Fondacioni “Ibrahim Rugova” ka botuar këto ditë librin me titull ‘Liber amicorum për Sabri Hamitin’ për nder të 70 vjetor të lindjes së shkrimtarit Kosovar.
Siç ka njoftuar Muhamet Hamiti në profilin e tij zyrtar, libri është dashur të botohet në muajin maj të këtij viti kur edhe ishte datëlindja e Sabri Hamitit, megjithatë botimi është shtyrë shkaku i situatës pandemike.
Pjesë e këtij libri janë emra të njohur të botës akademike si Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rexhep lsmajli, Floresha Dado, Bashkim Kuçuku, Zejnullah Rrahmani, Munish Hyseni, Sali Bashota, Besim Rexhaj, Muhamet Hamiti, Mark Marku, Kastriot Gjika, Kujtim Rrahmani, Femi Cakolli, Xhavit Beqiri, Vehbi Miftari, Persida Asllani, Dhurata Shehri, Agron Gjekmarkaj, Kujtim M. Shala, Bardh Rugova, Nysret Krasniqi, Agron Y. Gashi, Muhamed Çitaku, Arian Krasniqi, Mimoza Hasani, Albanë Mehmetaj.
Njoftimi i plotë:
Në tekstin hyrës të librit thuhet:
“Ky libër nuk është menduar si kurorë dafine e lavdisë akademike. Nuk është Festschrift, po një Liber amicorum me shkrime autorësh moshash e formimesh të ndryshme – prej miqve e kolegëve, të moçëm e të rinj, nga Kosova e Shqipëria – në nderim të shkrimtarit e të dijetarit Sabri Hamiti në 70-vjetorin e tij të lindjes.
Shkaku i pandemisë Covid-19 që ka kapluar Kosovën, si gjithë botën, libri po e sheh dritën e botimit në dhjetor të vitit 2020 dhe jo në maj kur Sabri Hamiti mbushi 70 vjet.
Liber amicorum për Sabri Hamitin feston jetën dhe veprën e Profesor Hamitit.
Mosha e autorëve e përcakton rendin e teksteve të tyre në këtë libër, me përjashtim të fjalës së Ibrahim Rugovës, mikut e kolegut të tij të letrave, që rri në ballë të librit, mbasi sublimon veprën e Sabri Hamitit përmbledhtas e gjithanshëm.
Boshti rreth të cilit sillen shkrimet janë poezia, proza dhe dramat e Sabri Hamitit, po aq sa studimet e tij për letërsinë shqipe në tërësinë e saj, për Sabri Hamitin shkrimtar e dijetar të letërsisë.”
33 shkrime të 27 autorëve janë përmbledhur në mbi 400 faqe të librit “Liber amicorum për Sabri Hamitin”.
Shkrimet janë të autorëve: Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rexhep lsmajli, Floresha Dado, Bashkim Kuçuku, Zejnullah Rrahmani, Munish Hyseni, Sali Bashota, Besim Rexhaj, Muhamet Hamiti, Mark Marku, Kastriot Gjika, Kujtim Rrahmani, Femi Cakolli, Xhavit Beqiri, Vehbi Miftari, Persida Asllani, Dhurata Shehri, Agron Gjekmarkaj, Kujtim M. Shala, Bardh Rugova, Nysret Krasniqi, Agron Y. Gashi, Muhamed Çitaku, Arian Krasniqi, Mimoza Hasani, Albanë Mehmetaj.
Sabri Hamiti ka botuar sivjet dy libra mongrafikë për shkrimtarët klasikë shqiptarë, Naim Frashërin dhe Gjergj Fishtën./ KultPlus.com
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup në bashkëpunim me Shoqatën për kthim të Shqiptarëve të Shpërngulur në Prishtinë, do të bëjë promovimin e librit “Ditari i Parashqevi Qirazit”, shkruan KultPlus.
Libri i cili promovohet në përkujtim te jetës dhe veprës së Parashqevi Qirazit në 50 vjetorin e saj të vdekjes është përgatitur nga Skender Asani dhe Nora Maliqi – Zylali.
Gjithashtu në këtë promovim do të emitohet filmi dokumetar kushtuar Parashqevi Qirazit.
Kjo ngjarje do të zhvillohet të enjten me fillim në orën 13:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”./ KultPlus.com
Ky vit duket qartë se ka qenë një vit i vështirë për të gjithë, kjo për shkak virusit Covid-19.
Megjithatë kjo nuk ka vlejtur për disa prej personazheve publike, sipas “Forbes”, ky vit mban emrin e Kylie Jenner, të cilën e rendit të parën me 590 milionë dollarë fitime, falë linjës së saj kozmetike.
Rastësisht, kunati i 23-vjeçares, Kanye West, renditet i dyti me 170 milion dollarë. Këtë gjë ai duhet t’ia atributojë partneritetit të tij me Adidas por pa lënë pas edhe fitimet në muzikë e biznese të tjera.
Ndërkaq nuk mungojnë as sportistët e ndryshëm si: Roger Federer, Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Neymar dhe LeBron James./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim Ministrin e Mbrojtjes Anton Quni me të cilin kanë biseduar për bashkëpunim në projekte të përbashkëta mes dy ministrive.
Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi e njoftoi ministrin Quni për veprimtarinë, planet dhe programin e MKRS-së për vitin e ardhshëm si dhe për sfidat me të cilat është përballur ministria këtë vit për shkak të rrethanave të pandemisë.
“Ka ardhur koha që vlerat heroike të heronjve tonë të përkujtohen edhe me aktivitete tjera me kreative dhe inovative. Si dy ministri duhet të gjejmë iniciativa inovative dhe t’i mbështesin ato me qëllim që gjeneratat e reja të përfshihen edhe më shumë dhe të mësojnë më shumë për vlerat historike dhe patriotike të vendit tone,” u tha në këtë takim.
Në ditët në vijim do të përpilohet një koncept dokument i cili do t’i paraprijë një memorandumi të bashkëpunimit i cili do të nënshkruhet mes dy ministrave.
Ndërkaq Ministri Quni falënderoi ministren Dumoshi për gatishmërinë që ajo e tregoi për të filluar bashkëpunimin për projektet që janë në interes të dyanshëm./ KultPlus.com
Paneli gjykues i spektaklit të talenteve, “The Voice of Australia”, për vitin 2021 u njoftua të mërkurën.
Dhe fansat kanë mbetur të hutuar se pse ylli i muzikës pop në Mbretërinë e Bashkuar, Rita Ora po bashkohet me një panel me të gjithë yjet me këngëtarë australianë, duke përfshirë Keith Urban, 53 vjeç, Jessica Mauboy, 31 vjeçe dhe mentorin e vitit të kaluar, Guy Sebastian, 39 vjeç.
Komentet në Twitter ishin nga më të shumtat, gjersa pati edhe prej atyre që nuk e njihnin anëtarin e katërt të jurisë, shkruan DailyMail.
“Epo ja ku po shkojmë. E pëlqeja shumë kur Keith ishte në The Voice AU disa vjet më parë, Mirë që Guy u kthye. Yay Jess do të bashkohet me Karriget. Rita Ora nuk është e sigurt nëse jam njohur me të. Ndoshta mund ta shikoj”, shkroi një komentues.
Një tjetër thjesht e pyeti: “Rita Kush?”.
Ndërkohë, një fans shprehu shqetësim në lidhje me këngëtaren që vjen pak pasi shkeli dy herë rregullat e COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar.
“Duke marrë parasysh që Rita Ora është gjobitur dy herë kohët e fundit për shkelje të rregullave të COVID-19 – Unë shpresoj se ajo nuk do të udhëtojë në Australi për të marrë pjesë në shfaqje si gjyqtare”, shkroi një tjetër përdorues.
Rita hodhi poshtë ligjet e izolimit në Mbretërinë e Bashkuar pasi fluturoi në Kajro me një aeroplan privat për një performancë fitimprurëse në një hotel të ri me pesë yje.
Sipas rregullave të qeverisë, ajo duhet të ishte në karantinë për 14 ditë pas kthimit të saj, por gjashtë ditë pasi ajo zbarkoi në Mbretërinë e Bashkuar ajo u kap duke organizuar një festë për 30 vjetorin e lindjes për miqtë e saj në një restorant ekskluziv.
Fiona Rushiti vazhdon të na surprizojë me akrobacitë në ajër por asnjëherë nuk përdor mjete mbrojtëse.
Akrobatja thotë se i beson plotësisht vetes dhe nuk do të përdorë litarë. Kjo ia shton adrenalinën në performanca dhe sipas saj bëhet më interesante për publikun që e sheh.
Megjithatë, është kritikuar vazhdimisht nga profesionistë të akrobacisë që i konsiderojnë mjetet mbrojtëse të domosdoshme.
Në “Shqipëria live” ajo tregoi performancën më të fundit, në liqenin artificial sipër një vinçi. 22-vjeçarja është e fiksuar pas sporteve ekstreme dhe thotë se do të vazhdojë të na dhurojë spektakël në ajër dhe me zjarr.
Fiona nuk la pa akuzuar cirkun kombëtar si institucion që nuk vlerëson ata që e meritojnë se më shumë ka mësuar në mënyrë amatore se në ambjentet e cirkut kombëtar./tch/ KultPlus.com
Pasi Qendra Kosovare për Studime Gjinorreagoi për këngën e Shkurte Fejzës me vajzën e saj, Gresa Behluli ka dalë me një arysetim rreth bashkëpunimit muzikor me nënën.
Kënga më e re e Shkurte Fejzës me Gresa Behluli u konsiderua se fyen dhe nënshtron vajzën.
Behluli thotë se teksti i këngës është satirik dhe se kanë ironizuar me botëkuptimet e ndryshme mes gjeneratave.
Reagimi i plotë i këngëtares Behluli:
Te dashur miq e posaqerisht vajza- gra…
Teksti i kenges “Nuse mesuese” eshte shkru nga Ilir Berani dhe eshte mendu si nje teme qe paraqet ironine e raportit te botekuptimeve te ndryshme ne mes te gjeneratave te ndryshme… Eshte nje tekst satirik qe paraqet botekuptime te ndryshme ne mes te gjeneratave dhe nuk eshte menduar ne asnje menyre si diskriminues ndaj gjinise femrore… Si mund te jete Femra diskriminuese ndaj vetvetes, une jam femer dhe vet, dhe jam gjithmone ne mbeshtetje dhe pro ngritjes se femres ne shoqeri!!
Per te gjithe ata qe nuk e kuptojne cka do te thote ” satire” po ja u sqaroj: tekst ironik ose ma thjeshte po ja u sqaroj: tekst hajgare!
Pekundrazi mund te merret si tekst edukues ndaj gjenerates se vjeter: “me ndegju nana te ka mesu…”vjehrren me ndegju i nderon prinderit e tu”? Ku eshte ndikimi negativ ketu?
Eshte debat ne mes te femrave ne kete rast?
P.s. Çdo dite na servohen kenge e videoklipe me tekste eksplicite e fjale banale e videoklipe erotike, qe degradojne femren dhe ato na shfaqen edhe ne 12 dites neper televizione tona… Femijet e juaj rriten me ato kenge e ju nuk reagoni?
Kur paraqitet femra vetem si objekt seksi juve nuk ju duket diskriminuese kjo ndaj femres?
Më poshtë gjeni tekstin e këngës “Nuse, mësuese”:
Ah moj nuse sikur msuse
N’shpi t’burrit mban ligjërata
S’po t’pëlqejnë ty punt e vjehrrës
S’po t’pëlqejnë çka thonë kunatat
Mori nuse vezulluse
Ma e reja je n’ket shpi
Dikush tjetër ma i vjetër
Pun’t ma mirë se ti i di
Ref…x2
Fjala prish e fjala ndreq
Zgjidhi nuse ma mirë fjalt
N’daq pun’t mos me i pas keq
Zgjidhi nuse fjalt me mjaltë
Ah moj nuse lumja nuse
Bijat për ty e shqyen defin
Me gëzim të madh ty të kanë pritur
Prandaj ti mos jau prish qejfin
Me fol but e me dëgju
Nana ty nuse t’ka mësu
Vjehrrën me e respektu
Ti nderon prindërit e tu
Ref…x2
Fjala prish e fjala ndreq
Zgjidhi nuse ma mirë fjalt
N’daç punt mos me i pas keq
Zgjidhi nuse fjalt me mjaltë
Ref…x2
Fjala prish e fjala ndreq
Zgjidhi nuse ma mir fjalt
N’daç punët mos me i pas keq
Zgjidhi nuse fjalt me mjaltë.
Reagimi i Qendrës Kosovare për Studime Gjinor, të cilët e kanë cilësuar si promovim i nënshtrimit të grave.
Në njoftimin e tyre, ata kanë kërkuar nga ndjekësit që të raportohet kjo këngë, për shkak të përmbajtjes së tekstit.
Ky është reagimi i plotë i Qendrës Kosovare për Studime (pa ndërhyrje):
“KËNGA “NUSE MËSUESE” PËRMBAN GJUHË TË URREJTJES DHE PROMOVON NËNSHTRIMIN E GRAVE. JU FTOJMË TA RAPORTONI!
Ditë më parë është publikuar një këngë nga Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli me titull “Nuse mësuese”, këngë e cila përveç që i redukton gratë në rolet tradicionale gjinore, është shumëfish shtypëse për gratë duke qenë se promovon dhunën ndaj grave si mjet të disiplinimit të tyre përmes përmbajtjes frazave si:
“Fjala prishë e fjala ndreqë
Zgjedhi nuse ma mire fjalët
Në daç punët mos me i pasë keq
Zgjedhi nuse fjalët me mjaltë”
…
“Me folë butë e me duru
Nana ty nuse t’ka mësu
Vjehrren me e respektu
Ti nderon prindërit e tu”
Këngë të tilla i kontribuojnë gjithashtu vazhdimësisë së thellimit të pabarazisë gjinore dhe përjetimit të grave si dytësore dhe lehtë të dominueshme.
Andaj, ju ftojmë që të klikoni në vegzën e videos dhe ta raportoni duke klikluar butonin “Report” dhe duke e zgjedhur opsionin “Hateful or abusive content”./ KultPlus.com
Qindra vetë morën pjesë në “tubimin e lirisë” gjatë fundjavës së kaluar në një qytezë të vogël në shtetin e Uashingtonit, pasi kryetari i Bashkisë refuzoi të detyronte banorët të zbatonin masat anti-COVID, të miratuara nga guvernatori.
Mosirok (Mossyrock), në kontenë Ljuis, është një qytezë me vetëm 800 banorë, ku asnjëri nuk pranon të ruhet nga koronavirusi, edhe pse në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara shifrat janë alarmante dhe në të gjithë globin, pandemia ka shkaktuar mbi 1.6 milionë viktima.
“Në qytezën tonë, momentalisht nuk ka asnjë rast të raportuar me Covid-19 dhe asnjë vdekje që lidhet me të”, tha kryebashkiaku Randal Sasser, në një radio lokale, duke justifikuar vendimin për moszbatimin e rregullave të Guvernatorit Jay Inslee, sipas të cilit të gjitha bizneset duhet të kufizojnë të pranishmit brenda ambienteve të tyre, në të kundërt do të duhet të gjobiten me disa mijëra dollarë.
Që prej muajit mars, sipas Sasser, në të gjithë distriktin e kontesë që përfshin qytezën dhe rrethinat, janë regjistruar vetëm 80 raste nga 23 mijë banorë, por askush nuk e ka njoftuar për raste në qytezën e tij. Mosirok njihet në zonë për festivalin e përvitshëm të birrës, që zakonisht tërheq 5000 turistë./ KultPlus.com
Me ftesë nga Mannakin Theater and Dance nga San Francisco, Baleti Kombëtar i Kosovës është pjesë e video-performancës me titull “The Nutshell!” së bashku me shumë kompani të Baletit nga vende të ndryshme si New York City, Kina, Gjermania, Egjipti, Nigeria, San Francisco, etj.
Kjo është një festim i një tradite 75-vjeçare e shfaqjes së baletit “Arrëthyesi” i adaptuar në kushte të pandemisë duke performuar në ambient të hapur dhe mbajtje të maskave, njoftojnë nga Baleti Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com
Leo Ciko ёshtё njё nga Dj-të mё prezent tё skenёs elektronike tё Tiranёs qё prej vitit 2003 kur ai hodhi rrёnjё si gjysma e dyshes “Prosound”. Ishin ata tё cilёt, mund tё themi me bindje, ndezёn situatёn e festave elektronike nё qytet dhe e influencuan pёr vitet qё do tё vinin.
Qё prej atёherё Leo nuk ka ndaluar asnjёherё sё luajturi muzikё dhe ka vazhduar tё mbajё vendin qё i takon nё tё gjitha klubet dhe eventet kryesore tё Shqipërisë dhe Rajonit.
Kësaj radhe ribashkohet në Rave Live Sesssion para mbyllje tё kёtij viti. / KultPlus.com
Nuk ka gjë më të bukur se sa shpërndarja e lumturisë për shumë njerëz, janë fjalët e Ludwig van Beethovenit, të shprehura edhe nga muzika e tij.
Për të muzika ishte toka në të cilën shpirti jeton, mendon dhe shpik.
”Muzika dhe pasioni i tij simbolizojnë idealet e Europës, të solidaritetit, paqes dhe lirisë dhe projekti ynë për një botë më të mirë”, kështu u shpreh presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli duke folur në seancë plenare.
“Me rastin e 250-vjetorit të lindjes së Beethoven, dëshiroj të ndaj me ju një moment frymëzimi”, shtoi ai.
Himni i gëzimit i Simfonisë IX nga Beethoven u miratua si himni zyrtar i Bashkimit Europian.
Ai dëgjohet në Parlament në hapjen e secilës prej seancave si edhe në raste solemne.
Ai do të interpretohet sot nga ansambli ”Oxalys” nga Brukseli, me aranzhim nga kompozitori Jago Moons.
Është himni i Europës për të gjithë: Të bashkuar në diversitet./ atsh/ KultPlus.com
“Shumë feministe” – Përgjigja tallëse e Kryetares të Parisit, Anne Hidalgo pasi u tha që ajo kishte thyer ligjin duke emëruar shumë gra në poste të larta.
Njëmbëdhjetë gra dhe pesë burra ishin promovuar në 2018, duke shkelur një rregull kombëtar 2013 të krijuar për të sjellë barazi gjinore në punësim.
Autoritetet e Parisit po gjobiten 90,000 € nga ministria e shërbimit publik.
“Unë jam e lumtur të njoftoj se jemi gjobitur,” tha zonja Hidalgo.
Rregulli i vitit 2013 nënkuptonte që jo më shumë se 60% e emërimeve të reja në pozitat menaxheriale në shërbimin publik duhet të shkojnë te një seks. Rekrutimi i zonjës Hidalgo pa 69% të vendeve të punës të u jepeshin grave.
Duke iu drejtuar një takimi të këshillit, ajo bëri shaka: “Menaxhmenti i bashkisë së qytetit, papritmas, është bërë tepër feminist” / KultPlus.com
Drejtori gjeneral i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka përmendur vdekjen vetëm tri ditë para pensionimit të infermieres kosovare Vjollca Berisha, e cila vdiq nga Covid, pas 45 viteve pune në Spitalin e Gjakovës
Mesazhin e tij e kanë publikuar edhe Oda e Infermierëve të Kosovës.
Nga Oda është thënë se bashkëndjenjë me gjithë familjarët e infermierëve, mamive dhe punonjësve tjerë shëndetësorë që humbëm jetën nga infeksioni Covid 19.
Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus në Ditën Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Mbrojtje Shëndetësore, si pjesë e Ditës ndërkombëtare të Infermierëve dhe Mamive, ka përzgjedhur të përmend dhe të falenderojë infermieren e ndjerë Vjollca Berisha. Ajo vdiq nga Covid 19, vetëm tri ditë para daljes në pension, pas 45 viteve pune në Spitalin e Gjakovës.
Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus mesazhin e tij e ka drejtuar për të gjithë punëtorët shëndetësorë që kanë rrezikuar jetën e tyre në shërbim të pacientëve, veçanërisht gjatë Pademisë COVID-19.
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, vlerëson se mesazhi prekës i të parit të OBSH-së, është një motiv shtesë për punën e infermierëve, mamive dhe punëtorëve tjerë shëndetësorë.
OIK bashkëndjen dhe ndanë dhimbjen me gjithë familjarët e infermierëve, mamive dhe punonjësve tjerë shëndetësorë që humbëm jetën nga infeksioni Covid 19. / KultPlus.com
Aktorja britanike Naomi Ackie do të luajë Whitney Houston në një film të ri për jetën e këngëtares të ndjerë.
Ackie, 28, nga Londra lindore fitoi një Çmim TV Bafta në fillim të këtij viti për performancën e saj në serinë e Kanalit 4.
Ajo gjithashtu është shfaqur në Doctor Who, Yardie dhe ka luajtur Jannah në filmin 2019 Star Wars: The Rise of Skywalker.
Në një deklaratë për Variety dhe Hollywood Reporter, regjisorja Stella Meghie tha: “Ne kemi kaluar pjesën më të mirë të vitit të kaluar në një kërkim shterues për një aktore që mund të mishërojë Whitney Houston.
“Naomi Ackie na bëri përshtypje në çdo fazë të procesit. Unë u preka nga aftësia e saj për të kapur prezencën skenike të një ikone globale duke sjellë njerëzimin në jetën e saj të brendshme’. / KultPlus.com
Ditë më parë është publikuar një këngë nga Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli me titull “Nuse mësuese”, Qendra Kosovare për Studime Gjinore e ka cilësuar këtë këngë si promovim i nënshtrimit të grave.
“Këngë e cila përveç që i redukton gratë në rolet tradicionale gjinore, është shumëfish shtypëse për gratë duke qenë se promovon dhunën ndaj grave si mjet të disiplinimit të tyre”, shkruan në faqen e tyre Qendra Kosovare për Studime Gjinore.
Sipas tyre, këngë të tilla i kontribuojnë gjithashtu vazhdimësisë së thellimit të pabarazisë gjinore dhe përjetimit të grave si dytësore dhe lehtë të dominueshme.
Krejt për fund, aga ana e tyre kërkohet që kësaj kënge t’i bëhet Report.
“Andaj, ju ftojmë që të klikoni në vegzën e videos dhe ta raportoni duke klikuar butonin “Report” dhe duke e zgjedhur opsionin “Hateful or abusive content””, thonë nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.
Akademia e Shkencave botoi veprën monografike “Banda kombëtare ‘Vatra’, një histori unike shqiptaro-amerikane” shoqërua edhe me CD, të akademikut Vasil S. Tole.
Kjo vepër i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 për të nxitur ndjenja entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të Pavarësisë me Kongresin e Lushnjes dhe në mënyrë të veçantë me ngritjen më këmbë të popullit për t’i marrë në duar fatet e vendit, me përpjekjet e suksesshme për rikthimin e Korçës dhe Shkodrës nën sovranitetin e shtetit shqiptar dhe me luftën heroike të popullit të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë.
Banda “Vatra” u bë pjesë e historisë së luftës së Vlorës me kurajën e saj për të inkurajuar shpirtin luftarak popullor ballë për ballë me rrezikun, me repertorin e këngëve marshe që mobilizonin ndërgjegjen atdhetare.
Kënga “Vlora-Vlora”, që u krijua nga drejtuesi i kësaj bande Thoma Nasi, me tekst të poetit Ali Asllani, i dha identitet kësaj lufte.Autori i këtij studimi akademiku Tole ka marrë në vështrim lidhjet dhe dallimet midis bandës muzikore “Vatra” dhe shoqatës atdhetare “Vatra”; duke gjetur rastin të theksojë rolin e shqiptaro-amerikanëve në jetën e Shqipërisë shtetërore, ndryshimet që solli në rrjedhat e historisë sonë kombëtare shfaqja e interesimit amerikan për çështjen shqiptare me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe sidomos me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve më 1922.
Kjo monografi është në të njëjtën kohë edhe histori e themelimit dhe e rrugëtimit të gjatë njëqindvjeçar të bandës muzikore shtetërore, krijuar mbi bazën e bandës “Vatra”, me një vendim të qeverisë së Sulejman Delvinës.Botimi shoqërohet edhe me një CD, ku janë regjistruar interpretime të bandës. / KultPlus.com
“The Stork“ (Lejleku) nga regjisori Isa Qosja dhe “Në kërkim të Venerës“ nga regjisorja Norika Sefa janë dy projektet filmike Kosovare të përzgjedhura nga programi i njohur First Cut+.
First Cut + është një program i ri i krijuar për rritjen e aftësisë konkurruese dhe tregtimit të filmave artistik që kanë marrë pjesë më parë në First Cut Lab. Programi është lansuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë me dy platforma dinamike dhe të njohura të industrisë së filmit: „When East Meets West“ në Trieste dhe „Eastern Promises Industry Days“ të Festivalit të Filmit Karlovy Vary.
16 projektet pjesëmarrëse do të kenë 3 ditë konsultime mbi promovimin, marketingun, mediat, krijimin e trailerave, lansimin në festivale, strategjinë e shitjeve nga konsulentë të ndryshëm të industrisë së filmit, të ndjekur nga një seancë Works-in-progress të hapur për vendimmarrës (si programues të festivaleve kryesore, blerës, agjentë ndërkombëtarë të shitjes etj).
Të dy filmat janë të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe pritet të shfaqen së shpejti për publikun. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me shefin e UNICEF-it në Kosovë Murat Sahin, kanë ndarë sot mirënjohje për vullnetarët e vitit.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi u shpreh e lumtur që sot së bashku me shefin e zyrës së UNICEF-it z.Murat Sahin po ndajnë mirënjohje për vullnetarët e vitit. Ajo gjithashtu tha se me UNICEF-in ka një bashkëpunim të shkëlqyer dhe e falënderoi z.Sahin që po i ndihmon të rinjtë me anë të programeve të shkëlqyera të cilat i dedikohen rinisë së vendit tonë.
Tutje ministrja Dumoshi tha se “Sot është ditë e veçantë sepse ju kemi juve vullnetarët këtu. Për të pasur emrin vullnetar është një humanitet i cili buron nga shpirti për t’i ndihmuar të tjerët. Kosova së bashku me UNICEF-in dhe organizatat e tjera e ka instaluar me udhëzim administrativ këtë rregull për shpërblimin e punës tuaj. Shpërblimi është mbase vetëm një kujdes ndaj punës tuaj por shpirti dhe humanizmi që e tregoni dhe e shpërfaqni ndaj njerëzve që kanë nevojë e sidomos këtë vit në këtë kohë pandemie kur jeni angazhuar për t’i ndihmuar të tjerët kjo do të thotë shume për ju.”
Ministrja Dumoshi i inkurajoi të rinjtë që të bëjnë punë vullnetare dhe tha se e ka nënshkruar projektligjin për rini dhe se beson që ky ligj do të kalojë në Qeveri dhe pastaj edhe në Kuvend dhe me anë të tij puna vullnetare do të njihet si përvojë e punës.
Ndërkaq shefi i UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin e përgëzoj ministren Dumoshi për punën dhe angazhimin e saj në fushën e rinisë. Ai tha se kanë të regjistruar 10 mijë vullnetarë, duke shquar se rinia duhet të jetë lidere për të bërë ndryshime në shoqëri. “Ju përgëzoj për punën që po e bëni si ministre sidomos në agjendën rinore. Ka qenë kënaqësi me qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Po ashtu për faktin që kemi rreth 10 mijë vullnetarë të regjistruar. Unë konsideroj që rinia sot ka vullnetin të jetë pjesë e komunitetit dhe lidere për të bërë ndryshimin në shoqëri”.
Vullnetarëve që u ndanë mirënjohje janë: Elsa Haxhija, Lea Noberdaliu, Anida Gjurgjiali, Agon Goqi. / KultPlus.com
Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u mbajt promovimi i publikimit ‘Përfshirja e studentëve të komuniteteve jo shumicë në Universitetin e Prishtinës’, të botuar nga ADMOVERE dhe nën mbështetjen e KFOS. Një hulumtim ky i bërë nga Aulonë Memeti dhe Fitore Metbala, shkruan KultPlus.
Drejtoresha e organizatës Aulonë Memeti, njëherit bashkautore e hulumtimit, tregoi se raporti ofron një analizë të masave afirmative për studentët e komuniteteve jo-shumicë dhe efektin e tyre ndër vite. Më konkretisht, publikimi përfshin të dhëna të detajuara statistikore për numrin e vendeve të rezervuara, numrin e të pranuarve dhe numrin e të diplomuarve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, për secilin fakultet të UP-së, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.
‘Kuotat për studentët e komuniteteve jo-shumicë në UP janë zbatuar që nga viti 2004-2005, por tek në vitin 2016 është nxjerrë Udhëzimi Administrativ për aplikim të masave afirmative dhe vendeve të rezervuara për regjistrim të kandidatëve nga komunitetet jo shumicë në institucionet e publike të arsimit të lartë, sipas të cilit, kuota për përfshirje të studentëve të komuniteteve jo-shumicë është përcaktuar të jetë 12% nga numri i përgjithshëm i studentëve për pranim’, theksoi tutje Memeti.
Fitore Metbala, hulumtuese dhe bashkautore e raportit, poashtu tregoi se nga 11 dekanë të intervistuar, 10 kanë potencuar që dy vitet e fundit hyrja e kuotës prej 12% në numrin e përgjithshëm të paraparë të studentëve për pranim, ka shkaktuar problem, për shkak se vendet kanë mbetur të zbrazëta dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi, sidomos në fakultetet me konkurrencë më të madhe.
‘Nga gjetjet e hulumtimit, del se gjatë 12 viteve, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në UP asnjëherë nuk janë plotësuar vendet e rezervuara më shumë se 50%. Ky plotësim prej 50% ndodhë vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, kurse fakultetet e tjera nuk i kanë plotësuar as 26% të vendeve të rezervuara për studentët e komuniteteve jo-shumicë’, potencoi tutje Metbala.
Ndërkaq, vlen të ceket se gjatë periudhës 2008-2020, në të gjitha fakultetet e UP-së janë paraparë 5 mijë e 372 vende për komunitetet jo-shumicë, vende që janë plotësuar vetëm 18.42%, pra me gjithsej 990 studentë të regjistruar nga komunitetet jo-shumicë.
‘Interesim më të madh studentët e komuniteteve jo-shumicë kanë shfaqur për Fakultetin e Mjekësisë, Filologjisë dhe Filozofisë. Ndërkaq, Fakulteti i Bujqësisë, Inxhinierisë Mekanike dhe Shkencave Matematike Natyrore janë fakultetet për të cilat ka më së paku interesim. Fakulteti i Filologjisë është fakulteti me numrin më të madhë të të diplomuarve, me një shkallë prej 72.72% e studentëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë’, theksoi Metbala.
Në hulumtim poashtu u bë e ditur se studentët e komunitetit turk, prijnë me numrin më të madh të të diplomuarve në UP, me gjiithsejt 119 të diplomuar, komuniteti boshnjak me 92 të diplomuar dhe komunitetet romë dhe egjiptian me nga 9 të diplomuar secili.
Kurse kërkesat kryesore të dakanëve të 11 njësive akademike ishin: të lejohet plotësimi i vendeve të zbrazëta; të rishikohet Udhëzimi Administrativ 09/2016; të merren vendime të bashkërenduara lidhur me zbatimin e masave afirmative për vendet e rezervuara, procedurën e përmbushjes së tyre dhe përcaktimin e numrit të paraparë për studentë mes Universitetit, MASh-it dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim. / KultPlus.com
4 vjet më parë është ndarë nga jeta një ndër aktorët më të mirë të kinemasë por edhe teatrit shqiptar, Lazër Filipi.
Lazër Filipi lindi më datë 7 shkurt të vitit 1921 në qytetin e Shkodrës.
Që në moshën e tij të vogël kur studionte në ciklin fillor ai spikati me interpretimet e tij në shfaqje të vogla teatrore që viheshin në shkollën e tij nga mësuesi i asaj shkolle që ishte ndërkohë edhe shkrimtari dhe patrioti i njohur Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), i cili jo vetëm që e pikasi si aktor të mundshëm por edhe e inkurajoi t’i përkushtohej aktrimit.
Në vitin 1938, Lazër Filipi, nga Shkodra largohet drejtë Tiranës për t’iu bashkuar edhe Luftës Antifashiste ku edhe do të ishte pjesë e grupeve artistike, të cilat kishin për qëllim të edukonin dhe argëtonin partizanët.
Gjatë luftës ai vazhdoi të aktivizohej edhe me grupin teatror “Grupi Priska” i cili u themelua si pararendës i Teatrit Popullor që do të krijohej menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë në vitin 1944 dhe luajti me figura shumë të njohura të artit skenik të asaj kohe sikurse ishte edhe Naim Frashëri.
Në ditën e çlirimit të vendit më datë 28 nëntor 1944 për të festuar këtë ditë të vecantë të historisë së Shqipërisë u vu në skenë edhe drama me tre akte “Partizani” e cila ishte edhe shfaqja e parë që u interpretua në një Shqipëri të lirë tashmë dhe u interpretua për publikun 7 netë rresht. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor u vu në skenë më 30 maji 1945 ku artisti Filipi interpretoi një nga rolet kryesore dhe gjithashtu njihet edhe si një ndër aktorët e parë që themeluan këtë teatër.
Pas çlirimit të vendit, Lazër Filipi ndërkohë vazhdonte të angazhohej me shfaqje të ndryshme të cilat viheshin në skenë. Në 1947 ai filloi studimet për aktrim në Zagreb dhe i përfundoi ato në 1950 në Republikën Çeke me rezultate të shkëlqyera.
Pas kthimit në vend ai do të interpretonte shumë role, një ndër të cilët ishte edhe roli i Leninit në veprën “Orët e Kremlinit”, rol me të cilin mori edhe çmimin e parë të Republikës. Role të tjera të cilat i dhanë artistit një vlerë të papërsëritshme në karrierën e tij si aktor ishin edhe ato në shfaqjet si “Familja e Peshkatarit”, “Arturo Ui”, “Hamleti” etj.
Lazër Filipi ka qenë aktor edhe në filmin “Tana” i cili njihet nga publiku dhe komuniteti i artistëve si filmi i parë shqiptar. Por ky ishte vetëm roli i tij i parë në kinema, pasi ai do të vijonte të interpretonte edhe shumë rrole të tjera në kinematografi.
Në vitin 1977 artisti do të dilte në pension por kjo nuk do ta ndalonte kurrsesi atë që të vazhdonte të ishte aktiv dhe të interpretonte akoma në shumë projekte teatrore dhe kinematografike.
Në karrierën e tij, artisti ka marrë një numër të madh çmimesh të para në festivale të ndryshme dhe gjithashtu është vlerësuar edhe me çmimin “Artist i Merituar” për 80 rolet e tij në teatër dhe kinema. Artisti Lazër Filipi ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare më 16 dhjetor 2016. / KultPlus.com
Është publikuar trileri i plotë i dokumentarit të yllit, Billie Eilish.
I paralajmëruar në muajin shtator, dokumentari me titull “Billie Eilish: The World’s A Little Blurry”, pritet të lansohet nëpër kinema dhe në platformën “Apple TV+”, në shkurt të vitit 2021.
Ky projekt i shumëpritur nga adhuruesit e këngëtares 18-vjeçare, vjen me regji të R.J. Cutler ndërsa është prodhuar në bashkëpunim me shtëpinë diskografike të Eilishit, “Interscope Records”.
Në janar të këtij viti, Billie pati treguar se është tmerruar nga ideja e lansimit të dokumentarit, i cili e shtjellon jetën e saj prapa kamerave.
“Nuk e kam shikuar asnjë fragment të tij. Po ndihem e frikësuar rreth lansimit të tij. Ata më kanë xhiruar vazhdimisht nga korriku i vitit 2018. Kush ka aq shumë pamje të vetes, të cilat nuk i ka parë ende? Jam plotësisht e tmerruar”, kishte deklaruar Eilish gjatë një interviste të realizuar pak para performancës së saj në koncert.
Javën e kaluar, Billie Eilish dhe vëllai i saj Finneas O’Connell, e interpretuan një ‘cover’ të këngës së Krishtlindjeve, “Silver Bells”. / Koha.net / KultPlus.com
Mo i mësoni djemtë të rrinë duarkotë, mo u këndoni vetëm këngë trimash! Çupani, jemi fëmra vetë! Jemi na që i bëjmë “burra për për të na rrahur bijat tona”. Mësojini evletërit t’u bëjnë pak hyzmet, se o xhane, nuk vetëm marrëm (nuse), po edhe japëm (çupa)! Jemi na, a të keqen unë, që rrisëm diejtë që nga barku e deri sa dalën në Udhën e Madhe! Bëjuni tok, o jetë, se po nuk deshëm njëra-tjatrën, xvarrë do na heqën e vërvitën, derisa të mbyllëm sytë! Jepuni sisë e mbillni respekt! Hë të keqen nëna! / KultPlus.com
Autori: Nëse mund të pranohet vlerësimi se shkrimet që ka lënë Bashkim Kosova – dhe ato kryesisht vinë nga koha pasi që ai të jetë kthyer nga burgu – “në dukje”paraqesin “dy gjendje shpirtërore” si kundërpërgjigje ndaj faktorit që i ka kushtëzuar ato ( fjala është për dhunën shtetërore te Beogradit), megjithatë si duhet shpjeguar qëndrimin e Bashkim Kosovës, të mbyllet brenda për brenda një hapësire (ajo e Hades), prej nga për vite të tëra nuk do të dalë më, madje edhe atëherë kur do të arrihet, që pas ndërhyrjes së NATO-s (me nxjerrjen e Serbisë nga Kosova),me instalimin e administratës ndërkombëtare, të përfundojnë shkaktarët e tragjedisë së tij? Mund të ishte i pakënaqur me atë zhvillim? Ose, pse kishte ndonjë arsye tjetër që do t’ia kishte kushtëzuar atë gjendje?…
Shpresa Kosova – Berisha: Sjellja e tillë ishte edhe e kuptueshme. Sepse, Bashkim Kosova kishte humbur njëherësh dy gjëra: botën e madhështisë dhe familjen pa kurrfarë kundërvlere. Kur flas për “kundërvlerën” nuk mendoj për ndonjë zhdëmtim material apo tjetër, me të cilën shumëkush kënaqet dhe ashtu projekton edhe “përmasat” e ndryshimeve shoqërore dhe politike, por fjalën e kam për kalimin nga një gjendje e dhunës te një gjendje e turbullt fare, ku rrënimi i një sistemi vlerash, pa marrë parasysh çfarë ka qenë, nuk zëvendësohet me tjetrin, atë që pritej dhe duhej të ishte në përputhje me konceptin qytetërues të një shoqërie të lirë perëndimore që i kishte besuar aq shumë në të. Në vend të saj kemi shfaqjen e një gjendje kalimtare, pa vlera dhe jashtë normave elementare morale, ku çdo gjë lejohet, madje edhe vrasjet makabre (përfshirë edhe intelektualët) pa qarë kokën për pasojat.
Për ta kuptuar dëshpërimin, zhgënjimin e thellë dhe vetë neveritjen madje nga gjithë kjo rënie që e mbërthen idealistin e paepur, mjafton këtu të shihen sjelljet e disa liderëve politikë që kanë marrë pjesë në lëvizjen kombëtare në të gjitha fazat e saj: nga ajo institucionale (shteti paralel) e deri te rezistenca e armatosur dhe lufta, ku ideali i lirisë dhe i bërjes së shtetit është kthyer në ideal të zhvatjes së shtetit dhe të kthimit të tij në një plaçkë për kusuritje gjithëfare dhe me këdo, qofshin ata edhe pushtuesit dhe vrasësit e deridjeshëm!
Gjatë takimit të fundit pak ditë para se të vritej, dukej tepër i thyer shpirtërisht, sikur me padurim priste atë që do t’i vijë ditën e shtatëmbëdhjetë shkurtit me marrë fund ai mundim. Në dhomën e errtë dhe të ftohtë, prej nga ishte mbyllur dhe prej kohësh nuk dilte, gjendja e tij vinte edhe më e zymtë nga ç’dukej, sepse ai nuk pranonte kurrfarë ndihme dhe, ç’ishte më keq, nuk dëshironte me asgjë që këtë ta ndryshonte. Ata që i rrinin pranë dhe nuk i ndaheshin (ishin dy boksierët e rinj Luan Hoti dhe Bekim Krasniqi, që e kishin gjetur pas atentatit dhe e kishin dërguar për në spital), kishin bërë me dije për gjendjen e tij të rëndë, veçmas pse ai kohëve të fundit fliste përçartë për vrasës të padukshëm, të plotfuqishëm, që e kishin vrarë të djeshmen mizorisht, që po e vrisnin të sotmen dhe do ta vrasin edhe të nesërmen, prej të cilëve nuk kishte shpëtim…
Diç të ngjashme m’u bë se ma tha gjatë takimit të fundit.
“Mos u mundo për me më ndihmue, meqë m’u ka vra ideali i lirisë…”
(Shkëputje nga romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” nga Jusuf Buxhovi, Prishtinë, 2011)