Sot shënohet 72-vjetori i vdekjes së shkrimtarit anglez, George Orwell.
Orëell, pa dyshim se do të mbahet në mend për kryeveprat e tij si “1984” dhe “Ferma e kafshëve”, pa lënë anash autobiografinë “Rruga për në skelën Uigan”.
Dhe këto janë tri thënie nga librat më të njohur të tij, të përzgjedhur nga Libraria Buzuku.
“Jetojmë në një botë ku kurrkush nuk është i lirë, ku vështirë të ketë ndokënd që të jetë i sigurt, ku nuk është aspak e mundur të jesh i ndershëm dhe të mbetesh gjallë.” (Rruga për në skelën Uigan)
“Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen: kush kontrollon të tashmen, kontrollon edhe të shkuarën.” (1984)
“Të gjitha kafshët janë të barabarta por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.” (Ferma e kafshëve)./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti do të bëjnë sot homazhe te varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, në 16 vjetorin e vdekjes së tij.
Sipas njoftimit të Presidencës, ata do të bëjnë homazhe në orën 11:00.
“Sot më 21 janar 2022, në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, bëjnë homazhe te varri i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, në 16 vjetorin e vdekjes”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Sot shënohet 16-vjetori I vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook ka përkujtuar figurën e ish-presidentit Rugova duke e cilësuar atë si njeri që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:
Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet.
Që të trija u bënë realitet bashkërisht me shtetin e Kosovës.
Sot, në 16-vjetorin e ikjes në amshim, e kujtojmë me respekt dhe përulësi atin themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova.
Ai jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide.
Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash.
“Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, të integruar në Bashkimin Evropian, NATO dhe t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë në një nga deklarimet e tij me bindjen e plotë se “pavarësia e Kosovës duhet dhe do të njihet plotësisht”.
Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet./KultPlus.com
Sot shënohet 16-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë më 2 dhjetor 1944 dhe ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar; u njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.
Duke pasur si pikëmbështetje Shoqatën e Shkrimtarëve, qe ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike mbarëpopullore, e cila u shndërrua në parti, u nis një fushatë paqësore kundër Serbisë. U zgjodh që në fillim kryetar i saj që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.
Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.
Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.
Sot, në përvjetorin e 15-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në ora 14:00 në Gjilan do të mbahet edhe një akademi përkujtimore. / KultPlus.com
Dashuroj tek ti aventurën e anijes që shkon në drejtim të polit dashuroj tek ti guximin e lojtarëve të zbulimeve të mëdha dashuroj tek ti gjërat e largëta dashuroj tek ti të pamundurën hy brenda syve të tu si në një pyll plot me diell e i djersitur, i uritur, i tërbuar kam pasionin e gjahtarit për të kafshuar në mishin tënd. Dashuroj tek ti të pamundurën por jo dëshpërimin. / KultPlus.com
Hardy Krüger, një aktor gjerman që luajti rolin kryesor në rreth 75 filma gjatë karrierës së tij, ka vdekur në moshën 93 vjeçare në Kaliforni.
Ai vdiq papritur në Palm Springs, tha agjencia me seli në Hamburg gjatë një deklarate.
I lindur në Berlin, Krüger u bë një nga aktorët e paktë gjermanë që pati sukses me një karrierë ndërkombëtare pas luftës. Ai u bë i njohur jashtë Gjermanisë me filmin britanik të luftës “The One That Got Away”.
Ai u shfaq përkrah John Wayne në “Hatari!” dhe së bashku me James Stewart dhe Peter Finch në filmin “Fluturimi i Phoenix”.
Në vitin 1963, drama franceze “Sundays and Cybèle”, në të cilën Krüger luante rolin e një veterani të luftës së Vietnamit që fajësonte veten për vdekjen e një fëmije vietnamez, fitoi çmimin Oscar.
Aktori gjithashtu mori një sërë çmimesh në vendlindjen e tij në Gjermani.
Krüger u shfaq gjithashtu në ekran me Claudia Cardinale, Sean Connery, Yul Brynner, Charles Aznavour, Catherine Deneuve dhe Orson Welles.
Krüger e nisi karrierën e tij si autor i librit “Eine Farm in Afrika” (Një fermë në Afrikë) në 1970. / KultPlus.com
Biblioteka Apostolike e Vatikanit është një ndër bibliotekat më të pasura në botë përsa i përket historisë së trojeve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politiko-administrativë. Në të gjenden të gjitha veprat monumentale që ndihmojnë për të shkruar një histori të plotë të trojeve shqiptare, dhe pothuajse të gjitha librat e shkruar për krishtërimin e këtyre trojeve.
Nuk e teprojmë aspak po të themi që nuk ka vend tjetër në botë, ku të gjitha veprat monumentale të shtypshkruara që nga shekulli i XV-të e deri më sot, të gjenden të gjitha në një vend dhe në rafte të hapura për përdorim të lirshëm për studiuesin.Njëra ndër veprat e shumta albanologjike, është edhe “Paschyera et refyemit” e Pjetër Budit e cila ruhet në signaturën: Racc. Gen. Liturgia. V. 35, int. 3. [Dh. Shuteriqi, K. Ashta, B. Gjoka]. Në këtë vepër, e cila është e lidhur së bashku me dy vepra të tjera të Budit, “Rituale Romanum…” dhe “Cuscthote Mesce…” në faqen 1v ka një portret të Pjetër Budit, të datuar më 24 korrik 1621. Portreti [gravura], është një punim fin, me elementë të shumtë, të cilat paraqesin simbolikë domethënëse dhe të shumëfishtë. Dimensionet e portretit janë: 8.5 x 13.7cm.
Në këtë portret, Budi paraqitet në moshën 55 vjeçare, i ulur në gjunjë duke u lutur, para një scrivanie, në të cilën ndodhen të gjitha mjetet e shkrimit, por edhe engjëjt, që sjellin frymëzim dhe gjykim për krijimtarinë dhe veprën e tij. Portreti i Budit është i vetmi imazh që është i njohur dhe na është ruajtur deri sot. Është shumë konkret, duke na ofruar pamjen e tij fizike, fytyrën, veshjen, por edhe begatinë e elementeve kulturore, të pasuruar me elemente fetare dhe laike, gjë që e lartëson edhe më shumë këtë emër të nderuar të kulturës shqiptare. Tani e tutje nuk ka pse të vrasim mendjen për të imagjinuar Budin, sepse ai në këtë portret na paraqitet krejt i kapshëm, i afërt dhe real, me petkun e një ipeshkvi, njeriut të Zotit, por edhe të krijuesit, poetit e prozatorit, njeriu i cili sfidoi kohën dhe njerëzit, duke kultivuar gjuhën shqipe, duke ruajtur kulturën dhe traditën e lashtë të shkrimit shqip në veçanti dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, po në të njëjtën kohë duke treguar se nuk ishte autodidakt, siç shkruhet e njihet deri sot, por ishte me përgatitje të lartë profesionale, pasi kishte mbaruar studimet e larta në Romë.
Hulumtimet arkivore të bëra vitet e fundit, në Arkivin Skeret të Vatikanit (sot Archivio Apostolico Vaticano), Bibiliotekën Apostolike dhe Arkivin e Propagandës Fide në Vatikan, kanë plotësuar shumë mozaikun e figurës komplekse dhe shumëdimensionale të Pjetër Budit.Pjetër Budi lindi në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit në vitin 1566.
Studimet e para i mbaroi në Collegium Illyricum, të Zonjës Sonë, në Ankonë. Në moshën njëzetëjëvjeçare shugurohet për prift, [më 1587] dhe i vëhet kryeipeshkvisë së Tivarit në shërbim, për teritoret e Kosovës dhe Maqedonisë [Dardanisë së Lashtë]. Për dymbëdhjetë vjet shërbeu në këto teritore, ndërsa në vitin 1599 emrohet Vikar i përgjithsëm i Serbisë, kurse në vitin 1610 përmendet si kapelan në Shkup, ndërsa në vitin 1615 si kapelan në Prokuple, ku këto territore ishin të banaura me shqiptarë të besimit të krishterë.
Në vitet 1616-1618 qëndroi në Romë, ku studioi teologji dhe filozofi dhe në të njëjtën kohë përgaditi për botim veprën e tij “Dottrina Christiana.” Në fund të vitit 1618 dhe gjatë tërë vitit 1619, ishte për pelegrinazh tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela, në Spanjë. Nga fundi i vitit 1619 e deri më 20 korrik 1621 qëndron në Romë, kur emrohet ipeshkëv i Sapës dhe Sardës, përkatësisht i tërë krahinës së Zadrimës. Disa ditë para Krishtëlindjeve, duke kaluar lumin Drin, mbytet në ujërat e ftohta, duke lënë vend për hamendësime se ishte një komplot i pregaditur ndaj tij nga kundërshtarët e shumtë.
Nga Prof. Dr. Musa Ahmeti (Center for Albanian Studies – Budapest) /Dielli/ KultPlus.com
Për vitin e tetë me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës ofron mundësinë e aplikimit në shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU.
FAMU është themeluar me dekret presidencial në vitin 1945 dhe ofron programe të akredituara dhe të çertifikuara të studimit si në gjuhën çeke ashtu edhe në atë angleze.
Memorandumi i lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së, ofron mundësinë e edukimit audio-vizuel për qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë Akademi. Bursa vlen vetëm për shtetas të Republikës së Kosovës me vendbanim të përhershëm në Kosovë.
Kushtet për regjistrim në shkollën e filmit FAMU përcaktohen nga shkolla e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura me seli në Pragë, të cilët gjithashtu bëjnë edhe intervistimin dhe përzgjedhjen.
Për t’i parë kriteret dhe afatet ju lutem shkoni në webfaqe të FAMU-së duke klikuar KËTU. / KultPlus.com
Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për herë të parë nisi projekti i ri i titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekt ky i organizuar nga PEN Qendra e Kosovës i cili synon të krijojë aktivitete të veçanta kulturore e letrare, me ç’rast sot për të shënuar fillimin e rrugëtimit të këtij projekti origjinal, u shqyrtua tema “Liria dhe e drejta e autorit”, shkruan KultPlus.
Për të biseduar e diskutuar rreth kësaj teme, në panel të ftuar ishin: shkrimtari Milazim Krasniqi, shkrimtari dhe publicisti, Ibrahim Berisha si dhe moderatori Avni Spahiu.
Ora shënoi 17:00 kur të pranishmit zunë vendin e tyre për të dëgjuar nga afër temën “Liria dhe e drejta e autorit”, temë kjo që shpeshherë zgjon kureshtjen tek jo vetëm të rinjtë e pasionuar pas letërsisë, por edhe tek ata të cilët në bagazhin e tyre tashmë kanë një numër të madh veprash por të cilët çdo herë vazhdojnë të dëgjojnë e të jenë pjesë e këtyre temave që e preokupojnë letërsinë shqiptare në përgjithësi, por sidomos atë në Kosovë.
Po ashtu, u bë e ditur se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Avni Spahiu, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke folur për dy temat të cilat do të shtjelloheshin pas pak momentesh.
“Janë disa tema që do të diskutohen gjatë periudhës në vijim dhe në fakt janë shumë me interes. Liria e autorit dhe të drejtat e autorit, janë këto dy tema që do të shtjellohen sot. ‘A duhet të ruhet pasuria intelektuale’, ‘A ka të drejta autori’, ‘Cilat janë të drejtat e autorit’, janë vetëm disa nga pyetjet që bëhen vazhdimisht. Ne shkrimtarët e kemi pasur një përvojë jo të mirë në këtë aspekt por tani është koha që të filloj një debat që të shihet qëndrimi i autorit nga dy pikëpamje të ndryshme”, thotë Spahiu.
Fillimisht në këtë ngjarje për të diskutuar më gjerë rreth këtyre temave që trajtojnë disa aspekte të shkrimtarit, intelektualit dhe kulturës në tërësi por edhe në kontekstin e pandemisë, shkrimtari dhe publicisti Ibrahim Berisha ka paraqitur disa vrojtime në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të drejtat e autorit.
“Në Pandemi 2020, njerëzit u hutuan duke e kujtuar lirinë që e kishin dhe nuk e panë më herët as nuk e ndjenë në përmasën e duhur. Kishte dhe ka gjithë keqkuptime për të kuptuar lirinë, edhe lirinë e shprehjes. Kjo ndodhte edhe kur gjithçka ecte në ritmin normal, e lërë më në një gjendje pandemie, kufizimesh e mbylljesh drastike. A e ndryshoi mendimin për lirinë, Pandemia? Mendimin e botën e shkrimtarëve, krijuesve? Vështirë, për të thënë po, por kaq edhe për të thënë jo. Liria është me e thellë dhe më e largët se Pandemia. Por, do pranuar, se edhe Pandemia nisë pikërisht nga një cep i lirisë së virusit Kovid 19”, thotë Berisha.
Sipas tij, virusi sprovoi mendimin e Erih Fromit, psikologut social, i cili shkruan se njerëzit nuk janë të dhënë mbas lirisë, së paku jo aq sa thonë. Fromi nuk kishte pasur parasysh gjithaq lirinë fizike, të cilën Shopenhaueri e përcakton si liri të nivelit më të ulët.
“Thënë thjeshtë, liria e fjalës dhe e mendimit, bënë pjesë në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe ajo barazohet me detyrimet dhe përgjegjësitë. Nuk ishte edhe pamundur që të shkruhej e mendohej edhe në Pandemi. Edhe në kontekstin tonë, të Kosovës, pra, liria është e padefinueshme, sepse koha dhe rrethanat janë të pazakonshme. Kujtoj, të drejtat janë të përfshira në nenin 10 (1) te Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ku thuhet: Secili ka të drejtën e shprehjes së lirë. Kjo e drejtë do të përfshijë lirinë për mbajtjen e mendimeve dhe pranimin dhe dhënien e informacioneve dhe ideve pa ndërhyrjen e autoriteteve publike, pavarësisht nga kufijtë. Megjithatë, neni 10 (2) përcakton që: “Ushtrimi i lirive, mbasi përmban me vete detyrë dhe përgjegjësi, mund të jetë subjekt i formaliteteve, kushteve, kufizimeve dhe sanksioneve të parashikuara nga ligji dhe në një shoqëri demokratike, është në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial”, shpalos Berisha.
Për të, pandemia ka treguar saktë atë që thotë Russo: Lira ka të bëj më atë që nuk do. Pra duhet bërë e padëshirueshmja. Ndodhi dhe vazhdon konflikti edhe ndër intelektual për detyrimin e vaksinimit. Natyrisht, dilema është e pazgjidhshme. Kushtetuta e Republikës, Kosovën e përkufizon shoqëri demokratike. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të garantuara. Në Kushtetutë klasifikohen një varg të drejtash dhe lirisë, po për temën për të cilën flasim, theksohen veçantë tri: Të drejtat dhe liritë personale; Të drejtat dhe liritë civile dhe politike; Të drejtat dhe liritë sociale, ekonomike dhe kulturore. Tek liritë civile dhe politike është e garantuar liria e shprehjes, liria e medieve, e tubimit, asoocimit, e drejta e zgjedhjes dhe e pjesëmarrjes etj.
“E vërteta, Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, organ administrativ, nuk duket e gjallë, po aq sa edhe të tjerë organizma që marrin frymë publike duke pasur fokus programor këtë mbrojtje. Ngado sillesh, janë të dukshme fotokopjet, cenimi i autorësisë, publikimet pa autorizim. Pandemia nuk ka ndryshuar këtë praktikë, madje veç e ka konservuar. Në Kosovë, është e përhapur plagjiatura apo shfrytëzimi i vlerave intelektuale pa u shënuar burimi apo edhe pa u marrë pëlqimi i autorit apo trashëgimtarëve të të drejtës autoriale. Fotokopjet, lokale fizike këto, përreth fakulteteve të Universitetit të Prishtinës janë dëshmi e paprekshmërisë së shkelësve të të drejtës së autorin në sy dhe prani të të gjitha institucioneve që duhej të merreshin me ndëshkimin si; parashihet me ligj”, thotë ai.
Tutje, ai si plagjiaturë specifike të kohëve të reja, veçmas në vitet i 2000, e konsideron edhe paraqitjen e veprës si e tij, të cilën “ia ka punuar tjetërkush (autori i vërtetë nuk dihet). Kur dikush e paraqet një vepër të huaj me emrin e tij (plagjiaturë e plotë). Edhe huazimet pa theksimin e burimit, po kështu janë konsideruar nga ana e tij, si dukuri publike në Kosovë. Pra, ai beson se nuk ka ndonjë rast të jetë ndëshkuar dikush për plagjiaturë të tillë, sado që janë dëshmuar e vërtetuar ato.
“Rast drastik i shkeljes së të drejtës së autorit është RTK. Ajo shfrytëzon arkivin e një institucioni tjetër, RTP, madje duke mos treguar në asnjë formë kur shfrytëzon ato se nuk kanë të bënë me prodhim origjinal të RTK, madje në ekran del logoja gjithnjë RTK. Për dukurinë e vetëplagjiaturës në Kosovë ende nuk flitet. Shembull i shkeljes së të drejtës autoriale, vetëautoriale, për përfitime materiale, është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ribotime dhe modifikime librash pa rezultate origjinale që proklamohen dhe prodhojnë privilegje karriere dhe financiare. Formë e përhapur e shkeljes së të drejtës së autorit, kjo edhe një praktikë globale, po e pranishme gjerësisht edhe në Kosovë, është edhe plagjiatura në internet, plagjiaturë kjo e një vepre të plotë, të pjesshme, huazim teksti të huaja, pa theksuar në asnjë rast burimi. Kjo dukuri është e njohur si copy & paste. Pikërisht në këtë kontekst, gjykoj, se ka ende zbrazëti në normën aktuale pozitive po edhe në kodet etike në Kosovë, për të rregulluar, nëse jo plotësisht së paku, në një përmasë më reale”, përfundon Berisha.
Krejt në fund ai citoi edhe shkrimtarin nobelist Mario Vargas Llosa, i cili në një intervistë duke bërë fjalë për Pandeminë dhe shkrimtarin, ka dhënë një përgjigje universale që do të mund t’i përgjigjej edhe natyrës së këtyre temave: “Jam mirë, falë Zotit! Gjatë disa muajve të izolimit, praktikisht u burgosa këtu, në shtëpinë time në Madrid, i përkushtuar ekskluzivisht leximit të librave dhe shkrimit, që është një kurë për çdo shkrimtar. Shpresoj që nga kjo përvojë të dalim më të zgjuar dhe më të përgjegjshëm ndaj mjedisit, si dhe të ndajmë shumë më tepër fonde për sistemin shëndetësor në të ardhmen. Sepse, ishte e qartë se asnjë vend nuk ishte gati të përballej me një sfidë kaq të madhe sa kjo Pandemi.”
Ndërsa, shkrimtari Milazim Krasniqi foli rreth dy pikave kryesore në analizën e tij: liria e shkrimtarit si ‘Albatrosi’ i Bodlerit dhe të drejtat e autorit si fshatrat e Potemkinit.
“Liria e shkrimtarit është në përmasat e fantazisë së tij, aty ku ai e imagjinon botën sipas mënyrës së vet, pa pasur ndërhyrje nga oponentët, ose nga institucionet e specializuara për censurë, kontroll, mbikëqyrje kafkiane e orveliane. Liria e shkrimtarit në fantazinë e tij, është tharmi i krijimtarisë artistike, sepse pa atë liri, krijimtaria do të mbetej si rrëfim kuazihistoriogafik, pseudoreligjioz, ose pseudofilozofik. Kjo liri i thyen konvencat e të menduarit konceptual, linear, duke e bërë si kalë beteje të menduarit asociativ, abstrakt dhe spekulativ. Për këtë shkak, Platoni ishte i zemëruar në poetët dhe thoshte se ata nuk mund ta realizojnë njohjen. Duke e matur me kutin e filozofit dhe ideologut të shtetit ideal, ai thoshte se poeti nuk e kupton as vetë atë që shkruan. I tmerruar nga liria e fantazisë së tyre, ai propozonte që ata të përjashtoheshin nga shteti ideal, përveç atyre që do të konvertoheshin në shkrimtarë të kontrollueshëm, realisht në poetë pa liri”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, Platoni kërkonte që poezia t’i subordinohej shtetit dhe etikës: “Në shtetin tonë mund t’i pranojmë vetëm ato këngë që janë himne perëndive dhe fjalime lavdëruese të dedikuara të mirave.” Është konsideruar se që nga ajo kohë e deri në ditët tona, ajo liri e shkrimtarit, që banon në fantazinë e tij, është denoncuar e luftuar në forma të ndryshme, që nga futja me dhunë e shkrimtarëve në spitalet psikiatrike, siç bëhej në regjimin e Stalinit, ose dënimet e tyre me pushkatime siç ka pasur raste në regjimin tij, po edhe të Enver Hoxhës.
“Lufta me lirinë e fantazisë së shkrimtarit nuk ka mundur e as nuk mund të fitohet. Ai aty mbetet i lirë dhe sovran. Natyrisht në jetën reale shoqërore nuk është ashtu. Në jetën reale shoqërore liria e shkrimtarit është e dozuar nga natyra e regjimit, nga vlerësimi për rrezikshmërinë që paraqesin idetë e tij dhe angazhimi i tij, nga ndikimi që ka vepra e tij mbi publikun. Në disa shtete si në Çekosllovaki, në Poloni dhe në ish Jugosllavi, shkrimtarët u bënë adresa e rebelimit antikomunist. Kujtojmë Adam Mihnjik, Franjo Tuxhmani, Ibrahim Rugova, Dimitrije Rupeli, Jasha Zllobeci, Adem Demaqi, Dubravko Horvatiqi e shumë të tjerë. Por, në të njëjtën kohë pati edhe raste të angazhimit për restaurimin e regjimit nazifashist, siç ndodhi në Serbi, fjala vjen me shkrimtarët si Dobrica Qosiqi, Vuk Drashkoviqi, Miodrag Bullatoviqi, Brana Cërnqeviqi e dhjetëra të tjerë. Deri sa në rastin e parë shkrimtarët aspironin ta fitonin lirinë duke iu kundërvënë regjimit totalitar, në rastin e dytë shkrimtarët iu shitën regjimit totalitar e gjakatar serbomadh kundër lirisë së kombeve të tjera”, shpalos Krasniqi.
Për të, shkrimtarët si: Mario Vargas Ljosa, Adam Mihnjik, Vacllav Havel, Umbeto Eko, Suzan Sontag, Eli Vizel dhe Hans Magnus Enserberger, ndihmuan që publiku të kuptonte përmasat e tragjedisë së popullit shqiptar të Kosovës. (Fatkeqësisht dhe në këtë rast pati shkrimtarë që ndoqën linjë të kundërt, siç bënë Gabriel Garsia Markes, Peter Handke e deri edhe dijetari Noam Çomski.)
“Një rol konkret dhe domethënës gjatë kohës së spastrimit etnik serb kundër shqiptarëve të Kosovës ka pasur shkrimtari hebrejo-amerikan, Eli Vizel, si emisar special i presidentit Bill Klinton. Raporti i tij që konfirmoi se në kampet e refugjatëve në Maqedoni ishte fjala për dëbim me dhunë dhe për spastrim etnik të shqiptarëve, u përdor si argument edhe nga administrata amerikane e edhe nga OKB. Kur e kam lexuar romanin e tij „Agimi“ ku e denoncon edhe cinizmin hebraik, e kam kuptuar edhe më qartë se ku e ka burimin integriteti i tij moral, te liria e tij si shkrimtar dhe si njeri, e fituar si i mbijetuar i kampeve naziste të përqendrimit. Shkrimtarët që kanë liri maksimale në fantazinë e tyre dhe konfrontime permanente me realitetin, ku shumë herë janë humbës, i ka përshkruar më së miri Sharl Bodleri në poezinë e tij me titull ,,Albatrosi” Sipas Bodlerit, ai shpend guximtar, që fluturon lart e nëpër furtuna, kur është në tokë, në mol është i objekt i talljes së marinarëve”, thotë ai.
Krejt në fund ai e shtron pyetjen: ‘A ka ndonjë shkrimtar në Kosovë që mund të jetojë nga puna si shkrimtar?’, teksa përgjigjet vetë: “Jo. Atëherë, ose kjo punë është e pavlerë, ose nuk vlerësohet realisht. Që është punë e pavlerë nuk mund të thuhet, e pakta në rastet e shkrimtarëve seriozë dhe që kanë sjellë vlera mirëfilli estetike në letërsinë shqipe.”
“Në Kosovë kushdo mund të jetojë nga puna e vet si elektricist, taksist, hidraulik, çoban, por jo si shkrimtar. Konkluzioni: ashtu si e ka shteti qëndrimin ndaj shkrimtarëve e letërsisë, ashtu e kanë qytetarët qëndrimin ndaj shtetit, pra janë mospërfillës dhe injorues. Në Kosovë ekziston infrastruktura ligjore për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Por, është ligj që synon të mbrojë diçka që nuk ekziston në realitet. Kjo ka të bëjë veçmas me krijimtarinë letrare, e cila në shtetin tonë është e dërrmuar, e injoruar, praktikisht e ngulfatur, në njërën anë nga injoranca në rritje e popullit e në anën tjetër nga politikat injorante të parlamenteve e qeverive tona. Rrjedhimisht ajo infrastrukturë ligjore për të drejtat e autorit, në këtë rast u përngjet shumë fshatrave të Potemkinit”, përfundon Krasniqi.
Pastaj të pranishmit vazhduan me bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery dhe njëkohësisht admiruan edhe ekspozitën e artistit Sadri Morina që ende po qëndron e hapur për admiruesit.
Projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës.
PEN Qendra e Kosovës më parë ka realizuar disa projekte, po ashtu me përkrahje të MKRS-së.
Nga këto projekte vlen për të përmendur ato që bosht kishin përkujtimin e shkrimtarëve të ndjerë të Kosovës që kanë lënë gjurmë në letërsinë tonë. Kështu, në vitin 2020 janë mbajtur takimet me titull “Ora e Shkrimtarit”, dhe vjet, më 2021, takimet “Ora e Shkrimtarit 2”. / KultPus.com
Gjumit i druhem, Më duket sikur më mashtron, M’imponohet si opsion i vetëm, E unë s’i dua gjërat pa alternativë, Aq më pak ato që ma cënojnë lirinë.
Gjumi është kafaz, Kafaz ëndrrash që s’jetohen. Shpesh s’i mbyll hiç sytë, Si ushtar bëj roje n’thellësitë e natës, Me hënën n’puthje kozmike, N’kërkim t’dy syve me i shiku, N’kërkim t’buzës që dridhet, N’luftë me ligjin e kohës që s’ndalon, N’luftë me ligjin e trupit që lyp pushim.
Dhe kur rrezja e parë zbret nga qiejt e përgjumur, Unë veç jam n’t’shtatin… Pa zë përshpëris: « Fitova disa ore jetë, disa orë liri… Jetova! »
Kam edhe arsye tjera pse gjumin s’e dua… Më duket i largët mëngjesi, e largët dita, Me u përmallu për ata që më mungojnë, Me u çmall mendimeve për ta. Duke u magjeps me ditën që vjen pa pyet, Me mistiken e gjithësisë, Kur jeta nis… / KultPlus.com
New Orleans është vendi ku Elton John u kthye sërish me turneun botëror, pas nënshtrimit të operimit të ijeve.
Ky yll muzike tashmë ka shtyrë shumë koncerte për shkak të pandemisë së COVID-19.
Ai gjatë koncertit në New Orleans tha se nuk ka interpretuar në skenë që prej marsit të vitit 2020, kështu që kjo është një përvojë e re për të gjithë, dhe ai është i lumtur që fansat e tij kanë pritur të dëgjojnë interpretimet e tija për 745 ditë. Ai ka thënë se jetojmë në kohë interesante, por shpreson se do të kalojnë mirë.
John në këtë koncert interpretoi disa nga hitet e tij, si “Bennie and Jets”, “I’m Still Standing”, “Rocket Man” dhe “Crocodile Rock”.
Elton John ka thënë se në këtë qytet kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, tragjedi të tmerrshme, katastrofa. Por ai ka thënë se banorët e atjeshëm ngriten në këmbë shpejtë. Sipas tij, ata kanë karakter. “New Orleans ka shpirt”, ka thënë John.
Vitin e kaluar, Elton John anuloi koncertet në Evropë. Ai i shtyu ato për vitin 2023. Këtë për shkak të operimit.
John deri në muajin prill do të interpretojë edhe në 40 vende të tjera në Amerikën Veriore. Më pas do të bëhet gati për koncertet në Evropë.
Në vitin 2023, ai do të interpretojë në Zelandë të Re, më pas në Australi, dhe më pastaj nëpër Evropë. Turneu do të përfundojë kah fundi i 2023-tës.
Vitin e kaluar, pas nderimit me çmimin prestigjioz të nderit në Windsor Castle, ai ka thënë se ky do të jetë turneu i fundit muzikor për të, pasi që më pas do të angazhohet në fondacionin Elton John AIDS./21Media/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot disa personalitete të shquara të fushës së artit dhe të kulturës shkodrane, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në sallën e këshillit bashkiak të Shkodrës.
Kreu i shtetit çmoi me dekoratën e lartë “Nder i Kombit” (pas vdekjes) Shyqyri Alushin (Hagjanin): “Në shenjë vlerësimi për talentin dhe interpretimin e rrallë të këngës popullore shkodrane. Me mirënjohje mjeshtrit të talentuar, i cili me vokalin e tij të veçantë u bë i njohur, i dashur dhe i respektuar në Shkodër e kudo ku ai interpretoi këngën popullore shkodrane, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në përhapjen e krijimtarisë sonë popullore.”
Ndërsa me titullin “Mjeshtër i Madh” u vlerësua Agron Dizdari me motivacionin: “Me mirënjohje për kontributin dhe personalitetin e tij të gjithanshëm, të shpalosur në artin skenik dhe kinematogafinë shqiptare, duke dëshmuar cilësi të spikatura me aktrimin dhe profesionalizmin e tij”.
Titulli për Ramazan Çekën mban motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin dhe vlerat e mëdha krijuese si poet, publicist dhe tekst-shkrues i muzikës popullore dhe qytetare shkodrane, e cila këndohet nga shqiptarët, anembanë botës, si dhe për bukurinë e fjalëve dhe të melodisë së saj”, për Ilmi Kurtin “Në vlerësim të kontributit të madh si shkrimtar, poet dhe publicist në promovimin e shkëlqyer të traditave dhe fuqisë artistike të malësisë shqiptare. Me mirënjohje personalitetit me cilësi të jashtëzakonshme, i cili me mjeshtëri kulturore dhe ndjenjë të thellë kombëtare, ka përcjellë me vërtetësi historitë e kohës”; për Nimet Salabegun (Begu), “Me mirënjohje për talentin dhe përkushtimin e treguar në muzikën popullore shqiptare, si mjeshtër i klarinetës dhe këngëtar me grupin e njohur ‘Na bashkoi kënga popullore’, duke dëshmuar cilësi të rralla si artist profesionist dhe i vlerësuar nga artdashësit”; për Merita Smajajn, “Me vlerësim ndaj artistes së spikatur të teatrit ‘Migjeni’ të Shkodrës dhe kinematografisë shqiptare, si dhe për talentin e rrallë në realizimin e shumë personazheve me profesionalizëm dhe me cilësi të lartë artistike”.
Titulli për Adnan Balën mban motivacionin: “Me mirënjohje për talentin dhe përkushtimin e treguar për muzikën popullore shqiptare, veçanërisht për muzikën popullore shkodrane, duke dëshmuar cilësi të rralla si artist profesionist, i dashur dhe i vlerësuar nga artdashësit”; ndërsa për Mhill Çun Gjonajn (pas vdekjes): “Për meritat e veçanta në hulumtimin, autorësinë e shumë teksteve, si dhe interpretimin e shkëlqyer të folklorit dukagjinas e më gjerë për më shumë se pesë dekada. Në vlerësim të organizimit dhe drejtimit të grupeve artistike në Dukagjin e Gruemirë, si dhe bashkëpunimit të frytshëm me mediat vizive lokale për njohjen dhe përhapjen e folklorit dhe kulturës popullore dukagjinase dhe shqiptare”.
Presidenti i Republikës, duke iu drejtuar autoriteteve vendore të këshillit bashkiak, artistëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, vuri në dukje se, “artistët, që ne vlerësojmë sot, janë aktorë, këngëtarë, rapsodë e poetë, por të gjithë i bashkojnë dy gjëra të rëndësishme: dashuria për Shkodrën dhe pa dyshim dashuria për artin”.
“Arti popullor është një pasuri e jashtëzakonshme që duhet ruajtur e trashëguar në brezat që do të vijnë pasi kërcënohet realisht për t’u zbehur, për t’u zvetënuar ndërkohë që ne kemi një nevojë të domosdoshme të forcojmë identitetin tonë kombëtar, akoma edhe më shumë në sfidat që kemi përpara. Ndaj edhe vlerësimi i artistëve që kanë dhënë e japin një kontribut të çmuar për ruajtjen dhe zhvillimin e artit tonë duhet të mbetet një detyrim dhe përparësi e institucioneve dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë”, tha Meta./ata.gov.al/ KultPlus.com
Një objekt tjetër interesant, ku mjeshtri është frymëzuar nga mjedisi e kostumet vendase është “Gruaja e veshur me kostum ilir” ose “Gruaja nga Dimali”, origjinali i së cilit ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Qendra Kombëtare e Muzeumeve, (Berat) në një material që shkruan artefakte të nxjerra në dritë, thotë se ky objekt i përket shekullit III e II p.k. i gjetur në qytetin e Dimalit, në gërmimet që u bënë në 1963 të drejtuara nga arkeologu Burhan Dautaj.
“Në këtë bust menjëherë bie në sy elementet e detajet etnografike, kushtuar ndoshta ndonjë hyjneshe ilire sipas arkeologut Burhan Dautaj”, thuhet nga QKMB, që ka publikuar dhe foto të këtij objekti. Gruaja ka veshur linjë me mëngë të shkurtra të qepura me tegel të trashë që mendohet të jetë gajtan, me jakë ku në pjesën e parme është e hapur në formë trekëndore dhe e kapur në supin e djathtë me një karficë (broshkë). Sipër ka një petk që mbulon gjoksin, deri nën bel. Brezi i shtrënguar krijon pala të dukshme. Elementi i tretë është një pelerinë e trashë, material leshi, hedhur mbi kokë e vjen deri në shpinë që ngjan me llabanen e Labërisë.
Profesor Burhan Dautaj njihet si zbuluesi i dy qyteteve të Ilirisë së Jugut, Dimalit në qarkun e Beratit dhe Olympes në Mavrovë të Vlorës. Ai ishte pjesëmarrës i dhjetëra ekspeditave të tjera të zhvilluara në zona të ndryshme arkeologjike në vend. Gërmimet e mirëfillta arkeologjike që bënë të mundur identifikimin e qyteteve antike të Dimalit dhe të Olympes, janë kryer gjatë viteve 1960-1980 nën drejtimin e tij dhe bashkëshortes së tij të ndjerë, shkencëtares Aleksandra Mano.
Ata me përkushtim kanë nxjerrë në dritë pasuri për historinë antike dhe të lashtë në territorin shqiptar. Kontributi i profesor Dautajt në lëmin e shkencës së arkeologjisë është tepër i vyer. Ai deri në fund të jetës së tij nuk rreshti duke punuar dhe drejtuar arkeologët e rinj për të punuar për zbulimet e reja./Sot/ KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas rritjes së ndjeshme të rasteve pozitive me COVID-19 në vendin tonë, ku tha se varianti i ri Omicron kërkon kërkon edhe përditësim të masave, me qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së rasteve.
Qeveria bëri të ditur se nuk duhet të nënvlerësohet varianti Omicron, pasi sipas informatave nga vendet e tjera dëshmojnë qartë, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete.
“Kështu u tha edhe në mbledhjen e sotme të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19. Masat kanë për qëllim primar ruajtjen e shëndetit si dhe sigurimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, që të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar.
Po ashtu, një ngadalësim i tillë do t’u japë kohë për t’u vaksinuar sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese. Respektimi i masave dhe vaksinimi do të na ndihmojë që të kalojmë sa më shpejt valën aktuale dhe me sa më pak pasoja”, thuhet në reagimin e tyre.
Qeveria bëri të ditur se pothuajse të gjitha rastet janë të variantit Omicron, i cili po përhapet jashtëzakonisht shpejt.
“Si gjithmonë, mjeti më i fortë dhe më efikas për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët përreth nesh, mbetet vaksinimi masiv. Prandaj vaksinohuni sa më shpejt dhe, në veçanti, merrni dozën përforcuese posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë”. / KultPlus.com
Shkrimtari shqiptar Skënder Sherifi vjen me romanin e tij të fundit për pandeminë dhe prapaskenat e saj.
“Covid and Co” titullohet libri i tij mbi Covid-19, i cili sapo është botuar në Belgjikë. Një ese prej 600 faqesh ku preken një sërë çështjesh politike, shëndetësore dhe sociale mbi pandeminë botërore dhe gjithë pasojat e saj në dy vitet e fundit. Shkrimtari në emisionin e përditshëm në Report Tv, ‘Rreze Dielli’, tregon arsyen se përse vendosi që të vinte me një vëllim të tillë.
“Jam munduar që të analizojë dhe kuptojë këtë pandemi që na ka prekur të gjithëve tash dy vite. Kam tentuar për të dëshifruar si ka ardhur, cilat pasoja kanë pasur në jetën tonë të përditshme. Është një libër analitik. Kam diskutuar me mjekë, jam informuar me libra, me emisione televizive , kam grumbulluar materiale, kam punuar një vit për këtë libër” u shpreh ai.
Ndërsa rrëfen se është një roman që i adresohet masës së gjërë duke analizuar në shumë aspekte se çfarë do të thotë një pandemi.
“E ka botuar Belgjika sepse e ka konsideruar si një vepër origjinale sepse ka qenë vizioni i një artisit, poeti, intelektuali. Unë doja që ti adresohesha masës së gjerë frankofone por edhe shqiptare. Është një tenativë që nuk e kam bërë kurrë më parë, për të kuptuar se cfarë do të thotë një epidemic botërore, një krizë botërore” tha ai.
Puna e gjatë për librin e tij rreth Covid-19 e ka lidhur shkrimtarin shqiptarë edhe me virologë dhe epidemiologë francezë. Ai tregoi se në rrethin e tyre flitet për dy hipoteza përsa I përket kësaj pandemie:
Janë dy hipoteza, një pjesë e virologëve dhe epidemiologëve na thonë që mbas Omicronit mund të vijë në rënie kjo pandemi e Coronavirusit edhe mund të shëndërrohet gradualisht në një tip gripi sezonal. Kjo është teoria parë ndërsa teoria e dytë është mund të kemi variante të reja që mund të na vijnë nga afrika apo nga Amerika Latine se janë kontinente që nuk janë të vaksinuar si tek ne, këtu në Europë janë vaksinuar 85% e popullsisë. Atëherë kur vjen një variant nuk ia njohim natyrën, është variant i egër, i rrezikshëm. Në Francë 10 ditët e fundit 400 mijë infektime në ditë. Për një javë dy milionë e gjysmë deri në 3 milionë në muaj” tha ai.
Libri është botuar në gjuhën franceze ndërsa mund të gjendet falas në mënyrë elektronike përmes siteve të ndryshme dhe rrjeteve sociale. / KultPlus.com
Baritoni shqiptar me famë ndërkombëtare Gëzim Myshketa vazhdon të mbetet një nga artistët shqiptar më të suksesshëm në skenat evropiane, me ç’rast sw fundmi ai do të interpretojë në “Teatro Massimo di Palermo”, përcjell KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, baritoni Myshketa ka bërë të ditur se nga data 22 janar deri më 25 janar 2022 do të jetë në “Teatro Massimo di Palermo”.
Ai do të performojë në rolin e ‘Guy de Monfort’ në operën “Les vepres Siciliennes“ të kompozitorit italian Giuseppe Verdi. / KultPlus.com
Javën e ardhshme duke nisur nga dita e hënë deri të mërkurën shkollat në të gjithë vendin do të jenë të mbyllura për shkak të motit të keq.
Lajmin e njoftoi sot ministrja e Arsimit Evis Kushi përmes një postimi në Facebook. Kushi shprehet se në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, që në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius.
“Të dashur nxënës, mësues dhe prindër! Dua t’ju njoftoj se sot në MAS kemi marrë një vendim të rëndësishëm që lidhet me procesin mësimor të shkollave tona në fillim të javës së ardhshme.
Sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius.
Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.
Natyrisht nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta, dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, ne do ta rishikojmë këtë vendim dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rendësi prioritare.
Të dashur prindër!
Ju lutem merrni masa për ju dhe fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i kapërcejmë sa më lehtë këto ditë të vështira të dimrit.
Shumë faleminderit për mirëkuptimin tuaj” shkruan Kushi. / KultPlus.com
Piva një gllënjkë jetë – Po të tregoj se sa kam paguar për të – Pikërisht sa një egzistenë e tërë. “Çmim’ i tregut”, më thanë. Dhe paskëtaj më peshuan – kokërr për kokërr. Dhe fibrat mi llogaritën fije më fije. Në fund më dhanë vlerën e Qenies sime – Sa një gram parajsë!
Përktheu: Herman Çuka / KultPlus.com
AMHERST, MA – SEPTEMBER 4: A daguerrotype of Emily Dickinson at age 16, is displayed at the Emily Dickinson Museum in Amherst, Wednesday, Sept. 4, 2013. (Photo by Wendy Maeda/The Boston Globe via Getty Images)
Ekspozita e artit bashkëkohor “Rezistencë” me kurator Mehmet Behlulin do të mbahet më 20 janar 2022 duke filluar nga ora 19:00, në bufenë e Teatrit të Qytetit në Gjilan, në kuadër të Flakës së Janarit dhe me organizim të ‘Varg e Vi’-së, përcjell KultPlus.
Espozita e artit bashkëkohor “Rezistencë”, ka si kurator Mehmet Behlulin dhe artistët bashkëkohorë pjesëmarrës janë: Jakup Ferri nga Prishtina, Bekim Zeqiri nga Mitrovica, Agron Blaçkori nga Podujeva, Brilant Milaziminnga Gjilani dhe Fidan Bejtullahi nga Suhareka.
E veçanta e ekspozitës është se për herë të parë bëhet një edicion specifik i artit bashkëkohor te Peneli i Flakës dhe në ekspozitë do të paraqitet edhe artisti Jakup Ferri, përfaqësuesi i sivjetëm i Kosovës në Bienalen e Venedikut. / KultPlus.com
Në një nga fotot e viteve të fundit të jetës, portreti i tij, vjen i plotë teksa ndez një cigare. Burri që u end aq gjatë në botën e Dantes apo të Homerit sot do të ishte 104 vjeç. Ai lindi më 7 shtator 1918 dhe u nda nga jeta më 21 janar 2010. Pashko Gjeçi studioi në Kolegjin e Jezuitëve, të cilin nuk arriti ta mbaronte pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare.
Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938, djaloshi fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larta në Itali. Në vitin 1943 përfundoi Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë në Romë me rezultate të larta, me tezë diplome “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”. I grishur për të punuar asistent-pedagog Pashku nuk pranon dhe i nxitur nga Ernest Koliqi për të dhënë kontributin e vet në atdhe, kthehet po atë vit. Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës . Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko Gjeçi vazhdoi të jepte mësim pranë atij gjimnazi deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas u transferua në qytetin e Durrësit. Këtu e arrestuan si të implikuar në një organizatë e cila kishte për qëllim të përmbyste me dhunë pushtetin komunist në Shqipëri.
Gjyqi do ta dënonte me pesë vjet burg të cilat i bëri kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit ku e dërguan muajt e verës. Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Aty ai vendosi që të përkthejë poetin e famshëm italian Dante Aligerin. Nga 1968 gjer më 1972 jep latinisht në Fakultetin e Mjekësisë. Punon pranë shtëpisë së librit shkollor si korrektor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 do të botohet “Odisea”, një tjetër përkthim i tij. Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000, kryeveprat e përkthyera nga ai në shqip ribotohen por edhe shohin për të parën herë dritën e botimit. Komedia Hyjnore dhe Odisea ribotohen më 2006, Fausti (pj.1) më 2008, “Andromaka” dhe “Atalia” e Rasinit më 2010.
Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Gjeçi u dekorua nga Presidenti italian Çampi më 2004 me “Urdhërin e yllit të solidaritetit italian” për përkthimin e Dantes . Për 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” (Pjesa I) të Gëtes. Pashko Gjeçi ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare.
Në mes te shtegtisë së kësaj jete U gjeta në një pyll krejt errësi, Se kishe humbë unë rrugën e vërtetë. Si ish ta them sa kam vështirësi Ai I egri pyll, I ashpër, pyll hata, Sa ta mejtoj me kall frike përsëri!…
Vargjet e mësipërme janë marrë nga Kënga XXXIII, e Komedisë Hyjnore, një vepër shqipëruar nga Pashko Gjeçi. /KultPlus.com
Kënga ‘Levitating’ nga këngëtarja kosovare Dua Lipa është kënga më e dëgjuar në radio për vitin 2021, transmeton KultPlus.
Nga albumi i saj i titulluar Future Nostalgia, Lipa u bë një artiste kryesore në skenën e muzikës pop. Ajo publikoi hitet kryesore si “Don’t Stop Now” dhe “New Rules”. Ajo gjithashtu publikoi një video zyrtare muzikore në YouTube për publikimin e saj në vitin 2020, “Levitating”.
Si një nga këngët më të njohura në album, “Levitating” mbeti në tabelën e Billboard Hot 100 për pjesën më të madhe të vitit 2021. (Si versioni origjinal ashtu edhe versioni me transmetime të fituara nga DaBaby.)
“Levitating” thjesht duke bërë gjënë e tij në tabelën e Billboard është absolutisht surreale,” tha Lipa gjatë një interviste me Billboard’s Pop Shop Podcast./ KultPlus.com
Albumi i grupit Metallica i vitit 1991, i njohur për fansat si ‘albumi i zi’, ndihmoi në shndërrimin e grupit rock në yje globalë, transmeton KultPlus.
Fotografi Ross Halfin i shoqëroi ata në një turne epik.
Më poshtë gjeni disa nga fotografitë e shkrepura gjatë këtij turneu:
Sot përkujtohet në 10-vjetorin e vdekjes, këngëtarja amerikane, Etta James, transmeton KultPlus.
Veç muzikës dhe zërit të mrekullueshëm, emocioneve që u fali mijëra fansave, jeta e saj u shoqërua nga alkooli dhe droga, që shpesh i rrezikuan jetën, por dhe vendosën disa herë përballë me ligjin.
James nisi karrierën në vitin 1950, kur ishte vetëm 14 vjeç me këngën “The Creolettes”, kënduar bashkë me dy këngëtare të tjera. Suksesi i vërtetë i saj mbërriti në vitin 1961, me “At Last”, një këngë blues për të ardhur më pas tek “Tell Mama”, një këngë tepër e famshme që u riprodhua në vitet në vazhdim nga shumë artistë të tjerë.
Etta James fitoi 4 Grammy Award, 17 Cmime për Muzikën Blues dhe ishte përfshirë në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 1993. Një prej këngëve të saj më të famshme është “At Last”.
Vdiq në moshën 74-vjeçare. Këngëtarja vdiq në një spital në Kaliforni, ku ishte shtruar prej disa ditësh pasi u diagnostikua me leukemi në fillim të vitit 2011. James do të mbahet mend për këngët e saj soul, rhythm ‘n’ blues dhe jazz.
Zëri i fuqishëm, tokësor i James e mbylli hendekun mes ritmit dhe rock and roll. Ajo fitoi gjashtë Çmime Grammy dhe 17 Çmime Blues Music. Ajo u fut në Hall of Fame Rock and Roll në vitin 1993, në Blues Hall of Fame në vitin 2001 dhe në Grammy Hall of Fame në të dyja vitet 1999 dhe 2008. Revista Rolling Stone e renditi James numrin 22 në listën e 100 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe numrin 62 në listën e 100 artistëve më të mëdhenj.
Më poshtë KultPlus ua sjell interpretimin e këngës ‘At least’ në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 1993./ KultPlus.com