ofsh’Amë

Poezi nga Saradë B. Rugova

mendove se n’pjekuni s’ka me te mungua si tash
e tash?!
çdo nat’ bjen me fjet
e para gjumit te ajo rrugëton
a asht’ mall dhimt dashuni mungesë përkrahje nevojë
atëherë kur veç ajo t’mungon
i perqafim me t’zbut mllefin e dynjas
t’kësaj dynjaje!
s’asht larg jo as afër
asht’ atje ku edhe unë isha
me u kthye atje kthehe prapa
e me u kthye prapa puspafun

AJO s’e duron dështimin tat
jo.
jepi vullnetit
po cilit?
t’pluhnosumit me nevojë amnore

N’mes stuhisë t’vijn zana t’njofshëm
po po, t’ ASAJ
s’lanë me gabua as atëherë
vazhdo
e fort midis deshprimit e fort midis dobësive
e fort përballë fjalëve atyne fjalëve që t’gërvishtin
e fort kur e lyp me t’hapë derën e buzëqeshjes
me hy Brenda e mos me i lan ven asnji bakterije prej jashtë
por jo, duhet me prit me t’prit AJO
pritje e shkurt e gjatë e pacaktueme
t’grumbullohet diçka n’fyt
donë me plas n’menime n’paraftyrime qesh e kjan
kthehe n’zbrazëti
prap fjaltë e SAJ t’japin frymarrje t’thellë fuqi
për ma mirë me u zharit me i kënaq shpirtin
atë shpirt t’lodhun e t’pagjumë
e çuem per me t’kqyr me sy t’imagjinatës
me t’përkdhel me energjinë e durve t’buta t’largta
e kështu ti vetperqafohësh n’mallin e saj
e ajo n’tatin./KultPlus.com

Shtatore e Shën Terezës në Poreç të Kroacisë

Një shtatore e Shën Terezës, do të vendoset në Poreç të Kroacisë.

Më 23 nëntor, dëshira e shqiptarëve të Poreçit po bëhet realitet. Siç thuhet në njoftimin që ka ardhur në adresë të portalit Koha.net, “truporja e Shën Terezës, simbolit të humanizmit dhe dashurisë së kombit tonë do të vendoset ne njërin nga sheshet më të bukura të qytetit”.

“Me iniciativën e aktivistëve shqiptarë Idris Sulejmani, Marijan Bisaku, Vilson Bisaku, Robert Daka, don Rikard Lekaj si dhe përkrahjen e të gjithë shqiptarëve të Poreçit që 2015 filluan përgatditjet për vendosjen e trupores së Nënë Terezës në Poreç”, thuhet në njoftim.

Ky manifestim të cilin e organizojnë Shoqatat Shqiptare në Istër do të zgjasë 2 ditë:

22.11.2017 në ora 19.00 – në katedralen e Pullës do të mirëpritet martiri i gjallë shqiptar, Kardinali Ernest Simon Troshani. Rrëfimin e jetës së tij martire kanë mundësi ta dëgjojnë të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë.

23.11.2017 Ceremonia e vendosjes dhe bekimit të trupores së Shën Terezës

10.30 – Hapja e ceremonisë dhe fjalët përshëndetëse të mysafirëve

12.00 – Mesha e shenjtë në Bazilikën e Poreçit

13.00 – Shpalosja dhe bekimi i trupores së Shën Terezës

Përveç përkrahjes masive të shqiptarëve në tërë Istrën, kjo ceremoni do të mbledhë edhe mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Çamëria dhe Dijaspora./KultPlus.com

Në Tiranë zbret edhe një tjetër yll, surpriza e radhës nga Bashkia e Tiranës

Emeli Sande është kënëgëtraja me famë që do të përformojë në Tiranë,në “Natën e Bardhë”, në sheshin Skënderbej, shkruan KultPlus.

Por nuk është vetëm kjo këngëtare e famshme që do të performojë në Tiranë. Ylli tjetër, sipas Juli Dhame nga Bashkia e Tiranës është Enrique Iglesias, që konsideroeht një artist mjaftë i arrirë.
Sipas saj, Iglesia s ka kërkuar që në kuadër të turit të tij, të futet edhe Tirana, Sipas Telegraf, ky koncert do të mbahet në muajin maj të vitit që vjen./KultPlus.com

Komuniteti shqiptar në New York, në përgatitje për paradën shqiptare

Komuniteti shqiptar në New York, tash e sa vite ka shndërruar në traditë kremtën e 28 nëntorit në New York, ku parakalojnë shumë qytetarë shqiptarë të veshur kuq e zi, shkruan KultPlus.

Edhe këtë vit kanë filluar përgatitjet për këtë festë, ku tashmë brendi i aksesorëve Gheg e Tosk ka prezantuar helemetën ilire, helmetë kjo që do të prezantohet në këtë paradë. /KultPlus.com

Ngritja e Flamurit të Shqipërisë do të bëhet në Parliament Hill të Kanadasë, e pranishme edhe Inva Mula

Në Ontario të Kanadasë do të shënohet përvjetori i parë i shpalljes së Nëntorit,si muaji i Trashëgimisë Shqiptare, dhe komuniteti i atjeshëm ka organizuar një numër të madh të aktiviteteve, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë bër ëtë ditur se takimet dhe vizita e pëfaqësuesve të komunitetit në Parlament do të pasohen nga aktivitete të tjera te organizuara në bashkëpunim me Qeverinë e Ontarios si festimin e një vjetorit të ligjit në parlament daten 20 nëntor, ku e ftuara e nderit do të jete soprano me famë botërore Inva Mula, 105 vjetorin e pavaresisë me 25 nëntor dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë aktivitetet do të kulmojnë me ngritjen e flamurit në Parliament Hill, të dielën më 26 Nentor./KultPlus.com

Ka vdekur Hanife Sejfulla-Reçani, këngëtarja e njohur e muzikës popullore (VIDEO)

Pas një sëmundje të rëndë sot ka ndërruar jetë një ndër këngëtaret më të njohura të muzikës folklorike dhe popullore në rajonin e Pollogut, Hanife Sejfullah – Reçani, shkruan KultPlus.

Disa nga këngët e saj të njohura ishin: “Bien tri dairet”, “Prej Tetove në Gostivar”, “Moj fusha e Korabit”, ” I hipa vaporit”, “Kënga e çobanit”, “Kënga e bilbilit” etj.
Hanifja, talentin dhe zërin e saj prej këngëtareje do ta zbulojë, pa i mbushur akoma 12 vjeç ku mësuesit e saj do ta përkrahnin atë për tu bërë një këngëtare e vërtet./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=YulTpG6lD74

Si u ekranizua romani “Dasma” i Kadaresë?

AQSH sjell në kujtesë filmin e realizuar nga Pirro Milkani Librat e Ismail Kadaresë kanë qenë gjithnjë frymëzim për regjisorët. Në vitin 1969, regjisori Pirro Milkani do ta shihte historinë e romanit “Dasma” si një fabul të përkryer filmi. Ai do ta ekranizonte atë me titullin “Përse bie kjo daulle”. Një histori për dashurinë dhe hakmarrjen në malësinë shqiptare.

Gati gjysmë shekulli nga shfaqja e këtij filmi në ekranin bardh e zi, Arkivi Qendror i Filmit e risjell në vëmendje përmes një prezantimi që do ti bëjë sot në orën 17.30 në ambientet e tij. Studiuesi i kinemasë Julian Bejko me regjisorin Piro Milkani do të diskutojnë mbi historinë mahnitëse të prodhimit të filmit. . Katrina dhe Xhaviti dy të rinj vullnetarë bien në dashuri gjatë ndërtimit të një hekurudhe dhe vendosin të martohen.

Por babai i Katrinës një malësor që e ka fejuar vajzën pa pëlqimin e saj nuk mund ta pranojë këtë martesë. Ai shkon në ceremoninë e dasmës për të vrarë të bijën. Por ç ‘ndodh…? Ky është subjekti i filmit tepër i guximshëm për kohën kur është shkruar nga Kadare. Skenari u ripunua nga Ksenofon Dilo, ndërsa muzika në film u realizua nga Feim Ibrahimi.

Aktorët kryesor në këtë film ishin Timo Flloko dhe Adelina Xhafa, ndërsa në role të tjera intepretuan Shkëlqim Basha, Seit Boshnjaku, , Dhimitër Pecani, Albert Verria, Lazer Filipi, Violeta Manushi, Gjon Karma, Xhemal Myftiu,Mihal Popi, Xhemil Tagani, Minella Borova, Albert Minga etj. Ismail Kadare e botoi fillimisht romanin me titullin “Lëkura e daulles” në vitin 1967, në revistën “Nëntori”.

Një vit më pas ka dalë si libër më vete nën titullin “Dasma”. Më pas, pas shkurtimeve të ndjeshme, është ribotuar më 1981 me titullin e kahershëm “Lëkura e daulles”. Zanafilla e romanit ka qenë novela “Dasma e çuditshme”, me subjekt prishjen groteske të një dasme, si hakmarrje ndaj nuses, prej të dashurit të fyer. Ndonëse i shpërfillur prej autorit, romani është përkthyer në disa vende perëndimore nga botues të majtë, përpara “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Një radio-dramatizim i veprës, me titullin “Dasma dhe fantazma”, është bërë prej BBC-së së Londrës më 1969.

Ja çfarë shkruan Éric Faye për këtë libër: “Në fillim, Ismail Kadare merr për bazë një tregim të pabotuar, që ka shkruar në fillim të viteve gjashtëdhjetë e që quhet “Dasma e çuditshme”. Por nga kjo bërthamë përfundimisht nuk do të mbetet pothuajse asgjë, përveç ndonjë relike e fshehur në ndonjë dialog, kur dasmorët rrinë e presin përbri një treni.

Versioni i parë i “Lëkurës së daulles” fillon e merr formë pak e nga pak. Ismail Kadare skicon një dekor që ka të bëjë me epokën ku ai jeton: është kantieri i një qyteti të ri, ndërtesa e parë e kryer e të cilit është një stacion treni. Kjo qytezë po rritet jo larg një teqeje, që është vend kulti i sektit mysliman të rufainjve dhe rrëfimi noton në një simbolizëm, që ilustron luftën e së vjetrës me të renë”, thotë Éric Faye.

Qyteti-kantier është një alegori e Shqipërisë në ndërtim e sipër dhe e njeriut të ri të saj. Në këtë qytet të së ardhmes shpështillet fuqishëm, me muzikë e me pije, një dasmë e gëzuar, me të ftuar të të gjitha shtresave, por, mbi të gjitha, të klasës punëtore.

Dhe kjo dasmë, e përshkuar nga një tension që e shpie tregimin në prag të tragjikes, rrezikon të kthehet në një dasmë gjaku, aq e vështirë është për të të ndahet me të kaluarën. Pas botimit në revistën “Nëntori”, në pranverë të vitit 1967, “Lëkura e daulles” doli si libër më vete vitin në vazhdim, me një titull të ri, “Dasma”, titull që, për sytë e botuesit, ishte më pak evokues i dokeve të lashta. Kemi të bëjmë me një tekst shumë më të plotë, që, zyrtarisht, mund të merret si romani i dytë i shkrimtarit.

Në faqet e tij gjejmë atë që mund të pasqyrojë Shqipërinë e re: një kantier ndërtimi, punëtorë, një zëvendësministër që kryen punën prodhuese riedukuese, trena (treni i parë eci në Shqipëri vetëm pas Luftës së Dytë Botërore), këshilltarë kinezë, fjalime me shijen e karikaturës dhe me tema të kohës: lufta kundër fesë, kundër fejesave me mblesëri, emancipimi i gruas, subjekt ky ku shkrimtarët mund të strehoheshin, mbasi aty u vinte për shtat të flisnin për këtë aspekt njerëzor të regjimit. Arshi Pipa, në Shtetet e Bashkuara, fliste për “Lëkurën e daulles” si një tekst pothuajse disident, ndërsa BBC e Londrës nxjerr prej tij një adaptim radiofonik, të titulluar “Dasma dhe fantazma”.

”Lavdërimet që ndoqën daljen e “Dasmës” e nxitën Kadarenë të shkëputet një herë e mirë nga prangat e realizmit socialist, për t’u rilidhur me venën epike të tij. Ai i kthehet kështu romanit “Rrethimi” (Kështjella). Më pas, më 1981, kur po përgatiste një botim të “Veprave të plota”, me laps në dorë, ai shuan paragrafë të tërë dhe bën prerje mbi këtë “Lëkurë daulleje”, që mblidhet si lëkura e shagrenit. Vepra zvogëlohet kështu përgjysmë”, thotë Eric Faye./gazeta shqip

Rita Ora vë në sprovë trajnerët e The Voice of Germany, performon në audicionin e fshehur (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Rita Ora ka befasuar trajnerët e The Voice of Germany, e cila ka marë pjesë në audicionet e fshehura, shkruan KultPlus.

Ajo duke performuar këngën e saj, ka bërë që të katër trajnerët të kthejnë karriget për një moment, por prapë atë kishin dilemën mos ishte ndonjë dublere e Rita Orës. Për më shumë, mund ta përcillni videon./KultPlus.com

POETI ME KONE

Poezi nga Agim Vinca
(Për Lasgushin dhe qenin e tij)

Mesditë gushti. Verë. Vapë e zagushi…
Te café-bar Relax me veten time rri.
Rrufis kafenë ekspres e cigaren thith
Në ajrin e vakët një pulëbardhë klith.

Bën vapë, Lasgush, vapë e zagushi
Te café-bar Relax kuvendoj me ty…

Dhe ti si unë dikur andej matanë,
Veç kones sate – askënd pranë.
Më të flisje, me të qeshje e qaje…
Thonë se dhe shtratin me të e ndaje.

Përballë kam Eseninin, kaçurrelin bjond,
Që qenin e Kaçallovit e qau me lot…

Janë të marrë poetët dëgjon të thonë shpesh
E ndodh dhe t’i gërgasin ca laro e syleshë…
Po sakaq ndër mend një mendim më vjen:
«Më mirë një qen mik sesa një mik qen!»

Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.
Te café-bar Relax me veten time rri…/KultPlus.com

Jo më vetëm Borëbardha e Kësulkuqja, Luan Rama sjellë figura të rëndësishme shqiptare nëpërmjet librave të ilustruar

Cikli i parë kishte dalë me librat e ilustruar mbi figurat e Skenderbeut, Dora d’Istria, Ismail Qemailit dhe Aleksandër Moisiut, kurse sivjet autori i këtyre librave ka ardhë me një cikël të ri, duke sjellë librat e ilustruar me figuart e Mbretëreshës Teutë, Tefta Tashko dhe Ibrahim Kodra. Luan Rama ka thënë për KultPlus se janë këto personazhe që iu drejtohen fëmijëve dhe u tregojnë për fëmijërinë e tyre, jetën, çaste malli apo intime, për ngjarjet historike e gjer në prag të vdekjes. Një rrëfim si ato të gjyshërve…Ky projekt po vlerësohet shumë i arrirë, pasi që, për herë të parë figura të rëndësishme shqiptare po vijnë edhe nëpërmjet librave të ilustruar.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Sapo kanë dalë nga shtypi katër libra të ilustruar, të cilët janë realizuar nga ju, libra të cilët u dedikohen më të vegjëlve, si erdhët deri te kjo ide që të punoni për fëmijët?
Luan Rama:
Edhe unë pyes veten, si erdha, meqë ndërkohë kam në duar një roman, një libër historik dhe një liber të ri poetik? E habitshme të të shfaqet kështu letërsia për fëmijë. Ndoshta ngaqë shumë vite më parë në Kinsostudio, unë shkruaja skenarë filmash vizatimorë, adaptime përrallash të vjetra, tregime fëmijësh, tregime shkencore, etj, të cilat animoheshin në kuadrin e filmit. Atëherë vajzat e mia ishin të vogla dhe bota e fëmijëve në art më pëlqente, dhe ja, përsëri ajo rivjen me një aventurë të re. Në fakt ishte Rita Petro, botuesja e ALBA-s që më propozoi të shkruaja për fëmijët dhe unë iu përgjigja menjëherë duke shkruar në fillim për serinë “Më quajnë” mbi Skenderbeun, Dora d’Istria, Ismail Qemalin dhe Aleksandër Moisiun e duke vazhduar sivjet me figurat e tjera të përzgjedhura nga unë si: Mbretëresha Teuta, Tefta Tashko dhe Ibrahim Kodra. Janë këto personazhe që iu drejtohen fëmijëve dhe u tregojnë për fëmijërinë e tyre, jetën, çaste malli apo intime, për ngjarjet historike e gjer në prag të vdekjes. Një rrëfim si ato të gjyshërve…

KultPlus: Pastaj, keni përzgjedhë personazhe shumë të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, që në formë të mësimit, duket të jenë të pakapshme për të vegjëlit, por ju zgjodhët edhe pjesën ilustrative që do ta bëjnë më të kapshme perceptimin e këtyre figurave, jeni i kënaqur me realizimin?
Luan Rama: Sigurisht ana grafike është tepër e rëndësishme, pasi veç tregimit, rrëfimit i duhet dhe ana ilustruese, fëmijët duan të shohin figura konkrete, dekore konkrete, pëlqejnë të futen në atmosferë kohrash që nuk i njohin, si p.sh. në kohën ilire, koha e Skënderbeut, koha e formimit të shtetit shqiptar në ditët e para të pavarësisë, etj. P.sh. në librin “Udhëtim në botën e pikturës shqiptare”, është gjyshi që e merr fëmijën nëpër galeri, shtëpi piktorësh, hapje ekspozitash, duke e futur në botën e pikturës, të ngjyrave, ç’janë në fakt ngjyrat, etj, dhe kështu përmes ilustimeve, fëmijët e përjetojnë plotësisht këtë botë ku alternohen dhe pikturat e vërteta, kryeveprat e këtyre artistëve nga Onufri e Shpataraku duke kaluar tek piktura e shekujve XIX dhe XX me piktorët e traditës si Spiro Xega, Kolë Idromeno, Vangjush Mio e deri tek moderni Ibrahim Kodra… Realizimi i këtyre ilustrime është tepër origjinal pasi janë tre piktorë: Semela Mero, Entela Kasmi dhe Sulid Kasmi, secili origjinal në përzgjedhjen dhe konceptimin e figurave, stilet e tyre dallohen dhe personazhet janë pikturuar me shumë dashuri e profesionalizëm. Eshtë një veshje e bukur për lëndën letrare duke e mishëruar tregimin. Kam parasysh gjithashtu dhe librin e mëparshëm “Legjenda shqiptare” me një përzgjedhje të veçantë të rishkruara nga unë, ku ilustrimet janë të jashtëzakonshme.

KultPlus: Pse përzgjodhët Mbretëreshën Teutë, Tefta Tashkon, Ibrahim Kodrën… për të prezantuar para fëmijëve?
Luan Rama:
Eshtë e rëndësishme që fëmijët të njihen më figurat tona historike. Sigurisht sot, librat për fëmijët, tregimet e huaja etj, janë të shumta, por këta janë libra konkretë ku njëkohësisht mësojnë historinë por dhe shtegtojnë në jetën e këtyre figurave: janë piketa që fëmijët do t’i ndeshin dhe më vonë si lëndë historike, letrare e artistike. Historia e një kombi krijohet e ndërtohet përmes figurave, personazheve, kontributeve historike, të cilat shpesh janë të dhimbshme por përkushtuese ndaj popullit dhe historisë.

KultPLus: Pastaj, fëmijët dinë të jenë shumë kërkues, mendoni se do të plotësojnë imagjinatën e fëmijëve karshi këtyre personazheve?
Luan Rama:
Tregimi për një figurë është një hap i parë në rrugën e fëmijëve drejt personazheve historike. Fillimisht ata mrekullohen, përjetojnë atë çka u thotë personazhi. Por pas mbarimit të librit fillon një udhëtim tjetër që ne nuk e shohim. Fëmija jeton shumë me ëndrrat. Atëherë, është ai që udhëton me personazhin. Madje fëmija është një krijues. Ai kalon në aventura të tjera me heroin, por fatlkeqësisht ne nuk i përjetojmë ato, atë e shikon vetëm fëmija. Do të ishte diçka e mrekullueshme të dinim se në ç’botra udhëton fëmija me heroin. Kjo është një fushë më vete studimi, por dhe krijimi.

KultPLus: Fëmijët shqiptarë janë mësuar që të lexojnë libra të ilustruar me përralla të njohura botërisht, ndërkaq ju keni përzgjedhë që të sillni figura shumë të rëndësishme shqiptare, sa do të ndikojë kjo metodë që fëmijët ti ofrojmë më shumë rreth historisë dhe kulturës shqiptare?
Luan Rama:
Ky është dhe qëllimi i kësaj serie: tu tregojmë fëmijëve historinë me një gjuhë të thjeshtë por dhe tërheqëse për ata. Kështu historia bëhet më e perceptueshme për një fëmijë se sa përmes një teksti historik. Dhe figurat historike janë të shumta. Edhe pse një popull i vogël, historia shqiptare është e përbërë nga ngjarje të mëdha, pasi dhe sfidat e rreziqet kanë qenë të mëdha. Një popull që është pushtuar vazhdimisht, që lakmohet për pozicionin e tij gjeografik dhe natyrën e pasur të tij, kalon përmes bëmash të mëdha, pasi perandoritë e mëdha siç e tregon historia, e kanë pushtuar me zjarr dhe me hekur, por kombi gjithnjë ka mbijetuar. Pra kjo lloj letërsie ka dhe karakter frymëzues, krenarie, etj.


KultPlus: Ky projekt është vazhdimësi e projektit të nisur një vit më parë, ku keni lansuar po ashtu libra ilustrativ me figurat e Skënderbeut, Ismail Qemajlit dhe Aleksandër Moisiut, kanë ndikuar që pikërisht këto libra të ju shtyjnë që të vazhdoni edhe me tituj të tjerë?
Luna Rama:
Po, sigurisht, kjo aventurë e bukur do të vazhdojë. Tani s’mund ta lësh në mes, duhet vazhduar, pasi e presin lexuesit e vegjël. Një libër të shtyn për një libër tjetër, një hero të çon tek tjetri, dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me historinë por dhe me artin, do të ketë dhe figura që lidhen me shkencën, etj. Pra do të jetë gjithëpërfshirës. Dhe jam i gëzuar që ALBAS mundësoi për një seri të tillë. Eshtë një galeri e pafund personazhesh, protagonistësh historikë, krijuesish të mëdhenj, artistë e letrarë të mëdhenj, muzikantë,, etj, krijues që kanë kapërcyer kufijtë kombëtarë.

KultPlus: Librat tashmë mund të gjinden në Albas, keni menduar edhe ndonjë formë tjetër që këta libra të jenë më afër fëmijëve?
Luan Rama:
Besoj që ALBAS bën një punë shumë të mirë në përhapjen e librit, që libri të shkojë pranë fëmijëve. Ajo organizon gjithnjë takime letrare me shkollat. Kjo është një fushë, por ka dhe fusha të tjera të komunikimit si emisionet televizive, radiofonike, etj. Fëmijët janë të etur për librin. Ata nuk duhet të mbeten vetëm me sytë tek televizori, pasi kjo është e rrezikshme për zhvillimin e trurit, çka shkencëtarët e sotëm në Perëndim e kanë shtruar me forcë të madhe. Po kështu, filmi e ngushton kufirin e imagjinatës, ndryshe nga libri, ku fëmija i kapërcen kufijtë e librit, dekorit të propozuar, dhe del nga këto kufij në territore të tjera dhe në aventura të reja. Pikërisht kjo e zhvillon trurin e fëmijës.

KultPlus: Dhe për fund, sa ka hapësirë që duke u bazuar në historinë dhe kulturën shqiptare të nxjerrim edhe libra të tjerë, pikërisht duke iu referuar figurave të rëndësishme shqiptare?
Luan Rama:
Thashë, është një fushë e pafund. Pasi një njeri që është kthyer në një figurë historike ka kapërcyer shumë sfida të jetës. Heronjtë, njerëzit e shquar të artit e shkencës, nuk krijohen kollaj. Ata bëhen në rrethana të caktuara shoqërore dhe në këto rrethana ata spikasin. Dhe është ky emocion, ky përkushtim i tyre për progresin dhe vlerat e tjera humane që duhet përcjell tek lexuesi i vogël./KultPlus.com

14 vjeçarja Erlisa Çerkini shpërfaqi shpirtin artistik dhe human në ekspozitën e parë personale (FOTO)

Nga 27 pikturat e ekspozuara shumica prej tyre janë në shitje, ndërsa ajo me ekspozitën e saj përveç që shpërfaqi anën e saj artistike po ashtu tregoi se brenda saj fshihet edhe një shpirt human pasi që të ardhurat nga dy pikturat e saj do të shkojnë si donacion për SOS fshatin e fëmijëve dhe shtëpinë e pleqve.

Gili Hoxhaj

Erlisa Çerkini, vetëm tetë ditë para ditëlindjes së saj të 14-të prezantoi ekspozitën e saj të parë personale me rreth 27 punime, shkruan KultPlus.

Ekspozita e parë personale e piktores së re në moshë por jo dhe në punë, kishte mbushur hollin e Bibliotekës Kombëtarë të Kosovës. Ajo mblodhi dhjetëra dashamirës të artit e bashkëmoshatarë të cilët me lule e përqafime uronin këtë celebrim të rrugëtimit të saj të ri në artin pamor.

Në punimet e saj vërehet përkushtimi dhe arti i një krijueseje premtuese. Më shumë se gjithçka tjetër puna e saj dëshmon se talenti shpesh arrin ta tejkaloj edhe moshën. Punimet që ajo shpalosi në ekspozitën e saj i përkisnin dy viteve të fundit, ndërsa përfshinin nëntëmbëdhjetë piktura në pëlhurë ku tetë prej tyre janë natyra të qeta, katër peizazhe dhe gjashtë portrete, po ashtu dhe shtatë piktura në letër të punuara me temper.

Erlisa Çerkini tregoi për KultPlus së në ekspozitën e saj të parë po e përcjellin ndjenja që e ka të vështirë t’i përshkruaj mirëpo, kjo natë po i sjellë më së shumti krenari për bashkëpunëtoret dhe vetën, për shkak që në këtë moshë të adoleshencës ka arritur të finalizoj ekspozitën e saj të parë personale.

“Jam pak krenare me vetën sonte, sepse është ekspozita ime e parë personale edhe pse jam e re në moshë. Kjo ekspozitë paraqet shkathtësitë e mija në pikturë për dy vite punë, ndërsa pikturat e mija dominohen nga realizmi dhe pikërisht aty e gjej vetën më së miri edhe pse kam përdorur forma të ndryshme të pikturimit. Kurse janë natyrat e qeta ato ku e gjej vetën më së miri dhe e shprehi gjithë atë që e kam brenda vetes”, shpjegoi Erlisa për KultPlus.

Duke qenë se Erlisa përmes punimeve të saj tregoi se arti i saj premton shumë për rrugëtimin e saj në të ardhmen, ajo këtë gjë e pohoi derisa tregoi për KultPlus se synimet e saj janë që punimet e saj të shihen edhe në vende të tjera përtej Kosovës.
“Pretendoj që në të ardhmen ta bëj një ekspozitë tjetër në Amerikë apo diku tjetër. Pa dashur të mburrem, unë besoj që do të arrij në fushën e artit, edhe pse arti nuk është që vlerësohet shumë në Kosovë, por unë do të bëj çmos që të arrij qëllimet e mija që punën time ta paraqes edhe jashtë Kosovës” tha përplot entuziazëm Erlisa.

Faton Kryeziu, themeluesi dhe udhëheqësi i shkollës së artit “Da Vinçi”, ishte pikërisht ai i cili kishte zbuluar talentin dhe përkrahur punën e saj. Ai Erlisen e përshkruan si një punëtore dhe ambicioze të madhe ndërsa shtoi se ajo gjithmonë e ka mahnitur me pikturën dhe punimet e saj.
“Po qe se e shohim për herë të parë cilëndo nga punimet e Erlisës, askush e ndonjëherë as unë , nuk mund të besoj që janë punë krijuese të ndonjë adoleshente. Punimet e saj, po mos ta njohim autoren, mund të mendojmë se janë punime të ndonjë studenti, që është në përfundim të fakultetit, ose edhe të ndonjë studenti që ka përfunduar studimet. Kjo vjen nga forca e brendshme e saj artistike dhe ndjenja e veçantë që ka ajo për artin e vijës, formës e ngjyrës”, është shprehur piktori Kryeziu gjatë ceremonisë hapëse të kësaj ekspozite.

Afrore Blakçori- Uka, arsimtarja e Erlisës në shkollën “Elena Gjika” e përshkruan atë si një talent të rrallë, kurse punën e saj e vlerësoi si të jashtëzakonshme.
“Fjalët janë të tepërta për të folur për Erlisen, në këtë ekspozitë shihet puna dhe aktiviteti i saj i palodhshëm si dhe pozitiviteti i saj. Që nga klasa e gjashtë e kam vërejtur talentin e Erlises dhe gjithmonë në projektet që i kemi punuar ajo ka qenë gjithmonë numër një në shkollën tonë. Kjo po vërehet edhe në punimet e saj, sidomos tek portreti i cili është kulmi i vizatimit, kur arrihet të punohet një portret origjinal atëherëkjo do të thotë se ajo është e përkryer si artiste në të gjitha dimensionet e tjera në fushën e artit”, tregoi arsimtarja Blakçori- Uka.

Nga 27 pikturat e ekspozuara shumica prej tyre janë në shitje, ndërsa ajo me ekspozitën e saj përveç që shpërfaqi anën e saj artistike po ashtu tregoi se brenda saj fshihet edhe një shpirt human pasi që të ardhurat nga dy pikturat e saj do të shkojnë si donacion për SOS fshatin e fëmijëve dhe shtëpinë e pleqve. Artdashësit do të kenë mundësi të shijojnë punën e piktores 14 vjeçare deri më datë 23 nëntor, sa do të qëndroj e hapur kjo ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”./KultPlus.com

Ky është artisti i parë shqiptar që në vitin 1989 ka bërë duart si shqiponjë (FOTO/VIDEO)

Simboli i shqiponjës që tashmë përdoret nga artistët shqiptarë, dhe jo vetëm, konsiderohet të jetë një ndër simbolet më të famshme gjithandej nëpër botë, dhe një artist shqiptar konsideron se ai është artisti i parë që ka bërë këtë simbol, qysh në vitin 1989, shkruan KultPlus.

Tenori shqiptar Bashkim Pacuku nëpërmjet rrjeteve sociale ka shkruar rreth këtij simboli, duke shpjeguar se për herë të parë simbolin e shqiponjës,me duart në gjoks e kishte bërë në Slloveni.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e tij.

Authori, unë jam krijuesi i simbolit të shqiponjës dykrenare me dy duar në gjoks më 1989 në Festivalin internacional të Shansonës në Rogashka Sllatina të Sllovenisë, Simbol ky që tashmë me fuqinë e vetë semantike që ka, u bë simboli më i famshëm në botë. E krijova até kur unë përfaqësoja këngën shqipe nga Kosova e titulluar: “Tungjatjeta Nëna Plakë, Flok’bardha Ime Moj” (Brendia e fjalëveI i dedikohet Nënës Shqipëri).
Melodinë: Reshat Randobrava – Kosovë
Fjalët: Dritëro Agolli – Shqipëri
Orkestrimi: Maestro Bojan Adamić, Kompozitor/Dirigjent I famshëm Slloven siç shihet edhe në VIDEO duke dirigjuar me Orkestrën e RTV-it të Lubjanës./KultPlus.com


Cameron: “Titanic” kthehet në kinema për 20 vjetorin e tij, kjo është përtej 3D, përtej 70 mm (VIDEO)

Filmi i “Titanic” i realizuar në vitin 1997, ku luan Kate Winslet dhe Leonardo DiCaprio, do të kthehet në ekranin e kinemasë këtë dhjetor në festimin e 20 vjetorit të filmit, përcjellë KultPlus.

Përgjatë një jave duke filluar nga 1 dhjetori, Titaniku mund të shihet në tërë Shtetet e Bashkuara në të gjitha kinematë Dolby në lokacionet e AMC. Filmi vjen i projektuar nga Dolby Vision HDR, drejtori i të cilit James Cameron tha se ishte sikur ta shihje filmin për herë të parë.

“Kjo është përtej 3D, përtej 70 mm, është përtej çdo gjëje që ju keni parë ndonjëherë më parë. Imazhi del nga ekrani aq i ndritshëm dhe i gjallë sa vetë jeta. Kjo është mënyra se si duhet të shikohet çdo film dhe pa dyshim, “Titaniku” nuk ka qenë kurrë më i mirë”, ka thënë Cameron.

Filmi”Titanic” debutoi për herë të parë më 19 dhjetor 1997, dhe pas filmit “Avatar” mbetet filmi i dytë që ka arritur më së shumti të ardhura, ku shifrat e fitimeve sillen rreth 2.2 miliardë dollarë./ KultPlus.com

Publikohet kënga e re e Bebe Rexhës (VIDEO)

Është publikuar kënga e re e këngëtares shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha.

“Home” titullohet kënga të cilën ajo e solli në bashkëpunim me Machine Gun Kelly dhe X Ambassadors.

Kënga e re është pjesë e filmit të yllit Will Smith, “Bright” që do të publikohet në dhjetor./KultPlus.com

Dasma tradicionale në Malësinë e Tiranës (VIDEO)

Në kuadër të nismës Edukimi përmes Kulturës, QKVF ne bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Shkollën e Bashkuar Krrabës, sot është organizuar Dasma Tradicionale, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet vjen pas disa orësh informuese mbi ritualet familjare dhe dasmën tradicionale të Malësisë së Tiranës.

Për më shumë mund të përcillni videon nga kjo dasmë e improvizuar, ku shihen zakonet e dasmës së Malësisë së Tiranës./KultPlus.com

Gruaja e parë shqiptare që pushtoi majën e Everestit, ndanë përvojën e saj me audiencën në Beograd (FOTO)

Alpinistja shqiptare Uta Ibrahimi është pritur sot nga audienca në Beograd, për një prezantim publik të organizuar nga Belgrade Fund for Political Excellence, shkruan KultPlus.

“Himalajet më kanë sjellë paqen me veten, ma ka mësuar tolerancën dhe më ka mësuar të pranoj njerëzit ashtu si janë. Ky është një stad psiqik dhe emocional, që pak njerëz në jetë mund ta arrijnë”, ka thënë ajo para audiencës beogradase.

Ajo gjatë prezantimit foli edhe për atë se si përkrahja e institucioneve kosovare dh atyre shqiptare po rritet. “Institucionet duan ta shohin vendin që ngjitet në majat e larta të botes, bashkë me vendet e tjera dhe kjo është gjë e mirë, sepse konsideroj që ngjitjet e mia nuk janë të Uta Ibrhahimit, por janë ngjitje të popullit shqiptarë”, ka thënë ajo.

Ngjarja është pjesë e projektit të titulluar “Ndryshimi mendësisë, ndërtimi i besimit përmes inovacionit”. Pjesë e shumë aktiviteteve të këtij projekti nga Belgrade Fund for Political Excellence bashkë me partneret e tjerë si organizata Aktiv Democracy for Development, janë edhe prezantimet publike të personave të suksesshëm.

Uta si gruaja e parë shqiptare që pushtoi majën më të lartë të botes Everest u shpreh të jetë e kënaqur me këtë ftesë dhe e lumtur që i është dhënë rasti ta ndajë përvojën e saj me njerëzit në Beograd. Uta për momentin është në përgatitje për udhëtimin e radhës në Himalaje për të pushtuar maja të tjera./KultPlus.com

“Bon Appetit”, filmi më i mirë ndërkombëtar në Icelandic Horror Film Festival

Filmi me regji të Erenik Beqirit është shpërblyer me çmimin si filmi më i mirë i metrazhit të shkurtë në Icelandic Horror Film Festival, shkruan KultPlus.

Ky film që prezantohet nëpërmjet lojës së aktorëve: Romir Zalla, Arben Bajraktaraj e Ema Andrea qysh prej premierës e deri më tashti numëron një numër të madh të çmimeve nga festival të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

‘Bon Appétit’ flet për një burrë i cili bredh nëpër tunelet e errëta të një ndërtese të braktisur derisa e gjen një tryezë që po e priste dhe kamerierin e gatshëm për ta shërbyer me darkën speciale të bërë vetëm me mish njeriu. Një sfidë për oreksin e tij./KultPlus.com

Dashuri në paketë, projekt i veçantë për fëmijët në festat e fundvitit

MUTE Foundation së bashku me Kuvendin Komunal të Prishtines dhe FSK do të organizojnë projektin e veçantë të titulluar “ Une / Ty Dashuri në Paketë” , shkruan KultPlus.

Për t’i bërë më të bukura dhe me kuptimplota festat e fundvitit për fëmijët ky projekt fton të gjithë fëmijët, prindërit dhe mësuesit që të ndihmojnë në mbledhjen e pakove me dhurata. Në këtë mënyrë fëmijët do të mund të dhurojnë dhe të marrin dhurata për njëri-tjetrin.

Qëllimi i këtij projekti është që përmes tij të kultivohet dhembshuria, solidariteti, vullnetarizmi tek fëmijët në mënyrë që të ndikohet direkt ne shëndetin e tyre emocional e shpirtërore në krijimin e një bote më të mirë.

Vitin e kaluar ky projekt kishte rezultuar shumë i suksesshëm ku falë përkushtimit të mësuesve e prindërve janë grumbulluar rreth 7000 pako me dhurata të përgatitura nga fëmijët e moshës 4-11 vjeçare të kryeqytetit./ KultPlus.com

Ministri Kujtim Gashi përuron disa monumente të trashëgimisë në Prizren, premton edhe 2 milionë euro për Qendrën Historike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Z. Kujtim Gashi sot gjatë ditës ka vizituar qytetin e Prizrenit me ç’rast ka përuruar disa prej projekteve të cilat janë përfunduar dhe po realizohen nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të aktiviteteve restauruese – konservuese për vitin 2017.

Ministri Gashi gjatë vizitës së projektit të realizuar në shtëpinë e familjes Pomaku theksoi se ndihet i lumtur që falë përkushtimit të institucioneve shtetërore, në këtë rast Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, e cila gjatë këtij viti ka filluar me ndërmarrjen e masave të riparimit në ndërtesat-monumentet arkitekturale të rrezikuara, në zonën historike të Prizrenit dhe objektet tjera që gjenden në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përkohshme, tani më gjendja e aseteve të trashëgimisë kulturore po ndryshon për të mirë.

Anëtarët e familjes Pomaku, u shprehën të kënaqur me mbështetjen e treguar nga ana e institucioneve shtetërore duke potencuar faktin se edhe ata do mbesin të përkushtuar si qytetarë në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore që ka qyteti i Prizrenit.

Gjithashtu ministri Gashi ka përuruar edhe disa projekte restauruese-konservuese të realizuara gjatë këtij viti si: shtëpinë e familjes Alili në Prizren, restaurimin e dy trafo-stacioneve të vjetra në Prizren, Xhaminë e Myderiz Ali Efendisë si dhe shtëpinë e familjes Zhoriq në Prizren.

“Realizimi i masave për ndërhyrje dhe riparime emergjente në ndërtesa – monumente arkitekturale të rrezikuara, financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ky do mbetet përkushtim i imi si ministër që edhe gjatë vitit 2018 të vazhdohet me punët restauruese-konservuese jo vetëm për qendrën historike të Prizrenit por edhe për të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës”, ka theksuar ministri Gashi.

Në kuadër të kësaj vizite ministri Gashi ka inspektuar edhe punët restauruese-konservuese në Kompleksinë e familjes Drini, në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në Prizren, si dhe familjes Morina./KultPlus.com

Popullit Tim

Poezi nga Esad Mekuli

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue
që me këng të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun
të ngrej fuqitë prej gjumit…
Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)
se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.

Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun,
n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,
mbi forc të bashkimit mbarë:
mbi vrullin tand të mëshehun
-unë, biri yt dhe-poeti.

Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,
ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-
pse për liri-me tjerë
ke dhanë dhe ti
djers e gjak si etnit.

Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-
kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa
pranga mbeti,
me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’
-unë, biri yt besnik dhe-poeti./KultPlus.com

Nita Bllacaku kujdeset për stilin e aktores së famshme Carmen Dell’Orefice (FOTO)

Kreatorja kosovare Nita Bllacakut ka qenë pjesë e një fotosesioni të fotografit të njohur Fadil Berisha, ndërsa është përkujdesur për stilimin e modeles dhe aktores me famë botërore, Carmen Dell’Orefice, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Nita Bllacaku tregoi për KultPlus se ka qenë një eksperiencë e veçantë bashkëpunimi me fotografin Fadil Berisha dhe me aktoren Carmen Dell’Orefice. Ajo tregoi se ka qëndruar për një kohë në New York ku ka qenë e angazhuar si stiliste në studion e fotografit Fadil Berisha.

“Gjatë kohës së qëndrimit tim në New York, Fadil Berisha është treguar shumë i hapur gjatë bashkëpunimit tonë dhe me këtë ka dëshmuar së është shumë i hapur në përkrahjen e artistëve të rinj”, tha Bllacakut për KultPlus.

Nita Bllacaku është kreatorja e parë shqiptare që ka bashkëpunuar me modelen dhe aktoren 87 vjeçare , Carmen Dell’Orefice. “Carmen Dell’Orefice është treguar shumë e dashur dhe bashkëpunuese gjatë fotosesionit. Unë jam shumë e nderuar që kam pasur mundësinë të punoi me Carmen ndërsa njëkohësisht puna dhe bisedat me të ka qenë shumë inspiruese për punën time”, ka thënë Nita Bllacaku për KultPlus./ KultPlus.com

Inva Mula me koncert në Vjenë, përfshihen edhe shumë artistë të famshëm shqiptarë

“Vienna Salutes To Tirana”, është koncerti që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan KultPlus.

Artistja kryesore që do ti paraprijë këtij koncerti është Inva Mula, koncert i cili do të ngërthejë edhe shumë artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa.

Koncerti do të mbahet në shenjë të marrdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë, dhe kjo ngjarje artistike është mbështetë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.
Koncerti do të mbahet sonte, në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, me fillim në ora 19:30./KultPlus.com

Arti i Xhafës flet për Kosovën, migrimin dhe paqen në botë

“Unë e kam përjetuar se si Serbia e pushtoi Kosovën, e kam përjetuar dhunën në trupin tim. Por unë sot jetoj në Nju Jork, mund të hap ekspozita ndërkombëtare, bëj një jetë të privilegjuar në një qytet multietnik”

Pushteti, identiteti, migrimi – Vepra e Sislej Xhafës sillet rreth këtyre çështjeve të mëdha të të sotmes. Këtë vit, artisti konceptual udhëheq pavijonin kosovar të Bienales së Venedikut dhe aktualisht ekspozon në Berlin, shkruan monopol-magazin.de, transmeton albinfo.ch. Që në hyrje të sallës ku është hapur ekspozita e tij qëndron një pemë ulliri e mbjellë në saksi, ku varet mbishkrimi: “Don`t touch me” (mos më prek). Ulliri është një simbol tradicional për paqen dhe dashurinë. Por a e shikon Sislej aktualitetin me optimizëm?, është pyetja që i bën gazetari Xhafës.

Artisti shqiptar nga Kosova, me një karrierë të suksesshme në botë, Sislej Xhafa përgjigjet: “pema e ullirit mishëronë idenë e rrënjosjes, përkatësisë, identitetit. Ajo shenjëzon tokën, rrënjët tona. Unë kam dashur ta vendos këtë pemë në hyrje të ekspozitës, me idenë se ajo i dëshiron mirëseardhje publikut dhe në të njëjtën kohë bën lutje që të respektohet”, transmeton albinfo.ch.

“Pikturimi, ngjashëm me pemën e ulllirit mishëron idenë e lirisë. Por sa i lirë është sot arti, si qëndron puna përgjithësisht me lirinë në shoqërinë tonë? Arti për mua është trajta e fundit e mbetur e demokracisë. Mua nuk më interesojnë çështjet formale, unë me artin tim dua të veproj dhe të nxis për pjesëmarrje: për të krijuar një hapësirë në të cilën poetikja çon drejt politikes”, thotë tutje Xhafa.

I pyetur se në çfarë mase arti i tij është i ndikuar nga biografia, artisti i shquar i lindur në vitin 1970 dhe i rritur në Kosovë thotë: “Unë e kam përjetuar se si Serbia e pushtoi Kosovën, e kam përjetuar dhunën në trupin tim, përcjell albinfo.ch. Por unë sot jetoj në Nju Jork, mund të hap ekspozita ndërkombëtare, bëj një jetë të privilegjuar në një qytet multietnik.

Më lejoni t`ua rrëfej një rrëfim: para një kohe po e shikoja para një restoranti se si një shef kuzhine, me prejardhje nga Etiopia, rrinte ulur pranë një zotëriu të moçëm dhe e pyeste atë se si ishte. Plaku ishte i frikësuar, ai mendonte se etiopiani donte ndonjë gjë prej tij – ndërkohë që fjala ishte thjesht për një shprehje nderimi. Për mua kjo skenë simbolizon gjithë atë që na ikën, kur kemi mungesë dijeje dhe hapjeje kundrejt kulturave tjera. Ndërkohë: lufta vazhdon.

Ekspozita personale e Sislej Xhafës është hapur më 10 nëntor dhe mbyllet më 23 dhjetor.
Adresa: Blain|Southern Berlin
Potsdamer Straße 77-87
10785 Berlin

Sa le’t ish me e bajt nanën mbi supe…

Poezi nga Halil Matoshi

ia kam pa tmerrin tek i randonte n’çerpikë
kur shihte në TV gra të thyeme moshe
të ndjekuna armiku
që dikush i tërhiqte zvarrë mbi ndoj thes të dhintë apo ngrykë si
fëmijë të ngrim’ acarri, grumbulluq në ndoj karro me rrotë të
shfryme… të mos flas kur ndjente vajtime mbi fëmijë e burra të
grimë thike
nana s’bante as dh’et hapa pa u mbush’ frymë
në duart e policisë serbe kur rashë
dhe u bana gati për pushkatim çuditnisht qëndroi pa b’za
si ni staue pej dheu e shtangun
seciles arkeologët ia marrin masat
dhe përmasat ia hamendin moshën pulsin rrezistencën ndaj
përplasjeve
dhe tundimet e tokës nanë
dhe munohen me ia gjet fillin e gjallesës
dhe me ia konstruktue ni vdekje tepër tragjike dhe me ia shkaktue
ni dhimtë të madhe sa vrasja e djalit ni tmerr të pakufishem sa
historia botnore me ia thur pastaj ni trill letrar
dhe me e ba ni dramë gjithkohësie
nga e thjeshta e heshtur nga ni nanë
e kam shikue beftë
dhe sall sytë i kanë leviz
sa për t’ma ba me dije se e kam lanë të gjallë
prit’m nanë kam dashtë me i thanë
dhe zani m’ka tradhtue…
e ndjej edhe tashti ajo m’ thosh’
nuk kam me dekë pa ardh nga syrgjyni bir
jam qindpërqind i sigurt se ka dashtë më më thanë me dekë nuk
kam po ia ka vu dorën gojës
mos ban sakrilegj
mos me i dal ofshamë
ajo u ba ni nanë fantastike dhe më priti
me ma pa ballin pa gjak duart me m’i shtrëngue pa zingjirë
u bana dhe unë ni djal durimtar dhe ia prita dekën e bardhë
hijeshinë e qefinit
pashë sa le’t asht me e bajt nanën në supe
pesë djel të rritun…tek ndërrohet me bijtë e tyre
(aq e le’të ish nana dhe të duket sikur të dyja kambët po të
sharrojnë në dhe – ndoshta asht krejt njajt sikur ajo ka bartur
fëmijë në bark, veçse ti tashti ke mërzi ajo atohera asht e gzueme,
ajo po bante jetën!?)
ma pa lirinë
ia pashë dekën…/KultPlus.com