Njëri prej filmave të shumëpritur të kësaj vere që risjellë nostalgjinë e publikut, Jurassic World: Dominion arrin në Cineplexx më 9 qershor, me eventin Premiere Night ku do të dhurohen shpërblime të ndryshme.
Aventura e njohur Jurassic World: Dominion arrin në Cineplexx këtë javë ku premton shumë aksion bashkë me dinozaurë më të mëdhenjë dhe më të mirë! Kinemaja Cineplexx, për këtë film do të organizojë eventin Premiere Night, ku do të dhurojë shpërblime në salla të ndryshme. Ky event do te mbahet ne të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren, më 9 qershor, duke filluar nga ora 19:00.
Ngjarja e kësaj pjese sjellë dy brezat që bashkohen për herë të parë. Chris Pratt dhe Bryce Dallas Howard i bashkohen fituesja e çmimit Oscar Laura Dern, Jeff Goldblum dhe Sam Neill në Jurassic World Dominion, një aventurë e re dhe befasuese që përfshin globin. Nga arkitekti dhe regjisori i Jurassic World, Colin Trevorrow, Dominion zhvillohet katër vite pasi Isla Nublar është shkatërruar. Dinozaurët tani jetojnë dhe gjuajnë përkrah njerëzve në të gjithë botën. Ky ekuilibër i brishtë do të riformësojë të ardhmen dhe do të përcaktojë, një herë e përgjithmonë, nëse qeniet njerëzore duhet ta bëjnë këtë.
Gjatë eventit do të dhurohen shpërblime të ndryshme në të dy kinematë.
Në kinemanë në Prishtinë do të dhurohen:
4x Gift Cards në vlerë 50€ për brende të ndryshme në Albi Online
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00./ KultPlus.com
Keni harruar karikuesin e celularit në shtëpi, dhe të gjithë përreth kanë një model të ndryshëm që nuk ju hyn në punë? Ky siklet do të harrohet shpejt, së paktën në Europë.
Parlamenti Europian ka arritur marrëveshjen politike për të lejuar vetëm një tip karikuesi për të gjithë modelet që do të shiten brenda kufijve të BE-së. Madje, jo vetëm për celularët, por edhe për aparate të ngjashme, si tableta, kamera digjitale, etj.
Karikuesi i përbashkët do të jetë ai që njihet në treg si C-type, që do të punojë tashmë përtej modeleve dhe kompanive prodhuese, normalisht për modelet që do të hyjnë në treg pas marrëveshjes.
Nje tjetër pikë e marrëveshjes është dakordësimi që karikuesit të blihen veçmas dhe mos të përfshihen detyrimisht me blerjen e celularit, në mënyrë që të ulet sasia e plastikës së përdorur, dhe mbetjet që kjo nënkupton. /A2CNN/ KultPlus.com
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Oksford Union:
Të nderuar anëtarë të Oxford Union,
Të dashur anëtarë dhe mysafirë të komunitetit të nderuar akademik të Oxfordit, Zonja dhe zotërinj,
Është e vështirë të hysh në këtë dhomë debati dhe të mos e ndjesh peshën e historisë. Përgjatë viteve, Oxford Union është shfaqur si një ndër sheshet më të rëndësishme në botë. Duke marrë parasysh historinë e vjetër me shekuj dhe prestigjin e tij, kështu duhet të jetë. Në botën tonë të sferave të fragmentuara publike dhe eko dhomave virtuale, forumet globale publike si ky janë më të rëndësishëm se kurrë. Duke e mbrojtur dhe duke u përkujdesur për këtë institucion, ju po na bëni shërbim të gjithë neve. Prandaj, faleminderit që po mbani të gjallë traditën tuaj të respektuar, dhe faleminderit që më ftuat të jem sot këtu me ju. Jam shumë i nderuar me ftesën tuaj.
Jam ftuar t’ju flas këtu si politikan i së majtës demokratike dhe si kryeministër i Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në Evropë. Secili nga këto identitete, kur merret në konsideratë ndaras, sjellë shumë sfida të veta. Të jesh sot lider i majtë kudo në botë, qoftë edhe në vendet e mirë etabluara dhe të pasura është mjaftueshëm e vështirë. Për më tepër, të jesh Kryeministër kosovar, pa marrë parasysh bindjet etike politike të dikujt, nuk është as punë e lehtë. Dikush mund ta imagjinojë se çfarë ndodhë kur kombinohen këto dy identitete, siç ndodhin rëndom në personalitetin tim: vështirësitë shtohen mjaft shpejtë. Këtu dua të përqendrohem në dy sfida kyçe me të cilat përballet një agjendë socialdemokrate transformuese në një vend si Kosova – e para, ambient i armiqësuar gjeopolitik dhe e dyta, kapacitete të brishta shtetërore. Do t’i them disa fjalë mbi natyrën e këtyre dy sfidave dhe të diskutoj shkurt sesi partia jonë politike (Lëvizja Vetëvendosje) është marrë me to në të kaluarën, dhe se si qeveria ime po përpiqet t’i adresojë sot ato. Mund të jenë disa mësime më të përgjithshme për të majtën demokratike në përgjithësi, posaçërisht në këto kohë të trazuara të përhapjes së gjerë të prapakthimit demokratik dhe që nga 24 shkurti i këtij viti, rikthimi i luftës në kontinentin tonë.
Ballkani është i njohur figurativisht si fuqi baruti e Evropës. Një thënie e njohur që shpesh i atribuohet një prej kryeministrave më emblematikë, Sir Winston Churchill, thotë që Ballkani prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë. Padyshim, një koment i tillë nuk është pa dozën e rëndë të supremacisë kulturore eurocentrike. Siç dihet mirë, Ballkani tradicionalisht ka shërbyer si Orient i brendshëm i Evropës – një gadishull në periferinë juglindore të kontinentit, i banuar nga popuj gjysmë barbarë, me tradita të çuditshme dhe të prapambetura, të prirë për konflikte të paarsyeshme etnike. Për më tepër, paraqitja e Ballkanit si fuqi baruti e Evropës, tenton të lë në hije një fakt tjetër kyç, që kjo lloj fuqie rrallëherë ishte vetëm për fajin tonë. Fuqitë e mëdha të Evropës rrallëherë kanë qenë soditës të pafajshëm në çështjet e Ballkanit.
Sido që të jetë, thelbi i së vërtetës që përmban thënia e Churchillit është se gjeopolitika priret të jetë brutale në pjesën tonë të botës. Për pjesën më të madhe të historisë së tij, Ballkani ka qenë në udhëkryqin e vijave të betejës gjeopolitike, një lloj kufiri ku perandoritë perëndimore dhe lindore janë përplasur ashpër me njëra-tjetrën. Në historinë moderne, një brutalitet i tillë është ndjerë veçanërisht në kurrizin e shqiptarëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve të Kosovës në veçanti. Për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë, fati që e priste një aktivist shqiptar të Kosovës që kërkonte të drejta civile dhe politike për popullin e tij ishte ose vrasja ose burgimi i përjetshëm. Megjithëse shqiptarët përbënin vetëm rreth 13 për qind të popullsisë së Jugosllavisë, ata përfaqësonin 80 për qind të të burgosurve politikë të saj – Adem Demaçi, një nga të burgosurit politikë më të famshëm në Evropë dhe më gjerë, kaloi 28 vjet në burg. Këto fakte do të duhej t’i bënin të mendojnë dy herë shumë anëtarë të shquar të së majtës ndërkombëtare, të cilët edhe sot e kësaj dite e shohin Jugosllavinë komuniste si një parajsë idilike socialiste, ose siç e shprehin disa prej tyre në një letër drejtuar Titos në 1974, “një anëtar i respektuar i familjes së kombeve progresive/përparimtare dhe paqedashëse.”
Një mjedis gjeopolitik armiqësor priret të shkaktojë një dëm të rëndë në imagjinatën politike progresive. Zërat e majtë (progresivë) serb që bëjnë thirrje për njohjen e së drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar kanë qenë tradicionalisht si zëra që nuk dëgjohen. Socialdemokrati i fillimit të shekullit të njëzetë, Dimitrije Tucović, dënoi politikat imperialiste të Serbisë ndaj popullit shqiptar dhe i bëri thirrje Beogradit që të njohë të drejtën e tyre për vetëvendosje. Edhe pse mjaft margjinalë në politikën serbe, zërat social-demokratë si ai i Tucović-it, apo ato liberale progresive si ai i Milan Piroćanac-it të arsimuar nga perëndimi (shek. 19), kanë qenë vërtet shumë të çmuar. Fatkeqësisht, sot ata praktikisht nuk kanë trashëgimtarë politikë në skenën politike të Serbisë. Megjithatë, derisa politikanë të tillë të bëhen më të shumtë dhe me ndikim në jetën politike serbe, është e vështirë të shihet se si mund të ketë një paqe të drejtë dhe afatgjatë midis dy vendeve tona. Presidenti aktual i Serbisë refuzon të pranojë se masakra e Reçakut (15 janar 1999) ka ndodhur ndonjëherë, e lëre më të kërkojë falje për të. Për më tepër, ai nuk po pranon as të nënshkruajë një pakt mossulmimi midis dy vendeve tona, diçka që ia propozova një vit më parë si hap të parë drejt ndërtimit të mirëbesimit.
Ndërsa një ndryshim progresiv në politikën serbe është diçka që vetëm populli serb mund ta sjellë, ka mënyra se si mund ta ndihmojmë atë nga jashtë. Si kryeministër i Kosovës, unë mund ta ndihmoj një ndryshim të tillë duke dëshmuar se republika jonë mund të lulëzojë pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë. Kjo është arsyeja pse qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të.
Në anën tjetër, vendet perëndimore duhet të bëjnë gjithashtu pjesën e tyre për të ndihmuar forcat social- dhe liberal-demokratike në politikën dhe shoqërinë civile serbe. Në këtë aspekt, më duket se në dekadat e fundit strategjia perëndimore ka qenë disi e gabuar. Megjithëse mbështetja perëndimore që ndihmoi në rrëzimin e Millosheviçit në tetor të vitit 2000, me të drejtë përshëndetet si një histori suksesi, nga këndvështrimi i strategjisë afatgjatë perëndimore, ajo ka qenë më shumë një mallkim sesa një bekim. Kjo për shkak se ka inkurajuar aleatët perëndimorë të forcave progresive serbe që të përqendrojnë ndihmën e tyre në nisma afatshkurtra dhe të bazuara në projekte. Unë besoj se kjo perspektivë afatshkurtër duhet të braktiset në favor të një qasjeje më të qëndrueshme dhe afatgjatë të përqendruar te vlerat dhe jo te projektet.
Kur themeluam “Lëvizjen VETËVENDOSJE!” në qershor të vitit 2005, Kosova ishte ende një territor gjoja i padefinuar i drejtuar në pjesën më të madhe nga një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse , i ashtuquajturi Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (i njohur ndryshe si UNMIK). Them “në pjesën më të madhe” për një arsye të fortë : pjesa më veriore e territorit drejtohej ilegalisht nga strukturat paralele të Serbisë. Pas përfundimit të luftës, ato struktura kishin mbajtur kontrollin e tyre në skajin verior të vendit falë spastrimit brutal etnik të shqiptarëve dhe disa joserbëve të tjerë nga qyteti i Mitrovicës dhe rrethinat e tij. Në këtë kontekst, bashkësia ndërkombëtare po i thoshte popullit të Kosovës se për të fituar të drejtën e tyre për një zgjidhje përfundimtare të statusit të tyre politik, ata fillimisht duhej të përmbushin disa standarde. Ashtu si zotërinjtë kolonialë të dikurshëm, ata na thoshin se nuk ishim ende të pjekur për liri. Kjo qasje ndërkombëtare u shpreh formularisht si “standarde para statusit”. Përveç kësaj, ata do të na thoshin se statusi final politik i vendit tonë duhej të negociohej me Serbinë, një shtet me histori të dëshmuar të krimeve të tmerrshme kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe një shtet kundër të cilit së fundmi kishim bërë një luftë të drejtë çlirimtare.
Në këto rrethana mbizotëruese, themelimi i një lëvizjeje në bazë social-demokratike dhe anti-koloniale ishte, për të folur me Eqbal Ahmadin, “si mbjellja e farave gjatë një stuhie”; siç ka thënë ai, “herë pas here, ato japin rendiment; shpeshherë nuk japin.” Artikulimi i një kritike social-demokratike dhe antikoloniale të status quo-së kosovare të asaj kohe na vuri përballë tre aktorëve dhe interesave të fuqishëm njëherësh: para së gjithash, një imperializëm serb të papenduar me qendër në Beograd e që ende ushqen synime gjenocidale kundër nesh; së dyti, një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse që drejtonte Kosovën në një mënyrë neo-koloniale; dhe së treti, një klasë politike miope (dhe shpeshherë) të korruptuar kosovare në Prishtinë, qëllimi kryesor i së cilës ishte mbijetesa e saj politike përmes marrëveshjeve të dëmshme me këto dy qendra de facto të pushtetit. Pozicioni i Serbisë në negociatat për statusin final të Kosovës ishte i përmbledhur në formulën “diçka më shumë se autonomi por më pak se pavarësi”. Nga ana tjetër, formula e elitës politike kosovare për statusin final ishte “definitivisht më shumë se autonomi dhe asgjë më pak se pavarësi”. Përballë këtyre dy formulave kundërshtuese, zgjidhje kompromisi e bashkësisë ndërkombëtare po shkonte në drejtimin e “pavarësisë së mbikëqyrur me autonomi shumë të reduktuar”. Të tre formulave ne iu kundërvyem me frazën tonë, që ishte, “jo negociata, vetëvendosje!” Me fjalë të tjera, ne kërkuam që populli i Kosovës të vendosë për fatin e vet politik përmes mekanizmit demokratik të referendumit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, të tre palët negociuese ishin të bashkuara në refuzimin e kësaj zgjidhjeje. Perspektiva politike e hapur nga ndërhyrja jonë kritike zbuloi mosmarrëveshjet e tyre për atë që ishin: të vogla në rastin më të mirë, të rreme në rastin më të keq.
Ndërhyrja jonë kritike në realitetin politik kosovar të asaj kohe mund të konsiderohet si populiste. Në të vërtetë, kjo etiketë na u vu shpesh në mënyrë pezhorative nga kundërshtarët politikë dhe komentuesit e medias. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se edhe tipari ynë populist ishte një tipar demokratik dhe gjithëpërfshirës, jo ekskluziv i bazuar në gjak dhe tokë. Që në fillim e kemi bërë të qartë se lufta jonë nuk ka qenë e drejtuar kundër serbëve të Kosovës apo ndaj ndonjë pakice tjetër për këtë çështje. Përkundrazi, ne kemi theksuar shpesh se Kosova është e të gjithë atyre që e konsiderojnë si vendlindjen e tyre, pavarësisht nga përkatësia etnike. Në dokumentet dhe shkrimet tona, ne mbrojtëm të drejtën e kthimit të serbëve të Kosovës – të gjithë atyre që nuk kishin kryer krime lufte ose që nuk kishin shërbyer dhe përfituar nga regjimi i Serbisë. Për më tepër, ne gjithmonë do të nënvizonim të përbashkëtat që ndajnë shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës. Për shembull, ne do të theksonim se si bashkëqytetarë ata përballen me probleme sociale shumë të ngjashme: varfëria, papunësia, mungesa e qasjes në kujdes shëndetësor dhe arsim cilësor e kështu me radhë. Probleme të tilla të përbashkëta sociale janë shumë më të rëndësishme se identitetet e tyre të ndryshme etnike. Serbët e Kosovës që duan të jetojnë në paqe dhe prosperitet me bashkëqytetarët shqiptarë e kanë vlerësuar gjithmonë këtë te lëvizja jonë politike. Ata e kuptuan herët se nacionalizmi i perceptuar i lëvizjes sonë ishte i drejtuar kundër projektit kolonialist të Serbisë, jo kundër serbëve të Kosovës. Prandaj sot më trajtojnë si kryeministër të tyre. Marr rregullisht letra dhe peticione prej tyre dhe ata takohen me mua për të diskutuar nevojat dhe interesat e tyre si anëtarë të shoqërisë sonë. Vlen të nënvizohet se ata e bëjnë këtë pavarësisht kërcënimeve shumë serioze që marrin nga Beogradi.
Mendoj se këtu ka një mësim më të gjerë për progresistët. Sot populizmi është kthyer në një term abuzimi, por duhet të kujtojmë se një lloj populizmi është i qenësishëm në vetë idenë e demokracisë. Parimi më themelor i demokracisë përfaqësuese moderne, domethënë, “një person, një votë”, ka karakter populist. Deklarata e famshme e Abraham Lincoln “Qeveria e popullit, nga populli, për popullin” është gjithashtu populiste. Në të njëjtin kuptim, fraza që të mbetet në mendje e lëvizjes sonë “jo negociata, vetëvendosje!” mund të shihej edhe si populiste. Por ky është lloji i populizmit që ne demokratët nuk duhet ta braktisim kurrë. Përndryshe, ne rrezikojmë të tjetërsojmë njerëzit dhe autoritarët e krahut të djathtë janë shumë të lumtur të ndërhyjnë si zëdhënësit e tyre. Me fjalë të tjera, në vend që të shkojmë në ekstrem, duhet të insistojmë në një dallim kritik midis populizmit progresiv, gjithëpërfshirës, nga njëra anë, dhe populizmit ekskluziv, të gjakut dhe tokës, nga ana tjetër. Populizmi ynë gjithëpërfshirës duhet të afirmojë të drejtën e popullit për vetëqeverisje duke hedhur poshtë konceptin e popullit si një totalitet organik i bashkuar nga lidhjet e gjakut. Tërësisë organike të populistëve të djathtë, ne duhet t’i kundërvëmë analizën klasore. Vetëm analiza klasore mund të ekspozojë karakterin iluzor të të gjitha pretendimeve ndaj totalitetit organik. Për më tepër, vetëm analiza klasore mund të zbulojë se sa të përbashkëta kanë, le të themi, një nënë beqare e papunë serbe në komunën veriore të Mitrovicës dhe një nënë beqare shqiptare e papunë në komunën jugore të Mitrovicës apo kudo tjetër në Kosovë.
Kam kandiduar për këtë detyrë me dy premtime kryesore: punësim dhe drejtësi. Që nga marrja e pushtetit/detyrës mbi një vit më parë, këto dy fusha politike kanë qenë në qendër të vëmendjes sime si Kryeministër. Përveçse duhet të shkojë kundër thelbit të dogmës neoliberale, në kontekstin kosovar një agjendë reformash social-demokratike përballet me disa sfida shumë specifike. Ato kanë të bëjnë kryesisht me burimet e kufizuara të një ekonomie në zhvillim dhe kapacitetet e kufizuara të një shteti të ri. Ne jemi një nga vendet më të varfra në Evropë. Vitet e aparteidit, luftës dhe keqmenaxhimit të burimeve tona ekonomike të pasluftës kanë lënë gjurmët e tyre të pagabueshme në ekonominë e vendit. Si rezultat, një program ambicioz social-demokratik i zhvillimit ekonomik i bazuar në paradigmën e shtetit zhvillimor duhet të fillojë me burime mjaft të pakta. Përveç kësaj, burokracia jonë shtetërore është e re dhe për këtë arsye pa përvojë. Falë praktikave të dobëta të rekrutimit të qeverive të mëparshme, ka goxha shumë paaftësi edhe në burokracinë tone gjithashtu. Sidoqoftë, ka mënyra për t’i zgjidhur këto probleme. Qeveria ime ka ndjekur disa strategji të ndryshme për t’i trajtuar ato. Këtu dua të përmend shkurtimisht vetëm njërën prej tyre, përkatësisht përfshirjen e komunitetit tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë.
Kosova ka një mërgatë të madhe dhe domethënëse në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara. Pa ndihmën e tyre, as rezistenca jonë paqësore dhe as lufta jonë e armatosur kundër regjimit të Millosheviqit nuk do të ishte e mundur. Që nga fundi i luftës, remitancat e tyre bujare kanë ndihmuar në lehtësimin e varfërisë. Duke vepruar kështu, ata na kanë ndihmuar të blejmë paqen e çmuar sociale. Megjithatë, remitancat janë një mjet mbijetese, jo një mjet zhvillimi ekonomik. Ajo që qeveria ime po përpiqet të bëjë është të mobilizojë komunitetin tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë. Kjo do të thotë të përdorim burimet e tyre njerëzore si dhe kapitalin financiar. Ekspertiza e tyre mund të na ndihmojë të reformojmë burokracinë tonë, sistemet tona arsimore dhe të kujdesit shëndetësor dhe ekonominë tonë. Në vend që burimet e tyre financiare të shërbejnë thjesht si ndihmë humanitare, ne po përpiqemi të krijojmë mundësi për investimin e tyre në ndërmarrje fitimprurëse që do të krijonin vende pune për të rinjtë tanë. Ky partneritet për zhvillimin ekonomik po fillon dalëngadalë të formësohet. Për shembull, qeveria jonë tashmë ka filluar të shfrytëzojë ekspertizën e profesionistëve tanë të mërgatës për qëllime të hartimit të ligjeve dhe politikave themelore që na duhen për të filluar zbatimin e programit tonë ekonomik. Përveç kësaj, qeveria jonë tani është duke emetuar bono për diasporën tonë.
Bono të tilla na ndihmojnë të mbledhim fonde shtesë, duke ofruar gjithashtu një mundësi të sigurt investimi për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit. Sipas mendimit tim, ky ndryshim paradigmatik në marrëdhëniet midis vendit të origjinës dhe mërgatës – domethënë, nga ndihma humanitare në partneritet për zhvillim – është një ndryshim i madh për vendet në zhvillim që përballen me rrethana të ngjashme.
Edhe pse është shumë herët për të gjykuar efektet neto afatgjata të reformave të brendshme të qeverisë sime, treguesit e hershëm flasin mjaftueshëm në favorin tonë. Pavarësisht ndikimeve negative të pandemisë globale COVID-19, vitin e kaluar ekonomia jonë gëzoi një rritje dyshifrore prej 10.53% të PBB-së. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve në qeverinë tonë. Një besim i tillë përkthehet në konsum më të madh, investime më të mëdha dhe të ardhura më të mëdha tatimore. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur një rritje prej 22 për qind të investimeve të huaja direkte, ndërsa eksportet janë rritur 83 për qind. Pa bërë asnjë ndryshim në politikën fiskale, të ardhurat tona tatimore u rritën 34 për qind. Krahas performancës ekonomike, ka pasur edhe ndryshime pozitive në renditjen e vendit tonë në indekset me reputacion ndërkombëtar që ndjekin sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe transparencën. Për shembull, vitin e kaluar Projekti Botëror i Drejtësisë na renditi të parët në Ballkan në Indeksin e tij të Sundimit të Ligjit. Ne kemi përmirësuar renditjen tonë me 17 vende si në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit (të lëshuar nga Reporterët pa Kufij) dhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Me fjalë të tjera, progresi ynë ekonomik po ecën paralelisht me një proces të thellimit demokratik, edhe pse historia na mëson se nuk ka asnjë lidhje të nevojshme midis të dyjave. Për më tepër, sot të gjithë jemi dëshmitarë sesi problemet ekonomike po çojnë në prapakthimin e demokracisë edhe në pjesë të Perëndimit të zhvilluar. Në këto rrethana, përvoja e fundit e Kosovës ofron një shembull pozitiv për të kundërtën dhe një fije shprese shumë të nevojshme.
Jetojmë në kohë të rrezikshme. Në vitin 2020, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë përditësoi orën e tij të fundit të botës nga dy minuta në mesnatë në 100 sekonda në mesnatë – mesnata nënkupton një fatkeqësi përfundimtare për njerëzimin. Kjo është më afër mesnatës që ka qenë ndonjëherë që nga debutimi i saj në 1947. Në arsyetimin e tyre për përditësimin, grupi i shkencëtarëve dhe ekspertëve të njohur përmend mosbesimin në rritje dhe mungesën e bashkëpunimit në politikën ndërkombëtare si një faktor kyç që rrit rrezikun nga kërcënime ekzistenciale të tilla si ndryshimet klimatike dhe lufta bërthamore. Prapakthimi demokratik që po dëshmohet në mbarë botën po kontribuon shumë në një gjendje kaq të dhimbshme të politikës ndërkombëtare. Në këto rrethana kritike, mbrojtja e demokracisë merr një kuptim shumë më domethënës. Duke luftuar për ta mbrojtur atë, ne mbrojmë më shumë se një formë qeverisjeje: ne mbrojmë perspektivat për mbijetesë të denjë njerëzore. Prandaj, dëshpërimi nuk është diçka që mund ta përballojmë në këtë pikë. Udhëheqësit autoritarë të krahut të djathtë po bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin përtej kufijve ndërkombëtarë. Ne demokratët duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Baza morale është në anën tonë. Para se të bëhet tepër vonë, le të sigurohemi që ta kthejmë atë në një terren të lartë politik.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe mezi pres diskutimin tonë./ KultPlus.com
Aktori Johnny Depp, 58 vjeç, hapi një profil në TikTok, pasi së fundmi mundi në gjyq ish-bashkëshorten e tij Amber Heard të cilën e akuzoi për shpifje.
Aktori mblodhi gati tre milionë ndjekës në më pak se 24 orë.
Depp nuk ndoqi askënd, nuk publikoi asgjë apo pëlqeu asgjë, shkruan Daily Mail.
Dalja e Johnny në këtë rrjet social është pritur nga shumë me entuziazëm.
Kujtojmë, Depp iu dha 15 milionë dollarë dëmshpërblim, të cilin gjyqtari e uli në 10.4 milionë dollarë.
Pjesa më e madhe e gjyqit televiziv u fokusua në pretendimet e Amberit se Depp e kishte abuzuar fizikisht dhe seksualisht, sepse, tha ajo, ai e sulmoi atë në më shumë se një duzinë raste.
Depp mohoi të ketë goditur ndonjëherë Heardin, duke thënë se ajo e ka abuzuar me të.
Një burim i mirëinformuar tha dje për New York Post se Depp, i cili aktualisht është në një turne muzikor me Jeff Beck, aktualisht është duke u fokusuar në muzikë dhe duke u relaksuar pas stresit të sjellë nga gjyqi.
Depp synon një rikthim të mundshëm në karrierën e tij filmike./ KultPlus.com
Në mbrëmjen përmbyllëse së javës së kulturës italiane, skena e Amfiteatrit të Liqenit do të ndizet me koncertin e mjeshtrit të muzikës italiane Albano Carrisi, mikun e vjetër të Shqipërisë, ka njoftuar ministrja e Ministrisë së Kulturës Elva Margariti, shkruan KultPlus.
Përgjatë kësaj javë ka pas një numër të madh të aktiviteteve kulturore në shenjë të javës së kulturës italiane, e ku po pëmbyllet me koncertin e Albano Carris.
Albano Carris është një këngëtar i njohur italian. KultPlus ju sjell nëpërmjet kësaj video hitin e madh “Felicita”./ KultPlus.com
Arti poetik i Kosovës edhe njëherë shfaq fuqinë e zërit autentik, nëpërmjet vargjeve të poetit Fahredin Shehu. Libri me titull “UMAMI- esenca e shijueshmërisë”, është vepër origjinale, e cila të lejon ta shijosh poezinë si një ushqim më të sublimuar shpirtëror. Shehu nuk gjente dot asnjë fjalë të vetme, në akcilën gjuhë botërore, e cila në mënyrë më koncize do ta rezymonte, respektivisht koncentronte tërë materialin gjenetik të kësaj poezie në një fjalë të vetme.
Për këtë libër ka shkruar mjeshtëri i madh i artit dhe shpirtnisë, poeti, recitatori dhe kaligrafisti japonez, Tendo Taijin si ne vijim: Nuk do t’i kishte shkuar kurrë në mendje një japonezi të përdorte “UMAMI” si titullin e një koleksioni poezish. Ndjeva sikur më kishin zënë në befasi. UMAMI” është një fjalë e përdorur veçanërisht për kuzhinën japoneze dhe unë e admiroj ndjenjën e mprehtë gjuhësore të poetit Fahredin Shehu në zgjedhjen e saj si titullin e përmbledhjes së tij me poezi. UMAMI, e cila i përket shqisave të shijes në mesin e pesë shqisave njerëzore, është një kombinim delikat i thekoneve të bonitit dhe lëngut të leshterikëve, dhe sa më i mirë të jetë shefi, aq më i veçantë është ai për lëngun që përcakton cilësinë e pjatës. Poezia: “Unë jam më shumë se një elektron”, “Mësoi shkronjat/mësoi edhe numrat/emrat e kafshëve/emrat e bimëve gjithashtu/emrat e gurëve/emrat e ujërave/të gjitha llojet e ujit gjithashtu/dhe shijet e të gjitha llojeve/dhe kompleksiteti i shijeve/deri në thelbin e shijes/”.
Tendo Taijin- Foto nga Rromir Imami, Rahovec 2019
Shija përfundimtare e “UMAMI” varet nga kjo përmbledhje poetike. Tendo Taijin (Poet/Recitative) Kapitujt si: “Poetika e rrushit është Teurgjike”, “Poezia më e mirë është e shkruar nga zogjët në fluturim”, “E vërteta është thënë, heshtja është vulë e saj”, “Zemra jotë është portë e Parajsës, Universi është veç andej portës”, etj., edhe njëherë e artikulon, kësaj radhe më fuqishëm, rrugëtimin kërkimor më se tre dekadësh të Shehut, për të arritur në një tjetër majë të krijimtarisë duke dal edhe me Manifesto të tij.
Shehu shprehet tejet mirënjohës botuesit William S. Peters me, të cilin bashkëpunon që nga viti 2013, e në veçanti ndaj Profesoreshës nga Universiteti i Pensilvanisë, Hülya Yilmaz, eksperte e letërsisë transcendentale në fokus George McDonald. Libri UMAMI ISBN-13: (inner child press, ltd.), 155 pg. New Jersey USA, June 2022./ KultPlus.com
Bëhet e ditur se fëmijët shqiptarë e ukrainas festuan së bashku në Zagreb festën e 1 qershorit. Me këtë rast u mbajt koncerti i muzikantëve të vegjël shqiptarë e ukrainas në sallën e Shkollës së Muzikës “Elly Bašić”.
Përveç muzikantëve, morën pjesë edhe nxënësit që mësojnë shqip në shkollat tetëvjeçare të qytetit dhe prefekturës së Zagrebit dhe të qytetit të Gjakovës. Koncertin e ndoqën drejtuesja e Sektorit për Arsimin pranë Bashkisë së Zagrebit, Martina Glasnović, përfaqësuesit e ambasadave shqiptare në Zagreb, Xhevdet Sopaj dhe Alma Kasa, komuniteti ukrainas dhe shqiptar i Zagrebit, kroatë, përfaqësues të shoqatave shqiptare e ukrainase, të medjave, prindër e fëmijë.
Programin e përgatitën profesor Xhevdet Sahatxhija, mësueset Melita Orešković e Pranvera Shabani dhe Emil Bobrak.
Koncerti u organizua nga Shoqata Teatrore në Kroaci “Mërgimtari”, Bashkësia Ukrainase e Zagrebit dhe Këshilli i Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë me mbështetjen e Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë.
Ditën Ndërkombëtare fëmijët e Zagrebit e festuan me program artistik duke kërkuar ndalimin e luftës në Ukrainë, ndalimin e dhunës ndaj fëmijëve, jetë të lumtur dhe një botë të bukur plot dashuri./ KultPlus.com
Për të gjithë prindërit e interesuar rreth shkollimit të fëmijëve të tyre në një ambient ndërkombëtar dhe inovativ të mësimnxënies me metodologjinë më moderne të arsimit në botë, atë Finlandeze, Shkolla Finlandeze, së fundmi e pasqyruar në CNN si një nga shkollat më inovative në botë, është duke organizuar eventin Open Night me prindërit e cila do të organizohet më 15 qershor duke filluar nga ora 18:00 në ambientin e shkollës.
Në këtë event të gjithë prindërit e rinj do të kenë mundësinë të shikojnë nga afër sistemin finlandez dhe të njoftohen më detajisht rreth metodave innovative të mësimdhënies në kampusin tonë përmes një prezantimi të bërë nga drejtori finlandez, z. Janne Salmela. Mbrëmja poashtu do të përfshijë një koktej rasti të shoqëruar me muzikë të performuar nga nxënësit tanë dhe ushqim të përgatitur nga nxënësit tanë të talentuar në lëndën ekonomia e shtëpisë.
Për të marrur pjesë në event, të interesuarit mund të aplikojnë për më shumë informata në linkun: https://bit.ly/3zrovhM apo duke kontaktuar në 045 235 650 ose [email protected].
Sot, modeli arsimor finlandez udhëheq në botë si sistemi më i mirë arsimor për shkak të dallimit nga modelet tradicionale të arsimit dhe aplikimit të teknologjive dhe metodologjive më të avancuara dhe moderne të arsimit. Inspiruar nga sistemi i arsimit finlandez, i cilësuar si “mrekulli e arsimit” nga Banka Botërore, Shkolla Finlandeze aplikon metodat më inovative dhe moderne të mësimdhënies në edukimin e nxënësve dhe rritjen e tyre intelektuale, emocionale, dhe shoqërore./ KultPlus.com
Kur vdiq baba, vdiq një pjesë e imja, vdiq pak edhe nana e pak edhe motra me të, vdiqën këmishat e tij vdiq rroga ime e fundit në xhepin e djathtë vdiq ditë e bekuar, vdiqën kërkimfaljet, shuplakat e forta, dëshirat që i pata andrrat që si pata vdiq pazari i mëngjesit, edhe krejt mëngjesi vdiq atë ditë.
Kur vdiq baba, Ka vdekë edhe një lis diku në malin e shenjtë, Ka vdekë një e mirë, një mirësi, një përrallë nuk u tregua më, Ka vdekë trupi që jeta nuk i dha gjë prej gjëje, Se nuk quhet jetë Kur cdo pesë vjet, fatkeqësia gjen paqen e saj mbi ty.
Kur vdiq baba, Vdiqa copë copë në tepihun e banjos. U zvarrita deri te rubineti për ta larë fytyrë, Për ta parë vdekjen time, Për të harruar sa trupi po vdiste po të njëjtën ditë.
Kur vdiq baba, Kush nuk u kfill më në shtëpinë time, Vdiq zënka e fundit, vdiq një bursë studimi për Amerikë, vdiq edhe diploma e shkollës, që sot s`është as leckë. Vdiqën burrat e dobët të kësaj bote, Vdiqën gratë të cilave natyra iu dhe shkelma shpesh e më shpesh. Vdiq me babën edhe lumturia ime, Vdiqën detet ku dikur futa trupin tim të pakohë, Vdiqën fushat ku jam rritë i gëzuar, Vdiq i dashuri im i harruar, Vdiq gruaja ime që nuk do të ekzistojë kurrë, Me vdekjen e babës ka vdekë një copë e imja e vjetër.
Me babën ka vdekur edhe e bukura, Kompleti i librave të Asdrenit dhe Kapitali i Marksit, Kur vdiq baba, E ndjeva pickimin në shpirt dhe shtrëngimin e Zotit I pashë para meje ata që nuk janë të bukur sa ai Se askush nuk është më i bukur se bukuria hyjnore e babës, Se krejt patën jetën e mirë, po jo i imi babë Se shumica morrën përqafime kur ai derdhi lot, Se fati ka shëtitur në qytet këmbëzbathur po babën tim nuk e takoi dot sokaqeve. Kur vdiq baba, zanat e bardha më janë kthyer në gjarpër të zi e të gjatë.
Kur vdiq baba, Krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë, Morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend, I mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova Kur vdiq baba, Ka vdekur edhe një perëndi diku lart që u lodh së jetuari, Ka vdekur një Eros që ditët e mira i pati të porositura, Kanë vdekur shokët e tij, shoqet, kanë vdekur të afërmit që nuk janë kurrë të tillë. Kur vdiq baba, U ula buzë lumit të lotëve të mi dhe qava. / KultPlus.com
Kënga “Makina e Memories” nga Ardit Gjebrea, një nga videot dhe këngët më të suksesshme të viteve 1990.
Makina e memories vrapon në kujtime Në çastet e jetës që endem të dy Dhe ditët rrëshqasin e syrit i fshihen Dhe rendin e rendin, humbasin diku
Makina e memories si era Humbet nëpër mjegull, mbi të fluturoja Me sy të përgjumur kërkoj nga dritarja Diku të ndaloja… Ti mblidhja kujtimet, aty ti fiksoja Mundohem mundohem, ti gjej nëpër vite Kujtimet kalojnë… …po kujtimet kalojnë
Dhe ti qeshje, ti këndoje Psherëtije në heshtje dhe qaje Me lotët që të ndrinin në sy Dhe me flisje, ëndërroje Dhe tregoje, tregoje Të vërtetat trillime që jetuam të dy ….dhe kujtimet kalojnë ….dhe kujtimet kalojnë ….dhe kujtimet kalojnë
Fragmente kujtimesh me dalin përpara Në skena qiellore me diell a me shi Çapitem i lodhur të ulem mes tyre Ato me largohen…largohesh dhe ti
Fragmente sensuale që era Si gjethet e vjeshtës i shkundi nga pema, Piktura që koha ngjyrosi në mendje Sikur ti ndaloja… Ti mblidhja të gjitha në krah ti mbuloja Mundohem mundohem ti gjej nëpër vite Kujtimet kalojnë… …po kujtimet kalojnë
Dhe ti qeshje, ti këndoje Psherëtije në heshtje dhe qaje Me lotët që të ndrinin në sy Dhe me flisje, ëndërroje Dhe tregoje, tregoje Të vërtetat trillime që jetuam të dy
Me afroje, me largoje Me humbisje dhe prapë me takoje Me puthje në buze si fëmijë Me thërrisje dhe me prisje Dhe kërkoje, kërkoje Të vërtetat trillime ti jetojmë përsëri ….po kujtimet kalojnë.. Dhe kujtimet kalojnë… Dhe kujtimet kalojnë… Kalojnë, kalojnë, kalojnë
Makina e memories vrapon në kujtime Në çastet e jetës që endem të dy Dhe ditët rrëshqasin e syrit i fshihen Dhe rendin e rendin, humbasin diku
Dhe kujtimet kalojnë… Dhe kujtimet kalojnë… Dhe kujtimet kalojnë…/ KultPlus.com
Miliarderi Elon Musk ka kërcënuar me tërheqje të ofertës 44 miliardë dollarëshe për blerje të rrjetit social, Twitter, duke akuzuar drejtuesit e platformës për pengim të kërkesave të tij për të mësuar më shumë për përdoruesit e kompanisë.
Në një letër dërguar rregullatorëve, Musk ka thënë se ka të drejtë të bëjë matjet e veta për llogaritë fiktive.
Kjo letër formalizon mospajtimet që kanë qarkulluar për disa javë, meqë Musk e ka vënë “në pritje” finalizimin e marrëveshjes.
Twitter, në anën tjetër, ka mbrojtur matjet e veta.
Pas pezullimit të ofertës për afat të shkurtër kohor, Musk ka thënë se dyshon që llogaritë fiktive në këtë rrjet social përbëjnë 20 për qind të totalit të përdoruesve, në krahasim me pretendimet e Twitter-it për pesë për qind.
Mospajtimet mes palëve kanë rritur dyshimet nëse do të realizohet blerja, të cilën e ka miratuar bordi i Twitter-it në muajin prill.
Analistët kanë thënë se Musk – shef i kompanisë Tesla dhe SpaceX – mund të jetë duke përdorur çështjen e përdoruesve fiktivë për rinegociuar çmimin apo edhe për të hequr dorë plotësisht nga blerja e rrjetit social.
Musk përballet me gjobë prej 1 milion dollarëve dhe padi të mundshme, nëse heq dorë nga marrëveshja./ KultPlus.com
Tetë ekipet e ftuara janë në garë për çmimin 130 mijë dollarësh.
Pas turneut Major i cili u mbajt në Antwerp të Belgjikës, ekipi i Bad News Eagles nuk ka qenë shumë aktiv me ndeshje profesionale, një ndeshje e ka zhvilluar në turneun PinnacleCup ku ishin të ftuar gjithashtu, por u eliminuan pasi pësuan humbje në ndeshjen e parë kundër ekipit ECSTATIC.
Ende nuk dihet kur do të zhvillohet ndeshja e parë për ekipin shqiptar, por orari dhe kundërshtari do të mësohet së shpejti./ KultPlus.com
“Pianisti i Ri 2022” këtë vit po shënon edicionin e 15-të dhe janë duke u bërë përgatitjet e fundit për realizimin e këtij festivali që mbledhë pianistë të moshave të ndryshme, shkruan KultPlus.
Vlora Baruti, organizatore e këtij festivali ka thënë për KultPlus se është falënderuese për pedagogët dhe të gjithë pianistët që kaluan në etapa të ndryshme përgjatë 14-të edicioneve paraprake.
“Posaçërisht veçojmë mundësinë që na ofron Festivali DAM, ku në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës ndajnë edhe çmimin kryesor”, ka thënë Baruti, e cila ka njoftuar më pas se edhe këtë vit do të vazhdojë tradita me ndarjen e çmimit “Fahri Beqiri”.
Baruti në të njëjtën kohë ka specifikuar edhe bashkëpunimin me pianisten Birsen Ulucan, që nëpërmjet saj, që disa vite me radhë mundësohet koncertimi i pianistëve të rinj në Stamboll të Turqisë.
“Këtë vit na janë shtuar edhe disa çmime speciale, sikurse që kemi çmimin special nga Kori Okarina, ku do të mundësohet pjesëmarrja në koncertin e madh stinor nga Kori i Fëmijëve “Okarina”.
Edicioni i sivjetmë do të mbahet prej 11 deri më 13 qershor në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare./ KultPlus.com
Botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora do të prezantojnë botimet e tyre në Panairin e Librit në Prishtinë, që këtë vit shënon edicionin e 22-të, shkruan KultPlus.
Ky Panair kishte pas një shkëputje për dy vjet, si pasojë e pandemisë Covid 19-të, por këtë vit do të shënojë rikthimin me rreth 100 botues.
Panairi i Librit do të hapet në ora 12:00 në Pallatin e Rinisë, e që organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës e që është mbështetë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Pas ceremonisë kryesore, Panairi i Librit në ditët në vijim do të jetë i hapur prej orës 9:00 deri në orën 20:00./ KultPlus.com
Plisi është kapelja autoktone që i ka përcjellë shqiptarët që nga kohët pellazgo-ilire e gjerë në ditët tona.
Plisi, apo siç njihet në popull edhe me emra të tjerë: qeleshe, kësulë, qylah, qylaf, është quajtur kështu varësisht prej regjioneve shqiptare.
Së bashku me gjuhën dhe traditat tona, plisi është simbol i identitetit kombëtar shqiptar të cilin shqiptarët e kanë ruajtur me xhelozi e krenari këtë simbol.
Se plisi e dëshmon më së miri prejardhjen tonë na e tregon historian Muhamet Rugova.
“Sipas dokumenteve, arkivave që edhe sot ruhen në muze të ndryshme të botës plisi është përdorur ndoshta 2 mijë vjet p.e.s. Edhe Zeusi që ishte zot i Olimpit, na paraqitet në fotografi dhe skulptura me plis në kokë. Edhe Akili na paraqitet me plis në kokë. Edhe Hehtori, Odiseu apo edhe Afërdita na paraqiten me plis në kokë… Plisi për ne shqiptarët ka rëndësi të veçantë pasi paraqet identiteti tonë kombëtarë dhe autoktoninë tonë në këto troje ku jetojmë”, kishte deklaruar për medie Rugova.
Ai thotë se përdorimi i Plisit ka qenë i domosdoshme për të gjithë meshkujt duke filluar nga mosha e hershme e djalërisë madje ata që nuk e përdornin plisin u quanin njerëz pa vlerë.
“Plisi përpara ka qenë një rekuizitë e domosdoshme për çdo mashkull prej moshës rinore deri në shkuarjen nga kjo jetë. Njeriu kur ka dalë pa plis në kokë ka qenë i turpëruar…Njeriu për të pasur dinjitet është dashur të ketë plisin në kokë”, tregon më tej Muhamet Rugova.
Plisi e mori emrin kështu nga se krijohet prej leshit të deleve të bardha, në forma të ndryshme që bëjnë pjesë në veshjen tradicionale shqiptare.
“Karakteristike ka qenë që në Rrafshin e Dukagjinit dhe Shqipërinë veriore janë përdorur plis të rrumbullakët. Nga Dibra dhe Tirana nga lartë kanë qenë të rrafshuar. Ndërsa në Shqipërinë e jugut kanë qenë pak më të zgjatur dhe me një maje lartë që edhe sot i mbajnë në ansamble. Kryesisht kanë qenë nga leshi I dhenve”, vazhdon më tej historiani.
Plisi përveç përdorimit praktik: mbrojtja nga të ftohtit, shiut e diellit të fortë, plisi simbolizon, shpreh krenarinë kombëtare, qëndresën, mosnënshtrimin ndaj pushtuesve të shumtë, pastërtinë morale, ndershmërinë e popullit tonë.
Plisi është nga ato simbole që e identifikon shqiptarin në një turmë njerëzish që nga largësia, ende pa pasur mundësi që ta këmbesh një fjalë me të. KultPlus.com
“…herë pas here ata që kishin ngelur me ne lëshonin nga një klithmë, britmë, së cilës i përgjigjeshin disa të tjerë që ishin fshehur në pyllin përreth e në mal. Kjo britmë, majekrahu, është “telefoni” i malësorëve, transmetohet aq mirë nga maja e malit në majën e malit tjetër, saqë të rejat lokale mësohen brenda pak orësh, në një zonë, të cilën neve na u deshte mbi një javë që ta kalonim.”
Pjesë e reportazhit “Shqipëria, mbretëria më e re e Evropës” nga Melville Chater. Publikim i revistës “National Geographic”, viti 1931.
Në foto: “Një shqiptar duke thirrur në malet e Krujës” nga fotografi Xhuzepe Masani, viti 1940./ KultPlus.com
Një lis i rrëzuar në lagjen Pejton të Prishtinës ka lënë të vdekur një 30-vjeçar.
Policia njofton se nga rrëzimi i tij është lënduar edhe një grua e së njëjtës moshë, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor./ KultPlus.com
Mos harro Barbara, Binte shi atë ditë në Brest. E ti e qeshur ecje, E lehtë, e gëzuar, e bërë qull Nën litarët e shiut … Mos harro Barbara ! Shiu s’pushonte në Brest, E ne u pamë në rrugën Siam. Ti qeshje E unë të buzëqesha. Ty që nuk të njihja Ti që nuk më njihje. E mban mend, Pa tjetër e mban mend atë ditë ! Një burrë nën’ një portë qe strehuar Dhe thirri emrin tënd: – Barbara ! E ti rende drejt tij nepër shi Hareshëm, e qeshur, tërë lumturi E në krahë ju hodhe … Mos e harro këtë Barbara,
E mos u dëshpëro nëse të flas me ti Kështu u flas të gjithë atyre që dua Edhe kur i kam parë vetëm një herë. Kështu u flas gjithë të dashuruarve, Edhe pse s’i kam njohur kurrë ! Mbaje mend Barbara, Mos e harro Atë shi të butë e të lumtur Mbi fytyrën tënde të bukur, Në atë qytet të lumtur. Atë shi mbi det, Mbi mal, Mbi anijen Ouessant. Oh,Barbara, Lufta është idiotësi ! Ku je, ku ndodhesh ti tani Nenë këtë shi të metaltë Prej zjarri,çeliku e gjaku ? Ku është ai që në krahë Të shtrëngonte plot dashuri Është vrarë, zhdukur a është ende gjallë ? Oh, Barbara Bie pambarim shi në Brest Siç binte atëherë, Po s’është njëlloj, Gjithçka ka ndryshuar S’është shi kobi a dhimbje patreguar S’është më as stuhi Hekuri, çeliku e gjaku, Por thjesht ca re të mbetura Hequr zvarrë si lango rrugësh Si zagarë që heqin shpirt Përrenjve të Brestit E që kalben larg Larg, shumë larg, Aty ku gjurmë S’u mbetet më … / KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot Qendrën me bazë në komunitet në Fushë Kosovë, e cila udhëhiqet nga organizata “The Ideas Partnership”, ku ka parë nga afër punën që bëhet në këtë qendër dhe ka biseduar me fëmijët që e frekuentojnë dhe me udhëheqësit e saj.
Ministrja Nagavci është informuar nga drejtori Arbon Osmani dhe stafi i organizatës për punën që bëhet çdo ditë me rreth 70 fëmijë të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, si dhe planet për ta zhvilluar këtë qendër e cila një nga fushat kryesore të punës e ka edukimin.
Pasi që i përgëzoi për punën, ministrja Nagavci theksoi se organizata si kjo janë partnerë të rëndësishëm në synimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit për gjithëpërfshirje në arsim.
Ministrja tha se e kemi vullnetin dhe gatishmërinë që të përmbushim obligimin për të ofruar mundësi të barabarta për secilin fëmijë përmes avancimit të politikave arsimore që e mundësojnë këtë.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi bursat që ndahen nga MAShTI për nxënësit e shkollave të mesme të larta të këtyre komuniteteve, ndërsa tha se këtë vit janë planifikuar edhe bursa për studentë, me fokus në Fakultetin e Edukimit, në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më shumë mësimdhënës nga komunitetet.
Arberie
Ministrja Nagavci tha se Ministria e Arsimit është e hapur për bashkëpunim me secilën organizatë, e cila ka në fokus edukimin e gjeneratave të reja, veçanërisht sa i përket fëmijëve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë, për t’i ndihmuar ata në forma të ndryshme që të jenë pjesë e sistemit arsimor dhe të mos e braktisin shkollën.
Me këtë rast, ministrja Nagavci ka vizituar edhe një klasë parafillore dhe një klasë ku marrin mësim plotësues nxënësit e klasëve të para, ndërsa më pas ka vizituar edhe objektin në ndërtim të Qendrës./ KultPlus.com
Flutura Kusari e cila është juriste për të drejtën e medias ka dhënë një kontribut të madh me rastin e pranimit dhe integrimit të gazetarëve ukrainas brenda territorit të Kosovës, shkruan KultPlus.
Kontributi i saj tashmë është vlerësuar edhe nga Unioni i Gazetarëve të Ukrainës, të cilët, për Flutura Kusarin kanë ndarë edhe një certifikatë.
Për këtë vlerësim ka njoftuar vetë Kusari, ku KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e saj.
Wow, Unioni i Gazetarëve të Ukraines me paska nderu me Çertifikatë të Nderit për ndihmën që iu kemi ofru gazetarëve ukrainas në kohë lufte. Sapo ma dhuruan, ndonëse elektronikisht. Më thanë, kopjen fizike ta dërgojmë kur të kryhet lufta.
Prestigjiozja britanike, zbulon një listë me 40 vendet më të bukura, për ditët rrëzëllitëse të verës nëpër Evropë – ku renditen denjësisht, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Mes vendeve që përzgjedh “The Guardian”, për Shqipërinë – ku plazhi më i bukur, konsiderohet “Porto Palermo”, që ndodhet në fshatin Qeparo, Vlorë, shkruhet si më poshtë
Qeparo, një fshat magjik që ofron kombinime spektakolare ngjyrash: bluja e detit, jeshilja e kodrave dhe e bardha e formacioneve shkëmbore gëlqerore nga shpatet madhështore të maleve përreth.
Ka shumë plazhe të fshehura, por edhe ai kryesor, i quajtur Porto Palermo, është bukur, i pazhvilluar dhe i përsosur për t’u çlodhur në guralecë ose për të eksploruar gadishullin shkëmbor aty pranë, ku në krye do të gjeni një kështjellë 200-vjeçare.
Një shëtitje e shkurtër larg bregdetit, hoteli “Stone Beach” (apartamente nga 70 €) ka dhoma me pamje nga jugu, mbi detin Jon”, – thotë “The Guradian”.Ndërsa plazhin më të bukur në Mal të Zi, e përditshmja britanike e ka vlerësuar atë të “Drobni Pijesak”, që ndodhet në afërsi të Budvës.
“Riviera Budva e Malit të Zi është një nga “honeypots” më të mëdha të vendit dhe mund të jetë e vështirë t’iu shpëtosh turmave.
Por, në Drobni Pijesak, pak më në jug, ka ujëra si smerald, të rrethuar nga male të pyllëzuara, shezllongë me qira dhe dy restorantet e plazhit, që ofrojnë bollshëm ushqime vendase të pjekura në skarë. Hotel Riva (dyfish nga 77 € B&B) në Petrovac, aty pranë, ka pamje nga plazhi i qytetit dhe është një shëtitje e shkurtër, nga plazhi popullor “Lucice”.vlen të përmirësohet në një dhomë me pamje nga deti. Ekziston edhe një shteg që shkon nga Petrovac në plazhin ‘Perazica Do”, – shkruan gazeta.
Po sipas “The Guardian”, 5 plazhet më piktoreske të Evropës, ndodhen në Greqi dhe janë: Fteri, Elafonisi, Sarakiniko, Plaka dhe Karavostasi./ KultPlus.com
Në popull njihet si Hyra, apo më mirë njihet “Hamami i Hyres”, shkas për këtë shkrim është shtrembërimi i të vërtetës rreth Hyrijes dhe familjes së saj!
Hyrije Sylejman Shemsiu, ishte e lindur në vitin 1880-1929 në Përlepnicë. Hyra ishte e martuar me Hasan Hanucin nga Karadaku. Deri në vitin 1912 së bashku me Hasanin, udhëhiqnin Hamamin i cili gjendej te lokacioni ku tashmë gjendet Biblioteka e Qytetit në Gjilan.
Por, nga viti 1900 këtë hamam e morën me qira, ku ishte i ndarë, një pjesë për burra dhe tjetra për gra. Deri në vitin 1912 e menaxhoi hamamin, Hyra me burrin Hasan Hanuci. Me tërheqjen e ushtrisë turke, u largua burri i sajë Hasani Hanuci, pasi kishte vra një serb, dhe u desh të largohej nga Gjilani, kështu edhe ai me ushtrinë turke shkojë në Turqi.
Kështu Hyrija mbeti e vetme me dy djemtë: Mehmetin dhe Beçirin, si dhe vajzën Nebijen, por i mbeti edhe për ta udhëhequr Hamamin. Pas pak, i vdes djali i madh Mehmeti në moshën 22 vjeçare. Në ndihmë për ta udhëhequr hamamin i doli kushërira Lejla Shemsiu Llozana.
Lejla ishte kushërirë nga babai, pra edhe Lejla ishte nga Përlepnica e martuar te familja Llozana, të cilët shtëpitë i kishin të tregu i gjelbër. Por, ndërkohë edhe Lejla Shemsiu Llozana shpërngulen për Turqi, tani Hyra mbeti e vetme, për tu kujdesur për fëmijët dhe Hamamin.
Hyrije Shemsiu jetoi gjerë në vitin 1929. Pas vdekjes së Hyrës, djali i vetëm Beqiri në vitin 1930 shkon në Shqipëri, dhe punësohet në oborrin e mbretit Ahmet Zogu si karrocier./ KultPlus.com
Dikush na e la zgjebën në derë, ndonjë mysafir. Shtëpia jonë është si han, si Hani i Dilit. Vijnë shumë mysafirë, flasin e tregojnë gjithçka që dëgjojnë, për t’u dukur sa më të ditur. Prandaj sëmundjet ndërrojnë njëra-tjetrën.
Por shteti ka mjaft ilaçe për zgjebën, qetëson ngado sillet, Lalli.
Më trishton kujtimi për zgjebën. As sot zgjebën nuk dua ta sjell ndërmend. Më ngjall përfytyrime të llahtarshme. M’u rrop lëkura.
Askush nuk vinte, nuk shkonim askund. U leçitëm. Na leçitën të gjithë rrethi i shëndoshë. U harruam, për besë. Dëshiroja të mbulohem me çergë. Të mbështetem për të. Të mbështillem si me lëkurë gjarpri. Nuk më lejonin. Nuk ma lejonin kënaqësinë e kruarjes. Mbi çergë shtrohej një basmë e mavijosur, e vjetëruar. Nuk e zotëroja vetveten, gjaku më dilte. Krejt i gjakosur dhe nuk kish askush që më ndalon. Kjo është, kur njeriu e gjakos vetveten, mendoja. Më ndryshoi edhe lëkura e fytyrës. E shihja humbjen time.
Por, po t’i humbja sytë, e kisha shpellën. Po t’i humbja këmbët, i kisha duart. Dhe anasjelltas. Pa lëkurë? Do të më dilte mbi mishtë e kuq. I lutja në tokë e qiell të mos më lyenin me gurkali. Oh, ai është një material i tmerrshëm. U thosha, është edhe i ndaluar të përdoret në këtë formën e pazakonshme, në lëkurën time. Nuk zija vend. Doja të bija në ujë. Më ndizej mishi. Doja të mbytem në lumë, të mos dilja kurrë më në breg.
Kur zgjeba u ra të gjithëve edhe në shkollë, m’u hoq mërzia. Atëherë nuk kisha problem. Jetoja plotësisht i barabartë në të gjitha pikëpamjet. Kisha përvojë solide. U jepja leksione mbi mënyrat e shërimit.
Ndodhi e mira. Ja, thashë, më në fund, ra një sëmundje që na mori të gjithëve. Nuk e ndau as fëmijën në djep as plakun në shtrat. Po pleqtë kishin lëkurë të regjur, e kalonin lehtë e pa vuajtje zgjebën. Megjithatë, zgjeba i mori me rend të gjithë. Sytë u mbetën nga ne. Në fillim na shikon me mëshirë, po mandej me përbuzje. Edhe na akuzonin. Na përgjonin me dyshime, të atillë që prodhojnë akuza të rënda.
Lalli i pari ishte i gatshëm të na qes në gjyq, të dënohemi si fajtorë të vërtetë. Si krijues edhe të zgjebës.
Në Bashkësinë tonë lokale ata e sollën zgjebën, fliste ngado Lalli. Armikun e madh të shëndetit dhe të zhvillimit të shoqërisë sonë socialiste vetëqeverisëse.
Sa mora veten e shkolla rihapi dyert, erdhën nga Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit për Arsim, e Komunës së Prishtinës. Ishte grupi për testimin e dëshirave fëmijërore.
Për t’i shënuar dëshirat tuaja, sqaroi mësuesja Igball ardhjen e papritur.
Testi qe i shkurtër. Udhëzimi: Shkruani qartë. Përgjigjuni shkurt.
Nën numrin katër, ku ishte pyetja, çfarë keni dëshirë të bëheni ( profesioni), u përgjigja ashtu si kërkohej, shkurt dhe qartë: Pilot! Pasi shkrova fjalën pilot, u pendova. Përgjigjja mund të keqkuptohej. Çfarë piloti? I aeroplanëve, motoçikletave i anijeve, i anijeve kozmike. I shkrova të gjitha. Prapë u mendova. E kërkova testin e sapodorëzuar.
Mësuesja Igball, pasi ia lëshoi një sy letrës, u shfry: Ani rrjepci, pilot i aeroplanëve!
Pastaj më shikoi me keqardhje e mëshirë, se ende e kisha lëkurën të dërmuar: E tash, pse e do letrën, më pyeti ajo.
Dua ta shkruaj edhe pilot i helikopterëve, i thashë.
Ajo, e dallova tash, nervozë plot, me përbuzje ma ktheu: Ani, moshën e ke. Ushqeji ëndrrat e kota.
Oh, ëndrrat! Të kota, por sa të bukura, mendova./ KultPlus.com
Qitmi qeto me ni kese ma t’madhe e mos tem shihen…
Krejt këto kërkesa për gjana shumë të vogla…
Aspak nuk më dhimbsen qeset por ambienti, sepse koha për tu shpërbërë një qese është shumë e gjatë (qindra vite), e marrë parasysh që jemi popull shumë i “kujdesshëm” ndaj ambientit, kjo nismë më duket mëse e qëlluar dhe shumëherë e menduar që të ruhet ambienti.
Kur një gjë kushton, atëherë e ruan dhe e ripërdorë shumëherë!
Shpresojmë në shumë nisma të tilla që janë pro ambientit, ripërdorni qeset ose përdorni çanta bezi të cilat janë të lehta për tu bartur, shtuar kësaj mund të pastrohen e hekurosen dhe janë shumë të pastra dhe pa kimikatet që mund të lëshojnë qeset e plastikës./ KultPlus.com