‘Ne me shqiptarët e kemi pas mirë, si para lufte si tash’, egjiptianët tregojnë përvojën e tyre si ushtarë të UÇK-së

Natyra Rushiti

Ishte njëzet vjeçar kur mori vendimin për ta marr armën në dorë,  për t’i dalë në mbrojtje atdheut.

Muharrem Sadrija, tani dyzet e tre (43) vjeçar nga komuniteti egjiptian, tregon që lufta për çlirimin e Kosovës, është nderi i jetës së tij. Sadrija  tani me profesion bujk, njëzet e një vjet pas luftës tregon përvojën që pati në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me misionin fisnik që kishte marrë atë botë.

Ish-ushtari i UÇK-së shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit, Brigada ‘131 Jusuf Gërvalla’. Sadriajn e tradhtojnë lotët kur kujton momentin që u bë pjesë e UÇK-së.

“U patëm organizuar si fshat, me vullnet, plot dëshirë e me plot zemër u organizuam që t’i dalim armikut përballë, e kjo nuk kishte të bënte vetëm me komunitetin tonë, por edhe me shqiptarët që kishin frikë prej tyre”, ka thënë Sadrijaj.

Ai tutje thekson që nuk janë ndjerë të diskriminuar asnjëherë nga shqiptarët, përkundrazi tregon që kanë pasur raporte shumë të mira mes vete.

“Ne me shqiptarët e kemi pasur mirë si para lufte si tash pas lufte, shqiptarët neve si komunitet egjiptian na kanë mbrojtur shumë. Por edhe na kemi shku krahë me ta”, ka thënë Sadrija. Emocionet nuk i mungojnë as në momentin kur e përmend uniformën e UÇK-së, sipas tij kjo është trashëgimia më me vlerë që do t’ia lë fëmijëve të tij.

Në foto: Muharrem Sadrija, ish-ushtar i UÇK-së  

“Atë uniformë që e kam te shtëpia ata e kam shenjë të luftës. Kur e sheh im bir, thotë ‘babë çfarë është kjo’, e unë i them ‘po bir, ajo është ardhmëria jote, është liria jote, është pavarësia jote”, deklaron në mes emocionesh Sadrijaj.

Gjatë luftës së tyre për liri bashkë me luftëtarët e tjerë, Sadrija pati edhe momente të rënda. Ai rrëfen njërin ndër momentet më të ndjeshme që kaloi gjatë kohës sa mbante veshur uniformën e ushtrisë; “Kur Shkelzeni i ndjerë tashmë ra për lirinë e atdheut, atëherë morali ka qenë shumë i humbur, por falë Zotit, komandanti Ramush Haradinaj na dha një moral, na kthej moralin dhe e morëm veten e vazhduam luftën”, shton ndër tjera ish-ushtari i Brigadës ‘131- Jusuf Gërvalla’.

Por Sadrija nuk është i vetmi nga familja e tij që mori armën në dorë e doli të mbrojë kufijtë e Kosovës, pasi edhe vëllai i tij i vogël, Din Sadrija shërbeu si ushtar në UÇK. Ai tregon që e kishte pritur me padurim momentin kur do e vishte uniformën e UÇK-së.

Në foto: Din Sadrija, ish-ushtar i UÇK-së.

“Babi ishte i kyçur në UÇK, axhallarët, vëllau Muharremi. Këta janë inkuadruar pak para meje, por isha shumë i ri atëherë, si fëmijë pothuajse, moshë e re, kur i shikoja këta me uniformë të UÇK –së që kishin marrë armët e kishin sjellë nga Shqipëria në Kosovë me gjithë bashkëluftëtaret tjerë të ushtrisë, besoni që isha shumë i lumtur edhe mendoja që kur do ta kem minutin e fundit, sahatin e fundit që të marrë armën në dorë dhe ti dalë në mbrojtje Kosovës, popullit, vendit tim”, rrëfeu ish-ushtari i UÇK-së.

Din Sadrija, nga komuniteti egjiptian ka treguar që edhe pas luftës ishte pjesë e Forcave Mbrojtëse të TMK-së. Ai tutje deklaron që të rënët për lirinë e vendit meritojnë respekt të përjetshëm.

“Mua më së shumti më bëjnë me lot e më dhimbsen këta burra, Agim Selmanaj, Luan Nimanaj, Shkelzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj e Hasim Halilaj,  këta burra që ranë për atdhe domethënë janë shumë njerëz, shumë njerëz të mirë. Këta duhet me i nderu, na si popull, na si Kosovë, gjaku i tyre është liria e vendit”, ka deklaruar tutje Sadrija.

Por këta nuk kishin të vetmit nga komuniteti egjiptian që morën armët në duar e dolën të mbrojnë civilët dhe kufijtë e Kosovës. Arben Tetaj nga fshati Pozhar i Deçanit, i cili shërbeu poashtu në Zonën e Dukagjinit thotë që në luftë u nis vetëm me një qëllim bashkë me 4 vëllezërit.

Në foto: Ish-ushtari i UÇK-së, Arben Tetaj (i dyti në rresht)

Tetaj tregon që mesazhin për të mbrojtur atdheun e mori nga prindërit e tij qysh në fëmijëri.

“Në atë kohë nuk kemi pasur dilemë, vetëm kemi menduar si ta mbrojmë pragun e shtëpisë, për me mbrojt vatanin dhe për këtë ditë të sotit që të gëzojmë lirinë. Edhe familja ime, nëna më thoshte, nanë për këtë ditë të sotme duhet me kanë, edhe babai gjithashtu, babai më thoshte që duhet ta mbrojmë vatanin, duhet ta mbrojmë pragun e shtëpisë për këtë ditë të sotit”, deklaroi Tetaj.

Ai e ngrit në piedestal luftën e UÇK-së e idealin për liri që kishin ushtarët. Tetaj thotë që me të gjithë ushtarët kishin bashkëpunim të madh dhe raporte vëllazërore “Edhe me më dhënë Zoti njëqind vite tjera nuk e ndjejë veten më mirë se sa në kohën kur kam vesh uniformën e UÇK-së”, ka thënë me emocione Tetaj.

Që të tre, Muharremi, Dini e Arbeni ruajnë raporte të mira edhe sot mes vete. Madje këta realizojnë  edhe vizita të shpeshta në fshatin Maznik të Deçanit ku i kujtojnë e nderojnë të rënët për liri, Agim Selmanaj, Luan Nimanaj, Shkelzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj e Hasim Halilaj.

Foto: Muharrem Sadrija, Din Sadrija e Arben Tetaj gjatë homazhve në lapidarian e të rënëve

Si këta tre, ka edhe të tjerë nga komunitetet joshumicë që shërbyen si ushtarë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për të mbrojtur civilët dhe kufijtë e Kosovës gjatë viteve 1998-1999. / (Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)KultPlus.com

Tepihi i kuq u zëvendësua me ekranin digjital, Europian Film Awards shpalli fituesit

Tepihi i kuq i Europian Film Awards është zëvendësuar me kumtimet digjitale për ndarjen e çmimeve, shkruan KultPlus.

Edicioni i 33-të i festivalit prestigjioz të filmit është kushtëzuar që të organizohet virtualisht, për shkak të pandemisë Covid-19. Përgjatë natës së sotme, duke filluar nga ora 20:00 u ndanë çmimet kryesore të Festivalit, duke përfshirë kategorinë kryesore “Filmin më të mirë europian” që është votuar nga 3800 anëtarë të Akademisë së Filmit si dhe çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë, regjisorin, skenarin dhe filmin më të mirë dokumentar.

Çmimi për aktorin europian 2020 shkoi për Mads Mikkelsen. Ndërkaq aktorja europiane 2020 u zgjodh Paula Beer për rolin e saj në “Undine”.

Me çmimin “regjisori europian 2020” u nderua Thomas Vinterberg.

Në anën tjetër çmimi EFA për rrëfimin kreativ shkoi për filmin e Mark Cousins, “Woman make film: A new road movie through cinema”.

Çmimi europian “Discovery 2020” i shkoi Carlo Sironi për “Sole”.

Carlo Sironi director, Valparaiso, Pardi di domani

Skenari më i mirë ishte ai i Thomas Vinterberg dhe Tobias Lindholm.

“Collective” nga Alexander Nanau është vlerësuar si Dokumentari europian 2020.  / KultPlus.com

“Dionid” nxjerr në treg gjerdanin me emrin e Mbretëreshës Teutë, çmimi 1.7 milion dollarë

Brendi i stolive të shtrenjta që udhëhiqet nga shqiptari Xhevdet Gjonaj ka lansuar së fundi gjerdanin me formën e gjarprit, dhe që bartë emrin e Mbretëreshës Teutë, shkruan KultPlus.

Xhevdet Gjonaj, udhëheqësi i brendit Dionid, ka treguar për KultPlus se gjarpri është punuar nga jadeiti siberian, dhe është punë me gravurë dorë nga artisti Haxhi Gjoni.

“Kurse ari dhe diamantet që janë të vendosura në këtë gjerdan janë punuar nga brendi “Dionid””, ka thënë Gjonaj, i cili ka njoftuar më tutje se Haxhiu që ka punuar këtë gjerdan, bën edhe shumë krijime të tjera për brendin “Dionid”.

Gjonaj më pas ka njoftuar se arsyeja se pse e kanë emërtuar këtë gjerdan me emrin e Mbretëreshës Teuta, është se sipas disa fakteve vet Mbretëresha Teutë, gjarprin e ka pas simbol të luftës.

“Në këtë gjerdan është punuar rreth shtatë muaj, kurse vlera e saj kap shumën prej 1 milion e shtatëqind mijë dollarë”, ka thënë Gjonaj, i cili tashmë ka lansuar edhe shumë produkte të tjera të shtrenjta, të cilat punohen me porosi, dhe shumë prej tyre shkojnë për oborret mbretërore nëpër botë./ KultPlus.com

Vrasja e dinjitet dhe idesë së lirisë

Shkruan: Mehmet Kraja

Me 8 dhjetor 1990, tridhjetë vjet më parë, në Tiranë shpërthyen protestat studentore (e njohur më vonë si “Lëvizja studentore e dhjetorit”), të cilat zgjatën deri më 12 dhjetor dhe nxorën si rezultat rënien e diktaturës dhe rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Në Kosovë kishte mendime të ndryshme dhe ndjenja të përziera rreth këtyre zhvillimeve, por ne në Lidhjen Demokratike të Kosovës e mbështetëm fuqishëm lëvizjen studentore dhe demokratizimin e Shqipërisë. E di gjithashtu se në Tiranë shumë më mirë kaluan ata kosovarë që mbajtën qëndrim “të rezervuar” ndaj këtyre ndryshimeve, ata që njohën “vlerat” e trashëgimisë enveriste, që nuk u entuziazmuan me lëvizjen demokratike dhe që më 1997 mbështetën “revolucionin demokratik” të “tre gishtërinjve”. Që atëherë mund të them se kishte një moskuptim mes Kosovës dhe Shqipërisë, jo nga ato moskuptimet historike dhe të përvojave të gjata dhe tragjike të ndarjes, por më shumë një si ndarje botëkuptimore, e cila konsistonte në të kuptuarit të realiteteve të ndryshme të të dy vendeve: idealistët e Shqipërisë e kishin prioritet demokratizimin, t’i jepej fund makthit të tmerrshëm të diktaturës, më pas të përfshiheshin në lëvizjen politike, e cila do t’i çonte në pushtet; idealistët e Kosovës duhej të zhvillonin dy beteja paralele, njërën më të rëndë së tjetrën: të luftonin për çlirimin e Kosovës dhe të hiqnin qafe trashëgiminë komuniste, të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë njëkohësisht. Pushteti mund të ishte ëndërr e largët, ose improvizim, si në rastin e LDK-së. Si demokratizimi i Shqipërisë, ashtu edhe çlirimi i Kosovës, për të dyja palët, në ato vitet e fillimit, do të dalë i pakuptueshëm dhe jashtëzakonisht konfuz, në shumë raste. Vetëm se, atëbotë, si në Kosovë si në Shqipëri, kishte shumë besim dhe entuziazëm, të cilin e shpërdoruan në mënyrën më të ulët klasat politike të të dy vendeve.

*

Por kjo i takon historisë, e cila zgjati plot 30 vjet shpresë dhe zhgënjim, deri natën e 8 dhjetorit 2020, kur në Tiranë vritet Klodian Rasha 25-vjeçar, që mund të jetë një rast për ta kapur për gryke njëri-tjetrin, për ta shkundur dhe për ta pyetur: Ore, çfarë bëjmë ne?! Por, përpara se të merremi me zhgënjimet tona të reja dhe të vjetra; para se t’ia bëjmë më dije prapësitë njëri-tjetrit, duhet të themi se një projeksion historik i zhvillimeve politike në Ballkan i nxjerr shqiptarët popull me avantazhe të mëdha: në fillim të shekullit XXI ata arritën të bënin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, dhe të participojnë në mbajtjen e dy shteteve të tjera, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kjo nuk është ëndërr, ky është projeksion fatlum historik, por kur këtë ta përthyesh nëpër marrëzitë tona, është edhe fatalitet, gjithashtu.

Veçse, këtu ku mbaron historia, aty fillon nevoja për t’i thënë qashtër të gjitha gjërat. Unë duhet t’iu them miqve të mi në Tiranë, gazetarë, analistë, shkrimtarë, akademikë, pedagogë universitetesh, intelektualë të të gjitha profileve, se kjo që ndodhi së fundi në Tiranë ishte e pritshme, se ishte një vrasje e paralajmëruar, se ajo do të ndodhte sot ose nesër, se edhe tani reagimi i tyre për këtë ngjarje është shumë i vakët, është konfuz, në të vërtetë nuk është asfare, është një strukje në mjegullën e ndërgjegjes, sikur ta kenë humbur busullën morale, sepse ata, miqtë e mi të Tiranës (njësoj si unë për zhvillimet në Prishtinë) mbajnë përgjegjësi për vrasjen e atij djali të ri, ngase ata e kanë ditur, ose është dashur ta dinë, se një autokraci çfarë sundon që disa vjet në Shqipëri, se nëpërkëmbja permanente e dinjitetit të njeriut, se bjerrja e shpresës, se dhuna mbi fjalën e lirë, se maniakizmi i hapur i “papës së zi”, “bosit të errësirës”, quajeni si të doni, të cilin ata e duartrokasin, se pushteti i shpërdorur i oligarkëve, se një gjyqësor i korruptuar etj., do të sjellë doemos një pasojë dhe se, në fund të ditës, një policie të politizuar i mbetet vetëm të tërheq këmbëzën dhe të vrasë qytetarin e pafajshëm, kushdo që të jetë ai, i ri apo i moshuar, sapo t’i vijë radha. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërkohë, ata e dinë, gjithashtu, se këta të rinj që protestojnë rrugëve dhe shesheve të qyteteve të Shqipërisë dhe që i bezdisin me vandalizmin e tyre, janë “mohikanët e fundit”, të cilët përpiqen të ndryshojnë diçka në atë vend, teksa që nesër, pasi të torturohen nëpër komisariate, pasi të futen në evidencat e policisë së rendit dhe të policisë së fshehtë, do të shantazhohen, do t’iu bëhet jeta e pamundur dhe, me ndihmën e pakursyer të baballarëve të tyre, do të bëhen kontingjent i parapërgatitur për të ikur nga vendi, nga sytë këmbët, si qindra e mijëra të tjerë para tyre.

*

Por tani më duhet ta pranoj, se humbjen e shpresës e kemi të përbashkët, Kosova dhe Shqipëria, se Shqipërisë iu deshën 30 vjet “për ta prekur fundin”, kurse Kosovës më pak, 20 vjet, për të parë se zhgënjimi është rruga më e shkurtër për në askund. Nuk e kam të qartë, nëse është mallkim i racës ose mësim i përbashkët nga “e shkuara heroike”, por edhe Kosova, me mënyrën si instaloi në pushtet klasën e saj politike dhe të oligarkëve, ca maskarenj analfabetë dhe plëngprishës, pa asnjë vlerë morale dhe njerëzore, me bëmat e saj të dhjetë viteve të fundit dhe me ndihmën e pakursyer të Shqipërisë dhe të Serbisë, për pak iu shqyen hartat para syve, për pak u shkatërrua integriteti i saj territorial, për pak u fundos shteti dhe për pak u zhbë ideali i saj i lirisë dhe i pavarësisë. Kryeministri i Shqipërisë dy gjëra i bëri më mirë se çdokush tjetër: ndihmoi Serbinë të fuqizonte planin e Çubriloviqit dhe të Qosiqit për ndarjen e Kosovës dhe së fundi, me trysninë e përbashkët po me Serbinë, bëri që Kosova të pranojë kokulur “mini-Shengenin ballkanik”, atë që Kosova, disa vjet më parë, po nën udhëheqjen e LDK-së, kishte bërë një nga veprimet e saj më të mençura: në kuadër të “Procesit të Berlinit” nuk kishte pranuar që Ballkani Perëndimor të integrohej nën protektoratin ekonomik të Serbisë.

Nuk është vetëm ky zhvillim, që e bëri Kosovën vend të shpresave të humbura, njësoj si Shqipërinë. U deshën njëzet vjet “punë intensive” e klasës sonë politike, që çdo gjë të humbë rëndësinë dhe vlerën: shteti, pavarësia, njohjet ndërkombëtare, liberalizimi i vizave, diplomacia, privatizimi, ekonomia, arsimi, rendi, të gjitha u bënë pluhur e hi, pa asnjë shpresë se mund të riktheheshin ndonjëherë në vendin e vet. Njerëzit e zhgënjyer i sheh gjithkund; tashmë ata e kanë të pamundur të bëjnë jetë të dinjitetshme në Kosovë: nëse je vrojtues i vëmendshëm, duhet të mbyllësh njërin sy, që të mos shohësh krejt çfarë ndodh në praninë tënde; nëse je gazetar ose analist, duhet të shitesh dhe blihesh njëqind herë, që të mbrosh interesa joparimore të injorantëve; nëse je mësues, duhet të betohesh në Zot të mos e mësosh fëmijën tënd, siç i mëson të tjerët; nëse je profesor, duhet të bëhesh shkatërrues i sistemit arsimor dhe i vlerave intelektuale; nëse je biznesmen, duhet të futesh në spiralen e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ndryshe nuk ke të ardhme. Por, mbi të gjitha, ishte Gjykata Speciale, e fundit në këtë radhë zhvillimesh negative, që ia humbi Kosovës busullën morale, ia humbi pikat e orientimit në kohë dhe hapësirë.

Derisa “ushtarët besnikë të partisë” filluan të shëtisnin poshtë e lart, për të “rekrutuar” nëpër Kosovë mbështetës për “kauzën e çlirimtarëve”, Shqipëria, ndoshta pas një kohe shumë të gjatë, u bë patericë e Kosovës në këtë kauzë politike, duke plotësuar një kuadër formal të mbështetjes: bëri deklarata në medie, shkroi tekste sipas rastit dhe nevojës, ose sipas porosisë, pra njëjtë si Kosova, asnjëra palë pa u përpjekur të kuptojnë se Gjykata Speciale ishte rrjedhojë logjike e zhvillimeve politike të njëzet viteve të fundit në Kosovë dhe në mileun shqiptar. Unë e kam thënë edhe një herë tjetër: Gjykata Speciale është e padrejtë, sepse shqiptarët në luftën e viteve 1998-99 ishin viktima dhe se ajo, në një mënyrë shumë të shëmtuar, arriti të deformojë narracionin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës për liri të një populli, madje të të gjitha luftërave për liri në çdo cep të globit. Dhe e bëri këtë në një mënyrë krejt të përmbysur: memorizoi bëmat kriminale të çlirimtarëve gjatë njëzet viteve të fundit dhe me këtë perceptim, me këtë këndvështrim, iu vërsul Kosovës për krimet e luftës të ndodhura njëzet vjet më parë. Kjo është e njëjta gjë, njësoj, sikundër që krimet e Serbisë dhe klasa e saj politike e pareformuar u amnistuan jo duke u mbështetur në gjendjen dhe zhvillimet reale të asaj kohe, por duke e perceptuar situatën në raport me interesat aktuale të Perëndimit, për të larguar Serbinë nga ndikimi rus. Një diskurs i këtillë e bën Gjykatën Speciale krejtësisht johistorike, por vetëm një instrument politik për të pacifizuar Ballkanin. Më anë tjetër, në reagimet e shumta folklorike kundër Gjykatës Speciale harrohet se ajo u themelua nga një parlament demokratik dhe se ata që u bënë viktimë e saj, ishin vendimmarrës të plotfuqishëm. Se cilët ishin kalkulimet e tyre, mund ta dinë pak njerëz, por që ndonjëri syresh të kërkojë të lirohet nga paraburgimi, duke ofruar si mundësi banimi “një vend jo fqinj të Kosovës”, është një cen i paprecedent i integritetit moral. Po të mos e kisha parë vetë të shkruar, nuk do ta kisha besuar se mund të ndodhte.

*

Tani Kosova dhe Shqipëria përpëliten në krizë politike dhe në krizën e sëmundjes e të vdekjes nga pandemia. Derisa shkruaj këtë tekst, mediet e Shqipërisë njoftojnë se policia në Tiranë rrethon kryeministrinë, ndërkaq analistët në Prishtinë, bashkë me vetë liderët politikë, bëjnë llogari mbi llogaritë, si mund ta zgjedhin presidentin duke evituar zgjedhjet, sepse nuk duan që së paku në tri vitet e ardhshëm ta qeverisin Kosovën sipas vullnetit të votuesve, por me ata që manipulojnë opinionin dhe vullnetin demokratik. Ndërkohë, pandemia ka një përhapje të frikshme në Kosovë dhe në Shqipëri dhe, nëse i lidh diçka këta dy vende në këtë situatë të rëndë, është numri i pasaktë i të infektuarve nga virusi, sepse statistikave të tyre nuk ka si t’u besojë njeri: ishin po këto qeveri që gati dhjetë vjet më parë gënjyen veten dhe botën për numrin e popullsisë në Kosovë dhe në Shqipëri, që ta përdornin kurdo që t’iu hyjë në punë pushtetarëve, në mënyrë që të dalë se sukseset e tyre janë me shifra më të larta, si në ekonomi, punësim, në bruto prodhimin, në infrastrukturë, në arsim, kudo. Ta besoni, më herët këtë veprim të shëmtuar të zvogëlimit të numrit të shqiptarëve e bënin ata që donin të na zhduknin nga faqja e dheut, këtë e dimë të gjithë, kurse tani na e bëjnë shtetet tona, para syve tanë dhe ne, të pafuqishëm, bëhemi viktima edhe të shifrave të tyre të gënjeshtërta: sëmuremi dhe vdesim sipas statistikave të tyre të rrejshme! / KultPlus.com

Dua Lipa shpërblehet edhe me një çmim tjetër, vlerësohet në Billboard 2020

Çmimeve të shumta të Dua Lipës sonte iu shtua edhe ai në Billboard 2020, shkruan KultPlus.

Këngëtarja shqiptare arriti të fitoj çmiminWomen In Music for the Powerhouse”, e që padyshim përbën edhe një sukses tjetër të saj.

Ajo ka shpërndarë fotografi me fustanin e zi, me të cilin kishte performuar në hyrje të organizimit “Billboard 2020”, duke e interpretuar këngën “Boy will be boys” në një version tejet të bukur.

“Kur fustani të shërben si sfond…faleminderit Billboard çmimi Women In Music for the Powerhouse”, ka shkruar Lipa në profilin e saj në twitter.

Ky çmim vie pas sukseseve të Duas në Festivalet e Francës, Spanjës si dhe nominimeve në Grammy. / KultPlus.com

Familja e Klodian Rashës me një letër publike: Protestat po na i thellojnë dhimbjet

Katër ditë pas humbjes së djalit, familja e Klodian Rashës ka bërë thirrje për qetësi me anë të një letre publike duke kërkuar që dhimbja e tyre të mos thellohet më tej me padrejtësi të tjera.

Top Channel ka siguruar këtë letër, për të cilën një nga anëtarët e familjes Rasha i konfirmoi se ajo është letër publike për të gjithë shqiptarët. Në letër, anëtarët e familjes Rasha shkruajnë se “pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij”.

Kështu nis letra publike e familjes së 25-vjeçarit, vrasja e të cilit ka ngritur në këmbë mijëra vetë në protesta që janë përshkallëzuar prej tri ditësh në dhunë.

“Ato që po shohim pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë. Po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme”.

“Djalit tonë”, shkruhet më tej në letër, “ia mori jetën arma e një polici”.

Ndaj familja kërkon drejtësi deri në fund.

“Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici nuk sjellin drejtësi, por vetëm padrejtësi të tjera”. /express/ KultPlus.com

“European Film Awards” i 2020-s kthen sfidën në mundësi

Si shumë festivale të filmit, ekuivalenti evropian i “Oscars” mbahet në mënyrë digjitale. Organizatorët thonë se është një mundësi për të provuar gjëra të reja

Dashamirët e filmit dhe festivaleve, si dhe filmbërësit, e kanë vënë në dyshim prej muajsh: ceremonia e “European Film Awards” është caktuar të mbahet online. Gjatë këtij viti, me pandeminë e koronavirusit, të gjitha festivalet e mëdha, përfshirë Locarnon, Cannesin dhe Venecien, u detyruan t’i zhvendosin programet e tyre në format online, kështu që ishte fare e natyrshme që edhe “European Film Awards” të vepronte njësoj.

Duket sikur ngjarjet me tepihun e kuq janë kujtime të largëta nga e kaluara e lavdishme. Megjithatë, derisa festivale të tjera të filmit u detyruan t’i ricaktojnë oraret e tyre, organizatorët e edicionit të 33-të të “European Film Festival” kishin mjaftueshëm kohë për t’iu përshtatur rrethanave të pandemisë dhe për ta përsosur formatin e ri digjital.

Organizatori i ngjarjes, European Film Festival në Berlin (EFA), e ka quajtur atë si “një mënyrë tjetër të të shpalosurit të çmimit”.

Në vend të ngjarjes gala që ishte planifikuar të mbahej me 12 dhjetor në Reykjavik, Islandë, filmat shpërblehen në një varg ceremonish virtuale që kanë nisur prej të martës së kësaj jave. Ceremonia e fundme do të zërë vend sonte.

Kalimi në formatin digjital nuk ishte aq i thjeshtë.

“Vendimi nuk ishte i lehtë për ne”, ka thënë Mike Downey, kryesues i bordit të “European Film Academy” në Berlin. Në të njëjtën kohë ai ka premtuar se ngjarjet do të jenë të veçanta dhe më shumë sesa veç zgjedhje e përkohshme: “Nevoja është nëna e të gjitha zbulimeve”, ka thënë Downey, i cili është edhe producent filmi nga Irlanda. Formati i ri është menduar t’i frymëzojë ngjarjet e ardhshme të “European Film Academy”.

Mundësia për të vënë në pikëpyetje formatin e ceremonisë së çmimeve në industrinë e filmit ishte një prej pasojave të rralla, por pozitive, të pandemisë së koronavirusit. Mundësitë janë reflektuar edhe në programin e sivjetmë të “European Film Awards”.

Derisa ceremonitë e çmimeve në festivalet e mëdha të filmit ishin parësisht ngjarje glamuroze në të cilat kremtoheshin VIP-at e industrisë së filmit, fokusi tashmë ka ndryshuar ndjeshëm.

Një shembull është ngjarja e EFA-s, e 8 dhjetorit. Në panelin e diskutimit, të quajtur “From Survival to Revival: Building the Post-Covid Future”, filmbërës të njohur diskutojnë riorganizimin thelbësor të industrisë evropiane të filmit.

Rrallë të ketë ndodhur që hapja e festivalit të filmit të jetë fokusuar kaq shumë në njerëzit që punojnë prapa kamerave, prapa vendeve të sajuara me kujdes, ashtu sikundër edhe për punonjësit e teatrit dhe kompanitë e produksionit – të gjithë kontribuuesit e industrisë së filmit që nuk marrin pjesë në ndriçimin e tepihut të kuq. Dhe për këtë s’ka pasur kurrë më shumë nevojë në industri siç ka pasur gjatë këtij viti të pandemisë COVID-19, ku u humbën kaq shumë vende pune.

Vëmendje sivjet marrin edhe kategori të tjera më pak prestigjioze.

Megjithatë, ngjarja e madhe është ende ceremonia e fundme e çmimeve sonte më 12 dhjetor, kur do të jepen çmimet kryesore, përfshirë edhe kategorinë kryesore “Best European Film”, që është votuar prej 3800 anëtarëve të Akademisë së Filmit. Vëmendje do të marrin edhe çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë, sikundër edhe ato për regjisorin, skenarin dhe filmin më të mirë dokumentar.

Lista e ngushtë e 2020-s në kategoritë përkatëse është zgjeruar për herë të parë nga pesë filma në gjashtë dhe kjo ka sjellë larushi më të madhe në filma. Krahas produksionit polak “Corpus Christi”, filmi danez-suedez “Druk” dhe drama sociale italiane “Martin Eden”, kanë që të dyja nga katër nominime. Filmi çek “The Painted Birs” është duke u marrë parasysh, tok me dy filma gjermanë.

Përshtatja e shumëpërfolur e filmit nga libri “Berlin Alexanderplatz” po garon për filmin më të mirë. Edhe skenaristi i filmit, Martin Behnke, dhe regjisori Burhan Qurbani janë nominuar për skenarin më të mirë. Një tjetër film gjerman, drama e dashurisë e Christian Petzoldit “Undine”, do të garojë në kategorinë e filmit më të mirë evropian.

Ylli i këtij filmi, aktorja 25-vjeçare gjermane Paula Beer, garon për aktoren më të mirë kryesore, duke u vënë në garë të drejtpërdrejtë me bashkatdhetaren Nina Hoss, që luan rolin kryesor në filmin zviceran “My Little Sister”.

Në kategorinë për aktorin më të mirë evropian, Mads Mikkelsen nga produksioni danez-suedezo “Another Round”, që është nominuar tashmë katër herë për çmime, do të garojë kundër jo shumë të njohurit aktor nga Kroacia, Goran Bogdan, që konsiderohet favorit për rolin e tij si një baba i dëshpëruar në filmin “Otac”.

Më 2021, “European Film Academy” shpreson të fitojë çmimin e njohur të filmit gjatë një ceremonie në Gjermani. Ngjarja mbahet çdo dy vjet në Berlin, ku edhe ndodhet akademia.

Por, qyteti i Reykjavikut, në Islandë, që ishte vendi i planifikuar për ceremoninë e këtij viti, nuk do të mbetet duarzbrazur: ai do të jetë logu i 2022-s. Në një mënyrë ose tjetër, pandemia e koronavirusit ka ndryshuar industrinë e filmit me festivalet dhe ceremonitë e çmimeve gjatë viteve në vazhdim. /DW/ Koha/ KultPlus.com

BIK varros gruan serbe, Ahmeti: Në fund humaniteti është më i rëndësishmi

Kryetari i Komunës së Prishtinës nëpërmjet një shkrimi ka bërë të ditur për varrosjen e një gruaje serbe, shkruan KultPlus.

Ajo qëndronte në Shtëpinë e Pleqve, teksa kur vdiq askush, duke përfshirë edhe institucionet e fesë së cilës i përkiste nuk e varrosi. Ndërkaq, sipas Ahmetit, Bashkësia Islame e Kosovës morri përsipër varrimin e saj.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Ahmetit:

Sot ka ndërruar jetë një qytetare e moshuar e nacionalitetit serb në Shtëpinë e Pleqve. Ishte vetë dhe nuk paska pas askënd. Për arsye te pasqaruara, nuk kishte askush për ta varrosur përfshi edhe institucionet fetare të cilave i përkiste. Se bashku me Bashkësinë Islame organizuam varrimin. Dua që publikisht ta falenderoj Bashkësinë Islame për gjithë organizimin. Në fund humaniteti – njerzillaku është më i rëndësishmi. / KultPlus.com

“Amantia”, krijimi artistik i Agron Penit mes tingujve të kitarës dhe bukurive natryrore

Krijimtaria më e re artistike e Agron Penit mban emrin “Amantia”, shkruan KultPlus.

Në videon e publikuar në kanalin e tij në YouTube, na shfaqet Peni duke sjellur tinguj të magjishëm me kitarën e tij, të kombinuara me pamjet mbreslënëse të Kosovës. Ujëvara, gurë, kala, bjeshkë e male shfaqen në video për të na bindur përmes “Amantia” se e bukura është arti dhe e tillë është vet natyra.

Ky emërtim rrjedh nga qyteti antik ilir në Epirin e Veriut apo Ilirinë e Jugut. Sot ky vend identifikohet me fshatin Ploç, në qarkun e Vlorës në Shqipëri.

Krijimi i fundit artistik i Agron Penit është realizuar në studion e Shpetasound, teksa xhirimet janë kryer nga Bleri Malushi dhe Komuna e Prishtinës ka qenë mbështetëse. / KultPlus.com

Aktori i mirënjohur Petrit Malaj feston 56 vjetorin

Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë Petrit Malaj sot mbush 56 vjeç.

Ai u lind në Orikum të Vlorës në 12 dhjeror të vitit 1964. Që në fëmijërinë e tij të hershme familja transferohet në qytetin e Bajram Currit, qytet nga i cili familja e tij është edhe me origjinë. Në vitet 1975-1981 kreu gjimnazin në qytetin e Bajram Currit ndërsa Institutin e Lartë të Arteve e ndoqi gjatë viteve 1981-1985 ku edhe u diplomua në specialitetin “Aktor”

Pas diplomimit ai pati një karrierë të gjatë dhe të sukseshme në teatër por më tepër në kinematografi ku vlejnë të veçohen rolet në ” Qortimet e vjeshtës ” 1981, ” Besa e kuqe ” 1982, ” Nëntori i dytë ” 1982, ” Vendimi ” 1984 ,” Gjurmë në dëborë ” 1984, ” Dasma e shtyrë ” 1985, ” Kur hapen dyert e jetës ” 1986, ” Militanti ” 1984, ” Hetimi vazhdon ” 1986, ” Balada e Kurbinit ” 1988 “, Viktimat e Tivarit ” 1991, ” Bardh e zi ” 1991,” Telegrami ” 1992, ” Skënderbeu ” 1995, ” Kolonel Bunker ” 1998, ” Lule të kuqe, lule të zeza ” 2002, ” Dhimbja e dashurise ” 2008, ” Lindje, perëndim, lindje ” 2008.

Gjatë karrierës së tij si aktor Petrit Malaj ka punuar me regjisorët dhe aktorët më të mirë të vendit. Gjithashtu ka mbajtur edhe disa nga postet më të rëndësishme në Universitetin e Arteve  si Rektor dhe Dekan i Fakultetit të Artit Skenik.

Petrit Malaj është vlerësuar edhe me shumë çmime të rëndësishme ku do të veçonim, medalja “Naim Frashëri” akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë, medaljonin e festivalit në “Festivalin e Pestë të Filmit Shqiptar” si dhe shumë diploma të tjera për aktivitetin krijues e artistik. /ata/ KultPlus.com

Prindërit ankohen: Pushimi prej 1 muaji në dimër po i shkëput fëmijët nga procesi mësimor

Ka mbetur edhe një javë deri tek përfundimi i gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/2021. Qeveria e Kosovës ka marr vendim ditë më parë që pushimi dimëror të zgjas një muaj. Për këtë vendim të pakënaqur janë prindërit që po shprehin drojën se një shkëputje kaq e gjatë nga procesi mësimor është në dëm të fëmijëve të tyre. Edhe njohësit e arsimit po thonë se nxënësit duhet angazhuar gjatë kësaj periudhe në mënyrë që të mos dëmtohen më shumë.

Viti i ri shkollor 2020/2021 ka nisur me vonesë. Kjo për shkak të pandemisë Covid-19. Edhe mbyllja e gjysmëvjetorit të parë të këtij viti shkollor do të bëhet më herët, e pushimi dimëror do të zgjas më shumë. Nxënësit do tu kthehen bankave shkollore tek më 18 janar 2021, teksa pushimi në kohëzgjatje prej një muaji nuk është mirëpritur.

Ymret Reshiti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, ka thënë për Express që vendimi i Qeverisë që nxënësit të kenë pushim dimëror një muaj është në dëm të tyre.

“Ky vendim i Qeverisë që pushimi dimëror të zgjaste nga dy javë në 1 muaj shkon në dëm të nxënësve për shkak që edhe më tutje i shmang ata nga procesi mësimor, kur dihet fakti që këtë vit për shkak të pandemisë është mundësuar për një kohë të gjatë thuajse mësimi online ose nga distanca”, ka thënë ai.

Madje Reshiti pohoi se për këtë vendim as që janë konsultuar nga Qeveria.

“Gjithashtu edhe viti shkollor ka filluar me vonesë , pastaj është me gjysmë orari dhe tani nëse zgjatet pushimi nga 2 javë në një muaj është një ngarkesë edhe më tutje në shkëputjen e nxënësve nga procesi mësimor. Ne si Këshill i prindërve e kemi ngriture shqetësimin tonë dhe ne si këshill mendojmë që ka qenë i nxituar dhe se nuk janë vlerësuar drejt rrethanat. Ne nuk jemi konsultuar për këtë çështje”, ka thënë më tutje ai.

Për njohësin e fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci, pandemia dhe mësimi në largësi ka shmangur socializmin e nxënësve duke i lënë ata në distancë nga njëri-tjetri.

“Me siguri më shumë do të dëmtohen fëmijët nga grupet e margjinalizuara që nuk kanë qasje në teknologji, sepse ata nuk do të mund të jenë pjesë e procesit mësimor kur klasa e tyre duhet të shkoj në shtëpi për shkak të rasteve të infeksionit. Pandemia ka lënë pasoja edhe tek fëmijët, sepse në kushte të tilla duhet bërë të kundërtën e asaj që quhet normale. Kështu, në vend të nxiten fëmijët që të jenë sa më afër njëri=tjetrit, ata detyrohen të mbajnë distancë, që pengon bashkëpunimin dhe socializmin në mes tyre. Po ashtu, ata duhet të mbajnë distancë edhe nga mësimdhënësit, që vështirëson ofrimin e ndihmës kur kanë nevojë”, ka thënë ai.

Ndërsa për sa i përket pushimit një mujor dimëror, Pupovci tha se është mirë që gjatë kësaj periudhe nxënësit të angazhohen me detyra shtesë.

“Një muaj është kohë e gjatë, por është mirë që gjatë kësaj periudhe fëmijëve t’u jepen ca detyra që duhet t’i bëjnë në kohën e këtij pushimi të imponuar”, ka deklaruar ai për Express.

Të nevojshëm ai e pa ndryshimin e kalendarit shkollor në mënyrë që të kompensohen orët e humbura përgjatë kësaj periudhe..

“Pastaj, është me rëndësi që të ndryshohet kalendari shkollor në mënyrë që të realizohet numri i duhur i ditëve të punës, qoftë edhe nëse duhet punuar në dy javët a para të korrikut. Kosova bën pjesë në mesin e vendeve evropiane që kanë më së paku ditë mësimi gjatë një viti shkollor dhe nuk është mirë që numri i tyre të zvogëlohet edhe më shumë, duke marrë parasysh pasojat që edhe ashtu i shkakton pandemia”, ka potencuar ai.

Kujtojmë që më 1 dhjetor të këtij viti, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, njoftoi që kanë marr vendim që gjysmëvjetori i parë të përfundoj me 18 dhjetor.

Ai konfirmoi se nxënësit bankave shkollore do tu kthehen më datë 18 janar.

Pra nga dy javë sa i kishin pushim nxënësit, si pasojë e pandemisë dhe rritjes së infeksioneve edhe në shkolla të vendit, pushimi është zgjatur në një muaj. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Krijimtaria artistike e Banskyt shfaqet së fundmi në Bristol

Edhe përgjatë periudhës së pandemisë, krijimtaria e Banskyt s’ka të ndalur, shkruan Daily Mail, përcjell KultPlus.

Artisti i njohur anonim, i cili tanimë njihet me nofkën “Banksy” së fundmi ka realizuar një mural në Bristol, meqë rast e ka bërë pronaren e shtëpisë të ndërroj mendje për ta shitur atë.

Vepra “The Aachoo!!” u shfaq brenda natës në anën e shtëpisë së Aileen Park Street e cila ndodhet përgjatë Vale Street në Totterdown  më 10 dhjetor.

Aileen Maikin është 57 vjeçarja, shtëpia e së cilës më parë kishte vlerën prej 300 mijë paundësh, mirëpo vlera e saj është rritur që nga momenti i shfaqjes së muralit nga Banksy.

Pas konfirmimit nga artisti se kjo vepër është e tija, Maikin vendosi mos ta shes shtëpinë, e cila tanimë mund të kushtoj deri në pesë milion.

Vepra e re e Banskyt pasqyron nëpërmjet artit një pensioniste, teshtima e së cilës po rrëzon ndërtesa, një efekt i krijuar nga spërkatja e tij në anën e shtëpisë. / KultPlus.com

Piktura e artistes kosovare bëhet kartëpostale në Tajlandë

Tanimë është dëshmuar se arti depërton përtej kufinjve dhe së fundmi Mimoza Rraci na bindi edhe një herë për këtë, shkruan KultPlus.

Artistja e re kosovare ka realizuar kohë më parë një vepër artistike, në të cilën shfaqet një mjeke që në maskën e saj ka flamurin e Kosovës.

Përderisa tanimë personali shëndetësor në mbarë globin është kthyer në kategorinë që më së shumti kemi nevojë, Tajlanda ka vendosur ta vlerësoj punën artistike të Rracit.

Mimoza ka bërë të ditur se ambasada e Kosovës në Tajlandë ka vendosur t’i falenderoj kontributdhënësit shëndetësor duke përdorur veprën e saj si kartëpostale.

“Cfare ndjesie, Ambasada e Kosoves n’Tajland permes punes sime falenderon heronjet e 2020tes”, ka shkruar Rraci.

Rasti i Mimozës dhe shumë artistëve të tjerë na bëjnë të ditur se arti është përfaqësimi më i denjë i yni. / KultPlus.com

Le Miroir Des Sports: Riza Lushta, qendërsulmuesi shqiptar i Juventusit

“Le Miroir des sports” ka botuar, të hënën e 6 korrikut 1942, në faqen n°6, një rrëfim të rrallë për futbollistin e talentuar shqiptar nga Mitrovica, Riza Lushtën, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Nëse ka një vend i cili, nga numri dhe cilësia e lojtarëve të tij, mund të pretendojë se nuk ka asgjë për të mësuar nga askush në kontinent, kjo është Italia, fituese dy herë e Kupës së Botës, në 1934 dhe 1938, dhe palmares-i ndërkombëtar i të cilës është madhështor.

Megjithatë…

Megjithatë, trajneri i A. S. Romës, kampion i Italisë në 1912, është një hungarez, Alfred Schaffer. Asnjëherë A. S. Roma, që prej vitit 1898 që kampionati italian ekziston, nuk e kishte fituar titullin. Klubi ka arritur këtë sukses, këtë vit, me një ekip që nuk ka në radhët e tij asnjë lojtar titullar në “njëmbëdhjetëshen” e një kombëtarje. Merita e Shaffer-it është akoma dhe më e madhe.

Megjithatë përsëri Juventusi i Torinos, fitues i Kupës së Italisë në 1942, ia detyron suksesin e tij qendërsulmuesit shqiptar Lushta, i cili shënoi kundër Milanit dy herë radhasi, ndërsa ekipi Lombard, i udhëhequr nga 2 -1, dukej se do të barazonte. Nga 2-1, Piemontezët rritën diferencën në 4-1; Ishte shumë për ekipin e ri të Milanos…

Duket kështu që, edhe brenda një elite, njerëz të jashtëzakonshëm, “fate të veçanta” si Schaffer dhe Lushta arrijnë të imponohen. Sidoqoftë për Schaffer-in, kishim dëgjuar për reputacionin evropian të krijuar për shumë vite, si lojtar dhe më pas si trajner.

Por Lushta ?

Ky Lushta, aktualisht futbollisti më i njohur në Piemont, nuk ka asgjë të përbashkët me Lushtën, të quajtur Riza, i lindur më 21 janar 1916, në Nierogiza (Mitrovicë, Shqipëri), dhe i cili luajti për S. O. Montpellier gjatë sezonit 1939-1940 ?

Nëse është kështu, si mund ta shpjegojmë që nuk u fol për këtë lojtar në Francë? A nuk pati njeri për të dalluar klasin e jashtëzakonshme të një lojtari që arriti të imponohej në mesin e lojtarëve më të mirë italianë dhe që, të dielën e kaluar, shënoi dy gola vendimtarë si në paradë, pas një serie fintesh dhe driblimesh që shmangën mbrojtësit kundërshtarë nga rruga e tij, aq sa ai pati kohë për të bllokuar me qetësi topin për të shënuar në mënyrë të pandalshme?” / KultPlus.com

“A i sheh”, dueti që bën thirrje artistike për mirënjohje jetësore

Këngëtarët e dëshmuar në skenën muzikore, Alban Skenderaj dhe Arilena Ara së fundmi janë bërë bashkë në një projekt muzikor, shkruan KultPlus.

“A i sheh” është kënga e tyre më e re, përmes së cilës kanë sjellur para publikut një vlerë tjetër muzikore.

Kënga tekstin e së cilit e ka shkruar Alban Skenderaj dhe e ka kompozuar melodinë, sjell vargje të fuqishme të cilat përçojnë mesazhe të mirënjohjes për gjërat të cilat na rrethojnë në jetë.

Butësia e zërit të Arilenës dhe bukuria e interpretimit të Albanit bënë që kjo këngë t’i gëzoj artdashësit e dy këngëtarëve.

KultPlus ua sjell tekstin dhe vidoklipin e këngës “A i sheh”:

A i sheh rreth teje bukurite?

Malet, lumenjte, oqeanet ti a i sheh?

Jane per ty, a i sheh?

Rrezet e diellit mbi poezite,

ngjyrat e gjithe kesaj bote ti a i sheh?

Jane per ty, a i sheh?

Thuam a i sheh, sheh, sheh

sheh, sheh, sheh, ti a i sheh?

Lotet a i sheh?

Thuam a i sheh, sheh, sheh

sheh, sheh, sheh, ti a i sheh?

Jane per ty, a i sheh?

A i sheh puthjet ne perendim?

Pikat e shiut qe bien ti a i sheh?

Jane per ty, a i sheh?

Lotet qe rrjedhin nga nje gezim

buzeqeshjet e nje femije ti a i sheh?

Jane per ty, a i sheh?

A i sheh dallget, qe perplasen shkembinjve sa here qe mendoj per ty, a i sheh?

Jane per ty, a i sheh?

Kenget dhe vargjet, qe i thura me shpirt e me zemer ne duar, ti a i sheh?

Jane per ty, a i sheh?

Thuam a i sheh, sheh, sheh

sheh, sheh, sheh, ti a i sheh?

Lotet a i sheh?

Thuam a i sheh, sheh, sheh

sheh, sheh, sheh, ti a i sheh?

Jane per ty, a i sheh? / KultPlus.com

Muzika e kompozitores Donika Rudi jehoi mbrëmë në “Osijek Peace Awards 2020” në Kroaci

Gjatë natës së mbrëmshme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Paqes Osijek 2020, u dha edhe premiera e shfaqjes – doku – vallëzimit “U IME OCA/ In the Name of the Father” , që mban edhe  emrin e kompozitores së mirënjohur kosovare Donika Rudi, shkruan KultPlus.

U IME OCA/ In the Name of the Father në vete përmban rrëfimet më të dhimbshme të fëmijëve të lindur nga përdhunimet e luftës në Bosnie, të cilët janë në kërkim të prindërve të tyre. Disa nga ta paraqiten edhe në skenë, së bashku me aktorët e tjerë.

Kurse ky prodhim muzikor me një histori kaq të dhimbshme, të bukur e njëkohësisht me një mesazh kaq të fuqishëm mban edhe emrin e kompozitores kosovare Donika Rudi.

Për koreografin Darrel Tulon premiera e këtij doku vallëzimi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Paqes do te thotë shumë. Sipas tij fakti që kjo ngjarje është transmetuar online ka bërë që fëmijët e lindur nga lufta të flasin me më shumë njerëz.

“Kjo është me të vërtetë një ditë shumë e veçantë, që U IME OCA do të transmetohet për më shumë shikues sesa do të ishte në gjendje të paraqitej brenda Teatrit Kombëtar Kroat Osijek. Fëmijët e Lindur nga Lufta do të jenë në gjendje të flasin me kaq shumë njerëz. Mbase së bashku mund të ecim përpara, dhe me paraqitja e kësaj shfaqjeje në Çmimet e Paqes është një konfirmim: që arti mund dhe duhet të na flasë për jetën dhe kohën tonë. Që ne mund të përdorim artin tonë për të bërë një ndryshim në jetën e njerëzve”, ka thënë Tulon.

E gjithë ideja për këtë doku vallëzim ka filluar nga intervistat me fëmijët Boshnjakë të Lindur nga Lufta (CBOW), disa nga të cilët paraqiten edhe në skenë, së bashku me aktorë nga qyteti i Tuzlës dhe këngëtarin e shkrimtarin Norbert Wally (Austri) . Teksti fjalë për fjalë u zhvillua me material biografik nga Jelena Cajić, Ivana Cook, Nadia Delić-Klevstad, Alma Erika Erikson dhe Ajna Jusić.

Shfaqja u realizua para publikut në Teatrin e Luftës në Sarajevë (SARTR) më 12 Tetor të vitit 2019, dhe u xhirua nga Vardo films (MB), drejtuar nga Dheeraj Akolkar.

Premiera Botërore u mbajt me 20 Mars 2019 në Teatrin Kombëtar të Tuzlës dhe pastaj në Teatrin e Luftës në Sarajevë – Sarajevo Theatre of War (SARTR).

Performanca është ideuar, drejtuar nga koreografi Darrel Toulon, me të cilin kompozitorja Donika Rudi ka bashkëpunuar edhe në Kosovë me trupën e baletit nga Kosova për shfaqjen “YOUR STORIES, MY STORY”./ KultPlus.com

Brilant Milazimi fitues i çmimi “Artistët e së nesërmes 2020”

Foto: Alban Nuhiu

Juria u mblodh në Prishtinë dhe ‘online’ të enjtën me 10 dhjetor për të përzgjedhur fituesin e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020. Patëm kënaqësinë me pa ekspozitën dhe takuam secilin nga finalistët Laureta Hajrullahun, Shkamb Jakën dhe Brilant Milazimin për të diskutuar punën e tyre.

Juria ishte e impresionuar në mënyrën se si finalistët zhvilluan idetë e tyre për ekspozitën dhe si reaguan ndaj hapësirës së Klubit e Boksit. Secili artist ka vizionin dhe qasjen e veçantë që ne besojmë që do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në praktikat e artit bashkëkohor në Kosovë dhe tutje.

Prezentimi i Shkamb Jakës reflekton hulumtimin e tij të vazhdueshëm midis gjendjeve të ndërmjetme në mes “portaleve” ose “gjatësive të valëve” të ndryshme të cilat vijnë bashkë në pikturat e tij dhe videos së re të krijuar për çmimin. Jaka me shkathtësi heton format e sjelljes njerëzore, siç është perceptimi i vetëdijshëm dhe gjysëm i vetëdijshëm, gjendjen e mënyrës së të menduarit, duke ftuar shikuesin të angazhohet me përvoja reale dhe të imagjinuara përmes hyrjeve të koduara të ngulitura në punën e tij.

Puna e Laureta Hajrullahut flet për çështjet kritike të kohës sonë, në veçanti se si nocionet e përmallimit dhe përkatësisë ndikojnë në ndërmjetësimin digjital në kohë krize. Instalimi i saj i ri pasqyron bashkëveprimin kompleks midis ‘ndarjeve’ të ndryshme, të tilla si ato midis ekranit dhe trupit, individit dhe hapësirës kolektive, private dhe publike dhe ‘reale’ dhe virtuale, në mënyra të freskëta dhe shumëplanëshe.

Për këtë ekspozitë, Brilant Milazimi paraqet një grup pikturash dhe një vepër të re skulpturore që në mënyrë imagjinare i përgjigjet kontekstit të Klubit të Boksit.

Këto vepra ndeshen me funksionin e kujtesës, si personale ashtu edhe kolektive, dhe shprehjen e saj në piktura që duken edhe të njohura edhe të çuditshme. Idetë rreth traumës, shpresës, përballjes dhe lirisë shprehen në mënyrë implicite dhe poetike të përcjella në këtë seri të punëve, duke shfaqur interesimin e tij për botën e nëntokës psikologjike të Kosovës.

Duke pasur parasysh fuqinë e punës të secilit prej finalistëve, çmimi i këtij viti u debatua gjerësisht nga juria. Duke marrë parasysh të gjitha kriteret për çmimin, juria arriti në përfundimin se çmimi i këtij viti duhet t’i jepet Brilant Milazimi. Po ashtu, juria beson se në këtë fazë të zhvillimit të artistit, Milazimi do të përfitojë shumë nga konteksti që qëndrim dy-mujor në New York do të siguroj.

Ne i urojmë Brilant Milazimit suksese të mëdha në New York dhe për të ardhmen. Ne dëshirojmë të përgëzojmë të gjithë finalistët e këtij viti dhe të inkurajojmë shumë Laureta Hajrullahun dhe Shkamb Jakën, dhe të gjithë artistët nën moshën 35 vjeçare që punojnë në Kosovë që të vazhdojnë të jenë inovativ.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York dhe The Trust for Mutual Understanding në New York.

Çmimi “Artistët e së nesërmës” 2020 organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Mbështetësit e çmimit “Artistët e së nesërmës” 2020 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Residency Unlimited, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG./ KultPlus.com

Rosela Gjylbegu: Nuk kalon dhimbja, thjesht jeton dhe mësohesh me mungesën

Këngëtarja Rosela Gjylbegu ka rrëfyer së fundmi momente të rëndësishme nga jeta e saj e përditshme, por dhe mjaft personale.

Ajo tha se dhimbja për humbjen e një personi të shtrenjtë nuk kalon kurrë, thjesht mësohet me mungesën.

“Nuk kalon dhimbja, thjesht jeton dhe mësohesh me mungesën. Nuk ka asnjë ditë pa të cilën unë nuk e mendoj tim atë. Shpesh herë them po sikur të ishte babi çfarë do më thoshte. Vdekjes do t’i thoja më rri lag, më rri shumë larg se e kam përjetuar një dhimbje të madhe kështu që kam nevojë të jetoj dhe ka kohë për atë.”

Gjithashtu, Rosela ka folur edhe për pjesëmarrjen në festivalin e RTSH dhe arsyen pse garoi.

“Kënga që kam zgjedhur është e qëllimtë sepse mendova që të gjithë do e parashikonin Roselën me një baladë, nuk doja të isha e parashikueshme. Më duhej një këngë që ta këndonin të gjithë që nga fëmijët, mosha e re, adoleshentet dhe ka rezultuar kështu sepse është fetive e gëzueshme”.- tha Rosela./ KultPlus.com

Këngëtaret shqiptare pjesë e listës së 30 këngëve më të mira nga Billboard

Billboard ka shpalosur pjesën më të madhe të hiteve të këtij viti ju në mesin e tyre bëjnë pjesë edhe këngëtaret shqiptare me famë botërore, shkruan KultPlus.

Në listën e tridhjetë këngëve më të mira pop të vitit 2020 bëjnë pjesë edhe këngëtaret me renome botërore: Dua Lipa, Ava Max dhe Bebe Rexha.

Përkatësisht këngët që pushtojnë top 30 të Billboard janë “Kings and Queens” të Ava Max, “Levitating” e Dua Lipës dhe “Baby, I’m Jealous” e Bebe Rexhës dhe Doja Cat./ KultPlus.com

Dashuni në tre kohë

Entela Tabaku

(për fis dhe orkestër )

dhjetor 2015

1.

ti ke zanin e babës

tem

zemrën e dajave

të mi

të ecunin e gjyshit

tem

përqafimin e axhës

tem

të qeshunin e nipit

tem

në trupin tand shkon historia

jeme

ajo çka u tha

çka u ba

nën hapin tand gjithshka merr kuptim

gjen ”pse”-hin

mbërrin

ti je sythi që i çel rranjët e jetës

ti je Zoti

Bir!

2.

ti ke zanin e motrës

teme

zemrën e nanës

teme

përqafimin e tezeve

të mia

aromën e nanadajes

teme

shkëlqimin e syve të nanababes

teme

buzëqeshjen e hallave

të mia

në trupin tand shkon historia

jeme

ajo çka u tha

çka u ba

nën hapin tand gjithshka merr kuptim

gjen ”pse”-hin

mbërrin

ti je sythi që i çel rranjët e jetës

ti je Zoja

Bijë!

3.

ti je

e vogël

Katarinë!

historia jeme ende flen e sheh andrra

mbështetë

për kaçurrelin tand

erëmirë./ KultPlus.com

Safete Rugova nderohet me çmimin “Sevdije Ahmeti”

Çmimi “Sevdije Ahmeti” këtë vit u nda për aktivisten Safete Rogova, për kontributin e saj në fuqizimin dhe arsimimin e grave dhe vajzave, shkruan KultPlus.

“Edhe pse në kohë pandemie RrGK nuk u ndal kurrë së punuari. Ju falenderoj nga zemra që sot më nderuat me çmimin “Sevdije Ahmeti”. Për mua, Sevdija mbetet ndër gratë më të fuqishme që Kosova ka pasur ndër vite” , tha Safete Rogova, aktiviste dhe fituese e çmimit të RrGK-së “Sevdije Ahmeti” për vitin 2020.

Duke qenë se Sevdija ishte ideatorja dhe shtylla e lëvizjes së grave në Kosovë, e këtu flitet në veçanti për vitet ’90, këtë vit këtë çmimi është lidhur po me një grua që nismat në luftën e saj për fuqizimin e vajzave dhe grave dhe arsimimin e tyre e ka nisur po në të ’90-tat. Në fakt ajo, bashkë me bashkëthemeluesen e simotrat tjera, sivjet shënojnë edhe 30 vjetorin e themelimit të shoqatës Motrat Qiriazi. Këtë vit çmimi Sevdije Ahmeti ju nda Safete Rogovës.

Safetja, fëmija i pestë (nga gjithsejt nëntë sa ishin), në vitin 68, luftën e saj e nis kur thyen tabutë e asaj kohe dhe vendosi të studjojë dramën e të bëhej aktore. Aty filloj jeta e saj me teatrin. E gjeti veten në skenë me fjalën e thënë të çiltër, të sinqertë nga zemra, nga ndjenja, nga e gjithë ajo që fjalës skenike i jep jetë, forcë, ndjeshmëri, fjalës që publikun e josh dhe e bën për vete. Kështu është Safetja edhe pas mbi 120 roleve të realizuara.

Po Safetja nuk mbeti vetëm aktore. Ajo është edhe veprimtare dhe humaniste. Duke mos dashur të rrëmbehet nga amullia e ujrave të ndotur politik serbosllave që në fillim të viteve 90-të, Safeten e shohim të formojë bashkë me të shoqin Nuredinin, motrën Igballen dhe shumë arsimdashës, shoqatën për emancipimin dhe arsimimin e gruas “Motrat Qiriazi”. Një mision i ri. Një mundësi më shumë për shpirtin e një veprimtareje, e nje humanisteje. Kështu fillon angazhimi i aktivisteve në Has, Viti, Shipol, Kamenicë dhe anekand Kosovës. Me një përkushtim të madh iu rrekën punës në teren duke mos kursyer as mundin, as kohën e as shpirtin. Dhe kur kriza politike po thellohej në Kosovë, kur doli në dritë rezistenca e armatosur kundër një dhune të paparë të pushtetit serb, shoqata “motrat Qiriazi” ndërroi diskursin e vet dhe u vu në shërbim të të zhvendosurve nga zonat ku po zhvilloheshin luftimet e armatosura, duke ju ndihmuar, duke i përkrahur dhe duke qëndruar pranë të dëbuarve ditë e natë për ta zbutur sado pak dhimbjen për dëbimin nga vatrat e tyre. Ishte ky mision njerëzor për ta mbrojtur jetën e të dëshpëruarve dhe për ta ushqyer shpresën e tyre.

Duke e përcjellë jetën dhe veprimtarinë artistike të Safetes, sidomos të kësaj humanisteje, e frymëzuar dhe e mbështjellë me shumë dashuri me sarin bardh e blu gjegjësishtë, kostumin e shenjtë të humanistes së madhe Nënës Terezë, Safete Rogova, me vetëdije apo pa te, në mënyrë fare të natyrshme e përmbushi jo vetëm amanetin e Motrave Qiriazi por edhe amanetin e shenjtë të Nënës Terezë për rrugëtimin e saj të quajtur Jetë.

Ndër shumë mirënjohje e shpërblime që Safetja ka marr për punën e vet në Teatër e veprimtari të tjera, dëshmojnë shpërblimet “unaza e Katit”, “aktorja më e mirë e vitit 2000”, “mirënjohje nga gratë deputete”, “qytetare nderi e Hasit”, “medaljen e argjendt nga presidenca 2012”, “çmimin për vepër jetësore” nga Ministria e Kulturës.

Në vitin 2018, për ta nderuar figurën e Sevdije Ahmetit, RrGK krijoi çmimin Sevdije Ahmeti me të cilin çdo vit do të nderoheshin figura grash që kanë lënë gjurmë në lëvizjen e grave dhe avancimin e pozitës së gruas në Kosovë./ KultPlus.com

100 vjet nga lindja e Arshi Pipës, universiteti i Minnesota organizon simpozium

Universiteti i Minnesotas në SHBA organizon simpoziumin jubilar Arshi Pipa 1920-2020, për 100-vjetorin e lindjes së figurës poliedrike shqiptaro-amerikane.

Kritik letrar, poet dhe filozof, Arshi Pipa ka shërbyer për shumë vite si profesor i Letërsisë Italiane në Departamentin e Gjuhëve të Romancës në Universitetin e Minesotës.

Për shkak të pandesmisë, takimi do të mbahet në distancë online.

Ndër pjesëmarrësit në këtë Simpozium përmendim: Viktor Berberi, Matteo Mandalà, Anton N. Berisha, Michelangelo La Luna, Agron Tufa, Arben Prendi, Aristea Kola, Vehbi Miftari, Astrit Lulushi, Lisandri Kola, Anton Çefa.

Arshi Pipa vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes nga viti 1949 deri më 1956. Përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”.

Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen.

Emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1958. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi më 1960. Vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Georgia, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë 1961, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbia në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-64 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).

Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës në anglisht, dhe në veçanti, kurseve ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit.

Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njëvjeçare që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësuara me shënime të ndryshme metrike), mbetur në dorëshkrim. Po ashtu, mbetur në dorëshkrim, është edhe një vëllim poetik i shkruar në tri gjuhë evropiane me titull “Autobiografia”./ KultPlus.com

“Njihej Rugova ma shumë se Kosova”

Shkruan Çun Lajçi

“Kokë për Kokë”

Për neve. Për mua. Për Rugovën. N’filmin e “Llovçen Filmit” t’Nikolla Jovanoviqit. Artistët janë autokton. Ramë Elezi, Ramë Nikçi, Kapllani, Lakja deri edhe të Adem Salihi i katundit tim!

Skenografi autoktone.Shtëpiat me dërrasa n’Breg t’Kuçishtës! Delet n’vathë e dy qen bardhosh n’vargoj. Edhe viçi tue thithë, edhe nusja tue përkund djepin e tjetra tue ba krrabëza.

Rexho Mulliqi me muzikën që mishin ta ban kokërr.

Nexhmia me vajin për Rexhën e vdekun n’grazhdin e kalit!

Film për vallën e vjetër sa bjeshkët e rugovasëve me kobure e shpata.

Për luftën e dy burrave për nji çikë, me ba nuse!

Njeni do t’vdes e tjetri n’kalë shale do t’shkoi me nusën të shtëpia me ba dasmën!

Valle e vjetër.

E gurit apo pagane, s’mund t’them. Jam artist, nuk di!

Por krejtësisht e malësorëve t’mi rugovas. Atyne t’besës, t’fjalës, t’sofrës me bukë e zemër e t’pushkës për trojet e arbnisë!

Krejt kjo në nji film t’shkurt. Dokumentar për rugovasët me dy duer,(për xhamadanat e bardhë) me viat e zeza trupit deri të zogu i kamës si drangojt (për spikun e zi n’tirq, n’xhamadana)!Për borën e bardhë mbi koka (për shallat,qefinin mbi krye).

Tash e 80 vjet përpara malazezët bajnë film për ket lojë pagane dhe mirë që s’e futën me ruejtë si te tynën n’UNESKO si sërbët lahutën!

Kur ditëm me shkrua e me ba, s’lanë zaptuesit. Tash që mundemi, s’dimë! Mendet na fluturojnë cullakinave!

E shikoj dy herë. Vazhdoj të tretën. Pak asht. T’katërtën, t’pestën e mbetëm i uritun.

N’Beograd krenohesha me Bekimin. N’Zagreb e Lublanë. E kur me pysnin nga je? Përgjigjesha: Rugovac!

Aha, m’thojshin. E dimë. Rugovska Klisura ! Besa-besa! Igra sa jataganima!

Njihej Rugova ma shumë se Kosova!

Unë rritësha. Bahesha pishë me Bekimin e Rugovën mes Beogradit!

Rugova ime n’filmin e huej! Njerëzit e mi. Katundet e mia. Edhe zakonet edhe veshjet, edhe dasmat edhe vdekjet.

Të gjitha t’mirat e mia n’filmin e malazezve “Kokë për Kokë”! Veç unë jo i vetës as i kohës së bardhë! N’Kosovën e lirë po,

por laraman me ngjyrat e pushteteve, t’pushtetarve, t’milionerve, t’xhipave, t’autostradave, t’kontratave, diplomave t’bleme, rrencave e rrjepcëve t’atdheut!

S’di a jam plakë shumë apo shumë m’asht zbutë zemra, por lot e kangë bahem çdo ditë për Haxhajt, Stankajt, Bogët, Shkrelin e Koshutanin e tëposhtë deri n’Qafën e Qyqës të Shtupeqi i vogël. Kurrë ma ata burra. Kurrë ma ato shtëpia me dërrasa. Kurrë ma ato deka e dasma!

Rugovën e dua ashtu, siç ishte, me robni e bagëti, me besën e fjalën e bardhë si t’plist borë n’krye.

Eh, tash kur mundemi të tjerëve me iu tregua përmes filmit se çfar fare e bardhë ishim, na dhimbsën paret. Jo s’na dhimbsen, por i duem për vete.

Sa e dhimbshme kur të tjerët na tregojnë si ishim e kush ishim!

Valle guri pagane kjo e rugovasëve

Rritu sa ahu jeto sa bjeshka

vdekjën kokë për kokë

bekim malësorçe

Kapllani kurrë ma mirë si ra kavallit

as Ramë Elezi s’u vra ma idhët me kobure

me Ramën tjetër për nusën e t’birit

qen-bir-qeni je tha kur e humbi lojën me tagana

e ra mortja marrën e lante veç gjaku

gishtat u lidhën

koburët u kryqëzuen n’gjoksat e malësorëve

zekani që priste me çua nusën të shtëpia

ladroi sokakut tue hingëllua

nana Lake e përmbysi tepsinë n’sini

dy shalla t’bardhë mbetën me pikat e gjakut

mes katundit të ahu qindvjeç

dy vorre si t’kreshnikve n’kangë lahute

n’dy oborre

dikund n’katundin Haxhaj thonë

vdekjën e banë dy burra kokë për kokë

për nji nuse

dhe u sos kjo vllavrasje

valle guri kjo e rugovasve me shpata

pagane e vjetër sa gryka që vjell ujët e shekujve

Dardani, 12.12.2020/ KultPlus.com

Edhe gruaja vendos se kur do të bëhet nënë

Nga Hana Bacaj

Qasja në planifikimin e sigurtë dhe vullnetar të familjes është një e drejtë e njeriut. Sidoqoftë, besoj se pothuajse secilës grua i është dashur të arsyetojë te rrethi shoqëror se kur po mendon të bëhet prind, apo dhe se sa fëmijë dëshiron të ketë. A thua sa herë jeni përballur edhe ju me shprehje si:

“Ah, ju të rejat s’po mujshit edhe fëmijë edhe karrierë, e gjyshet tona kanë mujtë krejt me i mrri.”

“Gjyshja jem i ka pasë tetë fëmijë edhe ka jetu 80 e sa vjeç. Edhe ty sen nuk të gjenë nëse i bon ma shumë se tre fëmijë.”

“Mos e shtyjë ma se i ke ba do vjet e të ikë treni mandej.”

“Qe një vjet je martu e s’ki fëmijë, a? A s’po mundesh me ba a çka është arsyeja?”

“Hajt boni dy a tre fëmijë e hjeke dertin.”

Aftësia e një gruaje për të planifikuar shtatzënitë e saj ka një ndikim të drejtpërdrejt në shëndetin dhe mirëqenien e saj, si dhe në mbarëvajtjen e çdo shtatzënie.

Planifikimi familjar është thelbësor për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave lidhur me shkollim, arsimimin dhe mundësitë ekonomike, si dhe njëherit është një ndër faktorët kryesorë në uljen e varfërisë. Megjithatë, në vendet në zhvillim, shumica e grave të cilat dëshirojnë të shmangin shtatzëninë nuk përdorin metoda të sigurta dhe efektive të planifikimit familjar për arsye që variojnë nga mungesa e qasjes në informacion ose shërbime e deri te mungesa e mbështetjes nga partnerët ose rrethi shoqëror.

Shumë studime tregojnë se nëse gratë nuk janë të përfshira në vendimmarrjen e përgjithshme brenda familjeve të tyre, ato gjithashtu kanë më pak ndikim në vendimet se kur ose sa fëmijë do të kenë, krahasuar me burrat ose partnerët e tyre. Një nga mënyrat më efektive për të përmirësuar planifikimin familjar është rritja e mundësisë për qasje të grave në shfrytëzimin e kontraceptivëve, si metoda më e sigurtë mbrojtëse. Në këtë mënyrë, përdorimi i tyre do të shmangte shtatzënitë e paplanifikuara. Gratë që përdorin metoda kontraceptive moderne kanë më shumë gjasë të vonojnë shtatzënitë e tyre të para në krahasim me gratë e tjera, ndërsa dhe kjo vonesë ndihmon gratë e reja të zhvillojnë aftësitë e tyre intelekuale dhe të ngritin perspektivat e tyre të punës.

Megjithëse përdorimi i kontraceptivëve është rritur në të gjithë botën, në vendin tonë përdorimi i metodave moderne kontraceptive është ende relativisht i ulët, pavarësisht nga dëshira e grave për të vonuar shtatzëninë. Tek ne, një pjesë e konsiderueshme e adoleshenteve dhe grave të reja nuk i njohin metodat moderne kontraceptive, ndërkohë që për një pjesë të tyre, përdorimi i tyre është tabu. Në zonat rurale përdorimi i kontraceptivëve konsiderohet luks dhe turp. Përveç kësaj, në shumë raste, gratë nuk përfshihen në vendimin se a duhet të përdorin kontraceptivë gjatë marrëdhënieve seksuale, pasi ai është vendim i njëanshëm nga partneri i tyre.

Duke pasur parasysh se statusi i grave shpesh lidhet me numrin e fëmijëve që lindin ato (dhe, në disa raste, gjininë e fëmijëve), shumë feministë e konsiderojnë presionin shoqëror të vendosur nga lindja e fëmijëve si bazën themelore për pabarazinë gjinore dhe patriarkatin. Për shembull, në shoqëritë patriarkale (ku hyn edhe Kosova), burrat janë ata që kontrollojnë funksionet riprodhuese të grave dhe vendosin se sa fëmijë do të kenë. Përveç kësaj, shumica e grave gjykohen mbi kohën se kur do të bëjnë fëmijë dhe zgjedhjet e tyre profesionale, pasi ato duhet të zgjedhin një profesion që u ofron më shumë siguri në punësim, por që gjithashtu u siguron kohë të lirë për të krijuar familje dhe për të rritur fëmijë.

Pavarësisht bazës së limituar të të dhënave që ka Kosova, isha shumë kureshtare të shihja trendin dhe ndryshimet në këtë aspekt në shoqërinë tonë. Kjo më shtyu për të parë dhe analizuar lidhshmërinë në mes të nivelit të fuqizimit të grave në Kosovë dhe qasjes së tyre në shëndetin riprodhues (kontraceptivët), si dhe në numrin e fëmijëve të lindur (planifikimi familjar).

Bazuar në të dhënat e “Multiple Indicator Cluster Survey” (MICS) për periudhën 2019-2020, lidhur me ‘Planifikikimin dhe fuqizimin e familjes’ (në shkallë vendi), më shumë se gjysma e të anketuarve (67%) në kohën e studimit kanë përdorur një herë ose ende përdorin një metodë për të shmangur shtatzëninë. Midis të anketuarve që ishin duke përdorur ndonjë metodë kontraceptive, 58% përdornin metoda jomoderne dhe jo të besueshme, ndërsa “tërheqja” ishte metoda më e përzgjedhur (57%). Ndërsa, metodat e tjera më pak të aplikuara nga çiftet bashkëshortore ishin prezervativi mashkullor (3%), përdorimi i DIU (3%) dhe përdorimi i pilulave (2%).

Metodat e tjera mbrojtese, përjashtim këtyre të përmendurave, merrnin pjesë me vetëm më pak se 1%. Përdorimi i kontraceptivëve nga adoleshentet/gratë e reja (15-24 vjeç) ishte më i ulët sesa nga gratë e moshuara. Po ashtu, rezulatet e hulumtimit treguan se gratë që jetojnë në zona rurale kanë më pak gjasa të përdorin kontraceptivë. Më pak se një e shtata (13%) e grave të moshës 15-49 vjeç aktualisht të martuara ose në bashkëjetesë e përmbushin nevojën për planifikim familjar duke përdorur metoda moderne kontraceptive.

Të dhënat nga hulumtimi tregojnë edhe rëndësinë e fuqizimit të hershëm, siç është arsimi mbi fertilitetin dhe përdorimin e kontraceptivëve. Në mënyrë të veçantë, gratë që janë më të arsimuara dhe të punësuara, si dhe ato që kanë situatë financiare më të qëndrueshme, kanë më pak fëmijë dhe janë të vetëtdijshme për metoda kontraceptive dhe planifikim familjar në Kosovë.

Këto të dhëna na bëjnë të kuptojmë se vetëm një përqindje e ulët e grave kujdesen për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar, ndërkohë që pjesa tjetër, në moshë riprodhuese, besojnë tek metoda tradicionale. Në të njejtën kohë, nga ky hulumtim u dëshmua se aftësia për të planifikuar kur dhe nëse një grua do të ketë fëmijë është i lidhur me pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore.

Disponueshmëria e kontraceptivëve efektivë ndihmon në fuqizimin e grave, duke mundësuar shmangien e lindjes së disa fëmijëve brenda një periudhe të shkurtër apo shtatzëninë e padëshiruar në moshë shumë të re. Pra, shtatzënia e planifikuar i ndihmon grave për të përfunduar arsimimin, për të kërkuar punë, të punojnë më shumë orë, si dhe të përfundojnë trajnime gjatë punës.

Për të rritur ndërgjegjësimin e rëndësisë së planifikimit familjar dhe rolin kyç të gruas në këtë çështje, kërkohet zhvillimi i politikave të ndryshme për të përmirësuar arsimin e grave dhe përfshirjen e tyre më të madhe në shoqëri. Kosova duhet të fuqizojë gratë e reja me njohuri mbi tema frytdhënëse për to, si sjellja seksuale, infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST), kontraceptivët dhe aborti. Theks të veçantë do të duhej t’i kushtohej informimit të grave të reja dhe adoleshenteve, të cilat statistikisht po konsiderohen të jenë më pak të informuara rreth metodave kontraceptive dhe duke qenë kjo arsyeja, duhet të rishikohen kurrikulat mësimore, të cilat do të duhej të jenë të fokusuara kryesisht te shëndeti seksual dhe riprodhues, njohuritë e së cilës do ishin pjesë e lëndës së biologjisë dhe shëndetit riprodhues.

Të paturit njohuri rreth kësaj i jep grave një mundësi më të mirë për t’u bërë nëna atëherë kur ato vendosin për këtë së bashku me partnerët e tyre. Këto politika do të duhej të përfshinin të gjitha gratë, pavarësisht moshës, statusit të aftësisë së kufizuar, fesë, përkatësisë etnike, statusit socio-ekonomik dhe zonës gjeografike.

Deri në krijimin e këtyre mundësive nga ana institucionale, ajo çka do të duhej të konsiderohej një obligim moral për zhvillimin e shoqërisë, e posaçërisht në ngritjen e vetëdijes së gruas dhe të drejtës së saj për të vendosur, është angazhimi i secilës prej nesh, e secilës nënë, motër apo shoqe, që të udhëzojë dhe ndihmojë secilën grua për ta qartësuar se “për ne dhe prindërimin tonë, duhet të vendosim edhe ne, kur dhe ashtu siç duam edhe ne”./grazeta/ KultPlus.com