Me anë të një ceremonie të veçantë të zhvilluar në qytetin e Durrësit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot disa personalitete të shquara në fusha të ndryshme të kësaj treve.
Presidenti Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” Mihal Mukën me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e shëndetit publik, të humanizmit dhe punës së palodhur në shërbim të qytetarëve durrsakë. Me mirënjohje për aftësitë e larta profesionale si mjek epidemiolog, botues shkencor e pedagog, si dhe për vlerat e spikatura intelektuale dhe qytetare”.
Po ashtu u vlerësua sipërmarrësi Nazif Tivari me motivacionin: “Në vlerësimin të kontributit të shquar në shërbim të konsumatorit shqiptar me prodhimet e qumështit, si dhe ato të përpunuara prej tij. Me mirënjohje sipërmarrësit model, të përpiktë në marrëdhënie më punonjësit, si dhe me aftësi të spikatura organizative e me vizion bashkëkohor në industrinë e agrobiznesit”; valltarin Ibrahim Roçi: “Në vlerësim të talentit të spikatur në interpretimin e valleve tradicionale, për kontributin në lartësimin e kulturës popullore e folklorit të trevës së Kavajës, si dhe në formimin dhe përgatitjen artistike të mjaft valltarëve të rinj”.
Me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës vlerësoi Alfred Golgotën me motivacionin: “Me mirënjohje për shërbimin e çmuar dhe kontributin në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve të ruajtjes së rendit publik, si dhe vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare”.
Me titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta, vlerësoi edhe Enver Qerimin me motivacionin: “Në vlerësim të cilësive të spikatura si violinist i talentuar, për virtuozitetin në interpretimin me teknik të lartë dhe emocion të shumë koncerteve me repertor të pafund nga muzika popullore, deri në pjesët më të njohura të muzikës instrumentale shqiptare e botërore për violinë e piano”. / KultPlus.com
Grupet më të mëdha parlamentare në parlamentin federal Bundestag e mbështesin vaksinimin me detyrim. Faktorë shëndetësorë dhe ekonomikë nxisin autoritetet.
Deri tani shumëçka flet që vaksinimi kundër koronavirusit do të bëhet i detyrueshëm në Gjermani. Kjo u përvijua edhe të mërkurën (26.01.) në debatin pasionant mbi tre orësh të deputetëve e parlamentit federal, Bundestagut. Ajo që është me të vërtetë e diskutueshme është vetëm grupmosha prej së cilës shtetasit do ta kenë me detyrim të vaksinohen.
Zyrtarisht në diskutim janë këto variante: vaksinimi i detyrueshëm për mbi 18 vjeçarët, vaksinimi i detyrueshëm për mbi 50 vjeçarët; një bisedë këshilluese, me detyrim, për vaksinimin; heqja dorë nga detyrimi për vaksinim.
Grupet më të mëdha parlamentare, që përfaqësohen edhe në qeveri, Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, e mbështesin një vaksinim të detyrueshëm. Kjo e bën me gjasa të forta miratimin e njërit nga variantet e projektligjit për vaksinimin me detyrim. Nga grupet parlamentare të përfaqësuar në qeveri, të pavendosur janë kryesisht liberalët e FDP-së.
Debatin Bundestagu e quajti “debat orientues”. Kjo pasi tema e vaksinimit me detyrim është temë shumë polarizuese në Gjermani. Qeveria federale madje për këtë temë hoqi dorë nga paraqitja prej saj e një projektligji Bundestagut, siç bën zakonisht. Iniciativa iu la përfaqësuesve të popullit, deputetëve të Bundestagut.
Qëndrimin e kujdesshëm të qeverisë e argumentoi në kanalin publik ZDF ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Karl Lauterbach. Ai tha se”ky është vendim i ndërgjegjes”, është „çështje morali”. “Këtu konfrontohen të drejta bazë”.
Autoritetet në Gjermani kanë deklaruar që mbrojtja e shëndetit të personave të tjerë apo edhe e komunitetit, në mënyrë që të evitohen rreziqet e epidemive, e justifikon ndërhyrjen në paprekshmërinë fizike të një personi, kur ndërhyrja është proporcionale.
Kjo u tha në dhjetor 2021, kur në Gjermani u vendos vaksinimi me detyrim për profesione të caktuara, siç është personeli mjekësor e sanitar. Atëherë u përshtat ligji ekzistues federal kundër infektimeve.
Detyrimi për vaksinim për këto profesione do të hyjë në fuqi në 16 mars të këtij viti. Deri në këtë datë, personeli shëndetësor ka kohë që të vaksinohet vullnetarisht.
Shkaqet pse po ecën Gjermania drejt vaksinimit me detyrim
Në Gjermani ka dakordim se parakushtet më të mira të mundshme, për përballimin e pandemisë krijohen kur popullata është e vaksinuar disa herë. Edhe nëse nuk është absolute mbrojtja me vaksinat.
Më tej, autoritetet thonë se vaksinimi në Gjermani nuk po ecën aq shpejt, sa të mbrojë popullatën nga një valë e re pandemie në vjeshtë dhe nga variante të reja të koronavirusit. Shifra e vaksinimeve është më e ulët se ajo në disa shtete evropiane.
Në Gjermani janë vaksinuar dy herë 73,8% e popullatës (75,7% janë vaksinuar një herë, 27.01.). Sipas Institutit Robert Koch vetëm 51,1 përqind janë vaksinuar për herë të tretë. Tre milionë vetë në Gjermani janë krejt të pavaksinuar.
Për krahasim: në Itali janë vaksinuar dy herë 75,9 përqind e popullatës (82,7% janë vaksinuar një herë, 27.01.). Në Francë janë vaksinuar dy herë 76,1 përqind e popullatës (79,6% një herë, 26.01.).
Dihet se çdo i pavaksinuar infekton me koronavirus jo vetëm veten, por edhe të tjerët. Aktualisht, numri i të infektuarve me Covid-19 që përfundojnë në spitale në Gjermani po rritet çdo ditë. Kjo rritje gradualisht po mbingarkon spitalet, që detyrohen të spostojnë trajtimin e sëmundjeve të tjera. Një acarimi i mëtejshëm i situatës do të pakësonte më shumë kapacitetet për kurim, duke i vënë mjekët para dilemës së triazhës: të trajtojnë atë pacient me Covid-19 që ka më shumë shanse të mbijetojë.
Një faktor tjetër, pse vaksinimi synohet të bëhet me detyrim është faktori ekonomik. Të vaksinuarit kanë mundësi të marrin pjesë me rrezik të vogël në aktivitetin ekonomik dhe social të vendit. Kështu autoriteteve nuk u duhet të kufizojnë jetën publike ekonomike, me pasoja për të gjithë.
Diskutime emocionante nga deputetët
Tema e masave për koronavirusin shoqërohet thuajse kudo në botë me nota emocionale. Shumë njerëz njohin dikë, një familjar apo një të njohur, që e ka pësuar nga koronavirusi. Edhe në Gjermani, diskutimet për masat janë shumë herë përballje emocionesh dhe jo shkëmbime argumentash, pasi qartësi absolute nuk ka asnjë argument.
Në Bundestag, ra në sy që deputetët u përpoqën ta paraqesin me fuqi maksimale emocionale pozicionin e tyre. Disa folën për njerëz në familje, që u kishin vdekur nga koronavirusi. Pas një diskutimi tjetër në mes të shkurtit, vendimi se a do të ketë vaksinim të detyrueshëm apo jo në Gjermani do të merret në mes të marsit.
Kjo mosngutje ka edhe një sfond psikologjik: kur njerëzit dëgjojnë se nuk kanë alternativë dhe se dikur do t’u duhet të vaksinohen me detyrim, vaksinohen vullnetarisht.
Në fakt, shumica e gjermanëve, 69% e tyre, e mbështesin futjen e vaksinimit me detyrim. Kështu u shprehën ata në një sondazh të Institutit Yougov, në nëntor 2021.
Heqja e kufizimeve përballë vaksinimit me detyrim
Masat për koronan, në shtete të ndryshme, merren duke u bazuar në vlerësimin e fakteve nga politika. Për disa shtete evropiane, si për Britaninë e Madhe dhe për Danimarkën, pandemia duket se ka mbaruar.
Në Danimarkë janë vaksinuar dy herë mbi 81,2 përqind e popullatës (83,3% një herë, 26.01.). Danimarka shpalli fundin e masave kufizuese.
Të njëjtën gjë bëri Britania e Madhe. Për këtë vend jepen shifra të ndryshme për numrin e të vaksinuarve dy herë: Our World in Data dhe Robert-Koch-Institut flasin për 70,8 përqind, të vaksinuar dy herë atje (76,6% janë vaksinuar një herë, 26.01.); 80 përqind janë vaksinuar dy herë thonë disa medie britanike. Fakt është se në Britani numri i të sëmurëve në spitale është në rënie.
Gjermania ka popullatën e dytë në Evropë përsa i përket plakjes dhe kulmi i numrit të infektimeve me variantin Omikron të koronavirusit pritet të arrihet në mes të shkurtit
Shtete të tjera, me kuota të ngjashme vaksinimi si Gjermania, siç është Austria (74,3 % të vaksinuar dy herë, 74,5% të vaksinuar një herë, 26.01.), kanë miratuar vaksinimin me detyrim. Në Austri, prej së martës (01.02.) do të ketë vaksinim me detyrim për shtetasit mbi 18 vjeç.
Edhe Italia ka miratuar vaksinimin me detyrim, për mbi 50 vjeçarët. Kurse Franca, do ta kthejë “kartën e shëndetit” me të cilën hyn ndër të tjera në bare e restorante, në “kartë vaksinimi”. Kjo do të thotë se pa vaksinim nuk do të kesh mundësi t‘i frekuentosh këto ambjente publike./DW/ KultPlus.com
Më 28 janar të vitit 1936 u lind në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë, shkrimtari Ismail Kadare.
Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme, kohë kur djalosharit Kadare do t’i linte mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” të autorit anglez, William Shekspir. Në vendlindje do të qendronte deri në përfundimin e arsimit të mesëm, kur përgatiti për botim ciklin e tij të parë me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954). Mandej, u vendos në Tiranë, ku kreu studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe u diplomua për “Mësuesi”.
Në harkun e vjetëve 1958-1960, Kadare thelloi studimet e tij në domenin e letërsisë në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitin 1960, i detyruar t’i braktiste studimet për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në atdhe dhe nisi angazhimin në gazetari.
Në vitin 1963, pas një retushimi të herëpashershëm, u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve që vërehet në këtë vepër, do të ishte kryefjalë edhe e romanit “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.
Megjithatë, pena e Kadaresë nuk do t’i kursente as kritikat ndaj traditave prapanike të shoqërisë, siç rrok romani “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërpera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike. Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlërësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.
Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Më poshtë, bashkëlidhur gjendet kopja e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama” (u shkrua që në vitin 1959, por mbeti në dorëshkrim dhe u botua pas viteve ’90), dhuruar DPA-së nga autori më 24 maj, 2002. / KultPlus.com
Dhjetori i vitit tashmë të largët 1996, 25 vite më parë, në Tiranë pati rastisur pikërisht i vranët dhe me shira, pas një vjeshte, si rëndom, gjithashtu plot reshje, dhe kur do të vinte koha e festivalit të fundvitit në TVSH, kureshtjes sidoqoftë të shtuar për këtë ngjarje madhore të muzikës shqiptare, do t’i shtohej sidomos një këngë në veçanti.
Sakaq të nesërmen e mbrëmjes kur në skenë ishte kënduar kjo këngë, pata vajtur në gjimnazin tim, i kujtoj akoma shoqet e mia të klasës që murmurisnin me gjysmë zëri, po shpesh edhe haptas me zë të lartë fjalët dhe ritmet e “Shi bie në Tiranë”, duke u përpjekur ta përsërisnin tekstin saktësisht, ndonëse vetëm pjesën kryesore të refrenit nuk e gabonte gjithsesi askush.
Shiu mirëfilli nuk na mungoi as atë ditë, dhe dukej se qielli tiranas po tregohej edhe më bujar në vranësira se përherë, sikur të donte t’i përshtatej tekstit të këngës që kishte lënë menjëherë përshtypje të pashlyeshme qysh në mbrëmjen e parë kur ishte interpretuar në sallën e Pallatit të Kongreseve.
Ishte një këngë që ishte sjellë në Tiranë përmes zërit dhe kompozimit të Fitnete Tudës, këngëtares nga brigjet e harlisura të liqenit të Ohrit në Strugën piktoreske, ku njëherësh ngjizet edhe rrjedha e mëtejshme e Drinit të Zi, dhe tingujt e këtij krijimi muzikor, e patën pushtuar kryeqytetin shqiptar paqësisht, me fuqinë e artit, që asgjë nuk mund t’i bëjë dot ballë.
Fitnete Tudën sidoqoftë e kishim njohur tashmë me disa krijime dhe intepretime të tjera të saj, ku pa dyshim spikaste kënga prekëse “Rrugë”, krahas zërit të kultivuar dhe fisnikërisë në paraqitjen e saj të frymëzuar në skenën e festivalit të dhjetorit, që ngaherë kurorëzonte vitin muzikor në Tiranë.
Megjithatë, kësaj radhe ishte ndryshe!
“Shi Bie në Tiranë” na kish depërtuar të gjithëve në shpirt, sidomos banorëve të Tiranës, ne që qytetin tonë e ndienim dhe donim si asgjë tjetër, tiranasve, çunave dhe gocave të Tironës, ne që ishim rritur nëpër rrugicat e saj të zhurmshme dhe të hareshme, ne që ishim kacavarur dikur vjedhurazi nëpër pemët e fqinjëve për të ndukur caracat legjendare, frytin më ekzotik të natyrës dashamirëse tiranase, ne që flisnim qysh në moshë të mitur pastërtisht në dialekt tirons, përkundër origjinave të hapërdara nga jugu në veri, nga Korça gjer në Shkodër, ne që akoma ia ndienim mungesën një kënge ku të shpërfaqej thelbësisht shpirti i qytetit tonë të bukur e gazmor!
Doemos menjëherë të gjithë u bëmë mbështetës të flaktë të kësaj kënge, duke uruar me gjithë zemër që Fitnetja dhe kënga e saj të ngadhënjenin në festival, megjithëse historikisht në garat e tilla muzikore në TVSH, kurrë nuk patën fituar këngët e pëlqyera masivisht nga publiku.
Në ditët në vazhdim, “Shi Bie në Tiranë”, vijoi të ushtonte jo vetëm midis bankave të klasës sime në gjimnaz, por edhe nëpër rrugët e Tiranës, nëpër lagjet e kryeqytetit dhe brenda shtëpive të banorëve të tij, që ishim magjepsur magnetikisht nga kjo këngë kaq e bukur, sa edhe e beftë për të gjithë ne, veçanërisht për faktin që ishte shkruar dhe interpretohej nga dikush që nuk ishte nga Tirana, por që pati ardhur nga matanë kufirit në Qafë Thanë, me frymëzimin liqenor si të Lasgushit, dhe na kish dhuruar një këngë emblematike, që tashmë ishim të vetëdijshëm se do të mbetej gjatë në zemrat tona si tiranas dhe artdashës.
Si adoleshent në vitin e parë të shkollës së mesme, nuk kishte për mua (dhe shumë të tjerë) vargje më grishëse se: “Shi bie në Tiranë, nga malli ynë edhe qielli qan, je i dehur nga pija apo nga dashuria, ti ec… por këmbët nuk të mbajnë”.
Të gjithëve na kish ndodhur që në ditë me shtrëngata të qiellit tiranas, të strukeshim nën ndonjë palmë nëpër rrugët e kryeqytetit, teksa breza të tëra tiranasish qenë lagur e kurrë nuk patën ikur nga qyteti i tyre, i patën harruar edhe ditët e vitet, nga dashuria, teksa shpirti i tyre fluturonte mbi Dajt, por zemra jonë, zemra ime, mbase edhe zemra e krijueses së kësaj kënge të kënduar me aq ndjenjë dhe hijeshi, patën mbetur rrugëve të këtij qyteti, ndërkohë që shiu bie në Tiranë!
Në atë dhjetor të 1996, shumë gjëra në Shqipëri po merrnin rrokopujën dhe falimentimi i firmave piramidalë ngadalë po shndërrohej në realitetin tonë të përditshëm, ndërsa skenat e njerëzve që shtyheshin e grumbulloheshin pranë sporteleve të këtyre ngrehinave fantazëm ku u tretën miliarda dollarë kursime të shqiptarëve, ishin pamje që i shihja edhe vetë çdo ditë kur kthehesha nga gjimnazi në shtëpi, ndonëse prapëseprapë nuk reshtja së fishkëllyeri me ëndje melodinë e kësaj kënge, duke ia kënduar hareshëm asaj edhe fjalët vazhdimisht.
Kosovën akoma e njihnim kryesisht falë imazhit të Ibrahim Rugovës dhe qëndresës së tij paqësore ndaj regjimit brutal të Millosheviçit, dhe përveç dy vajzave kosovare që mësonin në klasën time në gjimnaz, sigurisht të larguara nga vendlindja për t’i shpëtuar apartejdit serb, Fitnete Tuda dhe Vlera Kastrati që interpretuan mjeshtërisht “Shi Bie në Tiranë” në festivalin e madh të TVSH në Pallatin e Kongreseve, me gjasë ishin fillesat e njohjes time me realitetin e larmishëm kosovar, përkundër kushteve skajshmërisht të vështira ku dergjeshin shqiptarët përtej Morinës.
Vite më vonë, do të kisha fatin që Fitnete Tudën ta takoja në Prishtinë, dhe mbaj mend se emocionet ishin të njëjtat për mua, edhe pas aq viteve, ngaqë kënga e saj më vërtitej sërish në mendje njëlloj, dhe më ishte shndërruar vetvetiu në himnin e qytetit tim./ KultPlus.com
Xhudistja pejane ka shkëlqyer sot në “Grand Prix Almada 2022”.
Kampionia olimpike ia doli ta fitojë medaljen e artë në garën që po mbahet në Portugali.
Krasniqi i deklasoi një nga një kundërshtaret në kategorinë deri në 52 kilogramë, ku u rikthye pas pensionimit të Majlinda Kelmendit. Ajo në finale e mposhti me Ippon garuesen kroate, Ana Viktorija Puljiz.
Paraprakisht, ajo e kaloi rrethin e parë pa luftë. E në atë të dytë e mundi me Wazaari dhe me tri dënime për Ippon francezen Leonie Gonzalez.
Në rrethin e tretë, xhudistja pejane ishte më e mirë se spanjollja Ariane Tori Soler, të cilën e mposhti me tri dënime për Ippon. Me këtë rast, ajo u kualifikua në gjysmëfinale. / KultPlus.com
“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekti i ri i krijuar për herë të parë nën organizimin e ’PEN Qendra’, po vazhdon të sjell debat pas debati brenda hapësirës në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast mbrëmë u mbajt edhe një debat tjetër i radhës nëpërmjet të cilit u diskutua një raport mjaft i veçantë në kulturën tonë shqiptare, për të shënuar kështu natën e tretë me radhë, shkruan KultPlus.
Të pranishmit fillimisht zunë vendet e tyre për të dëgjuar nga afër debatin rreth temës “Libri, leximi dhe biblioteka”, ku të pranishëm në panel për të diskutuar më gjerë në një anë studimore, ishin: shkrimtari Ibrahim Kadriu, drejtori i Bibliotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, Engjëll I. Berisha si dhe moderator i debatit, Binak Kelmendi.
Si gjithmonë, ishte një numër i vogël i publikut që çdo herë bëhet pjesë e këtyre aktiviteteve kulturore të cilat shtyjnë që të krijohet një interes e një kujdes më i shtuar ndaj jo vetëm shkrimtarëve por edhe ndaj librit në veçanti. Andaj, edhe këto ngjarje janë ato në të cilat i pranishmi ndjehet tejet i lirë që të futet brenda debatit të krijuar nga pjesëmarrësit në panel.
“Libri, leximi dhe biblioteka”, është tema e radhës e shtjelluar e që e njëjta është konsideruar se zgjon një interes brenda raportit të tyre mes vete. Libri, leximi dhe biblioteka gjithmonë gërshetohen mes vete qoftë në esencë apo edhe jashtë saj, por që gjithmonë lidhen diku në një vendtakim të përbashkët. E kjo ndërlidhje është ajo ngecja që është krijuar sot në mesin tonë ndaj këtyre tri shtyllave e që po vazhdon të sjell probleme nga më të ndryshmet, nga të cilat edhe nuk po gjendet asnjë zgjidhje.
Gjithashtu, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Binak Kelmendi i cili para të pranishmëve prezantoi të ftuarit në panel.
“Për temën e paraparë për sot do të flasin dy persona që janë të ndërlidhur me biblioteka, për shkak se Engjëll është drejtor i bibliotekës por para se të flasim për bibliotekën, duhet të flasim pak për librin, ku si autor i shumë librave e lexues i pasionuar, do të flasë Ibrahim Kadriu”, thotë Kelmendi.
Fillimisht në këtë ngjarje për të folur nga një anë studimore për sa i përket botimeve dhe vlerësimit të letërsisë sot, shkrimtari Ibrahim Kadriu ka treguar rreth mungesës së konsideratës shoqërore ndaj librit.
“Kur është fjala te libri, është e tepërt që, me këtë rast, të merrem me rëndësinë, meqë rëndësinë e librit vetëm injoranti nuk e kupton, por do i qasemi gjendjes së tij momentale. Njësoj si para njëzet vjetësh edhe sot shtyhet me të njëjtat plagë të pa shëruara, i lënë në mundësitë individuale të atyre që shkruajnë, të botimit mbase edhe të shpërndarjes. Për librin nuk ka konsideratë shoqërore (sistemore); është lënë si mall i pa etiketuar, për shitje në kontrabandë ku të gjithë përfitojnë përveç autorëve. Kjo ndodh për shkak se praktikisht libri nuk nderohet ashtu siç e ka edhe vlerën”, thotë Kadriu.
Sipas tij, është marrë parasysh edhe konkursi vjetor i Ministrisë së Kulturës ku u jepet përparësi botuesve për konkurrim, e jo autorëve. Pra, përherë janë bërë vërejtjet nga autorët të cilët nga botuesit, në rast se e fitojnë konkursin, si shpërblim marrin një sasi të vogël librash që do t’iu mbetnin në shtëpi. Por që, prapë botuesit janë ata të cilët do të përfitonin edhe kur një sasi librash blihen nga Ministria për t’iu dhuruar bibliotekave.
“Autorët mbesin më të goditurit. Vetëm njëherë, mbaj në mend, Ministria i ka shpërblyer autorët në një rast të konkursit të tillë. Por ai rast është i vetmuar, ndërsa ka ardhure në shprehje atëherë kur shkrimtari i nderuar, i ndjeri Rifat Kukaj, futet në zyrën e Ministrit dhe i thotë: po qe se nuk i paguani autorët me të cilat kanë fituar botuesit në konkurs, që nesër do të organizoj protestë dhe shkrimtarët do të vijnë që t’ua nxjerrin kolltukët në shesh. Të nesërmen, vërtetë, nuk pat nevojë për kurrfarë rebelimi. Nga Ministria i thirren autorët (në mesin e të cilëve kam qenë edhe unë) dhe ua ka ofruar t’i nënshkruanin kontratat për pagesë të honorarit. Sipas kësaj – duhet të bëhemi të gjithë si Rifat Kukaj dhe t’i nxisim të bëjnë aso rregulloresh ku autorët nuk do të ngelnin të anashkaluar”, shpalos Kadriu.
Për të, krahas fatit të librave, po ashtu është marrë parasysh edhe leximi i tyre; mungesa e shprehisë për lexim, shprehi kjo e cila duhet të fillojë nga shtytja që prindërit duhet t’i kenë ndaj fëmijëve të tyre. Pra, shprehia varet nga edukata që fëmijët marrin në familje. Ai thotë fëmijët, meqë në moshën më të re ata duhet të kenë shoqëri me librin, kurse përgjegjësinë të krijimit të shprehisë, ose të mos krijimit – u takon kryekëput prindërve, por edhe kuadrit arsimor. Natyrisht konsiderohet se kjo varet nga mosekzistimi i asaj shprehie te një pjesë e konsiderueshme e prindërve, prandaj edhe fëmijët e tyre në këtë aspekt mbesin të çalë.
“Është fakti se dikur ekzistonte lista e lekturës shkollore, por ajo listë nuk ekziston më, dhe mirë që nuk e ekziston si e tillë, por, megjithëkëtë i takon Ministrisë së Arsimit të bëjë listat e librave me prioritete për moshat e caktuara të nxënësve, që do të ishte një ndihmesë e madhe orientuese, por jo detyruese. Me sa jam i njoftuar Ministria e Arsimit në Shqipëri e ka regjistrin e tillë të librave të preferuese, jo nga aspekti ideologjik, por nga vlerat artistike. E sa për bibliotekat mund të thuhet se ato funksionojnë varësisht nga serioziteti veprues në komunat ku ato eksitojnë, por është e vërteta se, shumica nga bibliotekat, në fondin e tyre kanë vetëm botime të hershme nga ato me të cilat janë furnizuar atëherë kur ekzistonte marrëveshja me botuesit dhe kur, në nivel komunash, ishin edhe fondet e posaçme për sigurimin e librave për bibliotekë. Vërtetë, edhe tash Ministria e Kulturës bën një lloj furnizimi vetëm me atë sasi të paktë që i blenë nga botuesit, por ato nuk plotësojnë nevojën furnizuese të akëcilës bibliotekë”, përfundon Kadriu.
Ndërsa, drejtori i Bibliotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, Engjëll I. Berisha, foli rreth shpërqendrimeve të ndryshme që konsiderohen si faktorë dominant në relacionin mes librit dhe lexuesit, e ku njeriu konsumohet nga informacione të shpejta.
“Kjo temë, e ngreh për debat të vazhdueshëm relacionin në mes librit dhe lexuesit, nga shpërqendrimet me vrull që po i bëhet kësaj marrëdhënie, nga faktorë dominant, e që vijnë nga dinamika e jetës, nga elektronika, apo ekrani, ku sipas studiuesve, njeriu po konsumohet prej informacioneve të shpejta. Pastaj sikur po mjaftohet prej copëzave të cituara të librave. Dhe, po hamendet se po shërbehet nga bibliotekat digjitale, duke iu dorëzuar rastësisë, “ jep çka të japish”, apo, “kap çka të kapish”. Nuk do mend, se nuk duhet injoruar informacionet elektronike, pasi që e ka ndryshuar jetën, ngase ekziston edhe libri digjital, edhe bibliotekat digjitale edhe përdoruesi i tyre që është lexuesi i rregullt, bile i varur nga elektronika”, thotë Berisha.
Sipas tij, psikologjia e besimit të fjalës së shkrimtarit bartë gjenialitetin dhe magjinë për mendimin e mençur, e më së miri kjo bëhet në libër. Pra, libri fizik, mbetet më i besuari deri me tani. Pastaj është më praktik dhe bartet kudo. Ndërsa, konsiderohet se etimologjia e fuqisë së fjalës, ka invencion në zhvillimin e ideve kur temat pikin nganjëherë prej qiellit, e nganjëherë personazhi i provokon idetë, prej të cilave dalin libra që lexuesit i duhen në kohën e duhur.
“Është shkrimtari ai që dhuron një libër të mirë dhe përmirëson mënyrën sa të lexojmë sot. Është shkrimtari ai që imponon lexueshmërinë. Disa nga lexuesit në bibliotekë na thanë, janë shkrimtarët ata që na mbajnë gjallë, sepse, komunikojë me personazhet deri në librin tjetër. Përfytyrimin e imazhit, shkrimtarit me lexuesin, e paraqet në komunikim me librin, njëri dërgues i mesazhit dhe tjetri pranues i mesazhit. Lexuesi lexon për veten, e jo për interesat që e shndërrojnë atë në detyrime, sikur lexova një ese nga Margaret Atvord, kur thotë se “Gjithmonë ka mjaft shkrimtarë, veprat e të cilëve kanë arritur – krejt dukshëm – lexuesin e gabuar. Një recensë e keqe është si plumbi pas qafe, thotë ajo”, shpalos Berisha.
Për Berishën, gjatë kohës së pandemisë është bërë një vrojtim se çka kërkohej më së shumti ato ditë të mbyllura nga lexuesit ku sipas tij nuk kanë mjaftuar librat psikologjikë aq u kërkuan. Pastaj, kërkoheshin romane, bile konsiderohet se për dhjetë vjet nuk janë lexuar më shumë romane sa atyre ditëve.
“Bibliotekat nuk janë depo të librit, as thjesht vetëm një objekt ku ruhet libri. Bibliotekat janë burim i informimit për të gjithë, koncept i mësimit për tërë jetën, por në koherencë, me një rol për situata të reja sipas trendit të ri, ku jep mundësi ndryshe të edukimit formal për ta krijuar po ashtu një shoqëri inkluzive e cila ofron mundësi në pjesëmarrje kualitative në mësim, edukim, sipas nevojave dhe interesit. Sot, nëpër botë bibliotekën e shohin me perspektivë edhe në mbështetje të demokracisë dhe qytetarisë, në zhvillim e gjuhësor”, përfundon Berisha.
Kështu krejt në fund, biseda u zgjerua edhe më shumë me bashkëngjitjen e Avni Spahiut, shkrimtarit dhe profesorit në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota dhe shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berisha, të cilët së bashku me të pranishmit bisedën e zgjeruan tutje me mendime dhe analiza të ndryshme personale për të krijuar kështu një atmosferë të qetë por serioze mes tyre. E gjitha kjo u zhvillua nën prezencës e ngrohtësisë shpirtërore të bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery dhe pikturave të artistit Sadri Morina, ekspozita e të cilit ende po vazhdon të qëndrojë e hapur për admiruesit.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor, Gjuha e shkrimit letrar sot, Letërsia dhe teknologjia, Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.
Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar tri tema si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi, Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri, leximi dhe biblioteka. / KultPlus.com
Aktorja e njohur tashmë për rolin e saj në filmin tejet të suksesshëm ‘Zgjoi’, së fundmi ka realizuar një intervistë me kryeredaktorin e ‘Cineuropa’, Domenico La Porta, shkruan KultPlus.
Kryeredaktori i Cineuropa, Domenico La Porta, zhvilloi një bisedë me aktoren Yllka Gashi për ndikimin e filmit dhe se çfarë do të thoshte një nominim për çmimin Oscar për të gjitha gratë që ende po përballen me vështirësi sociale dhe kulturore në botë.
“Është e vërtetë. ‘Zgjoi’ bëri histori dhe ndihem shumë me fat që kam qenë pjesë e filmit dhe të jem plotësisht e sinqertë, ka qenë një vit i çmendur me pandeminë dhe gjithçka po ndodh në botë, por ne ishim me fat që ishim në disa vende personalisht dhe ‘Zgjoi’ iu shfaq një shtëpie të mbushur plot, ndaj kaq shumë njerëzve”, thotë Gashi.
Sipas saj, Fahrija është një grua e mahnitshme, ajo ka kaluar shumë në jetën e saj, por me gjithë dhimbjen dhe çdo gjë me të cilën u përball, ajo thjesht vazhdoi dhe nuk u dorëzua kurrë.
“Është kaq frymëzuese sepse Fahrija është një grua nga një fshat i vogël, një fshat që ka kaluar një masakër të tmerrshme ku i gjithë fshati është tramatizuar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë i tillë, veçanërisht për njerëzit e zhdukur. Por ajo ishte një nga ato udhëheqëse, një udhëheqëse e lindur. Dikush që ka atë karizëm, dikush që kishte një vizion nga i cili ajo kurrë nuk hoqi dorë. Ajo nuk donte të luante viktimën, por vetëm të merrte pjesët e mbetura dhe u përpoq të vazhdonte në jetë. Dhe në atë rrugëtim ajo ndihmoi komunitetin e saj, fëmijët e saj dhe la shembull për të tjerët. Pra, ajo më bëri shumë përshtypje dhe që kur e takova, u bë ëndërr për mua të luaja atë. Nuk është aq e zakonshme kur të jepet mundësia të portretizosh një karakter femëror kaq të qetë, por tejet të fuqishëm”, ka thënë Gashi.
Ajo tutje ka potencuar se Fahrija është një person e cila ka frymëzuar shumë, por mbi të gjitha, ajo ka bërë diçka nga hiçi.
“Në shumë nivele, unë u frymëzova prej saj, sepse ajo bëri diçka nga hiçi. Ajo i ndryshoi gjërat nga nevoja dhe për mua ky rol ishte një domosdoshmëri, sepse kam mësuar shumë prej saj përgjatë aktrimit. Gjatë filmit ne gjithashtu duhej të shkonim dhe të përballeshim me traumën tonë dhe nuk ishte vërtet e lehtë. Ishte pak e dhimbshme si eksperiencë. Por në të njëjtën kohë, përpiqem të jem optimiste dhe të shoh anën e mirë të gjërave, prandaj e mora këtë përvojë si një përvojë shëruese. Si fëmijë të luftës, ne po ashtu e kemi trajtuar të kaluarën tonë dhe Fahrija më frymëzoi dhe për shkak të mundësisë për ta portretizuar, u bëra një person më i mirë, të them të drejtën”, ka thënë tutje ajo.
Kryeministri Edi Rama ka uruar sot shkrimtarin me famë botërore, Ismail Kadare, me rastin e 86-vjetorit të lindjes.
“Edhe 100”, u shpreh Rama.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill që në moshë të hershme. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës. / KultPlus.com
Nesër në Prishtinë do të hapet edhe një qendër e re për kryerjen e testeve të shpejta antigjene për Covid-19.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi.
“Në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës, nga nesër datë 29.01.2022 do të hapin edhe një qendër testimi me teste të shpejta antigjenike. Qendra e Mjekësisë Familjare nr. 4 në ‘Xhemajl Ibishi’ do të ofroj shërbimin e testimit për Covid-19”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, ky vendim u mor për të ulur numrin e pritjeve tek AMF te Qendra e Studentëve.
“Ky vendim është marrë me qëllim të zvogëlimit të pritjeve të qytetarëve në AMF – qendra studentore te menza”, shtoi tutje Gashi
.Qendra e re do punojë shtatë ditë të javës nga 08:00 deri në 16:00. / KultPlus.com
Ismail Kadare është autori i romanit më të njohur shqiptar në botë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që e kam pasur temë doktorate, të cilën e kam botuar me titullin “Paradigma e Proteut” (2012). Me Kadarenë kam realizuar edhe dy intervista, si kryeredaktor i revistave “Jeta e Re” (2011) dhe “Symbol” (2016).
Për të flitet gjithçka, po kujt i bëhet i vonë. Njerëz të mirë ka sa të duash Shqipëria, po shkrimtarë të mirë pak më rrallë.
Ata që e shajnë, flasin sikur janë modele morali mbi tokë. Le t’i lëmë mënitë akiliane e t’i lexojmë veprat e tij (nëse ndonjëra nuk na pëlqen, mos të harrojmë atë thënien që “edhe Homeri fle nganjëherë”).
Le të jetë katekizmi i priftit arbëresh Lekë Matrënga si një ftesë për lexim, me rastin e ditëlindjes së Kadaresë:
Gjithëve u thëres, kush do ndëliesë, Të mirë të krështe, bura e gra, mbë fjalët të Tinëzot të shihi Meshë, se s’ishtë njeri nesh që mkatë s’ka. / KultPlus.com
Në ditët kur në juria në Akademinë e Filmit po vazhdojnë votimet për filmat që do të nominohen për çmimet ‘Oscars’, aktorja Yllka Gashi ka ndarë dy fotografi me Fahrije Hoti, të cilën e portretizon në filmin ‘Zgjoi’, përcjell KultPlus.
“Fahrije Hoti – kjo grua e çeliktë që nuk u dorëzua para asnjë sfide, që dhimbjen e shndërroi në motiv për punë! Ndërmarrëse e suksesshme, nënë, gjyshe e shoqe e dashur. Inspirim për çdo gjeneratë!
Sa nder e privilegj që të njoh e sa fat e kënaqësi që t’kam portretizu në film!” – ka shkruar Gashi në Instagram./ KultPlus.com
Piktura, e cila u shit për herë të fundit në vitin 1963 për 26,000 dollarë, ishte pjesë e shitjes së veprave të mjeshtrave të vjetër, transmeton KultPlus.
“The Man of Sorrows” i Sandro Botticellit u hodh në ankand të enjten në shitjen e vjetër të Sotheby për 45.4 milionë dollarë.
“The Man of Sorrows” i Sandro Botticelli-t doli në ankand të enjten në shitjen e vjetër të Sotheby’s për 45.4 milionë dollarë. Kredia…nëpërmjet Sotheby’s
Një pikturë e anashkaluar prej kohësh, e konsideruar për dekada si puna e asistentëve të studios së Sandro Botticelli-t, u shit në Sotheby’s në Nju Jork të enjten për 45.4 milionë dollarë me tarifa, duke nisur ciklin e këtij viti të çmimeve kryesore për veprat e artit trofe në ankand.
I cilësuar tani si një “kryevepër e rëndësishme” nga mjeshtri i rilindjes italiane, tempera-në-panel i Botticelli-t “Njeriu i dhimbjeve”, një përshkrim solemn gjysmë i gjatë i Krishtit të ringjallur, ishte vepra e spikatur në një shitje prej 55 lotësh të vjetër. piktura mjeshtërore dhe skulptura të enjten. E sigurt për t’u shitur për të paktën 40 milionë dollarë, falë një “ofere të pakthyeshme” minimale dhe të paracaktuar nga një garantues i palës së tretë, piktura tërhoqi dy ofertues të tjerë. Oferta fituese, e cila nuk ishte e garantuesit, u mor nga një specialiste e vjetër e mjeshtrave të Sotheby’s, Elisabeth Lobkowicz, në Nju Jork. Konkursi zgjati gjashtë minuta, me ofertuesit që tenderuan 100,000 dollarë shtesë.
“Ishte çmimi i duhur për temën – një “Krisht i Dhimbjeve”, tha Marco Voena, një partner në shitësin ndërkombëtar të artit Robilant+Voena. “Ishte një periudhë e vështirë për Botticelli-n,” shtoi ai, duke iu referuar fesë së zjarrtë të veprave të vona të artistit, të cilat disa i konsiderojnë si më pak të bukura.
“The Man of Sorrows” doli për herë të fundit në ankand, i kataloguar si Botticelli, në vitin 1963, kur u shit për një vlerë relativisht modeste 26,000 dollarë. Ronald Lightbown, studiuesi kryesor i Botticelli-t i asaj kohe, më vonë e renditi pikturën midis “fotografive të punëtorisë dhe shkollës” në katalogun e tij të plotë të veprave të artistit të vitit 1978. Ai u grupua në mesin e “produkteve të punëtorisë së vonë nga rrethi i Botticelli” në monografinë e Frank Zöllner të vitit 2005 mbi artistin./ KultPlus.com
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi e cilësoi sot Ismail Kadarenë si shkrimtarin më të rëndësishëm të pesë shekujve të historisë së letërsisë shqipe, prej fillimeve të saj deri më sot.
Në fjalën e tij në një veprimtari shkencore-promovuese me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, e cila u drejtua nga akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Saverina Pasho, dr. Ylljet Aliçka, Gjinushi tha se “Ismail Kadare është personaliteti shqiptar më i certifikuar me tituj shkencorë, intelektualë e moralë në Evropë e në shkallë globale në kohën e sotme”.
“Meritat letrare të Ismail Kadaresë janë të shpallura edhe në kryeqendra të tjera të letërsisë dhe kulturës botërore, që nga Franca deri në Korenë e Veriut, që nga SHBA e Spanja deri në Jeruzalem”, tha Gjinushi.
Kryetari i Akademisë e vlerësoi figurën e Ismail Kadresë si përfaqësim ndërkombëtar të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve në shkallë botërore.
“Sot vepra letrare e Ismail Kadaresë shërben si një pasaportë identiteti dhe si një histori alternative e popullit shqiptar përgjatë shekujve dhe sidomos në kohërat e reja. Kjo vepër ka qenë dhe mbetet një projekt me karakter evropian dhe një program i shkëlqyer i përurimit të vlerave të identitetit të shqiptarëve kundrejt botës”, tha akad Gjinushi.
Studiuesi francez Jean-Paul Champseix kujtoi periudhën kur jetonte në Shqipëri ku nisi kërkimin për elementët e veçantë të krijimtarisë së veprës së Ismail Kadaresë.
“Ideja për të parë mënyrën se si pritej vepra më erdhi kur punoja në Universitetin e Tiranës dhe në të njëjtën kohë lexoja Kadarenë. E pyesja veten se çfarë mund të mendonte vallë lexuesi shqiptar. Dhe natyrisht nuk kisha se si ta dija”, tha ai.
Ndërsa theksoi sesi e prezantoi librin në Francë duke e lexuar më parë në kontekstin letrar dhe historik në të tashmen e regjimit të Enver Hoxhës dhe egërsinë e tij totalitare, studiuesi francez e cilësoi veprën e Kadaresë, duke iu referuar “Pallatit të ëndrrave” si një bombë për diktaturën.
“Për Kadarenë, rreziku nuk është shumë i madh, sepse megjithëse unë jam munduar ta kontekstualizoj atë në periudhën e vet historike, vepra del nga kjo kornizë në sajë të cilësive të saj”, u shpreh ndër të tjera studiuesi francez Jean-Paul.
Shkrimtari i madh Ismail Kadare feston sot 86-vjetorin e lindjes./ KultPlus.com
Po tani ç’të bëj, thashë me vete, duke vështruar me radhë flegrat e lagura, të mbufatura nga shiu. Pastaj qilimin, derën, prej nga pak kohë më parë ajo kishte dalë, hirnoren e cigareve, me fjalët “Hotel Turizmi” anash.
Një copë herë u vërtita nëpër dhomë, gjersa këmbët më çuan pranë derës. Qëndrova pikërisht te vendi ku ajo më kishte përqafuar ndërsa dilte, me një përqafim që s’ishte as ndarje dhe as premtim për diçka më të mirë. Një përqafim i tillë te dera, pas një pasditeje të stuhishme, përfytyrohej, zakonisht, në sfond të dënesës, të pendimit për fjalët e ashpra dhe me buzë që synojnë drejt njëra-tjetrës për të falur gjithçka. Por asgjë e tillë s’kishte ndodhur. Unë i kisha mbajtur duart në xhepa, madje i kisha rrasur më thellë dhe, i ngrirë si dru, ndjeva buzët e saj te qafa dhe pastaj te cepi i gojës dhe prekjen e furishme të flokëve. Mundimshëm ndjeva nevojën ta përqafoja, sipas ritualit mijëvjeçar të mbarimit të grindjeve, por një gips mortor, i ikur nga kushedi ç’shtatore, s’më la të lëvizja.
S’isha penduar për asgjë. Isha vetëm i lodhur.
Në hirnore, dhjetëra bishtat e cigareve, të rënë njëri mbi tjetrin, si në një masakër (të sajtë si të vrarët e njërës palë, asaj pale që për t’u njohur mbante një rrip të kuq, dalloheshin vërtet nga shenja e të kuqit të buzëve), jepnin më mirë se çdo gjë atë që kishte ndodhur: furinë, shpjegimin e vështirë, fajësimet e ndërsjella që i kishim bërë njëri-tjetrit, lotët e pafund të saj. Sikur të kishte gjëkund një muze të hidhërimit, do ta kisha çuar atë hirnore.
Isha i lodhur. Gojën e kisha të hidhur. Doja të pushoja me çdo kusht. Me mosbesim vështrova shtratin, velenxën sipër tij dhe nënkresën. Vërtet shpresoja se mund të flija? Më erdhi të qeshja, kaq e pamundur m’u duk kjo.
Shushurima e shiut vinte që jashtë zbutëse. Duhej ta harroja me çdo kusht, ta nxirrja nga vetja ime atë grua. Por, së pari, duhej të nxirrja atë mbrëmje. Ishte gjëja më e ngutshme.
Duhej ta nxirrja atë grua, sepse gëzimet që më jepte ishin përherë më të pakta se mërzia.
E gjeta veten duke lëvizur nëpër ato pjesë të dhomës ku kishim lëvizur dhe ishim zhvendosur të dy gjatë atyre orëve të çmendura. Dhe përsëri hirnorja me bishtat e cigareve më mbajti në vend. E mora, e ktheva në pëllëmbë të dorës atë grusht bishtash, si të kisha përpara syve një gjë të pabesueshme. Të ftohura, të shkrumbuara vende-vende, ishin tani ato që pak më parë kishin qenë më afër se çdo gjë tjetër pranë fjalëve tona, frymëmarrjes së furishme, pendimit, dënesës.
Iu afrova dritares, shtyva flegrën dhe i flaka përjashta, në terr. Kështu hidhet hiri i të vdekurve, kur e lënë me testament, mendova. Duhej ta harroja patjetër atë grua.
Të përdorja gjithë mekanizmin e trurit tim për ta zhvlerë-suar. Ta godisja nga pika të ndryshme, në mënyrë që, kur të vinte ora e harrimit, ta kisha të lehtë rrënimin e saj.
Kisha ende një keqardhje të fundit për këtë, por isha i bindur se s’kishte rrugë tjetër. Do të shtrihesha pas pak horizontalisht (e kisha vënë re se në atë qëndrim mendoja gjërat më shkatërruese) dhe do të filloja… Do t’i ndiente vallë buldozerët që larg, në shtratin ku, ashtu si unë, me siguri, nuk flinte?
Dhe, papritur, më shkrepi në kokë një mendim: e sikur ta shkruaja gjithë këtë? E shkruar, ndoshta kjo mbrëmje mund të nxirrej më lehtë nga vetja. Ta trupëzoja për ta vrarë më lehtësisht.
Ashtu do të bëja.
Për çudi, siç më ndodhte përherë në kësi rastesh, mendimi i të shkruarit më dha qetësi. Si avioni që e nxjerr trupin e vet nga zona e stuhisë, ajo ide, më shpejt se ç’e mendoja, më nxori nga gjendja delirante në një shtresë më të qetë, sipër furtunës.
Dhe më parë se ç’e prisja, fjeta.
E njoha Polin e Jugut që larg (dallohej shtypja, ashtu siç e kisha mësuar në gjeografinë e tetëvjeçares). Dëgjohej një goditje e mbytur veglash. Kur iu afrova edhe më, pashë se atë zhurmë e shkaktonin tre njerëz me shtat të shkurtër. Diçka po bënin me boshtin e tokës. Nuk u bezdisën aspak nga prania ime dhe vazhduan punën e tyre. Dukej si një riparim.
Nuk e di nëse i pyeta ç’bënin ashtu apo vetvetiu m’u bë e qartë: po bënin një ndreqje në bosht. Një ndryshim, me sa dukej, në shpejtësinë e rrotullimit. Prej kësaj do të sajoheshin ditë të ndryshme, jo njëzetekatërorëshe, si më parë, por tridhjetetet-orëshe. Kurse netët do të ishin njëzetedyorëshe. Sipas studimeve dhe pyetësorëve të ndryshëm, paskësh qenë më mirë kështu. Kisha përshtypjen se diku kisha lexuar në shtyp për këtë gjë.
Desha t’i pyes: e kur do të fillonte ky kalendar i ri, por, s’di se pse, i pyeta për tjetër gjë: meqenëse merreshin me gjëra të tilla, me siguri, mund të zbërthenin nga bota copa të kohës.
Posi, u përgjigjën ata. Pra, e bënin edhe këtë dhe ndihej që s’e kishin të vështirë.
O Zot, sa e thjeshtë paskësh qenë ajo që dukej e pamundur: të shkulja nga vetja gjithë atë hidhërim.
U mundova t’ua shpjegoja, doja të hiqja nga vetja ime një ditë ose, më saktë, një mbrëmje të hidhur.
Ata qeshën.
Një mbrëmje? Po ne punojmë me copa të mëdha. Gjysma shekujsh, dekada, shumë-shumë, me vite. Kurse ditët janë vocërrima. Megjithatë (vështruan veglat e tyre), ndoshta me ato më të imëtat mund të kapim edhe ditët.
– Ku është ajo ditë? – pyeti njëri prej tyre.
– Si? – ia bëra unë.
– Dita që doni të shkëputni, në ju kuptova drejt. Ju doni ta hiqni atë dhe të lidhni prapë fijet, apo jo?
– Pikërisht.
– Atëherë, ku është ajo?
O Perëndi, s’më kujtohej asgjë. U mbyta në djersë, por koka sa vinte më bëhej më e turbullt.
– Në mos viti, së paku, koha, – tha ai.
Por mua s’më kujtohej asgjë. Dija vetëm që ishte e hidhur, tepër e hidhur.
– Po çka ndodhi atë ditë? Ndoshta, kjo ju kujtohet, – tha ai. – Ç’perandori është përmbysur, ç’tërmet ka rënë?
Vështruan njëri-tjetrin, kur e panë që s’përgjigjesha. Pastaj sytë e tyre të lodhur u kthyen diku anash, atje ku në një shtjellë të largët vërtiteshin, me sa dukej, ngadalshëm perandoritë e rrëzuara, themelitë e tërmeteve dhe skelete shekujsh. Vërtite-shin zymtas, të përshkuar nga vetëtima të ftohta.
Asgjë s’më kujtohej. Vetëm shija e hidhërimit, e pazbut-shme, e patretshme.
Pastaj m’u duk se pashë diçka, një si trajtë fustani që e merrte era në një luhatje mortore.
– Një grua, – thashë. – Ishte aty, në atë ditë, një grua…
Ata qeshën, por ftohtë. Pastaj vështruan prapë veglat e tyre.
– Po të jetë ashtu, është e pamundur. Këto vegla s’bëjnë për atë gjë.
– Ma hiqni atë mbrëmje me atë grua, – ulërita.
U zgjova.
Zhurmërimi i shiut më kujtoi më parë se çdo gjë tjetër se ku ndodhesha.
Hotel. Dhe jashtë gjethnaja e rënë dhe kufomat e cigareve të masakruara, ku njëra palë mund të dallohej prej tjetrës nga rripi i kuq…
Ajo ishte aty pranë, disa hapa larg dhe, me siguri, ishte e paqetë dhe kishte makth, ngaqë, në një mënyrë ose në një tjetër, duhej të ndiente që unë përpiqesha ta varrosja.
Sot, shkrimtari dhe poeti Ismail Kadare feston ditëlindjen e tij të 86-të.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimin në Facebook ka uruar shkrimtarin të cilin ajo e quan mjeshtër të vargut e fjalës dhe mbrojtës të kulturës perëndimore të shqiptarëve.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:
Në jetën e kombeve ndodh jo rrallë që njerëzit e kulturës, të artit e të letrave, t’i japin udhë kombit në çastet më të vështira të historisë së tij, duke qenë artikuluesit më të mëdhenj të idesë së lirisë.
I tillë është shkrimtari ynë Ismail Kadare, mjeshtër i vargut e i fjalës, mbrojtës i kulturës perëndimore të shqiptarëve.
Në kryeveprat e tij, të matshme vetëm me klasikët e letërsisë botërore, ai arriti që ta shpërfaqte shpirtin e lirë të kombit, historinë, traditat, kulturën e përkatësinë (identitetin) e tij, kur diktatura po bënte përpjekje ta tjetërsonte atë.
Bota e njeh sot traditën, kulturën e shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij, pa pasur nevojë për mësues historie.
Kombi ynë i është mirënjohës përjetësisht këtij kolosi të letrave. Kosova, në mënyrë të veçantë, i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij.
Kjo fotografi e fotografit francez Georges Merillon, që nga dita kur mori çmimin e fotografisë më të mirë të «World Photo Presse» më 1991, u bë e njohur në të gjithë botën si dhe objekt i shumë analizave estetike, edhe pse vetë fotografia nuk kishte asnjë simbol apo semiologji politike, madje as «pieta», siç e cilësuan jo pak kritikë këtë fotografi: «Pieta du Kosova». Vallë një ndjesi mëshire për një nënë apo familje që qan birin e saj, atje, në dyshemenë e zbrazët të asaj shtëpie të thjeshtë, në shtëpinë ku ajo kishte lindur pjellën e vet? Nëna është aty, rrethuar nga vajzat, nusja, njerëzit e afërt të familjes, në qendër të atij grumbulli njerëzor të ngërthyer nga dhimbja e ku përpara, si në prehrin e saj ajo ka birin e vdekur. Dhe kjo nënë klith. Është kjo klithmë kundër vdekjes që e kapërcen përkufizimin që disa kritikë i dhanë kësaj fotografie, duke risjellë në memorien kolektive veprat e njohura «Pieta» e Mikelanxhelos e vitit 1499, «Pieta» e Van Dyck e 1624, apo atë tablo madhështore të Caravaggio-s e pikturuar më 1606, ku qahet një i vdekur, apo Shën Marinë në kokën e Jezusë së vdekur. Madje po atë vit, kur një gazetar e pyeti presidentin Mitterand të komentonte një nga fotografitë më emblematike të vitit, ai komentoi pikërisht këtë foto të botuar në dy faqet e «Figaro magazine», duke thënë ndër të tjera: «E shikon atë fotografi dhe nuk ke si të mos mendosh për një tablo të Mantegna-s apo Rembrandt… zemërimi dhe dhimbja kanë gjithnjë të njëjtën fytyrë!..». Tablotë pa dyshim janë emblematike dhe kanë mbetur në historinë e artit, e ndoshta dikush mund ta krahasonte dhe me «Klithmën» e Munch, çka më duket më afër, por përsëri, në strukturën e saj, në raportet e dritë-hijes dhe për më tepër në atë thjeshtësi të zymtë kuadri pa asnjë artifis, me atë lloj drite qumështi, nga bryma e asaj dite të ftohtë dimri, e mbajtur në ekspozim në një shpejtësi 20-30 sekonda, kjo tablo qëndron e jashtëzakonshme dhe e tejkalon idenë e «Pieta»… Ne nuk mëshirojmë atë nënë për djalin e saj, ne tronditemi gjer në thellësinë e ndjesive tona me atë klithje që ka mbetur ngjizur në ato buzë, në atë skenë të fotografuar brenda një çasti të shkurtër, papritur, pa i thënë askujt, pasi fotografi Merillon qëndroi në atë dhomë morti, ku qëndrojnë sipas traditës vetëm gratë, veçse dy-tre minuta, jo më shumë. Ndoshta Merillon nuk e imagjinonte që në «dhomën e errët» të aparatit të tij të ishte regjistruar një nga fotografitë më kulmore në jetën e tij si artist. Jo, nuk ishte «Pieta», por një klithmë sa personale aq dhe e një populli. «Klithma e Kosovës».
Vite më vonë, kur gazetarja franceze Annick Cojean, e kishte parë këtë fotografi dhe do shkruante një libër rreth 13 fotografive embmblematike të botës, mes të cilave një e Hiroshimës, një tjetër e princeshës Diana, një e revolucionit feminist apo kundër dallimit racial, aty midis tyre ajo zgjodhi dhe këtë fotografi, për të parë me sytë e saj vendin e ngjarjes dhe rikrijuar edhe njëherë tablonë e kohës. Bëhej fjalë për shkrimin e librit «Kthimi tek imazhet». Dhe ajo u nis drejt fshatit kosovar ku kishte ndodhur kjo ngjarje tronditëse. Me makinë kishte rrahur rrugët e Kosovës mbushur me policët e Milosheviçit. Dhe gazetarja e “Le monde” shkoi gjer në Rahovec, në fshatin Nagafc, ku Nasimi ishte vrarë më 29 janar të vitit 1990. Ishte vrarë në një pritë të policisë, kur bashkë me disa shokë po shkonin për të marrë pjesë në një manifestim, pa armë, vetëm me një copë flamur. Dhe ata i kishin vrarë ata katër të rinj të lirisë, duke plagosur dhe 32 të tjerë… Në Rahovec, Cojean takoi nënën e Nesimit, atë që vuri atë kuje epike. Ajo i tha se “Nesimi ishte i bukur, i fortë… se kështu Nesimi jeton sërrish, dhe emri i tij mbush jetën e këtyre njerëzve»… «Në prag të martesës së tij, – thoshte ajo, – ai manifestonte në Prishtinë për Kosovën dhe unë kisha frikë” Por atë ditë të akullt janari, kur Sabrija, nëna e tij kishte parë atë grup njerëzish që me ato fytyra në zi t’i afroheshin shtëpisë së saj, me atë vështrim të heshtur e gjithë tmerr, ajo e kuptoi se vdekja e kishte marrë Nesimin. Dhe ajo ulëriu: «Oh, e mjera nanë, e mjera nanë që sheh birin e saj të vdekur! Si mund të hysh kështu biri im në shtëpinë tënde?…» Dhe atë e kishin futur ashtu të vrarë, duke e vendosur në mes të dhomës, ashtu siç do ta gjente pak çaste më vonë fotografi i GAMA-s, Georges Merillon, që me të marrë vesh ngjarjen ishte nisur nga Prishtina. Katër orë rrugë me makinë për të pikëtakuar vdekjen…
Në bisedë me gazetaren e «Le Monde», motra më e vogël e tij, Afërdita Elshani, i tregonte: «Një mbrëmje më parë isha shqetësuar kur vëllai im u kthye vonë nga mbledhja. Por e dija se çështja e Kosovës ishte thellë zemrës së tij. Një mëngjes unë e pyeta: «Do ta fitojmë dot lirinë, apo jo?» Dhe ai më buzëqeshi ëmbël: «Së shpejti!» E përcolla deri tek porta. Nxitonte përsëri në një tjetër manifestim dhe thashë me vete se kam një vëlla te mrekullueshëm. Më kujtohet se kur isha shtatë vjeçe, njerëzit e shtëpisë e përcollën me rastin e nisjes së tij ushtar. Por papritur policia serbe rrethoi shtëpinë duke kontrolluar kudo për të gjetur materiale propagandistike. Nasimi kishte frikë se mos thyenin gjithçka. «Mjaft! – u thirri më në fund. Dhe ai u dha disa kaseta e trakte ku shkruhej «Kosova Republikë». E arrestuan menjëherë. Por nuk kisha frikë. Isha shumë krenare që kisha një vëlla të tillë… Dhe ata e vranë. Përse? Ai ishte i drejtë, kurajoz dhe mbronte popullin e tij. Ja, tashmë në gjirin e familjes, i zbehtë, pa jetë, me fytyrën e tij të bukur dhe flamurin e vogël të Kosovës nën mjekër që i vuri gruaja e tij. Nuk mund të kesh një vëlla më të mirë. Dhe nuk mund të ketë vdekje më të bukur se ajo për lirinë…”
Që nga ajo shkrepje e aparatit të Merillon kanë kaluar pothuaj 20 vjet dhe kjo fotografi mbetet një emblemë për Kosovën. Një lloj ikone në historinë e fotografisë. Mjafton ta shohësh gjatë atë për të kuptuar semiologjinë e një historie të tërë. Britma e saj ka një emër: «Kurrë më!» Por fotografia ka një dimension edhe më universal: është humaniteti i përballur me barbarinë, vdekjen! Ja pse kjo «Pieta-britmë» mbetet një referencë e gjallë për kohërat që vijnë./ KultPlus.com
Një ndër librat e Ismail Kadaresë perceptuar nga vetë autori, si njëfarë bashkëbisedimi mes miqsh është “Ftesë në studio”.
Libri pasqyron disa copëza letrash që ai kishte shkëmbyer me vajzat ruse, me të cilat ishte shoqëruar gjatë kohës si student, në Moskë.
Ljuba, ishte njëra prej tyre. Një mikeshë të cilën autori, në kohën kur e ka shkruar letrën, kishte vetëm dy javë që e kishte njohur.
Ja çfarë i shkruan Kadare asaj, duke pasur në mendje letrën që Pushkini ia kishte dërguar Anne Kern:
“Ljuba ime e shtrenjtë. Një javë më parë kur me ndihmën e Zotit të shtiva në dorë (pa guxuar ta shkruaj krejt fjalën e ndyrë ruse, shënova vetëm shkronjën e parë j…. me tri pika), ishte vërtet një gjë e mrekullueshme, një ‘cudnoje mgnovjenje’, siç e shkruan Pushkini i madh.
Veç në mos më ke ngjitur triperin (në gjuhën tonë ai emërtohet me një fjalë me tingëllim madhështor skullamendo, e huajtur nga italishtja dhe që të kujton termat e muzikës, andando moderator, apo jo?), pra veç në mos ma ke ngjitur triperin, ndonëse një shkrimtar, Heminguej më duket, ka thënë se kur e marr prej teje edhe triperi më duket i mrekullueshëm.Kështu, pra, as ai s’ma zbeh dot dashurinë për ty, veç në mos e ke marrë prej ndonjë çifuti uzbek, se pavarësisht nga simpatia që kam për çifutet, kam dëgjuar se çifutet e Uzbekistanit e kanë triperin më të keq se sifilizin”.
Ja përgjigja që i kthen Ljuba:
“Që kishte në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime, kur erdhe për të pirë çaj tek ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë, më tha se ti ishe më i keq se ç’e kishte menduar. Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë i shkretë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty, ishte njësoj si të pije çaj me djallin. Edhe këto janë fjalë të nënës sime, e cila njësoj si unë e ndjen veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj dhe tani më dukesh edhe mua, si mishërimi i së keqes…
Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës veneriane për të kuptuar se ç’përbindësh je. I poshtër gjer në fund, duke e parë se me prindët e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha “Zoti e ndjeftë”.
Më vjen shumë turp që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë, shumë. Ljuba”
Të njëjtin zemërim shpreh edhe Llora, në një tjetër letër. Vetë shkrimtari e shpjegon kështu këtë kohë, në libër “Nga vinte kjo ndjenjë shkatërrimi, që kishte kohë që më kishte kapur? I prishja të gjitha lidhjet, i zëvendësoja me të përkohshme, të cilat ngutesha t’i prishja gjithashtu. Ishte pa dyshim, një sëmundje që zotëronte rreth e rrotull, por që mua më kishte zënë rëndshëm”.
Kadareja e shpjegon këtë krizë studentore, në romanin “Muzgu”. Por, pavarësisht zemërimit të Ljubës, ai është ndër të parët shkrimtarë që e ka cekur hapur këtë anë kaq njerëzore në jetën e një shkrimtari, duke treguar kohët e bukura të jetës studentore në Moskë dhe vajzat që takoi, të cilat ndikuan që ai të shkruante poezitë më të bukura për dashurinë. / KultPlus.com
Dom Gjergj Simoni, u nda sot nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Simoni u lind në 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës në një familje me origjinë qytetare. Ai ishte ndër meshtarët e parë që u shugurua nga Vatikani.
Në mesin e viteve ’60-të, Gjergj Simoni vazhdonte të punonte si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Simoni kishte pasion edhe letërsinë, ku ndër poezitë ma të spikatura që ka shkruar kundër regjimit në fuqi, ishin ato “Letër Luciferrit” dhe “Mëngjeze në Shkodër”.
Aty nga viti 1967 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës nisi fushatën për mbylljen e kishave dhe xhamive e prishjen e objekteve të kultit, një nga qytetet që e ndjeu më tepër atë gjë, ishte qyteti i Shkodrës ku ishte përqendruar edhe qendra e Klerit katolik të Shqipërisë. Duke e parandjerë atë dhunë masive që po përgatitej të niste ndaj fesë, Gjergj Simoni, mendoi që të bënte diçka për të shpëtuar ç’të mundte nga librat, objektet, sendet dhe dokumentet më me vlerë të Arqipeshkvisë së Shkodrës.
Ai mori dhe fshehu në shtëpinë e tij librat, dokumentet, e disa objekte me vlerë te Arqipeshkvisë së Shkodrës.
Pas gjyqit trupi gjykues e dënoi me dhjetë vjet burg. Dom Gjergj Simoni, i vuajti plot 9 vjet e 19 ditë në kampet e Ballshit, Qafë Barit e Spacit, për faktin e vetëm se deshi të ruante objektet e dokumentet me vlerë të Arqipeshkvisë së Shkodrës.
Gjergj Simoni në vitin 1991 u shugurua si i pari meshtar prej Selisë së Shenjtë dhe filloi shërbesat në disa famulli. Ai është autor i disa librave të ndryshëm me tematikë fetare dhe jo vetëm./atsh/ KultPlus.com
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë sot (e premte) prezantimin e ekipit olimpik të Kosovës që do të udhëtojë për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.
Kosova do të marrë pjesë me dy garues në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022” dhe këtë e ka konfirmuar presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Krasniqi në konferencën e mbajtur sot ka bërë prezantimin e ekipit olimpik të Kosovës, e cila për herë të parë merr pjesë me dy sportistë.
“Është hera e dytë që marrim pjesë në këto lojëra. Albini dhe Kiana do të na përfaqësojnë në këto lojëra që janë të rëndësishme. Albini garon në katër disiplina kurse Kiana në sllallom te madh dhe është femra e parë nga Kosova në këtë ngjarje”, ka thënë fillimisht Krasniqi në konferencë.
“Ndihemi krenar që jemi në mesin e 90 shteteve pjesëmarrëse duke pasur parasysh që 105 shtete nuk kanë arritur normën. Kjo është një arritje e madhe për ne”.
“Detaj tjetër i rëndësishëm është se flamurin ne ceremoninë hapesë do ta bart Albini Tahiri”.
“Pritjet tona në Pekin nuk janë sikurse ato në Tokio, kur dihet se konkurrenca e fortë është në skiijm. Një renditje e mirë e garuesve do të jete sukses i madh për Kosovës. Ekipi niset nesër kurse pjesa tjetër me 2 shkurt”, përfundoi presidenti i KOK-ut./ KultPlus.com
Poezi nga William Butler Yeats Përktheu: Orjela Apolloni
Zemrën askujt mos ia fal krejt se grave pasionante dashnia u duket e lehtë, e padenjë për kujdes, kur për të siguri kanë dhe ato s’andrrojn’, n’mend s’e mbajn’ se prej puthjes n’puthje atë e kap nji dobësi; çdo gja e bukur asht veç nji knaqësi andrruese, e kandshme, që kalon përherë. Oh, zemrën kurrë mos e jep përnjiherë se, pavarsisht çka buza e ambël nxjerr, zemrat si zaret n’lojë i kanë hedhë. Dhe si mundet vallë n’lojë me fitu’ ndonja që shurdh, memec e qorr dashnia e ka ba? Kush e ka provu’ e di cili asht çmimi dhe mundi sepse e fali gjithë zemrën dhe humbi. / KultPlus.com