‘Në kërkim të Venerës’ mbyll PriFest, Krapi: Shoqëria jonë ka nevojë ta gjejë veten aty ku i takon e Venera është veç një pikënisje

Flonja Haxhaj

Filmi ‘Në kërkim të Venerës’ mbylli natën e fundit të Festivalit PriFest. Entuziazmi i publikut për ta parë këtë film vërehej në sallën e Teatrit Kombëtar, e cila u mbush plot. Kërkesa e madhe për ta parë filmin bëri që organizatorët të vendosin një projektor edhe jashtë që filmi të shfaqej në dy vende.

Pas suksesit të madh ndërkombëtar, filmi i metrazhit të gjatë ‘Në kërkim të Venerës’ me regji të regjisores kosovare, Norika Sefa dhe producent, Besnik Krapi, u soll edhe për publikun e djeshëm në PriFest.

Regjisorja Sefa  përmes këtij filmi, sjell historinë e Venerës, botën e saj të jetuar në një shtëpi diku në një fshat të Kosovës. Jetesa mes patriarkatit dhe hierarkisë se moshave në një shtëpi ku jetojnë tre gjenerata kanë bërë që Venera të mos dijë të ëndërrojë e dëshirojë përtej asaj që ia kanë servuar prindërit, shkruan KultPlus.

Rrjedha e jetës së kësaj vajze të brishtë e naive ndryshon pasi ajo fillon të shoqërohet me Dorinën, një vajzë  mendjehapur, shoqërimi me të cilën do të bëjë Venerën të fillojë të kërkojë diçka tjetër nga vetja, të shohë një Venerë tjetër jashtë mureve të shtëpisë.

Përgjatë filmit, dy shoqet paraqiten duke shkuar në një klasë mësimi të gjuhës angleze tek shtëpia e një mësuese lokale. E në rrugët vajtje-ardhje që ato bënin, Dorina i tregon Venerës për djalin me të cilin kryen marrdhënie seksuale nëpër vende të fshehta, e kështu Venera bëhet kuroioze për ta provuar vetë me një djalë.

E karakteret e tjera përveç Venerës e Dorinës e plotësojnë edhe më shumë këtë film dhe e bëjnë më të besueshëm  duke e ndërlidhur me realitetin e shoqërisë sonë.

Ky film u mirëprit shumë nga publiku i PriFest, e kjo u vërejt në duartrokitjet që zgjatën disa minuta paspërfundimit të filmit.

E pas përfundimit të filmit, regjisorja flet e emocionuar që ky projekt i saj u paraqit për publikun kosovar.

“Jam shume e emocionuar, faleminderit shume qe jeni prezentë këtu, është një moment special si per mua ashtu edhe per krejt ekipin, e kemi dëgjuar dhe e kemi parë disa herë filmin në audiencë të huaj dhe më është dukur pak e çuditshme por sonte ishte një ndjenjë komplet ndryshe. Uroj që filmi ju la diçka dhe ajo diçka do të zgjasë shumë.”- tha regjisorja Sefa

Ndërkaq në konferencën që u mbajt sot në Prishtinë, ajo tha se qëllimi i saj si regjisore në këtë film ka qenë t’i përshkruajë ato çaste të vogla të jetës , të cilat kur vijnë të papërgatitura duken shumë më të mëdha dhe shumë më absurde.

“Sa i përket gjeneratave dhe ndeshjes është shumë evidente, ndoshta asnjëherë nuk shpërthen, e kjo është më e keqja prandaj edhe filmi ka një tempo të tillë sepse jemi munduar t’i durojmë disa gjëra duke u bërë shkak traditave, hierarkisë familjare ose moralit, e të cilat janë gjera shumë personale e energji që duhet të shpërthejnë. E Venera ka gjet vendin e saj në atë që i takon, pa dashur t’i ndryshojë të tjerët”- u shpreh më tutje regjisorja.

Tutje, Norika Sefa flet edhe për karakteret e tjera në film, e të cilët ajo i cilëson si karaktere jo negative por që kanë të metat e tyre.

E producenti Besnik Krapi thotë se filmi është nisur nga problemet e ndrydhura të shoqërisë sonë që nuk kemi kohë ose nuk duam të gjejmë kohë t’i nxjerrim jashtë si Venera.

‘Kjo shoqëri ka shumë problem me këtë aspekt, ta gjejë veten aty ku i takon e Venera është veç një pikënisje edhe pse duhet akoma të punojnë njerëzit për këtë çështje’, u shpreh Krapi.

Ndërsa aktorja, Kosovare Krasniqi vlerëson që ngjarjet që u paraqitën në film, janë ngjarje në të cilat kalon çdo i ri në Kosovë dhe çdokush mund ta gjejë veten në rrëfimin e Venerës apo në secilin personazh të filmit.

‘Në kërkim të Venerës’ së shpejti do të jetë premierë në Lisbonë, kurse sonte do të jetë premierë në Rusi.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Monolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. Me drejtor të fotografisë – Luis Armando Arteaga, montazhë – Stefan Stabenoë, skenografi – Arben Shala, zërim – Risto Alchinov, kostumografi – Desantila Lika, dhe grim – Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut me producent Besnik Krapin i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën./KultPlus.com

9 sugjerime filmash dhe serialesh për shtatorin

Fundi i pushimeve, plazhit dhe udhëtimeve shënojnë fundin e verës dhe pikërisht në këtë periudhë është e lehtë të ngecesh në monotoninë e përditshmërisë. Megjithatë, bota e kinemasë ka menduar si t’jua bëjë më të lehtë.

Falë Netflix dhe platformave të tjera të ngjashme, shtatori s’ka për të qenë aspak i mërzitshëm. Ka disa seriale dhe filma të rinj që duhet t’i shikoni patjetër këtë muaj.

Më poshtë 9 sugjerime filmash dhe serialesh për të mos u humbur gjatë shtatorit.

“Cinderella”

Në një përshtatje të re të përrallës klasike, Camila Cabello luan në rolin e Hirushes. Krahas këngëtares së famshme, yje të tjerë që interpretojnë në film janë edhe: Billy Porter, Idina Menzel, Pierce Brosnan, Minnie Driver, si dhe Nicholas Galitzine që luan rolin e princit simpatik, Robert.

“The D’Amelio Show”

Pas një fame të jashtëzakoshme, Charli dhe Dixie D’Amelio po i çojnë talentet e tyre nga TikTok në TV me premierën e shfaqjes së tyre të re reality. “The D’Amelio Show” do të shfaqë prapaskenat e jetës së familjes D’Amelio, pasi të gjithë luftojnë me statusin e tyre të ri si të famshëm.

“Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”

Filmi i fundit i Marvel prezanton fansat e superheronjve me personazhin e parë aziatik, Shang-Chi, një artist ushtarak i cili ishte stërvitur si vrasës në rininë e tij. Aktori Simu Liu luan në rolin kryesor dhe aktorja/komediania Awkafina luan shoqen e Shang-Chi, Katy-n.

“Lucifer”

Pas pesë sezoneve të suksesshme, komedia e Netflix, Lucifer do të debutojë sezonin e gjashtë dhe të fundit më 10 shtator. Në episodet përfundimtare, shfaqja trajton pasojat e emërimit të ri të Lucifer si Zot dhe si ndikon kjo në marrëdhënien e tij me Chloe.

“The Voyeurs”

Sydney Sweeney i Euphoria dhe Justice Smith i Generation janë protagonistë në këtë thriller erotik si Pippa dhe Thomas, një çift që zhvendosen në një apartament të ri. Kur shohin marrëdhënien armiqësore të çiftit në dritaren përballë tyre, dëshirat e tyre të brendshme i pushtojnë.

“Scenes from a Marriage”

Jessica Chastain dhe Oscar Isaac luajnë në miniserialin më të ri të HBO, “Scenes from a Marriage”. Seriali, i bazuar në një serial suedez me të njëjtin emër, ndjek shpërbërjen e martesës së një çifti me kalimin e kohës.

“The Premise”

Nga mendja e B.J. Novak e “The Office” vjen “The Premise”, një serial antologjie rreth botës së sotme, i mbushur me yje. Pjesëmarrës në serial do të jenë: Tracee Ellis Ross, Lucas Hedges, Kaitlyn Dever, Lola Kirke, Ben Platt, Jermaine Fowler, etj.

“Sex Education”

Seriali komedi i Netflix kthehet me sezonin e tretë më 17 shtator. Aktori Asa Butterfield, që luan protagonistin Otis Millburn, tha për The Guardian se do të ketë një “kërcim në kohë” midis sezoneve 2 dhe 3. Nga traileri, duket se ka një drejtoreshë të re në shkollën e mesme “Moordale”, të interpretuar nga Jemima Kirke, dhe ajo po i jep këtij vendi një përmirësim të madh, megjithatë, është e paqartë nëse mund të thuhet e njëjta gjë për marrëdhëniet e disa personazheve.

“Dear White People”

Më shumë se dy vjet pas premierës së sezonit të tretë, “Dear White People” është kthyer për sezonin e tij të katërt dhe të fundit. Drama e Netflix paraqet një grup studentësh me ngjyrë në një shkollë imagjinare “Ivy League”, ku ata përballen me racizmin, përvetësimin kulturor, stigmën LGBTQ+ dhe më shumë çështje sociale, pasi seriali harton jetën e studentëve me ngjyrë në hapësira historikisht të bardha./KultPlus.com

Arbëreshi që shkruante vetëm shqip

Sot shënohet 97-vjetorit të lindjes një nga emrat më të rëndësishëm të publicistikës dhe kulturës arbëreshe, pikërisht Dr. Vinçenxo Golletti Baffa. Ai lindi në Çivita më 1924, vendbanim arbëresh në Kalabri.

Studioi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Romës, duke marrë njohuri edhe në fushën e historisë, të gjuhësisë, si dhe të letërsisë shqipe me Ernest Koliqin.

Pati një veprimtari të gjerë publicistike dhe revista “Katundi Ynë” u bë promotori i aktivitetit të tij shkrimor.  Ai botoi “Alfabetin shqip të programuar” 1977, “Libërkëndimi i programuar” 1981, përshtatur për fëmijë të çdo moshe që njohin alfabetin italian, “Libri im i parë” 1979, përshtatur për të gjithë fillestarët, si dhe “Antologji e shkurtër me proza argëtuese” dhe “Gjuha jonë me hare” 1982.

Për arsye familjare në moshën tetë vjeçe shkon në Romë, pas dy vjetësh në Peruxhia, ku mëson mjaft mirë latinishten, greqishten e vjetër dhe frëngjishten, nën ndikimin e gramatikës latine, ai nis të studiojë me një pasion të veçantë arbërishten e të njihet nga afër me gjuhën shqipe. Në kohën e luftës ai vazhdoi Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Romës, duke marrë njohuri edhe në fushën e historisë, të gjuhësisë, si dhe të letërsisë shqipe me Ernest Koliqin.

Mbas luftës ai kaloi një periudhë të vështirë e të egër për të mbijetuar, megjithatë për asnjë çast ai nuk i shkëputi lidhjet e tij me pasionin për kulturën dhe me vendlindjen e tij të dashur, Çivitin. Kjo periudhë e gjatë kohe mund të quhet periudha e akumulimit dhe e formimit të tij për të ndërmarrë më pas me vetëdije të plotë dhe pasion në lëmin e kulturës arbëreshe.

Punoi për një kohë të gjatë si mësues privat në shumë lëndë, më pas punoi në bibliotekën qytetare e në kursin e gjuhës italiane në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Frankfurtit, si dhe Hejdelbergut. Libri “Novellistica italo-albanese” me përralla, tregime dhe anekdota të përmbledhura nga Luca Perrone nën drejtimin e Koliqit bëhet një shtysë e vërtetë për të, që këto përralla ai vetë t’i rrëfente në një arbërishte shumë më të pastër e më të bukur. Kështu ditë pas dite, ai me një përkushtim të plotë punoi për gjuhën arbëreshe, e cila në gjithë shkrimet e tij ka një ëmbëlsi të veçantë.

Dalja e revistës “Katundi ynë” në Çivit me drejtor Dhimitër Emanuelën përbën një çast të rëndësishëm për gjithë krijimtarinë e Gollettit, edhe pse në kufirin e të pesëdhjetave, ai do të ishte i pranishëm në çdo numër të revistës. Me këtë ai u tregoi gjithë arbëreshëve se gjuha e tyre nuk ishte e vlerë vetëm për një këngë e poezi, por edhe për prozën moderne e për problemet aktuale.

Në vitin 1973, e vizitoi për të parën herë Shqipërinë, edhe pse heshtja që e përcolli në atë epokë tregonte më së miri pozitën e vështirë në të cilën e vendos diktatura intelektualin.

Për afro dy dekada, Golletti do shkruante vazhimisht në revistën “Katundi Ynë”, ku vërehet shqetësimi i shkrimtarit arbëresh për gjuhën, humori dhe gjuhën e tij brisk, shpirti i trazuar dhe liridashës. Kurrë nuk i humbi shpresat se gjuha dhe kultura arbëreshe do të gjente vendin e merituar në kulturën dhe gjuhën shqipe, ai luftoi që hendeku midis arbërishtes dhe gjuhës së njehsuar shqipe të ishte sa më i vogël. Mund të thuhet se revista “Katundi Ynë” u bë promotori i aktivitetit të tij, kështu ai do të botonte “Alfabetin shqip të programuar” 1977, “Libër këndimi i programuar” 1981, përshtatur për fëmijë të çdo moshe që njohin alfabetin italian, “Libri im i parë” 1979, përshtatur për të gjithë fillestarët, si dhe “Antologji e shkurtër me proza argëtuese” dhe “Gjuha jonë me hare” 1982. Të gjitha këto vepra me karakter didaktik dhanë një kontribut të madh për lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës arbëreshe.

Përveç këtyre, ka dhënë ndihmë modeste në daljen e disa revistave shqiptare, si “Qëndresa” në Zvicër, si dhe “Dëshira” në Suedi, ka bashkëpunuar me mjaft revista të njohura shqiptare si “Dielli”, “Mondo albanese” e tjerë, gjë e cila tregon për dëshirën që rritet në shpirtin e këtij njeriu fisnik të cilin e përcjell motoja: “Unë jam mirë, kam mish, verë, dhe një libër shqip”.

Dr. Vinçenx Golletti Baffa, edhe pse në moshë të kaluar vazhdon të punojë me vrullin e një djaloshi, me pasion e dëshirë për të vënë edhe ai një gur në murin e kulturës shqiptare, si një feniks për të kujtuar të kaluarën e lavdishme të stërgjyshërve krenarë.

Ky është Prof. Golletti, arbëreshi që aq bukur e shkruan gjuhën shqipe, i cili mbetet modeli i mishërimit të gurrës së kulluar arbëreshe./diasporashqiptare/ KultPlus.com

‘Paradoksi i epokës sonë është se ne kemi shtëpi më të mëdha dhe familje më të vogla’

Nga George Carlin

Paradoksi i epokës sonë është se ne kemi ndërtesa më të larta, por durim më të shkurtër, rrugë më të gjëra, por këndvështrime më të ngushta. Ne shpenzojmë më shumë, por kemi më pak; ne blejmë më shumë, por shijojmë më pak. Ne kemi shtëpi më të mëdha dhe familje më të vogla, më shumë lehtësira, por më pak kohë. Kemi më shumë grada shkencore, por më pak sens, më shumë dije, por më pak gjykim, më shumë ekspertë, por akoma më shumë probleme, më shumë ilaçe, por më pak shëndet..

Ne pimë shumë, tymosim shumë, shpenzojmë shumë , qeshim shumë pak, ngasim makinën shumë shpejt, nevrikosemi shumë, biem për gjumë shumë vonë, zgjohemi shumë të lodhur, lexojmë shumë pak, shohim tv shumë dhe i falemi Zotit shumë rrallë. Kemi shumëfishuar të mirat material, por kemi pakësuar vlerat tona. Ne flasim shumë, dashurojmë shumë rrallë dhe urrejmë shumë shpesh.

Kemi mësuar si të ndërtojmë jetesën, por jo jetën. I kemi shtuar vite jetës sonë, por jo jetë viteve. Kemi shkuar dhe ardhur në Hënë, por e kemi shumë të vështirë të kryqëzojmë rrugën për të përshëndetur një fqinj të ri. Ne kemi pushtuar hapësirën kozmike, por jo hapërirën brenda nesh.

Kemi bërë gjëra më të mëdha, por jo gjëra më të mira. Kemi pastruar ajrin, por kemi ndotur shpirtin. Kemi mundur atomin, por jo paragjykimet tona.

Ne shkruajmë më shumë, por lexojmë më pak. Planifikojmë më shumë, por realizojmë më pak.

Kemi mësuar të nxitojmë, por jot ë presim. Ne ndërtojmë më shumë kompjutera për të future më shumë informacion, për të prodhuar më shuë kopje se kurrë , por ne komunikojmë gjithnjë e më pak.

Jemi në epokën e fast food-it dhe të tretjes së ngadaltë, njerëz trupmëdhenj me karaktere të vegjël, fitime të shpejta dhe marrëdhënie të cekëta. Jemi në epokën e të ardhurave dyfishe, por kemi më shumë divorce, shtëpi më të bukura, por familje të thyera.

Jemi në epokën e udhëtimeve të shpejta, të bebelinave, të flakjes përtej të moralit, të one night stand-it, të trupave mbipeshë dhe tabletave që na sigurojnë me ëndje qetësinë apo vrasjen.

Jemi në epokën kur ka shumë gjëra në vitrinë dhe asgjë në magazinë.
Epoka kur teknologjia ka zëvëndësuar postierin, e ju me një klik e pranoni, e ndani apo e anulloni letrën.
Mos harroni t’u kushtoni pak kohë njerëzve tuaj të dashur se ata nuk do jenë gjithnjë pranë jush. Mos harro t’i thuash një fjalë të ngrohtë atij njeriut të vogël që të admiron, sepse shpejt ai do të rritet dhe do të të lërë në hije.

Mos harro t’i japësh një përqafim atij që ke në krah, sepse ai është i vetmi thesar që ti mund të japësh me gjithë zemër pa shpenzuar as edhe një qindarkë. Mos harro jo vetëm t’i thuash “të dua” partnerit dhe të dashurve të tu, por edhe ta ndjesh vërtet kur e thua. Një puthje dhe përqafim mund të shërrojnë një plagë kur dalin nga thellësia e shpirtit tënd.

Mos harro të mbash në duart e tua duart e njeriut tënd të dashur, dhe të gëzosh çastin se se dikur ai mund të mos jetë më aty pranë.

Gjej kohë për të dashuruar, kohë për të folur dhe kohë për mendimet më të sakta të mëndjes tënde

(përshtati në shqip: Artan Gj Hasani)/ KultPlus.com

Abdyl Frashëri, ideologu e atdhetari i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Kujtojmë sot në ditën e lindjes një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, Abdyl Frashëri.

Si sot, më 29 gusht 1839, në Frashër të Përmetit lindi Abdyl Frashëri biri i Halid beut. Emrin e vërtetë e ka Abdullah Hysni. Është një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Është shquar si personalitet politik gjatë Krizës Lindore, në shek. XIX. Në Parlamentin e Parë Osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës; u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës (1877) dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Perandorinë Osmane.

Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës. Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane.

Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com

Shqiptari më i vuajtur në botë që bëri dyfishin e burgut të Mandelës

Hyri në burg në moshën 24-vjeçare. Vdiq aty në moshën 67-vjeçare. Fotoja e parë është bërë pak kohë pas hyrjes në burg, ndërsa e dyta pak vite para vdekjes. U dënua tri herë për arsye politike…

Në asnjë vend të Lindjes komuniste nuk mund të gjesh shembuj të tillë. -shkruante para pak kohësh në rrjetin e tij social ish-drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme, Katriot Dervishi.

Dangëllitë, vijnë më origjinë nga Përmeti, por 300 vjet më parë ata u shpërngulën dhe shkuan në fshatin Menkulas të Devollit. Një derë e madhe që do të bëhej pre e komunizmt për gjatë gjithë viteve të diktaturës. Që në fillimet e regjimit komunist e pikërisht më 1944, do të prangosej Sami Dangëllia.

Ai lindi më 1920-ën, fëmijërinë e kaloi në fshat, më vonë shkoi ushtar dhe që andej bashkohet me Ballin Kombëtar. Kur komunistët kthehen fitues, menjëherë fillojnë të ndjekin familjet Dangëllia. Pre e kësaj gjuetie u bë edhe Samiu. Kështu më 8 Tetor 1944, arrestohet dhe burgoset në burgun e Korçës dhe vetëm pas një viti e shpallin “armik të popullit”.

Sami Dangëllia u vendos në burgun e Burrelit. Më pas fillon interrnimi, por shumë shpejt do të ridënohej dhe në vitin 1960, ridënohet me 25 vjetë burg dhe dërgohet përsëri në Burrel, ku do të mirrte dhe nofkën “Gjyshi”. Më pas kalvarin e vuajtjeve do ta kalojë në Spaç, ku Dangëllia punonte shumë për të nxjerrjen e bukën së gojës shtesë, mbasi nuk kishtë asnjë ndihmë nga të afërmit.

Punoi i skllavëruar, por i pamposhtur nga torturat… Me 21 Maj 1973, ai ishte një nga organizatorët e Revoltës së Spaçit.

Ky njeri ka vuajtur nga diktatura, mbase më shume se askush tjetër në botë. Janë plotë 108 milionë viktima nga regjimi komunist në të gjthë botën, por askush nga të burgosurit nuk ka bërë aq burg sa ai.

Edhe Mandela, që është simbol i qëndresës, ka bërë vetëm 28 vite burg, dhe me aq vite burg në Shqipëri janë me dhjetra, por simboli i Mandelës vlen për t’u vlerësuar, po aq edhe simboli i Dangëllisë.

Ai u burgos në kulmin e rinisë dhe u dergj burgjeve për dekada me rradhë deri sad ha shpirt po në burg. Jeta e tij, mbase konsiderohet si një nga më të vështirat në botë. Të burgosesh në moshën 24 vjeçare dhe mos të dalësh më gjallë nga birucat e komunizmit.

-Marrë me shkurtime nga radiandradi. / KultPlus.com

Qendra mesjetare historike e Beratit, së shpejti destinacion i guidave turistike

Pas një pune të gjatë e të kujdesshme merr formë një nga sheshet më interesante rreth monumenteve dhe kompleksit të qendrës mesjetare në qytetin e Beratit.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani, thekson se “në  Berat ndihet “aromë” tradite në çdo rrahje çekiçi, gur më gur e duke iu përmbajtur punimit të vjetër me kalldrëmin prej zejesh miks ranore prej lumit “Osum” dhe gurit gëlqeror të bardhë”.

“Ky “oaz” mesjetar, pas restaurimit të “Xhamisë “Mbret”, ” Teqesë së Helvetive ” dhe trajtimit të sheshit mes tyre, do të jetë shumë shpejt nga destinacionet e guidave turistike shqiptare dhe jo vetëm”, – tha Kallfani.

Rilindja e qendrës mesjetare të qytetit të një mbi një dritareve me përfundimin e restaurimit cilësor të dy xhamive të mrekullueshme dhe teqesë, sistemimin e krejt hapësirave rekreative mes tyre dhe lidhjen me një shesh të ri të gurtë me lagjen muze, do të krijojë një tjetër hapësirë të bukur për banorët, vizitorët e turistët, duke e rritur më tej vlerën e banesave, si edhe aftësinë tërheqëse të këtij qyteti xhevahir të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Xhamia Mbret

Xhamia Mbret është një nga më të vjetrat në Berat, e ndërtuar nga Sulltan Bajaziti i II-të rreth vitit 1480. Xhamia përbëhet nga minareja, salla elutjeve dhe nga portiku. Faqet murale anësore kanë dritare të bollshme që sigurojnë ndriçim në pjesën e brendshme të objektit të kultit. Ndërtesa brenda ndahet në dy kate, arkitektura e të cilave përbëhet nga kolona, harqe dhe dekoracione shumëngjyrëshe. Gdhendja e drurit është një element i jashtëzakonshëm në këtë ndërtesë, pasuruar me finesë nga domethëniet fetare.

Teqeja Helvetive

Teqeja e Helvetive është një tjetër monument i qendrës mesjetare të Beratit dhe një nga realizimet më të mira të arkitekturës në qytet. Teqeja është ndërtuar në shekullin e XV-të dhe është rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në fund të viteve 70-të të shekullit XVIII. Objekti i përket sektit me të njëjtin emër dhe ndodhet në pjesën lindore të Xhamisë Mbret. Teqeja është e rrethuar nga oborri, i pasuruar me shumë konakë siç quhen në gjuhën lokale ballkonet.

Qyteti i Beratit, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë, falë Rilindjes Urbane në arrin të tërheqë në vit mbi 150 mijë turistë prej gjithë botës, nga 39 mijë turistë në vit që arrinte të tërhiqte më 2013.

Berati u shpall në 1961 zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, e ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /atsh/ KultPlus.com

Albumi i ri i Ed Sheeran, vizioni i tij për jetën

Ed Sheeran ka njoftuar hollësitë e albumit të tij të ri “=” (Equals), që do të publikohet më 29 tetor nga Asylum Records.

Së bashku me njoftimin, Ed Sheeran publikoi gjithashtu një këngë të re, “Visiting Hours”, e përfshirë në album së bashku me një performancë video.

“=”, albumi i katërt në serinë e titulluar me simbole matematikore, është vepra më e plotë e Edit, një artist në evolucion të vazhdueshëm, i cili nuk pushon së kërkuari mënyra të reja.

Është një koleksion këngësh që janë kompozuar në harkun kohor të katër viteve, pas publikimit të albumit fitues i shumë çmimeve “ö” (Divide), ku Sheeran thekson përvojat e fituara dhe njerëzit që takoi gjatë eksplorimit të dritëhijeve të ndryshme të dashurisë (“The Joker And The Queen”, “First Times”, ‘”2step”), të humbjes (“Visiting Hours”), të elasticitetit (“Can’t Stop The Rain”) dhe të atësisë (“Sandman”,”Leave Your Life”), ndërsa analizon karrierën dhe realitetin e tij (“Tides”).

Nga pikëpamja muzikore “=” përfshin të gjithë botën e tij: nga këngët klasike me kitarë me balada të përjetshme, deri në momentet më euforike dhe me një prodhim më të ndërlikuar, siç është kënga e parë që lëshoi ​​këtë verë, “Bad Habits”.

Vizioni personal i Sheeran për jetën shprehet i gjithi në “=”.

“=” (Equals) është një album shumë personal dhe do të thotë shumë për mua. Jeta ime ka ndryshuar shumë vitet e fundit, u martova, u bëra baba, humba miq dhe në album unë reflektoj për të gjitha këto. Unë e shoh atë si një album pjekurie dhe mezi pres ta ndaj me të gjithë ju”, komentoi Sheeran.

I shkruar dhe regjistruar në Suffolk, Londër, Suedi dhe Los Angeles, albumi u prodhua nga FRED (No. 6 Collaborations Project), Johnny McDaid (Divide) dhe vetë Sheeran, me kontribute shtesë nga Steve Mac, Joe Rubel, Amy Wadge , Foy Vance, Elvira Anderfjard, David Hodges, Andrew Watt, Lou Bell, Natalie Hemby dhe Ben Kweller.

Kopertina e albumit është një ansambël i gjallë fluturash që simbolizojnë një “jetë të re”, lajtmotivi i albumit, i pikturuar në një vizatim abstrakt i bërë nga Ed Sheeran. / KultPlus.com

Presidentja Osmani për vdekjen e Berishës: Njëri ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha sot ka vdekur si pasojë e një sëmundje të rëndë, përcjell KultPlus.

Kolë Berisha ishte Kryetar i Kuvendit të Kosovës nga marsi 2006 deri në 2007, gjithashtu ishte edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ishte presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook theksoi se lajmin për vdekjen e Berishës e ka pranuar me një pikëllim të thellë, duke iu referuar këtij të fundit si njëri dnër veprimtarët më të shquar të lëvizjs për pavarësinë e Kosovës.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të presidentes Osmani:

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit të tij.

Sot, ai u nda nga ne, duke na lënë të pikëlluar, por edhe krenarë për veprën e tij shumëdimensionale. Mësues i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij do të lë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të! / KultPlus.com

Mbi 28 mijë turistë vendas e të huaj vizituan Përmetin në mars-gusht

Mbi 28 mijë turistë zgjodhën si destinacion turistik në periudhën mars-gusht qytetin e Përmetit.

“Qyteti i trëndafilave” është cilësuar ‘perla’ e turizmit shqiptar dhe vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing.

Zyra e Turizmit në bashkinë e Përmetit bën të ditur për ATSH-në se “numri i turistëve vendas e të huaj që kanë qëndruar minimalisht një natë në qytetin e Përmetit është mbi 28 mijë. Pa llogaritur këtu dhe turistët rastësorë dhe grupet që vijnë me agjenci turistike”.

Sipas kësaj zyre, rreth 700 turistë të huaj kanë marrë shërbim nga zyra e informacionit turistik.

“Turistët e huaj, si serbë, gjermanë, çekë, polakë, italianë, ukrainas, maqedonas, kanë preferuar të vizitojnë qytetin e Përmetit, duke u ndalur kryesisht në disa nga pikat turistike më të njohura të qytetit si Ujërat Termale, kanionet e Lengaricës, objektet e kultit, atraksionet natyrore në Malin e Dhembelit dhe Nemërçkës, luginën e Vjosës, Gurin e Qytetit, etj”, – thekson zyra e Turizmit në bashkinë e Përmetit.

Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin, që ruan në territorin e tij destinacione të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.

Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë.

Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan, në një pikë dominuese prej nga shikon si në pëllëmbë të dorës luginën e Vjosës. Teqeja është ndërtuar për herë të parë nga Baba Aliu në vitin 1857, në nder të të cilit mban edhe emrin.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen ujërat termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave. Ujërat Termale të Bënjës çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas e të huaj.

Brenda Qendrës Historike ndodhen shumë ndërtesa të vjetra të qytetit, si dhe ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776 dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë dhe Kisha e Shën Kollit e shekullit të 19-të. Gjurma e rrugës dhe rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit të 19-të.
Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti.

Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.
Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë ikonostaset e mrekullueshme të kishës së Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister. /atsh/ KultPlus.com

Gjirokastra në festë, mbahet festivali i traditës ‘Divani Lunxhot’ me këngë, valle e grupe folklorike

Grupe të ndryshme foklorike u ngjitën në skenën e festivalit të traditës “Divani Lunxhot”, që u zhvillua në fshatin Dhoksat, një nga 100 fshatrat e përzgjedhur si destinacione turistike. Eventi artistik nuk e ndali zhvillimin e tij as në vitet e situatës pandemike, transmeton KultPlus.

Për organizatorët dhe pjesëmarrësit e eventit të rëndësishëm festa e kthyer tashmë në traditë, ndonëse ka mungesa në organizim kushtëzuar nga situata, ka rëndësi për të mbajtur të gjallë këtë festival që synon ruajtjen e traditës dhe promovimin e turizmit nëpërmjet kulturës dhe trashëgimisë edhe në kohë pandemie.

Festa e kthyer tashmë në traditë, ka risjellë në skenë shumë motive, këngë e koreografi të vjetra të grumbulluara me kujdes prej fokloristëve. Edicioni i 7-të i Divanit Lunxhot me larminë e veshjeve, risolli në vëmendje ruajtjen e kostumeve tradicionale dhe përcjelljen e teknikave të qepjes së tyre.

Në skenën e festivalit u ngjitën 7 grupe nga zona të ndryshme të Shqipërisë. “Divani Lunxhot” është i vetmi organizim i shpalosjes së traditës që zhvillohet jashtë zonave urbane, në një prej fshatrave me folklor të pasur dhe më me traditë të Lunxhërisë, sic është Dhoksati. /balkanweb/ KultPlus.com

Umberto Eco: Pse hoqa dorë nga të bërit foto kur udhëtoj ?!

Nga Umberto Eco

Pak kohë më parë, ndërsa po flisja para Akademisë së Spanjës në Romë, një zonjë duke ujdisur telekamerën ma përplasi në fytyrë një dritë verbuese e s’po më linte të lexoja dot shënimet. Iu ktheva shumë i lënduar, sikurse më ka ndodhur edhe me fotografë të tjerë të pasjellshëm, duke i thënë se rregullat e ndarjes së punëve na mësojnë se kur unë jam duke punuar të tjerët duhet ta lënë punën.

Dhe zonja e fiku telekamerën, por mori pamjen e njeriut që i bien më qafë kot. Në San Leo, bash javën që shkoi, ndërsa po shpallej një nismë shumë e bukur e komunës për rivlerësimin e peizazheve të vendit në pikturat e Piero della Franceskës, tre veta po më verbonin me flash-et e tyre, ndaj m’u desh t’u kujtoja rregullat e edukatës së mirë. Dukej se në të dy rastet verbuesit nuk ishin tipa nga ata që futen në “Big Brother”, por, me gjasë, njerëz të mësuar dhe që vijnë me dëshirë në veprimtari të tilla për të ndjekur diskutime në një fushë të dijes.

Gjithsesi, është e qartë se sindroma e syrit elektronik i uli ata nën nivelin që mbase aspironin ngaqë, praktikisht të çinteresuar për çka po thuhej, donin vetëm ta regjistronin ngjarjen, qoftë edhe për ta vënë pastaj në YouTube. Nuk donin të kuptonin për çfarë po flitej, ngase atë që mund ta kishin rrokur përmes shqisave, mëtonin vetëm ta ruanin në kujtesën e telefonit celular. Gjithëprania e syrit mekanik në vend të trurit më ngjan se ka ndryshuar mendërisht edhe njerëz përndryshe të qytetëruar.

Nga veprimtaria ku qëllon të marrin pjesë, ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç’u tha e se ç’u bë (dhe do t’i kisha mirëkuptuar nëse do të isha ndonjë kërcimtar nudist). Sikundër e marr me mend, teksa i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç’mundën të shohin një ditë më parë. Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë.

Prandaj e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje. Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët sesa për vete, blija kartolina shumë të mira. Dikur, isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmendjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve. Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte pasur edhe gruan me vete. Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë).

I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndarë mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë vdekjes. Dhe përballë dhimbjes, dëshpërimit. Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët? Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t’u treguar miqve se unë isha aty, pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të “schadenfreude”, ndryshe, të gazit që ndien nga gjëma e tjetrit.

Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s’do më bënte më përshtypje. Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje, edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh s’më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndiej në shpirt dhimbjen e tjetrit. Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t’u ndjerë të rritur. Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë. / KultPlus.com

Gjashtë filmat shqiptarë më të mirë për fëmijë

Kinematografia shqiptare numëron qindra filma të cilët lanë gjurmë të mëdha në artin skenik, filma këta që do të mbesin gjatë në kujtesën e historisë së atit shqiptar, shkruan KultPlus.

Në vijim, KultPlus ju sjell disa nga filmat shqiptarë që konsiderohen të jenë më të mirët për fëmijë.

“Beni ecën vetë” – Është historia e djalit të vogël, që nga Korça, shkon te xhaxhai i tij në fshat dhe aty mëson të bëhet një fëmijë i pavarur.

“Tomka dhe shokët e tij” – Është historia e djemve që luftojnë për të shpëtuar fushën e tyre të lojës nga armiqtë që kishin pushtuar dhe zaptuar vendin.

“Shoku ynë Tili” – Është historia e nxënësit që nuk bindej të mësonte, por që me një klasë të bashkuar dhe një mësuese të përkushtuar arriti të bëhet edhe nxënës i mirë.

“Mimoza Llastica” – Është historia e llasticës, që kishte konflikte me bashkëmoshataret, sepse ishte përkëdhelur më shumë se ç`duhet dhe në fund arrin të integrohet me shoqet e saj.

“Një vonesë e vogël” – Është e gjithë aventura e disa fëmijëve të vegjël që dalin në mëngjes nga shtëpia për të shkuar në shtëpinë e mësuese për 7 Mars dhe vetëm në darkë arrijnë ta gjejnë, pasi humbasin adresën.

“Taulanti kërkon një motër” – Është drama e një djali të vogël, i cili kërkon dëshpërimisht të ketë një motër të vogël dhe në fund, dëshira e tij do të realizohet. / KultPlus.com

63 vjet nga lindja e ikonës së muzikës pop, Michael Jackson

Michael Joseph Jackson, lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana.

Ai ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, valltar amerikan.

I pagëzuar si Mbreti i Popit, apo siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, King of Pop, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Kontributet e Jackson në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë një figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Michael Joseph Jackson vdiq më 25 qershor 2009 në Los Anxhelos, Kaliforni./ KultPlus.com

Paralajmërohet aplikimi i dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, paralajmëron aplikimin e dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit, në rast se paraqitet nevoja.

Kështu ka bërë të ditur Vitia permes një paraqitje për media, teksa shton se ky virus do të na shoqërojë për një kohë të gjatë, transmeton KultPlus.

“Kemi parë se në disa vende përkundër vaksinimt masiv të qytetarëve, efekti mbrojtës i vaksinave duket se është diku 7-8 muaj, kështu që tashmë si qeveri jemi bërë gati për të negociuar dhe siguruar edhe dozën e tretë që ta kemi me kohë të gatshme nëse paraqitet nevoja”, është shprehur ai ndër të tjera.

Situata në vendin tonë me koronavirusin është shumë e rëndë, në 24 orët e fundit si pasojë e COVID-19 kanë vdekur 18 persona, ndërsa rreth 2 mijë qytetarë kanë rezultuar pozitiv. Siptalet janë stërmbushur me pacientë që po trajtohen nga ky virus, ndërsa bëhet fjalë për mbi 25 mijë raste aktive në vend. / KultPlus.com

“Nuk e di ku merr guximin që sërish të kthehesh tek unë” (VIDEO)

Elita 5 është pa asnjë dyshim grupi më emblematik i muzikës në Kosovë, veçmas rreth viteve 90-ta, shkruan KultPlus.

Elita 5 ka realizuar një mori këngësh, të cilat edhe sot e asaj dite vazhdojnë të mbesin shumë të kërkuara.

“Ti e vrave dashurinë”, është një nga hitet e viteve të 90-ta qe ky grup kishte lansuar në treg.

KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“Me kot ti kerkon meshiren
Dhe pse vishesh me te bardha
Shpirti yt noton n’shkretire
Nuk je prape ajo e para.
Shpirti yt noton n’shkretire
Nuk je prape ajo e para

Tash vjen edhe ti me lutesh
Kerkon falje hic pa turp
Nuk e di ku merr guximin
Qe serisht te kthehesh tek une

(refren)
Se ti e vrave dashurine
Edhe shkove pas nje horrit
Paqe mes nesh s’mund te shtijne
As ushtaret e UNPROFOR-it
(x 2)

Se ti ndenjat tua i nxorre
mall pa vlere ne treg te zi
dashuria humb kuptimin
kur hyjne zemrat ne llogari

Jo, jo nuk po t’i dua,
lot’ e rende t’i shoh ne sy,
se ka vajza plot Tetova
e nuk mbahet veç me ty”

Muzeu nënujor pritet të hapet në Afrikë

Muzeu nënujor pritet të hapet në kontinentin afrikan, më saktësisht në brigjet e Kenisë.

Kjo është raportuar nga revista e Afrikës së Jugut “The Continent”. Në përputhje me rrethanat, turistët së shpejti do të kenë mundësi të eksplorojnë një numër të madh të anijeve historike.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës në fund të detit, janë anijet gati 600-vjeçare që u mbytën gjatë rrugës nga Kina e lashtë, shkruan Deutschlandfunk.

Anijet e zhytura të dinastisë “Ming” u zbuluan nga arkeologët kinezë dhe kenianë, sipas raportit.

Muzeu nënujor do të shtrihet mbi një vijë bregdetare prej 137 kilometrash në Keninë veriore. Përveç anijeve kineze, zhytësit gjithashtu mund të eksplorojnë anijet portugeze dhe arabe, si dhe anije të fundosura që mbështetën tregtinë e skllevërve. / KultPlus.com

Të jetosh mbi re kushton 170 milionë dollarë

Nëse doni të flini mbi re, dhe të jetoni në një prej apartamenteve më spektakolarë në botë, bëni gati 170 milionë dollarë. Papafingo magjike ndodhet në katin e fundit, të 96-in të një godine 426 metra të lartë në Manhatan.

Banesa, me një sipërfaqe totale prej 743 metrash katrorë, del për herë të parë në shitje prej pesë vitesh dhe për herë të parë publikisht. Brenda saj, orenditë janë të firmave luksoze si Louis Vuitton, Hermes dhe Bentley.

Pronari i saj është manjati saudit i pasurive të patundshme, Fawaz Al Hokair, i cili e ka blerë apartamentin në vitin 2016, për 88 milionë dollarë, për ta shitur tashmë për gati dyfishin e vlerës, sipas një raportimi të “Wall Street Journal”.

Apartamenti gjigant ka 6 dhoma dhe 7 tualete, një tavolinë ngrënieje oniksi për 12 persona, një piano mondane dhe një fasadë madhështore që sheh nga “Central Park”. Gjithashtu ka një bibliotekë private, një oxhak dhe një dhomë gjumi me mermer. Dyshemetë e tualeteve janë me ngrohje, ndërsa kuzhina e mbushur me elektroshtëpiake të fjalës së fundit të teknologjisë.

Godina ku ndodhet edhe papafingo quhet Park Avenue dhe është ndërtuar nga “Macklowe Properties” dhe “CIM Group”, me arkitekturën e Rafael Vinoly. Kur përfundoi në vitin 2015, shumë njujorkezë e kritikuan pasi thanë që stononte me panoramën e qytetit. / KultPlus.com

Duke pritur diellin (VIDEO)

Nga Jim Morrison

Kur për herë të parë vezulloi Kopshti i Edenit
ne u dyndëm poshtë në det.

Kemi qëndruar atje në atë bregdet të lirisë
gjithçka kemi bërë është pritja e diellit
po, kemi qëndruar duke pritur diellin

A nuk mund ta ndjesh tani
që pranvera iku e shkoi?

E sheh, tani është koha të jetojmë
nën këto rreze dielli
që kudo po shpërndahen

Të qëndrosh duke pritur diellin
kjo është jeta më e çuditshme që e kam njohur
a mund ta ndjesh këtë? 

Shqipëroi: Bujar Meholli / KultPlus.com

Jan. 1, 2011 – JIM MORRISON.© J.B.(Credit Image: © Globe Photos/ZUMAPRESS.com)

‘E keqja lind gjithmonë atje ku dashuria nuk mjafton’

Thëniet e Herman Hesses janë një ftesë për të reflektuar mbi jetën dhe kërkimin e identitetit, një dhuratë për këdo që dëshiron të thellojë vetveten, të pyesë veten dhe të zbulojë vetveten. Një trashëgimi me thellësi të madhe psikologjike dhe shpirtërore që meriton të lexohet.

Ç’mund t’ju them që mund t’ju vlejë, përveçse mund të jeni duke kërkuar diçka me aq këmbëngulje, sa nuk mund të gjeni asgjë?

Ka miliona anë të së vërtetës, por vetëm një të vërtetë.

Si trup jemi të gjithë beqarë, si shpirt askush nuk është.

Zogu lufton derisa del nga veza. Veza është bota juaj. Çdo qenie e gjallë duhet të përpiqet të shkatërrojë botën.

Feja, ashtu si arsyeja, nuk kalon përmes arsyes.

Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet një mjeran i shkretë.

Përjetësia është vetëm një moment, i gjatë mjaftueshëm për t’u tallur me të.

Kur urrejmë dikë, në imazhin e tij urrejmë diçka që kemi në brendësinë tonë.

Lumturia është dashuri, asgjë tjetër. I lumtur është ai që di të dashurojë.

Lotët janë shkrirja e akullit të zemrës. Atij që qan, të gjithë engjëjt i rrinë pranë.

Mund të shkruash libra me psikologji, por jo të depërtosh në zemrën e njeriut.

Nuk ekziston një ëndërr e përhershme. Çdo ëndërr ia lë vendin një ëndrre të re dhe s’është nevoja të frenoni asnjërën prej tyre.

E keqja lind gjithmonë atje ku dashuria nuk mjafton.

Jo rrallëherë u hamë kohën miqve, për t’ua kushtuar atë armiqve tanë. / KultPlus.com

Spiro Dine, mbledhës i folklorit shqiptar

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, duke ndihmuar organizimin dhe bashkërendimin e veprimtarive të shqiptarëve të Misirit. 

Në vitin 1866, shkoi në Egjipt (në Misir), me nxitjen e Th. Mitkos dhe iu vu punës për mbledhjes e lëndës folklorike. Më 1908 ai botoi në Sofje veprën “Valët e detit”, ku përveç materialeve folklorike përmblodhi edhe krijimet poetike të veta e të disa atdhetarëve të tjerë.

Vepra përfshin një lëndë të gjerë dhe është ndër botimet më të rëndësishme folklorike të Rilindjes. Spiro Dine vdiq në Misir.

Vepra është shumë e rrallë, botim i vitit 1908. Në të janë përmbledhje nga këngët folklorike që Spiro Dine ka grumbulluar. 

Lidhja e librit është e mirë (pavarësisht nga koha e gjatë e kaluar). Faqet e librit janë të zverdhura për shkak të kohës së kaluar.

Spiro Dine është ndër të paktët krijues shqiptarë që përdori penën, lapsin dhe bllokun e shënimeve të tij për të grumbulluar traditën folklorike shqiptare dhe për ta lënë atë si një shportë poetike për brezat.

“Valët e detit”(1908) është një dëshmi për këtë. Por mjafton vetëm vjersha “Mendiake” të zbulohet kjo dhe të analizohet paksa ndryshe krijimtaria e Dines. 

Vjersha “Mendiake” është e shkëputur nga “Valët e detit” dhe ka qenë e ribotuar te Kalendari i Botës në vitin 1939, në faqen 70-të. Kjo vjershë e botuar në këtë kalendar të shtypur në shtypshkronjën e gazetës “Bota”,  Massachusetts Avenue, Boston, Mass edhe pse duket se është një simbolikë e punës folklor-mbledhëse të Dines, ka vlera të tjera të pazbuluara më parë. 

Është një poezi që dominohet nga një vargëzim tipik i kohës kur ajo u botua në Sofje. Por ajo që vetë Dine shpjegon çon paksa dritë në këtë tematikë që duam të trajtojmë. 

Në parathënien e veprës së tij “Valët e Detit”, të botuar në Sofje, Bullgari më 1908, folkloristi Spiro Dine shpjegon mënyrën se si mblidhte folklorin nga shqiptarët: “… kudo që gjenja shqiptar do t’i ngarkohesha dhe do t’i lutesha të më thoshin sa që dinte. Por edhe për fat të mirë atë kohë, ndodheshin dhe shqiptarë shumë n’Egjypt, nga do të shkonje do të piqnje shqiptarë. Karakollët e Kairos qenë plotë gegë e toskë. Këngët e vallet nuk rreshtnin”. 

E njëjta situatë sa më sipër gjendet edhe te copa letrare “Kënga”, e shkruar nga Lumo Skëndo në Stamboll më 20.10.1910: 

“… Meçi, me gjithë të dyzetat e shkuara dhe të pesëdhjetat e afëruara, po mirrte këngën: të tjerët me radhë si cilido pas zërit që kish, po e priste , dhe kështu këng’ e Labërisë po gumëzhinte në këtë dyqan të vogël në mes të të madhit Stamboll”.

Vjersha në fjalë e Dines është një kompleks proverbial në plan të parë. Por në aspektin strukturor ajo është një poezi model e pas viteve 1900, kur folklori ishte një realitet ushqyes për tematikën poetike. Nga ana tjetër kemi një mrekulli grupfjalësh që prodhojnë alegori, filozofi dhe përcjellin kuptimin shpotitës te lexuesi në mënyra të dukshme e të padukshme. 

Në kuptimin kompleks të saj fjala e vjershës së Dines është një element më vete. Themi se është një element më vete, pasi në çdo detaj ajo plotëson një shumëkuptimësi të larmishme, që e bën atë të lexohet këndshëm në shumë kultura. Kjo ka bërë që ajo edhe sot të ketë një dimension logjik dhe tepër transparent.

Bazuar në folklorin shqiptar, poezia e Dines lexohet ndryshe në fakt nga ajo që kjo poezi strukturon për të ndërtuar një poezi mesazh-dhënëse. 

Më tutje në insinuata alegorike ajo ngjan me alegorinë e zonës së Luznisë në Dibër, ku fjala shpreh kuptimin e shprehur në lidhje me situatën apo veprimin që dhe ku referohet ajo. Këtu karakteret sillen si një figurë alegorike që nën veshjen metaforike dhe epitetet e shumta shihet edhe leximi i tyre nga njerëz të ‘kualifikuar’ për t’i lexuar ata në fakt. 

Themi kështu pasi që në fillim nënkuptimi figurativ i ‘lisit’ është një ndërlidhje filozofike më vete, po aq edhe një shpoti ‘dritëhije’ (chioroscouro) që forcon tempin proverbial. 

Sipas W. Eberhard dhe Pertev N. Boratov në “Revistën e Folklorit Amerikan”, kjo fortësi e tempit proverbial është një lidhje që vjen nga tradita e poezisë në vitet 1908 dhe para tij. 

Sipas këtyre studiuesve e gjithë krijimtaria poetike që fillonte nga Turqia e që përfshinte gjithë Lindjen dhe mesin e Europës frymëzohej dhe ushqehej nga folklori dhe krijimtaria folklorike. Në fakt ata në kritikën dhe kërkimin e tyre zbuluan se poezia kishte ndikime kulturash mbi të, po aq sa edhe ndikime strukturore. 

Poezia e Dines shihet në këtë ndriçim teorik në fakt si një poezi e ndikuar strukturalisht nga vala e poezisë së asaj kohe, por në aspektin folklorik ajo ngjan paksa e papërlyer, për vetë faktin se Dine përdori intuitën e tij të veçantë që të mbante shënime për folklorin e mbrujtur nga shqiptarët e emigruar apo të gjendur në mjedise ku ndodhej Dine vetë. 

Këtë traditë e kanë përdorur më parë në të njëjtën kohë që autori krijoi “Valët e detit” edhe mjaft autorë turq si A. Golpinarh, Izalhi Halk Siiri dhe Pir Sultan Abdal, të tre të mirënjohur në atë kohë si grumbullues folklori dhe poetë me emër të asaj periudhe. 

Në atë kohë në kulturën poetike bullgare dominimi i poezisë turke ishte i ndjeshëm, po aq sa ishte e ndjeshme edhe ana komplekse strukturore që sigurohej nga shkolla me afërsi dhe bashkëpunim me njëra-tjetrën. Bazuar në këtë bashkëpunim dihet fakti që shumë poetë dhe novelistë i bazuan krijimet e tyre te folklori. 

Pas revolucionit të vitit 1908 në Turqi, ku krijimtaria u ndikua nga elementët nacionalistë, pati një shkëputje në këtë bashkëpunim. Është e rëndësishme të theksohet se Thimi Mitko dhe Spiro Dine, në këtë periudhë mërguan në Egjipt, ku mblodhën këngë folklorike nga bashkësitë shqiptare që banonin atje. / cbc.al / KultPlus.com

Kur Ali Podrimja vajtonte vdekjen e Anton Çettës

Vaji për të zonë

Anton Çettës

Mungon kodi
Shiriti i zi rreth Ylberit
Muri mungon në mes teje e Ujkut të Çalë

Për asgjë e kurrkushët
monedhë e shpuar Atdheu

Mungon liria jote
Udha e motshme e komitëve
Vrapi i atit të Gjergjelezalisë
Në hapësirën nevrike

Nëpër fjalë ngatërron Vdekja
se në pazar doli Atdheu

As për pesë para burrëria
Majë gishtërinjve
kush i pari ngritet 
të nëntëdhjetëenëntat i bën

Në mes gurëve të gjarpërinjëve
trupin Atdheut ia ha litari

a e qitën në dyzen, po pikën Kullës
Në besë e pren Mjeshtrin

Zogut magjik nga mugëtirat e dheut e fjalëve
ia mbledhim puplat
nën frëngji të përgjumura

Për të zonë
se ç’vajton kënga o i madhi Zot.

Ulpianë, shtator, 1997 / KultPlus.com

Gazeta zvicerane shkruan në shqip: Ju lutem vaksinohuni!

Gazeta e njohur zvicerane “Blick” në faqen e saj të parë në gazetën e shtypur shkroi edhe disa fjalë shqip.

Arsyeja është thirrja për vaksinimin e komunitetit shqiptar që jeton në Zvicër, për të cilin po raporton se ndikoi në rritjen e numrit të infeksioneve me COVID-19. “Ju lutem vaksinohuni!”, iu drejtua gazeta shqiptarëve.
Numri i pacientëve të shtrirë në spital në Zvicër është rritur me shpejtësi kohëve të fundit, sipas Patrick Mathys, menaxher i krizave në Zyrën Federale të Shëndetit Publik.

Në një konferencë për media ai ka thënë se numri i pacientëve më koronavirus në spital ishte 30 herë më shumë që nga korriku. Sipas statistikave, të mërkurën mbi 26 përqind e të gjithë shtretërve të kujdesit intensiv ishin zënë nga pacientët me COVID-19, të cilët janë dukshëm më të rinj në moshë krahasuar me valën e parë.
Spitalet janë të shqetësuar sidomos për udhëtarët që po kthehen nga pushimet. Javën e kaluar, zëdhënësi i spitalit të kantonit St. Gallen tha për Blick se shumica e pacientëve nuk janë të vaksinuar dhe janë të kthyer nga pushimet.

Sipas statistikave, më shumë se një e treta e të shtruarve në spital kanë treguar se për pushime kanë qëndruar në një vend të Europës Juglindore në kohën kur e kanë marrë infeksionin, kryesisht në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut.

Lars Haefner, kryetar i Shoqatës Zvicër-Shqipëri, nuk është shumë i befasuar për këtë.

“Numri i infeksioneve është shumë më i madh në Kosovë, për shembull. Fatkeqësisht, rregullat e higjienës dhe distancës nuk respektohen rreptësisht atje”, ka thënë ai për Blick.

Gazeta zvicerane duke cituar të dhënat e OBSH-së thotë se në vendet ballkanike përqindja e të vaksinuarve është shumë më e ulët dhe se mungon gatishmëria nga qytetarët.

Sipas Haefner, shqiptarët derisa ishin në pushime nuk lexuan mediat e Zvicrës dhe e patën të vështirë të dinin për procesin e vaksinimit në Zvicër. Ai gjithashtu tha se shtypi shqiptar bën thirrje për vaksinim, por zor që ndihmon në ata të Zvicrës. / KultPlus.com

Kur “Shejzat” botohej për herë të parë në Romë më 1957-ën

Revista albanologjike “Shejzat” u botua për herë të parë në vitin 1957 dhe u themelua nga Ernest Koliqi.

Periodiku “Shejzat” u botua në Romë nga një grup mërgimtarësh shqiptarë me njohuri të gjëra në letërsi, gjuhë e histori, numri i fundit i së cilës u botua në vitin 1978.

Kjo revistë për 21 vite me radhë la një trashëgimi të vyer kulturore dhe artistike. Ende sot, studiues dhe albanologë i japin sërish zë këtij botimi, duke ecur në të njëjtat gjurmë. Në vitin e dytë të botimit, numri 11-12, në këtë revistë gjenden shkrime me përmbajtje gjuhësore, letrare dhe kulturore. / KultPlus.com