Daniel Serwer ka qenë gjatë mbrëmjes së kaluar penalist përmes një videoje lidhje në një mbledhje të Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit të SHBA-së, ku u diskutua situata në Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.
Ai ndër të tjerash i kishte rekomanduar presidentit të zgjedhur, Joe Bidenit, të bëj më tepër presion në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Kjo ka shkaktuar që shumë media serbe duke iu referuar fjalëve të profesorit të Universitetit John Hopkins, shqiptarët t’i thërrasin me terme raciste ‘siptari’./ KultPlus.com
I really don't mind the "asking Serbia to recognize Kosovo and abolish Srpska" part. That's accurate. The tell here is the use of a racist term for Albanians. How do you claim sovereignty over a population that is 90% people you refer to with a racist slur? https://t.co/seUF9BE3BX
Një rast jo fort i zakonshëm ka ndodhur në komunën e Kamenicës. Pas përfundimit të një rruge në Hogosht, qytetarët e këtij fshati e kanë prerë vetë shiritin dhe kanë përuruar rrugën e asfaltuar.
E këtë nder e pati “plaka e katunit”, e cila e preu me gërshërë shiritin, të cilin po e mbanin së bashku dy familje të këtij fshati.
Derisa liderët politikë në Kosovë vrapojnë pas prerjes së shiritave të kuq, për të përvetësuar meritat për investimet në infrastrukturë, Qëndron Kastrati i Kamenicës, duket se më shumë fokusohet te cilësia e punës. Këtë e thonë banorët e rrugës ‘Babaniku’ në Hogosht të cilët kanë përuruar sot rrugën e tyre të asfaltuar.
“Sot e bëmë përurimin e asfaltimit të rrugës ‘Babaniku’ nga familja Shabanaj dhe Balaj me gjatësi 260 metra. Jemi më se të lumtur me kualitetin e asfaltit që ka një trashësi prej 11 cm dhe gjerësi 4 metra. Lagjja jonë ka një falemnderim special për kryetarin e Komunës dhe stafin e tij…”, ka shkruar njëri nga fshatarët që përuruan rrugën./mediafokus/KultPlus.com
Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se sivjet nuk do të ketë dekorime për festat e fundvitit. Ai ka thënë se mjetet e dedikuara për këtë punë do të shkojnë për një drejtim tjetër.
“Kemi vendosur që këtë vit mos të dekorohet qyteti si vitet e tjera dhe mjetet e parapara për dekorimin e qytetit për festën e vitit të ri t’ua dedikojmë fëmijëve jetim dhe nënave vetmbajtëse, ku do ti sigurojmë pako ushqimore dhe higjienike”, thotë ai./ KultPlus.com
Mosha është veç një numër dhe për fituesen e pesëfishtë të Golden Globe, Sophia Loren thotë ‘numri i saj’ nuk dikton rininë që ajo ndjen përbrenda, shkruan New York Post, transmeton KultPlus.
“Nganjëherë them se jam 86 vjeçare po nuk e besoj. Ndihem si 20”, tha Loren që së fundmi ka pozuar për kopertinën e AARP në numrin e këtij muaji.
“Kur shihem në pasqyrë, bëj tifozllëk për veten. Nuk pyes ‘a jam e mrekullueshme?’ apo ‘a jam e bukur?’ Jo! Ka të bëjë me atë se si ndihem, sa e sigurt dhe e lumtur jam. Ajo ka rëndësi”, tha ikona italiane duke e theksuar këtë si rregullin e saj të jetës.
Loren – e cila banon në Zvicër – vazhdoi duke thënë se mbajtja e një lidhjeje të ngushtë me fëmijët dhe nipërit e mbesat e saj ishte përbërësi tjetër i lumturisë së saj.
“Të dy djemtë e mi kanë nga dy djem, por unë jam larg [Gjenevë, Zvicër] kështu që flasim çdo ditë në telefon, shkëmbejmë edhe fotografi”, tha ajo. “Mundohem të kem momentet e mia të lumtura në këto kohë pandemie, teksa të gjithë presim për një të nesërme më të mirë”.
E ndriçuar nga praktikat e saj të “shijimit të gjërave të vogla” dhe “largimit të negativitetit”, Loren vazhdoi të vlerësonte besimin e saj në “plakjen natyrale” si një mjet për të ushqyer gëzimin e brendshëm.
“Pse ta ndryshoni trupin tuaj dhe të jeni dikush tjetër nëse jeni të lumtur përbrenda?” shton më tej. “Asnjëherë nuk e kam menduar atë – kurrë. Më pëlqen ajo që kam. Me pëlqen vetja!”
Duke përmbledhur udhëzimet e saj për një jetë të mirë, Loren – bashkëshorti i së cilës prej më shumë se katër dekadash, Carlo Ponti, vdiq në moshën 94 vjeçare në janar 2007 – vuri në dukje angazhimin e saj të palëkundur për të “pranuar atë që është”.
“Isha shumë e trishtuar kur burri im vdiq sepse nuk mund ta kalosh kurrë këtë lloj ndjenje”, tha ajo. “Asnjëherë. Sa herë e mendoj, ka një moment të vetmisë, e cila është shumë e fortë, por kjo është jeta”.
Kujtojmë se aktorja pas shumë vitesh po i rikthehet aktrimit në filmin “The Life Ahead”, produksion ky i platformës së transmetimit, Netflix./ KultPlus.com
Europa ka një sërë destinacionesh që ofrojnë vende e kultura të ndryshme. Disa prej tyre janë lehtësisht të aksesueshme e të tjera më të vështira.
Mes tyre shkruan Euronews janë dhe Bjeshkët e Namuna dhe malet e Sharrit.
Si pjesa më e lartë e të gjithë Alpeve Dinarike, i cili bën zig-zag nëpër gadishullin e Ballkanit Perëndimor, “”Bjeshkët e Nemuna” ofrojnë maja të thepisura për ski si Maja e Rosit ose Maja Jezerca me pamje që të lë pa frymë të veriut të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Euronews sugjeron Thethin dhe Valbonën ku mund të qëndroni në bujtinat e dimrit dhe familjet pritëse dhe pse nuk ofron mundësi për ski, “por ju ngroheni me rakinë e shtëpisë- një pije alkoolike tradicionale”.
Edhe Malet e Sharrit janë një destinacion që sugjerohen nga media prestigjioze, që janë në kufi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në to ka më shumë vendpushime ku mund të bëhet dhe ski, ndërkohë që përmendet Brezovica dhe Prevalla në Kosovë dhe Popova Sapka në Maqedoninë e Veriut./ KultPlus.com
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është shfaqur e prekur gjatë një fjalimi të mbajtur në Bundestag teksa ka bërë një bilanc të infektimeve dhe të vdekjeve.
Sipas Merkel, 509 viktima në ditë nga CoVid-19, janë një shifër e papranueshme.
Merkel tha se numri i infektimeve po “vazhdon të jetë ende i lartë” dhe se duhet zvogëluar sa më shumë të jetë e mundur” “Nëse shkenca na lutet që t’i reduktojmë kontaktet, duhet ta respektojmë”. Megjithatë, kancelarja gjermane njohu edhe progreset që janë bërë dhe tani “po shikohet drita në fund të tunelit”.
Ishin vitet e pesëdhjeta koha kur ti shihje së bashku Seit Lipën dhe Besim Sahatçiun ishte më se e zakonshme. Besimi e Seiti, të dy ishin të njohur për publikun shqiptar të asaj kohe. Gjyshërit e Dua Lipës dhe Rita Orës që atëherë kishin filluar një traditë, që sot janë pasardhësit e tyre ata që po e vazhdojnë, shkruan KultPlus.
Baballarët e këngëtarëve shqiptare që kanë arritur të korrin suksese në botë, Besnik Sahatçiu dhe Dukagjin Lipa janë takuar gjatë ditës së sotme në një kafene të Londrës.
Por, ajo që mbetet të shihet është nëse këtë traditë të takimeve do ta vazhdojnë edhe gjenerata e tretë e këtyre dy familjeve, Dua Lipa dhe Rita Ora. Mirëpo mbase këtë herë me një bashkëpunim muzikor mes këtyre dy këngëtarëve që tashmë kanë shkelur tregun botërore dhe kanë arritur që të dëgjohen e të pëlqehen në shumë vende të botës./ KultPlus.com
Qendra e Kulturës në Mitrovicë këtë të enjte do të jetë nikoqiri i premierës së shfaqjes “Thyerja”, e autorit Abdyl Bunjaku me regji të Agim Selimit, dhe asistente Kreshnike Osmanin, shkruan KultPlus.
Në këtë dramë luajnë aktorët: Eshref Durmishi, Mirsad Ferati, Mehmet Preteni, Qëndresa Kajtazi, Agan Asllani, Fisnik Ademi, Adem Zhitopotoku, Fatmir Haliti dhe Artan Hetemi.
Shfaqja do të filloj në orën 16:00 në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në qytetin e Mitrovicës, por me pjesëmarrjen vetëm të persoave të ftuar me ftesa./ KultPlus.com
Koloneli Peter Tankink, pilot i Forcave Ajrore Mbretërore Holandeze, në natën e 24 marsit 1999, fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, kishte marrë urdhër që të fluturonte me avionët e parë bombardues mbi qiellin e Kosovës.
Si pilot i trajnuar mirë në avionin e tij F-16, detyra e tij ishte që, së bashku me tre avionë të tjerë gjuajtës, t’iu ofronte mbrojtje ajrore dyzet avionëve të tjerë bombardues, për të goditur caqet e para mbi Kosovë.
Papritmas, tre MiG-29 serbë ngrihen në ajër.
Ambasadori i Kosovës në Hagë, Lirim Greiçevci, në rrjetin e tij social FB ka publikuar rrëfimin e veçantë të këtij piloti hero holandez, se si kishte luftuar mbi qiellin e Kosovës, për lirinë e Kosovës.
Kjo video është realizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Holandës. U jemi mirënjohës për lejen e dhënë Ambasadës së Kosovës në Hagë për ta përkthyer dhe transmetuar në Kosovë./ KultPlus.com
Ekspozita “Plein air” është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 12 piktorë janë bërë bashkë për të sjell përmes tablove të tyre peizazhin e Shqipërisë nga Jugu në Veri. Piktori Agron Polovina rrëfen përpjekjet e artistëve për të promovuar natyrën shqiptare përmes artit figurativ.
“Rrugëtimi i artistëve të Plein air ka qenë në të gjithë Shqipërinë, por unë do të veçojë krijimet e realizuara në Veri të vendit, në Liqenin e Prespës dhe në bregdet. Kjo ekspozitë është një ftesë për njerëzit për të udhëtuar, për të njohur vendin, por përse jo edhe për ta zbukuruar jetën e tyre”, shprehet piktori Agron Polovina.
Piktorët Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Xheneta Kadillari edhe të tjerë artistë, prezantojnë veprat e krijuara në këtë periudhë të vështirë pandemie, si një ushqim shpirtëror për artdashësit
“Unë personalisht kam shëtitur, si asnjëherë tjetër. Kam plotësuar boshllëqet që ka krijuar ambienti gjatë pandemisë. Mendoj se kjo ekspozitë është një ftesë për publikun, sepse të parët direkt një vepër arti nga afër është e pakrahasueshme me çdo mënyrë tjetër”, thotë Xheneta Kadillari.
Ekspozita vazhdon të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar./Shqiptarja.com/ KultPlus.com
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Gent Cakaj, në Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, ka përkujtuar krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ai tha se Serbia jo që nuk ka kërkuar falje për krimet e kryer, por ende po i mban të fshehur fatin e mijëra shqiptarëve nga lufta e fundit në Kosovë.
“Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë”.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, kujtojmë e nderojmë çdo viktimë të pafajshme të praktikave gjenocidiale në botë. Natyrisht, sot kujtojmë veçanërisht viktimat e gjenocidit të ushtruar mbi popullin shqiptar të Kosovës nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë. Fatkeqësisht, Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje ende, për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, por vazhdon të mbajë të fshehur trupat e mijëra shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit”, ka shkruar ai.
Sipas Cakajt askush nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t`i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë.
“Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë. Përkushtimi për një të ardhme paqësore nuk nënkupton edhe harresën e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Përkundrazi! Nderimi i viktimave, kërkim-falja nga ana e Serbisë e zbardhja e plotë e të vërtetës së luftës së fundit në Kosovë është parakusht për pajtim dhe paqe të qëndrueshme”, ka shkruar më tutje ai. /KultPlus.com
Lista e yjeve që do të performojnë dhe prezantojnë çmime në edicionin e sivjetmë të ceremonisë “Billboard Women in Music” tashmë është zbuluar, dhe fansat duket të entuziazmuar me emrin e artistëve të përfshirë në të.
Në mesin e personaliteteve të famshme që do të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje vjetore në rolin e prezantuesve të mbrëmjes është edhe senatori amerikan, Bernie Sanders, i cili do ta hijeshojë skenën e ceremonisë së bashku me yjet: Miley Cyrus, Lily Singh dhe Maluma.
Krahas kësaj, nëna e të ndjerës Breonna Taylor, Tamika Palmer, po ashtu do ta ketë nderin e prezantimit të një shpërblimi në ceremoninë e cila transmetohet live më 10 dhjetor në uebfaqen zyrtare të “Billboard”.
Ndërkaq në mesin e performuesve të shumtë do të jenë këngëtaret, Dolly Parton, Dua Lipa dhe Chloe x Halle, derisa rep artistja Cardi B do të nderohet me çmimin special “Billboard’s Woman of the Year” (Gruaja e Vitit).
Shpërblimi kryesor i mbrëmjes i ndahet grave të cilat e kanë definuar vitin përmes muzikës së tyre dhe aktiviteteve që kanë pasur ndikim të madh te publiku i gjerë.
Senatori Bernie Sanders do t’ia prezantoj çmimin “Powerhouse Award” këngëtares kosovaro-britanike, Dua Lipa. Pop ylli i njohur shquhet si përkrahëse e përkushtuar e Sandersit, dhe dyshja tashmë ka arritur ta krijojë një shoqëri të mirë mes vete.
Lipa do ta pranojë këtë shpërblim pasi muzika e saj ka qenë në maje të listës së shitjeve, ka pasur shkarkime të mëdha në platformat muzikore dhe është transmetuar jashtëzakonisht shumë në radio stacione të ndryshme gjatë vitit./ KultPlus.com
Kur ke disa vite i lidhur me dikë, mund të krijosh pritshmëri për një të ardhme të përbashkët. Ndoshta pret që të nisësh bashkëjetesën, të martohesh apo të krijosh familje.
Por, ndërkohë që ti je gati për hapin e madh, partneri mund të mos jetë i gatshëm. Çfarë bëhet në këtë rast? Mund të bisedosh me qetësi ose mund të marrësh masa drastike.
Alternativën e dytë zgjodhi një grua, e cila paditi partnerin e saj për faktin se kishte 8 vite që nuk e kishte propozuar.
Ngjarja ka ndodhur në Zambia, ku Gertrude Ngoma çoi në gjyq Herbert Salalikin, pasi u lodh duke pritur. Burri u arsyetua se nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për të bërë dasmë.
Gjyqtari vendosi që çifti të pajtohej dhe ta zgjidhte këtë çështje pa gjyq. \ a2news/ KultPlus.com
“Shndërrimi i zonës së ish-Kinostudios, në një “Park Arti”, në shërbim të artit dhe komunitetit, është një nga sfidat tona më të mëdha”.
Kështu u shpreh sot ministrja e Kulturës Elva Margariti në fjalën e saj në workshop e parë të organizuar sot, në praninë e Zv/ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, Ambasadores së Suedisë në Tiranë, Elsa Håstad, Ambasadorit të Italisë, Fabrizio Bucci, por edhe bashkëpunëtorëve të tjerë, nga pushteti lokal, arkitektë e artistë, të cilin e konsideroi një hap më pranë realizimit të këtij projekti madhor.
“Ngritja e Muzeut të Filmit, hapësira për organizimin e aktiviteteve kulturore në shërbim të industrisë kreative dhe startup-eve, parqe të gjelbra për komunitetin e në veçanti fëmijët janë disa nga elementët e këtij projekti”, tha Margariti.
Ministrja u shpreh se “në dy ditët e ardhshme do të vijojnë workshopet online me përfaqësues të sektorit të industrive kreative dhe me përfaqësues të skenës së pavarur artistike, për të identifikuar idetë e vlefshme dhe praktikat më të mira të zbatuara në Europë”.
“Këto ide do të ishin të dobishme në finalizimin e projektit për zhvillimin e Qendrës Kulturore që synojmë të ngremë në këtë godinë”, tha Margariti. / atsh/ KultPlus.com
Tregut të bizneseve të Kosovës do t’u shtohen edhe 167 biznese të reja të të rinjve të vendit tonë. Kjo u bë e mundur sot kur Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka shpërndarë kontratat për start-up grante për të rinjtë përfitues.
Kjo përkrahje e MKRS-së për të rinjtë në tërësi ka vlerën e rreth një milion euro dhe është në kuadër të programit për stimulimin e punësimit të të rinjve. Këtij procesi i ka parapri një program i trajnimeve për ndërmarrësi që janë zhvilluar në të gjitha rajonet kryesore të Kosovës (Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan). Objektivi kryesor i programit ka qenë mundësimi i të të rinjtë e papunë për të nisur një veprimtari biznesi, ashtu që Kosova të ketë sipërmarrës të ardhshëm.
Skema e Ndërmarrësisë do të sigurojë ndihmë me grante në vlerë deri katër mijë euro për çdo plan biznesi të zhvilluar me sukses që është miratuar në kuadër të procesit të përzgjedhjes.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi, u shpreh se përkundër faktit se MKRS-ja është një ministri shumë e gjerë, një vëmendje të veçantë i kushton fushës së rinisë për t’i plotësuar kërkesat që vijnë nga rinia, nga qendrat rinore, nga Këshillat Lokale të Rinisë.
Ministrja Dumoshi po ashtu përmendi edhe projektligjin e rinisë, ku parashihet ndryshimi i moshës së rinisë dhe do të njihet puna vullnetare.
“167 liderë në fushën e ndërmarrësisë do të shtohen në Kosovë dhe kjo do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Si ministri kemi financuar këtë program pasi që është në interes të vendit që të rinjtë të qëndrojnë në vendin tonë dhe këtu të punësohen e të zhvillohen si ndërmarrës e sipërmarrës të rinj”, u shpreh mes tjerash ministrja Dumoshi.
Kjo mbështetje ka ardhur pas trajnimeve të cilat të rinjtë i kanë ndjekur dhe janë certifikuar 1255 të rinj, nga sa ne si ministri kemi menduar në fillim se do të jenë vetëm 400 sosh, por duke parë interesimin e të rinjve, numri i të trajnuarve është rritur me përkrahjen e MKRS-së. Për rrjedhojë, nga ky proces i këtij programi stimulues, sot 167 të rinj janë përkrahur nga fondet e ministrisë.
Të rinjtë përfitues e kanë vlerësuar shumë përkrahjen e MKRS-së ngase ka qenë e pamundur që ata të konkretizojnë dhe realizojnë bizneset e tyre pa këto grante që ministria ka mbështetur të rinjtë përfitues të këtij programi.
Ata u zotuan se do të maksimalizojnë përpjekjet që të zhvillojnë dhe zgjerojnë bizneset e tyre ashtu që të angazhojnë edhe të rinj të tjerë në projektet e tyre. / KultPlus.com
Jo rrallë herë muzika ka shërbyer për të përcjell mesazhe të forta dhe frymëzuese të cilat sjellin tek publiku emocione të ndryshme. Muzika është ajo që na ndihmon të ikim nga realiteti por është pikërisht muzika ajo që ndonjëherë e shfaq realitetin më mirë se gjithçka tjetër. Artistët shpesh herë përmes tekstit e melodisë kanë shtjelluar edhe probleme të ndryshme sociale. E tillë është edhe muzika që krijon grupi “Jimmy Mustafa Band”, shkruan KultPlus.
“Jimmy Mustafa Band” përmes tekstit dhe melodisë së muzikës rome shfaqin mënyrën e jetesës që ata bëjnë dhe problemet me të cilat përballen pothuajse çdo ditë. Ata thonë se përmes këngëve përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin e të tjerëve në lidhje me rëndësinë e respektimit të të drejtave të romëve dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi.
“Ne përpiqemi që përmes teksteve tona të cilat janë kryesisht të një zhanri aktivist të përcjellim mesazhin tek të gjithë (përfshirë institucionet e Kosovës) se të gjithë jemi të barabartë dhe se duhet të trajtohemi njësoj si të tjerët” thotë Jimmy, kitaristi i grupit.
Grupi është formuar në vitin 2011 në Komunën e Obiliqit dhe përbëhet nga pesë anëtarë, dy kitaristë, një vokalist, kahonist dhe një klarinetist.
“Ne jemi nga Plemetina, një vend ku jetojnë të gjithë komunitetet, shqiptarët, serbët, romët, ashkalinjtë…” shprehet Jimmy.
“Jimmy Mustafa Band” kryesisht luajnë muzikë etno rome me prurje të vogla të muzikës bashkëkohore të përzier me hip-hop dhe R&B. Ata kanë krijuar dy albume me këngë origjinale. Albumi i parë ka dhjetë këngë dhe quhet “Posvetime”(Dedikuar) ndërsa albumi i dytë quhet “Romane Bajrakja”(Flamujt Rom) dhe ka njëmbëdhjetë këngë.
Ata thonë se janë shumë krenar që persona të moshave të ndryshme e gjejnë veten në këngët e tyre.
Të jetosh në një shtet ku ligjet dhe të drejtat e njeriut ndonjëherë respektohen në mënyrë selektive dhe të jesh pjesë e një shoqërie që shpesh herë di të jetë edhe paragjykuese, kjo për komunitetet pakicë nënkupton përballje me sfida të mëdha.
Disa nga problemet e komunitetit romë, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të jenë paragjykimi, trajtimi jo i barabartë, mungesa e shkollimit dhe punësimit.
“Nëse filloj të flas për problemet, kam frikë se kjo intervistë do të zgjasë përgjithmonë, romët në Kosovë dhe besoj se në të gjithë Evropën dhe botën janë të diskriminuar me shekuj” thotë Jimmy Mustafa.
Shkollimi i fëmijëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Plemetine dhe të gjithë vendin vazhdon të mbetet një problem mjaftë i madh. Diskriminimi, largimi nga rrethi shoqëror, mënyra e jetesës, kushtet ekonomike dhe mospërkrahja e institucioneve shtetërore janë disa nga arsyet që fëmijët e këtyre komuniteteve nuk vijojnë mësimet. Grupi “Jimmy Mustafa Band” kontribuon vazhdimisht në shkollimin dhe socializmin e fëmijëve në vendbanimin e tyre.
Jimmy, kitaristi i grupit përveç muzikës që krijon bashkë me djemtë e tjerë është edhe mësues dhe bashkëthemelues i mini shkollës së muzikës në Plemetine dhe Prizren. Ai ju jep mësime muzike fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
“Gjatë gjithë jetës sime, kam mësuar se është shumë e rëndësishme të punoj me fëmijë. Fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në komunat e Obiliqit dhe Prizrenit nuk kanë shumë mundësi. Si rezultat i turneve tona në Zvicër dhe Gjermani, dhe me mbështetjen e miqve tanë nga Zvicra, ne ja dolëm të hapim një mini shkollë të quajtur “Music 4 All School of Music” në Plemetine dhe Prizren. Fëmijët nga Plemetina kanë mundësi të mësojnë të luajnë kitarë, kahon dhe të këndojnë, ndërsa fëmijët në Prizren mësojnë të luajnë klarinetë. Qëllimi i kësaj mini shkolle është që ne të besojmë në këtë program dhe ne besojmë se fëmijët e kësaj shkolle do të jenë “trashëgimtarët tanë” në dy vitet e ardhshme” shpjegon ai.
“Jimmy Mustafa Band” përveç performancave në qytetet e Kosovës, vitin e kaluar kanë zhvilluar një turne në Zvicër dhe Gjermani. Ata kanë performuar këngët e dy albumeve të tyre në disa qytete atje.
“Ne ishim në një turne në Zvicër dhe Gjermani, atje patëm një përvojë shumë të bukur. Ne jemi falënderues për mikpritjen e mrekullueshme “ thonë ata.
Megjithatë Jimmy thotë se publiku atje dallon nga publiku në Kosovë apo vende tjera të Ballkanit.
“Ata njerëz nuk janë ballkanas, pse po e them këtë, pa marrë parasysh se këto këngë janë energjike dhe vallëzuese njerëzit atje nuk do të ngriten për të vallëzuar, ndërsa me ne, në Ballkan është ndryshe, nëse këndojmë këtu ato këngë, të gjithë do të ngrihen për të vallëzuar. Njerëzit në Zvicër dhe Gjermani janë pak më serioz se ne, por patjetër që edhe atje patëm momente të caktuara ku të gjithë kërcyen dhe u çmendën me këngët tona” thonë ai.
Grupi vitin e ardhshëm do të zhvillojnë disa turne të tjerë për të cilët janë të bindur që do të jenë shumë më të mirë se turnet që kanë zhvilluar deri më tani.
Fotografi nga turneu në Gjermani , foto: Jimmy Mustafa Band “Facebook”
Albumi i tyre i fundit “Romane Bajrakja” (Flamujt Rom) përmes njëmbëdhjetë këngëve paraqet probleme të ndryshme sociale dhe secila nga to bartë një mesazh në vete.
Njëra ndër temat e albumit të dytë janë martesat e hershme. Martesat e hershme nënkuptojnë martesën e dy personave nën moshën 18 vjeç. Në Kosovë, martesat e hershme në këtë kohë janë relativisht të rralla, por ende vazhdojnë të jenë prezentë në disa pjesë të popullit, me raste edhe të komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Ky fenomen ndodh tek vajzat dhe te djemtë. Arsyet pse ndodhin martesat e hershme janë të shumta. “Jimmy Mustafa Band” përmes këngëve trajton këtë fenomen.
Diskriminimi, jeta dhe historia e romëve janë po ashtu tematika të albumit të dytë. Por sigurisht për shumicën e artistëve tema e dashurisë vazhdon të jetë frymëzim për krijimtarinë muzikore. E padyshim në këngët e grupi “Jimmy Mustafa Band” nuk mungojnë as fenomenet pozitive, ndjenjat dhe tema e dashurisë.
“Jimmy Mustafa Band” synojnë që zëri i tyre të jetë zë i gjithë komunitetit rom, që përmes tingujve të muzikës që ata krijojnë të arrijnë të përcjellin mesazhe për ndërgjegjësimin e publikut për të drejtat e tyre.
“Ne duam barazi, duam që këngët tona të përdoren si avokat, duam të rrisim ndërgjegjësimin e të tjerëve për të na respektuar më shumë” shtuan ata.
(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)/ KultPlus.com
Ylli i njohur i muzikës, Mariah Carey, e ka shpenzuar një shumë të majme të hollash për realizimin e shout të saj special të transmetuar në “Apple TV+”, e i cili solli para kohe frymën e Krishtlindjes.
Me titull “Mariah Carey’s Magical Christmas Special”, shou përveç muzikës përfshiu edhe paraqitje speciale të yjeve të shumtë të showbizit, të tillë si: Ariana Grande, Jennifer Hudson, Tiffany Haddish, Snoop Dogg dhe të tjerë.
Një burim i afërt i këngëtares ndër të tjera ka treguar: “Mariah ka dashur që shou i saj në Apple TV të jetë i jashtëzakonshëm dhe pakonkurrencë. Dhe ka arritur të bëjë pikërisht këtë. Jo vetëm sa i përket shikueshmërisë dhe vlerësimeve nga publiku dhe kritikët, por edhe në buxhetin e shpenzuar rreth realizimit të tij që e kap shifrën prej 5 milionë dollarësh”.
Diva amerikane e muzikës duket se ka qenë e vendosur të mos kursehet në organizimin e kësaj ngjarjeje festive, dhe kështu ka vendosur ta investojë një shumë të madhe të hollash për t’u siguruar që shou të jetë sipas standardeve dhe dëshirës së saj. Dhe të gjithë e dinë se një investim i tillë është më se i vlefshëm, për një ikonë të muzikës sikurse Mariah Carey.
Në këtë speciale, të shoqëruar me muzikë dhe performanca vallëzimi e animacione, këngëtarja shfaqet tek i del në ndihmë “mikut të saj të veçantë” – Babadimrit – në përpjekjen e tij për ta rikthyer gëzimin e festave të fundvitit në mes të krizës së shkaktuar nga pandemia.
Paraqitje të rrallë dhe të veçantë në këtë shou kishin edhe binjakët e këngëtares, Moroccan dhe Monroe.
Ndërkohë, Carey se fundmi ka zbuluar se ka gjasa që së shpejti të realizohet një film për jetën e saj.
Ylli i hitit “All I Want For Christmas Is You” i ka ngacmuar fansat duke thënë se ekziston plani që libri i saj biografik, “The Meaning of Mariah Carey”, të shndërrohet në film. Këngëtarja e pranoi se gjithmonë ka dashur ta shndërroj librin në një projekt kinematografik. / KultPlus.com
Kolegji Universum fillon me “Coffee Lecture Series“. Qëllimi i këtyre ligjeratave është që studentet tanë jo vetëm të mësojnë lidhur me tema të ndryshme por edhe të kënaqen me shoqërine e njëri tjetrit në byfen e Kolegjit.
Gjate takimeve do te diskutohen zhvillimet e fundit ne fushen e teknologjise, inovacionit dhe marketingut.
Të ftuar në këto takime janë ekspert të fushave të ndryshme si z. Armend Berisha, Dizajner Grafik dhe Drejtor Kreativ në UNITED PIXELS, z. Dardan Hasku, CEO i Dardha Solutions, z. Drilon Januzaj nga Kompania Bosch, Z. Ermal Sadiku, CEO në LinkPlus dhe Z. Mendim Mustafa CEO & Solution Architect në Vision Agency.
Takimi me Z. Armend Berisha u mbajt me 8 Dhjetor në orën 12:00 në byfenë e Kolegjit Universum në Lipjan. Takimi me Z. Dardan Hasku dhe Prof. Valdrin Dervishaj u organizua sot në ora 11:00. Me Z. Drilon Januzaj do të mbahet me 11 Dhjetor në ora 17:00 ne Google Meets. Ndërsa takimi me Z. Ermal Sadiku & Mendim Mustafa do të mbahet neser me 09.12.2020 duke filluar nga ora 13:00 në byfenë e Kolegjit Universum në Lipjan.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pret që Serbia të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, Hoti përmes Facebook-ut ka kujtuar të zhdukurit nga lufta në Kosovë.
“Sot, si rrallëkush në historinë e vonshme të Evropës, vendi ynë vazhdon të ballafaqohet me plagën e madhe të të zhdukurve. Qindra familje tona ende presim me ankth ndonjë lajm për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët u tretën pa shenjë gjatë krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë, më 1998-’99. Bota e di çfarë ka ndodhur këtu; e di mirë kush ka qenë agresori, e kush viktima! Me gjithë pengesat e mëdha, dëshmitë e këtyre krimeve të kryera në zemër të Evropës, vazhdojnë të dalin në dritë! Prandaj, pohojmë fuqishëm se provat e çmendisë serbe në Kosovë nuk mund të zhbëhen, sepse ato janë parë dhe janë evidentuar nga mbarë komuniteti ndërkombëtar”, shkroi Hoti.
Këtu Hoti ka shtuar se kërkimfalja, është kusht elementar human për të ecur drejt pajtimit mes dy shteteve.
“Duke e mbajtur përherë në kujtesë, tragjedinë që ka përjetuar, Republika e Kosovës është e përkushtuar për të ardhmen paqësore të rajonit dhe integrimin në familjen e kombeve të lira demokratike euro perëndimore. Por, po ashtu, ne presim nga fqinji ynë verior, Serbia, të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer, të kërkojë falje për djegien e kufomave të civilëve shqiptarë, për varrosjen dhe zhvarrosjen e disahershme të tyre. Përveçse një akt moral, kërkim falja është edhe kusht elementar human për të ecur përpara kah pajtimi dhe mirëkuptimi në mes dy shteteve tona”, përfundoi Hoti./ Koha.net / KultPlus.com
“Dosja B”, paraqet një “vazhdim ironik” të romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në kuptimin se murtaja e mesjetës, në kohën tonë është zëvendësuar me murtajën ideologjike dhe atë të krimit të organizuar nga brenda, një lloj virusi që kërcënon gjithanshëm, që njeriu i lirë të kthehet në një monstrum të rendit të ri, pa kujtesë, pa identitet kulturor dhe historik, pra në një qenie të ngjashme me atë të realitetit të “Fermes së kafshëve”…
Historia na mëson se mallkimi dhe dënimi i gjenë përherë ata që vullnetin për fuqi e kthejnë në fuqi për pushtet tiranik. Ndërsa letërsia na mëson se vullneti për fuqi, në luftë kundër së keqës, është në gjendje që të mund edhe murtajën qoftë edhe si metaforë… / KultPlus.com
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, në seancën e veçantë për nderim të viktimave të krimit të gjenocidit, tha se duhet edhe njëherë të ngritët zëri për krimin gjenocidal të kryer nga regjimi serb i Millosheviqit.
Duke iu drejtuar edhe familjarëve të viktimave të këtij krimi serb, Osmani ka përmendur edhe shifrat e të zhdukurve.
“Jemi mbledhur, pra, për ta ridëshmuar plagën tonë të pambyllur, për vrasjen e mbi 13.000 njerëzve tanë, shumica prej të cilëve civilë, gra, pleq e fëmijë, mbi 1.600 nga të cilët ende mbajnë statusin e “personave të pagjetur”. Por, ata nuk janë thjesht të pagjetur. Ata janë “të pagjetur të fshehur” nga pushteti pasardhës i regjimit që kreu gjenocid mbi ta”, u shpreh Osmani.
Osmani tutje ka shtuar se dhuna mbi viktimat e gjenocidit serb, është sistematike, nga vrasja e tyre në fshehjen e tyre e në thirrjen e regjimit të sotëm serb për mosdhënie të informative për ta.
“Serbia duhet ta pranojë peshën historike të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Ajo duhet të detyrohet që të japë informata për dhunën sistematike ndaj viktimave. Ajo duhet t’u përgjigjet thirrjeve për ofrim të informatave mbi krimet e kryera mbi viktimat dje dhe mbi ta e mbi familjet sot”, u shpreh Osmani.
U.d e presidentes, tha gjithashtu se krimi i kryer nga Serbia nuk mund të fshihet.
“Fshehja e krimit është krim i ri, po aq i tmerrshëm sa ai i pari, për t’i dëshmuar vetes e botës se rrëfimi mbi gjenocidin është i domosdoshëm, sepse ai dëshmon të kaluarën tonë. Ikja nga të rrëfyerit për përjetimin është mohim i ekzistimit të tij”, tha tutje ajo.
Osmani ka shtuar gjithashtu se Kosova do dialog, por vetëm me njohje reciproke.
“Ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Mbi të gjitha, duke kërkuar me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik. A është Serbia e gatshme? Jo”, u shpreh Osmani në këtë seancë të veçantë./ Koha.net/ KultPlus.com
Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, ka marrë fjalën në seancën e Kuvendit, e cila po mbahet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit.
Nysrete Kumnova ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të votohet Ligji për të Pagjeturit, në mënyrë që ta ndiejnë dorën e shtetit të pavarur.
Në fjalën e saj drejtuar deputetëve, Kumnova tha se familjet e të pagjeturve jetojnë që dy dekada në ankth, pritje, ethe, pikëllim e shpresë.
“U bënë 21 vjet duke kërkuar drejtësi dhe më në fund arrita të dal para jush që të ju bëj thirrje të veproni sa më parë… Ndaloni turrin e Serbisë që të mos ndihet e fituar me historinë e saj vrastare, ndër shekuj, e në luftën e vitit 1999, me mbi 13 mijë viktima”, tha Kumnova para deputetëve, transmeton Gazeta Express.
Tutje ajo tha se familjet e të pagjeturve nuk patën përkrahje nga institucionet vendore e ndërkombëtare.
Mes lotësh, ajo iu drejtua deputetëve që po presin fjalët dhe veprat e tyre për të denoncuar krimet serbe.
“Posti i deputetit është detyrë fisnike e jo profitabile”, tha ajo.
“A e dini sa prindër të pikëlluar kanë vdekur në pritje për një lajm për më të dashurit të tyre, sa nëna i kanë rritur fëmijët në varfëri”, vijon fjalimi i Kumnovës.
“Arban Abrashi na ka vënë në pozitë të vështirë, duke na lënë të zgjedhim mes pensionit të pleqërisë dhe ndihmës së shtetit”, shtoi ajo, teksa përmendi me emra edhe politikanët e tjerë të cilët nuk kanë bërë mjaftueshëm për familjet e personave të pagjetur.
Ajo e përmendi edhe zv.kryeministrin Driton Selmanaj, shkarkimin e të cilit e ka kërkuar pothuajse çdo ditë para Kuvendit, pas deklaratës së tij për të pagjeturit.
“Driton Selmanaj kohë më parë e injoroi temën e të pagjeturve, duke e cilësuar si të konsumuar”, tha ajo ndër të tjera. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Revista amerikane, Forbes, ka bërë të ditur emrat e grave më të fuqishme në botë për vitin 2020, teksa ka theksuar se ndikimi ekonomik dhe shoqëror i pandemisë së koronavirusit ka prekur në mënyrë joproporcionale gratë.
Në krye të listës këtë vit është kancelarja gjermane, Angela Merkel, e pasuar nga presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.
Përveç tyre, në pesë pozitat e para renditen edhe nën-presidentja e zgjedhur amerikane, Kamala Harris, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe filantropja amerikane, Melinda Gates.
“Lideret e listës së 100 grave më të pushtetshme në botë e revistës Forbes, luajnë rol tejet të rëndësishëm në të përcaktuarit e asaj se si do të duket bota pas pandemisë. Fuqia e tyre kalon përtej fushave ekonomike dhe politike, për të transformuar industrinë dhe për të zgjidhur çështjet më urgjente shoqërore. Fuqia e tyre për të na çuar përpara, nuk ka qenë kurrë më e nevojshme”, është thënë në deklaratën e revistës që ka renditur emrat.
Nga pozita e pestë dhe në dhjetë, Forbes ka përmendur këta emra, Mary Barra, Nancy Pelosi Ana Patricia Bioton, Abigail Johnson dhe Gail Bourdreaux. / KultPlus.com