Takim i Rita Orës me nxënësit e Liceut Artistik në Tiranë: Asnjëherë mos ndaloni të ëndrroni, besoni dhe krijoni (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka arritur tashmë në Tiranë, shkruan KultPlus.

Të martën, në Javën e Kulturës Britanike, ajo do të performojë në sheshin Skënderbej, në një koncert falas për të gjithë qytetarët, por takimin e parë ka bërë me studentët e Liceut Artistik.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka shpërndarë videon që është realizuar në Liceun Artistik. Talentët e rinj të qytetit i drejtuan mjaft pyetje Ritës, ndërkaq përcollën me interes mesazhin e saj rreth muzikës dhe suskesit në këtë fushë.

Ajo mes të tjerash ka thënë se mosha asnjëherë nuk është pengesë që të vazhdosh së ëndërruari, besuari dhe krijuari.

“Nuk ka rëndësi sa vjeç je, asnjëherë mos ndaloni dot së ëndërruari, besuari dhe krijuari. Dhe ky është qëllimi. Duhet që të gjithë së bashku të inspirojmë njëri-tjetrin dhe kjo është mënyra se si ne realizojmë ëndrrat”, ka thënë Ora.

Sipas saj, duhet që me të vërtetë të dish se çfarë doni të bëni me jetën dhe çfarë dëshironi në këtë jetë. A doni të bëni familjen të lumtur, apo vetën të lumtur, a dëshiron të këndosh apo dëshiron të bësh para; pra cila është ëndrra?

“E gjithë kjo duhet të vijë nga brenda sepse kur të rritesh dhe të takosh njerëz, disa nga ta do të të inspirojnë për të bërë diçka tjetër apo disa do të të thonë ‘Ti s’mund ta bësh atë’, dhe mund të ta shkatërrojnë besimin në vete dhe disa tjerë do të të thonë që edhe ata dëshirojnë të bëjnë të njëjtën, andaj unë mendoj që duhet të jeni vërtetë të fokusuar dhe të mos e dëgjoni atë zë që ju largon nga rruga juaj. Andaj duhet të luftoni shumë që ti përmbysni fjalët e të tjerëve. Dhe kjo është ajo se çfarë akoma më mban gjallë. Unë isha 19 vjeç kur fillova dhe jam shumë me fat që akoma e bëj. Përdoreni instinktin tuaj por jeni edhe të zgjuar, të guximshëm dhe me plot vetëbesim sepse se çfarë ne bëjmë në mënyrë kreative, askush në fakt nuk duhet ta kuptojë për arsye se ne jemi kreativë. Duhet të duroni shumë. Por as unë s’kam fare durim por është e vërtetë ajo që po them”, ka thënë Ora.

Ajo tutje ka vlerësuar lartë potencialin e të rinjve, ngaqë për të, idetë e tyre janë tejet të mira.

“Unë dua të sjell këtu disa nga miqtë e mi që kam takuar në industrinë e muzikës dhe të cilët mund të u mësojnë juve dhe që mund të vinë dhe të mbajnë mbledhje këtu me juve në mënyrë që ata të iu dhurojnë juve ide të shumta sepse fëmijët janë aty ku është e mira. Ata kanë idetë më të mira sepse ata akoma ëndërrojnë. Personalisht, unë asnjëherë nuk dua të pushoj së ëndërruari. Është shumë e vështirë ta bësh por thjesht rrini në slitën me rul. Do të jetë një rrugë e gjatë por shumë e mirë”, thotë ajo.

Më poshtë KultPlus ua sjell videon e plotë:

Arbër Selmani pjesëmarrës në festivalin “Gjon Mili International Video Art” me poezinë ‘Po lahem në detin e nënës’

Shkrimtari Arbër Selmani, një ndër personat më aktiv të qytetit të Prishtinës sa i përket jetës kulturore, vazhdon ta rifreskoj faqen e tij në rrjetin social Facebook me lajme fantastike të sukseseve të tij të njëpasnjëshme, shkruan KultPlus.

Së fundmi, nëpërmjet një postimi ai ka bërë të ditur se është pjesëmarrës në festivalin “Gjon Mili International Video Art”.

Selmani do të marrë pjesë me poezinë ‘Bathing in Mother’s Sea’ (Po lahem në detin e nënës), që pati ardhur në formatin video-poezi më 11 korrik.

Festivali do të nisë nesër në Tiranë ndërsa do të vazhdoj edhe në Korçë e Nju Jork. Kurse, realizimin e video-poezisë do ta keni mundësi ta shihni më 6 shtator në Tiranë, në Sallën e Koncerteve ‘Tonin Harapi’, duke filluar nga ora 12:00.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Arbëri, duke u shprehur se video-poezia e tij është pranuar në programin zyrtar të festivalit.

“Nesër në Tiranë, Korçë e tutje në Nju Jork fillon Gjon Mili International Video Art Festival. Sivjet jom i nderum me pjesëmarrje në festival me video-poezinë ‘Bathing in Mother’s Sea’ (Po lahem në detin e nënës). Ju që jeni në Tiranë, me 6 shtator, prej orës 12:00, në Sallën e Koncerteve Tonin Harapi do të mundeni me e pa videon e realizume prej meje dhe Nok Selmani, bashkë me videot tjera eksperimentale që janë pranu në programin zyrtar të festivalit. Faleminderit shumë Yllka Gjollesha!”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Interpretimi rrëqethës i Elbenita Kajtazit në këngën ‘Vet’ ke mbetë’ (VIDEO)

“Vet ke mbet” është një lirikë e pastër e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat janë përçuar tek publiku nga zëra unik shqiptarë, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, së fundmi është publikuar edhe një version tjetër i kësaj kënge të papërsëritshme. Është sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi e cila ka risjell këtë këngë në një mënyrë mahnitëse.

Zëri i saj i pastër dhe vija melodike janë dy shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron aranzhimi magjik i dirigjentit Edon Ramadani.

Në përcjellje të pianos nga vetë Ramadani, sopranoja Kajtazi ka arritur që kësaj kënge t’i dhurojë plot emocion e jetë. Qysh nga fillimi e deri në fund, meloditë dhe tingujt të ndjekin pas dhe me patjetër të detyrojnë që të rikthesh këngën nga fillimi, pa ndalë.

Ky interpretim është shfaqur më herët në festivalin e mirënjohur “ReMusica”, por vetëm dje është publikuar në faqen zyrtare të festivalit në kanalin YouTube.

E kjo këngë sipas sopranos Kajtazi, është një nga këngët më të dashura për të.

“Miq të dashur kam kënaqësinë të ndaj me ju interpretimin tim të një prej këngëve ma të dashtuna për mua “Vet’ ke mbet “
Kujtim i bukur nga festivali ReMusica Festival
Një aranzhim dhe intepretim i mrekullueshëm nga Edon Ramadani”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Rita Ora iu rikthehet fuqishëm koncerteve, interpretimi i saj në Mynih mahnit audiencën

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka performuar së fundmi në festivalin “Superbloom” në Mynih të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

31-vjeçarja ndau disa fotografi dhe video me ndjekësit e saj në rrjetin social ‘Instagram’. Ndërkaq, në mbishkrim ajo thotë se Shqipëria është ndalesa e saj e radhës.

“Ju keni brohoritur jashtë mase, saqë u argëtova shumë atje lart! Faleminderit ‘Superbloom’ dhe të gjithë atyre që erdhën për të parë dhe kënduar në majë të mushkërive! Ju pashë të gjithëve!!! Shqipëria ti je ndalesa radhës! Shihemi së shpejti!!”, ka shrkuar Ora.

E veshur me markën “Versace”, ajo është shfaqur tejet tërheqëse. Duket se artistja iu është rikthyer koncerteve mbresëlënëse anembanë botës.

Ora po ashtu ka paralajmëruar se do të sjell së shpejti për fansat edhe albumin e saj të shumëpritur, ‘Rita Ora 3’. / KultPlus.com

Kampionia Serena Williams bëhet atletja femër më e postuar në ‘Twitter’

‘Twitter’ njoftoi se Serena Williams tani ka një pretendim tjetër për madhështi, përveç vlerësimeve të saj të tenisit, pasi ajo tani është më e postuara në ‘Twitter’ për atletet femra ndonjëherë, transmeton KultPlus.

Gjatë garës së saj në raundin e tretë të ‘US Open’, postime mediale që mbështesnin Williams vërshuan internetin duke e ndjekur çdo ndeshje të saj.

“Twitter Sports” publikoi informacionin në një video me mbishkrimin: ‘Në fushë dhe në afatin kohor, @serenawilliams është më e mira e të gjitha kohërave.

Serena është atletja më e postuar në Twitter për femrat ndonjëherë. #FaleminderitSerena.

Është vënë re se së bashku me akordimin në TV anembanë globit, disa nga personazhet e famshëm më të famshëm në botë ishin të pranishëm, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të nxitur Williams në një fitore tjetër.

Ajo u mund në raundin e tretë të ‘US Open’ të premten nga australianja Ajla Tomljanovic (7-5, 6-7, 6-1), duke ulur perden e karrierës së saj vezulluese.

Michelle Obama dhe LeBron James ishin disa nga emrat më të mëdhenj që ndanë mesazhe të përzemërta në internet pas lamtumirës të së premtes.

18-vjeçarja Coco Gauff gjithashtu iu bashkua duke postuar një foto të vjetër të saj duke treguar një poster të Serenës që varej në dhomën e saj. Ashtu si shumë të rinj amerikanë të përfshirë në tenis, Gauff përmendi Williams si frymëzimin e saj për t’u bërë një tenisiste.

Edhe para humbjes së saj, Williams kishte marrë mesazhe të ngjashme jo vetëm nga atletë, por edhe nga të tjerë me ndikim të lartë.

Të mërkurën mbrëma, zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, shkroi në Twitter: “Faleminderit Serena Williams për frymëzimin e njerëzve në mbarë botën me talentin, hirin dhe vendosmërinë tuaj brenda dhe jashtë fushës. Ne festojmë gjithçka që keni qenë, gjithçka që jeni dhe gjithçka që do të vijë.’ / KultPlus.com

Robert Deutsch-USA TODAY Sports

Vesa Smolica përfaqëson Shqipërinë në “Ohrid Fest 2022”, zë vendin e tretë

Këngëtarja e njohur nga Gjakova, Vesa Smolica, ka performuar në “Ohrid Fest 2022”, me ç’rast ka prezantuar Shqipërinë me këngën e saj “Kaj”, shkruan KultPlus.

Para një jurie prestigjioze me artistë, kompozitorë, tekstshkures e këngëtarë të njohur nga Evropa, ajo është vlerësuar me vendin e tretë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja në rrjetet sociale.

Miq te dashur, mbreme isha pjesmarrese dhe perfaqesuese e Shqiperise ne “Ohrid Fest” 2022 i cili mbahet ne Oher.
Ne mbremjen e artisteve nderkombetar, u paraqita me kengen time “Kaj” para nje jurie prestigjioze me artist, kompozitor, tekstshkrues e kengetar te njohur ne te gjithe Evropen, nga te cilet u votova me vendin e 3 ne kete festival nder artist te tjere.
Falenderoj @avni_qahili qe me mundesoj pjesmarrjen dhe per veshjen kreatoren @blerinakllokoqirugova
“, ka shkruar ajo.

Kujtojmë që Shqipëria edhe një herë tjetër kishte marrë vendin e tretë në këtë festival, në vitin 2012 kur ishte përfaqësuar nga këngëtarja Zanfina Ismaili me këngën “Dy minuta”. / KultPlus.com

Studimi i fundit zbulon si u ndërtuan piramidat e Egjiptit

Një teori e re është bërë publike së fundi duke treguar se si egjiptianët e lashtë mund të kenë ndërtuar piramidën e madhe të Gizës mijëra vjet më parë.

Studiues, të udhëhequr nga gjeografi Hader Sheisha, në Universitetin Aix-Marseille në Francë përdorën të dhëna paleoekologjike për të rindërtuar një pamje të rrjedhës që mund të ketë pasur lumi Nil në Egjipt gjatë 8 mijë viteve të fundit.

Ata dolën në përfundimin se ndërtuesit e piramidave mund të kenë shfrytëzuar një degë të lumit Nil, tashmë të tharë, për të lëvizur materialet e ndërtimit. Piramida ka një lartësi rreth 138 metra dhe u ndërtua në shekullin e 26 para Krishtit.

Inxhinierët e lashtë mendohet se kanë përdorur si ashensorë hidraulikë përmbytjet. Sipas teorisë së fundit, egjiptianët e lashtë kanë shfrytëzuar degën e Nilit për të lëvizur tonelata të gurit gëlqerorë dhe granitit të nevojshëm për të ndërtuar strukturat gjigante.

/A2CNN/ KultPlus.com

150 vite nga lindja e humanistit që i fali shumë arsimit dhe kulturës shqiptare, Sotir Kolea

Sotir Kolea, leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928 u nda nga jeta 76 vite më parë, më 3 korrik 1945.

Lindi në Berat, më 4 shtator 1872. Kreu gjimnazin në gjuhën greke në Manastir. Më 1896 punoi si mësues i gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar të Kavallës.

Më 1911 u zgjodh sekretar i shoqatës “Bashkimi” në Egjipt. Mori pjesë në dërgatën e Londrës bashkë me Rasih bej Dinon dhe Mehmet bej Konicën. Organizoi tok me Faik Konicën Kongresin e Triestes, në Austro-Hungari në periudhën 27 shkurt – 6 mars 1913.

Më 1915, drejtoi në gjuhën frënge gazetën “L’Albanie” në Lozanë të Zvicrës.

Më 29 qershor, 1919 i drejtoi poetit italian D’Anuncio, një promemorie, ku i bën thirrje ndërgjegjes së poetit dhe artistit që të pengojë etjen pushtuese të Italisë. Mori pjesë në Konferencën e Paqes, po me të kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha të forcave të ndryshme politike shqiptarë mes tyre, vendos t’i kushtohet jetës private. Në një letër drejtuar mikut të tij, Mit’hat Frashërit shprehet se: “Kam frikë se do na mbetet zakon në këtë të lumtur Shqipëri se gjithë qeveritë që shkuan gjer më sot, hëngrën, pinë, lanë duart e dolën”.

Në 20 dhjetor 1927 me një letër, Mit’hat Frashëri i njofton i pari vendimin e Këshillit të Ministrave, që emëronte Sotir Kolean drejtor të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Në vitet 1928-1945 kontribuoi në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Është meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare të Bibliotekës Kombëtare si drejtor. Nga 4 000 që ishte numri i librave në Bibliotekën Kombëtare në janar 1928 kur mori detyrën dhe deri në vitin 1937, kur doli në pension, Kolea shtoi fondin e librit me 14 000 tituj të rinj, botoi periodikë të shumtë vjetorë mbi veprimtarinë e bibliotekës me përshkrimet përkatëse bibliografike të shumë veprave me interes për studime. Kolea ka merita te veçanta për mbledhjen e dokumenteve të rëndësishme me vlera historike, ndër te cilat, prezantimi i parë për dorëshkrimin e Kostë Beratit, historisë së origjinës së flamurit kombëtar të ngritur në Vlorë në 28 Nëntor 1912, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun, të dhëna bibliografike për Shtjefën Gjeçovin, Jani Vruhon, Jani Vreton, Fan Nolin, Shirokën etj., fondet që janë sot pasuri kombëtare falë punës së tij. Kolea bëri mjaft kërkime në biblioteka të huaja për dokumente me vlera historike dhe kulturore për Shqipërinë. Nën kujdesin e tij, Muzeu Kombëtar u bë qendra ku nisën të grumbulloheshin objekte të vjetra historike dhe ai vetë, një ndër luftëtarët më të vendosur për mbrojtjen e tyre nga arkeologët e huaj, që morën jo pak vlera dhe zbulime arkeologjike në Butrint, Apolloni, Lezhë, Shkodër e gjetkë.

Më 1937 Sotir Kolea doli në pension dhe koha për të mori kuptimin e punës për organizimin, përpunimin, botimin e gjithë kërkimeve dhe studimeve të nisura që në rini ndaj vendoset në Elbasan, qytet ku jetonin një grup studiuesish të njohur të gjuhës, si: Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Lef Nosi, Kristo Floqi etj. Me 8 prill 1940 u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare me kryetar Ernest Koliqin ku qenë grumbulluar intelektualë të shquar si P. Anton Harapi, Eqerem Çabej etj.

Puna më e madhe, më e plotë studimore e tij  mbetet hartimi i 5 fjalorëve, ku më kryesori ai i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund të jetës duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frënge. Gjatë 30 viteve punoi për hartimin e fjalorit Shqip-Frëngjisht, një për orientalizmat, që janë jo të pakta në gjuhën shqipe. Nga 1909 në Aleksandri dhe deri në 1915 në Lozanë, Kolea hartoi fjalorin Shqip-Greqisht, me 68.963 fjalë, që gjendet si dorëshkrim, një tjetër për shqip-turqisht, etj. Studiues me disiplinë të fortë pune, ka lënë fjalorin e botanikës, veç dorëshkrimeve me studime për etnografinë, zbulimin e Butrintit, toponomastikën e Shqipërisë, etj. Kontributi i Koleas ka peshën e vet të madhe në zhvillimin e disiplinave shkencore shqiptare si leksikografi, folkloristikë, shkencave të natyrës etj.

Të gjitha në dorëshkrime të shumta, që ndodhen sot në arkivin e Shtetit në fondin “Kolea”, një nga më të mëdhenjtë, që është përdorur nga shumë studiues. Në vitin 1944 u botua në Tiranë vepra e tij “Një tufë proverba” me ndihmën e Lef Nosit./ KultPlus.com

Festivali Etno Fest mbrëmë hapi dyert me një program të pasur artistik

Festivali Etno Fest që promovon kulturën, artin, traditën e trashëgiminë kulturore të vendit, mbrëmë hapi dyert me një program të pasur artistik.

Pjesëmarrësit patën mundësi të dëgjojnë performanca të shumta, ekspozita, shfaqje teatrale e të shijojnë ushqim tradicional në fshatin Kukaj.

Në edicionin e dymbëdhjetë të “Etno Fest” temë qendrore është ‘Dashunia’ për vlerat më të sinqerta të dashurisë për tokën, atdheun, familjen, kafshët dhe natyrën dhe kjo sipas organizatorëve do të jetë e shfaqet në programin e festivalit.

Në hapje mori pjesë ministri i kulturës, Hajrulla Çeku i cili në fjalën e tij ndër të tjera tha që ky festival ka koncept të shkëlqyer që shërben si shembull se si mund të transformohet një hapësirë për t’i shtuar vlerë kulturore dhe potencial turistik një vendi, duke ruajtur dhe promovuar traditat tona.

“Etno Fest” edhe kësaj radhe e ka shndërruar fshatin Kukaj në një atraksion turistik.

Festivali që do të zgjasë deri më 9 shtator mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministri Çeku, vizituan Shtëpinë e motrave të Nënë Terezës në Pejë

Në kujtim të shejtores shqiptare, presidentja Osmani u shprehu mirënjohjen e thellë motrave të saj për angazhimin e pakursyer për t’u shërbyer njerëzve në Kosovë, përcjell KultPlus.

“Motrat misionare, të cilat ofrojnë ndihmë në heshtje, jashtë vëmendjes së gjithsekujt, prej vitesh kujdesen për më të varfrit, për ata që Nënë Tereza i deshi më së shumti. Ato u ofrojnë atyre strehë e ushqim, kujdesen për ta dhe i mbajnë afër me dashuri, sipas shembullit të misionares së madhe shqiptare, Nënë Terezës”, theksoi Osmani.

Sipas saj, duke qenë çdo ditë me të varfrit, duke e ndarë dhembjen me ta, motrat misionare po e japin shembullin se si mes njerëzish duhet të mbretërojë dashuria e respekti.

“Këto parime nëna Terezë i kishte fort për zemër. Ne do t’u jemi gjithmonë mirënjohës për këtë shembull përkushtimi e dashurie që ato ua ofrojnë më të varfërve tanë”, është shprehur Osmani./ KultPlus.com

‘Diku thellë ne ty e shoh një qershi, sa herë të shikoj në sy’ (VIDEO)

Tekste të shumta lirike gjetën jetësimin në tingujt e muzikës, shkruan KultPlus.

E tillë është edhe kënga “Një grusht qershi” kënduar nga grupi Gjurmët.

Gjurmët janë grup kosovar i muzikës rok, të cilët shënuan periudhën e lulëzimit të tyre përgjatë viteve 1980-1986.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Një grusht qershi”:

Era ja përkdhelë hapin e…
E bëhet sikur nuk më sheh
Sa bukur i paska ra
Fustani i kuq o me dantela

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

Ç’të paska hije kjo gërshetë
Sdi pse behësh sikur nuk më flet
Sikur të të kisha pranë
Nji grusht qershi do a kisha dhanë

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o…

E sonte ne
Do ta hedhim e
Një valle t’ëmbel o si qershi

Mos thuaj nuk e di
Diku thellë në ty
E shoh një shkëndi
Sa herë të shikoj në sy, o moj…

Diku thellë ne ty
E shoh një qershi
Sa herë të shikoj në sy o / KultPlus.com

Nesër fillon ‘Java e Bibliotekës’ në Kosovë

Më 5 shtator fillon Java e Bibliotekës në Kosovë. Tashmë tradicional, eventi më i madh kushtuar bibliotekarisë, i 19-ti me radhë, do të zgjasë deri më 11 shtator.

Java e Bibliotekës organizohet  nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës,  në bashkëpunim me Shoqatën e Bibliotekarëve të Kosovës dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Tema bosht e këtij edicioni është ‘Dokumentimi i kulturës së emigracionit : koleksionet e shtypura dhe digjitale’./ KultPlus.com

Zelensky: Rusia dëshiron të shkatërrojë jetën normale të evropianëve

Rusia dëshiron të shkatërrojë jetën normale të çdo qytetari evropian, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, shkruan BBC.

“Po përpiqet të sulmojë me varfëri dhe kaos politik ku ende nuk mund të sulmojë me raketa”, tha Zelensky.

Ai po fliste disa orë pasi Rusia tha se tubacioni i saj kryesor i gazit në Evropë nuk do të rihapet siç ishte planifikuar.

Evropa akuzoi Rusinë se përdor furnizimet e saj me gaz për të shantazhuar Evropën në mes të konfliktit të Ukrainës, gjë që Moska e mohon.

Çmimet e energjisë janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt dhe furnizimet e pakta mund të rrisin kostot edhe më tej.

Ka frikë në rritje se familjet në BE nuk do të jenë në gjendje të përballojnë koston e ngrohjes këtë dimër.

Qeveritë në të gjithë kontinentin po mendojnë se çfarë masash të marrin për të lehtësuar krizën.

Gjermania, një nga vendet më të prekura nga ndërprerja e furnizimit rus – njoftoi një paketë ndihme prej 65 miliardë eurosh (56 miliardë £) të shtunën.

Kancelari Olaf Scholtz tha se Rusia nuk ishte më një partner i besueshëm i energjisë. Përplasja me Rusinë i ka detyruar vendet të mbushin furnizimet e tyre me gaz, me dyqanet e Gjermanisë që janë rritur nga më pak se gjysma në qershor në 84% të mbushura sot.

Evropa po përpiqet të heqë dorë nga energjia ruse në një përpjekje për të zvogëluar aftësinë e Moskës për të financuar luftën./ KultPlus.com

10 kështjella ‘përrallore’ që janë reale (FOTO)

Ekziston diçka në lidhje me kështjellat mesjetare që me të vërtetë intrigon shumë njerëz.

Mund të jetë rritja me të gjithë ata filma të Disney-t me përralla dhe princesha, ose me shumë filma të Hollivudit me vepra heroike nga mbretër dhe kalorës që na tërheqin drejt tyre.

Ironia është se këto kështjella përrallash në fakt ishin frymëzuar nga kështjella të vërteta.

Më poshtë gjeni listën e disa prej kështjellave më të bukura në botë.

Kalaja Neuschwanstein-Gjermani

Kjo është një kështjellë gjermane e ndërtuar në shekullin e 19-të nga Ludwig II i Bavarisë.

Chateau de Chambord-Francë

Château de Chambord është padyshim një nivel më vete për sa i përket mahnitjes dhe epërsisë arkitekturore.

Kalaja Hohenschwangau-Germamy

Ajo u ndërtua nga Mbreti Maximilian II i Bavarisë dhe ishte shtëpia e fëmijërisë së Mbretit Ludwig II të Bavarisë.

Kalaja Howard-Angli

Ndodhet në veri të Yorkshire, Angli dhe ka qenë rezidenca e familjes për rreth 300 vjet.

Castle Howard

Katerina Palace-Rusi

Gjendet pranë qytetit të Shën Petersburg në Rusi. Ndërtimi i saj u porosit nga Katerina e Rusisë si një shtëpi verore në vitin 1717.

Kalaja Tafaria-Kenia

Kjo është ndoshta një nga kështjellat më të reja. Ajo u ndërtua nga një biznesmen ambicioz në Kenia dhe u përfundua në vitin 2012.

Kalaja Kronborg – Danimarkë

Kronsborg është një kështjellë e shekullit të 16-të që ndodhet në Danimarkë. Ajo u ndërtua nga Mbreti Erick VII dhe madje përmendet nga Shekspiri edhe pse me një emër tjetër në Hamlet.

Pallati i Versajës-Francë

Ndoshta një nga kështjellat më të dekoruara, Château de Versailles është një vepër e mrekullueshme arti e ndërtuar në Francë. Kalaja zë një sipërfaqe prej 17 hektarësh tokë. Ekzistenca e saj daton në shekullin e 17-të dhe u ndërtua për mbretër.

Kalaja e Edinburgut

Kjo është një nga kështjellat më historike. Është ndërtuar mbi një shkëmb të madh vullkanik në qytetin e Edinburgut.

Kalaja e Moritzburgut në Gjermani

Schloss Moritzburg ndodhet 13 kilometra afër Saksonisë. Kalaja u ndërtua si një shtëpizë gjuetie për mbretërit dhe anëtarët e lartë të shoqërisë midis viteve 1542 dhe 1546./abcnews.al/ KultPlus.com

SONY DSC

Kryeministri Kurti dhe ministri Çeku vizitojnë Hardh Fest

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe miistri i Kulturës, Hajrulla Çeku kanë vizituar sot festivalin e vjeljes së rrushit ‘HardhFest’ i cili po mbahet në qytetin e Rahovecit, përcjell KultPlus.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku qëndruan sot n’Konak, ku po vazhdon të mbahet #HardhFest .
Falënderojmë Ministrinë dhe Qeverinë për mbështetjen e dhënë edicionit të sivjetmë të festivalit.” , thuhet në postimin e faqes së festivalit në Facebook.

Ndërkaq, ‘HardhFest’ shënoi sivjet edicionin e 20. Me slloganin ‘Ca kokrra rrushi’, ky festival filloi më 2 shtator dhe përfundon sot./ KultPlus.com

Më mundon

Poezi nga Teodor Keko

Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
fjalët ti m’i ktheve në harrim,
në qiell është hëna, s’i them dot hënë
s’të flas dot për mjegullën në agim.

Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
në gjoks ti vër çdo fjalë në vend të saj.
Pastaj do të përkund në një djep-këngë,
me hënën flokëve si karficë e bardhë.

Dhe nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen,
më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi.
Mbi ta mbështete kokën,
dhe për një çast ti pendë do të kthehesh,
brenda meje do të vërtitesh, shpirt!

Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
kur ti je kaq pranë dhe kaq e thjeshtë,
u këput një gjethe nga një pemë,
e verdhë si harresa … ishte vjeshtë./ KultPlus.com

‘Divani lunxhot’ prezanton vlerat e folkut dhe etnografisë

Edicioni i 8-të i festivalit folklorik “Divani lunxhot” ka mbledhur së bashku rreth 120 artistë popullorë jo vetëm nga Shqipëria, të cilët prezantuan vlerat më të arrira të folkut dhe etnografisë.

Festivali u organizua për dy netë me radhë në fshatin Dhoksat, Njësia Administrative Lunxhëri dhe Pazarin karakteristik të Gjirokastrës.

Ky aktivitet u mundësua si bashkëpunim i Bashkisë Gjirokastër me Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Qarkut.

Pjesëmarrës në të ishin 12 grupe dhe ansamble të këngës popullore nga zona të ndryshme të vendit si: grupi polifonik “Ergjëria”,  “Djemtë e Sarandës”, “Bijtë e Tepelenës”, grupi popullor “Krojet e Velçës”, “Nektari i polifonisë”, ansambli “Lunxhëria”, orkestrina popullore Ersekë si dhe grupe të ardhura nga Greqia.

Në ndryshim nga edicionet e kaluara, nata e parë e festivalit u shfaq në skenën artistike në fshatin Dhoksat ndërkohë që më pas organizimi vazhdoi në mjediset karakteristike të Pazarit të gurtë të Gjirokastrës.

Falë prezantimit artistik cilësor të këngëtarëve dhe valltarëve popullorë “Divani lunxhot” tërhoqi vëmendjen e artdashësve të polifonisë dhe këngëve popullore, specialistëve të folkut por edhe turistëve të shumtë, të cilët ndoqën me mjaft interes interpretimin e folkut dhe prezantimin e etnografisë dhe traditës popullore.

Ky organizimin u vlerësua dhe nga rreth 50 studiues dhe akademikë vendas dhe të huaj, pjesëmarrës në Konferencën e 50-të Botërore të Baladave që po zhvillohet aktualisht në qytetin e gurtë.

Sipas kryetarit të bashkisë, Flamur Golemi, “Divani lunxhot” shërben si një gjerdan vlerash natyrore, traditës, trashëgimisë kulturore dhe turistike për krahinën e Lunxhërisë dhe më gjerë.

“Rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në Lunxhëri dhe bashkinë e Gjirokastrës në tërësi ka edhe mbështetja dhe promovimi i vlerave të traditës, kulinarisë dhe veçanërisht folklorit dhe etnografisë të pasur”, shprehet kryebashkiaku Golemi.

Përgjatë sezonit të verës, bashkia Gjirokastër ka organizuar aktivitete të larmishme, duke ndikuar në zhvillimin e turizmit dhe transmetimin e traditave dhe vlerave tona kombëtare tek brezat e rinj./atsh/ KultPlus.com

Të hënën mbahet koncert përkujtimor në 25-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Nënë Terezës” të hënën më 5 shtator, prej orës 20:00 në Qendrën “Bogdani Polis”, Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, Filarmonia e Kosovës organizon koncert në shënim të 25-vjetorit të kalimit në amshim të Shën Nënë Terezës.

Në koncert do të interpretohen fragmente nga “Rekuiem-i” i kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart dhe vepra tematike nga kompozitorët Genc Tukiçi, Valton Beqiri dhe Kreshnik Aliçkaj.

Shën Nënë Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997, në Kalkutë të Indisë.

Ajo ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani./ KultPlus.com

Çeku në hapjen e Etno Fest: Ky festival ka sjellë një model të ri të menaxhimit të hapësirave kulturore në vend

Mbrëmë në fshatin Kukaj filloi festivali Etno Fest i cili do të mbahet deri më 9 shtator, përcjell KultPlus.

I pranishëm në hapjen e këtij festivali ishe edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili vlerëson se ky festival është një koncept i shkëlqyer që shërben si shembull se si mund të transformohet një hapësirë për t’i shtuar vlerë kulturore dhe potencial turistik një vendi.

Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:

Mes bukurive të natyrës së fshatit Kukaj, mbrëmë shijuam çdo moment të programit artistik të Etno Fest, festival ky që ka sjellë një model të ri të menaxhimit të hapësirave kulturore në vend. Një koncept i shkëlqyer që shërben si shembull se si mund të transformohet një hapësirë për t’i shtuar vlerë kulturore dhe potencial turistik një vendi, duke ruajtur dhe promovuar traditat tona.

Ishte kënaqësi e veçantë të ndjekim perfomancat, shfaqjen, ekspozitat dhe programin që ishte i paraparë për natën e parë dhe që do të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera.

Përgëzime për drejtuesin e festivalit, Fadil Hysaj dhe ekipin për punën e palodhshme që kanë bërë që ky festival të rritet çdo vit dhe të shndërrohet në vlerë artistike për vendin tonë.

Dosja e Vettingut në Kuvend, shkas rasti i dhunimit të 11 vjeçares, Kurti e Haxhiu akuzojnë gjyqtarët e prokurorët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku tha se do ta dërgojnë në Kuvendin e Kosovës dosjen e Vettingut.

Kurti tha se bashkë me ministren Haxhiu do të japin informata lidhur me reformën në drejtësi dhe vettingun në sistemin gjyqësor.

“Gjatë kësaj jave na tronditi të gjithëve lajmi për krimin që për viktimë kishte vajzën 11-vjeçare. Në raste si këto i humb kuptimi zbatimit të respektimit të drejtave të njeriut, respektimit të ligjit, ndjekjes së krimit, ushtrimit të pozitave të larta shtetërore, që kanë obligim parandalimin, përkatësisht ndjekjen e atyre që kërcënojnë sigurinë, mirëqenien dhe integritetin fizik të yqtetarëve. Kur kuptojmë që kryerësi i veprës penale ka qenë i dënuar për vepra penale e gjendet i lirë, kur dështon zinxhiri institucional përgjegjës për ndjekjen penale – policia, prokuroria, gjykata – dështon drejtësia, kurse faturën e paguan qytetari. Fuqia e cila vie nga pozita e gjyqtarit ose prokurorit në vete ngërthen përgjegjësi të madhe ndaj qytetarit, për të garantuar të drejtat e secilit e për të fuqizuar sundimin e ligjit, gjyqtari vepron me urtësi dhe maturi, vepron me profesionalizëm, andaj vendimet e tij apo saj edhe mbrohen nga vetë shteti përmes pavarësisë së garantuar me kushtetutë dhe me ligj. Gjyqësori ynë, përkundër të gjitha garancive kushtetuese, ngjan sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar e i dënuar për shumë vepra penale, dhunuesi ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës, dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, dhunuesi përsërit veprën e madje dhunuesi edhe vret. Nuk ka alternativë ndaj vettingut në sistemit gjyqësor e prokurorial, këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemit e edhe ata më skeptikët për vettingun”, tha Kurti.

“Me qëllim të koordinimit me të gjithë akterët politik në vend, kam thirrë takime me liderë të opozitës, ashtu që puna e mëtutjeshme në procesin e vettingut të arrijë konsensus të plotë. Me përjashtim të LDK-së, të gjithë e kanë pranuar ftesën dhe kemi zhvilluar takimin. Tani kur punën tonë e kemi bërë me profesionalizëm dhe në koordinim me akterët politikë, duke kuptuar që vettingu është produkt i nevojave të shoqërisë, procesin e vendosim në duart e deputetëve të Kosovës”, deklaroi Kurti.

Akuzat ndaj gjyqtarëve e prokurorëve i vazhdoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Në vazhdimësi jemi dëshmitarë të neglizhencës, mosveprimit dhe pandëshkueshmërisë. Gjyqtarët dhe prokrurorët konsiderohet se  kanë pagat më të larta në rajon, por për shkak të mosveprimeve apo veprimeve të gabuara, po humbin jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, po dhunohen fizikisht, financiarisht vajzat dhe gratë dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar”, tha Haxhiu. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Zgjedhen aktorët që do të interpretojnë Kate Middleton dhe Princin William në sezonin e gjashtë të ‘The Crown’

Netflix shpenzoi shumë kohë për të gjetur aktorët e duhur për të luajtur Dukeshën e Kembrixhit, Kate Middleton në sezonin e gjashtë dhe të fundit të serialit “The Crown”, i cili do të shfaqë takimin e saj me Princin William në Universitetin St. Andrew në 2001.

Duket se aktorët e serialit kanë gjetur idealen Kate Middleton përballë aktores së re Meg Bellamy. Janë zbuluar gjithashtu dy aktorët më të mirë për të luajtur Princin William, 16 dhe 21 vjeç. Bëhet fjalë për protagonistët, Rufus Kampa dhe Ed McVey.

Sipas Variety, sezoni i gjashtë i ” The Crown” do të jetë gjithashtu debutimi profesional i Bellamy. Në fakt, aktori i ri e ka siguruar rolin pasi ka dorëzuar një kasetë audicioni dhe është informuar për kastin përmes rrjeteve sociale.

Prodhimi i sezonit të gjashtë i “The Crown” do të fillojë më vonë këtë vit, pak para se sezoni i pestë të publikohet në Netflix./abcnews.al

‘Vera Andrron Detin’ shpërblehet me çmimin ‘Special Mention’ në Fünf Seen Filmfestival

Filmi me regji të Kaltrina Krasniqit, “Vera Andrron Detin”, është shpërblyer me çmimin ‘Special Mention’ në Festivalin e Filmit ‘Fünf Seen’ në Mynih të Gjermanisë, përcjell KultPlus.

“Vera Andrron Detin’ shpërblehet me #Përmendje Speciale në Fünf Seen Filmfestival”, ka shkruar Krasniqi në një postim.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./ KultPlus.com

Barack Obama bëhet presidenti i dytë në botë që fiton një Emmy

Ish-presidenti i SHBA, Barack Obama, fitoi Emmy-n e tij të parë për rrëfimin e tij në dokumentarët pesëpjesësh të Netflix.

Obama bëhet presidenti i dytë që fiton një Emmy, pas Dwight Eisenhower, të cilit iu dha një çmim në vitin 1956 ndërsa ishte ende në detyrë, dhe i pari që fitoi një çmim konkurrues për një projekt të caktuar televiziv. Ai kishte përballë vetes disa konkurentë tepër të fortë si Kareem Abdul-Jabbar, David Attenborough, W. Kamau Bell dhe Lupita Nyong’o.

Sakaq, Obama nuk ishte i pranishëm gjatë ndarjes së çmimeve dhe Akademia e pranoi në emër të tij.

Seriali me dokumentarët, i cili filloi në prill, është pjesë e marrëveshjes shumëvjeçare të filmit dhe televizionit që Obama dhe bashkëshortja e tij, Michele arritën me Netflix në 2018.

Ikona mbi 200-vjeçare ‘Shën Mëria me lule’ e vëllezërve Zografi

Ikona “Shën Mëria me lule”  është një ikonë shumë e veçantë e pikturuar nga atelia e vëllezërve Zografi, në vitin 1745.

Ikona i është dhuruar Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë nga vetë brezat e mëvonshëm të familjes Zografi.

Ikona është vendosur mbi një kornizë shumë të bukur, të gdhendur në dru. Korniza është pjesë përbërëse e ikonës dhe jo pjesë që i bashkangjitet asaj. Ajo është gdhendur me motive floreale si: lule, gjethe, zogj e fruta të ndryshme. Pjesa e sipërme e ikonës përbëhet nga një zonë e vogël e ngushtë e harkuar në të cilën paraqitet “Ati i Shenjtë” ndërmjet reve puplore duke bekuar me të dyja duart .

Ikona në pjesën kryesore të saj paraqet Shën Mërinë të vendosur ndërmjet luleve. Ajo është duke mbajtur në krah Krishtin. Krishti është punuar në miniaturë duke mbajtur në njërën dorë sferën e botës, kurse në dorën tjetër mban skeptrin e shenjtë. Në kokë mban kurorën mbretërore.

Një tipar i veçantë që vërehet në këtë ikonë është pikërisht fakti që Shën Mëria mban një lule. Elementi i lules nënkupton pafajësinë e figurës së Shën Mërisë. Veshja e Shën Mërisë është e pasur me motive floreale. Gjithashtu bie në sy  një mafor i cili kopsitet në gjoksin  e saj me anë të një luleje.

Në pjesët anësore prezantohen dy kryeëngjëj duke mbajtur në duar elitarë dhe skeptrin e shenjtë.

Tonalitet e ngjyrës kafe janë përdorur për të tonalizuar fytyrat e personazheve në ikonë,   megjithëse tiparet e tyre janë delikate, elegante dhe humane./atsh/ KultPlus,.com