Tre shqiptarë pjesë e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor në Armeni

Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Armenisë, Yerevan do të hapë dyert për të mirëpritur ekspozitën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, shkruan KultPlus.

Pjesë e kësaj ekspozite në të cilën do të ekspozohet puna e më shumë së 70-të artistëve ndërkombëtarë do të jenë edhe artistët shqiptarë Sislej Xhafa, Anri Sala dhe Adrian Paci.

Kjo ekspozitë do të mbahet më 25 shtator deri më 25 tetor si dhe do të zhvillohet në qendër të qytetit, në shtatë lokacione të ndryshme.

Kjo ngjarje përfshin një numër të madh të aktiviteteve si punëtori dhe diskutime me personalitet ndërkombëtare të fushës së artit.
Kjo është njëkohësisht edhe ekspozita e parë e artit bashkëkohor në Yerevan, brenda të cilës qëndrojnë të kombinuara piktura, skulptura, fotografi, video, instilacione e të tjera. Për më shumë informata klikoni këtu./ KultPlus.com

Sonte në Monet lexim dhe diskutim me shkrimtarin bullgar Yordan Slaveykov

Sonte prej orës 18:00 në galerinë Monet në Prishtinë, Qendra Multimedia organizon lexim dhe diskutim me shkrimtarin bullgar Yordan Slaveykov, shkruan KultPlus.

Ai ka lindur në Vratsa, Bullgari në vitin 1976. Njihet si regjisor i teatrit, ligjërues, dhe shkrimtar e dramaturg. Ka diplomuar si regjisor i teatrit nga Akademia Kombëtare e Teatrit dhe Filmit në Sofie në vitin 2001.

Në vitin 2008 ka diplomuar si aktor në Moskë në Akademinë e Dytë Verore Ndërkombëtare të Teatrit. Dramën e tij të parë “Marimanga” e shkroi në vitin 2011, performancë që u shfaq në festivale në Moskë, Shën Petersburg, Nju Jork, Bruksel, etj.

Novela e tij e parë “Hapi i fundit” u botua nga shtëpia botuese Janet 45 në vitin 2015. Kjo novelë fitoi dy çmime kombëtare të letërsisë në vitin 2016.

Në Prishtinë ai do të lexojë pjesë nga novela e tij “Hapi i fundit”. Diskutimi do të jetë në gjuhën angleze me përkthim në gjuhën shqipe./ KultPlus.com

DokuFest merr pjesë në Forumin e Parë Ndërkombëtar të Festivaleve të Filmit Mjedisor në Portugali

DokuFest është një nga 38 festivalet e filmit mjedisor nga e gjithë bota që do të marrin pjesë në Forumin e Parë Ndërkombëtar të Festivaleve të Filmit Mjedisor, që do të mbahet në Seia, Portugali, nga 13 deri më 15 tetor.

Forumi, i organizuar nga CineEco 2018 dhe Green Film Network (GFN) anëtare e së cilës është edhe DokuFest, është pjesë e edicionit të 24-të të festivalit të filmit mjedisor në Portugali dhe mbështetet nga Qendra Portugeze e Turizmit.

Gjatë këtyre tri ditëve, festivalet do të diskutojnë çështje të përbashkëta, do të forcojnë lidhjet dhe do të promovojnë reflektimin mbi rëndësinë e platformave audiovizuale që nxisin ndryshime të qëndrueshme shoqërore.

Në këtë marrin pjesë 38 festivale mjedisore nga 28 shtete: Shqipëria, Argjentina, Austria, Brazili (3), Kanadaja, Kolumbia, Kroacia, Republika Çeke, Republika Dominikane, Franca (3), Gjermania (3) Japonia, Kosova, Malajzia, Meksika, Mali i Zi, Rumania, Rusia, Serbia, Koreja e Jugut, Spanja (2), Zvicra, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (3) dhe Portugalia.

Pjesëmarrësit ndërkombëtar nga këto shtete do të diskutojnë për çështjet mjedisore dhe të qëndrueshmërisë dhe do ti ndajnë eksperiancat e tyre në përdorimin e filmit, artit dhe komunikimit për ti adresuar këto. DokuFest do ta prezantoj programin GREEN të festivalit si dhe përdorimin e filmave mjedisor në programin vjetor përmes projekteve që nxisin kreativitetin dhe aktivizmin qytetar tek të rinjët.

Forumi i parë botëror i festivaleve të filmit mjedisor do të zhvillohet në Seia, Serra da Estrela, një rajon malor turistik i lidhur me turizmin e natyrës, promovimin e prodhimeve vendore dhe ngjarjet kulturore që theksojnë kulturat lokale./ KultPlus.com

Cila është gjuha më e folur në botë, anglishtja apo kinezishtja?

Anglisht, kinezisht, arabisht ose spanjisht: cila është gjuha që flitet nga numri më i madh i njerëzve, mbi një miliard e dyqind milionë? Shfletoni për ta zbuluar.

Kinezisht

Për disa dhjetëra miliona njerëz është gjuha e dytë dhe jo e parë më e folur në botë. Një miliard e 107 milionë aktualisht flasin kinezisht: mund të imagjinohet se parësia do të mbetet tek anglishtja për një kohë, duke pasur parasysh normat e rritjes demografike të Kinës.

Hindi dhe Urdu

Hindu dhe Urdu janë dy gjuhë indoevropiane me të njëjtën origjinë të folur në Indi dhe Pakistan, gjithsej 697 milionë njerëz. Dallimi më i dukshëm midis dy gjuhëve është forma e shkrimit, sepse Hindi përdor devanagari në të shkruar, ndërsa urdu përdor një shkrim me origjinë arabe.

Spanjisht

Më shumë se gjysmë miliardë njerëz flasin spanjisht në botë, saktësisht 512 milionë (të dhëna për vitin 2017) në Spanjë dhe në Amerikën e Jugut.

Arabisht

Me pothuajse gjysmë miliard njerëz që e njohin atë, arabishtja standarde është gjuha e pestë më e përhapur në botë. Arabishtja klasike, ajo e Kuranit, është gjuha liturgjike e 1.7 miliardë myslimanëve.

Frëngjisht

Ish-gjuha e diplomacisë dhe elitave botërore, frëngjishtja është gjuha e gjashtë më e folur në botë: pothuajse 300 milionë njerëz e dinë atë, ekzaktësisht 284 milionë.

Malajzisht

Gjuha e folur në Azinë Juglindore është e shtata më e përhapur në botë me 281 milionë njerëz që e flasin atë rrjedhshëm.

Rusisht

Gjuha ruse flitet nga 264 milionë njerëz, dhe kjo është gjuha e tetë më e përhapur.

Bengalisht

261 milionë njerëz flasin gjuhën bengale dhe është gjuha e nëntë më e përhapur në botë.

Portugalisht

236 milionë njerëz flasin portugalisht. Gjuhë amtare në Portugali, Brazil, por edhe në disa koloni të mëparshme si Angola. Gjuha portugeze është gjuha e dhjetë më e folur në botë.

Lista e plotë e publikuar në “Twitter”:

Ata që e flasin në total, 2017 (milionë)

Anglisht: 1.212 , kinezisht: 1.107, hindi dhe urdu: 697, spanjisht: 512 arabisht: 422, frëngjisht: 284, malajzisht: 281, rusisht: 264, bengalisht: 261, portugalisht: 236, punjabi: 228, gjermanisht: 132, japonisht: 128./ KultPlus.com

The Sun tregon arsyet pse nuk flasin Rita Ora e Dua Lipa

Familjet e tyre janë miq, kanë ndjekur të njëjtën shkollë dhe të dyja kanë jetuar në Kosovë, por ka disa arsye përse Rita Ora dhe Dua Lipa nuk flasin.

Gazeta the Sun i ka kushtuar një artikull të plotë Dua Lipës dhe Rita Orës, duke ndarë me lexuesit e tyre disa nga arsyet që mund të kenë ndikuar në zbehjen e kontakteve në mes të dy këngëtareve nga Kosova, përcjell KultPlus.

Sipas artikullit mendohet që arsyeja që dy këngëtare nuk flasin me njëra –tjetrën ka lindur në kohën kur Dua Lipa ishte në fillim të karrierës dhe ishte kërkuar ndihmë nga motra e Ritës, Elena Ora. Elena punon për një kompani të muzikë, dhe nuk i kishte ndihmuar Dua Lipës. Në anën tjetër Dua mendon se ajo nuk i ka ndihmuar pasi që është frikësuar se do i marrë famën Ritës, kanë thënë burime të gazetës.

LONDON, ENGLAND – NOVEMBER 23: Elena Ora (L) and Rita Ora attend a drinks reception at the British Fashion Awards in partnership with Swarovski at the London Coliseum on November 23, 2015 in London, England. (Photo by David M. Benett/Dave Benett/Getty Images)

Artikulli tregon se që të dyja kanë jetuar në Kosovë dhe vijnë nga familje që njihen. Gjyshi i Ritës ka qenë regjisor ndërsa babi i Dua Lipës, muzikantë. Rita Ora ka fituar famë 4 vite më herët se Dua dhe ka një pasuri prej 12 milionë funta, kurse Dua 3 milionë funta. Mirëpo në top-lista është Dua Lipa ajo që kryeson thuhet në artikull.

Rita ora gjithashtu është bërë e njohur edhe për stilin e saj të veçantë si dhe ka qenë fytyra e Adidas-it, Superga si dhe ka krijuar linjën e saj Roara Republik. Mirëpo së fundi Dua është ajo që po prezanton veshjet e kompanisë Adidas, duke i marrë ‘kurorën Ritës”. Ajo gjithashtu ka bashkëpunuar edhe me brendin H&M.

Në anën tjetër në artikull flitet edhe për miqësinë që bëri Dua Lipa, me ish të dashurin e Rita Orës, Calvin Harris. Harris pas ndarjes me Ritën krijoi hitin “One Kiss”, së bashku me Dua Lipën.

Po ashtu një ceremoni në të cilën të dy këngëtaret ishin prezentë por që nuk komunikuan me njëra-tjetrën ishte edhe “Brit Awards 2018”. Dua Lipa mori dy çmime në këtë garë ku ishte e nominuar 5 herë ndërsa Rita, asnjë.

Po ashtu edhe Dua edhe Rita këtë vit kanë mbajtur koncert në vendlindjen e tyre në Kosovë, por ato kanë qëndruar larg njëra-tjetrës duke i organizuar në data të ndryshme. Ndërsa në mes tyre vërehet edhe tendenca për të “vjedhur miq”. Bebe Rexha, shqiptarja tjetër e njohur i takon grupit të Rita Orës mirëpo ajo së fundi në një intervistë është shprehur krenare që edhe një shqiptare ka depërtuar në industrinë e muzikës.

“Edhe pse Rita Ora, aktualisht ka pasuri më të madhe se Dua, mbetet për të parë si do shkojë ky vit dhe Dua Lipa së shpejti mund të jetë artistja kryesuese e Kosovës”, është shkruar në fund të shkrimit./ KultPlus.com

Konkurron në “Miss Italia 2018” me këmbën protezë

Fiton vendin e tretë në konkursin e bukurisë “Miss Italia 2018” me këmbën protezë. Chiara Bordi 18-vjeçare, 6 vite më parë pësoi një aksident me motor dhe që prej gjashtë vjetësh ajo mban një protezë në këmbë.

Chiara bëhet kështu konkurrentja e parë në historikun e “Miss Italia”, që garoi me një këmbë protezë për kurorën e këtij titulli. Në rrjetet sociale ajo pati edhe shumë kritika nga komentuesit, të cilët shkruanin se asaj iu dha çmimi për mëshirë dhe jo se e meritonte atë.

“Po, mua më mungon një këmbë, por ty të mungon zemra dhe truri. Unë nuk jam e interesuar të fitoj, por t’i tregoj botës se jeta është ende e bukur kur rilind pas një ngjarje tragjike”, ia kthen një komentuesi në Facebook Chiara.

Ndërsa kurorën e më të bukurës në Itali e fitoi 26-vjeçarja, Carlotta Maggiorana. E dyta në klasifikim është Fiorenza D’Antonio, 21-vjeçarja nga Napoli me sy jeshil dhe flokë biond./ KultPlus.com

Lulzim Tafa, fitues i çmimit Miahi Eminesku

Poeti kosovar Lulzim Tafa, fitoi çmimin Miahi Eminesku në Festivalin Mondial de Poezie, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit e Universitetit AAB, ndërsa ai fitoi çmim special në këtë festival.

Festivali mbahet në Craiova në Rumani ndërsa organizohet nga Akademia Ndërkombëtare Mihai Eminescu.

Lulzim Tafa është i pranishëm në letërsinë shqipe për më shumë se dy dekada e gjysmë, duke qenë njëri ndër poetët më të përkthyer shqiptar në botë. Poezitë e tij janë përfshirë edhe në disa antologji botërore dhe është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare për letërsi.

Krahas botimeve në shumë vende të botës, viteve të fundit është botuar edhe në vendet e ish Jugosllavisë, si në Sarajevë e Podgoricë, dhe është pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit por edhe nga kritika letrare. Madje, dy shkrimtarët më të mëdhenj të vendeve të tyre, Jevrem Bërkoviq në Mal të Zi dhe Abdullah Sidran në Bosnjë e Hercegovinë, nuk kanë ngurruar ta cilësojnë Lulzim Tafën, njërin ndër poetët më të mirë të Ballkanit./ KultPlus.com

Së shpejti, gjuha rome do të futet në shkollat shqiptare

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, në Shqipëri, Lindita Nikolla, ka deklaruar se së shpejti në shkollat e vendit do të futet edhe gjuha rome.

“Mësuesit ndihmës këtë vit bëhen 700. Jam e mbushur me më shumë arsye që këto mësues të mos jetë prania fizike e tyre por të realizojnë pritshmëritë e prindërve. E kemi të nevojshme të bëjmë trajnime dhe puna e mësuesve të matet me progresin e fëmijëve që bëjnë në klasa. Kemi vullnet dhe dëshirë për të listuar problematikat që ne kemi. Çdo ditë të punës tonë ta keni me ne në zyrat tona për të përmirësuar shërbimet ndaj kësaj kategorie. Arsimi gjithëpërfshirës do të ketë fokus deri në hierarkinë më të lartë në Ministrinë e Arsimit. Së shpejti do mundësojmë gjuhën rome në sistemin tonë arsimor. Puna që kemi bërë ka të bëjë edhe me universitetet. Mësuesit ndihmës jo të gjithë janë të mirëtrajnuar, ndaj kemi nxitur universitetet të kenë programe për nevojat e kohës dhe me modulet më të mira. Në vitet në vijim do të kemi mësues të specializuar të pedagogjisë speciale. Po ashtu rrjetet profesionale po trajnohen me orë model që ne të mundësojmë një shërbim cilësor“, deklaroi Nikolla./ 27.al/ KultPlus.com

Gashi do ta sjellë në Kosovë këtë Dj me famë botërore

Reperi shqiptar, Gashi, së fundmi e ka bërë një premtim të madh për adhuruesit e tij.

Nëpërmjet shkëmbimit të disa komenteve në llogarinë Instagram ai ka lënë të kuptohet që vitin e ardhshëm ka gjasë ta sjellë në Kosovë Dj me famë të madhe në botë, shkruan lajmi.net

Fjala është për Dj Snake, i cili bashkë me French Montanan dhe Gashin sollën hitin ‘Creep on me’.

Se çka ka menduar konkretisht Gashi dhe cilat janë planet do ta marrim vesh kur ato të definohen, e fansat e tij urojnë që premtimi i reperit shqiptar të shkoj deri në fund./ KultPlus.com

Rona Nishliu merr dhuratë të veçantë nga Edi Rama

Vetëm pak javë më parë në një ceremoni tërësisht të fshehtë këngëtarja Rona Nishliu është lidhur në martesë.

Aktualisht ajo po shijon muajin e mjaltit në Itali me bashkëshortin e saj të cilin ende nuk e ka ekspozuar në rrjete sociale. Por këngëtarja duket se ka marrë një dhuratë speciale nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ajo ka publikuar në rrjete sociale foton e një shishe vere të ardhur nga Kryeministria dhe krahas fotos shkruan: Faleminderit për kujdesin tuaj dhe të institucionit, dhuratë speciale ditëlindjeje nga Kryeministri,”-shkruan Rona krahas fotos së publikuar në rrjete sociale./ KultPlus.com

“Festa e të vjelave”, Dibra destinacion turistik

Dibra një destinacion turistik, ku turizmi gërshetohet me traditat, bukuritë natyrore të Korabit, kanionet e Drinit të Zi, vendlindjen e Skënderbeut dhe bashkë me to “Festa e të Vjelave”.

Bashkia Dibër, do të organizojë më 4, 5, dhe 6 tetor “Festën e të Vjelave”.

“Eja në Dibër sepse: festojmë bukuritë e Vjeshtës, dhe është “Festa e të Vjelave” dhe organizojmë: Ture turistike do të organizohen nga guidat lokale, të cilat do ju mundësojnë të kaloni një ditë ose më shumë më afër bukurive të natyrës së Dibrës, dhe të shijoni gatimet dhe karakteristikat tradicionale të saj. Eja dhe njihuni me bukuritë e Peshkopisë: Korabit, malit më të lartë të Shqipërisë, Luginës së Shërimit, Llixhave dhe fshatit turistik të Rabdishtit, vendlindjes së Skënderbeut dhe Kanionin e Setës”, shprehet bashkia Dibër. Në Dibër mund t’i shijoni prodhimet mahnitëse të stinës së vjeshtës.

“Kanionin e Drinit të Zi, në Gradec-Hotesh-Katund i ri; Ballkoni i Peshkopisë me Bahute-Grame-Zmur; Kërcini me bukuritë e agroturizmit në Maqellarë, kulturë dhe natyrë; Hinoska, me fshatrat e Melanit dhe Ilnices, dhe bjeshka e Valivarit; Eja në Dibër, sepse do shijoni prodhimet më të mira të Dibrës në stinën e vjeshtës, sepse është “Festa e të Vjelave”, shprehet bashkia./ KultPlus.com

Liburn Jupolli sonte do sjellë koncertin “Gravitas” në ARMATA

Gjatë GRAVITAS, ARMATA shndërrohet në qendër të toneve dhe harmonive, zhurma unifikohet dhe bëhet dimenzionale, duke krijuar platformë me rëndësi për dialog kulturor, shkruan KultPlus.

Liburn Jupolli është kompozitor, pianist dhe inovator në fushën e muzikës klasike dhe zhanret alternative. Ai ka interes specifik në krijimin e instrumenteve të reja muzikore dhe përmirësimin e komunikimit dhe edukimit muzikor, si medium holistik komunikues dhe vegël për mësimin e lëndëve tjera, sikur matematika. Për momentin ai është duke studiuar në Francë, ku ka fituar titullin Master në EdTech, me fokus në zhvillimin e instrumenteve muzikore dhe komunikim në CRI – Centre de Recherche Interdisciplinaire – Paris Descartes, ku gjithashtu është kandidatë për doktoratë.

Octo është instrumenti i parë të cilin krijoi në vitet 2009-2010 në bashkëpunim me Ari Lehtela (luthier, ShBA/Finlandë); ai ka 8 tela, 43 fusha mikrotonale, 8 dalje të ndara.
Gravitas (lat. Graviteti), në kontekst shkencor, është fenomeni natyror ku të gjitha gjërat me masë ose energji i afrohen njëra tjetrës; në shoqëri, kjo fjalë përshkruan dikë ose diçka që ka peshë dhe rëndësi.

Pjesë e programit do të jetë:

1. Loë Million
2. Øresund Line
3. Horisons d’or
4. KurrizCold Dance
5. Vortex Maisema
6. Snarrh
7. Tout ce que vous savez, mais avec plus d’eau
8. High Million

Programi përfshinë 2 punë nga viti 2015 si dhe ato të fundit, duke kombinuar hapësirat zanore të krijuara nga Octo si solo instrument ‘spacial’, duke hulumtuar tiparet mikrointervalike të instrumentit në ndërthurje me komponimin specifik ‘spacial’ për 8 daljet të cilat i ka instrumenti. Octo, si solo instrument, në punët si “Snarrh”(solo verzion i punës origjinale orkestrale) hulumton urën muzikore të instrumenteve shqiptare dhe ballkanike të cilat kanë një miks të mundësive tonale prej Evropës perëndimore dhe Evropës jug-lindore, duke i kombinuar në vija homogjene të shprehjes dhe në të njejtën kohë si pejsazhe komplekse tonale.

Punët tjera eksplorojnë aspektet totemike repetitive të ISO polifonisë shqiptare dhe këndimit malësor në Kosovë, si reflektim i përsëritjes së perkusioneve afrikane dhe sensibilitetit ballkanik ndaj kompleksitetit ritmik dhe theksit. KurrizCold Dance, Øresund Line dhe Vortex Maisema janë impresione muzikore të strukturave futuristike dhe brutaliste të arkitekturës ballkanike.
Koncerti përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe do të fillojë në ora 21:00, sonte, në Kino ARMATA./ KultPlus.com

Dua Lipa, simbol i modelit të ri elektrik e luksoz të Jaguarit

Në timon dhe të dëgjosh muzikë, është një nga veprimet më të përbashkëta në botë. Për më tepër të ngasësh veturën dhe të këndosh këngën që dëshiron. Duke shtuar këtu stilin, ritmin dhe mjetet instrumentale që ju pëlqejnë.

Është një remiks i pilotuar, që të jep mundësinë të rishpikësh këngët pa fund, një aspekt i dëgjimit të muzikës në veturë që është reflektuar nga Jaguar dhe artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Teknologjia është revolucionare. Të gjithë fansat e këngëtares mund të krijojnë një version të personalizuar të “Want to”, që sot është kënga më e miksuar në botë.

Falë një softueri të krijuar nga Jaguar, mund të gjeneroni miliona remikse origjinalë në tre mënyra të ndryshme, përmes të dhënave të blera në bordin e veturave të familjes, PACE, preferencave të ruajtura në Spotify, dhe duke krijuar një ritëm të thjeshtë nga smartfoni, përcjellë koha.net

Pra, me këngën “Want To”, mund të krijoni versionin hip hop, dance, orkestral, drum dhe bass, për një milionë miksime të ndryshme.

Jaguar i-Pace është SUV i ri elektrik i kompanisë së njohur britanike, ndërkohë që ka mjaft risi edhe në anën motorike të kësaj veture luksoze./ KultPlus.com

Teatri Kombëtar hyn në borxh për ta dërguar “Bordel Ballkanin” në Sarajevë

Teatri Kombëtar i Kosovës është detyruar të hyjë në borxh për të mos i dështuar prezantimi në festivalin ndërkombëtar të teatrit “MESS” në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.

Një ditë pas afatit, menaxhmenti i TKK-së, pasi i ka huazuar mjetet për të mbuluar shpenzimet e vizave e të sigurimeve shëndetësore të ekipit, e ka nënshkruar kontratën me organizatorët e festivalit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me shfaqjen “Bordel Ballkan”, ky institucion do të prezantohet në “MESS”, por kjo pjesëmarrje u rrezikua në mungesë të 1 mijë e 300 eurove, sa i duheshin fillimisht, e të cilat nuk janë bartur nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Kontrata me organizatorët ka qenë dashur të nënshkruhej të hënën, por një gjë e tillë ka ndodhur tek të martën.

Milot Mustafa, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të TKK-së, ka konfirmuar se të martën e ka nënshkruar kontratën me festivalin, përderisa hyrja në borxh ka qenë “zgjidhja” për të mos hequr dorë nga prezantimi në festival.

“Organizatori në TKK, Beqir Beqiri, sot (e mërkurë) do të udhëtojë drejt Shkupit për viza. Menaxhmenti kishte anuluar terminin e katërt me radhë të caktuar në Ambasadën e Bosnjë-Hercegovinës në Shkup për vizat e ekipit prej mbi 30 vetash, që planifikohet të udhëtojë drejt Sarajevës muajin që vjen.

“Ai do të shkojë për viza. Dhe pastaj do të shohim mundësitë sesi t’i kthejmë paratë e marra borxh”, ka thënë Mustafa.

Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e regji të András Urbán u rrezikua të mos prezantohej atje për shkak të bllokadës financiare…/ KultPlus.com

Tetë faktet e gabuara që i mësuam në shkollë

Jo çdo gjë që mëson në shkollë është e saktë. Ndodh që disa informacione të pasakta jepen pa u korrigjuar, duke u kristalizuar në gabime të vërteta shkencore dhe historike. Ndonjëherë ndodh që për ta çuar një mesazh tek dhjetëra studentë, mësuesit e thjeshtojnë, për pasojë ai bëhet i pasaktë.

Autori amerikan James Loewen ka mbledhur në librin “Gënjeshtrat që më tha mësuesi: Çdo gjë librat e historisë Amerikane e patën gabim, fraza që jemi mësuar t’i dëgjojmë por që në fakt janë të gabuara.

Christopher Columbus zbuloi Amerikën

Ne jemi mësuar të dëgjojmë këtë frazë që nga shkolla fillore, për vitin e famshëm1492, viti kur Kolombi zbarkoi në Amerikë dhe është konsideruar një nga hapat vendimtarë mes Mesjetës dhe Epokës Moderne. Në realitet, Kolombi nuk ishte ai që vërtet zbuloi ekzistencën e kontinentit amerikan. Udhëtar i parë që mbërriti në ato toka është Leif Erikson, islandezi që rreth vitit njëmijë pas Krishtit zbarkoi në Amerikën e Veriut. Ai zbuloi ishullin Terranova ose siç e njohim sot si Kanadaja.


Kameleonët mund të maskohen

Besimi se kameleonët ndryshojnë ngjyrën sipas mjedisit që rrethon, për të maskuar dhe shpëtuar grabitqarët, është thuajse aksiomë për shoqërinë. Ajo që nuk dihet është se në realitet, duke qenë në gjendje të ndryshojnë ngjyrën, ata e bëjnë këtë gjë për çështje që lidhen me temperaturën e trupit dhe për të komunikuar me të tjerë të llojit të tyre.
Isaac Newton zbuloi gravitetin kur një mollë ra në kokë
Njutoni nuk u godit aksidentalisht nga ndonjë mollë kur zbuloi gravitetin, kjo është një histori që ne jemi mësuar të dëgjojmë në shkollë. Molla është gjithmonë e pranishme në realitetin historik, por Njutoni thjesht e pa atë të binte nga një pemë. Nga atje filloi të mendonte për mundësinë e ekzistencës së një force graviteti derisa e ktheu atë në një teori.

Albert Einstein merrte 4 në matematikë dhe ishte një student i dobët

Historia e gjenialitetit të Ajnshtajnit është ndoshta fakti që qarkullon më së shumti mes nxënësve dhe që shërben si motivim. Në fakt, Ajnshtajni ishte një student i shkëlqyer dhe shkëlqeu në matematikë. Ndoshta legjenda rrjedh nga fakti se ai nuk mundi të hyjë në Politeknikun e Cyrihut, një universitet zviceran. Por kur ai mori testin, Ajnshtajni njihte shumë pak frëngjishten dhe ende kishte për të mbaruar shkollën e mesme.


Plutoni nuk është një planet

Pasi u konsiderua për një kohë të gjatë jo-planeti që i përkiste sistemit diellor dhe në 2005 Plutoni u hoq nga lista e planeteve nga Bashkimi Ndërkombëtar Astronomik. Ajo që nuk dihet, në fakt, është se Plutoni është thjesht një planet tjetër: një planet xhuxh, i cili korrespondon me kritere të ndryshme vlerësimi nga planetët e tjerë.

Muri i Madh i Kinës është struktura e vetme e krijuar nga njeriu që mund të shihet nga hapësira

Për një kohë të gjatë mendohej se muri kinez ishte puna e vetme e njeriut e dukshme nga hapësira. Ky është një pohim që, sado sugjestiv, është dukshëm i pasaktë. Edhe pse mijëra kilometra e gjatë, Muri i Madh është më pak se dhjetë metra i gjerë dhe është absolutisht e pamundur ta shohësh me sy të lirë.

Pikat e shiut kanë formën e lotëve

Vizatimet e fëmijëve janë plot me pika shiu që kanë të njëjtën formë të përkulur të lotëve. Në fakt, shkencëtarët kanë treguar se forma e shiut duket më shumë si një hamburger ose më së shumti një fasule.

Ju mund të ndjeni shijet e caktuara vetëm në disa pjesë të gjuhës

Besimi se një pjesë e gjuhës përdoret për të kripur, një tjetër për ëmbël dhe një tjetër për hidhërim rrjedh nga fakti se, në fakt, ka disa zona më të ndjeshme ndaj shijet e caktuara. Por në realitet receptorët e shijes janë kudo dhe dallimi në mes tyre është delikat./KultPlus.com

Misteret e Orikumit shfaqen për publikun më 20 shtator

Dokumentari mbi gadishullin e Karaburunit, pasurive detare dhe ato arkeologjike të qytetit antik të Orikut, do të shfaqen në datën 20 shtator në Njësinë Administrative Orikum, të bashkisë Vlorë.

Dokumentari është projektuar për të nxjerrë në pah bukuritë natyrore dhe ato materiale të Shqipërisë së Jugut.

Bashkia e Vlorës bën me dije se gjatë projektimit të filmit do të jenë të pranishëm arkeologët që kanë zhvilluar gërmimet në Parkun arkeologjik të Orikut, të cilët do të jenë të hapur ndaj pyetjeve që mund të vijnë nga të pranishmit.

Dokumentari “Misteret e Orikumit” do të shfaqet në orën 18:00 te sheshi përpara godinës së Njësisë Administrative Orikum./ ata

Gazeta britanike mori një telefonatë misterioze, 20 minuta para se të vritej Kennedy

Një gazetë britanike mori një telefonatë anonime për një “lajm të madh” në Shtetet e Bashkuara, disa minuta para se Presidenti John F. Kennedy të qëllohej për vdekje, thuhet në dosjet e sapo lëshuara.

Një grup prej 2,800 dokumentesh të deklasifikuara përfshin një memor nga CIA, drejtuar drejtorit të FBI-së, të datës 26 nëntor 1963, në lidhje me një telefonatë të marrë nga Cambridge News më 22 nëntor, ditën kur Kennedy u vra në Dallas.
Dosja e zëvendës drejtorit të CIA-s James Angleton thotë se telefonuesi tha se “gazetari i lajmeve të Cambridge News duhet të telefonojë Ambasadën Amerikane në Londër, për një lajm të madh dhe pastaj e mbylli”.

Memoja thotë se shërbimi i inteligjencës i Britanisë MI5 llogariti që telefonata u bë 25 minuta përpara se Kennedy të vritej.

Ai tha se gazetari që mori telefonatën “është i njohur për ta si një person i qartë dhe besnik, pa probleme sigurie”. /KultPlus.com

Sislej Xhafa për KultPlus: Letra e reagimit nuk është shkruar nga unë

Një shkrim me titullin “Refleksion / Sis’lej Baglat” nga një e-mail enigmatik sonte ka ardhë në adresën e KultPlus.

Shkrimi nuk ka një autor brenda tij ndërsa asocon si një përgjigjje e artistit Sislej Xhafa ndaj kritikave se ekspozita e tij e fundit në Prishtinë ishte një goditje ndaj kafshëve dhe ishte abuzim me lopët në oborrin e Galerisë.

Letra erdhi nga një e-mail që përngjanë shumë me e-mailin e Sislej Xhafës, me të cilin kontakton KultPlus.

“E vlerësoj shkrimin në fjalë, qenka profesional, por nuk e kam shkruar unë” tregon Sislej Xhafa.
Teksti, i botuar edhe në KultPlus, është ribotuar më pas nga mediat tjera shqiptare, si reagim i Sislej Xhafës.

“E-maili nga i cili ky tekst u është dërguar mediave nuk është imi. Ky është një shkrim fake” tregon Sislej Xhafa. / KultPlus.com

Edhe Shqipëria do të marrë pjesë në Eurovizion 2019

Shqipëria e ka konfirmuar pjesëmarrjen në Eurovizionin e vitit 2019-të.

Eurovision Song Contest do të mbahet në Izrael në majin e vitit 2019-të. Shqipëria e ka konfirmuar pjesëmarrjen ndërsa kënga përfaqësuese si gjithmonë do të jetë kënga fituese e Festivalit të RTSH-së, i cili mbahet në muajin dhjetor.

RTSH ka hapur aplikimin por nuk ka një datë të caktuar deri kur mund të aplikohet me këngë, shkruan KultPlus.

Shqipëria ka debutuar në Eurovizion në vitin 2004, ndërsa rezultatet më të mira i kanë shënuar Rona Nishliu, Anjeza Shahini dhe Eugent Bushpepa. / KultPlus.com

Fotografitë e fëmijëve të cilat nuk duhet t’i postoni në rrjetet sociale

1. Foto nga dushi
Çdo foto e fëmijës suaj pjesërisht ose tërësisht e zhveshur nuk është mirë që të publikohet. Për ju mund të jetë një moment i dashur, por mund të bjerë në duar të gabuara si ato të pornografëve. Kështu që për sigurinë e fëmijëve tuaj mos i postoni këto foto.

2. Kur janë të sëmurë

Si prindër, mbrojtja e fëmijëve është detyra kryesore dhe nuk duhet të përfitoni prej tyre. Përpara se të postoni foto të tilla pyesni veten nëse do ju pëlqente që dikush të postonte një foto tuajën në atë gjendje.

3. Foto që i vënë në siklet
Foto të tilla mund të kenë efekt shkatërrues për fëmijët. Jo vetëm që shkel besimin mes prindërve dhe fëmijëve, por shkakton çrregullime stresi post-traumatik, depresion dhe ankth.

4. Foto nga uturaku
Mos harroni se çdo gjë që postohet në internet zgjat përgjithmonë dhe ndoshta fëmijës suaj nuk do t’i pëlqente të shikonte një foto të tillë kur të rritet.

5. Detajet private
Mbajini fëmijët të sigurt duke mos ndarë kurrë emrat e tyre të plotë, adresat, ku shkojnë në shkollë, adresën ku i mban dadoja etj.

6. Foto në grup
Nëse vendosni të ndani fotot e fëmijëve tuaj në internet, kjo është zgjedhja juaj. Por, duhet të bëni kujdes me fotot ku ka edhe fëmijë të tjerë pasi ju nuk keni të drejtë të merrni këtë vendim për ta.

7. Kujdes bullizmin

Tregohuni të vëmendshëm, sepse mund të ketë foto që nxjerrin në pah ndonjë dobësi të fëmijës suaj dhe kjo mund të bëhet objekt që ta tallin në shkollë, kopsht etj.

8. Aktivitete të pasigurta
Foto me një gotë alkool ose cigare në dorë? Mos i postoni këto foto në rrjete sociale sepse përcillni mesazhe të gabuara dhe nxisni diskutime që do t’ju lëndojnë. / KultPlus.com

Ti meriton një dashuri që…

Poezi e shkruar nga Frida Kahlo.

Ti meriton një dashuri që
të të dojë edhe të pakrehur,
me të gjithë arsyet që të
bëjnë të zgjohesh herët,
me të gjithë demonët
që nuk të lënë të flesh.

Ti meriton një dashuri që
të bëjë të ndihesh e sigurtë,
në gjendje të hash botën,
kur ecën pranë tij,
që i ndjen përqafimet e tua
si perfekte në lëkurën e tij.

Ti meriton një dashuri
që do të kërcejë me ty,
që gjen parajsën çdo herë
që sheh drejt syve të tu,
që nuk mërzitet asnjëherë
duke lexuar shprehitë e tua.

Ti meriton një dashuri
që të dëgjon teksa këndon,
që të mbështet kur bën budallaqen,
që të respekton si qenie të lirë,
që të shoqëron në fluturimin tënd,
që nuk ka frikë nga rrëzimet.

Ti meriton një dashuri
që i largon gënjeshtrat që afron ëndrrat,
kafenë dhe poezinë…

“Letër babait”

Nga Franz Kafka

I dashur baba…

Isha fëmijë frikacak; por edhe kokëfortë, siç janë fëmijët.
Padyshim, mamaja m’i plotësonte tekat, por nuk mund ta besoj se kam qenë aq i azdisur, s’mund ta besoj se një fjalë e ngrohtë, një vështrim i përdëllyer, duke më marrë qetësisht për dore, të mos e platitnin qenien time dhe të arrije çka dëshiroje. Dhe ti, në thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjen që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë. Ti di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe, në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë.

Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh me Feliksin. Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqendruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone. Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti.

Një natë qarravitesha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës. S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lan mbi mua.

Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit. Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kufarrë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero me xhufkë.

„Nuk jam i pajisur me asgjë, nuk përmbledh në vetvete, për aq sa di unë, asgjë tjetër fituar nga jeta, absolutisht asgjë, duke përjashtuar dobësinë universale njerëzore. Por me këtë gjë, e në këtë kuptim, duhet të them se ajo është për mua një forcë kolosale. Unë kam thithur me forcë negativitetin e kohës që po jetoj dhe ai, negativiteti më rri aq afër, ngjitur fare, sa që unë nuk kam të drejtë ta luftoj, bile jo vetëm kaq, në një farë kuptimi e ndjej për detyrë ta përfaqësoj”. / KultPlus.com

“Letër babait”, Franz Kafka

Më në fund, artisti Sislej Xhafa reagon – “Sis’lej baglat”

Shkruan: Sislej Xhafa

“Të bashkuar për kafshët.” //​ “Vuajtja nuk është art” //​ “Sis’lej baglat!” //​ “S. Xhafa, ke pak mirëkuptim.”
Mirëkuptim?
Për kend?
Për lopët? Për Ty? Për Juve?

Arti nuk është mirëkuptim. Madje, arti nuk kërkon mirëkuptim; nuk do të duhej të kërkonte mirëkuptim. Arti nuk mund të mendohet përmes kornizës së mirëkuptimit. Mirëkuptimi korrupton artin. Ndërsa, roli i artit është që të korruptoj mirëkuptimin. Vet fakti që ju keni kërkuar mirëkuptim nga Unë, do të thot që arti im ju ka korruptuar. Ju jeni subjekte të korruptuara të artit tim. Prandaj, unë i gëzohem këtij fakti. Edhe lopët festojnë nga ky korruptim i disa subjekteve nga arti im. Unë dhe Lopët festojmë. E gëzohemi.

Baglat?

Fabrizio de Andre, njëri prej kantautorëve më të njohur italian këndonte: “Nga diamantët nuk lind asgjë, nga baglat lindin lulet.”. E kuptuat? Nga baglat e lopëve lindi një krijim artistik, dhe si pasojë e tij, një subjekt i korruptuar. Për këtë arsye unë i çmoj baglat. Tek e fundit, kush jam unë që mos t’i çmoj baglat? Askush. Për (mikro)borgjezinë kosovare bagla përfaqëson figurën e fytyrërreshkurit/es. Ata/o që jetojnë nga baglat. Dhe jo nga diamantët. Ata/o që përbuzën nga (mikro)borgjezia. Baglat në artin tim janë formë e solidaritet me fytyrërreshkurit/et e Kosovës. Prandaj, siç do të brohoritej në Shqipërinë e të gjashtëdhjetave: “Rrofshin baglat.”. Hm, ndoshta ky do të jetë titulli i performancës së ardhshme!

Vuajtja nuk është art?

Oh, sa e pakuptimtë. Sa bajate! Moralizuese! Nuk e kuptuat ende që arti, pëveç se nuk kërkon mirëkuptim, aq më pak kërkon moral. Morali të rrijë me moralizuesit. Sikurse Ju. Vuajtja nuk është art!! Theodor Adorno shkruante: “Njëri prej kushteve të së Vërtetës është që të lejojë vuajtjen të flasë.” Dhe, Vuajtja foli. Foli përmes moralizuesve që kërkuan mirëkuptim. Subjektet moralizuese që kërkuan mirëkuptim nga arti im jo vetëm që u korruptuan, por arritën që ti japin zë vuajtjes. Fytyrërreshkurve të Kosovës. Viktimave të konsumerizmit. Viktimave të borgjezisë. Viktimave të aparatit shtetëror. Viktimave të mushkonjave. Viktimave të spektaklit. Oh, spektakli! Ky opium që ka për qëllim që t’i identifikojë subjektet me komoditete dhe kënaqësinë me mbijetesë.

Të bashkuar për kafshët.
Të bashkuar për viktimat e konsumerizmit.
Të bashkuar kundër (mikro)borgjezisë.
Të bashkuar kundër aparatit shtetëror.
Të bashkuar kundër mushkonjave.
Të bashkuar kundër spektaklit
Të bashkuar me të gjithë fytyrërreshkurit/et e Kosovës.
Edhe Unë ju bashkohem.
Le të bashkohemi!

Shtator 2018, Ahër