Një qendër e madhe vaksinimi do të hapet të shtunën në Disneyland Paris, parku argëtues rreth 30 kilometra nga kryeqyteti francez dhe mbyllur përkohësisht për shkak të pandemisë, njoftuan sot autoritetet lokale.
Vaksinodromi do të vendoset brenda qendrës së ”Disney’s Newport Bay Club de Disneyland Paris”, përdorur zakonisht për ngjarje profesionale.
Vendndodhja e zgjedhur ndodhet afër hoteleve, jashtë vetë parkut argëtues. Asnjë aktivitet tematik i lidhur me parkun nuk është planifikuar.
Pas ndërprerjes së aktivitetit të saj më 13 mars dhe 15 korrik 2020, Disneyland Paris, ku janë të punësuar 17 000 persona është mbyllur përsëri që nga 30 tetori për shkak të kufizimeve shëndetësore.
“Qendra do të vaksinojë të paktën 1 000 persona në ditë, por do të jetë e hapur vetëm gjatë fundjavave, falë mobilizimit të rreth gjashtëdhjetë mjekëve, infermierëve, zjarrfikësve dhe stafit të pritjes”, sipas organizatorëve.
“Caktimi i takimit do të kryhet vetëm me internet”, theksojnë ata./atsh/ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha së fundmi i është përgjigjur pyetjeve të fansave të saj në rubrikën ‘AskAnythingChat’, përcjell KultPlus.
Ndër pyetjet e shumta që ju drejtuan këngëtares ishte edhe ajo e një bashkëpunimi të mundshëm me Dua Lipën dhe Ava Max, për të cilën Rexha ja thënë se do të ishte një gjë e mrekullueshme që të gjitha të bëhen bashkë sepse vijnë nga i njëjti vend.
“Çdo gjë është e mundur, dhe do të thoja ‘Po’, do të përpiqem të ndodhë. Unë mendoj se do të ishte e mrekullueshme sikur vajzat të bëheshin bashkë, sepse ju e dini që ne vijmë nga i njëjti vend, ku ashtu siç kemi folur më herët, në të kaluarën, vajzat nuk ishin gjithmonë në muzikë në kulturën tonë, tani është komplet ndryshe dhe ju e dini që unë e dua kulturën time shumë, por unë jam rritur në gjysmë kulturën time, kështu që mund të flas në gjysmën e tyre”, ka thënë ajo.
Tutje këngëtarja ka shtuar se një bashkëpunim i tillë mes shqiptareve do të motivonte të gjitha femrat tjera shqiptare dhe kosovare, që ato kanë fuqi të arrijnë në jetë.
“Ju e dini, ne femrat nuk kemi qenë gjithmonë të barabarta si meshkujt dhe mendoj se fakti se ne të gjitha vijmë nga një kulturë e ngjashme është vërtet e bukur dhe mendoj se do të ishte e mrekullueshme për neve të vinim së bashku dhe të kapnim duart dhe të bëheshim si të gjitha vajzat tjera shqiptare ose kosovare atje, do të ishim si: ‘Ju mundeni, ju mund ta bëni këtë, ju mund t’i bëni ëndrrat e tua realitet, ti e ke këtë dhe çdo vajzë në botë – nuk ka rëndësi nga je, kështu që do të doja ta bëja këtë të ndodhte”, ka theksuar Rexha./ KultPlus.com
Gjigandi Netflix ka raportuar ulje të numrit të abonuesve gjatë kohëve të fundit.
Rreth 3.98 milion njerëz janë abonuar në Netflix në mes të janarit dhe marsit në kontrast me 6 milionë të parashikuar.
Kompania thotë se mungesa e serialeve të reja mund të ketë kontribuar në këtë rënie, duke shtuar se presin të ketë ngritje kur shfaqje të famshme do të rikthehen.
Netflix fitoi 15.8 milion abonues vitin e kaluar kur njerëzit u mbyllën në shtëpi për shkak të Covid.
Shumica e këtyre abonuesve vinin nga Asia, kur Netflix shtoi 9.3 milion abonues të ri në 2020, një rritje mbi 65% nga viti i kaluar./ KultPlus.com
Gra të së njëjtës familje arbëreshe, katër breza të ndryshëm që i përkasin të njëjtës kulturë vijnë në një foto të vetme.
Në këtë material të Stella Selvaggi paraqiten gra të familjes së saj që mbartin kostumin arbëresh të Mongrasanos.
E para është gjyshja e saj, Carmela, e cila e ka veshur kostumin e saj të nuses në vitin 1938 në moshën në moshën 16-vjeçare. Më tej ky kostum është mbartur nga e bija Emilia (nëna e Stella-s), që në foto ka pozuar në moshën 18-vjeçarenë vitin 1958. Vetë ajo e ka veshur në vitin 1981, ndërsa e bija Elena, e katërta në radhë ka veshur kostumin e gjyshes tjetër arbëreshe, nga ana e të atit dhe fotoja e saj daton në vitin 1998-99. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Uta Ibrahimit i është dhënë mundësia për ekspeditën e radhës, e cila është ftuar bashkë me shtatë gratë më të mira të botës që të ngjitet në majën e “Dhaulagirl”, dhe kjo ngjitje njëherësh e bën që kosovarja Uta Ibrahimi të bëhet ballkanasja e parë që ngjet shtatë majat më të larta në botë, shkruan KultPlus.
Mirëpo, për këtë ngjitje alpinistes kosovare i duhet ndihmë e shpejtë financiare, në vlerë prej 13 mijë eurove, pasi që ekspedita do të nisë pas një jave.
KultPlus ju sjell kërkesën e Federatës Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës për këtë ekspeditë.
Te dashur shok e shoqe, Faleminderit krejt qe jeni mbledh se bashku, per me e ndihmu vazhdimin e ekspeditava. Kane mbet edhe pak dite, e kam nevoje edhe për shume mbeshtetje … Nji thanje e vjetër … pika pika, mbushet pusi Ju faleminderit me shume dashuri Postimi nga Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës – FBAK Kërkesë për mbështetje të alpinistes tonë, Uta Ibrahimi!!! Të dashur miq, Uta Ibrahimi këto ditë ka ngjitur majën e saj të 6-të, nga 14 majat më të larta 8000 metërshe në botê, majën Annapurna në Himalaje, dhe edhe një herë na ka bërë krenarë si Kosove dhe si komunitet e Federatë Bjeshkatare. Sot kemi kuptu qe Utës iu ka ofruar një mundësi pas kthimit nga Annapurna, gjatë qëndrimit në kampin bazë. Ajo është ftuar të ngjitet edhe në majën e 7-të, Dhaulagiri, t’i bashkëngjitet një ekspedite prej shtatë grave nga më të mirat në botë. Çka vlen të theksohet, është se Uta është ne kampin bazë, dhe e aklimatizuar, kështu që shpenzimet për ketë ekspeditë do të jenë shumë herë më të vogla se po ta bënte veçmas ketë majë. Ekspedita fillon për një javë dhe koha është shumë e shkurtër kështu që nevoja për ta ndihmuar, është shumë urgjente. Kjo ngjitje do ta bënte Utën ta thyejë rekordin ekzistues, dhe të bëhet e para nga Ballkani që ka ngjitur 7 majat më të larta në botë. Kostoja e kësaj ekspedite është rreth 12-13,000 Euro dhe Uta nuk ka mundësi të ngrisë fonde nga vendi ku është. Ne si Federatë po mundohemi të bëjmë çfarë është e mundur, për t’ia mundësuar këtë ngjitje pra, ju lusim që aq sa keni mundësi të kontribuoni në xhirollogarinë në vijim si dhe ta shpërndani këtë postim sa më shumë. Për me shume detaje shihni faqen e Utës ne linkun https://utalaya.com/ Xhirollogaria: 2020-0001-7141-6535 Teb Bank Për pagesa jashtë vendit: Përfituesi: Flutura Ibrahimi Banka e përfituesit: TEB Sh. A. Prishtinë, Kosovë Swift/BIC code: TEBKXKPR IBAN i përfituesit: XK052020000171416535./ KultPlus.com
Revista amerikane “Stars Illustrated Magazine” i ka kushtuar një artikull këngëtares shqiptare Merita Halili.
Në rubrikën “Artisti i muajit” dhe titullin “Mbretëresha e këngëve shqiptare. Një interpretuese e shkëlqyer”, flet mbi sukseset e këngëtares shqiptare që prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Revista përmend një shkrim të New York Times të vitit 2002 që e vlerëson Meritën si një soprano rrezatuese në këngë të këndshme të dasmës, të shoqëruara nga fizarmonika e bashkëshortit të saj Raif Hyseni.
Sakaq, krahas karrierës së suksesshme të këngëtares në Shqipëri, më 1995 Merita, bashkëshorti i saj Raifi dhe vajza e tyre u vendosën në Nju Jork të SHBA-ve. Merita ka performuar në koncerte muzikore më të famshme dhe prestigjioze në Amerikë si “Symphony Space Broadvvay”, “Manhattan”, “Lincoln Center”, “American Museum of Natural History” e shumë të tjera. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Në shënimin e Ditës së Tokës, nesër në qytetin e Mitrovicës do të mbillen pemë nga shqiptarë dhe serbë, përcjellë KultPlus.
Fillimisht, nga ora 09:00 do të mbillen pemë në Mitrovicën Jugore dhe atë Veriore për të vazhduar më pas me një ceremoni që do të organizohet nga ora 10:00 nga OJQ Community Building Mitrovica (CBM), Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) dhe OJQ New Social Initiative (NSI), në kuadër të projektit “Pajtimi dhe Transformimi i Konfliktit”, i mbështetur nga USAID në Kosovë. Kjo ceremoni do të mbahet në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.
Qëllimi kryesor i kësaj ceremonie është rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve ndaj mbrojtjes së mjedisit, dhe promovimit të një ambienti më të pastër për shtatë (7) komunat e regjionit të Mitrovicës.
Në mesin e të ftuarve në këtë ceremoni e cila do të mbahet nga ora 09:00 deri në 14:00, do të jenë njohës të fushës së ambientit, zyrtarë lokal të komunave, si zv. Ministri nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, Hysen Durmishi. / KultPlus.com
Të paktën 18,000 fëmijë emigrantë të pashoqëruar janë zhdukur pasi patën arritur në shtetet evropiane, përfshirë Greqinë, Italinë dhe Gjermaninë.
Një hetim nga The Guardian dhe të dhënat e gazetarëve kanë gjetur se 18,292 fëmijë të pashoqëruar emigrantë janë zhdukur në Evropë në mes të janarit 2018 dhe dhjetorit 2020 – mesatarisht 17 fëmijë në ditë.
Vetëm më 2020, 5,768 fëmijë janë zhdukur në 13 shtete evropiane.
Shumë fëmijë që janë zhdukur për tre fëmijë kishin ardhur në Evropë nga Maroku, por Algjeria, Eritrea, Guinea dhe Afganistani ishin në mesin e top shteteve të origjinës. Sipas të dhënave, 90 për qind janë djem dhe rreth një në gjashtë ishin më të vegjël se 15-vjeç.
Hetimi i cili mblodhi të dhënat e fëmijëve të humbur, gjeti se informacionet e ofruara shpesh nuk ishin të plota, çka nënkupton se numri i vërtetë i fëmijëve të humbur mund të jetë shumë më i lartë.
Spanja, Belgjika dhe Finlanda ofruan të dhëna të regjistruara deri në fund të vitit 2019. Danimarka, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar nuk ofruan asnjë të dhënë për fëmijët e pashoqëruar që janë zhdukur.
Gjetjet e hetimit ngrenë pyetje nëse shtetet evropiane janë të afta apo nëse janë të gatshme të mbrojnë fëmijët emigrantë të pashoqëruar.
Në mars 2019, The Guardian dhe “Lost in Europe” gjetën se të paktën 60 fëmijë vietnamezë ishin zhdukur nga strehimoret holandeze. Autoritetet e Holandës dyshojnë se ata janë trafikuar në Britani për të punuar në ferma të kanabisit dhe në sallone të thonjve.
Ka shumë arsye pse fëmijët po zhduken, ka thënë raportuesi për trafikimin human në Holandë, Herman Bolhaar, përfshirë procedurat e gjata dhe të lodhshme për të marrë mbrojtje ndërkombëtare ose për tu bashkuar me familjet e tyre. / Koha.net / KultPlus.com
Qindra persona protestuan të mërkurën në Berlin kundër një ligji që pritet të votohet në kuvend për t’i dhënë kompetenca qeverisë qendrore për të vendosur izolim në zonat me shkallë të lartë infeksionesh.
Kancelarja Angela Merkel vendosi që ta hartojë ligjit që nxiti kritika nga kundërshtarët politikë, të cilët kanë thënë se i kufizon liritë personale, pasi 16 shtetet federale refuzuan të vendosin masa të rrepta izolimi pavarësisht shtimit të rasteve me Covid-19.
Në mesin e masave pritet të jenë ora policore nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit, kufizimi i tubimeve private dhe kufizimi i dyqaneve e qendrave sportive. Shkollat do të mbyllen dhe nxënësit do t’i kthehen mësimit “online”, nëse shënohen më shumë se 165 raste për 100 mijë banorë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Qindra protestues, pak prej tyre me maska, u grumbulluan në një ditë me diell afër Portën se Brandenburgut, jo shumë larg ndërtesës së Bundestagut, në qendër të Berlinit.
Protestuesit valëvitën flamuj gjermanë dhe parulla me mbishkrimet “paqe” dhe “demokraci” si dhe lëshuan muzikë. Veturat e policisë ishin të parkuara në rrugë, ndërsa policët vëzhgonin.
Gjermanët janë të ndjeshëm ndaj masave që e kërcënojnë lirinë e lëvizjes për shkak të së kaluarës naziste dhe komuniste. Protesta kundër ligjit të ri jë javët e fundit janë mbajtur në disa qytete në mbarë vendin. / KultPlus.com
Historia na mëson gabimet, parasegjithash na mëson se ku konkretisht gabuam. Ne si popull, si shtet, si shoqëri asnjëherë nuk marrim parasysh gabimet e historisë. Ne e dashurojmë historinë vetëm për lavdinë e saj, lavdinë të presupozuar tonë. Kjo mendësi është arsye pothuajse e secilit problem që kemi. E njejta vlen edhe për letërsinë, më saktë dramën shqipe. Që nga shkrimi i dramës së parë shqipe e deri tani rrugëtimi i saj vazhdon të jetë i njejtë, duke u zvarritur për mbijetesë.
Eh pra historia fillon kështu: Ne kemi hapësira teatrore gati të vjetra sa ato të Greqisë së lashtë: Apollonia, Butrinti, Bylisi, Sofratika, Durrësi etj. ku ka dëshmi se janë zhvilluar aktivitete teatrore dhe letrare madje për një kohë të gjatë por nuk ka dëshmi të dokumentuar të një drame të shkruar në gjuhën shqipe në këtë kohë. Plauti ( 254-184 p.e.s), një nga dramaturgët e mëdhenj të Romës së lashtë shkruan komedinë “Menhemët” ku ngjarja ndodhë në vendin e quajtur “Epidamnus”, që më vonë merr emrin “Dyrrah” e sot quhet “Durrës”. Kjo komedi e konsideruar si puna ma e madhe e Plautit është dëshmi se aktivitetet teatrore kanë qenë prezente që nga koha e lashtë në trojet shqiptare.
Por drama e parë në gjuhën shqipe shkruhet shumë vonë. Drama e parë shqipe “Emira” u shkrua më 1885 nga Anton Santori. Kjo dramë fitoi titullin e dramës së parë të shkruar në gjuhën shqipe sepse Sami Frashëri shkroi “Besën” (1874) në gjuhën turke kurse Jeronim De Rada shkroi “Sofonisbën” në vitin 1846 kurse u botua më 1891 në gjuhën italiane dhe pastaj u përkthyen në gjuhën shqipe. Edhe pse mund të duken si teknikalitete, kjo luan rol të madh ndonëse në atë kohë asnjëri nga dramaturgët nuk mund t’a ketë menduar kështu.
Më 1885 e tutje drama dhe teatri botëror fillojnë një epokë të rëndësishme, atë të modernizmit, formacion stilistik ky I cili hedh poshtë mitizimet, folkloret, hyjnitë dhe në qendër vendos njeriun e thjeshtë, të përditshëm e të pa “titull” kurse në këtë kohë dramat shqipe ishin të mbushura me ekzagjerime, patriotizma, lartësime..më the e të thash. Edhe patriotizmi e ndjenjat patriotike tek ne vijnë vonë, arsyeja është e jashtme, si gjithmonë.
1900 – 1920
Pas lavdisë të së “parave”prej 1900 e deri tek 1920 drama shqipe kalon një periudhë tejet të frytshme. Fan Noli edhe pse 20 vjeç në vitin 1902 shkruan dramën “Izrailitë e Filistinë” të cilën e boton në vitin 1907.Në këtë periudhë shkruhen komeditë e njohura nga Anton Z. Çajupi si “14 vjeç dhëndërr”(1902) dhe “Pas Vdekjes”(shkruar më 1910, botuar më 1937) gjithashtu edhe tragjedia”Burri i dheut” (shkruar më 1908, botuar më 1937).
Pastaj Mihail Grameno shkruan komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe”(1905) dhe tragjedinë historike “Vdekja e Pirros”(1906). Në vitin 1915 Foqion Postoli shkruan dramën “Mallkimi i nënës”(1915).
Gjergj Fishta, një nga dramaturgët më lirik që ka dramaturgjia shqiptare boton dramat “Juda e makab” (1914), “Shqyptari i gjytetnuem”(1911),”Gomari i Babatasit”(1923) dhe vepra të tjera të rëndësishme. Fishta paraqet dramë tipike të asaj kohe: e shkruar në vargje, tone patriotike me tepricë, glorifikim, lirikë e kësi gjëra.
Pas Çajupit, kontribut të madh në zhvillimin e komedisë në gjuhën shqipe dha edhe Kristo Floqi me komeditë “Fe e Kombësi”(1909), “Karllo Topia”(1916),”Pirro Neoptolemi”(1923) dhe komedi të tjera të cilat ende vazhdojnë të inskenohen nga ata që kuptojnë komedinë e mirëfilltë. Kristo Floqi bashkë me Çajupin zhvilluan komedinë përtej pritjeve reale të asaj kohe madje Kristo Floqi arriti në një nivel edhe më të lartë duke e paralelizuar veten edhe me Molierin, mjeshtrin e komedisë.
1930 – 1955
Vitet e 30-ta sollën një dramaturg të veçantë, Et’hem Haxhiademin me dramat Ulisi(1931), Akili(1931), Aleksandri(1931),Pirrua(1931),Skendërbeu(1935), Diomedi(1936), Abeli(1936) etj. Kontributi I tij në dramaturgjinë shqipe ishte tejet I madh por nuk u shpërblye asnjëherë madje në moshën 63 vjeçare vdes në burgun e burrelit pak muaj para se ta përfundonte dënimin me burg pasi i iku dënimit me vdekje dhe u fal.
Por diçka e çuditshme ishte duke ndodhur deri këtu, Drama zhvillohej si gjini letrare për botim dhe jo për inskenim. Deri më tani këto vepra ishin “hamendësime” dhe ende nuk kishin kaluar “testin” në teatër: me prova, ushtrime, premiera, repriza, përballjen me publikun etj.
Teatri Popullor në Shqipëri u themelua më 1945, i cili më pas u emërua Teatri Kombëtarë. Më 1946 u themelua edhe Teatri Popullor Krahinor i Kosovës ku në vitet e para punuan kryesisht lëvizjet dhe inciativat amatore të asaj kohe.
Gjithçka në rregull deri këtu; kemi dramaturgë, drama të shkruara, teatro ku të inskenohen dhe potencial artistik e intelektual derisa komunizmi shpërthen si murtaja dhe artistët, shkrimtarët, veprimtarët partiotik fillojnë të përndjeken dhe vriten.
Teatri dhe drama bëhet mjet i fuqishëm propagandues i Komunizmit dhe krijohen konventat e rregullat e veçanta të shkrimit sipas kërkesave të Realizmit Socialist. Në këtë kohë shkruhet drama “Halili dhe Hajria”(1950) nga Kolë Jakova i cili pastaj shkroi edhe dramën “Toka jonë”(1955). Sulejman Pitarka boton dramën “Familja e Peshkatarit”(1955).
1955 – 1985 në Shqipëri
Sulejman Pitarka boton dramën shumë të njohur “Trimi i mirë me shokë shumë”(1958). Në vitin 1961 Spiro Çomora boton komedinë “Karnevalet e Korcës”. Fillojnë punën edhe shumë dramaturgë tjerë si Loni Papa, Fatos Arapi, Naum Prifti, Dritëro Agolli, Dionis Bubani e të tjerë.
Drama dhe Teatri në shqipëri në vitet 60’të dhe 70’të pësoi goditje të mëdha kur pas zhdukjes së lëvizjeve amatore u ndalua repertori i huaj.Kultura përendimore konsiderohej borgjeze e dekadente dhe ajo çka mbeti ishin lavdet dhe propagandat e Enver Hoxhës dhe sërvilëve të tij.
Çdo vepër, punë apo arritje artistike e perëndimit apo të cilit do vend në botë konsiderohej e gabueshme madje u mohua fuqishëm. Vlerat e vërteta ishin tek veprat e krijuara duke u përshtatur konventave të realizimit socialit të cilat me tekst apo nëntekst, formë apo përmbajtje, mesazh të drejtëpërdrejt apo tërthorazi që shpërfaqeshin ideologjinë e komunizmit. Pjesa më e madhe e dramaturgëve e shkrimtarëve ishin të përndjekur, internuar e torturar edhe pse shumica ishin me prejardhje nga familje intelektuale e patriotike. Kishte nga ata që ishin të përkdhelur e të pa shqetësuar por me rrëzimin e komunizmit nuk kishin zgjidhje tjetër pos ikjes.
Një gjendje e tillë vazhdoi gjatë deri në rrëzimin e komunizmit ku shkrimtarët fituan lirinë e tyre që iu mohua aq shumë.
1955 – 1985 në Kosovë
Përderisa gjendja në Shqipëri u keqësua madje në nivele të tmerrshme e morbide, gjendja në Kosovë ishte stabile. Vitet e 60’ta e 70’ta shënuan një epokë të artë të teatrit dhe dramës me emra si Anton Pashku, Azem Shkreli, Ekrem Kryeziu, Beqir Musliu, Rexhep Qosja etj.
Teatri Popullor Krahinor I Kosovës I themeluar në vitin 1946 deri në vitet e 60’ta vazhdoi punët me lëvizjet dhe grupet amatore. Në vitet e 60’ta u krijuan kuadro të reja të cilët e shëndrruan këtë teatër në një gjigand të prodhimit të shfaqjeve dhe vlerave të vërteta aristike.
Deri në vitin 1989 ky teatër dokumenton mbi 400 premiera, 10,000 repriza dhe me mbi 3,200,000 shikues. Me një repertor të gjerë me drama botërore, shqipe e jugosllave.
Shfaqjet e këtij teatri, tashmë Teatri Kombëtarë I Kosovës, janë shfaqur e prezantuar dinjitetshëm nëpër shumë festivale të ndryshme ku edhe kanë fituar. Një shfaqje e cila ende mbetet e paharrueshme është shfaqja “Erveheja”(1967) me tekst të Ahmet Qirezit bazuar në veprën e Muhamed Kyqyk- Çamit dhe nën regjinë e Muharrem Qenës. Vitet e 80-ta fillojnë të bëhen të vështira madje presioni politik rritet.
Vitet e 90’ta dhe këndej në Shqipëri
Me rrëzimin e komunizmit shumë sfera filluan të punonin përsëri pa ndalesa, kërcnime e frikësime. Edhe pse shumë gjatë Shqipëria kaloi në një kohë të errët, pa shpresë, pa zgjidhje dukej se të gjithës i erdh fundi. Një shpresë e vullnet I madh u karakterizua që ndikoj në secilin sferë e ndikim të madh pati në art, posaçanërisht në dramë e teatër.
Në vitet e 90’ta filluan të aplikohen metoda, eksperimente e prurje që sollën një frymë të re. Në Teatër më në fund mund të inskenoheshin dramat që ishin të ndaluara e në veçanti hov të madh morrën dramat e teatrit absurd. Në këtë periudhë u vë në skenë kryevepra e Samuel Becket “Duke pritur godonë” dhe kryevepra e Eugene Jonesco-s “Këngtarja tullace” vepra këto tipike të dramës absurdiste.
Pavarësisht stileve të reja evropiane e botërore, teatri vazhdoi edhe me drama kombëtare e tradicionale pa e anashkaluar dramën shqipe.
Vitet e 90’ta dhe këndej në Kosovë
Në ndërkohë në Kosovë në vitet e 90’ta krijohet një klimë e papërshtatshme pune e arti ku pas ca viteve fillon edhe lufta. Një ndikim të madh pati politika sa që edhe i dëboi shumë artistë nga teatri dhe vendosi ndalesë totale mbi çfarëdo lloj krijimi artistik.
Nga fund viteve të 90’ta në Kosovë e Shqipëri e deri më tani filloi epoka e Dramës Bashkëkohore Shqipe me dramaturgë si Haqif Mulliqi, Fadil Hysaj, Mehmet Kraja, Besim Rexhaj, Jeton Neziraj e të tjerë.
Pas përfudimit të luftës e këndej janë shkruar shumë drama, janë realizuar shumë shfaqje dhe janë krijuar gjenerata të tëra kuadrosh profesionistë. Problemi i dramës shqipe mbetet ende I njejtë, duke luftuar për mbijetesë.
Sot në Kosovë dhe Shqipëri
Drama Shqipe i ka mbijetuar dy luftërave botërore, kohës të tmerrshme të komunizmit, cenzurës së ish-Jugosllavisë dhe shumë sfidave të tjera e të vështira. Para saj ka edhe një grumbull problemesh siç janë: Problemet financiare dhe të menaxhimit, Problemet politike dhe ndërhyrjet e politikës, Mediokriteti dhe mbi të gjitha arsyeja e krijimit të krejt këtyre problemeve: emërimi I njerëzve jokompetent në pozitat e ministrave të kulturës, drejtorëve të kulturës dhe përgjegjësve për kulturë.
1412 drama janë të botuara në gjuhën shqipe që nga viti 1885 deri në vitin 2017 sipas studimit të Ernestina Gjergji-Halilit në librin “Bibliografia e dramës së shkruar shqipe”(2017). Sa prej këtyre dramave kemi parë në Teatër?
Teatri kombëtarë në Shqipëri, për fat të keq tani shkrumb e hi, por edhe teatrot tjera në Shqipëri kanë pasur dhe kanë një konsideratë e përgjegjësi për dramën shqipe e cila inskenohet ende. Kurse Teatri Kombëtarë i Kosovës dhe Teatrot e qyteve vazhdojnë ta zgjedhin dramën e huaj para dramës shqipe madje në një raport të frikshëm 2:1, 3:1 ose madje 4:1 për dramën e huaj.
Drama shqipe do të kaloj edhe këtë krizë sikur historikisht që ka kaluar krizat…duke u zvarritur. / Shkruar nga Diellza Beqaj / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës – juria profesionale për Konkurs projektimi, adaptimi i kompleksit ish-Gërmia për sallë koncertale ka vlerësuar projektet që ishin në garë duke dalë sot me vendimin e tyre, përcjellë KultPlus.
Sipas njoftimit, këta janë fituesit:
Çmimi i I-rë: Grupi i operatorëve: Kengo Kuma and as INC, O.U.D. Architects, Ahmet Topbas Muhendislik, Akim Muhendislik, Enmar Engineering, Ses Goruntu Produkiyon hizmetleri me shifër 6636.
Çmimi i II-të: Grupi i operatorëve: Shkëlqim Osmani B.I – vizion Projekt, MA Studio & Partners me shifër 1897.
Çmimi i III-të: Grupi i operatorëve: Arber Sadiku B.i, G+A Architects, me shifrën 6969.
Pas këtij vendimi, Komuna e Prishtinës është zotuar se do të vazhdojë angazhimin për hapat e ardhshëm, deri në finalizimin e Sallës Koncertale sepse ky projekt është i domosdoshëm për artistët dhe qytetarët tanë. / KultPlus.com
Vepra “Audienca e Vaclav Havelit” e autorit dhe dramaturgut kosovar, Jeton Neziraj, është botuar edhe në Iran.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Neziraj përmes rrjetit social Facebook ku është shprehur shumë i lumtur për këtë botim të ri të veprës të përkthyer nga Alireza Mahvelati dhe botuar nga Publikimi Payamcharsoo.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, drama kishte premierë në teatrin “Oda”, prodhuar nga Qendra Multimedia dhe me regji të Agon Myftarit.
Neziraj e ka dhënë lajmin teksa ishte ulur në të njëjtën kafiteri në Prishtinë, ku rreth dy vite më parë, me Agon Myftarin kishin ndarë histori personale dhe përvoja që i shërbyen për të shkruar këtë pjesë. / KultPlus.com
Njerëz të famshëm si Leonardo DiCaprio, Katy Perry dhe Joaquin Phoenix i kanë kërkuar presidentit të SHBA, Joe Biden të ndihmojë në mbrojtjen më të mirë të pyjeve të Amazonës dhe të mos nënshkruajë marrëveshje me presidentin brazilian, Jair Bolsonaro.
Në një letër të hapur të lëshuar përpara takimit të klimës virtuale të kësaj Dite të Tokës, grupi i artistëve dhe muzikantëve ndërkombëtarë shprehën shqetësimin se SHBA po negociojnë një marrëveshje mjedisore me Bolsonaro.
“Të drejtat e popujve indigjenë, të cilët janë rojat e pyllit, janë shkelur nga Bolsonaro dhe administrata e tij”, lexon deklarata.
“Ne i kërkojmë administratës suaj që të dëgjojë thirrjen e tyre dhe të mos angazhohet për asnjë marrëveshje me Brazilin në këtë kohë”, shtuan ata.
Biden ftoi udhëheqësit duke përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping në samitin online të enjten dhe të premten.
Pylli i Amazonës konsiderohet një depo jetike e karbonit dhe për këtë arsye luan një rol kryesor në mbrojtjen e klimës.
Brazili është përballur me kritika në rritje për menaxhimin e Amazonës, veçanërisht nën presidencën e Bolsonaros./ atsh / KultPlus.com
Ceremonia përmbyllëse e Rolling Film Festival, që këtë vit ka shënuar edicionin e gjashtë me radhë duke dedikuar kështu 27 filma të realizuar nga dhe rreth romëve nga e gjithë bota që shpalosin traditën, kulturën, jetët e familjeve rome, realitetin dhe eksperiencat e vështira personale përgjatë jetës së tyre, duke hedhur dritë mbi antigjipsizmin që shkakton paragjykime dhe gjuhë të urrejtjes ndaj komunitetit rom, mbrëmë ishte rezervuar për ndarjen e çmimeve, gjë që ndodhi në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Pasi të pranishmit zunë vendet e tyre dhe dritat u fikën tërësisht, ceremonia përmbyllëse hapi perden e saj të parë me filmin ‘District 8’ nga regjisori Aron Guader, që për bazë kishte dashurinë mes një djali cigan Richie dhe vajzës Julia, babai i së cilës ishte një vendas hungarez. Ndërsa, paratë ishin i vetmi problem kryesor që grindjet mes këtyre dy familjeve që dallonin nga aspekti i komuniteteve, të mbaronin. Prandaj, në zhanrin e animacionit, Richie së bashku me shoqërinë e tij, kthehet pas në kohën antike kur mamutët ekzistonin duke kthyer ata në një lloj të vajit që do të ndihmonte atë të bëhej i pasur në të ardhmen.
Komedia e këtij filmi që njëkohësisht barte një domethënie se si në të vërtetë njerëzit e shohin komunitetin rom dhe se si duken situatat e ndryshme nga jeta e përditshme e atij komuniteti, ishte një reflektim i vërtetë duke bërë që kuptimi i filmit të depërtonte jo vetëm tek mendjet e të pranishmëve por edhe në zemrat e tyre.
Pas shfaqjes së këtij filmi, i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili mori fjalën në skenë duke u shprehur se ndjehej i nderuar që ishte prezent në një festival të tillë që promovon jetën, diversitetin dhe përvojat e përbashkëta të komunitetit rom kudo në botë.
“Më gëzon fakti që gjatë kësaj kohe të vështirë, ka pasur aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike. E çmoj lartë faktin se Rolling Film Festival është bërë ngjarje e rëndësishme në Kosovë përmes së cilës pasqyrohet jetesa e komunitetit rom në të gjitha aspektet duke mbështetur arti dhe kultura rome. Arsimi, punësimi dhe integrimi janë probleme për komunitetin rom e të cilat ne duhet ti zgjidhim së bashku”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, ky festival i filmit duhet t’i shërbejë shoqërisë për të kuptuar nevojat e komunitet rom por edhe për të ngritur ndërgjegjen që të krijohet një shoqëri që nuk përjashton sepse të gjithë jemi të barabartë pavarësisht origjinës dhe kulturës.
Ndërsa në këtë përmbyllje, drejtori ekzekutiv i Roma Versitas Kosovo, Avni Mustafa ka folur për nevojën që komuniteti rom të ndjehen të pranuar.
“Ka qenë një ëndërr e gjatë dhe tani më në fund është koha që të pranohet fakti se njerëzit romë janë të barabartë me të gjithë. Ata kanë të drejtë të fjalës dhe fuqi në formimin e vendimeve. Identiteti dhe kultura rome përfaqëson potencialin e fortë të njerëzve dhe ata duhet të kenë akses të njëjtë në edukim, kujdesin shëndetësor, energjinë elektrike dhe ujin”, u shpreh Mustafa.
Po ashtu, për të ndarë çmimin ‘Young Discovery Talent’, të pranishëm ishin drejtuesja e animacioneve të projekteve Flaka Kokolli dhe shefi i zyrës nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ‘Roma Integration’, Orhan Usein.
Dy çmime për dy pjesëmarrësit nga ‘workshop’, përfshijnë praktikë 1 mujore në kompaninë e animacionit ‘Flamorum’ që krijon filma të shkurtër të animuar, të sponsorizuar nga organizata ‘Roma Versitas Kosova’, u ndanë për Bledina Bytyqi dhe Ardijan Krasniqi.
Ndërsa krejt për fund u paralajmërua që edicioni i shtatë i Rolling Film Festival mendohet të mbahet nga 1 deri më 5 nëntor në vitin 2022. / KultPlus.com
MammalNet tashmë edhe në Kosovë duke ofruar kështu disa mundësi teknologjike që ndihmojnë qytetarët dhe shkencëtarët të regjistrojnë praninë e gjitarëve të egër në habitatin e tyre.
Qëllimi i projekti MammalNet është të përfshijë qytetarë aktivë në mbledhjen e të dhënave të gjitarëve të egër në Evropë.
Projekti MammalNet (www.mammalnet.com) promovohet nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA), dhe koordinohet nga Bardh Sanaja në Kosovë. Projekti bashkon forcat me partnerë të ndryshëm Evropianë që janë të specializuar në botën e kafshëve të egëra (https://www.mammalnet.com/collaborators) për të vlerësuar potencialin e “shkenca nga qytetaret” citizen science për monitorimin e gjitarëve evropianë. Kjo iniciativë po promovon kërkimin dhe ruajtjen e gjitarëve të egëra, por gjithashtu adresimin e disa prej sfidave mjedisore me të cilat përballemi; të tilla si ndryshimi i klimës, humbja e biodiversitetit ose shfaqja e sëmundjeve që lidhen me jetën e egër.
MammalNet ofron disa mundësi teknologjike që ndihmojnë qytetarët dhe shkencëtarët të regjistrojnë praninë e gjitarëve në habitatin e tyre. Njerëzit mund të përdorin një aplikacion në një telefon celular për të regjistruar praninë e një gjitari ose gjurmët e tij, ose mund të marrin pjesë duke ndarë imazhet e kapura nga kurthet e kamerës. Pa qenë ekspert, sigurisht qytetarët që janë të aftë ti dallojnë ato në mjedisin e tyre (si lepujt, lepujt, dhelprat). MammalNet e inkurajon secilin ambientalist, gjuetarët ose çdo qytetar tjetër të përfshihet në këtë projekt. Ndarja e pamjeve dhe vendndodhja e gjitarëve të egër është një nga mënyrat më të mira për të përmirësuar njohuritë e biodiversitetit tonë dhe përfaqëson një kontribut të çmuar në avancimin e kërkimit të botës së egër.
“Shumë qytetarë janë në gjendje të identifikojnë saktë ata gjitarë të egër që jetojnë në rajonin e tyre të lindjes. Vështrimi i një dreri në një livadh ose një rrugicë rrugore është me vlerë të madhe për studiuesit dhe është shumë e lehtë për tu ndarë me iMammalia”, tha Bardh Sanaja nga ERA, ekspert i gjitarëve.
“Kurthet e kamerës na lejojnë të marrim informacion thelbësor se ku dhe si jetojnë gjitarët. Mund ta vendosni një në zonën tuaj ose në kopshtin tuaj. Do të habiteni se çfarë mund të fotografoni. Nëse nuk keni përvojë, mund të ngarkoni fotot tuaja dhe t’ia lini ekspertëve detyrën e njohjes së specieve. Kështu që ju mund të mësoni t’i identifikoni ato vetë!”, tha Massimo Scandura (koordinator i projektit në Evropën Juglindore)
Duke shkarkuar aplikacionet e projektit (www.mammalnet.com) dhe duke ndarë pamjet e botës së egër, qytetarët mund të bëhen shkencëtarë që mbështesin në mënyrë aktive ruajtjen e biodiversitetit.
Mos e humbni mundësinë për të kontribuar në të ardhmen tuaj!
MOOC: Kurs i hapur në internet (falas) për konceptin “shkenca nga qytetaret” dhe mbledhjen e të dhënave mbi kafshët e egra: https://mammalnet.com/mammalnet-mooc-en/ / KultPlus.com
Të jesh i revoltuar sot nuk është diçka e mbrapshtë apo diçka e keqe. Koha kur jetojmë ka nevojë për revoltën. Nëse shkrimtari i madh francez, nobelisti Albert Kamy, (Camus), mbetet aktual në letërsinë dhe mendimin e sotëm botëror, kjo ndodh sepse në kohën e pabarazisë dhe të mjerimit, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirisë, vetëm revolta dhe gjëndja e njeriut në revoltë të përherëshme mund ta shpëtojë njerëzimin, mund të shpëtojë një shoqëri, duke sjellë ndryshimin dhe progresin e vazhdueshëm të saj. Dhe kjo është universale, për gjithë shoqërinë njerëzore, për të gjitha sistemet, pasi nuk është fjala vetëm për revoltën ndaj diktaturave, por dhe për demokracitë e reja, ku demokracia për tu afirmuar çdo ditë, ka nevojë dhe për revoltën, ka nevojë për një revoltë qytetare kundër gjëndjes absurde që na rrethon, që kërkon gjithnjë ndryshimin dhe përsosjen e sistemit demokratik.
Ky mesazh i Kamysë vlen dhe për ne shqiptarët që rrallë jemi revoltuar dhe revoltohemi, vlen dhe për ne që nuk e njohim dhe aq revoltën qytetare, madje edhe kur na preken nevojat më elementare të jetesës dhe të ekzistencës sonë. Shpesh herë, revolta jonë ka qënë e krisur, e pa kontrolluar, shkatërrimtare, gjer dhe absurde. “Të pranosh absurditetin e gjithçkaje që na rrethon, – shkruante Kamy para Luftës së Dytë Botërore, – është një etapë, një eksperiencë e nevojshme: dhe kjo nuk duhet bërë një pengesë. Ajo mund të nxisë një revoltë, e cila mund të bëhet e dobishme. Një analizë e nocionit të revoltës mund të na ndihmojë të zbulojmë nocione të afta për ti ridhënë ekzistencës sonë një kuptim.” Ky është dhe thelbi i mendimit të Albert Kamysë. Një mesazh që kërkon angazhimin e njeriut e të shoqërisë për një vështrim kritik, në mënyrë që të mund të ecet përpara, në mënyrë që të bëhet progres larg demagogjisë politike dhe fshehjes të së vërtetës.
Kamy na mëson se vetëm revolta qytetare mund ta shpëtojë një shoqëri nga absurditeti ku jeton, nga mediokriteti dhe meskiniteti, shfrytëzimi i njeriut, nga makutëria ndaj pushtetit dhe shpërdorimi i saj, nga gjithçka që venit shpirtin njerëzor dhe e sterilizon atë. Sa e sa herë jemi përballur dhe përballemi ne me gjëndjet absurde, sa e sa herë në ekranet e televizionit shohim ndeshjet absurde të politikës, ku shpesh ky “absurd” gjer dhe një objekt ndërtimi, një program apo një kryqëzim, kthehet në objekt humori ku mjerisht qeshim të gjithë dhe harrojmë të revoltohemi. Shumë herë dhe vetë gjëndja jonë bëhet absurde. Pra ajo që mund ta ndryshojë këtë gjë është revolta përmes fjalës dhe veprimit demokratik.
Gjithë jetën e tij, edhe pse një jetë e shkurtër, ky intelektual i madh i botës perëndimore nuk rreshti së luftuari kundër ideologjive dhe abstraksioneve që largoheshin nga ajo që ishte humane, njerëzore. “Absurdi, – shkruante ai, – lind nga ky përballim midis thirrjes që bën nevoja njerëzore dhe heshtjes së habitshme dhe pa arësye të shoqërisë, botës.” Për Kamynë, kur njeriu kërkon përgjigje ndaj kërkesave të tij dhe nuk i gjen këto përgjigje, kjo krijon një situatë absurde. Dhe përgjigjet rreth kësaj pyetjeje, Kamyja i kërkon veçse në terrenin njerëzor, pra në veprimtarinë e përditëshme njerëzore dhe jo nga hyjnitë, bota e perëndive dhe se ç’thonë ato. Siç e thotë dhe në librin e tij “Miti i Sizifit”, “njeriu absurd duhet të këmbëngulë dhe të mos i dëgjojë profetët, (e ideologjive apo të fesë), të mos besojë në zgjidhjen e problemeve jetike në imagjinacionet e Ferrit apo të Parajsës, por të ndërhyjë”, pra të revoltohet, siç do ta thotë me forcë ai në veprën e tij më të fuqishme “Njeriu i Revoltuar”. “Revolta, është një mënyrë për të jetuar absurdin dhe për tu përballur me të.”
Filozofia e absurdit dhe e revoltës, një filozofi ku intelektualët shqiptarë dhe shoqëria civile mund të gjejnë vetveten, është padyshim një nga filozofitë më moderne dhe të nevojshme sot, çka e bëjnë Kamynë një nga mendimtarët e mëdhenj të kohës sonë.
Albert Kamy u largua nga kjo botë në moshën 46 vjeçare, atëherë kur ai mendonte se sapo kishte filluar veprën e tij letrare, edhe pse ai i kishte shkruar tashmë kryeveprat e tij. Rikthimi ndaj veprës letrare dhe mendimit kritik të Kamysë sot nuk është thjesht një kujtesë dhe as thjesht një informacion për gjeneratat e reja. Ai është diçka më tepër. Eshtë një manual mendimi, është një mënyrë të përjetuari të ekzistencës sonë. Ja pse është e rëndësishme të flasim për të, pikërisht, kur ne shqiptarët kemi nevojë për ta dinamizuar proçesin e ndryshimeve tona, për të kundërshtuar atë që na serviret si fati ynë, për të thyer monotoninë dhe qëndrimin në vend “numuro”, për ti dhënë një vrull të ri proçesit integrues në vlera të reja demokratike, evropiane e universale njëkohësisht, për të mos pranuar fyerjen e vazhdueshme dhe për të mbrojtur dinjitetin, për të afirmuar koncepte të reja, novatore që vënë në pikëpyetje praktikat boshe dhe modelet e vjetra të ideologjisë dhe demagogjisë sonë.
Por cili ishte ky njeri që 95 vjet pas lindjes së tij na përcjell këtë mesazh moderniteti?
Njeriu që vinte nga Mesdheu
Albert Kamy njohu diellin e Algjerisë dhe jetoi brigjet e Mesdheut. Ai ishte nga ata francezë të vendosur prej kohësh në koloninë e dikurshme franceze, në Algjeri. Ai lindi në vitin 1913, në një familje tepër të thjeshtë, ku njohu kazbanë e Mondovisë dhe pastaj të Algjerit, (Tipasa), dhe ku shumë i vogël mbeti jetim, pa mundur ta njihte fytyrën e atit të tij të vrarë në llogoret e Luftës së Parë Botërore. “Mjerimi më pengoi që të besoja se gjithçka shkonte mirë, – do të shkruante për këtë periudhë të jetës së tij Kamy. – Dielli më mësoi se historia nuk është e gjitha.”
Nëna e tij, Catherine Sintès, me origjinë spanjolle dhe analfabete, punonte në shtëpitë e botës që të mbante me bukë dy fëmijët e saj, Lucienin dhe Albertin. Kamyja kishte një dashuri të jashtzakonëshme për nënën e tij gjysmë të shurdhët, edhe pse ajo s’dinte të lexonte. Ajo drobitej në punë dhe pak bisedonte me birin e saj. Kjo heshtje e saj dhe kjo mungesë komunikimi ndihet në disa nga librat e tij.
I sëmurë nga turbekulozi që në adoleshencë, kjo sëmundje do ta ndiqte Albertin dhe në rininë e tij, duke e penguar më vonë për të patur një jetë si gjithë të tjerët. Pasioni i tij ishte gazetaria, ku filloi që në Algjeri, përmes «Alger Republicain», «Ce Soir» e gazeta e tjera, duke vazhduar më pas me gazetën Combat në Francë, e cila do ta bënte një njeri të njohur të Rezistencës franceze. Që në vitin 1935 ai ishte anëtar i Partisë Komuniste franceze, por në vitin 1937, meqë ai kishte mbrojtur qëndrimet nacionaliste të disa algjerianëve, e cilësuan trockist dhe e përjashtuan nga Partia.
Ardhja në Francë do të përbënte një etapë vendimtare të jetës së tij letrare. Në Paris, ai u vendos së pari në Rue Ravignan, në Montmartre, dhe do të punonte për gazetën «Paris-Soir», e më vonë për botimet «Gallimard». Më pas, ky djalosh simpatik, me pardesynë e madhe dhe jakën e ngritur, do të binte në sy në lagjen e Saint-Germain-des-Près dhe «Café Flore», ku rrinin Sartri, romani i të cilit, «Neveria» e kishte entusiazmuar së tepërmi, dhe Simone de Bovuar. Nëse Sartri në atë kohë lexonte Hegel, Husserl apo Heidegger, Kamy parapëlqente Platonin, Spinozën apo Biblën, edhe pse ishte një ateist. Në sallat e teatrove ai u njoh me një aktore të talentuar, vajzën e një ministri republikan spanjoll të emiguar në Paris, Maria Casares. Edhe pse i divorcuar me gruan e parë, Simone Hié, dhe premtimin që i kishte bërë një të dashure tjetër në Algjer, Francine Faure, se sapo të mbaronte lufta do të martohej me të, ai përsëri ishte nga ata që e pëlqente shoqërinë e femrave.
Gjatë luftës, disa herë Kamyja u kthye në Algjer, ku kishte nënën dhe familjen e tij. Më pas, ai do martohej me Francine-n, e cila erdhi në në Lion e pastaj në Paris. Përjetimi i luftës së çlirimit të Parisit ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për gazetarin dhe njeriun e Rezistencës, Albert Kamy. Veçse, imazhet e «épuration», pra e «spastrimit», e «gjuetisë» kundër shkrimtarëve dhe artistëve që kishin bashkëpunuar me qeverinë e Vichy-së, apo «qethja e femrave franceze që kishin bërë dashuri me gjermanët gjatë luftës» e kishin trishtuar pa masë.
Nata e së vërtetës
Albert Kamy nuk do ta braktiste kurrë gazetarinë, profesionin e tij të parë. Aq më tepër gjatë luftës, kur jeta klandestine e shtyu atë drejt shtypit klandestin për të pohuar të vërtetën e asaj lufte, pasi në ndeshjen e madhe midis robërisë dhe lirisë, të vërtetës dhe demagogjisë, ishte në fakt lufta për triumfin e së vërtetës. Disa fotografi të asaj kohe, e tregojnë Kamynë, apo Beauchard, siç ishte pseudonimi i tij atë kohë, mes gazetarëve të tjerë të gazetës «Combat», (Beteja), të cilën ai e drejtoi. Eshtë një mjedis i çuditshëm, plot dritë e shpresë, një bashkësi njerëzish që kërkonin t’i përcillnin popullit kurajon dhe shpresën e një të ardhme të afërt. Ai punonte atje, në bodrumet e fshehta të Rue Reaumur, mu në zemër të Parisit; atje ku në prag të lirisë do të përjetonte krismat dhe betejën e vërtetë të çlirimit të kryeqytetit. Një ditë para çlirimit, në natën e vonë, ai kishte shkruar artikullin e njohur Gjaku i lirisë. Në artikujt e tij ai përshëndeste heroizmin dhe gjakun e rënë, triumfin e dritës ndaj errësirës. Në mëngjesin e datës 25 Gusht, ditën e çlirimit, parizianët kishin në duar editorialin e tij Nata e së vërtetës, ku ndër të tjera ai shkruante: “Kjo natë vlen sa një botë. Eshtë nata e së vërtetës. E vërteta përmes armëve të luftës, e vërteta që më së fundi shfaqet pas shumë kohe, kur ajo ishte duarbosh dhe me gjoks të zbuluar. Ajo është kudo në këtë natë ku populli dhe topi gjëmojnë njëherësh. Eshtë vetë zëri i këtij populli, i këtij topi, është fytyra triumfuese dhe e lodhur e luftëtarëve të rrugës…Katër vjet më parë, midis rrënimit dhe dëshpërimit, kishte njerëz që u ngritën dhe që pohuan qetësisht se jo gjithçka ishte humbur…Dhe ata e paguan me jetën e tyre!”…
Si vallë mund të ketë qënë ajo ditë e lirisë?…
Por Kamy nxitonte. Ai mendonte gjithnjë për botën e pasluftës. Ja pse në esenë e tij Letër drejtuar një gjermani, ai bënte dallimin mes një gjermani dhe një nazisti. Epoka e pas luftës ishte një epokë e lumtur për Kamynë. Ishte një kohë plot udhëtime dhe histori dashurish: një dashuri me një modiste franceze në SHBA, Regine Junier, (e cila i shkroi se do të vriste veten dhe në fakt e vrau pak më vonë); dashuria me një angleze në Paris, apo me një aktore të talentuar pariziane, Catherine Sellers. Ishin dashuri të rastësishme dhe të përkohëshme, përveç Maria Casares, të cilës ai i shkruante: «Ti më përket tërësisht dhe përgjithmonë, ashtu siç pjella i përket nënës së vet.»
Saint-Germain-des-Près jehonte atëherë nga muzika e kabareve ku këndonte Juliette Greco, apo ku i binte trompetës Boris Vian, miku i tij dhe i Sartrit. Nga pikëpamja e ideve, duke u larguar nga komunistët francezë që mbronin stalinistët, ai u afrua me idetë e «Shoqërisë së Hapur», të Karl Popper në Angli, të shpalosura në librin e tij «Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj», ide që ngacmuan dhe mikun e tij Raymond Aron, një nga teoricienët e demokracisë perëndimore. Popper vlerësonte se duhej luftuar kundër gjithë «murtajave» dhe të gjitha llojeve të dhunave. Pra njeriu i jep një kuptim vetvetes duke luftuar padrejtësinë. Lidhur me të ardhmen e Evropës, Kamy ishte në vazhdë të parullës së hedhur më parë nga Hygo për «Shtetet e Bashkuara të Evropës».
Ndarja me stalinizmin
Eshtë interesante një episod i atyre viteve kur në bulevardin Latour-Maubourg të Parisit, ai takoi një mikun e tij që kthehej nga një mbledhje komunistësh. Atë ditë Kamy i tha:
– Pra ju jeni një komunist tani?
– Po.
– Me një fjalë këtej e tutje ju do të jeni një vrasës.
– I tillë kam qënë dhe më parë, – i ishte përgjigjur ai.
– Edhe unë kam qënë, por tani nuk jam më.
– Por ishit ju ai që më futët në aksionet klandestine.
– Po, por sido që të vijë puna unë do t’u mbroj kundër atyre që nesër do duan t’ju pushkatojnë. Ndërsa ju, ju do të jeni i detyruar ta miratoni pushkatimin tim. Mendohuni!
– Do ta mendoj!… – i ishte përgjigjur miku i tij i luftës.
Në fakt, pas lufte, ngjarjet e dhunës revolucionare kundër disa shkrimtarëve francezë të cilësuar kolaboracionistë, proçesi kundër Slansky-it në Pragë, ardhja në pushtet e Gotvaldit stalinist, përjashtimi i Jugosllavisë nga “kampi socialist” dhe protesta më pas kundër shtypjes së kryengritjes anti-sovjetike në Budapest, etj, e bënë Albert Kamynë që të revoltohej kundër dhunës dhe diktatit stalinian, ashtu siç ishte revoltuar kundër çdo lloj dhune, siç ishte dhe rasti i ekzekutimit të komunistëve grekë. Ishte pikërisht ai që dha dorëheqjen nga UNESCO, kur ajo pranoi në gjirin e saj Spanjën frankiste. Por sidoqoftë, gjithnjë e më tepër ai largohej nga e majta revolucionare edhe pse vazhdonte të ishte kundër të djathtës së gjeneralit De Gaulle.
Dalëngadalë ai u largua dhe nga miqësia e ngushtë me filozofin Sartre dhe gruan e tij Simone de Bovuar. Biografët e Kamysë tregojnë një episod domethënës nga jeta e Kamysë. Në rrethin e tyre letrar e filozofik të mbledhur gjithnjë në lagjen e Saint-Germains-des-Près, ishte dhe shkrimtari i njohur Arthur Koestler, autori i romanit të njohur “Zero dhe Infiniti”. Një mbrëmje, ata ishin ulur në një kabare ruse dhe po pinin, kur Kostler, një anti-stalinist i hapur, në bisedë e sipër ia hodhi Sartrit gotën e tij, e cila ra në mur. Ata filluan të zihen dhe Sartri iku, por Koestler këmbë e duar e ndoqi pas. Meqë Kamy donte t’i ndante, ai e tërhoqi Koestler-in, por tjetri ia ngjeshi me një grusht turinjve. Kamyja donte ti hidhej, por njerëzit që ishin aty nuk e lanë.
Sartri e mori Kamynë dhe bashkë me Bovuar u futën në makinë, por koka e Albertit të dehur kishte rënë mbi timon. Ai qante duke thënë i dëshpëruar: “Ishte miku im dhe më goditi!” Që nga kjo ngjarje, Kamy do të largohej nga Sartri, i cili ishte më pranë komunistëve edhe pse nuk ishte anëtar partie.
Përballë ndarjes së botës në dy blloqe dhe një “Lufte të Ftohtë” që kishte filluar, Kamy e ndjeu veten të pafuqishëm për të ndryshuar diçka dhe për të udhëhequr një rrugë të re. Atëherë ai u tërhoq dhe u largua si nga grupi i Sartrit, ashtu edhe nga grupimet e tjera. “Roli im, – shkruante ai atë kohë, – nuk është të transformoj botën dhe as njeriun, por ndoshta tu shërbej disa vlerave pa të cilat nuk ia vlen ta jetosh jetën”.
Ai nuk kishte besim tek partitë dhe ideologjitë e kohës. As tek Revolucioni dhe dhuna e tij. Ai ishte kundër çdo lloj violence, nga cilido krah që të vinte ajo. “Njeriu ka bërë shumë revolucione për të ndryshuar gjëndjen njerëzore të tij, – shkruante ai, – por ai e ka parë se Revolucionet janë tjetërsuar. Sot, për të ruajtur identitetin e tij, njeriut i duhet të sfidojë realitetin ku jeton. Vetëm revolta e mbron atë, pasi ndryshe ai tjetërsohet. Madhështia qëndron tek revolta e pandërprerë dhe sakrifica për të ardhmen”. Kjo është pra kundërvënia ndaj errësirës. Ajo i jep vlerën së vërtetës. I vetmi besim që ai kishte, ishte sindikalizmi. Utopitë për të tashmë kishin vdekur.
Dy miqtë e zemëruar
Në vitet e luftës, Sartri dhe Simone de Bovuar (Simone de Beauvoir) ishin ndër miqtë e ngushtë të Kamysë, i cili sapo ishte vendosur në Paris dhe kishte gjetur punë në shtëpinë botuese “Gallimard”. Botimi i romanit “I huaji”, (L’Etranger), në vitin 1942, u përshëndet nxehtësisht nga Sartri në një artikull të gjatë në shtypin e kohës. Gjatë luftës, Kamy u përpoq ta afronte Sartrin me organizatën e tij klandestine «Combat». Atë kohë ai drejtonte gazetën «Combat», e cila shpërndahej fshehurazi në popull. Madje një herë, gjatë një kontrolli në metro, kur ishte me të dashurën e tij, aktoren Maria Casares, Kamy u kap nga Gestapo, por dokumentet komprometuese që kishte me vete ai arriti t’ia japë asaj. Dhe fati e shpëtoi.
Ai ishte në Paris kur filloi lufta për çlirimin e Parisit që para se të hynin amerikanët dhe forcat e gjeneralit francez Leclerc. Madje ai i kërkoi mikut të tij Zhan-Pol Sartr (Jean-Paul Sartre) të shkruante një seri reportazhesh nga lufta e Parisit dhe ai botoi në disa numra serialin e tij Tregimet e një kalimtari në Parisin kryengritës. Dhe padyshim, nën peshën e emocioneve, reportazhet e tij mbartnin një art të madh.
Pas lufte, gazeta «Combat» ishte një nga gazetat më me emër dhe Kamy kishte formulën e famshme të tij: «Një ide, dy shëmbuj dhe tri fletë». Edhe pse më parë dy modelet e tij ishin Revolucioni francez dhe revolucioni rus i Tetorit, shpejt ai do të largohej nga këto modele. Por krahas gazetarisë Kamy do të vazhdonte shkrimin e veprave të tij, të eseve dhe dramave për teatrin e ri.
Që gjatë luftës, në debatet me Sartrin për të përgatitur “të ardhmen”, ata kishin parasysh që ti propozonin shoqërisë një filozofi të re, një vështrim të ri të botës dhe marrëdhënieve njerëzore, një optikë të re mbi shtetin, kapitalin dhe sindikalizmin puntor. Ja pse Kamy u bashkua me lançimin e revistës së re «Kohët Moderne», (Les Temps Modernes), ku ai do të bënte pjesë dhe në komitetin drejtues. Në fakt, edhe pse kishin pikpamje të përafërta, (dhe deri diku në fillim, Kamy ishte i afërt me filozofinë e ekzistencializmit), më vonë Kamy përpunoi filozofinë e tij, atë të absurdit dhe të njeriut të revoltuar, çka e shkëputi nga ekzistencializmi i Sartrit. Madje shumë herë në intervista, ai do ta theksonte se filozofia e tij e absurdit nuk kishte të bënte me nocionet filozofike të Sartrit. Por botimi i esesë «Njeriu i revoltuar», (L’Homme revolté), do të shënonte ndarjen mes dy miqve dhe personaliteteve më në zë të mendimit intelektual francez dhe evropian të gjysmës së dytë të shekullit XX. Në një shkrim të revistës «Kohët Moderne», një bashkëpuntor i Sartrit e kritikoi veprën e tij, por meqë kjo revistë drejtohej nga Sartri, Kamy e mori si një sulm të drejtpërdrejtë nga miku i tij. Kjo gjë e hidhëroi tepër, edhe pse shumë herë, ngjarjet dramatike të kohës i afronin ata në të njëjtën llogore: kundër diktaturave, stalinizmit, militarizmit dhe luftës, kundër kolonializmit.
Sidoqoftë, debati i tij me Sartrin dhe André Bretonin do të vazhdonte si një debat publik përgjatë një viti. Sartri dhe Bretoni e akuzonin atë se ishte bërë anti-komunist dhe se kishte rënë prehë e «vlerave borgjeze». Por në fakt, lufta e Kamysë ishte për rolin e shkrimtarit dhe artistit në shoqërinë e re. Në mitingun ndërkombëtar të shkrimtarëve në Paris, ai u ngrit në sallën Pleyel, duke thënë se «nuk është lufta ajo që na bën artistë, por është arti që na bën luftëtarë». «Ne, – tha Kamy, – jetojmë në një kohë kur njerëz të shtyrë nga ideologji mediokre dhe përbindëshe, mësohen të kenë turp: turp të jenë të lumtur, të dashurohen, të krijojnë…Fatkeqësia është se ne jetojmë në kohrat e ideologjive dhe të ideologjive totalitare, të sigurta në arsyen e tyre idiote apo të «vërtetën» dritëshkurtër dhe që e shohin shpëtimin e botës veçse nën dominimin e tyre…Por vepra e artit e mohon diktatin e ideologjisë. Një nga kuptimet e historisë së nesërme është lufta që tashmë ka filluar midis fitimtarëve dhe artistëve…»
Kamy e kishte zgjedhur prej kohe llogoren e tij.
Nga Miti i Sizifit tek absurdi dhe revolta
Vitet 1938-1942 janë vitet më prodhimtare dhe vendimtare të gjithë veprës së Kamysë, pasi pikërisht në këto vite ai shkroi tre veprat e tij madhore: ‘I huaji’, ‘Miti i Sizifit’ dhe dramën ‘Kaligula’, ose siç thonë kritikët “tre absurdët”. Ai në fakt kishte dëshirë të kalonte nga eseja filozofike në romane apo drama, pra t’i gërshetonte këto gjini të ndryshme artistike. “Nëse do të jesh filozof shkruaj romane”, – thoshte ai. Duke iu referuar librit ‘Neveria’ të Sartrit, ai shkruante: “Një roman është veçse një filozofi e shprehur në imazhe”.
Që në rini të tij Kamy ishte një njeri i pasionuar ndaj filozofisë dhe idea e absurdit u formua gradualisht tek ai, duke kaluar më pas në stadin e njeriut të revoltuar. “Sot nëna vdiq. Ndoshta dje, nuk e di…- e fillon ai romanin e tij ‘I huaji’. Personazhi kryesor quhet Meursault dhe është një përzjerje e fjalëve “det” dhe “diell”, (“mer” dhe “soleil”). Eshtë historia e një njeriu, të cilit vdekja e nënës nuk i ngjall asnjë lloj emocioni. Pasi e varros, ai shkon në plazh dhe aty piktakohet me një vajzë që ka qef të shkojë me të. Ajo i kërkon të martohen. Në fakt ai nuk e do atë, por nuk gjen asnjë arësye për ta refuzuar. Me këtë lloj shpërkujdesje, ai miqësohet me një qeraxhi, i cili keqtrajton motrën e një arabi. Dhe kur Mersault është në plazh, në rrethana absurde e arbitrare, ai e vret arabin. Ai është indiferent nga vdekja e arabit, por kur dënohet me vdekje, ai nuk do të vdesë…Gjatë proçesit, kur e pyesin se përse e vrau arabin, ai i përgjigjet gjykatësve: “Për shkak të diellit!”
Duke iu referuar këtij romani, vite më vonë, Kamy do tu pohonte kritikëve: “Romanin ‘I huaji’ po e përmbledh brënda një fraze që e di se është paradoksale: Në shoqërinë tonë çdo njeri që nuk qan në varrimin e nënës së tij ka rrezik ta dënojnë me vdekje. Dua të them se heroi i librit është i dënuar, pasi ai nuk bën si të tjerët, nuk di të luajë. Në këtë kuptim ai është i huaj në shoqëri, endet kuturu në rrugicat e jetës së tij private, në shtigjet vetmitare dhe sensuale. Ja pse lexuesit tentojnë ta konsiderojnë atë si një anije e mbytur. Meursault nuk bën si të tjerët. Dhe përgjigja është e thjeshtë: ai refuzon të gënjejë. Por ai është për mua një njeri i mjerë, i xhveshur, i dashuruar pas diellit, pa hije. Një pasion i thellë e gjallon atë: pasioni për absoluten dhe të vërtetën.»
Në tezën e tij me titull ‘Të vërtetat e Albert Kamysë’, studjuesi shqiptar Ardian Marashi, ka nënvizuar pikërisht këtë anë të kontributit të Kamysë: “Ndërgjegja kundër kaosit”, kjo ishte idea që të tjerët kishin për Kamynë, – shkruan ai. – Në epokën e Luftës dhe të hutimit menjëherë pas-lufte, me veprën e tij të rëndësishme dhe qartësinë e fjalës së tij, Kamyja u bë një pikë referimi për të gjithë ata që shikonin tek e vërteta armën më efikase dhe më të sigurtë kundër kaosit dhe gjëndjes së pashpresë.”
Edhe në librin tjetër të Kamysë, të shkruar paralelisht me romanin ‘I huaji’, pra ‘Miti i Sizifit’, në thelb është analiza e njeriu absurd, e gjëndjes së tij të hedhur në një botë absurde. “L’absurd naît de cette confrontation entre l’appel humain et le silence déraisonable du monde”. Kamy nënvizon se është “divorci midis shpirtit që dëshiron dhe botës që e zhgënjen”. Pra është gjëndja e njeriut të dënuar si Sizifi, të cilit i duhet të ngrejë gurë të mëdhenj në majë të një mali dhe që bien përsëri; e njeriut që nuk gjen përgjigje për pyetjet e tij dhe që ndihet “i huaj në një botë pa të vërteta”. “Atëherë një problem filozofik shtrohet para nesh, thotë Kamy: vetvrasja! Por nëse duhet të jetojmë, ne duhet të dijmë ta kapërcejmë absurdin dhe të imagjinojmë Sizifin e lumtur…Sizifi i lumtur i sfidon Perënditë”.
Më vonë, në figurën e Prometeut, ai do të shohë revoltën, si rrugëzgjidhje të një jete të denjë. Në fakt, tema e absurdit dhe e revoltës do ta përshkojë tërë veprën e Kamysë, veçanërisht në “tre absurdët” e tij. Në romanin ‘Murtaja’ (La peste), ngjarjet zhvillohen në Oran të Algjerisë. Në qytet ka rënë murtaja dhe minjtë ngordhin rrugëve. Murtaja i dënon njerëzit me ndarje, me vetmi dhe vdekje. Disa tentojnë të ikin, ndërsa të tjerë, siç janë Tarrau dhe doktor Rieux, kronistë të këtyre ngjarjeve, qëndrojnë të bëjnë rezistencë. Por revolta e tyre është intime, jo shoqërore. Murtaja për Kamynë është një sëmundje ashtu si dhe absurditeti, një sëmundje e shpirtit ndaj së cilës çdo fitore është provizore, pasi një ditë, murtaja do të rishfaqet. Por murtaja është njëkohësisht dhe nazizmi, fashizmi, stalinizmi e çdo lloj totalitarizmi.
Drama ‘Kaligula’ (Caligula), është padyshim një kryevepër e artit teatral. Kaligula ishte një njeri i zakonshëm deri në vdekjen e motrës së tij Drusilla, e cila i zbuloi atij absurditetin e ekzistencës së shoqërisë njerëzore. Që nga ai çast, ai u bë një tiran i pamëshirshëm, duke pretenduar se mishëronte figurën e fatit, më qëllim që t’u tregonte njerëzve se ai do t’i çlironte nga nënshtrimi ç’njerëzor.
‘Njeriu i revoltuar’ gjeti jehonë të madhe, por dhe ngjalli shumë debate ndër intelektualët e kohës, pasi Kamyja shtronte në të çështjen e dyfishtë të revoltave estetike dhe të atyre historike. Ai e kritikonte qëndrimin “romantik” të një revolte poetike, shfaqje e fundit e së cilës kishte qënë surrealizmi, i cili në fund të fundit përfundoi në konformizëm. Kurse lidhur me revoltën historike, Kamyja e dënonte optikën nihiliste në tentativën revolucionare, idenë e shkatërrimit dhe që e shikonte lumturinë në kohrat e ardhshme. Siç e thotë dhe kritiku francez Daniel Rondeau në librin e tij ‘Kamyja apo premtimet e jetë’, “Kamyja mishëroi në kohën e vet modelin e intelektualit të angazhuar”, pasi ai zgjodhi revoltën dhe jo Revolucionin. Madje, që kur ia dërgoi dorëshkrimin e ‘Njeriu i revoltuar’ një mikut të tij që ta lexonte, ai e kishte paralajmëruar: “Me këtë libër ti do të bësh shumë armiq”. Po, dhe në rradhë të parë me komunistët, pasi ai e kritikonte komunizmin stalinist, këtë gënjeshtër të prodhuar në Moskë. Ja pse atë filluan ta kritikonin ngado për pozicionet e tij humaniste, për moralin e tij të “Kryqit të kuq”, pasi ai shprehej kundër të gjitha revolucioneve, meqë revolucionet do të thonin në fund të fundit dhunë.
Padyshim që në historinë e letërsisë franceze, Kamy do të mbetet si krijuesi i koncepteve moderne në letërsi: njeriu i revoltuar, absurdi, revolta ndaj absurdit. “Unë nuk jam filozof, – shkruante ai, – dhe as nuk pretendoj të jem”. Në fletoret e tij kanë mbetur shënimet rreth koncepteve mbi absurdin, drejtësinë, dashurinë, violencën, siç e shohim dhe në esenë e tij filozofike ‘Refleksione mbi gijotinën’, në kohën kur në vëndlindjen e tij në Algjer, gijotina bënte kërdinë. “Tri absurdët”, pra ‘I Huaji’ (roman), ‘Kaligula’ (pjesë teatri) dhe ‘Miti i Sizifit’ (ese), tregojnë për shqetësimin e tij për të folur rreth absurdit dhe absurditetit që mbretëron në shoqërinë njerëzore. “Je me revolte, donc nous sommes”! – thoshte Kamy. “Unë revoltohem, pra ne ekzistojmë»! Për të, «vetëm nga revolta lind lumturia; «lufta drejt majave, mjafton për të mbushur një zemër njeriu… Revolta kundër absurditetit mund t’i shërbejë jetës. Pozicioni i vetëm filozofik dhe koherent është ai i revoltës, «un confrontement perpétuel de l’homme à sa propre absurdité».
Rënia
Në fillim të vitit 1956, Kamy vuante krizën e shkrimtarit, krizën e atij që i duket se s’ka shkruar asgjë me vlerë në këtë botë dhe se diçka e madhe e ka shterur frymëzimin e tij. Ai ndjehet i dëshpëruar, i trishtë dhe orë të rëra e kalon duke menduar se krijimtaria e tij kishte marrë fund. Nga ana tjetër, gjëndja në familjen e tij ishte bërë tepër e rëndë për shkak të sëmundjes së Francine-s dhe anktheve të shpeshta të saj. E megjithatë ai e mbaroi dorëshkrimin që kishte nisur prej disa kohësh dhe që mendonte ta titullonte ‘Klithja’ (Le Cri). Këtë dorëshkrim ai ia dërgoi një mikeshe të tij të afërt, duke i shtuar: “Kam frikë se mos Francine do të lëndohet…” Nuk kalojnë shumë kohë dhe ai i shkruan përsëri asaj: “Tregimi do të botohet nën titullin ‘Le Cri’. Por tani jam shkëputur nga ai tregim dhe kam dëshirë të shkruaj diçka tjetër, madje jam në ethe, ashtu si të burgosurit që duan të kapin vitet e tyre të humbura”. Pra, pas botimit të esesë ‘Njeriu i Revoltuar’ në vitin 1951, pesë vjet më vonë, Kamy botoi ‘Klithja’, apo siç e titulloi përfundimisht ai ‘Rënia’ (La Chute), e cila do të vihej në skenë dhe në teatër. Ishte si të thuash historia e tij, historia e një njeriu të brejtur nga faji, pse nuk e kishte shpëtuar një grua që kishte vdekur nga dëshpërimi. Një vështrim filozofik për njeriun dhe kohën, por dhe refleks i jetës personale të tij dhe gruas Francine. “Po kaloja mbi urë anash bordurës së përkulur të atij parmaku që dukej sikur shikonte nga lumi. Shumë pranë pikasa figurën e hollë të një vajze të veshur me të zeza. Midis flokëve të errta dhe jakës së palltos së saj, shquhej vetëm zverku i njomë e i qullët, pas së cilës diçka ndjeva. Por pas një hezitimi, vazhdova rrugën. Kisha ecur tashmë nja pesëdhjetë metra kur dëgjova një zhurmë, që megjithëse errësirë, m’u duk e diçka e hatashme në heshtjen e asaj nate, zhurmën e një trupi që binte mbi ujë. Ndalova menjëherë. Pothuaj në të njëjtën kohë dëgjova një klithmë që u përsërit disa herë dhe që binte edhe ajo mbi lumë, duke u shuar pastaj menjëherë…”
Sartri e konsideronte këtë libër si veprën më të rëndësishme të Kamysë, e cila siç thoshte ai, «është njëkohësisht më e pakuptuara nga të tjerët». Kur tregimi u botua ai u prit me shumë sukses, edhe pse të gjithë e kuptojnë se është një tregim autobiografik, madje e para ishte Francine. Heroi i tregimit është një avokat me emrin Jean-Baptiste Clamence, por të gjithë shohin tek kjo figurë vetë Kamynë, intelektualin e së majtës franceze të asaj kohe, ose një përzjerje Kamy-Sartre, një njeri që ka shumë armiq dhe që ngado e kritikojnë, e shajnë dhe e godasin. Ai shëmbëllen me të, me krizën e tij. Në simbolikën e gruas që kërkon të hidhet në Senë nga ura “Pont des Arts” kritikët shohin vetë Francine-n që kishte tentuar të vriste veten në vitin 1953, si në Algjer ashtu dhe në Paris. “Klithma e gruas që Clamence nuk arrin ta shpëtojë, është klithma e gruas së tij”, – shkruan biografi i Kamysë, Olivier Todd.
Dhe pikërisht pas këtij romani që i ngjan më tepër një monologu dramatik dhe që është një rrëfim dostojevskian, në Paris erdhi lajmi se Albert Kamy ishte shpallur nobelisti i vitit për letërsinë, si një autor që “me veprën e tij ka nxjerrë në pah problemet që shtron sot koha në ndërgjegjen e njerëzve”. Shkrimtari dhe filozofi që i urrente dekoratat dhe që kishte deklaruar se nuk do të pranonte ndere, madje as dhe antarësinë në Akademinë Franceze, mori rrugën drejt Stokholmit për të marrë titullin e madh, atë titull që disa vjet më vonë Sartri do ta refuzonte. “Ja një nga emrat e rrallë të zërave letrare që dolën nga kaosi i pasluftës në tonin harmonioz e të saktë të humanizmit”, – shkruante ato ditë New York Times.
Në fjalët e tij në ceremoninë e 10 Dhjetorit të vitit 1957, Kamy do t’i drejtohej botës: “Shkrimtari nuk mund të vihet në shërbim të atyre që bëjnë historinë, por të atyre që e pësojnë atë…Në të gjitha rrethanat e jetës së tij, në rrethana të errta apo në momente fame, i hedhur në hekurat e tiranisë apo i lirë për një kohë kur mund të shprehet, shkrimtari mund ta rigjejë ndjesinë e komunitetit që do ta kuptojë atë, nëse ai përballon dy detyra të mëdha që ka ky profesion: shërbimin ndaj së vërtetës dhe ndaj lirisë…E vërteta është misterioze, që të shket dhe që duhet ta gjesh atë. Liria është e rrezikshme, e vështirë ta jetosh po aq sa është dhe ekzaltuese. Ne duhet të ecim drejt këtyre dy qëllimeve të mundimshme dhe duhet të ecim me vendosmëri.”
Po, Kamy e dinte se për të, ashtu si për çdo artist, kjo udhë e së vërtetës dhe e lirisë ishte e vështirë dhe shpesh zhgënjyese. E megjithatë ai ecte, ngjitej nën siluetën e një Sizifi që mbante mbi vete shpresë, një shpresë të madhe. Megjithë suksesin e madh të tij, Kamy ishte një njeri thellësisht i dëshpëruar, jo vetëm pse vazhdimisht ishte i sëmurë rëndë nga tuberkulozi, por dhe sepse nuk po arrinte të shkruante vepra të tjera.
Teatri, ky pasion i pashuar
Albert Kamy ishte njeri i teatrit. Gjithë jeta e tij letrare kaloi nga skena e teatrit, bashkëjetoi me të, me shfaqjet teatrale dhe pasionin e skenës. Ishte pasioni i hershëm i tij. Që në vitin 1936, ai kishte themeluar “Teatrin e Punës”, një teatër për publikun e thjeshtë e të varfër, duke vënë në skenë tema sociale dhe historike, duke iu drejtuar autorëve të tij të preferuar si Eskili, (me Prometeun), Dostojevski, (Vëllezërit Karamazov), Gorki, (Basifondet), Malraux, (Koha e përbuzjes), Gide, (Kthimi i djalit gjeni), etj. Madje ai eksperimentoi dhe krijimin e dramës kolektive, siç ishte vënia në skenë e pjesës ‘Revolta e Asturias’. Edhe pas luftës, ai iu rikthye përsëri teatrit, duke shkruar drama të njëpasnjëshme apo romane që adaptoheshin si pjesë teatrale. ‘Shtet-rrethimi’, ‘Të Drejtët’, ‘Murtaja’, ‘Kaligula’… Albert Kamy shkëlqente si në esetë filozofike, në romane e tregime, (Dasma), ashtu dhe në teatër. Madje në vitet ‘50 ai adaptoi për teatrin francez dhe një sërë autorësh të dashur të tij si Dostojevskin, Buzatin, Folkner, Kalderon, etj.
Në shumë letra të tij, apo shënime ditari, ai tregonte vuajtjen e madhe të tij. Madje dhe aktorja Casares, me dashurinë e saj nuk arriti ta bëjë të gëzuar. Për këtë qëllim, me paratë e çmimit “Nobel”, Kamy bleu një shtëpi në Jug të Francës, në Lourmorin, në Vaucluse, diku midis vreshtave, që të mund të shkruante larg Parisit. Por shpejt ai e kuptoi se nuk mund të bënte pa kryeqytetin e tij. Kjo gjëndje e tij ishte rënduar në fakt dhe nga depresioni i gruas së tij Francine, e cila tentoi të vriste veten. Madje dhe ai, shpesh herë kishte patur idenë e vetvrasjes, e ndjesisë së absurdit dhe të jetës në një tynel të errët e të pafund. I ndodhur përballë kritikash letrare, veçanërisht ndaj librit ‘Njeriu i revoltuar’ (L’Homme revolté), si dhe filozofisë së tij të absurdit dhe revoltës, ai përjetoi një kalvar të vërtetë.
Megjithatë, në vitin 1959, ideja e një romani të ri kishte lindur tek ai: ishte ‘Njeriu i Parë’, (Le Premier Homme), roman që siç thoshte ai do të ishte një lloj afresku për nga përmasat dhe kohën që do të trajtonte. Madje kur e pyesnin ato kohë, ai u thoshte miqve të tij duke qeshur se, “po shkruante Luftën dhe Paqen e tij”, duke iu kujtuar analogjinë me romanin e Tolstoit, të cilin ai e adhuronte si shkrimtar. Po, ishte një roman për jetën e tij, kushtuar nënës së tij, të cilën e donte më shumë se çdo gjë tjetër në botë, atë nënë analfabete në ato shtëpi të varfëra në Rue de Lyon në lagjet popullore të Algjerit, atë nënë të pafjaltë e gjithë mirësi që e shihte veçse në mbrëmje pas pune, atë grua që kishte përballuar dhimbjet dhe vuajtjet e jetës dhe që ashtu heshturazi i kishte dhënë aq shumë dashuri. Ja pse dhe këtë libër ai ia kushtonte nënës, “A toi qui ne pourras jamais lire ce livre”.
Kamy nuk e kishte njohur kurrë të atin e tij, Lusien Kamy (Lucien Camus), që gjatë luftës së parë botërore, bashkë me batalionin e tij të “zuave” kishte shkuar në frontin francez, atin që kishte vdekur në një spital nga plagët që kishte marrë. Kur Kamy kishte shkuar për herë të parë pranë varrit të tij, (në roman është personazhi Jacques Cormery në rolin e tij), ai kishte pikasur se ai njeri që ishte ati i tij, kishte vdekur më i ri se sa ç’ishte Kamy në atë çast dhe kjo gjë e kishte tronditur. Ky ishte Le Premier Homme, i pambaruar, kjo «klithmë e jetimit të pangushëlluar», siç do të shkruante kritiku George de Brulon, në një kohë që siç thoshte Kamy, «unë nuk kam shkruar veçse një të tretën e veprës time».
Njeriu që i donte aq shumë gratë
Kur redaktonte Kamy librin e tij të fundit, ‘Le Premier Homme’, i cili mbeti i papërfunduar, në fletoret e tij ai kishte shkruar: “J’ai aimé quatres femmes à la fois et mène donc une vie vide”, («Kam dashur katër gra njëherësh dhe kam bërë një jetë boshe»)… Katër gra kishin lënë gjurmë tek ai edhe pse ai kishte njohur dhe dashuruar në kohë të shkurtra dhe shumë gra të tjera: Francine, Maria Casares, apo «Unikalja», siç e quante ai, aktorja Caterine Sellers që e zgjodhi për rolin e pjesës teatrale ‘Requiem pour une nonne’ në vitin 1956 dhe Mi, danezja e re të cilën e takoi në fund të jetës, në vitin 1957. Ai nuk e përmend gruan e tij të parë, Simone Hié, një femër estravagante që pëlqente morfinën dhe heroinën dhe që e pinte cigaren si një Garbo. Dashuria e tyre ishte e shkurtër edhe pse u martuan në një ditë Qershori të vitit 1934, atëherë kur ai vuante nga turbekulozi dhe donte të gëzonte jetën, duke menduar se do të vdiste i ri. Madje asaj i dedikoi dhe një libër, ‘Libri i Melusine-s’, por ajo e tradhëtoi me një mjek dhe kështu ata u ndanë. Dhe ai do të pikëtakonte në udhën e tij plot gra të tjera, siç ishte Christiane Galindo, të cilën e dashuroi në vitin 1937, një brune e bukur që kishte dëshirë të shtypte në makinën e shkrimit dorëshkrimet e tij. Olivier Todd, biografi i tij, shkruan se «ai kishte një mënyrë që i zhvishte gratë përmes shikimit». Një kritik tjetër, ka shkruar se «ai ishte besnik në ide dhe i pabesë me gratë». Tek ‘Miti i Sizifit’, duke shkruar për Don Zhuanin, ai shkruan gjithashtu se «çdo njeri i shëndetshëm kërkon të shumfishohet. Po kështu dhe Don Zhuani. Ai i do gratë me të njëjtin vrull, duke iu përkushtuar atyre”. Francine ishte nëna e dy binjakëve të tij dhe familja e tij, e cila mbetej thellësisht e dashuruar pas tij; “Francine a le gout de l’absolu” (Francine ka shijen e absolutes), shkruante ai. Ajo ia njeh aventurat, dashuritë me gratë e tjera. Në deliret e saj kur e çojnë në një spital psikiatrik, ajo përmëndte shpesh emrin e Maria Casares, rivales së saj. Të gjitha të dashurat e tij kanë një individualitet të fortë dhe një talent. Francine ishte një pianiste e shkëlqyer dhe matematiciene. Ajo ishte virtuoze në pjesët e Bahut. Casares ishte ylli i teatrit francez. Dhe Sellers shkëlqeu në skenën e teatrit parizian. Mi vizatonte me një talent të jashtëzakonshëm…. E megjithatë, Kamy ishte me to gjithnjë i sinqertë, i hapët. Dhe kur Maria Casares do t’i shkruante të vërtetën, në mënyrën e tij: “Të kam tradhëtuar, asnjëherë nuk të kam tradhëtuar”… Po, ai dashuronte disa njëkohësisht dhe nuk i tradhëtonte shpirtërisht. E çuditshme por e vërtetë.
Madje dhe ditët e fundit të jetës së tij, ai jetonte me dashuritë e tij, me imazhet e të dashurave të tij të gjithëkohëshme, me letrat që u dergonte, apo takimet e fshehta. Më 29 Dhjetor, ai i shkruante të dashurës së tij në Danimarkë, Mi, e cila pas pak ditësh do të marrë avionin për në Paris: «Kjo ndarje e tmerrshme, na bëri të paktën të kuptojmë nevojën e përhershme për njëri-tjetrin… Të pres e dashura ime, e zjarrta ime, vogëlushja ime e shtrenjtë». Një ditë më vonë ai i shkruante fjalë të ëmbla Catherine Sellers dhe po atë ditë, pasdite, i shkruante të dashurës së tij të vjetër Maria Casares: «Të dërgoj një mal me urime të dashura që jeta të bulëzojë tek ty, duke të dhënë atë imazh që e dua prej kaq shumë vitesh. Të dërgoj gjithë diejtë e zemrës. Të puth dhe të shtrëngoj pas vetes gjer të martën e ardhshme kur do të takohemi, për të rifilluar përsëri»…Por më 31 Dhjetor, përsëri i shkruan të dashurës tjetër Sellers: «Kjo është letra ime e fundit e dashur…» Vallë do të ishte e fundit? A do t’i takonte më ai të dashurat e tij. A do të përgjërohej më ajo zemër, që gjithë jetën ishte drithëruar nga emocioni i takimit femëror, nga një dehje e pazakontë që e bënte të jetonte, që i jepte ndjesinë e lumturisë?
Një udhëtim i ndërprerë
Një herë, kur kishte çuar të dashurën e tij në Auvers-sur-Oise për të parë dhomën e piktorit Van Gogh, kur ai banonte atje para se të vriste veten, duke shkuar me makinë, Casares i kishte thënë që të ecnin ca më shpejt se si shumë ngadalë e kishte marrë. Por Kamy i ishte përgjigjur: “S’ka gjë më idiote sesa të vdesësh nga një aksident automobilistik”. Dhe kjo që nuk pritej do t’i ndodhte disa vjet më vonë, rrugës kur ai po kthehej në Paris bashkë me mikun e tij Michel Gallimard dhe gruan e botuesit.
Ata ishin 22 km larg Parisit, kur një plasje gome e makinës i përplasi ata tek një pemë. Kamy që ishte përpara mbeti i vdekur. Ora e tij kishte ndalur në momentin e përplasjes fatale: 13.55’. Disa dhjetra metra më tutje, u gjet çanta e përbaltur e Kamysë, ku kishte dorëshkrimin e romanit të papërfunduar Njeriu i Parë. Madje në çantë i gjetën dhe një horoskop, ku ai kishte shënuar: “Vepra kryesore që të bën të pavdekshëm do të jetë midis viteve 1960-1965”. Dukej se gjithçka ishte parathënë nga vetë ai. “Aksidenti dukej se ndodhi për shkak të bllokimit të një rrote ose thyerjes së një aksi, por edhe ekspertet nuk dinin si ta shpjegonin atë aksident katastrofik mbi një rrap, me një rrugë të gjerë 9 metra dhe pa trafik”, ka shkruar biografi i tij, Herbert R. Lotman në librin Kamy. Disa analistë kanë parë tek ky aksident dorën e KGB-së sovjetike, të kryer me urdhër direkt të ministrit të Brendshëm rus të asaj kohe, Dmitri Trofimovic Shepilov, të cilin Kamyja e kishte sulmuar drejtpërdrejtë për pushtimin e Hungarisë, në një artikull të gazetës ‘Franc tireur’, në Mars të vitit 1957. Këtë gjë e pohonte poeti dhe përkthyesi çek, Jan Zabrana, në një faqe të ditarit të tij Cely Zivot, (E gjithë jeta), i publikuar pas vdekjes së tij në vitin 2004. Por kjo padyshim mbetet veçse një hipotezë edhe pse është pohuar nga një njeri konkret.
Nobelisti më i ri në moshë, ikte në moshën 46 vjeçare. Ikte shpejt drejt udhës së përjetësisë së tij, pa mundur të linte pas kryevepra të tjera. Dhimbja në botën letrare ishte e madhe. Në një nga artikujt më prekës që përshëndesnin largimin e Kamysë, ishte dhe artikulli i Sartrit, i botuar në ‘France-Observateur’, ku ai shkruante: “Ne ishin hidhëruar me njëri tjetrin, por kjo nuk ishte asgjë para asaj që do të na duhej të jetonim që të mos shiheshim më kurrë dhe të mos gjenim një tjetër mënyrë për të jetuar së bashku»…Po në këtë artikull, ai do të shtonte: ”Në këtë shekull, ai përfaqsonte trashëgimtarin aktual të një liste të gjatë moralistësh, veprat e të cilit përbëjnë ndoshta atë që është më origjinale në letërsinë e sotme franceze. Humanizmi i tij këmbëngulës e i pastërt, i ashpër dhe sensual, i bënte një luftë të madhe fenomeneve të deformuara të kohës sonë. Por epokës sonë, ai i riafirmoi luftën kundër makiavelistëve”.
Autori i ‘Njeriu i revoltuar’ na la pas mesazhin e revoltës. Jo thjesht si një lexim enciklopedik apo thjesht për të mbushur kohën, por për të kuptuar dimensionin dhe rolin e ekzistencës dhe jetës sonë, për të pyetur vetveten se cilët jemi, nga vijmë dhe ku shkojmë? Eshtë për të vajtuar po të vazhdojmë të qeshim me absurdin dhe të mos revoltohemi! / KultPlus.com
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, tha se katër nga pesë shtetet që ekzekutuan më së shumti të dënuar gjatë vitit 2020 janë nga Lindja e Mesme.
Sipas raportit të kësaj organizate, Irani, Egjipti, Iraku dhe Arabia Saudite përbëjnë 88 për qind të 483 ekzekutimeve të raportuara në mbarë botën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Në vendin e parë për më së shumti ekzekutime vitin e kaluar është bindshëm Irani me mbi 240 të ekzekutuar. Në vendin e dytë është Egjipti me mbi 100 persona të ekzekutuar, ndërsa Iraku është i treti me mbi 40 të ekzekutuar.
Shtetet që ekzekutuan më së shumti njerëz më 2020, sipas “Amnesty International” (Grafiku: BBC)
Organizata e njohur i akuzoi këto vende për “këmbëngulje të pamëshirshme dhe të frikshme” për dënimin e rëndë, kur shumica e botës është e përqendruar në shpëtimin e jetës së njerëzve nga një virus vdekjeprurës.
Sidoqoftë, numri i përgjithshëm botëror i njerëzve të ekzekutuar nga autoritetet shtetërore ishte më i vogli në dhjetë vitet e fundit, por në këtë shifër nuk është përfshirë Kina.
Besohet se autoritetet kineze ekzekutojnë mijëra njerëz çdo vit, por të dhënat rreth rasteve të tilla përbëjnë sekret shtetëror në vendin komunist. E pamundur që të vërtetohen shifrat e ekzekutimeve ishte edhe në Vietnam dhe Korenë Veriore, sepse të dhënat nuk publikohen.
Shifra prej 483 ekzekutimeve në 18 shtete gjatë vitit 2020 përbën rënie prej 26 për qind në krahasim me 657 ekzekutimet e kryera në vitin 2019 dhe rënie prej 70 për qind nga kulmi prej 1.634 ekzekutimeve që u raportuan në vitin 2015./ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shpreson të rifitojë zgjedhjet këtë fundjavë në mënyrë që ai të mund të punojë për ta shndërruar një nga vendet më të varfra të Europës në një kampione të turizmit, shkruan sot gazeta e njohur amerikane ”The Washington Post”.
Ndikimi negativ i pandemisë në ekonominë e Shqipërisë është një nga çështjet thelbësore në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të cilat BE i ka vënë si kusht për të filluar negociatat e plota për të pranuar vendin e vogël ballkanik si një anëtar. Parregullsitë kanë dëmtuar zgjedhjet e mëparshme në Shqipërinë postkomuniste.
Kryeministri Rama përmend një aeroport të ri ndërkombëtar që u hap të dielën, një marrëveshje ndërtimi e arritur sot për një aeroport tjetër në vijën bregdetare të vendit prej mbi 300 kilometrash dhe planifikon të kthejë portin e Durrësit në një destinacion vetëm për tragete, jahte dhe anije të tjera argëtimi si shenja premtuese.
“Ne jemi në rrugën e duhur për ta shndërruar këtë vend në kampionin e Ballkanit Perëndimor për turizmin”, tha Rama në një intervistë për ”The Associated Press”.
Sondazhet parazgjedhore kanë treguar se Partia Socialiste e Ramës ka të ngjarë të zerë vendin e parë në zgjedhje.
Shqipëria tërhoqi më shumë se 6 milionë turistë në 2019, kur turizmi zinte rreth 9% të PBB-së. Shifrat paraprake të vitit 2020 nga Ministria e Turizmit tregojnë të paktën një rënie prej 40% të të ardhurave nga turizmi, që i atribuohet pandemisë. Një shtetrrethim me orar të caktuar, rregullat e distancës sociale dhe masa të tjera të kontrollit të virusit të urdhëruara nga qeveria kanë prekur kryesisht hotelet, restorantet dhe kafenetë.
Si pjesë e programit të vaksinimit masiv të vendit, qeveria u ka dhënë përparësi punonjësve të hotelit dhe restoranteve si dhe operatorëve të shtëpive private me qira përgjatë bregdetit ose në vendpushimet malore.
Pas ankesave të mëparshme për vonesa, Rama falënderoi ekzekutivin e Bashkimit Europian për dhurimin e 145 000 dozave të vaksinave për Shqipërinë.
Brukseli i hapi dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2020 për fillimin e negociatave të anëtarësimit të plotë, por asnjë datë nuk është caktuar për takimin e parë.
”Bashkimi me BE mbetet qëllimi kryesor i Shqipërisë”, tha Rama.
“Procesi i integrimit… është një proces i kapërcimit të pengesave. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë dhe të jemi atje dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha ai.
Shqipëria pa një rënie prej 3,31% të PBB-së në 2020 për shkak të pandemisë dhe një tërmet fatal me magnitudë 6,4 ballë Rihter më 26 nëntor 2019 që shkaktoi dëme të konsiderueshme.
”Hapat e ardhshëm për vendin janë lënia pas e pandemisë dhe pasojat e tërmetit dhe ta ngjisim Shqipërinë më lart”, thotë kryeministri.
“Ne duam të jemi kampionë në turizëm. Ne duam të jemi kampionë në energjetikë. Dhe ne mund të jemi (me siguri) në agroturizëm”, shton Rama.
”Ne duhet të shkojmë më tej. Dhe këto janë qëllimet tona”, përfundon ai./ atsh / KultPlus.com
Seriali i studios “Disney+” në të cilin luajnë aktorët Elizabeth Olsen dhe Paul Bettany, “WandaVision”, po e kryeson listën e të nominuarve për çmimet “MTV Movie & TV Awards”, në kategoritë për televizion.
Ky projekti arriti t’i fitojë gjithsej pesë nominime në kategoritë “Seriali më i mirë”, “Heroi më i mirë”, “Performanca më e mirë në serial”, “Personazhi i lig i preferuar” dhe “Zënka më e mirë në ekran”.
Serialet “Emily in Paris”, “RuPaul’s Drag Race” dhe “The Boys” i kanë pranuar nga tri nominime secili.
“Emily in Paris” një projekt origjinal i platformës Netflix dhe në të cilin luan aktorja Lily Collins, është nominuar në kategoritë “Seriali më i mirë”, “Puthja më e mirë në ekran” dhe “Performanca më e mirë”.
Shou “RuPaul’s Drag Race” po garon në kategoritë “Ekipi më i mirë në shou real”, “Gara më e mirë televizive” dhe “Prezantuesi më i mirë”. Kurse seriali “The Boys” është nominuar për çmimet “Seriali më i mirë”, “Heroi më i mirë” dhe “Personazhi i ligë i preferuar”, transmeton Koha.net.
Sa i takon kategorive për film, “Borat Subsequent Moviefilm”, komedia e cila e sjell aktorin Sacha Baron Cohen duke e përsëritur rolin e Boratit, i ka marrë gjithsej tri nominime në kategori të tilla si, “Filmi më i mirë”, “Performanca më e mirë” dhe “Dyshja më e mirë në ekran”, nominim ky i cili shkon për aktorët Sacha Baron Cohen dhe Maria Bakalova.
Filmi “Judas and the Black Messiah” garon për dy shpërblime, derisa ylli i ndjerë Chadwick Boseman i cili vdiq në gusht të vitit të kaluar në moshën 43-vjeçare, e ka fituar një nominim post-mortem për performancën e shkëlqyer në filmin “Ma Rainey’s Black Bottom”.
Ceremonia “MTV Movie & TV Awards” do të mbahet më 16 maj në teatrin “Palladium” në Los Angeles.
Fansat tashmë mund të votojnë për fituesit e këtyre shpërblimeve, dhe votimi do të qëndrojë i hapur deri më 30 prill.
Lista e plotë e nominimeve:
FILMI MË I MIRË:
“Borat Subsequent Moviefilm”
“Judas and the Black Messiah”
“Promising Young Woman”
“Soul”
“To All the Boys: Always and Forever”
SERIALI MË I MIRË:
“Bridgerton”
“Cobra Kai”
“Emily in Paris”
“The Boys”
“WandaVision”
PERFORMANCA MË E MIRË NË FILM:
Carey Mulligan: “Promising Young Woman”
Chadwick Boseman: “Ma Rainey’s Black Bottom”
Daniel Kaluuya: “Judas and the Black Messiah”
Sacha Baron Cohen: “The Trial of the Chicago 7”
Zendaya: “Malcolm & Marie”
PERFORMANCA MË E MIRË NË SERIAL:
Anya Taylor-Joy: “The Queen’s Gambit”
Elizabeth Olsen: “WandaVision”
Elliot Page: “The Umbrella Academy”
Emma Corrin: “The Crown”
Michaela Coel: “I May Destroy You”
HEROI MË I MIRË:
Anthony Mackie: “The Falcon and the Winter Soldier”
Gal Gadot: “Wonder Woman 1984”
Jack Quaid: “The Boys”
Pedro Pascal: “The Mandalorian”
Teyonah Parris: “WandaVision”
PUTHJA MË E MIRË:
Chase Stokes & Madelyn Cline: “Outer Banks”
Jodie Comer & Sandra Oh: “Killing Eve”
Lily Collins & Lucas Bravo: “Emily in Paris”
Maitreyi Ramakrishnan & Jaren Lewison: “Never Have I Ever”
Regé-Jean Page & Phoebe Dynevor: “Bridgerton”
PERFORMANCA MË E MIRË NË KOMEDI:
Annie Murphy: “Schitt’s Creek”
Eric Andre: “Bad Trip”
Issa Rae: “Insecure”
Jason Sudeikis: “Ted Lasso”
Leslie Jones: “Coming 2 America”
PERSONAZHI I LIG I PREFERUAR:
Aya Cash: “The Boys”
Ewan McGregor: “Birds of Prey”
Giancarlo Esposito: “The Mandalorian”
Kathryn Hahn: “WandaVision”
Nicholas Hoult: “The Great”
DYLUFTIMI MË I MIRË:
Final Funhouse Fight: “Birds of Prey”
Finale House Fight: “Cobra Kai”
Starlight, Queen Maeve, Kimiko vs. Stormfront: “The Boys”
Wanda vs. Agatha: “WandaVision”
Final Fight vs. Steppenwolf: “Zack Snyder’s Justice League”
PERFORMANCA MË E FRIKSHME:
Elisabeth Moss: “The Invisible Man”
Jurnee Smollett: “Lovecraft Country”
Simona Brown: “Behind Her Eyes”
Victoria Pedretti: “Scripted The Haunting of Bly Manor”
Vince Vaughn: “Freaky”
DYSHJA MË E MIRË NË EKRAN:
Kristen Wiig & Annie Mumolo: “Barb and Star Go To Vista Del Mar”
Anthony Mackie & Sebastian Stan: “The Falcon and the Winter Soldier”
Pedro Pascal & Grogu/Baby Yoda: “The Mandalorian”
Lily Collins & Ashley Park: “Emily in Paris”
Sacha Baron Cohen & Maria Bakalova: “Borat Subsequent Moviefilm”
Suksesi i serialit “Game Of Thrones” që mbretëroi kategorinë dramë dhe fantazi përreth një dekadë, ka sjellë famë dhe të ardhura të jashtëzakonshme për aktorët protagonistë të saj.
Që prej debutimit në 2011, “Game of Thrones” ka thyer rekorde të shumta përreth globit dhe është shndërruar në serialin më të vlerësuar të HBO dhe më të shikuar sigurisht.
Gjithashtu, është bërë marka më e licencuar në historinë e HBO, duke frymëzuar reklama të shumta, produkte dhe aksesorë.
Kështu, yjet e Game of Thrones kanë grumbulluar pasuri marramendëse, ku listën e kryeson Sean Bean. / Gazeta express / KultPlus.com
Derek Chauvin, efektivi i policisë 45-vjeçar që akuzohet si autor i vrasjes së afro-amerikanit George Floyd në Mineapolis në majin e vitit të kaluar, u dënua për të tre akuzat ndaj tij.
Juria ishte e përbërë nga 5 burra dhe 7 gra, dhe debatoi për rreth 10 orë në dy ditë, fillimisht të hënën, duke u rikthyer sot me vendimin përfundimtar.
Chauvin kishte deklaruar veten të pafajshëm për akuzat e ngritura, që ishin tre, vrasje e paqëllimshme e gradës së dytë, vrasje e gradës së dytë që nënkupton vrasjen e qëllimtë, dhe të gradës së tretë, ku kjo e fundit nënkupton një veprim të qëllimtë për të shkaktuar dëm, pa asnjë respekt për jetën e tjetrit.
Polici mund të gjykohej për të tre akuzat, ku dënimi parashikohet deri me 10 vjet për akuzën e parë, 40 vjet për vrasjen e gradës së dytë dhe 25 për atë të gradës së tretë.
Vrasja e George Floyd dhe thirrja e tij “Nuk marr dot frymë!”, drejtuar policit, u bënë simbol i një vale proteste që kaloi edhe kufinjtë e Shteteve të Bashkuara, ku akuzave për arrogancën e policisë ndaj personave me ngjyrë iu bashkua edhe një përkrahje globale kundër racizmit, e drejtuar nga lëvizja “Black Lives Matter”.
Verdikti u ndoq edhe nga vetë presidenti Joe Biden, që për rastin ndryshoi edhe takimet e tij institucionale./ KultPlus.com
Alida Hisku lindi në Tiranë ku edhe filloi të këndojë në festivalet e pionierëve tiranas. Ajo mori pjesë në dhjetë festivale kombëtare të RTSH-së.
Shumë kompozitorë i kushtuan menjëherë vëmendje, dhe garonin cili ta marrë në projekt, për talentin e saj të madh, dhe ngjyrës së veçantë të zërit.
Gjatë karrierës së saj, Hisku solli një numër të madh të këngëve që u bënë hite dhe i rezistuan kohës. Kujtojmë “Vajzat e fshatit tim” që ishte ndër këngët më të pëlqyera për publikun, me të cilën fitoi Çmimin e Parë të Festivalit të 14-të të këngës në RTSH.
Ajo jeton prej kohësh në Gjermani, por mban lidhje të rregullta me miqtë shqiptarë. Me paraqitjet dhe zërin e saj unik Alida Hisku mbetet një nga artistet më të mira në trevat shqiptare.
KultPlus jua sjellë një tjetër këngë të famshme të saj, me titull “Dasmë në fshat”. /KultPlus.com
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër. shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. Në mallin tënd ky karafil i egër,- Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël e ndezën natën dhe ditën e ndezën. Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?- Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten, dhe përtej vetes kapërceva jetën, dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,- I hapa krahët të pushtoj ty vetëm: