“Shota” me mesazh të veçantë: Shën Valentin=365 ditë

Platforma feministe “Shota” ka mbuluar muret e rrugëve me thënie vetëdijësusese, të cilat bëjnë thirrje për dashuri gjatë gjithë vitit dhe kundërshtojnë dhunën e ushtruar mes çifteve, shkruan KultPlus.

“A ëmbëlsohet dhuna me çokollada?”, “Shën Valentin=365 ditë”, “Kush i lan enët e darkës së Shën Valentinit?” janë parullat që nëpërmjet tyre tentohet të përçohet mesazhi te audienca.

“Trëndafilat dhe çokollatat e 14 Shkurtit nuk e zbusin dhe as nuk e ëmbëlsojnë dot dhunën sistematike, 364 ditëve të tjera të vitit.Nuk mjafton vetëm një ditë kalendarike për të sjellë në vëmendje dashurinë ndaj partnere/ëve”, thuhet në postimin e platformës “Shota” në rrjete sociale.

Sipas tyre, barra kryesore e shtëpisë iu bie grave, duke qenë ato kujdestare të fëmijëve dhe punëve të tjera. / KultPlus.com

Voton Ferdonije Qerkezi, ka një porosi për atë që vjen në pushtet

Ferdonije Qerkezi, ka votuar në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Pas votimit, ajo ka kërkuar nga kushdo që vjen në krye të qeverisë të bëjë më shumë për të pagjeturit.

“Po pres me pas ma mirë e me pas ndryshime. Pres personalisht për të pagjeturit, për djemtë e mijë dhe krejt të pagjeturit e Kosovës. Secili që vjen në pushtet të bëjë më shumë për të pagjeturit”, ka thënë ajo për Klan Kosovën.

Ndryshe Ferdonie Qerkezi është nëna e 4 djemve që kanë humbur jetën në luftën e fundit në Kosovë. /KultPlus.com

Marsel Numanaj propozohet si delegat i Shqipërisë në Konfederatën botërore të Fizarmonikës

Marsel Numanaj nëpërmjet fizarmonikës së tij pritet të ngrit Shqipërinë në qarqe ndërkombëtare të muzikës, shkruan KultPlus.

Profesori i këtij instrumenti në shkollën e muzikës, “Jakov Xoxa” në Fier para 10 ditësh është propozuar të jetë delegat i Shqipërisë në Konfederatën botërore të Fizarmonikës, gjegjësisht “Confédération Mondiale de l’Accordéon” Frederic Deschamps.

Numanaj, prej disa vitesh po përfaqëson Shqipërinë edhe në dy konkurse të mëdha për fizarmonikë, “Trophée Mondial” dhe “Accordion Star International Competition 2021”.

Marsel Numanaj ka diplomuar më 2018 në degën e fizarmonikës. / KultPlus.com

Vdes gazetari Nikolla Lena

Ka vdekur gazetari Nikolla Lena në moshën 67-vjeçare.

Lajmi për ndarjen nga jeta të gazetarit Lena u bë i ditur nga miq dhe kolegë të tij.

Nikolla Lena  punoi me përkushtim në Radio Televizionin Shqiptar, ndërsa vitet e fundit punoi si gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), ku mbulonte sektorin e Turizmit dhe Mjedisit.

Më pasionin që e karakterizonte Lena sillte në shkrimet e tij çështje të ndryshme nga fusha e turizmit dhe mjedisit. / KultPlus.com

‘Dashuria është kur përgatit dy kafe në vend që të bësh një’

Shkroi: Daniela Bakiq

Përktheu dhe përshtati: Nermine Aliji Ademi

A e din ti se çfarë dite është sot?

E dielë ..?

Unë nuk po të pyes për këtë po … cila data është sot?

Tre… jo, katërmbëdhjetë shkurt.

Epo ….?

Çfarë epo ..?

Ti nuk më bleve asgjë. Dita e Shën Valentinit është sot.

Mirë edhe ..?

Epo asgjë. Veç thashë…

Shumë gra dhe vajza do të zemërohen sot, shumë burra do të sjellin në shtëpi dhurata dikur vonë në mesnatë në minutat e fundit para mesnate ose pesë minuta  n’dymbëdhjetë, duke u përpjekur t’i rregullojnë gjërat siç duhet, ngase kanë harruar çfarë dite është sot. Shumë do të thonë “nëse do të më doje, do të…”, “faleminderit, nuk ke pse”, “nëse duhet të të kujtoj atëherë le krejt këtë punë”. Pastaj ata do t’i shmangen shtëpisë në heshtje, duke u larguar nga njëri-tjetri. Ajo do të mendojë për burrin me të cilin u martua se nuk është aspak romantik, se nuk ka kokërr romance në të. Ai do të mendojë çka është lidhur për këtë date idiote?! Pff “14 shkurti” kur unë edhe ashtu nuk po di ka t’ia mbaj….nga gjithë problmet tjera që kam…!

Dhe pse duhet të vijë deri te kjo …? Dita e Shën Valentinit është për të dashuruarit. Dashuria është një emocion i shtrenjtë ose fëmijëror. Dashuria është dritëshkurtër. E gatshme për gjithçka. Sheh vetëm atë që i pëlqen. Në fakt, dashuria nuk sheh asgjë dhe nuk njeh askë. Me përjashtim të dhuratës së mbështjellë me letër shumëngjyrëshe, pikërisht  atë ditë, e katërmbëdhjeta me radhë, e muajit shkurt. Dhe kjo është arsyeja pse dashuria kërkon provë, kudo dhe në çdo hap. Dhe pse duhet të jetë kështu…?

Ne, luftëtarët e kalitur, e dimë që dashuria është diçka tjetër, shumë më tepër se kaq. Dashuria është kur përgatit dy kafe në vend që të bësh një. Dashuria është kur nuk pyet pse kaq shumë qëndron në punë. Dashuria është kur nuk e pyet  nëse ajo e di që ajo ka një familje – atje në shtëpi. Dashuria është kur e dëgjon atë. Kur nuk përpiqesh të japësh përgjigjen e duhur në secilën  pyetje të saj, nuk jeni në kuiz diturie, për Zotit, aman..! Dashuria është kur dilni në -10 dhe pastroni borën nga makina e saj, në mënyrë që ajo të mos ketë nevojë ta bëjë vetë, që ajo të mos ketë të ftohtë herët në mëngjes. Dashuria është kur qëron patate, për të përgatitur drekën, kur ajo është vonuar në punë. Kur rregullon mbulesën mbi divan. Kur e rregullon dhe pastron shtëpinë para se të vijë ajo. Kur e pret me ndonjë drekë, nuk ia di emrin gjellës së përgatitur por, thjesht e keni mbushur  tenxheren plot perime, pak mish e bash ashtu siç e bën ajo. Ju nuk duhet të jeni maestro kuzhine, mund ta bëni ashtu siç e keni mbajtur në mend, e vëzhgoni atë  kur nuk ju sheh, nuk është aq e vështirë, mjafton pak dashuri  dhe pastaj …- pak qepë, pak mish, pak perime – nga pak nga gjithë gjërat që ke në shtëpi, dhe dreka është aty. Dashuria është kur lëshoni lavatriçen. Kur i shtrieni rrobat në tel që të thahen, sepse ajo nuk ka arritur ta bëjë vetë. Kur ndërroni çarçafët. Kur thoni “le se e bëj unë”… Kur i thoni fëmijëve “më qetë, se nëna juaj po fle”.

Dashuria është kur shikon  gruan me të cilën ke qenë për kaq shumë vite dhe nuk sheh asgjë – nuk sheh rrudhat, nuk sheh të thinjurat, nuk sheh asgjë, por vetëm atë vajzën e një milion viteve më pare, e cila ju ra në sy dhe në zemër ju mbeti përgjithnjë. Dashuria është kur ajo ndryshon në sytë tuaj, nuk ka më atë belin e hollë, pas lindjeve që ka pasur zgjerohet në ije, krahët e saj janë të çalë dhe lëkura në qafë duket çuditshëm kur ajo kthen kokën anash, por për ju prap është e njëjta ajo – vetëm e juaja. Dashuria është kur nuk mat më gjithçka që ai apo ajo thotë ose kur thjesht vetëm hesht. Dashuria është kur e kuptoni njëri-tjetrin pa shumë fjalë. Kur ajo nuk flet asgjë derisa  mbush një gotë vere Rose të ftohtë para jush, është e premte, e dini që ajo ka pasur një javë të ngarkuar, e dini që nuk mund të bëni më shumë për të,  ose të bëni punën në vend të saj, e dini sa është barra që bart ajo mbi supe. Ti nuk je “lifecouch”, ti je personi i zakonshëm me të cilin ajo jeton, ka fëmijë, paguan kredinë, por dora jote mbi supet e saj dhe  fjalia jote se “gjithçka do të jetë mirë, mos u shqetëso, ruaj shëndetin tënd” – ka veti shëruese shumë më të madhe  sesa të gjitha tretmanet e ilaçet e shkruara në recetë.

Dashuria e luhatur për gjithë ato vite, shprehitë, përshtatja me njëri-tjetrin, dashuria e cila ka vlerë për aq shumë gjëra, gjëra të bukura dhe të shëmtuara, dashuria që ju mbante së bashku, dashuri është edhe ajo kur rrugët e tua u ndanë dhe secili shkoi rrugës së vet më pas, pa thënë asnjë fjalë. Dashuri e cila të jepte fuqi, kur të tjerët nuk e kishin. E cila besoi tek e pabesueshmja. E njëjta dashuri që u bëri ballë të gjithë atyre që nuk besuan se ju do të keni një të ardhme të ndritur “, “këtyre nuk do i zgjasë kjo lidhje shumë” – thanë ata duke tundur duart. Kjo dashuri dhe asgjë tjetër përveç dashurisë, është fajtore dhe meritore që ju jeni akoma aty bashkë në të njejtën lidhje si dikur  dhe s’ju bëhet vonë as se cila ditë, cila datë apo cili muaj i vitit është, sot. 

Prandaj mua nuk më intereson fare se çfarë dite është sot. Kjo është arsyeja pse nuk ndihem më pak e vlefshme sepse nuk mora çokollata në formë zemre. Sepse, kam gjithçka që mund të më jepte jeta. E plotësuar ja! Dashuria nuk më erdhi e mbështjellë me letër shumëngjyrëshe. Bile as fjongo nuk kishte.  Nuk kisha as unë. Ne erdhëm tek njëri-tjetri në një pako me të gjitha të metat tona, secili me familjarët e tij, me frikën e tij, me gjurmë nga e kaluara, të papërsosur dhe të pa lustruar, pa paramendime, pa pasur idenë se ku do të na dërgonte kjo lidhje dashurie, por ja që ne erdhëm, deri këtu ku jemi sot. Dhe kjo ishte e gjitha. Kështu jemi dhe sot, njëzet e pesë vjet më vonë.

Epo, sa për dijeni, sot është e dielë për mua.

Nuk dua të them asgjë me këtë, po veç thashë …/ KultPlus.com

Marselino Sherifi finalisti shqiptar në ‘The Voice Greece’

Marselino Sherifi është një nga finalistët për zërin më të mirë në edicionin e shtatë të spektaklit të talenteve “The Voice”, Greece që u zhvillua në 12 shkurt 2021.


Artisti shqiptar jeton në Kretë dhe në këtë spektakël është paraqitur me zërin e tij melodioz dhe performancën e realizuar me instrumentin e fizarmonikës.

Marcelino ishte një ndër më të votuarit nga publiku për të shkuar në finale.
Në audicionet e fshehura muzikanti nga Tirana arriti të kthejë të katër poltronet e jurisë që përbëhej nga emra të njohur të skenës greke dhe evropiane.

Marcelino jeton në Kretë. Ai u paraqit në edicionin e tetë të audicioneve të fshehura më 1 nëntor 2020.

Në shfaqjen e datës 19 janar 2021 muzikanti shqiptar ishte më i votuari i publikut ndër të gjithë pjesmarrësit duke marrë 76% të votave.
Ai kaloi edhe gjysmëfinalen e një jave më parë dhe sonte garon në finalen e madhe.

Në këtë pjesëmarrje Marcelino ishte pjestar i skuadrës së Eleonorës. Helena Paparizou, Sakis Rouvas, Panos Mouzourakis dhe Eleonora Zouganeli janë anëtarët e jurisë dhe trajnerët e këtij edicioni që është i shtati për vendin fqinj. Ky program po përcillet nga Skai Tv dhe Sigma Tv./ KultPlus.com

‘Merrmëni gjithçka veç dashurinë jo’

Nga Anna Magnani

Dashuria?  Merrmëni gjithçka, çmimin Oscar, paratë, shtëpinë, por dashurinë jo, mos ma merrni: dashuria është shi dhe erë, është diell dhe yll. Dashuria është frymëmarrje dhe, e di, unë e di , është helm.  Ndonjë mbrëmje i them vetes: Anna hap sytë, ky është përvëlimi që të dërgon tek krijuesi.  Sepse, shikoni, e pranoj që kam një karakter të tepruar dhe të papërmbajtur.  S’di të frenohem, sa herë dashuroj përkushtohem kokë e këmbë. Ta dija ç’torturë, mandej të dalësh e gjallë, ç’tragjedi t’ia mbathësh!  Dhe një mëngjes zgjohesh në shtrat dhe s’të ka mbetur më pikë gjaku. Por pastaj ia nis nga e para dhe është e mrekullueshme./ KultPlus.com

‘Mos më harro t’lutem përsëri, s’mund t’jetoj pa ty’

Haki Misini vazhdon të mbetet figura kryesore që solli një frymë të re në historinë e muzikës rok në Kosovë, shkruan KultPlus.

Haki Misini është vrarë nga forcat serbe gjatë vitit 1999, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-së në Kosovë, duke e lënë një zbrazëti të madhe në familjen e tij dhe në artin kosovar.

Këngët e tij më të njohura janë: ‘Fuqia e dashurisë’, ‘Në syrin tënd pashë një lot’, ‘Dashuri e humbur’, ‘Moj e mira te pojata’ etj. Këngë këto që dëgjohen edhe sot e kësaj dite që kanë kaluar më shumë se 20 vite prej publikimit të tyre,

KultPlus ju sjell njërën ndër këngët më të pëlqyera të Haki Misinit. ”Idila Verore”, këngë kjo që i këndon dashurisë me emocion e nostalgji.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Këngën do t’a shkruaj,
dashuri,
ec n’ket’ zemrës time t’i ke hy,
mos më harro t’lutem,
përsëri,
s’mund t’jetoj’ pa ty.

Syt’ e tu, gjithnji,
më japin drit’,
balli yt, për mu
çdo her’ shëndrrit,
t’njofta sikur zjarr’,
që delli mban,
buzët tua jan’.

T’lutem me kupto,
eja m’ledhato,
zemrën ti ma shero,
s’ka forcë qe na ndan,
gjersa jemi bashkë,
fort’, te dashuroj./ KultPlus.com

Faruk Begolli, artisti që nuk vdes kurrë

Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare. Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar.

Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.

Faruk Begolli (1944-2007). Aktor, regjisor, pedagog. Lindi ne Peje, me 14 shkurt, nga nje familje bejleresh te pasur dhe me emer ne Kosove (i ati, Sefedini, ishte nga njerezit me te kamur te Pejes, antikomunist, ndersa e ema ishte bija e Jashar Pashes, mbesa e patriotit te njohur Haxhi Zeka).

Pas kryerjes se dy viteve per ekonomi ne Universitetin e Beogradit, ishte aktori Istref Begolli*, i afermi i tij, qe e rekomandoi te konkurronte per aktrim ne Akademine e Arteve po ne Beograd, me 1962, ku fitoi nder 1.000 aplikante. U martua me Zoja Bokoviqin, balerine profesioniste ne teatrin Narodno Pozoriste dhe bashkejetoi me te 17 vjet. Edhe pas ndarjes, ajo mbajti mbiemrin Begolli, ne respekt te ish-bashkeshortit.

F. Begolli eshte nder aktoret me me emer ne ish-Jugosllavi, duke u kthyer ne nje embleme te filmave te kohes, posacerisht ne krijimin e portretit te adhuruar te luftetarit dhe heroit vetemohues gjate Luftes II Boterore.

E nisi udhen si aktor filmi qysh student me rolin e nje te semuri me tifo ne filmin Shikimi ne bebezen e syrit, 1966. Filmi qe do t’i sillte popullaritet ne tere Jugosllavine ishte Dashuria e pare. Me pas luajti role kryesore ne filmat Proka, I3 Korrik, Perroi vershues, E dashura Irene, Dashuria e pare, Buka, FatetRuajtesi i plazhit ne kohe dimri, Pavle Pavlovic, Valteri mbron Sarejeven, Beteja e NervetesUka i Bjeshkeve te Nemuna, Sulmi i kuq, Vite te veshtiraGjurmetEra dhe lisi, Kur pranvera vonohet, Etjet e Kosoves.

Roli i fundit qe luajti ne kinematografi ishte ai te filmi Etjet e Kosoves (2006), me te cilin u nderua edhe me cmimin e “Aktorit me te mire” ne Festivalin e Filmit ne Tirane.

Ka luajtur ne mbi 70 filma e drama televizive, me metrazhe e ne zhanre te ndryshme, rendom ne rolet kryesore, duke u bere nje nder aktoret me te popullarizuar ne ish-Jugosllavi, ikone adhurimi per fansat e shumte, per te cilin derdheshin lot ne fund te filmit, kur zakonisht edhe heroi qe luante vritej heroikisht.

Nje jete prej artisti dhe bohemi, me nje portret terheqes, me sharme dhe sy te bukur, fotozhenik, spontan, i brishte e plot hir, ai krijoi modelin romantik te heroit, rendom edhe te njeriut qe luante e sillej lirisht ne peripecite e jetes prej aventurieri. Per nje kohe F. Begolli ka drejtuar edhe shoqaten e Artisteve te Filmit ne Jugosllavi.

Eshte radhitur nder 100 personalitetet me te shquara te artit ne Serbi. Ka fituar cmimet e “Aktorit me te mire” per rolet ne filmat Si te vdiset, 1972, Dashuria e Bjeshkeve te Nemuna, 1998, Etjet e Kosoves, 2007.

Per gati 10 vjet ka qene drejtor i teatrit “Dodona”* ne Prishtine, ku ka bere regjine e mbi 20 shfaqjeve. Eshte themelues i deges se Aktrimit ne Fakultetin e Arteve te Universitetit te Prishtines me 1989, duke dhene nje ndihmese te pazevendesueshme ne rritjen dhe ecurine e ketij fakulteti. Me aftesite e tij pedagogjike u be nder profesoret e aktrimit qe implemetoi metodologji universitare te frytshme e bashkekohore.

F. Begolli ishte po ashtu nje aktor imponues ne teater. E nisi udhen qysh me shfaqjen e komedise Makaronat e shejtanit, dhe gjate viteve te studimit ne Beograd do te luante, nder te tjera, Rozenkracin te Hamleti e Shekspirit. Ndersa ne Kosove spikati ne kino-shfaqjen Ah Xho e Beketit, regjisor Isa Qosja*, Nje varr per Boris Davidovicin (1985) e Danilo Kish me regji te Agim Sopit*, Confiteor (1985) te Slobodan Shnajderit me regji te Vladimir Milcinit, Dervishi dhe vdekja (1986) e Mesha Selimovicit, Bregu i pikellimit (1987) e Teki Dervishit*.

Ne teatrin “Dodona” do te inicionte si regjisor shfaqjen Profesor… jam talent se jo mahi, ne 8 premiera, gjate fundviteve ’90 dhe fill pas clirimit te Kosoves nga forcat e Nato-s me 1999.

E konceptuar brenda nje strukture unike, ky serial teatror ishte nje nga arritjet me te spikatura te skenes kosovare per kohen, me numrin me te madh te shfaqjeve ne te gjithe teatrot e Kosoves. Me ironi, satire, shpoti, por here-here edhe me dramacitet, ndpermjet kesaj serie shfaqjesh F. Begoli beri prerje interesante dhe me shume guxim e sfide ndaj dukurive e tipave te kohes, shogeruar nga nje kritike e forte, por ne thelb sheruese.

Permbi 10 vjet, ne vitet e veshtira te pushtimit serb, e shnderroi teatrin “Dodona* te Prishtines ne nje vater artistike eksperimentale dhe universitare, duke bere regjine e disa shfagjeve, kryesisht me studentet e tij, si: Tregimi zoologiik e Eduard Albi, Kengetaria tullace e Eugjen Joneskos, Heronjte e kombit e Y. Shkrelit, Dashurite e Xhorxhi Uashingtonit e Mirko Gavranit, Hajnat nuk vijne gjithmone per te keq e Dario Fo-se, si dhe komedite Stjuardesat, Zoti kryetar, nje gote ex per sex, Mbytma burrin! etj.

Ne vitin 2006, pas gati 15 vjet mungese ne skene, luajti Lirin te tragjedia Mbreti Lir e Shekspirit ne Teatrin Kombetar te Prishtines*, regjisor Fadil Hysaj*. Ky rol eshte nje nga emblemat e aktrimit te tij. F. Begolli risolli nje loje te shkelqyer, mbushur me emocione dhe spontaneitet, duke i dhene fryme dimensionit te trifishte te Lirit si mbret-baba-njeri, ne vertikalen e renies nga luksi dhe pushteti abuziv autoritar ne mjerimin e njeriut te braktisur qe vuan dhe vajton mosperfilljen e vajzave tinezare.

Me kete figure, ai i dha forme anes sublime te aktrimit te vet, i cili bie ne sy kryeherit per sinqeritet te thella e carmatoses, por edhe per vrullime pasionesh rrembyese, ekstaza dhe deliriume te perndezura, deri te skajta; ishte rol qe i pershtatej se vete jetes dhe karakterit te tij, i fundit rol dhe sigurisht me i madhi ne karrieren teatrore. Mban titullin Profesor. Vdiq ne Prishtine, me 23 gusht 2007.

Burimi: Aktoret Shqiptare / KultPlus.com

Urime Shën Valentinin

Arbër Selmani

E dashtun, urime
Urime që sot e kemi vnu maskën e shëmtueme
Edhe disponimin e një çifti perfekt.

Urime që sonte darkën e kemi t`shtrenjtë
Urime për ullinjtë që ma vonë kemi me i vjellë
Urime buzëqeshja e plastë.

Shih përreth,
Krejt këto çifte sot do të luajnë boks më vonë
Por urime, jemi një kllapë e lumtun.

E dashtun, urime dashnia
Urime kjo dashni që nesër në mëngjes më pret e nemun.

Urime Shën Valentini,
Këta asnjëri se dinë se mukozën në fyt
E kam prej përlamjeve tona si çift i dobët që jemi.

Por sonte, urime
Lehtë puthemi para tyre, ata puthen butë para neve
Më vonë bëjmë seks, nesër divorc.

Urime që veç sonte ne duhemi ma shumë se çdo ditë.
E natën mallkojmë njerëzimin histerik.
Urime për secilën dyshe snobe, urime për shumë si ne dy.

shkurt 2015/ KultPlus.com

Fotografi e Banjos së Kllokotit në vitet e ’90-ta

Profesori norvegjez që grumbullon kartolina nga Kosova ka postuar së fundi një fotografi të Banjës së Kllokotit në vitet e  90-ta, shkruan KultPlus.

Në postimin e bërë nga Kenneth Andresen tregohet se fotografia është një kartolinë e cila është dërguar nga Beogradi në Shkup më 9 dhjetor 1999.

“Kartolinë nga Kllokoti në Kosovë, me një foto të Banjës së Kllokotit. Kartolina u dërgua nga Beogradi në Shkup më 9 dhjetor 1999”, ka shkruar ai/ KultPlus.com

Çfarë domethënie ka Shën Valentini dhe pse festohet?

Sot shumë e festojnë këtë ditë por me shumë mundësi nuk e dini pse? Pse festohet Shën Valentini? Pse sot? Pse ka kaq shumë rëndësi?

Le të nisim me Shën Valentinin – ose Valentinët. Në fakt ka disa Valentinë, të gjithë martirë, që lidhen me festën. Sidoqoftë, Shën Valentini i Ternit është më i famshmi.

Nën sundimin e Klaudit II, ushtria romake përbëhej thuajse vetëm nga burra beqarë. Për t’u shpëtuar jetët, Valentini, i cili ishte peshkopi i Ternit asokohe, martonte çifte që t’i mbante burrat larg luftës.

Për fat të keq, perandorit s’i pëlqeu ky romanticizëm dhe i preu kokën peshkopit në periferi të Romës.

Ekziston dhe një histori tjetër më pak e dhunshme se kjo. Një burrë i quajtur Valentin, i burgosur nga romakët, i dërgoi një letër gruas që dashuronte me nënshkrimin, ‘Nga Valentini yt.” Dhe siç thuhet, ajo letër nxiti kartolinat e Shën Valentinit.

Kjo shpjegon pse emri lidhet me dashurinë, por s’shpjegon festën?

Meritat i takojnë Lupercalia, festës pagano-romake për fertilitetin. Gjatë festivalit, sakrifikoheshin një dhi dhe një qen. Gëzofët zhyteshin në gjak dhe gratë lyheshin me lëkurët e kafshëve të vdekura. Nuk e dimë si, por kjo supozohej t’i bënte më fertile.

Për sa i përket finales së Lupercalia – që e ka marrë emrin nga Lupa, ulkonja që rriti Remin dhe Romulin. Gratë vendosnin emrat në një shportë dhe burrat i zgjidhnin. Çiftet e formuara rastësisht qëndronin bashkë deri në fund të festivalit. Zakonisht, martoheshin.

Në fund të shekullit të 5-të, Lupercalia u ndalua nga Papa Gelasius, i cili e shpalli 14 shkurtin Ditën e Shën Valentinit. Shumë kohë më vonë, kjo ditë filloi të lidhej me dashurinë. Në Angli dhe Francë besohej se në mes të shkurtit, ngaqë zogjtë nisin çiftëzohen, duhet kremtuar dashurinë.

Kupidi është simbol i Shën Valentinti sepse sipas poetëve të vjetër grek, ai ishte një i pavdekshëm i pashëm që luante me emocionet e Zotave dhe njerëzve përmes shigjetave të arta që ngjallnin dashuri. Gjatë periudhës helenistike, ai nisi të imagjinohej si një fëmijë i shëndoshë dhe i praptë.

Ana komerciale e Shën Valentinit, me kartolinat dhe dhuratat, e pati zanafillën në shekullin e 19 me Esther Allen Howland.

Sipas një artikulli të vitit 2017 nga Time, Howland konsiderohet si Nëna e Valentinit Amerikan. Gjatë viteve 1850, kartolinat e Shën Valentinit ishin shumë të shtrenjta dhe importoheshin nga Europa.

Howland vendosi t’i bënte vetë dhe t’i shiste me një çmim të arsyeshëm. Në majën e karrierës, ajo fitonte 100 mijë dollarë në vit, që me standardet e sotme kap vlerën e miliardave./ KultPlus.com

Nis sot ngjyrosja e NewBorn-it me ngjyrat e ushtrisë

Ideatori i monumentit NewBorn, Fisnik Ismaili i ka ftuar sot të gjithë qytetarët që pasi të kenë votuar, të dalin para monumentit NewBorn dhe ta ngjyrosin shuplakën me njërën nga ngjyrat e ushtrisë dhe ta vendosin në monument.

Sipas tij, ky proces pastaj do të vazhdojë edhe të hënën e martën më datat 15 dhe 16, ku do të dalin që t’ua mundësojmë qytetarëve të ngjyrosin shuplakët dhe t’i vendosin në monument, si shenjë respekti, dashurie dhe përkrahje për luftën tonë.

“Prandaj, nga nesër i ftojmë të gjithë qytetarët që në ditën e dashurisë, më 14 shkurt, që koincidon me ditën e zgjedhjeve, pasi të kenë votuar, që të dalin para monumentit NEWBORN dhe t’a ngjyrosin shuplakën me njërën nga ngjyrat e ushtrisë dhe ta vendosin në monument. Ky proces pastaj do të vazhdojë edhe të hënën e martën më datat 15 dhe 16, ku do të dalim që t’ua mundësojmë qytetarëve të ngjyrosin shuplakët dhe t’i vendosin në monument, si shenjë respekti, dashurie dhe përkrahje për luftën tonë, që në fund Monumenti NewBorn të ketë pamje të uniformës së ushtrisë, të krijuar nga duart e vetë qytetarëve”, ka shkruar Ismaili./ KultPlus.com

77 vjet nga lindja e Faruk Begollit

Sot bëhen 77 vite që nga lindja e një ndër figurave më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë kosovare, Faruk Begolli, shkruan KultPlus.

Begolli lindi me 14 shkurt 1944 në Pejë.

Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com

Albumi i Orës vazhdon suksesshëm, i pari në Angli dhe i pesti në iTunes

Rita Ora ka shënuar rikthimin e saj në skenën muzikore nëpërmjet paralajmërimit të publikimit të 4 këngëve, shkruan KultPlus.

Përmbledhje e tyre një mini album (EP) të quajtur “Bang”, po rezulton me sukses.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, Ora ka bërë të ditur se albumi i saj ka zënë vendin e parë për nga dëgjueshmëria në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendin e pestë në botë në iTunes.

Katërshja që i gëzoi artdashësit e Ritës përbëhet nga këngët “Mood”, “The One”, “Bang Bang” dhe “Big”. / KultPlus.com

‘Gurë o për gurë kullën tonë prap ta marojmë, vakti ka ardhë marrën prej shpisë me përzonë’ (VIDEO)

Grupi i muzikës rok, “Jericho” është i njohur për këngët, vargjet e të cilave na kthejnë në retrospektivë dhe na bëjnë t’i kujtojmë vuajtjet e popullit tonë, shkruan KultPlus.

Kështu, anëtarët e këtij grupi zgjedhin artën si formë revolte, për të shfryrë atë që shumica dëshirojnë ta përçojnë por s’kanë zë.

“Kanga jonë” është një ndër to, e cila flet për dhimbjen e mbarë popullit tonë, duke bërë thirrje për unfikim dhe një lloj revolucioni.

KultPlus ua sjell videoklipin dhe tekstin e këngës “Kanga jonë”:

Nona po vet: “Ku i kom djemt’ o ku m’kanë mbetë?”
N’pragun e shpisë, marre e madhe na ka prekë
Gurë o për gurë, kullën tonë jonë tu e rrzu
Kthehmuni djem, nonën qysh bon me harru

O Zot na kthe nerën e shpisë
Mos na le vet n’tmerrin e vetmisë
Çohu mor vlla, sot oshtë dita tjetër nuk ka
Nona po thirrë, lot’ e vajit dojnë m’ju tha

Gurë o për gurë, kullën tonë prap ta marojmë
Vakti ka ardhë, marrën prej shpisë me përzonë
O Zot na kthe nerën e shpisë
Mos na le vet n’tmerrin e vetmisë
Mos …

Sa shpejtë vitet kaluan
Kjo këngë kujtimin ma sjellë
Sa lehtë të gjithë ne harruam
Dhembjen që kishim njëherë

Këngët që bashkë i këndonim
Mbetën jehonë në kujtim
Të gjithë këndojnë të vetmuar
I vetëm është Vendi Im

Veq edhe njëherë të ecim
Dhe t’jemi bashkë si dikur
Zemra për zemrën e tjetrit
Të jetë për ne si flamur

Dora që zgjat kur rrëzohem
Është ajo që ne na mban
Mos e lejo të harrohet
Se nuk kemi tjetër vatan / KultPlus.com

Nezir Kraki: Analizat e terrasave me makiato

Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka komentuar ngritjen e bandave politike, teksa sipas tij kësaj kategorie të shoqërisë i kanë ndihmuar gazetarët të cilët nuk e ushtrojnë si duhet profesionin e tyre, shoqëria civile dhe pseudo-analistët, shkruan KultPlus.

Ai ka përmendur edhe analistët kosovar, të cilët i ka cilësuar si analista të terrasave me makiato, që nuk dinë dhe janë të nënshtruar.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Nezir Krakit:

Analizat e terrasave me makiato

Ose argatët thashethemça

Asfiksimin e Kosovës këto 21 vite e kanë bërë bandat politike por ato kurrë s’do kishin pasë kaq sukses pa ndihmen e argatëve nga mediat dhe një pjese te shoqërisë civile.

Dhe kur gjendesh perballë argatëve të bandave politike nuk kerkohet të jesh gjeni që ta kuptosh se ata s’kanë as mendim, as integritet por veç mision. Misioni i tyre mbetet ruajtja e rehatisë dhe favoreve që argatllëku i tyre ua ka siguruar nder vite. Armiku i tyre absolut mbetet ndryshimi dhe normalizimi i politikberjes.

Prandaj gazetari argat raporton veç trillime dhe montime të padenja duke e dhunuar zanatin fisnik të gazetarisë.

Prandaj argati analist ka si te vetmin burim trillimet dhe thashethemet e gazetarit argat. Dhe kështu krijohet Liga e të ligjeve, e atyre pa guxim dhe pa kurriz.

Prandaj analizat e tyre janë analiza të terrasave me makiato që s’e kanë asnjë vlerë as raportuese (sepse gazetari mashtruese) as analitike (sepse analiza me porosi).

Si t’i flas pastaj unë kësaj kategorie për esencen e politikës si vokacion, si angazhim vetmohues në shërbim të tjetrit?!

Si t’i flas unë për legjitimitetin personit që zen poste qeverisëse veç me pazare politike, në dhunim të votës dhe vullnetit qytetar?!

Si të diskutoj unë rreth kontratës sociale të Jean Jacques Rousseau me ata që e njohin veç një lloj kontrate – kontraten me bandat politike për mbrojtjen dhe vazhdimin e kapjes, në kurriz të një populli të tërë?!

Thjesht, si të shkëmbehen mendime me ata qê s’kanë as guxim as mendim?

Megjithate, të tillëve duhet t’u dilet përballë, me urtësi dhe argumenta. Duhet t’u thuhet se janë veç ana tjetër e të keqës së njejtë.

Të tillëve duhet t’u tregohet që s’janë legjitimë as në zanatet e tyre e as në debatet tona.

Mënyra më e mirë që këta të ndalen është vota. Vota që prodhon qeveri legjitime. Një shtet funksional me qeveri legjitime është krejt çka këta nuk duan të kemi.

Besoj më kuptuat për nesër… / KultPlus.com

‘Sikur zemra ime të ishte gjallë, do të dridhej si thupra në uji sa herë që të më dilje përballë’

Poezi nga Arbër Jashari

Sikur zemra ime te ishte gjallë
Do të dridhej si thupra në uji
Sa herë që të më dilje përballë  

Copa copë-copë  do të thyhej
Nga fjalët tua, mjaltë.
Krijesë e rrallë.

Sikur zemra ime të ishte gjallë
Do të shtangej në vend
Sapo ta dëgjonte  emrin tënd

E nga shikimi yt
do të shpërthente  flakë,
si baroti në zjarr

Sikur zëra ime te ishe gjallë
Pa dyshim ajo do të donte vetëm ty
Po ç’ ti bësh që zemra ime ka mbetur
Vetëm një copë mish i zi
Një copë mish i egër. / KultPlus.com

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet, bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet

Poezi nga Ndre Mjeda

‘Vaji i Bylbylit’-

Po shkrihet bora,
Dimri po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murrlani
Me duhi t’vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou, mos rri shkret.

Gjith’ fushët e malet
Blerimi i mbëloi;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoi.

Ndër pyje e ograja,
N’ma t’mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjithkend.

E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue që veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çilë kafazi,
Bylbyl flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Kurrkush ma hovin
Atje s’ta pret;
Me zeher hajen
Kurrkush s’ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim;
E gjith’ ku t’rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamie,
Ke me gjetë mel;
Për gjith’ prendverën
Njajo buk’ t’del.

E kur t’zit edi
Ndër prroje pi;
Te njato prroje
Që ti vetë di.

Tash pa frikë çerdhen
E mban n’ndo’j lis;
Nuk je si ‘i nieri
Që nuk ka fis.

E kur t’vij’ zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t’ndie rri;
Prej asi vendit
Ndahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, fluturo;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Ndër drandofille,
Ndër zambakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen,
Pse po gjimon?

II

Por vaj! Se ‘i dimën tjetër
Paske, o bylbyl i shkreti;
Pa da ty zemra t’treti
Mbas vajit që t’rrethon.

Me lulzim t’vet prendvera
Ty s’ta përtrin gazmendin:
Jo kurrë s’e njifke shendin,
Bylbyl, që po vajton.

A thue po kjan, se çerdhen
Ta ka shkatrrue skyfteri?
A thue po kjan, o i mjeri,
Se me rrnue gjallë s’ke mel?

Ndrrojn’ edhe stinët e motit,
E për çdo herë ndron era.
Mbas dimrit vjen prendvera,
Mbas borës blerimi del.

Veç ti me idhnime t’tuja
N’zemër gjithmonë po pihe,
E ditë e natë po shkrihe
Mbas vajit që t’mundon.

Kur â tuj ardhun drita
Ndihet tuj këndue shpendi,
E n’kangë i duket shendi,
Që zemrën ia gazmon.

Gjetiu ndër pem, ndër lule
Shkon e fluturon bylbyli;
N’at erë që jep zymbyli
Vjollca e zambaku nget.

Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm,
Ty t’paska ndry mizori,
E kurrnjiherë nuk t’nxori
Me t’lëshue ku zemra t’thrret.

Ti kurr, nji kangë s’ia këndove
Diellit kur nadje çohet;
Zemra me vaj t’coptohet
E me pajtue nuk don.

Ndoshta kujdesi i t’tujve
Gjith’ ket hidhnim ta qiti,
E shendin ta shutiti
E vshtira që i mundon.

T’burguem i bani gjindja
Veç përse donë me ndie
Njat za që lëshojnë me hije
Që t’knaq e që t’ban rob.

Çdo krajl i madh ndër shpija
Ty t’mba m’u thanë i veti;
Vetë bukuria, o i shkreti,
Kenka për ju nji kob.

Përse tu ndeja e t’mëdhajve
Nji shpend i vogël s’ndalet;
Shpendit i kande malet,
Çerdhen e t’parve do.

Me at zanin tand t’përmallshëm
Ndoshta ti ankon këto t’vështira;
Derisa t’kthejn’ e mira,
Bylbyl, papra gjimo.

III

Por njaj vaj që je tuj lëshue,
Bylbyl, zemrën ma copton;
Ditë e natë rri tuj prigjue,
Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?

Gjama jote a porsi ankimi
I nji fëmijës që vetun mbet;
Gjama jote a si shungllimi
I nji t’zezës që gja s’ pre.

Porsi dnesë me futë në krye
Nana e shkretë që mbet pa djelm;
Njashtu tine rri tuj shfrye
Njat idhnim që t’u ba helm.

Puna jote, o i mjeri, m’mbyti
E kurrkund nuk m’len pushim,
Shkoi nji muej, po shkon i dyti
T’zezat t’tua s’kanë mbarim.

Tash ndër arë lulzoi qershia
E me borë dimni po shkon:
Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia,
Gjama jote kurr s’mbaron.

Si t’burguemit n’ishull t’detit,
Ku tallazi i thekshëm vrret,
O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,
Vaji zemrën ia pëlset;

E papra n’ankime t’veta
Vajton fisin që larg la;
E tu fëmija i shkon si zgjeta
Mendja e shkretë se mbet pa ta;

Njashtu ti rri tuj vajtue
N’njat kafaz që shungullon;
Fisin tand rri tuj mendue
T’zinë atdhe që s’e harron.

Për fat tand, për zogj që kishe
Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb;
Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe
Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.

Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
Me e pasë ndie njat vajin tand,
Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
T’kishin lypun kand e kand.

Njat vaj tandin tuj kujtue
Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net;
Pveshtin hanën tuj gjimue,
Pvetshin hyjt për prind të vet.

Por aj kob që hana e diti
E njaj vaj që ylli pau,
T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti,
E kurr zemra nuk ju ndau.

Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’e mot.

Nëpër fush’ e nëpër shpija,
Me kujdes që s’nep afat,
Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija,
Kjamun t’kishte i ngriti fat…

IV

Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti;
Ankimi e vaji nuk asht i zoti
Përgjithmonë zemrën me na coptue;
Fillo me gëzue.

Mbas boret t’dimnit çilet prendvera;
Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era;
Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue;
Fillo me gëzue.

Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat,
Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat;
Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;
Fillo me gëzue.

Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem
Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem!
Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue:
Fillo me gëzue.

Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi
Për fmij, për grue që s’shef i shuemi,
Por prap durimi ka me ja prue,
Fillo me gëzue.

Shpend tjerë burgosi sa herë mizori,
E rishtas jashtë dikur i nxori;
Ndër fushë e male janë tuj fluturue;
Fillo me gëzue.

Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule,
Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule,
E kangët e parshme nisin me këndue:
Fillo me gëzue.

Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin,
Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin;
Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue:
Fillo me gëzue.

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.

Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
Por vaji e ankimi kanë për t’u shue;
Fillo me gëzue.

Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi,
Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi,
Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue:
Fillo me gëzue.

Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male,
Afër shpisë seme hovin tand ndale;
Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue
Kam për t’u gëzue.

KultPlus.com

‘Në buzët e tua ku ka jetë, buzët e mia du me i tret’ (VIDEO)

Kur malli dhe pasioni gërshetohen brenda vargjeve të tingujve muzikorë, artit i lihet pas një vepër e paharrueshme, shkruan KultPlus.

E tillë është “Buzët e tua”, këngën dhe tekstin e së cilës e ka realizuar Elton Deda.

Kjo këngë për shumëkë mbetet një kujtim i veçantë për një person që e ka larg.

KultPlus ua sjell këngën dhe tekstin, “Buzët e tua”:

Shijen lë, mbi buzët e mia atë natë,
nën terrin e ëndrrës ti shkon, por nuk e di,
që unë sot…
Mbi buzët e tua do rri…do zbres të pushoj dhe të pi…limfen e zjarrtë që ke ti…se unë e di…

Ref.

Buzët e tua pak fjalë thonë…
dhe s’e di si më kuptojnë..
buzët e tua janë me kripë…
që ti puthësh ke shumë frikë…
n’buzët e tua ku ka jetë…buzët e mia du me i tret!

Më mungon, aroma e buzëve që ke, deshirën e zjarrtë gjithmonë le…t’i puth ato.
Unë e di..keto buzë që kërkojnë gjithmone, që qeshin por presin si kose…ndoshta jam me fat, që t’i puth gjatë.

Ref.

Buzët e tua pak fjalë thonë…
dhe s’e di si më kuptojnë..
buzët e tua janë me kripë…
që ti puthësh ke shumë frikë…
n’buzët e tua ku ka jetë…buzët e mia du me i tret!

Më mungon, aroma e buzëve që ke, deshirën e marrë gjithmonë le…t’i puth ato.

Buzët e tua pak fjalë thonë…
dhe s’e di si më kuptojnë..
buzët e tua janë me kripë…
që ti puthësh ke shumë frikë…
n’buzët e tua ku ka jetë…buzët e mia du me i tret! / KultPlus.com

Vera komenton veshjen e Rita Orës: Do ta kopjoj të gjithë dukjen

Teksa Rita Ora shkëlqeu me pamjen mahnitëse në shfaqjen e saj të fundit në “The Masked Singer”, nëna e saj Vera, e vlerësoi lartë veshjen e vajzës, shkruan KultPlus.

Vera nëpërmjet rrjeteve sociale shprehi admirimin për pamjen e Ritës.

“Definitivisht se do ta kopjoj të gjithë dukjen”, shkroi Vera Ora në mbishkrimin e fotografisë.

Rita Ora është në jurinë e “The Masked Singers” për këtë edicion. / KultPlus.com

Nuk i harrojnë rrënjët, arbëreshët e grupit “Shega” do të prezantohen me këngën “Arianna”

Medina Pasoma

Atdhedashuria dhe admirimi i gjuhës arbëreshe kishte bërë bashkimin e 5 artistëve nga Sicilia në caqet e muzikës. Ata kishin dhënë premtimin se në çdo tingull do të buçiste qetësia shpirtërore përmes promovimit të vlerave kulturore, shkruan KultPlus.

Kështu kishte nisur historia e grupit “The Daggs” në vitin 2014, teksa vokali i Giorgio Fusco dhe Saverio Guzzetta ishin gërshetuar me violinën e Rosa Alongi, bas-kitarën e Giorgio Ciulla dhe bateritë e Alessandro Ferrantelli.

Ndërkaq, rrugëtimit të tyre muzikor tanimë këta të rinj të talentuar kanë vendosur t’ia falin emrin “Shega”, në mënyrë që edhe në emërtim të ndjejnë diçka nga prejardhja e tyre.

Më 19 shkurt, “Shega” do të publikojë këngën më të re, të quajtur “Arianna”, për të cilën KultPlus ka biseduar me solistin dhe pjesëtarin e grupit, Giorgio Fuscon.

 “Arianna” është kënga e parë që del nga grupi jonë me emër të ri “Shega” dhe do të jetë projekti i parë i albumit tonë, që është gati”, rrëfen për KultPlus ish-studenti i gjuhëve, duke përfshirë edhe shqipen.

Ajo që do ta bëj këngën “Arianna” të paharrueshme për dëgjuesit e këtij grupi do të jetë frymëzimi nga mitologjia greke, gjegjësisht dashuria e princeshës së Kretës, Ariannës me Teseon.

“Tematika është dashuria, ajo fije që të ndan nga përditshmëria e të bën të fluturosh. Flet për dy persona që takohen në një udhëtim, pastaj ndahen në tokat e veta. Deti njëkohësisht i afron e i ndan. Kënga flet për distancë, për një ëndërr që nuk u bë realitet, e malli që lind nga kjo”, tregon me emocion Giorgio Fusco.

“Arianna” do të jetë në gjuhën arbëreshe, ashtu siç Fusco e quan, gjuhën e zemrave të tyre që qëndis mendimet dhe i bën që ta përqafojnë botën përmes saj. Në anën tjetër, siç gëzohet prindi për fëmiun, po të ‘njëjtat’ ndjesi i gëzon edhe ai si artist për krijimtarinë e tij.

 “Jam shumë i emocionuar për publikimin e kësaj kënge sepse jam shumë i lidhur me të dhe e dua shumë. Kjo këngë është shkruar në bashkëpunim, duke lidhur përvojat e anëtarëve të grupit”, thotë Fusco.

Tutje, ai tregon se edhe artdashësit e tyre janë admiruar kur kanë dëgjuar interpretimin e drejtpërdrejtë të kësaj kënge në koncerte, teksa Fusco beson se ata e presin me padurim versionin e incizuar në studio.

Në anën tjetër, tingujt muzikorë kishin lënë gjurmë në shpirtin e tij qysh moti, prej nga ku më vonë jeta ia kishte trasuar fatin në këtë rrugëtim.

“Si çdonjëri, u rrita me muzikën. Më këngët arbëreshe tradicionale, me këndimet bizantine në kishë. Pastaj kam njohur muzikën ndërkombëtare dhe sidomos atë italiane”, shprehet këngëtari.

Kur flet për muzikën, Giorgio Fusco ka një rrëfim tejet emocional dhe poetik, që dallohet në çdo fjalë që ia thotë goja.

“Për ne muzika është ‘motra’ që na ndihmon në momentet e vështira, është një mike që na thotë ‘bravo’ kur kemi nevojë, është ajo që na bën të kërcejmë të vetmuar sipër shtratit dhe ajo që na bën të qajmë me lot malli”, përshkruan artisti nga Italia.

Por, përpara se të quhej “Shega”, grupi i 5 muzikantëve quhej “The daggs”. Ata kishin publikuar këngën e dashurisë me një përfundim jo të mirë, të quajtur “Drita”  dhe “Lumturi”, e cila e frymëzuar nga vargjet e poetit arbëresh Paskal Renda, e që erdhi si një homazh për të.

Ai e tregon edhe arsyen e ndërrimit të emërtimit, teksa thotë se e kanë zgjedhur fjalën “Shega”, e cila nga arbërishtja, për ta simbolizon bashkimin.

“Shega” është djali qe ndihmon plakun në mes të rrugës, një koncert ku të gjithë përqafohen e vallëzojnë, një shishe vere me shokët, një mikpritje në fshatin tënd”, shpjegon Giorgio Fusco.

Grupi “Shega” së shpejti do të bëj publikimin e këngëve tjera dhe albumit të ri, në të cilën përveç 8 këngëve origjinale të grupit, do të jetë edhe një këngë tradicionale e ripërpunuar.

5 arbëreshët e pasionuar pas muzikës, shpresojnë që të bëjnë turne në Kosovë e Shqipëri pas pandemisë. / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Radios

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Radios.

UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron.

13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.

Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon kishte thënë se radioja argëton, edukon, informon, si dhe ndihmon në popullarizimin e ndryshimeve demokratike në gjithë globin. / KultPlus.com