Salla e Kino Armatës tashmë ishte mbushur me një numër të madh të njerëzve, teksa ora shënoi shtatë, të gjithë kishin zënë vendet e tyre, përfshirë edhe instrumentistët në skenë të cilët do bënin edhe hapjen e koncertit ‘13 vjet shtet’, shkruan KultPlus.
Ishte drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blera Basholli ajo që para tingujve të parë të muzikës e hapi koncertin. Duke qenë edhe vetë artiste, ajo potencoi se ky vit nuk ishte i lehtë për askënd mirëpo më të prekurit kishin qenë artistët. Ajo gjithashtu uroi që vitet e ardhshme të jenë më të mira.
“Viti i kaluar s’ka qenë një vit i mirë as për Kosovës e as për të gjithë botën, e sidomos për artistët. Uroj që viti tjetër të jetë më i mirë”, tha ndër të tjera Basholli.
Prishtina Brass filloi koncertin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, pikërisht nën tingujt e himnit shtetëror. Të pranishmit në sallë tashmë ishin ngritur në këmbë, ndonëse të heshtur, fytyrat e tyre po reflektonin paqe e dashuri. Por nata e mbrëmshme nuk u kufizua vetëm me himnin shtetëror. Salla e Kino Armatës mirëpriti mbrëmë një numër të madh të këngëve shqipe si ‘ Për mëmëdhenë’, ‘Por si fleta’, por edhe shumë të tjera.
Për Avni Krasniqin, instrumentistin në ‘ Kosova Brass’ pjesëmarrja në koncertin e mbajtur për 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ishte një nder i madh.
“Për neve është çdo herë kënaqësi e veçantë, por e përcjellur edhe me emocione dhe ndjenja të përziera, që të interpretojmë për festa kombëtare, e sidomos për përvjetorin e 13-të të Pavarësisë”, tha ai për KultPlus.
Nata e mbrëmshme ndonëse filloi me ansamblin e tunxhit ‘Kosova Brass’, nuk përfundoi aty, Nezafete Shala & Melodia e Vjetër e vazhduan magjinë që sollën instrumentet për pak minuta sa u luajtën në skenë. Të pritur me duartrokitje të mëdha ata i dhanë zë Kino Armatës me ‘Marshin e UÇK-së’, ku për disa minuta i ofruan publikut emocione të shumta të cilat u shoqëruan me duartrokitje e brohorima.
Nezafete Shala & Melodia e Vjetër, natën e mbrëmshme, sollën përballë publikut një repertor të gjerë të këngëve të vjetra shqipe. Pas secilës këngë ishte publiku ai që me entuziazmin e vet e bëri edhe më të magjishëm koncertin e mbajtur nën patronazhin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Mbrëmë, në nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Salla e Kuqe në Prishtinë mirëpriti Filharmoninë e Kosovës për një koncert madhështor dedikuar historisë e rrugëtimit të popullit të Kosovës ndër vite, shkruan KultPlus.
Para një publiku modest, për herë të parë u interpretua një nga veprat më të mëdha të kompozitorit Valton Beqiri bashkë me atë të Vinçenc Gjinit, “Simfonia in K: Kosova vatra atërore’, një kompozim ky që ngërtheu brenda vetes ‘Rrugëtimin’ gjashtë shekullor të historisë së shqiptarëve.
‘Rrugëtimi’ i Valton Beqirit erdhi para publikut në gjashtë etapa: Nga Kastrioti, Rilindja, Qëndresa, Malli, Liria e deri tek Jeta. Etapa këto që në secilin instrument kishin zënë vend e shpaloseshin me brishtësi përmes tingujve duke depërtuar kështu në secilën skutë e tek secili person që ishte i pranishëm. Secila etapë pasonte me duartrokitje e brohoritje të shumta që veçse i dëshmonin emocionet e mëdha që kishin kapluar publikun.
Filharmonia e Kosovës dikur tubonte mbi 2000 artdashës në Sheshin e Prishtinës, ndërkaq mbrëmë si pasojë e gjendjes pandemike, në Sallën e Kuqe u shfrytëzua vetëm 40% e hapësirës. E gjithë trupa e Filharmonisë ishte në distancën e caktuar dhe me maska të vendosura.
Për Baki Jasharin, e gjithë kjo situatë është tejet e dhimbshme. Në një prononcim për KultPlus, ai flet me nostalgji e emocione të mëdha tek kujton koncertin e 26 qershorit, i organizuar për nder të figurës së Skënderbeut.
“Filharmonia kishte mbledhur diku rreth 2500 persona dhe ka qenë e mahnitshme qetësia absolute që ka mbretëruar gjatë atij koncerti”, ka theksuar Jashari.
Ai, ndër të tjera, ka deklaruar për KultPlus, se agjenda e Filharmonisë për këtë vit është shumë më modeste se viteve të tjera. Ndërkaq në anën tjetër ishte ndarë shumë i kënaqur me performancën e cila kishte ardhur me një presion tepër të madh pasi pandemia Covid19 kishte ndryshuar e vështirësuar pothuajse secilin proces të këtij institucioni.
“Ne kemi pasur obligim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sikurse edhe institucionet tjera kulturore të organizojmë koncert për përvjetorin e pavarësisë duke respektuar masat anticovid. Nuk kemi mundur t’i zhvillojmë provat e kompletuara me këtë staf pasi hapësira është shumë e vogël dhe ne duhej t’i respektonim vazhdimisht masat anticovid, kam kontaktuar gjatë gjithë kohës me IKSHPK-në për t’u koordinuar. Dhe është akoma e dhimbshme që ne nuk kemi Sallë koncertale, jemi mjerisht në këtë Sallë të Kuqe me hapësirë kaq të vogël”, ka deklaruar tutje Jashari për KultPlus.
E gjithë ky organizim kishte një domethënie të madhe për kompozitorin Valton Beqiri, për të cilin lavdatat e duartrokitjet nuk kishin të ndalur. Ai për KultPlus tha se shpreson që ky koncert të jetë prapë pjesë e repertorit dhe pse jo të shfaqet edhe në vende tjera.
“Realisht koncertet e tilla që përkojnë me një ansambël kaq të madh, është mëkat që realizohen me një numër të limituar të shikuesve, por megjithatë veprat vazhdojnë e përçojnë mesazhin e tyre”, ka potencuar Beqiri për KultPlus.
Një koncert ky që emocionoi të gjithë, përfundoi me brohoritje e duartrokitje të pafundme, për pothuajse një orë bëri që e gjithë kjo situate e tmerrshme që ka kapluar botën të harrohej e publiku të lundronte qetazi në secilën notë. / KultPlus.com
Sot Kosova shënon 13-vjetorin e Pavarësisë, e për të nderuar këtë ditë të madhe për popullin tonë, mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Shota’ erdhi me një koncert festiv, duke rikujtuar kështu edhe njëherë sakrificën e madhe të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.
Koncerti nuk kishte si të fillonte ndryshe përveçse me Himnin e Kosovës, ky qysh në fillim publiku u emocionua e festa u ndez në brendësi të tyre.
Vallja instrumentale për çifteli dhe orkestër nën ekzekutimin dhe autorësinë e Gent Hoxhës ishte pika tjetër që po mbante ritmin e koncertit e publiku vetëm sa entuziazmohej më shumë.
Krejt kjo, i la vend Ansamblit ‘Shota’ që erdhi me këngë e valle shqiptare, të cilat ngjallën ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm e të cilët nuk i kursyen duartrokitjet pas secilës performancë. Vallja e parë ishte ajo e Tiranës, për të vazhduar kështu me këngë të interpretuara nga Majlinda Cakiqi, Sokol Latifi, Myrvete Bajrami, Ismet Bugujevci, Riza Bytyqi e Violetë Kuaj, këngë këto që i këndoheshin Shqipërisë, Kosovës, vëllezërve Gërvalla, familjes së Jasharëve e mbarë historisë së popullit shqiptar.
Fyelli, tupani, defi e çiftelia kumbuan në secilën skutë të Teatrit Kombëtar, të shoqëruar nga arti skenik i jashtëzakonshëm i trupës së Ansamblit ‘Shota’, të cilët më shumë se publikut, dukej sikur i vallëzonin historisë sonë të lavdishme.
Pas një viti tejet të vështirë, ‘Shota’ kishte filluar me përgatitje për këtë koncert, pasi pandemia, si në shumë fusha tjera të artit edhe tek ansambli pati ndikimin e vet jo të mirë. Duke i vështirësuar e shpesh edhe pamundësuar përgatitjet e përbashkëta të kësaj trupe.
“Këtë vit e kemi filluar me kapacitet të plotë, por prapë kemi pasur pengesa gjatë rrugëtimi pikërisht për shkak të pandemisë. Ndërkaq, për këtë koncert që u organizua për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës, me gjithë vështirësitë, trupa është munduar të bëjë maksimumin”, ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus.
Ndër performancat më emocionuese ishte ajo e Majlinda Cakiqit, e cila para publikut erdhi me këngën ‘Mora fjalë’. Një performancë kjo për të cilën Cakiqi ka treguar se është përgatitur shumë moti.
“Jam përgatitur qysh moti, ndërkaq dy javët e fundit kemi pasur prova intensive. Kur këndon live është gjithmonë një emocion i veçantë. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë”, është shprehur Cakiqi për KultPlus.
Koncerti përfundoi, por për të pranishmit do të mbetet gjatë në mendje. Emocionet dhe ndjenjat patriotike që u ngjallën mbrëmë nuk harrohen lehtë, kjo padyshim vërehej në fytyrat e gjithsecilit.
Krejt për fund, drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefet Gjocaj kishte edhe një ankesë kundrejt Ministrisë së Kulturës. Sipas tij, në fund të vitit të kaluar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se ‘Shota’ do të bëhet institucion në vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Për këtë gjë, Gjocaj konsideron se si një hap i parë drejt pavarësimit të institucioneve qendrore të kulturës siç është kodi buxhetor i cili edhe pse është miratuar, ‘Shota’ vazhdon ende të jetë varur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë ekstreme.
“Fakti që ne kemi mungesa në trupë dhe nuk mund të hapim konkurse, nuk kemi mundësi të planifikojmë asgjë pa miratimin e MKRS. Për pavarësi të institucionit as që bëhet fjalë, është punë e mirë ajo që ka nisur Dumoshi sepse kodi buxhetor është tejet i rëndësishëm, mirëpo kjo nuk do të thotë pavarësi e institucionit, pasi kjo pavarësi vie kur ‘Shota’ ka njësinë e burimeve njerëzore, zyrën e financave, kur ne e planifikojmë buxhetin etj”, ka deklaruar Gjocaj. / KultPlus.com
Drejtoria për Kulturë Rni dhe Sport në Gjilan, në shenjë falenderimi për bashkatadhetarët, organizon konceret më datë 6 janar në teatrin e qytetit në Gjilan, duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.
Programi u dedikohet të gjithë bashkatdhetarëve, kudo që ndodhen në Kosovë. Kështu Komuna e Gjilanit ka vendosur që të shprehë mirënjohjen dhe falenderime për secilin prej tyre.
‘Shpresojmë që fillimisht, të keni fat dhe shëndet në familjet tuaja dhe urojmë që ky viti i ri, deri në kohën e muajve të mërgatës që organizohet çdo vit të na gjej të lirë, pa pandemi duke na lënë hapësirë që të ju presim me program dhe festë si gjithmonë.
Urojmë të kaloni sa më mirë pranë familjeve tuaja dhe kujdesuni për vete.
Programi do të jetë me publik, mirëpo me numër të kufizuar duke shfrytëzuar vetëm 30% të sallës dhe gjithashtu do të jepet edhe LIVE përmes mediave tona lokale ku do të mund ta përcillni secili nga shtëpitë tuaja! Ju faleminderit e shihemi në muajt e mërgatës!‘, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Komunës së Gjilanit. / KultPlus.com
Në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut, ditën e shtunë u shfaq koncerti përkujtimor dedikuar artistes së madhe mbarë shqiptare Nexhmije Pagarusha, të trajtuar me shumë kujdes nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.
Në këtë kuadër, me shumë entuziazëm artdashësit shkupjan dhe jo vetëm, mirëpritën këtë koncert me vlerë të madhe. E theksojmë këtë që në krye, sepse Nexhmije Pagarusha ishte dhe mbetet një gur i çmuar për muzikën shqiptare dhe tashmë ky emër po trajtohet me shumë kujdes edhe nga institucionet përkatëse të vet vendit ku është lindur Nexhmije Pagarusha.
Si rrjedhojë për këtë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës së bashku me dirigjentin Gridi Kraja kishin zgjedhur një repertor mjaft të pasur dhe mbi të gjitha të larmishëm. Duke filluar me vepra nga: Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Avni Mula, Lorenc Antoni, Palok Kurti, Kristo Kono dhe Rauf Dhomi.
Ndonëse të gjithë kompozitorët që theksuam më sipër, janë personalitete që kanë vendosur shtylla të rëndësishme në muzikën e kultivuar shqiptare. Duke pasur parasysh këtë fakt të pamohueshëm, mund të theksojmë me plot bindje që veprat vokale që kanë kompozuar kjo plejadë kompozitorësh me shumë mjeshtëri u interpretuan nga ngjyra të bukura si: Adelina Paloja, Ardita Ukaj, Arta Jashari, Besë Krasniqi, Dea Hamdiu, Diellza Sulejmani, Elikon Hysaj, Ilvije Dragusha, Kaltrina Miftari, Selvije Marteti dhe Shkurtë Hykaj.
Në përgjithësi, secila nga zërat dhe personalitetet që theksova më sipër, ishin në radhë të parë të vetëdijshëm që kanë përsipër dhe ndërrojnë një personalitet të rëndësishëm siç ishte Nexhmije Pagarusha. Por, megjithatë secila i qëndroj besnike këngës së saj duke trajtuar me shumë delikatesë të gjitha elementet që vet kënga përmban duke filluar me “Një ditë të bukur maji”, “Kroi i fshatit tonë”, “Dashnor tu bana”, “E kujtoj atë takim”. “Margjelo”, “Në Prizrenin e vjetër”, “Kenke nur i bukurisë”, “Perëndeshë e bukurisë”, “Zambaku i Prizrenit”, “Për mu paska kenë kismet”, “Agimet shqiptare”, “Në zaman t’asaj furije”, “Vals i lumturisë”. Nga gjërat e bukura që vinin në pah në secilën këngë, ishte autenticiteti individual që këngëtarët tregonin në interpretimin e këngëve, sepse nëse do të tërhiqeshim nga trajtimi që Nexhmije Pagarusha ju ka bërë këngëve atëherë do kishim më shumë mundësi edhe zbehje të këngëve. Megjithatë, me shumë mjeshtëri e përballuan gjithë trajtimin e këngëve së bashku me dirigjentin Gridi Kraja.
Përveç veprave vokale, koncerti përmbante edhe dy pjesë të rëndësishme si “Uvertura nga opera Goca e Kaçaniku” dhe “Baresha”. Në vija të përgjithshme, theksojmë që edhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, së bashku me dirigjentin Kraja trajtuan me mjaft kujdes secilën vepër të repertorit.
Në një mënyrë, apo në një tjetër, koncerti është një tregues i denjë për një punë të mirë që bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës, por në anën tjetër edhe një ngritje e vetëdijes së shoqërisë shqiptare për t’i njohur, trajtuar dhe kujdesur për gurët e çmuar të muzikës shqiptare. / Nga Jesir Hoxha – Muzikolog / KultPlus.com
Violinisti i njohur shqiptar Florian Vlashi do të performoj në një koncert me grupin instrumental “Siglo XX” në Coruña (Korunja) të Spanjës, e që përkon me festën e Flamurit.
Grupi instrumental është krijuar që në vitin 1996 me iniciativën e vetë Vlashit si një nderim për “Shekullin e madh”. Qëllim i këtij grupi është të interpretojë veprat më të mira të muzikës së dhomës që nga fillimi i shekullit të 20-të deri në ditët e sotme.
Më 28 nëntor 2002, në orën 19.30 grupi do të ketë një koncert mjaft të veçantë me pjesë të autorëve të shquar e të përzgjedhur përmes tre shekujsh, IXX, XX dhe XXI i cili mund të ndiqet live në rrjetet sociale.
Florian Vlashi është violinist, kompozitor, muzikant dhe drejtues i njohur i muzikës klasike i lindur në Durrës (Shqipëri) më 8 nëntor 1963 i cili e zhvillon aktivitetin artistik dhe profesional në Spanjë. Studimet e violinës i filloi në moshën 6 vjeç. Babai i tij, shkrimtari dhe regjisori i njohur i teatrit, Gjergj Vlashi ishte i rëndësishëm në të ardhmen e të birit. Studimi me V. Papën, R. Stefi, I. Madhi e shënoi nga Akademia e Arteve të Bukura në vendin e parë në mënyrë unanime. Në vitin 1989 ai fitoi çmimin e parë në konkursin e orkestrës simfonike “Solistët e Shqipërisë”. Në të njëjtin vit ai ishte drejtor dhe solist me Orkestrën “Jan Kukuzeli”, me të cilën ai ka kryer shumë koncerte dhe regjistrime për RTVA, dhe udhëtimin në koncertin e parë në Itali
Që nga viti 1992 ai është anëtar i Orkestrës Simfonike të Galicia, i rafinuar me G. Egger (Bachakademi Stuttgart) dhe L. Muller (concertmaster i Orkestrës së Vjenës Kamera). Veprimtaria e tij shtrihet në pedagogji, publikime në aktivitetet estetike dhe interpretuese si pedagog (Superior Konservatorin, Universiteti i La Coruña, Universiteti i Santiago, Universiteti i Rioja – Logroño etj). /dp/ KultPlus.com
Pavarësia e Shqipërisë do të sjell tinguj muzike në qytetin e bukur të Prizrenit, shkruan KultPlus.
Koncerti “Wind Ensemble” do të bëj që të hapen dyert e Kino Lumbardhit për audiencën duke filluar nga ora 14:00.
Këtë ditë të madhe kombëtare nëpërmjet performancave të tyre artistike do ta shënojnë Nita Krajku, Malbonë Krajku, Rabije Krasniqi, Zana Xhuli, Meriton Zajmi.
Flauta, klarineta, saksafoni, fagoti dhe perkusioni do të jenë shoqërues të publikut artdashës. / KultPlus.com
Orkestra e harqeve “Sigal” u prezantua para artdashësve durrsakë me një program të pasur veprash nga autorë të njohur, nga periudha e Barokut në atë të shekullit të 20-të.
Formacioni i themeluar në vitin 2003 përbëhet nga 16 vajza instrumentiste, që drejtohen nga dirigjenti me përvojë Ermir Dizdari.
Pak ditë më parë kjo orkestër fitoi Çmimin e parë në Takimin ndërkombëtar të përvitshëm të harqeve që zhvillohet në qytetin e Elbasanit.
Në koncertin e djeshëm, bashkë me veprat e kompozitorëve të mëdhenj si J.S. Bach, W.A. Mozart, P.I. Tchaykovsky, F. Schubert apo Strauss, shikuesit duatrokitën gjatë interpretimin e orkestrës së harqeve në veprat e autorëve të shekulllit të 20-të “Tango” nga Astor Piazzolla dhe “Valsi nr 2” nga Dmitri Shostakovich.
Koncerti, që u realizua në mjediset e Muzeut Arkeologjik Kombëtar të Durrësit me siglën e Festivalit të 15-të Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, u ndoq nga një numër i kufizuar artdashësish për shkak të masave të marra për pandeminë COVID-19.
Edicioni jubilar i këtij festivali ka hasur vështirësi në pjesëmarrjen e artistëve të huaj, ndërsa kanë vijuar koncertet e artistëve vendas./ATSH/ KultPlus.com
“Dritë…për nesër” titullohej koncerti homazh i organizuar mbrëmjen e djeshme nga bashkia e Tiranës për viktimat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 në Shqipëri.
E ftuar e veçantë në këtë koncert ishte sopranoja e mirënjohur Linda Kazani, por dhe emra të tjerë të muzikës operistike, si sopranot Marina Kurti, Elira Hoxha e Anita Kerhani, si dhe dy baritonët Artur Vera dhe Erjon Sherri, të shoqëruar nga kori dhe orkestra e këtij Universiteti.
Sheshi përpara Universitetit të Arteve u ndriçua nga qirinjtë në nder të të gjithë atyre që kanë humbur jetën nga sëmundja që ka prekur mbarë globin.
Që në muajin mars, kur u shënua rasti i parë me COVID-19 në vendin tonë, deri ditën e sotme e kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës 493 persona. /atsh/ KultPlus.com
Ansambli i tunxhit Prishtina Brass do të organizoj koncert gjatë ditës së nesërme në komunën e Vitisë. Në këtë koncert, Prishtina Brass ka përzgjedhur një program atraktiv i cili përmbanë vepra shqipe dhe botërore për ansambël tunxhi, shkruan KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur Avni Krasniqi i ciki në një intervistë për KultPlus ka thënë se koncerti do të organizohet në bashkëpunim me Komunën e Vitisë. Gjithashtu ai ka shtuar se Prishtina Bass do të mbajë koncerte edhe në Prishtinë dhe në Klinë.
“Koncerti organizohet në bashkëpunim me komunën e Vitisë duke respektuar gjitha masat në raport me situatën që gjendemi. Koncertet e radhës të Prishtina Brass janë: me 2 nëntor nga ora 12:00 – Sheshi Nëna Terezë, Prishtinë dhe 3 nëntor nga ora 14:00 – Pallati i Kulturës – Klinë”, ka deklaruar Krasniqi
Koncertet mundësohen me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.
Prishtina Brass është kuintet tunxhi i cili përbëhet nga instrumentistë profesionistë të cilët janë gjenerata e parë e tunxhit në Kosovë.
Të gjithë instrumentistët e ansamblit janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa ansambli si i tillë funksionon edhe në kuadër të FSK-së (Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe është mjaft aktiv nëpër ceremoni të ndryshme ushtarake.
Prishtina Brass ka një repertor mjaft të gjerë. Stili muzikor i Prishtina Brass është një kombinim i periudhave te ndryshme muzikore duke mos përjashtuar edhe veprat dhe këngët e ndryshme te ditëve të sotme.
Ansambli rëndësi të veçantë i kushton sidomos muzikës shqipe, duke mos përjashtuar edhe muzikën jazz. Prishtina Brass njihet si promotor i muzikës në hapësira publike. Për disa vite ka realizuar një numër të konsiderueshëm të koncerteve nëpër sheshet e qyteteve të ndryshme të Kosovës.
Ansambli që nga themelimi është mjaft aktiv si me koncerte, ashtu edhe me prezantime të ndryshme. Që nga viti 2012 kur ka filluar së funksionari, ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh dhe prezantimesh të ndryshme në Kosovë dhe jashtë sajë. Ka realizuar për 6 vite radhazi turne koncertesh në shumicën e qyteteve të Kosovës si dhe në Tetovë, Gostivar, Ulqin, Tiranë, Bujanoc etj.
Është prezantuar në festivale të ndryshme të cilat janë bartëse të kultivimit dhe zhvillimit të muzikës serioze në Kosovë dhe Shqipëri si: Kamer Fest, International Albanian Brass Festival, Netët e Prishtinës, Festivali HAPU, Kosova Brass Festival.
Ansambli është kuintet standard, mirëpo varësisht nga programi që luan, bashkëpunon dhe me instrumentistë tjerë si të tunxhit, perkusioneve dhe solo këngëtarë./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, që njëherit është edhe Ambasadore e Unicef-it në Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar se këtë të enjte do të performojë duke mbështetur kështu fëmijët e rrezikuar nga pandemia globale, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja në rrjete sociale, e cila ka potencuar se një gjeneratë e tërë fëmijësh janë në rrezik dhe se ajo shpreson që kjo ecuri do të mbledhë fonde të mjaftueshme për të ndihmuar në mbrojtjen e fëmijëve nga ndikimi i koronavirusit.
Performanca do të mbahet në platformën IGTV, ndërkaq kjo nismë konsiderohet si mbështetja më e madhe e Unicef-it në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
”Si Ambasadore e Unicef në Mbretërinë e Bashkuar, unë kam parë punën e jashtëzakonshme që Unicef jep dorën e parë, kështu që inkurajoj të gjithë të gërmojnë thellë dhe të japin gjithçka që munden. Së bashku ne mund të ndihmojmë të ndalojmë përhapjen e Coronavirus dhe të kufizojmë ndikimin në jetën e fëmijëve.”, ka shkruar Ora në Facebook. / KultPlus.com
“Albanian Pop Rock Love Songs” është koncerti që ka mbledhur bashkë artistët e të gjitha moshave, në një ndërthurje brezash përmes asaj muzike që vazhdon të mbetet hit e t’i rezistojë cdo kohe, transmeton KultPlus.
Koncert në kohë korone, me një publik të limituar për të ruajtur distancimin social, por me dëshirën e madhe për të mbërritur në zemrat e çdokujt.
Sot në orën 20:00 “Albanian Pop Rock Love Songs” në Amfiteatrin e Tiranës ngjiten në skenë emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare e krah tyre artistet e rinj. / KultPlus.com
Pas një mungese tremujore, për shkak të pandemisë COVID 19, për herë të parë artistët e operës rikthehen para publikut në sheshin “Skënderbej” me performanca live dhe me “Të gjithë e duam Agim Krajkën”.
Pas tre muajsh izolim, për herë të parë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit rikthehen para publikut në sheshin “Skënderbej”, në Ditën Botërore të Muzikës (21 qershor).
Sopranoja Dorina Selimi interpretoi arie operistike, një kuartet harqesh luajti muzikën klasike, por edhe artistët e Ansamblit të Këngëve edhe Valleve sollën muzikë të njohur popullore shqiptare për publikun rastësor.
“Po e shijoj performancën live edhe programin në monitor. Një iniciativë shumë pozitive”.
Në rreth 500 karrige pas një ore performancë live publiku në distancë nga njëri tjetri qëndroi për të shijuar edhe në monitorin e madh të vendosur në shesh shfaqjen “Të gjithë e duan Agim Krajkën. I realizuar më herët nga Teatri i Operës, duke sjell kontributin e Krajkës në ansambël për 30 vjet, por edhe këngët fort të dashura për publikun, si “Kafe Vlora” apo “Kënga e Gjyshes”.
“Muzika është një element shumë i domosdoshëm në jetën e njeriut, ka në qendër të shkuarën, të tashmen edhe të ardhmen, prandaj është domosdoshmëri për më shumë aktivitete të tilla”.
“Një iniciativë shumë pozitive, sidomos pas COVID 19. Duhet që të ketë më shumë aktivitete të tilla. Njerëzit kanë nevojë për to”.
Dita Botërore e Muzikës u festua për herë të parë në vitin 1982 në Francë, kur ish ministri i Kulturës, Jack Lang, evidentoi se edhe pse numëroheshin mbi 5 milionë francezë, që luanin një instrument muzikor, koncertet mungonin. Ai zgjodh datën 21 qershor dhe kjo datë u përcaktua si një festë kombëtare për Francën, por pas vitit 1985 u deklarua si festë edhe për Europën, edhe tashmë festohet në vende të ndryshme. /Shqiptarja.com / KultPlus.com
Pianisti gjerman është bërë gati për të filluar koncertin maratonik që zgjat 20 orë të shtunën, në të cilin ai do të luajë një vepër të vetme muzikore për të ngritur vetëdijen në lidhje me gjendjen e vështirë të artistëve gjatë pandemisë.
Igor Levit do të luajë “Vexations” nga Erik Satie, një nga veprat më të gjata në historinë e muzikës, që përbëhet vetëm nga disa nota që luhen 840 herë.
“Këto kohë janë brutale për artistë, si në aspektin fizik, atë mental dhe emocional. Prandaj, kjo pjesë funksionon shumë mirë, sipas mendimit tim për të rritur vetëdijen për atë që po kalojmë”, ka thënë Levit për agjencinë telegrafike të Gjermanisë.
Pianisti do të luajë notat e tij të para në ora 02:00 të mëngjesit dhe të fundit në mbrëmjen e së shtunës. Do të transmetohet live nga një studio në Berlin përmes disa kanaleve nëpër rrjete sociale, përfshirë edhe llogaritë e 33-vjeçarit në Instagram dhe Twitter.
Vepra muzikore e vitit 1893 nga Satie (1866-1925) përbëhet nga një temë e shkurtër dhe variacione, dhe të gjitha notat e saj janë të shkruara brenda një faqeje. Sipas pianistit Levit, është diçka që të kujton një “britmë të heshtur” gjatë monotonisë së saj.
“Artistët kanë nevojë për skenë. Situata e tanishme është jashtëzakonisht e vështirë dhe këtu flas edhe për veten time, po ashtu”, ka shtuar ai. “Pamja është e errët, duke vënë në pah këtu rregullat për ngjarje kulturore”.
Më 10 mars, Levit ka luajtur koncertin e tretë dhe të pestë të Beethovenit në “Elbphilharmonie” në Hamburg. Ishte ditëlindja e tij dhe koncerti i tij i parë para një audience virtuale për të ardhmen e paparashikueshme.
Ditën tjetër, kancelarja Angela Merkel njoftoi për të ardhmen e paqartë pasi që vendi filloi të mbërthehet nga novela e koronavirusit. Brenda disa ditëve një mbyllje kombëtare u shpall për të mbajtur nën fre rastet, duke anuluar mbledhjen e një numri të madh të njerëzve. Që atëherë, Levit ka mbajtur më shumë se 50 performanca nga shtëpia. / DW/ KultPlus.com
Salla e Bibliotekës Universitare ishte mbrëmë e stërmbushur me njerëz të fushave të ndryshme e adhurues të këngës së Erza Muqollit. Aty pas pak do të performonin fëmijët dhe të rriturit e korit “Siparantum”, si paraprirje për performancën e yllit francez në ngritje me prejardhje shqiptare, Erza Muqolli, në koncertin që hapi Javën e Frankofonisë në Kosovë, shkruan KultPlus.com
Ishte kori i
fëmijëve “Siparantum” të cilët me pesë vepra ndezën emocionet në sallë me një
publik i cili gjatë gjithë kohës po duartrokiste e incizonte performancën e
tyre. Kur koha e tyre përfundoi, radha ishte për të rriturit e po të njëjtit
kor nën udhëheqjen e Memli Kelmendit. Performanca e korit të të rriturve, kohë
pas kohe kërkonte edhe angazhimin simpatik të publikut, Kelmendi po kërkonte lëvizjen
e gishtërinjve e ndonjëherë fërkimin e
duarve, me ndonjë të qeshur e me plotë emocione publiku i bindje drejtimit të
tij.
Kështu
performanca e dy gjeneratave të korit “Siparantum” kishte krijuar një atmosferë
shumë të ngrohtë dhe kishte ambientuar mirë publikun me koncertin në fjalë. Pas
formacioneve kolektive, radha ishte për një soliste në skenë, dhe ajo tashmë
dihej, ngadalë me një ecje modeste, nën duartrokitjet e publikut, Erza Muqolli
doli në skenë.
La Bohem, Back to Black, Dommage, Je t’aimais je t’aime et je t’aimerai, si dhe Vous etiez la, ishin pesë këngët të cilat Muqolli me zërin e saj magjik i këndoi për publikun në Prishtinë, në hapjen e Javës së Frankofonisë në Kosovë.
Valon Ibraj nga Ambasada e Francës tregoi shkurt për programin e Javës Frankofone në Prishtinë.
“Gjatë muajit Mars në Kosovës, Java e Frankofonisë do të jetë e pasur me një shumëllojshmëri të ngjarjeve, koncerteve, konferencave, filmave, ekspozitave, filma të metrazhit të gjatë dhe të gjatë”.
Sopranoja,
Urta Haziraj, e ka quajtur ‘të mrekullueshme’ Erza Muqollin, teksa vlerësoi
edhe performancën e saj.
“Erzën e kam përcjell prej audicionit të parë që e ka bërë, Erza është e mrekullueshme
dhe sonte na ka kënaq.”
Tutje
Haziraj, ka folur edhe për ndjenjat që ka pasur gjatë performancës së saj në
korin e të rriturve.
“Në fakt kur
je bashkërisht nuk janë emocionet e njëjta sikurse kur je vet, kështu që nuk
kisha shumë emocione. Performanca jonë e korit ka qenë shumë më e mirë se në
prova, kështu që ishte një ndjenjë shumë e veçantë.”
Ylli shqiptar në ngritje, Erza Muqolli, ka shprehur për KultPlus ndjenjat e saj
pas koncertit.
“Koncerti ka qenë shumë i mirë, unë jam kënaqur dhe jam shumë e lumtur dhe mezi
s’po pres ta mbaj koncertin tjetër nesër.”
Muqolli ka
shprehur mendimin e saj edhe për publikun të cilin e ka vlerësuar si ‘shumë të
mirë’, dhe të cilit ia ka theksuar disa detaje.
“Shumë mirë është pritur ky koncert, publiku ka qenë shumë i mirë, të gjithë
kanë duartrokitur dhe kanë incizuar e në të njëjtën kohë më kanë bërë të ndihem
shumë mirë.
Erza
Muqolli, e vlerësoi edhe performancën e koreve, atë të fëmijëve dhe të
rriturve. “Ma kanë rrëqeth trupin”, u shpreh ylli francez.
Pjesë e
kësaj mbrëmjeje ishte edhe Ambasadorja e Francës, Marie Christine Butel,
filozofi Muhamedin Kullashi, filozofi Elvis Hoxha si dhe një numër i madh i
personaliteteve të njohura në fushën e kulturës.
Mbrëmja
vazhdoi me plotë mysafirë të cilës u afruan për ta bërë ndonjë fotografi me
Erza Muqollin, teksa të tjerë po cakërronin gotat në koktejin e organizuar pas
përfundimit të koncertit.
Kujtojmë që në kuadër të Javës së Frankofonisë, një nga ngjarjet do të zhvillohet nën organizimin e gazetës online, KultPlus për të cilën do të ju njoftojmë me kohë. / KultPlus.com
Një çift rreth të tridhjetave kishte zënë vendin e tyre. Me vete kishin edhe një vajzë të vogël, e cila në duar po mbante një fletushkë. Ishte fletushka e koncertit të Filharmonisë së Kosovës i cili mbrëmë do të fillonte në Sallën e Kuqe në Prishtinë me Orkestrën e Kosovës dhe pesë artistë të huaj, shkruan KultPlus.com
“Mirëmbrëma”,
tha në shqip dirigjenti Dariusz Mikulski, pasi doli në pjesën qendrore të sallës.
Meqë shqip po e dinte vetëm atë përshëndetje, ai vazhdoi në anglishte të
tregonte për pjesët që do luheshin, teksa ndër të tjera tha: “Ka njerëz të fjalëve
dhe të ndjenjave, ne artistët jemi njerëz të ndjenjave”, duke paralajmëruar
provokim ndjenjash për dy orë të plota.
Para çdo
pjese të dhënë në koncert, dirigjenti që gjatë gjithë kohës dukej shumë i
disponuar, ndonjëherë prezantonte shkurt pjesët që do luheshin, ndonjëherë
jepte ndonjë batutë të shkurt. Dirigjenti Mikulski, teksa mirëpriste artistët e
tjerë në skenë, publikut po i kërkonte duartrokitje të forta, të cilat pasonin
menjëherë. Në fakt, për të gjithë artistët mysafir nuk munguan as buqetat me
lule. Kështu e gjithë mbrëmja kaloi me një atmosferë të ngrohtë dhe energjike.
Nën udhëheqjen
e dirigjentit, Dariusz Mikulski, dhe të përcjellë nga Orkestra e Kosovës,
artistët e huaj që performuan ishin: Otto Sauter në pikolo trumbetë, Armin
Bachmann në trombone, Davide Alogna në violinë si dhe sopranoja Aleksandra
Gudzio. Nga ky ansambël artistik, u interpretuan vepra të George F. Handel, Wolfgang
A. Mozart, Henryk Gorecki, Enjott Schneider, Gioachino Rossini, Laun Grondahl, Wojciech
Kilar.
Në një intervistë
për KultPlus, dirigjenti veteran Rafet Rudi, e vlerësoi këtë paraqitje, teksa
theksoi dy arsye për vlerësimin e tij:
“Ishte një prej koncerteve më të mira që kam dëgjuar këto dy vitet e fundit, një
për shkak të programit të përgatitur që ishte jashtëzakonisht i vështirë për këtë
ansambël, dhe së dyti, më në fund Orkestra doli nga ajo korniza programore e kohëve
të fundit, që ka pasur përsëritje, këtu është parë që mundet t’i rreket edhe
programeve tjera të mira”.
Rudi përmendi
specifikisht Orkestrën e Kosovës për nivelin e tyre të treguar gjatë performancës:
“Mendoj se Orkestra sonte ka qenë në nivel sidomos për shkak të këtij programi
të vështirë edhe në kuptimin e materies që është e re për Orkestrën por edhe për
shkak të niveli teknik që kanë këto vepra”.
Sopranoja
nga Polonia, Aleksandra Gudzio, në një intervistë për KultPlus, shprehu
emocionet e saj të para pas përfundimit të koncertit:
“E shijova këtë mbrëmje shumë, më pëlqeu Orkestra e cila performoi jashtëzakonisht
mirë dhe audienca po ashtu, unë mezi e prisja mbrëmjen e sotme dhe jam shumë e
lumtur që e realizova koncertin këtu.”
Gudzio, pati
vlerësim pozitiv edhe për Orkestrën e Kosovës:
“Unë jam këtu
që një javë, dhe çdo ditë kemi pasur përgatitje, ata ishin çdo ditë e më të mirë
dhe mendoj se janë shumë kualitativ.”
Meqë ishte
hera e parë në Kosovë, ajo na tregoi edhe për mendimin e saj rreth vendit dhe
njerëzve këtu:
“Është hera e parë që jam këtu. Më pëlqen shumë ky vend, më pëlqejnë shume dhe njerëzit, ju jeni shumë të shoqërueshëm dhe po ashtu keni një histori interesante. Unë vizitova NewBornin dhe Monumentin e Heroinave, që të dyja janë të mrekullueshme.”
Dirigjenti, Dariusz Mikulski, në një intervistë për KultPlus, tha se përmes këtij programi divers kanë shprehu ndjenja:
“Përshtypja ime e parë është që ky koncert ishte shumë i ndryshëm me program divers, si vet jeta njerëzore. Unë po mendoja se çfarë mund të them rreth këtij koncerti dhe thash me vete të flas rreth ndjenjave, të cilat janë natyrale për ne, të cilat i shprehim ne.”
Dirigjenti
Mikulski, pati vlerësim të madh për publikun në sallë të cilët i quajti
“fantastik”:
“Në fillim unë kisha pak frikë rreth reagimit të publikut por më duhet ta them
që ju keni një publik fantastik, dëgjoni me shumë vëmendje, dhe kjo muzicientëve u jep fuqi të
pabesueshme, të jesh më i mirë në skenë, të shfaqësh më shumë ndjenja.”
Kërkesën e kamotshme të komunitetit artsitik në vend për një sallë koncertale nuk e la pa e cekur as dirigjenti Mikulski, ai e përmendi këtë çështje, por në një formë urimi:
“Çfarë unë do të uroja për muzicientët dhe për Filarmoninë e Kosovës, si dhe më së rëndësishmi për publikun kosovarë, është një sallë e re e koncertit”.
Kur ora shënonte 22:00, publiku po e lëshonte sallën. Dikush nga ta u ndal për ta bërë ndonjë fotografi me protagonistët e mbrëmjes. Teknika po bartej nga salla. Koncerti kishte përfunduar. / KultPlus.com
“Jam shumë e privilegjuar që sonte para jush do të shpalosim një repertor me këngë që janë kënduar nga zërat më të spikatur femëror”, kjo fjali përshëndetëse e thënë nga aktorja dhe këngëtarja, Edona Reshitaj, përmblodhi dedikimin e koncertit recital të saj, nderimin e “Zonjave të Kangës” ndër breza, teksa dedikimi personal shkonte për nënë e saj, shkruan KultPlus.
Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës si rrallë herë ishte e stërmbushur. Pasi u zunë të gjitha karriget, pjesa e mbetur e publikut vendosi të qëndronte në këmbë, për ta parë e dëgjuar performancën e Edona Reshitaj në koncertin “Zonjat e Kangës”. Edona Reshitaj si zë i njohur për publikun si dhe natyra e koncertit, ishin me gjasë dy arsyet që garantonin suksesin e natës së mbrëmshme.
Dritat u fikën dhe Edona doli në skenë.
Para çdo interpretimi të këngës, Reshitaj u përkujdes ta prezantonte shkurt “Zonjën” e këngës, pra autoren e saj, apo të tregonte ndonjë lidhje emocionale që ajo kishte me të apo këngën e saj. Emocionet e saj kulmuan kur erdhi radha për prezantimin e bilbilit të Kosovës, tashmë të ndjerën, Nexhmije Pagarushën, dhe interpretimin e këngës së saj “Zani i tij më thërret”.
Se Edona Reshitaj nuk është vetëm këngëtare por edhe aktore ishte qartazi e vërejtshme nga performanca e saj. Ajo këndonte me shumë emocione por njëkohësisht interpretimit të saj dukej se po i jepte edhe më shumë peshë vallëzimi i saj pothuajse gjatë gjithë kohës. Lëvizjet ishin të lehta, spontane, por me shumë takt dhe me shije artistike. Gjithçka ishte live, gjithçka po përjetohej. Një pjesë e madhe e publikut ose incizonte ose duartrokiste, ose thjeshtë po lëviznin në vend, një frymë energjike përcolli gjithë koncertin.
E përcjellur nga muzikantët: Visar Kuqi, Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari, Art Lokaj, Dukagjin Muhaxheri, Ermal Rodi, Roni Gjura si dhe Rajkard Bardhi, këta dy të fundit mysafir nga Shqipëria, Edona Reshitaj, këndoi këngët emblematike shqiptare si: ‘Fëmija i Parë’ e kënduar nga Vaçe Zela, ‘Zare Trëndafile’ e kënduar nga Tefto Tashko, ‘Fërfëlloi Fëllanxa n’Ujë’ e kënduar nga Fitnete Rexha, ‘Unë ty moj të kam dashtë’ e kënduar nga Marie Kraja, ‘Zani i tij më thërret’ e kënduar nga Nexhmije Pagarusha, ‘Flokët e Gocës’ e kënduar nga Hanife Sejfulla Reçani, ‘O Zambak i Prizrenit’ e kënduar nga Lirina Cavolli, ‘Doli Goca në penxhere’ e kënduar nga Merita Haliu dhe ‘Moj Zogo/ Shega Guracake’ të kënduara nga Nazmije Hoxha.
Këto qenë nëntë këngët, teksa e dhjeta
ishte një moment tjetër.
Kur u bë gati ta këndonte këngën e fundit të koncertit, Edona Reshitaj, u përkujdes që ta falënderonte, Pranvera Badivukun, e cila e kishte kompozuar këngën ” E kujtoj atë takim” si dhe një numër të madh këngësh tjera. Reshitaj, ftoi në skenën edhe koleget e saj, mysafiret speciale të koncertit: Ilire Vincën, Shengyl Ismailin, Rebeka Qenën, Semira Latifin, Qendresa Kajtazin, Edona Spoajn, Rabije Kryeziun, Kaltrine Zenelin si dhe Daniela Markajn. Këto së bashku kënduan dhe i dhanë fund koncertit recital, i cili u duartrokit me minuta të tërë në përfundim të tij.
Në një intervistë për KultPlus, protagonistja e mbrëmjes, Edona Reshitja, shprehu emocionet e saj të para pas koncertit.
“Po ndihem shumë e lumtur që e realizova këtë koncert. Kjo ka qenë një ëndërr e imja e kamotshme, kam punuar shumë gjatë për këtë projekt. Jam shumë e lumtur që muzikën që e ndjeja se e kam lënë anash e riktheva me një projekt të madh dhe me një kastë të mrekullueshëm të muzicientëve dhe me një kauzë të rëndësishme siç ishte kjo për nderimin e “Zonjave të Kangës”.
Reshitaj, ka treguar shkurt edhe për vlerësimin e të tjerëve dhënë asaj për koncertin që veç sa e kishte përfunduar.
“Komenti i të gjithëve ishte ‘na ke kënaq’, thash me vete po ndihem shume mirë, sepse ndihem njëmend shumë mirë prej Zotit që ma ka dhënë këtë mundësi që t’i kënaqi të tjerët, t’i bëjë të lumtur dhe ky profesion është human pikërisht për këtë punë”
Shengyl Ismaili, në një intervistë për KultPlus, e ka quajtur fantastike Edona Reshitajn.
“Jam ndje shumë mirë që isha pjesë e këtij koncerti, me muzicientë kaq të përzgjedhur dhe me një soliste dhe këngëtare kaq fantastike siç është Edona.”
Ajo foli edhe për performancën e saj në këngën e fundit.
“Për mua ishte hera e parë që dola në grup për të kënduar dhe kisha frikën sa mos e dëmtoja Edonën, por gjithçka shkoi me suksese”.
Pas përfundimit të koncertit, mes shumë vlerësimesh, Edona Reshitaj po e përfundonte ‘natën e saj’ me shumë fotografi e përqafime me miq e të pranishëm aty. / KultPlus.com
Përvoja e Agron Shujakut si dhe entuziazmi dhe talenti prej të riut të Ledian Shalës, u gërshetuan mbrëmë në koncertin duo pianistik të dhënë në Sallën e Kuqe në Prishtinë, shkruan KultPlus.com
Një numër i konsideruar i të pranishmëve, disa prej të cilëve kishin marrë me vete edhe fëmijët ngase aty po luante edhe një bashkëmoshatar i tyre, dëgjuan interpretimin e Shujakut dhe Shalës të cilët luajtën veprat më të popullarizuara të Mozart, Ravel, Brahms dhe Kusuma për rreth një orë.
Agron Shujaku, në një intervistë për KultPlus, ka folur rreth përgatitjeve për koncertin si dhe për arsyen se pse ky koncert u realizua në Prishtinë.
“Për këtë koncert kemi pasur përgatitje katër-pesë muaj intensiv. Unë e kam realizuar këtë program edhe më herët por me një pianist tjetër, dhe atëherë nuk kishim mundësi ta realizonim në Prishtinë, prandaj këtë herë e kam pa të nevojshme ta kurorëzojmë në Prishtinë”.
Ai, tutje ka treguar edhe sfidat e muzikës klasike dhe përgjithësisht botës së artit në Kosovë.
“Problemi më i madh në Kosovë është te mungesa e sallave, mungesa e mbështetjes për aktivitetet të tilla, sepse ne e dimë që muzika klasike ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme.”
Shujaku, e ka përmbyllur prononcimin duke dhënë një vlerësim për publikun aty si dhe duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut profesional në këto aktivitete.
“Mbështetja e publikut është gjithmonë e nevojshme, sidomos e atij profesional sepse ai e bënë barometrin të performancës dhe është njëfarë rregullatori joformal i interpretimeve skenike”.
Ky koncert ka përfunduar nën duartrokitjet e forta si shenje vlerësimi për performancën e tyre./ KultPlus.com
Për nder të 12 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Kosova Brass Festival dhe Armata organizon koncertin me Prishtina BIG BAND, shkruan KultPlus.
Nën dirigjimin e Armend Xhaferit, ky koncert do të sjell në skenë emra të njohur të muzikës.
Këshilli Koordinues në përkrahje të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Europahaus organizojnë koncert në Vjenë për nder të pavarësisë së Kosovës me një nga grupet më të njohura dhe unike në Shqiptari, shkruan KultPlus.
Grupi ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ do të performojnë muzikën tonë të vjetër në stilin e tyre ‘jazz’, ka njoftuar Ermal Vejsa për KultPlus.
Koncerti mbahet më datë 7 shkurt, prej orës 20:00 në Tunnel Vienna Live, Florianigasse 39, 1080 Wien. / KultPlus.com
Instrumentistja shqiptare Hava Bekteshi e cila po zhvillon karrierë në arenën ndërkombëtare, ka arritur të jetë pjesë e një koncerti të madh në Gjermani, shkruan KultPlus.
Bëhet fjalë për koncertin “Stadtlied” në Elbphilharmoninë e Hamburgut, në të cilin ajo ka marrë pjesë si instrumentiste e çiftelisë dhe si këngëtare. Bekteshi gjatë workshopit që u mbajt aty, u admirua nga stafi pasi performoj një pjesë me çifteli, po ashtu Milaim Islami e shkroi një tekst për të në të cilin përshkruhet e kaluara e saj që nga mërgimi e deri te arritjet në muzikë.
Ai këtë këngë e emëroi “Tingëllon teli i çiftelisë” nën kompozimin e melodisë nga Fatmir Makolli. Teksti është përkthyer në gjuhën gjermane dhe i njëjti tani gjendet në mediatekën e Elbphilharmonisë të Hamburgut.
Përveç këngës që e ka performuar ajo, ka kënduar edhe këngë tjera, e madje ka luajtur edhe në instrumentin e kitarës. Instrumentistja shqiptare pati vëmendje pas performancës me çifteli, andaj edhe u zgjedh nga stafi i njërit prej televizioneve më të shquara gjermane “RTL-Nord” si protagonistja kryesore, ndërsa më pas asaj i është bërë edhe një portret për pjesëmarrjen e saj me instrumentin e çiftelisë.
Në koncert kanë qenë 100 pjesëmarrës, dhe jo të gjithë pjesëmarrësve u dha mundësia të performojnë aty. Duhet theksuar se ky koncert është i madh në Gjermani, aty ka pasur ushtrime përmbi gjysmë viti me të gjithë pjesëmarrësit. Koncerti shquhet për programin e pasur që ka, ku hyn edhe muzika klasike.
Instrumentistja Hava Bekteshi po vazhdon të jetë e suksesshme në arenën ndërkombëtare, me lojën e saj në instrumentin e çiftelisë të cilin po e bën të njohur në botë, sikurse kulturën tonë në përgjithësi. Ajo do të marrë pjesë edhe në koncerte tjera të mëdha. /KultPlus.com
Koncertin e parë në Kosovë Erza Muqolli e mbajti në muajin korrik të vitit të kaluar në kuadër të eventit “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus.
Por, mbresat që Erza la në atë
mbrëmje kanë bërë që ky të mos jetë koncerti i saj i vetëm në Kosovë.
Kësaj radhe, këngëtarja e
njohur shqiptare e cila karrierën e saj po e zhvillon në Francë, do të performojë
në muajin mars në Prishtinë në kuadër të Muajit të Frankofonisë.
Babai i saj, Mehmet Muqolli ka
konfirmuar për KultPlus duke treguar që pas koncertit të parë në bashkëpunim me
KultPlus, kjo ishte një tjetër ftesë të cilën ata e mirëpritën me kënaqësi.
Hapja e Muajit të Frankofonisë do
të bëhet me këngëtaren franko-kosovare Erza Muqollin, koncerti i secilës do të
mbahet më datë 5 mars.
Erza Muqolli është duke mahnitur me suksesin e saj. Pas publikimit të albumit të parë, ajo është duke zhvilluar një tur. Kujtojmë që në këtë album Erza këndon edhe në gjuhën shqipe. / KultPlus.com