Khaled Hosseini: Është thjesht zemërthyese të shohësh flamurin taleban të valëvitet mbi atë qytet

Menjëherë pas mbulimit mediatik të ngjarjeve tronditëse në Afganistan, ku talebanët morën pushtetin, shumë njerëz rikujtuan disa prej romaneve bestseller mbi jetën në Afganistan.

Në një intervistë për CNN, autori flet për kthimin e talebanëve në pushtet, çfarë përgjegjësie ka SHBA -ja ndaj Afganistanit dhe çfarë dëshiron që njerëzit të kuptojnë për vendin e tij, transmeton KultPlus.

“Është e trishtë. U zgjova një ditë, ndeza telefonin dhe pashë që Kabuli kishte rënë. Unë kam qenë në Afganistan disa herë që nga 11 shtatori dhe vendosja e amerikanëve në Afganistan, dhe është absolutisht shqetësuese. Kam një lidhje shumë të fortë emocionale me vendin, qytetin, njerëzit e tij. Në fakt nuk kam jetuar në Afganistan që nga viti 1976, por vitet formuese i kalova atje. Është thjesht zemërthyese të shohësh flamurin taleban të valëvitet mbi atë qytet,” tha ai kur u pyet se si u ndje që Kabuli është në duart e talebanëve sërish.

Hosseini shtoi se miqtë dhe familjarët e tij “janë shumë të shqetësuar për sigurinë e tyre, për sigurinë e miqve, për të ardhmen e vendit, për çfarë do të thotë ardhja e talebanëve tani për të drejtat e shumta dhe përfitimet që janë arritur gjatë 20 viteve të fundit”.

Në lidhje me përgjegjësinë e SHBA-së, ai tha:

“Unë fillimisht mbështeta operacionin amerikan në Afganistan – miliona afganë e mbështetën. Kishte ankesa legjitime për mënyrën se si amerikanët bënin biznes në Afganistan. Kishte incidente gjatë viteve që gërryen një pjesë të vullnetit të mirë afgan dhe besimin e amerikanëve. Por në pjesën më të madhe, shumica e afganëve kuptuan se prania amerikane në Afganistan ishte mbrojtja kundër rënies së vendit në duart e kryengritësve. Presidenti Biden mbajti një fjalim ditën tjetër dhe mendoj se do ta pyesja: Cila është trashëgimia e 20 viteve? Për çfarë u bë e gjitha?“, transmeton tutje KultPlus.

Ai theksoi se aganët “janë nën mëshirën e një grupi që SHBA -ja e ka cilësuar si një grup terrorist, i cili zbatoi terror mbi njerëzit afganë në mesin e viteve ’90 dhe e bëri Afganistanin një strehë të sigurt për grupet terroriste. Pra, është një pilulë shumë e hidhur për ta gëlltitur. Dhe nga perspektiva afgane, është e vështirë t’i fajësosh ata për ndjenjën e tradhtisë.”

Shkrimtari tha se ndihet i bekuar që u ka mundësuar shumë njerëzve të njohin Afganistanin përmes librave të tij. Përpos tyre, të cilët i konsideron si një dritare për të njohur Aganistanin, ai sugjeron edhe të tjerë autorë.

“Fariba Nawa, e cila është një gazetare dhe një shkrimtare e mrekullueshme, ka shkruar një libër të “Opium Nation: Child Brides, Drug Lords, and One Woman’s Journey Through Afghanistan”. Është një kujtim familjar për tregtinë e opiumit në Afganistan. Ai gjithashtu siguron një perspektivë mbi Afganistanin gjatë 30 viteve të fundit. Për ata që duan të kuptojnë jo vetëm historinë afgane, por edhe përvojën e afganëve që jetojnë në mërgim, unë do të rekomandoja Tamim Ansary “West of Kabul, East of New York.”

Përsa i përket regjimit të ri të talebanëve, të cilin këta të fundit e kanë përshkruar se do të jetë ndryshe, shkrimtari është skeptik.

“Jam shumë skeptik. Ne mendojmë se talebanët duhet ta provojnë me vepra dhe jo me fjalë. Vëmendja e botës është te talebanët tani, kështu që nuk është për t’u habitur që ata thonë se do të respektojnë të drejtat e njeriut dhe se do të respektojnë të drejtat e grave. Ata janë shumë të kujdesshëm dhe thonë “brenda kufijve të ligjit islam”, megjithatë, kjo fjali është plotësisht e hapur për interpretim”. / KultPlus.com

Khaled Hosseini, is an Afghan-born American novelist and physician. He is a citizen of the United States where he has lived since he was fifteen years old. ?? Tim Knox / eyevine Contact eyevine for more information about using this image: T: +44 (0) 20 8709 8709 E: [email protected] http:///www.eyevine.com

Vdes bateristi i ‘Rolling Stones’, Charlie Watts

Bateristi i Rolling Stones, Charlie Watts ka vdekur në moshën 80 -vjeçare, ka thënë publicisti i tij.

“Me trishtim të madh njoftojmë vdekjen e të dashurit tonë Charlie Watts”, thuhej në një deklaratë, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

“Ai vdiq paqësisht në një spital në Londër më herët sot i rrethuar nga familja e tij”, lexonte më tej deklarata.

Thuhet se ai ishte “një burrë, baba dhe gjysh i dashur” dhe “një nga bateristët më të mëdhenj të brezit të tij”.

Deklarata shtoi: “Ne kërkojmë me mirësi që privatësia e familjes së tij, anëtarëve të grupit dhe miqve të ngushtë të respektohet në këtë kohë të vështirë”.

Lajmi vjen javë pasi u njoftua se Watts do të humbte datat e turneut të grupit në ShBA për t’u shëruar nga një procedurë mjekësore e paspecifikuar. Watts u trajtua më parë për kancerin në fyt në vitin 2004.

Ai kishte qenë anëtar i Rolling Stones që nga janari i vitit 1963, kur u bashkua me: Mick Jagger, Keith Richards dhe Brian Jones në grupin e tyre fillesta. / KultPlus.com

Kina lejon fëmijën e tretë në familje

Legjislatura më e lartë e Kinës ka miratuar një reformë të ligjit që lejon prindërit të kenë deri në tre fëmijë.

Komiteti i Përhershëm i Kongresit Kombëtar Popullor të Kinës ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Planifikimin e Familjes dhe Popullsisë, transmeton KultPlus.

Agjencia e lajmeve Xinhua raportoi se ligji duhet të ratifikohet nga presidenti kinez Xi Jinping që ligji të hyjë në fuqi.

Reforma u soll në bazë të një vendimi për mbështetjen e çifteve që duan të kenë fëmijën e tretë, i cili u miratua në fund të majit nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.

Byroja Politike, e kryesuar nga presidenti Jinping tha se reforma kishte për qëllim t’i përgjigjej plakjes së kombit dhe të përmirësonte burimet njerëzore të vendit.

Kjo reformë është një tjetër tregues se Kina gradualisht po braktis politikën e vendosur në vitin 1980 për të ndaluar rritjen e popullsisë dhe që lejoi familjet të kenë vetëm një fëmijë. Në vitin 2016, prindërit u lejuan të kishin fëmijën e dytë për shkak të problemit të plakjes me të cilën po përballet populli kinez. / KultPlus.com

Tom Cruise befason një familje, zbret me helikopter në kopshtin e tyre

Aktori Tom Cruise ka bërë një familjen shumë të lumtur pasi ka zbritur me helikopter në kopshtin e shtëpisë. Tom Cruise, ishte duke xhiruar filmin “Mission: Impossible”, transmeton KultPlus.

Alison Webb dhe familjes së saj i ishte thënë se një VIP duhet të zbresë në kopshtin e tyre pasi aeroporti ishe i mbyllur përkohësisht.

Cruise u fotografua dhe bëri një udhëtim falas me helikopter për fëmijët e zonjës Webb dhe fëmijët e partnerit të saj.

Ylli aktualisht po xhiron në Birmingham’s Grand Central me bashkë-yllin Hayley Atwell.

Dhjetëra njerëz kanë ndarë pamjet e Cruise, 59 vjeç dhe Atwell, duke filmuar në qendrën tregtare Grand Central./ KultPlus.com

Amerika vendosë rekord grash në pozitën e guvernatores

Një numër historik grash po udhëheqin aktualisht shtetet amerikane, pas marrjes zyrtarisht sot të detyrës së Guvernatores së Nju Jorkut nga Kathy Hochul. Ky zhvillim shihet si një nxitje drejt barazisë dhe përfaqësimit, që mund të vazhdojë deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për në Kongres, që përkojnë me mesin e mandatit të presidentit.

Tashmë janë nëntë gra që shërbejnë si guvernatore në SHBA. Kjo barazon një rekord që u vendos në 2004 e shkon në një linjë me atë që u vu re në 2007 dhe 2019, por që gjithësesi mbetet ende shumë pak, parë në këndveshtrimin gjinor, transmeton KultPlus.

Pasi mori drejtimin e shtetit të martën, pas dorëheqjes së paraardhësit të saj për shkak të akuzave për ngacmime seksuale, zonja Hochul ndeshet me mjaft sfida për një administratë të re, por ajo ka gjithashtu një mundësi historike: Hochul është gruaja e parë në një nga pozitat më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara.

“Nju Jorku në tërësi ka qenë një vend i vështirë për gratë që të ngjiten në nivelet më të larta, për shkak të atyre që e kontrollojnë atë”, thotë Debbie Walsh, drejtoreshë e Qendrës për Gratë Amerikane e Politikat, në Universitetin “Rutgers”.

“Dhe për fat të keq edhe në vitin 2021 gratë ende shihen si rishtare”, thotë ajo.

Një shekull pasi gratë fituan të drejtën e votës, 19 shtete nuk janë udhëhequr kurrë nga një grua. Mes tyre shtete më popullësi të dendur si Kalifornia, Florida, Pensilvania dhe Ilinois. Edhe nëse do të jenë të sukseshme zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Kaliforni për hequr para mandatit Guvernatorin Gavin Newsom, nuk duket se do të kenë gjasa të çojnë tek zgjedhja e një gruaje në pozitën kryesore të shtetit.

Zonja Hochul shërbente në postin e zëvendës guvernatores së Nju Jorkut deri para dorëheqjes se kolegut të saj demokrat, Andrew Cuomo, i cili u largua nga kjo detyrë pas një dekade në pushtet. Zoti Cuomo përballej me mundësinë e shkarkimit nga organi legjislativ, pas hetimit të zyrës së prokurores së përgjithshme që doli në përfundimin se ai kishte ngacmuar seksualisht 11 gra. Ndër të tjera, zoti Cuomo po përballej gjithashtu me një hetim, po nga organi legjislativ, nëse ai kishte gënjyer publikun vitin e kaluar, në lidhje me numrin e vdekjeve nga COVID-19 në shtëpitë e pleqve.

Zonja Hochul e ka bërë tashmë të ditur synimin për të garuar për një mandat të plotë katërvjeçar gjatë zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Viti i ardhshëm mund të jetë një vit kyç për gratë që kandidojnë për guvernatore. Guvernatorja demokrate Kate Brown nga Oregoni do të jetë e vetmja grua në detyrë e cila nuk do ta ketë mundësi të konkurojë për t’u rizgjedhur, për shkak të kufizimeve në mandat. Gjashtë guvernatorë meshkuj gjithashtu do të kenë kufizime në mandat, duke i hapur rrugën drejt postit kandidatëve të rinj nga të dyja partitë.

Në Arizona, ku guvernatori republikan Doug Ducey nuk mund të kandidojë sërish, në garë ka tashmë disa kandidate gra, përfshirë Drejtoreshën e Thesarit të këtij shteti republikanen Kimberly Yee dhe Sekretaren e Shtetit demokraten Katie Hobbs. Arizona mban rekordin për numrin më të madh të grave që kanë shërbyer si guvernatore, katër gjithsej, pasuar nga shteti i Kansasit me tre.

Në Arkansa, një shtet që nuk ka patur kurrë një grua guvernatore, në zgjedhjet paraprake ka një garë të fortë mes republikanëve, Prokurorja e Përgjithshme Leslie Rutledge kandidon kundër Sarah Sanders, ish-sekretares së shtypit të ish-PresidentitTrump dhe vajzës së ish-guvernatorit Mike Huckabee. Guvernatorit republikan në detyrë, Asa Hutchinson, i mbaron mandati.

Në vitin 2018, mbështetësit politikë të grave menduan se ishin të përgatitur për sukses pas një numri rekord kandidatësh për guvernatore. Por kjo nuk u përkthye si e tillë në rezultatin përfundimtar.

Gratë aktualisht mbajnë 18% të pozitave për guvernatore, dukshëm më pak se rekordet e reja të shënuara këtë vit për sa i takon numrit të grave në Kongresin amerikan prej 27%, si dhe vendeve në organet legjislative shtetërore prej 31%. Krahas tyre, këtë vit Nënpresidentja Kamala Harris u bë gruaja e parë në këtë detyrë në historinë e vendit.

Pjesë e sfidës në zgjedhjen e grave si guvernatore është kapërcimi i stereotipeve që i shohin burrat si udhëheqës më të fortë dhe më të vendosur thotë zonja Walsh.

Një sfidë tjetër është thellimi i grupit të grave të gatshme për të hyrë në politikë, thotë Wendy Doyle, presidente dhe shefe ekezekutive e organizatës jofitimprurëse “United WE” me qendër në Mizuri, një organizatë që punon për fuqizimin e grave.

Organizata po koordinon një përpjekje për të kandiduar më shumë gra në pozita të tilla si bordet shtetërore, ato të qarqeve e të qyteteve. Për arritjen e këtij qëllimi po punohet me zyrtarët lokalë në Kaliforni, Kansas, Mizuri, Karolinën e Veriut, Oklahoma, Pensilvani, Teksas dhe Uashington. Synimi është që disa gra të caktuara në këto poste të arrijnë të kandidojnë për pozitën më të lartë zyrtare të shtetit.

“Do të kërkojë kohë”, thotë Doyle. “Por ne duhet të shtrojmë rrugën drej qëllimit”, shton ajo. / KultPlus.com

Rita Ora me projekt të ri nga Kulla Eiffel

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare Rita Ora, është një nga artistet më aktive në skenën botërore.

Ajo ka realizuar një shfaqje muzikore, të filmuar në Kullën Eifel të qytetit të Parisit, si pjesë e një serie të re nga “Melrose Media”.

Rita tregohet mjaft e ngazëllyer për projektin e saj të ri, i cili do të shfaqet më 30 shtator 2021.

“Mezi pres që të gjithë të shihni se për çfarë kemi punuar kaq gjatë”, – shprehet Ora në rrjete sociale. / KultPlus.com

Veç muj me t’dashtë ashtu siç je

Poezi nga Jorge Luis Borges

Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës
s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua
veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…

Jo, unë s’mundem me e ndryshue
as t’shkuemen e as t’ardhmen tande
por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji

S’mundem me i shmangë teposhtat e tua,
veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue
Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt
vërtet s’janë të miat
po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra

S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande
po me të mbështetë e ndjej detyrë,
me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!

S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh,
veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë
që ti t’naltohesh

S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande,
kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon,
po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë
krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para

S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh,
veç mundem me të dashtë njashtu siç je
dhe me mbetë përjetë Miku yt…

(Përkthyer nga Jozef Radi) /KultPlus.com

Shqipëria dhe Amerika me marrëveshje kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë Matthew Lussenhop u takuan në Uashington D.C. për të firmosur një Marrëveshje Mirëkuptimi në lidhje me vendosjen e kufizimeve në importin e kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë.

“Sot hodhëm një hap të rëndësishëm në përforcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësaj here në luftën e përbashkët kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore”, tha Margariti, teksa theksoi se “edhe një herë Shqipëria radhitet në krah të SHBA për një qëllim madhor, atë të ruajtjes së trashëgimisë kulturore”.

Ministrja vuri në dukje se, “ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi që do të pasojë nga një plan masash, që lind si nevojë e reformave të mëdha, nën frymën e reformës në drejtësi, por këtë herë në trashëgiminë kulturore”.

Sipas saj, qeveria shqiptare shpreh angazhimin e plotë për të qenë partner i denjë në këtë nismë, që nuk fillon e mbaron vetëm në Shqipëri.

“Deri në këtë moment nënshkrimi, kemi përshkuar një rrugëtim, për suksesin e të cilit do të doja të falenderoja në mënyrë të veçantë bashkëpunëtorët tanë të ngushtë në Ambasadën e SHBA në Tiranë dhe atë Shqiptare në Uashington D.C., për ndihmën e pakursyer”, tha Margariti.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, u shpreh se “dita e sotme shënjon një tjetër moment historik në shkëmbimet kulturore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.

“Kjo Marrëveshje do të forcojë dhe zgjerojë bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në luftën kundër vjedhjes dhe trafikimit të objekteve kulturore nga Shqipëria.

Në 20 vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë treguar mbështetjen e tyre për të ruajtur trashëgiminë kulturore materiale dhe jo materiale të Shqipërisë përmes Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Kjo marrëveshje dypalëshe për trashëgiminë kulturore është një angazhim i qeverisë së SHBA për të mbrojtur humbjen e pazëvendësueshme të kësaj pasurie.

Ne mirëpresim të punojmë me institucionet shqiptare për zbatimin me sukses të kësaj Marrëveshjeje” shprehet Ambasada e SHBA-së./atsh/ KultPlus.com

24 gusht 1913, kur në Vlorë botohej numri i parë i gazetës ‘Përlindja e Shqipërisë’

Më 24 gusht të vitit 1913 doli numri i parë i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, gazetë, e cila mbështeti Qeverinë e Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali.

Ajo bënte thirrje për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm.

“Përlindja e Shqipëniës” ishte gazeta e parë e shtetit të pavarur shqiptar, botohej dy herë në javë dhe vijoi të botohej për 21 numra deri në vitin 1914.

Në artikujt e saj ndër të tjerash, kjo gazetë bënte thirrje për bashkimin e popullit shqiptar. / KultPlus.com

Produksioni shqiptar ‘Love’, pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në SHBA

Produksioni kinematografik shqiptar me titullin “Love” apo “Dashuri”, një film me metrazh të gjatë me regji të Dionis Papadhimitrit dhe me financim të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe nga fondet e Bashkimit Evropian, pas suksesit në premierë, tashmë konkurron në mënyrë tepër dinjitoze në festivale ndërkombëtare të kinemasë.

Së fundmi, ky produksion është përzgjedhur për të qenë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Richmond, SHBA.  

Filmi është nominuar për çmimin e filmit më të mirë në këtë festival dhe ku garojnë produksione prestigjioz dhe me buxhete të mëdha.

Fituesit pritet që të shpallen më datën 12 shtator në ambientet e Teatrit Byrd në SHBA. Gjithashtu, ky film konkurron edhe në Festivalin e Filmit në Spanjë. /atsh/ KultPlus.com

Mimoza Hajdini dhe Agim Llapashtica së shpejti sjellin bashkëpunimin “Kroi”

Mimoza Hajdini dhe Agim Llapashtica më 31 gusht do të publikojnë këngën e tyre “Kroi”.

Ky bashkëpunim, teksti i së cilës është marrë nga poezia e Lasgush Poradecit, kishte filluar tre vjet më parë, e përgjatë kësaj kohe Hajdini dhe Llapashtica punimet e këngës i kanë realizuar online.

“Me Mimozën kemi qenë në kërkim të një kënge për bashkëpunim. Une veç e kam pasë këngën Kroi (teksti i Lasgush Pogradeci). Ia kam dërguar këtë këngë si demo, i ka pelqyer dhe kemi vendosë me e realizu. E gjithë kjo ka ndodhë para 3 vjetvëe. Kemi punuar gjatë gjithë kohës online, unë inçizimet e mia në Vjenë ndërsa Mimoza në Kanada.”- thotë Agim Llapashtica për KultPlus.

Ai tutje shton se videoja është realizuar me mundësitë e tyre vetanake dhe ajo shfaq pamje të ndryshme të bukurive natyrore të vendit tonë.

Dyshja planifikojnë që së shpejti të realizojnë edhe një bashkëpunim tjetër./KultPlus.com

‘Mollëkuqja’ mbështet protestën e sotme në Ferizaj pas vrasjes së vajzës 18 vjeçare

Pas vrasjes së 18 vjeçares, në Ferizaj ka nisur protesta e thirrur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

M.O u dërgua e pa jetë në spitalin e Ferizajit nga dy persona të dyshuar për vrasjen e saj.

Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e saj është arrestuar sot nga policia.

Për vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaj ka reaguar edhe Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”.

Në një postim në Facebook, thuhet se e mbështesin protestën që do të zhvillohet sot në Ferizaj.

“Mollëkuqja mbështet protestën e cila zhvillohet sot në Ferizaj pas vrasjes së vajzës 18 vjeçare. Femicidi është në përmasa pandemike – dhe autoritetet flejnë gjumë!Policia, prokuroria dhe shteti i cili nuk parandalon vrasjet e grave i kanë duart me gjak. Asnjë ma shumë!”-thuhet në njoftim./KultPlus.com

Kryeministri Kurti kërkon drejtësi në varrimin e 18-vjeçares që u vra në Ferizaj: Të mërzitur nuk mund ta kthejmë kohën e ta zgjojmë Marigonën

Kryeministri Albin Kurti ka marrë sot pjesë në varrimin e 18-vjecares që është vrarë në Ferizaj.

Kurti pasi vendosi lule te varri i të ndjerës ka ngushëlluar familjarët e të pranishmit tjerë.

“Sot të gjithë ne kemi shumë pikëllim, sot të gjithë ne kemi shumë zemërim, jeta e një vajze të re 18-vjecare është këputur nga një vrasje mizore. Para 1 orë e gjysmë I dyshuari për vrasjën që e tronditi Kosovënë shtë arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë e dënim të merituar”, thotë ai.

Ai ka folur edhe për arrestimin e Dardan Krivaqës.

“Bëhet fjalë për një të dyshuar që ka precedent penal edhe në vitet e mëhershme në veprat e shumta që kanë qenë shkelje të ndryshme të ligjit. Kjo tregon sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të gjykojë drejt, e të gjykojë kriminelët e keqbërësit.

Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje”, thotë Kurti.

“Të pikëlluar e të mërzitur nuk mund ta kthejmë kohën mbrapsht e ta zgjojmë Marigonën, duhet t’i mbajmë kujtimet më të mira, të angazhohem të gjithë bashkë që raste si vrasja mizore e Marigona Osmanit të mos e godasin më kurrë popullin tonë. Ngushëllime të gjithë popullit tonë. U preht e qetë Marigona, e për tu prerë me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të e gjitha viktimat tjera”, tha kryeministri./KultPlus.com

Gjon’s Tears në koncertin e mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’: Në Prishtinë e ndjej një veçanti që nuk e ndjej në asnjë tjetër vend

Era Berisha

Edicionin e tij të katërt, projekti “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, mbrëmë e shënoi me një interpretim nga artisti kosovar Gjon Muharremaj, i njohur si ‘Gjon’s Tears’, i cili ekskluzivisht solli për publikun një repertor me gjithsej katër këngë, tre nga të cilat nuk janë kënduar asnjëherë më parë në Prishtinë. Këto këngë të mbushura me një mrekulli melodish e tingujsh u rrëfyen nën flakërimin e notave të larta të zërit buçues të artistit që së bashku me interpretimin e tij në piano, krijuan ndjesi të larmishme tek të pranishmit duke shkrirë kështu artin muzikor në një trazirë të vrullshme artistike që nuk po e njihte shfrenimin në asnjë çast të vetëm, shkruan KultPlus.

Ajo se çka dallohej në hyrje të Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare të Kosovës, ishin fytyrat e shumta e të rinjve të cilët prisnin me padurimin e tyre të ëmbël, daljen në skenë të artistit të njohur Gjon’s Tears. Ndërsa, hyrja në këtë sallë për dikë që po vinte për herë të parë do ti dukej krejtësisht një ambient që posedon një hapësirë të gjerë, karrige të shumta e të vendosura në secilin kënd, për të mbushur kështu sallën në një numër të madh të artistëve të njohur shqiptar dhe jo vetëm. E kjo hapësirë ndërlidhej në një mënyrë të veçantë me inkuadrimin e reflektorëve me ngjyrë të kaltër dhe perdet ngjyrë bardhë, që njëkohësisht portretizonin dy nga ngjyrat e logo-s së KultPlus.

Dritat e ngrohta të vendosura në dy kënde të sallës së bashku me dritën natyrale e cila binte pingul nga qielli mbi kokat e secilit, ishin elementet që mbrëmë ndërruan komplet vendet e tyre me njëra-tjetrën. Teksa ora po shënonte 19:00, tashmë drita natyrale ishte zhdukur për të lënë hapësirë që errësira të kaplonte qiellin e të vëzhgonte sallën përbrenda, e dritat e ngrohta fuqishëm gjallëruan funksionin e tyre në të dy anët për të ngritur akoma më lart etjen për të parë artistin në skenë, me ç’rast vezullimi në sytë e çdo kujt vetëm sa vinte e shtohej.

Hapjen e edicioni të katërt të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”e nisi drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti.

“Gjon, faleminderit që kë ardhur e që ke qenë kaq bashkëpunues për të qenë i pranishëm para audiencës së Prishtinës e që do të kenë rastin ta dëgjojnë rrëfimin tënd qysh nga fëmijëria e deri tek suksesi i madh në Evrovizion por edhe jemi duke pritur me padurim performancën tënde live”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, ‘Ta zbardhi ftyrën’ ka ardhur si ide se si njerëzit si fëmijë marrin komente nga prindërit kur ata merrnin një notë të mirë në shkolla fillore duke u shprehur me fjalët: na zbardhe ftyrën.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berishaështë shprehur falënderues ndaj ekipit të KultPlus për punën e tyre të jashtëzakonshme.

“Gjon mirësevjen në Prishtinë dhe faleminderit shumë që na ke bërë krenarë. Faleminderit shumë ekipit të KultPlus për një punë të jashtëzakonshme që e bëjnë duke e mbuluar fushën e artit dhe kulturës dhe duke na dhënë informacione të sakta se si duhet ti qasemi artit e kulturës”, ka thënë Berisha.

Në fund, ata u shprehen falënderues ndaj të pranishmëve duke i uruar atyre një natë të këndshme.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëruan duartrokitjet e zjarrta të publikut artdashës, kur Gjon’s Tears hodhi hapat e tij drejt skenës për të nisur këtë mbrëmje me një rrëfim rreth jetës së tij artistike e shpalosjes së shumë momenteve të veçanta qysh nga fëmijëria e tij e deri më sot.

“Unë e fillova muzikën kur isha 8 vjeç dhe arriti momenti që të gjithë në klasën time të kishin nga një hobi, dhe e mbaj mend që njëra kishte pasion zhytjen në det dhe thosha vetmevete se unë skam asnjë pasion dhe më duhet ta gjej një. I thoja nënës pse asnjëherë nuk po performoja në piano apo diçka të tillë, e ajo ma ktheu se unë asnjëherë nuk e kam kërkuar një gjë të tillë. Aty nisi edhe provat e mia të para drejt këtij rrugëtimi artistik”, thotë Muharremaj.

Sipas tij, fillimisht ishin karate dhe patinazhi artistik, dy sporte të cilat ai i nisi por që ishin shumë herët në mëngjes dhe u përmbysën këto opsione menjëherë, por që me pianon ndodhi diçka ku ai e ndjeu veten të lidhur në një mënyrë shumë të çuditshme.

“Ajo se çka më ka lënë përshtypje ishte mënyra se si njerëzit e shihnin muzikën klasike dhe se si ata e shikonin Mozartin, Beethovenin e Bachin, si me qenë një ‘Zot’. E mua më pëlqeu ky admirim i tyre e andaj doja shumë që ta kuptoja këtë admirim të tyre, prandaj fillova provat në piano jazz. Një ditë, gjyshi im rastësi që të dëgjonte këngën e Elvis Presleyit, të titulluar ‘can’t help falling in love’, dhe më pyeti mua që të këndoja për të këtë këngë të preferuar të tij dhe unë atëherë nuk kisha kënduar asnjëherë më parë”, shpalos Muharremaj.

Momentin kur gjyshi i tij filloi të qante pasi dëgjoi Gjonin duke kënduar, konsiderohet një cast ku Gjoni e ka ndjerë veten si një super hero. Ndërsa, vendosja e gjyshit në atë pozitë ishte momenti kur ai vendosi që të vazhdonte të bënte këtë gjë, pra të vazhdonte me muzikë.

Pastaj, intervista e Gjonit herë pas here shoqërohej me video-prezantime ku shfaqej rrugëtimi i tij, duke filluar nga performanca e tij e parë në ‘Albanian’s Got Talent’ e deri tek ajo e fundit në ‘Evrovizion’.

Teksa ai fliste për rrugëtimin e tij, tregon edhe për një moment të veçantë ku ai zgjodhi emrin e tij artistik ‘Gjon’s Tears’ e që bazohej në dy arsyeje. Njëra ishte se ai bën muzikë për ti emocionuar njerëzit dhe qëllimi i tij është që ata ti bëj të qeshin e të qajnë dhe jo vetëm e këtu gjithçka nisi me lotin e gjyshit të tij andaj lotët e tij i mban në emër. Ndërsa, arsyeja e dytë është se emri i tij shqip tingëllon edhe anglisht dhe qysh si i vogël ëndrra  e tij ishte të zhvillonte një karrierë ndërkombëtare.

Në mesin e rrëfimit të tij ai tregon edhe një moment të cilin ai e përjetoi dje në mëngjes ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i tha atij se: është një gjë tek shija se a do të të pëlqejnë njerëzit apo jo, por është një gjë tjetër kur ke mundësinë për të çuditur, atëherë është një ndjenjë krejtësisht ndryshe dhe që do të të mbetet në kujtesën tonë përgjithmonë sepse ke arrirë të jesh ndryshe nga të tjerët e të jesh unik. Prandaj, këtë kritikë të mirë Gjoni po provon ta mbështes gjithmonë.

I pyetur nga moderatorja Fëllënza Çitaku, për momentin fitues të votave të jurisë në Evrovizion, Gjoni është shprehur se e vetmja gjë që posedon ai është zëri dhe me atë zë ai ka arritur të përjetoj një eksperiencë shumë të veçantë.

“Unë gjithmonë kam provuar që kënga të dalë sa më mirë dhe kam punuar shumë sepse e vetmja gjë që kam është puna sepse nuk kam ndonjë muskul që të shfaqi, kështu që vetëm zërin e kam. Prandaj, ishte një eksperiencë shumë e veçantë”, thotë Muharremaj.

Krejt në fund të intervistës Gjoni shpalosi edhe momentin kur ai morri ftesën e gazetës KultPlus, nga drejtoresha e gazetës Ardianë Pajaziti, dhe se si e priti ai këtë ftesë.

“Unë e prita me shumë kënaqësi sepse një herë unë nuk e kam parë fare email-in dhe mesazhin e saj, por babai im e pa atë dhe më tha se ka ardhur një mesazh nga Kosova dhe trajtoje atë. Pas Evrovizionit ishte një ‘tërmet’ i madh sepse kënga kishte arritur vendin e parë në tabelat në Suedi, Norvegji, Holandë e Spanjë, dhe unë direkt shkova në këto vende por sa më shpejt erdha në Shqipëri dhe Kosovë. Prandaj, momenti kur na ka kontaktuar Ardiana ishte mëse i duhur dhe për mua është kënaqësi e madhe sepse unë nuk kam pasur shumë oferta në Kosovë e Shqipëri por edhe unë nuk i kam pranuar shumë ato sepse dua ti kem ekskluzivisht këngët e mia si p.sh sonte këtu para juve”, shpalos Muharremaj.

Tutje në ekran u shfaqën edhe videoklipet e tij. Pas intervistës së shkurtër ku Gjoni shpalosi rrugëtimin e tij artistik në muzikë e kënaqësinë që ishte në mesin e shumë artistëve dhe që njëkohësisht u përcoll herë me buzëqeshje e me të qeshura të mëdha e herë me një përqendrim serioz të fokusit nga ana e publikut, ishte radha që ai të performonte gjithsej katër këngë nga repertori i tij duke pushtuar kështu qytetin e Prishtinës për herë të parë e njëkohësisht për të lënë gjurmët e tij në kujtesën kosovare.

Në skenë me një hijeshi të pakrahasueshme, Gjon Muharremaj nisi koncertin me këngën ‘Repondez moi’. I shoqëruar me pianon përballë tij si një trup i dytë i vendosur në skenë, interpretimi i tij theu heshtjen e publikut kur meloditë e para të pianos ranë papritmas mbi atmosferë e përnjëherë kapluan në emocione publikun që po përhumbeshin brenda kësaj kënge që ndonëse në gjuhën frënge, zëri i tij po futej thellë brenda çdo njeriu të pranishëm e po vallëzonte së bashku me fluturat e krijuara në stomakun tonë.

Luhatjet e vogla të kokës, veshja e tij e veçantë, flokët e rregulluara mbi kokë, ritmi i tij në çelësat bardh e zi, shtypja e petaleve me këmbë, sytë e tij të mbyllura teksa vazhdonte performimin dhe shprehjet e fytyrës të tij që tregonin se kënga dhe ai ishin shndërruar në një melodi të vetme, atë hyjnoren, veçse po dëshmonin se mbrëmë të pranishmit përjetuan një shpërthim tingujsh që me butësinë, ëmbëlsinë dhe notat jashtëzakonisht të larta të këtij artisti, plasariti para nesh emocione dhe ndjenja që zgjonin rrëqethet e trupit të cilat frymonin në çdo cep të sallës.

Më pas, këngët e radhës si: ‘Babi’, ‘Tout l’Universe’ dhe ‘Moj e bukura More’, u performuan aq bukur aq sa edhe po ti mbledhësh të gjitha fjalët shqipe së bashku në një frymë, nuk do të mund të arrihej të përshkruhej kjo natë që ishte e mbushur përplot me elegancë artistike të cilën Gjoni arriti ta krijoj me veçantinë e tij duke mahnitur kështu publikun e duke i rrëmbyer ata në karusel ndjenjash nga ato më të bukurat e nga ato të cilat lënë një shteg kujtimesh që nuk do të harrohen kurrë për arsye se tashmë ato janë të strukur në pafundësinë e emocioneve tona duke thyer kështu limitin e ekzistencës së dashurisë brenda nesh.

Gjon Muharremaj, një emër ky që do duhej të na rikujtonte përsëri se dashuria, pasioni, sinqeriteti, sikleti, dëshira, ëndrra, butësia, brishtësia e ndjeshmëria, janë ndjenja këto të cilat nëse një artist si ai nuk frymon në çdo sekondë me pikërisht ato emocione, atëherë ai artist nuk ka arritur të përjetoj magjinë e të qënurit i tillë.

1 orë e gjysmë tashmë kishin kaluar, e interpretimi i tij që ende jehonte në shpirtërat e çdo njeriu, tashmë gjeti fundin për tu shpërblyer me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, e që u dhurua pikërisht nga artistja Erza Muqolli, e cila ishte fytyra paraprake e ‘Ta zbardhi ftyrën’.

Pastaj, në skenë për t’iu bashkangjitur drejtoreshës Ardianë Pajaziti, u ftua edhe i gjithë ekipi i KultPlus: Jeta Zymberi, Liridona Spahiu, Xhemile Hysenaj, Era Berisha dhe Flonja Hoxhaj, për të realizuar një fotografi që do mbetej gjatë në kujtesën e tyre.

Pas këtij koncerti, të pranishmit patën rastin të shijojnë këtë mbrëmje tutje me një koktell në KultPlus Caffe Gallery, ku Gjon Muharremaj ka nënshkruar autografet për të pranishmit e realizuar një numër të pafund fotosh me çdo kë që shprehte dëshirë për të biseduar me të.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës unike të tij, për KultPlus foli artisti Gjon Muharremaj.

“Unë ndjehem shumë krenarë që e kam pasur këtë mundësi për tu prezantuar te KultPlus e sidomos në Prishtinë dhe dua të falënderoj KultPlus që më ka dhënë këtë çmim të kësaj mbrëmjeje artistike. Ishte një kënaqësi e madhe edhe të takoja kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, andaj edhe ishte një ditë pak e ‘çmendur’ por ndihem shumë mirë sonte sepse morra një energji shumë pozitive dhe biseda me moderatoren ishte tejet interesante, ndërsa bashkëbisedimi me publikun ishte po ashtu tepër e mirë”, thotë Muharremaj për KultPlus.

Sipas tij, ajo që e bëri atë të kënaqej më së shumti ishte reagimi i njerëzve kur i shikonte, e qëllimi i tij për ti emocionuar njerëzit dhe për të parë vezullimin e tyre në sy, për të konsiderohet krenaria më e madhe.

“Besoj se mënyra e duhur për të shpërndarë kulturën është që ajo të tregohet me njerëzit e kulturës dhe me këtë mundësinë për të regjistruar me kamerë live që e keni bërë ju, kjo për mua ishte shumë e bukur dhe KultPlus është bërë gjuhën e duhur”, tregon Muharremaj.

Për Muharremajn, performimi në Prishtinë ishte shumë e veçantë sepse ai ka një publik që e njeh nga afër e së bashku me Shqipërinë, janë dy vendet që janë shumë ndryshe nga vendet e tjera për arsye se ai e ndjen një veçanti që nuk e ndjen në asnjë tjetër vend.

Ndërsa, kompozitori Florent Boshnjaku, për KultPlus tregoi se kjo natë për të ishte shumë e mrekullueshme.

“Ka qenë një natë e mrekullueshme dhe falënderoj KultPlus që e ka mundësuar një natë të tillë. Në anën tjetër jam ndjerë keq që shumë njerëz ndoshta nuk kanë mundur të jenë prezent. Përveç performancës së mrekullueshme të Gjonit të cilën na dhuroi në fund, pjesa e tregimit të tij i historisë muzikore dhe mënyrën se si ai e ka qasjen në pop muzikë e jo në muzikë klasike, është diçka që me të vërtetë na mungon që njerëzit këtu me kuptu që arti nuk është biznes por është diçka e domosdoshme për gjeneratat e reja”, thotë Boshnjaku për KultPlus.

Sipas tij, mënyra se si Gjoni e shpjegoi emrin artistik të tij, i ka lënë përshtypje tej mase e që ishte një ndërlidhje e jashtëzakonshme e muzikës me emocionin dhe pastaj edhe performanca e fundit e tij që dëshmon se Gjoni është një vazhdimësi e shumë artistëve shqiptar që na përfaqësojnë e po na zbardhin fytyrën.

“Një mbrëmje si kjo, jo që janë të domosdoshme por nuk bën pa to fare. Vetë fakti që KultPlus e mundëson një mbrëmje të tillë artistike, një tregim të tillë me dëgju publiku të një artisti, është e jashtëzakonshme dhe e domosdoshme. Këtu shfrytëzoj rastin për të falënderuar KultPlus për këtë mundësi që edhe neve që jemi në muzikë por edhe publikut të gjerë, me ia dhuru një tregim e një mbrëmje të tillë muzikore”, përfundon Boshnjaku për KultPlus.

Po ashtu, drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth përfundimit të edicionit të katërt të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Është hera e katërt që po mbahet kjo mbrëmje dhe e kemi dëshmuar se titulli i kësaj mbrëmjeje artistike nuk është një rastësi sepse njerëzit që i kemi sjell përgjatë këtyre katër viteve, po ngërthehen shumë mirë në atë se çfarë kemi menduar me projektin. ‘Ta zbardhi fytyrën’. vazhdimisht po shkon duke e formuar atë mozaikun për të cilën edhe e kemi themeluar”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, ajo është shumë me fat për mënyrën se si Gjon’s Tears e ka vlerësuar KultPlus duke ndarë ekskluzivitetin e këngëve të tij të fundit që përmes KultPlus pikërisht për herë të parë në Prishtinë janë performuar para një audience.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci dhe Erza Muqolli, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

Projekti “Ta zbardhi ftyrën” i organizuar nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, në partneritet me Komunën e Prishtinës, Ambasadën e Zvicrës, Universitetin e Prishtinës, Stone Castle, Hotel Opera, Birra Beg, Fluidi, Grand Decor dhe Uji Dea. / KultPlus.com

Restaurohet Ura e Ali Pashës në Tepelenë

Në urën e Ali Pashë Tepelenës kanë nisur punimet për restaurimin e këmbëve të saj.

Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Gjirokastër Pezana Rexha tha se “punimet për restaurimin e këmbëve të urës janë në vazhdim të punës së nisur vitin e kaluar, e cila u la në mes për shkak të shtimit të prurjeve të lumit”.

“Përveç këmbës së rrezikuar që ndodhet në rrymën e lumit, e cila u bë dhe me mur, por nuk përfundoi atëherë aktualisht kanë gërmuar dhe te këmbët e tjera në anën e përtejme të lumit dhe kanë filluar forcimin e tyre me garbiona (kubik me rrjet teli të mbushur me gurë)”, – tha Rexha.

Sipas saj, vitin e kaluar kjo gjë u bë dhe te dy këmbë të tjera në anën e përtejme pra në të djathtë të rrjedhës së lumit.

Ura e Ali Pashës, ose ndryshe Ura e Dunavatit, është pjesë e një kompleksi të madh të ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, në fillim të shekullit 19. Ujësjellësi u ndërtua për të furnizuar çisternat e kështjellës me ujë nga Mali i Sopotit, 10 kilometra larg. Gjirokastra nuk kishte ujë në atë kohë dhe Ali Pasha pa nevojën urgjente të kësaj strukture.

Ura është rreth 30 minuta larg nga Gjirokastra. Ujësjellësi u shkatërrua thuajse tërësisht në vitin 1932, por ky seksion në lagjen Dunavat ka mbetur ende. Një pamje e vërtetë e kësaj ure të famshme mund të shihet në pikturat e Eduard Lear, poeti dhe piktori i madh britanik, që udhëtoi në këtë zonë në mes të shekullit të 19.

Turistët që zgjedhin të vizitojnë Gjirokastrën shkojnë edhe tek ura historike. Gjirokastra ka shumë potencial si atë natyror, historik e kulturor, por ajo që është e rëndësishme mbetet investimi në ruajtjen e këtyre vlerave që i japin formë këtij qyteti./atsh/KultPlus.com

/k.s/j.p/
/k.s/j.p/
/k.s/j.p/
/k.s/j.p/

‘Ti ishe për mua’

Poezi nga Ismail Kadare

Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske.

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske./KultPlus.com

(FILES) This file photo taken on February 08, 2015 shows Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP in Jerusalem. The Swedish Academy stunned the world last year when it awarded the Nobel Literature Prize to US counter-culture icon and rock star Bob Dylan. This year, experts say, the laureate will be more conventional. / AFP PHOTO / GALI TIBBON

Edi Rama: Goran Bregovici kurrë nuk ka frymëzuar luftën serbe

Edi Rama vijon të mbrojë idenë e tij se Goran Bregoviç kurrë nuk ka frymëzuar ushtarët pushtues serbë dhe kurrë nuk u ka kënduar atyre.

Në statusin e sotëm si një përgjigje ndaj komenteve të djeshme kryeministri Rama vijon të mbrojë Bregoviçin duke i cilësuar komentuesit si një grup që shpërndajnë vetëm histeri fashiste.

Komentuesi: Si mundesh me bë kësi lloj krahasimi me Dua Lipën dhe me këtë serbë..A nuk janë pikërisht familjet e Duas dhe Ritës që kanë ikur për shkak të Regjimit të Millosheviçit që ky pikërisht ju ka kënduar dhe e ka frymzuar ushtrin serbe , me keng.Si duhet ti vrasin Shqipëtaret.Nuk di qfar fakte kerkon ti o njeri!

Edi Rama: Une kerkoj nje gje shume te thjeshte, qe ti dhe ata qe flasin si ti, te lexojne perpara se sa te flasin dhe te mos u bejne te tjereve te njejten gje qe bejne te tjeret kunder nesh! Dhe do ti s’do ti, duan s’duan ata qe flasin keshtu, Goran Bregovici kurre nuk u ka kenduar ushtareve pushtues dhe kurre nuk ka frymezuar luften e tyre pushtuese! Sepse po te ishte kjo e vertete atehere do te kishte te pakten nje fakt te vetem qe e provon kete dhe urrejtja per gjuhen e tjetrit nuk eshte fakt!./KultPlus.com

Piktura e JMW Turner shfaqet për herë të parë që nga viti 1833

Një pikturë nga Turner e kishës Malmesbury Abbey në Wiltshire shfaqet në publik për herë të parë pas gati 200 viteve.

Piktura e realizuar me bojëra uji po shfaqet në muzeun e qytetit, si pjesë e një skeme për të inkurajuar njerëzit të kthehen në muzetë e vogla dhe në vendet e trashëgimisë, përcjell KultPlus.

Objektet e tjera që do të shfaqen në Mbretërinë e Bashkuar përfshijnë një krokodil 160 milionë vjeçar, një shpatë të rrallë të epokës së bronzit dhe pikturën origjinale Jolly Fisherman.

Të gjitha ekspozitat janë mbështetur nga Fondi Kombëtar i Trashëgimisë së Lotarisë.

Ky fond i dha Muzeut Athelstan të Wiltshire një grant prej 380,900 funta për ta ndihmuar atë të blinte pikturën e Turnerit të kishës Malmesbury Abbey, e cila ka qenë e një pronari privat në 40 vitet e fundit.

Joseph Mallord William Turner u frymëzua nga rrënojat e abbey të shekullit të 12-të në vizitën e tij të parë në Malmesbury në vitin 1791 kur ai ishte vetëm 16 vjeç. Ai pikturoi me bojëra uji mbi skicën e tij të lapsit në vitin 1827 kur u kthye sërish në këtë zonë, në moshën 52 vjeç.

Piktura shfaq kishën Malmesbury Abbey nga pjesa veriore në një mëngjes veror, të përmbytur me dritë dhe bagëti duke u ngrohur në diellin e hershëm./KultPlus.com

JMW Turner

Sonte fillon edicioni i 13-të i “PriFest”

Të martën me fillim nga ora 19 do të hapet edicioni i 13-të i festivali të filmit me metrazh të gjatë “PriFest”.

Në ora 20:00 do të mbahet ceremonia e hapjes, kurse nga ora 20:30 do të shfaqet filmi “Zgjoi”, në Teatrin Kombëtar dhe në Kino Armata.

Hyrja në organizimet e festivalit duhet të jetë me një dëshmi të vaksinimit me të paktën një dozë, dëshmi se kanë antirupa ose një test negativ PCR.

Për të parë filmat në ditët në vijim, biletat janë në shitje nwwww.rave-travel.com dhe te Teatri Kombëtar. Ndërsa programin e filmave dhe aktiviteteve tjera mund ta gjeni në faqen zyrtare të “PriFest” www.prifest.org dhe në rrjetet sociale.

Prishtina Festival është festival i filmit të metrazhit të gjatë, i cili realizohet në Kosovë dhe këtë vit shfaqja e filmave do të bëhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në amfiteatrin e Kosovës./KultPlus.com

Publikohet traileri i ‘The Spider-man: No Way Home’

Është publikuar traileri i filmit “The Spider-Man: No Way Home” dhe flet shumë për aludimet e deritanishme.

Shumë njerëz kishin lodhje nga Marvel pas “Avengers:Endgame” dhe me të drejtë, por që kur shfaqjet e Disney +, WandaVision, Falcon dhe Winter Soldier, Loki – janë shfaqur bashkë me to është rikthyer edhe ‘oreksi’.

Faza e katërt e MCU ka filluar zyrtarisht dhe ndërsa “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings” dhe “Eternals” duken të mrekullueshëm – ka një film që të gjithë po presin. Dhe këtu fjala është për Spider-Man.

Siç mund ta shihni në trailer, ngjarjet e filmit të mëparshëm duken të korrigjohen me përfshirjen e Doctor Strange, ose të paktën ai përpiqet, por ndërhyrja e tij duket se sjell dimensione të shumta në lojë- Spider-Man: Into the Spider- Verse duke e bërë këtë me një sukses kaq të madh në vitin 2018.

Duket se ne tani do të marrim një version të drejtpërdrejtë të tij dhe gjithashtu me pjesën që konfirmon rikthimin e Alfred Molinas në kast.

Kishte zëra që Tobey Maguire dhe Andrew Garfield mund të ktheheshin sërish por në këtë fragment nuk është se duken. Por, kjo nuk do të thotë që nuk do ketë supriza.

Filmi i plotë pritet të publikohet më 17 dhjetor, në prag të festave të fundvitit./KultPlus.com

Sot përfundon festivali i fotografisë ‘Lens Fest’, në ceremoninë përmbyllëse bëhet hapja e ekspozitës kolektive

Sot do të bëhet ceremonia përmbyllëse e festivalit të fotografisë ‘Lens Fest’.

‘Lens Fest’ filloi edicionin e tij të parë më 20 gusht deri më datë 23 gusht. Përgjatë këtyre tri ditëve festivali kishte në programin e tij ligjërata dhe punëtori të fotografisë me emrat e njohur të fotografisë si Afrim Spahiu, Arian Mavriqi, Bardha Goga dhe Arbër Elezi, përcjell KultPlus.

Në ceremoninë përmbyllëse do të bëhet hapja e ekspozitës kolektive me 16 emra të njohur të fotografisë shqiptare të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur një muaj tek nënkalimi kryesor i qytetit i cili do të kthehet në galeri urbane./KultPlus.com

‘Fytyra e saj’


Poezi nga Zef Serembe

Si vajza ime e bukur s’ka asnje
e prere,e holle si kumbull drejt me rri
Kur ecen shkon si zog e mbase me
zerin e saj ngre plote harmoni.
I ndan floket ne mes e rrethas ve
gershetin qe i shkelqen krejt ne te zi
i feks ballin qe rreze ze
si gryka e detit ne agim-ne e ri.
Te zeze e tere mend e mall te thelle
syte e saja shkelqejne mese hene
ne mes faqes i qesh hunda e holle.
Ka buzet si merxhan eshte faqe holle
doren dhe zverkun si alabaster vene
Edhe kur qesh sikur te ngre ne qiell./KultPlus.com

Po e çonin për ta ekzekutuar, komediani afgan nuk e ndalë talljen me talibanët

Ēshtë bërë virale videoka ku shihet një komedian afgan vazhdoi të tallej me talebanët ndërsa luftëtarët e grupit kryengritës e tërhoqën atë nga shtëpia e tij para se ta ekzekutonin më vonë me skuadër pushkatimi.

Në një video virale të filmuar në fund të korrikut, Nazar Mohammad, i njohur më mirë si Khasha Zwan, mund të shihet në pjesën e pasme të një makine me një kryengritës në të dyja anët e tij – njëri prej tyre duke tundur një mitraloz kallashnikov.

Komiku trim – i njohur për videot e tij TikTok – vazhdon të bëjë shaka për grupin, duke bërë që luftëtari talebanë në të djathtë të fillojë ta godasë atë në fytyrë.

Burri në të majtë të tij shihet duke qeshur para se ta ndërrojë armën në mënyrë kërcënuese për një armë zjarri edhe më të madhe.
Grupi tha se të dyshuarit ishin arrestuar dhe do të gjykohen në një gjykatë talebane.

Grupi pretendoi se Nazar, nga provinca Kandahar, ishte përfshirë në torturimin dhe vrasjen e talebanëve – duke shtuar se ai duhej të ishte përballur me një gjykatë talebane në vend që të dënohej menjëherë me vdekje.

Nazar më parë ka punuar për Policinë Kombëtare Afgane – duke e bërë atë një objektiv për vrasjet për hakmarrje – dhe ishte i njohur për shakatë e tij të vrazhda dhe këngët qesharake.

Ai rregullisht tallej me temat e sugjeruara nga ndjekësit e tij – me talebanët që nuk bëjnë përjashtim.

Vrasja e tij brutale në fund të korrikut ngjalli frikën e vrasjeve për hakmarrje pasi Afganistani po binte qytet për qytet në duart e talebanëve.

Ishte gjithashtu një nga goditjet e para të mëdha në përpjekjen e grupit kryengritës për ta quajtur veten si taleban 2.0.

Drejtuesit premtuan se asnjë dëm nuk do të vinte tek ata që punonin për Qeverinë, ushtrinë amerikane ose këdo që lidhej me organizatat amerikane./KultPlus.com

Në Ferizaj ndezen qirinjtë për Marigona Osmanin, 18 vjeçaren e cila u vra dje

Sonte në Ferizaj janë ndezur qirinjë për 18 vjeçaren, Marigona Osmani e cila gjatë ditës së djeshme u dërgua pa shenjta jete në Qendrën Emergjente të qytetit, transmeton KultPlus.

Ndryshe, edhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thirrur një protestë për nesër në orën 12:00, pas vrasjes së 18-vjeçares.

Protesta pritet të mbahet pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj, në shenjë revolte ndaj dhunës.

Ndërkaq, pasi mjekët në spital e kanë konstatuar vdekjen e viktimës, Policia e Kosovës ka filluar mbledhjen e informacionit për kërkimin e dy personave që dyshoheshin se e kanë dërguar viktimën në spital. / KultPlus.com