Disneyland Paris, destinacioni i parë turistik privat në Europë, ka shtyrë datën e rihapjes më 2 prill, për shkak të krizës shëndetësore që ka përfshirë kontinentin, sipas një komunikate të publikuar sot në llogarinë e saj në Twitter.
“Duke marrë parasysh situatën shëndetësore aktuale në Europë, Disneyland Paris nuk do të hapet më 13 shkurt ashtu si ishte njoftuar më herët”, theksoi i njëjti burim.
“Nëse kushtet e mundësojnë këtë, ne do ta rihapim Disneyland Paris më 2 prill 2021”, shtoi burimi.
Megjithatë, kjo datë “ka të ngjarë të ndryshojë” në varësi të kontekstit shëndetësor, paralajmëron parku.
Pas ndërprerjes së aktivitetit të saj mes 13 marsit dhe 15 korrikut, Disneyland Paris, që punëson 17.000 persona njerëz, është mbyllur përsëri që nga 30 tetori.
Drejtoria e këtij parku nuk parashikon një kthim të aktivitetit në normalitet (ekuivalente me 2019) para vitit 2022, sipas një burim sindikal i treguar në dhjetor.
Globalisht, grupi Disney planifikon të shkurtojë 32.000 vende pune në aktivitetet e tij në lidhje me parkun zbavitës deri në fund të gjysmës së parë të 2021, përfshirë 28.000 në SHBA, për shkak të ndikimit të epidemisë./ata/ KultPlus.com
Një botim i komentuar i “Mein Kampf” do të publikohet këtë javë në Poloni, për herë të parë në këtë vend, dhe historiani që e ka përgatitur atë u përgjigjet kritikëve se bëhet fjalë për një “homazh për viktimat”.
Manifesti i Adolf Hitlerit, i botuar në 1925, hyri në domenin publik në 2016 por që nga ajo kohë nuk është ribotuar më. Deri më tani, vetëm Gjermania ka botuar një version të komentuar në vitin 2016, i cili ka 2 000 faqe dhe ka shitur më shumë se 100 000 kopje.
Edicioni kritik polak, i cili do të jetë si i dyti në botë, ka një mijë faqe, gjysma e të cilave përbëhet nga shënime.
“Sipas kritikëve, botimi i këtij libri përbën një fyerje për kujtesën e viktimave të nacional-socializmit. Sipas mendimit tim, është e kundërta”, vlerëson profesori Eugeniusz Krol, historian dhe shkencëtar politik, specialist i epokës naziste, i cili e përgatiti këtë botim për gati tre vjet.
“Ky është një homazh për viktimat e sistemit kriminal dhe një paralajmërim për gjeneratat e ardhshme”, theksoi ai.
Libri, që do të publikohet të mërkurën, përbën sipas tij një burim historik në një kontekst më të gjerë dhe nuk duhet të shfrytëzohet nga forcat ekstremiste”, shtoi ai.
Botimi i parë është 3 000 kopje dhe nuk është planifikuar asnjë fushatë reklamuese. Libri kushton rreth 150 zloty (33 euro), një çmim shumë i lartë në Poloni./ata/ KultPlus.com
Kur shkrimtari Erich Maria Remarque i shkruante aktores së njohur Marlene Dietrich:
18 janar 1939
“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që kam thënë gjithmonë: shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata.
Ti më quan “Rezonancë që merr fryme” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? E, përveç kësaj edhe diçka tjetër! Ti, arrin, dhe ke atë aftësinë magjike qe t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë, e di, nuk arrij ta them atë në mënyrë të plotë. Sa mirë ndjehem kur ti me thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë, këtë, kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur, në formë, vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë here tjetër e, dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu në kilometra e, që ti t’a dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty.
Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtetë me një emocion të thellë: A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai për jetë? Ah, dhe në kohët që shkojnë, Nuk di, ti je motra a nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime, Ti ndjen tek unë dhe nervin më të hollë, Ti lexon çdo gjë në shikimin tim, Me syrin tënd hyn në brendësinë time Hyn në gjakun tim të ngrohte qe rrjedh ne deje Dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që me krahët e tua prej engjëlli gjoksin tim shëron . Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu? Nganjëherë, më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndjej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund t’a prishë atë e, në ato çaste, me hapa të lehta ndjej të vijë dikush drejt meje e, ajo je ti e, atëherë, unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar kurrë. E, atëherë, ndjej qe së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë që lufta dhunshme mi mori e, ato vite je ti që mi sjell e mi shumëzon me dy, e bashkë me to ndjej të prek me delikatesë – freskinë, gjallërinë dhe aventurat e rinisë. E, kështu, ti bëhesh, në të njëjtën kohe: aventura e gruaja ime.
Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty; nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonancë që unë ndjej e thith si ajër, por i tillë jam dhe unë. E di?… Unë jam një pasqyrë konkave të kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd. Herë të tjera vetja me duket si një merimangë që end një pëlhure vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhure mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jotë, – e mbushur plot gjëra të cilat ty të mungojnë, një pëlhure plot trëndafila e dafina, e thurur me fije të ndritshme argjendi, e lehtë dhe e fortë për të mbajtur ty dhe hapat e tua të lehte si kaprolli, një pëlhurë të ngritur nën një qiell të kaltër e mbi ujin blu të detit, nga ku ti mund te hidhesh e të kridhesh gjithë qejf në ujërat e kristalta e të kthehesh pastaj përsëri tek ajo, si një lodër e këndshme fëmijësh e cila t’a mbush zemrën plot ngashërim .
O, drita ime e dashur!… E di?… Nganjëherë, unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, e të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. E atëherë tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën edhe më të rëndë gjëndjen. Por, megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty e, pastaj, ndjej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm e, pastaj unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin… Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndjej që dora s’më bindet. Më duaj! Më thuaj që ti më do, kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forca e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde.
Më duaj, puma*!…
(Puma – quan ai me përkëdheli Marlene Dietrich) / KultPlus.com
Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka reaguar ndaj deklaratës së kandidatit për deputet, Dardan Islami ndaj Duda Balijes, duke e cilësuar si seksiste, shkruan KultPlus.
Përderisa kandidati për deputet, Islami ka thënë se kur të zë vendin e tij në Kuvend do të ulet afër deputetes Duda Balja, Qendra Kosovare për Studime Gjinore nëpërmjet një komunikate e ka vlerësuar si seksiste dhe me përbajtje të gjuhës së urrejtjes.
“Me shqetësim hasëm në një deklaratë të kandidatit për deputet, Dardan Islami i cili me një gjuhë seksiste adresohet se “Une kur te bohna deputet, du mu ul ngat Duda Balijes!?”. Kjo deklaratë seksiste është e dëmshme për zhvillimin e jetës politike vendore në parim me respektimin e të drejtave dhe liritë e njeriut, duke promovuar gjuhë seksiste ndaj grave politikane”, kanë shkruar QKSGj.
Tutje, në deklaratën e kësaj Qendre bëhet thirrje për mos përdorim të gjuhës seksiste dhe ofenduese nga kandidatët e subjekteve politike për legjislaturën e re në vend.
“QKSGj e dënon këtë gjuhë të urrejtjes dhe bënë thirrje që qëndrime të tilla, të bëra nga politikanët burra të mos nxiten dhe të mos normalizohen, duke qenë se mund të jenë ofenduese për gratë të cilat janë apo aspirojnë të kyçen në politikë”, thuhet tutje në reagim.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore reagon sa herë që haset në sferën publike pabarazi, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes mbi baza gjinore. / KultPlus.com
Revista prestigjioze “Vogue” ka vlerësuar stilin e veshjes së Dua dhe Rina Lipës, përkrah emrave të njohur të show bizit botëror, shkruan KultPlus.
Në artikullin e shpërndarë me titull “Instagramet më të mira për modë gjatë kësaj jave: Dua Lipa, Kim Kardashian, FKA Twigs dhe të tjerë”, “Vogue” ka përmendur edhe motrat me prejardhje shqiptare, Lipa.
“Dua Lipa ka kaluar një javë të zjarrtë mode. E rrethuar nga palma, ajo na tregoi një veshje po aq të butë me një fustan të gjelbër të rrafshët me prerje të lëngshme”, ka shkruar revista për yllin e njohur të muzikës pop.
Në anën tjetër, ata kanë çmuar lartë edhe stilin e veshjes së Rina Lipës.
“Dua nuk është e vetmja Lipa që ka talent për stilin. Me oqeanin në sfond, motra e saj më e vogël, Rina, u shfaq me një pamje shumë elegante, që përfshinte një varëse perlash, një këmishë klasike të bardhë, një fund të zi dhe taka”, shkruan “Vogue” për Rinën.
Seriali “Peaky Blinders” do të vie me sezonin e radhës, duke i gëzuar shikuesit e tyre, shkruan KultPlus.
Teksa pati sukses përgjatë 5 sezonave, “Peaky Blinders” po rikthehet në ekranet televizive me sezonën e 6-të.
Këtë lajm të mirë për ndjekësit e tyre e kanë bërë të ditur drejtuesit e serialit në Twitter.
Profili zyrtar i “Peaky Blinders” në Twitter ka postuar një fotografi të vëllezërve Shelby në një veturë me shkrimin “Shelby-t u kthyen në biznes.”
“Sezoni i 6-të i Peaky Blinders ka filluar xhirimet”, kanë shkruar ata.
“Peaky Blinders” është një ndër serialet më influencues në mbarë botën, që tregon historinë e një familjeje gangsterësh e vendosur në vitin 1919 në Birmingham, dhe shefit të saj badass, Tommy Shelby i portretizuar nga Cillian Murphy. / KultPlus.com
Kina ka shpalosur një prototip të trenit të shpejtë “Maglev”, që është në gjendje të ecën deri në shpejtësinë prej 620 kilometrash për orë.
Treni ka fuqi të madhe përçuese sa që e bën të duket sikur “noton” në binarët e trenit.
Treni i gjatë 21-metra u zbulua para mediave në provincën Sichuan. Ai u krijua nga Universiteti i Jiatongut. Hulumtuesit nga ky universitet krijuan edhe një shteg 165-metërsh për të demonstruar funksionimin e trenit, shkruan CNN.
Profesori He Chuan u ka thënë gazetarëve se treni do të jetë në funksion brenda 3-10 vjetësh.
Kina është shtëpia e rrjetit më të gjatë të hekurudhave në botë, me më shumë se 37 mijë kilometra shtrirje.
Treni i parë i shpejtë, “Maglev”, nisi operimin më 2003. Ai arriti shpejtësinë deri 431 kilometra për orë. /Koha/ KultPlus.com
Sot janë bërë 85 vite nga vdekja e shkrimtarit anglez, Rudyard Kipling, shkruan KultPlus.
Përderisa pas vetes ka lënë shumë krijime, nobelisti anglez njihet më së shumti për poezinë e famshme dhe me plotë mesazh, “Në mundsh”.
Në anën tjetër, ato që kanë vlerë dhe që kanë mbetur si kujtim nga lapsi i tij janë edhe thëniet.
Në përvjetorin e vdekjes së Rudyard Kipling, KultPlus ju sjell thënie nga ai:
“Zoti nuk mund të ishte dot kudo, ndaj bëri mamatë”.
“Fjalët janë padiskutim droga më e fuqishme e përdorur nga njerëzit”.
“Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda me veprat që peshojnë, dije dhe mos ke asnjë dyshim ,se e jotja do jetë bota me gjithë ç’ka brenda, dhe burrë do të jesh, biri im”.
“Asnjëherë mos shiko pas, sepse mund të biesh nga shkallët”.
“Gjithmonë kam preferuar të besoj gjënë më të mirë nga kushdo. Kjo gjë më ka bërë të kursej mjaft telashe”.
“Imagjinata e një femre është ndonjëherë më e sigurtë se siguria e një mashkulli”.
“Ai që ecën i vetëm, gjithmonë mbërrin më larg se ata që ecin në turmë”.
“Një femër budallaqe mund ta kontrollojë mirë një mashkull të zgjuar, por duhet një femër tepër e zgjuar për të kontrolluar një budalla”.
“Një zemër guximtare dhe një gjuhë e sjellshme. Këto duhet ta udhëheqin njeriun nëpër xhunglën e jetës”.
“Nga gjithë gënjeshtarët nëpër botë, ndonjëherë më të këqijat janë frikërat e tua”/ KultPlus.com
Mban mend Barbara Atë ditë në Brest binte shi pa pra Ti ecje e buzëqeshur E gëzuar e ndritur e qullur Nëpër shi Mban mend Barbara Në Brest binte shi pa pra Të takova në rrugën e Siamit Ti qeshje Qeshja dhe unë Mban mend Barbara Ti që s’të njihja jo Ti që s’më njihje jo Kujtoje atë ditë Një njeri te porta strehohej Dhe thoshte emrin tënd Barbara Ti vrapove kah ai nëpër shi Dhe iu hodhe në përqafim Kujtoje këtë Barbara Nëse të them ti mos u hidhëro Se ti i them çdokujt që e dua Çka që s’e kam parë kurrë më parë Mban mend Barbara Mos harro Atë shi të ëmbël dhe fatlum Mbi fytyrën tënde fatlume Mbi atë qytet fatlum Atë shi mbi det Mbi arsenal Mbi anijen nga Usani Oh Barbara Lufta ç’marri Ç’u bë me ty tani Në këtë shi hekuri Zjarri gjaku e çeliku E ai që t’shtrëngonte n’krahëror Mallshëm Ka vdekur ka humbur apo ende gjallon Oh Barbara Në Brest bie shi pa pra Siç binte dikur Por nuk është njësoj Se çdo gjë është e shkretë Shi dhembjesh të tmerrshme hata Oh jo dhe rrebesh Hekuri e çeliku gjaku Vjen nga retë Që treten si qentë Që humbin Në rrjedhën e përroskës në Brest Venë të kalben diku Larg shumë larg nga Bresti Nga i cili s’mbeti gjë.
Ylli i njohur i muzikës, Lady Gaga e ka dhënë një fjalim të fuqishëm për drejtësinë racore dhe luftimin e privilegjeve që i kanë të bardhët në Amerikë, gjatë kohës që po e pranonte shpërblimin “Higher Ground Award”, në ceremoninë e së shtunës “Beloved Community”.
Ky çmim ndahet nga organizata jofitimprurëse “The King Center” në Atlanta, e cila u themelua në vitin 1968 nga Coretta Scott King, për nderë të Dr Martin Luther King Jr.
Këngëtarja dhe aktorja e njohur, Jennifer Hudson, ishte ajo e cila ia prezantoi shpërblimin Gagas në ceremoninë e organizuar në formë virtuale.
Dhe në videon përmes së cilës ylli i muzikës pop e pranoi çmimin, morri vëmendje të madhe mediale për faktin se ajo diskutoi rreth eksperiencës personale me racizmin.
“Ngjyra e lëkurës sime nuk më ka humbur në këtë periudhë kohore shumë të radikalizuar. Unë jam e vetëdijshme se para jush vij si Stefani Germanotta, emri me të cilin kam lindur dhe si Lady Gaga, një grua e bardhë e famshme e cila e gëzon një platformë të madhe. Identiteti im racorë vetëm e thekson më shumë ngjyrën e lëkurës sime, teksa unë jam ende duke e gjetur vendin në krijimin e komunitetit të dashur të Dr. King Jr.”.
Pasi ia dedikoi shpërblimin gjithë personave me ngjyrë në Amerikë, Gaga iu drejtua të bardhëve me fjalët: “Jetët e zezakëve kanë rëndësi në këtë vend. Të qenit person i komunitetit afrikano-amerikan ka rëndësi. Të gjithë ju që i takoni racës së bardhë, u them se ky komunitet e përfaqëson më të mirën e kombit tonë, dhe besoj që ne kemi përgjegjësi ta pranojmë të vërtetën për historinë e shtetit tonë, ta pranojnë se dallimet racore dhe privilegjet e të qenit të bardhë janë jo të shëndetshme për shoqërinë, t’i ndërrojmë sjelljet karshi personave me ngjyrë dhe të kontribuojmë në një botë ku liria është e vërtetë për të gjithë. Njerëz të bardhë, mendoj se duhet t’i ndreqim gabimet pa u turpëruar, ne duhet t’i ndryshojmë veprimet dhe ta bëjmë këtë për vetveten. Ky është vetëm një prej roleve tona në këtë komunitet të dashur. Për t’u adaptuar me gjuhën e Dr King Jr. mendoj se ne duhet ta shërojmë brendësinë tonë dhe t’i ndryshojmë sjelljet dhe veprimet tona. Largimi i shprehive të këqija na lejon ta shohim botën më ndryshe. Unë më nuk them se nuk shoh ngjyrë, siç kam bërë më parë, sepse kjo është gabim. Në vend të kësaj, unë them se e festoj ngjyrën e secilit individ. Çdo ditë të jetës unë i luftoj padrejtësitë racore, dhe mundohem t’i ndryshoj veprimet e mia karshi personave me ngjyrë. Largimi i këtyre shprehive të gabuara m’i ka hapur sytë ndaj realitetit të ashpër me të cilin ballafaqohen të tjerët në këtë shtet. Sa më shumë shikoj nga kjo pikëpamje, as më shumë i ndryshoj besimet e mia, çka përfundimisht i ndryshon edhe sjelljet dhe veprimet e mia. Prandaj, shpresoj se angazhimi im për një komunitet të lirë dhe të çliruar nga padrejtësitë racore, do të ndikojë edhe në veprimet e të tjerëve”.
Tutje këngëtarja shtoi se personat e racës së bardhë kanë nevojë të madhe për shërim moral që u është krijuar ndër shekuj, si dhe ta pranojnë se kanë përfitime nga racizmi sistematik që i privilegjon ata.
Së fundmi Lady Gaga e konfirmoi lajmin se do ta interpretojë himnin kombëtar të Amerikës, në inaugurimin e Joe Bidenit president, ngjarje kjo e cila zë vend të mërkurën më 20 janar.
Këngëtarja e famshme e kishte mbështetur edhe kampanjën presidenciale, të presidentit dhe zëvendëspresidentes së sapozgjedhur, Kamala Harris. /Koha/ KultPlus.com
Shkrime origjinale të fituesit të çmimit Nobel për Letërsi, Salvatore Quasimodo, të përkthimit të epigramave të poetit grek Leonidas, u gjetën në bibliotekën ”Acclavio” në Taranto.
Lajmin e dha kryebashkiaku i qytetit, Rinaldo Melucci duke shpjeguar se “emocioni i atyre teksteve të shkruara me dorë ishte shumë i fortë”.
”Taranto, shton kryetari i bashkisë “ka qenë një vend i kulturës për 28 shekuj. Ky thesar i rizbuluar konfirmon se ambicia jonë mbetet e madhe”.
Administrata bashkiake, së bashku me zyrtarët e bibliotekës ”Acclavio” tashmë po përfundon për t’i bërë këto transkriptime të mrekullueshme një trashëgimi të përbashkët të të gjithë komunitetit. /ata/ KultPlus.com
Sopranoja shqiptare Arlinda Morava, është një ndër emrat më të vlerësuar të skenës operistike rumune, prej vitesh jeton dhe ka ndërtuar karrierën e saj në Rumani.
Ajo interpretoi në mjediset e Muzeut të Artit Popullor Dr. “Nicolae Minovici” në koncertin “Mihai Eminesku – poeti i përjetësisë sonë”, kushtuar 171 vjetorit të lindjes së poetit të shquar.
Në këtë koncert sopranoja shqiptare Arlinda Morava interpretoi vargjet e Emineskut edhe në gjuhën shqipe.
Prej disa vitesh me vendim shtetëror në Rumani dita e lindjes së poetit të shquar, Mihai Eminesku respektohet si Ditë e Kulturës Kombëtare.
Këtë vit aktivitetet përkujtimore të ditëlindjes së poetit të njohur në Rumani e më gjerë ishin të shumta.
Protagonistët e këtij aktiviteti ishin sopranoja shqiptare Arlinda Morava – pianisti Ștefan Iliescu – violonçelisti Bogdan Postolache dhe aktorja Theodora Stanciu.
Koncerti titullohej: “Mihai Eminesku- poeti i përjetësisë sonë”.
Vargjet e Emineskut të ndërthurura me muzikën dhe interpretimin lirik dhe të fjalës artistike përcollën një atmosferë të ndjerë dhe të përkorë. /dp/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margaritim inspektoi sot përfundimin e fazës së parë të punimeve për restaurimin e banesës së piktorit të njohur Sali Shijaku , e cila kishte pësuar dëmtime për shkak të tërmetit të vitit që shkoi.
Gjatë inspektimit, ministrja Margariti u shpreh se “puna, por edhe dëshira për të shijuar veprat e piktorit na ka çuar shpesh në shtëpinë e Sali Shijakut këto kohë”.
“Falë përkushtimit të specialistëve pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës, por edhe bashkëpunimit me banorët e shtëpisë, u arrit realizimi i një sërë punimesh shumë të rëndësishme për jetëgjatësinë e monumentit, që nga vendosja e trarëve, ndërrimi i dyshemesë, i grilave, për të nisur një fazë të dytë, atë të restaurimit të çatisë”, – theksoi Margariti.
Monumenti kulturor, banesa e Shijakasve është ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX dhe paraqet fazën më të zhvilluar të banesës tiranase së “shtëpisë së zjarrit”.
E ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, Nr 16, është shembull tipik i banesës tiranase. Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate.
Dhoma kryesore e saj është shndërruar në një galeri arti, ku janë ekspozuar veprat e piktorit Sali Shijaku.Kjo banesë është një nga pikat më të vizituara në Tiranë./ata/ KultPlus.com
Betty White është bërë 99 vjeçe ditën e djeshme (e diel) dhe ikona e “Golden Girs” zbuloi se po feston ditëlindjen në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në një email për Associated Press, White shkroi: “Meqenëse po bëj 99 vjeç, mund të qëndroj zgjuar sa të dua pa kërkuar leje”.
Ajo gjithashtu ka folur haptazi për Entertainment Tonight në lidhje me planet e saj të 99-vjetorit. Aktorja amerikane zbuloi, “Ju ndoshta nuk keni pyetur, por unë do t’ju tregoj gjithsesi… Çfarë po bëj për ditëlindjen time? Ecja një milje çdo mëngjes është kufizuar nga COVID-19, kështu që unë jam duke punuar për të marrë ‘The Pet Set’ sërish, më pas t’i ushqejë dy rosat që vijnë të më vizitojnë çdo ditë”, transmeton KultPlus.
Në një intervistë të fundit me revistën People, Betty shpjegoi se si ajo ka qëndruar pozitive gjatë gjithë pandemisë COVID-19.
“Nuk më pëlqen ana tjetër”, tha ajo. “Ana pozitive është më argëtuese”.
Sa i përket asaj që e mban aktoren në këmbë, White zbuloi, “Një sens humori, mos e merrni veten shumë seriozisht. Ju mund të gënjeni të tjerët – jo se do ta bëja unë – por nuk mund ta gënjeni veten”. /KultPlus.com
Sensacioni i fundit në muzikë, Olivia Rodrigo, ka debutuar fuqishëm në skenë me videoprojektin, “Drivers License”.
Dhe tani këngëtarja e ka arritur suksesin e jashtëzakonshëm, duke u pozicionuar në vendin e parë të toplistave muzikore në Australi.
Pop këngëtarja dhe aktorja 17-vjeçare nga Kalifornia, me këngën debutuese dhe shumë të pëlqyer nga publiku, arriti ta kryesojë toplistën e këngëve më të mira në Australi, duke e imituar kështu të njëjtin sukses sikurse në Britani të Madhe.
Kështu, Rodrigo u bë artistja e parë që debuton në pozitën e parë, pas Harry Stylesit me hitin e vitit 2017,m “Sign Of The Times”. Styles, sigurisht tashmë e gëzonte një karrierë të suksesshme në muzikë, si anëtarë i bendit “One Direction”.
“Drivers License” ka vetën një javë që është lansuar në platformën YouTube, dhe deri më tani i numëron më shumë se 41 milionë klikime.
Rodrigo është jashtëzakonisht e kënaqur me suksesin që e ka shënuar ky projekt debutues, si dhe kulmin e lumturisë e kishte arritur në momentin kur idhulli i saj, Taylor Swift, e kishte përgëzuar online për këngën. / KultPlus.com
Unë i bana 18 vjet, e sipas disave boll kam nejt n’shpi t’babës! Tash i ke ba këto vjet, asht marre me nejt n’prag t’babës hala, hajde çka po pret? A e ke gjetë najnjo? Ti tash u dashtë bile edhe naj fmijë me pas. Fjalt si kto, ma kanë dhu*nue trunin e psiqikën çdo ditë! Nuk jam e lumtun, me thanë drejtën. Po martohna me dikan që nuk ka qenë zgjidhja jeme! Ma kanë begenis tjertë, se u friguen qe po mbes n’shpi.
Nuk m’pyten, nanë. Unë kesh tu nejt, e veç kur hynën n’dhomë, e m’kallxun që nesër vijnë me t’lypë! Nuk m’lanë as me vet, kush asht aj burrë t’cilit unë kam m’ju dorzu pa dëshirën teme! Ma mshelën gojën, e m’than, nesër bahesh gati, edhe mos harro çka t’kena than, atje e mshelë gojën, e ulë kryet edhe i granë punës. Shkova n’sobën teme, aty kjajta e i lajta me lotë çarshafat e teshat e mia. Pata shumë dhimtë nanë, dhimtë për nafakën teme. T’nesërmen, m’quen n’6 n’sabah, e m’than me fshi oborrin, me fshi shpijen, e mos gabo mu ulë kur t’vijnë ata, mos naj merr ftyrën sa u banëm me t’qitë prej shpijes! Ah bre nanë, t’kisha pas afër! E di qe s’kishe leju me ma ba tanë këtë trysni. Ata erdhën nanë..nuk m’lanë as m’ju folë, m’than ti as kryet mos e qo e mi hapë sytë, veç ki me ba hyzmet, e n’fund ki me shku me ata te anej! Banën llaf, e ran dakord me m’martue, me m’dhanë te dikush që as ftyrën nuk guxojsha me ja kshyrë!
Do çika lindin pa fat, unë kesh nga ato! U martova nanë. Edhe n’këtë shpi koka e njejta situatë. Ban hyzmet e mos e qel gojën, çu heret e mos naj merr ftyrën! Nata ke e dhimbshme nanë, ke e gjatë 1000 vjet, e m’u duk sikur s’ka me u ba sabah kurrë! Iu dorzova me frikë, se e disha që lëndona! Nji natë dashurie, pa dashuri e pa ndjenja. Shpirti mu ka kputë, unë iu fala dikujt që nuk kisha ide se kush asht. U çova para sabahit e vazhdova me punue e me shërbye tamam si nji shërbtore, te dikush që as nuk i njeh as nuk i di. Ktu po ha bukë tek n’fund nanë, kur kta po ngihen, po i ha ato çka po mesin. Se sipas ktyne, nusja s’ka vend n’tavolinë, kur burrat janë tu hangër. Me nejt e me fol me dikand, s’po m’bjen, po m’shofin si objekt shfrytzimi, dikush për hyzmet, e ai për minuta dashurie.
Nuk po m’fol nanë, as ai bile. Kemi pak sekonda t’folme, edhe ata, kur kërkon diçka prej meje! Po tham përhere, jam e gatshme me ja ofru tanat, veç mos tu m’lypin me u shtri nër to, se kjo po m’dërrmon nanë. Po ndjej sikur kam përmbi nji peshë t’randë, e t’pabajtme, s’po ndjejë lumtuni, as dashuni.. hiç! Nji çikë jetime asht lehtë me urdhnu. Mue s’po ka e s’ka pas kush me m’msue..për ata duhet mej ba ballë krejta hjekat, se n’epokë teme nji nuse e zoja cilësohet veç kur ban hyzmet, kur e mshelë gojën, e kur e ulë kryet para krejtve! Epokë e dreqit. T’ishe kanë ti nanë, Nuk i kisha përjetu krejt kto. Ndjejë dhimbje e trishtim Ama lumtuni Jo.. Moti kohë skam ndje.. / KultPlus.com
Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho vjen me një performancë të re ‘Gran Teatre’, Liceu Barcelonë.
Nga sot deri në 1 shkurt, ajo do të interpretojë në rolin e Antonias në operan “Përrallat e Hoffmann” të Jacques Offenbach.
“Faleminderit Spanja dhe Katalunja për mbajtjen e teatrove të hapura gjatë këtyre kohëve të vështira. Zoti e di se sa shumë kemi nevojë për art këto ditë”, shkruan sopranoja shqiptare në rrjetin social Facebook.
Në tetor të 2020-tës Ermonela Jaho shkëlqeu në shfaqjet e saj në Greqi, e më pas së bashku me Saimir Pirgun në Gjermani.
Pavarësisht pandemisë që bllokoi skenat e teatrove në mbarë botën, 2020 padyshim ishte viti i Ermonela Jahos, pasi sukseseve të saj i shtoi edhe albumin, të parin për të, “Anima Rara” i cili u rendit nga “Sunday Times” në 100 regjistrimet më të mira të vitit. / KultPlus.com
Mesut Ozili është larguar nga Arsenali pas më shumë se 6 vjetësh qëndrimi në Londër.
Reprezentuesi gjerman ka arritur marrëveshjen me ekipin turk Fenerbahçe.
Futbollisti shqiptar Shkodran Mustafi, bashkëlojtar me Ozilin për disa vjetësh tek Arsenali dhe te Kombëtarja e Gjermanisë, ka shkruar një mesazh prekës.
“Vëlla, ti asnjëherë nuk ke qenë egoist brenda dhe jashtë fushës, me të gjithë futbollisët që kam qenë në zhveshtore ti ke qenë më i miri. Gjithmonë do të kujtohesh si mbreti i asistimeve. Fatkeqësisht si ekip nuk të kemi dalë në ndihmë kur ti më së shumti kishe nevojë. Gjitha të mirat”, ka shkruar Mustafi. /Indeksonline/ KultPlus.com
Talenti i saj në njërin nga artet më të bukura, atë të muzikës, u hetua qysh kur ishte fëmijë. Ishte vetëm 8 vjeçe kur për herë të parë filloi të merrej me piano. Bëhet fjalë për Anila Aliun, vajza nga Gjilani që edhe pse në një moshë të re, ka arritur të jetë pjesëmarrëse edhe në skena të njohura ndërkombëtare. Në një intervistë për KultPlus, Aliu ka shpalosur më detajisht për rrugëtimin e saj i cili edhe pse mjaft i suksesshëm, për të është vetëm fillimi i një karriere me potencial të madh.
Ishte gara ‘Pianisti i Ri’ ajo e cila Anila Aliut i hapi dyert për të parën herë drejt skenave ndërkombëtare. ‘Nuk ka rëndësi se ku jetojmë, arritja e suksesit bëhet vetëm me vendosshmëri, punë, vullnet, diciplinë e sakrifica të shumëta. Por janë vullneti dhe dashuria e madhe dy gjerat kryesore, të cilat arrijnë të mposhtin çdo pengesë që e hasim gjatë rrugëtimit në ndërtimin e çfarëdo karriere’, thekson Aliu për KultPlus.
Gara internacione në Itali, 2010
Anila tregon se nevoja për ndihmë dhe përkrahje ka qenë dhe vazhdon të jetë e domosdoshme në karrierën e saj prej pianisteje, pasi siç shprehet ajo, ky është një profesion tejet i kushtueshëm.
‘Ne e dijmë se në çfarë kushte ështe shteti jonë dhe përballja me sfidat e ndryshme është gjithmonë e pranishme, duke filluar nga mungesa e një salle koncentrale, mungesa e pianove, vendeve e hapësriave. Mirëpo, krahas të gjitha këtyre vështirësive, përkrahja e familjes, shoqërisë, shkollës së Muzikës në Gjilan dhe disa institucioneve përkatëse, nuk më ka munguar’, deklaron tutje Aliu.
Anila Aliu është fituese e shumë çmimeve të para, absolute dhe e çmimeve speciale në gara, masterklase e akademi të ndryshme, si në Kosovë po ashtu edhe vende tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Luksemburg, Lituani, Francë e Amerikë. Ndër çmimet më të rëndësishme që ajo ka fituar ka qenë ‘Solist-interpret me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovën’, çmimi në pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare në Kaunas të Lituanisë, ku Kosova rangohet së bashku me Rusinë dhe Estoninë si tri shtetet finaliste. Çmimi ‘Solist me Orkestrën Ballkanike’ në Itali, ‘Pjesëmarrje në Masterklase pianistike në Luksembug’, ‘Çmimi Special’ në Chopin Piano Fest’, ‘Çmimi Special’ në San Dona di Pave’ në Venecia të Italisë si dhe ‘Çmimi i parë’ dhe ftesa për performancë në ‘Carneige Hall’ në New York.
Ndërkaq, ndër koncertet më të rëndësishme ku Anila Aliu ka marrë pjesë, kanë qenë Koncerti me Filharmoninë e Kosovës në vitin 2012, koncertet me Orkestrën Ballkanike të realizuara në Forli dhe Santa Sofia të Italisë në vitin 2017, Koncerti Solistik për një grup artistësh nga Singapori në vitin 2018, Koncerti Recital në Prishtinë poashtu në vitin 2018, Koncerti Recital në Bonn të Gjermanië në vitin 2019, performancat në shtëpinë e kompozitorëve gjerman si Beethoven dhe Robert Schumann si dhe koncertet në Aachen dhe Königswinter të Gjermanisë në vitin 2020.
Koncerti me Filharmoninë e Kosovës
‘Muzika është diçka që ka jetuar gjithmonë në mua, diçka pa të cilën nuk mund të jetoj. Performimi në skenë, komunikimi përmes muzikës duke shprehur ndjenjat që i përjetoj vetëm me anë të notave, është diçka tejet e veçantë që më bën jashtëzakonisht të lumtur. Ndjej se qysh fëmijë kam qenë e destinuar për të ndjekur rrugën e pianistes. Pas çdo performance mezi prisja atë të radhës dhe kështu e kuptova që nuk jetoja dot pa këtë art’, potencon Aliu.
Dihet se muzika klasike në vendin tonë, pati zhvillim të vonshëm krahas shteteve tjera. Mirëpo, sipas Anilës, falë festivaleve dhe artistëve të ndryshëm që përfaqësojnë Kosovën brenda dhe jashtë vendit, muzika klasike ka filluar të zë një vend të veçantë edhe tek ne. ‘Muzika klasike është një tregues i madh i zhvillimit të kulturës së një shteti dhe dëshirë e imja është që të kem një rol në ngritjen e saj kudo në botë’, vazhdon tutje Aliu.
Anila është shumë entuziaste si karakter dhe ajo çfarë spikatet më shumë në personalitetin e saj është dashuria e pafundme për të mësuar dhe për t’i bërë ballë të gjitha sfidave që vijnë me këtë profesion. Ajo tregon për KultPlus se ndjen kënaqësi të madhe jo vetëm tek rezultati dhe çmimet që fiton por edhe tek vetë procesi që e shpie deri atje. Falë pasionit dhe ambicieve të mëdha që ajo ka, puna e saj në piano nuk është ndalur asnjëherë. Edhe pas sukseseve të mëdha, Anila, taman si një artiste e vërtetë, nuk është kurrë plotësisht e kënaqur, ajo kërkon gjithmonë diçka më shumë nga vetja.
Ndër qëllimet e saj kryesore, siç tregon ajo, është që të arrij ta prezantojë Kosovën në Evropë dhe më gjerë. Ajo me një këmbëngulje të madhe aspiron në ngirjten e vetëdijësimit për rolin e muzikës klasike në vendin tonë. ‘Një ndër qëllimet e mija është edhe ngritja në skenat prestigjioze botërore e kjo dalëngadalë po realikzohet. Së fundi kam arritur që të koncertoj në një ndër sallat më të rëndëishme të muzikës klasike, në atë të ‘Carnegie Hall’ në New York’, potencon Aliu për KultPlus.
Ndër performancat më të rëndëishme për Anilën, mbeten ajo me Filharmoninë e Kosovës në vitin 2012, koncert ky i realizuar kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe dhe Koncerti Recital në Bonn të Gjermanisë në vitin 2012, një koncert ky që rezultoi me një suksees të jashtëzakonshëm dhe kritika prej më të mirave nga gazetat e portalet e njohura gjermane. Pas këtij koncerti, Aliu u ftua edhe për shumë peformanca të tjera në shtetin gjerman, performanca këto që pritet të organizohen në një të ardhme të afërt.
‘Prindërit e mi kanë qenë ata që kanë pasur ndikimin më të madh tek unë. Ama më mësuan të përkushtohem e tëra në karrierën time si pianiste: me kohë, talent dhe mbi të gjitha me dashuri. Mirënjohëse jam edhe ndaj të gjithë profesorëve të mi, si ata kosovarë poashtu edhe ata evropianë të cilët më rritën dhe formësuan profesionalisht. Në veçanti mësuesi im Visar Osmani me të cilin punova për tetë vite radhazi dhe me profesoreshën time në klasën e të cilës po studioj aktualisht, Valbona Pula Petrovci’, përfundon Anila, e cila nuk harron kurrë njerëzit që ndikuan dhe e përkrahën atë në zhvillimin e saj si pianiste. / KultPlus.com
Teatri Kombëtar kujtoi sot në 74-vjetorin e lindjes aktorin e madh që i mungon skenës dhe publikut shqiptar, Roland Trebicka.
Aktori i njohur më së shumti si “Jovan Bregu”, për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 176”, vijon të mbetet në kujtesën e artdashësve si interpretimi që e bëri të njohur.Trebicka u nda nga jeta në moshën 65 vjeçare, pasi nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë, e cila e mundonte prej kohësh.Aktori Trebicka u kujtua sot edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “përherë me buzëqeshje do ta kujtojmë aktorin tonë të madh Roland Trebicka. Në ditën e tij të lindjes kujtojmë njeriun që na bëri të qeshnim në kohë të vështira, një nga ata aktorë që arrinte të vishte bukur çdo rol, edhe ata më dramatikët, ndonëse te publiku është ngulitur për rolet e tij komike. Dhe, me artin e tij është aq i gjallë, saqë vetëm kjo datë, ka kuptim për artistë si ai”.
Roland Trebicka lindi në Korçë më 18 Janar 1947. Karriera e tij si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ndoshta, që këtu e ardhmja e tij ishte vendosur. Humori spontan, i cili i buron dhe në momentet më të vështira u shqua që në kohën e shërbimit ushtarak, ku shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), e njohur si “Estrada e Ushtarit”.
Vitet në këtë trupë profesioniste ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971dhe punoi aty deri në vitin 1999. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Në jetën e tij artistike, kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”.
Por rolet e aktorit Roland Trebicka në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”), te “Një burrë me trandafil”, “Ne të gjithë këndonim Margaritën”, “Darka e të marrëve”, “Jashtë bie borë”, “Stjuardesat”, Kontin Almaviva “Berberi i Seviljes”, Vinsenti “Të gjithë me huqe”, “Një tablo absurde”, “Endrra e Ismail Qemalit” etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, Kajro.
Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” (Vaska) dhe “Koncert në vitin 1936” (Nesti). Për kontributin e tij në skenë, ai është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe së fundmi bashkia Korçë i akordoi titullin “Nder i qytetit”./atsh/ KultPlus.com
Reperi i njohur botëror, Sean Combs, i njohur me emrin artistik Diddy, njihet për sukseset e tij në industrinë e muzikës si reper, tekstshkrues, producent dhe aktor.
P. Diddy gjatë karrierës së tij ka sjell hite të padiskutueshme dhe role të mahnitshme.
Ndërsa në postimin e fundit të bërë në rrjetin social Instagram, ai është shfaqur i veshur me një triko që mban imazhin e këngëtares shqiptare Dafina Zeqiri.
Triko është krijuar për albumin e Dafina Zeqirit për tregun internacional gjatë kohës sa ajo po qëndronte në Amerikë.
Amsterdami është qyteti me stilin më të shëndetshëm të jetesës. I famshëm për biçikletat e tij dhe kanalet piktoreske, nuk është për t’u habitur që është në krye të listës.
Ai mikpret më shumë se 400 aktivitete rekreative në natyrë si dhe është ndër qytetet më pak të ndotura në Europë.
Për më tepër, Holanda është vendi i pestë më i lumtur në botë dhe vendi i gjashtë më i mirë në Europë për nga niveli i mbipeshës, i cili është vetëm 20,4%, rreth 10% më pak se Britania e Madhe (27,8%).
Sidnei renditet i dyti ndër qytetet që promovojnë mënyrën më të shëndetshme të jetesës, me 2 636 orë rreze dielli në vit, mbi 1 000 orë më shumë se Berlini, Dublini dhe Gjeneva.
Këto të dhëna kanë dalë prej raportit të kompanisë ”Lenstore” bazuar në një ndërthurje midis të dhënave: 10 parametra për 44 qytete në botë. transmton KultPlus.
I konsideruar si një nga lulishtet më të vjetra në Ballkan, parku i Mbretëreshës Geraldinë në Burrel është rehabilituar tërësisht.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky park i rehabilituar me fonde të qeverisë shqiptare.
“Mirëmëngjes dhe me rehabilitimin e parkut të Mbretëreshës Geraldinë në Burrel, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.
Parku “Geraldinë” është një dhuratë nga Nëna Mbretëreshë, pasi ishte dhe vendlindja e mbretit Ahmet Zogu.
Parku që nderon emrin e mbretëreshës gjendet i vendosur në pjesën veriore të qytetit të Burrelit dhe është ende një ndër parqet me bimësinë më të rrallë, jo vetëm në vendin tonë por edhe në Ballkan.
Sipërfaqja është rreth 30000 m2, ku përfshihen një Xhami dhe Pallati i Kulturës së Burrelit. /atsh/ KultPlus.com
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë çmimin vjetor “Anton Çetta”, shkruan KultPlus.
Ky çmim është caktuar në fund të vitit të kaluar në fushën e trashëgimisë kulturore nga Qeveria e Kosovës dhe jepet për herë të parë.
Në emër të jurisë profesionale, fjalën e mori Arsim Canolli i cili u shpreh se ky çmim që mban emrin e Anton Çettës, profesorit të palodhshëm që mblodhi e studio vlerat e trashëgimisë̈ kulturore e shpirtërore dhe folklorit të shqiptarëve dhe kryepajtimtarit të Kosovës në kohën kur kishte më së shumti nevojë për pajtim, po ndahet për herë të parë.
Në përputhje me vendimin e rregullores përkatëse dhe kriteret e konkursit për çmimin vjetor Anton Çetta që jepet në shenjë vlerësimi e nderimi për personalitete të shquara në fushën e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, juria kishte vendosur që çmimi t’i ndahet Frrok Kristaj për punën e tij mbi gjysmë shekulli në avancimin e trashëgimisë kulturore e shpirtërore dhe ndikimin e tij në mbledhje, dokumentimin, ruajtjen dhe promovimi e trashëgimisë.
Çmimi ju dorëzua Frrok Kristajt nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti. Ndërkaq, pasi pranoi çmimin, Kristaj falenderoi Hotin dhe Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit e posaqërisht edhe familjen Çetta. / KultPlus.com