Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal. Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë. Mos u kthe pas. Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë. Asgjë mos thuaj. Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua. Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time. Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim. Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë. Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.
Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes. Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas. Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë. E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj. Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com
Qeveria në detyrë ka marrë vendim që ish-bugu i Prishtinës në rrugën “Luan Haradinaj” të shpallet muze, shkruan KultPlus.
Vendimi u mor në një mbledhje që u mbajt online nga qeveria në detyrë.
Ndërsa lajmin e dha edhe Yll Rugova, zëvendësministër i Kulturës i cili ka njoftuar që tashmë është duke u analizuar mënyra e trajtimit të hapësirës drejt transformimit në muze.
“Ky burg, i ndërtuar në fund të të dyzetave, që ndodhet në rrugën Luan Haradinaj, në qendër të qytetit, është objekt historik ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht. Sot e vizituam burgun me zyrtarë të trashëgimisë kulturore për të analizuar mënyrat e trajtimit të hapësirës drejt transformimit në muze.
Me 23 maj është lëshuar edhe vendimi i Qeverisë për inicimin e këtij transformimi, pra shndërrimit prej burgut të njerëzve, në mbrojtës të kujtimeve”, ka shkruar Rugova. / KultPlus.com
Sot janë bërë 1 vit që kur Mrika Nikqi, 17 vjeçare atëkohë, njëherit alpinistja më e re nga të gjithë pjesëmarrësit botëror në Ekspeditën Everest 2019, dhe si shqiptarja më e re, së bashku me babain Arianit Nikqi, sot 1 vit në ora 6:00 realizuan me sukses ngjitjen në majën më të lartë në botë Mt. Everest 8848 led, shkruan KultPlus.
Everesti është pika më e lartë në botë, me 8848 metra mbi nivelin e detit.
Ky moment ishte tejet emocionues për Mrikën, e cila sot ka vendosur ta publikojë një paragrafë nga ditari i saj në të cilin ka shkruar çdo ditë gjatë ekspeditave.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të Mrikës:
Sot nje vit, sebashku me babin tim me shume emocione, besueshmeri e frike ngjitem majen me te larte te botes.
Sot, kam vendose me publiku nje paragraf nga ditari im, ne te cillin kam shkruar cdo dite gjate ekspeditave.
21.5.2019
“-Fjetem me lajme te kqija dhe u zgjume me lajme te njejta… i veshem doën suit-in edhe shkume me honger mengjes, ve e pallaqinka. Biseduam me Caseyn. Ai tha qe Mike po thot me shku nalt ne camp3 po na nuk po shkojme. Tendi me Ed po shkojne pas mengjesit, final push. Prakashi ishte ne south col per me dergu oksigjen… deri ne dreke qendruam jashte, ishte diell po jo edhe shume nxehte, une fillova me kcy e pstaj iu luta babit me m’mesu me kcy vals. Ne 6400m ndërsa flet te ndalet fryma e lemo tu kcy, po na vazhdum e kercyme me kengen “Ne pijetore une jam ulur”. Une dhe babi shkrihemi per ate kenge… hongrem dreke, i bonem disa foto pasi qe kishim kohe e shkume ne tende me pushu. Babi nuk osht normal na mberrdhine krejt zip-at e tendes i qele e une duhna me hi në sleeping bag😑 Young Kumar erdh edhe tha “didi dinner is ready” edhe prap i veshem doën suit edhe shkume me honger darke ku morrem lajme te mira. Data 27 eshte dritare per me summitu kshtuqe pritet qe na me u nise me 25 per c3, edhe si po duket i paskan siguru disa oksigjena. Me 27 nuk ka me pase shume njerez pershkak se sot rreth 200 vete kan move prej c3 ne c4, e ne c4 vec jan diku 150 persona…. shume trafik e shume rrezik per frostbite edhe per vdekje, shpresojme mos me ndodh asgje e keqe, edhe shume njerez sot kan shku per c3…. ne ora 18:30 folem me radio na tregun qe team A vec kan fillu ngjitjen per summit, pse kaq heret? Per me u mundu me avoid tafikun, ne ate kohe disa njerez ishin ne balcony 😩 Prakash dai erdh ne dining tent e te gjithe fytyren sidomos te hunda e kish te djegur prej eres dhe diellit… neser po ngjitemi pak deri te fillimi i Lhotse face sa per mos me ndejt gjith diten, e tash jemi ardhe me flejt… Per nanen e Leken fort me ka marre malli”
Realizimi i ekspedites do te ishte i pamundur nese nuk do te kishin qenë @arianitnikqi @albaninataraku @leke_nikci
Faleminderit babit tim me te cilin kam kaluar kohe te mrekullueshme❤️ / KultPlus.com
Azem Shkrelí ishte një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.
Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.
Ka botuar këto vepra në poezi: Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fjalë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997. Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare.
Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.
Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektiv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër.
Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive. / KultPlus.com
Richard Herd, një aktor veteran, i cili u shfaq në dhjetëra filma dhe seriale televizive, ka vdekur në moshën 87 vjeçare.
Herd vdiq nga kanceri, të martën në mëngjes në shtëpinë e tij në Los Angeles.
Ai ishte në shoqërinë e familjes së tij, tha zëdhënësi i tij në një deklaratë, transmeton rtv21.
Kreditë e gjera të filmit të Herd përfshijnë role në “Get Out” dhe “All the President’s Men”. Ai u shfaq në 11 episodet e “Seinfeld” si Wilhem, bosi kërkues i George Costanza në New York Yankees.
Herd, një vendas në Boston, ishte një tifoz i vetëshpallur Red Sox. Herd gjithashtu kishte një role në “Star Trek: The Generation Next”, “Star Trek: Voyager” dhe “Star Trek: Renegades”. Ai bëri paraqitje në “O.C.” “NYPD Blue”, “ER” dhe “Dallas”, ndër shumë seri të tjera. Ai la pas gruan dhe fëmijët./ KultPlus.com
Shqipëria dhe Kosova prezantohen si një destinacion turistik i përbashkët, për të gjithë të huajt që duan të dinë diçka më tepër për historinë, kulturën, bukuritë natyrore dhe vendet atraktive, ku mund të argëtohen dhe të pushojnë.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi publikoi sot pamje të atraksioneve turistike të të dy vendeve duke ftuar turistët ti shijojnë ato.
“Nëse keni shpirtin e eksperiencës, nëse ju pëlqen të zbuloni kulturat e lashta dhe dëshironi të gjeni veten në mes të një natyre përrallore e ende të pazbuluar, të shijoni një ushqim të mrekullueshëm, duam t’u mirëpresim në një natyrë të paprekur e të egër prej 39 635 km2”, thuhet në videon e publikuar nga ministri Klosi.
”Vendet tona”, thuhet më tej në video, “nuk kanë industri të mëdha dhe nuk ka asnjë McDonald. Është mallkim, apo bekim?”
“Harrojeni rregullin, lëreni pas ritmin e qyteteve të zhurmshme, shmangni radhët e gjata të turistëve, ejani të përjetoni vendet unike që ofrojnë vendet tona”, është ftesa për aventurierët./atsh/ KultPlus.com
Në lagjen “Goricë” në Berat ka nisur puna për restaurimin e fasadës së banesës së familjes Bullari monument kulture kategoria e parë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën të ditur se trajtimi i suvasë dhe elementëve drusorë nga specialistët janë një element i rëndësishëm për këto banesa si dhe streha e çatisë, e cila ka një konfigurim me tavan dërrase me hark të suvatuar”.
“Aktualisht po punohet për trajtimin e fasadës pasi pamja e saj me kalimin e kohës ka pësuar dëmtime dhe ka nevojë për ndërhyrje”, – shprehet DRTK.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./atsh / KultPlus.com
Sot Kolegji Universum trajnoi stafin për nivelin e pestë të validimit të kualifikimeve sipas EQF ( European Qualification Framework). Validimi i kompetencave të studentëve të Kolegjit Universum është njëra prej objektivave kryesore të Projektit E-VIVA.
Duke sjellur risi në fushën e arsimit në Kosovë, projekti synon të evidentojë kompetencat më themelore për ekonominë e shërbimeve dhe do të kontribuojë në transparencë më të lartë të tyre, për studentët, mësimdhënësit dhe punëdhënësit. Projekti është i financuar nga programi ERASMUS + i Bashkimit Evropian dhe synon të kontribuojë në avancimin e mëtutjeshëm të mënyrave të reja të të mësuarit në universitete.
Objektivat specifikë të projektit e-VIVA janë: • Identifikimi dhe analizimi i qasjeve për aftësi dhe vërtetim i provave për të nxitur përshkueshmërinë midis arsimit të lartë dhe praktikës profesionale; • Zhvillimi dhe rafinimi i sistemeve gjithëpërfshirëse të vlerësimit dhe vlerësimit të bazuar në TIK; • Pasurimi i sistemeve ekzistuese të vërtetimit dhe certifikimit; • Zhvillimi dhe aplikimi i një programi të pasur të zhvillimit dhe vlefshmërisë së kompetencave për aftësi dhe kompetenca të lidhura me shërbimin; • Aplikimi i sistemit të vlerësimit dhe evidencimit e-VIVA; • Vendosja e një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet grupeve të synuara përkatëse dhe palëve të interesuara.
Bill Gates sapo ka publikuar listën e tij vjetore të pesë librave për të lexuar këtë verë, duke shpresuar se disa nga të preferuarat e tij mund t’i ndihmojnë lexuesit të përballen me pandeminë.
“Shumica e bisedave dhe takimeve të mia këto ditë kanë të bëjnë me Covid-19 dhe se si ne mund ta frenojmë baticën,” shkruan Gates në uebfaqen e tij, Gates Notes. Ai dhe gruaja e tij, Melinda, kanë drejtuar fondacionin e tyre për të angazhuar rreth 300 milion dollarë për të luftuar koronavirusin. “Por shpesh jam pyetur për ato që lexoj dhe shikoj.”
Këtu janë pesë rekomandimet e Bill Gates për leximin e veror:
Zgjedhja, nga Dr Edith Eva Eger: Në libër, personazhi kryesor përshkruhet në përpjekjen e saj për t’u shëruar pas traumës së saj të papërshkrueshme dhe kërkimin e mënyrave për të menaxhuar vuajtjet e të gjitha llojeve.
Cloud Atlas, nga David Mitchell: Romani i Mitchell, i cili pason gjashtë personazhe të ndryshëm, duke përfshirë një redaktues në Londër në vitet 2000 dhe një muzikant të ri në Belgjikë të viteve 1930, kërkon të gjejë të përbashkëta midis njerëzve përgjatë kohës dhe hapësirës.
Ride of a Lifetime, by Bob Iger: Iger merr lexuesit përmes udhëtimit të tij si drejtuesi i Disney nga 2006 deri në fillim të vitit 2020, gjatë viteve më transformuese të Disney.
Gripi i Madh, nga John M. Barry: Ky bestseller i New York Times është rekomandimi i Gates për ata që duan të kuptojnë Covid-19 përmes lentës së pandemisë së gripit të 1918 dhe të mësojnë disa mësime për udhëheqjen.
Good Economy for Hard Times, nga Abhijit V. Banerjee dhe Esther Duflo: Në librin e tyre për vitin 2019, ekonomistët fitues të Çmimit Nobel trajtojnë debate politike mbi vendet e pasura, përfshirë Shtetet e Bashkuara. / Forbes/ KultPlus.com
Sa qesh’ fëmijë s’mujta kurrsesi me e kuptue pse gjyshja vente në gjoks nji copë sapun ermirë… E mbështillte sapunin si ferishten në djep dhe e fuste mes cicave të mëdha, pa dashtë me ia ditë për brohorimat e grave që parakalonin me kazma ndër duer. Sa qesh’ fëmijë admiroja kostumin e zi të martesës që im atë e veshte në çdo festë a mort, tue mendue se ai kostum mbartte magji e prandaj ruhej me aq kujdes në raftin ku t’i shponte hundët naftalina. Sa qesh’ fëmijë imagjinoja se tana fustanet e grave janë prej basme me lule dalëboje si i vetëm fustan veror i nanës që lahej, terej e hekurosej përditë…
Si t’ia baj me tanë këto kujtime, malli jem, tash që fotografitë bardhezi më janë shkapërnda mbi prehën… / KultPlus.com
Shpresa Loshajn aktivste dhe përkrahëse e komunitetit shqiptar në Kanada, kohët e fundit është kthyer në Kosovë.
Në një bisedë të shkurtër për gazetën “Diaspora Shqiptare” ajo tregon se “Para një kohe mbështetur edhe nga një grup ambientalistësh kam themeluar organizatën joqeveritare “Pishtarët” me qëllim të mbrojtjes së ambientit dhe kulturës. Puna ime ka filluar në komunën e Deçanit’’, prej nga ajo vjen.
Ka disa vite që në qytetin ku ajo ka lindur, Deçan, janë ndërtuar disa hidrocentrale jolegjitime që prodhojnë rrymë dhe dëmtojë ambientin, pikërisht në bjeshkët ku është rritur ajo. Nostalgjia për fëmijërinë dhe rininë e hershme në ato bjeshkë, si dhe neglizhimi i institucioneve të Kosovës ndaj shkatërrimit të Lumbardhit të Deçanit, është një ndër arsyet që e kanë shtyrë atë për ta marrë iniciativën që të kthehet në Kosovë dhe të themelojë organizatën joqeveritare “Pishtarët”.
Përmes organizatës së saj ajo i drejtohet pikërisht qeverisë, duke i shkruar dhe komunikuar drejtëpërdrejt edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani. Ajo në letrat që ua ka drejtuar të lartëpërmendurve kërkon llogari për premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore: “Që të kthehesha nga Kanadaja, dhe të fokusohem në këtë çështje jam frymëzuar edhe nga premtimet që ju dhatë perosnalisht dhe në emër të partive që përfaqesonit në debatet për zgjedhjet e kaluara si psh në Jeta në Kosovë në shtator të vitit të kaluar. Siç ju kujtohet, pyetja ime për të gjithë kandidatët për kryeministër/e, gjithashtu edhe per ju, ka qenë se a do t’ia ndalin punën e hirocentraleve në Deçan që po prodhojnë rrymë illegalisht dhe pa licencë. Të dytë më keni dhënë përgjigje shumë të qartë dhe bindëse se “PO”, do t’i ndalni hidrocentralet që prodhojnë rrymë pa licencë. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit u bë e ditur se partitë tuaja, Lëvizja Vetëvendosje! Dhe Lidhja Demokratike e Kosovëa do të formojnë qeverinë e re. Ky fakt, dhe premtimet e tuaja, e bënë të ditur që edhe per kompanine që po shkel ligjet e Kosovës, ishin ditët e numëruara, por ajo nuk po shihet të ndodh ende”, përfundon letrën e saj.
Shpresa Loshaj është diplomuar për Studimet Ndërkombëtare në Simon Fraser University në Vancouver, dhe ka vazhduar për Master of Arts në për Politikën Publike dhe Administrimin në Carleton University në Ottawa. Aty edhe është punësuar nga qeveria federale kanadeze në Ministrinë e Shëndetësisë. Më vonë ka kaluar në Ministrinë e Inovacionit dhe Zhvillimit Ekononik si këshilltare e politikave të pronësisë intelektuale, punë të cilën e ka ndërprerë për shkak të kthimit të saj në Kosovë.
E pyetur se sa ka ndikuar puna dhe angazhimi në Kanada për shoqatën në mbrojtje të bjeshkës, buzë së cilës ajo është rritur, ajo thekson: “Unë jam rritë në Bjeshkët e Deçanit, dhe mbrojtja e natyrës ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Si fëmijë e mbaj mend nënën kur shprehte brengosje kur dëgjonte që është prerë ndonjë lis. Që nga atëherë e kam kuptuar që nuk duhet të dëmtohet natyra, dhe mund të them se vetëdijësimin për mbrojte të ambienit e kam prej nënës. Dihet se jeta në Kanada ma ka ngritur nivelin e vetëdijes se ne jo vetëm që nuk duhet të dëmtojme natyrën, por edhe duhet ta mbrojmë nga të tjerët. Më kujtohen protestat kur British Columbia donte të ndërtonte një autostradë e quajtur “Sea to sky” nga Vancouveri në Whistler. Aty kam parë njerëz të shtrirë në tokë para mjeteve punuese sepse nuk donin t’i lejonin që rruga të kalonte përmes një pjese të rëndësishme ekologjike. Në atë kohë më është fiksuar se si ata njerëz ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën për ta mbrojtur tokën dhe vendin e tyre, në një vend paqësor siç është Kanadaja. E kam kuptuar se sfidat për ta mbrojtur vendin nuk mbarojnë në luftë. Dhe mbrojtja e vendit nuk duhet ndalet kurrë, sepse interesat që e dëmtojnë vendin jane gjithmonë në lëvizje”.
“Shkollimi dhe përvojat profesionale më kanë përgatitur se si t’i qasem problemit, ku të kërkojmë zgjidhje dhe llogaridhënie. Pra, pasioni për drejtësi sociale bashkë me përvojën profesionale më kanë përgatitur që të ballafaqohem me problemet që po kalon Deçani me hidrocentralet e jashtëligjshme. Edhe pse puna e hidrocentraleve në Deçan është një lëmsh pa fund, ku thonë që ka interesa të shumta që nuk do të lejojnë zbardhjen e këtyre problemeve, unë shpresoj se do të kemi sukses dhe të gjejmë zgjidhje sepse kemi sjellë një energji të re, e të organizuar që nuk jemi vetëm duke e ngritur zërin për shkatërrimet e natyrës, por jemi duke i identifikuar si erdhën problemet dhe duke kërkuar adresim dhe llogaridhënie nga qeveria dhe akterët tjerë përgjegjës. Edhe pse zbatimi i ligjit në Bjeshkët e Deçanit varet shumë edhe nga vullneti i mirë politik, e që deri më tani nuk është ushtruar konkretisht dhe në mënyrë konsistente, ne nuk do të heqim dorë duke kërkuar drejtësi sepse për mua, shkelja ligjore në Lumbardhin e Deçanit është e njëjtë sikur të shkelësh mbi sakrificat tona për një ditë që Kosova të ketë ligjet e veta”.
Që Kosova ka nevojë për një energji të re që mbron ambientin dhe vendin e vet me pasion dhe pa frikë është dëshmuar shumë shpejtë sepse vetëm në ditët e para të themelimit të shoqatës kanë marrë disa kërkesa nga qytetarët nga anë të ndryshme të Kosovës që të ndihmojnë të adresojnë edhe problemet në vendet nga ata vijnë. “Fatkeqësisht, në Kosovë ka aktivistë që janë zhgënjyer sepse me vite të tëra nuk kanë parë ndryshim, gjithashtu, në një vend aq të politizuar siç është bërë Kosova, nuk është e lehtë të mbrosh parimet tua, sepse shumëçka varet nga politika. E për këtë e rëndësishme të ketë bashkëpunim në mes të eskpertëve dhe aktiviteteve të disasporës dhe ata lokal”.
Si vendosi Shpresa të kthehej në Kosovë? “Se a do të kthehesha në Kosovë gjithmonë ka qenë e ditur, por nuk e kam ditur kur do të kem mundësinë e parë. Unë ndihem e integruar dhe pjesë e shoqërisë kanadeze, dhe në të njejtën kohë, si unë nuk dua që vetëm të ndihem kosovare në zemër, dua edhe ta jetoj në të mirën e Kosovës. Unë isha 19 vjeçe kur u largova nga Kosova, dhe tani së fundi fillova të mendoj: gjysma jetës në Kosovë, gjysma në Kanada, fillova të mendoja çdo të thotë për lidhjen time me Kosovën, dhe të marrë me seriozisht se si mund të kontribuojë në Kosovë më shumë. Më parë pata filluar të bashkëpunoja me Rrjetin e Diasporës “Germin” në Prishtinë që bën lidhjen në mes të profesionistëve të diasporës me vendlindjen, ndërsa profesionalizmi i tyre më shtyu të vazhdoja të marrë pjesë në projekte të ndryshme dhe e pashë që ndjenja e identitetit tim kosovar po merrte më shumë kuptim për mua. Përkrahje kisha edhe nga organizata gazetareske BIRN që më ndihmuan të testoja aktivizmin tim para se të kthehem për më gjatë. Duke e parë se perspektiva e diasporës po luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e Kosovës, dhe fakti se nganjëherë duhet të jesh në vendngjarje që të kesh ndikimin e duhur, në fund të vitit 2019 mora leje personale njëvjeçare nga puna dhe vendosa të kthehem në Kosovë. Ishte vendim që e mendova gjatë, por cdo ditë e më shumë ndihem më e sigurtë dhe me fat që kam rastin të jetoj në fshatin ku jam rritë dhe kontribuoj për një Kosovë që të gjithë qytetarët jetojnë me dinjitet.
Në këtë projekt Shpresa me bashkëpunëtorët e saj kanë përkrahjen e shumë shoqatave, mediave dhe “cka është më motivuese kemi marrë shumë mesazhe nga diaspora që na përgëzojnë për iniciativën dhe janë të gatshëm të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojat e tyre. Kjo e siguron Kosovën se në çdo anë të botës ka pishtarë të drejtësisë që do të mbrojnë Kosovën sa herë të jetë nevoja”. Unë i inkurajoj të gjithë të interesuarit të na bashkohen në faqen tonë në Facebook “Pishtarët” që po rritet përditë. Suksesi i Shoqatës “Pishtarët” do t’i jepte kuptim të plotë kthimit të Shpresës në vendlindje. / KultPlus.com
Pasi e deklaroi të fituar betejën me koronavirusin e ri, Mali i Zi bëhet gati të mirëpresë vizitorë sërish.
Në një lëvizje që konsiderohet si jetësore për turizmin e shtetit në Adriatik, kryeministri njoftoi se në qershor do të rihapte kufijtë për ato shtete që raportojnë jo më shumë se 25 raste infektimesh për 100 mijë persona.
Mes tyre janë Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Greqia dhe Gjermania. 68 ditë pasi raportoi rastin e parë me COVID-19, Mali i Zi u bë vendi i parë në Europë që u çlirua nga virusi, duke e mbyllur kapitullin e errët me vetëm 324 raste të konfirmuara dhe 9 viktima. Pacienti i fundit me COVID-19, u shërua në fundjavë.
“68 ditë pas rastit të parë më koronavirus në Malin e Zi nuk ka më të infektuar. Ne e fituam betejën kundër këtij virusi të pamëshirshëm dhe Mali i Zi bëhet shteti i parë në Europë i çliruar prej tij. Suksesi duhet ndarë mes shtetit, institucioneve të tij dhe çdo individi në vend”, deklaroi kryeministri malazez Dusko Markovic.
Shteti me 620 mijë banorë, i varur kryesisht nga turizmi, mbylli kufijtë, aeroporte e shkolla në muajin mars, por mes të dhënave pozitive lidhur me krizën ka nisur zbutjen e masave që prej 30 marsit. Për të parandaluar përhapjen Mali i Zi publikoi listën me emrat dhe adresat e personave në vetë-izolim, diçka që nxiti kritika nga grupe për të drejtat e njeriut dhe mbajti të izoluar një rajon të tërë për disa javë.
Gjithashtu republika çeke hapi të martën kufijtë më Austrinë dhe Gjermaninë, edhe pse turizmi i huaj mbetet i kufizuar. Udhëtarët duhet të tregojnë provat se nuk janë të prekur nga COVID-19, në të kundërtën, përballen me dy javë karantine. Nga e mërkura, do të lejohen kalimet edhe me Sllovakinë, por vizitorët nga se cila anë e kufirit do të duhet të kthehen brenda 48 orësh./A2CNN / KultPlus.com
Bateristi legjendar i xhezit, Jimmy Cobb, ka vdekur në moshën 91 vjeç.
Cobb vdiq këtë të shtunë në Manhattan pas një beteje të gjatë me kancerin në mushkëri, dhe vdekjen e tij e ka konfirmuar për NPr bashkëshortja e vet, Eleana Tee Cobb.
Cobb ishte anëtari i vetëm i gjallë i grupit “First Great Sextet” të një prej xhezerëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Miles Davis.
Gjatë kësaj kohe, grupi prej gjashtë vjetësh kishin incizuar albumin ikonik të Davis, “Kind of Blue” më 1959, që konsiderohet një prej veprave më me ndikim në histori të këtij zhanri. / KultPlus.com
Në librin e Harvey Sarner “Rescue in Albania”, Londër 1997 (Shpëtimi në Shqipëri), shpalosen të dhëna dhe kujtime interesante nga strehimi i hebrenjëve në Shqipëri, veçanërisht për rolin e madh të Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Xhafer Devës, në kohën e dyndjeve dhe vrasjeve masive të hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me përfaqësim politik në krahun e kundërt të hebrenjëve, por jo edhe në qëndrimet e tij politike, Deva në histografinë shqiptare njihet shumë pak për këtë kontribut, krahas shumë figurave të tjera, që bazuar në rrethana të kohës, kanë bërë që vendi ynë të jetë ndër vendet e rralla të t’i strehojë popullin hebre, mbi premisat e një rreshtimi të drejtë historik dhe vlerave kombëtare, si ajo e “Besës”.
“Lista e hebrejve” ishte një kërkesë e nazistëve për bashkësitë hebreje, ndër tjerash edhe për atë në Shqipëri në vitin 1943, pa shumë arsyeje të detajuara, duke ngjallur frikën për grumbullimin masiv drejt kampeve të përqendrimit. Kjo doli të jetë e vërtetë, pasi që një vit më vonë, nazistët kërkuan zyrtarisht listat dhe tubimin e hebrejve rreth një vendi. Përfaqësues të komunitetit hebre në Shqipëri, të alarmuar nga këto lista, filluan takime me institucionalistës e kohës. Në atë vit, do të takoheshin Mateo Matalia dhe Rafael Jakoel nga komuniteti hebre, me Mehdi Frashërin, i cili pa shfaqur pozicionim të qartë, i rekomandoi ata që të takoheshin me Ministrin e Brendshëm, i njohur si antisemitist, Xhafer Devën.
Pavarësisht kësaj dhe frikës së prosupozuar, ata u takuan me Devën. Nga rrjedhojat e mëvonshme, ky takim përbën përplasjen e parë direkte që ndonjë zyrtar shtetëror shqiptar, refuzon aq haptazi kërkesën e nazistëve lidhur me çështjen e hebrenjve, duke u pozicionuar kundër listave grumbulluese.
Deva argumentoi tek gjermanët për sovranitetin shtetëror, vijat e kuqe që një shtet nuk duhet të t’i shkeli, në këtë rast, si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.
Përkundër interpretimit të këtij takimi dhe aludimit në variacione të tjera, një gjë është shumë e sigurt si epilog i tij, shpëtimi i hebrejnëve edhe në nivelin institucional, krahas atij shoqëror/popullor. Edhe ngjarjet e mëvonshme do të tregonin se linja e Devës ishte e vërtetë.
Ky është rasti i parë të ketë ndodhur nga një shtet, pra, ai shqiptar, që mosdorëzimi i hebrejve tek autoritetet naziste nga ana e institucioneve si dhe strehimi (shpëtimi) nga ana e popullit, të këtë linjë paralele.
Xhafer Deva ishte ndër intelektualët më të mëdhenj të kohës, njohës i mbi 10 gjuhëve të huaja, bankier në Egjipt, duke studiuar edhe pylltarinë në Vjenë. Më një rol kyç në bashkimin e trojeve shqiptare, përfshi edhe Pazarin e Ri (Novi Pazar), Deva mbetet veprimtari me rol thelbësor në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, 1943.
Pas luftë së dytë botërore, më 1950, Xhafer Deva do të paraqiste idenë e tij për përgatitjen ushtarake, në krijimin e bataljoneve shqiptare, si përgatitje ndaj rrezikut të luftërave ballkanike. Në letrën dërguar kryetarit të Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë, Rexhep Krasniqit, qytetin e Tropojes e shihte si përbashkim të aradheve ushtarake, si lehtësi relievi për të hyrë në Rrafshin e Dukagjinit, e më pastaj në tërë zonat e Kosovës.
Kishte bashkëpunëtorë të shumtë, veprimtar të shquar, si Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej si dhe Marie Shllaku. Vlen tw përmendet që ishte edhe bashkëpunëtor i strukturave shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Histografia komuniste, si dominuese në përpilimin e teksteve historike, përfshi edhe ndikimin e saj në Kosovë, figurën e Xhafër Devës do ta sakatoste nga subjektiviteti dhe njëanshmëria, siç vazhdon ta bëjë ende.
Vdiq nё vitin 1978 më 25 maj, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com
Tulipani shqiptar që rritet në zonën e Kukësit do të gëzojë një status të veçantë mbrojtje. Vendimi është marrë nga këshilli bashkiak, ku shënohet hapi i parë i mbrojtjes së tulipanit shqiptar, që ka për qëllim nxitjen e studimeve por edhe rritjen e turizmit. “Tulipa albanica” është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Shqipëri.
Tulipani shqiptar, një ekzemplar i rrallë i bimëve endemike dhe i certifikuar ndërkombëtarisht, do të ketë statusin e mbrojtjes së veçantë. Tulipani rritet në zonën e Kukësit, ndaj bashkia dhe ekspertët e mjedisit kanë ndërmarrë nismën për ta mbrojtur.
Arben Palushi, ekspert i mjedisit shprehet se “mbrojtja një e bime kryesore si “Tulipa albanica” mbron habitatin. Ideja që ne mbrojmë habitate është më e forte se ideja e mbrojtjes së një specie të caktuar, d.m.th. shpallet habitati si zonë në mbrojtje të natyrës direkte”.
Besnik Hallaçi, drejtor i AKZM Kukës shprehet se “përveç rëndësisë shkencore është edhe bazë e mirë gjenetike edhe për të vazhduar me kultivimin pasi dihet se tregtia e tulipanëve është edhe joshje në gjithë botën, por shohim edhe mundësinë e rritjes së turizmit”.
Nënkryetari i Bashkisë Kukës, Vexhi Halili u shpreh për angazhimin e këtij institucioni në mbrojtjen e vlerave të tilla si një mundësi për turizmin elitar.
“Kjo bimë unikale do të rrisë interesin dhe do të stimulojë turizmin elitar”, tha ai.
Ndërsa Endri Haxhiraj drejtues i Institutit të Politikave Mjedisore bëri të ditur se Këshilli Bashkiak i Kukësit ka marrë vendimin për mbrojtjen dhe administrimin e përkohshëm të habitatit të tulipanit shqiptar.
“Ne do ta monitorojmë situatën në terren dhe do të lobojmë në ministrinë e mjedisit që mbrojtja të kalojë në nivel kombëtar” tha Endri Haxhiraj.
Tulipani i Kukësit është zbuluar në vitin 2003 në zonën e Kolsh-Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, nga biologu Besnik Hallaçi. Deri atëherë njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani shqiptar me emrin shkencor “Tulipa Albanica” renditet i 114-ti/Shqiptarja / KultPlus.com
Faik Konica, studiues dhe kontribuues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, ndërsa vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington të SHBA-së.
Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.
Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.
Duke qenë i tillë, fjala e tij është e pavdekshme dhe thëniet e tij duket sikur janë shkruar sot.
KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Konicës:
-Sot kanë dalë ca zuzarë, që u lindën shqiptarë, e punojnë natë e ditë që të mbetemi pa dritë. Është turp që prej kësi krimbash të mundohet një komb trimash”.
-Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: ‘Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.’
-Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.
-Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.
-Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.
-Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.
– Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).
– Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897)
– Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).
– E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).
– Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).
– Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).
– Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).
– Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).
– Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).
– Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).
– Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).
– Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).
– Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).
– Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).
– Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).
– Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
– Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
– Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
– Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).
– Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
– Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
– Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).
– Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).
– Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).
– Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).
– Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).
– Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).
– Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901).
– Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë (Albania 20 qershor 1901).
– Sa më shumë të mbahen fjalime parlamentare aq më i paktë është zotimi (Albania 20 qershor 1901).
– Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm (Albania, 10 korrik 1901). / KultPlus.com
Duke folur gjatë një interviste së bashku me mikun dhe partnerin e tij të biznesit Jimmy Iovine, producenti i famshëm dhe themeluesi i N.W.A. Dr. Dre, foli për famën në epokën e mediave sociale dhe tregoi pse nuk është adhurues i tyre, shkruan revista NME.
“Kur filloi fama ime, me siguri do t’i urreja mediat sociale nëse do të ekzistonin atëherë”, tha Dr. Dre për revistën GQ. “Shkatërrohet një lloj mistike. Më pëlqen pritja. Nuk kam nevoj që çdokush të dijë secilën minutë ku jam dhe çka bëj. Apo çka do të bëj. Ka ekzistuar një misticizëm që vinte me muzikën dhe pritja se çka do të ndodhë ishte argëtuese”.
Ndërsa miku i tij Iovine tha: “Mendoj se tani fama është më e rëndësishme se që ka qenë, pëlqimet në faqet e rrjeteve sociale etj. Ndërsa përpara, muzika e re dhe puna kanë qenë marketingu i vetëm”.
Gjatë intervistës, Dr. Dre dhe Iovine diskutuan për planet e nisjes së shkollës së tyre të mesme private.
Muajin e kaluar albumi debutues i Dr. Dre “The Cronic”, i publikuar në vitin 1992, u publikua në të gjitha platformat për dëgjim online, transmeton Koha. / KultPlus.com
Një 6-vjeçar, gjatë një shëtitjeje me prindërit e tij, në jug të Izraelit, zbuloi një pllakë balte 3 500-vjeçare, të përshkruar nga arkeologët si unike.
“Familja po shëtiste pranë fshatit Re’im në jug të Izraelit në mars, kur djali vuri re një pllakë të vogël argjile katrore me gdhendje të dy personave mbi të”, njoftoi Autoriteti Izraelit i Antikitetit.
Familja më pas ia dorëzoi artefaktin autoriteteve.
Pllaka tregon një ushtar të veshur me një fund me rrip, i cili shtyn një skllav të zhveshur, krahët e të cilit janë të lidhura pas shpinës, që sipas autoriteteve, artisti ka dashur të tregojë poshtërimin e skllavit.
Autoritetet izraelite thanë se zbulimi do të ndihmonte për gërmimet në qytetin e vjetër mijëvjeçar Yerza. / atsh/ KultPlus.com
Një parajsë në brigjet e rivierës shqiptare. Kështu e cilësojnë mediet e huaja Ksamilin, që ndodhet 12 km larg Sarandës dhe që pret çdo vit në ishujt e tij, mijëra turistë vendas e të huaj.
Ksamili me plazhet e tij po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e medieve dhe portaleve të huaja, të cilat e rendisin ndër destinacionet që duhen vizituar çdo verë.
Shumë prej tyre i kanë konsideruar plazhet e Ksamilit si më të bukurit në Europë.
Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Vendin e Shqiponjave, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij.
Rëra e bardhë, deti kristal tërheq çdo vit turistët vendas e të huaj, për të kaluar pushimet verore.
I mbipopulluar kryesisht në muajt korrik, gusht, Ksamili ofron një pamjeje mbresëlënëse me ishujt e vegjël shkëmborë me një bimësi të egër të dendur.
Në një lartësi nga 7.5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit këta ishuj janë vendosur pranë njeri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar.
Këta ishujt e bëjnë Ksamilin aq të veçantë e të dëshirueshëm nga turistët e sidomos nga të rinjtë. Me varka të ndryshme që ndodhen në Ksamil ju mund të vizitoni ishujt që preferoni për të bërë një shëtitje dhe për tu larë në detin e kristaltë.
Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell një fotogaleri me pamje nga Ksamili në këto ditë pranvere, ku temperaturat kanë filluar të rriten dhe bën që qytetarët të presin me padurim nisjen e sezonit turistik, që këtë vit do të jetë me masa të larta sigurie për shkak të pandemisë COVID-19 që ka prekur vendin tonë dhe pothuajse shumicën e vendeve në botë.
Turizmi në plazhet e Ksamilit po rritet çdo vit. Fshati është i mbushur me restorante që shërbejnë kuzhinë shqiptare, ku vendin kryesor e zënë pjatat me produkte të zonës si prodhimet e detit, por edhe ato të tokës.
Në Ksamil ka shumë njësi akomoduese, hotele apo edhe apartamente me qira, që dikur mbusheshin nga shqiptarët, ndërsa vitet e fundit gjithnjë e më shumë nga të huajt nga vende të ndryshme.
Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Shqipëri, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij./ATSH / KultPlus.com
“Unhinged”, triler për mllefin në trafik me aktorin Russell Crowe, do të jetë filmi i parë i madh që do të shfaqet në kinema që nga kufizimet për shkak pandemisë së koronavirusit, ka shkruar revista NME të hënën.
Duke u shfaqur disa muaj më herët se që është planifikuar, filmi i cili është një triler psikologjik dhe që paraqet mllefin që shkakton trafiku, do të arrijë në kinematë e SHBA-së më 1 korrik.
Ky lajm vjen pasi që pothuajse një milion punonjës në industrinë e filmit dhe TV-së kanë humbur vendet e punës në Hollywood pas mbylljes së produksioneve për shkak të përhapjes së virusit.
Karantinat kanë rritur kërkesën për filma dhe programe televizive në mesin e shikuesve të mbyllur në shtëpi dhe ekspertët parashikojnë se transmetuesit do të kenë mungesë të programeve dhe filmave deri në fund të vitit.
Netflixi tashmë ka vazhduar produksionin në vendet si Koreja Jugore dhe Islanda. Qyteti Los Angeles, i cili konsiderohet si kryeqyteti i filmit dhe programeve televizive, ka krijuar grupe pune për të vlerësuar se kur mund të vazhdojë puna në këtë industri, transmeton Koha. / KultPlus.com
S’kam qenë asnjëherë në Shqipëri, në tokën e ashpër, plot dashuri, peisazheve bjeshkatare me barinj trima. S’kam qenë, po ja që sot kam shpresë të vij ashtu si festat apo dasmat popullore, për të pare i etur diellin e madh që praron fuqishëm muskujt viganë të vargmaleve të saj epikë! Si zambaku i ri dhe i freskët që shpërthen mes shkrepave shpërthen nga gjiri i saj kultura, arti, librat, ndërsa përpara bujkut e punëtorit ngrihet nderimi i epokës, përmendorja e dashurisë e virtuti lulëzon viset e lashta! O Shqipëri e vogël, por sa e fortë! E vendosur e patundur e fjalëmbël. Tingulli i kitarës tënde është i gjallë e i çeliktë e vjen e i shtohet me dinjitet melodive të historisë, këngës së epokës që s’ka të heshtur! Është një zë malesh, ndërtimesh të pafundme e të bardha, kjo është kënga e njerëzve dhe bjeshkëve e zogjve të pranverës dhe drurëve të mollëve plot lule të porsaçelura e erërave e valëve të detit. Qëndresa, pamposhtmëria dhe lulet e tua Shqipëri janë dhurata që po i sjell vetë ndërtimit të jetës së re mbi botë. /Shqipëroi Moikom Zeqo / KultPlus.com
Përqafoi të dashurën, ndërsa ishin duke ecur në rrugën ”Strada Nuova”, në qendër të qytetit të Pavias, dhe për këtë gjest u gjobit nga policia.
Një impuls emocional që nuk pranohet nga rregullat aktuale kundër përhapjes së koronavirusit.
”I riu, pak më shumë se 20 vjeç, u gjobit nga një patrullë policie, dhe do të duhet të paguajë gjobën prej 400 eurosh”, shkruan gazeta lokale “La Provincia pavese”.
Si djaloshi ashtu dhe e fejuara e tij kishin në përdorim maskat.
Por, problemi ishte përqafimi i papritur, një sjellje që sipas autoriteteve nuk përputhet me rregullat e distancimit social.
Agjentët, pasi kanë konstatuar se janë dy të rinjtë bashkëjetonin, kanë sanksionuar djalin.
Nga kontrollet e intensifikuara nga agjencitë e zbatimit të ligjit në qytetin e Pavias janë gjetur disa persona pa maska si dhe persona që nuk respektojnë distancimin social./ atsh/ KultPlus.com
Pas restaurimit të pjesshëm të sallës së Kongresit të Përmetit nga Ministria e Kulturës në mjediset e brendshme të saj, bashkia e Përmetit krijoi Muzeun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që i ka munguar prej 30 vitesh historisë së Përmetit.
“Lufta antifashiste është pjesë e rëndësishme e historisë së shqiptarëve. Me këtë luftë shqiptarët u bënë pjesë e aleancës së madhe antifashiste, prandaj vlen të respektohet e t’i jepet vendi që i takon”, thekson bashkia.
Bashkia e Përmetit bën të ditur se “jemi munduar të grumbullojmë e të ekspozojmë gjithçka nga lufta partizane si: foto , dosje ,armë dhe sende të përdorura gjatë luftës. Dosjet e dëshmorëve ekspozohen pas shume vitesh harrese. Ato do të pasurohen në vijimësi me informacione te reja”.
“Besojmë se me këtë muze modest i shtojmë një vlerë turistike Përmetit si dhe një kujtesë historike brezave. Vazhdojmë me Muzeumin Etnografik dhe Arkeologjik si dhe me dhomën e “Artizanëve përmetarë”, tha bashkia./ ATSH/ KultPlus.com
Misioni i artistit francez Julien “Seth” Malland, ose Globepainter si e quan ai veten, është të mbuloj botën me artin e tij shumëngjyrësh.
Orgjinaliteti i artit të tij qëndron në përfshirjen e simboleve lokale dhe subjekteve që e rrethojnë. Mesazhi i pikturave është i gjallë dhe politikë në të njetën kohë.
“Jam frymëzuar nga mjedisi ku jam duke pikturuar. Mund të jetë një situatë sociale, kulturore ose politike, ose vetëm forma e murit”, tha Malland. Kur u pyet se sa kohë duhet për të krijuar një pjesë, artisti tha: Mund të duhen disa orë për një copë të vogël dhe për muret e mëdha – nga tre ditë në një javë.
Artisti me origjinë nga Parisi ka qenë aktiv që nga vitet ’90. Ai botoi dy libra për udhëtimet e tij dhe artin në rrugë. E fundit quhet “Extramuros”. / KultPlus.com
Seth përpiqet të përfshij në artin e tij edhe komunitetin lokal. Një nga mënyrat është fotografimi i tyre pranë pikturave murale.