Paraja mund të të jep gjithçka, por ka një gjë që nuk mund ta blesh, ajo është JETA

Në vitin 2011, Steve Jobs u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare nga kanceri i pankreasit, duke lënë një pasuri prej 7 miliardë dollarësh dhe këto janë disa nga fjalët e tij të fundit

“Për momentin, i shtrirë në shtrat, i sëmurë dhe duke kujtuar gjithë jetën time, e kuptoj se e gjithë njohja dhe pasuria që kam është e pakuptimtë përballë vdekjes së afërt. Unë kam para për të punësuar më të mirën për çdo detyrë, por nuk është e mundur të punësoj dikë që të paguaj për sëmundjen time. Paraja mund të të sjellë të gjitha llojet e gjërave materiale, por ka një gjë që nuk mund ta blesh: “JETA”.

Ndërsa u rrita, vura re se një orë 300 dollarë dhe një orë 3,000,000 dollarë shfaqeshin në të njëjtën kohë. Se me një makinë 150,000 dollarë dhe një makinë 15,000,000 dollarë mund të arrijmë të njëjtin destinacion. Se një verë 150 dollarëshe ose një verë 1500 dollarë gjeneron të njëjtën “hangover”.

“Lumturia e vërtetë nuk vjen nga gjërat materiale, ajo vjen nga dashuria që na japin të dashurit tanë.”

Kështu që shpresoj ta kuptoni se kur keni miq ose dikë me të cilin të flisni, kjo është lumturia e vërtetë!

Pesë fakte të pamohueshme

-Mos i rrisni fëmijët tuaj të jenë të pasur. Edukojini ata që të jenë të lumtur.

-Pastaj, kur të rriten, do ta dinë vlerën e gjërave, jo çmimin.

-Hani ushqimin tuaj si ilaç, përndryshe do të duhet të hani ilaçin si ushqim.

-Ata që të duan nuk do të të lënë kurrë, edhe nëse kanë 100 arsye për të hequr dorë. Ai/ajo gjithmonë do të gjejë një arsye për të mbajtur.

-Ka një ndryshim të madh midis të qenit qenie njerëzore dhe të qenit njeri.

-Nëse do të shkosh shpejt, shko vetëm! Por nëse doni të shkoni larg, shkoni të shoqëruar.

Dhe në përfundim:

Në çdo fazë të jetës ku jeni tani, falenderoni dhe shijoni gjërat e vogla në maksimum dhe vlerësoni dashurinë e partnerit, familjes dhe miqve tuaj, në mënyrë që kur të vijë dita kur perdja të zbresë, të sillni me vete pasurinë e vërtetë të kësaj bote./Psikologjia/KultPlus.com

Më fal trëndafil

Poezi nga Rifat Kukaj

Ç’po të buzqëshin petalet
Trëndafil bukurosh,
Si re të buta mbi male
Petalet që më shohin prore
Më ngjyrën rozë
Si npër qepallat qumështore

Më fal o mik për ngrysjen
Time dhe drithërime…
Unë do të t’shoh dhe verën tjetër
Po kurrë me sytë e nënës sime. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me premierë të baletit në Itali

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e radhës, të tretën për vitin 2023, e cila këtë herë vjen si bashkëpunim me koreografin arberesho-italian Antonio Pio Fini, shkruan KultPlus.

Premiera “Shtegtimi” do të shfaqet në  tri qytetet kalabreze San Benedetto, Villapiana dhe Altomonte. Kjo shfaqje do të jepet në muajin korrik në kuadër të festivalit Ndërkombëtar “Fini Dance Festivale”/KultPlus.com

Festivali Ballkanik i Filmit për të 13-in vit në Pogradec, në garë 80 filma

Për të 13-in vit me radhë në Pogradec zhvillohet Festivali Ballkanik i Filmit. Ndryshe nga vitet e fundit, festivali këtë vit ka pasur më shumë prurje për konkurrim, por juria ndërkombëtare ka qenë e detyruar edhe për arsye ekonomike të sjellë në këtë festival vetëm 80 filma.

Drejtori i festivalit, Eno Milkani thotë se një pjesë e mirë e filmave konkurrues janë filma eksperimentalë të shkollave të ndryshme ballkanike.

“Në qoftë se sjell diçka ndryshe, është ajo që filmat, dokumentarët e shkurtër, filmat vizatimorë, filmat eksperimentalë janë për të gjitha gustot. Më thuaj një zhanër dhe ne e kemi: triller, eksperimental, dramë, aksion, problem social, të gjitha. Ishte një dëshirë për të prezantuar prodhimtarinë ballkanike, por këtë vit kemi vendosur pak me shume fokusin në filmin eksperimental”, ka thwnw Milkani, shkruan Euronews.al, përcjell Klankosova.tv

Për të, e veçanta e këtij festivali është se në Odeonin e qytetit do të shfaqen filmat e restauruar shqiptarë.

“Duke filluar me ‘Gjeneral Gramafonin’, me ‘Koncert në vitin ‘36’, ‘Përrallë nga e kaluara’, ‘Vitet e Pritjes’, filma që ne i shohim nëpër TV, por jemi mësuar t’i shohim me cilësi shumë të dobët, ndërsa kjo është një që punë e lavdërueshme që ka bërë arkivi e do të jepen për publikun në Odeon”, u shpreh ai.

Anëtarja e jurisë ndërkombëtare, francezja Emilie Richelle vlerësoi filmat që konkurrojnë në këtë festival.

“Unë kam 10 vite që e ndjek Festivalin Ballkanik të Filmit, i cili është tejet i pasur me produkte fantastike. Mendoj që është shumë interesante promovimi i këtyre filmave në Francë, që është vendi nga unë vij, por dhe shtete të tjera absolutisht. Mënyra se si ndërtohen këta filma dhe transmetojnë emocione, disa herë me heshtje, disa herë me muzikë, qoftë dhe aktorët më atë çka shfaqin, i bën këta filma shumë interesantë”, thotë Richelle.

Në natën e parë është shfaqur dokumentari “Legjendat e Gjolit” bazuar në dorëshkrimet e publicistit të njohur Fatos Baxhaku, realizuar nga Eno Milkani  dhe Gerta Qurku./EuroNews/KultPlus.com

‘Zani i tij prej së largu më thërret, kam frikë mos është andërr thirrja e tij’ (VIDEO)

Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.

Sot, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Zani i tij prej së largu më thërret”:

Ndalu njëherë dhe vetëm një çast,
Zani i tij prej së largu më thërret,
Kam frikë mos është andërr thirrja e tij.
Që këtë natë spo më lë m’u qetësu,

Dashnia që po m’thërret kaherë ka perëndu,
Veç n’andërr më mundon nganjëherë, pa mëshirë.

Me mijëra dallëndyshe, kur fluturojnë,
Kritht e tij dashnia pushoi.
Kam ftu një prej zogjve me më shoqnu
Zemrëm time të njomë me ndryshu

Dashnia që po m’thërret kaherë ka perëndu,
Veç n’andërr më mundon nganjëherë, pa mëshirë.

Ndalu njëherë dhe vetëm një çast,
Zani i tij prej së largu më thërret,
Kam frikë mos është andërr thirrja e tij.
Që këtë natë spo më lë m’u qetësu,

Dashnia që po m’thërret kaherë ka perëndu,
Veç n’andërr më mundon nganjëherë, pa mëshirë./KultPlus.com

Takim i akademikëve mbi “Historinë e shqiptarëve” dhe “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”

Në Akademinë e Shkencave u zhvillua një takim i Këshillit Shkencor të Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi ecurinë e dy projekteve madhore të albanologjisë “Historia e shqiptarëve” dhe “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”.

Takimi u drejtua nga kryetari akad. Gjinushi, i cili në fjalën e tij të hapjes theksoi edhe njëherë rëndësinë e dy projekteve, si prioritete të studimeve albanologjike në ASHSH.

“Në të dy projektet, puna po ecën me ritme të kënaqshme. Ka filluar puna redaksionale për përgatitjen për botim të vëllimit të parë të “Historisë së shqiptarëve”. Synimi i botimit të këtij vëllimi, por edhe i veprës në tërësi, është qasja objektive ndaj zhvillimeve historike, duke u bazuar kryesisht në prurjet më të reja arkivore e studimore”, thuhet ne njoftimin e Akademise se Shkencave te Shqiperise, bere publik ne rrjetet sociale.

Sipas ASHSH, edhe në përgatitjen e “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” puna ka hyrë në fazën e saj më intensive. Tashmë po punohet në dy drejtime kryesore, për ndërtimin e makrostrukturës së fjalorit dhe fillimin e hartimit praktik të tij, si një hap i fundit pas ngritjes së makrostrukturës dhe përfundimit të glosarit.

Gjatë takimit u diskutua edhe për probleme të hasura gjatë punës dhe zgjidhjen e tyre./atsh/KultPlus.com

Me ‘Një skenë plot yje’ bëhet inaugurimi i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës

Vjollca Duraku

Mbrëmë, me 80 fëmijë të moshës 7 deri 14 vjeç u mbajt koncerti i parë, e njëkohësisht edhe inaugurues i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës, të cilin e mundësoi shkolla e parë fillore jo-publike e muzikës në Kosovë, ‘Amadeus’, shkruan KultPlus.

Ky projekt i shkollës së muzikës ka ardhur si konkludim i profesionistëve të kësaj shkolle, të cilët mendojnë se edukimi muzikor luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, dhe kjo orkestër që për analogji të shkollës mund të quhet qershia mbi tortë , duke bërë që fëmijët qysh në mosha të hershme të kenë mundësi të performojnë me orkestër, të njihen me skenën dhe të krijojnë bazë të qëndrueshme për karrierën e tyre.

Një sallë, enterieri i së cilës ishte me plotë shije, elegancë dhe finesë, tashmë ishte mbushur përplot me prindër dhe me familjarë të fëmijëve të cilët pas pak pritej të perfomonin. Me një nur që u shëndrriste, shumica e të pranishmëve kishin zënë vendet e tyre, edhe pse një pjesë mjaft e madhe qëndruan në këmbë pasi nuk pati ulëse në sallë, aq sa pati pjesëmarrës.

Koncertin e hapi përfaqësuesja e shkollës ‘Amadeus’, Hana Petrovci-Fetahu, e cila me një fjalë rasti i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe tregoi për procesin e punës në përgjithësi, për t’i lënë radhë pastaj grupit të kitaristëve  ‘Amadeus’,  me veprën e Zequinha De Abreu- ‘Tico Tico’, në të cilën performuan  Allegra Bajrami, Dastid Ymeri,  dhe Reina Zejnullahu.

Pika e dytë e performanës u shënua me grupin e solokëndimit, të cilët interpretuan Këngë Arbëreshe, të cilat krahas tingëllimës së tyre të bukur, shfaqnin edhe emocione mallëngjyese, pasi vinin nga një trevë në të cilën jetonin shqiptarë të mërguar.

Interpretues të kësaj pike ishin: Era Latifi, Morea Fetahu, Noa Basha, Viktoria Ibrahimi, Rea Curri dhe Eta Svarça. Kënga ‘Lule, lule-mace, mace’ ishte ajo e cila shndërroi ngjyrën e emocioneve duke dhënë entuziazëm dhe duartrokitje me takt në sallë gjatë gjithë kohës derisa interpretohej kjo këngë, në fund të së cilës pati duartrokitje edhe më të fuqishme për të dhënë falënderimin për këtë interpretim kaq të bukur.

Pikat tjera interpretuese qenë ‘Për ty atdhe’ e Pjetër Gacit me soliste Leona Ferati, ‘Central Park’ e James Newton Howard me soliste Arjona Ramadani (piano), ‘Pse jemi të ndarë’ e Selami Kolonjës nga kori i shkollës dhe solistja Leona Ferati, ‘Swan Lake’ e Pyotr Ilyich Tchaikovsky, ku interpretuan edhe blerinat e shkollës, Era Bajrami, Hana Bajrami dhe Ajla Talla, të cilat me vallëzimin e tyre prej fluturash e bënë mbrëmjen mjaft të bukur. Në këtë pikë orkestra u kompletua  në tërësi dhe po ndiqej një mbrëmje pothuajse profesionale pasi  publiku tashmë para vetes kishte orkestrën, korin dhe solistët dhe balerinët, duke dëshmuar kapacitetin e tyre.

Ndërsa interpretimi i fundit ishte ‘O vendi im’, e Rashid Krasniqit, nga Kori i shkollës dhe solistët Arjona Ramadani dhe Art Grajçevci. Në këtë pikë dukej sikur edhe vetë fëmijët u përmbushën nga perfomanca e tyre. Të koncentruar te programi i tyre, me shumë kujdes përcillnin edhe dirigjentin e tyre Vehbi Shosholli, i cili me mjaft elegancë dhe butësi arrinte të shpaloste punën e tij me sukses.

Në këtë pikë në të cilën të pranishëm qenë pothuajse më shumë se 80 fëmijë, violinistët qenë ata që për t’i dhënë një ton pak më ndryshe perfomancës filluan që të prodhoin tinguj me gishtrinjtë e tyre të  vegjël. Lëvizja e gishtinjëve të tyre të vegjël, si dhe një pozitë trupore duke u munduar për të qenë profesional dhe elegant në skenë dhuronte një pamje vërtetë simpatike, të cilën familjarët e tyre dhe të gjithë të panishmit, e shijuan vërtetë shumë.

Pas koncertit të gjithë pjestarët e orkestrës, korit, solistët dhe balerinat u shpërblyen me mirënjohje nga shkolla e muzikës ‘Amadeus’, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për suksesin dhe gatishmërinë e treguar për të realizuar një koncert të tillë, i cili me plotë bindje do të mbetet i paharruar në mendjet e secilit prind që ishte i pranishëm në sallë.

Me rezultatet e koncertit ishte e kënaqur edhe njëra nga organizatoret Hana Petrovci-Fetahu e cila në një prononcim për KultPlus, tha se pritshmëritë e tyre për koncertin janë arritur në maksimum pasi sipas saj fëmijët kanë treguar pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël në moshë.

“Koncerti ka shkuar shumë mirë. Jemi shumë të kënaqur me performancën e fëmijëve. Kanë treguar një pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël. Fëmijët janë në këtë orkestër prej moshës shtatë vjeçare deri në 14.  Mirëpo kanë mbajtur shumë gjatë prova. Që nga muaji mars, e kanë treguar vlerën e tyre, kanë tingëlluar shumë bukur dhe jemi të gjithë shumë të kënaqur me perfomancën të cilën na dhuruan”, ka thënë Petrovci.

Petrovci për KultPlus ka treguar edhe anën tjetër të medaljes, pasi për të arritur një perfomancë të tillë nuk ka qenë shumë e lehtë, pasi në këtë orkestër kishin të bënin me fëmijë, të cilët për të ndjekur ushtrimet ishin të varur nga prindërit e tyre të cilët kanë edhe angazhimet e tyre profesionale.

Ndërsa dirigjenti Vehbi Shosholli në një prononcim për KultPlus, tha se është shumë i lumtur për performancën dhe se pritshmëritë e tij janë arritur ne maximum 

“Koncerti ka qenë jashtëzakonisht mirë. Jam shumë i këënaqur me nivelin interpretues të fëmijëve. Pritshmëritë e mija janë arritur dhe besoj që edhe publiku janë ndarë të kënaqur”, ka thënë Shosholli.

Ai po ashtu tregoi edhe për procesin e punës, i cili fillimisht nuk kishte qenë aspak i lehtë, por se me punë dhe përkushtim tanimë kishin arritur rezultatet e dëshiruara, gjë që e bënte të ndihej mjaft i lumtur.

“Realisht kjo gjeneratë është pak e  vështirë për të performuar në grup kaq masiv, sepse nuk kanë përvojë të madhe që të luajnë me orkestër. Fillimi ka qenë goxha i vështirë mirëpo gradualisht duke punuar kemi arritur që të përgatitemi për performancë”, ka thënë Shosholli.

Dirigjenti Shosholli më tej tha se në të ardhmen do të tentojnë që të rrisin numrin e fëmijëve pjesëmarrës dhe numrin e perfomancave.

“Mendojmë jo vetëm me vazhdu por edhe me rrit numrin e fëmijëve për të të qenë pjesë e orkestrës edhe pa dyshim ta rrisim edhe numrin e performancave. Totali i fëmijëve që marrin pjesë në orkestër është rreth 30 që varion në bazë të veprave p.sh pjesa e fundit ka qenë ‘O vendi im’ ka qenë një vepër ku kanë performuar më shumë se 30 instrumentistë dhe një kor prej 50 personave”, ka thënë Shosholli.

Një koncert i tillë i radhës, pritet të mbahet për festat e fundvitit, pasi pas kësaj pune të madhe, fëmijët presin t’i shijojnë pushimet verore . Organizatorja e koncertit Hana Petrovci- Fetahu ka thënë që planifikojnë që të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke zhvilluar turne nëpër qytete të ndryshme të Kosovës./KultPlus.com

Mendjemadhi

Roque Dalton, përktheu Manjola Brahaj.

Unë do isha një i vdekur i madh.
Veset e mia atëherë do shëndrisnin si stoli antike
me ngjyrat e ëmbla të helmit.
Do kishte lule të gjitha ngjyrave në varrin tim
dhe adoleshentët do imitonin gjestet e mia gazmore,
të errtat fjalët e mia të ankthshme.
Ndoshta dikush do të thoshte që isha besnik e i mirë.
Por vetëm ti do të mbash mend
mënyrën time të parit në sy. /KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Muzikës, promovohet në Prishtinë monologu ‘Nikolin Gurakuqi’ nga Floriana Odhise Paskali

Flonja Haxhaj

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua monologu ‘Nikolin Gurakuqi’ nga autorja Floriana Odhise Paskali. Ky promovim i organizuar nga Opera e Kosovës solli për publikun e prishtinës monologun i cili flet për jetën artistike dhe kontributin e çmuar të regjisorit Nikolin Gurakuqi në fushën e teatrit dhe muzikës, shkruan KultPlus.

Nikolin Gurakuqi është një emër i njohur në botën e artit shqiptar. Ai ka vënë në skenë më shumë se 80 vepra operistike, duke lënë një gjurmë të thellë në skenën muzikore shqiptare. Gurakuqi, përveç regjisorit, është njohur edhe si pedagog në Universitetin e Arteve, si poet, si skenograf dhe si shkrimtar i librave.

Monologu i Floriana Odhise Paskalit u përqendrua në jetën artistike dhe shumë dimensionale të Gurakuqit dhe pasqyroi një portret të shkëlqyeshëm të tij. Paskali zbërthente rrugën e tij të suksesit si regjisor, duke treguar se si ai arriti të sjellë frymën e re në skenën operistike shqiptare dhe të ndikojë në formimin e brezave të rinj të artistëve.

Paneli i diskutimit në këtë promovim ishte i përbërë nga vetë Floriana Odhise Paskali, autore e monografisë, Nikolin Gurakuqi, protagonisti i monologut, Leonardo Voci, piktor, Edmond Doko, dirigjent, dhe baritoni Ylber Gjini. Diskutimi u fokusua në ndikimin e Gurakuqit dhe familjes së tij në krijimin e themeleve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri.

E kësaj ngjarje ua shtoi veçantinë prezenca e korit të fëmijëve ‘Okarina’ të cilët nën dirigjimin e dirigjentes Elikona Hysaj – Shala hapën këtë promovim nën interpretimin e këngës së kompozuar nga kompozitori Rauf Dhomi.

Me këtë promovim, e para fjalën e mori profesoresha e muzikës, Besa Luzha, e cila fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën në këtë takim pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës.

“Muzika është një art i cili pasqyron të gjitha ndjenjat. Dhe ku ka më bukur se në këtë ditë një institucion që është komplet në bërthamën e tij siç është Opera e Kosovës, të organizojë një takim të tillë me një doajen të artit operistik siç është Nikolin Gurakuqi. Për veprën dhe krijimtarinë e tij të bujshme për të cilën do të flasim sot këtu”, vazhdoi Luzha e cila në vijim ia kaloi fjalën vetë autores së librit, Floriana Odhise Paskalit.

E autorja Paskali, fillimisht ndau me publikun lidhjet që ajo i ka me Gurakuqin, e më pas edhe arsyen se përse vendosi ta bëjë këtë libër.

“Me Nikolinin njihemi për shumë vite, kemi qenë bashkë në të njëjtën kohë studentë dhe sigurisht që e kam ndjekur në të gjitha eventet. Viteve të fundit miqësia jonë është përmirësuar akoma më tepër nëpërmjet familjeve tona dhe erdhi komplet rastësisht që unë duhet të shkruaj këtë libër. Nikolin Gurakuqi është një artist shumë dimensional dhe në operën shqiptare, mbiemri Gurakuqi ka lënë një gjurmë shumë të madhe, është një gjurmë të cilën e filloi i ati dhe Nikolini e çoi më përpara, dhe kur flitet për historikun e operës shqiptare, patjetër që Gurakuqi ka zënë një kënd shumë të rëndësishme”, tha Paskali, duke shpjeguar më tutje rëndësinë e familjes Gurakuqi në historinë e operës shqiptare.

“Përveç aktivitetit të tij regjisorial, Nikolini ka një aktivitet tjetër e që është si pedagog në Universitetin e Arteve ku ka nxjerrë një plejadë të artistëve të rinj, shumë prej të cilëve edhe sot debutojnë në operën shqiptare. Gjithashtu, përveç si pedagog, ne gjatë historisë së librit kemi vendosur të përfshijmë edhe disa skenografi të tij. Po ashtu, një kapitull të veçantë kemi vendosur t’i kushtojmë edhe jetës së tij artistike sepse gjithmonë ato emocionet pas shfaqjeve me miqtë e tij dhe artistë të mirënjohur që kanë ardhur në Shqipëri, pra është një pjesë e rëndësishme e jetës së tij me miqtë dhe dashamirët e artit të tij”, u shpreh më tutje Paskali, duke folur për përmbajtjen e librit të saj.

I pranishëm në mesin e folësve ishte edhe piktori, Leonardo Voci, i cili përveç fjalëve e vlerësimeve të larta për regjisorin Gurakuqi, tregoi edhe ndërlidhjen e një piktori dhe një regjisori të veprave operistike.

“Risitë artistike gjithmonë e gjejnë forma të ndryshme bashkëpunimi. Ajo që na lidh mua me profesorin Gurakuqi përveç lidhjes familjare është se unë kam qenë një ndjekës shumë i afërt i gjithë veprimtarisë së profesorit në pothuasje çdo vepër që e ka vënë në skenë. Ajo që më ka bashkuar me profesorin Gurakuqi është edhe inspirimi që më ka dhënë ai sepse në çdo bisedë më ka dhënë një shkollë në vete profesionalisht”, tha Voci, duke shpreguar me tutje se çdo bisedë me Gurakuqin fillon dhe mbaron me artin.

Më pas, në skenë u ngjitën sërish kori i fëmijëve ‘Okarina’, që dhuruan emocione të mëdha tek të pranishmit me interpretimin e tyre.

Në vazhdim, moderatorja e këtij takimi, Besa Luzha, ia dha fjalën dirigjentit Edmond Doko, e i cili rrëfeu përvojën e tij me regjisorin Gurakuqi.

“Dimensioni i Nikolin Gurakuqit është një dimension shumë i gjerë. Gjithë këto aktivitete të Gurakuqit dëshmojnë se ai një karakter shumë të fortë për të përballuar këtë ngarkesë. Për kulturën shqiptare por edhe rajonale do të jetë unikale dh jo thjesht sasia por nga cilësia e veprave skenike”, u shpre Doko në fjalimin e tij dhe në vlerësimin mbi karakterin profesional të Nikolin Gurakuqit.

Ndërkaq, fjala iu dha edhe baritonit dhe mjeshtrit të madh, Ylber Gjinit, i cili ndau me të pranishmit punën e përbashkët me regjisorin Gurakuqi, një punë kjo që e ka zanafillën qysh në vitet e 90-ta.

“Karriera ime fillon me maestron Gurakuqi që në vitet e 90-ta. Në atë kohë filloi edhe karriera regjisoriale e tij, unë fillova karrierën si solist i operas. Unë kam ardhur me ‘La Traviatën’ fillimisht dhe kemi vazhduar me të tjerat. Nikolin Gurakuqit i flet vetë puna, sepse ai solli risi, sepse krahas tradicionales dhe klasikes futi edhe modernen, ishte koherent me çdo gjë që bëhej në të gjithë botën dhe ishte i përgatitur me gjithçka”, tha Gjini duke folur për aftësitë regjisoriale të Gurakuqit, të cilën ai e quan shkencë në vete.

Ndërkaq, ju kujtojmë që Nikolin Gurakuqi është një emër i shquar në fushën e muzikës operistike dhe jo vetëm. Ai njihet si regjisori i risive, e kjo për shkak të metodave të reja që ai ka aplikuar gjatë vënieve në skenë të operave./KultPlus.com

Mbongeni Buthelezi: Artisti afrikano-jugor që e kthen plastikën në portrete

Ndërsa artistë të tjerë mund të përdorin bojëra uji ose bojëra vaji, Mbongeni Buthelezi përdor mbetje plastike për të krijuar portrete me teksturë të lartë në studion e tij në Booysens, Johannesburg.

Mjeti i tij janë mbeturinat plastike që ai mbledh nga mbeturinat lokale dhe rrugët e qytetit. “Kafshët po vdesin, peshqit në oqean po vdesin – për shkak të këtij materiali dhe për shkak të neve si qenie njerëzore”, tha Buthelezi. “Jemi ne që duhet të marrim përgjegjësi.”

Një artist dhe aktivist, Buthelezi, 56 vjeç, e gjeti për herë të parë talentin e tij për krijuesin kur ishte djalë në fshatin KwaZulu-Natal, Afrika e Jugut. Ai skaliti figurina balte të bagëtive rreth fshatit të tij: lopë, kuaj dhe dhi.

“Unë jam rritur me kafshët e babait tim, bagëtitë kanë qenë pjesë e rëndësishme e jetës sime”, tha Buthelezi. Por jo gjithçka në këtë mjedis rural ishte e natyrshme.

Ai shpjegoi se mbeturinat plastike ishin aq të zakonshme në zonat e kullotave saqë u bënë një pjesë e padëshiruar e dietës së rregullt të lopëve. “Do t’i shihnim këto lopë të ngordhnin sepse kishin ngrënë plastikë,” tha Buthelezi.

Pesë dekada më vonë, Afrika e Jugut ka ende një problem serioz të ndotjes plastike. Në vitin 2018, 107,000 tonë metrikë mbetje plastike nga Afrika e Jugut përfunduan në mjedisin detar. Një studim i vitit 2015 zbuloi se vendi ishte një nga 20 kontribuesit kryesorë në botë për ndotjen plastike detare.

Me mbetjet plastike në rritje në mbarë botën, Buthelezi po përdor punën e tij për të nxjerrë në pah dhe për ta luftuar këtë çështje.

Plastika praktike

Përdorimi i mbetjeve nga Buthelezi nuk ishte gjithmonë në mbrojtje të mjedisit; ai fillimisht filloi të përdorte mbeturina plastike për artin e tij sepse nuk mund të përballonte mjete më tradicionale.

Në moshën 22-vjeçare, kur vendi ishte ende nën aparteid, ai u regjistrua në klasa me kohë të plotë në një shkollë arti në komunitet në Soweto, një qytezë në Johanesburg. Ai mori me vete vetëm dy batanije, shumë pak para dhe shumë optimizëm. Atje ai jetonte në një dhomë të vogël dhe punonte punë të çuditshme midis klasave për të përballuar qiranë dhe ushqimin. Nuk kishte para për materiale.

“Ishin vitet ’80 dhe Afrika e Jugut po përballej me këtë fazë tranzitore ku politika ishte shumë e paqëndrueshme,” tha Buthelezi.

Ai shtoi se klima politike nuk ofronte shumë mundësi për të rinjtë zezakë afrikano-jugor që përpiqeshin të ndërtonin karrierën e tyre, veçanërisht ata nga fshatrat. Problemi kryesor ishte mungesa e fondeve.

Buthelezi shpjegoi se nuk kishte shkollim formal në qytete dhe institucionet me bazë komunitare, si kolegji i tij, nuk morën mbështetje nga shteti.

“Shkolla na prezantoi me gjëra të tilla si kolazhi – duke përdorur revista të vjetra për të krijuar një vepër arti nëse nuk keni para për bojëra”, tha Buthelezi. “Pa ato mënyra të zbukuruara tradicionale për të bërë art, ne zgjeruam mënyrën tonë të shikimit të artit dhe jetës.”

“Pranë studios sime në kolegj ishte një vend depozitimi,” kujton ai. “Pashë të gjitha këto ngjyra të shkëlqyera, këto materiale … dhe thashë me vete, çfarë mund të bëj për t’i dhënë kuptim këtyre plastikës që janë kudo?”

Ai filloi të mblidhte mbeturina plastike për të “lyer” në vend të bojrave të shtrenjta të vajit. Ai zhvilloi një teknikë të përdorimit të një pistolete elektrike që prodhonte ajër të nxehtë për të shkrirë plastikën dhe më pas për ta aplikuar atë në një kanavacë të ricikluar. Sipas Buthelezit kjo është më miqësore me mjedisin sesa përdorimi i flakëve për shkrirjen e plastikës dhe nuk lëshon tym të dëmshëm në atmosferë.

Një vepër e Buthelezit e quajtur "Futbolli i rrugës".

Një vepër e Buthelezit e quajtur “Futbolli i rrugës”.Mbongeni Buthelezi

Pas përfundimit të studimeve në Institutin Afrikan të Artit dhe më pas në Fondacionin e Artit të Johannesburgut, ai vazhdoi të arrinte një diplomë të avancuar në Artet e Bukura nga Universiteti i Witwatersrand.

Ndërsa karriera e tij përparonte, ai mendoi përsëri për përvojat e tij të fëmijërisë me plastikën dhe rolin që luajti ndotja plastike në vdekjen e shumë lopëve të babait të tij. Në vitet ’90, Buthelezi ishte një artist profesionist dhe ishte i vendosur të përdorte inovacionin në art për të mirën e planetit.

“Si artist, unë jam pasqyra e shoqërisë sime”

Buthelezi ende punon duke përdorur të njëjtën metodë të shkrirjes së mbeturinave të plastikës. Punimet janë figurative dhe kryesisht eksplorojnë përvojën e rritjes në një vendbanim të Afrikës së Jugut. Gjatë gjithë karrierës së tij ai ka përdorur artin e tij për të edukuar dhe filluar biseda mbi mbetjet plastike globale. “Bota në të cilën jetojmë sot mund të na ofrojë gjithçka që na nevojitet për të bërë art pa prodhuar më shumë,” tha ai.

Buthelezi ka mbajtur ekspozita, ka marrë pjesë në festivale, ka udhëhequr seminare dhe ka marrë rezidenca artistësh në vende duke përfshirë Gjermaninë, SHBA-në, Barbadosin, Egjiptin, Australinë dhe Arabinë Saudite.

“Si artist jam pasqyra e shoqërisë sime”, thotë Buthelezi. “Unë duhet të reflektoj për atë që po ndodh në tokën ku jetoj.” Dhe për të, ajo që është “në tokë” është plastike.

Në mars, ai foli në një Forum Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë të Afrikës së Jugut mbi inovacionin plastik dhe në fund të vitit ai do të marrë pjesë në një festival arti dhe mjedisi në Abu Dhabi.

Megjithëse përpjekjet e tij kanë fituar vlerësime të gjera, Buthelezi thotë se jo të gjithë kanë qenë kaq mbështetës. “Disa njerëz thonë, ‘do t’ju mbarojnë plastika një ditë dhe pastaj nuk do të jeni në gjendje të bëni punën tuaj’,” tha ai. “Ata nuk e kuptojnë se do të isha i lumtur nëse kjo do të ndodhte. Për këtë po luftoj!”/cnn/KultPlus.com

Ndahet nga jeta aktori e regjisori shqiptar Anastas Nika

Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Anastas Nika ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare.

Nika vuante nga një sëmundje e rëndë tash e një vit, por pavarësisht donacioneve të mbledhura për shërimin e tij, Nika nuk ia ka dalë të jetojë.

Lajmin për ndarjen nga jeta të artistit e ka bërë të ditur djali i tij Enea përmes një postimi në Facebook.

Nika ka ndërruar jetë në spital në Athinë, derisa varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në orën 13 në varrezat e Sarandës.

Nika ka realizuar rreth 130 role në skenë, kinema dhe televizion, si dhe ka shkruar e shfaqur në skenë mbi 70 vepra e shfaqje të gjinive të ndryshme letrare./KlanKosova/KultPlus.com

RTL: Shqipëria destinacioni autentik i pushimeve gjithnjë e më popullor

Do të jetë Franca, Spanja, Italia apo Shqipëria në krye këtë vit?

Sipas agjencive të ndryshme turistike dhe ANWB-së (Shoqata Mbretërore Holandeze e Udhëtimeve), Shqipëria po bëhet një destinacion gjithnjë e më popullor pushimesh, shkruan faqja e njohur informative holandeze rtlnieuws.nl.

Vitin e kaluar vendi ishte kaq shumë i popullarizuar sa që disa agjenci udhëtimesh ishin mbushur plot.

Wladimir Meijer i ”Albania Travel” thotë se është e vështirë se mund të përballojë kërkesën për vendin.

Dikur ai filloi të organizonte udhëtime në Mal të Zi dhe më pas shtoi Shqipërinë.

“Njerëzit ishin aq të kënaqur me atë rajon sa vendosëm të ofrojmë udhëtime vetëm në Shqipëri,” tha ai për Editie NL.

Meijer thotë se shet aktualisht pesë herë më shumë udhëtime në atë vend.

”Krahasuar me vitin e kaluar, madje kemi një rritje prej 50 për qind. Vendi është padyshim në ngritje, këtë vit jemi tërësisht të shitur”, thekson Meijer.

Operatori turistik lokal Isuf Braho nga ”Visit Albania” po sheh gjithashtu gjithnjë e më shumë holandezë që vijnë në vendin e tij.

”Ne shohim që numri i holandezëve që vijnë në Shqipëri dyfishohet çdo vit”, tha ai për Editie NL.

”Pyeta shumë turistë se si erdhën në Shqipëri si destinacion. Ata thanë se nuk e kishin idenë se do të kishte një ndikim kaq të madh te ta”, thekson ai.

Prandaj Brahos i pëlqen të shohë holandezët të vijnë.

“Ata janë turistë të mirë. Ne kemi shumë male dhe shumë det dhe kjo tërheq njerëz të këndshëm”, shton Braho.

ANWB sheh gjithashtu një interes në rritje për Shqipërinë si një destinacion.

Sipas ekspertit televiziv Ron Vergouwen, programet televizive mund ta bëjnë një vend të popullarizuar për shkak të mënyrës se si ai portretizohet.

“Televizioni është një udhërrëfyes i madh pushimesh”, i thotë ai Editie NL.

”Gjithçka është filmuar aq bukur, sa asnjë broshurë udhëtimi nuk mund ta konkurrojë atë”, thotë ai.

Por jo vetëm programi televiziv ka luajtur një rol.

Meijer gjithashtu sheh një kulm për shkak të Covid-19.

“Njerëzit që shkonin me pushime aventureske në Vietnam ose Kamboxhia, për shembull, tani janë pak më afër shtëpisë. Gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë diçka ndryshe nga destinacionet e zakonshme dhe duan një eksperiencë autentike. Këtë mund ta gjeni në Shqipëri”, thekson Meijer.

”Shqipëria është vendi i fundit që u hap pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ajo konsiderohej edhe Koreja e Veriut e Evropës. Mendohet gjithashtu se ka kriminalitet, por njerëzit që kthehen nga pushimet nga Shqipëria, na bëjnë të ditur se janë pritur shkëlqyeshëm”, përfundon Meijer./atsh/KultPlus.com

Gati prezantimi publik i 5 projekteve finaliste për muzeun e ‘Besës’

Pas shpalljes së konkursit ndërkombëtar dhe përzgjedhjes së finalistëve, Ministria e Kulturës është gati për prezantimin publik të pesë projekteve nga do të dalë fituesi, që do ta kthejë shtëpinë-monument të Libohovitëve, në një muze e që do të mbajë emrin kuptimplotë “Besa”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri një ftesë publike përmes rrjeteve sociale për të marrë pjesë në këtë prezantim për ngritjen e muzeut më të ri në Tiranë.

Prezantimi publik i 5 projekteve do të bëhet në datën 26 qershor 2023, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit.

Pesë skuadrat finaliste janë: EAA (Emre Arolat Architecture), Oppenheim Architecture, Schneider & Schumacher, Cook Haffner Architecture Platform AS & Archispace si dhe MVRDV & IRi & OVE Arup&Partners Ireland Ltd & Martha Schwartz Partners.

Muzeu kushtuar institucionit të besës, do të ngrihet në godinën e njohur si Shtëpia e Libohovitëve, Monument Kulture, që ndodhet në krah të Kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve.

Muzeu do të jetë një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me atë faqe të lavdishme të historisë së shqiptarëve, siç ishte mbrojta që ata u bënë hebrenjve.

Ky bëhet muzeu i dytë pas atij të Vlorës që i kushtohet rolit të shqiptarëve në ruajtjen e hebrenjve në periudhën e Holokaustit./KultPlus.com

Arsye mos kërkoni

Jose Saramago

Mos më kërkoni arsyet, nuk i kam,     
ose do t’i jap me bollëk: ne e dimë.
Arsyet janë fjalë të lindura të gjitha
nga mitet prej të cilave mësojmë.

Mos kërkoni arsyet për të kuptuar
forcën e baticës që më mbush gjoksin,
të ndodhurit keq në botë dhe në këtë ligj:
ligjin s’e kam bërë unë, botën s’e pranoj.

Mos kërkoni arsyet, as të falurat.
Sipas meje të dashuruarit dhe të rrënuarit:
kur nata është e gjatë arrin agimi
i pranverës që do të dojë të lindë

Përktheu: Faslli Haliti. / KultPlus.com

‘Green Fest’ gati për edicionin e radhës, ju presin një varg aktivitetesh

Green Fest tash e sa vite vije në sinkron me objektivat e zhvillimit të qendrueshëm, të njohura më konkretisht si SDG, andaj edhe tema e sivjetme është në përputhje me SDG 13 që trajton nevojën për veprim ndaj ndryshimeve klimatike. Me siguri kjo temë ju sjellë në mendje këngën e famshme “Imagine” të John Lennon, teksti i së cilës akoma vlen për njerëzimin. Por,kësaj radhe do të imagjinojmë gjerë e gjatë.

Prej datës 29 qershor deri me datë 2 korrik, edicioni i 13-të i festivalit “Green Fest”, në Mitrovicë sjell para publikut një varg aktivitetesh.

“Green Fest” u krijua si nismë që përmes mediumit të artit dhe kulturës të ndikohet në një ambient më të pastër. Qëllimi i aktiviteteve të këtij festivali për vite me radhë synon të frymëzoj individë, komunitetet dhe shoqëri për të ndërmarrë veprime për të luftuar ndryshimin e klimës.

Në edicionin e sivjetmë programi përbehet nga ekspozita, mbrëmje muzikore, hulumtime etj.

Më 29 qershor mbahet ceremonia hapëse me fillim nga ora 18:30, për të vazhduar pastaj me hapjen e ekspozitës “Wild Kosova” nga Arian Mavriqi dhe mbrëmje muzikore në fund.

30 qershori përfshin prezantim të hulumtimit, ‘Green Kids’ dhe ‘Green Movie’ dhe dy netët tjera po ashtu kanë në program ekspozita, publikime të libërthit, muzikë e aktivitete tjera.

Në mesin e artisteve pjesëmarrës gjatë mbrëmjeve muzikore të festivalit janë edhe Jericho, Eugent Bushpepa, Dren Abazi, Vedat ademi etj. / KultPlus.com

“Heshtimë”, ekspozita që natyrshëm nxit reflektimin e të kaluarës së dhimbshme të Kosovës

Në qendër të qytetit të Prishtinës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, është hapur mbrëmë ekspozita e rrallë “Heshtimë”, një iniciativë e OJQ Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes. Kjo ekspozitë është e shtata me radhë dhe sjell në pah një pasqyrë të thellë të të kaluarës së dhunshme të Kosovës, duke përfshirë ngjarjet e pafalshme dhe emocionet personale të njerëzve që u përfshinë në projektin “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”. Nëpërmjet historive dhe dokumenteve autentike, ekspozita na udhëheq nëpër vitet e turbullta të 1996, 1997, 1998 dhe 1999, shkruan KultPlus.

Gjatë lëvizjeve nëpër hapësirën ekspozuese, vizitorët mund të përjetonin një udhëtim emocional që i sjell ata pranë një periudhe të errët dhe të dhunshme të historisë së Kosovës. Duke kaluar përmes ngjarjeve thelbësore të kohës, shihet fuqia dhe rëndësia e historisë personale dhe kolektive. Pikturat, fotografitë dhe rrëfimet e ekspozuara shërbenin si dëshmi të fuqishme të asaj që ndodhi në të shkuarën.

Autorët e punimeve artistike, ndonëse nuk ishin profesionistë të fushës, ata kishin arritur të bëjnë një punë të jashtëzakonshme në dokumentimin e të kaluarës.

Ekspozita “Heshtimë” natyrshëm nxiste reflektimin mbi dhunën dhe pasojat e saj, duke shfaqur gjithashtu forcën e rezistencës dhe ngulmimit të njerëzve të zakonshëm për të kapërcyer tragjedinë dhe për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme.

Emine Ismaili nga Organizata e ANP-së (Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i paqes) tha që përmes kësaj ekspozite janë munduar të shfaqin publikisht përjetimet e luftës e dhimbjet e kaluara nga këta individ.

“Në kemi gjetë mënyrën më të lehtë ta themi atë që është e vështirë të thuhet. Secili prej autorëve të veprave është kthyer prapa në kohë duke na shëtitur nëpër vitet e pas 90-tave”, theksoi Ismajli.

Gjithashtu, Ismajli foli edhe për emrin e vetë ekspozitës.

“Heshtimat për mua janë ato tri pikat e shenjave të pikësimit. Ato tri pikat që zënë shumëçka. Mund ta fusësh botën përbrenda me të githë përjetimet e veta. Janë ato dialogjet e fshehta brenda atyre përjetimeve dhe brenda nesh”, u shpreh Ismaili duke potencuar se shumëherë mbetet diçka peng, diçka që fshihet dhe heshtet e nuk thuhet, por edhe diçka që harrohet të ceket. Andaj kjo është edhe njëra ndër arsyet kyçe se pse ekspozita u emërua “Heshtimat”.

Ndërkaq, Kreshnik Osmanaj, njëri ndër autorët e veprave të realizuara në këtë ekspozitë, shpalosi disa nga ngjarjet e kaluara dhe njëkohësisht interpretoi mesazhin që ka dashur të japë me anë të punimit të tij, duke dhënë informacione më të thukëta për KultPlus.

“Përmes punimit tim kam dashur të shpreh ndjenjën e një fëmije 12 vjeçar i cili detyrohet të ndërpres lojën, braktisë shokët, shkollën duke marrë një rrugë pa kthim. Një fëmijë i cili nuk e din se nëse do të kthehet ndonjëherë në tokën, fushën e shoqërinë e vet”, shprehet Osmanaj për të cilin ajo periudhë ka qenë ndër më të vështirat e jetës së tij dhe se një përjetim të tillë nuk do t’ia donte askujt për shkak që ato pasoja ai i mbartë me vete edhe sot.

Edhe pse gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Osmanaj ka qenë në një moshë shumë të vogël, atij nuk i janë fshirë nga kujtesa ato histori por përkundrazi i janë vulosur thellë në kokën e tij për të mos harruar as edhe një detaj të vetëm.

Përmes disa fjalëve të thëna për KultPlus, ai shpalosi një ndër ngjarjet që e mban mend fort mirë sot e asaj dite.

“Më kujtohet një rast që më ka ndodhur gjatë kohës së luftës, kur ndodhesha në fshatin Zallq të komunës së Istogut. Edhe pse atëherë isha vetëm 12 vjeçar, me shtat kam qenë më i rritur dhe nëna ime më tha që të qëndrojë në fund dhe në rast se serbët na ndalojnë luaje rolin se nuk je mirë në aspektin psikik.”

Osmanaj thotë që fatmirësisht ai rast nuk ndodhi dhe se nuk i ra rasti ta luajë fare atë rol, për shkak se me shumë gjasa do të dështonte në lojën e tij dhe se sot nuk do të ishte gjallë fare.

Përtej përjetimeve të autorëve brenda ekspozitës, ka dhe shumë raste tjera jashtë saj, të cilat heshten, mbulohen ose nuk thuhen kurrë.

Ekspozita “Heshtimë” është realizuar nga pjesëmarrësit e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë” në bashkëpunim me Aksionin Kundër Dhunës dhe Ndërtimin e paqes (ANP). Gjatë ekspozitës u shpërndanë edhe disa kopje të librit “Shoh”, e cila u botua nga kjo organizatë në fund të prillit të këtij viti, në tri gjuhë të botës.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri me datën 24 qershor të këtij viti. / KultPlus.com

Korça me 60 interpretues të folkut në festivalin e Gjirokastrës

Korça do të ketë grupet e saj artistike që do performojnë në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar. Komisioni Artistik përzgjodhi nga një pjesëmarrje e gjerë, grupet të cilat do të përfaqësojnë qarkun Korçë në këtë rikthim të një prej traditave më të bukura folklorike.

Më datën 27 qershor qarku i Korçës  do të jetë pjesë e Festivalit Folklorik Kombëtar, që zhvillohet në Gjirokastër.

Rreth 60 bartës të folklorit nga të gjitha bashkitë e qarkut do jenë pjesë e festës më të madhe të folklorit shqiptar, ku do ngjiten në skenën e kalasë së Gjirokastrës .

Korça në këtë festival do të përcjellë vlerat më të bukura e të larmishme të trashëgimisë shpirtërore, etnomuzikore, etnografike dhe ato koreografike./atsh/ KultPlus.com

Pas Bebe Rexhës, një tjetër këngëtare shqiptare sulmohet në skenë (VIDEO)

Pas këngëtares Bebe Rexha, një tjetër këngëtare shqiptare me famë ndërkombëtare është sulmuar gjatë performancës së saj në skenë.

Ylli i popit Ava Max, u godit nga një mashkull në mes të skenës teksa ajo po këndonte në një koncert në Los Angelos.

Autori u largua menjëherë nga skena pas ndërhyrjes së truprojave, ndërsa Ava Max nuk pati asnjë reagim dhe vazhdoi performancën e saj sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Megjithatë, pas koncertit, ajo reagoi në Twitter, ku bëri me dije se është gërvishur në pjesën e brendshme të syrit.

“Ai më goditi aq fort sa më gërvishti pjesën e brendshme të syrit. Ai nuk do pjesë e asnjë shfaqje asnjëherë më. Megjithatë, faleminderit fansave që ishit sonte në Los Angelos”, shkroi Ava Max.

Kujtojmë se pak ditë më parë këngëtarja shqiptare Bebe Rexha u përball me një incident të tillë, pasi u godit në fytyrë me celular në momentin që teksa performonte, bënte me duar simbolin e shqiponjës.

Bebe Rexha ka marrë dëmtime në pjesën e jashtme të syrit, megjithatë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore./Express / KultPlus.com

Ministria e Kulturës ndan çmimet në fushën e muzikës, në mungesë nominimesh nuk u nda çmimi për veprimtari jetësore

Sot, në Ditën Botërore të Muzikës, për të festuar dhe nderuar arritjet e muzikantëve të shquar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ndau çmimet vjetore në fushën e muzikës. 

Juria profesionale, në përbërje prej kompozitorëve dhe dirigjentëve Baki Jashari, Kushtrim Gashi dhe Hajrullah Syla, pasi vlerësoi propozimet dhe analizoi veprat që kanë konkuruar në ftesën publike, vendosi si vijon:

Çmimi për vepër vokalo – instrumentale, i ndahet kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “Exodus” për solo sopran, kor dhe orkestër simfonike.

Çmimi për vepër orkestrale – simfonike dhe koncertante, i ndahet dy kompozitorëve Ersan Januzi për veprën “Take a deep breath” për orkestër simfonike dhe Dafina Zeqiri Nushi për veprën “Wind” për orkestër simfonike.

Çmimi për vepër kamertale i ndahet Kreshnik Aliçkaj për veprën “Passacaglia” për orkestër harkore, harpë, çelestë dhe perkusione si dhe Valton Beqiri për veprën “XX” për kitarë dhe orkestër harqesh. Në pamundësi të pjesëmarrjes në ceremoni, të dyja çmimet u pranuan nga familjarët dhe kolegët e tyre.

Çmimi për vepër korale me ose pa shoqërim instrumental, i ndahet kompozitores Dea Ahma për veprën “De Vita et morte ” për zëra solo, narrator, tri kore mikse dhe përkusione.

Çmimi për vepër solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Tri pjesë për klarinet dhe piano”.

Në mungesë të nominimeve nga institucionet përkatëse, juria profesionale këtë vit nuk ndau Çmim Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”./KultPlus.com

Nis Festivali Ballkanik i Filmit, në garë 80 prodhime kinematografike

Për të 13-in vit me radhë në Pogradec zhvillohet Festivali Ballkanik i Filmit. Ndryshe nga vitet e fundit ka pasur prurje të mëdha, por juria ndërkombëtare ka qenë e detyruar edhe për arsye ekonomike të sjellë vetëm 80 filma.

Drejtori i këtij festivali, Eno Milkani, thotë se një pjesë e mirë e filmave konkurrues janë filma eksperimentalë të shkollave të ndryshme ballkanike.

“Një pjesë e këtyre filmave janë të autorëve të rinj, ashtu si pjesë e filmit janë filmat me metrazh të shkurtër por edhe të gjatë. Gjatë ditëve të këtij festivali në Odeonin e qytetit do të shfaqen edhe filmat e restauruar shqiptarë”, shprehet Milkani.

Francezja Emilie Richelle, anëtare e jurisë ndërkombëtare, u shpreh se:

“Unë kam 10 vite që e ndjek festivalin ballkanik të filmit, i cili është tejet i pasur me produkte fantastike, mendoj që është shumë interesante promovimi i këtyre filmave në Francë, që është vendi ku unë vij por dhe shtete të tjera absolutisht. Mënyra sesi ndërtohen këto filma dhe transmetojnë emocione, disa herë me heshtje, disa herë me muzikë, qoftë dhe aktorët më atë çka shfaqin, i bën këto filma shumë interesante”, thotë Richelle.

Në natën e parë është shfaqur dokumentari “Legjendat e Gjolit” bazuar në dorëshkrimet e publicistit të njohur Fatos Baxhaku, realizuar nga Eno Milkani  dhe Gerta Qurku. / KultPlus.com

Margariti kujton interpretuesit brilantë të folklorit nga të katër anët e Shqipërisë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka nderuar kujtimin e artistëve të mirënjohur popullorë, interpretues brilantë, që me talentin e tyre i dhanë zë, ngjyra dhe jetë, ndër vite, performancave folkorike nga të katër anët e Shqipërisë, të cilët sot kujtohen si krenaria e Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Margariti ka kujtuar këngëtarë, rapsodë, valltarë, instrumentistë dhe formacione muzikore, te cilet ishin trashëgimtarët pasionantë të këngëve, valleve tradicionale, që i bartën dhe përcollën me mjeshtëri si vlera të jashtëzakonshme dhe unikale të trashëgimisë sonë folklorike, pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Teksa Festivali Kombëtar i Gjirokastrës 2023 është në prag, kujtojmë me mirënjohje:

Xhevat Avdallin, “Artist i merituar”, bilbili i këngës gjirokastrite, korifeu i “Grupit të Pleqve”, që lanë të përjetësuar në art gjithë ceremonialin e jetës shpirtërore të qytetit të gurtë.

Laver Bariun, klarinetistin virtuoz, që interpretoi së bashku brengën dhe gëzimin e shpirtit njerëzor. Kabatë e tij të famshme, vijnë herë si gurgullima e Vjosës e herë si fëshfërima e pyjeve të Dangëllisë dhe pa dyshim ishin një copëz e shpirtit naimjan.

Ndue Shytin, “Artist i Popullit”, që me dy tela çiftelie dinte të prekte dhe të gëzonte shpirtrat e mijëra njerëzve. Me talentin e tij e gdhendi melodinë, që tingujt e saj të mos i marrë era, që tingujt të kenë peshën e gurit të maleve pukjane e të krejt Shqipërisë.

Demir Zykon, i cili kishte zërin e një tenori lirik, të bukur e jashtëzakonisht të ëmbël. Kënga e tij kullonte nga shpirti, me nuancat më të bukura vokale, duke e ngritur interpretimin virtuoz të polifonisë toske deri në kulminacionet më mahnitëse e duke e shndërruar këtë figure në një legjendë.

Fatime Sokoli, “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh,” e cila ia kushtoi jetën e saj artit dhe traditës folklorike të krijuar ndër breza. Rrugëtimi i saj artistik i ngjan fluturimit të një shpendi, që nuk mund të jetojë pa hapësirën dhe shpirtin e një populli të lidhur fort pas Alpeve, truallit që e lindi këngën epike e që Fatime Sokoli e interpretoi mrekullisht.

Dervish Shaqja, “Artist i merituar”, Orfe i folklorit burimor shqiptar, i cili me këngën, stilin dhe melodinë e tij la gjurmë të pashlyera tek të gjithë pasardhësit e tij, mori përmasat e një simboli të gjallë, të një “ambasadori” flakërues për situatat e asaj kohe në Kosovë. Ai me mjeshtëri të paarritshme ka krijuar dhe interpretuar këngët më të bukura të kohës së tij.

Ali Kondi. “Artist i merituar”, i cili lumturonte me “devolliçen” jo vetëm ne, por edhe çdo shqiptar tjetër, kudo që ndodhet, duke na ruajtur mallin dhe dashurinë për atë vend të shenjtë, që e duam dhe s’e këmbejmë me asnjë tjetër.

Taip Madani, “Artist i merituar”, Mjeshtër i valleve elegante e plot kolorit të Çamërisë. Veçanërisht i ngriti një monument artistik valles së Osman Takes. Kishte një kërcim mahnitës, befasues, plot gjallëri dhe jetë.

Golik Jaupi, “Artist i merituar”, i cili e përcolli këngën e popullit si era kur përplasej maleve, pyjeve dhe lëndinave plot lule të Labërisë. Herë epik, si një bubullimë, kur u këndonte “gjithë burrave me palcë guri”, herë i butë, flladitës e përkëdhelës si një fëshfërimë bari, kur i këndonte vendlindjes së tij dhe idileve baritore. Ai është bashkudhëtar me këngën labe, sikundër është blerimi me pranverën.

Fitnete Rexha, “Artiste e merituar”, një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, e cila me zërin e saj brilant këndoi këngën tashme himn “Gjirokastra ne shpat’ mali”.

Margariti ka kujtuar gjithashtu grupin kosovar të Rrashbullit, grupin çam të Rrogozhinës, orkestrinën e Zef Grudës, Kukës, orkestrinën simfonike të çiftelive dhe sharkive të Ndue Shytit, Pukë, orkestrinën e Matit, ritualin e “ditës së verës”, të Elbasanit, kabatë e famshme të Çobanit, Lulushit të Korçës dhe shumë e shumë të tjerë, këngëtarë, rapsodë, instrumentistë, valltarë, interpretues etj./ atsh / KultPlus.com

Nesër në Shkup fillojnë aktivitetet e Javës së Çamërisë

Nga dita e nesërme fillojnë aktivitetet e Javës së Çamërisë në Shkup.

Aktivitetet fillojnë nga ora 17:00 tek Sheshi ‘Skënderbeu’ me ekspozitën nga piktorë vendas – Piktura me motive çame, ndërsa nga ora 19:45 tek Sheshi Skënderbeu – I Love Çamëria Fest ku do të performojnë Dj Blaze, Lindon Berisha, Hysni Alushi & Enkelejda Arifi dhe grupi Jericho.

“Të premten nga ora 11:00 tek Hotel Bushi do të ketë panel diskutimi me profesorët Ahmet Mehmeti, prof. Fehari Ramadani dhe Qerim Lita, ndërsa nga ora 14:30 Marshi paqësor për Çamërinë që fillon nga platoja e Kalasë deri tek Ambasada greke”, bëjnë të ditur organizatorët. / KultPlus.com

Dije Bllaca hapë ekspozitë personale në 24 vjetorin e çlirimit të Podujevës

Në datën e çlirimit të Podujevës u hap ekspozita “24 vjet”, aq sa po festonte Podujeva vite çlirimi. Ekspozitën e çeli Shpejtim Bulliqi, kryetar i komunës së Podujevës.

Nga Agron Gërguri

Pikturat e Dijes nuk ishin përshkushtim stereotip për luftën, çlirimin porse ajo kishte zgjedhur 24 piktura nga të cilat përvijon çlirimi i shpirtit përmes artngjyrës dhe arti bëhet mënyrë komunikimi përtej politikës dhe dallimeve çfarëdo qofshin ato duke krijuar klimën e shëndetshme e të dëshiruar në botën e trazuar njerëzore.

Artdashësit, strukturat komunale dhe artistët patën një moment reflektimi për të bukuren, për artin si frekuenca më pajtuese e komunikimit. Pafundësia e kombinimit të ngjyrave me të cilat piktorja kishte krijuar peizazhe kryesisht ekspresive të cilat jo veç me syrin por komunikonin thellësisht me qenien e  audiencë,s vizitorë të ekspozitës përmes ngjyrave të vendosura në pëlhurë  kryesisht me tekniken akrilik me tema të ndryshme.

Peizazhet që prodhojnë ndjenja të mira

 Duke i shikuar pikturat me emërtime si kode të leximit të pikturave e që kryesisht ishin peizazhe, por ku kishte edhe natyra të thellësisë së detit refleksione  dhe ndonjë gjysmëakt që shpërfaqte sensin e gruas, bukurinë, brishtësinë dhe joshjen. Çiltërsia dhe bukuria femërore me ndjesi te theksuara te ngjitej si mesazh dhe kur plotësohej mozaiku i punimeve dhe rrëfimi për 24 vite lirie nga një jetë bardhë e zi tashmë  ngjyrat po i japin kuptim shpirtnor lirisë pikërisht aty ky synon te prek arti, jetën ta bëjë me fytyrë njerëzore dhe që me sukses kishte realizuar piktorja Dije Bllaca e cila frymën e saj kreative ua injekton edhe nxënësve ku punon si mësimdhënëse dhe si recensente e librave shkollor të artit.

Me peizazhe natyre që bëhen peizazhe shpirti si ndjenjë e cila të përmbush me plotënin e ngjyrave.  Diçka që shkon përtej horizontit të shikimit deri atje ku sheh e kënaqësinë e përjetimit që të ofron arti i pikturës.

Peizazhi i oqeanit ta jep këtë pafundësi të mundësive dhe pasurive të jetës. Njohja me fuqinë e oqeanit si një infinit i imagjinatës për mundësit shprehëse përmes pikturës

Pikturat “e kaltërta” , “Horizont”, Peizazh i kuq”, “Reflektim” ,  e të tjera e reprezentonin Dijen piktore të realizuar e cila di të “manipuloj” me ngjyrat kreative duke ju dhënë kuptime të ndryshme domethënëse që shpesh nuk kanë nevojë të deshifrohen thjeshtë kënaqesh duke i shikua.

Hapësira e përmbushur me ngjyra ku dominojnë e kaltërta, nuancat e të kuqes, e verdha, projeksioni i bardhësisë me plotë kontraste dhe harmoni janë veçantia e shprehjes artistike të Dijes të cilat ajo i  formulon si mesazhe çlirues të ndjenjave dhe njëkohësisht prodhon emocione të  mira në raport me perspektiven e jetës përkatësisht dëshirës për një jetë ndryshe ku shpirti i artistit verifikohet si promotor i ndryshimeve pozitive duke e kuptimësuar lirinë.

Çmimet për punën artistike

    Piktorja Dije Bllaca për realizimet e saja disa here është vlerësuar me çmime prestigjioze: çmimi “Për punë dhe kreativitet artistik në lëmin e pikturës”* Ferizaj 2007, çmimi “ Draudacum për pikturë”, Gostivar, Maqedonia e Veriut, 2013. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive, individuale, koloni në Gjermani, Shqipëri, Argjentinë, Turqi e vende tjera.

Kuratorja Vlora Demiri në fjalën e saj prezantuese e tha një të vërtetë që duhet përligjur se Arti nuk është profesion dhe se Artisti nuk është profesionist është thjeshtë Artist, prodhimtar i ndjenjave të mira, siç është Dije Bllaca .

Urdhëroni në Galerinë e Arteve në Podujevë në Ekspozitën personale të Dije Bllacës , të cilën e ndihmoj Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport  komuna e Podujevës. / KultPlus.com

_upscale _blur _autotone