Kosova për herë të parë nikoqire e Federatës Evropiane të Gazetarëve për takimin vjetor të organizatës

Federata Evropiane e Gazetarëve për herë të parë do të mbajë takimin vjetor të organizatës në Kosovë, në maj të vitit 2024.

Vendimi në favor të Kosovës është marrë sot nga Bordi Ekzekutiv i EFJ-së, i cili shënon një moment historik të rëndësishëm për Asociacionin e Gazetarëve  të Kosovës, pasi që do të jetë bashkë organizatore e këtij takimi, transmeton klankosova.tv.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë për organizatën që i besohet një organizim i tillë.

“Është një moment i jashtëzakonshëm në historinë e re 20-vjeçare të AGK-së, që t’i besohet një organizim kaq i madh. Ne do të mirëpresim vitin e ardhshëm në Prishtinë qindra gazetarë nga mbarë Evropë, për të diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë e gazetarëve në kontinentin tonë, dhe do të jetë mundësi edhe për të treguar mikpritjen e jashtëzakonshme për të cilën njihet shteti jonë”.

Për këtë takim, ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i cili ka thënë se me padurim po presin ta mbajnë takimin në Kosovë.

“Bordi Ekzekutiv i EFJ-së, nuk e ka pasur vendimin e lehtë, pasi që përpara kishte dy kandidatë të jashtëzakonshëm: Shkupin dhe Prishtinën. Kjo e tregon vendosmërinë e kolegëve tanë në Ballkan për të punuar për kushte më të mira të punës dhe siguri më të madhe në një botë jostabile. Ne mezi po presim që ta mbajmë për herë të parë Takimin Vjetor të EFJ-së në Kosovë”./KlanKosova/KultPlus.com

Federata Evropiane e Gazetarëve i reagon kryeministrit Rama pasi nuk i lejoi gazetarët e Kosovës t’i bënin pyetje Merkelit

Federata Evropiane e Gazetarëve i ka reaguar kryeministrit Edi Rama pasi nuk i lejoi gazetarët e Kosovës që t’i bënin pyetje kancelares Angela Merkel.

Përmes një postimi në Twitter, Sekretari Gjeneral i kësaj organizate e ka quajtur të turpshëm veprimin e Ramës.

“Turp për kryeministrin Edi Rama, i cili me qëllim i injoroi pyetjen e gazetarëve nga Kosova. Federata Evropiane e Gazetarëve dënon këtë skandaloze”, ka shkruar ai.

Gazetarët nga Kosova nuk janë lejuar që të bëjnë pyetje në konferencën e përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Për këtë ka njoftuar gazetari i Klan Kosovës, Enis Reçica, në një postim në Facebook

Sipas tij, në konferencë kanë qenë gazetarët e gjashtë mediave nga Kosova dhe për 40 minuta kanë kërkuar fjalën për t’i bërë pyetje kancelares Merkel, por që thotë se një gjë e tillë nuk iu është lejuar.

Tutje, ai ka treguar se pyetjet e tyre kanë qenë rreth Kosovës, marrëveshjes përfundimtare, dialogut, liberalizimit të vizave dhe Open Ballkan.

“Në këtë video është dora ime, dhe e dy kolegëve të tjerë nga mediat kosovare. E kërkuam fjalën që nga fillimi i konferencës mes Kancelares Angela Merkel e Edi Rama. Ishte e kot, as pas 40 minutave të konferencës nuk na u dha fjala, të 6 mediave nga Kosova (sa ishim prezente e të akredituara) që t’i bëjmë ndonjë pyetje kancelares gjermane. Sigurisht temë kyqe e jona ishte Kosova, Serbia, marrëveshja përfundimtare, dialogu, liberalizimi, Open Ballkan etj”, ka shkruar Reçica./KultPlus.com