Gjendet ‘helmeta Ilire’ në Kroaci, arkeologët: I përket një luftëtari elitar ilir

Një helmetë greke, e cila thuhet se i përket shekullit i 4-të para Krishtit është gjetur në Kroaci. Mediat e huaja, bëjnë me dije se helmeta është gjetur në një varr në Zakotarac, në Dalmacinë e jugut dhe sipas arkeologëve ajo i përket një një luftëtari që është varrosur aty rreth 2000 vite më parë.

Daily Mail shkruan se helmeta e zbuluar  njihet si ‘Helmeta Ilire’, por historianët grekë kanë thënë se helmeta është përdorur fillimisht në Greqinë antike në shekullin e 5-të para erës sonë, ndërsa ilirët sipas tyre e kanë përdorur atë në shekullin e 4-ët para erës sonë.

Ndërkohë mësohet se bashkë me helmetën, brenda varrit arkeologët kroatë kanë zbuluar edhe objekte të tjera si monedha, mbetje anijesh, shumica e të cilave sipas arkeologëve i përafrohen më shumë me ato që kanë lidhje me Greqinë antike.

Sipas arkeologëve, ‘Helmeta ilire’ është përdorur nga luftëtar elitar ilir.

Ndërkohë ata thonë ndër të tjera se mbetjet e gjetura në zonë mund të kenë ardhur aty nga piratët ose kanë qenë pjesë e luftëtarëve që kanë marrë pjesë në ndonjë nga betejat antike të zhvilluara aty./ KultPlus.com

Agim Veliu sqarohet për ofendimin ndaj Vjosa Osmanit: Nuk e pata për dukjen e saj

Deklarata e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Agim Veliu lidhur me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, për Luljeta Demollin nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore është “mizogjiniste dhe ka të bëjë me një urrejtje, me një mospëlqim dhe me një mosbesim ndaj grave në politikë”.

Duke komentuar një deklaratë të Osmanit, se në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të kthehej nëse do të largohej kryesia aktuale e partisë, Veliu në një deklaratë për media lokale në Kosovë tha se nuk e ka ditur që Osmani “është aq e madhe saqë i nevojitet hapësirë aq sa komplet një kryesi duhet të largohet që të vi ajo”.

Në këtë deklaratë, ai nuk deshi të komentojë se ne çfarë kuptimi e tha këtë.

Ndërkaq, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë që të sqarojë deklaratën e tij, Veliu tha se ka aluduar në “fuqinë politikë” të Osmanit, dhe jo me dukjen e saj.

Megjithatë, Egnesa Vitia, këshilltare e Osmanit, duke komentuar deklaratën e Veliut, tha se “më e pakta që duhet të ndodhë tani është shkarkimi yt (Veliut) i menjëhershëm”.

“…të lakmosh protagonizmin politik duke aplikuar bullizëm, sekzisëm e mizogjini është tërësisht e pafalshme, e patolerushme, e papranueshme. Është e neveritshme!”, tha ajo përmes një postimi në Facebook.

Megjithatë, Demolli në një reagim për REL, thotë se deklarata të tilla, që aludojnë në dukjen e Osmanit, janë “nxitëse, që hyjnë në gjuhën e urrejtjes”.

“Jeta në politikë shihet si jetë e dominuar nga burrat dhe do të ishte më mirë që Agim Veliu të përkrahte gratë që të hyjnë në politikë me një gjuhë më demokratike dhe jo me një gjuhë të tillë, sepse e shohim qartë se kanë frikë nga gratë e zonja dhe kanë frikë nga votat e grave”, thotë Demolli.

Demolli bën apel që deklarata të tilla të mos bëhen, pasi sipas saj, dekurajojnë gratë që të kyçen në politikë.

“Po ashtu, këto deklarata e ulin ambicien e grave, i demotivojnë gratë e reja që të kyçen në politikë”, tha ajo.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar reagim edhe nga Grupi i Grave deputete. Kryetarja e këtij grupi, Vlora Limani-Hajnuni nga LDK-ja, tha se nuk ishte në dijeni lidhur me deklaratën e Veliut.

Edhe pasi u njoftua me përmbajtjen e deklaratës, Limani-Hajnuni tha se për reagimin nevojitet koordinimi i grupit.

“Natyrisht duhet të shohim se nëse është deklarata kështu siç e lexuat edhe ju do ju dërgojmë deklaratën e Grupit të Grave”, tha ajo. Deri në publikimin e këtij shkrimi, Grupi i Grave deputete nuk ka reaguar.

Në korrik të vitit 2020 Osmani u shkarkua nga postet udhëheqëse në LDK. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mori këtë vendim pas propozimit të liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, sipas te cilit, Osmani ka shkelur statusin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ndonëse ishte kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Osmani e kundërshtoi prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe u deklarua kundër formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti, bashkëpartiak i saj.

Osmani edhe në të kaluarën është përballur me fushatë linçuese, ku i ishin publikuar fotografi të personave në uniformë të policisë serbe, njëri prej të cilëve u tha se ishte babai i Vjosa Osmanit.

Vetë Osmani i denoncoi këto publikime, duke i quajtur tendencë për linçim.

Në korrik të vitit 2020, Osmani, e cila është edhe kryetare e kuvendit, pati një përplasjeje verbale me deputetin e LDK-së, Xhavit Uka, rast të cilin pastaj e ka paraqitur në polici si “kërcënim fizik”.

Sulmet ndaj Osmanit nuk janë të vetmet ndaj grave udhëheqëse që janë pjesë të politikës. Cak i ofendimeve shpesh ka qenë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore thotë se politikanët në Kosovë po përdorin ofendimin si “mjet të punës” dhe se ofendimet janë aq të shpeshta saqë është e pamundur të reagohet ndaj secilit./radioevropaelire/KultPlus.com

‘Kur u bë deti kos, fukarait iu thye luga’

Më poshtë, KultPlus ju sjell disa thënie të vlefshme mbi jetën.

E çuan llafazanin në ferr dhe tha: “Sa të njoma qenkan drutë.”

Njerzit fatkëqinj shpesh bëhen me besëtytni, shpesh nga padituria.

Njeriu modest dhe punëtor vlen më shumë sesa njeriu i fuqishëm dhe i rrezikshëm.

Nga të shtatë zogjtë e bilbilit vetëm njëri del këngëtar.

Ngushëlloje atë që mendon të ketë arritur lumturinë.

Nuk i jepet elefantit për të pirë me lugë.

Në kokën time tullace mëson zanatin e berberit.

Në punët e veta edhe i verbëri ka sy.

Në shtëpinë e kadiut ka arra plot, por ato janë me numër.

Mos i bjer atij që e ka dënuar fati.

Mos i bjerë derës së botës, që të mos i bien derës sate.

Muret kanë minj, minjtë kanë veshë.

Nata është me barrë, ç’do të na pjellë mëngjesi.

Më mirë një buqetë me trëndafila, se një mullar me bar.

Më mirë uthullën në dorë, sesa hallvën e premtuar.

Kush ka rënë në bela, s’e çan kokën për taksat.

Lakuriqit çdo këmishë i rri tamam.

Lavdërimet e tepërta çorodisin fëmijën.

Lehja e qenit nuk i pengon retë.

Kur ke hall, mund të puthësh gomarin në bisht.

Kur mund të rrosh në paqe , mos trokit në derë të luftës.

Kur piqen frutat, kopshtari nuk i vë re të njohurit.

Kur të të kenë bërë ty njeri, do të jem bërë unë budalla.

Kur u bë deti kos, fukarait iu thye luga.

Ku do ta dijë pusi se kova ka fundin e çpuar.

Kujt iu dogj mullari, s’kish pse i trembej rrufesë.

Kumarxhiut hileqar çdo gjë që t’ia zhvatësh e ke qar.

Kundërshtari më i rrezikshëm është miku i kthyer në armik.

Kur i ka ardhur koha, preja shkon vetë te gjahtari.

Kur janë dy akçinj, gjella del o shumë e kripur, o pa kripë fare.

Je i nderhsëm në veprime me çdonjeri, do, s’do, do të nderojë.

Jo gjithçka e rrumbullakët është arrë.

Kam dhënë kaq këshilla, sa më ka zënë gjuha lesh.

Kandili që i duhet shtëpisë nuk çohet në xhami.

Kot mburret daullja, brenda është bosh fare.

Gjelin që do ta rrëmbejë çakalli në mëngjes, le ta rrëmbejë që në mbrëmje.

Gjëegjeza e gjetur të duket e lehtë.

Gjuha e kuqe merr në qafë kokën jeshile.

Hajduti njeh hajdutin; shenjti njeh shenjtin.

Ha pak të kesh shëndet.

Ha si do vetë, vishu si duan të tjerët.

I mbyturi kapet pas fijes së kashtës.

Inteligjenti flet atëherë kur të tjerët përreth heshtin.

Është më mirë të jetosh në zemrën e mikut se në shtëpinë e tij.

Frikoju nga ai që ta ka frikën.

Fut djathin në shishe e fërkon bukën nga jashtë.

Gërmove në mur, mos i qendro pranë.

Gratë janë sikur hija juaj, nëse shkoni pas tyre – ato ikin nga ju, ndërsa nëse ikni prej tyre – ato vijnë pas juve.

Gruaja e ligë (e përdalë) edhe në shishe po ta mbyllësh, edhe atje do t’i bëjë punët e liga.

Dorën që s’mund ta presësh duhet ta puthësh.

Dhe mëndafshin vetë e endi, edhe gjëmbat vetë i nguli.

Ec ngadalë që të arrish gjer në fund.

Edhe luani kur plaket bëhet lodër e çakejve. / KultPlus.com

Arbëreshi Nikollë Keta, autori i sonetit të parë shqiptar

Autori i tingëllimës (sonetit) së parë shqiptare është Nikollë Keta (Nicola Chetta, 1740-1803).

Ai ishte një ndër studentët e parë e, njëkohësisht, më të shquar të seminarit grek në Palermo. Keta ka lindur në Kundisa (ital. Contessa Entellina), ngulimi më i vjetër shqiptar në Sicili, i themeluar midis viteve 1450 dhe 1467. Në seminar pati mësues Gjergj Guxetën dhe dijetarin Paolo Maria Parrino (1710-1765).

Më 1777 Keta u bë vetë rektor i atij seminari. Si poet ka shkruar vargje fetare dhe laike në gjuhën shqipe dhe në greqisht.

Ai ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare (1777):

“Farie së ndeerme në Kuntisë u bii
Kolë Ketta, vllastar i t’arbrit dhee,
Shkoi në Palermë praa tek e Arbrit shpii,
Ç’e reshti, si zogu rep në folee.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësii,
Për në vapët e përtriijti ndënë hjee,
Si të veshkurin rremp stolis një dhrii,
E nani prift klisha kurorë e vee.

Si zok i sbjerrë praa t’di krahët çoi
Në Palermë e n’Kuntisë, po ktei e atei
Ndeern’e Arbreshet të gjithë gramët kërkoi.
Si krymp mundafshi gjith e svis vetëhei

E ktë vistaar tuar, kjëndisi e shkroi,
Se të kjosëj gjithë Arbrin ndjeer përtei.”

*

(Nga fis i ndershëm lindi në Kundesa
Kolë Keta, pinjoll i dheut të Arbërisë
Shkoi në Palermo pra te shtëpia e Arbrit
Që e priti si zog të njomë në fole.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësi,
Dhe në vapë e përtëriti nën hije,
Ashtu si rrembin e vyshkur stolis një dhri,
Dhe tani është prift, në kishë vë kurora.

Si zog i zbjerrë të dy krahët i çoi,
Në Palermo e në Kundisa, këndej e andej,
Në shkrimet e tij nderin e arbëreshëve kërkoi.
Si krimb mëndafshi u shua prej vetiu,

Dhe këtë visar tori, qëndisi e shkroi
Që të qoste gjithë Arbërinë gjer përtej.) / KultPlus.com

Komuna e Gjilanit organizon koncert për nder të bashkatdhetarëve

Drejtoria për Kulturë Rni dhe Sport në Gjilan, në shenjë falenderimi për bashkatadhetarët, organizon konceret më datë 6 janar në teatrin e qytetit në Gjilan, duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

Programi u dedikohet të gjithë bashkatdhetarëve, kudo që ndodhen në Kosovë. Kështu Komuna e Gjilanit ka vendosur që të shprehë mirënjohjen dhe falenderime për secilin prej tyre.

‘Shpresojmë që fillimisht, të keni fat dhe shëndet në familjet tuaja dhe urojmë që ky viti i ri, deri në kohën e muajve të mërgatës që organizohet çdo vit të na gjej të lirë, pa pandemi duke na lënë hapësirë që të ju presim me program dhe festë si gjithmonë.

Urojmë të kaloni sa më mirë pranë familjeve tuaja dhe kujdesuni për vete.

Programi do të jetë me publik, mirëpo me numër të kufizuar duke shfrytëzuar vetëm 30% të sallës dhe gjithashtu do të jepet edhe LIVE përmes mediave tona lokale ku do të mund ta përcillni secili nga shtëpitë tuaja!
Ju faleminderit e shihemi në muajt e mërgatës!
‘, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Komunës së Gjilanit. / KultPlus.com

133 vite nga lindja e Anton Harapit, atdhetarit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar

133 vite më parë lindi frati françeskan, filozofi, mësuesi, sociologu, mendimtari, shkrimtari dhe politikani shqiptar, Anton Harapi. Lindi në Shirokë të Shkodrës.

Shkollën fillore e kreu në kolegjin e jezuitëve.

Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasat e larta në Salzburg, e mandej në Shvaz të Tirolit të Austrisë. Studimet teologjike i kreu në Romë. Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e fundit të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazeze e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan.

Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit Berthold dhe Ismail Qemal bej Vlorës, në mungesë morën, David Pepën. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet dhe me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Antoni Harapi është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.

Atë Anton Harapi shkroi veprat “Andrra e Pretashit”, “Vlerë shpirtnore”, “Shqiptari dhe bota e tij” dhe “Valë mbi valë”. / KulPlus.com

Xhevat Syla: Askund nuk jam ndi më mirë se në poezinë për fëmijë

Arbër Selmani

“Babën e mbaj mend pak. Kam qenë trevjeçar kur ai ka vdekë. Ai ka qenë 51 vjeç. Ka vdekë nga kanceri në lukth. Në Shkup, pasi që e kanë operu’, mjekët i kanë thënë vëllait tim të madh, Fazliut, se baba i ka edhe pak muaj jetë. Kur erdhi në shtëpi, në kullë, sot objekt i trashëgimisë kulturore, lëngonte në shtrat dhe unë hyja nganjëherë aty, në dhomën e tij. Ai donte të më merrte pranë vetes për përqafim, e unë largohesha. E di një moment, ishte mbrëmje, iu bëra merak në pullat e një xhamadani të zi. Atëherë fëmijët kanë luajtë shumë me pulla. Ia lavdova ato pulla dhe më kujtohet që ai e mori një brisk dhe i këputi të gjitha pullat e m’i dha. Kur zbriste nga kulla, duke kaluar oborrit m’i lëmonte flokët.  E mbaj mend, po ashtu, se kur ka vdekë, të gjithë kanë qenë në vaje. Hallat më kanë thirrë me e përqafu’ për herën e fundit dhe më pas më kujtohet se si njerëzit morën udhën kah varrezat. Krejt rrugica, prej kullës e deri në kthesën e parë, ishte e mbushur me njerëz, kryesisht me plisa të bardhë. Ishte shkurti i vitit 1959.”

Lotët e parë dhe të vetmit gjatë kësaj interviste, shkrimtari Xhevat Syla i derdh në këtë pjesë, kur e kujton Hazir Ukë Sylën, babain e tij. Vetëm ata që janë rritur pa baba e kuptojnë mirë dhimbjen që edhe sot, një burrë në dekadën e gjashtë të jetës së tij, e përjeton dhe rezonon kur flet për familjen e tij, për një territor ku jeta do të ishte më e pamëshirshme. Pos Xhevat Sylës, të cilin unë e quaj axha Xhevat, prej respektit, por më shumë prej dashurisë dhe njohjes që e kemi prej vitesh, edhe një motër e tij atëherë gjashtë-muajshe do të jetonte po ashtu pa kujtuar asgjë prej figurës së babait. Fjalët e mira që ai thotë se i ka dëgjuar tërë jetën për babain e tij, për atë punëtor të madh që e krijoi një familje të fuqishme dhe mbajti stoik një kullë në Istog, e kanë ushqyer që ai të jetë gjatë gjithë jetës një njeri i përmbajtur, me edukatë, i kujdesshëm deri në detaje.

Shkrimtari Syla, me vëllaun Fazliun

Xhevat Syla, pa pritesë, trishtimin dhe dhimbjen e ka kthyer gjithmonë në poezi, në vjershë. Sot, Syla është një prej shkrimtarëve të rrallë ende gjallë që shkruan e kultivon letërsi për fëmijë. Ai është një prej vrapuesve më të mirë në maratonën e shkrimtarëve të cilët më të vegjëlve iu dhanë plot libra e personazhe, për t’u rritur më bukur e më hareshëm. Disa shkrimtarë i mori sëmundja, e disave thjesht u përfundoi ora e jetës, por sot Xhevat Sylës i mungojnë shokët e tij të botës letrare: Vehbi Kikaj, Agim Deva, Qamil Batalli, Rifat Kukaj, Teki Dërvishi, Arif Demolli, Ymer Elshani, Abdullah Konushevci, Rrahman Dedaj, Gani Xhafolli, Hasan Hasani, Zejnullah Halili, Odhise Grillo, Bedri Dedja, Skënder Hasko e të tjerë. Vazhdimisht më tregon sa shumë ndihet i varfëruar pa këta njerëz, pa takimet me ta, të cilat nuk janë të njëjta si takimet me njerëzit që nuk janë poetë, shkrimtarë.

*

Xhevat Syla ka vite që shkruan letërsi për fëmijë e të rinj, anipse e ka provuar veten edhe në letërsinë për të rritur, por duket se gjithmonë më shumë është pëlqyer për elegancën që e ka sjellë me poezitë për fëmijë. Fëmijëria është periudhë që gjithmonë të mbetet në kujtesë, thotë ai, dhe kohë e cila të shoqëron gjatë gjithë jetës.

“Nuk e kam pasë fëmijërinë as të rëndë, e as të lehtë. Kemi qenë familje e madhe, me tetë fëmijë, katër motra e katër vëllezër. Unë, si djali më i vogël, e kam gëzu’ kujdesin dhe dashurinë e të gjithëve. Ndoshta edhe për faktin se kisha mbetë i ri pa babë, edhe kam qenë i rrethuar me shumë dashuri. Më së shumti më kanë gëzuar ardhjet e vëllaut Fazliut nga Prishtina, si dhe rastet kur ai, si nxënës i fillores, më merrte tek ai në Prishtinë. Jam lindur e rritur në Istog. Kur isha 7 vjeç e disa muaj u regjistrova në shkollë, pra isha bukur i pjekur për moshën, dhe e gjeta veten shumë mirë në rrethin shkollor. Në Istog e kemi pasur një shtëpi të madhe, një kullë prej guri, tre katëshe, në të cilën një kohë kemi jetu’ me axhën por më vonë ai u nda nga ne, meqë mendonte të shkonte në Turqi, ku i kishte miqtë e tij, krejt të afërmit e gruas, të cilët ishin shpërngulur atje kur pushteti serb ua kishte hapur dyert dhe ua kishte krijuar situatën të merrnin atë udhë. Ai qëndroi një kohë të shkurtër në Stamboll dhe erdhi për të mos u kthyer më kurrë atje.Nuk i kishte pëlqyer fare jeta në Turqi.”

Ngacmimin e parë për të shkruar, Xhevat Syla e pati si 10 vjeçar, në klasën e tretë të fillores. Vjersha e parë e kishte për personazh lejlekun, ky shpend që do ta frymëzonte axhën Xhevat të shkruante e të çlironte nga vetja një mbushje emocionesh.

Shkrimtari në klasën e pestë

“Ishte syri i pranverës, fillimi i stinës. Jo larg shtëpisë në Istog, kanë qenë disa lisa. Aty, në ata lisa, pikërisht në majat e tyre disa lejlekë kishin ndërtuar çerdhet. Atë ditë moti ishte i ngrohtë, e unë tek shihja këto pamje, u mbusha disi, e pata një ngacmim për të shkruar. Shkrova një vjershë për lejlekun. Vjersha më pëlqeu dhe ua lexova familjarëve, të cilëve po ashtu u pëlqeu. Vëllau i madh, Fazli Syla, erdhi nga Prishtina, ku ishte profesor dhe u mahnit me atë poezi. Më pas, ai ma dha atë që unë e quaj kushtimisht mësimin e parë nga teoria e letërsisë: më tregoi si shkruhet vjersha, si vargnohet, si rimohen vargjet, si përdoret figuraciomi, metrika dhe mjetet e tjera, duke m’i marrë shembuj rilindësit, por edhe Migjenin. Nuk e kam harruar kurrë atë mësim. Vëllau, pa më thënë gjë, ma mori poezinë me vete. Një pasdite, në Istog, vëllau tjetër, Xhaferi, katër vjet para meje, kthehet nga shkolla me revistën “Shëndeti” në dorë, e cila e ka pasë edhe faqen e fëmijëve në fund, ku botoheshin krijime letrare të fillestarëve. Aty ishte botuar poezia ime për lejlekun. Shpesh e mendoj edhe sot se si nuk më është hapur koka prej gëzimit kur pashë vjershën time të botuar. Ishte një gëzim i papërshkrueshëm. Dola t’ua tregoj edhe në kojshi, edhe te fëmijët e axhës. Kjo ishte një shtytje për mua që të vazhdoj të shkruaj. Më pas nisa të botoja vjershat edhe në “Pioneri”, edhe te “Rilindja” e të “Zëri i rinisë” – te faqet e fëmijëve, botoja edhe në revistat për fëmijë që dilnin në Shkup (Gëzimi, Fatosi), e madje edhe ne “Flakën e vëllazërimit”, ku u bëra i rregullt me shkrime, me vjersha, por edhe me tregime. Në qytezën e Istogut, që i vogël njihesha si njëfarë shkrimtari” vazhdon e më rrëfen shkrimtari Xhevat Syla.

Prej të gjithë familjarëve, Xhevat Syla më shpesh përmend vëllaun, Fazli Sylën, si dhe nënën e tij, Fatimen. Kjo dyshe duket se e ka ndihmuar atë në vazhdimin e lëvrimit të letërsisë, anipse Xhevati do të rritej me një shpirt artistik, i cili do ta përplaste nga një fushë e artit në tjetrën.

“Vëllau i madh, Fazliu, i cili ndërroi jetë para pak muajsh, ka qenë profesor i letërsisë, intelektual, por është kujdesë për neve shumë. Unë kur kam lindur, ai veç ka qenë duke jetuar në Prishtinë. Më ka sjellë libra vazhdimisht. Librat i kam pasë një dashuri të madhe. Ka pasur një shkrim të bukur, sidomos kur shkruante me stilografin e tij Pelikan. Që në fëmijëri jam përpjekur t’ia imitoj shkrimin. Nana ka qenë një mrekulli, një njeri shumë i urtë, shumë e dashur. Nuk mbaj mend ta kem hidhëruar ndonjëherë. Ka qenë amvise, por ka qenë një rrëfyese e mrekullueshme e përrallave, e këtë e ka reflektuar më pas edhe tek unë. I dëgjoja me vëmendje përrallat dhe më pas edhe unë vetë u bëra një tregues i përrallave. Prej nanës i kam mësu’ edhe shkronjat e para. Nana e ka shfrytëzu’ atë dhunti me rrëfy’ përralla për me na qetësu, me na mbajtë afër vetes. Nana, me origjinë nga Jabllanica e Vogël e Pejës, ka qenë dominantja në shpërthimin tim, në frymëzimet e mia. Kur i përfundoja vjershat, asaj ia tregoja të parës dhe merrja një vlerësim nga ajo, por edhe e dija që shpirti i saj shkrihej nga gëzimi duke i dëgjuar apo kur i shihte vjershat të botuara. Ka qenë nxitëse e madhe dhe besoj zemra e saj bëhej mal prej lumturisë kur më shihte duke shkruar e duke u formuar. Na ka rritë me shumë durim e dashuri. Kam qenë 40 vjeçar kur më ka vdekë nana, e jam mërzitë si t’isha 4 vjeç. Ka qenë personi që ndoshta më së shumti e kam dashtë në jetë” vazhdon Xhevat Syla.

NËNA

Tik-tak i zemrës të është,
Mendje që t’ndjek në çdo hap,
Nëna është zemër e shtëpisë –
Mall që djeg kur je larg.

Sa këngë poetët i kënduan,
Po cili varg ia zë dashurinë?
Fjalë s’ka as figurë që shpreh
Zemrën që për ty drithërin.

Xhevat Syla, shkrimtari që librin e parë e botoi si maturant, deri sot ka publikuar gjashtë libra me studime për letërsinë për fëmijë, rreth tetë libra me krijimtari letrare, një libër me tregime, ndërsa është laureat i disa çmimeve të cilat e kanë njohur kontributin e tij në letërsinë për fëmijë, jo vetëm si shkrimtar por edhe si profesor e studiues i thuktë i saj. Në Panairin e Librit në Tiranë, në një prej edicioneve, ai mori çmimin shkrimtar i vitit në letërsinë për fëmijë, ndërsa në Kosovë e pranoi çmimin ‘Ymer Elshani’.

“Syri i pranverës”, “Hyrje në vjeshtë”, “Zilja e fëmijërisë” – tregime për fëmijë, “Mbreti nga Qerreti”, “Vel vjeshte”,  “Arti i porosisë: vepra letrare e Vehbi Kikajt”, “Kuvendim poetik”, “Vjersha e humbur”,  “Harmonika e Atdheut – Poezia e Xhevat Beqarajt”, “Universi i mirësisë” – jeta dhe vepra letrare e Ymer Elshanit – janë këta vetëm disa prej titujve që mbajnë vulën e dorës së Xhevat Sylës, shkrimtarit i cili për më tepër edhe doktoroi e magjistroi në fushën e letërsisë për fëmijë.

VEL VJESHTE

Sapo vilen pemët,
Gjethet i rrok mërzia:
Zverdhen, nxihen, bien
Lagshtës nëpër bar;
Fryn murrlan i egër,
Fushat – si tepsia;
Pyllit dalin n’gjah
Gjahtar’t me zagarë…

Vjeshta ecën fushës,
Bryma i prin n’çdo hap;
Lulet zënë murr’tisen –
Humbin aq shumë ngjyra,
Drunjtë i jepen gjumit,
Mjegullat kthehen prapë,
Me velin e vjeshtës
Vishet gjithë natyra.

Xhevat Syla ishte djalosh i ri plot jetë. Dikur, si fëmijë, kishte një zë të mirë, dhe për një kohë edhe këndonte sidomos kur gjendej në bahçen e shtëpisë. Këndonte këngë të repertorit që asokohe vinte prej Radio Prishtinës. Ato këngë, Syla i dinte përmendsh, dhe bile dikur mendonte se do të bëhej këngëtar. Në periudhë puberteti, zëri i poetit do të trashej shumë, ndaj më bukur dhe më qartë do të shprehej në letërsi sesa në këngë.

Shtojmë këtu edhe artin figurativ, të cilin shkrimtari për fëmijë edhe sot shpesh e praktikon. Ai thotë se rrethanat e jetës dhe të punës u servuan të tilla, se përndryshe ai do të donte t’i vijonte studimet edhe në pikturë, krahas letërsisë.

“Provohesha si i vogël në vizatime, ka qenë portreti i Skënderbeut të cilin e pata realizu’ në disa forma. Po flasim për kohën rreth viteve 1967-69, atëherë i pata vizatu’ edhe Marksin, Engelsin e Leninin, por edhe portrete të të afërmëve të mi. Potretet i doja shumë, por edhe peizazhet. Kam qenë më i dobët në punën me ngjyra. Ka ndodhë që në një orë të artit figurativ, profesori e ka marrë punimin tim dhe e ka treguar si shembull se qysh vizatohet, e në orën tjetër e ka marrë si shembull se qysh nuk duhet ngjyrosur. Më vonë, me ndihmën e mësimdhënësit të artit, e mësova më mirë ngjyrosjen, planin e parë, të dytë, u bëra piktor më i mirë. Kam pasë shumë piktura, dy më janë djegë gjatë luftës në Istog, sepse nuk i pata marrë me vete meqë iu pëlqenin atyre që ngelën të jetojnë aty” tregon Xhevat Syla.

Në qiellin artistik të Xhevat Sylës, mes reve të tjera, njëra do të pikonte më shumë. Shoqe kishte, por reja e letërsisë gjithmonë ishte më e fortë, më kaltëroshe, dallohej. 

Për letërsinë për fëmijë, Xhevat Syla thotë se është fusha ku janë fillimet e të gjithë shkrimtarëve, paçka se dikush largohet e dikush ngel brenda saj.

“Janë të paktë shkrimtarët që kanë mbetë përjetshëm të përkushtuar vetëm krijimtarisë në letërsinë për fëmijë, por ndoshta mund të themi që ata janë edhe më të mirët. Ymer Elshani ka shkruar vetëm poezi për fëmijë, Xhevat Beqaraj nuk ka shkruar madje as tregime e as roman, është i mrekullueshëm vetëm në poezi. Agim Deva është provuar edhe në poezinë për të rritur, edhe në roman, por vokacion kryesor e ka pasë poezinë për fëmijë. Vehbi Kikaj, po ashtu është marrë vetëm me letërsi për fëmijë, ku ka shkëlqyer. Po ashtu Abdullah Thaçi e të tjerë. Edhe te unë, pak a shumë e njëjta situatë. Jam provuar me libra dhe me shkrime në periodikun letrar edhe me tregime e me poezi për të rritur, por më ka mbetë gjithmonë e fuqishme dashuria për letërsinë për fëmijë, përkatësisht për poezinë për fëmijë”, pohon Xhevat Syla.

*

Tre fëmijët e shkrimtarit Xhevat Syla kanë qenë gjithmonë një oqean ku vetë ai, poeti, ka pirë ujë dhe ka marrë jetë e forcë për të shkruar. Dafina, vajza e vogël e shkrimtarit, shkruan po ashtu, i pëlqen edhe t’i interpretojë krijimet e penës së saj.

“Të kesh baba shkrimtar dhe të rritesh në frymën e artistit, padyshim që është fat për mua. Pse fat? Sepse, qysh në fëmijëri krijon bazën e perceptimit të botës me ngjyra, të zhvillimit më tepër të anës emocionale, pastaj të mësimit të drejtshkrimit, pasionit për të lexuar dhe eksploruar në vazhdimësi gjëra, gjithnjë duke pasur në vete versionin më të mirë, para së gjithash, atë të të qenit njeri.” më thotë Dafina.

“Si fëmijë mbaj mend përrallën “Kësulëkuqja”. Babi, sapo kthehej nga puna, më rrëmbente me përqafime, me shumë ngrohtësi, pa përtesë, çdo ditë, duke ma rrëfyer përrallën më të dashur për mua me aq mjeshtëri, më krijonte ndjesinë vizuale me protagonistët e përrallës, më të qartë se sa të një filmi vizatimor” thotë ajo.

Dafina i ka dedikuar babait të saj një poezi, me aq sa mund të portretizohet një baba plot sakrifica, të shprehet në disa rreshta.

BAB’,

Ti Bab’ ke emër,
je oqean i thellë i intelektit
rrallë kush si ti
mund të shikojë me sytë e Detit.
Modest nga natyra,
human nga shpirti
me tipare artisti.
Jo vetëm poet,
me një gamë të gjerë të dijes dhe shkrimit,
krenare t’i përjetoj
meritat e tua të ngadhënjimit.
Je forca ime, fjala ime e parë,
ndonjëherë kur të kam zhgënjyer kam qarë.
Dafina,
tani nuk është lule që qan,
ajo buzëqesh kur ti buzëqesh.
E lumtur që të kam në jetë,
të përballoj çdo sfidë që mund të më presë.
Nuk dua t’ia dal vetë,
ti je një Baba i vertetë.
Më edukove të jem e sinqertë, modeste,
të respektoj tjetrin,
por kjo botë e egër si duket
ka humbur sensin.

Se fëmijët e shkrimtarit janë ndikuar shumë prej tij, tregon edhe Blerta Syla Surroi, vajza tjetër e shkrimtarit. Ajo është motra e madhe e Dafinës dhe Mirakut. Poezi, vjersha, frymëzuar prej të treve, Xhevat Syla ka shkruar me bollëk.

“Babi, duke pasur pasione të ndryshme, ka ndikuar shumë në rritjen dhe formimin tim si artiste. Kishte talent edhe për vizatim, edhe për aktrim. Ka disa fotografi me kostume të ndryshme, i transformuar plotësisht në role, e unë si fëmijë shpesh i shikoja dhe humbesha në fantazi e imagjinatë. Duke pasur babi këtë pasion, ne ishim vizitorë të rregullt të teatrit dhe të galerisë së arteve” rrëfen Blerta kur flasim për babain e saj, shkrimtarin e vargjeve të njoma për fëmijë, Xhevat Sylën.

“Si fëmijë, kisha fatin e mirë që të mos ngarendja për kërkimin e lektyrave shkollore, i kisha të gjitha në shtëpi. Në shtëpinë tonë të vogël e të stërmbushur me libra, shpesh duhej hequr libra që gjendeshin edhe mbi tavolinën e bukës, për t’iu bërë vend pjatave me ushqim. Falë babit, jo vetëm librat për fëmijë por edhe autorët e tyre i njihja nga afër. Një nga librat e tij që më lidh emocionalisht është “Mbreti nga Qerreti”. Është një libër me poezi, i shkruar me shumë dashuri për nipat e tij. Pas jo shumë viteve, Deti, nipi i madh, shihet se ka pasion leximin e shkrimin. Ai është vetëm 9 vjeç, por diskutimi i tyre për gramatikën e stilistikën është i jashtëzakonshëm” përfundon Blerta.

“Unë nuk kam mundur t`i shpëtoj dashurisë për fëmijët e mi, dhe kam shumë poezi edhe për Mirakun, edhe për Blertën, edhe për Dafinën. Jam martuar bukur i ri dhe fëmijët kanë ardhë në jetë bukur herët, unë jam përpjekë me u kujdesë edhe për zhvillimin e tyre, sado që ata i kanë marrë rrugët dhe drejtimet e jetës. Më kujtohet, për shembull, djalin, Mirakun, kur e pashë në festën e Abetares, më erdhi frymëzimi për vjershën “Mirakut në Festën e Abetares”. Në një poezi tjetër, e krahasoj veten me kangurin i cili e mban në gji fëmiun e vet, dhe unë e kam ndje nevojën të jem si kanguri që nuk e largon nga gjiri asnjëherë krijesën e tij” më thotë Xhevat Syla.

MIRAKUT NË FESTËN E ABETARES

Ti, Miri, i mësove shkronjat,
Mbarimin e Abetares feston.
Kuptim tjetër t’kanë tash lojërat,
Jeta derte të tjera t’dikton.

Kokën – si çantën me libra,
Gjithnjë e më plot do ta kesh;
Me nxënie në t’jetës mynxyra
Më i fortë përditë do të jesh.

*

“Askund nuk jam ndi ma mirë se në poezinë për fëmijë, dhe kjo dashuri më ka bërë që të merrem edhe me studimin e saj. Letërsia për fëmijë i ka specifikat e veta, duhet kujdes, duhet të merret parasysh se i dedikohet një grupmoshe që ka një shkallë të caktuar të zhvillimit intelektual, ka nevojë të kënaqet por edhe të mësojë dhe të edukohet. Kohëve të fundit është edhe poezia, përkatësisht letërsa për moshën adoleshente, e cila po ashtu i ka kërkesat specifike.”

Xhevat Syla është njëri prej shkrimtarëve që e ka organizuar dhe mbajtur gjallë Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë, i cili që prej vitit 2000 e deri sot ka udhëtuar në tërë Kosovën, për të qenë më afër fëmijëve, me emrat e poetëve më të dashur për fëmijët e Kosovës.

“Karvanin e ka nisë Agim Deva në vitin 2000, dhe natyrisht që ne të gjithë iu bashkuam në këtë ide. Me të, natën e ditën jemi shoqëru’, i kam ndihmuar shumë në organizim. Agimi na la në vitin 2009 dhe meqë ai ka dashtë që Karvani me vazhdu’ ngase ishte mirëpritur aq mirë nga fëmijët dhe jo vetëm ata, unë i mora përsipër punët e organizimit. Fati i keq bëri që një pjesë e shkrimtarëve të Karvanit të na lënë, dhe jam varfëru’ edhe unë, por edhe letërsia për fëmijë me ikjen e tyre” tregon Syla. Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë çdo vit udhëton drejt shkollave fillore për të dhuruar libra, por edhe për t’i përqafuar më të vegjlit, për t’i inkurajuar talentet e reja për krijimtari. Një numër i konsiderueshëm i gjeneratave në Kosovë në një moment a tjetrin janë gjendur para këtij Karvani dhe shkrimtarëve që me shumë zell e me pafajësi fëmiu nuk hezitonin të rrugëtonin kilometrat e Kosovës po edhe në trevat e tjera shqiptare për të qenë më afër e për të mbjellë te fëmijët e vegjël një kulturë leximi e dashurie për librin.

Syla, siç e shpjegoi edhe vajza e tij Blerta, si i ri në Istog ishte edhe aktor, kishte luajtur në disa shfaqje e drama.

“Te drama “Cuca e Maleve” e kam pasur rolin e priftit Don Marku, ka qenë rol jashtëzakonisht bukur i realizuar. Unë isha me flokë të gjata, të zeza, ka qenë mrekulli. Bartja e flokëve të gjata m’u lejua në shkollë vetëm për shkak të këtij roli. Mirëpo, sapo u dha shfaqja, të nesërmen drejtori i shkollës më ftoi në zyre, më uroi për rolin dhe më tha që menjëherë të shkoja te berberi për t’i shkurtuar flokët. Kisha po ashtu rolin kryesor në dramën e Fadil Paçramit “Lagjja e varfër”, por luajta edhe në drama të tjera. Njerëzit pas çdo shfaqjeje më këshillonin që të regjistrohesha për studime veç në aktrim, askund tjetër. Nuk shkova në aktrim, por e vazhdova jetën me letërsi dhe duke e sprovuar veten ndonjëherë rrallë edhe në art figurativ. Gjithmonë edhe kam lexuar shumë. Më kujtohet, në një rast, vëllau Fazliu m’i solli 10 libra në Istog dhe mes tyre ishte edhe romani “I huaji” i Albert Kamysë. Unë isha në klasën e pestë ose të gjashtë fillore dhe e lexova edhe atë libër. Librin e kam rilexu’ edhe dy herë gjatë jetës, por asnjëherë me kënaqësinë e atij leximi të parë. Personazhet dhe ngjarjet kanë ngelë në kujtesën time nga ai lexim, sado që librin e kam kuptuar më mirë më vonë” tregon Xhevat Syla.

Syla, në një shfaqje si gjimnazist

Axha Xhevat më thotë të mos e harroj Vehbi Kikajn, një shkrimtar i mrekullueshëm, i cili vdiq i ri, 44 vjeçar, por i cili e nxiti shumë shkrimtarin në vitet e para të karrierës së tij. Madje, pikërisht Kikaj kishte qenë ai që i kishte thënë Sylës se ka ardhur koha të botonte edhe libër me poezi për fëmijë. I kishte thënë: tani ke botuar mjaft vjersha sa të bësh një libër.

Xhevat Syla ka ende plot vite para vetes, për të jetuar e për të shkruar e për të na sjellë më shumë libra. Kosovës, sot më shumë se kurrë i duhet letërsia për fëmijë, letërsia ndoshta si më shpëtimtarja e kësaj moshe të cilën shpesh e harrojmë ose e godasim keq, ne të rriturit.

Syla sot është profesor i letërsisë për fëmijë, me një tregim jetësor ku vijnë në pah “Rilindja”, revistat, redaktorët, dikur pak edhe politika, librat shkollorë në të cilët ai vazhdimisht e jep dijen e tij, shokët e shoqet e botës letrare, disa gjallë e disa në kujtime.

Në vitet 1975-1978 punoi kryetar i rinisë në komunën e Istogut, ku kontribuoi shumë në ngjalljen dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore. Në vitet 1979-1981 ka punuar kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re” dhe ka udhëheqë Komisionin për kulturë në rininë e Kosovës, ndërkaq në vitin 1982 ishte kryetar i rinisë së Kosovës. Që nga viti 1984 e deri në vitin 1998 punoi kryeredaktor i Entit të Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore të Kosovës, ndërsa tani punon redaktor në Shtëpinë botuese Libri shkollor dhe është profesor universiteti.

Si gjithmonë, në fund duhet shijuar vetëm mendja e shkrimtarit dhe vjershat e tij, për neve që jemi fatlumë t’i lexojmë e shijojmë këto krijime.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Rowan Atkinson: Nuk më pëlqente të luaja Mr. Bean-in, jam i lumtur që ai rol ka marrë fund

Rowan Atkinson thotë se roli i Mr. Bean është ‘stresues dhe rraskapitës’ dhe ka lënë të kuptohet se ai nuk do të luajë kurrë më këtë rol.

Aktori, 65 vjeç, është në mes të zhvillimit të një filmi të animuar të karakterit popullor, por tha se ai e konsideron se “pesha e përgjegjësisë jo e këndshme”, që do të thotë se “nuk i pëlqen shumë ta luajë”, shkruan DailyMail, transmeton KultPlus.

Atkinson portretizoi rolin titullar në serialin e suksesshëm nga viti 1990 deri në vitin 1995, përpara se të realizonte më vonë filmat “Bean Movie” në vitin 1997 dhe “Mr Bean’s Holiday” në vitin 2007.
Ai tha: “Nuk më pëlqen shumë ta luaj. Pesha e përgjegjësisë nuk është e këndshme. Më duket stresuese dhe rraskapitëse dhe pres me padurim fundin e saj”.

Duke folur në një intervistë për Radio Times, Rowan tha: “Duke bërë një serial televiziv të animuar, tani jemi në prag të krijimit të një filmi të animuar për Mr Bean – është më e lehtë për mua të interpretoj karakterin me zë sesa vizualisht”.

“Nuk më pëlqen shumë ta luaj. Pesha e përgjegjësisë nuk është e këndshme. Më duket stresuese dhe rraskapitëse dhe pres me padurim fundin e saj”. / KultPlus.com

Plator Gashi lanson këngën e re ‘Msheftas’ (VIDEO)

Plator Gashi sapo ka publikuar këngën e tij të parë origjinale, të titulluar ‘Msheftas’, shkruan KultPlus.

Gashi njihet për coverat e tij si ‘Shingjergjat po sillen’, ‘Fërfëlloj fëllënza’, ‘Kryet e mirë për shami’ etj, të cilave me një zë tejet të këndshëm u ka dhënë komplet një frymë tjetër.

‘Py’ përpara, py’ përmas! Po e publikoj kangën teme të parë origjinale, të shkrume, të kompozume dhe të incizume në qysh të dhomës në vitin 2019. Kte kangë, sikur edhe çdo gja tjetër në jetë, ia kushtoj ma të dashtunve t’mi: motrës e vllaut (Jonila Gashi Gentian Gashi ) , mamit e babit (Lume Gashi Osman Gashi) si dhe vllazënmotrave Shpat Morina Lisar Morina Erleta Morina Donjeta), pa të cilët s’kisha mujtë me e qitë asnji gisht në tel. Gëzuar 2021!’, ka shkruar Gashi në njoftimin e tij në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Si e kemi personalizuar mësimin për secilin nxënës në Shkollën Finlandeze?!

Nga Dr. Tassos Anastasiades, Zëvendës Drejtor në Shkollën Finlandeze

Shkolla Finlandeze ofron edukim cilësor ndërkombëtar për fëmijët nga mosha 2 deri në 18 vjeç, duke ofruar në të njëjtën kohë një ambient të sigurt të mësimit i cili zhvillon dhe inkurajon të gjithë nxënësit të rrisin kënaqësinë ndaj mësimnxënies dhe të aspirojnë drejt arritjeve akademike duke përdorur metodologji të mësimdhënies finlandeze. Përdorimi inovativ i të dhënave si dhe objektivat e qarta të mësimnxënies përdoren në mënyrë që nxënësit të dijnë saktësisht se çfarë janë synimet e mësimit. Vlerësimi bëhet në bazë të aftësive gjë e cila ndikon në nxitjen e progresit personal të secilit nxënës.

Në Shkollën Finlandeze, ne përdorim të dhëna të detajuara për të personalizuar planet e mësimit. Shkolla zbaton vlerësime të GL Education si Testi i Aftësive Kogntive (CAT4), Testi i Serisë së Progresit (PT Series), dhe Vlerësimin rreth Leximit (NGRT) duke përfshirë këtu edhe ndjekjen e pritshmërive të kurrikulës në secilën lëndë. Përmes këtyre të dhënave, mësimdhënësit kanë një përmbledhje të veçantë rreth aftësive të secilit nxënës dhe iu ndihmon në personalizimin e planeve mësimore të tyre.

Dokumentet e posaqme përfshijnë rezultatet nga CAT4, NGRT, dhe vlerësime të tjera të brendshme dhe komente të cilat pasqyrojnë secilin nxënës individualisht, duke përfshirë këtu edhe objektivat mësimore nga kurrikula. Këto vlerësohen çdo 6 javë duke iu mundësuar edhe mësimdhënësve një qasje më të afërt dhe më të detajizuar të progresit të nxënësve gjatë tërë vitit. Në këtë mënyrë, prindërit dhe nxënësit janë të informuar gjatë tërë kohës rreth progresit të nxënësve dhe rrugëtimit të tyre të mësimit. Në të

njëjtën kohë, kemi hapësirën që të diskutojmë dhe të identifikojmë fushat në të cilat nxënësit kanë nevojë për mbështetje shtesë.

Inkurajimi i mësimnxënies dhe metodologjia finlandeze

Të dhënat promovojnë mësimnxënie efektive – stimulimin e aftësive të mendimit kritik dhe të zgjidhjes së problemeve të cilat janë të nevojshme për nxënësit gjatë arritjes së objektivave të kurrikulës. Këto informata fuqizojnë nxënësit të flasin rreth mësimnxënies së tyre dhe ndihmon ata të identifikojnë se në çfarë niveli të mësimit janë, duke iu ndihmuar të vetmenaxhojnë progresin e tyre.

Nxënësit mbledhin dëshminë e mësimit të tyre në portfolio dixhitale dhe në Seesaw ku ndjekin progresin e tyre gjatë tërë kohës. Çdo 6 javë ata raportojnë rreth mësimit të tyre në konferencën me prindër dhe nxënës ku rishikojnë edhe punimet e tyre dhe dëshminë e mësimit së bashku me prindërit.

Pëfshirja e stafit

Vlerësimi dhe zbatimi i tij në shkollën tonë bëhet në bashkëpunim të ngushtë me mësimdhënësit ku të dhënat ndahen në mënyrë mjaft transparente. Ne inkurajojmë mësimdhënësit të përdorin këto të dhëna dhe duke aplikuar ato në objektivat e mësimnxënies së nxënësve.

Analiza nga pyetjet e vlerësimeve të GL poashtu ndihmon në identifikimin e fushave në të cilat nxënësit kanë nevojë për mbështetje shtesë, si dhe në personalizim të mësimit. Duke zbatuar këto vlerësime,

Shkolla Finlandeze ka rritur dhe stimuluar bisedat rreth mësimit mes prindërve, nxënësve, dhe mësimdhënësve.

Përdorimi i të dhënave në përmirësim të shkrim-leximit

Shumica e nxënësve në shkollën tonë mësojnë gjuhën angleze si gjuhë të dytë, andaj ekipi ynë është në dijeni se aftësitë në shkrim dhe lexim në këtë gjuhë janë një fushë së cilës duhet t’i kushtohet mjaft rëndësi. Nxënësit të cilët identifikohen nga CAT4 që kanë nevojë shtesë në aftësi të komunikimit vazhdojnë të vlerësohen edhe nga vlerësimi NGRT. Një pjesë e nxënësve, sidomos ata të sapo ardhur në shkollën tonë, kanë nivel të ulët të shkrim-leximit, prandaj këto të dhëna ndihmojnë shumë në identifikimin e nivelit në faza shumë të hershme. Krahasimet e faktorëve të ndryshëm si plotësimi i fjalive, kuptimi pas leximit, etj, ndihmojnë në dallimin e nxënësve të cilët kanë nevojë për mbështetje shtesë dhe nxënësit të cilët tashmë kanë fituar aftësitë e kërkuara.

Si shkollë kemi krijuar një ambient mbështetës, bashkëpunues dhe jokonkurrues, i dizajnuar në atë mënyrë që nxënësit të arrijnë sukses. Mësimdhënësit besojnë që të gjithë nxënësit munden dhe mësojnë, janë gjithmonë në gatishmëri t’i mbështesin nxënësit në çdo sfidë, duke iu ofruar kohën e nevojshme për të mësuar.

Ashtu si në Finlandë, mësimdhënia dhe mësimnxënia janë të strukturuara që të zhvillojnë një bazë të fuqishme të përvetësimit të diturisë, dhe konceptet kyqe rishikohen shpesh në mënyrë që nxënësit në nivele të ndryshme të kenë mundësinë t’i mësojnë gjërat bazike si dhe të zgjerojnë njohuritë në fusha të ndryshme. Nxënësit krijojnë diçka pothuajse çdo ditë nga ajo çfarë kanë mësuar…të dhënat vetëm se na mbështesin për t’u siguruar që t’iu ofrojmë sfida të nevojshme tëmësimit të cilat rezultojnë në arritshmëri dhe sukses tek secili individual. / KultPlus.com

Albumi i Dua Lipës merr 3 miliardë klikime

Dua Lipa e ka nisur mbarë vitin 2021.

Këngëtarja shqiptare vitin që lamë pas ka lansuar albumin e saj, i cili po vazhdon të qëndrojë në top lista si ndër albumet më të dëgjuara.

Përmes Instagram ajo uroj të gjithë fansat e saj se së bashku kanë arritur shifrën prej 3 miliardë klikimesh për këtë album këtë vit.

Teksa u shpreh se ky album i ka ndryshuar jetën asaj në mënyra të ndryshme, Dua Lipa tha se është aq e lumtur që edhe fansat e saj ndjejnë të njëjtën gjë.

“Sapo kuptova se kemi arritur mbi 3 miliardë transmetime në “Future Nostalgia” në vitin 2020!”, tha Dua. “Ky album ka ndryshuar jetën time në shumë mënyra dhe jam shumë i lumtur që edhe ju ndjeheni sikur unë”, shtoi ajo. / KultPlus.com

Vdes aktorja Barbara Shelley në moshën 88-vjeçare

Aktorja Barbara Shelley ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

Legjenda e ekranit shquhej si ylli i parë i filmave horror të viteve ’50 dhe ’60, dhe kishte luajtur në projekte të njohura kinematografike, si “Dracula: Prince of Darkness”, “The Gorgon”, “Rasputin: The Mad Monk” dhe “Quatermass and the Pit”.

Vdekja e aktores është pritur me shumë trishtim nga adhuruesit e këtij zhanri.

Agjenti i Shelleyt, Thomas Bowington, e ka konfirmuar lajmin e vdekjes së aktores duke treguar se së fundmi ajo ishte prekur nga koronavirusi në spital. Edhe pse e kishte tejkaluar këtë virus që u ka marrë jetën 1.8 milionë njerëzve anembanë botës, Barbara vdiq si pasojë e disa çështjeve tjera shëndetësore.

Barbara Shelley po ashtu ka luajtur në një episode të “Doctor Who”, krahas aktorit Peter Davison. / KultPlus.com

Veliu ofendon Osmanin: Krejt kryesia me ia lëshu vendin, edhe s’di a e nxen

Ish-kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani, e ka lënë të hapur mundësinë e kthimit në LDK, në rast se kryesia aktuale e kësaj partie do të largohej.

Duke e komentuar këtë deklaratë, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka zgjedhur të flas për pamjen e Vjosa Osmanit duke thënë se ajo “është shumë e gjerë dhe i duhet hapësirë”. Ai e ka ofenduar ushtruesen e detyrës së presidentes, duke thënë se edhe po të largohet e gjithë Kryesia e LDK-së nuk do ta zinte Osmanin aty.

“Unë e di që ajo është tepër e madhe dhe i duhet hapësirë shumë, a po kupton çfarë, qysh konteksti po e them. Unë e di që ajo është tepër e madhe, e gjanë (e gjerë) edhe i duhet hapësirë shumë, po nuk e paskna ditë që duhet komplet një Kryesi me ja lëshu vendin edhe nuk e di a e nxenë”, ka thënë Veliu për Periskopin, transmeton KultPlus.

Ndërkohë, LDK dhe Vjosa Osmani kanë ndarë rrugët. Kjo e fundit para disa ditëve ka bërë publike slloganin e iniciativës me të cilën do të garojë në zgjedhjet që pritet të mbahen. / KultPlus.com

Maskat po ndryshojnë mënyrën se si truri ynë përpunon fytyrat e njerëzve

Dëshironi ndonjëherë që të nxitoni për të përshëndetur dikë që është pra jush, por nuk jeni të sigurt se personi që qëndron pas maskës është vërtet dikush që e njihni? Studiuesit në Universitetin e Jorkut në Toronto të Kanadfasë dhe ata në Universitetin Ben-Gurion në Izrael, thonë se nuk jeni vetëm.

Një studim i ri, i udhëhequr nga studiuesit në Fakultetin e Shëndetësisë dhe programi VISTA (Vision Science to Applications) në Universitetin e Jork, zbulon se aftësia jonë për të njohur fytyrat po dëmtohet rëndë nga përdorimi i maskave, dhe se ky perceptim i dobësuar i fytyrave po ndikon në ndërveprimet tona shoqërore me të tjerët.

“Maskat e fytyrës, janë një mjet thelbësor në përpjekjet tona për të minimizuar transmetimin e Covid-19, dhe këto maska ​​janë këtu për një të ardhme të parashikueshme. Prandaj, është e rëndësishme të kuptojmë se si maskat ndikojnë në aftësinë tonë më të rëndësishme perceptuese, që është perceptimi i fytyrës”-thotë profesor Erez Frojd, i Departamentit të Psikologjisë në Fakultetin e Shëndetësisë të Universitetit York.

“Ne zbuluam se maskat e fytyrës jo vetëm e reduktojnë aftësinë tonë për të njohur fytyrat e njerëzve, por gjithashtu ato po e ndryshojnë mënyrën sesi truri ynë përpunon fytyrat e njerëzve. Perceptimi i fytyrës, mbështetet zakonisht në përpunimin holistik, që është përpunimi i fytyrës në tërësi. Por për fytyrat e maskuara, kjo formë e perceptimit nuk është aq efikase”- thotë ai.

Frojd dhe bashkautorët e studimit, rekrutuan 496 të rritur për të kryer një detyrë të përbashkët për njohjen e fytyrës në internet, në të cilën ata panë në fillim fytyra të panjohura, dhe më pas u përpoqën t’i njihnin ata në kushte të ndryshme. Studimi përfshiu 253 femra dhe 243 meshkuj.

Duke përdorur një version të përshtatur të “Cambridge Face Memory Test”,ata vlerësuan aftësitë e përpunimit të fytyrës për fytyrat e pa maskuara dhe të maskuara. Pjesëmarrësit në studim u caktuan rastësisht në njërin nga dy grupet.

Studiuesit zbuluan se maskat ndërhyjnë në atë që konsiderohet si përpunim normal holistik i fytyrave. Kjo rënie e performancës, varionte në një numër të konsiderueshëm tek pjesëmarrësit me performancës më të dobët,që vërehet shpesh tek njerëzit me një defiçit të lindur në perceptimin e fytyrës (e njohur si “verbëria e fytyrës” ose prozopagnozia).

“Efekti i përmbysjes së fytyrës, është një fenomen i mirënjohur, që tregon një aftësi të zvogëluar për të identifikuar fytyrat e përmbysura, krahasuar me fytyrat e paraqitur më këmbë.

Gjatë eksperimentit tonë ne zbuluam se ky efekt i njohur zvogëlohet për fytyrat e maskuara, duke sugjeruar që ato fytyra të përpunohen në një mënyrë më analitike, nga tipare specifike sesa nga tërësia e tipareve. Ky zbulim mund të shpjegojë arsyen, pse nuk mund të kemi mundësi të krijojmë një paraqitje holistike të një fytyre të maskuar, atëherë aftësia jonë për njohjen e fytyrës ka më shumë të ngjarë të dështojë”- thekson Frojd.

Ne e përdorim njohjen e fytyrës në çdo aspekt të ndërveprimit tonë shoqëror. Ne gjejmë të dhëna për identitetin, gjininë, emocionin dhe qëllimet e njerëzve përreth nesh, thonë studiuesit. Por në epokën e maskave të fytyrës, fytyrat nuk duken njësoj. Ky ndryshim, është ai që studiuesit thonë se mund të ndikojë në aftësinë tonë për të bashkëvepruar me njerëzit përreth nesh, si dhe për të interpretuar ndërveprimin shoqëror. bota.al/ KultPlus.com

‘Fjalori gjerman’ i vëllezërve Grimm kremton 60-vjetorin

Ndonëse synuan të rrumbullakonin projektin e tyre në 10 vjet, vëllezërit Grimm vdiqën një shekull para se vëllimi i fundmë i veprës së tyre të botohej më 1961

I rëndë sa edhe i gjatë, “Fjalori gjerman” nga vëllezërit Grimm është një ushtrim në superlativ. Folkloristët dhe gjuhëtarët Jacob dhe Wilhelm Grimm ishin veçanërisht të marrosur pas shkronjës A, duke e quajtur atë “më e fismja dhe origjinalja nga të gjithë tingujt”. Jobefasisht, Fjalori i tyre i dëgjuar nis me një histori të hollësishme gjuhësore të zanores.

Ishte njëfarë prologu për projektin epik të nismuar nga vëllezërit Grimm në Kassel më 1838: të regjistrohej zanafilla dhe përdorimi i akëcilës fjalë gjermane – në të vërtetë, e gjithë gjuha e re e lartë gjermane nga Lutheri te Goethe “në krejt plotninë”. Një plan ambicioz dhe ndërmarrja e shekullit.

Profesorët e gjuhësisë patën papandehur krejt kohën e dynjasë kur u pushuan nga Universiteti i Göttingenit. Tok me pesë profesorë të tjerë, ata ishin pjesë e “shtatëshes së Göttingenit” që i mëshonte një kushtetute më liberale.

Gjatë kohës së kaluar në egërsinë e të qenit të papunë, Jacob dhe Wilhelm Grimm morën zemër nga botuesi në Leipzig, Salomon Hirzel, të “përpilonin një fjalor të ri e të madh të gjuhës gjermane”.

Me Hirzelin që ofroi të jepte mbështetje botuese për projektin, vëllezërit nisën punën e tyre për Fjalorin gjerman më 1838. Ata nuk qenë në gjendje në të gjallë të rrumbullakonin detyrën e tyre prej mamuti.

Ky projekt kishte edhe një përmasë ashiqare politike. Me të synohej të bashkohej gjuhësisht Rajhu gjerman dhe të ndihmohej sheshimi i rrugës për një konfederatë të principatave të hapërdara gjermanishtfolëse.

Image

Sidoqoftë, Wilhelm Grimm i mbahej asaj që “larushia e të folmeve” duhej të ruhej. “Gjuha e shkruar është gjëja e përbashkët që bashkon të gjitha fiset”, thoshte ai.

Skema mori hov dhe u bë e atillë sa të përfshinte më shumë se 80 bashkëpunëtorë që punonin me Grimmët për të përpiluar gjysmë milioni regjistrime historike gjuhësore.

Por Wilhelm Grimm ngulmoi që Fjalori do të merrte kohë dhe kërkoi durim gjatë një mbledhjeje të gjuhëtarëve ekspertë më 1846 në Gjermani. “Një vepër e këtij lloji kërkon një punë të gjatë e të vështirë, përmbyllja e së cilës nuk mund të bëhet me detyrim”, tha ai.

Më 1854, vëllimet e para të Fjalorit të Grimmëve më në fund u botuan. Por Wilhelm Grim ende po punonte me hyrjet për shkronjën D, kur vdiq më 1859. Vëllai i tij, Jacobi, ia doli të përfundonte shkronjën E dhe po punonte për fjalën “Frucht” (fryt), kur vdiq më 1863.

Pas vdekjes së dy vëllezërve, breza të tërë gjermanistësh vijuan projektin e Fjalorit monumental. Por do të duheshin edhe 107 vjet të tjerë pas botimit të dy vëllimeve të para që vepra të rrumbullakohej.

Nga koha e Bismarkut, Akademia pruse e Shkencave mbikëqyri realizimin e Fjalorit, me anëtarë të shquar si fizikani Max Planck, që kërkonte përfundimin e tij. Puna vazhdoi gjatë Luftës së Ftohtë në të dy Gjermanitë. Vëllimi i 32-të dhe i fundit u botua më 4 janar 1961. Hyrja e fundit për Z ishte “Zyypressenzweig” (degë selvie).

Në atë kohë, hyrjet origjinale të shekullit të 19-të nga vëllezërit Grimm ishin aq të tejkaluara, sa duhej të rishikoheshin në tërësi. Më 2016, ripunimi nga “Aal” (ngjalë) deri te “Zahlenmystik” (numerologjia) u përfundua krejtësisht. 178 vjet pasi kishte filluar, periudha e fundit u vendos në “Fjalorin gjerman” nga vëllezërit Jacob dhe Wilhelm Grimm.

Sot, kompleti, që peshon 84 kilogramë në formë analoge, është i qasshëm veç në formën digjitale. Mes të tjerash, Universiteti i Trierit ofron një edicion online, “Digital Grimm”, falas për të gjithë. Është një vepër monumentale për gjermanishten dhe një specie e përveçme që ka hyrë në Librin e Guinessit.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Salih Mehmeti. / KultPlus.com

Me moton ‘Shqipëria buzëqesh’ hapet qendra për vaksinën AntiCovid në Shqipëri (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar një sot një video me pamjet nga qendra e parë e vaksinimit antiCovid e cila po instalohet në stadiumin ‘Air Albania’, përcjellë KultPlus.

Sipas tij, në këtë qendër rinisë një Shqipëri e re me më shumë besim tek e ardhmja dhe me më shumë forcë për të përballuar çdo sfidë.

“Mirëmëngjes nga qendra e parë e fushatës shqipëriabuzëqesh, aty ku nis së shpejti vaksinimi antiCovid19 dhe rinis një Shqipëri me më shumë besim tek e ardhmja e tek fuqia e saj për t’u përballur e për të fituar çdo sfidë”, ka shkruar Rama.

Qendra e parë e vaksinimit antiCovid po instalohet në stadiumin Air Albania pas sigurimit të 500 mijë dozave të para të vaksinës nga kompania “Pfizer” . Vaksinimi do të nisë javën e tretë të janarit, sikurse ka deklaruar kryeministri Rama dhe të parët që do të vaksinohet janë grupet e riskut do të jenë mjekët dhe infermierët. / KultPlus.com

Greta Thunberg pasi mbushi 18 vjeç: Do tregoj sekretet e errëta

Aktivistja Greta Thunberg ka mbushur 18 vjeç, dhe teksa falenderoi ndjekësit për urimet, ndau me ta edhe një mesazh ironik.

“Faleminderit shumë për të gjitha urimet në ditëlindjen time të 18! Sonte do më gjeni poshtë klubit të zonës, duke treguar të gjitha sekretet e errëta që fshihen pas teorive konspirative të klimës dhe grevës së shkollës dhe njerëzit e ligj që s’më kontrollojnë dot më tani. Më në fund jam e lirë!”, shkroi Greta.

Postimi është një përgjigje ironike ndaj të gjithë atyre që mendonin se Greta ishte vetëm një fëmijë, që përdorej nga njerëz më të rritur e më të pushtetshëm se ajo.

Greta Thunberg, aktiviste dhe ish-kandidate për çmimin Nobel për Paqe, u shpall një nga vajzat/gratë që la gjurmë në dekadën që lamë pas, duke u renditur në vendin e 100 në listën e Grave më të Fuqishme sipas Forbes. / KultPlus.com

79-vjeçari tregon se si ka udhëtuar nga New York-u në Vietnam për t’iu dërguar ushtarëve birra

Ai e gjeti vetën në mes të fushëbetejës më vdekjeprurëse, vetëm sa të iu sjellë ca kënaqësi dhe relaksim miqve ushtarë.

Një marins i pensionuar ka ndarë historinë se si ka udhëtuar nga Nju Jorku deri në Vietnam gjatë luftës së Vietnamit që të dërgonte birra për miqtë e vet amerikan që po shërbenin si ushtarë atje, shkruan “DailyMail”, transmeton KultPlus.

John “Chick” Donohue, tani 79 vjeç, u nis me barkë në udhëtimin e tij thuajse 13 mijë kilometra, që zgjati 4 muaj në nëntor të vitit 1967.

Në atë kohë ai ishte 26 vjeç dhe kishte shërbyer që prej 4 vitesh në marinën amerikane. Ai ka treguar se si ai donte të iu sjellë pak gëzim ushtëtarëve që po shërbenin në Vietnam, duke u përpjekur ta shuajnë luftën.

Gjatë rrugëtimit të tij, ai u kap në mes të një prej betejave më të  mëdha të luftës së Vietnamit, dhe në një pikë ai edhe pothuajse u vra nga forcat amerikane, sepse ky udhëtim ishte i dyshimtë dhe i paautorizuar nga ushtria apo marina.

Kur u nis në udhëtim, ai kishte me vete vetëm birra, çorape, një brisk rroje dhe dokumentet që e identifikonin si marins.

Ai nuk i tregoi askujt për udhëtimin e tij. Udhëtimi ishte shumë i vështirë sepse ai donte të shkonte tek 12 miqtë e vet, por ai kishte një ide shumë të zbehtë se në cilin regjion ata ndodheshin.

Ai u përball me oficer të lartë që ishin të dyshimtë rreth tij duke menduar se ai ishte një agjent i CIA që ishte dërguar për të infiltruar komunitetet lokale vietnameze për t’i kthyer kundër komunistëve, transmeton lajmi.net.

Shumica e trupave ishin konfuz se pse ai kishte ndërmarrë gjithë këtë udhëtim në një zonë të rrezikshme lufte vetëm për të dërguar birrë.

Mirëpo pas 4 muajsh mundime dhe trauma, ai më në fund u kthye në shtëpi. Ai më vonë shkroi një libër rreth udhëtimit të tij, i cili pritet së shpejti të kthehet në një film. / KultPlus.com

Pas disa vitesh ndalimi, gratë në Moskë lejohen të vozitin trena

Trenat në sistemin e famshëm të metrosë në Moskë tani do të drejtohen nga gratë, pas një ndalese të gjatë që u është bërë.

Gruaja e parë e filloi punën të dielën, sipas një deklarate nga Departamenti i Transportit të Moskës.

Ministria e Punës në urdhëroi që gratë të lejohen të drejtojnë trena në rrjet një vit më parë, dhe tani grupi i parë ka përfunduar me sukses një program trajnimi dhe janë bërë pjesë e punës. Nga 25 gra që filluan kursin, 12 e përfunduan atë dhe do të bëhen shofere, thotë departamenti, shkruan CNN.

“Vitin e ardhshëm së paku punëtore të reja do të bashkohen”, thotë deklarata. “Ne jemi shumë krenarë që transporti i Moskës është vend që i përshtatet të gjithë njerëzve pavarësisht gjinisë”.

Punëtoret e reja do të punojnë në linjën e Filevskayas, një nga linjat më moderne të metros atje.

Grat ishin lejuar të vozitin tren nga vitin 1936, por më vonë në vitin 1980 u ndalua punësimi i shofereve gra.

“Kjo me arsyetimin se ata duan t’i mbrojnë gratë nga një punë jo e favorshme dhe kushte të pafavorshme pune”.

Kristina Vakulenko, 31-vjeçare, është gruaja e parë e cila ka aplikuar për programin. / KultPlus.com

Një monedhë e veçantë për nder të 95-vjetorit të Mbretëreshës Elizabeth II

Një monedhë speciale me vlerë pesë funte (5.54 euro) do të lëshohet në Britani të Madhe përpara ditëlindjes së 95-të të Mbretëreshës Elizabeth II, njoftoi sot Thesari Mbretëror.

“Zemra ime dhe përkushtimi im” është slogani që do të gdhendet në monedhë dhe i referohet një premtimi që mbretëresha ua bëri subjekteve të saj gjatë mesazhit të saj të parë televiziv të Ditës së Krishtlindjes në vitet 1950.

Monedhat 5-funtëshe nuk janë në përdorim të përditshëm dhe tradicionalisht lëshohen vetëm për raste shumë të veçanta.

Mbretëresha, ditëlindja e së cilës është më 21 prill, paraqitet në monedhat dhe kartmonedhat normale të valutës britanike./atsh/ KultPlus.com

Edhe “Quo Vadia, Aida” në Golden Globe, luan edhe Alban Ukaj

Me regji të Jasmila Zbanic, filmi “Quo Vadis, Aida” do të prezantohet në edicionin i sivjetëm të ‘Golden Globes’ e në të cilin luan edhe aktori shqiptar Alban Ukaj, shkruan KultPlus

Filmi “Quo Vadis, Aida”, është i bazuar në një ngjarje të vërtetë, të një përkthyeseje ndërkombëtare e cila ka shërbyer në atë periudhë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Zbanic që është shpërblyer me filmin e saj “Grbavica”, ku edhe në vitin 2006 pat fituar Ariun e Artë në Berlin, duket se sërish ka kthyer vëmendjen e medieve dhe kritikëve të filmit.  

Aktori shqiptar, Alban Ukaj që luan në këtë film ka rolin e përkthyesit Tarik.

Kujtojmë se në edicionin e 78-të të ‘Golden Globes’ do të prezentohet edhe filmi ‘Exil’, i regjisorit Visar Morina/ KultPlus.com

Historike, Kosova për herë të parë në Golden Globe me “Exil” të Visar Morinës

Filmi ‘Exil’ i regjisorit Visar Morina do të prezantohet në edicionin e 78-të të  ‘Golden Globes’, shkruan KultPlus.

Filmi ‘Exil’ në ceremoninë ‘Golden Globes’ konkurron në kategorinë e filmave të huaj.

Exil është një përpjekje për të zgjuar pasiguritë e jetës dhe arsyet e mikroagresioneve. Xhaferi, një kosovar që jeton në Gjermani, gjen një mi të vdekur, të cilin dikush e ka lënë të varur në derën e tij të përparme. I irrituar nga rutina e tij e ashpër në punë, Xhafer mendon dhe përpiqet të zgjidhë misterin dhe arsyet pse dikush do ta bënte atë gjë.
Ai përpiqet ti fajësojë të gjithë; nga politika e zyrës deri tek disa nga qëndrimet e kolegëve të tij, por ai nuk mund të gjejë një arsye. Bashkëshortja e tij mendon se e gjithë kjo duhet të jetë shaka e dikujt.

‘Exil’-i është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und Medienstiftung NRË, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, dhe German Federal Film Board.

‘Exil’-i poashtu sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi./ KultPlus.com

I penduar, burri kthen shpatën që e kishte vjedhur nga një statujë para 40 vjetësh

Një person ka kthyer shpatën që e kishte vjedhur nga një statujë të gjeneralit të Luftës Revolucionare para 40 vjetësh, derisa i ka thënë drejtoreshës së komisionit të historisë në Massachusetts se është penduar për të.

Drejtoresha e Komisionit të Historisë të Westfield, Cindy P. Gaylord, tha se një burrë e kishte kontaktuar dhe i kishte thënë se kishte vjedhur shpatën nga statuja e gjeneralit William Shepard në vitin 1980.

Gaylord pranoi që ta mbante atë person anonim nëse do ta kthente shpatën e bronztë, duke ia bërë të mundur që atë ta dorëzonte te shtëpia e saj.

“Ai është veteran dhe më tha se fakti që ai ia bëri këtë një tjetër ushtari, e trazoi atë. Ai do që ngjarja e tij t’i kujtoj njerëzve se diçka që bën në rininë tënde mund të të trazojë për tërë jetën”, tha ajo.

Shpata e vjedhur ishte zëvendësuar nga një skulptor lokal dhe ishte paguar nga një donator anonim, ndërsa shpata e rikthyer me shumë gjasa do të mbahet në muze, raporton The Republican, transmeton AP.

Shepard ka lindur në 1730 dhe ka luftuar si ushtar në disa luftëra, përfshirë Luftën Revolucionare. Qyteti kishte ngritur statujën e tij në vitin 1919./ap/ KultPlus.com

Restaurohet “Vitet e Pritjes”, filmi mbi dramën shqiptare të emigrimit

Arkivi Qendror i Filmit ka njoftuar ditën e sotme se është drejt përfundimit  procesi i restaurimit të filmit “Vitet e Pritjes” (Shqipëria e Re, 1989).

Sipas njoftimit zyrtar restaurimi është realizuar nga regjisori  Steven Kastrissios  (i njohur për publikun shqiptar për realizimin e filmit të parë horror në  shqip “Bloodlands”).

“Vitin e kaluar Festivali i Filmit në Venecia dhe ai i Telluride, shfaqën premierë dokumentarin artistik TO THE MOON të Tadhg O’Sullivan, ku përfshihet edhe një segment i shkurtër nga VITET E PRITJES (1989) të Esat Musliut. Elementet origjinal u skanuan në laboratorin e arkivistit zviceran Reto Kromer, i cili ka mbështetur përpjekjet tona nëpërmjet ACP – Projektit të Kinemasë Shqiptare që nga 2012”, thuhet në njoftim.

I shfaqur premierë në vitin 1990 në një kohë kur drama e emigracionit në Shqipëri po niste sërish, akoma me e fuqishme se ajo e viteve 1930, ky është bashkëpunimi i parë i Regjisorit Esat Musliu me shkrimtarin Teodor Lacco, bazuar mbi romanin e tij  “Lëndina e lotëve”.

Një roman kushtuar emigracionit me ngjarje të ndodhura në vitet ’30-të. Temë kjo që është parë si plagë e shoqërisë dhe që Laços i pëlqente ta quante “operacion që bëhet mbi plagën e varfërisë”.

Skenaristi nuk kishte bashkëpunuar kurrë me regjisorin Esat Musliu, i cili aso kohe i kërkoi të bashkëpunonte dhe ai rekomandon pikërisht këtë roman, që përgjatë filmit iu shtuan shumë linja të reja, prej të cilave vlen të përmendet Magda e interpretuar nga Rajmonda Bulku.

Është mesi i viteve ’20. Gjon Kodri kthehet nga Amerika por e ka të pamundur të integrohet përsëri në jetë. Me një shtëpi të braktisur, nënë të vdekur dhe motër të martuar shumë larg, ai nuk nga t’ia filloj. Të gjithë e pyesin për emigrantë të tjerë që nuk kanë më lidhje me familjet por ai rri i heshtur dhe nuk është në gjëndje të komunikojë me të tjerët që e rrethojnë.

Është ky sinopsi filmit “Vitet e pritjes” ku interpretojnë aktorët më të njohur të kinemasë shqiptare si Xhevdet Ferri, Sheri Mita, Margarita Xhepa, Stavri Shkurti, Birçe Hasko, Marjeta Ljarja, Vasjan Lami, Birçe Hasko, Rozeta Ferri etj. Teodor Laço nuk ngurroi asnjëherë t’i rrëfente atyre të vërtetën e autobiografisë që shkroi. Ai e kishte vuajtur plagën e kurbetit qysh në fëmijërinë e hershme. Ishte një djalë emigranti që nuk mundi ta njihte të atin, i cili e la vetëm gjashtë muajsh duke ikur dhe u kthyer pas 22 vjetësh në Shqipërinë që jetoi vetëm katër muaj, për të ikur sërish.

“Jam nga Dardha e Korçës, ky fshat tipik kurbetllinjsh që ka pasur lidhje të ngushtë me Amerikën dhe ku gratë rrisnin vetë fëmijët. Jam nga fshati tragjedisë” , thoshte ai shpesh.

Është kjo arsye pse ndjehet kaq e theksuar në këtë film ky element, me të cilin Teodor Laço luan përmes metaforës me anë të këmbanës. Të gjitha lajmet vijnë nëpërmjet tingullit të saj, e cila në film quhet edhe “këmbana e gjëmës”. Një fakt ky, që na tregon dhe realitetin e asaj kohe sepse në fshat kur vinin lajme nga kurbeti, ajo binte në mënyrë të veçantë. Binte ngadalë dhe të gjithë familjet që kishin të afërmit e tyre në emigrim rrinin me zemër të ngrirë karshi të vërtetës së kobshme që do të dëgjonin. Gjëmën e përcillnin zakonisht burrat e moshuar të fshatit, sikundër në film ishin gjithnjë tre. Një traditë kjo që e përcillte pleqësia në mënyrë që të lehtësohej mundësia për të dhënë lajmin e keq. /dp/ KultPlus.com