‘Ëndërr, o ëndërr, dëshirën ti çoja asaj’ (VIDEO)

Një ndër këngët nga artisti i madh i muzikës shqipe, Agron Berisha është “Ëndërr”, shkruan KultPlus.

E interpretuar me zërin e fuqishëm të Berishës, ajo është një këngë dashurie, e gërshetuar me mallin ndaj gruas dhe atdheut.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videoklipin e këngës “Ëndërr”:

Sonte Ne Natë të errët të kujtoj
i trazoj endrrat te ketij qyteti
te qytetit ku jam
a m’beson
unë i thërras në argëtim

Ëndërr, o ëndërr,
dëshirën ti çoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

Sonte Ne Natë të errët të kujtoj
i trazoj un endrrat te ketij qyteti
te qytetit ku jam a m’beson
unë i thërras në argëtim

Ndonëse Jam ndjerë i vetmuar
ne atdhe kam deshirë për të takuar
a m’beson a m’beson
Une Te Therras ne argetim

Ref. 2

Enderr, o Enderr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe

E Dashur Këtu Jam i Vetmuar në qytet te huaj larg prej teje
larg prej deshires por zemrat bashkohen pres me mall që të kthehem ne atdhe

Ref. 2

Enderr, o Enderr
dëshiren ti qoja asaj
dhe thuaj më të dashurës
se unë një ditë do të kthehem në atdhe / KultPlus.com

Ndërron jetë këngëtarja fituese e çmimit Oscar, Irene Cara

Këngëtarja fituese e Oscarit, Irene Cara, ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare. Ajo është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Florida

Lajmin e hidhur e bëri të ditur menaxherja e marrëdhënieve me publikun, Judith A. Moose, e cila ka shkruar: “Me pikëllim të thellë njoftoj vdekjen e Irene Cara në emër të familjes së saj”. Ndërsa, shkaqet janë ende të pazbuluara, njoftoi përfaqësuesi i saj.

Cara u trajnua në muzikë, kërcim dhe aktrim që fëmijë dhe u shfaq në skenë dhe në televizion. Fama e saj u ngrit në qiell kur mori pjesë në muzikalin ‘Fame’ në vitin 1980. Fillimisht ajo u zgjodh si kërcimtare, por më pas për të u shkrua roli i Coco Hernandez.

Ajo u nominua për dy Grammy pas “Fame”, për artisten më të mirë të re dhe për këngëtaren më të mirë të popit, ndërsa në vitin 1983 Flashdance i solli asaj një Oscar./abcnews.al/ KultPlus.com

Për të harruar një grua

Prozë nga Ismail Kadare

Po tani ç’të bëj, thashë me vete, duke vështruar me radhë flegrat e lagura, të mbufatura nga shiu. Pastaj qilimin, derën, prej nga pak kohë më parë ajo kishte dalë, hirnoren e cigareve, me fjalët “Hotel Turizmi” anash.
Një copë herë u vërtita nëpër dhomë, gjersa këmbët më çuan pranë derës. Qëndrova pikërisht te vendi ku ajo më kishte përqafuar ndërsa dilte, me një përqafim që s’ishte as ndarje dhe as premtim për diçka më të mirë. Një përqafim i tillë te dera, pas një pasditeje të stuhishme, përfytyrohej, zakonisht, në sfond të dënesës, të pendimit për fjalët e ashpra dhe me buzë që synojnë drejt njëra-tjetrës për të falur gjithçka. Por asgjë e tillë s’kishte ndodhur. Unë i kisha mbajtur duart në xhepa, madje i kisha rrasur më thellë dhe, i ngrirë si dru, ndjeva buzët e saj te qafa dhe pastaj te cepi i gojës dhe prekjen e furishme të flokëve. Mundimshëm ndjeva nevojën ta përqafoja, sipas ritualit mijëvjeçar të mbarimit të grindjeve, por një gips mortor, i ikur nga kushedi ç’shtatore, s’më la të lëvizja.
S’isha penduar për asgjë. Isha vetëm i lodhur.
Në hirnore, dhjetëra bishtat e cigareve, të rënë njëri mbi tjetrin, si në një masakër (të sajtë si të vrarët e njërës palë, asaj pale që për t’u njohur mbante një rrip të kuq, dalloheshin vërtet nga shenja e të kuqit të buzëve), jepnin më mirë se çdo gjë atë që kishte ndodhur: furinë, shpjegimin e vështirë, fajësimet e ndërsjella që i kishim bërë njëri-tjetrit, lotët e pafund të saj. Sikur të kishte gjëkund një muze të hidhërimit, do ta kisha çuar atë hirnore.
Isha i lodhur. Gojën e kisha të hidhur. Doja të pushoja me çdo kusht. Me mosbesim vështrova shtratin, velenxën sipër tij dhe nënkresën. Vërtet shpresoja se mund të flija? Më erdhi të qeshja, kaq e pamundur m’u duk kjo.
Shushurima e shiut vinte që jashtë zbutëse. Duhej ta harroja me çdo kusht, ta nxirrja nga vetja ime atë grua. Por, së pari, duhej të nxirrja atë mbrëmje. Ishte gjëja më e ngutshme.
Duhej ta nxirrja atë grua, sepse gëzimet që më jepte ishin përherë më të pakta se mërzia.
E gjeta veten duke lëvizur nëpër ato pjesë të dhomës ku kishim lëvizur dhe ishim zhvendosur të dy gjatë atyre orëve të çmendura. Dhe përsëri hirnorja me bishtat e cigareve më mbajti në vend. E mora, e ktheva në pëllëmbë të dorës atë grusht bishtash, si të kisha përpara syve një gjë të pabesueshme. Të ftohura, të shkrumbuara vende-vende, ishin tani ato që pak më parë kishin qenë më afër se çdo gjë tjetër pranë fjalëve tona, frymëmarrjes së furishme, pendimit, dënesës.
Iu afrova dritares, shtyva flegrën dhe i flaka përjashta, në terr. Kështu hidhet hiri i të vdekurve, kur e lënë me testament, mendova. Duhej ta harroja patjetër atë grua.
Të përdorja gjithë mekanizmin e trurit tim për ta zhvlerë-suar. Ta godisja nga pika të ndryshme, në mënyrë që, kur të vinte ora e harrimit, ta kisha të lehtë rrënimin e saj.
Kisha ende një keqardhje të fundit për këtë, por isha i bindur se s’kishte rrugë tjetër. Do të shtrihesha pas pak horizontalisht (e kisha vënë re se në atë qëndrim mendoja gjërat më shkatërruese) dhe do të filloja… Do t’i ndiente vallë buldozerët që larg, në shtratin ku, ashtu si unë, me siguri, nuk flinte?
Dhe, papritur, më shkrepi në kokë një mendim: e sikur ta shkruaja gjithë këtë? E shkruar, ndoshta kjo mbrëmje mund të nxirrej më lehtë nga vetja. Ta trupëzoja për ta vrarë më lehtësisht.
Ashtu do të bëja.
Për çudi, siç më ndodhte përherë në kësi rastesh, mendimi i të shkruarit më dha qetësi. Si avioni që e nxjerr trupin e vet nga zona e stuhisë, ajo ide, më shpejt se ç’e mendoja, më nxori nga gjendja delirante në një shtresë më të qetë, sipër furtunës.
Dhe më parë se ç’e prisja, fjeta.
E njoha Polin e Jugut që larg (dallohej shtypja, ashtu siç e kisha mësuar në gjeografinë e tetëvjeçares). Dëgjohej një goditje e mbytur veglash. Kur iu afrova edhe më, pashë se atë zhurmë e shkaktonin tre njerëz me shtat të shkurtër. Diçka po bënin me boshtin e tokës. Nuk u bezdisën aspak nga prania ime dhe vazhduan punën e tyre. Dukej si një riparim.
Nuk e di nëse i pyeta ç’bënin ashtu apo vetvetiu m’u bë e qartë: po bënin një ndreqje në bosht. Një ndryshim, me sa dukej, në shpejtësinë e rrotullimit. Prej kësaj do të sajoheshin ditë të ndryshme, jo njëzetekatërorëshe, si më parë, por tridhjetetet-orëshe. Kurse netët do të ishin njëzetedyorëshe. Sipas studimeve dhe pyetësorëve të ndryshëm, paskësh qenë më mirë kështu. Kisha përshtypjen se diku kisha lexuar në shtyp për këtë gjë.
Desha t’i pyes: e kur do të fillonte ky kalendar i ri, por, s’di se pse, i pyeta për tjetër gjë: meqenëse merreshin me gjëra të tilla, me siguri, mund të zbërthenin nga bota copa të kohës.
Posi, u përgjigjën ata. Pra, e bënin edhe këtë dhe ndihej që s’e kishin të vështirë.
O Zot, sa e thjeshtë paskësh qenë ajo që dukej e pamundur: të shkulja nga vetja gjithë atë hidhërim.
U mundova t’ua shpjegoja, doja të hiqja nga vetja ime një ditë ose, më saktë, një mbrëmje të hidhur.
Ata qeshën.
Një mbrëmje? Po ne punojmë me copa të mëdha. Gjysma shekujsh, dekada, shumë-shumë, me vite. Kurse ditët janë vocërrima. Megjithatë (vështruan veglat e tyre), ndoshta me ato më të imëtat mund të kapim edhe ditët.
– Ku është ajo ditë? – pyeti njëri prej tyre.
– Si? – ia bëra unë.
– Dita që doni të shkëputni, në ju kuptova drejt. Ju doni ta hiqni atë dhe të lidhni prapë fijet, apo jo?
– Pikërisht.
– Atëherë, ku është ajo?
O Perëndi, s’më kujtohej asgjë. U mbyta në djersë, por koka sa vinte më bëhej më e turbullt.
– Në mos viti, së paku, koha, – tha ai.
Por mua s’më kujtohej asgjë. Dija vetëm që ishte e hidhur, tepër e hidhur.
– Po çka ndodhi atë ditë? Ndoshta, kjo ju kujtohet, – tha ai. – Ç’perandori është përmbysur, ç’tërmet ka rënë?
Vështruan njëri-tjetrin, kur e panë që s’përgjigjesha. Pastaj sytë e tyre të lodhur u kthyen diku anash, atje ku në një shtjellë të largët vërtiteshin, me sa dukej, ngadalshëm perandoritë e rrëzuara, themelitë e tërmeteve dhe skelete shekujsh. Vërtite-shin zymtas, të përshkuar nga vetëtima të ftohta.
Asgjë s’më kujtohej. Vetëm shija e hidhërimit, e pazbut-shme, e patretshme.
Pastaj m’u duk se pashë diçka, një si trajtë fustani që e merrte era në një luhatje mortore.
– Një grua, – thashë. – Ishte aty, në atë ditë, një grua…
Ata qeshën, por ftohtë. Pastaj vështruan prapë veglat e tyre.
– Po të jetë ashtu, është e pamundur. Këto vegla s’bëjnë për atë gjë.
– Ma hiqni atë mbrëmje me atë grua, – ulërita.
U zgjova.
Zhurmërimi i shiut më kujtoi më parë se çdo gjë tjetër se ku ndodhesha.
Hotel. Dhe jashtë gjethnaja e rënë dhe kufomat e cigareve të masakruara, ku njëra palë mund të dallohej prej tjetrës nga rripi i kuq…
Ajo ishte aty pranë, disa hapa larg dhe, me siguri, ishte e paqetë dhe kishte makth, ngaqë, në një mënyrë ose në një tjetër, duhej të ndiente që unë përpiqesha ta varrosja.

1981./ KultPlus.com

Ismael Kadaré author 2005

Pas Elton John, Dua Lipa publikon foto nga studio bashkë me Mick Jagger

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, sot ka ndarë me ndjekësit një fotografi me vokalistin e grupit ‘Rolling Stones’, Mick Jagger, shkruan KultPlus.

‘Javë e ëmbël’, ka shkruar Lipa teksa ka bashkëngjitur fotografitë nga studio bashkë me Jagger.

Nuk dihet nëse ata të dy po paralajmërojnë një bashkëpunim përmes këtij postimi apo është një foto mes miqsh./ KultPlus.

Orkestrat simfonike të ushtrive të Shqipërisë, Kosovës, vendeve të NATO-s e SHBA-së, me koncert bamirësie për Ukrainën

 110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë përkon njëherësh edhe me 110-vjetorin e krijimit të ushtrisë shqiptare.

Me këtë rast Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë organizojnë për herë të parë në 3 dhjetor 2022, ora 19:00 në Pallatin e Kongreseve, koncertin madhështor “110 vjet Forca të Armatosura – Së bashku për paqen”.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “në koncert do të performojnë mbi 300 artistë nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, Banda e Ushtrisë shqiptare si dhe Bandat e ushtrive të Kosovës, vendeve të NATO, si SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia”.

Rama bëri të ditur se të ardhurat e realizuara nga biletat do të shkojnë në mbështetje të familjeve me fëmijë të lënduar nga lufta në Ukrainë.

Kjo është hera e parë që një aktivitet i këtij dimensioni zhvillohet në Shqipëri. Mbështetës të këtij aktiviteti janë: Ministria e Kulturës, bashkia Tiranë dhe Ambasada e Ukrainës në Shqipëri./ atsh/ KultPlus.com

Filmi ‘Nëntori i Ftohtë’ i regjisorit Ismet Sijarina, nga sot në Netflix

Filmi shqiptar ‘Nëntori i Ftohtë’ me regji të Ismet Sijarinës nga sot ka filluar të shfaqet në Netflix, përcjell KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga aktori Fatmir Spahiu, i cili ka një prej roleve kryesore në këtë film.

Në vijim mund të gjeni postimin e plotë të Spahiut:

Miq, nje lajm i mire i akshamit, javes dhe muajit.

Nje lajm i mire per mua dhe per te gjithe, regjisorin, bashkepunetoret, bashkeproducentet.

Nje projekt i prodhuar dise vite me pare, me shume mund e sakrifice. Projekt i cili pasqyroj sakte dramen njerzore te nje njeriu i cili ndodhej ne mes dy zgjidhjesh, dyjat te gabuara. Projekt ky qe mijera shikuesve neper bote ju beri te qarte vitet e fillimit te apart’heidit kosovar. Film ky qe na beri krenare ne shume festivale boterore, duke nisur nga San Sebastian Film Festival, Zurich Film Festival, e deri tek Selaniku, e keshu me radhe.

Film qe na solli plot cmime e plot momente krenarie.

“Nentori i Ftohte” i regjisorit dhe koproducnetit Ismet Sijarina nga sot mund te shihet ne NEFLIX.

Lezet pas shume vitesh me ju rikthy keti filmi edhe nje here.

Falemnderit bashkepunetorve.

Shikim te kendeshem../ KultPlus.com

49 përfitues në thirrjen për art dhe trashëgimi kulturore

49 artistë janë përfitues të thirrjes për art dhe trashëgimi kulturore të hapur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përcjell KultPlus.

Sot është publikuar lista përfundimtare e projekt propozimeve përfituese të individëve në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore.

Klikoni KËTU për të parë listën e përfituesve./ KultPlus.com

Vera Ora uron Ritën për ditëlindje: Ke zemrën më të madhe sesa trupin

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, sot feston ditëlindjen e 32-të, shkruan KultPlus.

E në këtë ditë special, një urim të veçantë e mori nga nëna e saj, Vera.

“Urime ditlindjen Rita pita me zemer me te madhe se sa krejt trupin qe e ke!
Te duam shume dashurija qe ke prej meje dhe tere familjes eshte qmimi ne i madh qe do te kesh tere jeten”, ka shkruar Vera Ora në Facebook./ KultPlus.com

‘Sytë e Duert e Jueja Duhet të Shifen Kudo’ nga Blerta Haziraj sjell në jetë revistat e para të botuara nga gratë në Kosovë

Uranik Emini

“Një grua e vetme ka fuqi, kolektivisht kanë ndikim”.

Tradicionalisht njerëzit janë mësuar të jenë në konkurrencë me njëri-tjetrin, kështu thotë historia duke u nisur nga lufta për mbijetesë. Duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë, njerëzit dhe veçanërisht gratë, të cilat shpesh konsiderohen të diskriminuara në shumë fusha, kjo nuk i ka penguar ato që të mund të bëjnë dhe të krijojnë gjëra të mëdha. Kjo gjë u shfaq edhe në filmin “Sytë e duert e jueja duhet të shifen kudo” me regji të Blerta Hazirajt, shkruan KultPlus.

Njerëzit u mblodhën në Bunkerin te Fontana në Ulpianë, për të parë nga afër filmin që sjell në jetë historinë e Frontit Antifashist të Grave të Kosovës, pas luftës së dytë botërore në Kosovë dhe materialet e shtypit me të cilat ato përçonin mesazhe dhe adresonin çështjet e grave. 

Krahas filmit që u shfaq mbrëmë, njerëzit kishin mundësi të shihnin nga afër edhe materiale nga revistat “Buletini” (1946-1949) dhe “Agimi” (1949), gjithashtu edhe disa shkrime nga e famshmja “Rilindja” e materiale të tjera të cilat hulumtuesja i kishte mbledhur përgjatë vitit 2022. Ndërsa, sikurse qershia mbi tortë, po qëndronte edhe një ilustrim të krijuar në bashkëpunim me artisten Bilgie Emir, i inspiruar nga përmbajtja e artikullit ‘Zhvillimi dhe Masovizimi i Frontit Antifashist të Grave të Kosovës (1941-1945)’ nga Sulltane Ukaj, i botuar në revistën shkencore Kosova (1977).

Në posterin i cili po qëndronte i varur në mur, shiheshin 4 gra kosovare të cilat gjatë luftës nacional çlrimitare kishin këputur telat e shtyllave telefonike, për të ndërprerë komunikimin e fashistëve.

E për të gjallëruar këtë histori dhe aktivizmin e tij letrar, filmi “Sytë e duert e jueja duhet të shifen kudo” paraqet historinë e Grave Antifashiste në të tashmen përmes grave të fshatrave të Kosovës, të cilat mësojnë dhe lexojnë me zë të lartë këtë histori. Ndërsa gratë lexojnë revistat, fragmentet e tyre gjallërojnë historinë dhe reflektimin e regjisores për takimin e saj me arkivin.

Ndërkaq, Blerta Haziraj tha për KultPlus se ky projekt ka ardhur si rezultat i një pune arkivore që në fokus ka pasur të gjejë gazetat që janë botuar në Kosovë prej grave, menjëherë pas luftës së dytë botërore.

“Ky projekt është si rezultat i një pune arkivore që e kam nisur në fillim të këtij viti e që fokus kryesor e ka pasur të gjejë gazetat e para që janë botuar në Kosovë prej grave, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. E para është revista “Buletini” që është botuar për herë të parë në vitin 1946 në Prizren, e cila ka ardhur në Prishtinë në vitin 1949, ku edhe e ka ndryshuar emrin në “Agimi”, deklaroi ajo.

Këto dy revista kanë qenë organ i Frontit Antifashist të Grave, një lëvizje e gjerë në gjithë Jugosllavinë, e cila është zhvilluar përbrenda Frontit Popullor menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ideja kryesore është që këto materiale, bashkëme tekste dhe shkrime të tjera të jenë pjesë e një publikimi i cili do t’i anotojë këto materiale dhe të japë një kontribut nëhistoriografinë tonë.

“Kjo organizatë ka mobilizuar gratë në ngritjen e tyre kulturore, ekonomike, arsimore e edukative. Për gjatë këtyre gjashtë muajve kemi hulumtuar për këtë lëvizje e përveç dy revistave të lartpërmendura, kemi gjetë edhe materiale të tjera nga gazeta “Rilindja” dhe artikuj të tjerë. Këto revista e këto materiale që i kemi mbledhur kanë me qenë pjesë e një publikimi, që po shpresojmë të publikohet në vitin tjetër”, shpjegon Haziraj.

Korrespodenca e grave sikurse të ishin profesioniste të lindura

“Një sen që më ka befasuar gjatë këtij hulumtimi është korrespodenca që është bërë nga gratë, jo vetëm në rajon, por në gjithë Kosovën e sidomos mes fshatrave dhe qyteteve. Krahas librit që do të bëhet, kam vendosur që të bëjë edhe një film ku kam vizituar disa gra nëpër fshatra sikurse Dukagjini e Drenica. Në të njëjtën kohë, e kam shfrytëzuar që përmes filmit të shpalos sfidat që i kam pasur për të gjetur këto materiale. Diçka tjetër që mund ta shihni këtu është një ilustrim që është në dhomën tjetër, për të cilin jam inspiruar nga një artikull që është botuar në vitin 1977 nga historiania Sulltane Uka, në revistën shkencore “Kosova”. Në atë artikull shkruhet për zhvillimin dhe masovizimin e Frontit Antifashist të Grave, aty jipen edhe disa prej aktiviteteve ilegale që kanë kryer këto gra. Një prej tyre është kur ato i prejnë shtyllat telefonike, që të ndërpresin përcjelljen e mesazheve nga ushtarët fashistë”, thotë tutje regjisorja.

Në anën tjetër, Tevfik Brada, si njëri prej personave që ka ndihmuar Hazirajn në këtë hulumtim, shprehet për KultPlus se neglizhenca e institucioneve ka bërë që të “harrohet” kjo histori.

“Këtu është një histori që është neglizhuar. Pra, Fronti Antifashist i Grave pas të 80-tave kur ka nisur konfilktet ndër-etnike këtu, e popujt që vijnë nga posht ë janë harruar. E dyta, për shkak të neglizhencës, në Agjencinë Shtetërore të Arkivave nuk ka më materiale nga kjo periudhë. Ne kemi shkuar atje disa herë e kemi kërkuar materiale që janë arkivuar, por nuk kemi marrë përgjigjje pozitive. Ka 3-4 gjëra në dosje që unë i kam lypur dhe nuk kanë mundur t’i gjejnë”, thotë ai.

Materiali origjinal i pranishëm vetëm në Kosovë

“Mund të them që shteti i Kosovës ka thënë që kjo periudhë kohore nuk është pjesë e historisë sonë dhe ka ndodhur një neglizhencë e madhe. Ne kemi marrë materialet nga Eli Krasniqi, hulumtuese e cila i ka marrë nga Qendra Arkivore kur ajo ka qenë në gjendje më të organizuar. Ky material origjinal gjendet vetëm në Kosovë, e përkundër faktit që psh revista Agimi është botuar në tirazh 1000 copa e poashtu edhe nëgjuhën serbe, është interesant që janë materiale të cilat nuk i njohim, u shpreh Haziraj.

Ideja që lindi “rastësishëm” gjatë një hulumtimi tjetër

“Vitin e kaluar kam qenë duke punuar me një hulumtim tjetër,edhe ai poashtu gjysmë-arkivor dhe ka qenë i fokusuar nëkuptimin e diskursit dramaturgjik të gratve në dramat moderneshqiptare. Edhe gjatë hulumtimit, duke kërkuar shumë gjëra të tjera, i kam mbledhur rreth 100 drama shqiptare që janë publikuar pas Luftës së Dytë Botërore, e pastaj duke mbledhur literaturë pata hasur në një libër të zonjës së ndjerë Drita Bakija Gunga, ku ndër të tjera flitet për pozitën dhe zhvillimin e organizimit politik të  grave të Kosovës gjatë periudhës së Ndërtimit Socialist. Aty ka statistika e të dhëna të ndryshme për kushtet dhe pozicionimin e grave në shoqëri. Njëri prej kapitujve ka qenë roli i shtypit në emancipimin e gruas shqiptare. Aty e pata lexu se Fronti Antifashist i Grave ka publikuar revistën “Buletini”dhe “Agimi”andaj edhe e kam shkru projektin për CHwB, programin Heritage Space me të vetmin qëllim që me i gjetë dhe me e hapë këtë arkive.

Hulumtimi i thellë, përtej arkivave shtetërore

“Dokumentat që e tregojnë aktivizmin e Frontit Antifashist nuk janë në arkivë, d.m.th as nuk figurojnë në regjistër. Njerëzit që punojnë në arkivë nuk kanë mundur të gjejnë materiale për shkak të ri-organizimit momental në arkivë. Unë kam lypur materiale edhe nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, kam gjetur arkiva nëpër revista shkencore, artikujë, shkresa, biografi, ese e poezi që kanë mundur t’i bëjnë jehonë këtyre dokumenteve. Kryesisht tekstet që janë bërë gjatë periudhës socialiste e tregojnë më shumë këtë temë.. Qëllimi kryesor i këtij projekti ka qenë libri, që tash është në progres e sipër, e i cili do të ftojëedhe hulumtues e studiues të tjerë që të jenë pjesë, përfundon regjisorja Haziraj.

ATO është nismë hulumtuese që synon t’i gjejë materialet arkivore të Fronit Antifashist të Grave në Kosovë (FAGK) prej vitit 1945 deri në vitin 1954. Hulumtimi përqendrohet në interpretimin e këtij aktivizmi letrar duke analizuar revistat Buletini dhe Agimi si dhe materialet e tjera tekstuale të asaj kohe. /KultPlus.com

“Përmes lentes të leximit”, ekspozitë fotografike mbi magjinë e leximit

“Përmes lentes të leximit” është një ekspozitë fotografike, e cila synon të sjellë në vëmendje rëndësinë e leximit për brezin e ri përmes lenteve të aparatit fotografik.

Fotografitë janë letra artistike të printuara bardh e zi në përmasa të ndryshme. Fotografi Dauti prezanton magjinë e të lexuarit përmes objektivit të aparatit të tij. Protagonistët janë njerëz të zakonshëm të cilët bashkohen në një proces të përbashkët, atë të leximit, të vjetër sa vetë koha. Çdo individ e përjeton procesin në mënyrë unike duke u lidhur me pjesët më intime të shpirtit të tij.

Në një kohë kur të rinjtë, përveç teksteve shkollore, janë kryesisht të fokusuar te pajisjet elektronike, kjo ekspozitë vjen si një ftesë për të sfiduar trendet e momentit dhe për t’u rikthyer te leximi i librave.

Një event kulturor ku kombinohen forma të shumta arti si fotografia, muzika, leximi i poezive nga Ema Andrea, librat në rafte dhe ekspozita virtuale për ata që do ta ndjekin virtualisht.

Ky event kulturor synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e leximit tek të rinjtë dhe përfshirjen e tyre aktive në aktivitete kulturore që lënë gjurmë dhe gjenerojnë angazhim dhe veprim në shoqëri.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në datat 26-27 nëntor në ambientet e shtëpisë muze “Ismail Kadare” dhe Qendrës Kulturore “Tulla”.

Fotografitë e ekspozitës janë përzgjedhur pa kohë dhe pa fytyrë për të treguar se leximi është njëkohësisht një zakon sa i vjetër dhe aktual. Ato përfaqësojnë virtytin e leximit si një proces që lejon kontaktin me pjesën më të pastër të shpirtit. Në ekspozitë, fotografitë ndryshojnë në ide dhe mesazhe. Çdo vizitor mund të gjejë diçka për të nxitur një emocion. /atsh /KultPlus.com

“Nuk ka gjë më të lehtë se të korrësh duartrokitjet e maskarenjve”

Thënia nga më të vlefshmet nga vijnë nga vende të ndryshme të botës. Sot po ju sjellim këtë koleksion të urtësisë së kulluar nga vende të ndryshme.

Duke u nisur nga fakti që çdo lindje është e mundimshme do të ishte gabim të mendohej se edhe çdo mundim është një lindje.

Është e lehtë t’i urresh ata që nuk i njeh mirë.

Rrushi jep tre frute njëri pas tjetrit: kënaqësitë, dehjen dhe pendimin.

E shtyrë nuk do të thotë ende e anuluar.

Më e lagur se e lagura nuk mund të ketë.

Pronësia është e neveritshme në parimin e saj, dhe vrastare në pasojat e saj.

Kuturisja nuk njeh kufi.

Të gjitha komeditë përfundojnë me dasma.

Lotët e pleqve janë të tmerrshëm, aq sa ç’janë të natyrshëm lotët e fëmijëve.

Në mjekësi, karroca (automobil sot) nganjëherë është më e rëndësishme se dijet.

Nuk ka mirëkuptim më të madh në botë, se sa midis dy brendave të ngjashme.

Zogu njihet nga kënga.

Të dashuruarit i ngjajnë somnambulëve, ata shohin jo vetëm me sy, por me gjithë trupin.

Ndjenja e ironisë – garanci e fortë e lirisë.

Vuajtjet e thella nuk flasin.

Asgjë nuk vjen vetiu, asgjë nuk jepet më paradhënie, çdo gjë krijohet.

Dashuria? Është rruga më e shkurtër nga një zemër te tjetra: vijë e drejtë.

Fakti në vetvete nuk është asgjë; ai fiton vlerë vetëm në sajë të idesë me të cilën lidhet ose përforcon argumentin që i detyrohet.

Kushtëzimi duhet respektuar në të veçantën, rregulli në të përgjithshmen.

Vera për trupin, qeshja për shpirtin.

Korniza ku është futur guri i çmuar rrit çmimin, por jo vlerën e tij.

Uji i ndenjur është helmues.

Kudo që të ngjitet zogu me krahët e vet, nuk është shumë lart për të.

Të rrahurat dhe të sharat janë si ilaçet: ndjeshmëria ndaj tyre vjen duke u ulur shpejt dhe lind nevoja të dyfishohen dozat.

Korbi e gjen kërmën.

Në sheshin e tregut nuk rritet bari.

Të përkundërtat nuk janë në kundërshti me njëra-tjetrën, ata vetëm plotësojnë njëra-tjetrën.

Kurora mbulon shpesh herë një çaçkë boshe.

Më thuaj çfarë ha, të të them kush je.

Në të ardhshmen ne futemi bythambrapsht.

Dukuritë më tragjike nuk janë aspak edhe më seriozet.

Të gjesh është lehtë, vështirë është të thithësh të gjeturën.

Moda është e gjinisë femërore, ndaj edhe është aq kapriçoze.

Zemra…është një enë e shenjtë, plot me të fshehta.

Përrenjtë e vegjël janë të kaltër sepse janë të cekët.

Suksesi gjithnjë ka qenë pjellë e leximit.

Ambasadorët janë syri dhe veshi i shtetit.

Gjumi shpikje e mrekullueshme.

Shqipja, që çan retë me fluturimin e saj trimëror, pranë sipërfaqes së tokës fluturon ngadalë se dallëndyshja.

Përgjigja më e shkurtër është veprimi.

Kujdesi futet edhe në vrimën e çelësit.

Ku ka shumë dritë edhe hijet janë më të dendura.

Kur kafeja të derdhet në rroba, ajo nuk është më kafe, por papastërti.

Shija e pudingut njihet në të ngrënë.

Shtërzuan malet dhe lindën një mijë të mjerë.

Premtimet janë kurthe ku bien budallenjtë.

Ideali, ashtu si pema, duhet të lëshojë rrënjët thellë në tokë.

Miku më i madh dhe armiku më i madh i njeriut është përfytyrimi i tij.

Nuk ka gjë më të lehtë se të korrësh duartrokitjet e maskarenjve.

Debati – kripa e mendimit.

Vetia themelore e prozës së mirë është që ajo të jetë e natyrshme dhe ritmike, siç është frymarrja.

Margaritari nuk firon në baltë.

Ligësia është si mushka: kryeneçe dhe shterpë.

Të udhëtosh do të thotë të lindësh dhe të vdesësh minutë për minutë.

Tri gjërat nuk kthehen më kurrë: shigjeta e lëshuar, fjala e thënë dhe ditët e kaluara.

Nuk mjafton vetëm të kesh mendje të shëndoshë – rëndësi ka të dish ta përdorësh atë.

Risia është në mendjen krijuese dhe jo në natyrën e pasqyruar.

Çdo gjellëbërës lëvdon salcën e tij.

Errësira më e thellë është në orët para agimit.

Parfumet më të mira janë gjithmonë në shishka të vogla.

Uji që rrjedh jashtë vijës nuk shërben për të vënë në lëvizje mullirin.

Rëndësi ka hapi i parë.

Të shkurtosh distancën do të thotë të përshpejtosh kohën. Këtej e tutje ne nuk do të jetojmë më shumë, ne do të jetojmë më shpejt.

Kush lexon, ai di shumë; kush vrojton ai di, herë-herë, edhe më shumë.

Malli i ofruar, thuajse përgjysmë i shitur.

Vetëm intonacioni bind.

Gjithçka e saktë është e shkurtër.

Mendimi ngjizet në shpirt, si reja në ajër.

Gjenialiteti është aftësia për të parë të padukshmen, për të lëviz të pakapshmen, për të pikturuar ç’nuk ka formë.

Secilit sipas nevojave, prej secilit sipas aftësive.

E kemi vështirë të ndahemi me arë që e deshëm për aq kohë me zjarr.

Më e lehta dhe më e thjeshta shpesh herë kërkon shumë mund për t’u gjetur.

Gjumi ka gjithësinë, gjeografinë, gjeometrinë dhe kalendarët e tij.

Ku sheh syri dhe shkel këmba e të zotit të punës, atje edhe dheu rilind.

Hapi i atyre që prijnë është më i fortë se i atyre që vijnë pas.

Kush nuk lë gjë pa bërë, duhet t’i trembet çdo gjëje.

Duhet shumë thjeshtësi për të krijuar diçka të madhe.

Lumenjtë më të thellë rrjedhin me më pak zhurmë.

Favoret mbretërore nuk i përjashtojnë meritat, por nuk janë edhe provë e ekzistencës së tyre.

Rrallë fitojmë veti të cilat nuk na hyjnë në punë.

Konkretja s’është veçse abstraktja e bërë e zakonshme në saje të përdorimit.

Veprimi vërtetë është ai që kryhet duke mposhtur natyrën tënde, duke mposhtur egoizmin tënd.

Hapësira është simboli i pushtetit tim. Koha simbol i pafuqisë sime.

Era fik qiriun por ndez zjarrin.

Interesi flet në të gjithë gjuhët dhe i luan të gjitha rolet, duke përfshirë edhe atë të mosinteresit.

Pasionet janë oratorët e vetëm që bindin gjithmonë.

Njeriu më lehtë heq dorë nga leverdia se sa nga pasioni.

Duke plakur bëhesh më i çmendur dhe më i mençur.

Kryelartësisë nuk i pëlqen të jetë borxhlie, ndërsa sedrës nuk i pëlqen të paguajë.

E mirë zonja e shtëpisë – e mirë dhe vera.

Ai që është gjithmonë dhe me çdo gjë i kënaqur, nuk kënaq asnjeri.

Fisnikëria e shpirtit të bën borxhli.

Shkencëtar nuk është ai që jep përgjigjet e duhura, por ai që shton pyetjet e duhura.

Zogu, edhe kur ecën, duket që ka krahë. /KultPlus.com

Hija e shpirtit tim

Poezi nga Federico García Lorca

Hija e shpirtit tim
Fluturon në një perëndim alfabeti,
Mes librash
Dhe fjalësh.

Hija e shpirtit tim!

Kam arritur në vijën ku bie
Malli,
Dhe pika e vajit shndrrohet,
Në albastër shpirti.

(Hija e shpirtit tim!)

Kupa e dhimbjes
u mbarua,
por kjo është arsyeja dhe përmbajtja
e buzëmbledhjeve të vjetra të mesditës
e vështrimeve të vjetra të mesditës.

Një labirinth i mjegullt
Yjesh të tymtë
Grackon iluzionet e mia
Aq të venitura.

Hija e shpirtit tim!

Dhe një aluçinacion
Mëkon vështrimet.
E shoh fjalën dashuri
Të zhveshur.

Bilbili im!
Bilbil!
A po këndon? /KultPlus.com

“Kur do ta shijosh ti botën, cigarxhiu im i vogël” (VIDEO)

Adelina Ismaili, e njohur më së miri si këngëtare, brenda karrierës së saj është parë shpeshherë edhe si aktore e ikonë e bukurisë, shkruan KultPlus.

Koha në të cilën ka kënduar, e shpirti i saj revoltues, nuk mund të mos i preknin edhe çështjet me të cilat përballej shoqëria e asaj kohe. Që nga temat politike, deri tek ato sociale, kënga e saj u bë jehonë e realitetit kosovar. Por Adelina Ismaili me këngën, sharmin e stilin e saj të veçantë artistik, arriti të depërtoj në të gjitha trojet shqiptare e më gjerë.

Adelina Ismaili është rritur duke e kënduar, e shumë fëmijë të tjerë janë rritur me muzikën e saj. Kënga e saj “Cigarxhiu im i vogël”, është një këngë e cila arrin të prek në çdo sekondë të interpretimit, është si një melodi që vije në kokë sa herë një lypsar vjen e të ofron një kuti cigare. Nëse shikohet teksti i kësaj kënge në retrospektivë, del të jetë edhe sot më aktual se gjithmonë. Kënga si e tillë, u bë jehonë e mjerimit të shoqërisë, e fëmijëve lypsar e sofrave të zbrazura. Përveç interpretimit, këngëtarja Adelina Ismaili shpërfaq edhe një ndjeshmëri artistike e shpirtërore, gjatë këndimit të çdo fjale të tekstit.

Përveç këngëve ritmike, Adelina Ismaili e kishte kënduar këtë këngë edhe në Suedi, në vitin 2002. Që në titullin “Cigarxhiu im i vogël”, shihet lidhje personale që shpërfaq këngëtarja ndaj lypsarit e ndjeshmërinë që ka ajo ndaj këtij fenomeni, kërkon që të luftohet në mënyrë kolektive.

“Është një fenomen që është i pranishëm në trojet tona, fenomen që mua më prek shumë dhe që duhet që të gjithë së bashku ta luftojmë atë”, kishte thënë këngëtarja, para interpretimit të këngës në Suedi.

KultPlus sot ju sjellë edhe tekstin e kësaj kënge.

Është ftohte ne këtë qytet
e ai prape shëtitet vet
dora e vogël prape është ngrirë
a do ta shes edhe një kuti?
Hyn ngadalë me turp shikon
dorën e vogël e afron ,
donë një cigare?- lehtas pyet
shpresa dhe dhembja ja prekin sytë.
A do te shkosh sonte në shtëpi ,
edhe sa goje te presin ne voter
a do te kesh buke në sofër?
Kur do te ngrohen ato duar,
kur do ta shijosh ti boten
cigarxhiu im i vogël
Gjithë kalojnë e nuk e vërejnë
ai shikon se a do te blejnë,
mendon me vete e nuk e di.
A kane buke ata në shtëpi?
Atëherë, një vrull e rrëmben
krenarinë anash e lenë,
dhe prape dëgjon atë zë femiju
a do cigare zotëriu?
A do te shkosh sonte ne shtëpi ,
edhe sa gojë të presin në voter
a do te kesh buke ne sofër?
Kur do te ngrohen ato duar,
kur do ta shijosh ti boten
cigarxhiu im i vogël
/KultPlus.com

E mrekullueshmja Rita Ora feston ditëlindjen e saj të 32-të

Rita Sahatçiu Ora e lindur më 26 nëntor 1990, është një këngëtare dhe aktore britanike me prejardhje shqiptare. Suksesi i saj u rrit në shkurt të vitit 2012, kur ajo u paraqit me teken Hot Right Now, bashkëpunim me DJ Fresh-in, e cila arriti numrin një në Mbretërinë e Bashkuar.

Albumi i parë i saj Ora, që doli në shitje në gusht të vitit 2012, arriti numrin një në Mbretërinë e Bashkuar. Albumi përmbante teket Britanike R.I.P dhe How We Do (Party). Ora ishte artistja me numrin më të madh të tekeve në listën britanike në vitin 2012, me tre teke rradhazi që arritën në pozitën më të lartë.

Në janar 2014, Adidas njoftoi një bashkëpunim projektues me Ritën për markën e tyre, Adidas Originals. Gjithashtu në vitin 2014, kënga I Will Never Let You Down u rendit e katërta në Mbretërinë e Bashkuar dhe ajo u shfaq në teken “Black Widow ” të Iggy Azalea, e cila arriti numrin pesë në Mbretërine e Bashkuar dhe SHBA. Në 2015, Ora u bë trajnere në serinë e katërt të The Voice UK dhe, më vonë atë vit, një gjyqtare në serinë e dymbëdhjetë të The X Factor.

Albumi i dytë i saj në studio, Phoenix, doli në shitje në nëntor 2018. Tekja Your Song arriti numrin dhjetë në Britaninë e Madhe dhe teket Anywhere dhe Let You Love Me arritën numrin pesë në Mbretërinë e Bashkuar; kjo e fundit e bëri Orën artisten e parë femër britanike që të ketë gjithsej trembëdhjetë këngë të cilat kanë arritur të paktën pozicionin e dhjetë në listat e Mbretërisë së Bashkuar.

Ora ka lindur në Prishtinë, në Provincën Jugosllave e Kosovës, nga prindër shqiptarë. Nëna e saj, Vera, është psikiatre dhe babai i saj, Besnik Sahatçiu, është ekonomist e pronar kafeneje. Ora ka një vëlla më të vogël, Don, dhe një motër më të madhe, Elena, e cila është gjithashtu pjesë e ekipit të saj të menaxhimit. Ajo ka lindur si Rita Sahatçiu, mbiemri rrjedh nga fjala turke saatçi që do të thotë “orëndreqës”, por prindërit e saj më vonë e shtuan Ora në mënyrë që të mund të shqiptohet lehtë.

Familja e saj u largua nga Kosova për arsye politike, për shkak të persekutimit të shqiptarëve etnikë të filluar me shpërbërjen e Jugosllavisë. Ata u zhvendosën në Londër, Angli në vitin 1991, kur ajo ishte njëvjecare. Ajo u rrit pranë rrugës “Portobello” në Londrën Veriore dhe mori pjesë në St. Cuthbert me shkollën fillore “St Matthias” në Earls Court, pas së cilës u diplomua nga një shkollë e arteve të interpretimit, Sylvia Young School Theatre. Ajo filloi të këndojë në moshë të re.

Tani, Ora është në lidhje dashurie me regjisorin Taika Waiti, ku në paraqitjet e tyre të fundit, duken shumë të lumtur. /Wikipedia/ /KultPlus.com

Kurti: Në dhjetor aplikojmë për anëtarësim në BE

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të këtij viti.

Ai kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetarin e Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens.

“Kosova do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në BE në dhjetor”, ka njoftuar gazetari përmes një postimi në Twitter.

Martens shkruan se kryeministri Kurti në këtë intervistë ka treguar se ka bërë kompromis për çështjen e targave pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, se situata në veri të Republikës së Kosovës “mund të përkeqësohej rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

Gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung njoftoi se po ashtu në intervistë u trajtuan shumë çështje të tjera si udhëtimi pa viza për kosovarët në BE që nga viti 2024, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës etj.

“Së shpejti. Jo në një kinema pranë jush, por në Frankfurter Allgemeine Zeitung”, paralajmëroi ai. /KultPlus.com

“Përtej territ” më 29 nëntor do të shfaqet në Kino Armata

Më 29 nëntor në ambientet e Kino Armata, do të shfaqet filmit “Përtej Territ” me regji të Donjeta Mejtanit, shkruan KultPlus.

Tri gra të guximshme kosovare rrëfejnë historitë e jetës së tyre se si i mbijetuan abuzimeve e dhunës, mirëpo rastet e tyre mbesin të neglizhuara ndër vite dhe të pazgjidhura si duhet nga institucionet e shtetit të Kosovës.

Ndërkohë që akoma presin ndihmën që u takon, ato japin detaje të luftës së tyre për shpëtim dhe kërkojnë që drejtësia të vihet në vend.

Megjithatë, për të ngritur zërin hapurazi rreth sfidave nëpër të cilat kaluan, u kërkua guxim, dhe ato shpresojnë se guximi i tyre për të dalë prej territ në dritë do të ketë jehonë në shoqërinë dhe institucionet kosovare.

Pas filmit do të ketë panel diskutimi, i hapur për pyetje, ku do të marrë pjesë edhe njëra nga personazhet në film, e mbijetuar e dhunës në familje. /KultPlus.com

Një IPPON i jashtëzakonshëm nga Distria Krasniqi (VIDEO)

Distria Krasniqi, kampione olimpike, aktualisht është në garë për ekipin e Galatasaray të Turqisë në Ligën e Kampionëve në Xhudo, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje e nivelit të lartë është për klubet evropiane të xhudos.

Marrëdhëniet e Federatës Kosovare me Galatasarayn janë shumë të mira, prandaj shpesh here kemi parë xhudistet nga Kosova që të përfaqësojnë ekipin turk.

Distria e nisi garën me një fitore mjaft të bukur. /KultPlus.com

Deri më 8 janar 2023 mbyllet rruga “George Bush” në Prishtinë – ndryshon qarkullimi i autobusëve në kryeqytet

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se duke filluar nga sot e deri më 8 janar 2023 për shkak të festave të fund vitit rruga “Xhorxh Bush”, duke filluar nga udhëkryqi i “Bill Klinton” deri në udhëkryqin e rrugës “Garibaldi”, do të jetë e mbyllur.

Komuna e Prishtinës njofton se rrjedha e qarkullimit të autobusëve do të ndryshojë.

Me ndryshimin e qarkullimit të autobusëve mund të njoftoheni në bazë të fotografive të mëposhtme:

Linja Nr. 1 – Ndryshimi i linjës nga drejtimi F. Kosovë – Prishtinë dhe anasjelltas do të realizohet përmes rrugës “Robert Doll” në drejtim të rrugës “Luan Haradinaj” për në pikën e fundit tek Fakulteti Teknik.

Linja Nr. 1A – Ndryshimi i linjës 1A në shkuarje dhe ardhje do të vazhdon në rrugën “Bulevardi Bill Clinton” për në drejtim të “Bulevardit Dëshmoret e Kombit” dhe përfundon në Stacionin e Autobusëve.
Linja Nr. 3 – Ndryshimi i linjës nga drejtimi Bardhosh – Mat dhe anasjelltas do të realizohet përmes rrugës “Robert Doll” në drejtim të rrugës “Luan Haradinaj” për në stacionet e fundit.
Linja Nr. 4 – Ndryshimi i linjës nga drejtimi Matiqan – Gërmi dhe anasjelltas do të realizohet përmes rrugës “Robert Doll” në drejtim të rrugës “Luan Haradinaj” për në stacionet e fundit.
Linja Nr.7C – Ndryshimi i linjës 7C nga rruga “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”, linja vazhdon në rrugën  Bulevardi Bill Clinton” në drejtim të pikës së fundit në lagjen Kalabria. /Gazeta10

Linja Nr.7C – Ndryshimi i linjës 7C nga rruga “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”, linja vazhdon në rrugën  Bulevardi Bill Clinton” në drejtim të pikës së fundit në lagjen Kalabria. /Gazeta10

Në mbledhjen e Aktivit Politik të Gjakovës doli kërkesa për Republilën e Kosovës

Nga Jusuf BUXHOVI

Plenumi i Katër i Komitetit Qendror të LKJ-së i quajtur edhe Plenum i Brioneve, i mbajtur në fillim të korrikut të vitit 1966, me rrëzimin e linjës etatise të Rankoviqit, Titos ia krijoi mundësitë që kursin e vetëqeverisjes socialiste ta vërë në binarët e një procesi me ndihmën forcimit të federatës jugosllave jashtë mbikëqyrjes së Beogradit. Kjo hapte mundësitë për shqyrtimin e avancimit të pozitës së Kosovës si krahinë nga ajo në kuadër të Serbi në drejtim të federatës jugosllave. Në mbledhjen e Komisionit të Komitetit Qendror të LKJ për marrëdhënie ndërnacionale dhe ndërrepublikane, më 20 shkurt 1967, me rastin e shqyrtimit të tezave “Karakteri dhe roli i Federatës në kushtet e sistemit të vetëqeverisjes shoqërore dhe struktura e organeve të Federatës në lidhje me këtë rol”, përfaqësuesi i Kosovës në këtë Komision, Asllan Fazlia, paraqiti mendimin: “meqenëse të njëjtët faktorë që kanë sjellë krijimin e njësive federale – kanë sjellë edhe krijimin e njësive autonome, atëherë edhe shkalla e të drejtave të republikave dhe të krahinave autonome duhet të jetë e njëjtë, përkatësisht duhet të bëhet një hap më tutje në krahasim me Kushtetutën e RSFJ të vitit 1963 dhe bartja e të drejtave dhe e detyrave të Federatës në republika duhet të përcillet edhe me bartjen e të drejtave dhe të detyrave të republikës – në krahinat autonome.”

Propozimi i A. Fazlisë shkonte në disa drejtime: ose lidhje e drejtpërdrejtë e krahinave autonome me Federatën, ose themelimi i Serbisë federative me disa republika federale (autonome). Motoja e mendimit të tij ishte se “marrëdhëniet në republikë nuk janë zgjidhur si duhet”.

Këtë qëndrim e kishte pjesa më e madhe e klasës politike të Kosovës nga radhët e Shqiptarëve dhe kjo kishte rëndësi, meqë mbi këtë do të ndërtohet e gjithë strategjia e ngritjes së Kosovës në subjekt të federatës, me çka ajo mund të nxirrej nga tutela e Serbisë.

Meqë trysnia për ndryshime kushtetuese bëhej gjithnjë e më e madhe dhe ajo rëndom vinte nga Kroacia dhe Kosova, ku e para kërkonte forcimin e rolit të republikave në Federatë, ndërsa Kosova që të fitonte statusin e njësisë së barabartë federative duke e zënë në gojë gjithnjë e më shpesh edhe kërkesën për republikë, Komiteti Qendror i LKJ, në mbarim të vitit 1967 dhe në fillim të vitit 1968, e përcaktoi platformën ideopolitike dhe drejtimet e ndryshimeve kushtetuese mbi vlerësimin se meqë federalizmi është një proces dhe jo formulë, ishte e natyrshme që, me transformimet në shoqëri – të transformohej edhe Federata, madje në atë kuptim që në vend që të mbështetej në baza shtetërore, të mbështetej gjithnjë e më tepër në baza vetëqeverisëse.

Në përputhje me këtë platformë mund të pritej që udhëheqja politike e Kosovës, të përcaktojë platformën e vet, e cila përpiqej të ruante ekuilibrat e brendshëm politikë, por që për moto kishte të drejtën për vetëvendosje. Me këtë rast, referencat shkonin te Bujani, por edhe te vendimet me të cilat ishte themeluar Jugosllavia sipas parimit të vetëvendosjes që përfshinë edhe të drejtën e shkëputjes. Kështu, në prill 1968, Fadil Hoxha, kryetar i atëhershëm, i Kuvendit të Kosovës, duke folur për drejtimet e ndryshimeve kushtetuese, pos të tjerash tha:

“Konsiderojmë se disa gjëra na mungojnë. Ta marrim njërën nga tezat themelore – Jugosllavia është bashkësi e kombeve dhe e kombësive të Jugosllavisë, sepse, në qoftë se nuk është edhe bashkësi e kombësive të Jugosllavisë, atëherë kjo kombësi do të ishte jashtë ose mysafire apo diçka tjetër. Meqenëse kjo është bashkësi e kombeve dhe e kombësive, atëherë ky koncept duhet të shprehet në mënyrë konsekuente në tezat e Kushtetutës, madje jo vetëm në një paragraf të hyrjes, por gjithkund ku përmenden kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë, kur është fjala se ato e përbëjnë këtë bashkësi si të tillë.”

Sipas Fadil Hoxhës, meqë statusi i krahinave autonome, si bashkësi më e gjerë shoqërore-politike, të krijuar në bazë të vetëvendosjes së popujve të këtyre krahinave në kuadrin e Federatës, është ndryshuar, atëherë ai duhet të kthehet në gjendjen burimore prej nga kanë dalë ato, që do të thotë se Kosova duhet ta fitonte të drejtën që të jetë pjesë e federalizmit, pavarësisht si do të definohet, duke pasur parasysh faktin se njësitë autonome në Jugosllavinë e re janë formuar në bazë të vendimeve të Seancës së Dytë e të Tretë të KAÇKJ, sipas parimit të vetëvendosjes që përfshin edhe të drejtën e shkëputjes.

Atë që Fadil Hoxha do ta prejudikojë në prill 1968 kur do të shtrojë çështjen e të drejtës burimore të Kosovës për vetëvendosje, të cilën ai dhe bashkërendimtarët e tij e kishin shprehur në Rezolutën e Bujanit, por që në përputhje me rrethanat e kohës (mbetjes së Jugosllavisë dhe të Shqipërisë në kampin komunist nën ombrellën sovjetike), ishte anuluar në saje të pajtimit Tito-Enver Hoxha, që për pasojë do të ketë aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe futjen e dhunshme nën tutelën e saj, do të thuhet në gushtin e atij viti, në mbledhjen e Aktivit të Komunistëve në Gjakovë, prej nga do të dalë qëndrimi se “Kosova do të mund të bëhet republikë”.

Aktivi i Komunistëve të Gjakovës nxori këto konkluzione, të cilat njëherësh ishin kërkesa politike të Aktivit Politik të Kosovës, që jo rastësisht nga Gjakova i bëheshin të ditura opinionit të Kosovës dhe me këtë edhe atij jugosllav.

Pra, në Gjakovë u kërkua:

1. Në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Jugosllavisë, kombësia shqiptare të emërtohet si kombi shqiptar,

2. Me kushtetutë dhe me ligj të përcaktohet përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar,

3. Krahina e Kosovës të shpallet R e p u b l i k a e K o s o v ë s.

Në këtë mbledhje dolën edhe këto kërkesa:

a) E drejta për v e t ë v e n d o s j e,

b) Në vend të statutit Kosova të ketë K u s h t e t u t ë n,

c) Në Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ Kosova të ketë 20 përfaqësues si republikat e tjera.

Qëndrimet e Aktivit Politik të Gjakovës u përkrahën me të shpejtë nga aktivet politike të të gjitha qyteteve të Kosovës. E rëndësishme ishte edhe përkrahja e Aktivit Politik të Prishtinë, ku reflektonte inteligjencia dhe kreu politik i Kosovës. Edhe aty, pas shumë diskutimesh u nxorën disa kërkesa:

– Që Kushtetua e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe e Republikës së Serbisë duhet të pranojnë të drejtën dhe dëshirën e Shqiptarëve për vetëvendosje;

– Që krahina duhet të bëhet njësi federale;

– Që të ndërrohet neni 2 i Kushtetutës së RSFJ-së dhe të insistohet që Jugosllavinë ta përbëjnë tetë njësi federale;

Në fund u tha se është e drejtë e çdo kombi dhe kombësie për të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Pra, duhet të kërkohet që Krahina të bëhet Republikë.

Nxjerrja e kërkesës për Republikën e Kosovës, pavarësisht reagimeve të Beogradit, në Kosovë kishte gjetur përkrahje të madhe dhe ishte kthyer në një atmosferë të paparë mobilizimi intelektual dhe politik në të cilin ishin përfshirë thuajse që të gjitha shtresat shoqërore shqiptare. Meqë kishin filluar diskutimet publike rreth ndryshimeve kushtetuese, qarqet intelektuale shqiptare në Kosovë, nga ato akademike (nëpër fakultete, institute, e deri te mjetet e informimit), do të vihen në krye të këtyre kërkesave.

Atyre do t’u bëhet jehonë në shtypin e Kosovës, bajrakun e të cilit e mbante gazeta “Rilindja” me botimet e saj, por do t’u bëhet jehonë e madhe edhe në atë të Beogradit (i cili kishte filluar t’i quante “ide nacionaliste dhe separatiste”), por edhe të qendrave të tjera, veçmas në Zagreb dhe Lubjanë, të cilave u mbahej isoja pse ngritja e statusit të Kosovës në atë të Republikës atyre ua krijonte mundësinë e mirë që përfundimisht të liroheshin nga rreziku i unitarizmit serb, i cili në Plenumin e Gjashtë të KQ të Serbisë në qershorit të atij viti, me rastin e prononcimit të Dobrica Qosiqit kundër ndryshimeve kushtetuese, veçmas atyre sipas të cilave Kosova të fitonte statusin e subjektit të Federatës, kishin marrë mesazhe të qarta se një ditë ai do të dilte në skenë, kur për këtë do ta gjente mundësinë (mendohej te koha pas Titos).

Intelektualët e Kosovës nuk do të ndalen para kërcënimeve të nacionalistëve serbë. Do të vazhdojnë të mbështesin kërkesën për Republikën e Kosovës, duke e arsyetuar atë me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje si dhe realitetet nëpër të cilat kishte kaluar Jugosllavia, pa marrë parasysh si dhe sa ishte trajtuar “vullneti” i Shqiptarëve në të gjitha fazat e konstituimit të saj dhe si ishte interpretuar ai për marrjen e vendimeve që nuk kishin qenë në përputhje me të, por që edhe si të tilla ishin deponuar në krijimin e Jugosllavisë, ndaj duhej që ato të shfrytëzoheshin.

Gjatë këtyre diskutimeve intelektualët shqiptarë rëndom përdornin parimin leninist të vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje dhe të zgjidhjes, që kishte pranuar edhe Kominterni dhe kishin qenë pjesë e platformës politike të komunistëve jugosllavë për zgjidhjen e problemeve nacionale në Jugosllavinë e Versajës, që nga Kongresi Themelues i Drezdenit në viti 1924. Me këtë rast, me të madhe përkujtohej Rezoluta e Kongresit IV të Partisë Komuniste të Jugosllavisë e vitit 1928, e nxjerrë në përputhje me qëndrimet e Kominternit rreth rrënimit të Jugosllavisë si krijesë e Versajës, në të cilën, në përputhje me opsionin për rrënimin e një Jugosllavie të tillë të quajtur “burg popujsh”, bëhej fjalë për bashkimin e Kosovës Shqipërisë.

Duke u bazuar në këto dokumente dhe të ngjashme, historiani Ali Hadri përkujtonte se “duke shfrytëzuar të drejtën për vetëvendosje, popujt e Kosovës ishin element kreativ në krijimin e Jugosllavisë së re”. Ndonëse ky “kreativitet” ishte i dhunshëm dhe në kundërshtim edhe me parimet ideologjike mbi të cilat ishte ndërtuar Jugosllavia e re. Duke e përkrahur vetëvendosjen si një çështje të rrethanave faktike, profesor Gazmend Zajmi, vlerësonte se “Kombësisë si kolektivitet i takon kjo e drejtë siç i takon edhe kombit”. Fehmi Agani kishte bërë të ditur se “duhet përkrahur të gjitha kërkesat që janë prezantuar si kërkesa të shumicës dërrmuese të popullsisë.” Ai theksonte“ se ato duhet të jenë kërkesat tona”. Ndërsa, Rezak Shala, prokuror krahinor, ngulmonte:

“Republika e Kosovës është imperativ i kohës dhe nga kjo e drejtë nuk duhet hequr dorë”.

Natyrisht se nga ana e intelektualëve shqiptarë gjatë bisedimeve kushtetuese do të dalin edhe shumë e shumë argumente të tjera të kësaj natyre. Por, pas një muaji, atyre do t’u ndalet hovi, e madje do të mbyllen fare, nga një reagim i udhëheqjes më të lartë partiake e Kosovës, e cila kishte dalë me qëndrimin se “opsioni i Republikës së Kosovës nuk kishte qenë asnjëherë pjesë e kërkesave të komunistëve të Kosovës”, por ku theksohej angazhimi “për pasurimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në nivel të Federatës, në mënyrë që edhe në atë nivel të realizoheshin të drejtat e saj”.

Ishte më se e qartë se Tito dhe Kardeli, pasi që kishin vënë në peshojë dëshirat e Shqiptarëve si dhe qëndrimin e Serbëve, po ku ishte matë edhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar rreth kësaj çështje (ai europiano-perëndimor dhe sovjetik), veçmas ky i dyti, nga dilema e drejtë se mos pas marshimit të tyre në Pragë në vitin 1968, ata do të kërkonin pretekste nga reagimi serb për ndonjë ndërhyrje, kishin ardhur te përfundimi se Kosova dhe Vojvodina duhej ngritur në shkallën e njësive federative. Se duhej t’u jepej edhe konsensusi dhe subjektiviteti federativ. Por, me arsyetimin e forcimit të vetëqeverisjes dhe të jetësimit të barazisë së kombeve dhe të kombësive, formalisht duhej të mbete-shin të lidhura edhe me Serbinë.

Esencën e këtij kompromisi, që kishte ardhur nga lartë, më së miri do ta paraqesë vetë Fadil Hoxha, me të cilin, në nivelin politik të Kosovës, do të nisë dhe do të përfundojë hapja e çështjes së Kosovës Republikë:

“Nuk do të thotë se nuk mund të shtrohet çështja e Republikës… Por, duhet të vlerësojmë se çka është reale, vërtet reale dhe e mundshme në këtë drejtim të afirmimit të autonomisë, që do të thotë esenca të arrihet dhe, nga ana tjetër, të kuptohet se çka është dëshirë.”

Me këtë kompromis në Kosovë nuk do të pajtohej askush. Elita intelektuale dhe ajo shoqërore, e cila kishte marrë pjesë në diskutimet kushtetuese me kërkesën për republikën e Kosovës – si zgjidhje që ishte e dobishme për të gjithë, e me të cilën mund të ruhej edhe Federata Jugosllave nga sfidat serbe, me të cilat ajo patjetër se një ditë do të ballafaqohej – me të drejtë do të ndjehet e zhgënjyer, por edhe e tradhtuar madje.

Edhe pse kërkesa për Republikën e Kosovës në debatet publike nuk do të sanksionohet me ndjekje gjyqësore, siç do të ndodhë pak më vonë ndaj demonstruesve, megjithatë disa nga intelektualët e njohur do të anatemohen edhe si nacionalistë, me ç’rast disave do t’u merret drejtimi i katedrave, ose e instituteve, sado që nuk do të mbesin pa punë. Ngjashëm do të ndodhë edhe me disa nga prokurorët ose gjyqtarët, të cilët do të humbin postet, por jo edhe punën.

(Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, 2021) /KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Tortës

26 nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare të Tortës, përcjell KultPlus.

Ëmbëlsira datojnë që në ditët e Kleopatrës famëkeqe dhe i ka rrënjët që nga Greqia e Lashtë. Forma e parë e tortës ishte një bukë e mbushur me mjaltë dhe arra.

Nga pothuajse shekulli i 13-të para Krishtit deri në shekullin e 16-të para Krishtit, fjala tortë u popullarizuar në të gjithë Britaninë.

Në Amerikë, torta u kërkua gjatë Depresionit të Madh si një vakt i lirë për të ushqyer miliona familje të goditura nga varfëria.

Në shekullin e 19-të, tortës mbulohej me qirinj për të festuar ditëlindjet. Në fillim të shekullit të 21-të, jozyrtarisht, Dita e tortës shënohej më 27 nëntor. /KultPlus.com

“S’mund të pushoj së menduari për ty”

Nga: Eros Ramazzotti & Tina Turner
Shqipëroi: Bujar Meholli

Këto janë situata njerëzore
momentet midis nesh
ndarjet dhe rikthimet rrodhën
e ne s’kuptuam gjë prej gjëje,
por unë e di
se s’mund të pushoj së menduari për ty.

Këto kontradikta mes njerëzve
i bëjnë të ndihen sa të lumtur
sa të trishtuar nëpër trancizione emociolane
siç i kishim dhe ne.
Dhe sa kujtime kemi lënë pas…

Po, duhet ta dish se kjo është e vërtetë!
Unë thjesht s’mund të pushoj
së menduari për ty
dhe kohët që kemi kaluar bashkë.
Ah! Sa do të doja ta ndiejmë prapë
gjithë atë dashuri që kishim dikur…

Në zemrën e vetmuar
qëndron gjithçka
kapur fort pas kangjellave të krenarisë,
por, oh, s’mund të pushoj
së menduari për ty
dhe për ne…

Këto janë gjërat e kësaj jete
ca të mira, ca të këqija,
por çfarë është jeta
pa një ëndërr që ta mbajë?

T’ia kapësh dorën dikujt dhe mos t’ia lëshosh kurrë
është pjesë e një jete të përbashkët,
por a thua ka të ardhme?

Në këtë natë që ikën ngadalë para meje,
përpiqem të të takoj, dhe të kuptoj,
edhe nëse zemrat tona janë zhytur si anije në det
përherë i kujtoj e kurrë s’mund t’i harroj.

Oh, s’mund të pushoj së menduari për ty
dhe për ne, për kohët tona.
Thjesht, s’mund të pushoj duke të menduar… /KultPlus.com

1993

Para 62 viteve vdiq ish-kryeministri, Fiqri Diney

Më 26 nëntor 1960 në Bruksel vdiq Fiqri Dine, shkruan KultPlus.

Ishte prijës i fisit të Dinejve të Dibrës, ushtarak shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë, prej 18 korrik deri 29 gusht të vitit 1944.

Dine ishte kryeministër vetëm për 43 ditë. Pas Luftës së Dytë Botërore.

Pas luftës Dine së bashku me Muharrem Bajraktarin punuan në Komitetin Shqiptar në Paris.

Dine iku nga Jugosllavia në Greqi, ku vdiq në vitin 1960. /KultPlus.com

Processed with VSCO with kp9 preset Processed with VSCO with s5 preset

‘Në gjurmët e familjes së Ismail bej Vlorës’, ekspozitë unike në COD

“Në gjurmët e familjes së Ismail bej Vlorës” është ekspozita e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në 110-vjetorin e Pavarësisë.

Një pjesë e materialit të pasur shkrimor, pamor dhe fotografik, e ruajtur me fanatizëm nga Nedim Vlora, stërnip i Ismail Qemal Vlorës, vjen për herë të parë në syrin e publikut shqiptar.

Në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, kjo ekspozitë kushtuar familjes që numëron dhjetëra personazhe me kontribute të vyera në jetën politike shqiptare, mbart një vlerë të jashtëzakonshme në njohjen e ngjarjeve me rëndësi historike për kombin tonë.

Ekspozita unike do të qëndrojë në ambientet e COD deri në datën 30 nëntor, ndërsa në faqen e COD janë publikuar edhe oraret kur qytetarët mund ta shikojnë këtë ekspozitë./atsh/ KultPlus.com

‘Në garë me botën gri’ – Pëlhurat e dërguara në burg që shfaqën lulëzimin e vonshëm të Selimit në pikturë

Uranik Emini

“Në garë me botën gri”

Ideja e artistit autodidakt është një nga konceptimet e reja në art. Artistët me famë botërore, pavarësisht se kanë hyrë në histori me krijimet e tyre, kishin shumë pak arsimim apo trajnime formale në art. Njohuritë, qëndrimet dhe aftësitëqë përfundimisht do të lejojnë dikë të njihet për zanatin e tyre zhvillohen gjatë një periudhe të gjatë kohore. Me pak fjalë, talenti ka rëndësi shumë të madhe pra, më shumë sesa mendojnë njerëzit. I vetmi aspekt i talentit që mbivlerësohet ka të bëjë me vlerësimet e njerëzve për talentet e tyre – shumica e njerëzve nuk janë aq të talentuar sa mendojnë, veçanërisht kur nuk kanë asnjë, shkruan KultPlus.

Por ekspozita e sotme tregoi diçka krejtësisht tjetër.

“Në garë me botën gri” vë në pah një ushtar që ka studiuar letërsi, i cili po krijon vepra arti nga pëlhura, të cilat ia ka sjellur bashkëshortja në burg. Rexhep Selimi, i njohur ndryshe edhe si “10” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka befasuar shumë të pranishmit e sotëm në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës me ekspozitën e tij “Në garë me botën gri”, duke ekspozuar para publikut 110 vepra, numër ky që përkon me vitet që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë.

Selimi, i cili përpos që kapi armën atëherë kur ka pasur më së shumti nevojë dhe luftoi për të çliruar trojet e Kosovës, tregoi gjithashtu dhuntinë e tij për shkrimin e poezisë dhe aftësinë e tij për muzikë. Disa këngë të njohura shqipe, siç njoftojnë edhe kolegët e tij, janë shkruar pikërisht nga “10” i UÇK-së. Së fundmi, ai na njoftoi edhe me një tjetër krijmtari të tijën.

Bashkëshortja e Rexhepit, Shqipe Selimi, ka treguar se gjatë vizitave mujore në Hagë, pikturat e tij i ka bartur nga Haga në Kosovë.

“Sot nuk dua të flas më shumë, sepse këtu më së miri flasin pikturat e ekspozuara. Më vjen mirë që edhe unë kam dhënë një kontribut të vogël në bartjen e këtyre pikturave nga Haga në Kosovë, gjatë vizitave tona të përmuajshme, nga Haga këtu. Vlerën artistike të këtyre pikturave unë nuk mund ta jap, por këtë ekspozitë e bën të veçantë vendi dhe koha ku janë pikturuar këto pikturuar. Shumica e këtyre pikturave janë realizuar në përballje me padrejtësinë. Presim që Rexha dhe të akuzuarit tjerë në Hagë të triumfojnë mbi padrejtësinë dhe të kthehen sa më shpejt në mesin tonë“, ka thënë ajo.

Artisti i shquar kosovar, Shyqri Nimani, tregon për KultPlus edhe momentin kur për herë të parë kishte shikuar nga afër pikturat e Selimit.

“Kjo është një befasi me të vërtet e jashtëzakonshme, një befasi e bukur. Njeriu befasohet se si është e mundur një luftëtar i lirisë, të kalojë pas luftës, pasi që e krynë atë mision të shenjtë për atdheun, të përkushtohet dhe të zbulojë me një pasion të epshit të madh; talentin dhe dhuntinë që ia ka dhënë Zoti, pra është diçka e jashtëzakonshme. Rexhepi është fqinju im i parë dhe më ka ftuar para 3-4 viteve që t’ia shikojë punimet, më ka befasuar shumë”.

Pëlhurat që u zbuluan artin në thellësi të shpirtit

“Por, këto dy vite që gjendet në Hagë, është shumë interesant. Gruaja e tij i ka dërguar pelhura me dy fëmijët e tij, ia kanë dorëzuar dhe ka ardhur. Pastaj, dërgonin pëlhura dhe ktheheshin me vepra, ku janë krijuar mbi 100 vepra. Në historinë e artit aq të gjatë, ka disa artistë që shumë vonë kanë filluar, si p.sh. Van Goghu ose Henri Matisse, që është marrë me drejtësi dhe pastaj e ka lënë këtë profesion që të fillojë të merret me art”, thotë Nimani.

Artisti Nimani tutje shprehet se tanimë është koha që Rexhepi të krijojë stilin e tij personal, derisa ndjehet krenar që trashëgimisë shqiptare po i shtohet edhe një artist i ri.

“Edhe për ne, artistët që e kemi profesion artin pamor, na befason kjo punë e tij. Mendoj që Rexhepi nuk do të ndalet, por i kam dëshiruar dhe dëshiroj që ai të vazhdojë rrugëtimin e tij dhe besoj që në të ardhmën do të krijojë edhe një stil të tij personal, që është një gjë shumë kryesore. Në fillim, njeriu ndikohet nga dikush tjetër, por Rexhepi frymëzimin e tij e merr nga folklori muzikor shqiptar. Trashëgimia jonë me etnografi, ninulla, këngët e djepit, kostume e valle është e klasës së parë, është më e mira në botë. Kështu që, është kënaqësi e madhe që trashëgimisë sonë artistike po i shtohet edhe një artist, i cili ka dalur dhe po e ndjek yllin e tij në qiellin e arteve të popullit shqiptar”, përfundon ai.

Ndërkaq, për një fjali rasti është ftuar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili mes tjerash diskutoi edhe për mos-gjykimin në Hagë, të të gjithë ish-luftëtarëve.

“Ai i ka dërguar prej Hagës, atje ku po gjykohet por ku ende nuk ka filluar gjykimi, ku po akuzohet
pa aktakuzë së bashku me bashkëveprimtarë të tij të tjerë me ish-kryetarin e Kuvendit Krasniqi, me ish-kryetarin e Kuvendit Veseli, me ish-presidentin Thaçi dhe me bashkëluftëtarë të tjerë të cilët padrejtësisht po akuzohen atje në Hagë. Ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm si popull për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës tonë çlirimtare, të cilës i kontribuoj i gjithë populli. I gjithë populli në një mënyrë ishte pjesë e luftës tonë të drejtë”, është shprehur Konjufca.

Ai ka kujtuar periudhën kur ish-deputeti Rexhep Selimi ia tregoi pikturën e tij të parë, e cila gjendej pas tij.

“Rexhep Selimi përmes punës së tij po tregon që është në mesin tonë, ai po komunikon me ne
përmes artit, veprimtarisë së tij artistike dhe pikturave që na i ka dërguar prej atje. E patë edhe ju,
dhe unë dua të ndaj disa kujtime sa i përket momentit kur për herë të parë e mora vesh qe Rexha ka
filluar të pikturojë, dhe kjo ishte një befasi e jashtëzakonshme. Ka qenë viti 2016 jo fort moti, gjashtë vjet, kur Rexha ma dërgoi pikturën e tij të parë, na ka dërguar pikturën e tij të parë, ishte pikërisht kjo në telefon, më duket kam qenë në Shqipëri, dhe tha çka mendon për këtë piktor? Unë e shikova pikturën me vëmendje i analizova elementet pak të saj, dhe me aq sa kam njohuri edhe për artin tonë kosovar, thash kjo me siguri duhet të jetë një pikturë e Simon Shirokës përafërsisht”, ka shtuar Konjufca.

Konjufca pohoi se ishte habitur kur mësoi se vetë Rexhep Selimi e kishte krijuar këtë pikturë.

“Fillova unë të spekuloj, unë ta shpjegoj pikturën, tha: ‘Glauk ky piktori jam unë’. Edhe unë u
trondita me thënë të drejtën, sepse e kam njohur Rexhën si muzikant, si poet, kam lexuar poezitë
e tij. Disa nga poezitë e tij janë bërë edhe këngë shumë të njohura popullore, të cilat i dëgjojmë
edhe sot me shumë ëndje. Kjo ishte për mua një tronditje meqenëse gjithçka që dija për artin dhe
që përafërsisht kam lexuar, mi sfidojë. Sepse konsiderohet që arti është jo në të gjitha dimensionet, por në një dimension të tij shumë specifik edhe shumë i afërt me shkencë”, ka thënë ai.

I gjithë Muzeu Kombëtar i mbushur me njerëz nga sfera të ndryshme të Kosovës, të dominuar nga politikanët, kolegët e miqtë e Selimit, mirëpritën ekspozitën “Në garë me botën gri”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 4 dhjetor. /KultPlus.com