Kur e lanë mbas kodrinën e fundit dhe dolën në një pllajë që qonte te rrahat ku mrizonin bagëtia, Gazetari amerikan ndjeu sikur u lirue nga sikleti kur u ndalen te memoriali i fundit dhe turma çirrej me ato ulërimat gjithë fyerje ndër më çnjerëzorët që i drejtoheshin kufomës së Kolonelit të vrarë.
Këto janë varret, pyeti Vlorën e çmendur.
Nuk janë varre, po gropë coftinash, ia ktheu ajo. Gazetari amerikan sikur u zu ngusht. Mendja ia tha se Vlora tashmë ngatërronte gjërat keqas.
Koloneli nuk do të ketë varr. Do të hudhet në gropën e coftinave. Kështu kanë vendosë ata që e kanë vrarë! Kjo nuk është vetëm hakmarrje, por një kërcënim ndaj atyre që shpallën tradhtarë dhe ndaj viktimave të tyre, turmës së pafund. Ç’e do që në këtë botë të përhumbur viktimat nënçmohen, ndërsa vrasësit nderohen dhe madje kremtohen deri në dalldi…
Sapo i tha këto, Gazetari amerikan i tmerruat fare, pa se si Vlera e çmendur mori ikën drejt Sukës me çirrmën ngojë:
“Oh, Amerikë!…Amerikë!”
(Shkëputur nga romani “Mona”, Prishtinë, 2020). / KultPlus.com
Si sot, më 4 Janar të vitin 1710 u lind Giovanni Battista Pergolesi, një kompozitor, organist dhe violinist italian i kohës së Barokut.
Ndër veprat më të njohura të tij, ku edhe sot ekzekutohen janë Stabat Mater, kompozim sakral, i cili e kompozoi disa javë para vdekjes. Vepër e cila popullaritetin më të madh e morri pas vdekjes së kompozitorit.
Kompozim tjetër i njohur i tij ka qenë edhe vepra “Salve Regina”, të cilën keni hasur ta dëgjoni edhe në filmin Farinelli, të Gerard Corbiau.
Pjesë nga veprat e tij mund t’i dëgjoni edhe në filmin “The Mirror” të Andrei Tarkovsky.
Publikohen në internet, skica nga “Komedia hyjnore” që rrallë shihen për të shënuar 700 vjet nga vdekja e poetit, sipas “The Guardian”, transmeton KultPlus.
Tetëdhjetë e tetë vizatime të rralla nga “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit, janë shfaqur në ekranin virtual, ndërsa Italia fillon kalendarin e ngjarjeve njëvjeçare, për të shënuar 700-vjetorin e vdekjes së poetit.
Vizatimet, nga artisti i Rilindjes së shekullit të 16-të, Federico Zuccari, po ekspozohen në falas internet, nga Galeria Uffizi, Firence.
“Deri më tani, këto vizatime të bukura janë parë vetëm nga disa studiues dhe janë shfaqur në publik, vetëm dy herë, por pjesërisht,” – tha Eike Schmidt, drejtori pranë “Uffizi”.
“Aktualisht ato janë botuar të plota, së bashku me një koment didaktiko-shkencor dhe [nga e premtja], do të jenë në dispozicion falas.”
Dante Aligeri, i njohur si ati i gjuhës italiane, lindi në Firence më 1265 dhe vdiq dhe u varros në Ravenë, në vitin 1321. Poema e tij epike, “Komedia hyjnore” , është e ndarë në tri pjesë dhe tregon udhëtimin e një pelegrini nëpër ferrin, purgatorin e parajsën.
Skicat u përfunduan nga Zuccari gjatë një qëndrimi në Spanjë midis viteve 1586 dhe 1588. Nga 88 ilustrime, 28 janë paraqitje të ferrit, 49 të purgatorit dhe 11 të parajsës.
Pas vdekjes së Zuccari-t, më 1609, vizatimet u mbajtën nga familja fisnike Orsini, familje për të cilën, artisti kishte punuar e më vonë, nga familja Medici, para se të bëhej pjesë e koleksionit të galesirë “Uffizi”, në vitin 1738.
Për shkak të brishtësisë së tyre, vetëm një përzgjedhje e vizatimeve me laps dhe bojë janë ekspozuar publikisht në të kaluarën. Hera e parë ishte në Firence në 1865, për të shënuar 600-vjetorin e lindjes së Dantes, si dhe bashkimin italian dhe hera e dytë, për një ekspozitë në Abruzzo, në vitin 1993.
Galeria Uffizi është me të vërtetë krenare që hap përvjetorin e vdekjes së poetit të madh, duke e bërë të disponueshme për të gjithë këtë koleksion të jashtëzakonshëm të artit grafik,” – tha Schmidt. Ai shtoi se punimet ishin “material i vlefshëm” jo vetëm për studiuesit, por edhe për ata të apasionuar pas Dantes dhe të interesuar në ndjekjen e tij të “dijes dhe virtytit”
Ngjarjet që përkujtojnë përvjetorin e vdekjes së Dantes, pritet të vijojnë gjatë gjithë vitit në Firence, Ravenë (Ravenna), si dhe 70 qytete me zonat përreth, lidhur me poetin./konica/ KultPlus.com
Lugina e Valbonës këto ditë të para të 2021, të magjeps me bukurinë e bardhësisë së ofruar nga flokët e dëborës që kanë zbardhur malet e larta dhe pishat.
E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, në këto ditë dimri Valbona ka pritur vizitorët e parë që po shijojnë pamjen që ajo ofron.
Ky park kombëtar nuk njeh stinë, pasi vizitorë të shumtë e zgjedhin atë. Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror, por edhe atë të dimrit. Ndërkohë që turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.
Parku Kombëtar i Valbonës është një kompleksitet bukurish interesante, ashtu siç janë vetë Alpet Shqiptare.
Këtu bukuritë e natyrës marrin formën e majave shkëmbore të larta e imponuese me faqe të veshura me pyje mes të cilave shtrihen e ndihet rrjedha e përrenjve edhe e lumit të Valbonës.
E parë nga lart të ofron imazhin e një krateri gjigand të zbukuruar mrekullisht me të gjitha ngjyrat e natyrës së gjallë. Në hyrje të kufirit lindorë, në afërsi të Shoshanit, të impresionon një peizazh i rrallë për nga bukuria.
Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.
Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbone e Çerem.
Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte. /atsh/ KultPlus.com
Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Xhemil Tagani duke shënuar një ditë të trishtë për artin shqiptar.
Tagani u lind në Tiranë, më 6 shkurt 1945, ndërsa në karrierën e tij artistike ka interpretuar mbi 70 role në teatër, kryesisht nga dramaturgjia kombëtare.
Në vitin 1963 mbaron Shkollën e mesme Politeknikumi “7 Nëntori” Tiranë. Studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve Tiranë i mbaroi në vitin 1967. Ndërsa vetëm një vit më vonë u emërua aktor pranë Teatrit Popullor në Tiranë, derisa doli në pension. Në karrierën e tij artistike 35 vjeçare ka interpretuar mbi 70 rrole te ndryshme në skenën e Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Ai luajti edhe mjaft role të dyta dhe episodike dhe u shqua për krijimin e karaktereve.
Pas vitit 1992 u shkëput nga teatri, duke e mbyllur karrierën e tij të mbi tre dekadave në skenën e Teatrit Popullor. Në kinematografi ka luajtur mbi 13 rrole te ndryshme. Pas një shkëputje 15 vjeçare dhe daljes në pension, në vitin 2012 i rikthehet skenës së teatrit në interpretimin e një roli në Komedinë “Familja në shi” me autor dhe regjisorë Ilir Bezhani, një rol i cili pati sukses.
Disa nga rolet e tij në Teatër: Agroni – Shokët, Alqi – Studentja e vitit të fundit, Tushka – Një nuse për Stasin, Uçi – I pazvëndësueshmi, Selimi – Bashkë me Agimin, Ina – Arturo Ui, Peç Mbloçi – Lumi i vdekur, Reizi – Duke u gëdhirë viti 1945, Samiu – Kështu të dua, Perikliu – Pallati 176, Thomai – Nën dritat e skenës, Kryqi i bardhë, etj.
Disa nga rolet e tij në film: Përrallë nga e kaluara (1987), Zëvendësi i grave (1987) Gurët e shtëpisë sime (1985) Taulanti kërkon një motër (1984) Fushë e blertë fushë e kuqe (1984) Tokë e përgjakur (1976) Gadhnjim mbi vdekjen (1967) Kush është vrasësi. / KultPlus.com
Këngëtari i njohur Redon Makashi sapo ka publikuar këngën e tij më të re që mban titullin ‘Më mohove’, shkruan KultPlus.
Makashi e ka publikuar së pari në rrjetin social Facebook, ku ka potencuar se kjo këngë është kartolina e tij për vitin 2021.
‘Një falenderim special për të gjithë bashkëpunëtorët, muzikantët Arian Gjici, Eugen Bejleri, Hektor Duri, Arbër Kocllai, Eneda Tarifa, Juli Paasha, modelja Daniela Shima dhe realizimi i klipit nga studio ‘Pro Vidio”, ka shkruar ndër të tjera këngëtari. / KultPlus.com
Të të drejtohem me: “I dashur Arben”, nuk më je i dashur. Të të drejtohem me: “I nderuar Arben”, është mëse qesharake, sepse të nderuar nuk mund të të quaj assesi, as unë dhe askush nga komuniteti besoj.
Të të drejtohem me: “Z. Arben”, vetëm zotëri nuk je. E dimë të gjithë ne, se ti e ke kompleks të përjetshëm origjinën tënde; se ti vjen nga – bagëtia dhe bujqësia. Ti nuk bën përjashtim nga shumica e udhëheqësve të institucioneve, prandaj mos u shqetëso.
E di që nuk shqetësohesh, sepse ti nuk je shqetësuar për dëmet kolosale dhe të pariparueshme që i ju ke shkaktuar kineastëve dhe kinematografisë. Nuk shqetësohesh as që e vjedh rregullisht buxhetin e QKK-së në baza vjetore.
Nuk shqetësohesh që bënë borde dhe juri tërësisht në shërbim tëndin vetanak. Nuk shqetësohesh që je partner në kompani që fiton çdo vit projekte të financuara nga juritë tua që ndajnë paratë nga buxheti i QKK-së. Nuk shqetësohesh që ke lëndë në gjykatë. Nuk shqetësohesh sepse të mbronë politika, konkretisht një politikan mjeran, që ka nevojë për përqindjen që siguron nga veprimtaria jote.
Nuk shqetësohesh, sepse shqetësimi është virtyt i njerëzve të edukuar dhe të arsimuar dhe jo i origjinës tënde – bagëtisë dhe bujqësisë. Kur kinematografia udhëhiqet nga – bagëtia dhe bujqësia, një vend i tillë është i mbaruar. Sepse çobenjtë (shumësi i çoban), që përfshinë dhe politikanin tënd protektor, fatkeqësisht udhëheqin pothuajse me të tëra instutucionet vitale të vendit, dhe i trajtojnë njerëzit me mentalitetin e udhëheqjes së kafshëve. Bagëtia dhe bujqësia i kanë rregullat e veta. Dhe ti e di mirë këtë fakt. Se vjen nga bagëtia dhe bujqësia.
Shpresa se një ditë do të bëhet mirë, ka kohë që na është shuar. Mjeranët si Arbeni dhe protektori i tij politikan, kanë kontribuuar në shurajen e shpresës. E dinë këtë fakt, prandaj nuk bezdisen nga ligjet. Sepse i vetmi ligj i mirë-instaluar në këtë vend, është – papërgjegjësia. Për këtë soj, drejtësia është është në shërbim të tyre. Drejtësia gjenë zbatim vetëm për të dobtit.
Ambicia jote, është ambicie e njeriut të uritur. Ti do të fitosh shumë, sepse ke frikë se mos kthehesh në origjinë, se mos kthehesh tek – bagëtia dhe bujqësia. Kthimi në origjinë, atje prej nga dikur ëndërroje ardhjen në qytet vetëm për vizitë, do të do të ishte i papërballueshëm. Do të ishte kthim me fatalitet.
Ja që ti e dëshmove që: erdhe, shikove dhe fitove. Soji juaj, jeni të fituar, vlerësuar nga këndvështrimi i juaj. Vlerësuar nga këndvështrimi im, dëmi që i keni shkaktuar këtij vendi, është i pariparueshëm. Ju keni mungesë të organit vital, të quajtur ndërgjegje (nëse ndërgjegjia mund të quhet organ). Mungesa e ndërgjegjes, ju bënë të lumtur, vetëm sepse jeni të plotësuar materialisht. Ky “virtyt”, është motiv bazë i sojit tuaj, që vjen nga uria e vazhdueshme që ju karakterizon. Ju jeni të uritur. Ju jeni shumë të uritur.
Dikur, njerëzit edhe pse të uritur, i karakterizonte dinjiteti, që ju gjithashtu e keni të munguar. Dashuria për atdheun, ishte karakteristikë e të gjithëve. Tani, dashuria për atdheun është konvertuar në mundësi për tu pasuruar. Dhe është karakteristikë e njerëzve të uritur pa dinjitet. Sot, ndjenjë për shtetin kanë vetëm të mirë-edukuarit dhe të mirë-arsimuarit. Fatkeqësisht, ata që duan të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit janë të paktë dhe kanë kufizime të përhershme, sepse nuk janë të uritur. Sot, shteti është ekskluzivitet i të uriturve.
Unë nuk ndjejë urrejtje për ty. Unë nuk mund të kem urrejtje për një përfaqësues të dinjitetshëm të sojit tënd. Për dikë si puna jote, unë kam vetëm përbuzje. Sinqerisht, ndjejë keqardhje për mjerimin tënd. Sepse më shkaton neveri të skajshme, një mjeran me post. Ti je një i mjerë parekselancë. Në mjerimin tënd, ti gjenë motiv për të qenë i lumtur me punën tënde madhore, vjedhjen konstante. Me jargavitjen, poltronizmin dhe servilizmin, që të karakterizojnë, e shtynë mirëqenien tënde. Fundja, pse duhet ti të përbësh dallim nga të tjerët? Vjedh sa të mundesh se nuk të bezdis njeri.
Njeriu nuk lë pas vetes konton bankare trashigimi, por lë veprat. Veprat që do të shënohen në CV-në tënde, janë jargavitja, plotronizmi dhe servilizmi i skajshëm. Mjer ti për veten tënde dhe projeksionin tënd mbi fitimet joligjore përmes kinematografisë. Ty të solli politika. Dhe politika do të të rrënojë, ditën që nuk do të kenë nevojë për shërbimet tua. Deri atëherë, shijoje pozitën dhe mundësitë që të ka dhënë ky vend, se shtet nuk mund ta quaj. Se shteti ka ligje dhe rregulla…
Në këtë vend, ku zotëron bagëtia dhe bujqësia, unë nuk dua të krijoj. Heq dorë nga krijimi.
Pa asnjë respekt për ty dhe sojin tënd.
Ky shkrim është opinion i Arben Kasratit dhe nuk paraqet qëndrimet e KultPlus. / KultPlus.com
Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, gjatë 2020 tërhoqi sërish një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “që prej janarit deri në dhjetor kalaja e Beratit u vizitua nga 24.050 vizitorëve nga të cilët 4891 ishin të huaj”.
Sipas tij, këto janë shifra goxha më të ulëta në krahasim me vitet e tjera.
“Për vitin 2020 situata e pandemisë së COVID-19 ka bërë që vizitorët të jenë shumë herë më pak se vitet e kaluara dhe përgjithësisht të jenë vizitorë ditorë, por gjithsesi në krahasim me sitet e trashëgimisë dhe kalatë e tjera, kalaja e Beratit ka pasur një frekuentim më të madh”, – theksoi Kallfani.
Drejtori Kallfani u shpreh se “shpresojmë që në 2020 të kemi sërish një numër të lartë turistësh nga e gjithë bota, që të vizitojnë Beratin dhe monumentet kulturore të tij, ku në pjesën më të madhe kemi kryer edhe restaurime të rëndësishme”.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.
Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë. /atsh/ KultPlus.com
Këngëtarja është paguar 1 milionë euro për rikthimin e saj.
Rita Ora pas rikthimit të saj në sezonin e radhës të “The masked singer” do të paguhet dyfish më shumë.
Një burim i afërt i këngëtares për media të huaj ka thënë se 30 vjeçarja ka bërë një marrëveshje të re.
‘Rita bëri një marrëveshje prej 1 milion £ për seri në rolin e saj si gjyqtare. Ata ishin vërtet të etur për të siguruar kthimin e saj pasi ajo kishte qenë një hit i madh në serinë e parë dhe natyrisht se Rita është një fytyrë shumë e dashur për publikun”.
Davina McCall dhe Jonathan Ross janë kthyer në vendet e gjyqtarëve së bashku me Ritën.
Rikthimi i Ritës vije pasi u pohua se ajo ishte larguar nga Britania e Madhe në javët e fundit të vitit 2020 pas skandalit në festën e ditëlindjes së 30, / KultPlus.com
Një polic amerikan u thirr me urgjencë për të arrestuar një familje të dyshuar se kishte vjedhur ushqime në një dyqan në Somerset, Massachusetts, transmeton KultPlus.
Por në fund, efektivi jo vetëm nuk i prangosi, përkundrazi, i pagoi vetë të gjitha. Historia e policit Matt Lima tashmë ka pushtuar titujt kryesore të disa gazetave amerikane. Edhe pse ngjarja ndodhi muajin e kaluar, ajo është mësuar tani. Dy gra u raportuan se nuk kishin kaluar në kasë të gjitha ushqimet e marra.
Ato u treguan mjaft të sinqerta në përgjigjen e tyre përpara efektivit: donin që të kishin si të gjithë një darkë normale Krishtl indjesh me të cilën të gëzonin fëmijët e tyre.
Por familja kishte hasur në vështirësi financiare këtë periudhë, e nuk e paguante dot të gjithë ushqimin. Lima i qortoi për shkeljen, por nga ana tjetër I la të merrnin të gjithë ushqimet pasi atë çfarë mungonte në faturën e pazarit, e pagoi nga xhepi i tij.
“Dy fëmijët e vegjël që ishin me njërën nga gratë më kujtuan fëmijët e mi”, tha polici. “Nuk mund të bëjë gjë tjetër përveçse t’i ndihmoja”, shtoi ai. / KultPlus.com
Nitin Sonawane, i riu nga India ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të festuar 150-vjetorin e Mahatma Gandhi duke udhëtuar në këmbë deri tani në 42 shtete.
Ndalesa e tij e radhës ishte Shqipëria, dhe i riu ka mbërritur në Sarandë. Vetë indiani Nitin e quan një marshim për paqen që ai e nisi nga India.
“Po udhëtoj në këmbë përreth botës për të festuar 150 vjetorin e Mahatma Gandhi. Arsyeja përse jam këtu ka të bëjë me shqiptarët, konkretisht me gruan e veçantë, Nënë Tereza e cila shërbeu në Indi. Unë kam udhëtuar në 42 shtete. Sot jam në Sarandë dhe më pas do të udhëtoj për në Tiranë, dua të takohem edhe me Presidentin”, ka thënë Nitin.
Nitin ecën për rreth 6-9 orë duke përshkuar rreth 30 km çdo ditë në këmbë. Qëllimi i udhëtimit të tij është njohja me traditat e vendeve ku udhëton dhe përcjellja e mesazhit të Mahadma Ghandi, “të shohim paqen tek njeri-tjetri.” /dp/ KultPlus.com
Ylli i Gerry dhe Pacemakers, Gerry Mardsen ka vdekur në moshën 78-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur Pete Price në rrjetet sociale, duke e çmuar kontributin e shokut të tij, i cili vdiq pas një infeksioni në zemër, shkruan Independent.
Ai shkroi “pas bisedës me familjen e tij, me pikëllim duhet t’iu lajmëroj se legjenda Gerry Mardsen ka vdekur pas një sëmundje të shkurtër, i cili kishte infeksion në zemër”, ka shkruar ai. “I dërgojmë gjithë dashurinë Paulinës dhe familjes së tij. Ti kurrë nuk do të ecësh vetë”, ka shkruar ai.
Mardsen ishte i njohur me hitet si “ I like it”, “How you do it”, dhe natyrisht “Ti kurrë nuk do të ecësh vetë” e cila është kënduar nga fansat e ekipit të Liverpoolit për dekada, gjithandej botës. /Koha/ KultPlus.com
Ti krijesë e bardhë prej qumështi, që shndrit si shenjtor, nuk e di se një mollë si ajo që po kafshon, ta solli vdekjen paradhënie, dhe kërcin e fytit, që na kujton se mbas dere rrinë macet dhe vdekja, dhe përgjojnë çastin tonë të egër. Ti djalosh prej dielli, që krahët shtriq i pashqetësuar nga e ardhmja plot bluarje kockash, rrahje të çmendura zemre, rrudhave që si leshterik të ravijëzojnë lëkurën, dhe dhëmbëve prej porcelani, i vetmi material që dheu nuk e tret, nuk e di se çfarë të pret, se çfarë na pret e krejt mospërfillje prej shenjtori tashmë në amshim, e mospërfill teorinë se : -Të jetosh dhe të vdesësh nuk janë e njëjta gjë…! E se hija që të ndjek sot, nesër do të jetë drita e dikujt tjetër që asgje post teje dhe shpirtit nuk pat’ / KultPlus.com
Një person me origjinë nga Afrika i cili ka mbijetuar për 11 orë fluturimi nga Johannesburgu deri në Londër i fshehur te rrotat e aeroplanit ka treguar fjalët e fundit të cilat i ka shkëmbyer me shokun e tij, trupi i të cilit ra nga aeroplani i British Airways i cili do të shkonte në Heathrow.
“Ne ja dolëm’ pastaj humba vetëdijen për shkak të mungesës së oksigjenit”, tha njeriu i njohur si Themba i cili për herë të parë foli publikisht për udhëtimin dëshpërues të cilën e morën dy burrat në vitin 2015.
Derisa ai shpëtoi dhe është duke jetuar për pesë vjet në Liverpool, i riu me prejardhje nga Mozambiku i cili u nis bashkë me të vdiq për shkak të disa lëndimeve pasi ra nga 430 metra nga fluturimi në qershor të 2015-ës.
Njeriu i cili vdiq quhej Carlito Vale dhe ishte nisur për Londër për të gjetur një jetë të re, shkruan The Guardian.
Burrat ishin përgatitur të qëndronin larg në një fluturim BA në pistën në Johanesburg duke studiuar planet e avionëve në një libër, tha Justin për Guardian. Këtë javë, historia e tij dhe e Vale do të tregohet në një dokumentar të Kanalit 4, “Njeriu që ra nga qielli”.
“Ne thamë që mund të shkonim nga Delta, por ne menduam që po shkonim për një fluturim të shkurtër, ‘le të shkojmë në Londër”, tha Justin. “Gjithashtu nuk kishim ide sesa plan i rrezikshëm ishte”.
Derisa është dyshuar se ata kanë pasur ndihmë nga brenda për të hyrë te vendi nga ku fluturuan, ai insistoi se planin e kanë bërë të vetëm.
“Nuk isha shumë larg nga motori. Ti mund ta ndjeje nga jashtë kur ai ishte duke u rrotulluar”, ka thënë ai. Ai ka treguar disa shenja të të djegurave në duar. “Ti mund t’i shihje shtëpitë poshtë derisa aeroplani ishte duke fluturuar”.
E vetmja gjë të cilën ai e mban mend është zgjimi në Londër, në një karrige me rrota.
Vale dhe Justin janë rritur bashkë në një qytet në Johannesburg. Vale kishte planifikuar që anëtarët e familjes t’i merrte nga Mozambiku pas disa vitesh.
“Më kujtohet kur kam folur me Karliton… ai tha që donte të bëhej DJ dhe pastaj ai do të kthehej ta merrte vajzën e tij pas disa vitesh”, ka thënë Justin. “Vërtetë e kam dëshiruar më të mirën për të, prandaj mendova që më e mira për ne është të shikojmë për një të ardhme më të mirë”.
Ai thotë se kishte parë vetën në spital ku policia dhe hetuesit i kishin treguar një fotografi të Vales.
Sipas tij, ai kishte menduar ende që ai ishte në aeroplan, por pastaj i kishin treguar se ai nuk ja kishte dalë.
Justin tanimë ka nisur një jetë të re në Liverpool dhe është duke bërë shoqëri të re.
“Kam parë që këtu është më e lehtë sepse njerëzit janë të mirë dhe gjentil”, ka thënë ai. /Koha/ KultPlus.com
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka falënderuar Kongresmenin amerikan Eliot Engel për angazhimin e tij për Kosovën.
Shefja e diplomacisë kosovare, ka veçuar momentet kryesore të angazhimit të Engel për Kosovën, i cili vazhdon të jetë zëri i fuqishëm i Kosovës në Washington.
“Ju na ndihmuat në momentet tona më të errëta, ishit dhe vazhdoni të jeni zëri ynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një kampion për të drejtat tona dhe vendin tonë në botë, një përpjekje që vetëm miqtë e vërtetë mund ta bëjnë. Ju ishit një fener drite që na përfaqësonit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe e vërteta jonë ishte e sigurt me ju, dhe për këtë, ne jemi thellësisht mirënjohës”, ka thënë me këtë rast Haradinaj-Stublla.
Ajo tha se Engel ka një vend të veçantë në zemrat e njerëzve të Kosovës.
“Ju jeni një hero i vërtetë për ne. Republika e Kosovës do t’ju kujtojë gjithmonë si një mik që u ngrit për ne në kohë nevoje dhe në kohë paqeje, dhe ne shpresojmë të vazhdojmë punën tonë së bashku, drejt horizonteve të reja”, ka thënë me këtë rast Ministrja Haradinaj-Stublla. /express/ KultPlus.com
Shkrimtari dhe profesori universitar, Ag Apolloni ka shpalosur detaje për vëmendjen institucionale ndaj personazheve të librit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, shkruan KultPlus.
Përderisa Ferdonije Qerkezi dhe Pashkë Marku janë protagonistet, mbi historitë e të cilave shtrihet rrëfimi në romanin dokumentar të Apollonit, ai ka përmendur se Qerkezi ka përmendur Mimoza Kusarin për mbështetje, ndërkaq Arbërie Nagavci ka propozuar që një rrugë të merr emrin e Pashkë Markut.
Në anën tjetër, Ag Apolloni ka theksuar se pala kosovar ishte viktima në luftën me Serbinë dhe se duhej të kishim një diskurs lirik ndaj tradegjisë së vendit tonë.
KultPlus ua sjell të plotë statusin e Ag Apollonit:
NE ISHIM VIKTIMA
Derisa shkruaja romanin antiepik, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, kam lexuar, shfletuar e shikuar shumë materiale që lidheshin me temën e të pagjeturve dhe me pasojat e luftës. Nuk do të flas për këtë. Por, dua të them që nga fotografitë dhe fjalët e Ferdonijes (që ka humbur katër djemtë dhe burrin), më së shpeshti ma ka zënë syri dhe veshi Mimoza Kusarin, për të cilën zonja që është simbol i tragjedisë flet gjithmonë me fjalë falënderuese. Ndërsa, për rastin e zonjës Pashkë (e cila dogji veten, pasi ia kthyen mbetjet e dy djemve të vrarë), sipas fjalëve të familjarëve të këtij simboli të sakrificës, është interesuar vetëm Arbërie Nagavci, e cila ka propozuar që edhe një rruge t’i lihet emri “Pashkë Marku”.
Nuk do të doja që përmendja e këtyre dy grave politikane të shihet si anim politik (sepse, më falni për injorancën, por nuk e di nëse ato i përkasin së njëjtës parti, apo nëse partitë e tyre janë në të njëjtën vijë), por si një thirrje për një involvim më të madh të grave në vendimmarrje, sepse kështu do të shtohej ndjeshmëria ndaj tragjedisë sonë të përbashkët, ndërsa diskursi lirik (që tek ne është karakteristik për gratë) do ta zëvendësonte diskursin epik (që tek ne është karakteristik për burrat), që po na e zë frymën prej më shumë se njëzet vjetësh. Sikur nga viti 1999 të ishim shprehur me fjalë lirike për ndodhitë tragjike, siç bënë hebrenjtë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, sot Haga do t’i gjykonte vetëm serbët. Por, kemi folur në mënyrë epike, duke u mburrur se “çka iu kena bo shkive”, e Beogradit zyrtar i konvenuan këto rrena, dhe kështu i ndërruan rolet: xhelatët u kthyen në viktima, viktimat në xhelatë.
Me këtë desha të them që duhet patjetër të pozicionohemi aty ku e kemi vendin, pra si viktima, jo aty ku kemi qejf, si heronj. Se heronjtë e rremë kthehen lehtë në xhelatë. Uroj të shtohen zërat lirikë, për ta ngritur zërin në mbrojtje të viktimave të vërteta, pra në mbrojtje të së drejtës. / KultPlus.com
Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini është shpërblyer me çmimin “Regjia më e mirë” në Lake City International Film Festival, shkruan KultPlus.
Përderisa “Vulë” iu shtua edhe një çmim tjetër nëpërmjet edicionit të 8-të këtij festivali që këtë vit u mbajt online, regjisori Valmir Tertini ka jepur detaje për KultPlus rreth të arriturave të deritanishme të filmit.
“Vulë” deri më tani ka 2 çmime për skenarin më të mirë, 3 për regjinë më të mirë, 2 për filmin më të mire të shkurtër dhe 1 për aktoren më të mirë”, shprehet Tertini.
Tutje ai tregon se “Vulë” do të vazhdoj rrugëtimin edhe nëpër Festivale të tjera.
“Deri më tani kemi dhe disa selektime, ku i radhës është Everest Film Festival, i cili do të mbahet në janar të këtij viti”, tha Valmir Tertini.
“Vulë” flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.
Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri. Ky është çmimi i 8-të i këtij filmi. / KultPlus.com
Ka vdekur piktori i njohur, Bujar Lahu, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi.
Dumoshi ka theksuar se krijimtaria e Lahut do të mbetet frymëzim për gjeneratat.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Dumoshit:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të artistit, prof. Bujar Lahu.Pikturat e bukura e të punuara me shumë dashuri, me dorën e tij të artë do të jenë frymëzim për shumë gjenerata.I shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij! / KultPlus.com
Këngëtarja Suada Abazi ka publikar së fundmi projektin më të ri muzikor, shkruan KultPlus.
Nën përcjelljen në kitarë të Andi Sadikut, Abazi ka sjellur versionin demo të këngës “Falma hanën”.
“Falma hanën” që dallohet edhe nga emri i saj, është një këngë dashurie, e cila sjell bukurinë e gërshetimit mes dashurisë tokësore dhe dashurisë qiellore-hënën.
Zëri i dytë në këngën “Falma hanën” është Cristina Mari Moreno, teksa video është realizuar nga Endrit Jashanica. / KultPlus.com
Shkrimtari dhe profesori universitar, Milazim Krasniqi ka shpërndarë opinionin e tij në lidhje me problemet e Kosovës, shkruan KultPlus.
Krasniqi në një status është shprehur se rinia kosovare duhet të kuptoj që presionet e Serbisë janë duke penguar zhvillimin, punësimin e lëvizjen e lirë. Ndërkaq, ai ka përmendur edhe keqqeverisjen dhe korrupsionin.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Milazim Krasniqit:
Rinia jonë duhet ta kuptojë qartë se presionet e Serbisë mbi Kosovën e pengojnë zhvillimin e vendit tonë, e pamundësojnë punësimin e tyre, pengojnw lëvizjen e lirë, ndikojnë mbi demokracinë dhe lirinë, duke i bërë të lëndueshme. Pra, Serbia është kryeshkaku i problemeve tona të mëdha. Të tjerat janë pasoja. Edhe keqqeverisja dhe korrupsioni janë pasoja të një shteti jofunksional, të mbajtur në gjendje izolimi e bllokimi. Ata që nuk i kuptojnë shkaqet e problemeve që kanë mbi krye, mirren vetëm me pasojat. Duke u marrë vetëm me pasojat, kurrë nuk arrihet të zgjidhet problemi. / KultPlus.com
Në vigjilje të largimit nga detyra të Eliot Engel në Kongresin Amerikan, Vasfije Krasniqi Goodman çmon kontributin e tij për Kosovën, shkruan KultPlus.
Krasniqi Goodman ka shpërndarë një fotografi me Engel, teksa ka thënë se Kosova do të jetë mirënjohëse për kontributin e tij.
“Faleminderit Eliot Engel, Kosova do të jetë përgjithmonë mirënjohëse!”, ka shkruar Vasfije Krasniqi Goodman.
Eliot Engel u largua nga Capitol Hill pas 32 vjetësh në detyrë.
Engel, demokrat, e ka përfaqësuar një pjesë të Bronxit – një lagje e qytetit të New York-ut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare etnike – që nga 1989 dhe ishte udhëheqës në Kongres duke u angazhuar të ‘mblidhte’ mbështetje për njohjen e pavarësisë së Kosovës të shpallur në vitin 2008.
Mbështetja e tij e palëkundur për Kosovën gjatë dekadave e ka bërë atë një njeri të famshëm në shtetin e vogël të Ballkanit. Në anën tjetër, dashuria reciproke Kosovë-Engel e ka bërë këtë të fundit një figurë të urryer në Serbinë që ende nuk e pranon Kosovën si shtet dhe lobon kundër njohjes së saj nga bashkësia ndërkombëtare. / KultPlus.com
Saimir Pirgu, tenori i mirënjohur shqiptar, interpretoi mbrëmë në koncertin lirik/sinfonik për vitin e ri të organizuar nga “Fondazione Ravello”.
Koncerti u transmetua online nga “Auditorium Oscar Niemeyer” ku u interpretua muzikë nga Carmen e Bizet, Eugene Onegin e Tschaikovski-t, La bohème dhe Gianni Schicchi e Puccini-t dhe Vedova Allegra e Lehar.
Faqja e kulturës në prestigjozen Ansa.it ka pasqyruar gjithashtu këtë aktivitet të rëndësishëm.
Ky projekt ishte një rikthim pas suksesit të koncertit në fillim të gushtit të shkuar.
Dy nga këngëtarët më të suksesshëm të operas sot, Rosa Feola dhe Saimir Pirgu, të shoqëruar nga sopranoja Daniela Cappiello dhe baritoni Sergio Vitale interpretuan në “Fondazione Ravello”, shkruan Ansa.it. /dp/ KultPlus.com
Ilira Gashi, e njohur me emrin e saj skenik ILIRA, është një këngëtare, kantautore shqiptare, e cila është duke e shijuar suksesin e saj në shoqërinë zvicerane dhe atë gjermane. Ajo është 26-vjeçare, e lindur dhe rritur në Köniz-i të Bernës.
Duhet theksuar se karriera muzikore e saj filloi me shfaqjet në shkollën fillore. Ajo së pari u shfaq në televizione zvicerane dhe shqiptare si adoleshente, më pas u transferua në Gjermani dhe nënshkroi një menaxhim, kontratë botuese me Sony / ATV Music Publishing. Ndërkohë në gusht të vitit 2018 Ilira nënshkroi me Four Music dhe publikoi këngën e saj të parë “Whisper My Name”.
Së fundmi, platforma më e madhe e muzikës në botë, Spotify, ka publikuar statistikat vjetore për të gjithë artistët nga bota. Ilira tashmë edhe zyrtarisht është këngëtarja ndër më të dëgjuarat zvicerane në platformën e transmetimit të muzikës Spotify.
Artistja shqiptare është dëgjuar 87.7 milionë herë në Spotify. Për këtë sukses, ajo ka falënderuar fansat e saj, duke thënë se numrat tregojnë për arritjet, por arti i vertetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat.
“Numrat gjithmonë tregojnë diçka për arritjen, por arti i vërtetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat. Kam një shije jo të mirë të numrave, sepse unë personalisht mësova të mos i gjykoj këngët sipas numrave. Por, më duhet të pranoj se më bëri të lumtur në mënyrë të pabesueshme kur i pashë këta numra”, është shprehur Ilira.
Ajo është e gëzuar për faktin se këngët e saj janë dëgjuar në gjithë globin dhe se muzika e saj i lidh njerëzit në kuptimin pozitiv.
“Këngët e mia janë dëgjuar në gjithë globin, pa marrë parasysh se çfarë kulture, feje, gjinie apo çfarë gjuhe flasin. Muzika ime i lidhi njerëzit. Më pëlqen të shoh përkrahësit e mi të lidhen përmes muzikës time, duke u bërë miq përmes faqeve të internetit dhe duke ndarë muzikën time”, tregon ajo.
Aktualisht Iliria jeton në Berlin të Gjermanisë dhe po vlerësohet si më e mira e pop-it, për shkak të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit të saj. Ajo ka një sekret në teknikën e saj të paimitueshme vokale të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit me një gamë që përfshin mbi 4 oktava, që pak këngëtar nga bota e kanë këtë dhunti. Madje, ajo është krahasuar me yllin e madh botëror, Mariah Carey.
Vlen të theksohet se ngjashmëritë e zërit të saj me Mariah Carey janë vertet tipike, ajo së fundmi ka relizuar një cover tjetër. Duke qenë se jemi në prag të festave të fundvitit, Iliria pikërisht ka zgjedhur këngën e Mariah Carey-t, “All I Want For Christmas Is You”, e cila këndohet me mjeshtëri dhe ngjyrim emocional.
Nga ana tjetër, ndër këngët më të dëgjuara të Iliria Gashit janë “Fading”, “Royalty”, “Diablo”, “Easy”, “Lose you”, “Extra Fr!es”, “Pay my back”, “Do it yourself”, “Ladida”, “Get off my D..”, “Whisper my name”, etj. Të gjitha nga këto këngë kanë një sukses të madh, në të gjitha dimensionet. Si nga ana skenike, ashtu edhe nga ngjyrimi emocional. /albinfo.ch/ KultPlus.com
Shkrimtarja Irma Kurti ka fituar një tjetër çmim, duke e nisur kështu me trofe vitin 2021.
Shkrimtarja shqiptare ka fituar çmimin e parë për romanin e saj në gjuhën italiane “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve), i cili vazhdon të vlerësohet nga kritika dhe nga juritë e konkurseve letrare ndërkombëtare në Itali.
Vitin e kaluar, romani i Irma Kurtit u shpall si një nga “200 librat më të bukur në Itali” në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Tre ngjyrat” ndërsa në 2019 me çmimin e jurisë në Konkursin “Golden Books Awards” si dhe finaliste në Konkursin e madh letrar “Casa Sanremo Writers”.
“Ky libër i shkruar mbi shënimet e ditarit të babait tim trajton tematikat e jetës së një familjeje në emigracion e sfidat e përditshme që i duhet të përballojë. Falenderoj Presidenten e çmimit Marina Pratici për këtë vlerësim prestigjoz që më bën të ndihem vërtet krenare. Ju uroj shëndet, gëzime e të ndajmë së bashku vetëm lajme të bukura gjatë 2021”, shprehet shkrimtarja Irma Kurti. /dp/ KultPlus.com