
“Kemi hyrë në muajt e rrezikshëm kur numri i rasteve është jashtëzakonisht i lartë, por njëkohësisht edhe numri i rasteve të vdekjes, vërehet një rënie e lehtë e lakorës së rasteve të reja, por fatkeqësisht numri i vdekjeve është shumë i lartë dhe mbetet i lartë, pavarësisht a ka ndonjë sëmundje kronike apo jo dhe pavarësisht moshës”, tha zonja Humolli./ Albinfo.ch / KultPlus.com
In this undated photo issued by the University of Oxford, a volunteer is administered the coronavirus vaccine developed by AstraZeneca and Oxford University, in Oxford, England. Pharmaceutical company AstraZeneca said Monday Nov. 23, 2020, that late-stage trials showed its coronavirus vaccine was up to 90% effective, giving public health officials hope they may soon have access to a vaccine that is cheaper and easier to distribute than some of its rivals. (University of Oxford/John Cairns via AP)
Një gjyshe 90-vjeçare nga Coventry sot u bë personi i parë në botë që mori një vaksinë të aprovuar të koronavirusit, ndërsa vendi bëri një hap gjigant drejt përfundimit të pandemisë së urryer.
NHS këtë mëngjes ka filluar vaksinimin më të madh në historinë britanike në 50 vende spitalore, ku arma e re e Mbretërisë së Bashkuar në luftën kundër Covid-19 po përcillet në moshën mbi 80-vjeçare, personeli i spitalit dhe shtëpisë së kujdesit në vijën e frontit, raporton Dailymail, transmeton Albinfo.ch.
Margaret Keenan, e cila mbush 91 vjeç javën e ardhshme, ishte personi i parë në botë që mori vaksinën e Pfizer që kur u aprovua nga rregullatori i Mbretërisë së Bashkuar – duke e quajtur atë “dhuratën më të mirë të hershme të ditëlindjes që mund të dëshiroja”.
Veshur me një bluzë të ndritshme blu ‘Gëzuar Krishtlindjet’, zonja Keenan, e njohur si ‘Maggie’ për miqtë dhe familjen, mund të shihej duke buzëqeshur nën maskën e saj, ndërsa infermierja May Parsons në Hospital Hospital Coventry & Warwickshire i injektoi asaj barin për shpëtim të jetës, përcjell tutje Albinfo.ch.
Zonja Keenan, e cila mbush 91 vjeç javën e ardhshme, është një ish-asistente e dyqaneve të argjendarive që doli në pension vetëm katër vjet më parë. Ajo ka një vajzë, një djalë dhe katër nipër e mbesa.
Ajo tha: ‘Unë ndihem kaq e privilegjuar që jam personi i parë i vaksinuar kundër Covid-19, është dhurata më e mirë e hershme e ditëlindjes që mund të uroj, sepse do të thotë që më në fund mund të pres të kaloj kohë me familjen dhe miqtë e mi në Vitin e Ri”.
Nuk mund ta falënderoj mjaft May dhe stafin e NHS që më kanë shikuar jashtëzakonisht shumë dhe këshilla ime për këdo që ka ofruar vaksinën është ta marrë – nëse mund ta kem në moshën 90 vjeç, edhe ti mund ta bësh”, tha ajo
Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se ishte ’emocional’ që pas një 2020-te të zymtë, rryma po kthehej kundër pandemisë. Ai shkroi në Twitter këtë mëngjes: ‘Është V-Day. Faleminderit të gjithëve që e kanë bërë të mundur këtë, që nga klinicistët, personeli i administratorit të NHS, mjekët, infermierët, të gjithë ata që janë bërë vullnetarë në prova dhe ata që marrin goditjen sot. Le ta bëjmë këtë! ‘, u shpreh Hancock./ Albinfo.ch/ KultPlus.com
90 year old Margaret Keenan, the first patient in the UK to receive the Pfizer-BioNTech COVID-19 vaccine, administered by nurse May Parsons at University Hospital, Coventry, England, Tuesday Dec. 8, 2020. The United Kingdom, one of the countries hardest hit by the coronavirus, is beginning its vaccination campaign, a key step toward eventually ending the pandemic. (Jacob King/Pool via AP)
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përgëzuar Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, të dy emigrant turq në Gjermani, për zbulimin e vaksinës anticovid.
Në fjalën e saj për radion
“Do të na duhen muaj që të vaksinojmë shumë qytetarë. Stafet mjekësore duhet të sigurohen me masat e duhura. Pjesa e dytë e 2021 do të na shërbejë për të pasur më shumë vaksina, por për shkak të muajve të dimrit, për momentin nuk mund të kemi mjaftueshëm”, ka thënë Merkel, transmeton oranews.
Merkel gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat paraprake kundër pandemisë, veçanërisht në dimër.
Gjermania numëroi 147 të vdekur në 24 orët e fundit, ndërkohë që janë raportuar 12.332 raste pozitive.
Numri i të vdekurve ka arritur në 18,919 në vend, ndërsa 1.18 milion qytetarë gjermanë janë infektuar me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.
Vaksina “BNT162b2”, e zhvilluar nga BioNTech, ka një efikasitet 94% në të rriturit e moshës 65 vjeç e lart, sipas rezultateve të studimeve klinike.
Nëse merren miratimet e nevojshme, BioNTech dhe Pfizer po planifikojnë të prodhojnë më shumë se 50 milion doza deri në fund të këtij viti dhe potencialisht mbi 1.3 miliardë doza deri në fund të 2021.
Metropol FM, Merkel tha se Sahin dhe Tureci kanë dhënë një kontribut shumë të madh për shkencën nëpërmjet kompanisë së tyre BioNTech.
Falë kësaj kompanie, vaksina do të shpërndahet nëpër të gjithë Europën në fillim të janarit, ku 70% e popullsisë do të duhet të imunizohet nga virusi për të ndaluar përhapjen e pandemisë./oranews/ KultPlus.com
“Jam pak e frikësuar, por kryesisht absolutisht e kënaqur dhe e entuziazmuar që vaksina është këtu dhe unë po e marr”.
Kështu është shprehur një nga njerëzit e parë në botë që do të vaksinohet kundër koronavirusit, ndërsa Britania po i afrohet momentit të rëndësishëm.
Katie Stewart, 37 vjeç, është një anesteziste konsulente në spitalin e përgjithshëm Borders në periferi të Melrose në Skoci.
Puna e saj për trajtimin e pacientëve me Covid në kujdesin intensiv, e bën atë një nga 800,000 personat që do të marrin dozat e para të vaksinës së Pfizer, e disponueshme në Britani.
“Shpresoj se ky është fillimi i fundit të pandemisë”, tha Steëart.
Javën e kaluar rregullatori i ilaçeve në Britani, Agjencia Rregullative e Barnave dhe Shëndetit (MHRA), u bë e para në botën perëndimore që miratoi vaksinën.
Mbretëria e Bashkuar ka blerë 40 milion doza, të mjaftueshme për 20 milion njerëz, por shumica pritet të mbërrijnë vitin e ardhshëm.
Dozat e para janë të destinuara për personelin e shtëpive së kujdesit dhe të moshuarit, njerëzit e moshës 80 vjeç e lart dhe punonjësit e shëndetësisë që janë në vijën e parë të luftës./ KultPlus.com
Mënyra se si sillet një shoqëri me mësimdhënësin, tregon shumë për kulturën e asaj shoqërie. Por a jemi ne një shoqëri që nuk e respektojmë profesionistin dhe ekspertin si autoritet, duke u munduar ta sfidojmë, ta gjunjëzojmë, ta fyejmë e degradojmë, për shkak të ambicieve, papërgjegjësisë, mungesës së vetëdijes dhe koncepteve të gabuara që i kemi për ta?
Një shoqëri që i komprometon profesionistët e i ngritë demagogët, që i rrënon ligjet e i mbulon gabimet me improvizime. Pa informacione, plot konfuzione. Pa fakte, plot iluzione.
Pyetjes ”çka është shteti?”, i përgjigjet duke përmendur emra politikanësh, presidentin e kryeministrin, qeverinë e ministrat. Mendon se shteti lidhet me politikanin, me qeveritarin, me pushtetin. Thuase shteti është pronë e tij e ai është pronar i shtetit. Kur shteti bëhet sinonim i emrit të kryeministrit, i pushtetit që dikton e jo i kryeshërbëtorit që shërben, aty veç shtet nuk ka. Aty ku shteti nuk merr frymë nga ngufatja e pushtetit të pangopshëm.
Kjo tregon që njerëzit e votojnë liderin, figurën, protagonistin, karizmatikun, popullistin. Ata krijojnë iluzione për të dhe e glorifikojnë deri në adhurim dhe shenjtërim absurd. Ata vuajnë për ta bërë një fotografi me një lider, për ta shpërndarë dhjetëra herë në rrjete sociale. E sidomos nëse ai lider është pak karizmatik e elokuent, apo ka pak pushtet e fuqi, shkrihen pas tyre. E harrojnë historinë e skandaleve pas krekosjes me afërsinë e ”të pushtetshmit”.
Disa e bëjnë të paprekshëm, e shpallin të pagabuar dhe i linçojnë e i kërcënojnë krejt ata që mendojnë ndryshe prej liderit. E përdorin emrin dhe kauzën e tij sa herë ata kanë interes. Dhe mundohen të krijojnë opinion të rremë, artificial, të imponohen në shoqëri, duke fituar ”respekt” dhe ”prestigj”, për shkak se janë ”të afërt” me një lider partie. Dhe shoqëria primitive i jep pëlqime e komente, ia ushqen iluzionin që e ka krijuar për të, e nderon në mënyrë të veçantë për diçka të paveçantë. Ndërsa kur takohen me ndonjë politikan apo zyrtar publik, servilohen para tyre. Kjo tregon mungesë totale të integritetit.
Nuk votojnë për programe e platforma, nuk votojnë për strategji apo plane afatgjate, nuk votojnë për zgjidhje të problemeve shoqërore, për përmirësim të cilësisë së sistemit e për reforma në shoqëri, për efikasitet e vetëdije institucionale, për cilësinë e shërbimeve publike, nuk votojnë për të ardhmen dhe fatin e fëmijëve të tyre. Jo. Kjo nuk është vota dominuese në Kosovë.
Pra, nuk votojnë për një qeveri që i garanton të drejtat e njeriut; që garanton përmirësimin e cilësisë së arsimit; krijimin e kushteve shëndetësore; lehtësime në krijimin e bizneseve; ngritjen e standardit të ekonomive familjare; që i qaset me një strategji mjedisit, natyrës, ajrit, deponive ilegale, florës e faunës; që i lufton dukuritë negative dhe nuk bën kompromis me ligjin. Mentaliteti primitiv i qytetarit nuk e ka këtë diskurs dhe kërkesë.
Ata votojnë për një pagë, për një vend pune, për një përfitim material, për hir të njëri-tjetrit, në emër të grupeve e klaneve, dhe mashtrohen lehtë nga deklaratat, premtimet e fushatat ”mbresëlënëse”. Ata ndikohen nga turma sepse janë shoqëri e turmave. U duartrokitin liderëve, jo ideve.
Të marrim shembullin e mësimdhënësit. Pse ai sot nuk është autoritet i respektuar në shoqëri, madje as në vetë shkollën ku punon? Ku mbeti prestigji, autoriteti dhe privilegji i të punuarit si arsimtar ose profesor, si edukator i gjeneratave të reja? Kurse sot edukimi si mision është shndërruar në një profesion teknik, që fillon e mbaron në një kohë të caktuar, si detyrim që kompenzohet me pagë në fund të muajit.
Ne kemi votuar për 20 vjet qeveri injorante, që nuk e dinë peshën e arsimit dhe kulturës. Dhe kjo qeveri çdo herë ka caktuar ministra të kulturës e arsimit njerëz që nuk kanë lidhje me kulturë e arsim, por që u shërbejnë ”besnikërisht” qeverive dhe agjendave politike. Duke qenë vetë të paaftë, pa mbështetje të qeverisë, natyrisht që këta s’kanë mundur të bëjnë ndonjë ndryshim pozitiv. Sepse nuk bëhet ndryshimi pa e pasur mbështetjen e një qeverie e cila i ka të gjitha kapacitetet politike, profesionale e morale. Me njerëz të komprometuar nuk rregullohet as arsimi e as kultura, dy institucionet më të rëndësishme të një shoqërie moderne.
Barra më e madhe ka rënë në përgjegjësinë e mësimdhënësit, i cili duhet të punojë në kushte mjaft të vështira sepse udhëhiqet prej një sistemi improvizues në arsim. Këtu ka improvizim arsimor, jo strategji arsimore. Duke u ofruar nxënësve vetëm ngarkesa shkencore, pa u plotësuar nevojat për kulturë dhe shkathtësi për jetë.
Po çka i duhet një shoqërie një nxënës që synim ka vetëm numrin, suksesin shembullor, ku në çdo lëndë duhet ”domosdoshmërisht” të ketë nota të njëjta (5)? Ku prindi e thërret arsimtarin në telefon dhe e qorton duke i thënë se vajza apo djali im gjithmonë notat i ka pasur 5 (pesë), e vetëm te lënda jote e ka marrë 4 (katër)?
Pra, duke tentuar që t’i sigurojnë notat në libreza e dëftesa sipas iluzionit, mirëpo duke mos e shkathtësuar fëmijën e tij në ndonjë lëndë apo profil të veçantë, duke mos ia zbuluar talentin dhe prirjen e tij, duke e mos e shtyrë aty ku ka më shumë motiv dhe sukses – por në mënyrë robotike njësoj gjithkund, në fakt, i aftë askund. A s’është ky mjerim? Aty ku vlerësimi dhe testi shihet si detyrim dhe ngarkesë stresuese, jo si matje e rezultateve dhe progresit të arritur. Pastaj duke u krekosur me notat shembullore përmes publikimit në Facebook. E pas nëntë viteve të shkollës fillore, ku është më shumë i orientuar fëmija i tij dhe mbi cilën prirje do ta orientojë në shkollë të mesme? A ka ky prind përgjigje?
Raporti i shumë prindërve me mësimdhënësit e fëmijëve të tyre nganjëherë është jokorrekt dhe jo i rregullt sepse jo pak raste në Kosovë ndodhin që, një nga mënyrat nëpërmjet së cilave mësimdhënësi degradohet dhe sulmohet, vjen edhe nga prindërit e papërgjegjshëm, të cilët vazhdimisht kanë ankesa e kërkesa absurde, ku nuk i kursejnë as kërcënimet ndaj mësimdhënësve, ku shfrytëzojnë lidhjet nepotiste e politike që kanë në institucione publike për ndikime apo presione në dëm të shkollës apo të mësimdhënësve, e deri te konfliktet e krijuara, të improvizuara e të inskenuara.
Ndërsa, në anën tjetër, janë mjaft indiferentë, nuk marrin përgjegjësi për sjelljet dhe rezultatin e dobët të fëmijëve të tyre dhe bëhen shumë jobashkëpunues, duke shpërfillur trekëndëshin pedagogjik prind – mësimdhënës – fëmijë. Si për ironi, dështimin e tyre ia faturojnë mësimdhënësit duke i kërkuar llogari. E madje edhe përzihen në kompetencat e vlerësimit që janë ekskluzive të mësimdhënësit.
Ky është realiteti, i cili, në mungesë të mbështetjes nga institucionet, duke filluar nga menaxhmenti i shkollës e deri në nivelet komunale e ministrore, vetëm po prodhon e riprodhon pasoja. E kjo ndodh më shumë në ato shkolla që për pozitën e drejtorit janë zgjedhur njerëz në baza partiake – drejtorë me merita dhe argate politike, të lidhur ngushtë me kryetarët e komunave dhe partitë komunale në pushtet, të cilët nuk tregojnë kolegialitet, bashkëpunim, motivim, që nuk marrin masa për menaxhimin e problemeve të shkollës, nuk i shfrytëzojnë kompetencat dhe kapacitetet e nevojshme, nuk i trajtojnë nxënësit problematikë dhe problemet e delikuencës, tregohen autoritarë dhe arbitrarë – të njëanshëm për mësimdhënësit – për disa privilegjues e për disa diskriminues.
Të prirur t’i keqkuptojnë dhe paragjykojnë kërkesat dhe ankesat e mësimdhënësve dhe të paaftë për t’i zgjidhur problemet dhe konfliktet potenciale, duke ushqyer rivalitete në grupe të caktuara. Drejtorë të tillë akuzojnë vazhdimisht mësimdhënës të devotshëm e joservilë, që kanë integritet moral dhe profesional, duke u kërkuar llogari dhe përsosmëri në punë në kushte të pafavorshme, injoruese, kërcënuese e degraduese, ndërsa harrojnë se si kanë ardhur vetë në ato pozita të pamerituara, ku vetë atyre u ka humbur autoriteti para nxënësve, paradoksalisht të dominuar nga mediokriteti profesional, nga kompleksi i superioritetit dhe injoranca e thellë, të ”legjitimuara” në mënyrë të paligjshme, nga pushtete të komprometuara. Normalisht duke mos e përjashtuar faktin se ka një numër të vogël drejtorësh që i menaxhojnë shkollat në mënyrë shumë profesionale dhe korrekte.
Një sistem që i ka reduktuar dhe kufizuar kompetencat e mësimdhënësit deri në pikën ekstreme ku mësimdhënësi edhe nëse fyhet nga ndonjë nxënës, siç shohim raste nganjëherë, ai nuk guxon të reagojë në mbrojtje të dinjitetit të vet dhe ta ndëshkojë nxënësin. Aty ku s’funksionon mekanizmi i ndalesës dhe ndëshkimit.
Mësimdhënësi sot është i sulmuar dhe i pambrojtur nga të gjitha anët. Mëkati ndaj mësuesit është mëkat që s’falet. Vetëm nëse i referohemi trajtimit të mësimdhënësve të viteve ’90-të, që punonin pa paga, në kushte okupimi, në shtëpi-shkolla, shohim sa jonjerëzore dhe jomorale ka qenë zhvatja dhe injorimi për një kohë të gjatë i kompensimit të kontributit të tyre nga Qeveria e Kosovës, ndonëse filloi dikur vonë, tek në fund të vitit 2019.
E të mos flasim për format e tjera, si komedia kosovare për shembull, që gjithmonë rolin dhe portretin e mësimdhënësit në Kosovë e paraqet si një mësues primitiv, provokues, të padijshëm, ekstremisht lojal, që i thyen parimet e veta, që përdor zhargon dhe gjuhë vullgare.
Ose në rastin e përhapjes së pandemisë globale Covid 19, ku preku edhe Kosovën në muajin mars 2020, që po vazhdon edhe sot, ku përderisa rastet e para të infektimeve zbuloheshin në disa shtete evropiane – shkurt 2020, kohë kur unë fillova të shkruaja librin tim të dytë pjesë e së cilit është ky artikull, u shfaq një virus i fshehtë me pasoja të paparashikuara. Prandaj, për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, u pezullua mësimi i rregullt në gjithë Kosovën, ndërsa u aplikua alternativa e mësimit online. Disa mësimdhënës nga e gjithë Kosova, në mesin e tyre edhe unë, në kushte pandemie e rreziku të shëndetit publik, por me vullnet dhe entuziazëm të madh, përveç obligimeve të rregullta në shkollë, morëm edhe detyra shtesë dhe nuk ngurruam të jepnim kontributin tonë, duke iu përgjigjur formës së organizimit të mësimit online nga Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, gjë i cili vazhdon edhe sot të realizohet dhe transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës, por që vetë Ministria e Arsimit nuk po tregohet mirënjohëse dhe korrekte ndaj kontributit të ligjëruesve dhe mësimdhënësve.
Madje, në muajin shtator të këtij viti, para fillimit të xhirimeve të reja, Ministria e Arsimit organizoi një trajnim lidhur me përdorimin e Zoom-it në inqizimin e video-ligjëratave, ku trajner ishte një regjisor teatri, i cili me kompleksin e tij të superioritetit, gjatë trajnimit nuk arriti të bëj asgjë tjetër pos t’i nënçmojë e ofendojë mësimdhënësit për mënyrën se si ata ligjëronin. Ndërsa në takimin që kisha me shefin e kabinetit të ministrit, më 7 dhjetor, ku pjesëmarrës ishin edhe mësimdhënës tjerë, në ambientet e Fakultetit të Edukimit, me ironinë e tij, gjoja në shenjë solidarizimi, na thoshte se nuk duhet lejuar askënd që t’i nënçmojë mësimdhënësit. Ndërsa unë i thash se pikërisht ju i keni fajet si institucion sepse ju i keni krijuar dhe imponuar rrethanat e nënçmimit sepse i keni detyruar mësimdhënësit të shkojnë në një trajnim ku trajner është një person që mendon se shkolla është teatër dhe i cili nuk ka lidhje me pedagogji. Për këtë arsye ai ofendon sepse nuk arrin ta kuptojë rolin, mundësitë dhe kreativitetin e mësimdhënësit, në rrethana krejt të jashtëzakonshme pandemie.
Kur një pastrues i një institucioni, një roje apo shofer i një politikani, merr pagë më shumë se një mësimdhënës që edukon gjenerata, çka pritet prej asaj shoqërie? Një sistem i cili eksperimenton me arsimin duke i përdorur mësimdhënësit si instrument. Mos të flaim për procesin e pranimit të mësimdhënësve të rinj, se çfarë gare jokorrekte organizon Komuna e Prishtinës në konkurset publike, ku në shumicën e rasteve pranohen mësimdhënës në baza nepotiste dhe politike.
Mësimdhënësit sot nuk përfaqësohen denjësisht në asnjë institucion, madje as në sindikatë. Më shumë se ngritje koeficienti meritojnë dinjitet, siguri, mbrojtje, kushte pune, meritokraci, motivim, korrektësi, mirënjohje.
Me të drejtë eruditi i Rilindjes Kombëtare thoshte se nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër edhe grurë. Nëse do të mbjellësh për tërë jetën, mbill arsim dhe kulturë./ KultPlus.com
Një monolit është shfaqur në mënyrë misterioze në Britani, vetëm disa ditë pasi të ngjashëm u panë në SHBA dhe Rumani.
Struktura e pazakontë e pasqyruar u zbulua në Isle of Wight, një ishull në brigjet jugore të Anglisë. Banorja Alexia Fishwick tha se ajo “ishte shtangur” kur e pa atë gjatë një shëtitje në plazh të dielën dhe e përshkroi atë si “me të vërtetë mjaft magjike”.
Një monolit i gjetur në Utah muajin e kaluar krijoi spekulime të egra në mediat sociale dhe kopjimet e dukshme në vende të ndryshme.
Shumë vëzhgues kanë supozuar se ato ishin instalime arti të lëna nga skulptorët. Godina metalike në Utah u gjet e mbjellë apo e ngulitur në tokë para se të zhdukej vetëm disa ditë më vonë.
Pastaj për t’u shfaqur në Rumani e më pas edhe në Kalifornin e Jugut.Zonja Fishwick e cila i kishte vërejtur e para në plazhin e Anglisë tha se ajo kishte lexuar për Monolitin misterioz në Utah dhe Rumani, prandaj tha se nuk ishte edhe aq e befsuar dhe se e dinte domethanien e tij”Unë do të lexoja për atë në Utah dhe më pas në Rumani, kështu që unë e dija domethënien.
Lee Peckham, një avokat që jeton në ishull, tha “Unë e pashë atë dhe pyeta veten se çfarë ishte dhe mendova se ishte një gjë mjaft e çuditshme për të parë diçka të tillë në plazh. Pyeta veten se kush e vendosi atë atje dhe pse”./ KultPlus.com
Formimi i personalitetit tim fillon që në moshën fëmijërore, atëherë kur fare i ri u bëra partizan. Personalitetin tim e forcuan dhe e bënë të papërkulur të gjitha krajatat që i përjetova maleve dhe nëpër burgjet e okupatorëve. Më vonë pas çlirimit e kreva shkollën e lartë të milicisë në Beograd. Në fillim të vitit 1967 isha kryeshef i sektorit të Kriminalistikës së Kosovës. Pastaj u emërova Prokuror Publik i Kosovës, detyrë që e kreva deri pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1968. Krahas kësaj, isha edhe anëtar i Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Gjatë kësaj kohe, meqë kërkova të ndiqen deformatorët, të zbuten dënimet e kundërligjshme të grupit të Adem Demaçit, dhe meqë me këmbëngulje fillova të kërkoj Republikën e Kosovës – ‘u zbulova se jam nacionalist i rrezikshëm’ dhe falë heshtjes së kolegëve të mi shqiptarë, në janar të vitit 1969 u shkarkova nga të gjitha detyrat. Magjistrova në Zagreb dhe desha të punësohem në Fakultetin Juridik të UP-së, por pasi kolegët e mi më shpallën ‘të rrezikshëm’, vetë zoti Mahmut Bakalli strukturave të UP-së ua bëri me dije që nuk guxoj të ligjëroj në këtë fakultet. Po ky njeri e pengoi edhe komisionin përkatës që ishte caktuar për vlerësimin e tezës së doktoratës sime. Këtë që po e them, mund ta vërtetoni edhe sot. Të gjitha urdhërat urdhërat e këtij funksionari për avancimin tim si shkencëtar gjenden edhe sot e kësaj dite në Fakultetin Juridik. Që prej asaj kohe bëj një jetë, siç e shihni edhe vet, margjinale, i harruar, porse krenar kundër të gjitha mynxyrave të jetës që nuk arritën të ma thejnë mendjen se Kosovës patjetër i duhet Republika.
Isha ndër partizanët më të rinj të brigadave kosovare. Që atëherë në thellësinë e unit tim zunë vend dy armiq: okupatori dhe padrejtësitë që përjetonte populli im. Derisa për armikun e parë isha i bindur se do të thyhet, armikun e dytë me shpirt të sakatosur e shihja tek merrte udhë kah forcimi. Filloi me masakrën e shqiptarëve në Tivar, për të vazhduar pastaj në Drenicë e në Frontin e Sremit. Kjo ndodhi gjatë luftës. Pas luftës filloi deklarimi i përdhunshëm i shqiptarëve si turq. KK i LK të Kosovës në krye me Gjoka Pajkoviqin filloi të kujdesej për ‘turqit’ të cilët asnjëherë nuk paskan guxuar të deklarohen për përkatësinë. Dhe fillon absurditeti. Shqiptarët ndiqen burgosen, rrihen, maltrretohen, vdesin, ndahen familjarisht, njëri vëlla bëhet turk e tjetri mbetet shqiptar, në mes shokëve, vëllezërve, familjes e kombit, në përgjithësi fillon të hetohet një përçarje. Megjithatë, meqë ky aksioni filloi të humbas efektin, sepse ata që regjistroheshin turq ishin të paktë, pushtetmbajtësit u angazhuan pë shpikjen e aksionit tjetër.
Në radhë vjen aksioni i mbledhjes së armëve, me arsyetimin se në mesin e shqiptarëve ka filluar përgatitja për kryengritje. Filluan maltretimet e fshatarëve. Shumë shqiptarë që nuk kishin armë detyroheshin të dilnin jashtë dhe të blenin ndonjë pushkë, dorëzimin e së cilës e kishin kusht jetën. Shumë prej shqiptarëve që ishin të varfër e të paarmatosur, burgoseshin, rriheshin e vriteshin. Arsyetimi zyrtar partiak i këtij aksioni ishte ‘pengimi i gjakderdhjes së shqiptarëve mes vete’. Gjatë këtij aksioni u vranë qindra shqiptarë, u plagosën shumë fish më tepër, edhe më shumë mbetën të gjymtë nga rrahjet e maltretimet shtazarake, e shumë të tjerë bënë vetëvrasje. Pra, tendenca ishte që te shqiptarët të mbizotërojë bindja se shpëtimin dhe rehatinë shpirtërore ata mund ta gjejnë vetëm gjetiu. Atëbotë shqiptarët filluan të shpërngulen me të madhe në Turqi. Numri i tyre arriti mbi gjysëm milioni. Në mes shqiptarëve lindi problemi i vëllavrasjes sepse u përhapë hasmiëria në mes të atyre që e pranonin shpërnguljen dhe atyre që edhe kokën e jepnin për vatan. Fill pas kësaj vjen procesi i Prizrenit. Skenari i këtij procesi akuzonte të gjithë udhëheqësit shqiptarë të revolucionit si spiunë të ‘sigurimit’ të Shqipërisë. Kështu, deri kah fundi i i vitit 1967, i mllefosur, i tmerruar, dhe i brengosur për tendencat e asimilimit të popullit shqiptar, mezi prisja momentin tim. Dhe kur erdha ne funksion, me këmbëngulje kërkova strehimin ku kombi shqiptar do ta bënte një jetë më normale dhe ai strehim ishte Republika e Kosovës. Ja pra, këto ishin shkaqet që i paraprinë kërkesës sime për një shtetësi shqiptare në kuadër të federatës jugosllave.
Atëbotë nuk kishte shumë udhëheqës shqiptarë. Bile, edhe ata që ishin, mjerisht ishte turp që të konsideroheshin shqiptarë sepse për ruajtjen e foteles dispononin të gjitha karakteristikat antishqiptare. Ndërsa Komisioni për Marrëdhënie Ndërnacionale i KK të LK të Kosovës vazhdimisht e përsëriste kërkesën për Kosovën Republikë, KK i LK të Kosovës e kundërshtonte këtë kërkesë me injorancë. Komisionin e përbënin një grup intelektualësh: Rezak Shala, Hajredin Hoxha, Idriz Rexha, Gazmend Zajmi, Syrja Popovci, Fehmi Agani dhe Dervish Rozhaja. Më kujtohet kur në një mbledhje, tërë mbledhja mori karakterin e një simpoziumi shkencor. Secili nga diskutuesit që i përmenda, nevojën për Republikën e Kosovës e pat paraqitur nga këndi i vet profesional. Të tjerët krejt çka mundën ishte ta ndërpresin mbledhjen dhe këtë problem ta nxjerrin në Kuvendin Krahinor, ku u formua komisioni për ndryshimet kushtetuese, kryetare e të cilit ishte heroina e popullit Katerina Peternovic – Cica, e cila në fillim ishte këmbëngulëse për Republikën e Kosovës, por pas kërcënimeve nga lart, ndërooi qëndrim dhe kërkoi falje për mendimet e gabuara. Kryesia e komitetit Krahinor mori qëndrim kundër këtij diskutimi. Në atë kohë krerët e lartë shtetërorë kërkonin mendim uniform, prandaj krejt udhëheqësia krahinore, pra edhe udhëheqësit shqiptarë, filluan të shprehnin patriotizmin socialist jugosllav, por edhe të bëjnë garë se kush do të jetë më i ashpër në sulet ndaj atyre që me këmbëngulje kishin kërkuar Kosovën Republikë. Filluan sulmet prej kërcënimeve e deri te etiketimet. Ishin brutale sulmet e Veli Devës, Kolë Shirokës, Asllan Fazliut, Ali Shukriut, Ilaz Kurteshit, Mahmut Bakallit, e me radhë. Pra, të gjithë këta ishin kundër kërkesës sonë dhe kur me direktivë të Partisë u ndalua diskutimi për Republikën e Kosovës, më 27 nëntor 1968 shpërthyen demonstratat në të gjitha qytetet e Kosovës dhe në Tetovë.
Tendencionalisht u injorova dhe u padita pa masë. Ilaz Kurteshi, për shembull, duke mos kuptuar gati asgjë, filloi të flasë me një gjuhë të hutuar politike. Veli Deva, kërkesat e mia për Kosovën Republikë, i klasifikoi ‘veprimtari armiqësore’. Ngjajshëm foli edhe Kolë Shiroka. Fadil Hoxha u mundua të më bindë për një autokritikë, duke cituar gabimisht një thëninë të Leninit: ‘nuk duhet me ra në bisht të masave’. I pata thënë që masat duhet të deklarohen e ta thonë mendimin e tyre e jo të mendojmë ne në vend të tyre. Nuk mbeta pa u sulmuar edhe nga arsenali i Mahmut Bakallit. Gjatë pauzave të mbledhjeve, iknin prej meje sikur prej dreqi. Mbeta si fëmijë pa prind. Tërë kjo ndikoi që të pëlcasin demonstratat më 27 nëntor 1968 në të cilat u brohoritë emri im, i Fadil Hoxhës, i Titos, ndërsa u fyen udhëheqësit tjerë. Për shembull Veli Devën e thirrnin Velimir Devic. Udbashi i atëhershëm më pat treguar se do t’i marrë disa masa. I pata thënë se masat duhet të ndërmirren vetëm në kuadër të kompetencave ligjore sepse si Prokuror Publik i Kosovës nuk lejoj që të shkilet ligjshmëria.
Në fillim të vitit 1969, dy-tre muaj pas demonstratave, më detyruan të jap dorëheqje nga funksioni. Atëherë Kryetar i Kuvendit të Kosovës ishte Fadil Hoxha. I pata thënë: ‘Fadil, luftuam për popull apo për kolltuqe’, e ai më tha se në konsultim me Plakun (Titon) paskan vendosur të ma ndërrojnë vendin e punës. Arsyetimi i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin tim ishte tejet tendencioz sepse thuhej se prania ime po i frikon serbët e malazezët. Arsyetimi tjetër ishte se duke kërkuar Republikën e Kosovës kam rënë në kundërshtim me politikën e LKJ-së. Ndërsa nuk ishte problemi këtu. Me kohë iu pata bërë halë në sy. I pata rehabilituar shumë të dënuar jashtë ligji, i pata ndjekur penaliusht disa deformatorë, i pata zbutur dënimet marramendëse të grupit të Adem Demaçit. Xhevdet Hamza në prezencë të Slavko Zecevic, Sekretar i Punëve të Brendshme të Sërbisë, më pat thënë ‘po të kisha mundësi të gjithëve do tua kisha zgjatë dënimet e jo tua zvogëloj’. Filloi të ngrihet pluhur se jam bërë shkaktar i prishjes së klimës politike e çka jo tjetër. Zatën, me kohë e kuptova se dikush, pikërisht nga radhët e udhëheqësve shqiptarë, kishte filluar të ma hapë varrin. Dhe, e shihni si sillet koha? Të gjithë ranë në varr, ndërsa unë vazhdimisht kam qenë i përqafuar nga mijëra shokë.
Pesëdhjetë vjet më parë, më 7 dhjetor 1970, kancelari gjerman, Willy Brandt u ul në gjunjë para monumentit që përkujtonte shkatërrimin e getos hebreje të kryeqytetit polak.
Dhe ky gjest është kujtuar sot nga qeveria gjermane me një film me metrazh të shkurtër të asaj kohe, postuar në faqen e qeverisë në Twitter.
“Brandt manifestoi kështu ndjenjën e turpit për viktimat e krimeve të regjimit nacional-socialist”, thuhet në video.
Dhe zgjedhja e tij për t’u ulur në gjunjë emocionoi shumë persona, duke u bërë një “moment historik në pajtimin” mes Polonisë dhe Gjermanisë./atsh/ KultPlus.com
“Invictus” – nga latinishtja “I pamposhtur” – është dhe titulli i një poezie që kujtohet në botë, për forcën, për kumtin e saj, më saktë, ka një kushtrim të brendshëm, përbashkues, që të përballesh të keqen me dinjitet. Duket si e derdhur në bronz, si një medaljon për këdo.
E rimora ndër duar, ndoshta nga që në vendin tim po flasin për poezinë këto ditë, në media, pa poezi, jo duke u bashkuar, – sa fjalë ideale duket kjo, e largët, – por duke u grindur e ndarë, një realitet i prekshëm, i rëndomtë yni.
Poezia “Invictus” nuk duhet harruar, thashë me vete, kur, në fakt po harrohet poezia, jo thjesht ajo e shkruara, por poezia e jetës si një mirëkuptim hyjnor.
“Invictus” ka frymëzuar shumë në jetë. Prandaj iu riktheva. Ka dhe një metaforë tjetër që del prej saj dhe merr tjetër domethënie, – do ta tregoj, – duke u bërë pjesë veprimtarish në realitete të ndryshme duke rihyrë sërish në art. Risjell copa bisedash, rrëfime, gjetje të miat për këtë poezi. Në një film të hershëm të kohës së luftës, Casablanca, citoheshin dy vargjet e fundit të poezisë. Dëgjo, në një film tjetër, ku luan dhe Ronald Reagani, që do të bëhej president i SHBA-së, recitohen dy strofat e para të poezisë. Vërtet? Po, po… Po edhe Presidenti Franklin D. Roosevelt thoshte se ishte një nga poezitë që donte më shumë…
Mandela ua recitonte të burgosurve në burgun Robben Island, ku ishte dhe vetë i burgosur.
Po edhe grupe muzikore amerikane heavy metal si Virgin Steele e të tjerë e kanë bërë këngë: “Invictus”, ka dhe albume, tani në vitin 2000 e më pas. Kanadezi Leonard Cohen, këngëtar, poet, kompozitor e ka si hyrje në veprën e tij “Darkness”, ka patur një turne nëpër botë në 2010, edhe në Kremlin shkoi…
Del në shumë filma e libra të tjerë kjo poezi… e ka në roman dhe Jeffrey Archer. Edhe birmanezja Aung San Suu Kyi, ka marrë çmimin Nobel për paqe ajo, thotë se kjo poezi ka frymëzuar të atin e saj dhe gjithë brezin që luftoi për pavarësinë e vendit.
Po Musine Kokalari jona, shkrimtarja e parë grua, disidentja e parë në të gjithë perandorinë komuniste, që e burgosën dhe vdiq internimeve, e kishte parë këtë poezi gjersa veproi siç porosit poezia, e pamposhtur?
“Invictus” e kanë dashur dhe përdorur si terapi shpirtërore mësues, sportistë, të sëmurë rëndë, organizata, edhe në Greqi, në Britaninë e Madhe e kanë stampuar në kanoçe pijesh të forta energjike, etj.
Po ç’ishte ajo ashtu, lutje e shenjtë, himn a marsh shtetëror, liturgji, elegji kolektive, kushtrim i brendshëm, betim a tufan?
MANDELA MË SHUMË:
Lidhjen më domethënëse në botë kjo poezi, sipas meje më shumë se sa me të tjerë, e ka me njeriun Nelson Mandela, me emrin e tij të disafishtë, ku bashkohen emocioni i poezisë me qëndrimet dhe mendësitë, duke tejkaluar konfliktet racore dhe gjenocidin dhe përndjekjet, mbart dhe një si bilokacion, që ta siguron poezia, pa njëkohësinë, po kështu dhe dykohësinë në vende skajshmërisht të kundërta.
Nelson Mandela e recitonte shpesh këtë poezi, edhe kur ishte në burg si i burgosur politik, edhe pas burgut, kur u bë President i vendit të tij, në Afrikën e Jugut.
Një poezi, ashtu si në shumë të tjerë dhe brenda një njeriu, në dy vetvete, po aq e njëjta, tejet të ndryshme, si gjendje e punë e përkushtime, në atë të të prangosurit, që i duhet të mbijetojë i mbyllur pas hekurave, që zbaton urdhra të thata, të pakta dhe egërshane dhe atë të udhëheqësit, për të cilën zgjidhet, që të sigurojë dhe të mbrojë liritë, t’i zgjerojë ato për një mirëqenie sa më të begatë, ashtu si ekonomike edhe mentale e spirituale dhe lidh vendin me vende të tjera dhe botën…
Dhe një poezi në mes. “Invictus”. Që jepte forcë dhe guxim dhe siguri në parajsë dhe në ferr. Me ritëm jete, kumtin e qëndresës dhe të hovit prijatar, me një lloj madhështie, që është e fshehur tek ty kur je i burgosur politik, dhe e hapur kur je president, madje në rastin e parë është më e dhimbshme, në të dytin më festive, në të dy rastet e qarkuar me roje, policë, në rastin e parë për të mbrojtur botën jashtë nga rreziku yt si i burgosur dhe në rastin e dytë për të të mbrojtur si president nga rreziku jashtë, se mos të dëmtojnë, deri dhe të një atentati të mundshëm, dëm dhe për autoritetin e shtetit. Pra, me roje e policë, në të dy rastet, kur duheshe ruajtur se “mos u ikën”…
Dhe prapë në thelb është një poezi.
Ka dhe një film po me këtë titull “Invictus”, kushtuar Mandelës, një pjese të jetës së tij, rolin e të cilit e interpretoi aktori amerikan, Morgan Freeman, dhe me atë zërin e thellë që sikur vinte nga nëntoka, nga terret dhe zjarri i saj: I am the master of my fate,/ I am the captain of my soul. Madje Mandela-president ia mësoi vargjet edhe kapitenit të skuadrës së rugby-t të Afrikës së Jugut, tifoz i së cilës ishte dhe ata dalin kampionë bote dhe shkak ishte dhe ajo, poezia, etj, etj.
Kur Mandela mbylli sytë përgjithmonë dhe njerëzia përulej para veprës së tij, misionit të lartë, të përmbushur, duke kujtuar ndërkaq dhe burgun e tij të gjatë, luftën kundër apartejdit, porositë për mirëkuptim e vëllazërim, kur qytetarët e atdheut të tij, në 12 ditët e zisë kombëtare, bashkë me personalitete nga e gjithë bota si Obama, Merkel, Cameron, Hollande, Napolitano, George Bush, Mihail Gorbaçov, Jimmy Carter, Xi Jingping, Dilma Rousseff, etj, Ban Ki-moon (OKB), Herman Van Rompuy dhe Manuel Barroso (BE), Christine Lagard (FMN) etj, e udhëheqësit shpirtërorë të Krishterimit e të Budizmit, Papa Françesku dhe Dalai Lama, etj, etj, shprehën hidhërimin më të thellë, teksa bëheshin homazhe përreth arkëmortit, ku ai prehej për herë të parë i qetë, me atë gjendjen sublime që të jep vdekja, ndërkaq dhe me një si largësi të tejme, nëpërmëndej dhe poezia “Invictus”, si të ishte pjesë e testamentit a personazh i ndjeshëm.
NË BURGUN TIM
Është intriguese, madje më duket e pabesueshme, sikur ka një si mister, se si pikërisht dhe kjo poezi kishte hyrë në burgjet tona në Shqipëri. Dhe kur, në kohën e diktaturës, kur vendi vërtet bënte pjesë në perandorinë komuniste, por ishte shteti më i vetmuar dhe populli më i mbyllur, i vetizoluar nga bota. Sundonte Realizmi Socialist, letërsia ishte në shërbim të socializmit dhe herë pas here dënohej metafora. Pra dënoheshin dhe libra. Burgoseshin dhe autorë, edhe vriteshin. E pësonte dhe lexuesi, dënohej dhe ai. Dhe në burg kishte libra, natyrisht, madje dhe një qoshe, që quhej bibliotekë, që më shumë shërbente për të vëzhguar, por në sirtarë kishte me shumicë libra të diktatorit Enver Hoxha, ca Stalin e Lenin, Marks pak fare, Engels më duket jo dhe realizëm socialist shqiptar, që më mirë të të fusnin në birucë se sa të lexoje ato.
Po si i kishte kaptuar telat me gjemba poezia “Invictus”, madje anglisht, kur anglishtja shihej si gjuhë e imperializmit më agresiv, kur dhe në burg qarkullonte dhe na lexohej me dhunë libri i Enverit “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”? Anglishtja, edhe kur u fut nëpër shkolla, pasi u la rusishtja, shihej me dyshim, që pse do të doje ta mësoje atë gjuhë, prandaj dhe përzgjidheshin ata që caktoheshin për të nxënë anglisht.
Diktatori nuk dinte. Kryeministri po. Dhe do të vritej a vetëvritej, njëlloj ishte…
Poezia “Invictus” ishte në burg. Aty e gjeta. Ia kalonin dorë më dorë njëri-tjetrit. Anglisht. Natyrisht mes atyre që ende vazhdonin të lexonin, nga më të vjetrit tek të rinjtë, jo si moshë, por si kohë ardhjeje në burg, që mësonin, aq sa mundej, fshehurazi, ndonjë gjuhë tjetër, pas punës rraskapitëse në minierë. Nuk dihej si dhe qysh gjendej ajo poezi aty, kur kishte ardhur, nga cili, si e solli, ku e gjeti dhe ku e la, etj, etj? Poezia ishte aty. As autori i saj s’dihej, kush e kishte shkruar? Megjithëse kujtoj që autori s’kishte aq shumë interes në burg. Le të ishte kush të donte, rëndësi kishte kumti, poezia dhe në burg. Madje burgu ka aftësinë t’i anonimizojë krijimet e pakta në qarkullim ose t’i konsiderojë kolektive, të të gjithë të dënuarve.
Po poezinë “Invictus” e kishim anglisht, të ishte ky origjinali? Në burg ka dhe të çmendur që shkruajnë në anglisht. Njëri, afër shtratit tim, e kishte fshehur në kashtën e dyshekut poezinë. Një tjetër – te thesi ku ruante ndonjë ushqim. E mbanin dhe në xhep. E kopjonin prapë në fletën e parë të fletores së re, me shkronja gotike këtë radhë… Por po pyes për autorin prapë? Amerikan duhet të jetë… Duhet ta kenë sjellë ata nga burgu i Burrelit… U lumtë atyre, kanë kohë për këto!… Ne ngordhëm në punë, me turne, as të dielën s’ka pushim. Pse thua ngordhëm dhe jo vdiqëm?… Por si kafshë na mbajnë këtu ata që janë më kafshë… Shiko, shiko poezinë “Invictus”?… E ç’domethënë?… I pamposhtur, latinisht. Kam shumë fjalë që s’i di, s’i ka fjalori anglisht… Ai që ke kopjuar ti, që të është nxirë nga piriti… ohu, sa duar e kanë prekur…
Poezinë “Invictus” e kopjuan nga shokët e mi më të afërt në burg dhe Maks R., ish kapiten vapori, e ngazëllente fjala captain në vargun e fundit, H. Bajo e pëlqente për eksklamacionin, Ron Ç. donte anglishten e saj oratorike, Jorgo M. e kopjoi prapë, ndoshta për ndonjë shok. Na ngjante si poezi burgu.
Teksa shtyja vagonët me Nure S. poezinë e mësova anglisht përmendësh, fletën e fusja në leckat e trupit, te pecet e pista të këmbëve dhe pastaj brenda në minierë, në frontin e punës, e ngulja te ndonjë gozhdë në trupat e drunjtë plot lagështi acidesh, që mbanin galerinë, i afroja në terr kandilin me karbit, shikoja një varg, i ktheheshim punës, shtynim vagonë dhe thosha me zë vargun e parë: Out of the night that covers me, të dytin, i përsërisja bashkë, të tretin, harroja të parin… u bë strofa e parë… e dyta, harroja të parën… djersë në fytyrë e në trup, djersë e zezë, nga që përzihej me pluhur piriti, bëheshim pis, vagoni binte, dilte nga shinat, s’e ngrinim dot dy veta, prisnim ndonjë tjetër skllav, i vinim hurin në parakolpin e hekurt, i vinim kurrizin… si Zhan Valzhani… vazhdonte puna, ikte dhe polici me shpurën në fronte të tjera për kontroll… vargu i parë i strofës së tretë, mjaft sot, nuk mundem, u lodha, nesër… po ma thuaj, ma thuaj edhe një herë, më thoshte Nurja…
Dhe nuk e dinim se diku në një burg larg, në një tjetër kontinent, në Afrikën e Jugut, një tjetër i burgosur, me emrin Nelson Mandela donte pikërisht këtë poezi, e kishte credon e vet dhe mbase edhe ai po e recitonte po në atë çaste që po e bërtisnim dhe ne në terr, fshehurazi. Poezia bashkon, edhe pa e ditur, jep atë emocion që i duhet mbijetesës, krijon një si përbetim të fshehtë, komplot kundër rrënimit, errësirës, braktisjes. Është fillim lirie, mëkat i ndaluar kundër mëkatarëve, kështu më dukej, aq më tepër mua që isha dënuar me burg vetëm për poezitë e mia. Jo janë pesimiste, më thanë në gjyq, kundër realizmit socialist, dekadente, etj. Po do isha i lumtur, një lumturi e zezë, vetëm po të ishin poezi.
PËRKTHIMI NË FERR
Invictus. Dhe nisën ethet e përkthimit. Në shqip. Si të mundnim, duke i ngërthyer nga fati ynë, mjedisi infernal, pa çarë kokë për autorin real, ku dreqin mund të ishte, nëse ekzistonte vërtet… anonim, i përndjekur… as që bëhej fjalë për të drejta autori, kur i shkelte me të dy këmbët shteti vetë, me çizme ushtarake, me njolla gjaku…
Fletores time, ku kisha shkruar poezitë anglisht, të padëmshme, klasike, ca sonete të Shekspirit… kush përkthen ato, di anglisht, thoshte këngëtari Sherif Merdani… Alfred Tennyson, Christina Rosseti, Shelley… pra asaj fletoreje i ishte ngjitur në ballinë pamja e shtëpisë së njohur ku qe themeluar PKSH-ja, ishte hequr nga një revistë, që po të ma gjenin fletoren në kontrolle, të mos ma merrnin a grisnin. E zezë si partia… mund të thuhet?
Secilit nga ne i dukej se kishte bërë përkthimin më të arrirë, eh, më të mirin e kam bërë vetë, jam i bindur. Po ti e ke pa rima. Më mirë pa to se sa rima me folje a fjalë të zakonshme, rima të konsumuara. Po ku t’i gjesh, se mos i lënë të futen në burg…
Pata fat që fletoret e mia ia dola t’i nxjerr nga burgu, edhe sot i kam, edhe këtë me poezi anglisht e shqip…
Po kush e kishte shkruar “Invictus”-in? Jo si autor, por cili i burgosur? Nga e mori, cili e kopjoi? E si erdhi? Të thashë, nga burgu i Burrelit do ketë ardhur. Atje mundej… Ndonjëri nga ata që i shpërngulën prej andej, në thesin e tij, mes ndërresave të pakta e ndonjë ushqimi, cope të thatë buke e fletoreve a ndonjë libri pis, do të ketë fshehur dhe poezinë. Shpesh shkrimet tona shpëtonin prej kthetrave të policëve nga që nuk u dukeshin gjë, copa letre koti, shkarravina nga ca të shkalur dhe të cofur. Dhe ne zakonisht nuk e tregonim zanafillën e shumë gjërave të këtij lloji, përkthime, shkrime poezish, tregime, kapituj romanesh, shpesh të shkruara dhe në copa thasësh çimentoje dhe as donim që të dinim nga vinin, se, s’i do që të ndodhte, në rast ridënimesh, në hetuesi a tortura, të mos kishim mundësi ta tregonim, as përçart, të mbrojtur nga mosdija, në fund të fund që të mos dyshoheshim nga bashkëvuajtësit.
Në Burrel gjen libra e dorëshkrime, prej andej do ketë ardhur… Aty janë Mandelat e Shqipërisë, Osman Kazazi, Pjetër Arbnori, që shkruante romane dhe u vinte emër të huaj mbi fletore, mundësisht me një “W” si të ishin përkthime… po u afrohen të 30-ve ata, jo si moshë, jo, por afërsisht 30 vjet burg kanë bërë deri më tani… po dhe Adem Demaçi mandelë shqiptar është atje në burgjet e Jugosllavisë… në Burrel kanë qenë Et’hem Haxhiademi, tragjediani i parë shqiptar, Mirash Ivanaj, ministri i arsimit më i kulturuari në Ballkan, aty kanë vdekur, i kanë helmuar, thuaj… Po përkthyesit e mëdhenj, homerikë e danteskë? Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi? Vexhi Buharaja-Firdus? Mandelat e tjerë shqiptarë, Dema, Radi, Dakli, Velaj, Kolgjini, Filipeu, etj, etj.
Nelson Mandelës i thoshin: ndërro idetë, hiq dorë nga ideali yt, nga lufta jote që të të lirojmë dhe ai nuk pranonte. Invictus. Dhoma e burgut të tij ishte më e mirë se shtëpitë tona, më komode, kurse Haveli kishte makinë shkrimi në burg. Tek ne vetëm shkrimtarëve profesionistë u lejohej, ua jepte shteti, partia, por të regjistruara në Sigurim… Profesor Arshi Pipa doli nga burgu dhe u arratis, ky është fat, ç’mrekulli! Edhe profesor Sami Repishti, edhe…
Invictus-i është te të gjithë këta emra. Donim ta ndjenim në shqip, në shqipen e burgut, ta bënim tonën… Në vargun e dytë, fjalët black as the pit (e zezë si gropa) i përshtatnim si të na pëlqente, secili sipas, jo shijes, jo, por sipas goditjes që kishte marrë dikur nga antijeta, thuaj, e zezë si pusi e vinte ndokush, ndoshta kishte mall për pusin në fshat a i kishte ndodhur diçka në pus, si varri – një tjetër, kurse unë në fillim e bëra: e zezë si miniera a galeria, H. Bajos nuk i pëlqeu, e donte të tejme, si humnera, i zi si burgu, si dimri, si e tashmja, si plaga, si…
Si do ta kenë përkthyer bashkëvuajtësit e mi miq, se sigurisht të gjithë jemi rrekur? Na dukej si detyrë. Maks Rakipaj: e zezë sterrë, thotë, kurse fjalën kapiten në fund do ta ketë pëlqyer shumë se dhe vetë ka qenë kapiten vapori, kurse Dine Dinia: e zezë si pabesia, Gëzim Medolli: e zezë si ridënimi, mbase… Po Pëllumb Lamaj: e zezë si komunizmi, e Islam Spahiu: e zezë si zija, po Zyd Morava: e zezë si seksi, shpotisnim, po… ç’bëni kështu, ej, është e zezë si gropa, nxehej Ron Ç, të paktën mos i bini ju më qafë origjinalit… si ferr, ej.
Në dy vargjet e fundit, të famshmit: I am the master of my fate; /I am the captain of my soul. – nuk po më bëhej që foljen ta vija në kohën e tashme, por në të ardhmen: Do jem unë zot i fatit tim,/ Do jem unë kapiten i shpirtit tim. A t’i vë një “?”. Por ndill mirë, i thosha vetes.
Them se mund të bëhet një antologji me to, motërzimet tona ose të përzgjidheshin fjalë e vargje prej tyre, më të mirat e të derdheshin veç tek njëra. Të caktohej njëri… Po ç‘thua, s’bëhet. Po rimat që s’janë gjetur njëlloj, janë të ndryshme, pavarësisht se u ngjajnë telave me gjemba, nyjave të tyre… ju jeni të magjepsur keq, lërini këto se do ju ridënojnë, shikoni burgun tani… prandaj invictus…
GJETJA E AUTORIT…
Po a ka autor? Patjetër që po. Cili është? Anonim, kolektiv, biblik? Tamam si në një skenë teatri më bëhej errësira, kur bie perdja dhe mes duartrokitjeve të shumta kërkohet të dalë autori e ai vonon.
Invictus! Si e gdhendur në mermer. Bardhësia e përfytyruar e mermerit, shkëlqimi i tij i kalonte ajrit dhe poezia tretej kështu në ditë, në dritën e saj… Nuk e harruam as pas burgut dhe pas rënies së diktaturës dhe të gjithë perandorisë komuniste.
Doja autorin, t’i shprehnim mirënjohjen tonë, le të ishte veç emër a shpirt në qiell.
E gjeta, ishte ngazëllim, por kisha dhe një si ndjenjë mbarimi që ta jep mbërritja, zgjidhja e enigmës. Për mua e ata si unë se bota e dinte. Në burg ai kishte qenë për ne i paemër, me një si përhapje misterioze gjithandej, kudo, por kur unë dola, tani ai do të burgosej brenda një emri e një CV-je.
Me gëzim të dëshpëruar apo me dëshpërim të gëzuar ai, më në fund, quhej, e gjeta: WILLIAM ERNEST HENLEY, anglez, poet, shkrimtar, edhe kritik, edhe botues, më duket… Ja, ka lindur vërtet, në 23 gusht 1849 në Gloucester, shoh se paska qenë më i madhi i gjashtë fëmijëve në familje e tij, 5 djem dhe një vajzë, ku babai i tij, William dhe ai, ishte librashitës, ndërsa nëna, Maria, ishte bijë poeti. Qysh fëmijë vuante nga tuberkulozi në kocka, kreu dhe një amputim në këmbën e majtë, nën gju. Ja, vuajtja paska qenë shkaku, një prerje siç na ndërprenë dhe ne jetët tona.
Busti i poetit W. E. Henley nga Rodin
Një shkrimtar tjetër, Stevenson quhet, e përshkruan kështu Henley-n: “…i madh… masiv, shpatullgjerë e me mjekër të kuqërremtë, i qeshur… i zgjuar, vital…”, sëmurej shpesh, i detyruar të ndërpriste shkollën ndonjëherë, por dhe nga biznesi i babait, që veç shtonte borxhlinjtë.
Henley kalon në Londër në vitin 1867, në Oxford, i pëlqen të bëjë gazetarin, prapë tuberkulozi, amputim prapë në këmbën tjetër. 3 vjet në spital, në atë mbyllje të bardhë (…si në burg?…) mes sëmundjes dhe dhembjes dhe prapë shkruan, boton poezi…
Ja, “Invictus”… E zbulova! Nga që i është dashur të kundërshtonte prerjen e pashmangshme në këmbë, shpiku flatrat kështu, nëpërmjet poezisë.
Në vitin 1878 ai u martua me Anna Johnson Boyle. Në moshën 6 vjeçare u vdes vajza, Margareta. Dhimbje që ia kalon çdo spitali e burgu, kur vetja bëhet e tepërt dhe do qiellin, të ikësh andej si shpirt, teksa mes reve dëgjon të buçasë përzishëm: in-vic-tuuus… Pikërisht kjo vogëlushe do të përjetësohej në veprën e famshme, klasike për fëmijë “Peter Pan” nga J. M. Barrie, miku i dikurshëm.
Henley bëhet redaktor në revistën e artit “Scots Observer” të Edinburgut, me ndikim në jetën kulturore, ku grumbulloheshin shumë shkrimtarë e kishte mjaft lexues. Autori i Invictus-it po merrte famë. Më 1890 boton vëllim me kritika, që mirëpritet. Mbas poezive të spitalit nxjerr librin e dytë me poezi, “Kënga e Shpatës”, entuziazmon lexuesit. Boton tre drama, bashkautor me Stevenson, etj, etj.
Por tuberkulozi do t’i merrte jetën. Henley vdiq në vitin 1903, në kulmin e burrërisë, kur ishte 53 vjeç. Hiri i tij u vendos në varrin e bijës së tij… Gjithmonë do të përvëlojë ai hi, e djeg çdo dorë që i afrohet, qoftë si ngushëllim a nderim a kujtim tronditës…
INVICTUS
Kjo poemë e shkurtër viktoriane u botua për herë të parë në vitin 1875 në “Libri i Vargjeve” të Henley-t, tek cikli “Jeta dhe Vdekja”. S’kishte titull, vetëm një përkushtimin: To RTHB, shkronjat nistore të emrit të një tregtari të suksesshëm, mecenat i letërsisë dhe i autorëve.
Out of the night that covers me,
Black as the pit from pole to pole,
I thank whatever gods may be
For my unconquerable soul.
In the fell clutch of circumstance
I have not winced nor cried aloud.
Under the bludgeonings of chance
My head is bloody, but unbowed.
Beyond this place of wrath and tears
Looms but the Horror of the shade,
And yet the menace of the years
Finds and shall find me unafraid.
It matters not how strait the gate,
How charged with punishments the scroll,
I am the master of my fate,
I am the captain of my soul.
Titullin latinisht “Invictus” e shtoi botuesi Arthur Quiller-Couch, kur poezia u përfshi në Librin e Oksfordit të vargjeve anglisht. Dhe ashtu mbeti. 4 strofa. 16 vargje, 8 rrokësh secili. Asnjë komplikacion në strukturë, vërejnë kritikët. Është tema e vullnetit, e forcës për të përballuar fatkeqësitë, gangrenën, prerjet, burgun shtoj unë, vdekjet, tragjeditë.
“Invictus” shihet si një nga poezitë më frymëzuese të shkruara në gjuhën angleze të të gjitha kohërave, për të cilën komentet dhe interpretimet nuk rreshtin as sot e kësaj dite. Dhe, edhe pa qenë në burg, janë të shumtë nëpër botë ata që i dinë vargjet e saj dhe që nuk e dinë autorin.
Në strofën e dytë gjejmë nga fati i autorit, tuberkuloz në fëmini, kur kjo sëmundje ishte e pashërueshme atëherë. Në strofën e katërt fati është nën juridiksionin e vetes, më shumë se e të tjerëve dhe e botës jashtë. Po diktatura them unë, djajtë e saj?
Në vargjet e parë të poezisë ka referenca me ferrin. Pa e ditur, sa mirë që unë fjalën “gropë” e kisha përkthyer “ferr”. Në strofën e katërt aludohet me një frazë nga Ungjilli sipas Mateut, për portën e ngushtë të jetës.
Vetë jeta dhe vdekja janë shkaqe për ta rimarrë ndër duar këtë poezi, që përndizet si një flakadan.
Pra, e gjeta Autorin. E mbaj ndër duar si një guackë që e solli një dallgë e madhe, e turbullt. Nuk paskësh qenë në burg ai, thashë me vete dhe pata një si keqardhje lehtësuese, më mirë. Por mund të jesh dhe pa qenë dhe edhe e kundërta, që duke qenë në burg, mund të jesh i lirë, invictus. Falë poezisë, kemi më shumë qëndresë brenda vetes për të qenë sa më të lirë. Jo aq shumë heronj, por më shumë njerëz. Botova dhe një artikull te “Poeteka”.
Kjo të kërkohet, kur qëndruam, kur na thyen flatrat e donin të na prisnin këmbët… Ishte një pandemi më e rrezikshme se kjo tani e Covid-19, një tmerr, pandemia ideologjike e totalitarizmit vrastar. Dhe është krijuar një korale e madhe në botë që këndon stuhishëm: I-n-v-i-c-t-u-s, ku përzihen dhe zërat e plagosur shqiptarë, ka dhe heshtje folëse në mes, më pas, ka dhe zhurma, zëra mashtrues, revanshistë, keqkuptime, mungesa e kërkesës së faljes, padrejtësi, urrejtje, po atje ku është poezia, duhet të jetë dashuria. Dhe për poezinë mund të flitet vetëm me gjuhën e poezisë. Pa atë s’ka qëndresë njerëzore, invictus të vetë jetës.
Poezia e kopjuar me dorë në burgun e Qafë-Barit, të cilën e ruaj ende (Visar Zhiti)
INVICTUS
(përkthimi im në burg)
Jashtë natës që më mbulon mua,
E zezë si ferri deri në polet,
Zotat, cilëndo, t’i falënderoj dua
Për shpirtin tim që nuk mposhtet.
Nën kthetrat-tmerr të rrethanave
S’u drodha dhe nuk klitha, oh!
Fati me rënie të çomangave
M’i përgjaku kryet, s’i ula, jo.
Kudo na ndjek ankth’ i hijeve
Në baltë lotësh, ashtu të shembur.
Por mua kërcënim i viteve
Gjithnjë më gjen të pa trembur.
I rëndë qoftë çdo dënim
Dhe le t’mos hapet porta dot,
Zotërues jam i fatit tim,
I shpirtit tim jam unë Zot./peisazhefjalesh/KultPlus.com
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka folur në lidhje me vizitën e drejtorit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq në manastirin e fshatit Bajë të Skënderajt.
“Pas interesimit të medieve dhe qytetarëve, në lidhje me vizitën e zyrtarit serb, drejtorit të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në manastirin e Bajës, në Skenderaj, njoftoj opinionin e gjerë publik që si Kryetar i Komunës së Skenderajt, nuk kam qenë i njoftuar nga niveli qendror i qeverisjes, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës për këtë vizitë. Në lidhje me këtë vizitë është dashur që Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të kenë koordinim të plotë me mua si Kryetar i Komunës së Skenderajt”, ka shkruar ai.
“Veprime të tilla fatkeqësisht japin shembull jo të mirë të qeverisjes dhe si të tilla nuk duhet të përseriten. Qytetarë të nderuar, ky nuk është shteti për të cilin luftuan e sakrifikuan dëshmorët e heronjtë tonë. Kjo nuk duhet të jetë menyra e qeverisjes sonë demokratike dhe në shërbim të qytetarëve. Një kërkim falje nga ana ime për familjet e dëshmorëve e martirëve, viktimat civile të luftës dhe gjithë qytetarët e vendit, për këtë vizitë të pa dëshiruar e për të cilën shteti ynë nuk me njoftojë paraprakisht.”, shtoi Jashari. /KultPlus.com