Ministria e Shëndetësisë lejon vaksinimin e fëmijëve mbi moshën 12-vjeçare

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se ka aprovuar rekomandimin nga trupa profesionale kompetente-Komiteti për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve mbi moshën 12-vjeçare.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga vetë institucioni nëpërmjet një komunikate për medie, derisa ka thënë se do vaksinohen edhe fëmijët 12-vjeçar në bazë të indikacioneve shëndetësore me vaksinën Pfizer, përcjell KultPlus

“Duke marrë parasysh që vaksina Pfizer BioN/Tech është aprovuar nga FDA dhe EMA për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç, plotësimi i planit përfshin: Vaksinimin e personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer dhe vaksinimin e grup moshës 12-15 vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Ky vendim vjen pas rritjes së numrit të të infektuarve të grupmoshave të reja.

Vetëm përgjatë 24-orëve të fundit, sipas raportit të IKSHPK’së, 14 fëmijë deri në moshën 9-vjeçare janë infektuar me Covid-19. / KultPlus.com

Dashunia për ty

Poezi nga Primo Shllaku

Me të dashtë ty
domethanë me pasë nji plagë gojëhapun në gjoks,
nji plagë që duhet rritë,
që sduhet ta shëroj,
nji plagë që mduhet ta mbaj të thartë e të dhimbshme
për t’i pjellorue kshtu
të gjithë fluturimet
gjithë vullnetin
që kam nevojë
sa herë që më duhet të vorros
të kaluemen tande
që merr fund
me ardhjen time. / KultPlus.com

Përmbyllet aktiviteti ‘Akull n’Verë’ (FOTO)

Komuna e Prishtinës njofton se e përmbyllën aktivitetin Akull n’Verë, duke thënë se për tridhjetë ditë arritën që bashkërisht t’ia kthejnë sado pak shpirtin Prishtinës, transmeton KultPlus.

“Si Komunë jemi të lumtur që ky aktivitet u përmbyllë me sukses dhe që këtë verë, sado pak, arritëm ta kremtojmë bashkë me bashkatdhetarët tanë, duke lënë pas një vit të vështirë”.

“Jemi të lumtur po ashtu që arritëm të përkrahim biznese të vogla gastronome përgjatë procesit të tyre të rimëkëmbjes nga pandemia, si dhe shumë artistë lokal që ju dha mundësia e performimit përmes subvencioneve nga Drejtoria e Kulturës”, thuhet mes tjerash në postimin e Komunës së Prishtinës në Facebook. / KultPlus.com

Kafe ‘Kursal’, ishulli evropian i Tiranës së viteve të 30-ta

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri solli sot të dhëna interesante për kafenenë dhe restorantin e famshëm të Tiranës së viteve ‘30, Kafe Kursal, duke e shoqëruar me një foto të kohës, pjesë e arkivave, transmeton KultPlus.

A e dinit se Kafe Kursal, një nga kafe-restorantet më të njohura të gjysmës së parë të shek. XX në Tiranë, emrin e kishte marrë nga klinikat kurative të Europës veriore?.

Kafe “Kursal” ishte një ishull europian i Tiranës së viteve ’30, si për nga arkitektura e arredimi, po edhe për shërbimin e lartë! Ndodhej aty ku kryqëzohen rruga e Durrësit dhe e Kavajës, pranë ish-Parlamentit (sot Teatri i Kukullave).

Emri i kafenesë nuk na thotë asgjë në shqip, por po të mendohemi pak, Kursal gjen gjegjësin e vet “kuursaal” të gjermanishtes, që në Europën veriore përdoret për banjat termale dhe mjediset kurative lidhur me to.

“Sigurisht, Kursali ynë nuk ka asnjë lidhje me kuptimin fillestar të fjalës. U ndërtua në fundvitet ’20 dhe ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore, të stilit japonez. Lokali frekuentohej kryesisht nga elita e kohës, politikanë, ministra, deputetë, intelektualë, por edhe personel i huaj, i akredituar në kryeqytet, si dhe tregtarë, vendas dhe të huaj”, thuhet në njoftimin e DPA-së.

Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë vallëzimi modern nga prof. Stathi dhe në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë. Pas Luftës II Botërore u rrafshua si trashëgimi borgjeze, duke rrafshuar, simbolikisht, edhe atë çikë kurim shpirti që mund të gjenin frekuentuesit e barit në kohën e rendit të ri politik që po agonte.

DPA ka publikuar një imazh kartoline që ruhet në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror, ku duket Kafe Kursal, fotografuar nga tarraca e ndërtesës së dikurshme të Bashkisë së Tiranës. Aeroplani mbi të është montazh artistik, për t’i dhënë pamje idilike-moderne peizazhit të qytetit. / KultPlus.com

Konfirmohet rikthimi i filmit të famshëm për Krishtlindje, ‘Home Sweet Home Alone’

Përgatituni, pasi një film i ri i “Home Alone” vjen në Disney Plus në kohën e Krishtlindjeve.

Ata kanë njoftuar zyrtarisht se “Home Sweet Home Alone”, është film i mbushur me yje i përbërë nga Archie Yares, Ellie Kemper, Rob Delaney, Aisling Bea, Kenan Thompson, Tim Simpson dhe shumë të tjerë, transmton KultPlus.

Disney Plus ka ndarë gjithashtu imazhe të kastit që mbajnë titullin e filmit në rrjetet sociale, dhe konfirmoi se do të jetë në dispozicion për tu transmetuar nga 12 nëntori.

The cast of Home Sweet Home Alone: Ally Maki, Ellie Kemper, Archie Yates and Rob Delaney

“Home Sweet Home Alone” fokusohet në djalin e ri Max Mercer (Archie Yates) i cili, siç mund ta merrni me mend, është lënë në shtëpi gabimisht, ndërsa pjesa tjetër e familjes së tij shkon në Japoni për pushimet e Krishtlindjeve. / KultPlus.com

Kur revista ‘Shejzat’ e Koliqit botohej për herë të parë në Romë në vitin 1957

Revista albanologjike “Shejzat” u botua për herë të parë në vitin 1957 dhe u themelua nga Ernest Koliqi.

Periodiku “Shejzat” u botua në Romë nga një grup mërgimtarësh shqiptarë me njohuri të gjëra në letërsi, gjuhë e histori, numri i fundit i së cilës u botua në vitin 1978.

Kjo revistë për 21 vite me radhë la një trashëgimi të vyer kulturore dhe artistike. Ende sot, studiues dhe albanologë i japin sërish zë këtij botimi, duke ecur në të njëjtat gjurmë.

Në vitin e dytë të botimit, numri 11-12, në këtë revistë gjenden shkrime me përmbajtje gjuhësore, letrare dhe kulturore. / KultPlus.com

Madonna me stil krejt tjetër para se të bëhej e famshme (FOTO)

Ylli i muzikës pop, aktorja dhe regjisorja e njohur Madonna, sot mbushë plot 63 vjeç.

Pasnjë dyshim, sot ajo është “Mbretëresha e Popit”. Madonna Louise Ciçone, e njohur thjesht si Madonna, nuk ka nevojë për prezantim, pasi të gjithë e njohin mjaft mirë.

Këngëtarja, kantautorja, aktorja dhe biznesmenia e famshme amerikane ka rrëmbyer zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën më hitet dhe rolet e saj.

Gjatë gjithë karrierës së saj, Madonna arriti kaq shumë gjëra dhe veprat e saj janë vlerësuar nga shumë kritikë muzikorë.

61-vjeçarja është e pranishme më gjatë së kushdo tjetër në industrinë e muzikës, duke marrë gjithë vëmendjen.

Por, si ka qenë Madonna para famës. Fotot e mëposhtme do ju lënë pa fjalë. / KultPlus.com

Parku i skulpturave “too big to fail” në Brünig pranë Naturfreundehaus

Për të treguar dhe demonstruar se arti është i rëndësishëm për sistemin dhe se nuk mund të luhet thjesht me të, Die Diebe, Bujar Berisha, Shuk Orani dhe Lili Vanilly po krijojnë një park skulpturash “Too big to fail” në Brünig pranë Naturfreundehaus.

Skulpturat e para priten në fillim të vitit 2022.

Goditja fillestare është bërë dhe përgatitjet tashmë kanë filluar. Dru, gurë, metale dhe materiale të tjera janë në dispozicion. Është gdhendur, shpuar, çekiçuar dhe gdhendur druri./KultPlus.com/

“Shteti që burgos poetët, lufton lirinë!”

Shkruan Jusuf Buxhovi

Diktaturat, tiranitë, pafuqinë e tyre përherë e kanë treguar në luftë kundër mendimit të lirë. Shkrimtarët, jo rastësisht janë gjendur në shenjestër të ndjekjeve, përsekutimeve, linçimeve e madje edhe vrasjeve, që të pengohet fjala e lirë, mendimi i lirë dhe, sidomos, gjuha e metaforave dhe e ironisë, që është mjet i krijuesit…

Historia e njerëzit ngahera është me plot e përplot viktima të diktatorëve, tiranëve dhe inkvizitorëve të fjalës së lirë  dhe të mendimit ndryshe… 

Ndër ne, këto ditë,  u përkujtua edhe viktima e fundit e regjimit komunsit, varja e poetit kuksjan Havzi Nela në gusht të vitit 1988 pse kishte ironizue me diktaturën.

Se mbetjet e mentaliteteve të  diktaturave dhe metodat e tyre, nuk i ka larguar as demokracia dhe pluralizmi, se edhe më tutje gjyqësori  keqpërdorët nga “policia politike”, që si duket edhe më tutje funksionon në kuadër të sistemit, këtë e tregoi burgosja e padjeshme e një poeti nën akuzën e “përhapjes së urrejtjes  dhe përçarjes”, ndonëse ai përdori gjuhën e ironisë si shprehje!

Kështu, prokurorët tanë, që kanë heshtë dhe heshtin para shumë e shumë krimeve të rënda nga të gjitha anët që i janë bërë vendit në mënyrë të organizuar  e të hapur edhe me ndihmën e institucioneve të shtetit, kanë gjetë  si kurban një  poet të panjohur  dhe disa vargje ironike për të dëshmuar “fuqinë e ligjit”!

Burgosja e poetit, pa marrë parasysh metaforat që përdori ai dhe pa marrë parasysh si tingëllojnë ato për realitetin tonë të stërmbushur me probleme të shumta të shkaktuara nga politika ditore,është ogur i zi për shoqërinë tonë! Ndërsa, heshtja ose anashkalimi i këtij rasti nga krijues dhe intelektualë, do të thotë pajtim me reinkarnimin e “cenzorëve dhe cenzurave”dhe të pushtetit të tyre të njohur nga koha e ideologjisë totalitare dhe të regjimeve obskurantiste, do të thotë humbje  e mendimit të lirë dhe lirisë së shpreshjes, dorëzim para çfarëdo prirje që i shkon për shtati   diktaturës  dhe tiranisë!…/KultPlus.com

KultPlus sjell Gjon’s Tears në Prishtinë, koncerti do të mbahet në Bibliotekën Universitare të Kosovës

Edicioni i katërt i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, do të shënohet në fund të këtij muaji, duke sjell artistin kosovar Gjon Muharremaj, i njohur si “Gjon’s Tears”, shkruan KultPlus.

Ardianë Pajaziti, drejtoresha e KultPlus ka shpjeguar se kjo mbrëmje artistike do të mbahet më 23 gusht, në Bibliotekën Universitare të Kosovës.

“Për shkak të rrethanave pandemike, jemi detyruar që kjo mbrëmje të bëhet me masa kufizuese, ku të pranishëm mund të jenë vetëm ata që kanë ftesa”, ka thënë Pajaziti, e cila është shprehur të jetë e kënaqur që KultPlus po sjell  Gjon’s Tears në Prishtinë, i cili në Evrovizion, me vota të jurisë profesionale doli të jetë i pari, por votat e publikut atë e renditën të tretin.

Mbrëmja artistike ku do të ketë edhe bashkëbisedim me Gjon Muharremaj, por edhe performancë do të mbahet prej orës 19:00, ku të pranishmit do të kenë rastin ta përcjellin nga afër këtë mbrëmje artistike në kuadër të projektit “Ta zbardhi ftyrën”.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci dhe Erza Muqolli, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=jznH_fltcYA

Prezantohet në KultPlus Caffe Gallery, “Atdheu im është në qiell” nga Tonin Nikolli

Flonja Haxhaj

Sot në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë është bërë prezantimi i librit “Atdheu im është në qiell” të poetit nga Lezha me banim në Verona të Italisë, Tonin Nikolli.

“Atdheu im është në qiell” është një përmbledhje me poezi që vjen pas librit “Gjashtëdhjetë kambana të reja”, shkruan KultPlus.

I pranishëm në këtë prezantim ishte edhe shkrimtari Agim Gjakova i cili thotë se hapësira në këtë vëllim është shprehje e shumë rrethanave qofshin të impulsit vetjak që shfaqin brendinë, por jo të mbetur në vetë, të shpirtit poetik të autorit.

“Autori nuk ka parasysh dhe as qëllim të mbështetet në koncepte të caktuara filozofike, sociologjike e të tjera, por i rreket pasqyrimit të botës që e rrethon, shqiptare e të të tjerëve, të qenies së tij si përjetues i kësaj bote dhe e zhvillimeve të saj që kur mbahet në mend, me shfrim poetik të nxjerrë nga shpirti e nga mendja”- ka deklaruar Gjakova.

Ai tutje shton se shtytjet e brendshme emocionale që poeti i ka përftuar nëpër shëtitjet e jetës dhe nga i shëtit këto shtytje në poezi, janë përqasje me qetësinë dhe me tërë kundërshtimet që ndodhin në realitet.

Analistja letrare, Ajete Zogaj thotë se librin i ri i autorit Tonin Nikolli, “Atdheu im është në qiell” ka ardhë për lexuesin shqiptar si një mozaik i bukur, mozaik ku autori ka gërshetuar me mjeshtri artistike, thellësinë e dukurive dhe të ndjenjave njerëzore, të cilat e shoqërojnë poetin dhe universin e tij, botën dhe secilin njeri.

“Në poezitë e Tonin Nikollit ‘vargëzohen’ bukur poetikisht atdhedashuria, malli, dhimbja, mërzia, shpresa, dëshpërimi dhe optimizmi i poetit për ngjarje e peripeci jetësore, të ngjizura bukur në fjalën e shkruar – në poezinë.”- shton më tutje Zogaj.

Redaktori i librit Anton Nikë Berisha në promovimin e librit është shprehur të jetë i nderuar për redaktimin e librit të Tonin Nikolli, i cili e vlerësoi poezinë e tij, pikërisht për mënyrën e shtrirjes dhe përdorimit të fjalëve.

“Tonin Nikolli është një poet i madh, sikurse disa poetë që janë të mëdhenj, por jo shumë të njohur”, ka thënë Nikë Berisha, i cili ka shtuar se duhet të punohet më shumë në promovimin e këtyre poetëve që përdorin fjalët me një mjeshtëri të rrallë, sikurse që e përdorë Nikolli.

E krejt në fund, autori i librit, Tonin Nikolli u shpreh mirënjohës dhe falënderues për të gjithë të pranishmit në këtë prezantim duke shtuar se e imagjinon këtë libër si një nuse ku ai së  bashku me miqtë e tij kanë ardhur si krushq./KultPlus.com

Ministria e Punëve të Jashtme: Po kontaktojmë me tre kosovarë që gjenden në Afganistan, janë në gjendje të mirë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se janë duke punuar për t’i identifikuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan në mënyrë që të njëjtit të largohen sa më shpejt nga atje.

Deri sot, sipas njoftimit të ministrisë, janë edhe tre shtetas kosovar me të cilët është në kontakt qeveria.

Tutje, bëhet e ditur se ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), është duke vazhduar angazhimin intensiv edhe gjatë ditës së sotme për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan me qëllim të largimit sa më të shpejt nga atje.

Deri në mesditën e së hënës, MPJD është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar”, thuhet në njoftim.

Ministria ka bërë publik edhe numrin ku qytetarët duhet të lajmërohen.

“MPJD-ja u bënë thirrje të gjithë shtetasve tanë në Afganistan që të lajmërohen në linjën emergjente me numër +383 45 492 316, për të marrë sa më parë udhëzimet dhe ndihmën e duhur”, thuhet në njoftim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që së bashku me partnerët ndërkombëtar të ofroj të gjitha mjetet në dispozicion deri në evakuimin e të gjithë shtetasve tanë nga Afganistani”, bëri të ditur ministria./KultPlus.com

Thunberg dhe aktivizmi në kopertinën e Vogue

Fotografitë: Vogue

Aktivistja e klimës Greta Thunberg është zbuluar si ylli i kopertinës së numrit debutues të Vogue Skandinavia.

“Për këtë numër debutues, jam jashtëzakonisht krenare që shfaq Greta Thunberg në kopertinë”, tha kryeredaktorja e revistës, Martina Bonnier, në letrën e redaktorit.

“Jo vetëm që ajo është një figurë e vetme skandinave dhe forcë ndryshimi, ajo gjithashtu mishëron dashurinë për natyrën, ndjekjen e qëndrueshmërisë dhe paturpësinë e paepur që është në thelbin e vizionit tonë”, shtoi ajo.

Vogue

Thunberg për herë të parë tërhoqi vëmendje globale më 2018, kur ajo braktisi shkollën në moshën 15 vjeçare, për të protestuar jashtë Parlamentit Suedez, duke kërkuar që qeveria të ulë emetimet e saj të karbonit.

Ajo shpejt katalizoi një lëvizje të grevave të të rinjve, dhe tani, në moshën 18 vjeçare, Thunberg është një nga aktivistet më të mëdha të mjedisit në botë.

Ajo është nominuar për çmimin Nobel për Paqe tre vjet me radhë.

Në një profil shoqërues në Vogue Scandinavia, Thunberg vuri në pah rolin e modës së shpejtë, prodhimin masiv të veshjeve të lira përmes shfrytëzimit të punës dhe cilësisë së dobët në përkeqësimin e krizës klimatike.

“Nëse jeni duke blerë modë të shpejtë, atëherë po kontribuoni në atë industri dhe po i inkurajoni ata të zgjerohen dhe të vazhdojnë procesin e tyre të dëmshëm”, tha ajo për Vogue.

Vogue

“Sigurisht që e kuptoj që për disa njerëz moda është një pjesë e madhe e mënyrës sesi ata duan të shprehin veten dhe identitetin e tyre”, shtoi Thunberg.

Në vitin 2018, 2.31 miliardë ton emetime të gazrave serrë erdhën nga industria e modës, duke përbërë 4% të totalit global.

Revista inauguruese e Vogue Scandinavia, e cila fokusohet në një temë qendrore të natyrës, përkon me publikimin e një raporti të ri të IPCC-së mbi ndryshimin e klimës, të cilin Kombet e Bashkuara (OKB) e quajtën një “kod të kuq për njerëzimin”.

Zëri i një gjenerate

Mesazhi i fushatës së parë të Thunberg, “Greva shkollore për klimën”, u shpërnda në të gjithë globin në vitin 2018, duke frymëzuar dhjetëra mijëra të rinj të tjerë që të organizojnë thirrjet e tyre për veprim.

Vitin pasues, ajo shkoi në New York City për të marrë pjesë në Samitin e OKB-së për Veprimin ndaj Klimës. Aty, ajo kritikoi vazhdimisht “lojtarët” e fuqisë globale për nxitjen e vetëkënaqësisë në vend të urgjencës.

Vogue

“Unë dua që ju të veproni si në një krizë. Unë dua që ju të veproni sikur shtëpia jonë po digjet. Sepse është duke u djegur”, tha Thunberg në Forumin Ekonomik Botëror më 2019.

Por, qasja e drejtpërdrejtë e Thunberg për të trajtuar ngrohjen globale nuk është mirëpritur nga të gjithë.

Në intervistën për Vogue, ajo iu drejtua kritikëve të saj, më së shumti ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili në vitin 2019 shkroi në Twitter se Thunberg kishte një problem të menaxhimit të zemërimit.

“Duhet ta shihni nga një perspektivë më e madhe”, tha ajo për Vogue.

“Pse ata po shkruajnë gjëra të tilla? Sepse ata mendojnë se ne jemi shumë të zhurmshëm dhe duan të na bëjnë të heshtim, qoftë duke na trembur, frikësuar apo përhapur dyshime … Pra, kjo është, në një farë mënyre, një shenjë shumë pozitive që ne kemi ndikim”, tha aktivistja.

Ajo gjithashtu reflektoi mbi ndikimin përçarës që kriza klimatike ka pasur në vitet e saj më formuese.

“Gjëja ideale do të ishte thjesht të kthehesh në shkollë dhe të përfundosh arsimin dhe të mos shqetësohesh për klimën”, tha ajo në intervistë.

“Por për sa kohë që ka nevojë për aktivistë, unë do të jem një aktiviste”, përfundoi Thunberg./CNN/KultPlus.com

Ëndrra e shkatërruar e vajzës afgane: Shpresat tona u zbehën shpejt

Zeb Hanifa* filloi karrierën e saj si konsulente dhe shkrimtare e PR në 2013 pasi mbaroi diplomën e kolegjit në provincën Balkh.

Puna e saj e parë “i dha krahë të fluturonte”, kujton ajo, duke shtuar se ishte moment krenar kur udhëtoi në një vend tjetër vetëm me paratë që kishte kursyer. Ishte një moment krenarie edhe për nënën e saj pasi ajo kurrë nuk e kishte vënë këmbën jashtë qytetit të saj të lindjes.

Ajo thotë se vitet e ardhshme ishin të mahnitshme për të, pasi u promovua dhe mësoi aftësi të reja.

“Ishte sikur nëna ime po e jetonte ëndrrën e saj përmes meje. Por ajo e kishte këtë frikë të vazhdueshme për diçka që po shkonte keq. Ajo u rrit në konflikt. Unë nuk e kuptoja atëherë, por e kuptoj tani”, thotë ajo për BBC.

Hanifa po planifikonte të merrte nënën e saj në udhëtimin e saj të parë të huaj kur goditi pandemia dhe tani nuk është e sigurt se një mundësi e tillë do të vijë përsëri.

“Unë jam e thyer. Nuk jam e sigurt nëse do të jem ndonjëherë në gjendje të punoj apo të bëj gjithçka që doja të bëja. Ka kaq shumë vajza të reja si unë, ëndrrat tona janë thyer. Dhe shpresat tona për një të ardhme më të mirë po zbehen shpejt, ” rrëfen ajo./KultPlus.com

“Vajzat”

Charles Bukowski ka lindur në Andrenach në Gjermani me 16 gusht te vitit 1920. Pas dy vjetësh nga lindja e tij e gjithë familja emigron në Amerikë. Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën.

Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk.

Është autori i 34 vëllimeve poetike dhe i tre romaneve dhe një skenari filmi. Henk njihet si një ndër themeluesit e rrymës Underground.

Në 101-vjetorin e lindjes së Bukowskit, KultPlus ua risjell poezinë e tij “Vajzat”:

Vajzat

Sjell ndër mend

të njëjtin

Abazhur

që nga

5 vjet

është mbulua

nga një pluhur baçelor

vajzae që hyjnë këtu

jam shumë

i zënë

për ta pastruar.

Por nuk më intereson,

Edhe unë kam qenë shumë

i zënë

për t’u kujtuar për të

deri më tani.

Që drita

vezullon

e zbehtë

prapa këtyre

5 vite

jetesë./KultPlus.com

Portraits Of Charles Bukowski (Photo by JARNOUX Patrick/Paris Match via Getty Images)

44 vjet nga vdekja e Elvis Presley

Sot janë mbushur 44 vjet nga vdekja e Elvis Presley.

Elvis Presley ka lindur më 8 janar 1935 në Tupleo, dhe ka vdekur më 16 gusht 1977 në Memphis, në moshën 42 vjeçare.

Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti i Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”. Mbreti i muzikës rock&roll, sex simboli, mashkull me të cilin çdo femër ka dashur të ishte, me vite ka luftuar nga varësia. Vitin e fundit të jetës së tij, ai është shoqëruar me mjekët, duke pasur parasysh se kishte probleme të mëdha me mëlçinë, zemër, sistemin e tretjës etj, dhe e gjithë kjo si pasojë e përdorimit të drogës. Karrierën e tij, Elvis e kishte filluar në vitin 1954. Zbuluesi i talentit të tij ishte themeluesi i Sun Records, Sam Phillips. Elvis kishte ardhur në studio për të kënduar një këngë për ditëlindjen e nënës së tij.

Pak kohë pas kësaj, ai ka realizuar singlin “That’s All Right” i cili menjëherë është bërë hit. Ai ka marr pjesë në shumë emisione televizive dhe në radio, kurse mënyra e vallëzimit dhe lëvizjet e tij shumë shpejt janë bërë mjaft tërheqëse tek gjinia femrore. Për herë të parë ka debutuar në film në vitin 1956, në filmin “Love Me Tender”. Ai ishte këngëtari i parë, koncerti i së cilit (Aloha from Hawaii në 1973) është transmetuar në më shumë se 40 shtete të botës. Ai ka qenë 14 herë i nominuar për çmimin Grammy, dhe ka fituar tri çmime Grammy për vepër jetësore.

Falë suksesit të madh, Elvis ka fituar miliona, ka shpenzuar shumë, dhe për këtë arsyeje pak para vdekjes kishte bankrotuar. Trashëgimtarja e pasurisë së tij ishte Lisa Marie Prestley./ KultPlus.com

“Bota nuk e sheh këtë pjesë të Afganistanit” (VIDEO)

Fatimah Hossaini është një fotografe mode në Afganistan. Ajo bën fotografi që tejkalojnë kufijtë dhe normat kulturore në vend.

Ajo thotë se dëshiron ta përdorë punën e saj për të ndihmuar gratë të shihen, transmeton KultPlus.

Afganistani është një shoqëri konservatore dhe Fatimah thotë se ajo dëshiron të vazhdojë të jetojë dhe të punojë në vendin e saj.

Video nga Gabriela Pomeroy

Përse statujat egjiptiane kanë hundë të thyer ?

Pyetja më e zakonshme që i parashtrohet kuratorit Edward Bleiberg nga vizitorët në galeritë e artit egjiptian të Muzeut të Bruklinit është një pyetje e drejtpërdrejtë por e spikatur: Pse hundët e statujave janë thyer?

Bleiberg, i cili mbikëqyr pasuritë e gjera të muzeut të artit egjiptian, klasik dhe të lashtë të Lindjes së Afërt, u befasua herët e para që e dëgjoi këtë pyetje. Ai kishte marrë për të mirëqenë se skulpturat ishin dëmtuar; trajnimi i tij në Egjiptologji inkurajoi përfytyrimin se si do të dukej një statujë nëse do të ishte ende e paprekur.

Mund të duket e pashmangshme që pas mijëra vjetësh, një artefakt i lashtë të shfaqet i konsumuar. Por ky vëzhgim i thjeshtë e bëri Bleiberg të zbulonte një model të përhapur të shkatërrimit të qëllimshëm, i cili vuri në dukje një sërë arsyesh komplekse pse shumica e veprave të artit egjiptian u dëmtuan në radhë të parë.

Hulumtimi i Bleiberg tani është baza e ekspozitës prekëse “Fuqia goditëse: Ikonoklasmi në Egjiptin e Lashtë”. Një përzgjedhje e objekteve nga koleksioni i Muzeut të Bruklinit do të udhëtojë në Fondacionin e Arteve Pulitzer më vonë këtë muaj nën bashkë-drejtimin e kuratorit të asociuar të këtij të fundit, Stephanie Weissberg. Duke bashkuar statujat dhe relievet e dëmtuara që datojnë nga shekulli i 25 -të para Krishtit deri në shekullin e 1 -të pas Krishtit me homologë të paprekur, shfaqja dëshmon për funksionet politike dhe fetare të objekteve të lashta egjiptiane – dhe kulturën e ngulitur të ikonoklasmës që çoi në gjymtimin e tyre.

Egjiptianët e lashtë, është e rëndësishme të theksohet, i atribuan fuqi të rëndësishme imazheve të formës njerëzore. Ata besonin se thelbi i një hyjni mund të banonte në një imazh të asaj hyjnie, ose, në rastin e njerëzve të thjeshtë, një pjesë e shpirtit të atij njeriu të vdekur mund të banonte në një statujë të shkruar për atë person të veçantë. Prandaj, këto fushata vandalizmi kishin për qëllim të “çaktivizonin forcën e një imazhi”, siç tha Bleiberg.

Varret dhe tempujt ishin depot për shumicën e skulpturave dhe relieveve që kishin një qëllim ritual.

“Pjesa e dëmtuar e trupit nuk është më në gjendje të bëjë punën e saj,” shpjegoi Bleiberg. Pa hundë, shpirti i statujës pushon së marrë frymë, kështu që vandali po e “vret” atë në mënyrë efektive. Të heqësh veshët nga një statujë e një perëndie do ta bënte atë të paaftë për të dëgjuar një lutje. Në statujat që synojnë të tregojnë qeniet njerëzore që i bëjnë oferta perëndive, krahu i majtë më së shpeshti përdoret për të bërë oferta është ndërprerë kështu që funksioni i statujës nuk mund të kryhet (dora e djathtë shpesh gjendet e sëpatuar në statuja që marrin oferta)./KultPlus.com

101 vjet nga lindja e Charles Bukowskit

Charles Bukowski ka lindur në Andrenach në Gjermani me 16 gusht te vitit 1920. Pas dy vjetësh nga lindja e tij e gjithë familja emigron në Amerikë. Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën.

Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk.

Është autori i 34 vëllimeve poetike dhe i tre romaneve dhe një skenari filmi. Henk njihet si një ndër themeluesit e rrymës Underground.

Charles Bukowski ishte letrar, poet, novelist dhe shkrimtar amerikan me rrënjë gjermane, përfaqësues i valës tjetër të gjeneratës beat, stili i tij i të shkruarit është në ndikim të plotë të ambientit social, kulturor dhe ekonomik të qytetit të tij Los Angeles.

Në veprat e tij e përshkruante jetën e njeriut të varfër, alkoolit, relatat me femrat, dhe të gjitha mungesat dhe vështirësite e punëve të këtilla.

Bukowski shkruajti në mijëra këngë, qindra tregime të shkurtëra dhe gjashtë romane, të gjitha deri në gjashtëdhjetë libra. Në veprat e tij e përvetësonte veten si Henry Chinaski.

Sa i përket Bukowskit ne jetën personale, në rini ishte i turpshëm dhe i tërhequr, e cila ishte si rezultat i abuzimit nga ana e moshatarëve të tij dhe babait të tij që e rrihte.

Në vitet e hershme të adoleshencës për herë të parë ra në kontakt me alkoolin i cili më vone do ta përcaktoj si person dhe shkrimtar gjatë tërë jetës së tij.

Bukowski vdiq nga Leukemia më 9 mars të vitit 1994 në San Pedro./KultPlus.com

“Vera”


Poezi nga Ndre Mjeda

Vera

A zverdhe fusha, e nder grunore
Po velojne korrcat porsi zogj;
Kendojne katundcat me malcore
Pa u kujtue si dielli i dogj
Vec n’at are, porsi nji e tretun
Zi nder petka e ne fetyre terr
Korre nji cuce pa shoqe,vetun
Me hije t’vet qe mbrapa e merr
Tjetra here tri vet e treta
Korrshe o bij me motra n’shend
Si vjet vetun tiu korr t’gjeta
Pa nji moter, pa gazmend./KultPlus.com

“Në këto shtëpi ku nuk hyje, në fakt kishe hyrë përditë, në këto pllaka të rrugës ke lënë një pjesë të trupit, të gjakut dhe të zemrës sate”

Shkrimtari i njohur francez Viktor Hygo vazhdon të mbetet ndër shkrimtarët më me rëndësi në letërsinë botërore, madje ka shumë prej kritikëve e studiueseve të letërsisë që e konsiderojnë edhe si ‘Babai i romantizmit’, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus ju sjell një fragment nga libri “Të mjerët” i Hygos.

“Për sa kohë që vete e vjen nëpër vendin tënd të lindjes, të duket se rrugët janë të rëndomta, se dritaret, pullazet e dyert nuk janë asgjë për ty, se muret janë të huaja, se pemët janë pemët e para që të zë syri, se shtëpitë ku ti nuk hyn, s’kanë të bëjnë me ty, se pllakat e rrugët ku ecën, janë gurë. Më vonë, kur nuk je më aty, atëherë e kupton se këto janë të dashurat e tua, se ke mall për këto pullaze, këto dritare e këto dyer, se këto mure janë bërë të domosdoshme, se këto pemë janë të dashurat e tua, se në këto shtëpi ku nuk hyje, në fakt kishe hyrë përditë, dhe se në këto pllaka të rrugës ke lënë një pjesë të trupit, të gjakut dhe të zemrës sate. Të gjitha këto vende, që njeriu s’i shikon më, që nuk do ti shikoj ndoshta kurrë ruan ninëzën në kujtesën e vet, marrin një hijeshi të dhimbshme, i rikthen ndërmend melankolinë e një fanitjeje; ia bënë tokën të shenjtë, të dukshme…”KultPlus.com

Lasgushi: Poezia është hyjnore, prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar

Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.

Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.

Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, dikur pati ndarë me ndjekësit e saj në rrjetin social Facebook, një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët, e KultPlus ju sjell atë më poshtë:

“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?

Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.” – Lasgush Poradeci / KultPlus.com

Napolitano: Nëse Arbën Xhaferi do të kishte qenë amerikan, do të kishte pushtuar botën me diplomaci

Sot mbushen nëntë vjet nga vdekja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.

Arbën Xhaferi mbetet ndër figurat kryesore të historisë së shqiptarëve.

Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilën ish Presidenti italian, Giorgio Napolitano gjatë kohës sa ishte në pozitën e presidentit, e kishte thënë për Ibrahim Rugovën dhe Arbën Xhaferin.

“Nëse Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi,
do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë,
ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci,
por për fat të keq këto dy figura
i përkasin një popullit shumë të vogël…
”, ishte shprehur Napolitano. / KultPlus.com

153 vite nga lindja e poetit të shquar, Josif Bageri

153 vjet më parë, më 15 gusht 1868 në fshatin Reka e Epërme të Dibrës lindi Josif Bageri, arsimtar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

Poet me talent të rrallë, prozator që shkroi shumë tregime, sidomos për fëmijë, një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, si dhe gazetar e atdhetar i flaktë, ai ia kushtoi tërë jetën dhe veprën e tij çështjes kombëtare shqiptare.

Fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kaloi në vendlindje. Leximin dhe shkrimin shqip e përvetësoi në Sofje në moshën 17 vjeçare, ku mërgoi dhe për një kohë të gjatë punoi si këpucëtar. Krahas kësaj pune, prej vitit 1887 u përfshi edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare atje.

Josifi ishte njëri ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të shoqërisë shqiptare “Dëshira”, e cila u themelua më 1 janar të vitit 1893, në Sofje. Kah fund i vitit 1899 shkoi në Stamboll për të vizituar poetin tonë të madh, Naim Frashëri, i cili ishte shumë i sëmurë dhe dergjej në shtrat. Ky takim i la mbresa të mëdha.

Josif Bageri punoi shumë për çështjen shqiptare, pa u lodhur, duke lënë pas shumë shkrime të botuara e të pabotuara; poezi e prozë, platforma politike, artikuj, komente, reagime.

Gjatë veprimtarisë së tij pati një bashkëpunim të ngushtë me Said Najdenin e Jashar Erebarën, Atanas Albanin nga Reka e Epërme, me Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetarë të tjerë.

Vdiq në Prishtinë në vitin 1915. / KultPlus.com