Dafina Zeqiri ka kohë që ka paralajmëruar albumin e ri “Dafinë moj” që pritet të publikohet së shpejti.
Por, Dafina ka shuar kureshtjen e fansave duke lansuar një këngë të re nga ky album.
Këngëtarja ka publikuar këngën “Karma”, e cila u lansuar fillimisht në platformën Spotify, ndërsa është realizuar edhe me videoklip që pritet të vijë së shpejti.
Përmes disa fotografive në Instagram, ku Dafina shihet pranë të dashurit DJ Geek, ka njoftuar se kënga tashmë është publikuar.
“Psst… kënga ime e re Karma është publikuar…tregoi mikut”, ka shkruar Dafina në mbishkrimin e postimit.
Albumi “Dafinë moj” mund të para-porositet, dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e tij do të dhurohen për Shoqatën e Autizimt të Kosovës. / KultPlus.com
Pas 16 vjetëve në krye të Gjermanisë, Kancelarja Angela Merkel edhe pak ditë pritet që të largohet nga pushteti. Një kompani lokale e ëmbëlsirave po shpreson që ta ëmbëlsojë largimin e saj me një specialitet të veçantë për përkrahësit e saj.
“Është dhuratë për përkrahësit ose kundërshtarët e Angela Merkelit, e cila do të tërhiqet dhe e cila e ka përfunduar shërbimin e saj. Ne shpresojmë që ndokush do ta vendos këtë kujtim ndokund në shtëpi”, tha Thomas Zuber, menaxher i kompanisë “Odenwaelder Marzipan” në Bavari.
“I kemi përgatitur që të qëndrojnë dy vjet, prandaj njerëzit mund t’ia zgjasin kohën Merkelit edhe për dy vjet” shtoi Zuber duke qeshur, transmeton KultPlus.
Foto: Reuters
Kompania ka funksionuar që katër dekada dhe përderisa biznesi familjar ka makineri për prodhim masiv të ëmbëlsirave, udhëheqësit e saj e kanë ruajtur traditën edhe për përgatitjen e disa specialiteteve me dorë.
Ideja për prodhimin e ëmbëlsirës në formën e fytyrës së Merkelit erdhi disa muaj më parë dhe tashmë stafi me 8 persona po punon për kompletimin e linjës së ëmbëlsirave, shkruan Reuters. / KultPlus.com
Viti i kaluar duket sikur erdhi vetëm për të marrë artistët më të mirë që kishim. Më 15 shtator 2020, pikërisht sot para një viti, Iku edhe Adem Mikullovci. Iku për t’u përjetësuar gjithmonë përmes veprave që la pas vetes, vepra këto që filluan qysh në kohët më të vështira për popullin e Kosovës e vazhduan deri sot e kësaj dite, e ndoshta disa prej tyre akoma gjejnë vend në aktualitetin e shoqërisë së sotme kosovare, shkruan KultPlus.
Adem Mikullovci ka qenë një artist i popullit, i cili parreshtur ka punuar për popullin e Kosovës. Arti i tij nuk ka qenë vetëm një satisfaksion individual, ai ka punuar vazhdimisht duke shfrytëzuar artin e tij për të hedhur dritë mbi të këqijat që janë pjesë e këtij vendi, ka realizuar seriale e filma që kanë ardhur si një formë revolte e kundërshtimi për mendësinë e popullit tonë. Arti i tij gjithmonë ka përçuar mesazhe të fuqishme.
‘Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….Teatri i jonë Leze-u mbyll’, ishin këto fjalët që qarkulluan më së shumti në rrjetet sociale. Këto fjalë të shkruara aq thjeshtë por që aq shumë e përshkruajtën dhimbjen e madhe që Adem Mikullovci pati me vdekjen e Leze Qenës, duke u mbyllur kështu një epokë e artë e artit teatral. Mirëpo, e vërteta nuk qëndron kështu sepse arti i tillë është, jeton e përjetësohet me shekuj e shekuj, duke i dhënë frymë secilit artist edhe pas vdekjes.
Teatri i Ademit, i Lezes, i Xhevatit, Shanisë e shumë të tjerëve, nuk u mbyll, ai veçsa ka marrur një formë tjetër, duke emëruar vetveten si Epoka e Artë e Teatrit të Kosovës.
Adem Mikullovci bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor i Kosovës( tashmë Teatrit Kombëtar i Kosovës ). Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd në vitin 1968 kthehet në Prishtinë dhe fillon punën në teatër. Prej atij viti (1968) e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci bëri një karierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore. Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”,”Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie(nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj. Mikullovci gjithashtu ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si: “Pas vdekjës”(Çajupi), “Mosha e bardhë”(D.Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit”(dramatizim i veprës së autorit Q.Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia Adem mikullofci vdiq Më “Shtrati”, stend up komedia “Përgjuesi” etj.
“Kësi soji e kalova rrugën e jetës time. E kalova rrugën e jetës time dhe erdha te fundi. Dhe kur ndalem dhe shikoj rrugën që kam kaluar, e shoh një rrugë plotë gropa, plotë hendeqe, baltë, lloqkovinë, breshër, shi, aty këtu ndonjë lule që ka çelë në jetën time. Ndonjë lule e dobët, që pika e parë e shiut që i ka ra e ka plandosë për tokë. Për mu jeta ka qenë, s’po ankohem, por po mundohem ta flas të vërtetën, shumë shuplaka. Dhe jeta e çdo njeriu është më tepër shuplaka se sa puthje”, ishte shprehur njëherë Mikullovci në një intervistë për Oral History Kosovo.
Kishte ardhur koha kur ai duhet të vendoste për fushën e studimeve. Familjarët propozonin drejtime të ndryshme, ndërkaq ai do të bëhej aktor, krejt ndryshe nga pritshmëritë e tyre.
“Im at thoshte, “Avokat, avokat le të bëhet thiu se i bluan goja si gjakalla e mullinit edhe dynjenë do ta bëj kahre”. Ndërsa nana ime e ndjerë thoshte, “Doktor, doktor. Është hall ligë e ndoshta ia gjenë ilaçin vetit”. Bile, bile, e kom këta të sigurt, pastruesi, lustruesi i këpucëve që ishte në mahallën tonë edhe ai u përzi në këtë muhabet çka me studiu unë”, tregonte studiuesi i teatrit dhe filmit.
Ai kishte dorëzuar dokumentet e tij në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd dhe pasi që s’e kishte kaluar provimin, i kishte dorëzuar ato në Akademinë për teatër dhe film. Ndërkaq, përgjatë kësaj kohe e kishte ndihmuar ai që më vonë do të bëhej kolegu i tij, Bekim Fehmiu.
“Vjen me lypë e më gjenë mu. Dolëm me një kafe, më qiti në sitë e në shoshë, “Pse po du mu bo aktor…” I thashë, “Nuk e di”. Tha Bekimi, “Shumë mirë, se edhe unë nuk e di pse jam bërë aktor”, rrëfente tutje Mikullovci për bisedën me Bekim Fehmiun, përcjellë KultPlus.
Guximi i Adem Mikullovcit në miratimin e Deklaratës Kushtetuese të vitit 1990
Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.
E mes shumë delegatëve që morën pjesë në miratimin e Deklaratës Kushtetuese, ishte edhe Adem Mikullovci.
KultPlus ju sjell videon e fjalimit të Adem Mikullovcit ku shihet në foltore në këtë ditë të rëndësishme të historisë së Kosovës. Video është marë nga faqja zyrtare e Adem Mikullovcit, e që është xhirim i RTP-së së atëhershme.
Përpos filmave që e bënë atë shumë të njohur, ai goditi thellë në shoqërinë tonë të atëhershme me dy serialet e famshme: ‘Mahmutovitë dhe Rexhepovitë’ si dhe me ‘Katundarë e sheherli’
Mahmutovitët dhe Rexhepovitët janë dy familje të njohura në krahinën “Llap e Gollak”. Këto dy familje të mëdha janë të njohura si trima, të fortë, bujarë e Belagji! Këto dy familje, Mahmutovitët dhe Rexhepovitët, ka shekuj që janë në hasmëri, edhe pse kurrë nuk janë vrarë mes vete.
Mesazhi i gjith këtij seriali është që Shqiptarët të mos vriten mes vete, siq thot the vet Adem Mikullovci i cili thot kshtu: “Mahmutovitë dhe Rexhepovitë ka gjithkund, në secilin lagje, në secilin fshat, në secilin qytet etj,”.
Një serial ky që luftonte hasmërinë, përçarjen e familjeve kosovare mes vete.
Po këtë mesazh përçonte edhe ‘Katundarë e Sheherli’, që trajtonte jetën e dy familjeve komshinj, njëra nga fshati dhe tjetra nga qyteti i Prishtinës. Mosmarrëveshjet e problemet që lindnin nga mendësia e atëhershme dhe situata komike e bënë këtë serial shumë të pëlqyeshëm për publikun. E nuk kishte si të mos përçonte mesazhe të fuqishme edhe ky serial, i realizuar dhe i menduar aq mirë saqë sikur shumica e realizimeve të Mikullovcit, me shuë gjasë edhe ky serial do të zinte vend edhe në aktualitetin e sotëm.
Ndër filmat më të fuqishëm për nga përmbajtja dhe tema që trajtonte, është filmi ‘Një pallto për babain tim në burg’, i realizuar nën regjinë e Mikullovcit. Ky film, më mirë se çdo gjë tjetër, shpalos tmerrin që shqiptarët përjetuan nga regjimi serb. Filmi është realizuar në vitet e 90′ në mënyrë të fshehur. Ky film ka përcjellur shumë gjenerata, e shumë të tjerë e përjetojnë në mënyra të ndryshme pasiqë erdhi në një kohë të vështirë për kosovarët. Një film ky që do të lë gjurmë të mëdha në konematografinë kosovare.
Adem Mikullovci ishte më shumë se artist, ishte frymëzim për gjithësecilin. Në kohët më të vështira për Kosovën, ai ishte afër popullit të tij. Ademi iku për në botën tjetër, mori pas vetes dashurinë e madhe të publikut, por la shumë më shumë, la veprën e tij të pavdekshme. / KultPlus.com
Lejojini me shkue njerëzit që nuk janë gati me ju dashtë. Kjo asht ndër gjanat ma të vështira që të duhet me e ba në jetë por do të jetë edhe ma e randësishmja. Hiqni dorë nga bisedat e vështira me njerëz që nuk duen me ndryshu.
Mos ja dedikoni praninë tuej njerëzve që nuk ju intereson aspak. E kuptoj që instinkti juej asht me ba gjithçka për ata që ju rrethojnë, por asht një impuls që të vjedh kohën , energjinë, shndetin mendor dhe fizik.
Kur fillon me luftue për një jetë me gëzim, interes dhe përkushtim, jo të gjithë janë gati me të ndjekë, në këtë vend. Kjo nuk don me thanë që duhet me e ndryshu atë që je, don me thanë që duhet me i lanë me shkue njerëzit që nuk janë gati me të shoqnu.
Në qoftë se je i fshimë, i fyem, i harruem ose i injoruem prej njerëzve që ju jep kohën tande, nuk ju ban nder tuj vazhdu me ofru energjinë e jetën tande. E vërteta asht se nuk je i gatuem për të gjithë e jo të gjithë janë për ty.
Kjo asht ajo që e ban kaq të veçantë kur takon njerëz me të cilët ke shoqni ose dashuni reciproke. Ke me e kuptu sa çmueme asht sepse e ke provu çka nuk asht.
Sa ma shumë kohë kalon tuj u përpjekë me ba me ju dashtë dikë që nuk asht në gjendje, aq ma shumë kohë humbë tuj privu vedin prej mundësisë më pasë një lidhje të tillë me dikë tjetër.
Gjenden miliarda njerëz në këtë planet e shumica prej tyne kanë më qëllu në nivelin e interesit dhe impenjimit tand.
Sa ma shumë qëndron i përfshim me njerëz që të përdorin si jastëk, një opsion i dorës së dytë, ose terapist për shërime emocionale , ma shumë kohë i largohesh komunitetit që dëshiron.
Ndoshta nëse ndalon së shfaqunit, nuk të kërkojnë. Nëse ndalon së provuemi lidhja përfundon. Ndoshta nëse ndalon së dërguemi mesazhe, telefoni jot ka me mbetë i heshtun për javë të tana.
Kjo nuk don me thanë që ke shkatërru një lidhje, don me thanë që e vetmja gja që ke pasë ishte energjia që ke dhanë me e mbajtë atë lidhje.
Kjo nuk asht dashuni asht ngjitje. Asht me i dhanë një mundësi kujt nuk e meriton.
Ti meriton shumë, ka njerëz që nuk duhet të jenë në jetën tande, ke me e kuptu vetë.
Gjaja ma e çmueshme që ke në jetën tande asht koha dhe energjia, mbasi të dyja janë të kufizume. Kur jep kohën dhe energjinë tande, përcakton ekzistencën tande. Kur e vëren, fillon me e kuptu pse je kaq i shqetësum, kur kalon kohë me njerëz, në aktivitete , vende ose situata që nuk të vijnë për shtat dhe nuk duhet me të ndejtë pranë, të vidhet energjia.
Fillon me e kuptu se gjaja ma e randësishme që mundesh me ba për vedi dhe për të gjithë ata që të rrethojnë asht me mbrojtë energjinë ma ashpërsisht se gjithçka tjetër.
Bane jetën tande një strehë të sigurtë në të cilën lejohen vetëm njerëzit që janë të adaptueshëm me ty.
Nuk je përgjegjës me shpëtu askënd. Nuk je përgjegjës më i bindë me u përmirësu. Nuk asht detyrë e jotja me ekzistu për njerëzit dhe me ju dhanë jetë atyne.
Sepse nëse ndjehesh keq, nëse ndjehesh i detyruem, ke me qenë ti vetë rranja e të gjitha problemeve tueja për kamnguljen tande, tuj pasë frikë se nuk kanë më ti kthye nderet që ke ba.
Asht detyra jote e vetme me e kuptue se je Zot i fatit tand dhe me pranue dashuninë që mendon se meriton.
Vendosë që meriton miqësi të vërtetë, përkushtim të vërtetë, dhe dashuni të plotë me njerëz të shndetshëm dhe të begatë. Mandej prit e shih kur gjithçka fillon me ndryshu dhe ka me ndryshu, kjo asht e sigurtë , me njerëz me energji pozitive dhe të mirë, mos humb kohë me njerëz që nuk vlejnë.
Ndryshimi ka më të dhanë dashuninë, vlerësimin lumturinë dhe mbrojtjen që meriton./ KultPlus.com
“Only Murders In The Building” paralajmëron sezonin e dytë pas një debutimi mbresëlënës në platformën Hulu.
Ylli i muzikës pop, Selena Gomez, luan në serialin e bazuar në New York, bashkë me aktorët Martin Short dhe Steve Martin, shkruan DailyMail.
Menjëherë pas njoftimit të martën, këngëtarja e “Lose You To Love Me” tha se ishte e emocionuar që do të kthehej në sheshxhirim.
Gomez ndau në InstaStory lajmin për sezonin e dytë të serialit.
“Pra gati për këtë! Sezoni i dytë”, ka shkruar Selena në postim.
Foto: Hulu
Komedia ishte më e shikuar në Hulu Original në ditën e premierës dhe gjithashtu komedia më e shikuar ndonjëherë në ditën e premierës në të gjithë titujt SVOD në platformë, sipas një njoftimi për shtyp nga Hulu.
Gomez, Martin dhe Short luajnë disa të huaj që jetojnë në një ndërtesë apartamentesh në Upper West Side. Kur ndodh një vrasje në ndërtesë, ata mblidhen së bashku për të provuar ta zgjidhin misterin.
Aktorja dhe këngëtarja 29-vjeçare kohët e fundit tha se ishte interesante të bisedonte me Steve dhe Martin për atë se si ishte Hollywood dikur.
“Ata më bënë menjëherë të ndihem sikur isha pjesë e një tresheje. Ata janë vërtetë më të mirët”, tha aktorja për People./KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar disa foto disa orë nga hapja e dyerve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të rikonstruktuar.
Margariti thotë se lulet në shkallët e Teatrit janë vendosur si homazh për artistët dhe njerëzit që humbën jetën gjatë pandemisë.
Ditën e nesërme në këtë Teatër do të ngjiten në skenë artistë të talentuar shqiptarë e të huaj për të performuar si tenori i famshëm, Plácido Domingo, dhe sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho.
Postimi i plotë:
Dhe pak ore na ndajnë nga hapja e dyerve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit…
Këto lule të bardha vijnë si homazh për artistët dhe njerëzit e dashur që humbëm gjatë pandemisë…/KultPlus.com
“Broadway” do të mirëpresë përsëri dashamirët e shfaqjeve të tij këtë vjeshtë ndërsa teatrot në qytetin e Nju Jorkut do të rihapen me kapacitet të plotë, pavarësisht kërcënimit të vazhdueshëm të përhapjes së COVID-19.
Gjatë 18 muajve të fundit të mbylljes, stenda e biletave T-K-T-S në sheshin Times Square të Nju Jorkut ka qenë bosh, por kjo do të ndryshojë.
“Me vjen shumë mirë që po kthehemi në sheshin “Times Square”. Stenda e biletave në “Times Square” mund të hapet tani dhe kjo është emocionuese”, thotë Victoria Bailey nga Fondi për Zhvillimin e Teatrit.
Sallat e famshme të shfaqjeve në “Broadway” u rihapen zyrtarisht të martën me kapacitet të plotë. Për shumë njerëz, kthimi sinjalizon një ngritje të qytetit dhe fuqinë e arteve për të bashkuar njerëzit, madje edhe në këtë fund të pasigurt të mbylljes më të gjatë në historinë e teatrove në “Broadway”.
“Ajo që është vërtet emocionuese për mua është kthimi i njerëzve në punë, sepse kjo ka qenë e rëndë për njerëzit që sigurojnë jetesën nga shfaqjet artistike”, thotë Victoria Bailey nga Fondi për Zhvillimin e Teatrit.
The Broadway League, një shoqatë tregtare që përfaqëson pronarët dhe producentët e teatrit, shpreson të joshë audiencën me një video me 99 klipe nga 99 shfaqje.
Në faqen e saj në internet ka informacione për shfaqjet dhe shpjegime mbi protokollet e sigurisë.
Spektatorëve do t’u kërkohet të tregojnë provën e vaksinimit kundër Covid-19 dhe të mbajnë maska gjatë shfaqjeve.
“Në prapaskenë janë bërë shumë ndryshime, si përmirësimi ose ndryshimi i sistemeve të ajrit të kondicionuar, instalimi i filtrave të rinj dhe krijimi i shërbimeve të reja pa kontakt. Secila shfaqje do të ketë një menaxher të sigurisë për koronavirusin”, tha për Zërin e Amerikës Charlotte St. Martin nga shoqata The Broadway League.
Misioni i teatrit për të sjellë njerëzit së bashku është ajo që e gëzon producentin e shfaqjes “Mendimet e një njeriu me ngjyrë”,Brian Moreland. Shfaqja e tij do të debutojë këtë sezon.
“Hapja e teatrove në Broadway, në këto komunitete, rikthimi në sallë i spektatorëve nga e gjithë bota, do të jetë brilante”, thotë ai.
Ashtu si shumë interpretues, Luke Naphat kaloi pjesën më të madhe të vitit të kaluar duke punuar nga shtëpia, por ishte optimist për rihapjen e teatrit, kur Zëri i Amerikës foli me të pranverën e kaluar.
“Të gjithë do të kthehen më të fortë se më parë”, tha ai.
Tani, rihapja po ndodh dhe Luke Naphat është shumë i kënaqur që provat për shfaqjen “Corner of Bitter and Sweet” do të bëhen në teatër së bashku me kolegët e tij.
“Të shohësh njerëzit dhe të këndosh nën shoqërinë e një instrumenti është një ndjenjë shumë e veçantë”, thotë ai.
“Ne kemi kaluar shumë trauma si shoqëri. Dhe ne kemi nevojë për shërim. Mendoj se shkuarja në teatër është pjesë e atij procesi shërimi”, thotë Victoria Bailey nga Fondi për Zhvillimin e Teatrit.
Kjo do të ndihet nga shumë njerëz, kur të hapen së shpejti perdet për shfaqjen e parë në “Broadway”./KultPlus.com
Filmi i ardhshëm i platformës Netflix, “Don’t Look Up”, fokusohet në një tjetër katastrofë që lidhet me gjithësinë, por kësaj radhe Toka dhe mbarë njerëzimi rrezikohen nga një kometë.
Filmi trajton historinë e dy astronomëve të panjohur të portretizuar në film nga yjet e Hollivudit, Leonardo DiCaprio dhe Jennifer Lawrence, të cilët e zbulojnë këtë problem i cili mund të rezultojë me një katastrofë globale, por për fatin e keq të tyre, askush nuk iu beson, përfshirë këtu edhe Presidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila në film portretizohet nga Meryl Streep dhe djali i saj i bezdisshëm që shërben si shef i stafit presidencial, e i cili në film luhet nga Jonah Hill.
Filmi vjen me regji dhe skenar të Adam McKay, i njohur për projekte të tilla si “Anchorman”, “Step Brothers” dhe “The Big Short”.“Don’t Look Up” do të fillojë së shfaquri në Netflix më 24 Dhjetor, pas debutimit në disa kinema të përzgjedhura e cila zë vend më 10 Dhjetor të këtij viti./KultPlus.com
“Festivali Kulturor Shqipëri–Izrael” vjen në edicionin e parë të tij prej 12-21 shtator.
Këtë vit, Festivali do të sjellë një varietet unik eventesh dhe shfaqjesh në fushat e muzikës klasike dhe tradicionale, arteve figurative, kinematografisë, fotografisë, letërsisë e kostumografisë.
Ideja e krijimit të festivalit lindi si njohje dhe shkëmbim vlerash mes dy vendeve.
Almira Emiri, Drejtore Artistike e Festivalit dhe pianiste shqiptare e mirënjohur në arenën europiane dhe në Izrael, e cilëson eventin si një mundësi të artë promovimi për artin dhe kulturën.
Festivali është një iniciativë unike në skenën kulturore shqiptare dhe ballkanike. Ndër pjesëmarrësit e këtij viti do jenë Klezmer Orchestra nga Izraeli, Kuartet Harqesh nga Filarmonia e Berlinit, Nitzan Bartana nga Orkestra e Bazelit dirigjentja Suzana Turku, Sivan Rotem nga Izraeli, e shumë të ftuar të tjerë të veçantë.
Vetë Almira do të vijë nëpërmjet interpretimit në piano së bashku me Kuartet Harqesh nga Filarmonia e Berlinit, të premten, tek Liceu Artistik Jordan Misja./KultPlus.com
Grupi ‘Marigona’ është një ndër grupet më të pëlqyera shqiptare.
Këngët e tyre vazhdojnë të dëgjohen e të këndohen edhe sot me nostalgji të madhe.
muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi.
Sonte, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës së grupit Marigona ‘Më Plase’:
Të flas, e shoh që nuk e dëgjon Asnjë fjalë që unë them Dhe nuk e zgjas Dhëmbët i shtrëngoj dhe përmbahem Por brenda më dhemb
prej kur t’njoh n’sy ta pash mashtrimin e tillë ishe gjithmonë tani e shoh po i vie fundi përrallës ton është vonë
Më plase krejt Kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë Pse s’di të tregosh drejt Nuk ke nevojë me m ‘rrejt Nuk e kuptoj Pse e ndjen këtë nevojë Tregomë a do mbarojë Kjo e mallkuar lojë
Shumë gjatë jam bëre i marre pranë teje Me shpresë se do ndryshosh Kjo punë e pat’ Vazhdo rrugën tënde dhe provo Tjetrin ta mashtrosh
Ndoshta shumë shpejt Mua më harron dhe Troket në tjetër derë Do dëgjosh njëjtë Fjalët që t’i kam thënë, dimër e verë Shumë herë
Më plase krejt Kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë Pse s’di të tregosh drejt Nuk ke nevojë me m ‘rrejt Nuk e kuptoj Pse e ndjen këtë nevojë Tregomë a do mbarojë Kjo e mallkuar lojë…/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta çmoi me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”, mjeshtrin e baletit dhe drejtuesin e spikatur artistik Ilir Kerni, në një ceremoni solemne në ambientet e Presidencës.
Dekorata shkon për artistin e mirënjohur shqiptar me famë ndërkombëtare, i cili mban edhe titullin “Ambasador i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të suksesshme artistike për shpalosjen e cilësive të spikatura si interpretues balerin, si baletmaestër dhe drejtues artistik, duke pasqyruar pozitivisht vlerat e vyera të artit dhe kulturës shqiptare në Shqipëri e në skenat botërore. Në mirënjohje të pasionit dhe idealizmit të njeriut të përkushtuar ndaj artit, si balerin dhe koreograf i rrallë dhe i talentuar, të përkushtimit të tij të pashterur e të karrierës së tij të shkëlqyer prej më shumë se 40 vitesh, pjesa më e madhe në skenat e huaja, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi për brezat dhe artistët e rinj.”
Pasi ndoqën një dokumentar për jetën dhe veprimtarinë artistike të baletmaestros Kerni, Presidenti Meta iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse.
“Përgjatë më shumë se 40 viteve karrierë, në artin dhe fushën e baletit, Ilir Kerni ka ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe ka promovuar vlerat tona më të mira kombëtare, përmes interpretimeve të tij, në shumë skena dhe teatro të botës. Ilir Kerni është një personalitet i shquar, shumë i njohur për të gjithë ne dhe shumë prezent veçanërisht gjatë viteve ’80 e deri në hapjen e Shqipërisë, por gjithashtu shumë i shquar në këto 30 vite, sidomos në skenat botërore”, u shpreh Meta.
Përgjatë 30 viteve karrierë jashtë vendit, ai ka bashkëpunuar me shumë emra të njohur të baletit europian dhe botëror.
Ilir Kerni u shqua për punën e tij pedagogjike si pedagog në Akademinë e Baletit në Tiranë, por puna e tij pedagogjike është e shtrirë edhe në shumë vende të tjera, si Japoni, Tajvan, Francë dhe Kroaci.
Në tetor të vitit 2019, ai u emërua drejtor baleti i ‘Teatrit Kombëtar Kroat, në Split’, duke u bërë kështu artisti i parë shqiptar, të cilit i besohet një post drejtues në një teatër kombëtar prestigjioz jashtë vendit.
Një balerin i talentuar në skenat tona dhe ato botërore, koreograf i disa baleteve të njohura, pedagog, drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, dhe tashmë drejtor baleti i Teatrit Kombëtar Kroat, në Split, karriera e pasur e Ilir Kernit është dëshmi e punës së palodhur, e përkushtimit dhe e talentit të tij, por mbi të gjithë pasionit për baletin.
“Vendi ynë ka nxjerrë shumë talente, me të cilët i gjithë populli shqiptar krenohet, kur i shohim teksa arrijnë majat më të larta të suksesit në nivel ndërkombëtar, dhe të cilët përmes artit të tyre shërbejnë si ambasadorë të pasurisë shqiptare në vendet e tjera ku ata performojnë”, tha Meta./atsh/KultPlus.com
Të mërkurën nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA’s do të niset drejt orbitës së Tokës ekuipazhi i parë civil në botë, në përbërje të të cilit janë katër persona. Ky zhvillim shënon hapin e parë të madh të turizmit hapësinor deri më tani.
Kushtet e motit janë 70 për qind të favorshme për nisjen e planifikuar të katër amerikanëve, Jared Isaacman, Hayley Arceneaux, Chris Sembroski dhe Sian Proctor. Ata do të nisen nga e njëjta platformë (Pad 39A) e stacionit të hapësirës që u përdor për misionet historike në Hënë të misioneve Apollo, gjatë viteve 1960 dhe ‘70.
Ekuipazhi do të fluturojë në bordin e anijes hapësinore “Creë Dragon” të ndërtuar nga SpaceX, kompania private, e cila ka nisur dërgimin e astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Anija hapësinore, plotësisht e automatizuar, do ta ngjisë ekuipazhin në një lartësi prej 575 kilometrash mbi sipërfaqen e Tokës, pak më lart sesa pozicioni aktual i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, si dhe i teleskopit Hubble.
SpaceX njoftoi se katër turistët hapësinorë “do të kryejnë kërkime shkencore të projektuara për të avancuar shëndetin e njeriut në Tokë”, përpara se të rikthehen pas tre ditësh.
Misioni, i quajtur “Inspiration 4”, do të udhëhiqet nga 38-vjeçari Isaacman, një sipërmarrës miliarder në fushën e teknologjisë, i cili thuhet se i ka paguar kompanisë SpaceX disa miliona dollarë për fluturimin.
Pjesë e ekuipazhit është edhe 29-vjeçarja Arceneaux, një e mbijetuar e kancerit të kockave, e cila ka një shufër titani në këmbën e saj, gjë që e bën atë personin e parë që fluturon në hapësirë me një protezë.
Chris Sembroski një inxhinier 42-vjeçar i cili punon në industrinë e aviacionit, si dhe 51-vjeçari Sian Proctor me profesion gjeolog dhe profesor kolegji, i cili në vitin 2009, ishte një nga finalistët e konkursit të NASA’s për të qenë astronaut./KultPlus.com
Një grup kasetash me intervista të padëgjuara më parë të John Lenon do të shiten në ankand, transmeton KultPlus.
Lennon flet për ndikimet e tij muzikore, të ardhmen e The Beatles dhe sesi gruaja e tij ia ndryshoi jetën.
Ai tha se ai mendonte se grupi kishte “një efekt pozitiv” tek të rinjtë e viteve 1960.
Lennon në këto intervista kujton edhe momentin kur për krishtlindje hapi çorapën dhe në të gjeti një dhuratë që ishte një instrument frymor.
“Ky ishte një nga momentet më të mëdha të jetës, kur mora harmonikën time të parë,” tha ai.
12 kasetat e mbështjellura me rrotulla përmbajnë intervista të redaktuara dhe të pa redaktuara, muzikë të Beatles dhe transkriptime të hollësishme.
Ato u gjetën së fundi nga familja Ken Zeilig, gazetari kanadez i cili realizoi këto intervista me Lennon.
Një pjesë e vogël e regjistrimeve u transmetua në radio në Amerikë përmes kasetave të humbura të Lennon, të transmetuara në fund të viteve 1980, por pjesa tjetër mendohet të jetë e padëgjuar më parë.
Kasetat do të dalin në ankand më 28 shtator dhe pritet të shiten për 20,000 deri në 30,000 paund./KultPlus.com
Legjenda e operës, Placido Domingo ka ardhur në Shqipëri, pasi ditën e nesërme çel dyert teatri i Operas dhe Baletit, me një mbrëmje të veçantë gala.
Performues do të jenë shumë artistë të njohur, të cilët do të interpretojnë një duet nga Traviata dhe Domingo do të dirigjoi orkestrën.
Ka qenë sopranoja e operës, Eva Golemi që ka ndarë foton e parë me legjendën spanjolle të muzikës, duke e cilësuar si më të mirin e më të mirëve.
Kujtojmë që ftesa sipas drejtoreshës Zana Çela nuk u ka munguar as për emrat e famshëm ndërkombëtar si Saimir Pirgu, Inva Mula, Josif Gjipali apo Tedi Papavrami, të cilët kanë qenë me impenjime artistike.l.k/abcneës.al/KultPlus.com
Federata Evropiane e Gazetarëve i ka reaguar kryeministrit Edi Rama pasi nuk i lejoi gazetarët e Kosovës që t’i bënin pyetje kancelares Angela Merkel.
Përmes një postimi në Twitter, Sekretari Gjeneral i kësaj organizate e ka quajtur të turpshëm veprimin e Ramës.
“Turp për kryeministrin Edi Rama, i cili me qëllim i injoroi pyetjen e gazetarëve nga Kosova. Federata Evropiane e Gazetarëve dënon këtë skandaloze”, ka shkruar ai.
Gazetarët nga Kosova nuk janë lejuar që të bëjnë pyetje në konferencën e përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Për këtë ka njoftuar gazetari i Klan Kosovës, Enis Reçica, në një postim në Facebook
Sipas tij, në konferencë kanë qenë gazetarët e gjashtë mediave nga Kosova dhe për 40 minuta kanë kërkuar fjalën për t’i bërë pyetje kancelares Merkel, por që thotë se një gjë e tillë nuk iu është lejuar.
Tutje, ai ka treguar se pyetjet e tyre kanë qenë rreth Kosovës, marrëveshjes përfundimtare, dialogut, liberalizimit të vizave dhe Open Ballkan.
“Në këtë video është dora ime, dhe e dy kolegëve të tjerë nga mediat kosovare. E kërkuam fjalën që nga fillimi i konferencës mes Kancelares Angela Merkel e Edi Rama. Ishte e kot, as pas 40 minutave të konferencës nuk na u dha fjala, të 6 mediave nga Kosova (sa ishim prezente e të akredituara) që t’i bëjmë ndonjë pyetje kancelares gjermane. Sigurisht temë kyqe e jona ishte Kosova, Serbia, marrëveshja përfundimtare, dialogu, liberalizimi, Open Ballkan etj”, ka shkruar Reçica./KultPlus.com
Grupi rock britanik, Coldplay, ka konfirmuar bashkëpunimin e përfolur me superyjet e K-pop, BTS.
“My Universe”, që do të këndohet në gjuhën angleze dhe koreane, u shkrua nga grupet dhe u prodhua nga kompozitori e producenti suedez Max Martin, i cili ka punuar edhe me artistë të tjerë, përfshirë Britney Spears dhe Taylor Swift.
Kënga do të publikohet si single më 24 shtator dhe do të shfaqet në albumin e nëntë të ardhshëm të Coldplay, “Music Of The Spheres”.
Dy këngë janë lëshuar deri më tani nga regjistrimi: “Higher power” dhe “Coloratura” (10 minuta).
“Higher power” u shfaq për herë të parë në maj, me ndihmën e astronautit francez Thomas Pesquet, në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar (ISS).
Coldplay, aktualisht, mban titullin e grupit më të kandiduar në Brit Awards, me 28 të tilla në total dhe nëntë çmime të fituara.
BTS, një nga grupet më të njohura dhe me ndikim në muzikën botërore, përbëhet nga RM, Jin, Suga, J-Hope, Jimin, V dhe Jungkook.
“Music Of The Spheres” do të dalë në treg më 15 tetor./KultPlus.com.
“Gjithçka që ke” është thrilleri më i fundit i autorit Enkelejd Lamaj, i publikuar nga shtëpia botuese “Arka e Noes”.
Në kryeqytetin e romanit “Gjithçka që ke”, ka një vrasës që ka qëndruar në errësirë tërë jetën.
Romani “Gjithçka që ke”, nga autori Enkelejd Lamaj ndjek personazhin kryesor, shkrimtaren Adelina Hoxhaj, e cila duket sikur e ka lënë pas krahëve ferrin që përjetoi tri vjet më parë, kur ajo ra prej shkallëve dhe humbi dy vajzat binjake, me të cilat ishte shtatzënë. Por zgjimi në spital, me parakrahët e fashuar dhe zbulesa se ka tentuar të vrasë veten, ia kthejnë ferrin sërish. Apo ai ferr ka qenë gjithnjë aty, pa u larguar kurrë ndonjëherë prej saj?
Ndërkohë që netët e kryeqytetit përgjaken mizorisht nga një vrasës serial i paskrupullt, Adelina e gjen veten të rrethuar akoma edhe më shumë nga trysnia shtypëse e ferrit dhe, sikur të mos mjaftojë kjo, ajo përfshihet në një mister varresh të hapura dhe eshtrash të përçudnuara.
Paralel me të, gazetarja Sidorela Ejlezi rrëmbehet nga kërkimet për vrasësin serial, por pa e ditur se çfarë çmimi do t’i duhet të paguajë.
Në rrjedhën e ngjarjeve, autori Enkelejd Lamaj na shpie në territore, për të cilat pakkush mund të mendojë, aq më tepër të guxojë të krijojë një thriller.
Guximi për të hyrë me shumë lehtësi madje, si në mendjen e vrasësit, ashtu edhe në atë të viktimave, por dhe skenat, që ndjekin rrëmbyeshëm njëra-tjetrën, herë të mallëngjejnë e të thyejnë zemrën, herë të kallin datën e të ngjeshin mishtë.
Rezultati neto është një roman rrëmbyes, por edhe i frikshëm, që asnjë lexues nuk do të mund ta harrojë lehtë.
Nëse ideja juaj për të lexuar, përfshin edhe një thriller të mbushur me terror, ky është libri që ju rekomandojmë.
Nga të gjitha veprat e autorit Enkelejd Lamaj, “Gjithçka që ke” nuk është vetëm më i miri, por është gjithashtu edhe më turbulluesi.
Lexuesit e tij e dinë, tashmë, se tregimet dhe romanet e tij janë plot me frikë dhe mister, por me “Gjithçka që ke”, Lamaj e çon letërsinë e tij në një nivel tjetër.
Dhe kush i ka mbijetuar më parë historive të frikshme të tij, në maratona përgjumësie, do ta gjejë këtë libër si një goditje me grusht në gojë të stomakut, që do ta lërë zgjuar, derisa të kthejë edhe faqen e tij të fundit. E, madje, e dhe më pas./atsh/KultPlus.com
Shadie Asllani, atdhetarja dhe veprimtarja e madhe që kontribuoi në emancipimin e grave shqiptare u lind në Bejrut më 14 shtator 1895. Atje mbaroi kolegjin amerikan për vajza.
Asllani ishte një atdhetare dhe veprimtare e madhe për emancipimin e grave shqiptare.
Duke pasur si pikësynim emancipimin e grave ajo dha kontributin e saj maksimal në Shqipëri në këtë drejtim. Në 1920 hapi në Libohovë shkollën e parë shqipe të vashave. Në Tiranë punoi nëndrejtoreshë përkrah Mati Logorecit dhe drejtoi shoqërinë e grave “Shqiptarka”.
U aktivizua në Kongresin e arsimit shqiptar në 1924 në veprimtaritë e shoqërisë “Bashkimi”. U largua nga Shqipëria bashkë me Nolin dhe pas kthimit në atdhe u burgos dhe u internua.
Ende nuk gjendet nje foto e veprimtares shqiptare.
Foto ilustruese ‘Instituti Femëror Qiriazi (Kyrias)’ në Kamëz e vitit 1930. / KultPlus.com
Sot shënohet përvjetori i 700–të i vdekjes së Dante Aligherit, poetit, filozofit dhe politikanit të njohur botëtor, përcjell KultPlus.
Vepra më e njohur e Dantes ‘’Komedia Hyjnore’’ konsiderohet si vepra më e rëndësishme e Mesjtës dhe ishte jashtëzakonisht frymëzuese për artin perëndimor.
Libri u nda në tri pjesë: Inferno (ferri), Purgatorio (purgatori), dhe Paradiso (parajsa). Përveç imazheve dhe bukurisë letrare, poezia mahnit për analizën e saj depërtuese dhe gjithëpërfshirëse të problemeve të asaj kohe. Megjithatë, paralelet mes Inferons të Dantes dhe botës se sotme janë të jashtëzakonshme.
Shkrimet e tij, përveç se inspiruan vepra të panumërta të artit, hynë ne kanonin letrar perëndimor dhe u bënë vepra më të lexuara ndonjëherë. ‘’Komedia hyjnore” është libri i dytë më i përkthyer në Botë pas Biblës.
Struktura e Dantes ishte aq bindëse sa në vitin 1588, një Galileo Galilei i ri u përpoq të përcaktonte dimensionet e ferrit siꞔ përshkruhen nga Dante. Ushtrimi përfundimisht e bindi se fantazia e Dantes nuk mund të arrihej kurrë në mënyrë strukturore, por e inspiroi Galileon të ndërmerrte hapin e parë drejt fizikës teorike.
Dante po ashtu njihej si politikan në Firencë deri sa ne qytet erdhi një regjim i ri dhe e dëbuan Danten nga qyteti. Dante filloi të shkruante Komedine Hyjnore vetëm pas dëbimit nga Firence, dhe kjo është po aq një përpjekje për të kuptuar largimin e tij, sa është një udhëtim shpirtëror për të kuptuar Zotin. / KultPlus.com
Prestigjiozja BBC ka publikuar një shkrim ku ka hedhur dritë mbi veprat e humbura ose më pak të njohura të artistes së njohur meksikane, Frida Kahlo, vepra këto të cilat ofrojnë njohuri të reja mbi jetën dhe punën e saj.
KultPlus sjell disa nga pjesët më të rëndësishme të këtij artikulli për adhuruesit e artit e veçanërisht të artistes, Frida Kahlo.
Edhe pse ajo vdiq në vitin 1954, puna e saj ende është e freskët: auto-portretet e saj flasin shumë për identitetin, për nevojën te ndërtosh imazhin tënd dhe të tregosh historinë tënde. Ajo pikturonte veten duke u shikuar në pasqyrë, e drejtpërdrejtë, e ashpër, sfiduese. E gjithë kjo e bën Khalon të përshtatshme për disa rrëfime bashkëkohore, për narrativa feministe – gruaja e fortë dhe e pavarur, duke e përdorur veten si subjekti i artit të saj, dhe duke eksploruar guximshëm aspektet e ndërlikuara, të çrregullta dhe të dhimbshme të të qenit femër.
Pikturat e saj përfaqësojnë në mënyrë shumë intense me elemente dramatike të një jete dramatike: një abort, pamundësia e të qenit nënë, dhe dhimbje trupore (ajo ishte në një aksident të tmerrshëm në moshën 18 vjeꞔ, dhe vuajti fizikisht gjatë gjithë jetës së saj); një dashuri të madhe (ajo kishte marrëdhënie të stuhishme me artistin meksikan Diego Rivera, si dhe shumë dashnorë të tjerë, meshkuj dhe femra, përfshirë dhe Leon Trotskyn), si dhe xhelozi të mëdha (Rivera e mashtori vazhdimisht, përfshirë dhe me motrën e saj).
Por çfarë ndodh me punën e saj? Për disa historianë të artit, fokusi i vazhdueshëm tek personi sesa tek vepra është bërë i lodhshëm, prandaj një libër i ri dhe monumental, i titulluar ’’Frida Khalo: Pikturat e plota’’- sapo është botuar nga Taschen, duke ofruar për herë të parë një studim të madh mbi gjithë veprën e saj jetësore. Historiani i artit Luis-Martin Lozano duke punuar me Andrea Kettenmann dhe Marina Vazquez Ramos, jep shënime për secilën vepër te Khalos – 152 në total, duke përfshirë shumë vepra të humbura që ne i njohim vetëm përmes fotografisë.
Lozano thotë se galeritë fokusohen gjithmonë në të njejtat piktura të artistes dhe përsërisin vazhdimisht tregimin e njejtë, duke i lënë anash tregimet dhe pikturat më pak të njohura.
“Vetëm përsërisni tregimin e njejtë për Khalon, dhe ajo do të shitet, sepse gjithçka për Khalon shitet. Fatkeqësisht, ajo është bërë një mall. Kjo tregon pse ekspozitat dhe muzetë nuk shkojnë përtej shitjes -sepse nuk kanë nevojë’’ – thotë Lozano.
Ofrimi i një studimi gjithëpërfshirës të punës së saj do të thotë të bashkosh vepra të humbura ose pak të njohura, përfshirë ato që kanë dalë në dritë në ankandet e fundit, dhe të tjera që rrallë huazohen nga koleksionistët privatë dhe kështu kanë mbetur të errëta. Lozano shpreson të zgjerojë kuptimin tonë për Khalon. ‘’Para së gjithash – kush ishte ajo si artiste? Ҫfarë mendonte ajo për punën e saj? Ҫfarë donte të arrinte si artiste? Dhe çfarë kuptimi kanë këto piktura në vetvete?’’
Khalo vazhdoi të pikturonte piktura të mahnitshme të natyrës gjatë gjithë karrierës se saj – megjithëse këto janë më pak të njohura për publikun e gjerë sesa auto – portretet e saj, më pak të koleksionueshme dhe të studiuara.
Duke pasur parasysh se ajo bëri vetëm rreth 152 piktura, një numër i madh i tyre ka humbur. Khalo po ashtu nuk ishte shumë e suksesshme gjatë jetës së saj – ajo nuk pati shumë ekspozita, as nuk shiti shumë vepra përmes galerive dhe tregëtarëve. Në vend te kësaj, shumica e pikturave të saj u shitën ose iu dhanë artisitëve, miqve dhe familjes, yjeve të filmit dhe adhuruesve tjerë që jetonin jashtë vendit.
Ndoshta piktura e saj më emocionuese është një auto – portret i vonshëm: Frida në Flakë ( auto – portret brenda lulediellit). Një përzierje tronditëse e shumëngjyrëshe; pak para vdekjes se saj, Khalo e goditi me thikë, duke e hequr bojën, e frustruar nga pamundësia për të punuar ose ndoshta duke pranuar se fundi i saj po afrohej.
Neve na mbetet një pikturë e papërsosur, një botë larg nga sipërfaqet e bukura, të lëmuara dhe perfekte qe jemi mësuar ti shohim në portret e Frida Khalos – por sidoqoftë është një vepër jashtëzakonisht fuqishme që meriton të njihet. Ka diqka jashtëzakonisht prekëse në një artiste kaq të njohur, e cila përdor aktin e saj të fundit kreativ për të shkatërruar imazhin që i është ndërtuar deri më tani. Edhe në shkatërrimin e vetes, vepra e Khalos na flet me zë të lartë. / KultPlus.com
Kosova është laborator moral, politik dhe religjioz, sundimtarët duan vica të urtë, mutsihanet e tyre gdhenden në qaforet e votuesve, askush nuk e do Kosovën, as politikanët e saj, e as Europa, bota është koncept, një popull i mjerë që për dy dekada mëson formulen e durimit të pafund, i persekutuar nga vlerat, nga imitimi, shpresa dhe e ardhmja që e mashtron, ashpër dhe egër, egër dhe ashpër, kombet e mëdha na kontrollojnë lëvizjet, ejakulimet dhe me gishtin e tyre të frikshëm në kokën tonë të butë, na tregojnë definicionin e solidaritetit , dikur kishim kërkuar ndihmë, tani lëpijmë çizmet e çdo urdhëri. ky është fati, historia është gjakpirëse në tregun e popujve të vegjël, ajo nuk ngopet me heronjë, përmes të vegjëlve ajo e mban veten në fron, kombet e mëdha adhurojnë deklaratat dhe vendimet primitive, kështu ata grabisin lumturi dhe të drejta, egocentrizmi përkufizon flamujtë, magjistarët dështojnë në Kosovë, profetët hidhen nga urat, humanistet qëllojnë me kokë murin, nënat qajnë kur shohin fytyrat e pikëlluara të bijve të tyre që adhurojnë humorin, në horizont duken ca dinosaur që na tregojnë se çdo gjë është e thjeshtë, e lehtë, nuk ka nevojë për kaq shumë dhunë, gjak dhe kaq shumë marrëveshje, dhe pastaj çdo gjë shkëputet, ndalet dhe shuhet. / KultPlus.com