William dhe Harry zgjedhin skulptorin e Dianës

Statuja, që do të bëhet 20 vjet pas vdekjes së Lady D, do të realizohet nga Ian Rank-Broadley, autori i portretit të mbretëreshës Elisabet në monedhën britanike.

Statuja do të jetë gati brenda 2019, dhe do të vendoset në Kensington Palace. Princërit, William dhe Harry, kanë zgjedhur skulptorin në fjalë, 20 vjet pas vdekjes së Lady Diana më 31 gusht 1997.

“Vepra do të jetë një tribut i përhershëm për nënë tonë, për të kujtuar jetën e saj dhe për të festuar atë që na ka lënë. Jemi prekur për gjithë fjalët e mira dhe kujtimet që shumë persona kanë ndarë me ne në muajt e kaluar. Është dëshmi se puna e nënës tonë është ndjerë tek shumë qytetarë britanikë, por edhe në gjithë botën, edhe 20 vjet nga vdekja e saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy princërve, transmeton tch.

Sa i përket skulpturës së ardhshme ata shtojnë: “Ian është një skulptor me emër, dhe jemi të sigurtë se do dijë të krijojë atributin e duhur për nënën tonë. Mezi presim ta shohim statujën, që do i japë mundësi të gjithëve atyre që do të vizitojnë Kensington Palace për të kujtuar dhe festuar jetën dhe trashëgiminë e saj”./KultPlus.com

Së shpejti koncerti i Vitit të Ri nga Filharmonia e Kosovës

Të shtunën e 23 dhjetorit Filharmonia e Kosovës sjellë koncertin e Vitit të Ri, shkruan KultPlus.

Ky koncert sjellë Solistët Vokal dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e dirigjentit Noorman Widjaja nga Gjermania.

Koncerti vjen më 23 dhjetor me fillim nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinis dhe Sporteve në Prishtinë./ KultPlus.com

Ta kujtojmë Mbretëreshën e Muzikës Rome, në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta (VIDEO)

Më 11 dhjetor të vitit 2016-të, pati ndërruar jetë këngëtarja e njohur Esma Redzepova, shkruan KultPlus.

Sot janë bërë 1 vit nga vdekja e Redzepovës, e cila la pas vetës hite të mëdha të muzikës rome.

Esma Redzepova Teodosijevska ka qenë e njohur si “Mbretëresha e Muzikës Rome” për çka edhe ka qenë e njohur edhe nëpër botë.

Këngëtarja e famshme nga Ballkani në jetën e saj ka rritur 47 fëmijë dhe ka marrë pjesë në disa aksione humanitare.

Ajo pati vdekur në Shkup në moshën 73 vjeçe pas një sëmundje të shkurtër./ KultPlus.com

Të thashë, mos e fik dritën!

Poezi e shkruar nga Petrit Ruka.

Më kot po e fik dritën sa të zhvishesh, Zemra ime,
më kot fshihesh nën çarçafin e kaltër këtë natë,
ke harruar njerin krah jashtë
dhe ai Dritë e ka bërë dhomën,
si shandani i një katedraleje për ditën e Pashkës së madhe
e unë nuk di ku të pengohem…

Më kot. Edhe po ta mbulosh krahun,
rrugën gjer tek krevati e gjej symbyllur,
nga që je lakuriq, siç të bëri nëna për mua,
harrove që dy gjinjtë i ke jashtë
si pjepra të pjekur me hënë në fushë
dhe unë i gjej verbtazi me hundë si një iriq nate?

Ah, unë di si të vij
nëpër deltën e lumenjve të kofshëve të tua,
do ndjek oshëtimën,
aty ku trupi yt ndahet më dysh nga fryrja e shirave,
aty ku dua të jem veç një varkë.
pa vela, pa busull, pa rrema,
vetëm me lopatat e duarve të bëj përpara…

Mos lëviz! (Kam frikë mos shkërmoqesh nga pjekja,)
më mjafton vetëm një gisht vend,
aq sa do tani xhindi brenda shishes tënde
me verë të gazuar,
tani që vet ia heq tapën me një pëlcitje
si kërcitja e e gjuhës së tharë
pas qiellzës së kuqe.
Prit ta heqim edhe mbulesën e fundme pa zhurmë,
butë si lëkurën e një bananeje,
prit të ta ul pak më poshtë jastëkun,
prit të ta ngre pak më lart zemrën,
ta akordoj me timen që po përpëlitet
si një mëllenjë e therur.

Më ler tani ta pi dollinë e parë me fund
në kupën tënde rozë të gojës,
të dytën në kupë te kërthizës,
të tretën…
ah, ah, tani i harrova fare numurat
dhe nuk ka matematikë të m’i kujtojë.
Lermë tani të marr një valle kaçakçe,
ta kërcej mbi thithkën purpuroshe të gjirit,
siç bën një brumbull prilli mbi majën e gjembit,
lermë të kullos demat e mi të kuq
në luginën tënde të barkut
me formën magjike të violinçelit.
Dëgjon?! Filloi muzika!
Rënko tani në Oh-maxhor e në Ah- minor,
i kam të pafundme në kokë partiturat,
besomë, gënjejnë, nuk janë shtatë notat,
nuk qenë në shtrat kur i shpikën,
harruan që është gruaja vegla e parë muzikore e botës.

Ka ndaluar koha,
çdo sekondë jona tani nuk regjistrohet tek mosha,
është në llogari të përjetësisë,
dhe nuk po plakemi,
po nxjerrim qeliza te reja si bebet ne gjirin e nënës.
Po të dridhen kupat e gjunjve?! Mos u tremb!
është vallja e palcës që shkrin nga kënaqësia,
eja, pra, të mësojmë tërmetet,
të përplasim pllakat tona tektonike,
t’i bëjmë thërrime xhamat qorra të moralit,
dymijë vjet pa fshirë
nga avujt e pellgjeve dogmatike.
Zgjate shpirtin sa të bëjmë tre njësha bashkë,
minutë pas minuti,
nuk kemi punë me romanet e Paulo Coelho-s,
jemi ballakanas të lindur në vreshtin e Dionisit,
kur bëjmë dashuri, nxjerrim tym nga brinjët.

Bëhu shkretëtirë, se bëhem vetë Nili,
të mbush vetë me gurgullima ujrash,
me kroje mbretërore nga Mali i shenjtë i Tomorrit,
lufto si Kleopatra për tokën tënde.
edhe unë jam Çezari
që rroj për çdo milimetër pushtimi.
Të thashë, shpirt, të thashë
po nuk më dëgjove,
të mos e fikje dritën…
/ KultPlus.com

Elhaida Dani, me këngë të reja në gjuhën italiane

Këngëtarja Elhaida Dani po planifikon një album në gjuhën italiane.

E njohur në Itali dhe para disa vitesh e shpallur si zëri më i mirë në Itali, fituese e “The Voice of Italy”, Elhaida ka treguar sot në një prej emisioneve shqiptare që po planifikon disa këngë në gjuhën italiane, që mund të grumbullohen brenda një albumi.

Elhaida ka kënduar edhe në të kaluarën në gjuhën italiane, ka jetuar në Itali, ndërsa momentalisht po bën karrierë në Francë, me një shfaqje operistike, shkruan KultPlus.

Elhaida mbrëmë morri vendin e dytë në festivalin ‘Kënga Magjike’ në Shqipëri, me kompozimin “E ngrirë”. / KultPlus.com

Të kërkoj

Poezi nga Medina Pasoma.

Në mesin e krejt dynjasë
Aty ku çel behari e lulëzojnë trëndafilat
Ku shpirtat janë t’përmalluem prej shiut
Ku andrrat gropiosen n’tokën e vjetrueme
E ku heshtja m’ban hije
Të kërkoj ty
T’i kërkoj sytë n’çdo fytyrë me nur
T’i kërkoj duart që ledhatimet t’i fal
T’pres si ashiku që pret dashuni
E kërkoj zanin tand
N’çdo orkestral t’heshtjes
Edhe aty ky zhurmat dridhin tokën
E kërkoj zanin tand
Gjersa zemra e përvëlueme prej mallit do lulëzojë
Të kërkoj me sy drejtuem qiellit
Me duart mbi dheun tand t’njomë
Të kërkoj dhe të pres
Deri t’bahem hi, e t’vijë tek ti…

Berati, destinacioni i turistëve edhe në dimër

Qyteti i Beratit vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i turistëve, ku gjatë periudhës janar-nëntor është vizituar nga 40 605 vendas dhe të huaj.

Edhe në stinën e vjeshtës dhe fillimin e stinës së dimrit, qyteti 2400 vjeçar i Beratit i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar.

“Megjithëse jemi në fillim të sezonit turistik të dimrit, në muajin nëntor, Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik vazhdojnë të jenë destinacion i vizitorëve vendas dhe të huaj, veçanërisht në fundjavë e ditët e festave nga vizitorë familjarë”, konfirmon Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat.

Sipas QKM-së, këtë muaj muzetë kishin 1782 vizitorë nga 1033 vizitorë, që kanë pasur në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

“Ndërsa në periudhën Janar – Nëntor 2017 numri i vizitorëve arriti në 40 605, një shifër impresionuese pasi në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kishin vetëm 28 433 vizitorë, duke realizuar 6 928 280 lekë të ardhura nga shitja e biletave, 1 692 960 lekë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, bën të ditur QKM-ja Berat.

Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./ KultPlus.com

Vdes poeti e përkthyesi Nehat Hoxha

Është ndarë nga jeta sot Nehat Hoxha, poeti, që në vitin 1990 kishte shkruar veprën “Vdekja e poetit”. Hoxha ishte edhe ekonomist, si dhe përkthyes e redaktori i shumë librave. Ishte edhe autor i shumë teksteve të këngëve.

Anëtari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ishte po ashtu laureat i shumë çmimeve letrare.

Lajmin për vdekjen e poetit e ka bërë me dije vëllai i tij, kitaristi i njohur Shefqet Hoxha.

“Lamtumirë Vëlla… Shihemi në një jetë më t’mirë…!”, ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook, të cilën e ka shoqëruar me një foto të përbashkët me tashmë të ndjerin.

Nehat S. Hoxha u lind në Ferizaj, më 1951. Edukimin themelor dhe atë të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse studimet e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës dhe Provimin e posaçëm profesional për punë të tregtisë së jashtme (specializim) në Beograd.

Në skenën e letrave shqip u shfaq nga vitet ’70, me poezi, tregime, vargje për këngë, përkthime, sidomos ato letrare nga anglishtja. Ka përkthyer edhe shume filma artistikë, arsimorë e vizatimorë për TV, Radio, Gazeta dhe Revista. Redaktor i shumë librave të krijuesve letrarë, figurativ, muzikor.

Pos veprës “Vdekja e poetit”, ai ka shkruar edhe veprat “Lindje në plojë”, Redaksia “Fjala”, Prishtinë, 1992; “I mërguar në atdhe”, Druck Art, Prishtinë, 1996; “Fjalor Elementar Anglisht-Shqip, 1996; si dhe “Oguri”, roman, Ministria e Kulturës, 2003.

Vepra të përkthyera nga anglishtja:

1. T. Williams, “Menaxheria e qelqtë” (dramë), 1983
2. L. Hjuz, “Mbretëria e frushkullit”, (Poezi), 1985
3. R. Tagore, “Bukurezat”, (Poezi), 1986 4. H. Xhibran, “Profeti”, (Poezi), 1987
4. H. Xhibran, “Profeti”, (Poezi), 1987
5. O. Uajlld, “Kallëzime”, (Tregime për fëmijë), 1988
6. U. B. Jejts, “Ringjallja” (Katër drama), 1989
7. E. A. Poe, “Politiani”, (Dramë), 1989
8. L. Gillis, “Korb midis egërsirash”, (Dramë), 1987
9. S. Beket, “Fundi i Lojës”, “Jehona, Shkup, (Dramë), 1987
10. K. Marlo, “Dr. Fausti kobzi”, (Dramë), 1989
11. N. Shop, “Furka e mistershme”, (Dramë), 1990
12. A. Gajtani, “Lule më lule”, (poezi, nga shqipja në gjuhën serbo-kroate, Tuzla, BH) 1989;
13. O. Uajlld, “Je ai që je”, (Dramë), 1988
14. F. A. Hajek, “Individualizmi dhe rendi ekonomik”,“Eureka, Prishtinë, 1996;
15. Panteon i Laureatëve të Çmimit Nobel për ekonomi: prej klasikëve deri në shekullin tonë;
16. O. Uajlld, “Saloma”, (Dramë) 1985 17. T. S. Eliot, “Vrasja në Katedrale”, (Dramë), 1988 18. Kënga e Rolandit, 1987

“Hollyshit” premierë në Dodonë

Bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones, të enjten më 14 dhjetor vjen premiera e shfaqjes “Hollyshit”, me regji të regjisorit Ilir Bokshi e producente Albulena Kryeziu, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje vjen premierë në Teatrin Dodona në kryeqytet me fillim nga ora 19:30.

Shfaqja është një tragjikomedi për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Në qendër të storjes janë Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët sikurse shumica e banorëve të qytezës, janë punësuar si statistë filmi. Komedia rrjedhë nga përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” -një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor.

Shfaqja jetësohet nga aktorët Adrian Morina dhe Ylber Bardhi, ndërsa pas skene ka një ekip në përbërje të: dramaturg-Shkëlzen Berisha, asistent regjie-Butrint Pasha, muzika-Art Lokaj, kostumografe-Albulena Borovci e producente Albulena Kryeziu.

“Hollishit” është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Kosovës, Drejtoria për Kulturë e K.K. Prishtinës dhe teatri AAB “Faruk Begolli”./ KultPlus.com

Alpet në dhjetor

Nga Ismail Kadare.

Ç’është ky vend kështu, këto pllaja me brymë,
Me malet sup me sup e kokë më kokë përpjekur?
Ja qielli gri i lartë, mes tij një bubullimë
Si e plagosur ikën, një shpellë të gjejë për të vdekur.

Hotelet janë larg dhe ne vazhdojmë të ikim,
Nën borën që floknajën e saj rrëzon përqark
Thua se kodrat nisen për në dasmën e Halilit,
Thua se brigjet kthejnë nga vdekja e Mujit larg.

Gjithçka është madhështore nën këtë borë bashkuese,
Në përzierjen e maleve dhe të njerëzve epike,
Nën këtë qiell të madh nga shkretëtira përshkuar
Si nga qerre gjemonjëse tragjedish antike.

Ministri Gashi po merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e filmit në Berlin

Me ftesë të Presidentit të Akademisë Evropiane të Filmit, Wim Wenders, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, po merr pjesë në ceremoninë e edicionit të 30-të të Europian Film Awards 2017, në Berlin të Gjermanisë.

Gjatë kësaj ceremonie, njëra ndër ngjarjet më madhështore në botën e filmit, ministri Gashi zhvilloi takime të shumta. Ndër më të rëndësishmit ishte takimi me Ministren e Kulturës së Lituanisë, Liana Ruokytė-Jonsson, me të cilën ministri diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kulturës. Gashi e Roukytė-Jonsson u pajtuam që së shpejti të ndërmarrim hapa për konkretizimin e këtij bashkëpunimi.

Në këtë ngjarje të rëndësishme në sferën e kulturën, ministri Gashi po ashtu ka takuar dhe ka bashkëbiseduar me një numër të konsiderueshëm të filmbërësve, regjisorëve e aktorëve evropian e më gjerë./ KultPlus.com

Art nga burgu famëkeq i Guantanamos (FOTO)

“Odë detit” e kanë quajtur koleksionin e pikturave të realizuara nga të burgosur të kampit famëkeq të Guantanamos, e arsyeja është fare e thjeshtë.

Pjesa më e madhe e tyre pasqyrojnë oqeanin e ndodhur aq pranë, por të cilin praktikisht nuk e shohin dot.

I gjithë vendi është i rrethuar nga mure të larta e tela me gjemba, ndaj banorët e burgut të shumëdiskutuar mund të dëgjojnë zhurmën e oqeanit, mund t’i ndiejnë, ama kurrë nuk kanë mundur të shijojnë pamjen e blusë së tij të thellë, përveç një rasti në vitin 2014, kur afrimi i një uragani detyroi rojet të hiqnin barrierat për 4 ditë, transmeton tch. Të gjithë atë kohë, të burgosurit e shpenzuan duke vështruar dallgët, e sapo pëlhurat e gomuara u rikthyen në vend sërish, ata nisën të pikturonin duke hedhur në kanavace ndjesinë e lirisë së përjetuar.

Ka me qindra piktura, skulptura e punime të tjera me dorë, që askush nuk i kishte parë përpara. Shumë njerëz ndajnë bindjen se, veprat e të dënuarve të Guantanamos nuk duhen ekspozuar në publik, sidomos familjarët e viktimave të 11 shtatorit, por kuratorja që kujdeset për to, Erin Thomson mendon se duhen treguar, pavarësisht bindjes që mund të ketë gjithsecili mbi fajësinë e autorëve.

Punimet janë ekspozuar në kolegjin “John Jay” të drejtësisë penale në Manhattan, ku siç shpjegon Thompson, studiohet terrorizmi dhe burgosja, nëse ajo është e drejtë apo e gabuar. Për kuratoren, pikturat janë në thelb disa dritare të paçmuara drejt shpirtit të njerëzve që i krijuan./ KultPlus.com

“Jepi mundësi paqes” ekspozita personale e Eliza Hoxhës

Më 13 dhjetor tek Hani i 2 Robertëve, hapet ekspozita personale e artistët Eliza Hoxha, shkruan KultPlus.

“Give peace a chance-Jepi mundësi paqes”, titullohet ekspozita e Elizës, e cila hapet me fillim nga ora 17:00.

Kjo ekspozitë që hapet të mërkurën vjen tek Hani te Fakulteti i Arteve./ KultPlus.com

Një copë Ilirie e ekspozuar në Bernë

Në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Bernë, Ilir Xheladini ka hapur ekspozitën me artefakte ilire e shqiptare, “Museum Illyricum”.

Një muze shqiptar në Zvicër: Ky është caku që Ilir Xheladini e ka para syve kur grumbullon artefakte të ndryshme që e shënojnë historinë ilire e shqiptare, nga antikiteti e këndej. Dhe po këtë qëllim e ka edhe ekspozita që ai hapi të premten mbrëma në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës, në Bernë.

“Museum Illyricum” mban emrin ekspozita që u hap para një numri të konsiderueshëm të pranishmish, shqiptarë e zviceranë.

Në stendat e ekspozitës, Xheladini ka vendosur, të ndara sipas periudhave historike dhe sipas fushave që u përkasin: harta të vjetra, bankënota, monedha metalike, veshje të vjetra origjinale kombëtare, gravura, ballina revistash, stoli të lashta, enë balte dhe deri edhe një helmetë të moçme. “E gjithë kjo pasuri e shpalosur për vizitorët, nuk është as një e treta e thesarit që e kam grumbulluar me vite”, thotë Iliri për albinfo.ch. Mbrapa kësaj pasurie qëndron një punë pasionante, një idealizëm i rrallë për kohën tonë dhe pse jo, edhe një sakrificë materiale e autorit.

“Ekspozitën e kam ndarë në tri periudha: Antikiteti, koha e Ilirisë, Mesjeta dhe historia e re, nga pavarësia e Shqipërisë e deri në vitet dyzeta të shekullit të kaluar. Nga antikiteti, kemi artefakte nga koha e sundimit romak që njëkohësisht është edhe koha e ilirëve. Këtu vlejnë të përmenden monedhat dhe stolitë e ndryshme të asaj periudhe. Ndërsa më për zemër i kam stolitë prej guri dhe prej argjendi të kulturës arbërore të Komanit. Kemi gjithashtu edhe artefakte nga Bizanti, kryesisht stoli dhe monedha”, shprehet Xhelaidini. Po ashtu bie në sy një numër i madh hartash të punuara në shekullin 19 për hapësirat shqiptare dhe ilire ashtu si dhe librash me po këtë tematikë, gjithmonë nga autorë të huaj.

Ndërsa kohën e re, nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, në këtë ekspozitë e pasqyrojnë edhe pullat postare, të edituara që nga qeveria e parë shqiptare e Ismaiil Qemalit e deri te koha e Zogut, sqaron më tutje Ilir Xheladini.

Duke mos qenë historian as arkeolog me profesion Xheladinin e karakterizon një pasion i jashtëzakonshëm, pothuaj fanatizëm për t`u marrë me identifikimin dhe grumbullimin artefakteve historike. “Fillesa ka ndodhur në një mënyrë të thuash ankedotiale. Në vitet 1995-1996 derisa në Universitetin e Neuchatelit ndiqja leksionet për frëngjishten e vjetër, profesori na fliste gjithë kohën për Romën Antike dhe me asnjë fjalë nuk përmendte praninë ilire që ishte e po asaj periudhe. Unë e pyesja por kot. Pastaj në një antikuariat në qytet gjeta harta të ilirëve, të cilat ia tregova profesorit dhe nga ky moment filluam dialogun me të edhe për Ilirinë. Këtu ka qenë pika nga e cila kam filluar angazhimin për të gjetur e grumbulluar artefaktet, një pjesë të të cilave po i shihni këtu. Janë gjëra që të tjerët i kanë por ne nuk dimë për ekzistencën e tyre. Shumicën i kam gjetur në Francë, Kanada, SHBA etj. Këto i kam siguruar falë anëtarësisë sime në grupin e koleksionistëve. Sigurisht një pjesë të mirë i kam blerë”, pranon Xheladini, i cili për pasionin e tij ka mbështetje edhe bashkëshorten e tij, shkruan albinfo.ch.

Hapja e ekspozitës në Bernë për Ilirin, më shumë se thjesht ekspozim eksponatesh, është menduar si një cytje për të shtyrë të tjerët që të ndihmojnë në ngritjen e një muzeu shqiptar në Zvicër. “Krijimi i një fondacioni për këtë qëllim do të ishte hapi i parë në këtë drejtim. Në gjithë këtë përpjekje të tij, Iliri nuk harron të përmend se ka pasur mbështetjen e Ambasadës së Kosovës. Ndërsa rreth krijimit të fondacionit të përmendur, ai dhe Ministri Këshilltar i Ambasadës, Mustafë Xhemaili thonë për albinfo.ch se besojnë në gatishmërinë për ndihmë të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Zvicrës.

Ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca në cilësinë e mikpritëses, me një fjalë rasti ka prezantuar z. Xheladini, duke e përgëzuar atë për punën e frytshme si koleksionist por edhe si autor librash në gjuhën frënge. Ajo ka theksuar se mërgata krahas barrës që ka pasur për sigurimin e mbijetesës së Kosovës për vite të tëra, po jep kontribut të çmuar edhe në vendosjen e lidhjeve kulturore me vendet ku jeton. Një shembull i tillë është ai i Ilir Xheladinit, ekspozita e të cilit është hapur sonte. Ajo ka treguar me këtë rast gatishmërinë e ambasadës për të mbështetur aktivitetet artistike kulturore, pasi që, siç është shprehur ambasadorja: “arti prek zemrat dhe hap dyer drejt ndërgjegjeje. Arti e kultura heqin barriera duke ngritur ura takimi me të tjerët. Ato kanë rëndësi edhe për faktin se ndikojnë në rrëzimin e paragjykimeve dhe klisheve denigruese që herë herë ngrenë krye për vendin dhe popullin tonë”, ka përfunduar ambasadorja Breca.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 dhjetor 2017 dhe ajo mund të vizitohet gjatë orarit të punës të Ambasadës./ KultPlus.com

Jepet premiera e filmit të ri Star Wars

Premiera e filmit Star Wars: The Last Jedi, është mbajtur me një ceremoni në Los Anxhelos, derisa shumë njerëz kanë shikuar aktorët e filmit në tepihun e kuq.

Kjo është premiera e serisë së tetë të Star Wars.

The Last Jedi do të fillojë të shfaqet për publikun më 15 dhjetor dhe pritet të jetë një prej krijimeve më fitimprurëse të këtij viti, shkruan REL.

Ekspertët e industrisë filmike kanë parashikuar që vetëm në vikendin e parë, shifrat e fitimeve të arrijnë në 200 milionë dollarë.

Filmi i parë Star Wars është realizuar më 1977./ KultPlus.com

Teatri apo Kinemaja, të rinjtë e Kosovës tregojnë se kë e preferojnë më shumë (VIDEO)

Në Tetarin Kombëtar të Kosovës janë vënë në skenë tekste të shumta nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore. Shfaqjet në këtë teatër trajtojnë tematikë të ndryshme.

Por, me gjithë përpjekjet për ta bërë teatrin më atraktiv për shikuesin, numri i vizitorëve vazhdon të mbetet jo i kënaqshëm me rreth 15 mijë shikues në vit.

Kinemaja, ndërkaq, vazhdon të jetë më e preferuar nga të rinjtë në Kosovë. Në vitin 2016, numri i vizitorëve në Kinemanë ABC në Prishtinë ishte më shumë se 38 mijë shikues, shkruan REL./ KultPlus.com

Ka vdekur akademiku Kristaq Prifti

Kristaq Prifti një figurë e njohur e historiografisë shqiptare u shua në moshën 85-vjeçare; duke lënë pas një punë të çmuar.

Akademik, historian i njohur, specialist i periudhës së Rilindjes Kombëtare, orientalist, me veprimtari drejtuese në institucionet akademike-universitare ai do të kujtohet për kontributin e vyer.

Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kristaq Prifti u lindi në Berat më 21 janar 1932, ku kreu edhe shkollën e mesme.

Studimet e larta në fushën e historiografisë i përfundoi në Moskë. Pas kthimit në atdhe punoi si mësimdhënës në Universitetin e Tiranës. Ishte një prej profesorëve themelues të këtij universiteti, ku kreu disa detyra, si përgjegjës i katedrës së historisë, zëvendësdekan dhe dekan.

Që nga viti 1982 ka qenë kërkues shkencor në Institutin e Historisë dhe në vitet 1991-1993 drejtor i tij. Përveç mësimdhënies në UT, Kristaq Prifti ka mbajtur ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.

Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të akad. Kristaq Priftit, në kuadër të historisë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në themelimin e shtetit shqiptar, janë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Pejës, shqiptarët në periudhën e revolucionit xhonturk, lëvizja politike-kulturore në Shqipëri në prag të Pavarësisë, Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit të shqipes, shpallja e Pavarësisë dhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Në dekadat e fundme veprimtaria e Kristaq Priftit u shtri edhe në historinë e Kosovës në shek. XX, sidomos në zhvillimin demografik të saj.

Kërkimet e tij në këto fusha janë përmbyllur me studime të plota monografike, disa prej të cilave, sipas rendit kronologjik, janë: • Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi në Lëvizjen Kombëtare (bashkautor, 1968, 1978, 2004); • Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881 (1978); • Lidhja Shqiptare e Pejës; lëvizja Kombëtare 1896-1900 (1984, 2002; • Historia e Shqipërisë, vëllimi II (drejtues shkencor, 1984); • Dr. Ibrahim Temo: jeta dhe vepra (1987, 1993, 1996); • La Ligue Albanaise de Prizren, vol. I (bashkëpërgatitës, 1988); • Historia e popullit shqiptar, vëll. II (bashkautor e drejtues shkencor, 2002) dhe vëll. III (bashkautor e drejtues shkencor 2007); • Popullsia e Kosovës (2014). Akad. Kristaq Prifti ka dhe kontribute të tjera të vlerësuara nga bota e dijes si bashkëpërgatitës dhe bashkëredaktor i disa vëllimeve me dokumente e studime, si: Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit (1972); E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi (shqip e anglisht, 1984)./ KultPlus.com

Vazhdojnë veprimet degraduese brenda ndërtesës së ShKA Agimit, anëtarët e kësaj shoqate i drejtohen MKRS-së

Edhe pse në nëntor të vitit 2017-të, ministri i Ministrsisë së Kulturës, Rinis dhe Sportit në Republikën e Kosovës, nënshkroi vendimin për përfshirjen e ShKA Agimi nga Prizreni në Listën e Trashëgimisë Kulturore, degradimi brenda kësaj ndërtese nuk ka të ndalur, njoftojnë nga Shoqata Kulturore Agimi, përcjell KultPlus.

Sot në një komunikatë për medie, kjo shoqatë ka paraqitur edhe njëherë shqetësimet e tyre në lidhje me degradimet e ndryshme që po i bëhen kësaj ndërtese, siq thonë ata nga një grup i vogël individësh.

Po sjellim njoftimin e plotë të ShKA Agimi:

Gjatë muajit nëntor 2017, ministri i kulturës nënshkroi vendimin për përfshirjen e ndërtesës së ShKA Agimit në Listën e Trashëgimisë Kulturore. Ky ishte edhe një veprim konkret i yni në përpjekje për të shpëtuar ShKA Agimin. Megjithatë, veprimet degraduese të një grupi të vogël individësh të papërgjegjshëm nuk kanë të ndalur. Ky grup që ka zaptuar ndërtesën e ShKA Agimit dhe ka përjashtuar qindra anëtarë pa përfillur asnjë procedurë, ka vazhduar me veprime klandestine dhe degraduese ndaj Agimit. Të vetëshpallur “Kryesi e Agimi”, këta individë kanë vazhduar të marrin vendime në kundërshtim me të gjitha procedurat e brendshme të Shoqnisë dhe ligjet e Kosovës që rregullojnë sektorin e shoqërisë civile. Në veprimin e radhës absurd dhe joligjor, në mesin e tyre kanë shpallur një tjetër person “Kryetar” të ShKA Agimit. Ky veprim është veçse vazhdim i avazit të vjetër, ku një Kryesi fiktive, e dalë nga një Kuvend klandestin dhe jolegjitim vazhdon të luaj zgjedhjesh dhe të kontribuojë edhe më shumë në degradimin e Shoqnisë.

Në anën tjetër, shumë dashamirë të ShKA Agimit dhe qytetarë të Prizrenit kanë publikuar dëshmi të degradimit kulturor që po ndodh brenda ndërtesës së Agimit. Ky grup i vogël individësh të papërgjegjshëm dhe zaptues, pas tentativës së vitit të kaluar për të tjetërsuar pronën e Agimit përmes një marrëveshje joligjore, tani kanë shndërruar hapësirën e Shoqnisë në kafene burrash ku kultivohet tallavaja. Në video dhe fotografi të publikuara ditëve të fundit shihen pamje dhe dëgjohen tinguj që asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e ShKA Agimit përgjatë historisë së saj 73 vjeçare. Dëshmitë e këtij degradimi kulturor (videot dhe fotot) mund t’i shikoni në këto:

https://goo.gl/mtAW9A dhe https://goo.gl/qRQnzu.

Ne kërkojmë nga Ministri i Kulturës, që në pajtim me autorizimet e tij ligjore dhe në përputhje me vendimin për të shpallur ndërtesën e Agimit aset të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të shtetit, të ndërmarrë veprime institucionale për të adresuar këto shqetësime. Shpallja e një ndërtese aset i trashëgimisë kulturore nënkupton një numër detyrimesh dhe kufizimesh, gjithnjë për t’u siguruar që vlerat për të cilat është bërë shpallja do të mbrohen. Në rastin e ndërtesës së ShKA Agimit, ku janë publikuar dëshmi të qarta të degradimit, janë duke u cenuar vlerat më fondamentale të trashëgimisë kulturore. Prandaj, reagimi urgjent institucional është një domosdoshmëri për të ndërprerë këtë praktikë degraduese dhe për të iniciuar një plan të mirëfilltë menaxhimi për ndërtesën, në përputhje me parimet dhe kriteret për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Përpjekja jonë për të shpëtuar ShKA Agimin nuk do të ndalet. Jemi të përkushtuar në angazhimin tonë të përbashkët dhe nuk do të ndalemi derisa zaptuesit të largohen nga ShKA Agimi dhe ndërtesa e saj.

Me respekt,
Kryesia e ShKA Agimit (Besim Berisha, Agnesa Çipa Laçi, Arben Mashkulli, Flaka Xërxa, Fikrim Emra, Arbëreshë Berisha dhe Luljeta Braha)./ KultPlus.com

Dëgjojeni këngën fituese të “Këngës Magjike” 2017-të (VIDEO)

Me muzikë të Kledi Bahitit e tekst të Olti Currit, “E çmendur”, u shpallë mbrëmë kënga më e mirë e Festivalit “Kënga Magjike” 2017-të.

“E çmendur”, u këndua nga Anxhela Peristeri, dhe ishte kënga më e votuar në këtë festival. Peristeri u vlerësua mjaft shumë edhe për vokalin e saj ku i jepi jetë kësaj kënge.

Po e sjellim videon ku Peristeri këndon “E çmendur”:

Le Petit Parisien (1925) : Lufta për naftën shqiptare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë dhe Italisë

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Le Petit Parisien”, ka botuar, të martën e 17 shkurtit 1925, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me interesat që ngjallte asokohe nafta shqiptare tek amerikanët, britanikët dhe italianët.

Dukej se britanikët ishin më të avancuar pranë qeverisë shqiptare mbi këtë çështje. Por amerikanët nuk kanë hezituar të reagojnë, sigurisht për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike. Reagimi amerikan ka nxitur edhe qeverinë italiane.

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

“Londër, 16 shkurt (Dep. Petit Paris.)

Njoftohet në Washington nëpërmjet Exchange Telegraph-it se qeveria e amerikane i ka dërguar qeverisë shqiptare një shkresë proteste kundër projektit të dhënies së monopolit të një konçesioni nafte, nën kujdesin e Anglo Persian Oil Company, qeverisë britanike.

Z. Sinclair dhe Standard Oil Company pretendojnë se konçesioni në fjalë do t’i sigurojë Anglisë një monopol virtual në të gjitha fushat e naftës në Shqipëri. Shkresa amerikane bazohet në faktin se kur Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Shqipërinë, ata këmbëngulën mbi parimin e “konkurrencës së barabartë” dhe pohon se ky parim u siguron Z. Sinclair dhe Standard Oil Company të drejta të barabarta me ato të Anglo Persian Oil Company.

Qeveria e Ahmet Zogut thuhet se i konfirmoi Anglo Persian Oil Company një konçesion të marrë nga ajo në 1921. Qeveria italiane ka protestuar në Tiranë duke kërkuar të drejtat prioritare në të njëjtën fushë dhe negociatat mbi këtë çështje janë angazhuar në Romë midis ambasadorit britanik dhe kabinetit”./ Kultplus.com

U hap ekspozita personale e Burhan Ahmetit në Çifte Hamam

Në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, të premten u hap ekspozita personale e artistit figurativ Burhan Ahmeti.

Artisti gostivaras, në këtë ekspozitë u prezantua me tetëdhjetë vepra – grafikë dhe pikturë. Pikturat janë të punuara në teknikën akril në pëlhurë, ndërsa grafikat në teknikat gjilpërë e thatë, akuatintë, drugdhendje, litografi, bakërshkrim, monotipi de grafikë digjitale.

Drejtoresha e IK Galeria Kombëtare e Maqedonisë, Dita Starova tha se në këtë galeri ekspozojnë artistë figurativë me kurrikulë të pasur dhe se i tillë është edhe Burhan Ahmeti.

“Në ekspozitën e mbajtur në Muzeun e Qytetit të Shkupit në vitin 2008, konstatuam se Burhan Ahmeti do të ngrihet në një artist me vlera të mëdha. Kur vitin e kaluar shprehu dëshirë që sivjet të ekspozojë këtu në Çifte Hamam, me shumë vullnet u pajtuam që t’ia mundësojmë këtë”, tha para të pranishmëve drejtoresha Starova.

Kuratorja Tanja Bundalevka tha se veprat e Burhan Ahmetit karakterizohen me një afirmim burimor të teknikave të grafikës, si dhe me një intelektualizëm të theksuar drejt artit vizual.
“Veprat e Burhan Ahemtit, të pastruara nga konceptet, na zbulojnë anën tjetër të tyre, forma të dizajnuara me efekte dekorative me ngjyra dhe një shije të veçantë të renditjes në hapësirë. Mes simbolikës dhe asoocimit, të së atëhershmes dhe të tashmes, gjurmët e së kaluarës dhe nxitjes së të resë, elemenete figurative të shenjave, simboleve, materialeve e përcaktojnë dhe transformojnë hapësirën si forma të reja për përdorimin e të vjetrave si të reja”, nënvizoi kuratorja Tanja Bundalevska.

Ekspozitën e shpalli të hapur profesoresha Nora Halimi e cila me këtë rast theksoi se Burhan Ahemti ka qenë gjithmonë krijues proaktiv, me kurajë dhe guxim për të ndjekur instiktin e tij, për të eksploruar gjini, teknika dhe subjekte te ndryshme artistike, i udhëhequr emocionalisht herë më shumë nga imagjinata, e herë nga dija dhe përvoja, por gjithmonë i udhëhequr nga pasioni për të transmetuar përmes veprës së tij energjitë e tij me të mira krijuese.

“Një artist shumë-dimensional sonte vjen si grafist dhe piktor. Përndryshe, është dhe pedagog dhe studiues arti, por mbi te gjitha është profil i artistit shumë të pranishëm gjithandej e kudo ku kryefjala është Arti. Filli që i bashkon veprat e tij, është padyshim ndjeshmëria e tij dhe shija e kultivuar estetike. Ekspozitat vijnë gjithmonë në forme të zbaticës me prurje të reja artistike, ndërsa ajo që unë i uroj Burhanit, është që periudha e baticës, ajo e tërheqjes dhe krijimit të sërishëm, të jetë e frytshme dhe të mos vonojë me prurjet e radhës”, tha ndërmjet tjerash profesoresha Nora Halimi.

Për të qenë e veçantë kjo ekspozitë, sodisja e veprave të Ahmetit kaloi nën tingujt e bukur të saksafonit, interpretuar Aleksandra Ilieva – saksafoniste me famë botërore, si dhe mysafirëve artisti u dhuroi nga një grafikë.

Është kjo ekspozita e njëmbëdhjetë individuale e Burhan Ahmetit. Ndryshe, ai ka marrë pjesë edhe në mbi njëqind ekspozita kolektive dhe koloni artistike në vend dhe jashtë.

Burhan Ahmeti ka diplomuar në vitin 2001 në Fakultetin e Arteve në Tetovë – dega e grafikës, ka magjistruar në Fakultetitn e Arteve të Bukura në Prishtinë në vitin 2005, ndërsa doktoroi në Novi Pazar në vitin 2016. Aktualisht punon në Fakultetin Pedagogjik në Shkup ku ligjëron metodikën e artit figurativ.

Ekspozitën e Burhan Ahmetit në galerinë Çifte Hamam, artdashësit do të mund ta vizitojnë deri më 17 dhjetor. Shkruajti Agim Mustafai. /KultPlus.com

“Të ndjekësh ëndrrat” sot në Muzeun Kombëtar të Historisë, ekspozita e Luter Kreshpa

“Të ndjekësh ëndrrat”, kështu quhet ekspozita me autor mjekun e njohur Luter Kreshpa e cila do të hapet sot e diel më 10 dhjetor ora 11:00 në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Është një koleksion prej 93 piktura, kryesisht natyra të qeta dhe peizazhe, por edhe disa portrete e skica të cilat do të vijnë për publikun. Tablotë e një stili realist të sjellin pranë natyrën, të cilën artisti e ka shpesh në tablotë e tij. Ekspozita vjen në 81 vjetorin e tij të lindjes, si një homazh i bukur që e bija, Brisejda i bën pas ndarjes nga jeta. I dashuruar me të bukurën, Kreshpa ka ravijëzuar në tablo momente që të çlirojnë teksa i shikon. Kryesisht vizione që reflektojnë qetësi, janë si një kërkesë e vazhdueshme e artistit për të lundruar në ujëra të qeta.

Dhe pse piktura ishte më shumë një pasion në jetën e Kreshpës, në to vihet re një artist i angazhuar i cili ka një njohje të thellë me këtë lloj arti./ KultPlus.com

Anxhela Peristeri, fituese e “Këngës Magjike” 2017-të

Mbrëmë në “Pallatin e Kongreseve” në Tiranë u mbajt finalja e madhe e edicionit të 19-të “Këngës Magjike”.

Këngëtarë të shumtë rrëmbyen çmime të ndryshme në kuadër të këtij festivali të madh, derisa çmimin kryesor të “Këngës Magjike” sivjet e fitoi kënga “E çmendur” e këngëtares, Anxhela Peristeri, shkruan rtv21.tv

Ndërkohë, si çdoherë ky festival përveç ndarjes se çmimeve sjell edhe me shumë befasi e argëtim. Këtë vit për këtë pjesë u përkujdesen aktorët e njohur, Besart Kallaku dhe Erion Isai.

Më poshtë gjeni çmimet që u ndanë në festivalin ”Kënga Magjike” të vitit 2017
:

Best Dance- Alar Band- “Leni onjant”
Best female voice – Anxhela Persiteri- “E çmendur”
Best Male Voice- Mentor Haziri- “Palgë në zemër”
The most like artist- Valon Shehu- “Ti mos më shaj”
Çmimi i TV Klan- Xhesika Polo- “Jetën ma fal”
Kënga Stil- Lind Islami- “Problem”
Çmimi Metopol- Aurel- “Thellimi”
Best artist on web- Stresi ft. Anxhelo Koci & Flor Bana – “Sa her e don”
Best duet- Endri dhe Stefi Prifti- “E prek Magjinë”
New artist- Gjon Shahu ”Medicine”
Çmimi i RTV 21- Egzona Ademi-“Zhurmë”
Best Group – NRG Band- “Gocat me martini”
Kënga hit- Filloreta Raçi – “Zhurmë”
Çmimi diskografik- Stine “Ma more zemrën”
Çmimi “ Çesk Zadeja” Blerina Braka “Mirupafshim dashuri”
Çmimin e interpretimit ‘’Kastro Zizo dhe Rea Nuhu- ”Pa faj”
Çmimin e baladës më të mirë-Samanta Karavella ”Humbur”
Çmimin Etno trend- Rovena Dilo- ”Ke le për mu”
Çmimin e produksionit më të mirë- Klinti Çollaku ”Më s’më gjen”
Çmimin e kritikës- Elhaida Dani ”E ngrirë”./ KultPlus.com

2Cellos: Bota ndaloi derisa po luaja në koncert me të mrekullueshmin Petrit Çeku

Çelisti kroat Stjepan Hauser, dhe anëtari i 2Cellos ka publikuar performancën e tij së bashku me kitaristin shqiptar, Petrit Çeku të mbajtur më 6 tetor në Zagreb.

Ata kanë performuar Arian (Cantilena) – “Bachianas Brasileiras No. 5” të kompozitorit brazilian, Heitor Villa – Lobos, së bashku me Orkestrën e Filarmonisë së Zagrebit në “Lisinski Concert Hall” në Zagreb.

Hauser tregons e ishte një moment magjik që ndjeu gjatë kësaj performance, në të cilën për një moment e gjithë bota ndalet.

“Video e re nga koncerti klasik me të mrekullueshmin Petrit Çeku. Ndonjëherë ka momente në muzikë që janë aq magjike sa ndjeni se e gjithë bota ndalet për disa çaste, koha nuk ekziston, dhe për mua të performoja këtë Aria të bukur ishte një prej atyre momenteve, shijojeni”, ka shkruar Hauser në Facebook. / KultPlus.com