Rusia nuk do të paraqesë një kandidaturë për kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar të “Oscars” këtë vit.
Në një deklaratë të lëshuar nga Akademia Ruse të hënën (26 shtator) dhe e raportuar nga AFP, thuhet: “Presidiumi i Akademisë së Filmit të Rusisë ka vendosur të mos nominojë një film kombëtar për çmimin Oscar të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit në vitin 2022”, transmeton KultPlus.
Pavel Chukhray, kryetari i komitetit rus të “Oscar”, dha dorëheqjen të martën e kaluar (20 shtator) në shenjë proteste ndaj bojkotit.
Në një letër të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS, ai tha se vendimi për të mos dorëzuar një film në Oscar ishte “ilegal” dhe “i marrë pas shpine [të tij]”. “Udhëheqja e Akademisë vendosi në mënyrë të njëanshme të mos nominojë një film rus për nominimin për Oscar”, tha ai.
Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Rusia ka fituar një herë “Oscar” në 1994 me “Burnt By The Sun” të Nikita Mikhalkov dhe është nominuar gjashtë herë të tjera.
Mikhalkov, i cili drejton Unionin e Kinematografëve Rusë, ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin rus Vladimir Putin dhe së fundmi kundërshtoi pjesëmarrjen e vendit në Çmimet e Akademisë.
“Më duket se zgjedhja e një filmi që do të përfaqësojë Rusinë në një vend, i cili aktualisht mohon ekzistencën e Rusisë, thjesht nuk ka kuptim”, tha ai për TASS.
Pak filma të mëdhenj rusë janë shfaqur në qarkun e festivalit këtë vit, megjithëse “Tchaikovsky’s Wife” e Kirill Serebrennikov debutoi në Kanë dhe “Fairytale” e Alexander Sokurov u shfaq premierë në Lokarno.
Nominimet për “Oscar” do të shpallen më 24 janar, ndërsa çmimet do të zhvillohen më 12 mars. /KultPlus.com
Është një periudhë kur ne prindërit mbesim jetimë prej fëmijëve tanë.
Se fëmijët rriten pavarësisht nesh, si pemë zhurmuese e zogj të pakujdesshëm.
Rriten pa i marrë leje jetës.
Rriten me një tringëllimë të gëzueshme e, ndonjëherë, me arrogancën mburrëse.
Por nuk rriten çdo ditë, rriten papritur.
Një ditë ulen pranë teje dhe me një natyrshmëri të pabesueshme të thonë çfarëdolloj gjëje që të bën të mendosh se ajo krijesë e pelenave, tash është rritë!
Kur u rrit e ti nuk e vure re?
Ku mbeten festat fëminore, loja në rërë, ditëlindjet me palaço?
Fëmija rritet në një ritual të bindjes organike dhe mosbindjes civile.
Tash je aty, në derën e diskotekës duke pritur jo vetëm që të mos rritet, por që të shfaqet.
Aty janë shumë prindër në timonë, duke pritur që të dalin.
E aty janë fëmijët tanë, ndërmjet hamburgerëve dhe pijeve të gazuara.
Me uniformën e gjeneratës së tyre dhe çantat jokomode dhe të rënda në shpatulla.
Atje jemi ne, me flokët e thinjur.
Dhe ata janë fëmijët tanë, të cilët i duam pavarësisht nga goditjet e erërave, nga të korrat e pakta të paqes, të lajmeve të këqija dhe diktaturës së orëve.
Ata u rritën të ushtruar, duke vëzhguar e duke mësuar me gabimet dhe të vërtetat tona.
Para së gjithash me gabimet që shpresojmë të mos përsëriten.
Është një periudhë kur ne prindërit shkojmë duke mbetur jetimë prej fëmijëve tanë. Tash nuk do t’i kërkojmë më
në dyert e diskotekave e të kinemasë. Kaloi koha e pianos, futbolli, baleti, notimi.
Dolën nga ulëset e pasme dhe kaluan në timonin e vetë jetës së tyre.
Do duhej të kishim shkuar më shumë pranë shtratit të tyre, në mbrëmje, për të dëgjuar shpirtin e tyre duke frymëmarrë biseda e konfidenca mes çarçafëve të fëmijërisë, e të adoleshencës shtretër të mbuluar nga ato pjesë figurash, afishesh, agjendash shumëngjyrëshe dhe disqesh të zhurmshëm.
Por u rritën pa e shterrë me ta krejt dashurinë tonë.
Në fillim shkuan në fshat, në plazh, krishtlindje, pashkë, pishina e miq.
Po, kishte grindje në makinë për dritaren, e kërkesat për muzikën e kohës.
Pastaj erdhi koha kur të udhëtuarit me prindërit ishte një sforcim, një vuajtje, nuk mund t’i linin miqtë e tyre dhe të dashurit e tyre të parë.
Mbetëm ne prindërit të izoluar nga fëmijët.
Kishim vetminë që gjithmonë e kishim dëshiruar, dhe na erdhi momenti në të cilin vetëm shikonim nga larg, luteshim shumë, (në atë moment e kishim harruar) që të zgjidhnin mirë në kërkimin e lumturisë dhe të pushtonin botën në mënyrën më pak komplekse të mundshme.
Sekreti është të presësh.
Në ndonjë moment do të na japin nipër.
Nipi është ora e dashurisë pa kushte dhe loja e pa provuar në fëmijët tanë.
Prandaj, gjyshërit janë kaq të papërmbajtshëm e shpërndajnë kaq dashuri të pakontrollueshme.
Nipërit janë mundësia e fundit për të korrigjuar dashurinë tonë.
Kështu është. Mësojmë të jemi fëmijë, pasi jemi bërë prindër; e mësojmë të jemi prindër, pasi jemi bërë gjyshër.
Si përfundim, duket sikur mësojmë të jetojmë vetëm pasi jeta na ikën.
T’i shijojmë fëmijët tanë në secilën prej etapave të tyre, për aq kohë sa jemi gjallë. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka shënuar suksesin e radhës me këngën e saj më të re “I’m good (Blue)”, të cilën e solli në bashkëpunim me DJ David Guettan.
Përmes një postimi në Twitter, faqja zyrtare e Billboard Charts në bazë të shitjeve të javës që lamë pas, kënga “I’m good (Blue)” është zgjedhur si më e dëgjuara e momentit në të gjithë botën.
Lajmit për suksesin e këngës duket t’iu ketë gëzuar edhe vetë artistja Rexha e cila e ka ndarë imazhin e klasifikimeve me më shumë se 10 milionë ndjekësit e saj në Instagram, përcjell Klankosova.tv.
Ky nuk ishte suksesi i vetëm që Bebe dhe David kanë korrur me këngën “I’m good (Blue)”, ditë më parë ylli i hitit “Sabotage”, arriti që për të parën herë në karrierën e saj prej artisteje të zë vendin e parë si kënga më e dëgjuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo këngë vjen si ripërpunim i këngës së famshme “Da Ba Dee” të grupit italian Eiffel 65 dhe aktualisht numëron afro 10 milionë klikime në platformën, YouTube. / KultPlus.com
Disa nga mediet më Kosovë kanë publikuar një lajm, që sipas tyre posedojnë një letër të presidentes Vjosa Osmani që i ka drejtuar presidentit të ShBA-ve Joe Biden, ku po sipas medieve, në këtë letër përpos që ka kërkuar takim me Biden, presidentja Osmani ka siguruar Biden që me vete do ta merr edhe këngëtaren e famshme Dua Lipa.
Mirëpo për këtë publikim ka reaguar këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina i cili ka demantuar këto lajme. Ai ka thënë se të gjitha letrat e presidentes Osmani, drejtuar presidentit Biden janë publike dhe se asnjëherë letrat e presidentes nuk kanë pas një përmbajtje të tillë.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Bekim Kupinës.
Demant
Presidentja Osmani asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i ka dërguar letër Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në të cilën thotë se do ta marrë me vete edhe Dua Lipën në takim. Të gjitha letrat e Presidentes dërguar Presidentit Biden janë publike dhe ato asnjëherë nuk e kanë pasur një përmbajtje të tillë.
Prandaj, raportimet e tilla nga disa mediume, janë të pavërteta./ KultPlus.com
Mimoza Hasani Pllana sapo është prezantuar me botimin më të ri “Poezia e Kosovës në tri kontekste (1990-1999)”, botim ky nga Shtëpia Botuese “Onufri” në Tiranë, shkruan KultPlus.
Shtëpia Botuese “Onufri” ka njoftuar për këtë publikim ku kanë vlerësuar se në rrafshin teorik, studimi i veprës poetike bazohet në kornizat ekzistuese teorike.
“Mbështetur në faktin se letërsia nuk synon të arrijë të vërtetën shkencore, por e vërteta letrare i nënshtrohet së vërtetës artistike, ky punim është produkt i metodave të kombinuara; fenomenologjike, strukturale, historike-letrare, krahasuese, psikanalitike dhe metoda e kritikës feministe. Metodat e kombinuara me njëra-tjetrën janë në funksion të studimit të veprës poetike derisa kanë dhënë rezultate pozitive në zhvillimin e analizës. Ndërveprimi i metodave të kërkimit është treguar i suksesshëm shumë here, siç ndodhë me kritikën simbolike që shpesh ndërhyn dhe ndihmon kahjet tjera të kritikës letrare, si atë strukturaliste a psikanalitike, si dhe huazon mjaft instrumente kërkimi prej tyre. Kështu, kombinimi i metodave ishte i frytshëm edhe në procesin e përpjekjes për krijimin e një kuptimi të ri epistemologjik mbi poezisë shqipe të Kosovës nga viti 1990 deri në fund të vitit 1999”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë Botuese “Onufri”.
Kurse autorja e librit Mimoza Hasani Pllana ka thënë për KultPlus se kërkimi mbi poezinë bashkëkohore shqyrton veprën poetike gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, të njohur si njëra nga dekadat më produktive për poezinë e Kosovës.
“Dhjetëvjetëshi i fundit i shekullit të kaluar shënon një kthesë në letërsinë shqipe në Kosovë, e cila përveçse e pasuron shekullin e poezisë me fenomene, autorë e autore të reja, e pasuron edhe me tipare të veçanta për nga shumëllojshmëria e vargut, tingëllima, simbolizimi, dendësia kuptimore dhe imazhet përshkruese. Këto diferencime tërhoqën vëmendjen time, më joshën për të filluar kërkimet dhe leximet e veçanta të një pjese të poezisë shqipe të krijuar në vitet 1990-1999 në Kosovë, në emigracion dhe për poezinë e kësaj kohe që ka tërhequr vëmendjen e përkthyesit europian, e cila në përgjithësi manifesotohet si një simptomë që kërkon trajtim. Pra, poezia e këtyre viteve, si zhanri letrar më i zhvilluar i dekadës, bëhet edhe produkt që kontribuoi në krijimin e kujtesës kolektive, si dëshmi e një mënyre të jetesës përshkruar me ngarkesa psikologjike të cilat bëjnë dallimin edhe në planin ideologjik, tematik dhe stilistik”, ka thënë Hasani Pllana.
Libri është i ndarë në disa cikle si: Poezia e Kosovës; Poezia e emigracionit 109; Poezia shqipe në gjuhët europiane dhe Rezyme në gjuhën angleze dhe në gjuhën bullgare./ KultPlus.com
Konferenca ndërkombëtare e International Association of Southeast European Anthropology (InASEA) për vitin 2024 do të organizohet në Shqipëri.
Propozimi i dr. Olsi Lelajt që konferenca e radhës të mikpritet dhe të organizohet në Shqipëri, në drejtimin e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), mori mbështetjen e plotë nga anëtarët e organizatës, në mbledhjen e fundit që mbajti Asambleja e Përgjithshme e InASEA.
Me një anëtarësi prej mbi 300 studiuesish dhe e themeluar në vitin 1996, InASEA është aktualisht shoqata më e madhe e profesionistëve dhe institucioneve kryesore publike në fushën e dijes antropologjike, etnologjike, folklorit, antropologjisë historike dhe fushave të ngjashme për Europën Juglindore.
Ndaj, organizimi i kësaj konference, jo vetëm që do të jetë një mundësi e mirë për të parashtruar kërkimet e zhvilluara në fushën e antropologjisë shqiptare, por mbi të gjitha, do të jetë një moment historik pasi Shqipëria do të bëhet një qendër gravitacionale për antropologjinë europiane, e ku studiuesit më të mirë dhe institucionet kryesore në fushën e antropologjisë për Europën Juglindore, do të paraqesin dhe debatojnë risitë kërkimore.
Sipas dr. Olsi Lelaj, drejtues i departamentit të Etnologjisë në IAKSA, Akademia e Studimeve Albanologjike ka eksperiencën shkencore dhe teknike, si dhe partneritetet e duhura kombëtare dhe ndërkombëtare për organizimin e një ngjarjeje shkencore të madhe siç është Konferenca e 11-të e InASEA që do të mbahet në vitin 2024. / atsh / KultPlus.com
Dr.Dre ka reaguar së fundmi ndaj lajmit se Rihanna do të performojë në Super Bowl LVII.
Reperi ndau emocionet e tij me Ebro Darden në Apple Music 1. Oh, zot. Më lejoni t’ju them diçka,” tha ai. “Sapo mora lajmin se Rihanna do ta bëjë këtë, dhe unë jam një super fans i saj . Nuk mundem. Prisni të shihni se çfarë do të bëjë ajo.”
Dre,i cili ishte pjesë e grupit të interpretuesve për shfaqjen e pjesës së parë të shkurtit 2022 – ku përfshiheshin Snoop Dogg, Mary J. Blige, Eminem, Kendrick Lamar dhe 50 Cent – reflektoi për kohën e tij në skenën e Super Bowl, duke ndarë disa këshilla për Rihanna.
“Bashkëpuno me njerëzit e duhur dhe argëtohu,” tha ai. “Duhet të sigurohesh që ke njerëzit e duhur krijues rreth teke. Ajo mund të dëshirojë të shikojë disa nga njerëzit që ne bënim shfaqjen tonë.” Ai shtoi se u deshën rreth 3000 njerëz për të realizuar performancën 13 minutëshe.
“Ajo ka mundësinë të na e kalojë ,” shtoi ai.
Dr.Dre gjithashtu zbuloi se shfaqja e tij e pjesës së parë në Super Bowl ishte emocionuese duke thënë: “Nuk e di nëse kam qenë ndonjëherë kaq nervoz më parë.”
Super Bowl LVII do të zhvillohet më 12 shkurt 2023 në State Farm Stadium në Glendale, Arizona./Lapsi.al / KultPlus.com
Cineplexx organizon eventin “Horror Night” me premierën e horrorit Smileku biletat do të jenë me çmim special prej 3.00€.
Njëri prej filmave të shumë pritur horror po arrin në Cineplexx! Me këtë rast kinemaja organzion eventin Horror Night ku biletat do të jenë me çmim special 3.00€. Ky event do të mbahet në të dy lokacionet e Cineplexx, në Prishtinë dhe në Prizren, duke filluar nga ora 18:00.
Rose është një psikiatre e përcjellur nga diçka që ajo beson se është e mbinatyrshme. Pas një incidenti të çuditshëm me një paciente, ajo fillon të përjetojë fenomene të pashpjegueshme që vetëm ajo mund t’i shohë. Gjatë gjithë filmit, Rose bëhet më paranojake, ajo që po e ndjek është diçka keqdashëse dhe, ndoshta, e mbinatyrshme. Ky horror psikologjik nga Paramount është me regji nga Parker Finn.
Shikoni trailerin, më poshtë, por kini kujdes: Do t’ju tronditë aq shumë sa nuk do ta shikoni më një buzëqeshje në të njëjtën mënyrë.
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se sezoni turistik në vend ishte surprizues jo vetëm për nga flukset e të ardhurave në ekonomi dhe të turistëve të huaj po ashtu, por edhe për sa i takon pastërtisë e shërbimeve publike.
Gjatë një takimi të mbajtur në një nga strukturat e reja turistike, e mbështetur drejtpërdrejt nga programet e qeverisë për të stimuluar sipërmarrjet në sektorin e turizmit, në Lalz, Durrës Kryeministri tha se të ardhurat në buxhet nga ky sektor në fund të gjysmës së parë të vitit llogariten mbi 1 miliard lekë teksa foli për bilancin e sezonit turistik veror.
“Pa diskutim që ne kemi pasur një sezon surprizues në aspektin e shifrave. Vetëm në 6-mujorin e parë kemi kaluar 1 miliard lekë të ardhura në ekonomi nga turizmi. Pothuajse dyfishin e vitit të mëparshëm. Kemi pasur fluks të vizitorëve. Deri në gusht kemi pasur 5.6 milionë turistë të huaj që është e barabartë me faktikisht 1.3 miliardë turistë më shumë se vitin e kaluar”, u shpreh Kryeministri.
Rama tha se flukset e vizitorëve ishin të shpërndarë në të gjithë territorin.
“Kemi pasur një diversifikim shumë domethënës nga veriu në jug dhe një prurje inkurajuese për zonën veriore falë edhe investimeve për të përmirësuar infrastrukturën drejt atyre pikave më tërheqëse”, u shpreh Rama.
Një tjetër veçori e këtij sezoni turistik, sipas kryeministrit ishin edhe vizitat në qytete.
“Ky sezon ka sjellë vizitorë të shumtë në qytete. Duke filluar nga Tirana, ku patëm një bum turistësh. Hotelet ishin plot, por kemi edhe numër të madh apartamentesh të marra me qira, përmes agjencive dhe në rrugë digjitale”, tha ai.
Kryeministri u ndal dhe në kontributin e sektorit të turizmit në PBB.
“Kur ne e kemi nisur punën për të transformuar Shqipërinë në një vend turistik, turizmi kontribuonte me vetëm 4 % në PBB. Sot ai kontribuon 17 %. Shumë kush e ka harruar se kemi pasur një turizëm krejtësisht primitiv dhe jashtë çdo lloj standardi të konkurrencës në këtë mjedis gjeografik që Shqipëria ka fatin, por edhe peshën e madhe të vështirësisë mes lojtarësh botërore si Italia e Greqia, ashtu si dhe mes lojtarësh rajonal si Mali I Zi apo Kroacia”, deklaroi Kryeministri.
Rama theksoi faktin se Shqipëria deri para 30 vitesh ishte një vend pa turizëm, me detin krejtësisht të ndaluar.
“Sot pjesëmarrja e këtij sektori në volumin e PBB-së është 17 % për të gjithë ata që për 1 mijë e një arsye refuzojnë të njohin progresin dhe kanë kujtesën e shkurtër, kemi qenë një vend që bënim lajm për pisllikun”, deklaroi Rama. / atsh / KultPlus.com
Ka vdekur sot gazetari veteran dhe poeti Adem Shkreli, shkruan KultPlus.
Për ata që nuk e dinë, Ademi është vëllai i poetit të njohur Azem Shkreli, si dhe i Hys, Ymer, e Afrim Shkrelit.
Vëllezërit Shkreli kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.
KultPlus ju informon se nesër do të mbahet akademi përkujtimore për gazetarin dhe poetin e ndjerë, Adem Shkrelin, në Institutin Albanologjik, në ora 11:00.
Ndërsa varrimi do të bëhet poashtu nesër në varrezat e Prishtinës në Arbëri, në ora 13:00. / KultPlus.com
Teksa ëndrra e shumë të rinjve shqiptar është largimi nga Shqipëria mundësia e realizmit të ëndrrave, për të tjerë të rinj të huaj është Shqipëria vendi i mundësive. Kështu e ka menduar edhe Whitney Peck e cila la vendlindjen e saj Amerikën për tu vendosur fillimisht në Lushnje.
Whitney në një rrëfim për emisionin e mëngjesit në RTV ORA, tregoi historinë e saj në një shqipe për tu pasur zili.
Ajo rrëfeu se jeton në Shqipëri që prej vitit 2016 dhe fillimisht është zhvendosur nga Amerika për të jetojë në qytetin e Lushnjës. Ajo foli me shumë nostalgji për këtë periudhë të jetës së saj ku jetonte në Lushnje pasi adhuronte jetën e fshatit, e cila e bënte të ndihej mirë edhe e lirë.
Tashmë ajo është zhvendosur në Tiranë, ku punon si këngëtare e muzikës live në lokale nate në kryeqytet.
Whitney në emision këndoi disa vargje të këngës “Xhamadani vija-vija”, të cilën me shumë mjeshtëri dhe më një zë potent arriti ta performonte live. “Nuk e di nëse do të kthehem më në Amerikë.”- shprehet Whitney si për të përfunduar kështu që e gjen veten shumë mirë në vendin tonë. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Futja e kartëmonedhave dhe pullave të reja britanike me imazhin e mbretit Charles III do të zbatohen gradualisht.
Posta Mbretërore britanike, Royal Mail, dhe Banka e Anglisë deklaruan se kanë marrë udhëzime nga familja mbretërore dhe nga Charles për të minimizuar kostot.
Kartëmonedhat që mbajnë portretin e mbretit do të dalin në qarkullim në mes të vitit 2024.
Mbreti Charles do të shfaqet në kartëmonedhat pesë, 10, 20 dhe 50 paund.
Royal Mail gjithashtu konfirmoi se imazhi i mbretit do të zëvendësojë mbretëreshën Elizabeth ll në pullat e reja të të gjitha kategorive.
Pullat speciale do të përfshijnë gjithashtu imazhin e mbretit.
Royal Mail shtoi se pullat e reja me mbretin Charles do të hyjnë në qarkullim pasi të kenë mbaruar rezervat aktuale të pullave.
Banka e Anglisë dha një deklaratë për shtyp ku theksoi se ”kartëmonedhat që paraqesin portretin e mbretëreshës do të vazhdojnë të jenë të ligjshme dhe do të tërhiqen nga tregu vetëm nëse janë të dëmtuara”.
Pritet që monedhat e vulosura me imazhin e Charles të hyjnë në qarkullim brenda disa muajve.
Emblema e re e mbretit do të shfaqet gradualisht gjatë muajve dhe viteve të ardhshme në ndërtesat qeveritare, dokumentet shtetërore dhe në disa kuti postare./atsh / KultPlus.com
Është publikuar në shqip libri i fundit i profesorëve Bernd Fischer dhe Oliver J. Schmitt, “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë” (A Concise History of Albania).
Instituti i Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike zhvilloi një tryezë diskutimi mbi librin dhe problematikat e historisë së Shqipërisë, qasjet historike dhe sfidat profesionale. Pjesëmarrës ishin studiues nga Instituti i Historisë si dhe bashkëpunëtorët të Institutit dhe kërkues nga institucione të tjera kërkimore.
Diskutimi u zhvillua me prezencën e dy autorëve, Fischer dhe Schmitt, të cilët iu përgjigjën edhe pyetjeve, komenteve dhe vlerësimeve të kolegëve nga Shqipëria.
Drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi, theksoi interesin profesional të Institutit për t’u identifikuar si qendër kryesore e debatit profesional mbi historinë dhe për promovimin e botimeve cilësore historike edhe nga autorë që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Botimi i ri paraqet disa risi, përfshirë struktura, fokusimi më shumë tek elementët dhe debatet thelbësore të historisë sesa tek kronologjia, pasurimi me qasje krahasuese me vendet e tjera, sjellja në vëmendje e disa tezave të reja, si dhe përfshirja në studim edhe e periudhës aktuale të zhvillimeve në Shqipëri dhe rreth Shqipërisë.
Botimi është realizuar nga shqip nga Teona Artini në Kosovë dhe në anglisht nga Cambridge University Press. / atsh / KultPlus.com
Ka vdekur sot gazetari veteran dhe poeti Adem Shkreli, shkruan KultPlus.
Për ata që nuk e dinë, Ademi është vëllai i poetit të njohur Azem Shkreli, si dhe i Ymer, e Afrim Shkrelit.
Vëllezërit Shkreli kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.
Për vdekjen e Ademit ka reaguar edhe Çun Lajçi i cili me plot dhimbje shkruan se Ademi është rraja e vargut shkrelian dhe me pak fjalë përshkruan jetën e tij plotë dhimbje.
“Adem Shkreli, rraja e parë e vargut shkrelian!
Ai s’ka vdekë sot!
Ka vdekë që kur i vdiq i biri, n’mërgatë pa e pa e që kur u mbyll n’lëvozhgën e vet!
Që kur i vdiq Azemi, vargu i ndamë përgjysëm e që kur Ymeri s’iu kthye ma n’Rugovë!
Me besoni se ai s’ka vdekë sot.
Ka vdekë që kur iu mbyll Rilindja e mbet qyqe dikund të tre soliterat pa vlla pa djalë!
Pusho i qetë nipalan.
Me tirqi kam me ta ba dekën e me kavall kam me ta thirrë zanin!”, shkruan Lajçi. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklaratë për gazetaren iraniane Masih Alinejad, u ka bërë thirrje iranianëve që të mos heqin dorë nga liritë e tyre.
Osmani ka thënë se lufta për liri kërkon një çmim të lartë për të paguar, e këtë e di më së miri populli i Kosovës.
“Gjithë bota po ju vështron. Mesazhi im për gratë dhe popullin e Iranit është që kurrë të mos hiqni dorë. Kurrë mos hiqni dorë. Ne e dimë sa e vështirë dhe e dhimbshme është, por lufta për liri kërkon një çmim të lartë për të paguar. Ne kemi paguar çmim të lartë në luftën tonë për liri. Jemi me ju derisa të fitoni. Kurrë mos u dorëzoni”, ka thënë Osmani në një video mesazh. / KultPlus.com
“Don’t give up your fight, the world is watching Iranian women”
Kosovo President Vjosa Osmani talk directly to Iranian women through my live Instagram. The brutal death of #MahsaAmini is becoming a turning point for Iranian women and a tipping point for the Islamic Republic. pic.twitter.com/7WsNzsvJ0y
Përkujtojmë sot më 27 shtator 1944 ndarjen nga jeta të patriotit e burrit të shtetit Petro Poga, një nga figurat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe më pas ministër i shtetit shqiptar.
Mësimet e para i ndoqi në Erind të Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Stamboll në shkollën e drejtësisë “Mestebi Sultan” më 1883. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit, dhe të përkohshmen “Promitheu” në gjuhën greke. Më 1883-1885 vazhdoi rendin e dytë të shkollës së drejtësisë dhe në periudhën 1885-1886 punoi si avokat në kryeqytetin perandorak dhe dha mësim lëndën e historisë në liceun Stavrodhromit në Pera.
Në vitet 1886-1912, Poga punoi si avokat dhe këshilltar ligjor i Prefekturës së Gjirokastrës. Roli i tij qe i rëndësishëm në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës, të cilin me vonë e udhëhoqën atdhetarët Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha, Veli Hashorva dhe Elmaz Boçe. Më 1912 qe përfaqësues i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, Poga u caktua Ministër i Drejtësisë, si pjesë e Qeverisë së Parë Shqiptare.
Pas veprimtarisë në Vlorë, shkoi në Durrës ku iu dha posti i Ministrit të Drejtësisë në qeverinë Përmeti nën Princ Vidin. Së bashku me avokatët e shquar Kristaq Tutulani dhe Feim Mezhgorani hartoi Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane. Mori pjesë në hartimin e Legjislacionit Shqiptar dhe ndërtimit të Kushtetutës së Mbretërisë më 1928. / KultPlus.com
(Një reagim ndaj përpjekjeve që të anashkalohen datat historike që lidhen me shtetndërtimin e Kosovës, ku ajo e Referendumit për Pavarësi e 26 shtatorit 1991 duhet të shpallet festë zyrtare)
Jusuf Buxhovi
“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë veni dike të shkruajë libra të rinj, të krijojë kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë ishte dhe çfarë është…”
Këto fjalë të publicistit të njohur Eduard R. Murrov, të cilat qëndrojnë si moto e “Kosovës” në pesë vëllime (2015), edhe si të shkëputura flasin për vrasjen e kujtesës historike, por edhe të historisë konkrete, me të cilën lidhet qenia e një populli të gjykuar për t’u zhdukur, përvojë kjo e njohur që ka të bëjë me gjenocidet e ushtruara ndaj disa popujve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët.
Sigurisht se metafora e Murrovit për fshirjen e kujtesës historike si dhe rishkrimin e saj, ka një mesazh tepër dramatik për viktimat e historisë, në mënyrë që ajo të mos u përsëritet. Për shqiptarët e Kosovës, që brenda një shekulli e gjysmë përjetuan tre gjenocide, ndërsa këtij të katërtit (në fundvitet e nëntëdhjeta) i shpëtuan në saje të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të drejtuar nga SHBA-të, kujtesa historike ka rëndësi të veçantë, ngaqë me të lidhet edhe çlirimi, lidhet liria e pa përfunduar ose e abuzuat, lidhet edhe demokracia, e mbi të gjitha lidhet krijimi i shtetit të Kosovës, që paraqet të arriturën më të madhe historike të shqiptarizmit.
Dhe, kujtesa historike e shtetit të Kosovës, që si pjesë e Shqipërisë së natyrshme lidhet me mbretërinë dardane si dhe strukturat e saj të shkapërderdhura nën kurorën e Bizantit (principatat dhe zhupanitë e shumta),të cilat i rrënoi pushtimi pesëshekullor osman, prore ushqeu lëvizjet për çlirim dhe liri. Të tilla ishin ato gjatë pushtimi osman, ku Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 nxori në skenë nacionalizmin polititik (shqiptarizmin), që u kurorëzua me qeverinë e përkohshme të Lidhjes Shqiptare (1881), të parin organizim shtetëror pas shtetit të Skënderbeut, që i parapriu edhe pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Edhe gjatë kohës së pushtimit nga Beogradi (1912-1999), lufta për çlirim dhe bashkim kombëtar nuk reshti dot. Në përputhje me rrethanat, veçmas ato ideologjike, ndryshoi formën por jo edhe përmbajtjen. Kështu, në vitet e gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta dhe ato të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, koncepti i iredentizmit ideologjik, me kërkesën për Republikën e Kosovës, u zëvendësua me atë për barazi në federatën jugosllave, me çka barazia kthehet në një strategji të re për shkëputjen nga pushtimi i Beogradit. Dhe si e tillë, në rrethanat e rënies së komunizmit dhe fillimit të shpërbërjes së federatës jugosllave, me krijimin e Lëvizjes Kombëtare te fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë të gjithë shqiptarët pa përjashtim ideologjie dhe përkatësi sociale, përfundimisht u vu në binarët e pandalshëm historik. Kjo lëvizje kombëtare ndër më të fuqishmet dhe njëherësh ndër më të suksesshmet e historisë sonë, ka kalendarin dhe arkitekturën e vet politike, që kaloi nëpërmes legjitimitetit të infrastrukturës demokratike të domsdoshme për një shtet të pavarur: Deklaratën për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të mbajtur më 7 shtator 1990 dhe, sidomos, Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991, ku qytetarët e Kosovës në rrethanat e një kërcënimi policor dhe ushtarak, që u vinte nga soldateska e Beogradit, votuan për pavarësi, me ç’rast iu dha drita jeshile themelimit të shtetit të Kosovës, i cili filloi të jetësohet me zgjedhjet e para pluraliste dhe presidenciale më 24 prill 1992, që për pasojë patën krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe atë që u shfaq si shtet paralel, i cili mori përsipër organizimin e jetës institucionale, ku bënte pjesë edhe rezistenca e armatosur, e cila, edhe përkundër vështirësive të njohura të shkaktuara nga përçarjet e brendshme nga rrymat e ndryshme ideologjike po edhe koninkturat e jashtme për “politikën pa luftë dhe luftën pa politikë” me limitet e së cilës kishte punë, në çastet e domosdoshme, me shfaqjen e UÇK-së, u kthye në mjet të dobishëm të politikës me të cilën u legjitimua edhe ndërhyrja e armatosur ndërkombëtare. Pra, 26 shtatori i vitit 1991 është themel i shtetit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Si e tillë, kjo datë duhet të shpallet festë zyrtare.
Por, kujtesa historike e shtetit të Kosovës si dhe datat e saj që u përmendën më lart anashkalohen, por edhe “harrohen” fare dhe qëllimisht madje nga mohuesit e historisë së njëmendtë brenda e jashtë, qëllimi i të cilëve është të “dëshmohet” se shteti i Kosovës është një projekt i dështuar politik që nuk e duan as shqiptarët! Në këtë sfond gjithsej se 26 shtatorit 1991, dita e Referendumit për Pavarësi, si akt historik dhe legjitim i vetëvendosje, ndonëse së voni shënohet kalimthi nga drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit (presidentja dhe kryeministri), vazhdon të injorohen nga “historianët” si dhe institutet ( ai i Historisë dhe Albanologjisë), gjë që me këto veprime shkëpusin qëllimisht shtetndërtimin e Kosovës nga proceset historike, që cilat e sollën në gjendjen e tanishme. Me këtë qëndrim antihistorik dhe antikombëtar, që ruan diskurin e diktatit ahtisarian, me të cilën Beogradit në përputhje me Memorandumin e Çubrilloviqit iu dhanë tapitë e drejtës historike mbi trashëgiminë mesjetare, shteti i Kosovës, pa krishterimin mesjetar që ishte i shqiptarëve nga shfaqja e tij në Ilirik dhe Dardani nga shekulli IV, kthehet në një shtëpi pa themel, e mbi të gjitha në një feud pa kujtesë historike, pa trashëgimi shpirtërore, pa identitet etnik dhe kulturor të një qytetërimi të lashtë antik (dardan-ilir), në një si çorbë e mbetjes otomane dhe hiç tjetër, ku madje zhvlerësohen edhe konceptet intelektuale, shoqërore, që lidhen me ato të Rilindjes kombëtare dhe shtyllave kryesore mbi të cilat qëndronte shqiptarizmi si program politik, që nuk është përmbylllur ende, gjë që si po sillemi ne me shtetin tonë sikur tumirë akuzat që Beogradi ka ngritur kundër nesh në memorandumet e akademikëve serbë, atë të vitit 1937, 1944 dhe të vitit 1986!
Dhe, kur Murrov fliste për shkatërrues të kujtesës historike dhe të historisë, te ne, çuditërisht po ndodhë vetë-shkatërrimi i historisë nëpërmes vetë-harresës; po ndodhë vetë-shkatërrimi i identitetit kulturor dhe shpirtëror (duke u zëvendësuar kombëtarja me fetaren dhe arabizimin brutal të modelit të umës).
Pra, po ndodh vetë-shkatërrimi i shtetit të Kosovës dhe karakterit të tij sekular dhe arsimit laik në përputhje me planet e armiqve të tij shekullor, e me këtë edhe vetë-shkatërrimi ynë!
Dhe, nga mallkim i vetë-shkatërrimit, nuk ka shpëtim, e as fajtor madje!… / KultPlus.com
Zvicra nuk e ka përfunduar rregullimin e sistemit të saj të pensioneve.
Rishikimi i sistemit të pensioneve të pleqërisë që iu dorëzua qytetarëve të dielën ishte vetëm hapi i parë. Ajo do të pasohet nga një reformë e sistemit të pensioneve profesionale dhe barazia gjinore mbetet një nga çështjet kryesore, transmeton Albinfo.ch. I gjithë sistemi duhet të reformohet për të ruajtur nivelin e pensioneve në afat të gjatë dhe për të reduktuar pabarazitë.
Kjo për shkak se shuma e pensionit të marrë në pension nuk varet vetëm nga shtylla e parë e dispozitave zvicerane të pensionit, por edhe nga skema e pensioneve profesionale (e njohur edhe si shtylla e dytë) dhe skema e pensioneve private (shtylla e tretë). Sigurimi shtetëror i pleqërisë supozohet të garantojë nivelin minimal të jetesës, skema e pensioneve profesionale të ruajë të njëjtin standard jetese dhe shtylla e tretë të mbulojë nevojat shtesë individuale. Edhe pse funksionojnë ndryshe, si shtylla e parë ashtu edhe ajo e dytë ndikohen nga rritja e jetëgjatësisë, përcjell tutje Albinfo.ch.
Rënia e numrit të punëtorëve në raport me numrin e pensionistëve kërcënon ekuilibrin financiar të dy shtyllave. Vitet e fundit, pensionet profesionale kanë vuajtur edhe nga normat e ulëta të interesit, të cilat kanë ulur kthimet nga investimet e fondeve të pensioneve. Pas refuzimit të votuesve të një rishikimi të parë të skemës së sigurimeve të pleqërisë dhe pensioneve profesionale në vitin 2017, draftet u ripunuan veçmas. Shtylla bazë ishte e para që pati sukses, por një reformë e skemës së profesionit është aktualisht në duart e parlamentit. I quajtur BVG21/LPP21, ai parashikon një ulje të shkallës me të cilën kapitali i akumuluar ndër vite konvertohet në pension. Kështu, numri i pensioneve do të bjerë, ndërsa kontributet (të paguara në pjesë të barabarta nga punonjësit dhe punëdhënësit) do të mbeten të pandryshuara. Për të zbutur efektet e kësaj mase te gjenerata në tranzicion, e cila do të dalë në pension menjëherë pas hyrjes në fuqi të BVG/LPP21, reforma synon të kompensojë humbjen e pensionit me një shtesë mujore.
Drafti i ri parashikon gjithashtu uljen e pagës minimale nga e cila zbriten kontributet (deduktimi i koordinimit), i cili duhet t’u mundësojë individëve me të ardhura të ulëta të marrin pjesë më shumë. Kjo do të ishte me përfitim të veçantë për gratë, pasi ato kontribuojnë më pak në pensionet profesionale dhe për këtë arsye marrin shuma shumë më të ulëta se burrat kur dalin në pension.
Pabarazi të konsiderueshme
Në vitin 2020, pensionistët femra morën pensione mesatare vjetore që ishin 34% më të ulëta se homologët e tyre meshkuj, sipas një raporti të ri të qeverisë. Ky çekuilibër vërehet kryesisht në shtyllën e dytë, pasi vetëm punonjësit me një nivel të caktuar të ardhurash janë të detyruar të kontribuojnë, ndërsa të gjithë duhet të kontribuojnë në financimin e shtyllës bazë. Në vitin 2020, 70% e meshkujve merrnin pension profesional, krahasuar me vetëm 49% të femrave. Ndërsa ndër përfitueset, femrat kanë marrë 43% më pak.
Përmbajtja e jashtme
“Kur punësimi i një personi ndërpritet ose me kohë të pjesshme, akumulimi i kapitalit pensional ngadalësohet”, thotë Brenda Duruz-McEvoy, drejtuese e politikave sociale dhe eksperte pensionesh në Qendrën Patronal, një organizatë zvicerane e punëdhënësve. Megjithatë, ajo thekson se gratë beqare tashmë kanë një nivel pensioni të ngjashëm me burrat beqarë. Carola Togni, një profesore në Universitetin e Punës Sociale dhe Shëndetit në Lozanë, beson se ekzistenca e një kërkese të të ardhurave minimale për të qenë në gjendje të kontribuojë në skemën e pensioneve profesionale kufizon veçanërisht anëtarësimin e grave: “Ato janë të mbipërfaqësuara në mesin e atyre të ulëta dhe madje edhe të ardhura shumë të ulëta për shkak të punës me kohë të pjesshme, pabarazive në paga dhe vlerës së ulët të pagave të vendeve të punës në të cilat gratë janë shumicë.”, përcjell Albinfo.ch.
Ndërkohë që organizata e punëdhënësve është në favor të braktisjes së plotë të zbritjes së koordinimit për të forcuar kursimet në shtyllën e dytë, ajo dëshiron të ruajë një kufi minimal të të ardhurave për anëtarësimin në skemën profesionale. “Për të shmangur kostot e tepërta administrative, duhet të ruhet një prag hyrjeje, por duhet të marrë parasysh të gjitha të ardhurat e punonjësit, përfshirë ato të fituara me punëdhënësit e tjerë,” thotë Duruz-McEvoy. Duke vepruar në nivele të tjera.
Thjesht ulja e zbritjes së koordinimit, siç parashikohet në reformën e shtyllës së dytë, nuk do të mjaftojë thotë Togni. “Për sa i përket përfitimeve, BVG/LPP reflekton dhe përforcon pabarazitë në tregun e punës pa asnjë mekanizëm kompensimi, ndryshe nga shtylla e parë, e cila parashikon masa të caktuara si bonusi arsimor apo shpërndarja e pensioneve ndërmjet bashkëshortëve”. Ajo beson se rreziku është që më shumë gra të kontribuojnë në shtyllën e dytë, por kjo nuk do t’i nxjerrë nga varfëria në moshën e pensionit. Ajo mendon se reformat e vazhdueshme të shtyllës së parë dhe të dytë do të rrisin pabarazitë, veçanërisht për gratë e shtresës së mesme dhe ato me paga të ulëta ose pa të ardhura. “Masat e tjera si rritja e pagave, veçanërisht për gratë me paga të ulëta, do të përmirësonin t financimin e pensioneve,” thotë Togni.
Për Duruz-McEvoy, mbështetja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës është një prioritet, duke lënë të lirë çdo familje të organizohet ashtu siç dëshiron. “Ka shumë stimuj në kundërshtim me interesat e grave, shoqërisë dhe ekonomisë që duhet të braktisen,” thotë ajo. Ajo përmend taksimin e tepërt mbi të ardhurat e dyta, subvencionet e premisë së sigurimit shëndetësor të kalibruar keq dhe vështirësitë me kujdesin ndaj fëmijëve.
Thelbi i sherrit
Rishikimi i skemës së pensioneve profesionale është aktualisht objekt i një debati veçanërisht përçarës në parlament. Përfaqësuesit e zgjedhur nuk pajtohen për kompensimin që do t’i jepet brezit në tranzicion. E djathta kërkon të kufizojë numrin e përfituesve dhe kohëzgjatjen e masave, të cilat do të penalizojnë gratë dhe personat me të ardhura të ulëta, sipas të majtës. Projekti i është referuar komisionit për të vlerësuar më saktë kostot e skenarëve të ndryshëm.
Por rezultati i votimit të së dielës për pensionin shtetëror të pleqërisë është se skema ka të ngjarë të rrisë tensionet midis dy kampeve, pasi rritja e moshës së pensionit për gratë është gjithashtu një element qendror i reformës së pensioneve profesionale.
E majta kërkon masa të forta në shtyllën e dytë për të kompensuar pabarazitë. Por e djathta, e cila ka shumicën në parlament, kërkon të shmangë ndryshimet e kushtueshme dhe preferon të bëjë rregullime të moderuara në funksionimin e skemës së pensioneve profesionale. Të dyja palët kanë kërcënuar tashmë se do të nisë një referendum ose do të ngrijë projektin përgjithmonë. / KultPlus.com
Ditën e shtunë në Asti, u mbajt “Parada Shqiptare”. E para e këtij lloji në Itali, e organizuar nga Shoqata “Asso Albania Asti-Piemonte” në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Astit.
Në këtë manifestim ishin të ftuar shumë shoqata vullnetare shqiptare nga e gjithë Italia. Edhe pse në një ditë me shi, pjesa më e madhe e të ftuarve ishte në Asti, ku për një moment u shëndërrua në një Shqipëri të vogël kuq e zi.
Komuniteti shqiptar në Parma ishte ftuar dhe u përfaqësua nëpërmjet organizatave “Shkolla Shqipe Scanderbeg” dhe “Forum Donne Indipendenti”. Ndërkohë morën pjesë edhe përfaqësues të Komunitetit shqiptar në Modena, Reggio Emilia dhe Piacenza.
Pika e parë e takimit ishte në Qendrën Kulturore “Margarita Xhepa” ku ata vizituan dhe panë ambientet kaq bukur ndërtuar e mirëmbajtur nga vullnetarët dhe familjet shqiptare, klasat e shkollës shqipe, librarinë, sallën e baletit, kuzhinën dhe oborrin mikpritës.
Në “Shtëpinë e Shqiptarit” në Asti ata u pritën nga presidenti i Shoqatës “Asso Albania Piemonte – Asti”, z. Marjan Bjeshkëza, koordinatorja e qendrës, drejtuesi artistik i qendrës dhe organizatori i “Paradës Shqiptare” në Asti 2022 z. Hasan Bulçari, stafi përfaqësues dhe vullnetarë.
Ambientet gumëzhinin nga zërat e të rinjve dhe fëmijëve të familjes së madhe shqiptare në Asti, ngjyra e motive shqiptare, muzikë dhe shije të vendit tonë, Shqipërisë. Më e bukura e këtij realiteti qëndron në integrimin dhe bashkëjetesën me qytetin dhe vendasit.
Më pas të gjithë u drejtuan në qendrën e qytetit dhe në një paradë madhështore të udhëhequr nga Kryetari i Bashkisë së qytetit të Astit dhe përfaqësuesit shqiptar e si një lum ngjyrash e tingujsh u derdh mes për mes shtëpive dhe shesheve astixhiane.
Imagjinoni një zemër të madhe shqiptare që rrihte nën ritmin e daulles, muzikës patriotike dhe flamurit kuq e zi. Emocione që nuk do të harrohen kurrë e sidomos nga të rinjtë e fëmijët të cilët ngjanin si shqiponja të lira e krenare.
Asgjë nuk e ndali dot “Paradën Shqiptare” në Asti që përfundoi rrugëtimin e saj në oborrin e Qendrës Kulturore “Margarita Xhepa”. Aty i pritnin pjata të ngrohta shqiptare dhe jo vetëm. Ndërkohë, në pritje të fillimit të koncertit, ekzistonte mundësia të shkëmbeheshin përshëndetje me të gjithë shqiptarët, të ardhur nga të katër anët e Italisë.
Koncerti i mblodhi të gjithë të ftuarit pranë skenës të përgatitur enkas për këtë rast me artistë shqiptarë.
Një koncert shumë i pasur artistik ku Komunitetin Shqiptar të Parmës e përfaqësoi:
Monika Bekolli në flaut me pjesët: Dua më shumë Shqipërinë dhe me një Kolazh Muzikë Arbëreshë Musart (Fatma Mema) me këngën Party Musart.
Deana Paja e vetë përgatitur me koreografinë e Olta Shehut “Valle Dasme Shqiptare”. / KultPlus.com
Muzeu Arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, do të restaurohet.
“Me mbylljen e sezonit turistik, gjatë të cilit Muzeu arkeologjik i Durrësit ishte një nga qendrat më të vizituara dhe aktive, falë programit “EU4Culture” ky muze do t’i nënshtrohet restaurimit dhe muzealizimit, për t’u shndërruar në qendrën model që dëshmon historinë, pasurinë tonë arkeologjike me gjuhën e kohës”, bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.
Margariti u shpreh se muzeu do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit që vjen.
Muzeu Arkeologjik në Durrës, gjatë muajve janar-gusht të këtij viti është vizituar nga një numër i lartë turistësh vendas e të huaj.
Muzeu Arkeologjik u hap në mars të vitit 1951, nga Vangjel Toçi, i njohur dhe si babai i arkeologjisë durrsake. Objektet e para u vendosën në një vilë dykatëshe, duke ekspozuar ato artefakte që ishin zbuluar deri në atë kohë nga nëntoka e zonës së Durrësit.
Por gjatë viteve, godina e Muzeut Arkeologjik ka ndryshuar disa herë vendndodhjen e saj. Sot muzeu ndodhet tek Rruga Taulantia, afër Vollgës. Ka mbi 2 mijë objekte që nga Prehistoria e deri në shek. IV pas Krishtit.
Veprat e shumta monumentale të këtij muzeu janë një dëshmi e gjallë e historisë sonë, të cilat prej vitesh e kanë kthyer ndër muzetë më të vizituar në vend. / KultPlus.com
çdo stinë asht një stinë por ka dy vjeshta njêna plot me ngjyra puhiza dhe pirgje poezish një tjetër si dimën ditë që shkurtohen diell që ndrit’ ma pak lamtumira në heshtje e trísht’
Mbi shfaqjen “Tregtari i Venedikut” të teatrit të Korçës nga regjisori Qëndrim Rijani
…Kisha kohë që nuk kisha parë një shfaqje “tërësore” në gjithë komponentët e saj, “totale” siç quhet në terminologjinë teatrore, që të imponohet dhe e merr kënaqësinë prej saj të plotë. Kjo më ngjau me shfaqjen e veprës së Shekspirit “Tregtari i Venedikut” vënë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës nga regjisori i talentuar Qëndrim Rijani. Ishte më shumë një shfaqje e regjisorit dhe e fuqisë imagjinative të tij, sepse shpirti, mendja dhe fryma e tij ishin të shkrira gjithkund, në çdo njësi, element e komponent, në trajtimin e hapësirës, te kostumet, mizanskena, gjetjet dhe metaforat, te simbolet e zbërthyeshme dhe konvencionet, te gjestet dhe kalimet e aktorëve nga njëri rol te tjetri dhe patjetër te trajtimi i lojës si të tillë, duke kërkuar ravijëzime karakteriale dhe një fuqi hipnotike që të përthithte: si në veprimin e drejtpërdrejtë, ashtu dhe në mënyrën se si ajo përvijohej skenë pas skene. E nisa me regjisorin Rijani sepse zemra dhe shpirti i shfaqjes ishte më së pari ai. Rijani ishte pulsi, zembereku, projektuesi i imazhit dhe krijuesi i shenjimit tërësor ikonik të shfaqjes; ai ishte dizajnuesi i temporitmit, dinamikës dhe veçantisë së saj, i ritmit dhe i gjetjeve të shumta që e kishin begatuar dhe unifikuar krejt strukturën teatrore; ai ishte mendja që ndërkalli aty domethëniet e ardhura nga pena e Shekspirit, por dhe domethëniet e reja që regjisori vuri në spikamë me elegancë e jo në formë të dhunshme. E kuptova Shekspirin në bulbin e idesë dhe shqetësimit të tij, se e drejta si e tillë nuk është thjesht një koncept juridik, as një rregullim korrekt marrëdhëniesh pronësore mes njerëzish në një veshje ligjore të paracaktuar, por mbi të gjitha ajo është një e drejtë njerëzore, që buron nga domosdoja e mbrojtjes së jetës; është një e drejtë morale, ku virtyti duhet të sundojë te marrëdhëniet mes njerëzve dhe jo mëria apo hakmarrja e pafre; është një e drejtë religjioze, hyjnore, që vjen nga Perëndia si qenësi e vetë racës për të jetuar bri tjetrit veçse në paqe e dashuri. Jo duke urryer, por duke falur. Dhe këtu thërritet në skenë koncepti religjioz i krishterë i mëshirës, i keqardhjes ndaj tjetrit të gjendur në zgrip të humnerës e në hall. Andaj dhe idenë e Shekspirit unë e pash bukur mirë të mishëruar në tërë kompleksin ideoartistik të vizionit regjisorial të Qëndrim Rijanit, i cili duket se iu shmang mbishtresës antisemite që kritikas ka vënë re herë pas here me “shtrigërimin” e rolit të hebreut Shaillok. Jo, unë Shaillokun e pashë jo si “çifutin kurnac, të pamëshirshëm, gjakatar dhe të keq”, por si NJERIUN me natyrë të shprishur, që i bart këto vese e ligësi. Rijani arriti ta shpreh me një gjuhë dramatike kontrastin moral të dy personazheve qendrorë, që përfaqësojnë edhe dy kahet mesazhore dhe emocionale të narrativës dramatike: 1) tregtari fisnik Antoni, i cili ndihmon Basanin me 3000 dukata si mëtues për të kërkuar dorën e të dashurës së vet, Porcias së Belmontes, paçka se anijet e tij janë të gjitha në det të hapur dhe ai nuk ka në fakt para të lira dhe 2) hebreu Shaillok, një tregtar i pamëshirshëm, që nuk di të falë; njeri i brejtur nga komplekset e tij racore, që e cytin drejt hakmarrjes, çka e shpie në tejkalimin e së drejtës humane të jetës dhe e kthen në një mizor. Mizoria e tij bëhet e përbindshme dhe e përzishme teksa kërkon nga gjyqi një ndëshkim shembullor, antihuman, shkuljen e një kilogrami mishi nga trupi i Antonit. E çuditshme! E pakonceptueshme! E tmerrshme! Kjo kërkesë jashtë arsyes ka burim ngërçet që vijnë prej statusit social e religjioz të Shaillokut dhe jo vetëm. Eshte shkelja e humanes dhe triumfi i te perbindshmes: kafsha mbi NJERIUN ose njeriu i kthyer ne KAFSHE.
Afërmendsh se e gjitha kjo është një metaforë e mprehtë e Shekspirit, dhe në vepër konceptohet pikërisht si e tilla, për të pranëvënë dhe përplasur dy të drejtat, siç thamë më sipër; ose më saktë, për ta bërë sa më të dukshme natyrën e përzishme e kriminale të Shajllokut. Hakmarrja e tij e tejkalon cakun e humanistes, nuk njeh mëshirë, falje, një nga konceptet fondamentale të krishtërimit dhe të vetë qytetërimit. Teprimi që ai shfaq me pretendimin e vet ndaj Antonit kthehet në bumerang. Shpaga është ndjenja zotëruese e vetëdijes së tij. Shpaga deri në fund. Ai nuk e njeh faljen. Kësisoj vetë shpaga kthehet në element krimi dhe veprimi të paarsyeshëm. Falë inteligjencës së Porcias, e cila përfaqëson më shumë se harmoninë shpirtërore të vajzës së mençur dhe dashurinë që ajo ka ndaj Basanit, hakmarrja e Shajllokut vetëshkatërrohet nga frika e një ndëshkimi të parashkruar, shumë më çnjerëzor ndaj tij (sepse ai nuk mund ta pres dot një kile mishi nga trupi i Antonit pa derdhur më parë qofte dhe dy pika gjaku prej andej, rrjedhimisht pa u ndëshkuar me vdekje). Kësisoj njerëzorja dhe e mëshirshmja triumfojnë ndaj çnjerëzores dhe të pamëshirshmes, falë mendjemprehtësisë se Porcias, vetë konceptit të së drejtës, tashmë si filozofi e saj dhe si arsye rilindese. Urrejtja, qe ushqehet dhe ushqen mosarsyen, mund te zbrapset veçse nga arsyeja, e cila ushqen dhe ushqehet prej dashurise, njerezores, faljes, meshires.
Këto ide e të tjera, që burojnë nga vepra, regjisori Rijani u ka dhënë një formë e tregues të qartë teatror… Një ekran i madh ku projektohen ndërtesat e hershme të mbretërisë së Venedikut, diku në udhë një mace a qen i zi si shenjë e së keqes, fatalitetit dhe tersit (mendja të shkon te Shajlloku dhe rrengjet e tij çnjerëzore); më pas një det i dallgëzuar që pasohet nga ritmi i aktorëve në vrap e ankth, mandej një det i qetë, portreti i aktorit Adem Karaga dhe fjala-amanet e Antonit, një trup femre e shtrirë mbi syprinën ujore si një nimfë që s’është veçse dashuria, një rremb i fortë i veprës. Hapësira skenike është e shfrytëzuar në tre “kate”: poshtë në gropën e saj është vendosur mjedisi i shtëpisë së Porcias, te sheshi i skenës alternohen shumë episode, veprime, personazhe, ndërsa në një platformë lëvizëse në ajër kryhen dialogë e veprime të tjera. Qysh në krye të herës shikojmë një dash të varur në çengel dhe Shaillokun që e ther. Gjaku i kafshës derdhet në një kazan, pra njeriu që “ther” jo vetëm bagëti, por simbolikisht edhe njerëz, siç bën më pas me Antonin duke i vënë kushte çnjerëzore për shlyerjen e një borxhi. Caku i metaforës të çon edhe te metafora biblike e therjes së një drenushe në vend të Efigjenisë (miti grek) ose e therjes së dashit nga Abrahami në vend të kokës së djalit të tij, Isakut. Nuk mund të theret njeriu, siç kërkon mendja e shprishur e Shajllokut. Regjisori shfrytëzon bukur rrotativën duke i bërë personazhet të ecin herë para e herë në të kundërt, pra një alternim viziv mes ecjes dhe qëndrimit në vend, sikurse qasja si në një tymtajë, mjegull, ëndërr a të shkuar historike; gërshetohet muzika, luajtja në piano a kitarë elektrike, herë me melodi lirike, poetike e dramatike (piano) e herë me motive rock-u, e vrazhdë, ritmike, që i gjegjet veprimit dramatik, vrapit dhe ankthit të personazheve. Një metaforë tjetër e bukur regjisoriale është edhe finalja: tre çiftet e dashuruar poshtë në gropën e skenës, në përqafimin e tyre “poetik” si në një pikturë dhe lart në platformën lëkundëse Antoni duke kënduar një këngë që përcjell mesazhin se “përgjigja është brenda erës që fryn…” Si era që fryn është vetë jeta e njeriut. Në fakt përgjigja është triumfi i humanes, i të drejtës si dhe i vetë dashurisë mbi çdo sjellje poshtëruese a shtypëse, siç bën Xhesika, e bija e Shejllokut, e cila hidhet në krahët e dashurisë me një të krishterë kundër vullnetit të të atit; po i njëjti imazh, por tashmë tejet ikonik, që përcjell ndjenjën e mallit, largimit, përcjelljes së të dashurit është dhe çasti i ndarjes së çifteve drejt rrugëtimit të fatit dhe një misioni: shpëtimit të Antonit nga shpirti makut i Shajllokut. Kuptimplot është detaji i dhënies së unazës si shenjë besnikërie, e cila në fakt përfaqëson ritualin e krishterë domethënës të lidhjes në martesë të çiftit, dashuria e “legjitimuar” midis Porcias dhe Basanit. Shekspiri nuk sjell vetëm historinë e përzishme të hebreut të pamëshirshëm Shaillok, por edhe një ngazëllim dashurie me tre çifte të dashuruarish, duke krijuar siç di ai dhe siç e bën përgjithësisht në veprat gazmore një atmosferë optimiste, plot dritë dhe aventura të bukura, fjalë, premtime, përbetime dhe një ekstazë erotike të tretur mes poezisë dhe një shpirti fisnik ëndërrimtar. E gjitha kjo i jep ritëm spektaklit dhe e çliron atë nga zymtimi dhe errësira që Shejlloku bart e shpërndan.
Ani pse shfaqja e tëra është meritë e konceptit modern regjisorial të Qëndrim Rijanit, i cili gjithnjë e më shumë po ofrohet si artist i një poetike të re teatrore, me risi e gjetje domethënëse, ndërkohë spektatori mori kënaqësi edhe nga loja e aktorëve, ku padyshim dy ishin kryesorët: Sotiraq Bratko në rolin e Shejllokut dhe Adem Karaga në rolin e tregtarit venedikas, Antonit. Janë të dy aktorë të një formati të lartë, ndjekin me bindje parimet e një loje të besueshme, thellësisht realiste e të vërtetë në ndjeshmëritë, sjelljet, përshtatjen dhe veprimet e tyre. Ata përcollën mjeshtërisht flukse emocionale të ngrohta e në vijueshmëri duke e rritur nivelin dhe cilësinë e lojës në përgjithësi. Të dy e administrojnë mjaft bukur fjalën dhe domethënien e saj; të dy janë plot “prezencë” a prani skenike, tek të dy ndihet çdo çast qenësia e tyre, mendimi, emocioni, fjala, gjesti, mjeshtëria, zotërimi i spektatorit, vrullimi shpirtëror, vetëpërmbajtja. Do të çmoja veçanërisht lojën e bukur të Sotiraq Bratkos, i cili habitshëm ka ardhur në syrin tim duke e rritur përmasën e vet si artist; ai arriti me Shajllokun e Shekspirit, ndofta, rolin e tij më të mirë në karrierën aktoriale. Nga të rinjtë më lanë mbresa të mira Silvio Goskova, me energjinë dhe harenë e tij duke alternuar, psh, rënien e tupanit me ritmin e fjalës dhe lëvizjen; Roerd Toçe në rolin e Basanit me emocionin e brendshëm dhe hijeshinë që përcillte, çka përputhej me statusin e personazhit të tij; Dasara Xhangolli në rolin e Porcias, një nga rolet e vështira, por e përballuar me sukses, duke i dhënë publikut figurën e mprehtësisë dhe mençurisë, vajzën e dashuruar por tejet inteligjente.
Kur shfaqja të pëlqen stepesh të bësh vërejtje a sugjerime, sikur i hedh zeher një “kafeje” për merak, pasi ajo të ka ngopur me emocion dhe me cilësinë e një “teatri të kohës”. Gjithsesi, Rijani mund të ishte më pjellor në skenën e gjyqit, duke gjetur një figuracion tjetër në mizanskenë dhe duke i dhënë më shumë dinamikë, çka do të ushqente me “gjak” indet e mesazhit të “cituar” shekspirian mbi të drejtën, faljen, keqardhjen dhe humanen. Pavaresisht konvencionit, do te mendoja se make-up i Porcias mund te ishte me “mbuluese” per te, pra nje paruke, veshje, mustaqe a mjeker, nuk do ta “prishnin” bukurine e saj, perkundrazi do ta benin me te kendshme veçantine. Po kështu disa “zhurma” më shumë spekulative e të përsëritura me kitarën elektrike mund të ishin më të kufizuara; teprohej me lëshimin e herëpashershëm të tymit (jo në çdo episod), për të krijuar mjedise e kohë të largëta, turbullira shpirtërore, çaste ëndërrimi a ankthi etj.
“Tregtari i Venedikut” është një shfaqje që e nderon teatrin shqiptar kudo që ai mund të shkojë në turne a festivale teatrore botërore, një shfaqje që mund të bujt me dinjitet dhe siguri në skenat evropiane, një regjisurë e kohës, një nivel e cilësi që meriton vlerësimin më të mirë… / KultPlus.com
Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë. Sot shënohen plot 24 vjet nga kjo masakër mizore, me ç’rast ka reaguar edhe Presidentja Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, shkruan KultPlus.
“Në 24-vjetorin e Masakrës së Abrisë, i kujtojmë të gjithë të masakruarit dhe do ta themi kudo e kurdo se Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Relativizimi i krimeve të Serbisë është përpjekje për ndryshim të historisë”, ka shkruar ajo.
Po ashtu ajo ka shpërndarë edhe një poezi të Naxhije Gashanit që i dedikohet vrasjes së dy vjeçarit, Valmir Deliu.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Një fëmijë i vogël me vdekje të madhe në masakrën e llahtarshme të Abrisë, më 26 shtator 1998. Valmir Deliut, 2 vjeç, e plot fëmijëve të tjerë, ëndrrat e fëmijërisë iu prenë sapo filluan rrugëtimin jetësor. Me biberon në gojë, Valmiri u bë viktimë e gjenocidit serb më 1998, së bashku me gra, fëmijë e pleq të familjes Deliu të masakruar nga forcat serbe. Në 24- vjetorin e Masakrës së Abrisë, i kujtojmë të gjithë të masakruarit dhe do ta themi kudo e kurdo se Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Relativizimi i krimeve të Serbisë është përpjekje për ndryshim të historisë. Valmiri i vogël dhe të gjithë fëmijët e masakruar nga regjimi serb, na e bëjnë dhimbjen dhe kurajon e madhe që akterët t’i nxjerrim para drejtësisë për gjenocidin e kryer ndaj popullit shqiptar. / KultPlus.com