Ekskluzive: Luana Bajrami, aktorja shqiptare në “Portrait of a Lady on Fire” synon Palmën e Artë në Cannes

Ekskluzive: Luana Bajrami, aktorja shqiptare në “Portrait of a Lady on Fire”, synon Palmën e Artë në Cannes

“Portrait of a Lady on Fire” është filmi i metrazhit të gjatë me regji të Céline Sciamma e që është në konkurrencë zyrtare për Palmën e Artë në Festivalin prestigjioz Cannes, por veçantia tjetër e këtij filmi është se në një ndër rolet kryesore luan aktorja shqiptare Luana Bajrami, shkruan KultPlus.

Luana Bajrami pritet të parakalojë në tapetin e kuq të këtij festivali, ku parakalojnë edhe shumë yje të botës së kinematografisë, dhe për këtë ndjesi, vetë Bajrami ekskluzivisht për KultPlus ka ndarë emocionet mbi këtë projekt filmik.

Vetë selektimi zyrtar në një festival kaq prestigjioz, sipas Luana Bajramit është një sukses i madh, ku sipas saj, është duke i sjellë një ndjenjë të mirë.

“Ndihem e gëzuar dhe krenare që filmi “Portrait of a Lady on Fire” do të paraqitet në një festival kaq prestigjioz”, ka thënë Luana Bajrami për KultPlus, e cila ka shpjeguar edhe për boshtin e këtij filmi, ku sipas saj,  filmi është i vendosur në shekullin e 18-të.

“Roli im është i një vajzë të re që është e punësuar si shtëpiake në një familje aristokrate”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka potencuar se me regjisoren Céline Sciamma ka punuar për herë të parë në këtë projekt filmik, duke e vlerësuar si një përvojë shumë të mirë, pasi që regjisorja ka punuar shumë me kastën e aktorëve.

Duke kujtuar fillimin e këtij filmi dhe shpresën se po ky film do të depërtoje në festivale të mëdha, Bajrami për KultPlus ka treguar edhe për përvojën e saj në rrugëtimin e saj artistik.

“Kam luajtur role të ndryshme këtu në Francë, duke përfshirë rolin e Apollinës, nxënëse shumë e zgjuar në filmin “School’s Out” me regji të  Sébastien Marnier, pastaj rolin “Emma”, vajze rebele e braktisur prej nënës saj, në filmin “Fête de famille” prej Cédric Kahn, rolin e vajzës Mario, në filmin “Marion, 13 vjeçare përgjithmonë”, që është histori e vërtet”, ka thënë Bajrami e cila është nga Kosova por që është lindur dhe rritur në Francë.

Ajo ka kujtuar edhe angazhimin e saj me aktorë shqiptarë, duke përmendur përvojën e saj me Imer Kutllovcin e Ridvan Mjaku, por që të njëjtit jetojnë në Francë.

Kurse për një angazhim të saj të mundshëm me ndonjë projekt filmik me regjisor shqiptar, Luana Bajrami është shprehur të jetë e hapur për propozime. /KultPlus.com

Tenori kosovar pjesë e gala operës në New York

Riad Ymeri është tenori kosovar i cili është duke zhvilluar karrierën e tij në Amerikë, momentalisht si pjesë e organizatës për promovimin e të rinjve Camerata New York.

Do të organizohet Gala koncerti i tretë me radhë, për hirë të 19-të vjetorit të themelimit të kësaj opere, në Kishën Shën Jean Baptiste (76 në Lexington Ave) në një kombinim të lavdishëm të përzgjedhjeve të dashura të operës që i japin homazhe qiellit.

Më 4 qershor në orën 19:30, orkestra do të shfaq këngëtarët më të mirë ndërkombëtarë në veprat e Puccini, Bellini dhe Wagner.

Orkestra do të shoqërojë: Amy Shoremount-Obra, sopranoja, Anna Viemeister, mezzosopraani, Riad Ymeri, Tenori dhe baritoni Andrew Cummings në zgjedhje dhe arias nga Toska e Puccinit, Manon Lescaut dhe Sër Angelica, Lohengrin i Wagnerit dhe Norma e Bellinit.

Ky koncert do të ofrojë diçka prej muzikës më të lëvizshme dhe të paharrueshme në kanunin e operës. Për më tepër, këto të preferuarat do të kryhen nga disa nga zërat më të shquar dhe më të angazhuar në opera sot, të shoqëruar nga talentet muzikantë të Camerata New York./KultPlus.com

Mos të paça borxh ku je tu shku

Drejtori i Teatrit Profesionsit të Qytetit të Gjilanit sot ka bërë një vit punë në rolin e drejtorit të këtij institucioni kulturor, dhe nëpërmjet një statusi në facebook ai ka kujtuar komentet e njerëzve kur kanë kuptuar që po e synon pozitën e drejtorit, e deri më sot, ku sipas tij, teatri i qytetit vlerësohet të jetë një ndër teatrot më të organizuara në Kosovë. Më poshtë e keni reagimin e plotë të Zymberit.

Sot janë bërë saktësisht 1 vjet prej kur e mora drejtimin e Teatrit të Qytetit të Gjilanit.

“Mos të paça borxh ku je tu shku! E pse n’teatër, bre? Llugë ki me i pas puntë! Ska pare, ska vullnet, fukarallëk! A po i vjen era myk hala? Në mujsh veç at’ vllagën më ia hjek, sen tjetër mos bo! A po marrin rroga? A hala me borxhe qashtu, a?”

Këto janë vetëm disa prej shprehjeve që i kam marrë herën e parë, para se të filloja punën si drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, e të cilat kishin të bëjnë me gjithçka përveç vlerave e krijimit të artit.

Sot, Teatri ynë, është ndër teatrot me produktivitetin më të madh kultuor në Kosovë, e them pa modesti, dhe ndër teatrot me numrin më të madh të vizitorëve . Është teatri i parë i qytetit që ka krijuar repertoarin ose kalendarin mujor të shfaqjeve dhe që e ka mbajtur e vazhdon ta mbajë atë edhe sot, për çdo muaj. Kemi themeluar Teatrin Magjik të Fëmijëve. Pjesëmarrës në afro 10 festivale të teatrove për 12 muaj. Janë 5 premiera të realizuara brenda 12 muajve dhe mbi 200 repriza të shfaqjeve tona. Ndër teatrot që ka marrë vëmendjen dhe përkrahje financiare të projekteve të tij nga programe të ndryshme ndërkombëtare si psh: Platforma Kulturore 2019 dhe Culture for Change / Kultura për Ndryshim, etj. Bashkëthemelues me teatrot tjera të qyteteve të “Asociacionit të Teatrove Publike të Kosovës”, i cili ishte ndër promotorët kryesor të rregullimit të gjendjes financiare të teatrove të qyteteve dhe funksionon si zë dhe mekanizëm i përbashkët i teatrove të qyteteve.

A e kemi pas vështirë? Aspak. 
Sepse mbrapa nesh kanë qenë dhe janë një ekip fantastik i njerëzve me të cilët punoj dhe të cilët më kanë mbështetur vazhdimisht në çdo ide dhe plan tonin.

Falemnderit të gjithë aktorëve dhe gjithë punëtorëve teknik të Teatrit të Qytetit të Gjilanit për besimin.

Vazhdojmë së bashku. Deri në fund. A kemi edhe shumë punë? Shumë. Shumë. Ama, vërtetë shumë. Por, do t’ia dalim. Bashkë./KultPlus.com

Një bisedë interesante midis Rita Oras dhe Mariah Carey në Twitter

Mariah Carey është shpërblyer gjatë ditëve të kaluara me çmimin e ikonës së muzikës në Billboard.

Me këtë vlerësim është pajtuar edhe këngëtarja shqiptare, Rita Ora, e cila e ka komplimentuar artisten amerikane.

 “Nuk besoj që një artiste e meriton më së shumë se ti këtë çmim. Nuk je ikonë vetëm e Billboard, por edhe e imja. Shihemi në Londër”, ka pohuar përmes një videoja bukuroshja jonë teksa ishte duke udhëtuar me një autobus privat.

https://twitter.com/BBMAs/status/1123767111032233984?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1123767111032233984&ref_url=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2Frita-ora-kthen-buzeqeshjen-ne-fytyre-nje-kompliment-mariah-careyt%2F

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i apostrofuarës, e cila ka thënë se i ka kthyer buzëqeshjen në fytyrë.

“Ju më kthyet buzëqeshjen e madhe në fytyrën time. Suksese në turne dhe shihemi së shpejti”, ka shkruar ajo në llogarinë personale në Twitter.

Ndryshe, Rita është duke vazhduar me koncerte të njëpasnjëshme në kuadër të turneut për promovimin e albumit, “Phoenix”. /KultPlus.com

https://twitter.com/MariahCarey/status/1123990103960039427?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1123990103960039427&ref_url=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2Frita-ora-kthen-buzeqeshjen-ne-fytyre-nje-kompliment-mariah-careyt%2F

Almira Emiri u prezantua me koncert recital në Prishtinë

Një atmosferë e mrekullueshme u krijua në mbrëmjen e së enjtes në Sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare,  ku pianistja Almira Emiri përgjatë mbrëmjes përçoi tinguj të veprave të njohura muzikore, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare mbrëmjen e djeshme ishte e mbushur me shumë artdashës dhe veçantia e kësaj mbrëmje ishte se pianistja Almira Emiri për herë të parë në Prishtinë performoi një koncert recital, i cili ishte gërshetuar me vepra izraelite, shqiptare dhe hungareze.

Një emocion i papërshkrueshëm për pianisten e njohur shqiptare ndikoi që të dhurojë një interpretim jashtëzakonisht frymëzues për të gjithë artistët dhe të pranishmit që e çmojnë e luajnë instrumentin e pianos. 

Almira Emiri përgjatë një ore interpretoi vepra të ndryshme të kompozitorve si: Hector Berliozit, Kodaly, Schubert, Pigovat, Liszt, B.Pigovat, S.Gjoni, Zombola dhe Marzocchi, për të cilat, për një kohë të gjatë u duartrokit nga të pranishmit.

Për organizmin e këtij koncerti recital, Anila Bega Cohen,  organizatore e kësaj mbrëmje tregoi për KultPlus për  veçantitë e këtij koncerti që përfshin rrugëtimin mes tri vendeve që përmbante ky koncert.

Sipas saj, vet historia e ngjashme mes Izraelit dhe Kosovës ka rezultuar edhe në organizimin e kësaj mbrëmje, duke e ndërlidhë artin, që sipas saj është forma më e mirë e bashkëpunimit në mes vendeve të ndryshme.

Kurse vet pianistja Almira Emiri e cila ishte edhe më tej me emocionet e koncertit ka thënë për KultPlus se ishte e kënaqur me entuziazmin e publikut.

“Jam e nderuar që jam këtu. Është shumë kënaqësi të shohësh gjithë këta njerëz  dhe kjo është një pritje jashtëzakonisht e ngrohtë”, u shpreh pianistja Almira Emiri.

E sipas saj programin që kishte përzgjedhur është një program i cili tregon që kultura nuk ka kufi e veçanërisht për veprën “Luleborë” që kishte përzgjedhur për mbylljen e koncertit.  

“Programin e kësaj mbrëmje e kam përzgjedhur vet, duke e përpiluar atë që gjithmonë ka një dramaturgji brenda, programi është shumë ngjyrësh, i cili tregon që kultura nuk ka kufi. Ne mund të bashkëjetojmë dhe mund të bashkëpunojmë.  Jo pa dashje e mbylla me veprën ‘Luleborë’, kjo këngë  është një prej këngëve që shtetet e huaja e pëlqejnë shumë, dhe që i mbetet në mendje”, ka thënë në fund Emiri, e cila ka shtuar se mu kjo këngë ka bërë që të mbahet në mend edhe te ata që nuk e dinë gjuhën shqipe, pikërisht për shkak të muzikalitetit të kësaj kënge. / Frosina Byqmeti/ KultPlus.com

.

Fjalimi origjinal i mbajtur nga Hasan Prishtina më 5 maj 1912 në Kullën e Ahmet Delisë

Këtu u tubuan krerët e Drenicës. Kishte edhe nga viset tjera shqiptare. Natën kishte ecur lajmi kudo: Hasan Prishtina kishte dalë në Drenicë. Në kullën e Ahmet Delisë do të mbahej një Kuvend historik. Dhe, të gjithë vrapuan andej. U mbush kulla plot e përplot. Hasanit i rritej zemra. U përgjigjej pyetjeve që ia bënin të pranishmit. Kënaqej me ta. Kjo i dukej e madhërishme në krahasim me Parlamentin Turk.

Atje, anarki e vërtetë. Replika, sharje, fyerje e kacafytje fizike. E këtu krejt ndryshe, një flet të tjerët dëgjojnë. Mrekulli. Pasdreke e bukur. Ora pesëmbëdhjetë.

Kishin arritur të gjithë përfaqësuesit. Hasani, i ngazëllyer e plot emocione kënaqësie, u ngrit në këmbë dhe e mori fjalën: -“Të dashur vëllezër! Nata pesëqindvjeçare aziatike po kalon. Perandoria e kalbur po shembet. Fuqitë e mëdha evropiane po bëjnë plane djallëzore. Fqinjët grabitqarë po i mprehin thikat për të na rënë pas shpine. Populli ynë gjendet para një fataliteti. Nga çdo anë na kanoset rreziku. Të bëhemi syçelë e vigjilentë. T’u dalim zot trojeve tona stërgjyshore. T’i mbrojmë qysh i kemi mbrojtur gjithmonë, me gjak. Këtë mund ta bëjmë vetëm të bashkuar, si një grusht i vetëm. Unë e braktisa Parlamentin e ndyrë turk. Tri vjet i kalova në të dhe çdoherë i pakënaqur. Aq haptas i kundërshtoja, saqë më quanin deputet kryengritës. U përpoqa me ngulm t’i mbroja të drejtat që na u garantuan me Kushtetutën e vitit 1908, por kot. Sa patëm mundësi e shfrytëzuam: E bëmë Alfabetin dhe i hapëm ca shkolla shqipe. Disa djem kosovarë ia dërgova Luigjit në Normalen e Elbasanit.

Tërë pasurinë pata me e shkri për shkollat shqipe. Por, të pabesët, turqit e rinj, na tradhtuan. Nuk i realizuan premtimet. Kabineti i Hilmi Pashës i mohoi të gjitha. Ai vetë pat deklaruar para deputetëve se: Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në Perandorinë tonë, janë shqiptarët. Është frikë e madhe nga ky komb të mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe të mos mëkëmbët, të mos marrë dituri në gjuhën e vet dhe atëherë e mori lumi Turqinë e Evropës. Të gjitha këto i kundërshtova ditën e enjte, më 11 janar 1912, kur u mblodh Parlamenti. Aty i pata paralajmëruar haptas: Po nuk u përmbushen kërkesat tona, do të plasë revolucioni. E ndër të parët që do t’i rrok armët do t’jem unë. Si sinjal të kryengritjes e pata lënë: “Kur t’i mbathi opingat e të dal në Drenicë”. Dhe, e mbajta fjalën. I shita të gjitha magazet e mia në Shkup, se na duhen para dhe erdha këtu. Sot, në kullën e këtij trimi besnik po e ngrinim flamurin e lirisë, atë të Skënderbeut dhe po i shpallim luftë TURQISË”. Të pranishmit u pajtuan njëzëri. U betuan sipas tekstit që e kishte hartuar vetë Hasani, në të cilin thuhej: “Bajmë be e japim besën e burravet, se kemi me ba çfarëdo flije e në kjoft nevoja kemi me i ba kurban me duart tona robët e fëmijët tanë”. /KultPlus.com

Prishtina zyrtarisht nikoqire e “Manifesta 2022”

Një nga ngjarjet më të mëdha artistike në Evropë zyrtarisht do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në Facebook.

“Prishtina ka fituar të drejtën e nikoqirit të një prej evenimenteve më të mëdha artistike në Evropë – Manifesta 14 në vitin 2022”, ka shkruar Ahmeti.

‘Pas Zurich 2016, Palermo 2018, Marseille 2020, është Prishtina 2022. Në një garë me Vjenën dhe Kievin, bordi i Manifestës ka zgjedhur aplikimin e Prishtinës duke dërguar mesazhin se Ballkani është pjesë e Evropës dhe se mund të kontribuojë”.

Ahmeti thotë se tani nis puna për organizimin e “Manifestës”, që pritet të sjellë mbi 200 mijë vizitorë.

“Në tre vitet e ardhshme do të punojmë që ky organizim që sjell mbi 200 mijë vizitorë të jetë më i miri ndonjëherë. Manifesta do të sjellë, artistë, urbanistë, e intelektualë ndërkombëtarë për të diskutuar, intervenuar, e ngritur çështje për hapësirën tonë të përbashkët. Urime Prishtinë”, ka thënë ai./KultPlus.com

7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2.  Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34)./KultPlus.com

Flokë të Da Vinçit ekspozohen për herë të parë

Një cullufe e flokëve të Leonardo da Vinçit, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes, do të ekspozohet sot për herë të parë për publikun, njoftuan sot disa hulumtues italianë, të cituar nga mediet.

”Ne mundëm të siguronim përtej Atlantikut një cullufe e quajtur në histori si ‘flokët e Leonardo da Vinçit” , njoftuan drejtuesit e ekspozitës me titull ”Leonardo jeton”, Alessandro Vezzosi dhe Agnese Sabato.

”Kjo cullufe e flokëve, e mbajtur sekret deri më tani në një koleksion amerikan, do të prezantohet për herë të parë në botë së bashku me dokumentet që dëshmojnë për origjinën e tij të vjetër franceze, gjatë ekspozitës që do të përurohet më 2 maj në Vinçi”, shtoi Vezzosi, cituar nga agjencia AGI.

Ekspertët italianë do të kryejnë analizat e ADN-së së cullufes së flokëve për të konfirmuar apo vërtetuar ekzistencën e pasardhësve ende gjallë të gjeniut të madh të Rilindjes.

Më 2 maj 1519, piktori dhe dijetari, i cili lindi në Vinçi më 15 prill 1452 nga një lidhje e paligjshme mes një fisniku të pasur dhe një fshatareje adoleshente, vdiq në Francë në kështjellën e Clos-Luce e Amboise-s, rreth tre vite pas ftesës që iu bë nga mbreti Fransua I./KultPlus.com

“Tango” në Teatrin Dodona

Me tekst të Albana Muja dhe regji të Ekrem Sopit është duke u përgatitur shfaqja “Tango”, e cila së shpejti do të vjen me premierë, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje që nuk ka një kastë të madhe të aktorëve por që përbëhet vetëm prej Anisa Ismajlit e Rabije Kryeziut, Teatri “Dodona”, tashmë edhe ka rezervuar datën e premierës.

KultPlus mëson se kjo shfaqje me premierë do të vjen më 21 maj, për të vazhduar më pas me repriza të tjera./KultPlus.com

Vizatimi i Mandelës shitet për më shumë se 100 mijë dollarë

Një vizatim i qelisë së burgut i bërë nga presidenti i ndjerë i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, është shitur në një ankand në Nju Jork për 112 575 dollarë.

Vlera e vizatimit “Dera e Qelisë”, i cili është përfunduar nga Mandela në vitin 2002, i ka tejkaluar pritjet prej 60 mijë deri në 90 mijë dollarë.

Qelia i përkiste burgut në Roben Ajllënd, pranë Kejp Taunit. Mandela ka qenë i burgosur atje, përpara se të bëhej president. Ai ka qenë në burg 27 vjet dhe ka frymëzuar luftën kundër aparteidit. Mandela ka vdekur në vitin 2013./KultPlus.com

Gazetarja serbe bën shqiponjën, mbështetë bukëpjekësin shqiptar që u detyrua të lëshojë Serbinë

Vera Rankoviq, ish-korrospodente dhe redaktore e RTS-së ka publikuar një fotografi duke e bërë shqiponjën, simbolin shqiptar. Rankoviq e bëri këtë veprim në shenjë përkrahje të furrës “Roma” në Serbi, ku për shkak se një punëtor bëri shqiponjën, u detyrua të largohet nga Beogradi për shkak të protestave të qytetarëve.

Bashkë me këtë fotografi të postuar ajo ka thënë se kjo është përgjigja e saj ndaj fashistëve nga Borça. “Kjo është përgjigja ime fashistëve nga Borça. Ftoj të gjithë ata të cilët janë neveritur nga ajo që i ka ndodhur bashkëqytetarit tonë që këtë ta shprehni në këtë mënyrë”, ka shkruar ajo.

Komentet e qytetarëve serb kanë qenë të ndryshme, ku nuk e kanë përkrahur bërjen e simbolit shqiptar. Pronari i furrës Sun Duraj pas publikimit të videos ku shihej punëtori duke bërë shqiponjën ju ka kërkuar falje të gjithëve duke bërë të ditur se Florimi është kthyer në Kosovë./KultPlus.com

Vepra e kompozitorit kosovar refuzohet në Kosovë ndërsa jepet premierë në Vjenë

Kompozimi i operave nuk është fort i zakonshëm në Kosovë, por një vepër nga një kompozitor në Prishtinë është përzgjedhur për t’u dhënë premierë në Vjenë, pasi u anashkalua nga institucionet shtetërore në Kosovë, shkruan balkaninsight.

Megjithëse vjen nga një vend ku kompozitorët e operave janë të rrallë, kompozitori i muzikës klasike, filmit dhe teatrit, Trimor Dhomi, është një nga katër të përzgjedhurit nga e gjithë bota, puna e të cilëve do të shfaqet premierë në qershor të këtij viti në Vjenë.

Për ta krijuar këtë operë, Dhomi, një ish-refugjat, është frymëzuar nga historia e fëmijëve sirianë refugjatë, dhe kjo operë ka për personazhe një sirian dhe dy refugjatë nga lufta e Kosovës.

Ai i ka thënë BIRN-it se shpreson që vepra e tij të ketë ndikim, jo vetëm si operë, por për rëndësinë e personazheve dhe rrëfimeve që përcjellin.

“Projekti im nuk u mbështet, nuk u komentua, madje as nuk u vlerësua, përkundrazi, ofenduan punën time”, tregon Dhomi, teksa kujton se si një anëtar i këshillit ministror i kishte thënë se “është një punë shumë e keqe”, kur ishin takuar në rrugë.

Por vepra e tij tashmë do të shfaqet premierë në Vjenë. Dhe ky nuk është suksesi i parë ndërkombëtar. Dhomi po ashtu është i njohur si kompozitor i filmit “Shok”, që është filmi i parë nga Kosova që u nominua për çmimin Oskar (2016)./KultPlus.com

Shën Gjergji do të festohet me festivalin “ERDHLEZETI”

Edicioni i kësaj radhe është edicioni i VI- të i festivalit ERDHLEZETI i cili i dedikohet festës së Shën Gjergjit dhe çdo vit fillon me po të njëjtën datë 5 Maj duke u mbajtur në rrugë prapa sheshit Skënderbe.

Iniciatori i festivalit përkatës Bajram Kafu Kinolli u shpreh për KultPlus se për të realizuar ketë edicion është dashur përgatitje prej tetë muajsh dhe ky edicion do të jetë më i veçantë se edicionet paraprake sepse është dyfish më i madh dhe programi është më i pasur.

“Bendet të cilat i kemi përzgjedhë janë bende të njohura në mbarë Botën por edhe produksioni si stage ndriçimi dhe organizim është shumë më i mirë. Ketë vit shikuesit mund të argëtohen me eksperienca të reja dhe lloje të ndryshme të muzikës përfshirë edhe atë vizuale. 9 orë muzikë të gjallë nga 7 bende me mbi 45 performues vendor, rajonal dhe ndërkombëtar.”, u shpreh Kinolli.

Bendet që do të marrin pjesë janë nga e gjithë bota, Dub Pistols nga Britania, Edo Maajka ng Kroacia i cili njihet si një nder reperet më të njohur të Ballkanit, The Bloody Foreigners janë bendi kosovar që veprojnë në Diaspor, Art Lokaj performues nga Kosova dhe shumë bende të tjera.

Sa i përket mbështetes institucionale Kinolli thotë së “Me mbështetje gjithmonë kemi hapësirë për tu ankuar ku buxheti është i vogël por duhet të japim një kontribut edhe vetë, por shpresoj se kjo mënyrë do të ndryshoj”.

Me një repertoar të ngjeshur e të përzgjedhur me kujdes, Erdhlezeti shfrytëzon muzikën si mjet të integrimit shoqëror, duke i inkurajuar të gjithë Kosovarët ta festojnë Shën Gjergjin së bashku. Biletat gjithë-ditore për Erdhlezeti 2019 mund t’i bleni në Dit’ e Nat’, Rave Travel, Soma, Miqt Pub, Sound Effect (Albi Mall)./KultPlus.com

Filmi i ri i Tarantinos garues për Palmën e Artë

Filmi i ri i regjisorit Quentin Tarantino ”Once Upon a Time.. in Hollywood” me Leonardo DiCaprio dhe Brad Pitt do të jetë në garën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit të këtij viti në Kanë, thanë organizatorët sot.

Përfaqësuesi i festivalit, Thierry Fremo, tha në një deklaratë se kishin frikë se filmi i Tarantinos do të lirohej në kinema deri në fund të korrikut dhe se nuk do të ishte gati për festival, por që Tarantino nuk doli nga montimi për katër muaj dhe se si një “fëmijë i vërtetë i Kanës” do të jetë atje.

Organizatorët kanë shtuar edhe shtatë filma në konkurrencën zyrtare, por ata nuk do të jenë në garë për Palmën e Artë./KultPlus.com

Eksodi i Shqiptarëve Të Malit Të Zi

Kjo fotografi është e shqiptarëve të dëbuar nga forcat serbo-malazeze nga trevat shqiptare në Malin e Zi.

Para fillimit të Luftërave Ballkanike, qytetet shqiptare Podgorica, Tuzi, dhe një pjesë e Malësisë së Madhe u pushtuan nga Mali Zi, dhe banorët shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Kurse nga qyteti i Tivarit i cili ishte “cënuar” nga Mali i Zi në vitin 1878, shqiptarët u dëbuan në vitin 1912/1913./KultPlus.com

Publikohet letra e shqiptarit të famshëm që ia dërgoi Saddam Husseinit para disa vitesh

Action Bronson ka publikuar një fotografi në Instagram, me të cilën tregon se çfarë i kishte shkruar Saddam Husseinit vite më parë.

Action Bronson në llogarinë e tij në Instagram ka postuar një imazh, në të cilin tregon letrën që ia shkroi Saddam Huseinit.

“Emri i im është Arian. Jam shumë i shqetësuar për ushtarët tonë në Gji. E di që je njeri i mirë kështu që të lutem mos i vrit ushtarët tonë në Gji. Sepse ata të gjithë kanë familje të tyre në shtëpi. Jam në klasën e dytë dhe nuk dua që babi të shkon në luftë dhe të vdes”, kishte shkruar ai.

Ndërsa, mbishkrimi që ia la fotos është “Jam i hidhëruar sepse kjo letër nuk është dërgua kurrë. E shkruar më 1990”.

Action Bronson në llogarinë e tij në Instagram ka postuar një imazh, në të cilin tregon letrën që ia shkroi Saddam Huseinit.“Emri i im është Arian. Jam shumë i shqetësuar për ushtarët tonë në Gji. E di që je njeri i mirë kështu që të lutem mos i vrit ushtarët tonë në Gji. Sepse ata të gjithë kanë familje të tyre në shtëpi. Jam në klasën e dytë dhe nuk dua që babi të shkon në luftë dhe të vdes”, kishte shkruar ai.

Ndërsa, mbishkrimi që ia la fotos është “Jam i hidhëruar sepse kjo letër nuk është dërgua kurrë. E shkruar më 1990”.

Sot fillojnë ditët e arbëreshëve në Kosovë


Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, nga data 3 deri më 6 maj organizon “Ditët e Arbëreshëve në Kosovë”.

Grupi i arbëreshëve sot do të takohet me ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Ndërkaq, në orën 15:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në sallën e seancave plenare, për nder të tyre do të mbahet mbledhje e veçantë.

A GJ E N D A

DITËT E ARBËRESHËVE NË KOSOVË

3 – 6 maj 2019

Dita e parë: e enjte – 2 MAJ 2019

14:35 – Arritja në Tiranë;

19:00 – Arritja në Prishtinë dhe akomodimi në hotel i grupit të parë të arbëreshëve;

Dita e dytë: e premte – 3 MAJ 2019

09:00 – Arritja në Portin e Durrësit;

12:30 – Arritja në Prishtinë dhe akomodimi në hotel i grupit të dytë të arbëreshëve;

13:00 – 14:30 – Dreka dhe vizita në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës ;

15:00 – Mbledhje e veçantë në Kuvendin e Republikës së Kosovës;

20:00 – Darkë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës: Fjalim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, zv. Kryeministri/Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, z. Dardan Gashi, (Hotel |Emerald”);

Dita e tretë: e shtunë – 4 MAJ 2019

7:00-8:00 – Mëngjesi;

11:00 – Takim me Kryetarin e Komunës së Prishtinës;

12:30 – Vizitë në Muzeun e Kosovës, New Born- Heroina, në sheshin ‘’Skënderbeu’’, sheshin -‘’Ibrahim Rugova’’;

Pritja nga Presidenti i Republikës së Kosovës – (TBC)

19:00 – Performancë nga Ansambli i Arbëreshëve dhe “Shota” në sheshin ‘’Zahir Pajaziti’’;

21:00 – Darkë nga Ministri i MKRS-së, z.Kujtim Gashi.

Dita e katërt: e diel – 5 MAJ 2019

7:00-8:00 – Mëngjesi;

10:00 – 11:00 – Vizitë në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë;

11:30 – 12:30 – Vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës;

13:00 – 14:00 – Dreka;

15:00 – Takim me Kryetarin e Komunës së Skenderajt dhe vizitë në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz;

18:00 – Vizitë te varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe te Rezidenca e Presidentit Ibrahim Rugova;

20:00 – Darka nga Zv. kryeministri/Ministri z. Dardan Gashi dhe ndarja e dhuratave protokollare për arbëreshët;

Dita e pestë: e hënë – 6 MAJ 2019

7:00-8:00 – Mëngjesi;

09:00 – Takim me Kryetarin e Komunës së Prizrenit;

10:00 – Vizitë në Qendrën dhe monumentet historike të Prizrenit;

12:00 – 13:00 – Dreka;

13:30 – Nisja e grupit të arbëresheve nga Prizreni për në Itali;/KultPlus.com

Fondacioni “Raoul Wallenberg”: Historia e Isuf dhe Niqi Panariti, shpëtuesve të hebrenjve

Fondacioni “Raoul Wallenberg”: Historia e Isuf dhe Niqi Panariti, shpëtuesve të hebrenjve Fondacioni “The International Raoul Wallenberg Foundation” e ka shpallur Shqipërinë si “Shtëpia e Jetës”, çmim që do të jepet më 27 janar 2019.

Fondacioni “The International Raoul Wallenberg Foundation” (IRWF) i ka kushtuar një shkrim të veçantë familjes shqiptare Isuf dhe Niqi Panariti, prindërve të deputetit të LSI-së, Edmond Panariti, ish-ministër i Punëve të Jashtme, të cilët strehuan gjatë Luftës së Dytë Botërore familjen hebreje Mari dhe Eli Kuonne. Sipas asaj që shkruhet në faqen zyrtare të fondacionit, IRWF e ka shpallur Shqipërinë si “Shtëpia e Jetës”, çmim që do të jepet më 27 janar 2019.












Ja dhe shkrimi i plotë

Historia e një çifti guximtar shqiptar – Isuf dhe Niqi Panariti

Isuf dhe Niqi Panariti – Shpëtuesit shqiptarë

Shqipëria është një vend i veçantë. Para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, ajo kishte një popullsi hebreje prej rreth 200 veta. Deri në fund të luftës, rreth 2,000 hebrenj jetonin në Shqipëri, përfshirë qindra refugjatë nga vendet fqinje, si Austria, Gjermania, Greqia, Italia dhe Jugosllavia, të cilët arritën t’i mbijetonin persekutimit nazist falë frymës shqiptare të solidaritetit dhe mikpritjes.

Asnjë vend tjetër nën pushtimin gjerman nuk e përfunduan luftën me më shumë hebrenj sesa kishte përpara Holokaustit. Në fillim të vitit 1944, hebrenjtë në Tiranë morën urdhër të regjistroheshin te Gestapo. Shqiptarët i ndihmuan duke u pajisur me dokumente identiteti të rreme dhe i kishin fshehur ata në fshatra të vegjël.

Këtu është një nga shumë tregimet e shpëtimtarëve shqiptarë.

Marsi i vitit 1943 shënoi fillimin e dëbimit të hebrenjve nga Selaniku.

Mari dhe Eli Kuonne ia dolën të iknin nga Greqia së bashku me vajzën e tyre Frida. Vajza e tyre tjetër, Medi, ishte bashkëshortja e një pronari të hotelit jo-hebre i lidhur mirë, i cili përdori kontaktet e tij për të rregulluar largimin e tyre nga Selaniku. Ai mori kontakt me Isuf Panaritin, një biznesmen shqiptar i cili ishte në qytet në biznes dhe t’i merrte Kuonët në kufi për t’i e strehuar në vendbanimin e tij në Korçë.

Kur nazistët pushtuan Shqipërinë, në vjeshtën e vitit 1943, Kuonët u fshehën në shtëpinë e Panaritit. Eli Kuonne u bashkua me partizanët dhe bashkëshortja dhe vajza e tij u zhvendosën në një fshat të largët ku u pritën nga familja e Niqi Panariti.

Në prag të çlirimit të Shqipërisë nga nazistët, në tetor të vitit 1944, Eli u kthye nga partizanët dhe familja Kuonne u rikthye në Selanik.

Ata gjetën atje një vend të shkretuar. Lagjja e hebrenjve ishte  shkatërruar dhe shumica e anëtarëve të familjes së tyre u vranë nga nazistët.

Në vitin 1954, Frida u martua me një biznesmen hebre, Isaac Matalon.

Për shumë vite, Frida mbajti korrespondencën me Panaritët, por çdo takim personal u ndalua për shkak të kufizimeve të vendosura nga regjimi komunist në Shqipëri.

Në vitin 2015, Isuf dhe Niqi Panariti u shpallën pas vdekjes në “Të Drejtë mes Kombeve”. Çmimi u dorëzua djalit të tyre, z. Edmond Panariti, ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në atë kohë.

Në një deklaratë të përbashkët të bërë nga Eduardo Eurnekian dhe Baruch Tenembaum, Kryetari dhe Themeluesi i Fondacionit Wallenberg deklaroi: “Për shkak të heroizmit të veçantë kolektiv të Shqipërisë, IRËF ka vendosur të shpallë Shqipërinë si ‘Shtëpia e Jetës’. Ceremonia e shpalljes do të mbahet në Tiranë, më 27 janar 2019, që përputhet me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit”./KultPlus.com

Marrë nga http://www.raoulwallenberg.net/general/isuf-and-niqi-panariti-albanian-rescuers/#.W4_8dcxUXnA.facebook

NËSE NË ORËT E VUAJTJES


Poezi nga NOVALIS – shqipëroi Elida BUÇPAPAJ

Nëse në orët e vuajtjes së ankthshme

vërshon në zemrën tonë të zrazët,

nëse na bren në intimitet ngashërimi

dhe në ngushticën e së keqes nuk ka rrugëdalje;

mendojmë për të dashurit tonë të shtrenjtë

si dhimbja dhe trishtimi i kapit,

nga retë është ndërprerë shikimi ynë

tek ne një rreze shprese nuk arrin.

Oh, atëherë Zoti mirësisht priret

drejt nesh, arrin dashuria e tij te ne;

në bregun tjetër zemërdridhur dihatim,

engjelli yt, që kupën e jetës së re,

na e sjell, vjen pranë nesh,

na del përballë e na jep forcë;

nëse ne kërkojmë për të shtrenjtit tanë

qetësi, lutja nuk shkon kot./KultPlus.com

Emine Farka, zonja që gërmoi dheun me duar në mes të natës

Nga Marsida T. Najdeni

*Falenderoj miken time Zenita Farka për mbështetjen.

27 prill 2019 – Vajza e vetme e familjes Farka, drita e syve për tre vëllezërit. Tradita tironase e do që vëllai pas motrës të bëi jo vetëm shumë, por ta kulloi motrën me 1001 të mira. Kështu Emineja midis tre çunave Farka jo vetëm që e donin dhe “llastonin,” por e mbështetën të shkollohej. Ibrahimi dhe Xhemali ushqyen tek motra e tyre dashurinë kombëtare, por mbi të gjitha bluajtën tek ajo ndjenjat e një femre bashkohore. Ata donin që e motra mos tu ndahej kohës së emancipimit.

Znj. Emine Farka lindi më 1910 në Tiranë plot 3 vjet mbas lindjes së vëllait të madh Ibrahimit. Ibrahimi do të bëhej NënToger i Mbretërisë me studimet e kryera në Romë. Ardhja e saj në jetë mbas 3 vjetëve u prit me hare dhe shumë dashuri nga gjiri familjar. Mëpastaj do të lindte Xhemali, i cili u bë një gazetar i arrirë ndaç në shtypin e shkruar shqiptarë, ndaç në gazetarinë fonike si gazetarë për radion “Zëri i Amerikës” në Egjipt, edhe “Radio Bari” në Itali. Ndërsa vëllai vogël, Hasan Farka, u prek fort nga lufta e klasave kështu nuk mundi ta vazhdoi rrugën e gazetarisë dhe të artit që e kishte fort për zemër. Disa shkrime të Hasanit janë botuar në gazetat e kohës para komuniste.

Të fejuar vitet ’30 – Tiranë.

Ata që e njojtën Eminen e tregonin shumë të urtë dhe tepër miqsore. Shkollën fillore dhe 8 vjeçare do t’i kryente në qytetin e lindjes. Ishin vite të lumtura ku mbizotëronte qetësia dhe harmonia fëminore. Ndër të parat femra në Shqipëri që ndoqi studimet pranë Institutit Amerikan Harry Fultz në Tiranë, ku dhe do të fokusohej mësëshumti në degën e bukur të ekonomisë. Instituti Amerikan asikohe ofronte dhe klasa për amvisë, synimi ishte gjithë tek fryma perendimore e të qenurit amvise ndërthurur bukur me traditat e vajzës shqiptare. Në këto klasa Emineja shkëlqeu. Gjatë viteve studentore u njoh me Abas Deliallisin. Sikur ta dinte Emineja që ekonomia e shkollës do t’i shërbente për tek dera e burrit, të cilët ndër të tjera ishin tregtarë të njohur të kohës. Deliallisët ishin një derë e madhe patriotësh, por nga të tillë rrënjë rridhte dhe Emineja. Babai i Eminesë, zotni Hamdi Farka, ka punuar si avokat, prokurorë dhe drejtor finance në Tiranë. Më 26 nandor (brymuur – siç i kanë pas thëne tironsit nandorit) 1912 Hamdi Farka ishte mbështetës i zellshëm në ngritjen e flamurit në Tiranë. Bashkimi i Eminesë me Abazin solli një martesë të shëndoshë, edhe pse i shoqi do t’i dënohej me 18 vite burg. Ata e deshtën dhe nuk e lëshuan kurrë njëri tjetrin.

Fati e desht, ose më mirë të them, fati i zi e desht që në pushtet erdhën njerëz që jetonin duke marrë gjak dhe jetë të pafajshme. Pushtetarë, të cilët e tjetërsuan një komb dhe e bënë të spiunonte vëllai vëllanë. Besa shqiptarit shkoi e mori lumi bashk me njëriun e ri komunist që ndërtoi Byroja me kompani. Ardhja e komunizmit do ta gjente Eminen në moshën 34 vjeçare të bërë nënë tashmë. Emines do t’i pushkatonin dritën e syve Xhemalin, vëllain e qeshur dhe plot jetë. Shakaxhiun që mbante gjallë fisin me humorin e tij të hollë. E pushkatuan dhe nuk i treguan se ku ia kishin groposur trupin e pajetë. Në fshehtësi të plotë Emineja e mori vesh se ishin pushkatuar një grup intelektualësh tek fusha ku më pas u ndërtua “Uzina Dinamo”. Mori vëllanë e vogël Hasanin, brenda natës u mbulua me një çarçaf të vjetër dhe shkoi me thonj e duke gërmuar dheun për të gjetur vëllanë. Thonjtë ju bënë gjak, sytë i kishte plagë nga të qarat, zemrën e kishte gurë nga dhimbja, ama Xhemalin nuk e gjeti dot. Sot e kësaj dite djaloshi bukurosh gazetar është pa varr. Vëllai i madh Ibrahimi i arratisur, vëllai tjetër i pushkatuar, burri në burg… prandaj nuk e teproj kur them se Emines i takon t’i them “burrneshë”. Sakrificat e saja janë të një dimensioni gjigand. Shpirti ia di asaj gruaja si i rriti fëmitë e saj, gjithashtu si arriti t’i bënte njerëz me vlera larg të keqes kolektive. Edhe pse Emineja ka 35 vite që ka vdekur mbesa Zenita përmallohet shumë kur flet për hallën. Uroj shumë që me ketë blog modest t’i kem falur dashuri Zenitës, edhe çdo te afërmi të zonjës Emine (Farka) Deliallisi./KultPlus.com


Gazetari dhe studiuesi Xhemal Farka, i pushkatuar dhe ende pa varr.











500 vjetori i vdekjes së Leonardo Da Vinçit – disa fakte të rëndësishme të jetës së tij

Sot është 500 vjetori i vdekjes së njërit ndër personalitetet më të shquara perëndimore dhe botërore – Leonardo Da Vinci. Ai lindi në kohën dhe vendin e duhur – Anchiano/Fiorentinë. Qytetin simbol të kulturës së atëhershme, shkruan foldrejt.com. Por cilat janë disa fakte mbi Da Vinçin:

1. Një fëmijë i paligjshëm!

Ai lindi si biri jashtë martese i Piero Fruosino di Antonio Vinçit (babait) dhe Caterina (nëna). Prindërit e tij kurrë nuk u martuan dhe ai ishte i vetmi fëmijë i tyre. Megjithatë, ai kishte 17 gjysmë-vëllezër e motra me partnerë të tjerë të prindërve të tij.

2. Emri i një qyteti!

Ai lindi në Anchiano, Toscana (tani në Itali), që është afër qytetit të Vinçit, me të cilin ne e asociojmë mbiemrin e tij sot.

3. Pak ka arsimim formal!

Përtej leximit dhe shkrimit bazë, ai nuk mori asnjë arsimim formal në ndonjë shkollë.

4. Personi që qëndron prapa aftësive të tij!

Talenti i tij artistik u vlerësua së pari nga babai i tij dhe kur Leonardo ishte 15 vjeç, babai e dërgoi të mësojë pranë piktorit dhe skulptorit Andrea del Verrocchio, në Firence. Ai përpunoi teknikat e skulpturës dhe pikturës së Leonardos për më shumë se një dekadë dhe e trajnoi atë në artet mekanike.

5. Piktura e tij më e hershme!

Megjithëse puna e tij e parë mendohet të jetë ajo e një vizatimi në stilolaps dhe bojë, e luginës së Arnos (siç raportohet nga burime të ndryshme) më 5 gusht 1473, “Shpallja” (diku rreth 1472-1475) mendohet të jetë vepra e tij më e hershme . Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.

6. Kur mësuesi u impresionua me punën e tij!

Ai ndihmoi mentorin e tij Andrea del Verrocchio në pikturën e famshme “Pagëzimi i Krishtit”. Piktura përshkruan pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzori. Është thënë se engjëlli në të majtë u pikturua nga Leonardo i ri dhe kjo ishte një gjë, e cila i bëri shumë përshtypje mësuesit të tij.

7. Shkrimi, nga e djathta në të majtë!

Leonardo da Vinçi ishte majtosh dhe ishte mësuar që të shkruante nga e djathta në të majtë, gjë që rezultonte në një shkrim pasqyrë dhe i cili, ishte e vështirë për t’u lexuar nga të tjerët.

8. Adhurues i kafshëve!

Ai ishte shumë i mëshirshëm ndaj kafshëve dhe ishte kundër futjes së tyre në kafaze. Leonardo blinte shpesh herë kafshë në kafaze dhe më pas i lironte ato.

9. Një vegjetarian i rreptë!

Gjatë gjithë jetës së tij, Leonardo da Vinçi kishte qenë një vegjetarian i rreptë, gjë që supozohet të jetë pasojë e dashurisë së tij për kafshët.

10. Incidentet e fëmijërisë!

Leonardo mbante shenja vetëm dy nga incidente të fëmijërisë: njëri ishte kur një balonë ra nga qielli dhe bishti i saj i lëndoi fytyrën. I dyti kur zbuloi një shpellë ndërsa po eksploronte në male dhe u ndje i tmerruar nga që mendonte se aty mund të ndodheshin disa përbindësha.

11. Shtëpia e fëmijërisë!

Kush nuk dëshiron të eksplorojë shtëpinë e këtij artisti të madh të Rilindjes! Shtëpia e fëmijërisë e Leonardos ndodhet në një fshat të quajtur Anchiano brenda qytetit të Vinçit në Firence. Shtëpia është konvertuar në një lloj muzeu të veprave të famshme të Leonardos. Shtëpia u rihap për publikun në qershor të vitit 2012.

12. Vepra e parë e porositur./KultPlus.com

Lirohen nga paraburgimi polici dhe profesori që dyshohen për keqpërdorim me të miturën në Drenas

Janë liruar nga paraburgimi polici dhe profesori nga Drenasi, të dyshuar se kanë abuzuar seksualisht me një të mitur, i njohur tashmë në Kosovë si “Rasti Drenasi”.

Ndaj tyre tash rëndon masa e arrestit shtëpiak.

Konfirmimin për ndryshimin e masës për ta e ka dhënë për Kohën Ditore, Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ai ka thënë se ata nuk janë liruar por masa e paraburgimit është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak./koha.net/ KultPlus.com

Theren me thikë tre nxënës, reagon Shpend Ahmeti

Shpend Ahmeti

Sot isha në emergjencë për herë të dytë brenda pak ditësh. Sot nje nxënës kishte sulmuar tre të tjerë me thikë brenda hapësirave të Shkollës së Bujqësisë pas një zënke. Dy nxënës me plagë të lehta janë liruar, por njëri nxënës kishte pësuar lëndime më të rënda dhe vetëm falë intervenimit të ekipeve të Qendres së Mjekësisë Urgjente që arriten në vendin e ngjarjes shpejtë, dhe intervenimit të stafit kirurgjik të Qendres Klinike Universitare të Kosovës i shpëtoi më të keqes.

Gjendja e nxënësit është stabile edhe pse në mjekik intenziv. Falenderojmë gjithë stafin mjekësor.

Policia ka arrestuar dorasin dhe presim që organet e rendit ta zbardhin rastin. Përtej kësaj, çfarë e shtyen një të mitur ta rrezikoj jetën e një të mituri tjetër? Çfarë e shtyen për të rrezikuar vite në burg për vetën e probleme për familjen? Çfarë e shtyen një prind ta sulmoj mësuesen duke rrezikuar jetën dhe krejt familjen?

Do të donim të besojmë që zgjidhja është kontrolli në hymje të shkollës apo një detektor metali por përpos problemeve ligjore, me të drejtë kemi drojen që kjo nuk e zgjidh problemin.

Prishtina ka strategjinë për Siguri në Shkollë, por reforma e nevojshme është më e thellë dhe e domosdoshme në krejt Kosovën. Përgjegjësi më e madhe e drejtorëve, angazhim më i madh i mësimdhënësve, pedagogë e psikologë që përcjellin individualisht nxënësit në zhvillimin e tyre dhe i paralajmërojnë zënkat e tilla e deri te angazhimi i komunitetit me policinë nëpër lagje.

Ne do të kërkojmë përgjegjësi nga udhëheqësit e mësimdhënësit, do të kërkojmë angazhimin e pedagogëve shtesë e deri te diskutimet me komunitetin për masat e sigurisë. Pedagogjia nuk është vetëm ligjerim e notim por zhvillim e monitorim.

Le të jetë ky rasti i fundit, e nxënësit i urojmë shërim të shpejtë. E kaluar qoftë!/ KultPlus.com