Kosova fiton disa çmime në garat e baletit në Beograd, merr mirënjohje me mbishkrimin “Republika e Kosovës”

Balerinat e Kosovës nga “Studio Baletit Angels” kanë fituar disa çmime në një festival garues në Beograd, shkruan KultPlus.

Eliza Vitja me variacionin e Raymonda ka zënë vendin e parë, Erisa Ahmeti gjithashtu pjesë e kësaj shkolle ka zënë vendin e 3-të me balet klasik, ndërsa Olsa Drnogllava zuri vendin e 3-të me balet neoklasik.

Pjesëmarrës nga e gjithë Evropa kanë qenë të pranishëm aty, derisa fëmijët nga Kosova kanë qenë të përcjellur nga mësuesja Vlora Prizreni.

Balerini Sead Vuniqi ka thënë për KultPlus se ky është një sukses shumë i madh për ata si shkollë, por edhe për gjithë Kosovën.

“Ky është një sukses shumë i madh për ne si shkollë, por edhe për shtetin tonë pasi vajzat tona prezentuan Kosovën me dinjitet në këto gara. Kjo ishte një eksperiencë me shumë emocion për ne dhe jashtëzakonisht shpërblyese pasi na u bë zemra mal me arritjet e tri nxënësve tona”, tha ai.

Kjo është edhe mirënjohja të cilën e kanë marrë, ku shihet edhe emri “Republika e Kosovës”. /KultPlus.com

DW: Shpresa për lëvizje në dialogun Kosovë-Serbi

Pas qëndrimit të kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Ballkan, duket se dialogu Kosovë-Serbi, pas disa vitesh ngecjeje, po rigjallërohet konkretisht. Pritet së shpejti një marrëveshje e re.

Më në fund duket se do të ketë së shpejti lëvizje në dialogun Kosovë-Serbi. Pas vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Ballkan, duket se Kosova dhe Serbia po tregojnë gatishmëri të re. Sipas të ngarkuarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak javën e ardhshme pritet edhe një marrëveshje me rëndësi në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve. Nga Bashkimi Evropian u bë e ditur se bëhet fjalë për marrëveshjen për energjinë për serbët në veri të Kosovës.

“Ne do të kemi një tjetër takim mes kryenegociatorëve javën e ardhshme. Me shpresë, ne do të mund të njoftojmë rreth një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, dhe unë gjithashtu po shpresoj t’i bëj të dy liderët bashkë në Bruksel, për takimin e tretë të nivelit të lartë përpara pushimeve të verës”, tha Lajҫak.

Finalizim i ҫështjeve të energjisë

Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano, pret që javën e ardhshme delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të finalizojnë temën e energjisë.

“BE-ja pret që palët të mbyllin çështjen e energjisë gjatë javës së ardhshme në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve”, tha Stano.

Përfaqësues të Bashkimit Evropian, kanë qenë të pranishëm në një takim të mbajtur javën e kaluar në Stamboll të Turqisë, ndërmjet palës serbe dhe Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). KEDS nga viti 2013 kryen shpërndarjen e energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës.

Vuçiq: Marrëveshja drejt përfundimit

Edhe autoritetet e Beogradit dhe ato të Prishtinës në fillim të javës paralajmëruan se janë afër marrëveshjes për zgjidhjen e problematikave të energjisë elektrike për serbët në veri të Kosovës, të cilët që nga paslufta nuk paguajnë faturat e rrymës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se marrëveshja për energjinë me Kosovën është drejt përfundimit dhe për këtë çështje ai tha se “ka pasur negociata me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

“Kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in, për prezencën në veri të Kosovës. Për këtë jemi dakorduar dhe shpresojmë se ka mbetur vetëm ana teknike që të rregullohet dhe do të kemi rezultate të mira në ditët në vijim”, tha Vuçiq.

Edhe qeveria e Kosovës nga ana e saj, e konfirmoi se palët janë shumë pranë zgjidhjes së çështjes së furnizimit dhe inkasimit të energjisë elektrike në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveҫan dhe Zubin Potok.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, tha se kjo çështje do të rregullohet “duke respektuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prill të vitit 2013”.

“Në emër të Kosovës, negocion vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës. Takimi mes KEDS-it dhe palës serbe, i organizuar nё Stamboll më 9 qershor, ka pasur vetëm objektivin e ofrimit të garancive për katër shërbimet e dakorduara në vitin 2015: vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matësve, faturimi dhe inkasimi, dhe këtë obligim e ka përmbushur”, shkroi Bislimi në profilin e tij social.

Serbët e veriut të Kosovës nuk kanë paguar për energjinë

Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për energjinë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës në veri të Kosovës. Që nga atëherë kjo marrëveshje nuk është zbatuar ndonëse vazhdimisht është bërë presion nga bashkësia ndërkombëtare.

Serbët e veriut të Kosovës  që nga përfundimi i luftës furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë. Asnjëherë nuk është bërë e qartë se nga kush furnizohen me energji elektrike serbët në veri. KOSTT që është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë, thotë se furnizimi në veri bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, ndërsa, autoritetet e Beogradit thonë se energjia elektrike në veri të Kosovës sigurohet nga elektro-rrjeti i Serbisë.

Me marrëveshjen në parim të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë elektrike në veri të Kosovës, parashihet që përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e energjisë elektrike që mban emrin “Drustvo Elektrosever D.O.O.”.

Që nga përfundimi i luftës nga viti 1999 e deri në vitin 2017, rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës e kanë paguar qytetarët e tjerë të Kosovës të regjistruar nga faturat e tyre si humbje e energjisë në rrjetin në veri. Nga viti 2017, pasi një gjykatë në Kosovë e ndërpreu këtë praktikë rrymën për serbët e veriut e paguan Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT). Sipas tyre humbjet nga mospagesa e rrymës në veri vetëm në vitin 2021 janë rreth 40 milionë euro. /dw/ /KultPlus.com

“Gjama” e Nagip Tashit te “Mrizi i Zanave”, ekspozohen portrete të figurave të rëndësishme shqiptare  

Copëza të drurit që formojnë mozaikë, e që brenda këtyre mozaikëve paraqiten figurat më të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare shpërfaqin krijimtarinë e Nagip Tashit, i cili më 25 qershor do të prezantohet me ekspozitë personale te “Mrizi i Zanave” në Lezhë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Të realizuara në një punëtori modeste në Tërrnoc të Bujanocit, portretet e Tashit që përfshijnë figura si të: Gjergj Kastriotit, Gjergj Fishta,  Bekim Fehmiu, Ibrahim Kodra, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Abdurrahman Shala, Leze Qena, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Fahrije Hoti  e figura të tjera do të ekspozohen te Mrizi i Zanave, por që kësaj radhe me vëmendje të theksuar të figura e Gjergj Fishtës.

Nagip Tashi ka thënë për KultPlus se ndihet të jetë i nderuar që po vlerësohet puna e tij që ka filluar shumë vite më parë, po që viteve të fundit ka dalë në pah edhe me ekspozita.

Ekspozitën e parë personale, Tashi e ka prezantuar në KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, për të lëvizë tash në një pjesë tjetër të territorit shqiptar, në Lezhë të Shqipërisë.

Ekspozita “Gjama” e Nagip Tashit është duke u realizuar si bashkëpunim mes “KultPlus” dhe “Mrizi i Zanave”, ceremonia e së cilës do të fillojë në ora 16:00, me 25 qershor. / KultPlus.com

Liberalizimi i vizave – rriten gjasat, por s’ka garanci

Disa burime diplomatike të Bashkimit Evropian thonë se “Franca ka dhënë sinjale”, se pas zgjedhjeve parlamentare në këtë vend, që do të mbahen më 19 qershor, “mund të mos e kundërshtojë më vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Marrë parasysh se ky vend ka qenë kundërshtari më i madh në BE i liberalizimit të vizave për Kosovën, sinjalet prej tij shihen si shenja optimiste se heqja e vizave për kosovarët do të ndodhë “shpejt”.

“Në nivelin e grupeve punuese dhe në nivele teknike në Këshillin e BE-së, ne nuk kemi parë ndonjë lëvizje akoma në drejtim të vendimit për liberalizimin e vizave. Por, kemi parë, kohëve të fundit, rritjen e gatishmërisë për këtë në nivel politik. Ka angazhim në nivel shumë të lartë politik dhe kjo jep shpresë”, thotë një diplomat i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

“Kur të ketë pajtueshmëri dhe gatishmëri në nivelin më të lartë politik, atëherë puna në nivel teknik dhe procedural mund të ndodhë shumë shpejt”, shton ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Qeveria e Kosovës thotë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Sipas burimeve diplomatike, Franca ka kërkuar më shumë garanci se, në rast të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, nuk do të ketë keqpërdorime dhe nuk do të ketë ardhje të azilkërkuesve të rrejshëm në vendet e BE-së – siç ka ndodhur me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se Kosova është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me autoritetet e Francës, për t’i adresuar shqetësimet e këtij shteti dhe se kjo mund të ketë pasur, po ashtu, ndikim pozitiv.

Një prej elementeve të rëndësishme, thonë burimet në BE, është edhe mbështetja publike që liberalizimit të vizave për Kosovën i ka dhënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Kosovë, javën e kaluar.

Kjo çështje mund të përmendet edhe në samitin e BE-së, që zhvillon punimet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, edhe pse vendimi nuk merret në këtë nivel të lartë, por nga Këshilli i BE-së.

Rikujtimin se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar dhe se duhet të ndodhë pa vonesa e ka bërë të martën edhe Parlamenti Evropian përmes raportit për Kosovën, i cili është miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të BE-së.

Në këtë raport është kërkuar nga vendet anëtare në Këshill që “me urgjencë” të ecin drejt miratimit të regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës dhe është thënë se vonesat e reja në këtë drejtim, do të dëmtojnë besueshmërinë e BE-së dhe reputacionin e saj si partner i besueshëm.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka qenë më e drejtpërdrejtë në kritika, duke bërë me gisht kah Franca dhe Holanda.

“Për fat të keq, Bashkimi Evropian ka dështuar t’i përmbushë premtimet e veta për të mundësuar lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë vërtet shpresoj se ky do të jetë raporti i fundit, i cili përmend këtë dështim. Sa i përket Këshillit – dhe në këtë drejtim dua t’i drejtohem direkt Francës dhe Holandës – koha për miratimin e vendimit është tash”, ka thënë von Cramon.

Edhe pse pranojnë se “po krijohet një moment i duhur politik për liberalizimin e vizave për Kosovën”, burimet në BE tërheqin vërejtjen se “nuk mund të thuhet në këtë moment se kur do të mund të merrej vendimi”.

Në kohën kur kanë mbetur vetëm dy javë deri te përfundimi i kryesimit të Francës me BE-në, gjasat janë që ky vendim të hyjë në procedurë gjatë presidencës së Çekisë, e cila nis nga 1 korriku. /REL/ /KultPlus.com

Përparim Rama: Arsyeja e zhvendosjes së ‘Sunny Hill’ në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së Qeverisë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me zhvendosjen e festivalit ‘Sunny Hill’ i cili së fundi është zhvendosur në Tiranë, shkruan KultPlus.

Sipas kryetarit Rama, arsyeja pse ky festival sivjet është zhvendosur në Tiranë është për shkak të zvarritjes nga ana e qeverisë në dhënien e pronës së kërkuar.

“Sunny Hill” i takon Kosovës, i takon Prishtinës, të rinjve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin e sivjetmë të këtij festivali. Arsyeja pse ky festival sot është zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së qeverisë e cila pavarësisht se gjithë procesi i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligjin, institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e kuvendit komunal dhe në kompetencat e kryetarit të Komunës ashtu si e konfirmoi edhe dje Asociacioni i Komunave”, tha Rama, duke e cilësuar zhvendosjen e këtij festivali si një lajm dëshpërues për Kosovën dhe Prishtinën.

Ndërkaq, mosbajtja e festivalit në Prishtinë, pritet t’i sjellë Kosovës edhe humbje të hyrash deri në 15 milionë euro.

“Në bazë të kalkulimeve të mëparshme, përfitimi i qytetit ka qenë 7-8 milionë euro, është paraparë që do të jetë 12-15 milionë euro, këto janë humbje”, u shpreh kryetari Rama, i cili më pas deklaroi se beson që nga viti i ardhshëm ky festival do të kthehet në Prishtinë.

Kurse Doruntinë Maloku, e cila udhëheq drejtorinë e Pronave në Komunën e Prishtinës, shpjegoi gjithë procesin e dhënies në shfrytëzim të pronës nga Komuna e Prishtinës.

“Si qeverisje e re e kemi gjetë si një proces të hapur çështjen e festivalit ‘Sunny Hill’ nga viti 2021. Më 14 qershor 2021, Kuvendi Komunal i Prishtinës, unanimisht, ka vendosur pro dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për këtë festival për 99 vjet.”, tha Maloku.

Maloku thotë se në momentin që ‘Sunny Hill’ ka kërkuar nga Komuna që t’i vazhdojnë procedurat në mënyrë që mos të ketë vonesa, për shkak që rrezikohet mosmbajtja e festivalit, komuna e ka plotësuar dokumentacionin dhe është dorëzuar në Kuvendin Komunal.

“Meqë asnjëherë nuk është kundërshtu asnjëherë nga Ministira e Administrimit dhe Pushtetit Lokal 99-vjetëshi, në Kuvendin Komunal shumica e asambleistët e kanë votuar vendimi”, u shpreh më tutje Maloku duke vazhduar më pas se MAPL pas dorëzimit të dokumentacionit, e ka zvarritur procesin./ KultPlus.com

Edi Rama: Nuk e keni njohur ende Kosovën, ajo e mbështet Ukrainën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në kryeqytetin ukrainas Kiev i shoqëruar nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Të dy patën takim me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në një konferencë të përbashkët për media, Rama përmendi edhe Kosovën.

Ai tha se përveç 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë rreshtuar krah Ukrainës, është edhe një vend, Kosova të cilën nuk e ka njohur Ukraina.

Kryeministri shqiptar tha se Kosova po bën të njëjtën gjë që kanë bërë shtete tjera me sanksione kundër Rusisë, anipse Ukraina nuk e ka njohur.

Ka edhe një gjë që ende nuk munda ta flas me presidentin, por dua t’ja them më vonë. Ballkani Perdimor ka 5 vende në Kombet e Bashkuara, të gjitha ato janë rreshtuar krah Ukrainës, pavarësisht historisë së ndryshme, pavarësisht konteksteve të ndryshme, pavarësisht marrëdhënieve me Rusinë. Por, ka edhe një vend të 6 që Ukraina ende nuk e ka njohur, Kosova e cila pavarësisht kësaj, po bën saktësisht të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë me sanksione dhe me mbështetje të plotë.

Kjo do të thotë se jemi në një linj të mirë përkufizuar, pastaj çfarë jemi dhe çfarë përfaqësojmë, besoj fortë që është gjëja e duhur për t’u bërë”, tha Rama. / KultPlus.com

Kosova për herë të parë ishte nikoqire e gala koncertit muzikor me artistë të rinj nga vendet e Evropës Qendrore

Kosova për herë të parë ishte nikoqire e gala koncertit muzikor me artistë të rinj nga vendet e Evropës Qendrore, në kuadër të Platformës Kulturore të Evropës Qendrore (PPCE), përcjellë KultPlus.

Në koncertin që u mbajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, performuan mjeshtërisht vepra të ndryshme të muzikës klasike në piano, violinë, flaut dhe klarinetë, Avigea Louisa Delivicheva nga Austria, Adam Bydžovský dhe Veronika Lišková nga Çekia, Teo Gertler nga Sllovakia, Amira Abouzahara, Marian Abouzahara, Nora Emody nga Hungaria, dhe Lisa Sahaqiu nga Kosova.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ambasadori i Hungarisë, József Bencze, ambasadori i Çekisë, Pavel Bilek, shefi i zyrës së Sllovakisë, Rastislav Kostilnik, drejtorë të PCCE-së të shteteve anëtare, Martin Pammer, Rafal Wolks, Martina Pivonkova dhe Klára Nagy-Gery, muzicientë e artdashës.

Ministri Çeku e cilësoi këtë ngjarje si shumë të rëndësishme për thellimin e komunikimit kulturor dhe bashkëpunimit bilateral kulturor mes vendeve të Evropës Qendrore me Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Puna dhe përkushtimi si “dirigjues” të suksesit, Kelmendi: Gjithmonë kemi dashur t’i sjellim fitoren vendit tonë

Uranik Emini

Një punë ekipore dhe patjetër e ndërsjellë, mes dirigjentëve dhe muzikantëve që e ndjekin atë, e ka arritur me sukses kori “Siparantum” i drejtuar nga dirigjenti Memli Kelmendi. Edhe pse arti i dirigjimit ekziston prej shekujsh, në Kosovë nuk vlerësohet dhe diskutohet për të sa duhet. Dirigjimi përpos përgjegjësisë fillimisht, është një punë që në radhë të parë kërkon besim, inteligjencë dhe aftësi të shkëlqyera si njerëzore ashtu edhe muzikore. Kosova është ngritur në majat më të larta në botë sa i përket muzikës klasike përmes korit “Siparantum”, të udhëhequr nga Kelmendi, shkruan KultPlus.

Dirigjenti Memli Kelmendi ka arritur që të korr suksese të mëdha me korin që ai udhëheq dhe realisht, suksesi ishte gjëja për të cilën ai kishte punuar më së shumti.

I rritur në një familje muzikantësh, Kelmendi rrëfen për KultPlus se muzikën e ka të trashëguar nga babai i tij, Xhevat Kelmendi (kantautor), i cili mes tjerash ishte edhe kritiku më i madh në këtë fushë, derisa ai flet edhe për jetën e tij në fëmijëri, studimet në fushën e muzikës, punën e tij të parë, puna si një profesor dhe sukseset e jashtëzakonshme që ka arritur.

KultPlus: Memli, ju jeni një dirigjent i suksesshëm, i pëlqyer nga publiku dhe keni fituar çmime të shumta, a do të thotë kjo se edhe në kohën e fëmijerisë jeni shquar për muzikë?

Memli Kelmendi: Muzikën e kam trashëgim nga babai im, Xhevat Kelmendi (kantautor). Me muzikë jam rritur, babai im ka qenë çdoherë kritikuesi më i madh (në kuptimin pozitiv). Daja im i ndjerë, Refik Çakolli ka qenë këngëtar poashtu. Si fëmijë kam qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme, kjo ka bërë që unë të vazhdoj pikërisht muzikën. Dashuria për muzikën lindi që nga fëmijëria.

KultPlus: Cili mendoni se ka qenë momenti kyç kur ju keni filluar që të merreni me muzikë dhe realisht edhe ta studioni si lemi?

Memli Kelmendi: Siç e potencova më lartë, unë që në fëmijëri jam rritur nën ndikimin e muzikës së së bukur shqipe, serenatave korçare, këngëve arbëreshe, muzikës së lehtë. Muzikën klasike e kam pelqyer dhe kjo është dëgjuar në shtëpinë tonë, ndonëse në familjen time askush nuk ka studiuar për muzikën klasike. Regjistrova fakultetin e muzikës dhe muzika gjithnjë e më shumë bëhej pjesë e jetës.

KultPlus: A janë sfiduese studimet në fushën e muzikës?

Memli Kelmendi:  Mendoj që po, veçanërisht këtu në vendin tonë. Kur isha student mendoja krejtësisht ndryshe, sot sigurisht që mendoj edhe më ndryshe. Ndoshta përvoja e ka bërë të veten apo kontakti me njerëz të fushës profesionale. Unë shpesh bisedoj me nxënësit apo me studentët për tema të tilla dhe të ndryshme të cilat lidhen me sfidat studimore. Pavarësisht jetës studentore, ne duhet të kërkojmë rrugë, rrugë të cilat na shpien drejt suksesit. Ato janë të shumëta!

KultPlus: Kur keni diplomuar, në atë kohë Kosova ishte e re si shtet dhe realisht mundësitë që të kyceshit në punë ishin më ndryshe. Kur dhe ku keni filluar punën tuaj të parë?

Memli Kelmendi: Pasi përfundova fakultetin, unë u punësova në Shkollën e mesme të muzikës “Halit Kasapolli” (2010) në Pejë. Në fillim ligjërova lëndët Teknologji muzikore dhe Lexim partiturave pastaj më vonë më është dhënë këndimi koral. Natyrisht që 12 vite më parë kishte më pak të diplomuar prandaj mundësia e punësimit ishte më afër.

KultPlus: Ka vite që tanimë po udhëhiqni korin “Siparantum”, por si ka qenë karriera juaj përpara këtij kori, çfarë keni bërë në profesion konkretisht?

Memli Kelmendi: Kori i shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e muzikës korale në Pejë. Janë mbajtur 7 edicione të muzikës korale, koncerte me vepra stilistike të periudhave të ndryshme, që nga renesanca deri tek muzika bashkëkohore. Çdo herë kam qenë insistues në përzgjedhjen e repertorit, stileve të ndryshme të repertorit koral botëror. Në vitin 2014 u nis një iniciativë vulletare në formimin e korit “Peja” (2014) , një frymë e re artistike për qytetin e Pejës. Me përkrahjen e Qendres Rinore “Atë Lorenc Mazreku” dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, menjëherë kori bëri lëvizjen e parë duke prekuar “Basilica di San Marco” Venecia, që ndryshe njihet si Pasuria e Njerëzimit, pastaj një koncert tjetër në “Mestre” dhe “San Lio” në Venezia. Në vitin 2017, u formua Kori Siparantum, gjithnjë duke u bazar në formë vullnetare me ide të promovimit të kulturës dhe muzikës korale shqiptare në vende të ndryshme të botës. Ide e cila rezultoi me shumë sukses.

KultPlus: A mund të na tregoni ndonjë rast vështirësie ose veçantie qe lidhet me punen tuaj si dirigjent? Njerëzit që merren me muzikë në Kosove kryesisht përballen me situata të vështira, a ju ka ndodhur juve që të përballeni me ndonjë situatë të veshtire ose diçka të ngjashme?

Memli Kelmendi: Hmmm, vështirëssitë janë të ndryshme, të natyrave të ndryshme. Profesioni i dirigjentit në vendin tonë është vërtetë i vështirë. Kërkon punë, sakrificë dhe sigurisht që është sfiduese. Kushtet dhe rrethanat që ne rrethohemi si shoqëri, sigurisht që është vështirë. Nganjëherë është më vështirë të dëpërtosh këtu (në Kosovë) se kudo tjetër në botë. Puna është se ne jetojmë të rrethuar me gjëra të vogla ndërsa bota është vërtetë e madhe. Sigurisht që ballafaqohem me sfida të ndryshme. Fokusi im/ynë është që duke e ditur që ky profesion kërkon përkushtim dhe sfidë, ne duhet punuar maksimalisht pavarësisht problemeve të cilat mund të paraqiten gjatë rrugëtimit me qëllim të promovimit, zhvillimit të kulturës sonë në vende të ndryshme të Evropës. E përmenda më lartë, jeta e artistit në Kosovë është vërtetë e vështirë. Duhet punuar disa punë, disa projekte për të bërë një jetë solide. Mbi të gjitha rëndësi ka që shpirtësisht jeta e artistit është e pasur, me ide për të sjell dicka të bukur për shoqërinë tonë.

KultPlus: Ju keni arritur që të fitoni shumë çmime nëpër festivale të ndryshme nëpër Evropë dhe jo vetëm, a keni menduar se do ta arrini gjithe këtë sukses ndonjë ditë?

Memli Kelmendi: Me punë, sakrificë dhe përkushtim arrihet çdo gjë. Unë besoja në suksesin, puna sjell sukses. Nuk do të besoja që brenda një periudhe kaq të shkurtër do të prekim suksese të tilla sepse problemet me të cilat rrethohemi shpeshherë vështirësojnë rrugëtimin e suksesit, që nga procesi i vizave deri tek gjëra të tjera. Ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë. Kemi punuar vërtetë shumë, shumë, shumë! Pjesëmarrja e korit në festivale të ndryshme ka ndikuar vërtetë shumë (për të mirë), kemi mësuar shumë nga kjo përvojë përgjatë këtyre viteve, megjithatë ne ende jemi të rinj.

KultPlus: Kori “Siparantum”, po vazhdon që t’i sjell Kosovës çmime të ndryshme, a keni marrë mbështetje të mjaftueshme nga Qeveritë e Kosovës ndër vite?

Memli Kelmendi: Do të thoja që tani është më mirë se herave të tjera. Qasja ndaj korit është shumë më mirë, njerëzit kanë kuptuar rëndësinë e punës që ne bëjmë, në formë vullnetare. Kori Siparantum tashmë ka hyrë në rrjetin e koreve evropiane, botërore. Për të realizuar një projekt jashtë vendit, duke marrë parasysh që në korin tonë janë mbi 45 persona, atëherë vërtetë kjo kërkon fonde të mëdha. Falë përkrahjes institutionale dhe duke mos harruar sponzorëve dhe artdashësve, ne po arrijmë që ëndërrat tona t’i bëjmë realitet.

KultPlus: Cili është çmimi më i madh që e keni fituar të cilin ju e veçoni dhe nuk do ta harroni asnjëherë?

Memli Kelmendi: Ndonëse ne kemi dal të paret me pikët maksimale në festivalin “Zlatna Lipa Tuhlja” në Kroaci në mesin e 16 koreve pjesëmarrëse, së fundi në Europian Festival for Young People – EMJ në Neerpelt ne kemi fituar Kategoritë (vendin e parë) G dhe F (kategoria më e vështirë), për neve çmimi më emocional dhe më i rëndësishëm mbetet fitorja në kategorinë “Musica Contemporanea” në WORLD CHOIR GAMES 2021. Sigurisht, vet pjesëmarrja qe një rezultat i madh për ne, muzikën korale dhe shtetin tonë. Ishim tejet të lumtur që për herë të parë në historinë e muzikës korale ne arritëm të vendosim shtetin tonë përbrenda garës më të madhe korale në botë. Të gjithë e donim suksesin, kjo vërehej në fytyrën e secilit anëtarë të korit. Ne donim që vendit tonë t’i sjellim fitore, kështu ndodhi. Jam tejet i lumtur që puna jonë është vlerësuar shumë nga kritikë të shumtë të muzikës që ishin nga mbarë bota, kjo tregonte rëndësinë e punës që ne po bëjmë. Kemi punuar gjatë, e në fund ezultuam me suksese. Ne kemi hyrë në Top 1000 best choirs of the world të INTERKULTUR dhe akutalisht ne renditemi në pozitën 460. Vërtetë ky është një sukses tepër i madh për vendin tonë! Duhet cekur poashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së Korit Siparantum muajin e kaluar në sallën më të njohur me akustikën më të mirë në botë, Berlin Philharmonie e cila konsiderohet ëndërr e çdo artisti. Jemi tejet të lumtur që arritëm të prekim njëren prej skenave më të rëndësishme të muzikës, skenë në të cilën kanë kalaur artistët më të mëdhenj botërorë.

KultPlus: Në korin “Siparantum” ka anëtarë të shumtë dhe performancat e juaja gjithnjë sjellin dicka të re, e energji të madhe te publiku, sa është e veshtirë që të punosh me shumë njerëz dhe si e vlerëson suksesin e këtij kori?

Memli Kelmendi: Me formimin e korit Siparantum, ideja ishte që të bëjmë diçka më ndryshe, diçka që do të ngacmonte audiencën. Kjo ka funksionuar. Kori tashmë identifikohet me levizje koreografike, gjëra të papritura të cilat ndodhin gjatë përformancës. Muzika në fakt duhe të prek emocionin, nese këtë e arrijmë të bëjmë përmes tingullit atëherë mendoj që kemi arritur sukses. Programi ynë është laramani stilesh të ndryshme, ne duam që të gjithë të marrin dicka nga paraqitja jonë. Kështu në këtë formë ne aplikojmë edhe kur jemi në festivale garuese, ne tashmë kemi ndërtuar stilin tonë. Për korin kjo pjesë është vërtetë e lodhshme sepse fokusi nuk është vetëm vokali, por koristët këtë e bëjnë me shumë dashuri.

KultPlus: Tutje, përpos punës suaj si një dirigjent, ju jeni edhe profesor në universitetin AAB, si është të edukosh kolegët e tu të ardhshëm?

Memli Kelmendi: Ne u referohemi literaturave, hulumtimeve të ndryshme por gjithnjë ne diskutojmë dhe analizojmë edhe përvojat tona këtu. Puna me studentë është vërtetë impresionuese. Për mua është një përgjegjësi sepse profesioni i të qenurit dirigjent është vërtetë dicka komplekse, prandaj unë cdoherë mundohem maksimalisht që të bazohem në praktika të ndryshme me qëllim që studentët të përfitojnë prej këndvështirmeve të ndryshme. Sot kemi vërtetë gjenerata të mira, por ajo që unë insistoj është që atyre të ju japim shpresë dhe t’u tregojmë që sukseset kulminante mund të prekën edhe nga këtu, vetëm duhet punë!

KultPlus: A mendon se shkollat e muzikës po sjellin kuadro mjaftueshëm të kualifikuar në Kosovë?

Memli Kelmendi: Unë mendoj që shkollat e muzikës duhet të punojnë më shumë në zhvillimin e muzikës korale dhe vecanërisht krijimin e orkestrave dhe kuadrove të reja të cilat janë në nevojë. Çdo qytet potencialisht do të duhej të ketë një orkestër, asnjëherë nuk është vonë. Unë e di që në shkollat e muzikës punohet maksimalisht por mendoj që fokus kryesor do të ishte zhvillimi i kuadrove në nevojë, drejtime të reja të cilat janë në mungesë në vendin, e qytetin tonë.

KultPlus: Në fund, por jo nga rëndësia, cilat janë planet e tua të ardhshme që mund t’i ndash me lexuesit e KultPlus, çfarëdo qoftë edhe nga koncertet e radhes apo edhe karriera jote?

Memli Kelmendi: Me datën 18 qershor në Pejë ne kemi koncertin që shenon 5 vjetorin e themelimit të Korit Siparantum. Jemi duke punuar shumë dhe gjatë për këtë koncert. Pastaj, në fillim të muajit të ardhshem do të jemi në Prishtinë, në fillim të muajit korrik.

Dirigjentët janë profesionistë që nuk lavdërohen kurrë siç duhet për punën që bëjnë. Në hap me muzikantët, dirigjentët jo vetëm veprojnë si udhërrëfyes, por edhe zgjedhin punën që bëjnë këta të fundit. Lajmet si “Kori Siparantum nga Kosova merr çmimin e parë/kryesor” në festivale të ndryshme prej kohësh tradicionalisht janë bërë të pranishme muaj pas muaji e festival pas festivali nëpër portalet e vendit, e gjithë kjo falë punës dhe suksesit të madh që ky kor ka arritur dhe po arrin ndër vite. Në anën tjetër, promovimi i vlerave kulturore të Kosovës në skenat më të mëdha botërore, mbetet misioni kryesor i tyre. /KultPlus.com

Njohja reciproke Kosovë-Serbi, për herë të parë në rezolutën e PE-së

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi sot një rezolutë për Serbinë dhe një amendament i tij, i cili u përfshi në tekstin përfundimtar, përmend njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Është hera e parë që në një raport të Parlamentit Evropian për Serbinë përmendet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Është amandamenti 24 i rezolutës, i cili konfirmon mbështetjen evropiane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së dhe vlerëson punën e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Është e rëndësishme që autoritetet e Serbisë dhe Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me qendër në njohjen reciproke, e cila është kyçe për përparimin e të dy vendeve në rrugët e tyre evropiane dhe do të kontribuojë në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”, thuhet në amandamentin 24 të rezolutës.

Më pas u kërkohet të dyja palëve që të gjitha marrëveshjet e mëparshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të respektohen dhe të zbatohen plotësisht në mirëbesim dhe në kohën e duhur, duke përfshirë edhe atë që ka të bëjë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Çfarë është atdheu për ju?” – Përgjigjet e disa nxënësve shqiptarë

Doni të dini çfarë është atdheu për fëmijët tanë? Një mësues në një shkollë të Beratit pyeti nxënësit dhe përgjigjet e tyre i postoi në Facebook.

Kushtojini dy minuta kohë t’i lexoni dhe do shikoni se mes tyre ka sa optimizëm, krenari por dhe pesimizëm dhe dëshirë për të ikur drejt një vendi tjetër.

Pergjigjet nxënësve të mësuesit Namir Lapardhaja

“Çfare eshte atdheu per ju?” – pyeta sot nxenesit e mi.

Silvana: Atdheu eshte djepi i lindjes, shtepia e arritjes dhe varri i te vdekurit.

Ersjona: N.q.s do te kisha pasur fatin te lindja dhe te jetoja ne nje vend tjeter brenda apo jashte kufijve evropiane, atehere mund te thoja se atdheu eshte gjithçka, por, meqe kam pasur fatin e keq te lindja ne Shqiperi, atehere po them se atdheu per mua eshte nje cope toke ku jam detyruar te jetoj dhe te punoj fort per t’u larguar sa me shpejt prej tij.

Thanas: Atdheu eshte shtepia jone, identiteti yne. Ai na jep emrin shqiptar. Pavaresisht te mirave dhe te keqiave, atdheun ta duam dhe te kontribuojme sado pak me punen tone. Çdo gje e mire eshte kontribut ndaj vendit ku jetojme.

Pa emer: Atdheu per mua eshte t’i hipesh kamjoneve per ne Angli ose maleve per ne Greqi. (P:S – Me pak fjale, vertet eshte atdheu vendi ku kemi lindur, por nuk eshte vendi ku do jetoja)

Renato: Atdheu eshte per mua vendi i cili fatkeqesisht na e ka dhuruar Zoti por jemi te detyruar dhe me nje fare menyre kemi nje deshire te brendshme per te kur luan kombetarja (Nuk jam ironik!)

Ilva: Per mua atdheu eshte vendi ne te cilin veshtiresi te ndryshme na detyrojne te jetojme.

Megi: Atdheu eshte toka ku ne kemi lindur, ku flasim te njejten gjuhe dhe vendi ku nuk duam te jetojme.

Anxhelina: Atdheu im per mua eshte vendi qe nuk dua te nderroj me asnje tjeter. Pasi nuk ke per te gjetur asnje si vendi yt.

Pa emer: Vendi me i mallkuar per ne.

Pa emer: Atdheu eshte vendi ku ne lindim, jetojme dhe vdesim.

Pa emer: Atdheu eshte origjina jone.

Andrea: Atdheu eshte gjeja me e shtrenjte qe une kam.

Vasil: Atdheu yne eshte vendi ku askush nuk do te donte te jetonte. Thjesht mjerim.

Olgert: Atdheu eshte nje cope toke ku te gjithe perreth flasin gjuhen qe flet ti.

Komenteve poshtë postimit të tij mësuesi u përgjigj

“Ka pasur shume reagime sot per kete postim. Ne gjykimin tim te gjitha pergjigjet e nxenesve nga fillimi ne fund kane qene, mbi te gjitha, inteligjente dhe te zgjuara. Pavaresisht se çdokush i ka lexuar dhe ka marre prej tyre vetem ate pjese qe i ka interesuar. Qellimi ka qene per te treguar se pikerisht kjo moshe, edhe pse ndonjehere nuk e kuptojme aftesine e tyre perceptuese, eshte e afte ta lexoje drejt realitetin e atdheut. Pyetja ka qene shume spontane, po ashtu edhe pergjigjet. Gjithçka eshte bere ne harkun e pak minutave dhe, pasi jam entuziazmuar nga pergjigjet e tyre, vendosa t’i publikoja. Personalisht nuk hyj te ata mesues qe i detyroj nxenesit te mendojne ne nje menyre ose ne nje tjeter. Perkundrazi, mendimi i tyre eshte shume i vlefshem dhe i vyer, aq më teper kur kemi te bejme me nxenes te tillw inteligjente. Sot nuk u kam thene se cka eshte atdheu per mua. Kam marre pwrgjigjet e tyre dhe kaq.
Neser po… Ndofta do t’u zbuloje nje pjese nga atdheu…im/ KultPlus.com

Autorizimi i Mid’hat Frashërit për Dhimitër Fallon, Greqia të kërkojë Kosovën për Shqipërinë

Historiani Kastriot Dervishi në një shkrim pati publikuar një dokument të vitit 1944, të Luftës së Dytë Botërore.

Dervishi shkruan se ky dokument i është marrë pas vdekjes Dhimitër Fallos, letër e cila tregon se Balli Kombëtar kishte shkëmbyer informacione me qeverinë Greke.

“Dokumenti që kihet parasysh, por nuk lexohet është ai që iu gjet Fallos pas vrasjes, i datës 10.5.1944. Po Mid’hat Frashëri ka lëshuar një autorizimit të posaçëm për Fallon të datës 11.5.1944, në të cilën thuhet se mund të nënshkruante në emër të Ballit Kombëtar në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar. Në asnjë pikë të letrës drejtuar Fallos nuk del që Shqipëria të jetë trajtuar “provincë”, apo të humbë sovranitetin e saj. Në asnjë pikë nuk është hequr dorë nga Kosova, por është parashikuar që Greqia do merrte detyrimin për të mbështetur këto pretendime të Shqipërisë.

Mid’hat Frashëri nuk ka qenë personi kryesor nga grupi që po bisedohej. Madje ai nuk ishte as në dijeni të faktit se Kostaq (Koço) Kotta nuk përfaqësonte asnjë palë në bisedime, por ishte si privat e dëgjues. Po ashtu është si përfaqësues i Kosovës, Selman Riza, Xhavit Leskoviku (personi kryesor i qeverisë shqiptare) dhe Koço Tasi (që do ishte delegati tjetër i Ballit Kombëtar). Kryenogociatori Xhavit Leskoviku e ka sqaruar mirë gjithë historinë e bisedimeve në gjyqin special në mënyrë publike (në vijim më shumë info për të)”, shkruan ndër të tjera Dervishi.

Më tej Dervishi polemizon dhe me historianin Pëllumb Xhufi, ku shkruan se “Ndryshe nga ç’thotë z.Xhufi, Mid’hat Frashëri ka synuar që të bëjë palën greke për të luftuar në konferencën e paqes në mënyrë që Kosova dhe viset e tjera t’i bashkoheshin Shqipërisë. Kjo sepse kufijtë nuk caktohen nga marrëveshje partish, por në konferenca të rangut ndërkombëtar me pjesëmarrjen e fuqive”./ KultPlus.com

Kosova me shumë mungesa synon fitoren ndaj Greqisë

Kosova do të luajë sot ndeshjen e radhës me fillim nga ora 20:45 në kuadër të “Ligës së Kombeve”, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe, “Dardanët” do të udhëtojnë për në Athinë që të përballen me Greqinë dhe synimi i tyre i vetëm është fitorja.

Kosova humbi në Prishtinë ndaj Greqisë me rezultat minimal 1-0, me ç ‘rast edhe u kritikua për lojën e saj, ndërkohë më pas fitoi 3-2 ndaj Irlandës së Veriut.

Me një fitore eventuale, Kosova do të barazohej me pikë me Greqinë për të vazhduar më pas rrugëtimin drejt “play-off” të Evropianit.

Përzgjedhësi i Kosovës Alain Giresse ka probleme të mëdha për këtë sfidë pasi ka shumë mungesa me lojtarë të lënduar dhe kartona, e pritet që të ketë ndryshime në formacionin titullar.

Bëhet fjalë për Edon Zhegrovën dhe Benjamin Kolollin të dëmtuar, ndërsa Lirim Kastratin, Ibrahim Dresevicin dhe Betim Fazlijin nuk do të jenë në fushë shkaku i kartonëve. /KultPlus.com

Deputetja gjermane: Reagimi i Vuçiqit për njohjen e Kosovës është skandaloz, ai na ka mashtruar

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka nisur sot vizitat zyrtare në Ballkanin Perëndimor, ku pas Kosovës, ka vizituar edhe Serbinë.

Pas takimit të tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të dy bashkë dolën në një konferencë për media. Gjatë kësaj konference të dy palët folën mbi bisedën e tyre për situatën politike në Evropë, me theks të veçantë në Ukrainë.

“Ne folëm për situatën e përgjithshme politike në Evropë dhe në botë dhe ai haptazi dhe fuqishëm kërkoi që ne t’i bashkohemi sanksioneve”, tha Vuçiq.

Ai gjithashtu tha se ishte i habitur që Scholz i kërkoi njohje të ndërsjellë të pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar qe një gjë e tillë nuk është kërkuar asnjëherë nga akterët e BE-së.

Lidhur me këtë ka reaguar deputetja e Bundestagut gjerman, Renata Alt.

Ajo e ka quajtur skandal reagimin e Vuçiqit, teksa ka bërë thirrje që të ndërprehen bisedimet e BE-së me Serbinë, nën arsyetimin se Vuçiq po i mashtron të gjithë.

“Reagimi i Presidentit të Serbisë gjatë konferencës për media mbi kërkesën për njohjen e Kosovës është skandaloz. Negociatat e anëtarësimit me BE-në duhet të ngrihen! Vuçiq na ka mashtruar për një kohë të gjatë” shkroi ajo në Twitter.

Presidenti serb tashmë ka bërë me dije që qëllimet e tij në dialogun Kosovë-Serbi nuk përfshijnë njohje të pavarësisë së Kosovë./Front Online/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis: Kosova dhe Greqia intensifikojnë raportet bilaterale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani -Sadriu, është pritur sot në takim nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP).

Në takim me nikoqirin e Samitit të SEECP-sw, kryeministrin Mitsotakis, Presidentja Osmani ka vlerësuar ngritjen e vazhdueshme të raporteve në mes të Kosovës dhe Greqisë dhe takimet e shtuara në mes liderëve të dy vendeve tona. “Ekonomia, tregtia e turizmi janë disa nga fushat më të rëndësishme në fokus të bashkëpunimit kosovaro-grek, për të cilat si krerë shtetëror po punojmë bashkërisht që t’i avancojmë, për t’i përafruar edhe më shumë dy popujt tanë dhe bizneset tona”, ka thënë Presidentja Osmani, duke përmendur gatishmërinë e Kosovës që t’i thellojë tutje marrëdhëniet me Greqinë.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Mitsotakis kanë biseduar edhe për luftën ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, dhe nevojën që demokracitë të qëndrojnë të bashkuara karshi sfidimit të vlerave euro-atlantike. Presidentja Osmani ka nënvizuar nevojën për vëmendje të partnerëve euro-atlantik për rajonin tonë, sidomos ndaj veprimeve që kanë për qëllim të destabilizojnë stabilitetin dhe paqen e fituar me mund në rajonin tonë./ KultPlus.com

Vuçiq: Askush i BE s’ka thënë që njohja e Kosovës është qëllimi i dialogut, por kjo po ndryshon

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk kemi dëgjuar asnjëherë nga vendet e Bashkimit Evropian që njohja reciproke të kërkohet si qëllim i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, por se e kupton që edhe kjo po ndryshon.

“Askush nuk ka folur ndonjëherë për njohje reciproke, përveç amerikanëve që e miratuan atë doktrinë saktësisht tre vjet më parë”, tha Vuçiq pas takimit në Beograd me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Scholz ka nisur më 10 qershor turneun e tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke vizituar fillimisht Kosovën, ku tha se një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës.

Vuçiq tha se gjërat po ndryshojnë në përputhje me atë që po ndodh “në disa pjesë të tjera të Evropës”.

“Nëse mendoni se duhet të na kërcënoni sepse ne po përpiqemi të ruajmë rendin e Kombeve të Bashkuara ose sepse duam të arrijmë një zgjidhje kompromisi, ne nuk kemi asgjë kundër”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se Serbia asnjëherë nuk ka refuzuar apo hequr dorë nga dialogu dhe se është e gatshme të diskutojë zgjidhje kompromisi.

“Mos u zemëroni që qëndrimi ynë ndaj Kosovës është i ndryshëm nga i juaji. Aq sa ju e doni integritetin territorial të Ukrainës, serbët e duan integritetin territorial të Serbisë”, tha Vuçiq.

Ndërkaq, kancelari gjerman, Olaf Scholz, theksoi në Beograd se qëndrimi i Gjermanisë për çështjen e Kosovës është i qartë dhe i njohur prej vitesh dhe shtoi se tani është e nevojshme që “të gjithë në proces të bëjnë përpjekje për të bërë përparim”.

“Shpresoj se do të marrim një raport për këtë progres. Hap pas hapi, të dyja palët duhet të kontribuojnë në të dhe janë përgjegjëse për të mos bllokuar asgjë, për të mos shtyrë takimet dhe për të bërë një sërë hapash të vegjël që do të çojnë në qëllimin përfundimtar”, tha ai./REL/

Gazeta gjermane thotë se për Kosovën është shumë i rëndësishëm fakti që Scholz e nisi udhëtimin fillimisht në Prishtinë

Olaf Scholz ka udhëtuar drejt Kosovës dhe Serbisë, ku më pas do të vizitojë edhe Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Konfliktet janë të shumëfishta, pritshmëritë e kancelarit federal gjerman janë të larta, ndoshta shumë të mëdha.

Gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine, shkruan se fakti që Scholz e nis udhëtimin në Prishtinë dhe vetëm më pas udhëton për në Beograd, është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock bëri të njëjtën gjë: fillimisht Prishtina, pastaj Beogradi.

Sa i përket liberalizimit të vizave, në Kosovë ka shpresë se pas zgjedhjeve parlamentare në Francë më në fund do të ketë një përparim dhe kosovarët do të lejohen të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së nga viti 2023. Vendi ka vite që plotëson kërkesat teknike, por është i bllokuar për arsye politike. Për Kosovën dhe qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, heqja e vizave do të ishte një sukses i madh, thuhet tutje nga gazeta në fjalë.

“Megjithatë, planet e tjera kosovare kanë pak shanse për sukses. Kjo vlen për aspiratat e Kosovës për t’u përfshirë në programin parahyrës në NATO “Partneriteti për Paqe” dhe aq më tepër për spekulimet për paraqitjen e një aplikacioni për anëtarësim në BE të Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë, sipas shembullit të Ukrainës”, përfundon shkrimi i Frankfurter Allgemeine. /KultPlus.com

Unë, biri yt Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura, 
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, 
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet, 
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji, 
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta, 
e të shpërthejë do si vullkan, 
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë, 
Unë, biri yt. / KultPlus.com

Kosova dhe Greqia në gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në arsim, kulturë e sport

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci u takuan me ministrin e jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, shkruan KultPlus.

Bashkë zhvilluan një diskutim konstruktiv për fushën e arsimit, rinisë, kulturës e sportit, duke parë mundësinë rreth thellimit të bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojave në mes të dy vendeve, bëhet e ditur nga MKRS.

Në fund të takimit u theksua gatishmëria për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë. / KultPlus.com

Kurti: Marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë po afrohen çdo ditë e më shumë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shtruar darkë për ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë darkës diskutuan për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve të cilat, siç tha kryeministri, po zhvillohen gjithnjë e më shumë. Kjo është dëshmi edhe e njohjes së vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe të demokracisë, shtoi ai.

Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti rikujtoi që 22 vende të Bashkimit Evropian dhe 26 vende të NATO-s, tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri rikonfirmoi përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe theksoi nevojën për mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Ministri i jashtëm grek, Dendias, tha se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane dhe se Greqia është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes ndaj rajonit. Ai shtoi se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Theks të veçantë gjatë bisedës pati agresioni dhe invazioni rus në Ukrainë dhe ndikimi që mund të ketë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. /KultPlus.com

Futbolli kosovar u rrit falë yllit që nuk shuhet kurrë, Fadil Vokrrit

Përktheu: Uranik Emini (8 shtator 2021)

Gazeta spanjolle “El Pais” ka shkruar një artikull të gjatë për futbollin kosovar, duke vënë në fokus legjendën Fadil Vokrri.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të El Pais:

Ëndrra e Fadil Vokrrit

Futbolli kosovar u rrit falë figurës së sulmuesit të tyre historik

Në mesin e viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, sulmuesi Fadil Vokrri (Podujevë; 1960-2018) u nominua si lojtari më i mirë i ish-Jugosllavisë. Vdiq në moshën 57-vjeçare, viktimë e një sulmi në zemër, stadiumi kombëtar i Prishtinës, mban emrin e tij.

Është e pamundur të ndash futbollin në Kosovë nga figura e asaj që quhej Maradona shqiptar i Kosovës. Në pension, si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, në vitin 2016 ai arriti ta bëjë Kosovën të njihet nga FIFA dhe UEFA dhe kësisoj tani edhe mund të merrte pjesë në garat ndërkombëtare. “Pas ditës së shpalljes së pavarësisë, ai ka qenë momenti më i rëndësishëm për vendin tonë të ri. Babai im punoi shumë për të. Futbolli ishte jeta e tij dhe ai donte të promovonte vendin përmes lojërave, të bënte një projekt për të rinjtë në mënyrë që ata të shpëtonin familjet e tyre”, thotë djali i tij, Gramoz Vokrri.

Babai i tij është një simbol kombëtar, akoma protagonist i përditshëm i bisedave familjare në të cilat brezat që e panë atë të luante me numrin nëntë të Prishtinës u thonë më të vegjëlve se çdo të diel ai i bëri ata të harrojnë vështirësitë që kanë kaluar, përfshirë urinë. “Për një skuadër si Spanja, me të gjithë yjet e saj, të luash në stadiumin tonë është një ëndërr që i bën të gjithë kosovarët të lumtur,” vazhdon Gramozi.

Si futbollist, ndër bëmat që Vokrri udhëhoqi me Prishtinën është një fitore në Maracanën e vogël në Beograd kundër Yllit të Kuq (Zvezdës). Një arritje në atë kohë për futbollin kosovar. “Mendoj se njerëzit e adhuronin babanë tim sepse në stadium ishte i vetmi vend ku ata mund të ndiheshin shqiptarë. Ishte diçka më shumë se futbolli që e bëri atë të donte njerëzit, “thotë djali i tij. Para dhe gjatë konfliktit me Serbinë, futbolli ishte simbol i rezistencës për popullatën kosovare. Autoritetet serbe po bënin çmos për të parandaluar që kosovarët ta praktikonin atë. Një lojë në rrugë ose në një stadium klandestin ishte një mënyrë për të rebeluar dhe përforcuar ndjenjat kombëtare.

Pranë derës kryesore të hyrjes në stadium ka një statujë që nderon figurën e idhullit kosovar. Ajo u përurua më 23 korrik, data e ditëlindjes së Vokrrit, me nderime shtetërore. Kryeministri, Albin Kurti, në fjalën e tij shpjegoi pozën që zgjodhi skulptori për të përshkruar futbollin e Vokrrit, trungun e përkulur, kokën e lartë dhe topin të ngjitur në këmbën e djathtë. “Ai ishte krenaria e gjithë Kosovës dhe kur gjërat ishin shumë të vështira në aspekte të tjera, Fadili u shpall futbollisti më i mirë në ish-Jugosllavi. Kjo statujë përfaqëson momentin kur Fadil Vokrri merr topin para se të hyjë në zonë duke shikuar këmbët e lojtarëve kundërshtarë që do të driblojnë, dhe ka shumë të ngjarë, sa herë që ai shënonte dhe hynte ose shënonte një gol ose kishte një penallti ”, tha Kurti.

Më e fortë se politika

I rekrutuar nga Partizani i Beogradit, me të cilin fitoi një ligë, Vokrri u mbyll 12 herë nga ish -Jugosllavia. Ai ishte pjesë e Hadzibegicit ekbetik dhe të shquar të tjerë si Srecko Katanec dhe vëllezërit Vujovic të brezit para atij të Prosinecki, Boban dhe Savicevic. “Kur u zgjodh ai tregoi se futbolli është më i fuqishëm se politika ose çështjet etnike,” thotë i biri i tij. Besimi në Kosovë është se Vokrri nuk ishte zgjedhur më nga ish Jugosllavia për të qenë kosovar.

Fama e Vokrrit kaloi kufijtë dhe e çoi fillimisht në Fenerbahçen turke, dhe më pas në Nimes në Francë. “Babai im ishte i impresionuar nga tifozët turq, por edhe se nuk kishte probleme për të luajtur futbollistët e të gjitha kombësive dhe kulturave,” vazhdon Gramoz Vokrri. Juventusi gjithashtu e vuri re atë, por transferimi nuk mund të finalizohej.

“Ëndrra e Fadilit”

I pensionuar në Francë, pas luftës mes Kosovës dhe Serbisë , Vokrri u kthye në Prishtinë. “Ai u kthye për të punuar për të rinjtë, ai është krenar për atë që bëri, por tani ne duhet të krijojmë më shumë idhuj. E ardhmja është shumë e rëndësishme për ne. Unë mendoj se kur rezultatet nuk janë të mira, lojtarët tanë më të rinj preferojnë të luajnë për Zvicrën ose Gjermaninë ”, përfundon djali i një futbollisti i cili sonte do të kishte realizuar ëndrrën e tij të madhe, për të parë Kosovën të konkurronte kundër njërës prej skuadrave të mëdha evropiane.

“Futbolli kosovar u rrit falë figurës së sulmuesit të tij historik, Fadil Vokrri”, shkroi El Pais. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti në Oxford: Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa Serbinë

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Oksford Union:

Të nderuar anëtarë të Oxford Union,

Të dashur anëtarë dhe mysafirë të komunitetit të nderuar akademik të Oxfordit,
Zonja dhe zotërinj,

Është e vështirë të hysh në këtë dhomë debati dhe të mos e ndjesh peshën e historisë. Përgjatë viteve, Oxford Union është shfaqur si një ndër sheshet më të rëndësishme në botë. Duke marrë parasysh historinë e vjetër me shekuj dhe prestigjin e tij, kështu duhet të jetë. Në botën tonë të sferave të fragmentuara publike dhe eko dhomave virtuale, forumet globale publike si ky janë më të rëndësishëm se kurrë. Duke e mbrojtur dhe duke u përkujdesur për këtë institucion, ju po na bëni shërbim të gjithë neve. Prandaj, faleminderit që po mbani të gjallë traditën tuaj të respektuar, dhe faleminderit që më ftuat të jem sot këtu me ju. Jam shumë i nderuar me ftesën tuaj.

Jam ftuar t’ju flas këtu si politikan i së majtës demokratike dhe si kryeministër i Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në Evropë. Secili nga këto identitete, kur merret në konsideratë ndaras, sjellë shumë sfida të veta. Të jesh sot lider i majtë kudo në botë, qoftë edhe në vendet e mirë etabluara dhe të pasura është mjaftueshëm e vështirë. Për më tepër, të jesh Kryeministër kosovar, pa marrë parasysh bindjet etike politike të dikujt, nuk është as punë e lehtë. Dikush mund ta imagjinojë se çfarë ndodhë kur kombinohen këto dy identitete, siç ndodhin rëndom në personalitetin tim: vështirësitë shtohen mjaft shpejtë. Këtu dua të përqendrohem në dy sfida kyçe me të cilat përballet një agjendë socialdemokrate transformuese në një vend si Kosova – e para, ambient i armiqësuar gjeopolitik dhe e dyta, kapacitete të brishta shtetërore. Do t’i them disa fjalë mbi natyrën e këtyre dy sfidave dhe të diskutoj shkurt sesi partia jonë politike (Lëvizja Vetëvendosje) është marrë me to në të kaluarën, dhe se si qeveria ime po përpiqet t’i adresojë sot ato. Mund të jenë disa mësime më të përgjithshme për të majtën demokratike në përgjithësi, posaçërisht në këto kohë të trazuara të përhapjes së gjerë të prapakthimit demokratik dhe që nga 24 shkurti i këtij viti, rikthimi i luftës në kontinentin tonë.

Ballkani është i njohur figurativisht si fuqi baruti e Evropës. Një thënie e njohur që shpesh i atribuohet një prej kryeministrave më emblematikë, Sir Winston Churchill, thotë që Ballkani prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë. Padyshim, një koment i tillë nuk është pa dozën e rëndë të supremacisë kulturore eurocentrike. Siç dihet mirë, Ballkani tradicionalisht ka shërbyer si Orient i brendshëm i Evropës – një gadishull në periferinë juglindore të kontinentit, i banuar nga popuj gjysmë barbarë, me tradita të çuditshme dhe të prapambetura, të prirë për konflikte të paarsyeshme etnike. Për më tepër, paraqitja e Ballkanit si fuqi baruti e Evropës, tenton të lë në hije një fakt tjetër kyç, që kjo lloj fuqie rrallëherë ishte vetëm për fajin tonë. Fuqitë e mëdha të Evropës rrallëherë kanë qenë soditës të pafajshëm në çështjet e Ballkanit.

Sido që të jetë, thelbi i së vërtetës që përmban thënia e Churchillit është se gjeopolitika priret të jetë brutale në pjesën tonë të botës. Për pjesën më të madhe të historisë së tij, Ballkani ka qenë në udhëkryqin e vijave të betejës gjeopolitike, një lloj kufiri ku perandoritë perëndimore dhe lindore janë përplasur ashpër me njëra-tjetrën. Në historinë moderne, një brutalitet i tillë është ndjerë veçanërisht në kurrizin e shqiptarëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve të Kosovës në veçanti. Për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë, fati që e priste një aktivist shqiptar të Kosovës që kërkonte të drejta civile dhe politike për popullin e tij ishte ose vrasja ose burgimi i përjetshëm. Megjithëse shqiptarët përbënin vetëm rreth 13 për qind të popullsisë së Jugosllavisë, ata përfaqësonin 80 për qind të të burgosurve politikë të saj – Adem Demaçi, një nga të burgosurit politikë më të famshëm në Evropë dhe më gjerë, kaloi 28 vjet në burg. Këto fakte do të duhej t’i bënin të mendojnë dy herë shumë anëtarë të shquar të së majtës ndërkombëtare, të cilët edhe sot e kësaj dite e shohin Jugosllavinë komuniste si një parajsë idilike socialiste, ose siç e shprehin disa prej tyre në një letër drejtuar Titos në 1974, “një anëtar i respektuar i familjes së kombeve progresive/përparimtare dhe paqedashëse.”

Një mjedis gjeopolitik armiqësor priret të shkaktojë një dëm të rëndë në imagjinatën politike progresive. Zërat e majtë (progresivë) serb që bëjnë thirrje për njohjen e së drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar kanë qenë tradicionalisht si zëra që nuk dëgjohen. Socialdemokrati i fillimit të shekullit të njëzetë, Dimitrije Tucović, dënoi politikat imperialiste të Serbisë ndaj popullit shqiptar dhe i bëri thirrje Beogradit që të njohë të drejtën e tyre për vetëvendosje. Edhe pse mjaft margjinalë në politikën serbe, zërat social-demokratë si ai i Tucović-it, apo ato liberale progresive si ai i Milan Piroćanac-it të arsimuar nga perëndimi (shek. 19), kanë qenë vërtet shumë të çmuar. Fatkeqësisht, sot ata praktikisht nuk kanë trashëgimtarë politikë në skenën politike të Serbisë. Megjithatë, derisa politikanë të tillë të bëhen më të shumtë dhe me ndikim në jetën politike serbe, është e vështirë të shihet se si mund të ketë një paqe të drejtë dhe afatgjatë midis dy vendeve tona. Presidenti aktual i Serbisë refuzon të pranojë se masakra e Reçakut (15 janar 1999) ka ndodhur ndonjëherë, e lëre më të kërkojë falje për të. Për më tepër, ai nuk po pranon as të nënshkruajë një pakt mossulmimi midis dy vendeve tona, diçka që ia propozova një vit më parë si hap të parë drejt ndërtimit të mirëbesimit.

Ndërsa një ndryshim progresiv në politikën serbe është diçka që vetëm populli serb mund ta sjellë, ka mënyra se si mund ta ndihmojmë atë nga jashtë. Si kryeministër i Kosovës, unë mund ta ndihmoj një ndryshim të tillë duke dëshmuar se republika jonë mund të lulëzojë pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë. Kjo është arsyeja pse qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të.

Në anën tjetër, vendet perëndimore duhet të bëjnë gjithashtu pjesën e tyre për të ndihmuar forcat social- dhe liberal-demokratike në politikën dhe shoqërinë civile serbe. Në këtë aspekt, më duket se në dekadat e fundit strategjia perëndimore ka qenë disi e gabuar. Megjithëse mbështetja perëndimore që ndihmoi në rrëzimin e Millosheviçit në tetor të vitit 2000, me të drejtë përshëndetet si një histori suksesi, nga këndvështrimi i strategjisë afatgjatë perëndimore, ajo ka qenë më shumë një mallkim sesa një bekim. Kjo për shkak se ka inkurajuar aleatët perëndimorë të forcave progresive serbe që të përqendrojnë ndihmën e tyre në nisma afatshkurtra dhe të bazuara në projekte. Unë besoj se kjo perspektivë afatshkurtër duhet të braktiset në favor të një qasjeje më të qëndrueshme dhe afatgjatë të përqendruar te vlerat dhe jo te projektet.

Kur themeluam “Lëvizjen VETËVENDOSJE!” në qershor të vitit 2005, Kosova ishte ende një territor gjoja i padefinuar i drejtuar në pjesën më të madhe nga një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse , i ashtuquajturi Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (i njohur ndryshe si UNMIK). Them “në pjesën më të madhe” për një arsye të fortë : pjesa më veriore e territorit drejtohej ilegalisht nga strukturat paralele të Serbisë. Pas përfundimit të luftës, ato struktura kishin mbajtur kontrollin e tyre në skajin verior të vendit falë spastrimit brutal etnik të shqiptarëve dhe disa joserbëve të tjerë nga qyteti i Mitrovicës dhe rrethinat e tij. Në këtë kontekst, bashkësia ndërkombëtare po i thoshte popullit të Kosovës se për të fituar të drejtën e tyre për një zgjidhje përfundimtare të statusit të tyre politik, ata fillimisht duhej të përmbushin disa standarde. Ashtu si zotërinjtë kolonialë të dikurshëm, ata na thoshin se nuk ishim ende të pjekur për liri. Kjo qasje ndërkombëtare u shpreh formularisht si “standarde para statusit”. Përveç kësaj, ata do të na thoshin se statusi final politik i vendit tonë duhej të negociohej me Serbinë, një shtet me histori të dëshmuar të krimeve të tmerrshme kundër shqiptarëve të Kosovës, dhe një shtet kundër të cilit së fundmi kishim bërë një luftë të drejtë çlirimtare.

Në këto rrethana mbizotëruese, themelimi i një lëvizjeje në bazë social-demokratike dhe anti-koloniale ishte, për të folur me Eqbal Ahmadin, “si mbjellja e farave gjatë një stuhie”; siç ka thënë ai, “herë pas here, ato japin rendiment; shpeshherë nuk japin.” Artikulimi i një kritike social-demokratike dhe antikoloniale të status quo-së kosovare të asaj kohe na vuri përballë tre aktorëve dhe interesave të fuqishëm njëherësh: para së gjithash, një imperializëm serb të papenduar me qendër në Beograd e që ende ushqen synime gjenocidale kundër nesh; së dyti, një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse që drejtonte Kosovën në një mënyrë neo-koloniale; dhe së treti, një klasë politike miope (dhe shpeshherë) të korruptuar kosovare në Prishtinë, qëllimi kryesor i së cilës ishte mbijetesa e saj politike përmes marrëveshjeve të dëmshme me këto dy qendra de facto të pushtetit. Pozicioni i Serbisë në negociatat për statusin final të Kosovës ishte i përmbledhur në formulën “diçka më shumë se autonomi por më pak se pavarësi”. Nga ana tjetër, formula e elitës politike kosovare për statusin final ishte “definitivisht më shumë se autonomi dhe asgjë më pak se pavarësi”. Përballë këtyre dy formulave kundërshtuese, zgjidhje kompromisi e bashkësisë ndërkombëtare po shkonte në drejtimin e “pavarësisë së mbikëqyrur me autonomi shumë të reduktuar”. Të tre formulave ne iu kundërvyem me frazën tonë, që ishte, “jo negociata, vetëvendosje!” Me fjalë të tjera, ne kërkuam që populli i Kosovës të vendosë për fatin e vet politik përmes mekanizmit demokratik të referendumit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, të tre palët negociuese ishin të bashkuara në refuzimin e kësaj zgjidhjeje. Perspektiva politike e hapur nga ndërhyrja jonë kritike zbuloi mosmarrëveshjet e tyre për atë që ishin: të vogla në rastin më të mirë, të rreme në rastin më të keq.

Ndërhyrja jonë kritike në realitetin politik kosovar të asaj kohe mund të konsiderohet si populiste. Në të vërtetë, kjo etiketë na u vu shpesh në mënyrë pezhorative nga kundërshtarët politikë dhe komentuesit e medias. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se edhe tipari ynë populist ishte një tipar demokratik dhe gjithëpërfshirës, jo ekskluziv i bazuar në gjak dhe tokë. Që në fillim e kemi bërë të qartë se lufta jonë nuk ka qenë e drejtuar kundër serbëve të Kosovës apo ndaj ndonjë pakice tjetër për këtë çështje. Përkundrazi, ne kemi theksuar shpesh se Kosova është e të gjithë atyre që e konsiderojnë si vendlindjen e tyre, pavarësisht nga përkatësia etnike. Në dokumentet dhe shkrimet tona, ne mbrojtëm të drejtën e kthimit të serbëve të Kosovës – të gjithë atyre që nuk kishin kryer krime lufte ose që nuk kishin shërbyer dhe përfituar nga regjimi i Serbisë. Për më tepër, ne gjithmonë do të nënvizonim të përbashkëtat që ndajnë shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës. Për shembull, ne do të theksonim se si bashkëqytetarë ata përballen me probleme sociale shumë të ngjashme: varfëria, papunësia, mungesa e qasjes në kujdes shëndetësor dhe arsim cilësor e kështu me radhë. Probleme të tilla të përbashkëta sociale janë shumë më të rëndësishme se identitetet e tyre të ndryshme etnike. Serbët e Kosovës që duan të jetojnë në paqe dhe prosperitet me bashkëqytetarët shqiptarë e kanë vlerësuar gjithmonë këtë te lëvizja jonë politike. Ata e kuptuan herët se nacionalizmi i perceptuar i lëvizjes sonë ishte i drejtuar kundër projektit kolonialist të Serbisë, jo kundër serbëve të Kosovës. Prandaj sot më trajtojnë si kryeministër të tyre. Marr rregullisht letra dhe peticione prej tyre dhe ata takohen me mua për të diskutuar nevojat dhe interesat e tyre si anëtarë të shoqërisë sonë. Vlen të nënvizohet se ata e bëjnë këtë pavarësisht kërcënimeve shumë serioze që marrin nga Beogradi.

Mendoj se këtu ka një mësim më të gjerë për progresistët. Sot populizmi është kthyer në një term abuzimi, por duhet të kujtojmë se një lloj populizmi është i qenësishëm në vetë idenë e demokracisë. Parimi më themelor i demokracisë përfaqësuese moderne, domethënë, “një person, një votë”, ka karakter populist. Deklarata e famshme e Abraham Lincoln “Qeveria e popullit, nga populli, për popullin” është gjithashtu populiste. Në të njëjtin kuptim, fraza që të mbetet në mendje e lëvizjes sonë “jo negociata, vetëvendosje!” mund të shihej edhe si populiste. Por ky është lloji i populizmit që ne demokratët nuk duhet ta braktisim kurrë. Përndryshe, ne rrezikojmë të tjetërsojmë njerëzit dhe autoritarët e krahut të djathtë janë shumë të lumtur të ndërhyjnë si zëdhënësit e tyre. Me fjalë të tjera, në vend që të shkojmë në ekstrem, duhet të insistojmë në një dallim kritik midis populizmit progresiv, gjithëpërfshirës, nga njëra anë, dhe populizmit ekskluziv, të gjakut dhe tokës, nga ana tjetër. Populizmi ynë gjithëpërfshirës duhet të afirmojë të drejtën e popullit për vetëqeverisje duke hedhur poshtë konceptin e popullit si një totalitet organik i bashkuar nga lidhjet e gjakut. Tërësisë organike të populistëve të djathtë, ne duhet t’i kundërvëmë analizën klasore. Vetëm analiza klasore mund të ekspozojë karakterin iluzor të të gjitha pretendimeve ndaj totalitetit organik. Për më tepër, vetëm analiza klasore mund të zbulojë se sa të përbashkëta kanë, le të themi, një nënë beqare e papunë serbe në komunën veriore të Mitrovicës dhe një nënë beqare shqiptare e papunë në komunën jugore të Mitrovicës apo kudo tjetër në Kosovë.

Kam kandiduar për këtë detyrë me dy premtime kryesore: punësim dhe drejtësi. Që nga marrja e pushtetit/detyrës mbi një vit më parë, këto dy fusha politike kanë qenë në qendër të vëmendjes sime si Kryeministër. Përveçse duhet të shkojë kundër thelbit të dogmës neoliberale, në kontekstin kosovar një agjendë reformash social-demokratike përballet me disa sfida shumë specifike. Ato kanë të bëjnë kryesisht me burimet e kufizuara të një ekonomie në zhvillim dhe kapacitetet e kufizuara të një shteti të ri. Ne jemi një nga vendet më të varfra në Evropë. Vitet e aparteidit, luftës dhe keqmenaxhimit të burimeve tona ekonomike të pasluftës kanë lënë gjurmët e tyre të pagabueshme në ekonominë e vendit. Si rezultat, një program ambicioz social-demokratik i zhvillimit ekonomik i bazuar në paradigmën e shtetit zhvillimor duhet të fillojë me burime mjaft të pakta. Përveç kësaj, burokracia jonë shtetërore është e re dhe për këtë arsye pa përvojë. Falë praktikave të dobëta të rekrutimit të qeverive të mëparshme, ka goxha shumë paaftësi edhe në burokracinë tone gjithashtu. Sidoqoftë, ka mënyra për t’i zgjidhur këto probleme. Qeveria ime ka ndjekur disa strategji të ndryshme për t’i trajtuar ato. Këtu dua të përmend shkurtimisht vetëm njërën prej tyre, përkatësisht përfshirjen e komunitetit tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë.

Kosova ka një mërgatë të madhe dhe domethënëse në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara. Pa ndihmën e tyre, as rezistenca jonë paqësore dhe as lufta jonë e armatosur kundër regjimit të Millosheviqit nuk do të ishte e mundur. Që nga fundi i luftës, remitancat e tyre bujare kanë ndihmuar në lehtësimin e varfërisë. Duke vepruar kështu, ata na kanë ndihmuar të blejmë paqen e çmuar sociale. Megjithatë, remitancat janë një mjet mbijetese, jo një mjet zhvillimi ekonomik. Ajo që qeveria ime po përpiqet të bëjë është të mobilizojë komunitetin tonë në mërgatë si partner në zhvillimin e vendit tonë. Kjo do të thotë të përdorim burimet e tyre njerëzore si dhe kapitalin financiar. Ekspertiza e tyre mund të na ndihmojë të reformojmë burokracinë tonë, sistemet tona arsimore dhe të kujdesit shëndetësor dhe ekonominë tonë. Në vend që burimet e tyre financiare të shërbejnë thjesht si ndihmë humanitare, ne po përpiqemi të krijojmë mundësi për investimin e tyre në ndërmarrje fitimprurëse që do të krijonin vende pune për të rinjtë tanë. Ky partneritet për zhvillimin ekonomik po fillon dalëngadalë të formësohet. Për shembull, qeveria jonë tashmë ka filluar të shfrytëzojë ekspertizën e profesionistëve tanë të mërgatës për qëllime të hartimit të ligjeve dhe politikave themelore që na duhen për të filluar zbatimin e programit tonë ekonomik. Përveç kësaj, qeveria jonë tani është duke emetuar bono për diasporën tonë.

Bono të tilla na ndihmojnë të mbledhim fonde shtesë, duke ofruar gjithashtu një mundësi të sigurt investimi për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit. Sipas mendimit tim, ky ndryshim paradigmatik në marrëdhëniet midis vendit të origjinës dhe mërgatës – domethënë, nga ndihma humanitare në partneritet për zhvillim – është një ndryshim i madh për vendet në zhvillim që përballen me rrethana të ngjashme.

Edhe pse është shumë herët për të gjykuar efektet neto afatgjata të reformave të brendshme të qeverisë sime, treguesit e hershëm flasin mjaftueshëm në favorin tonë. Pavarësisht ndikimeve negative të pandemisë globale COVID-19, vitin e kaluar ekonomia jonë gëzoi një rritje dyshifrore prej 10.53% të PBB-së. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve në qeverinë tonë. Një besim i tillë përkthehet në konsum më të madh, investime më të mëdha dhe të ardhura më të mëdha tatimore. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur një rritje prej 22 për qind të investimeve të huaja direkte, ndërsa eksportet janë rritur 83 për qind. Pa bërë asnjë ndryshim në politikën fiskale, të ardhurat tona tatimore u rritën 34 për qind. Krahas performancës ekonomike, ka pasur edhe ndryshime pozitive në renditjen e vendit tonë në indekset me reputacion ndërkombëtar që ndjekin sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe transparencën. Për shembull, vitin e kaluar Projekti Botëror i Drejtësisë na renditi të parët në Ballkan në Indeksin e tij të Sundimit të Ligjit. Ne kemi përmirësuar renditjen tonë me 17 vende si në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit (të lëshuar nga Reporterët pa Kufij) dhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Me fjalë të tjera, progresi ynë ekonomik po ecën paralelisht me një proces të thellimit demokratik, edhe pse historia na mëson se nuk ka asnjë lidhje të nevojshme midis të dyjave. Për më tepër, sot të gjithë jemi dëshmitarë sesi problemet ekonomike po çojnë në prapakthimin e demokracisë edhe në pjesë të Perëndimit të zhvilluar. Në këto rrethana, përvoja e fundit e Kosovës ofron një shembull pozitiv për të kundërtën dhe një fije shprese shumë të nevojshme.

Jetojmë në kohë të rrezikshme. Në vitin 2020, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë përditësoi orën e tij të fundit të botës nga dy minuta në mesnatë në 100 sekonda në mesnatë – mesnata nënkupton një fatkeqësi përfundimtare për njerëzimin. Kjo është më afër mesnatës që ka qenë ndonjëherë që nga debutimi i saj në 1947. Në arsyetimin e tyre për përditësimin, grupi i shkencëtarëve dhe ekspertëve të njohur përmend mosbesimin në rritje dhe mungesën e bashkëpunimit në politikën ndërkombëtare si një faktor kyç që rrit rrezikun nga kërcënime ekzistenciale të tilla si ndryshimet klimatike dhe lufta bërthamore. Prapakthimi demokratik që po dëshmohet në mbarë botën po kontribuon shumë në një gjendje kaq të dhimbshme të politikës ndërkombëtare. Në këto rrethana kritike, mbrojtja e demokracisë merr një kuptim shumë më domethënës. Duke luftuar për ta mbrojtur atë, ne mbrojmë më shumë se një formë qeverisjeje: ne mbrojmë perspektivat për mbijetesë të denjë njerëzore. Prandaj, dëshpërimi nuk është diçka që mund ta përballojmë në këtë pikë. Udhëheqësit autoritarë të krahut të djathtë po bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin përtej kufijve ndërkombëtarë. Ne demokratët duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Baza morale është në anën tonë. Para se të bëhet tepër vonë, le të sigurohemi që ta kthejmë atë në një terren të lartë politik.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe mezi pres diskutimin tonë./ KultPlus.com

Greqia mposht Kosovën dhe merr pozitën e parë

Kosova është ndeshur me Greqinë në kuadër të ndeshjes së dytë në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, shkruan KultPlus.

Edhe pse Kosova e filloi më furishëm ndeshjen, Greqia arriti që përmes Anastasios Bakeseates 36’ të kalojë në epërsi.

Gjatë gjithë takimit, “Dardanët” u munduan që të gjejnë golin, me disa raste të mira por pa sukses.

Fidan Aliti së bashku me Aro Muric do të mungojnë në takimin e radhës, pasi u ndëshkuan me karton të kuq.

Grupi C aktualisht udhëhiqet nga Greqia me 6 pikë, e Kosova është e dyta me 3 pikë.

Ndeshja e ardhshme për Kosovën do të jetë më 9 qershor kundër Irlandës së Veriut. /KultPlus.com

Flamuri i Kosovës në Spanjë falë shkëlqimit të Muriqit

Kosova përmes sportit ka arritur të ngrejë flamurin në vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, gjë që Vedat Muriqi e ka bërë së fundmi, shkruan KultPus.

Muriqi si pjesë e Mallorca është shpallur lojtari më i mirë i muajit maj në një nga ligat më të mira në botë, La Liga.

Vedat Muriqi ka dalë para mediave, ku ka folur edhe për karrierën e tij dhe klubin ku do të vazhdojë të ardhmen si futbollist.

“Për momentin jam i lodhur psiqikisht nga lufta për mbijetesë, kam kontratë me Lazion do e shoh pas pushimit për të ardhmen time”, tha fillimisht Muriqi.

Muriqi ka folur edhe për çmimin e fituar në La Liga si lojtari më i mirë i muajit maj, duke potencuar se në një shtet si Spanja që nuk e ka njohur Kosovën ai është një amabasador i shtetit atje.

“Jam ambasador i shtetit atje, e dimë situatën politike me Spanjën, kur u zgjodha si lojtari i muajit, u shfaqë edhe flamuri i Kosovës, kështuqë flamuri ynë është shfaqur në një ligë që është në top5 më të mirë në botë”, përfundoi Muriqi.

Kosova nesër do të luajë kundër Greqisë në kuadër të Ligës së Kombeve. /KultPlus.com