Fustani që Princesha e Uellsit, Diana, kishte veshur në ditën e dasmës së saj 40 vjet më parë është ekspozuar të enjten në ish-shtëpinë e saj në Pallatin e Kensingtonit.
Princi William dhe Princi Harry ia huazuan fustanin ekspozitës, e cila fillon një muaj para se Diana do t’i mbushte 60 vjet. Ishte dizajnuar nga David dhe Elizabeth Emanuel për dasmën e korrikut të 1981-s.
Fustani i nusërisë ka një bisht të gjatë prej 7.6 metrash, të cilin ajo e kishte përshkuar nëpër katedralen e Shën Palit.
Organizatorët e ekspozitës “Royal Style in the Making” kanë thënë se fustani është “tani në mesin e më të famshmëve në historinë e martesave”.
Fustani ka dantella antike që fillimisht ishin të Mbretëreshës Mary.
Përveç që ngërthen histori, ishte edhe në përputhje me stilin e viteve ’80, me mëngët e saj të mëdha dhe të fryra.
Në një video që shfaqet në ekspozitë, Elizabeth Emanuel kujton momentin kur kishte telefonuar Dianën për t’u kërkuar asaj dhe bashkëshortit të saj që ajo ta punonte fustanin e nusërisë.
“Ishte një nga ato momentet e çuditshme, kur e dini se jeta juaj do të ndryshojë përgjithmonë”, ka theksuar ajo.
Përveç fustanit të nusërisë së nënës së tyre, Duka i Cambridges dhe Duka i Sussexit gjithashtu i kanë huazuar ekspozitës edhe fustanet e tjera të Princeshës së ndjerë.
Ekspozita, e cila po mbahet në Pallatit Kensington, është hapur të enjten për publikun dhe do të mbahet hapur deri në janar.
Ekspozita gjithashtu përmban një version fillestar të një veshjeje të përfunduar për fustanin e vitit 1937 të veshur nga Mbretëresha Elizabeth për kurorëzimin e mbretit George VI./koha/ KultPlus.com
Kemi cituar shpesh herë librin e studiuesit Gaetano Petrotta “Populli, gjuha dhe letërsia shqipe” pasi, si albanolog dhe studiues i huaj, ai në atë që shkruan është krejt i pa ndikuar nga rrymat politike e ideologjike që Ballkani ka përvetësuar ose prodhuar gjithnjë duke krijuar një rajon, përbërësit e të cilit ishin armiqësorë me njëri – tjetrin.
Një ndër figurat që ai përmend është edhe Imzot Pjetër Bogdani, Ipeshkëv i Shkodrës e më pas i Shkupit dhe autor i “Çeta e Profetënve”, një prej librave më të hershëm shkruar në shqip. Në përshkrimin e jetës dhe aktivitetit të tij fetar, letrar dhe patriotik, Petrotta na jep edhe disa fakte interesante rreth Ballkanit, veçanërisht Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë në mënyrë të tërthortë.
Në fund të vëllimit II të “Çeta e Profetënve”, pjesë e cituar nga Petrotta, thuhet: Perandori Shtjefën i Shtëpisë së Nemanjëve ia ndau dheun e vet qefalijve të tij më të merituar dhe për besë dhe për virtyt: atë anë që prej Hekurit (që sot thirret Somokovë) dhe shtrihet deri mbi ujë të Hasit, sot Vardarit, i cili rrjedh midis Shkupit, ia dha Bogdanit, njeri i drejtë, siç thotë Marin Urbini…
Siç thashë më lart, vepra është e shkruar në gjuhën shqipe, ndërkohë që imz. Pjetër Bogdani nga vendlindja ka shkuar drejt Italisë me studime. Kjo do të thotë se gjuhën shqipe ai e ka fituar në vendlindje, pasi ajo është gjuha e nënës dhe kjo na thotë se në Maqedoni flitej shqip.
Ndërsa në parathënien e librit (libri është shkruar në vitin 1683), Imzot Bogdani thothë:
Ky Zotëri në Padova [po të lexojmë edhe pjesën tjetër të parathënies shohim se bëhet fjalë për Kardinalin Gregor Barbaringo që e strehoi kur imzot Pjetri u arratis pasi përndiqej nga turiqt] më dha shtëpi, shërbëtorë, kuaj e koçi, t’i përdorja sipas dëshirës. Por unë, duke refuzuar të gjitha këto, e luta që të më shtypej libri im, duke qenë ky i vetmi mendim që kisha.
Kështu që, duke u kthyer në tokën tonë, të mund të kisha në dorë një qiri të ndezur për të ndriçuar atë dhe të vobektë të Arbërisë e të Serbisë, i cili në pjesën më të madhe flet shqip, pasi ka dalë nga Arbëria prej së cilës u përhap në të besimi i shenjtë; prej nga sllavët pët autonomazi, fenë katolike e quajnë: Arbanshka vera.
Pra, duket qartë: Në Maqedoni e në Serbi flitej shqip! /konica.al/ KultPlus.com
Kauzat e veçanta që përfundojnë në suksese të njëpasnjëshme tashmë i janë bashkangjitur edhe ngjarjeve të ndryshme që po ndodhin në KultPlus Caffe Gallery, ku së fundmi ekspozita e Yllka Letit, vajzës 15 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike, u vizitua nga përfaqësuesi i Zyrës së Bashkësisë Evropiane në Kosovë, Tomáš Szunyog, shkruan KultPlus.
Një numër i madh i pikturave që shpalosin elemente dhe detaje të veçanta, që nga muaji janar kanë zënë vendin e tyre në muret e KultPlus Caffe Gallery, kurse këto piktura tanimë kanë filluar të zbrazen ku ngjyrat unike të plasaritura për syrin e publikut kanë gjetur pronarin e tyre në shtëpinë e mjaft artistëve dhe figurave të njohura, të cilët kanë pasur rastin ta vizitojnë ekspozitën e artistes së re, duke u bërë kështu pjesë kyçe e zërit të shumë fëmijëve që vuajnë nga po e njëjta sëmundje.
Ndër këto figura është edhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkësisë Evropiane në Kosovë, Tomáš Szunyog, i cili sot vizitoi ekspozitën dhe njëkohësisht mësoi më shumë rreth situatës ekonomike e emocionale të Letit ku dëshira dhe shpresa e saj për një të ardhme ku arti shndërrohet në një ëndërr të realizuar, po shprehej përmes syve të saj.
“Po ndjehem shumë i nderuar që sot jam këtu për të vizituar galerinë dhe takuar artisten e re. U impresionova nga talenti i saj sepse është një punë shumë e bukur që më la përshtypje shumë. Po ashtu, mësova për jetën dhe sfidat në të cilat ka kaluar ajo dhe prandaj po e admiroj Yllkën ende më shumë”, thotë Szunyog.
Sipas tij, Yllka është sfiduar edhe nga ana ekonomike për të luftuar me këtë sëmundje dhe prandaj përshtypja e tij ishte se Kosova nuk ka krijuar kushte të mira për financimin e fëmijëve dhe kujdesin ndaj tyre.
“Mesa e di unë, ligji për kujdesin ndaj fëmijëve është adaptuar por rregulloret nuk janë adaptuar për vite të tëra dhe kështu ende nuk janë krijuar kushtet të cilat rregullojnë situatën e fëmijëve që ballafaqohen me situata të tilla. Kurse, Bashkia Evropiane është duke e asistuar Kosovën në përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor që është prekur sidomos nga pandemia”, thotë Szunyog.
“Së bashku mundemi ta garantojmë se do ti kushtohet rëndësi dhe kujdes më i mirë të gjithë fëmijëve dhe jo vetëm atyre që janë të talentuar”, potencon Szunyog.
Tutje, kryeredaktorja e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti falënderoi Szunyog për kohën e tij që ia kushtoi kësaj vizite për të parë punën e Yllka Letit.
“Yllka Leti e ka tejkaluar vetveten dhe është shndërruar në një kauzë për të gjithë fëmijët e Kosovës që janë të diagnostikuar me Fibrozë Cistike dhe nëpërmjet artit të saj, Yllka është shndërruar në një zë për të gjithë fëmijët dhe shpresoj se zëri i saj të jetë një këmbanë e fundit për institucionet e Kosovës që Yllka Leti, ta përdorë talentin jo vetëm për të shprehur artin e saj por edhe të sigurojë mjetet për shërim”, ka thënë Pajaziti.
Ndërsa, artisja e re Yllka Leti, përmes një letre ka falënderuar Tomáš Szunyog dhe drejtorin nga Drejtoria e Kulturës, Adrian Berisha për mundësinë që iu është dhuruar për të pasur një hapësirë ku ajo ka mundësi ta zhvilloj ende më shumë artin e saj. Kurse, në veçanti ajo është shprehur falënderuese ndaj kryeredaktores Pajaziti, duke e vlerësuar atë si një nga faktorët që ka kontribuar në suksesin e saj si artiste.
“Një falënderim i veçantë shkon për Ardiana Pajazitin nga KultPlus, e cila është njëra nga faktorët meritorë në suksesin tim dhe e cila më ka mundësuar dhe hapur dyert drejt suksesit”, thotë Leti.
Sipas saj, falë të gjithëve që kanë kontribuar në artin e saj, suksesi i saj çdo ditë e më shumë po rritet.
“Unë kam filluar një kurs për ‘Art me Pika’, ku nga kjo lindi ideja që punimet e mia ti shesë dhe me ato fitime të mbuloj shpenzimet për barnat e nevojshme dhe për pajisjet e domosdoshme që unë të jetoj”, përfundon Leti.
I pranishëm ishte edhe drejtori nga Drejtoria e Kulturës, Adrian Berisha, i cili shpalosi vendimin e tij për krijimin e një hapësire brenda bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’, që Yllka Leti ta ketë një hapësirë të sajën ku ajo të vazhdojë ta krijoj artin e bukur të saj.
“Unë jam informuar nga Adriana për gjendjen e Yllkës, ku vendosa që ta gjej një hapësirë për Yllkën brenda bibliotekës ‘Hivzi Syljemani’, një studio ku ajo mund ta shpreh artin e saj. Unë kam folur me disa shokë të mi, të cilët gjithashtu kanë shprehur dëshirë për ta mbështetur Yllkën në mënyra të ndryshme”, thotë Berisha.
Sipas tij, gjatë një bisede me Yllkën në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ai ka folur me të dhe i ka thënë që ta krijojë një listë me gjithçka çka asaj i nevojitet, me ç’rast do ti sigurohen të gjitha mjetet e domosdoshme që ajo të punojë.
“Gjithashtu, ajo se çka ne mund të krijojmë si Komunë e Prishtinës, është krijimi i studiove për fëmijë sepse nuk ekzistojnë ato lloj studio dhe prandaj po mendojmë që të krijojmë studio të reja për artistët e rinj. Kështu, kurdo që Yllka është gati, ne do të shkojmë ta vizitojmë hapësirën e krijuar posaçërisht për Yllkën”, përfundon Berisha.
Kështu, krejt në fund, të pranishmit patën rastin të bisedojnë tutje rreth artit të Yllkës, ku ajo edhe shpjegonte domethënien e pikturave të saj. Kurse, disa shprehën edhe dëshirën për ti blerë disa nga ato piktura, me ç’rast Szunyog, cilësoi pikturën e parë që atij i la përshtypje më së shumti dhe që tani ai do ta mbajë në shtëpinë e tij. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në emër të SHBA-së ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave për shtetin e Kosovës, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të presidentes Osmani.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Osmanit.
Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës.
Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht.
Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ KultPlus.com
Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh: letërsia është plot me to e kështu është edhe jeta e përditshme. E megjithatë, unë mbetem me to.
E kam parim të mos përgojoj asnjë grua tjetër, edhe sikur të më ketë fyer në mënyrën më të padurueshme.
Ndihem e detyruar të mbaj këtë qëndrim pikërisht sepse e njoh mirë gjendjen e grave: është gjendja ime, të cilën e gjej te të tjerat; e di që sot çdo grua përballet përditë me një stërmundim të jashtëzakonshëm e të dëshpëruar.
E varfër apo e pasur, e paditur apo e arsimuar, e bukur apo e shëmtuar, e famshme apo e panjohur, e martuar apo beqare, e punësuar apo e papunë, me fëmijë apo pa fëmijë, rebele apo e bindur, jemi të gjitha thellësisht të shënjuara nga qenësia në një botë e cila, ndonëse na duket sikur na përket, është helmuar qysh në rrënjë nga mijëvjeçarë sundimi mashkullor.
Gratë jetojnë mes kontradiktave të përhershme dhe stërmundimeve të papërballueshme. Çdo gjë, vërtet çdo gjë, është formësuar në bazë të nevojave të burrave, madje edhe të brendshmet tona, zakonet seksuale, mëmësia.
Jemi të detyruara të jemi gra sipas roleve dhe modeleve që u pëlqejnë burrave, e njëkohësisht duhet edhe të përballemi me ta, të konkurojmë me ta publikisht, duke i bërë më të mirë seç janë dhe gjithnjë duke u kujdesur që të mos i ofendojmë.
Një grua e re që e dua fort, më tha një ditë: “E kam pasur gjithmonë këtë problem me burrat, kam mësuar të mos e teproj”. Me këtë donte të thoshte se ishte ushtruar që të mos ishte tepër e bukur, tepër e zgjuar, tepër e sjellshme, tepër e pavarur, tepër bujare, tepër e vrullshme, tepër e mirë.
E tepërta te një grua shkakton reagime të dhunshme te burrat dhe, sikur të mos mjaftonte, nxit mbi vete armiqësinë e grave të tjera, të cilat luftojnë ditë për ditë me njëra-tjetrën për thërrimet që u lënë burrat. Kurse te burrat, e tepërta shoqërohet me admirim dhe pushtet.
Për pasojë, jo vetëm që pushteti i grave mbytet, por, për hatër të paqes dhe qetësisë, ne mbytim vetveten. Edhe sot, pas një shekulli feminizëm, ende nuk mund të jemi plotësisht vetvetja, nuk i përkasim vetes sonë.
Cenet, mizoritë, krimet, virtytet, kënaqësia, vetë gjuha jonë skaliten përulësisht në hierarkitë e mashkullores, dënohen ose lëvdohen sipas kodesh që realisht nuk na përkasin e që na rraskapitin. E kështu bëhemi lehtësisht pre e urrejtjes së të tjerëve dhe të vetvetes.
Duhet një vigjilencë e pamëshirshme që të arrijmë të tregojmë se çfarë jemi, duke ruajtur njëkohësisht autonominë.
Prandaj ndihem pranë të gjitha grave dhe, shpesh, për një arsye a një tjetër, gjej veten time si te më e mira, ashtu edhe te më e liga ndër to. Si është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk njeh qoftë edhe një kurvë? Patjetër që njoh: letërsia është plot me to e kështu është edhe jeta e përditshme. E megjithatë, unë mbetem me to. / KultPlus.com
Versioni i plotësuar i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, që doli këto ditë nga shtypi, sot u promovua në Gjakovë, pikërisht në ditën e njejtë që kjo vepër e përkthyer në italisht, promovohet në Romë nga botuesi i njohur italian “Armando”.
Vepra deri më tash është përkthyer në sllovenisht, serbisht, frengjisht, ndërsa është në përkthim e sipër në anglisht, polonisht, gjermanisht, spanisht dhe rumanisht.
Nga botimi i parë në nivitn 1982, romani ka pasë dhjetra ribotime në Kosovë dhe dy botime në Shqipëri. Si i tillë, hyn në romanët më të sukesshme të letërsisë shqipe.Promovimi u në Bibliotekën Komunale “Ibrahim Rugova” / KultPlus.com
Pas emërimit te antarëve të këshillit drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Hajrulla Çeku, dje, në mbledhjen e parë të këshillit të përbërë nga Besim Ugzmajli, Xhejlane Terbunja, Bislim Bislimi (përfaqësues i MKRS-së), Luan Daka, More Raça është përzgjedhur si Kryetare e Këshillit Drejtues, përcjell KultPlus.
Lajmi u bë i ditur nga vetë regjisorja, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, përmes të cilit Raça thekson se ajo sëbashku me kolegët e saj, qysh në takimin e parë janë zotuar se do të punojnë me seriozitetin më të madh për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni.
”Do të shqyrtojmë me vëmendje dhe kujdes të madh të gjitha veprimet e derimëtashme të QKK-së, dhe do të punojmë për të krijuar një ambient të shëndosh, ku mbi të gjitha do të respektohet ligji dhe ku do të ketë mundësi të barabarta për secilin kineast”, ka theksuar ndër të tjera Raça. / KultPlus.com
Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Çeku priti në takim pianisten Anila Aliu dhe Prof. Valbona Pula Petrovci, përcjell KultPlus.
Ato zhvilluan një takim me Ministrin z. Çeku dhe këshilltarin i tij z.Liburn Jupolli ku diskutuan për sfidat që kanë të rinjtë e vendit në këtë fushë, ndërsa nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u siguruan që një prej prioriteteve do të jetë mbështetja dhe promovimi i të rinjve, që janë aset shumë i rëndësishëm i vendit.
Anila Aliu është fituese e shumë çmimeve të para, absolute dhe e çmimeve speciale në gara e akademi të ndryshme, si në Kosovë po ashtu edhe vende tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Luksemburg, Lituani, Francë e Amerikë. Së fundi ajo mori çmimin “Grand Award” në Garën Ndërkombëtare të Pianos në Bangkok. / KultPlus.com
Iluzioni optik ka hutuar mijëra përdorues të Reddit, e shihni pse?
Fotoja e së njëjtës shkrepje nga Parisi tashmë është bërë virale disa herë.
“Një iluzion optik në shesh përpara një Salle në Paris”, shkroi një përdorues i Reddit pranë fotos muajin e kaluar kur e postoi, transmeton KultPlus.
Projektuesi Francois Abelanet është përgjegjës për hartimin e iluzionit optik.
“Truri im është djegur”, “Të lutem, Napoleon, na e shpjego këtë”, ishin vetëm disa nga komentet, dhe natyrisht, nuk kishte shaka.
“Kjo është provë se toka është e sheshtë! Njerëz, zgjohuni,” shkruajnë ata, dhe dikush gjithashtu shpjegoi se për shkak të një këndi në pamje, një sipërfaqe e sheshtë duket tre-dimensionale. /telegrafi/ KultPlus.com
Objekti e ish Restaurant “Beni Dona”, do të përshtatet dhe hapësirat e tij do të shfrytëzohen për galeri të artit, me qëllim që të plotësohen kërkesat dhe nevojat e artistëve llapjanë, përcjell KultPlus.
Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci, ka vizituar sot hapësirat e ish Restaurantit “Beni Dona”, për t’u njoftuar nga afër me mundësitë që ofron ky objekt me hapësirat rreth tij dhe për t’i shikuar mundësitë që ato të përshtaten dhe të përdoren për funksionalizimin e galerisë së artit.
Me këtë rast drejtoresha Kutllovci tha se me projektin që do ta hartojmë, ky objekt do të transformohet dhe në këto hapësira do të krijohen kushte të mira për artistët e artit pamor.
“Bazuar në mundësitë buxhetore, me realizimin e fazës së parë të këtij projekti do të fillojmë këtë vit, kjo do të bëhet me qëllim të përmbushjes së kerkesave dhe nevojave të artistëve të artit pamor të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë hapësira të destinuara për zhvillimin e punës dhe aktiviteteve të tyre” tha Kutllovci.
Për shkak se DKRS nuk ka buxhet të mjaftueshëm për realizimin e plotë të këtij projekti, drejtoresha Kutllovci tha se përkrahje do të kërkohet edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). / KultPlus.com
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që të lejohet mbajtja e mbrëmjes së maturës.
“Ka një mungesë serioze të koordinimit të dikastereve të përcaktuara të procesit të vaksinimit. Kërkesa jem për ju është edhe pse arsimi primar është përgjegjësi e komunës mirëpo masat e shtetit që ta bëni një plan të saktë të procesit të vaksinimit të mësimdhënësi. Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë që të organizohet matura dhe ekskursioni dhe është një çështje që ndodh një herë në jetë dhe kërkoj prej jush që t’i shikosh mundësit që të mbahet mbrëmja e maturës”, thekson Tahiri
Ndërsa, Nagavci tha se nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga Asociacioni i Komunave për mbajtjen e maturave.
Ajo tha se vendimi i qeverisë e ndalon, derisa tha se ky vendim është marrë për mirëqenien e nxënësve.
“Provimi i maturës do të mbahet vetëm për një ditë dhe vendimet e mija nuk do të jenë të pabazuara, nuk kam pranuar asnjë kërkesë nga Asociacioni i Komunave, vendimi i qeverisë ndalon ekskursionet dhe maturën dhe kjo për ruajtjen e shëndetit të nxënësve”.
Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë Covid-19. /eo/ KultPlus.com
Ka nisur rrugëtimin “Triptoalbania.al“, platforma e vetme online në trevat Shqiptare, e cila do të jetë udhërrëfyesi dhe pika juaj e refermit mbi çdo informacion turistik në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në të gjitha trevat shqipëfolëse.
Në prezantimin e kësaj platforme, morën pjesë akterë të rëndësishëm të këtij sektori, ndër to edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Ambasadori në detyrë i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani si dhe operatorë të suksesshëm turistik.
Në fjalën e tij Ministri Klosi, shprehu vlerësim të lartë për krijimin e kësaj platforme, duke bërë thirrje që të pushojmë shqip, për të shfrytëzuar të gjithë potencialin turistik që kemi në trojet shqiptare.
“Duhet të shoqërohemi që të vizitojmë detin, por duhet të vizitojmë edhe bukuritë e bjeshkëve. Të vizitojmë bukuritë e Durresit e të Vlorës, por operatorët turistikë duhet të shikojnë edhe Prizrenin dhe Prishtinën si një opsion, sepse lidhja është më e thjeshtë. Mundësitë i kemi shumë më të kollajshme dhe mundësitë i kemi shumë më të mëdha qe të bëjmë një turizëm mbarë shqiptar”.
Ndër të tjera, Klosi tha se pasuria turistike shqiptare duhet të vitalizohet.
“Kjo është pasuri e madhe kombëtare. Kemi turizëm në të dy anët e bjeshkëve dhe kjo besoj është në përgjegjesinë tonë, administratorëve publik të flasim dhe të promovojmë turizmin shqiptar“.
Gjithashtu ministri Klosi ka thënë se kemi pasur nevojë për produkte si projekti i “Triptoalbania.al”.
Sipas tij, projekte si ky nxitin qytetarët të pushojnë shqip, të pushojnë në Prishtinë, Durres, Vlorë, Prizren, Pejë etj, kudo ku kanë mundësi të kontribuojnë, pasi ata janë vërtet heronj të kësaj beteje ekonomike, ka thënë ai.
Nga ana tjetër Qemal Minxhozi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, shprehu mirënjohje për krijuesin e kësaj platforme.
“Unë kam shumë bindje se në ballë të turizmit të Shqipërisë do të qëndrojë Kosova. Uroj që në Shqipëri të bëhet edhe më tepër një jehonë sa më e madhe edhe për turzmin malor të Kosovës jashtë mase i lakueshëm”.
Nait Hasani, Ambasador në detyrë i Kosovës në Shqipëri ka përgëzuar për platformën “Triptoalbania.al”, duke shpresuar që turizmi në të dy vendet shqipëfolëse të rritet, pasi të dy vendet i kanë potencialet e veta turistike.
“Kosova e ka malin, Shqipëria e ka detin, prandaj që të dy vendet ofrojnë shumë për vizitorët dhe pushuesit në çfarë do stine të vitit“.
Ndërsa Azem Bujupi, Drejtori Ekzekutiv dhe ideator i “Triptoalbania.al”, ka treguar rreth idesë së tij për krijimin e platformës.
“Arsyeja e krijimit të kësaj platforme është shumë e thjeshtë. Fillimisht ne duhet të prezantojmë veten se kush jemi ne, për ata që duan të na vizitojnë. Duhet të prezantojmë tokën, traditën, mikpritjen, veshjen dhe gjithçka tjetër që neve na bën të jemi ata që jemi krenarë. Pjesa e parë e kësaj është “Know me” të njihemi dhe pjesa tjetër “Taste me” më provo, më testo. Është komplet prezantimi i vijës bregdetare malore, Mal i Zi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë.
Bujupi më tej ka treguar se “Triptoalbania.al“, ka arritur në regjistrimin e materialeve mbi 4 mijë orë në Shqipëri, kurse në Kosovë 2mijë orë sa i përket prezantimit të turizmit bregdetar dhe atij malor.
Sipas statistikave gjatë hulumtimit Bujupi u shpreh se hyrjet e turizmit malor në vijën e Austrisë dhe Zvicrës, janë më shumë se vija bregdetare dhe se shtetet për rreth.
“Në infrastrukturën e Kosovës, duhet të ndërhyet në një zonë të tillë dhe një ofertë të tillë siç e ka Kosova është e papërjashtueshme që të shijohet nga çdo kush, si i Republikës së Shqipërisë dhe të tjerëve që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën“.
Në përfundim u bë edhe prezantimi komplet i platformës, se ku mund ta gjeni dhe si të njiheni me vendet më atraktive të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të zi, duke u njohur me historinë e tyre, traditat, zakonet, gastronominë etj. / KultPlus.com
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden u ka premtuar qytetarëve amerikanë birrë falas me kusht që të paktën 70% e tyre të vaksinohen kundër COVID-19 me dozën e parë deri më 4 korrik, përcjell KultPlus.
Fabrika e birrës Anheuser-Busch, e cila gjithashtu zotëron fabrikën e birrës Budëeiser, njoftoi se është bashkuar me Shtëpinë e Bardhë me këtë rast.
Sipas njoftimit të tyre, 200,000 amerikanë do të marrin një raund falas me birrë nëse vaksinohen dhe nëse janë 21 vjeç e sipër.
Përveç fabrikës së birrës, aksionit iu bashkua edhe marka e famshme amerikane e ëmbëlsirave Krispy Kreme, e cila gjithashtu do të dhurojë produktet e saj për amerikanët që janë vaksinuar. / KultPlus.com
Artisti i madh Palok Kurti u përkujtua sot në kuadër të muajit të Muzikës, shpallur nga Ministria e Kulturës në Shqipëri, përcjell KultPlus.
“Kujtojmë sot Palok Kurtin, një nga kompozitorët e parë shqiptarë, që ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në Shkodër!”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Palok Kurti u lind në Shkodër më 3 korrik 1860 në një familje zanatçinjsh. U rrit pranë jetimores së drejtuar nga françeskani italian P. Tomë Markoci (Tommaso Marcozzi), prej të cilit mori bazat e dijeve muzikore. Për arsye ekonomike e ëma e futi të punonte në kafe “Adriatik” ku qe në kontakt me muzikën qytetare, por edhe me ndikimet e huaja ardhur nga italianët që kishin gjetur strehë në qytet pas bashkimit të Italisë.
Më 1876 hapi bandën e parë muzikore në qytet, ku së bashku me të u bënë pjesë edhe Kolë Idromeno me Mati Kodhelin. Banda u krijua dhe më 1880. Banda që njihej në mjediset shkodrane si Daulla, u vu në shërbim të Degës së Shkodrës të ”Lidhjes së Prizrenit” më 1881, ngjarje për të cilat Kurti punoi veprën “Bashkimi i Shqypnisë” dhe marshin “Turqit në Maqedoni”. Për veprimtarinë e tij u internua nga autoritetet osmane në Diarbekir për 20 muaj.
Më 1900 autoritetet osmane e shpërndanë “Daullen”. Pas një viti shkolla italiane “Arti e mestieri” e hapur në Shkodër pajtoi Palokën për mësimdhënie dhe krijimin e bandës së shkollës, bandë e cila qe aktive për një dhjetëvjeçar, deri në mbylljen e shkollës më 1911.
Jepte mësime muzike në privat, por me pushtim-administrimin austro-hungarez u arrestua në maj të 1916 bashkë me të birin, Zefin dhe u burgosën në Grossau për një vit deri me 1 maj të 1917. Pas tërheqjes së austro-hungarezëve, vendin e tyre e zunë trupat frënge, të cilat dimrin e 1919 e internuan Palokën në ishullin grek të Korfuzit. Pas marrëveshjeve mes francezëve dhe italianëve, këta të fundit e shpunë në Ostia ku kishte dhe familjen, dhe u kthyen vetëm pas “Luftës së Vlorës” në vendlindje.
Kurti ka qenë kompozitori i parë që shkroi këngë, shumica e të cilave të mbështetura te sharkia ose peshrefi. Popullariteti i këngëve të Kurtit bëri që ahengxhinjtë të përvetësonin dhe shpërndanin një muzikë më të përpunuar sesa tonet instrumentale të deriatëhershme.
Me cilësinë e rapsodit, poetit dhe këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t’i mishëroje në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme: marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881 kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ,“Marshallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgiodha”, ”Kur fillon drita me dalë”, “Të due, moj të due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares dhe artistes së madhe shqiptare Marie Kraja do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare.
I ndikuar nga format e reja të muzikës evropiane, Kurti shkroi edhe vepra liturgjike. Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma” etj…
Palokë Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1920. /atsh/ KultPlus.com
Është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare aktori dhe regjisori i njohur Pirro Mani.
Mani lindi në Korçë më 14 Prill 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.
Mani ka qenë një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet ka punuar në Teatrin Kombëtar.
Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet.
Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Ka qenë mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. S
Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. / KultPlus.com
Një artist italian ka shitur një skulpturë të padukshme për rreth 18.000 dollarë dhe ia ka dhënë blerësit certifikatën e autenticitetit për të dëshmuar se skulptura është e vërtetë.
Arstisti Salvatore Garau, 67 vjeç, ia shiti skulpturën me emrin “Unë jam” një blerësi të paidentifikuar këtë muaj, shkruan Daily Mail, përcjell KultPlus.
Skulptura duhet të shfaqet në një katror me përmasë 1 metër e gjysmë me 1 metër e gjysmë në një hapësirë private pa ndriçim artificial apo ajrore artificiale.
Artisti e përshkroi skulpturën si “vakum, sepse vakumi nuk është asgjë më shumë sesa një hapësirë plot energji”. “Edhe nëse e lëmë bosh dhe nuk mbetet asgjë prej saj, sipas parimit të Heisenbergut për pasiguri, ajo “asgjë” ka peshë”, deklaroi artisti italian.
Shtëpia italiane e ankandeve, Art-Rtie, e cila e organizoi shitjen e skulpturës, ka refuzuar ta publikojë emrin e blerësit.
Në të kaluarën, ky skulptor ka bërë një skulpturë tjetër të padukshme, të cilën e kishte emërtuar “Buda në soditje”. / KultPlus.com
Pas vendimit që dha sot Gjykata Kushtetuese për t’i dhënë më shumë kohë Presidencës për të paraqitur prova të reja në lidhje me ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, vjen një reagim nga regjisori Edmond Budina, përcjell KultPlus.
Në një prononcim për mediat Budina tha se në rastin e Teatrit, morali dhe ligji janë bashkë ndërsa u shpreh optimist se Gjykata Kushtetuese do të japë vendim të drejtë për të ngritur demokracinë në vend.
“Sistemi i drejtësisë i çdo vendi e ruan moralin. Por jo gjithmonë ligji përshtatet me moralin. Në rastin e teatrit, është e qartë se morali dhe ligji janë bashkë, pasi është një aferë korruptive. Jemi besimplotë se Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim të drejtë se me teatrin kombëtar ngrihet demokracia në këtë vend.”, tha Budina. / KultPlus.com
Tani do të të kërkoj një favor që tingëllon pak si i çmendur, të cilin do ta përshëndes kur të marr unë letër. Është gjithashtu testi më i madh në të cilin mund të vihet njeriu më i mirë.
Mirë, ja ku është:
Më shkruaj vetëm njëherë në javë, kështu që letrat e tua të më vijnë ditën e diel, sepse nuk mund t’u rezistoj letrave të tua të përditshme. Për shembull, unë i përgjigjem një nga letrat e tua, dhe pastaj shtrihem në krevat në dukje i qetë, por zemra ime rreh përmes gjithë trupit vetëm prej teje. Unë të përkas ty. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta shprehur këtë, dhe kjo nuk është mënyra më e mirë. Po për këtë arsye nuk dua të di se çfarë vesh. Më ngatërron aq shumë, saqë s’mund të merrem me jetën. Nuk dua ta di që edhe ti ndjen për mua. Po ta dija, si mundja, si budalla që jam, të ulesha në zyrën time, apo këtu në shtëpi, në vend që të hipja në një tren me sytë që hapen dhe mbyllen vetëm kur jam me ty? Oh, ka një arsye të trishtueshme, që nuk s’e bëj dot këtë. Për t’i rënë shkurt: Shëndeti im është i mirë vetëm për të përballuar veten time. Ai s’është i mjaftueshëm për martesë, duke lënë mënjanë të bërit baba. Sidoqoftë, kur lexoj letrat e tua, ndjej se mund të lartësohem edhe mbi atë që nuk mund të lartësohet.
Ah sikur ta kisha përgjigjen tënde tani. Dhe sa keq të torturoj, dhe sa të detyroj ty në qetësinë e dhomës tënde të lexosh këtë letër, si letra më e ulët që është vënë ndonjëherë në tryezën tënde.
Ndershmërisht, ndjehem keq ndonjëherë kur lutem si një lugat mbi emrin tënd lumturues! Ah sikur ta kisha postuar letrën e së dielës, në të cilën të kisha kërkuar të mos më shkruaje më kurrë, dhe në të cilën të jepja një premtim të ngjashëm. Oh Zot, çfarë më ndaloi të ta dërgoja këtë letër? Çdo gjë do ishte në rregull. Por a është kjo zgjidhje e paqtë e mundur tani? Çfarë do të ndihmonte nëse ne do i shkruanim njëri-tjetrit vetëm një herë në javë? Jo, sikur vuajtja ime të kurohej nga mjetet të tilla, atëherë ajo s’do ishte serioze. Dhe tashmë parashikoj që s’mund të jem në gjendje t’iu rezistoj as letrave të së dielës. Kështu, për të kompensuar mundësinë e humbur të së dielës, të kërkoj me gjithë fuqinë që më ka mbetur në fund të kësaj letre: Nëse i vlerësojmë jetët tona, le të mos shkruajmë më.
Mos po mendoja të nënshkruaja me Dein? Jo, s’do të kishte gjë më false se sa kjo. Jo, unë jam gjithmonë i lidhur me zinxhirë me veten time. Ky jam unë, dhe kjo është ajo me të cilën duhet të jetoj.
11 nëntor, 1912
Kujtojmë që shkrimtari i njohur gjerman Franc Kafka e takoi për herë të parë Felice Bauer në vitin 1912. Për pesë vjet ata patën një histori dashurie. / KultPlus.com
Ngritja e vetëdijes rreth fuqizimit sfidave, paragjykimeve dhe stereotipave që janë të pranishme në shoqërinë kosovare e të cilat godasin më së rëndi komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian ku në fokus janë gratë e këtyre komuniteteve, sot erdhi në një formë të diskutimit mbi çështjet e ndryshme që kanë ndikim të fuqishëm në shoqërinë tonë. Aktiviteti i dytë i radhës mblodhi rreth vetes figura të ndryshme me një ndikim të madh ndaj të drejtave të njeriut, shkruan KultPlus.
Pasi që dje festivali multikulturor ‘Gruaja arkitekte e shoqërisë’, nisi edicionin e tij të tretë nga organizata joqeveritare ‘Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve’, me aktivitete artistike si: prezantimi i artistëve të rinj në piano, pikturë dhe poezi dhe hapja e panairit të bizneseve të grave nga komunitete të ndryshme, sot ky festival solli një sesion që fokusohet në temën e privimit të qasjes në të drejtat e këtyre komuniteteve.
Fillimisht, para këtij sesioni, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, në fjalën hyrëse tha se Kuvendi i Kosovës është i përkushtuar për zbatimin e kushtetutës së vendit e cila siguron që Kosova në bazë jo diskriminuese ti trajtoj të gjithë qytetarët, gratë dhe komunitetet e ndryshme për të gëzuar të drejta të barabarta.
“Kuvendi i Kosovës është i përkushtuar që të gjithë t’i kenë të drejtat e barabarta dhe të kenë një barazi të plotë në mes të qytetarëve, grave e komuniteteve të cilët sipas Kushtetutës ndalohen që të diskriminohen mbi baza të racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, mendimeve politike dhe të tjera të prejardhjes kombëtare e shoqërore”, thotë Konjufca.
Sipas tij, në kuadër të këtij festivali ai pati një motiv shtesë, sepse grupet e margjinalizuara kanë një problem të madh si në shkollim ashtu edhe në punë dhe kudo, prandaj është konsideruar mirë që ky festival iu kushtohet këtyre grave dhe këtyre kategorive.
“Një zhvillim që ka qenë shenjë e mirë për një optimizëm më të madh ka të bëjë me atë që ndodhi në Kuvendin e Kosovës nga aspekti gjinor në zgjedhjet e 14 shkurtit, për arsye se është tejkaluar numri i grave që është pragu minimal i parashikuar në Republikën e Kosovës. Kjo dëshmon se qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar”, përfundon Konjufca.
Kurse, Habit Hajredini, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Mos-Diskriminimin në Zyrën e Kryeministrit, është shprehur se duhet nxitur promovimi i punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe duhet luftuar si nga Qeveria dhe nga të gjithë për parandalimin e paragjykimeve dhe diskriminimeve të tyre komuniteteve.
“Është grupi më i ndjeshëm sidomos të këtyre komuniteteve dhe për këtë ne si Qeveri kemi mbajtur takimin e parë të grupit teknik profesional për parandalimin e paragjykimeve dhe diskriminimeve të këtyre komuniteteve si në aspektin e edukimit, shëndetësisë dhe specifikave të tjera”, thotë Hajredini.
Sipas tij, duhet që të sensibilizohemi të gjithë në mënyrë që të bëhemi së bashku dhe të punojmë në diversitetin e trajtimit të këtyre kategorive.
“Ajo që ne kemi si prioritet është punimi në implementimin e këtyre dokumenteve që do jenë bazë dhe shtyllë kryesore për përfshirjen e këtyre komuniteteve në legjislacionin tonë”, përfundon Hajredini.
Kështu, nisi edhe sesioni i parë në kuadër të aktivitete në ditën e dytë të këtij edicioni ku u diskutua rreth qasjes së barabartë gjinore në shoqëri në aspektin e kulturës, fesë dhe pikëpamjeve të të gjithëve për të arritur në një trajtim të barabartë në kudër të gjinisë nga panelistët: Edi Gusia kryeshefe ekzekutive e Agjenicsë për Barazi Gjinore ‘ZKM’, Muzaqete Kosumi nga Fakulteti i Studimeve Islame si dhe Gazmend Qyqalla aktivisti i ‘Young Community Leaders Center’.
“Përkundër faktit që kemi një kornizë ligjore shumë të avancuar në nivel evropian dhe global ku garantohen të drejtat ligjore të grave dhe vajzave për pjesëmarrje në jetën politike, publike, punësim për shfrytëzim të mirave financiare dhe mundësive, gratë dhe vajzat në Republikën e Kosovës, pa dallim etnie, ende vazhdojnë të mbeten të nën përfaqësuara në të gjitha segmentet e jetës”, thotë Gusia.
Sipas saj, është për tu vlerësuar dhe për tu çmuar se kjo demokraci shumë e re si Kosova, ka arritur që të jetë në hapa me shtetet që kanë një traditë më të thelluar të demokracisë fillimisht në kuptimin e integrimit e të gjithë legjislacionit ndërkombëtar të konventave që i garantojnë të drejtat e grave dhe minoriteteve duke dërguar këtë legjislacion në një frymë të trajtimit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjinie dhe orientimi seksual.
“Janë vetëm 17 mësimdhënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në nivel vendi të cilët janë të angazhuar në procesin arsimor duke treguar se stigma është shumë e thelluar e në të njëjtën kohë mungesa e qasjes në punësim përveç që diskriminon gratë për pjesëmarrje të barabarta, i bën ato edhe më të ndjeshme ndaj dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, përfundon Gusia.
Kështu krejt në fund, Kosumi dhe Qyqalla kanë folur rreth rolit të gruas në shoqëri në aspektin e fesë ku të drejtat e gruas dhe pozita e saj u konsiderua mjaft e lartë sepse përmes fesë dhuna është krejtësisht e ndaluar, kurse duke pasur parasysh rastet e fundit, praktikat e shumta në terren vazhdojnë të dëshmojnë se shoqëria kosovare shumë shpesh e emancipon gruan kur në fakt gruaja duhet cilësuar si një arkitekte e vërtetë e shoqërisë sepse gratë u konsideruan udhëheqëse jashtëzakonisht të mira.
Ndërkohë, sesioni i dytë që ndërlidhet me diskriminimin e shumëfishtë të gruas në baza etnike dhe gjinore fillon në orën 13:00, kurse sesioni i tretë ndërlidhet me qëndrimet ditore me bazë në komunitet si një mundësi zhvillimi për fëmijët dhe nënat dhe do të filloj në orën 15:00 në Hotelin Sirius.
Gjithashtu, nesër për të shënuar fundin e edicionit të tretë të këtij festivali duke filluar nga ora 11:00, do të mbahen forume me të rinjtë në disa komuna si: Komuna e Fushë Kosovës, Komuna e Ferizajit, Komuna e Gjakovës, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Mitrovicës. / KultPlus.com
Në arkivin e Sulltan Abdylhamitit II në Stamboll, një prej më të rëndësishmëve në botë për fotografinë, është zbuluar një koleksion i fotografit Pietro Marubi.
Lucjan Bedeni, Drejtor i Muzeut Kombëtar “Marubi” ka rënë në gjurmët e këtij koleksioni teksa hulumtonte për doktoraturën, punë që ka të bëjë me jetën dhe veprën e fotografit italian, i cili e zhvilloi aktivitetin në Shkodër.
“Stoli vërtet magjepsëse, të Marubit, në Stamboll.
Këto fotografi, që janë riprodhime nga origjinalet, që kemi ne në arkivin tonë, në imazhe ‘cabinet carte’, siç quheshin gjatë shekullit XIX, vijnë të rrethuara nën zbukurimet me motive lulesh”, – thotë Bedeni.
Arsyet pse fotografitë e Marubit mbërritën në Stamboll, janë në kuadrin e hipotezave.
“Arsyet i kërkojmë në histori. Në fund të jetës së tij, ky sulltan u bë paranojak se mos e vrisnin, gjë që e detyroi atë të izolohej. Një mënyrë tepër origjinale që ai gjeti për të shikuar zhvillimet e perandorisë, ishte komisionimi i studiove fotografike. Pietro Marubi është një prej fotografëve që është komisionuar nga sulltani, ndaj ne gjejmë praninë e këtyre albumeve në Stamboll”, – thotë Bedeni.
Një tjetër hipotezë mbi mbërritjen e koleksioneve ne Stamboll, është ajo që pashallarët që drejtonin vilajetet, i bënin dhurata sulltanit, pamje nga perandoria. Nga gjithë koleksioni ka vetëm një pjesë që muzeu Marubi nuk e ka.
“Pjesa më e veçantë, apo më e magjishme, e këtij koleksioni, atë të cilën ne nuk e kemi, janë fotografitë e pikturuara me bojëra vaji, me velatura të lehta”, deklaron Bedeni, por që sipas tij, është fakt i njohur që ai pikturonte. /konica/ KultPlus.com
“We The People”, kështu quhet seriali i animuar i Netflix, në të cilin Bebe Rexha do të jetë pjesë.
Krijuesi i “Doc McStuffins”, Chris Nee, është ribashkuar me ish-presidentin Barack Obama dhe “Higher Ground Productions” të Michelle Obamas për serinë e animuar të Netflix, “We the People”, transmeton KultPlus.
Seriali prej 10 episodash i Nee, i prodhuar nga Kenya Barris, ndërthur muzikë dhe animacion për të edukuar një brez të të rinjve amerikanë për fuqinë e njerëzve, janë një seri e videove muzikore të animuara që mbulojnë një sërë mësimesh themelore të qytetarisë në SHBA në mënyra jo aq themelore.
Seriali përmban këngë origjinale të interpretuara nga artistë duke përfshirë HER, Janelle Monae, Brandi Carlile, Lin-Manuel Miranda, Adam Lambert, Cordae, Bebe Rexha, KYLE, Andra Day dhe poeten Amanda Gorman. Çdo episod, i cili përdor një ndërthurje të stileve të animuara, është një thirrje për veprim për të rimenduar, si një gjë të gjallë që merr frymë dhe për të rikonfirmuar të kuptuarit e asaj që do të thotë qeveri dhe qytetari në një botë moderne. Përveç Barack dhe Michelle Obama, Tonia Davis dhe Priya Swaminathan janë pjesë e “Higher Ground”. Edhe Ada Chiaghana, Erynn Sampson e PeeDee Shindell.
“We the People”, i cili do të publikohet më 4 korrik në Netflix, drejtohet nga Peter Ramsey, Trisha Gum, Victoria Vincent, Benjy Brooke, Mabel Ye, Tim Rauch, Jorge R. Gutierrez, Daron Nefcy, Everett Doëning dhe Kendra Ryan. Seriali do të bëjë debutimin e tij botëror në AFI DOCS më 24 qershor./ KultPlus.com
Katër partitura të Chopin-it nga koleksioni i bibliotekës polake ”Jagiellonian” do të përfshihen në listën kombëtare të programit “Kujtesa e botës” e UNESCO-s, njoftoi biblioteka, përcjell KultPlus.
“Partiturat formojnë një bazë editoriale dhe një material të vlefshëm kërkimor. Ato dokumentojnë veprimtarinë muzikore të Frederyk Chopin, kompozitorit më të madh polak dhe një prej kompozitorëve më të rëndësishëm në historinë e muzikës”, komentoi biblioteka ”Jagiellonian”.
Komiteti polak i programit të UNESCO-s, i udhëhequr nga drejtori i Arkivave të Shtetit, Pawel Pietrzyk, në të cilin ulen përfaqësuesit e bibliotekave më të mëdha polake, arkivave dhe qarqeve akademike, çdo vit zgjedh elementet për listën polake të programit të UNESCO-s.
Elementet e një rëndësie themelore për historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar nga arkivat, bibliotekat dhe muzetë polakë që do të shtohen në listë, do të shpallen zyrtarisht më 10 qershor në pallatin ”Belweder” në Varshavë. / KultPlus.com
Në fund të një projekti që zgjati rreth dhjetë vjet, i shoqëruar nga një valë polemikash, shtëpia botuese franceze “Fayard” publikoi sot një botim kritik të “Mein Kampf”, një ekspozitë e ideologjisë raciste dhe antisemite e Adolf Hitlerit.
I shkruar nga vetë Hitleri midis 1924 dhe 1925, kur kreu i partisë naziste ishte në burg për grusht shteti të dështuar, “Mein Kampf” është një manifest i gjatë i një politikani, i cili, si i dëbuar, po përgatitej të vinte në pushtet përmes zgjedhjeve në 1933, përpara se ta tërhiqte vendin e tij në një luftë botërore dhe gjenocid të hebrenjve.
“Fayard” ia besoi tekstin përkthyesit Olivier Mannoni, me qëllimin e deklaruar të “historizimit të së keqes” duke publikuar një botim kritik të vëllimit. /atsh/ KultPlus.com
Shkrimtari Ismail Kadare, ka takuar Vera Camajn, mbesën e një tjetri njeri të rëndësishëm të letrave shqipe, Martin Camajt, përcjell KultPlus.
Kadare risolli kujtimin e takimit të tij të parë me Camajn në tetor të vitit 1981 në Frankfurt, ku kishin pasur një shkëmbim të shkurtër por të këndshëm.
“Kam pasur fatin ta takoj për herë të parë Martin Camajn, në tetor të vitit 1981, në Frankfurt. Pas mbarimit të një konference shtypi, m”u afrua një burrë i pashëm, i cili, pasi më foli shqip, tha emrin e vet: Martin Camaj. E njihja, pa dyshim, nëpërmjet revistës “Shejzat” të Koliqit dhe atij iu bë qejfi që ia thashë këtë. Biseduam një copë herë në këmbë, midis zhurmimít të zakonshëm te një mjedisi të tillë”, thoshte Kadare.
“Martin Camaj është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.”
Lajmin për këtë takim të veçantë e bëri të ditur botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri nga Onufri. / KultPlus.com