Si u dashurua Helena me Ismail Kadarenë

Ishte gjimnaziste kur botoi tregimin, i cili do të ishte filli i padukshëm i fatit me të cilin do të lidhej jeta e saj dhe e bashkëshortit të ardhshëm, që atëkohë që student pasuniversitar në Moskë dhe një prej yjeve të rinj të letërsisë shqipe.

“Pasi kishte lexuar këtë tregim, më shkroi katër rreshta: “Lexova tregimin tuaj të mrekullueshëm…”, do të kujtonte, ndërsa shtonte “Dhimitër Xhuvani, një shkrimtar nga Elbasani, i cili ndodhej edhe ai në Moskë, i kishte thënë Ismailit, që “e njoh unë këtë vajzë”. Kur erdhi në verë në Shqipëri, Ismaili më tha “nuk është se më pëlqeu vërtet ai tregim por kisha tjetër qëllim.” Kështu do të ndante shkrimtarja Helena Kadare me lexuesit nga Prishtina zanafillën e historisë së saj të gjatë të dashurisë me shkrimtarin.“Atë letrën nga Moska e mori vesh i gjithë gjimnazi në Elbasan. Unë iu përgjigja menjëherë, me disa faqe letër, por nuk më erdhi ndonjë përgjigje, ” ka thënë ajo për gazetaret Alda Bardhyli e Beti Njuma, ndërsa e pyesnin mbi detajet e dashurisë së saj me Ismail Kadarenë. Takimi i parë me shkrimtarin, ka kujtuar Helena Kadare, do të ndodhte në Tiranë pasi ai ishte kthyer nga studimet e tij në Moskë.“Rastësisht në Bulevard përballem me Ismailin i cili ishte me Nasho Jorgaqin. “Ja, kjo është Helena Gusho, siç kisha mbiemrin e vajzërisë”, i thotë Nasho. Ai aty për aty shënoi numrin e telefonit dhe më tha: “Më merr në telefon, se kam sjellë edhe disa filma dhe unë i shoh në tavan”, më tha. U mahnita shumë! Ma tha troç: “Hajde të shohim filma në tavan”.

“Atë letrën nga Moska e mori vesh i gjithë gjimnazi në Elbasan. Unë iu përgjigja menjëherë, me disa faqe letër, por nuk më erdhi ndonjë përgjigje ”.

Gjimnazistja dhe më vonë studentja e letërsisë nisi karrierën si shkrimtare duke botuar romanin e parë “Një lindje e vështirë” në vitet ’70, e shoqëruar nga syri kritik i të shoqit, i cili kishte në atëkohë famën si një prej shkrimtarëve më të mirë të vendit. “Kam shkruar shumë herët, por lidhja me Ismailin më bëri të mendoja se, çfarë do të thoshte ai, për ato që unë shkruaja. Ma lexoi fillimisht ai atë roman. “Mirë, nuk është i keq. Por jo kush e di se çfarë. Mos kujto se çfarë ke bërë”, më tha”, ka kujtuar më tej ajo, ndërsa pas romanit të parë erdhën “Bashkëshortët”, “Një grua nga Tirana”, “Kohë e pamjaftueshme”. E pyetur e çfarë mendonte ajo kur shkrimtari e shndërronte marrëdhënien e tyre dhe atë vetë në personazhe të romaneve të tij, siç ishte Ana tek “Përbindëshi”, Helena Kadare do të thoshte “Po, por ai vetë nuk ka qenë koshient, sepse ia kanë bërë këtë pyetje edhe shumë herë të tjera. “Pse ashtu është?! Jo nuk është ashtu”. Anën, e ka një personazh shumë të dashur, e ka përdorur shpesh.

Megjithatë, Helena Kadare, nuk e mendonte se ishte ajo personazhi. “Ky është një nder shumë i madh. Dhe i thosha vetes se është dikush tjetër, jo unë.”Por nuk ishte vetëm ajo personazh i romaneve të Ismail Kadaresë, ishin edhe historitë e dashurisë nga koha e studimeve në Moskë.“Në fakt me historitë por edhe jetën e tij në Moskë u njoha më herët, nga poezitë e tij, por edhe nga ditarët, që ia gjeja e lexoja te shtëpia e tij. Dhe si të thuash, u vaksinova për këtë pjesë.” Ditari, kujtonte shkrimtarja ishte i mbushur me Juba, Tanja e shumë të tjera. “Ai ma përsëriste shpesh: “Ti po të duash edhe ik, se unë nuk kam ndër mend të martohem”. Unë ia ktheja: “Kush ka ndërmend të martohet me ty?!” Përpiqesha të dukesha sa më origjinale.”Jetën në krah të shkrimtarit të madh, Helena Kadare e ka sjellë të rrëfyer në “Kohë e pamjaftueshme”, librin autobiografik që nisi ta shkruante në vitin 1996, në Dubrovnik, edhe pse e dinte se do të ndeshej me kundërshtitë e shkrimtarit që nuk i parapëlqente librat autobiografikë.

“Në fakt me historitë por edhe jetën e tij në Moskë u njoha më herët, nga poezitë e tij, por edhe nga ditarët, që ia gjeja e lexoja te shtëpia e tij. Dhe si të thuash, u vaksinova për këtë pjesë.”

“Ai thoshte se nëse duhet të shkruash diçka, duhet ta shkruash në mënyrë të tillë që ta pëlqejnë ballkanasit, sepse ata vetë, i shpërdorojnë këto gjëra dhe më tepër janë narrativë, në mënyrë gojore.”Këshilla e Ismail Kadaresë për të shoqen ishte që t’i rrëfente me saktësi ngjarjet, ashtu si kishin ndodhur. “Duhet t’i thuash pa tabu. Mos u ndiko, as nga unë as nga ndokush tjetër!”Shkrimtarja ka rrëfyer se kjo i shërbeu t’i shkruante kujtimet pa drojë dhe se Ismail Kadare e mësoi t’i shkruante ato që mendonte pa bërë dredhi, “sepse lexuesi ka ndjeshmëri të jashtëzakonshme, që e kap menjëherë, kur përpiqesh të rrotullosh historinë, për të fshehur diçka.”Në rrëfimin retrospektiv Helena Kadare u ndal edhe tek jeta jo fort e lehtë gjatë komunizmit, ndërsa ka veçuar në disa momente që i kanë lënë shenjë edhe sot, një prej të cilëve ishte nga koha kur u botua poema “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e njohur si “Pashallarët e kuq”.

“Ti po të duash edhe ik, se unë nuk kam ndër mend të martohem”. Unë ia ktheja: “Kush ka ndërmend të martohet me ty?!” Përpiqesha të dukesha sa më origjinale.”

“Ai ka qenë një moment shumë-shumë i vështirë sepse ndodhi që ai kishte çuar një cikël me poezi te gazeta “Drita” dhe priste botimin në numrin e të dielës së radhës. Ishte një e diel me shi dhe unë, për habinë time, ndjehesha edhe pak euforike. Të dielave ne na thërrisnin aktivistet e lagjes, për të pastruar shkallët e pallatit dhe oborrin. Nga që binte shi unë mendoja “O sa mirë ajo gruaja nuk do na thërrasë sot”. Erdhi gazeta “Drita” poshtë derës. Unë e pashë dhe i thash Ismailit, “nuk është botuar cikli yt”. “Ashtu”, tha ai dhe u pre.”

Helena Kadare ka rrëfyer se poemën për të cilën e kishin kritikuar nuk e kishte lexuar më parë. “Pas kësaj filloi një histori, që ishte më e rënda nga të gjitha sepse u mblodh edhe Komitetit Qendror, u angazhua vetë Ramiz Alia dhe u thanë gjërat më të llahtarshme që mund të thuheshin, “Ti je armik”, “I hap rrugën imperializmit”. Ai ishte shumë i dëshpëruar, e dinte shumë mirë se çfarë kishte bërë. Pasuan ditë shumë të rënda…”Frika ishte ajo që i shoqëronte pas çdo botimi të ri. “Por ai nuk ligështohej”, ka thënë ajo Asnjëherë nuk pati kufizim brenda vetes, për të mos thënë diçka. Mënyrat dhe marifetet e tij, ishin të atilla që ajo që shkruante të kalonte por gjithsesi.”

“Unë do iki, por ti dhe vajzat do të internoheni”. “Nuk ka gjë”, thosha “unë jam e fuqishme dhe do të punoj në internim, por ti bëje atë që mendon dhe që e do”.

Helena Kadare në rrëfimin e saj është ndalur edhe tek marrëdhënia e çiftit me familjen e diktatorit Hoxha. “Ne kemi qenë te familja Hoxha në vitin 1971.”Kohë kur Ismail Kadare do të shkruante Dimrin e Madh “dhe kishte kërkuar nga Arkivi, dokumentacionin e mbledhjes së 81 partive në Moskë. Ne shkuam dhe ishim në një ankth të madh sepse Enveri dukej një figurë e paarritshme. Ndërsa ishim duke biseduar me Nexhmijen, në mes të bisedës erdhi Enveri. Biseda ishte shumë interesante sepse ai tregoi shumë gjëra, jo vetëm për atë mbledhje, por edhe nga Gjirokastra, sepse ata ishin banorë të së njëjtës rrugicë. Ankthi, ishte i madh, për kohën që qëndruam atje.”

Shkrimtarja ka kujtuar edhe frikën pas çdo udhëtimi jashtë Shqipërisë të bashkëshortit. “ E kemi diskutuar disa herë bashkërisht, ikjen e tij në vitin 1983. “Unë do iki, por ti dhe vajzat do të internoheni”. “Nuk ka gjë”, thosha “unë jam e fuqishme dhe do të punoj në internim, por ti bëje atë që mendon dhe që e do”. “Ai -Enver Hoxha- do të vdesë nga dëshpërimi nga ky gjest që unë do të bëj”. Ramë dakord të dy. Për gjatë një nate bëmë gati valixhet. i hapa astarin, futi dorëshkrimet dhe ia qepa, me mendimin se nuk do të kthehej…”

E ndalur në kohët e sotme, ku jeta e çiftit Kadare është e vendosur mes Tiranës dhe Parisit, Helena Kadare thotë se përditshmëria vijon të mbetet e njëjta. “Ai është “Princi” që nuk di të bëjë asnjë punë që e do çdo gjë gati dhe unë që vazhdoj t’i bëj njëlloj si të gjitha gratë shqiptare.”, ka thënë ajo, ndërsa çdo ardhje në Tiranë e sheh si gëzim të vazhdueshëm. “Madje, i kërkoj Ismailit që të rrimë në Tiranë, por kam vënë re se klima në Tiranë e lodh dhe e dëshpëron, sepse, për hir të së vërtetës ka edhe shumë agresivitet, të cilin ai e ndjen më thellë, sesa unë.”Nga libri i saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”, zbulon se nuk ka harruar asgjë, por ishte Ismail Kadare që i hoqi rreth njëqind fare. “Ka hequr ca kujtime të mikeshave, shoqeve të mia. “Po çfarë i ke këto, kot?!”, ka përfunduar shkrimtarja, ndërsa është ndalur në etapat e një historie të gjatë dashurie e cila zuri fill me atë tregim të shkruar nga një gjimnaziste. / KultPlus.com

12 vjet nga vdekja e intelektualit, Jashar Rexhepagiqi

Jashar Rexhepagiqi lindi në Plavë më 16 janar 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë. Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953.

Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.

Ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim: profesor i Shkollës Normale dhe Gjimnazit në Prizren, profesor e drejtor i Shkollës Normale të Prishtinës, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Në këtë institucion, profesor i rregullt, veproi deri më 1990, kur u pensionua.

Që nga themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK është anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i Përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i ASHAK. Rexhepagiqi ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi-Sad. Ka bashkëpunon në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ai ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishitnës, redaktor i revistës shkencor Studime të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i Vjetarit të ASHAK, anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II, kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore Përparimi e të tjera.

Ai u mor me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, me historinë nacionale të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit. Është marrë edhe me poezi (5 libra të poezisë) dhe me kritikën shkencore e letrare. Është autor i mbi njëzet librave dhe i më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit botoi disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritikë dhe kontribute të tjera. Është bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre. Laureat për punën shkencore, pedagogjike e shoqërore, pos të tjerash, i Shpërblimit të Dhjetorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji (1972). Është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë (1980) dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë (1988). / KultPlus.com

Sot, Ismail Kadare sot feston 86 vjetorin e lindjes

Më 28 janar të vitit 1936, 86 vite më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike, transmeton kp.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013./ KultPlus.com

Historia e panjohur e motrës së Mozartit, e cila “sakrifikoi” për kompozitorin

Maria Anna Mozart motra e madhe e Volfgang Amadeus Mozartit, do të kishte qenë emër tjetër i madh i muzikës, nëse nuk do të ishin pengesat që koha ia vinte një gruaje në karrierë atë kohë.

Edhe pse e talentuar, Maria u detyrua ta linte muzikën që të mësonte të gatuante dhe të martohej.

Në rininë e hershme, vëlla e motër luanin së bashku nëpër Evropë dhe shpesh ishte “Nannerl” (pseudonimi i saj) ajo që merrte vëmendjen e madhe të kritikëve.

Por më pas, familja vendosi ta sakrifikojë talentin e saj për të përqendruar gjithçka te djali, Volgang. Paratë nuk ishin të mjaftueshme për të financuar turnetë evropiane të të dyve dhe për këtë arsye, në moshën 18-vjeçare karriera e Maria Annas u ndërpre.

Fati i saj ishte tjetër: të martohej me një baron të pasur, të bëhej grua dhe nënë e mirë. Historinë e motrës së Mozartit, gati dy shekuj pas, e risjell vepra teatrale e shkruaj nga Sylvia Milo me titull “Mozarti tjetër”.

Duke përdorur dokumente dhe letra që i përkisnin familjes Mozart, Milo ka vendosur t’i japë zë “Nanerlit” gruas dhe artistes, muzikantes që ishte dhe asaj që mund të bëhej.

Edhe vetë Volfgangu e kishte të qartë talentin e motrës së tij: “Unë jam i habitur, nuk e dija se ishe në gjendje të kompozoje kaq bukur. Të lutem, bëj më shpesh gjëra si këto” i thoshte ai.

Për fat të keq, gjërat shkuan ndryshe dhe fundi ishte i parashikueshëm. Në atë kohë, vetëm familjet e pasur mund të kishin mundësi të investonin te një pianist. / KultPlus.com

‘Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe, po nanën ju kujtoni qi u ka le’

Sot KultPlus ju sjell poezinë e Asdrenit për Kosovën.

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

Akademia e Shkencave drejt përfundimit të projektit “Historia e shqiptarëve”

Grupi i punës për projektin e madh “Historia e shqiptarëve” zhvilloi një mbledhje në Akademinë e Shkencave, në praninë e kryetarit Skënder Gjinushi.

Ishin të pranishëm akad. Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Studimeve Albanologjike, akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, drejtor i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike (ASH), prof. Paskal Milo, prof. Neritan Ceka, akad. Marenglen Verli, akad. Beqir Meta, prof. Gjon Berisha; prof. Hamit Kaba; prof. Ferit Duka, prof. Ana Lalaj; prof. asoc. dr. Sonila Boçi, prof. asoc. dr. Ledia Dushku; dr. Edon Qesari, etj.

Në takim u diskutua për mbylljen e fazës parapërgatitore të këtij projekti, si dhe për vijimësinë e punës lidhur me përmbushjen e kritereve shkencore dhe teknike, strategjitë e bashkëpunimit me autorët dhe drejtuesit e grupeve të punës, diskutimin e materialeve të përfunduara dhe për redaktimin final të teksteve.

U diskutua edhe për realizimin e projektit brenda afateve kohore, që e gjithë puna dinamike dhe voluminoze të bëhet me angazhimin dhe bashkëpunimin e gjithë hallkave pjesëmarrëse, për të pasur një rezultat të arrirë edhe në cilësi.

Qëllimi kryesor i mbledhjes ishte falënderimi dhe inkurajimi për të gjithë studiuesit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë projekt si edhe evidentimi i çështjeve organizative.

Kryetari i akademisë, akad. Gjinushi theksoi angazhimin e historianëve më të mirë për periudhat përkatëse dhe përfshirjen e institucioneve kryesore të studimit dhe arsimit në Shqipëri e Kosovë.

“Duke qenë para këtij fakti, dhe duke parë angazhimin e gjithë secilit, kam besimin e plotë se produkti final do të jetë aq me vlerë dhe cilësor, sa edhe rëndësia që ka. Ky bashkëpunim do të na japë një produkt të sintetizuar dhe konciz, në mënyrë që t’i drejtohet gjithë publikut shqiptar dhe të huaj, duke shfaqur imazhin dhe të vërtetën e historisë shqiptare”, tha akad. Gjinushi.

Për këtë projekt është bërë me dije edhe më parë nga Akademia e Shkencave. /SOT/ KultPlus.com

Jeta e vështirë e Mozartit, letra me të cilën ai i drejtohet mikut të tij për t’i kërkuar borxh

Të jetoje vetëm me muzikë pa të ardhura të tjera të tërthorta, për gjeniun e muzikës klasike do të thoshte varfëri. Po, varfëri në kuptimin më të pamëshirshëm të shprehjes.

Gruaja e sëmurë, një fëmijë për të rritur, ishte për të një sfidë e vështirë, një plagë që e mundonte mizorisht shpirtin e tij të drobitur nga vështirësitë. Ngado dyer të mbyllura për mjeshtrin e madh. Kompozitori i oborrit, i emëruar me urdhër perandorak, nuk i siguronte të ardhurat që i duheshin për të shlyer doktorin, farmacistin, kreditorët, jetesën. I kishin shteruar të gjithë mundësitë dhe miqtë.

I vetmi që do ti gjendej gjithnjë pranë ishte miku i tij Johann Michael von Puchberg (21 shtator 1741- 21 janar 1822, Vienna ), një tregtar i thjeshtë vjenez tekstilesh, të cilit më 12 korrik 1789 ai i shkruan një letër mbushur me tragjizëm të thellë dhe brengë, ku citohet:

“Zot, jam në një gjendje të vështirë, të cilën s’do t’ia uroja as armiqve të mi më të këqij, dhe në qoftë se ju vëllai dhe miku im më i mirë, do të më braktisni, unë fatkeqi do të dënohem pa faj bashkë me të mjerën grua time të sëmurë dhe djalin.

Që herën e fundit kur isha te ju, desha t’ju hap zemrën, por me mungoi vendosmëria!

Dhe a do ta kem vallë tani që po ju shkruaj?!

Vetëm duke u dridhur guxoj të hedh këto fjalë në këtë letër. Nuk do të kisha kurajë tu drejtohesha as me shkrim po të mos isha i sigurt se ju më njihni, se ju i dini fort mirë rrethanat e mia, se ju jeni absolutisht i bindur që unë jam pa asnjë faj, që fatkeqësisht kam rënë në këtë gjendje kaq tragjike.

O perëndi!

Në vend të falënderimeve unë do tu mërzis me lutje të reja, me përgjërime mjeruese. Në vend të pagesës që kam të të bëj për borxhin që të kam, po të shkruaj për një borxh tëe ri, kërkesa të reja.”

/KultPlus.com

7 filma rreth Holocaust-it që duhet t’i shihni patjetër

27 janari përkon me (Holocaust Memorial Day), ditën kur e gjithë bota kujton viktimat e Holocaust-it, ku mbetën të vrarë rreth 6 milionë hebrenj. Sot, bëhen plot 77 vite nga çlirimi i kampit të  Auschëitz-Birkenau, njohur ndryshe si “kampi i vdekjes” të nazistëve në Poloni.

Më poshtë do të gjeni një listë me filma/serialë që rrëfejnë historitë rrënqethëse dhe çnjerëzore që ndodhën brenda kampit fatkeq. 

1. The Pianist (2002)

Bazuar në librin autobiografik me të njëjtin titull, ky film tregon për jetën dhe kujtimet e një pianisti polak-hebre,  W?adys?aë Szpilman, që i shpëtoi Holocaust-it. 

7 filma rreth Holocaust-it që duhet t'i shihni patjetër!

2. La Vita e Bella 

Një dramë-komedi italiane e vitit 1997 me skenar dhe pjesëmarrje të Roberto Benigni-it. La Vita e Bella tregon për rrugëtimin e një familjeje që përballet me internimin në kampet e përqëndrimit të nazistëve. E gjithë historia shihet nga sytë e një vogëlushi dhe përpjekjet e të atit për t’i zbukuruar realitetin horror që iu desh ta përjetonte që herët. 

7 filma rreth Holocaust-it që duhet t'i shihni patjetër!

3. Schindler’s List

Schindler’s List, një dramë historike e 1993-shit me regji të Steven Spielberg. Filmi flet për Oskar Schindler, gjermanin që shpëtoi me mijëra refugjatë hebre-polakë nga Holokausti duke i punësuar në fabrikat e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.

7 filma rreth Holocaust-it që duhet t'i shihni patjetër!

4. The Boy in the Striped Pajamas

Bruno është djali 8-vjeçar i komandantit të kampit të përqëndrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rastësisht ai takon moshatarin e tij hebre përtej gardhit të kampit dhe mes tyre lind një miqësi e pastër. Çfarë nuk dinte vogëlushi ishin pasojat e kësaj miqësie prej të cilave nuk mund të shpëtonte.

7 filma rreth Holocaust-it që duhet t'i shihni patjetër!

5.Holocaust (1978)

Mini-serial që tregon perceptimet e ndryshme të familjeve gjatë asaj periudhe. Dy familje gjermane nga Berlini: njëra palë e krishterë, pjesëtarët e të cilës u bënë nazistë si pasojë e nevojave ekonomike, ndërsa familja tjetër hebre, përfunduan duke qenë viktimat e tyre.

7 filma rreth Holocaust-it që duhet t'i shihni patjetër!

6. Train of Life (1998)

Një tragjikomedi që flet për historinë e hebrenjve nga Europa Lindore dhe përpjekjet e tyre për t’i shpëtuar Holocaust-it.

7 filma rreth Holocaust-it që duhet t'i shihni patjetër!

7. Anne Frank: The Whole Story (2007)

Mini-seriali i bazuar në ditarin e famshëm të Anne Frank dhe perceptimi i botës sipas syve të saj, menjëherë pasi kupton që krejt papritur ajo dhe familja nuk kanë më të drejta.

7 filma rreth Holocaust-it që duhet t'i shihni patjetër!

Burimi: Filmatic / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore.

“Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Në momentin e fundit dënimi ynë me vdekje u ndryshua në burgim të përjetshëm në Auschwitz dhe ne u dorëzuam në dyert e ferrit. Aty do të na merrnin ende në pyetje. Me të mbërritur na zhveshën, goditën, rruan dhe na bënë tatuazhe. Që atëherë, ne nuk kishim emra. Unë tani isha numri 39934 dhe nëna ime ishte numri 39933. – Kitty Hart-Moxon

Kjo është veç një prej dëshmive të panumërta që na ndihmojnë të kujtojmë tmerrin e përjetuar në Auschwitz – Birkenau dhe mijëra kampe tjera përqendrimi. Pikërisht sot 77 vite nga 27 Janari i vitit 1945, kur ky kamp përqendrimi u çlirua. U çlirua prej tragjedisë njerëzore të paimagjinueshme më parë. Por me çlirimin nuk ka ardhur asnjëherë harrimi.

Krahas kujtimit, ky tmerr e kjo dhunë fatkeqësisht nuk mori epilogun e duhur as gjatë Gjykimit të Nürnberg kur Lemkin dhe Lauchterpacht për herë të parë definuan termet “gjenocid” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Nuk mori epilogun as përgjatë viteve të tëra të përpjekjeve për të kujtuar. Të aftësisë për të mos harruar.

Të tentimeve për gjetjen dhe dënimet e kriminelëve.

Edhe këto krime kundër njerëzimit përgjatë viteve u përballën me mohimin e pashembullt nga ata që edhe nuk dinin, edhe nuk donin të pranonin realitetin.

Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit.

Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë.

KURRË MË! / KultPlus.com

Prindërit shesin fëmijët dhe veshkat për të ushqyer familjet e uritura në Afganistan

Pas tërheqjes së forcave perëndimore nga Afganistani vitin e kaluar, regjimi taliban mori pushtetin, ndërkohë që vendi po përballet me një varfëri ekstreme.

Sipas mediave të huaja, disa prindër po shesin veshkat e tyre, në mënyrë që të marrin shuma monetare për të ushqyer familjet e tyre.

Mësohet se tre vëllezër dhe dy motrat e tyre shitën organet e tyre për rreth dy mijë euro  për të ushqyer familjet e tyre.

Ndërkohë javë më parë mediat kanë raportuar se prindërit kanë shitur dhe fëmijët e tyre për shkak të kushteve ekstreme të varfërisë.

Ndërkohë nga ana tjetër mjekët kanë thënë se nuk kanë as mjete spitalore për pacientët të cilët i nënshtrohen operimeve të tilla./ KultPlus.com

Populli arbëror e ka tregu veten dy herë: në Mbrojtjen e Europës dhe të Hebrenjve

Nga Gjon Keka

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit

​Popullit arbëror dy herë i ka rënë ta tregoj veten përgjatë historisë:

E para në krye me Gjergj Kastriotin arriti ta mbroj nderin dhe civilizimin e përbashkët të kombeve të Europës dhe e dyta Mbrojtja e hebrenjve të pafajshëm nga regjimi i egër nazist.

Kjo e dyta është bërë në saje të Besës dhe Mikëpritjes që tradicionalisht e kishte populli ynë.

Këto vlera që janë të rralla ndër kombe e që kombi ynë fatmirësisht i ka pas në traditën e tij fisnike, e kanë bërë të njohur për të mirë, dhe është marrë shembull për të mirë sidomos në rastin e mbrojtjes së herbrenjve.

Pokështu kjo strehë për hebrenjët më pas i ndihmojë popullit tonë sidomos të Kosovës që gjatë luftës së fundit, populli ynë ta gjejë mbështetjen e hebrenjve në Amerikë, dhe e hebrenjve në Izrael, që strehuan familje refugjatësh. Nuk duhet harruar edhe ndikimin e madhë që pati lobi hebre-amerikan në çlirmin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në kuadër të kësaj duhet nënvizuar edhe këtë sikur që dihet edhe albanologu hebre Norbert Jokl që nga koha e përndjekjes së herbrenjve nga nazistët në Austri, shikonte udhët se si të vendosej në Shqipëri aty ku hebrenjtë e gjetën strehën, mbështetjen dhe mbrojtjen e nevojshme.

Albanologu Jokli, jo rastësisht donte të vendosej në Shqipëri,sepse ai e njihte thellë traditën, historinë, Besën dhe Mikëpritjen shqiptare.

Kjo ditë duhet t’i shërbej njerëzimit si një kujtesë e ndërgjegjësimit për të ardhmen që një tragjedi e tillë kurrë mos të përsëritet më. / KultPlus.com

ASH në bashkëpunim me DPA prezantojnë ekspozitën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, Akademia e Shkencave (ASH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), kanë prezantuar një ekspozitë me dokumente arkivore.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i ASH-së, Skënder Gjinushi, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof.Asoc.Dr Ardit Bido, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (SSHSHA), Pëllumb Xhufi, sekretari shkencor i ASH-së, Shaban Sinani, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike, Mariglen Kasmi etj.

Në konferencën e mbajtur në kuadër të Ditës së Kujtesës, u vu theksi tek ndihmesa e popullit shqiptar, si i vetmi mes europianëve, në shpëtimin e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ekspozita e paraqitur dëshmon se asnjë prej rreth 3750 hebrenjëve që arritën të depërtojnë në Shqipëri pas vitit 1945, nuk u dorëzua, ndonëse historia e mbijetesës së tyre përmbledh sprova të shumta.

Gjithashtu iu kushtua vëmendje mes të tjerash humanizmit të kombit shqiptar shprehur ndaj çdo bashkësie në rrezik dhe tolerancës ndërfetare, si një vlerë e jona përfaqësuese. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton Ditën e Holokaustit: Nuk guxojmë të harrojmë

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore, përcjell KultPlus.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

“Sot është Dita e Përkujtimit të Holokaustit. Ne nderojmë miliona hebrenj të shfarosur në kampet naziste të vdekjes gjatë Shoah. Le të zotohemi se do të themi gjithmonë emrat e viktimave dhe vendet e tmerrit. Nuk guxojmë të harrojmë”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Ambasadori Hovenier: Kosova është një vend sovran, disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë por thjesht është

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë së fundmi ka publikuar një postim në rrjetet sociale nëpërmjet të cilit theksohen fjalët e Ambasadorit të SHBA-së në Republikën e Kosovës, Jeff Hovenier, përcjell KultPlus.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e plotë:

“Kosova është një vend i pavarur… Kosova është një vend sovran. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë; por, thjesht është. Dhe, njerëzit mund të argumentojnë sa të duan, por realiteti, faktet në terren, flasin vetë”, ka thënë Hovenier.

Ndahen 300,000 euro për transformimin e Bibliotekës Hivzi Sylejmani në një hapësirë për dialog kulturor dhe zhvillim artistik

Dje, më 26 janar 2022, Shefi i Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë nënshkroi mbështetjen prej 300,000 euro për transformimin e Bibliotekës Hivzi Sylejmani e cila do të bëhet një nga vendet kryesore të Manifesta 14.

Në një takim të mbajtur në Komunën e Prishtinës, kryetari i sapozgjedhur i Prishtinës, Përparim Rama, Drejtoresha Themeluese e Manifestës, Hedwig Fijen, Përfaqësuesja e Përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Maria Suokko dhe shefja e misionit e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes, diskutoi në detaje rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimin e tyre për rinovimin dhe rivitalizimin e Bibliotekës Hivzi Sylejmani, duke krijuar një qendër kulturore të rinovuar të udhëhequr nga komuniteti për qytetarët e Prishtinës.

Biblioteka Hivzi Sylejmani, do të bëhet një nga vendet kryesore të Manifesta 14 Prishtina, dhe do të evoluojë në një qendër kulturore afatgjate për komunitetin pas bienales, duke lënë një trashëgimi të qëndrueshme për qytetin. / KultPlus.com

Dua Lipa e nominuar në dy kategori për çmimet “iHeartRadio Music Awards”

E mrekullueshmja Dua Lipa vazhdon të jetë ndër artistet më të nominuara në ceremonitë shpërblyese të muzikës.

E radhës është ngjarja e përvitshme “iHeartRadio Music Award”, ku këngëtarja me prejardhje kosovare ka arritur t’i fitojë 2 nominime në kategoritë: “Artistja më e mirë e vitit”dhe “Kënga më e mirë e vitit” për hitin e saj “Levitating”.

Kategoria shumë konkurruese “Kënga më e mirë e vitit” ka 10 hite duke përfshirë “Easy on Me” të Adele, “Driver’s License” e Olivia Rodrigo, “Montero (Call Me By Your Name)” nga Lil Nas X, “Levitating” nga Dua Lipa, Silk Sonic “Leave the Door Open” dhe Ariana Grande “Positions”.

Votimi social fillon sot, 27 janar dhe do të mbyllet më 15 mars në orën 23:59 për të gjitha kategoritë. Tifozët mund të votojnë në Twitter duke përdorur hashtag-et e duhura të kategorisë dhe kandidatëve ose duke vizituar iHeartRadio.com/awards.

Shfaqja do të shfaqë dy kategori të reja këtë vit – tekstshkruesi i vitit TikTok dhe albumi më i mirë i rikthimit. Të nominuarit në kategorinë e fundit janë Adele’s ’30’, Drake’s ‘Certified Lover Boy’, Foo Fighters’ ‘Medicine at Midnight’, Lorde’s ‘Solar Power’, Kacey Musgraves’s ‘Star-Crossed’, Bleachers’ ‘Take the Sadness Out of Saturday Night’ dhe ABBA’s ‘Voyage’.

Suksesi i albumit të dytë të Dua Lipës, “Future Nostalgia” ka qenë i padiskutueshëm, duke e vënë atë në listën e artisteve më të dëgjuara në radio e platforma muzikore, dhe më të nominuar nëpër ceremoni të ndryshme shpërblyese./ KultPlus.com

Çun Lajçi shpërndan fotografinë e filmit “Zgjoi”: Hera e parë që po ndihem i lumtun, mbas shumë dhimbjesh

Sot ka filluar votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për “Oscars 2022”, shkruan KultPlus.

Aktorja që luan rolin kryesor në filmin “Zgjoi”, Yllka Gashi dje ka bërë thirrje që të shpërndahet sa më shumë fotografia e filmit “Zgjoi” në rrjetet sociale, e që të njëjtën e ka bërë edhe regjisorja e filmit, Blerta Basholli.

E aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi sot ka shpërndarë fotografinë e filmit “Zgjoi” duke shprehur se po ndjehet i lumtur që filmi Zgjoi ka arritur të jetë në mesin e 15 filmave më të mirë të botës.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Na dëshironi fat!
Fat për filmin e fat për Kosovën!
T’lumtun jemi që kemi mbrri në mesin e 15 filmave ma t’mirë t’botës. Edhe ma t’lumtun nëse kandidohemi për Oskar!
Hera e parë që po ndihem i lumtun, mbas shumë dhimbjesh!
Shpërndajeni, se nesër fillon votimi!
/ KultPlus.com

Giuseppe Verdi, romantiku ngadhnjimtar i shekullit të XIX

Giuseppe Verdi ishte dhe mbeti i plazmuar si një prej dy majave që rrokaqiellin me famë dhe madhështi eterin operistik të shekullit XIX. Viti 2013 ishte një vit kujtese për atë që do të skaliste në memorien e brezave shtatoren më të lartë të kumtimit mjeshtëror të një shekulli. 200 vjet në të ikur e naltësuan në apogje këtë figurë emblematike. Gjunjëzohemi sot, besimplotë para kujtesës për këtë gjeni tokësor të operas italiane dhe botërore. Përbashkohemi krejt tok në këtë mbamëndje. Se kjo magji ngas në vetëdijen tonë artistike nderim të njëzëshëm, për Giuseppe Verdin, ateistin romantik, patriotin garibaldin, ngadhnjyesin vagnerian.

Ngadhnjimtari i Apenineve

Giuseppe Verdi, italian kryekëput ishte ai. Qëndroi besnik deri në fund dhe mori meritimin e mirënjohjes të gjeneratave për krejtçfarë bëri dhe la trashëgim. Kjo botë perëndishë antike dhe rilindase, e cila vinte prej një mbamëndje të pashoqe, e ngjizur në havanin 2000-vjeçar të kohërave, s’kishte sesi të ndalte vërshimin e saj uturitës në historinë e Evropës plakë. Ky shpirt Apenin do të gufonte prej humusit të brezave. Do të rilindtte një vazhdues i lavdisë dhe memories artistike që ngasi dhe dalldisi shekuj dhe breza të tërë. Ngadhnjeu mes britmash dhe harrimit, mes paradoksit dhe groteskut. Erdhi si një gurë meteotiti që do të plotësonte atë pjesë mozaiku të mrekullisë italiane. Ai, Giuseppe Verdi, fshatari që i dha frymëmarrje metropolitane operas së një shekulli. Sizifi që nuk reshti së përpjekuri. Vegjelia e mjeshtrit, hekakeqe dhe rurale, e pamundur dhe nënshtruese e përndoqi gjatë. Hera-herësh i’a përfundi shtatin. Hendeqe të thella e barriera të larta i zunë rrugën në rëndien e tij të hovshme përgjatë Golgotës së ngjizjes së talentit, atij univers që do të shpërthente përdhunshëm si një shkreptimë eterne, për të mbetur atëherë e sot një dritim shndritës, në një prej ngulmeve artistike dhe estetike më të garrametshme të kohës. Për asnjë moment, përkundër asnjë rrethane dhe vështirësie, deri dhe në kushtet e mbijetesës, Giuseppe Verdi, nuk dredhoi. Ai u përball, u kacafyt me thonj e me dhëmbë dhe triumfoi. Fitoi vetveten dhe mëtoi përbotërisht talentin dhe vitalitetin e tij shpirtëror, duke e skalitur emrin dhe veprën në memorin e kohës, në mbamëndjen e gjenialiteteve që tokësoren e tyre e ngjitën në qiejt e lavdisë.

Emblematiku i skenave operistike

Pa emrin e Giuseppe Verdit, galeria e kryeveprave operistike botërore do të ishte e mangët. I zbrazët do të ishte qielli i bruztë i shekullit XIX pa Giuseppe Verdin dhe Richard wagnerin, emrat e të cilëve nuk na lidhin vetëm me operan, por me botkuptimin dhe filozofinë e përjetimeve dhe shijeve estetike të një shekulli. Bota Apenine pa Verdin nuk do të kishte kreshtë të krenarisë prejnga do të mësynte gjeneratave dhe botkuptimeve me një shëmbëllim të kësisojtë. Sot 200 vjet më parë lindi ai, ai dhe ato; “Rigoletto”, “Traviata”, “Trovatore”, “Nabuko”, “Makbeth”, “Aida”, “Don Carlo”, “Otello”. Pa këto kryevepra të memories operistike, pa këto kumte lirike do të mbyllnin dyert ata që sot mbahen sallat e shugurimit të shenjtorëve të artit. Saora do të shterronte forca e përceptimeve ndjesore, marrëdhënia e shënjtë e njeriut me muzikën dhe densitetin emocional që shpërthente nëpër këto salla, për tu kthyer më pas në energji dhe vitalitet vërshimi ndryshues dhe përqafës.

Viti 2013, viti “Viva Verdi”

Viti 2013 është viti verdian. Dyqindëvjetori i lindjes së Giuseppe Verdit u përkujtua dhe vazhdon të mbush sallat koncertore dhe operistike me shpirtin e kredhur në kryeveprat e tij. Në çdo cep të globit, ai do të rivijë në të tashmen e këtij brezi, mbamëndje dhe trashëgimi universale e njerëzimit. Në Italinë mëmë, “Viva Verdi” përciku me aktivitetet përkujtuese pëllëmbë për pëllëmbë Gadishullin Apenin. Nga Parma, vendlindja e kompozitorit më 12 janar, me një ballo me maska startoi ky vit festiv, për tu përmbyllur me Traviatën që do t’i besohet  Daniele Gatti, në La Scala më 7 dhjetor 2013.

Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori me njohur i operës italiane dhe asaj botërore. Ai mbetet i tillë jo vetëm në kufinjtë shpirtëror dhe kalendarik të shekullit të XIX. Kapërceu me sharmin dhe kumtin e tij shekuj dhe gjenerata. Shkroi me shpirt dhe pasion ata që do të jenë sot e në përjetësi pjesë të fondit të artë të historisë së operas.

Vegjelia e mjeshtrit të madh

Giuseppe Verdi u lind me 10 tetor 1813 në fshatin La Ronkole të Italisë Veriore, në një familje të varfër. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqen qysh heret. Shkollimi i këtij vullneti ngashërues u vu përballë pamundësishë dhe vështirësishë. Paradoksale por jo e panjohur, kjo ngase ai kishte origjinë nga fshati. Në moshën 18-vjeçare dëshiron të regjistrohet në konservatorin e Milanos, por u refuzua për shkak se e kishte kaluar moshën e paraparë dhe se nuk zotëronte mirë pianon. Për këtë arsye Verdi u detyrua që muzikën ta mësoj privatisht dhe njëkohësisht të punojë që të sigurojë mbijetesën. Në saj të talentit të rrallë dhe zellit të madh, Verdi arriti të kompenzonte mësimet që do t’i bënte në konservator. Meqë punonte si instrumentist në qytetzën Buseto, arriti të krijonte operat e para që do të shfaqeshin në Milano. Veç punës për ngritjen profesionale, lexonte veprat e Hygos, Sherlit, Dymas, Shekspirit etj, kryevepra të letërsisë botërore që do të bëheshin mbështetje për krijimin e libreteve të operave të tij të njohura.

Kompozitori revolucionar dhe patriot

Veç origjinës që e torturoi, paradoksalisht rrugëtimin e tij promovues do ta tensiononte, por edhe do ta lartësonte pozita historike e Italisë. Verdi jetoj në kohën kur populli i tij po luftonte për çlirimin dhe bashkimin e atdheut. Ndaj kjo e bëri atë dëshmimtar dhe pjesëmarrës të zedhshëm në këto përpjekje dhe përleshje. Faza e parë e krijtarisë së Verdit frymëzohet nga këto ngjarje, ngjizej sakaq në flakadanin e kësaj “kacafytje”. Kësisoj kjo etapë mund të quhet si etapa revolucionare e Verdit. Asokohe ai arrin suksesin e vet të parë me operën “Nabuko”, e cila me përmbajtjen e saj alegorike aludonte lëvizjen revolucionare të Rilindjes. Nga kjo kryevepër operistike, emri i Verdit u be siombol i kësaj levizje që shprehej me “VIVA Vitori Emannuel”, mbreti i Italisë. Pra i brohorisnin mbretit të Italisë, në vend të atij të Austrisë, nën sundimin e të cilit osohere ishte Italia. Korali nga opera Nabuko këndohej si kënge patriotike nga masat italiane, duke e vendosur sakaq shpirtin verdian në vijën e parë të frontit patriotik.

Kapërthimi në kreshtën e lavdisë

Pas suksesit të parë të madh radhiten operat e tjera të Verdit, i cili u bë i njohur dhe i popullarizuar, jo vetëm në Itali por në të gjithë Evropën. Mjeshtri dallon nga bashkatdhetaret e vet, kompozitorët, të cilët vite të tëra jetonin dhe krijonin larg atdheut. Ai tërë jetën e tij e kaloi në atdhe, Itali, lidhur ngusht me popullin si një patriot i vërtetë. Ai u përkushtua sakaq në njohje me historinë e vendit të tij mbi te gjitha muzikën popullore dhe artistike të traditës, prej së cilës hoqi disa mangësi eventuale që vëreheshin, veçanërisht në operat seri. Ai bëri sintezën e vetive pozitive të operës italiane, veçmas duke ruajtur traditën e bel kantos, jo për qellim në vetvete, por për shërbim të përmbajtjes.

Meloditë e operave të Verdit ishin të çliruara nga virtuoziteti dhe koloraturat e tepruara dhe të dominimit të muzikës mbi përmbajtjen. Këto dy komponent njësues ishin të mishëruara mesvedi, ndaj ai me vëmendje zgjodhi tekstet që do t’i kompozonte, dhe bashkëpunoi ngusht me libretistin Piave dhe me shkrimtarin dhe kompozitorin Arigo Boito. Thelloi njëkohësisht anën dramatike dhe psikologjike të karaktereve të protagonistëve të operave të tij. Muzika e Verdit mbështetej veçmas në burimoren e traditës. Kësisoj ai erdhi për të mbetur një faktor i rëndësishëm i afrisë me njerëzit e thjeshtë. Kujtojmë kushtet dhe rrethanoren e asokohëshme, kur opera ishte një art vetmitar i ngushëllimit të tragjikes së një brezi.

Verdi kompozitori patriot

Origjina e tij do ta mbante shpirtërisht dhe artistikisht të lidhur me Italinë dhe popullin italian, historinë dhe traditën e kombit. Edhe vetë Verdi është kompozitor nacional me vlera polinacionale. Qysh gjate jetës se tij ai u bë i njohur dhe i popullarizuar si një ndër fytyrat më të njohura të Italisë dhe të Evropës. Pleqërinë e thellë e priti të qetë dhe pa trazira. Vdiq në moshë të shtyrë më 1901. Ai kompozoi 26 opera dhe një rekuiem të njohur. Të gjitha operat nuk kanë përmbajtje të përhershme. Në fillim dhe në mbarim të jetës së tij kompozoi opera komike ndërsa pjesa tjetër (shumica absolute) kane një përmbajtje serioze dhe disa sosh janë edhe tragjedi. Operat me të njohura të cilat radhiten ndër kryeveprat e muzikës operistike të botës janë: Nabuko, Rigoleto, Trubaduret, Traviata, ballo me maska, Aida, Othello Falstaf opere komike.

Në historinë e gjate të operës, Verdi zë vend të nderit, sepse arriti të bashkojë traditat me të bukura të operës Italiane, të mbetet thellësisht kombëtar, t’u shmanget elementeve negative të operës Italiane, të absorbojë elementet pozitive që ishin shfaqur ne artin e operës në shekullin e XIX, madje edhe disa elemente te reformës se Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës.

Verdi dhe Wagneri polet e universit operistik

Ata ishin dhe mbetën më të mëdhenjt e një shekulli. Shkruesit me të zellshëm të historisë së operas evropiane dhe botërore. Ata jetuan si një binom paradoksal. Verdi dhe Wagneri, ishin udhëheqësit e shkollave të tyre përkatëse të muzikës. Dukshëm ata nuk e durojnë njëri-tjetrin në masë të madhe, edhe pse kurrë nuk u takuan. Komentet e Verdit mbi Wagner dhe muzikën e tij janë të pakta dhe aspak mirëdashëse “Ai gjithmonë zgjedh, të panevojshmen, rrugën e braktisjes, duke u përpjekur për të fluturuar ku një person racional do të ecte me rezultate më të mira, shkruan Verdi. Me të mësuar ndarjen nga jeta të Wagner, Verdi e derdhi brendinë: “Sad, i trishtuar, i trishtuar! Një emër që do të lërë një përshtypje të fuqishme në historinë e artit.” Prej komenteve të Wagner-së mbi Verdi, vetëm një është e mirënjohur. Pas dëgjimit të Requiem të Verdit, gjermanisht, pjellor dhe elokuent, në komentet e tij me disa kompozitorë të tjera deklaroi, “Ajo do të jetë e mirë për të mos thënë asgjë.”. I tillë ishte Wagner, sepse sintesë e këtij shpirti ishte dhe “Tristani dhe Izolta”, tragjik.

Verdi më shumë se një kujtesë

Sot kur njëzëshëm dhe vullnetlirë thërrasim dhe pranojmë atë, Giuseppe Verdi, si një korife i operas italiane dhe botërore, kujtesa do të ishte një prekje e përciptë e ngulmit që rreket të rrok të tashmën e një gjenerate. Ne i jemi më së shumti mirënjohës. Italia do t’i jetë borxhli, Giuseppe Verdit, atij që nuk i’a ktheu shpinën kurrë, atij që e ngriti me pasion dhe përkushtim vendlindjen e tij në pjedestalin e universit operistik. Mirënjohje dhe respekt për mjeshtrin, lirikun dhe romantikun ngadhnjimtar të shekullit XIX. /Albert Vataj /KultPlus.com

Mozarti, gjeniu që u gropos në varr të përbashkët dhe la pas një vdekje të mistershme

Një nga gjenitë e muzikës, një nga magjistarët e këtij arti magjepsës, ai që do të mbetet përjetësisht një ëndje e gjeneratave si mjeshtri i mjeshtrave, ai, Wolfgang Amadeus Mozart, iku duke lënë pas më shumë se trishtim. Iku në një rrugë pa kthim dhe humbi në asgjënë e harrimit atë mbasdite të sertë dhjetori.

Iku për të mbetur pa varr. I’u dha një lamtumire aspak dinjitoze. Gjithçka e madhështisë së tij ishte katandisur në një asgjë 5 dhjetorin e vitit 1791, atë ditë kur kortezhin e përmortshëm e shpartalloi stuhia duke lënë pa zot arkivolin me trupin e pajetë të gjeniut.

Plot 118 diagnoza vdekjeje u përpiluan dhe krijuan panoramën morte të fundit të këtij gjeniu. Asnjëra prej tyre nuk u bë provë më shumë se sa ajo për të cilën shtypi vjenez pëshpëriti, ditë e vite më pas.

Ai që kishte mrekulluar e magjepsur një shekull të tërë kishte përfunduar në një varr të përbashkët. Një vdekje e mbetur mister, pas të cilës ngrihet alibia e një helmimi nga rivali dhe armiku i tij i përjetshëm, Antonio Salieri. Një lamtumirë e ndëshkuar nga moti dhe një pasvdekje që rrit famën e muzikës së tij, dhe bën me faj gjithçka që gëloi më pas, ndoshta më shumë se askënd bashkëshorten e tij.

Ishte ajo, Kostanca, e cila u nda jo me aq dhimbje nga bashkëshorti i saj, se sa me merakun për të përfituar nga emri dhe nga pasuria muzikore që Mozart kishte lënë. Pasi kishte përfituar pension, kishte hequr qafe fëmijët duke i degdisur ata të rriteshin pa prindër, plot 18 vite nga vdekja e bashkëshortit ajo kujtohet të shkojë në varrezat e Shën Markut ku gjeniun e muzikës, të nesërmen e ceremonisë mortore, varrmihësi e kishe hedhur arkivolin me trupin e tij në një gropë të madhe e të thellë. Ishte ajo gropë ku zakonisht varroseshin vrasës, lypsarë e të pastrehë që ngrysnin ditët e mjera të agonisë në shtretër spitalesh apo shtëpi bamirësie.

Kostanca Mozart ishte kujtuar shumë vonë për varrin e të shoqit. Kishin kaluar kaq vite. Kujdestari plak që atë mëngjes të 6 dhjetorit të vitit 1791 së bashku me arkivolet e tjerë të pjesës mjerane të shoqërisë kishte hedhur në gropën e përbashkët gjeniun e muzikës, nuk jetonte. Ajo, gruaja që u nda së gjalli e së vdekuri me njeriun që e bëri atë të pavdekshme, e kishte të pamundur mes atyre kockave, të gjente ato të bashkëshortit, atë grusht eshtra që ajo i kishte bluar dhe ngrënë për 18 vite pa u brejtur në ndërgjegje as si nënë, as si bashkëshorte.

Dhe kështu, historia e artit, bota e muzikës, kujtesa e kohërave u ndanë me Wolfgang Amadeus Mozart kaq tragjikisht, për të mbetur përgjithnjë të mbështjellë nga aureola e famës së tij, nga magjikja e muzikës që la testament njerëzimit.

Nata misterioze

Në vitin 1791 një i panjohur i tha Mozartit:

– Shkruamëni një Rekuim.

Tha këto fjalë misterioze dhe i panjohuri iku, pa u dukur fare sikurse edhe kishte ardhur dhe nuk u pa më.

Mozarti pati një mbresë të thellë nga ky takim. E shkroi Rekuimin me një forcë misterioze dhe pak ditë më vonë vdiq.

Ditën që vdiq Mozarti ishte një furtunë e madhe që vazhdoi edhe të nesërmen. Kjo pengoi edhe njerëzit më të afërm që të merrnin pjesë në varrim. Të vdekurin e çuan në varreza të pashoqëruar puthuaj nga asnjeri.

Tri ditë më vonë e shoqja shkoi në varreza për të parë vendin ku ishte varrosur burri i saj.

– Wolfgang Amadeus Mozart? – pyetën varrmihësit.- Nuk e kemi dëgjuar këtë emër dhe nuk kemi varrosur njeri me këtë emër.

Mozartin e madh, në atë stuhi të tmerrshme të natyrës e kishin varrosur shpejt e shpejt në një varr të zakonshëm ku shiu i zhduku shenjat e grumbullimit të dheut. Edhe sot nuk dihet me saktësi vendi se ku pushojnë eshtrat e kompozitorit të shquar. /Albert Vataj/ KultPlus.com

Dashuria për artin ishte e pranishme qysh në fëmijërinë e tij, Kryeziu arrin të krijojë vepra arti me vetëm një vijë

Uranik Emini

Krijimi i punimeve duke u përqëndruar në elegancë, është pikërisht ajo që artisti, Visar Kryeziu, tenton të shfaq çdo herë kur krijon diçka të re.

Butësia e lëvizjes, bukuria dhe thjeshtësia janë pikërisht “finesat” kryesore në punimet e artistit, i cili filloi qysh në moshë të hershme të merrej me art.

Në një intervistë për KultPlus, Kryeziu ndau rrëfime nga jeta e tij personale dhe gjithashtu pjesë të ndryshme nga puna e tij artistike.

“Arti figurativ gjithmonë më ka pëlqyer, qysh kur isha nxënës i shkollës fillore. Ngase vizatoja bukur si nxënës, më kujtohet kur mësuesja e vizatimit si për shaka i thonte shokëve e shoqeve të klasës se, po ua marrë unë Visarin tek klasa ime ku jam kujdestare e klases dhe po ua jap juve një tjetër. Ndoshta kjo fjalë ka qenë një shkëndijë dhe vullnet më tepër që t’i përkushtohem artit edhe më shumë”, ka thënë Kryeziu në një intervistë për KultPlus.

Ai gjithashtu tregon se është një person që nuk flet shumë në jetën reale, por këtë gjë e bën përmes artit.

“Nuk jam një person që flas shumë dhe pikërisht arti më plotëson, në njëfar mënyre je në ishullin tënd ku rregullat i bën ashtu si dëshiron ti”.

Së fundmi, ai ka punuar një figurë të mbretit shqiptar, Gjergj Kastriotit.

“Këtë punim e bëra sepse ai ishte frymëzim për secilin shqiptar dhe për secilin hero pasardhës të tij. E ruajti kombin tonë”.

Vizatimet e tij të fundit janë punuar me vetëm një vijë, një formë e artit minimalist, fans i së cilës është edhe vetë artisti.

“Pse me një vijë? Sepse jetojmë në një kohë moderne dhe në këtë kohë njeriu modern nuk i do më luftrat, ngarkesat e panevojshme, urrejtjen por, dashurinë, elegancen, abstrakten, thjeshtësinë, fantazinë etj. Vizatimi i Skënderbeut me një vijë mendoj se i ka të gjitha këto. Në këtë lloj arti e veçanta është se niset nga ajo që „më pak është më shumë“ që do të thotë ne veprën e artistit lihet vetëm e domosdoshmja, duke e zhveshur nga te gjitha ngarkesat tjera të panevojshme”.

Tutje, Visari tregon se si ka dëshirë që figurat e portretet ndërkombëtare t’i paraqes edhe te fëmijët e tij në banesën ku ai jeton.

Së sa shumë e dashuron artin dhe në veçanti krijimin e veprave me vetëm një vijë e dëshmojnë edhe njohuritë e tij në këtë fushë.

“Zvogëlimi dhe thjeshtëzimi i koncepteve, saktësia në linjat dhe që hapsira është një plotësim i veprës. „Vija është një pikë që shkon për tu shëtitur“ ka thëne artisti i famshëm zviceran Paul Klee”.

Ai thotë se vizatimet me një vijë janë pëlqyer nga shumë miq të tij, të cilët e kanë pasur mundësinë t’i blejnë në uebfaqen e tij në rrjetet sociale.

Profesioni i tij është fotograf i pavarur, përmes së cilës edhe punon dhe vepron në shtetin e Zvicrës, konkretisht në Cyrih.

“Fotografinë e kam profesion. Ka qenë një premtim i pathënë ndaj prindërve të mi që të punoj në profesionin tim kudo që të jem. Mundi dhe sakrifica e tyre për të më shkolluar nuk ishte aspak e lehte e që nuk mundem dot ta harroj. Më vjen mirë që kemi një portal si Kultplus, e bëni një punë të shkëlqyer për artin dhe shumë të nevojshme për ne”, thotë ai në fund.

Disa prej portereteve që ai i ka punuar gjatë muajve të fundit, mund t’i shihni më poshtë. /KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim futbollistin Lorik Cana, diskutojnë për zhvillimet në fushën e sportit në vend

Ministri Hajrulla Çeku ka pritur sot në takim ish futbollistin e Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana me bashkëpunëtorë, të shoqëruar nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, kryetarin Ismet Krasniqi dhe sekretarin Besim Aliti, përcjell KultPlus.

Së bashku diskutuan për zhvillimet në fushën e sportit në vend, krijimin e programeve për masivizimin e sportit me fokus tek të rinjtë në shkollat fillore dhe tek moshat e reja për identifikimin e talenteve të rinj. Gjithashtu për ndikimin që ka në shëndet mendor e fizik aktiviteti sportiv.

Lorik Cana, nga ana e tij, tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me MKRS-në, nëpërmjet fondacionit që ka, duke u angazhuar në zhvillimin e programeve për të rinjtë që të merren me sport sa më shumë.

Ministri Çeku falënderoi ish kapitenin e Kombëtares së Shqipërisë në futboll për tërë kontributin e tij sa ishte aktiv në sport si dhe tani me aktivitetet e tjera në ndërgjegjësimin e shoqërisë që të merren sa më shumë me aktivitete fizike e sportive./ KultPlus.com

Përparim Rama viziton ‘shtëpitë-shkolla’ në 30-vjetorin e fillimit të operimit të tyre

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar sot ‘shtëpitë-shkolla’ që operonin në kohën e represionit të shtetit jugosllav në 30-vjetorin e fillimit të punës së tyre, përcjell KultPlus.

Rama ka shprehur falënderim dhe mirënjohje familjeve pronare për kontributin e tyre të jashtëzakontë, përkundër rreziqeve që u kanoseshin.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Shënojmë sivjet 30-vjetorin që kur, të kushtëzuara nga represioni i shtetit jugosllav, filluan të operonin ato që ne i quajtëm “shtëpitë-shkolla”, pronat private që njerëz atdhedashës e vetëmohues i vunë në shërbim të shkollimit të brezave në kohë pushtimi, e kështu edhe të të mirës gjithëpopullore.

Shtëpitë-shkolla luajtën rol të madh jo vetëm për ta mbajtë gjallë arsimin shqip, të cilin regjimi pushtues i kohës e mbylli dhe e ndaloi, por edhe për ta përforcu rezistencën kundër okupatorit serb, duke shërby si vatra të dijes, e si dritare të shpresës për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Në këtë vit jubilar, një falënderim dhe mirënjohje tejet e madhe e fort e përzemërt u detyrohet, para së gjithash, vetë familjeve pronare për kontributin e tyre të jashtëzakontë, përkundër rreziqeve që u kanoseshin. Këto familje i shndërruan shtëpitë e tyre në vatra të diturisë e të qëndresës, duke ndërmarë një akt aq fisnik, e aq bujar, që na i thek zemrat edhe sot që e kujtojmë pas kaq kohësh./ KultPlus.com

MKRS hap ftesë publike për përkrahje financiare për blerjen e librave për vitin 2022

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur ftesë publike për përkrahje financiare për blerjen e librave për vitin 2022, përcjell KultPlus.

Projektet me dokumentacionin e kërkuar duhet të dorëzohen me zarf të mbyllur në dy kopje, deri me datën, 28.02.2022 nē orën 16:00.

Për detajet tjera dhe për aplikim bashkangjitur klikoni KËTU./ KultPlus.com

Shkencëtarët australianë zbulojnë një objekt të panjohur në Rrugën e Qumështit

Shkencëtarët australianë thonë se kanë zbuluar një objekt të panjohur rrotullues në Rrugën e Qumështit, për të cilin ata pretendojnë se nuk është evidentuar kurrë më parë. Objekti i zbuluar për herë të parë nga një student universiteti është vërejtur teksa lëshonte një shpërthim të madh energji radioje për një minutë të plotë çdo 18 minuta. Objektet që lëshojnë energji në univers janë dokumentuar shpesh, por studiuesit thonë se diçka që ndizet për një minutë është shumë e pazakontë.

Ekipi po punon për të kuptuar më shumë. Objekti u zbulua për herë të parë nga studenti i Universitetit Curtin, Tyrone O’Doherty në një rajon të periferisë së Australisë Perëndimore të njohur si Murchison Widefield Array, duke përdorur një teleskop dhe një teknikë të re që ai kishte zhvilluar. “Objekti i çuditshëm po shfaqej dhe po zhdukej gjatë një periudhe disa orëshe teksa ne po e vëzhgonim,” u citua të thoshte O’Doherty në një njoftim për media.

“Kjo ishte krejtësisht e papritur. Ishte disi drithëruese për një astronom sepse nuk dihet asgjë në qiell që e bën këtë.”

Por një objekt që u ndez për një minutë të plotë ishte “me të vërtetë i çuditshëm”, theksoi shkencëtari.

ICRAR shtoi se pas kërkimit të të dhënave ekipi ishte në gjendje të vërtetonte se objekti është rreth 4000 vite dritë nga Toka, është tepër i ndritshëm dhe ka një fushë magnetike jashtëzakonisht të fortë.

Teoritë rreth asaj se çfarë mund të jetë objekti përfshijnë një yll neutron ose një “xhuxh të bardhë” – një term që përdoret për mbetjet e një ylli të shembur. Megjithatë, pjesa më e madhe e zbulimit mbetet një mister./ KultPlus.com