Enkelejd Lamaj, pjesë e “FICTION FEST”-edicioni i katërt

Prozatori Enkelejd Lamaj do të jetë pjesë e programit të edicionit të katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST”.

Enkelejd Lamaj ka lindur më 20 nëntor 1978 në Lushnjë.

Pasionin për të lexuar dhe shkruar e ka gjetur që në fëmijëri. Letërsia fantastike dhe filmat e frikshëm janë përbërësit kryesorë të krijimeve të para të tij. Në vitin 2003 prezantohet për herë të parë me një përmbledhje me tregime horror të titulluar “Fytyra tjetër e natës”, duke u bërë kështu i pari shkrimtar i këtij zhanri në Shqipëri. Rrëfimet e tij sfidojnë lexuesin në luftën midis të mirës dhe të keqes, të ndërlikuarës dhe të thjeshtës, të besueshmes dhe të pabesueshmes. Deri tani ka publikuar tri përmbledhje me tregime dhe tre romane, prej të cilëve romani “Ajo e errëta” është duke u kthyer në filmin e parë shqiptar horror me metrazh të gjatë. Romani më i fundit është romani tirller “Gjithçka që ke”, i botuar nga shtëpia botuese “Arka e Noes.” Krijimet e tij janë përfshirë në botime të ndryshme letrare, si “Tregimet e makthit”, “Mehr Licht”, Haemus Plus”, “Obelisk” dhe, në Itali, “Il mare si lasciava attraversare.”

Jeton dhe punon në Tiranë, ku krahas ushtrimit të profesionit të juristit, vazhdon edhe të shkruajë.

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.

Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.

Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.

Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.

Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës./ KultPlus.com

“Gjithçka që ke”, vjen romani thriller nga Enkelejd Lamaj

 “Gjithçka që ke” është thrilleri më i fundit i autorit Enkelejd Lamaj, i publikuar nga shtëpia botuese “Arka e Noes”.

Në kryeqytetin e romanit “Gjithçka që ke”, ka një vrasës që ka qëndruar në errësirë tërë jetën.

Romani “Gjithçka që ke”, nga autori Enkelejd Lamaj ndjek personazhin kryesor, shkrimtaren Adelina Hoxhaj, e cila duket sikur e ka lënë pas krahëve ferrin që përjetoi tri vjet më parë, kur ajo ra prej shkallëve dhe humbi dy vajzat binjake, me të cilat ishte shtatzënë. Por zgjimi në spital, me parakrahët e fashuar dhe zbulesa se ka tentuar të vrasë veten, ia kthejnë ferrin sërish. Apo ai ferr ka qenë gjithnjë aty, pa u larguar kurrë ndonjëherë prej saj?

Ndërkohë që netët e kryeqytetit përgjaken mizorisht nga një vrasës serial i paskrupullt, Adelina e gjen veten të rrethuar akoma edhe më shumë nga trysnia shtypëse e ferrit dhe, sikur të mos mjaftojë kjo, ajo përfshihet në një mister varresh të hapura dhe eshtrash të përçudnuara.

Paralel me të, gazetarja Sidorela Ejlezi rrëmbehet nga kërkimet për vrasësin serial, por pa e ditur se çfarë çmimi do t’i duhet të paguajë.

Në rrjedhën e ngjarjeve, autori Enkelejd Lamaj na shpie në territore, për të cilat pakkush mund të mendojë, aq më tepër të guxojë të krijojë një thriller.

Guximi për të hyrë me shumë lehtësi madje, si në mendjen e vrasësit, ashtu edhe në atë të viktimave, por dhe skenat, që ndjekin rrëmbyeshëm njëra-tjetrën, herë të mallëngjejnë e të thyejnë zemrën, herë të kallin datën e të ngjeshin mishtë.

Rezultati neto është një roman rrëmbyes, por edhe i frikshëm, që asnjë lexues nuk do të mund ta harrojë lehtë.

Nëse ideja juaj për të lexuar, përfshin edhe një thriller të mbushur me terror, ky është libri që ju rekomandojmë.

Nga të gjitha veprat e autorit Enkelejd Lamaj, “Gjithçka që ke” nuk është vetëm më i miri, por është gjithashtu edhe më turbulluesi.

Lexuesit e tij e dinë, tashmë, se tregimet dhe romanet e tij janë plot me frikë dhe mister, por me “Gjithçka që ke”, Lamaj e çon letërsinë e tij në një nivel tjetër.

Dhe kush i ka mbijetuar më parë historive të frikshme të tij, në maratona përgjumësie, do ta gjejë këtë libër si një goditje me grusht në gojë të stomakut, që do ta lërë zgjuar, derisa të kthejë edhe faqen e tij të fundit. E, madje, e dhe më pas./atsh/KultPlus.com