Karl Gustav Jung, psikiatri që “krijoi” njeriun e Nëntëqindës

Ai ishte një nga më të mëdhenjtë e shekullit të njëzetë, ai zbuloi se në detin e madh të të pavetëdijshmes ekziston identiteti ynë personal, por edhe një trashëgimi universale që ka të bëjë me të gjitha qeniet njerëzore. Dhe një rrëfim për përplasjen me Freud-in, që e vuri dishepullin para dilemës: të ishte besnik i mësuesit, apo besnik i idesë?

Pak mendimtarë kanë patur ndikim mbi mendimin e shekullit 20 si Carl Gustav Jung. Mendimi i tij është shumë më popullor, nga sa mund të mendohet. Dhe shumë nga termat që ai krijoi, kanë hyrë tashmë në hapësirën e gjuhës së zakonshme. Kur themi, për shembull, se Inspektori Montalbano ka fytyrën e Zingarettit, dhe që tani kushdo që lexon romanet e tij sheh atë fytyrë, ne përdorim konceptin e të pavetëdijshmes kolektive në një mënyrë sipërfaqësore, por jo plotësisht të gabuar. Dhe kur pyesim veten se kush ishte futbollisti më i madh I të gjitha kohërave, Pelé apo Maradona, ne në të vërtetë po aplikojmë një koncept Jungian. Në fakt, po kërkojmë arketipin e futbollistit, atë figurë të fundme dhe të padiskutueshme që mund të mishërojë në sytë e të gjithëve konceptin e “futbollit”. Fjalë dhe ide të tilla si arketipi, energjia simbolike, e pavetëdijshmja kolektive dhe madje edhe introvert e ekstrovert (konceptet e prezantuara nga Jung në veprën e tij Tipas Psikologjike të 1921) kanë lënë prej kohësh horizontin e vogël të literaturës specialistike, për të mbërritur në oqeanin e gjerë të gjuhës së përditshme.

Përpara Freud-it

Jung lindi në Kessvil, Zvicër, më 26 korrik 1875 dhe pati një fëmijëri të lumtur. Ai nuk ishte një fëmijë i shoqërueshëm dhe megjithëse ishte i aftë për marrëdhënie normale, nuk e kishte problem të luante vetëm. Në moshën njëzet vjeç u regjistrua në mjekësi në Universitetin e Bazelit. Nëse është e vërtetë që ndonjëherë teza e diplomimit zbulon interesa që do të mbesin për gjithë jetën, Jung është një shembull i përsosur.

Punimi i tij, botuar në vitin 1902 nën titullin “Psikologjia dhe patologjia e të ashtuquajturave fenomene okulte”, zbulon interesimin e Jung-ut për atë që nuk mund të shpjegohet vetëm me logjikë. Nga fenomenet okulte të vitit 1902, tek komentimi i Librit Tibetan të të vdekurve, Ching, alkimia, UFO-t, Jung ka qenë gjithmonë i vëmendshëm për gjithçka që shkonte përtej logjikës perëndimore. Pas tezës së diplomës, për Jung-un u hapën dyert e një karriere të shkëlqyer akademike. Gjatë kësaj periudhe, vepra më e rëndësishme është “Psikologjia e dementia precox”, 1907, një studim kliniko-teorik që përpiqej të propozonte mënyra të reja për të trajtuar problemin e demencës së hershme. Pastaj erdhi takimi me Frojdin dhe mendimin e tij.

Takimi me Freud-in

Puna e Jung me pacientët me çrregullime mendore e bëri atë të vëmendshëm ndaj botimeve që ofronin mënyra të reja për të trajtuar këtë lloj sëmundjeje. Duke reflektuar mbi shkrimet e Freud-it, Jung-u u bind për vërtetësinë e teorive të tij dhe i shkruajti duke shprehur admirimin e vet. Më 1907 të dy më në fund u takuan. Freud-i ishte 51 vjeç dhe Jung-u 32 vjeç. Diferenca në moshë bëri që Freud-I ta konsideronte Jung-un pothuajse si një djalë, ose të paktën një dishepull të ri dhe shumë të zotë. Në vitin 1909, pas vetëm dy vjetësh njohje, Jung-u shoqëroi Freud-in në udhëtimin e tij të famshëm për në Shtetet e Bashkuara. Dhe ishte gjatë udhëtimit me anije, që marrëdhëniet midis të dy filluan të pësojnë çarje.

E pavetëdijshmja kolektive

Kontrasti midis Freud-it dhe Jung-ut shpërtheu në vitin 1912 me botimin e “Libido: simbole dhe transformime”, vepër që u rishikua më pas në formën e saj përfundimtare në vitin 1952, dhe u botua nën titullin “Simbolet e Transformimit”. Në këtë vepër, Jung-u prezantoi rezultatin e rrugëtimit të tij teorik dhe studimeve të zgjeruara, nga individi tek historia kolektive e njerëzimit.

Për Jung-un, ekzaminimi i shprehjeve të ndryshme filozofike, kulturore dhe fetare të njerëzimit tregonte se, përveç individit të pavetëdijshëm ekziston edhe një e pavetëdijshme kolektive, e cila bashkon qeniet njerëzore dhe shprehet në arketipet, domethënë në ato figura të qarta dhe të paqarta që mishërojnë një koncept dhe të cilat mund të pikasen menjëherë: Nëna, Fëmija, Heroi, Shenjti, Shëruesi. Për Jungun, qenia njerëzore është e thirrur të ndjekë një rrugë të rritjes së brendshme, të cilën ai e quan individualizim. Eshtë një proces personal që na lejon të identifikojmë egon tonë, duke u përballur me vetveten si me individin ashtu edhe me të pavetëdijshmen kolektive. Për Jung-un, pra, psikika ka një projekt, dhe një psikikë e shëndetshme është ajo që identifikon dhe ndjek qëllimin e saj përfundimtar.

Përseja e konfliktit

Mbi bazën e këtyre reflektimeve, Jung-u dhe Freud-I hynë në konflikt, edhe sepse në mes ishte mënyra se si duhej kuptuar epshin. Për Freud-in identifikohej në ngasjen seksuale. Ishte shtytja për diferencimin seksual dhe kënaqja e nevojave të individit. Dhe sipas tij, psikoanalizës i duhet të studojë nxitjet seksuale, sepse epshi fsheh mesazhet e të pandërgjegjshmes. Për Jung-un kjo ishte kufizuese. Ai nuk mund të pranonte që çdo krijimtari artistike ose filozofike buronte nga seksualiteti.

Kjo është arsyeja pse ai foli për simbolet dhe transformimet. Për të, u bë e domosdoshme të zgjerohej koncepti i epshit, në mënyrë që të përfshihen elementë të tjerë që përbëjnë të ashtuquajturën “energji psikike”. Për Jung-un, në të vërtetë, ekziston një energji psikike që shndërrohet dhe shprehet përmes një “funksioni simbolik”. Ky funksion, me pak fjalë, është aftësia për të përpunuar konceptet dhe shtytjet individuale, duke i shndërruar ato në simbole, domethënë në shenja “që tregojnë diçka tjetër”. Historia e Jung-ut është histori e një dishepulli, i cili përballet me një zgjedhje: të jetë besnik i mësuesit, apo besnik i idesë? Freud-i kishte sjellë në jetë psikanalizën, por tani ajo ishte më e rëndësishme se vetë Freud-i dhe Jung-u ndjeu se ishte detyra e tij, që ta bënte të rritej përtej themeluesit.

Alkimia dhe misticizmi

Koncepti i “transformimit” e mahniti Jung-un, i cili pyeste veten se si, në shekujt para zbulimeve të para të Freud-it, energjia psikike, gjithnjë e pranishme tek njeriu, kishte gjetur një mënyrë për t’u shprehur dhe nëse, në histori, mund të gjendeshin shembuj të tjerë “individualizimi”. Ky interes e shtyu atë të studionte Alkiminë, duke e konsideruar jo si paraardhëse të kimisë, por si mënyra për shndërrimin e Vetes, që sipas Jungut, ishte qëllimi përfundimtar i jetës psikike. Krahas Alkimisë, Jung-u identifikoi një rrugë tjetër me të cilën njeriu kishte udhëtuar duke kërkuar – pa qenë i vetëdijshëm – vënien në praktikë të procesit të identifikimit të vetvetes, gjegjësisht mistikës dhe veçanërisht asaj lindore. Jashtë një rrethi të vogël specialistësh, Jung-u ishte ndër të parët që u interesua për tekstet e lashta fetare siç është “Libri Tibetan i të Vdekurve”, i cili tregon rrugën që shpirti njerëzor merr në jetën e përtejme, dhe Ching, një traktat të artit hyjnor kinez, qëllimi i të cilit është të tregojë ndërlidhjet midis njeriut dhe kozmosit, për të nxjerrë mësime që duhen zbatuar në jetën aktuale.

Struktura e Personalitetit

Për Jungun, struktura e psikikës është Personi – Hija – Animus – Anima

  • Personi është uni personal
  • Hija është përfaqësimi i shtytjeve dhe dëshirave të fshehta të të pandërgjegjshmes
  • Animus është imazhi mashkullor i pranishëm tek femra
  • Anima është imazhi femëror i pranishëm tek mashkulli.

Bashkimi i gjithë këtyre të çon tek Vetja, ose shprehja e plotë e personalitetit. Një vizion i tillë shkaktoi skandal, sepse pohimi që tek çdo burrë ishte i pranishëm edhe një aspekt femëror binte ndesh me maskilizmin e shoqërisë së kohës së tij.

Përgatiti: bota.al /KultPlus.com

‘Spider-Man: Across the Spider-Verse’ kryeson me 120 milionë dollarë për shitje biletash në Amerikë

Filmi i animuar “Spider-Man: Across the Spider-Verse” është filmi numër 1 në Amerikën e Veriut, duke fituar 120.5 milionë dollarë në të ardhura këtë fundjavë.

Në vendin e dytë renditet “The Little Mermaid” me 40.6 milionë dollarë, e ndjekur nga “The Boogeyman” me 12.3 milionë dollarë, “Guardians of the Galaxy Vol. 3” në vendin e katërt me 10.2 milionë dollarë dhe “Fast X” në të pestin me 9.24 milionë dollarë.

“Super Mario Bros” është renditur në pozitën e gjashtë me 2.4 milionë dollarë, “About my Father” në pozitën e shtatë me 2.1 milionë dollarë, “The Machine” në të tetën me 1.8 milionë dollarë, “You Hurt My Feelings” në të nëntën me 770,000 dollarë dhe “Kandahar” në pozitën e dhjetë me 765,000 dollarë./KlanKosova/KultPlus.com

‘Chopin Fest’ me maratonë pianistike për artistët e rinj, mbrëmja mbyllet me koncertin e Klaudia Gjinit

Flonja Haxhaj

Festivali ‘Chopin Piano Festival’, edhe në këtë edicion vazhdoi traditën e mbajtjes së maratonës pianistike, një maratonë kjo që u jep mundësinë edhe pianistëve të rinj që të performojnë në skenën e këtij festivali, përcjell KultPlus.

Maratona në të cilën u prezantuan nxënësit nga shkollat e muzikës në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë, përveç që luajtën në piano vepra të kompozitorëve të ndryshëm botërorë, vunë në pah edhe potencialin e pianistëve që do ta pasurojnë artin dhe muzikën klasike në Kosovë.

Kjo ngjarje që filloi në ora 12:00 dhe përfundoi në ora 21:00, i dha mundësinë publikut në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare që të shijojë kryeveprat e kompozitorëve si: Chopin, Mozart, Moskowski, Beethoven, Tchaikovsky, Joplin, Gjoni e shumë kompozitorë të njohur botërisht.

Ndërkaq, pjesa përmbyllëse ishte e destinuar për pianisten Klaudia Gjini, e cila është fituese e festivalit ‘Chopin’ në Durrës. Me veprat e Beethoven dhe Moskoëski, Gjini arriti të sjellë emocione të forta në publik, e nga i cili pas koncertit mori duartrokitje disa minutëshe.

Pas përfundimit të maratonës, për KultPlus foli organizatorja e ‘Chopin Piano Fest’, Besa Luzha e cila u shpreh e lumtur për performancën dhe potencialin që treguan pianistët e rinj.

“Kjo na veçon neve si ‘Chopin Piano Festival’, sepse që nga fillimi gjithmonë kemi pasë dëshirë t’u japim hapësirë edhe talentëve të rinj. Duke dashur ta vazhdojmë këtë traditë dhe duke e parë që çdo herë është rritur numri i nxënësve dhe shkollave, nuk kishim si me i zgjedhë për një mbrëmje, atëherë vendosëm këtë maratonë në mënyrë që të gjitha shkollat me u prezantu me disa nga nxënësit e tyre”, tha Luzha.

Ndërkaq, drejtoresha artistike e festivalit ‘Chopin’ tha se kjo ngjarje ëstë e jashtëzakonshme edhe për faktin që u jep mundësi pianistëve të rinj të performojnë në skenën ku kanë performuar artistë me famë botërore.

“Maratona pianistike është një ngjarje në kuadër të ‘Chopin Piano Fest’  dhe ‘Edu Week’. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme për ne sepse pianistët e rinj ngriten në skenën ku luajnë pianistë me famë botërore dhe të cilët vërtet na nderojnë më ardhjen e tyre”, tha Pula për KultPus.

E krejt në fund, për KultPus foli edhe pianistja Klaudia Gjini e cila dhuroi një emocion të paharruar teksa luajti veprat e Beethovenit dhe Moskowskit.

“Unë këtë performancë e kam pritur me shumë gëzim, që në momentin që më është dhënë lajmi. Unë zgjodha pikërisht këto vepra ngaqë Beethoven është një kompozitor që më pëlqen shumë, më pëlqejnë dinamikat  se si  i ndryshon ngjyrat, mënyra e ndërtimit të pjesës dhe është një kompozitor që e admiroj. Gjithashtu edhe Moszkowski është një kompozitor tjetër i preferuari i imi dhe pikërisht për këtë arsye zgjodha edhe ta performoj sot”, u shpreh mes tjerash Gjini.

Ndërkaq, edicioni i 13-të i festivalit të muzikës klasike, Chopin Piano Fest Prishtina, do të mbahet deri më 9 qershor, në të cilin festival adhuruesit e muzikës klasike mund të shijojnë vepra të autorëve më të mirë botërorë./ KultPlus.com

‘Mos pyet se ç’ka bërë atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun tënd’

KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror.

1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams

2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken

3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit

4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër

5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman

6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni

7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh

8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov

9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel

10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson

11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi

12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu

13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi

14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington

15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark

16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost

17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe

18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand

19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol

20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson

21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung

22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër

24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson

25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol

26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan

27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik

28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni

29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol

30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn

31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com

Finlandë: Një burrë gjobitet me 121 mijë euro për tejkalim të shpejtësisë

Një burrë është gjobitur me 121 mijë euro për tejkalim të shpejtësisë.

Kjo ngjarje jo e zakonshme ndodhi të shtunën në Finlandë, konkretisht në ishullin Aland raportojnë mediat ndërkombëtare përcjell Klankosova.tv

Bëhet fjalë për Anders Wiklof, i cili njihet si një nga njerëzit më të pasur finlandez.

Wiklof është zënë duke e vozitur veturën me shpejtësi prej 82 kilometrash në orë në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 50.

Përpos gjobës, pasanikut iu pezullua për 10 ditë patentë-shoferi.

Kjo s’është hera e parë që 76-vjeçari mori gjobë të majme për ngasje të shpejtë.

Në vitin 2013, ai u gjobit me 63 mijë e 680 euro ndërsa pesë vjet më parë u detyrua të paguaj një gjobë tjetër prej 95 mijë eurosh.

Gjobat në Finlandë llogariten në bazë të ardhurave mujore./ Klankosova.tv/KultPlus.com

​Gjermania i kthen Italisë 14 artefakte antike të çmuara

Gjermania ia ktheu 14 artefakte antike Italisë të cilat ishin grabitur më parë por që destinacioni i tyre ishte zbuluar nga hetimet policore të Romës dhe të Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (TPC).

Agjencia italiane e lajmeve, ANSA, raportoi se ndër artefakte të kthyer janë një një kiliks atik ose një filxhan pijeje, një helmetë korintiane prej bronzi të shekullit të katërt para Krishtit, një arkë thesari prej fildishi dhe druri nga punishtja e famshme Embriachi, një “olla pauceta” ose enë balte dhe shumë monedha bronzi dhe ari.

Dorëzimi u bë në prani të ambasadorit gjerman në Itali, Viktor Elbling dhe komandantit të TPC gjeneral Vincenzo Molinese.

Ministria italiane e Kulturës tha se “sekuestrimi dhe dorëzimi përfundimtar i 14 aseteve kulturore ishte fryt i bashkëpunimit midis TPC dhe policisë në Mynih, si dhe ndërmjet ministrive përkatëse të Kulturës”./RTV21/KultPlus.com

Atëherë…

Poezi e shkruar nga Jacques Brel.

Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës
E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg
Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy
E kengë që ti lehte mund t’i kendosh
atëhere …

Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen
Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh
Për të gjetur shpresën që të kap për dore
Për të gjetur dorën që ti ke braktisur
Atëhere …

Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh
Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot
Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë
E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri
Atëhere …

Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë
A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim
E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë
E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim
Atëhere…

Atëhere ti s’ke kuptuar asgjë …/KultPlus.com

Edicioni i 14 i Anibarit, zhvillohet me temën e dashurisë ‘LOVE | DASHNI’ në qytetin e Pejës

Edicioni i 14-të të Festivalit i Animacionit Anibar, i cili këtë vit do të mbahet në qytetin e Pejës, në fokus do të ketë  temën e dashurisë  “LOVE | DASHNI”, shkruan KultPlus.

Përmes këtij edicioni të Anibarit synohet që të rikujtohet që dashuria nuk njeh kufij dhe si e tillë nuk mund të definohet.

Përmes një komunikate oraganizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se këtë vit përmes këtij edicioni do të tentojnë të gërmojnë dimensionet e shumta të dashurisë, duke hedhur dritë në kompleksitetin e saj dhe duke zbuluar manifestimet e saj të ndryshme.

“Por mos kini frikë, kjo nuk është një mbretëri klishesh apo ëmëlsie sakarine. Ne gërmojmë në dimensionet e shumta të dashurisë, duke hedhur dritë në kompleksitetin e saj dhe duke zbuluar manifestimet e saj të ndryshme.

Përgjatë shtatë ditëve të festivalit, programi ynë artistik do t’ju zhysë në një kaleidoskop të çudirave të animuara, dhe përmes kësaj teme ne do të eksplorojmë fuçinë transformuese të lidhjeve njerëzore.

Bashkohuni me ne, ndërsa përqafojmë natyrën e shumëanshme të dashurisë, një forcë që tejkalon gjuhën dhe flet me thelbin e njerëzimit tonë. Le të festojmë format e panumërta që dashuria ndikon në jetët tona, ndez shpirtrat tanë, dhe na frymëzon për të qenë më të mirë, si individ dhe si shoqëri”, thuhet në një kounikatë të lëshuar për media.

Edicioni 1 14-të të Festivalit I Animacionit Anibar këtë vit do të zhvillohet në datat 17 korrik  deri 23 korrik 2023, në qytetin e Pejës /KultPlus.com

MKRS hap konkursin për ndarjen e Çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, për vitin 2023

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin për ndarjen e Çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2023, shkruan KultPlus.

Sipas MKRS, tri dramat më të mira përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe botohen në një edicion special në gjuhën shqipe.

“Tri dramat më të mira të përzgjedhura nga juria profesionale, përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe botohen në një edicion special në gjuhën shqipe”, thuhet në njoftimin e MKRS në facebook.

Data e fundit për aplikim është data 1 gusht 2023/KultPlus.com

Mall

Poezi e shkruar nga Teodor Keko.

Ti mos e mbyll, nёnё, derёn,
Dritaren mos e mbyll.
Vёr veshin!
Dёgjo erёn e vjeshtёs,
Tek tund drurёt nё pyll.

Ja, si kjo erё nё mesnatё,
Do vij nё endrrat e tua.
Ti kokёn do ta ngresh ngadalё,
S’tё le pa tё shikuar…

E di, ti mbrёmjeve e gdhin,
Shqetёsohesh, unё e di.
Mbi flokё karficё e hёnёs ndrin,
S’tё lё ty nё vetmi.

Ti rri mendon: dimri u zgjua,
Djali a vishet trashë?
Dhe pёr tё mijtёn herё thua:
T’i isha djalit pranё!

Ti mos e mbyll, o nёnё derёn,
Dritaren mos m’a mbyll.
Do vij gjithmonё njё çast me erёn,
Sa tё tё puth ty…./KultPlus.com

Presidenti Ronald Regan dhe Nënë Tereza në vitin 1986 (FOTO)

Sot janë bërë 19 vite nga vdekja e ish-presidentit të SHBA-vë, Ronald Reagan, përcjell KultPlus.

KultPlus e kujton presidentin e 40-të të ShBA-ve me një fotografi të tij bashkë me Nënë Terezën të realizuar më 13 qershor të vitit 1986.

Në këtë fotografi shihet ish-Presidenti i Kombeve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Regan duke qeshur së bashku me Nënë Terezën dhe Motrën Frederik, ndërsa të tre takohen në Shtëpinë e Bardhë.

Nënë Tereza u dekorua me Medaljen e Lirisë nga Presidenti Regan dhe mori titullin qytetare nderi amerikane nga Presidenti Klinton në vitin 1996./ KultPlus.com

Botohet vepra “Art popullor në Kosovë”, e autores Afërdita Onuzi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike kanë botuar albumin ilustrativ shkencor “Art popullor në Kosovë” të autores Afërdita Onuzi, shkruan KultPlus.

Kjo vepër u botua në saje të ekspeditave të  cilat autorja e librit i ka realizuar pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, të cilat i dhanë mundësinë të njihej më mirë me me trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar në Kosovë e sidomos me gjinitë e ndryshme të artit popullor.

Në komunikatën e Akademisë së Shkencave thuhet se në parathënien e librit, Afërdita Onuzi shkruan se lidhjet e vazhdueshme kulturore, ekonomike, tregtare midis krahinave të ndryshme fqinjë të Kosovës me ato të Shqipërisë Veri- lindore që vazhduan të zhvillohen deri në vitet ’40-50 të Shekullit të XX, mundësuan kontakte e marrëdhënie nga më të ndryshmet , të cilat ndikuan ndjeshëm në mënyrën e jetesës së banorëve të qytetit të Kukësit dhe të disa fshatrave të tij.

“Ende dhe sot i kujtoj qilimat e Prizrenit dhe të Pejës, me të cilët mbuloheshin an e kënd dhomat e ndenjes dhe mjediset e tjera të banesave të këtyre familjeve, apo jastëkët e mindereve të qëndisur e të mbuluar me pëlhura të pambukta apo të mëndafshta e të zbukuruara me lloj-lloj qëndismash; mbulojat e shtratit dhe çarçafët e zbukuruar me qëndisje e punime me grep; djepat e arkat e gdhendura apo te zbukuruar me pikturim; tabakatë e ibrikët prej argjendi; mangallët prej bakri që shkëlqenin midis dhomave të ndenjes etj.

Veçanërisht nuk munda të harroj asnjëherë veshjet e grave sidomos ato që përdoreshin në raste ceremonish të ndryshme familjare. Mahnitëse në çdo aspekt ishin këmishët prej mëndafshi të zbukuruara me oje e qëndisje të ndryshme, jelekët e stolisur me fije ari, dimitë e bardha gjithashtu peri mëndafshi artificial të shoqëruara me këmbëza të zbukuruara me gajtanë të bërë me fije mëndafshi, ojet lloj-llojëshe që përdoreshin për të zbukuruar shamitë e lidhura prapa kokës e të modeluara në formën e kësulave dekorative etj., etj.”, – citohet të ketë thënë autorja e librit.

Vite më pas prof.dr. Onuzi bëri profesionin e etnologut dhe krahas ekspeditave të shumta në Shqipëri, në vitin 1979 bëri edhe një ekspeditë kërkimore në Kosovë për të parë nga afër Çarshinë dhe Pazarët e Vjetër në qytetet Prizren, Pejë, Gjakovë etj, dhe të vizitoi disa muze etnografikë të asaj kohe.

Në mënyrë të posaçme për realizimin e këtij botimi, është bërë një ekspeditë në vitin 2010, me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Onuzi ka bërë kërkime të tjera në terren si dhe fotografimin e një pjese të konsiderueshme objektesh, të cilat u fotografuan në Muzeun Etnografik të qytetit të Prizrenit, në atë të Gjakovës, të qytetit të Pejës dhe në mënyrë të veçantë në fondet etnografike muzeale të qytetit të Mitrovicës dhe të Prishtinës. Një pjesë tjetër i përkasin fondeve muzeale të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Afërdita Onuzi thotë se midis gjinive të ndryshme të artit popullor që u zhvilluan në Kosovë, artet e aplikuara u dalluan për larminë dhe pasurinë e madhe të shprehjes, për fushën e gjerë të përdorimit si dhe për manifestimin e fuqishëm të ndjesisë artistike.

“Përgjithësisht artet e aplikuara janë rezultat i një përvoje të pasur shekullore të krijuesve të ndryshëm në fshatra e në qytete, të cilët punonin kryesisht për plotësimin e nevojave vetjake ashtu dhe të mjeshtërve profesionistë në qytete, të cilët punonin me porosi për të plotësuar nevojat e shtresave të ndryshme qytetare por edhe pjesë veshjesh ceremoniale për banorët e fshatrave të krahinave të ndryshme”, thuhet në komunikatën e Akademisë.

Si çdo aspekt tjetër edhe kjo fushë e trashëgimisë popullore në Kosovë, është krijuar e zhvilluar varësisht nga kushtet ekonomike, sociale e kulturore të krahinave e qyteteve të ndryshëm. Pikërisht janë këto punime të cilat na informojnë për nivelin e zhvillimit të ekonomisë vendase, për masën e lidhjeve me tregun, për orientimin kulturor të qyteteve e fshatrave, për mënyrën e jetesës së tyre apo për shijet artistike të grupimeve shoqërore.

Objektet e artit popullor janë të shumta në lloje jo vetëm se krijuesit janë të shumtë por edhe për faktin se janë realizuar me materiale të ndryshme: në gur, në metal, në dru, lëkurë, baltë, tekstile prej leshi, mëndafshi e pambuku, qëndisje të ndryshme e punime me grep dhe se për realizimin e tyre janë aplikuar lloj- lloj teknika punimesh e zbukurimesh etj. Në pamundësi për të paraqitur të gjithë repertorin e këtyre punimeve, kësaj radhe janë zgjedhur disa ekzemplarë të realizuar në dru, në metal, disa tekstile, pjesë veshjesh dhe qëndisje të tjera e punime me grep./KultPlus.com

MKRS- nxënësve të Mitrovicës: Takohuni me kampionen – Majlinda Kelmendi!

Të gjithë nxënësit e qytetit të Mitrovicës do të kenë mundësi që të jenë pjesë e demonstrimit të xhudos me kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi,  e cila ngjarje është në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, shkruan KultPlus.

Ky program përmes komponentës “Xhudo në shkolla – xhudistët e rinj”, ka për qëllim të zhvillojë masovizimin dhe integrimin e disiplinës së xhudos në të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës.

“Bashkë me trajnerët dhe xhudistët e klubit të xhudos “Trepça”, Majlinda Kelmendi do të prezantojë disiplinën e xhudos dhe do të takohet me të gjithë të rinjtë për të festuar kulturën dhe arritjet e xhudos në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Ngjarja do të zhvillohet më 7 qershor në ora 14 në sallën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë./KultPlus.com

Ministri Çeku: Tash është radha e Prokurorisë të merret me kriminelët në veri

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i ka bërë thirrje Prokurorisë që të merret me kriminelët në veri, shkruan KultPlus.

Çeku përmes një postimi në facebook, ka thënë se Institucionet e Sigurisë në veri, kanë bërë punë të jashtëzkonshme në identifikimin e tyre, dhe se tash radha i takon Prokurorisë të merret me ta.

“Kriminelët në veri tash veçse dihen. Ata kanë emër e mbiemër. Institucionet e sigurisë po bëjnë punë të jashtëzakonshme në identifikimin e tyre. Tash është radha e Prokurorisë”, ka thënë Ministri Çeku./KultPlus.com

Hapet ekspozita e gjimnazistëve ‘Kujtesa si mision dhe dialog midis brezave’

Me iniciativën dhe interesimin e Zonjës së Parë, Armanda Begaj, u hap në Institucionin e Presidentit ekspozita “Kujtesa si mision dhe dialog midis brezave“, për të promovuar kujtesën historike dhe përkushtimin ndaj edukimit historik të brezit të ri. Ekspozita përmban punime të gjimnazistëve që kanë marrë pjesë në konkursin vjetor “Pyet Gjyshërit“, të organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj falënderoi gjimnazistët që kishin marrë pjesë në konkurs.

“Dëshiroj të theksoj, kënaqësinë që morëm që në fillim nga përfshirja masive e të rinjve në këtë konkurs, nga idetë origjinale që të rinjtë e mrekullueshëm të këtij vendi sollën nga investimi i admirueshëm me energji,  talent e pjekuri”, tha Presidenti Begaj në fjalën e tij. Kreu i Shtetit shtoi më tej se, “Është vërtet bukur të konstatosh sesi nëpërmjet dialogut brenda familjes, brezi i më të moshuarve transmeton përmes kujtimeve, dijen e fituar në jetë dhe eksperiencat jetësore me mësimet pozitive, por dhe mësimet e nxjerra nga e kaluara”. Në fund të fjalës së tij, Presidenti Begaj shprehu sigurinë se Institucioni i Presidentit do të jetë gjithmonë i hapur për çdo nismë që ka të bëjë me rininë dhe edukimin e tyre.

Në të njëjtën linjë me Presidentin e Republikës, Zonja Begaj nënvizoi se, të rinjtë do të kenë gjithnjë mbështetjen dhe ndihmën e saj, duke i përgëzuar ata për punët./atsh/KultPlus.com

Publikohet traileri i filmit ‘Hidden Strike’

Filmi aksion “Hidden Strike”, ku me rolet kryesore paraqiten aktorët e mirënjohur Jackie Chan e John Cena, ka pasur të dhëna se është realizuar në vitin në vitin 2018. Më në fund u lansua traileri i tij. Fillimisht ai u pagëzua Snafu, por më pas iu ndërrua titulli.

Lansimi i filmit “Hidden Strike” nuk është bërë siç është thënë për shkak të një radhe çështjesh.

Arsyeja e parë ishte pandemia e COVID-19. Në veçanti në Kinë, kur kinematë filluan tël rihapeshin pas pandemisë, pati kërkesa për filma bllokbasterë në gjuhën zyrtare, si: Hi, Mom, The Battle at Lake Changjin e Moon Man.

Veç ndryshimeve në këtë treg, gjatë një vizite në Kinë për prezantimin e F9 në vitin 2021, Sina aksidentalisht potencoi Tajvanin si vend i pavarur nga Kina, gjë që kotribuoi në vonimin e lansimit të mëtejmë të filmit “Hidden Strike” atje.

Megjithatë, pas të gjitha këtyre, traileri i tij u lansua, dhe ai ofron skena nga Chan e Cena. Ata luajnë rolet e ish ushtarëve të forcave speciale në një mision, të cilët përcjellin civilë në një prej rrugëve më të rrezikshme në botë, që quhet “Highway of Death”, e cila rrugë kalon nëpër Bagdat.

Regjinë e filmit “Hidden Strike” e ka bërë Scott Waugh. Ai në një deklaratë ka treguar se ky film do të lansohet së shpejti, megjithatë nuk ka bërë të ditur datën se kur./21Media/KultPlus.com

Faik Konica: Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku

Faik Konica lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë. Ai ishte zë i çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Ndër thëniet e Konicës, sot po veçojmë këtë:

“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”.

Konica vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Washington./ KultPlus.com

Festivali MetroSound rikthehet me artisten Eda Zari

Në teatrin “Metropol”, nënë dhe bir, Eda Zari e Henning Jung si dhe perkusionisti i shquar Rhani Krija, do te performojne ne MetroSound Festival.

Përmes programit të tyre artistk do të krijojnë imazhe tingullore që reflektojnë emocionet më të thella të njeriut, duke tërhequr publikun në një udhëtim shpirtëror. Kitaristi, saksofonisti dhe sinergjia pianistike, ajo e baterise dhe kontrabasi i bashkëngjiten shkëlqyer zërit të Eda Zarit me improvizime magjike, duke shtuar një dimension të ri në këtë përzierje të mrekullueshme të zhanreve, plot spontanitet dhe surpriza.

Teatri i Metropolit fton në këtë lojë artistike e cila shpalos pikëllimin dhe nostalgjinë e zemrës, duke sjellë një emocion të pazëvendësueshëm te dëgjuesi. Në këtë natë magjike të poezisë, jazz-it, këngëve të mallit, bossa nova ́s dhe tingujve mistikë, artistja Eda Zari dhe muzikantët që e shoqërojnë, bëjnë të ndihesh i humbur në një botë ku koha dhe hapësira gjejnë një kuptim të ri.

Festivali “MetroSound” këtë vit do të zhvillohet në katër mbrëmje dhe ky është edicioni i pestë i tij me muzikën më të mirë të viteve `90.

Të tjerë emra të njohur që do t’i bashkohen këtij edicioni janë edhe Ritfolk, Petrit Çarkaxhiu i Jericho, Blla Blla Blla etj./ atsh / KultPlus.com

Si u zhvillua Lufta e Vlorës e vitit 1920

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 5 qershorin e vitit 1920, kur nisi lufta e armatosur e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së I Botërore. Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920.

Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë.

Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta.

Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait.

Gjatë Luftës së Vlorës (1920), trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920. Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. / atsh / KultPlus.com

Qytetet më shumëngjyrëshe në botë (FOTO)

A ka ndonjë gjë më gazmore se qytetet që manifestojnë gjallëri nëpërmjet ngjyrave?

Qoftë nëse ndërtesat janë të gjitha të lyera në të njëjtën ngjyrë, ose, akoma më mirë, secila shtëpi me një ngjyrë të ndryshme, qytetet e ndritshme dhe të gëzuara krijojnë jo vetëm mundësi perfekte fotografike, por rrisin jashtëzakonisht humorin e vendasve dhe vizitorëve.

Zgjedhja e ngjyrave nuk është gjëja e parë që na vjen në mendje kur mendojmë për qytetet, por në fakt, në rrëmujën e ditëve të sotme, na bëjnë t’i dallojmë gjërat e veçanta në metropolet e betonit me të cilat jemi mësuar.

Qytetet nuk duhet të jenë domosdoshmërisht sinonim i ngjyrës gri. Ngjyrat e gjalla në zonat urbane duken pothuajse si një ide e dalë nga një libër për fëmijë.

Megjithatë, zonat publike shumëngjyrëshe nuk janë vetëm ide për libra me tregime.

Ka një numër qytetesh shumëngjyrëshe në mbarë botën që presin të zbulohen dhe 24 prej tyre i kemi listuar si më sipër. / a2cnn / KultPlus.com

Artisti 94-vjeçar Lekë Tasi, ekspozitë në Shkodër

Galeria Oda në Shkodër çeli ekspozitën e artistit Lekë Tasi.

Piktori 94-vjeçar e ka titulluar ekspozitën e tij “Përsëri n’Shkodër” dhe ka sjellë një pjesë të punimeve të tij në pikturë, frymëzuar nga rrymat e artit të shekullit XX.

Ekspozita është vizituar edhe nga një numër i madh të rinjsh, artistësh e shkrimtarësh të qytetit të Shkodrës.

Galeria Oda organizoi edhe një takim mes piktorit dhe një grupi të rinjsh shkodranë. Nxënës të shkollave të mesme, si dhe studentë të Universitetit të Shkodrës kanë pasur kureshtje për të folur me artistin lidhur me krijimtarinë artistike, vështirësitë dhe muzat frymëzuese.

Lekë Tasi i këshilloi të vizitojnë galeritë e Europës, që të shohin artin muzeal apo atë në galeri.

Leke Tasi ka lindur në 1929 në Athinë, në një familje me origjinë përmetare. Fillimisht ju kushtua muzikës e veçanërisht violonçelit. Punoi në orkestrën e Radio Tiranës, në Filarmoninë e Shtetit dhe në Teatrin e Operas, ndërkohë që paralelisht merrej dhe me pikturë, duke ekspozuar në disa ekspozita, deri sa më 1975 internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës.

Me ardhjen e demokracisë Tasi ka pasur një sërë ekspozitash vetjake si dhe ka marrë pjesë në të tjera. Tri nga punimet e tij gjenden në Galerinë Kombëtare të Arteve, në teknikën e ngjyrave të vajit, të cilën vazhdon ta preferojë sot e kësaj dite. / atsh / KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit “Hana” nga Ujkan Hysaj

Ka përfunduar xhirimet filmi i metrazhit të gjatë, “Hana” me regji të Ujkan Hysaj dhe skenar të Fadil Hysaj.

Ky film i cili për temë ka dhunimin e grave,  prapa vetes kishte një ekip të madhe dhe aktorë tashmë të dëshmuar në fushën e kinematografisë.

Përmes një statusi në facebook, regjisori Ujkan Hysaj është shprehur jashtëzakonisht i lumtur me punën e ekipës dhe gjithë aktorëve pjesëmarrës në film.

Tutje ai ka falënderuar edhe skenaristin e filmit, Fadil Hysaj duke u shprehur se bashkë kanë arritur të nxjerrin një skenar të fuqishëm.

“Një falënderim për aktoren Sheqerie Buçaj për punën e palodhshme dhe fuqinë e talentin e saj në rolin e Hanës, Ilire Vinca në rolin e Fanës, Refet Abazi në rolin e Murselit, Teuta Ajdini në rolin e Hyrijës, Ermin Bravo nga Bosnia në rolin e Ivanit, Shpend Xani në rolin e Besnikut, Xhevdet Doda në rolin e Bozhës, Fatlume Bunjaku ne rolin e Mrikës, Lumnije Muqaj ne rolin e Teutës, Agron Shala në rolin e Ilirit e shumë të tjerët si Gjejlane Godanci, Namie Sylejmani, Bislim Muqaj, Daniela Markaj etj.”, shkruan regjisori. / KultPlus.com

Sopranoja e famshme italiane, Anna Pirozzi në TKOB

Një nga sopranot dramatike më të suksesshme italiane, Anna Pirozzi, fama e së cilës kapërcen kufijtë e rajonit, ka sjellë me vokalin e saj brilant ariet më të bukura verdiane, në skenën gjigande të TKOB-së.

I cilësuar si një event unik për jetën artistike shqiptare, kjo mbrëmje përcolli emocione të veçanta për publikun shqiptar e të huaj. Koncerti u organizua me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturë dhe Ambasadës Italiane, në kuadër të Javës Kulturore Italiane organizuar nga Ministria e Kulturës.

Ministrja Margariti e vlerësoi si të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Një nga yjet e lirikës botërore, sopranoja Anna Pirozzi nderoi skenën shqiptare, duke kulmuar Javën Italiane të Kulturës. Kënaqësi të isha pjesë e publikut për të shijuar interpretimin e saj”, shkroi ministrja e Kulturës në rrjetet sociale ndërsa ka ndarë me ndjekësit edhe një album fotografik nga koncerti i Anna Pirozzi-t dirigjuar nga një tjetër mjeshtër italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.

“Një duartrokitje të fortë edhe për Orkestrën Simfonike të Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nën drejtimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli , për performancën shkëlqyer”, shkruan ministrja e Kulturës, në përmbyllje të mesazhit të saj. Nga ana e tij, maestro Di Pescasseroli e vlerësoi koncertin si spektakolar.

“Jam thellësisht i mallëngjyer. Orkestra ime është “bombë” dhe Anna Pirozzi është legjendë”, shkroi dirigjenti në rrjetet sociale duke iu referuar orkestrës së TKOB.

Sopranoja e famshme Anna Pirozzi në TKOB, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton Kennedy: Vazhdon të jetë udhërrëfyes për politikanët progresivë në mbarë botën

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar ish prokurorin e përgjithshëm dhe senatorin amerikan, Robert F. Kennedy, sot në 55 vjetorin e vrasjes tragjike të tij. Ai ka shkruar se Kennedy vazhdon të jetë udhërrëfyes për politikanët progresivë jo vetëm në ShBA, por në mbarë botën.

Sipas Kurtit, arritjet e Robert F. Kennedy, në politikën e brendshme si dhe të jashtme, mbahen mend edhe sot, më shumë se gjysmë shekulli pas vdekjes së tij, si model i politikave parimore në një shoqëri demokratike.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

“Disa i shohin gjërat ashtu siç janë dhe pyesin, pse? Unë i ëndërroj gjërat që kurrë s’kanë qenë dhe pyes, pse jo?”

Sot shënojmë 55 vjetorin e vrasjes tragjike të ish prokurorit të përgjithshëm dhe senatorit amerikan Robert F. Kennedy, gjatë kandidimit të tij për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I vrarë në një moshë të re, 42 vjeç, senatori Kennedy megjithatë ka kontribuar më shumë në progresin historik të ShBA-ve sesa gati çdo politikan tjetër i brezit të tij.

Arritjet e Robert F. Kennedy, në politikën e brendshme si dhe të jashtme, mbahen mend edhe sot, më shumë se gjysmë shekulli pas vdekjes së tij, si model i politikave parimore në një shoqëri demokratike.

Si prokuror i përgjithshëm në administratën e vëllait të madh, presidentit John F. Kennedy, Roberti udhëhoqi një luftë tejet efikase kundër korrupsionit, sidomos në sindikatat e asaj kohe, të cilat ishin të kapura nga figura famëkeqe të krimit të organizuar. Gjatë mandatit të tij, dënimet për krime të organizuara u rritën për 800%.

Po aq me rëndësi ishte kontributi i tij në politikën e jashtme. Duke u pozicionuar në mes të dy ekstremeve të dorëzimit dhe agresionit, Kennedy arriti të gjente një rrugëdalje nga Kriza e Raketave Kubane, duke shmangur një luftë të hapur bërthamore me Bashkimin Sovjetik. Kompromisi pa kapitullim: kjo ishte strategjia e tij e suksesshme në menaxhimin e krizës.

Si senator dhe kandidat për president, Kennedy, bashkë me Martin Luther King, Jr., ishte ndër avokuesit më të zëshëm për të drejtat e të varfërve dhe afro-amerikanëve. Vizioni i tij për një shoqëri demokratike të qytetarëve të lirë dhe të barabartë, vazhdon të jetë udhërrëfyes për politikanët progresivë jo vetëm në ShBA, por në mbarë botën. / KultPlus.com