Teksa dje u dha premiera e veprës “Sisters”, e pranishme për të shijuar magjinë që krijuan balerinët e Baletit Kombëtar ishte edhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Osmani ka çmuar lartë këtë shfaqje e cila ishte dedikim për “babain” e Baletit në Kosovë, Ahmet Brahimaj. Ajo e vlerësuar premierën e shfaqjes “Sisters” si një thirrje për vëmendje ndaj artistëve të vendit të cilët veprojnë në sfera të ndryshme kulturore.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e u.d. Presidentes, Vjosa Osmani:
Janë padyshim disa nga ditët më të vështira këto me të cilat po ballafaqohemi, për shkak të pandemisë. Por rikthimi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës për të parë premieren e baletit ‘Sisters’ ishte shpresëdhënës, frymëzues, por njëkohësisht, një thirrje për vëmendje. Thirrje për vëmendje të shtuar ndaj artistëve tanë, qofshin baletanë, kineastë, kompozitorë, piktorë, skulptorë, regjisorë, të gjithë ata që me mjeshtrinë e talentin e tyre e ngjyrosin jetën, momentet e veçanta, skenën ku ata përformojnë me ngjyra, lëvizje e tinguj shpesh përtej imagjinatës tonë.
E di që fjalët nuk mjaftojnë për të adresuar sfidat e tyre, që për fat të keq janë të shumta, por sonte jam plot fjalë mirënjohjeje ndaj tyre. Sidomos ndaj Baletit Kombëtar të Kosovës, një grup fantastik i vajzave dhe djemve të talentuar, e mbi të gjitha shumë punëtorë, të përkushtuar dhe këmbëngulës, që përkundër sfidave për shkak të kushteve të vështira të punës si dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia, sollën në skenë një performancë për çdo lëvdatë. Ju lumtë!
Kjo shfaqje e baletit e dedikuar mjeshtrit të ndjerë, z. Ahmet Brahimaj, është mirënjohje për punën e pashoq të tij për të mbajtur gjallë dhe për të kultivuar baletin në Kosovë. Le të na shërbej në të tjerve si thirrje për këndjellje dhe për vlerësim për punën, kontributin, dhe veprën e gjithë artistëve tanë! / KultPlus.com
Ky është një tregim tjetër i shkruar nga një grua shqiptare. Rina është një shkrimtare nga Kosova që aktualisht po punon në autobiografinë e saj
Shkruan: Mirja Lasko
Këtë tekst do të doja t’ia kushtoja të gjitha grave dhe vajzave që janë ose kanë qenë viktima në një lidhje ose martesë – Rina Tahiraj
Kur isha në një situatë që ndoshta shumë prej jush janë tani, unë zgjodha të mbaj gjithçka për vete. Unë isha diskrete dhe pikturova një “fotografi të lumtur” të lidhjes në të cilën isha.
Me dëshirën time për të mos i treguar askujt, unë madje u kërkova prindërve të mi të mbanin sekretin tim në lidhje me “ngjarjen e çarçafit” (kontrollimi për gjak në çarçafë). As vëllezërit e motrat e mi ose dikush tjetër në familjen tonë të gjerë nuk kishin ide se për çfarë kisha qenë viktimë.
Ende sot prindërit dhe vëllezërit e motrat e mi nuk dinë as 30% të asaj që kam kaluar në të vërtetë. Gjatë asaj kohe, më vinte turp. Mendova se të gjithë do të qeshnin me mua. Mendova se njerëzit nuk do të më besonin.
Ai më manipuloi për të besuar se ishte ai që kishte gjithmonë të drejtë duke më qortuar me traditat e vjetra. Kjo rezultoi që unë të kisha frikë se askush nuk do të merrte anën time nëse u tregoja njerëzve të vërtetën.
Nuk doja që njerëzit të dinin se kisha përjetuar diçka që as vetë nuk e kisha dëgjuar kurrë. Duke parë njerëzit e tjerë që ishin të lumtur në lidhjet e tyre, nuk doja që të tjerët të dinin se isha e pakënaqur.
Nata e martesës ishte fillimi i makthit tim më të keq. Ishte fillimi i diçkaje që do të bëhej burgu im i errët. Më dukej sikur muret po mbylleshin dhe mushkëritë e mia po ulërinin për ajër.
U desh më pak se një minutë që ai të përmbushte atë që pashë si një provë për të zbuluar të vërtetën rreth virgjërisë sime. Fytyra e tij ishte e paharrueshme, e mbaj mend si dje. Si më shikonte sikur të isha e padobishme.
U përpoqa me dëshpërim shumë herë t’i shpjegoja atij se ai e kishte gabim që unë nuk isha e virgjër. Por ai nuk pranoi të dëgjonte dhe vazhdonte të më quante fjalë mizore, duke më quajtur prostitutë.
Kur ai doli me zemërim nga dhoma e gjumit, unë nuk mund të mendoja për asgjë tjetër përveç se si ai mund ta ma bënte mua këtë. Nuk kuptova asgjë, kur u akuzova se i solla turp pjesës së tij të familjes.
Unë u akuzova se nuk kam përmbushur atë që një grua e nderuar duhet të bëjë gjatë natës së dasmës. Nuk e kam idenë se kur më zuri gjumi, por jam e sigurt se nuk bëra më shumë se disa orë gjumë para se vjehrra ime të më zgjonte në 5.30 të nesërmen në mëngjes.
Unë vura re drejtpërdrejt përmes shprehjes së saj të fytyrës që ai tashmë i kishte treguar familjes së tij për natën e martesës. Ajo më shikoi me urrejtje në sytë e saj.
Por mënyra se si ndjehesha ishte krejtësisht jointeresante për secilin prej tyre. Gjatë gjithë ditës u ndjeva plotësisht e zbrazët nga jeta. Thjesht doja të zhdukesha nga atje.
Kjo ishte e njëjta ditë kur gratë nga familja e burrit tim u ftuan të më shihnin duke shfaqur kostume kombëtare dhe fustane të gjata të veshur me take të larta.
Të shtiresha me një buzëqeshje ishte gjëja më e mirë që mund të bëja për të fshehur dhimbjen para më shumë se 20 grave të ulura aty duke diskutuar martesën ndërsa unë u shërbeja atyre kafe.
E mbaj mend se sa e frikësuar isha, ndërsa vishja takat e larta të parehatshme, se do të rrëzohesha dhe do të bie tabaku me 10 filxhanë kafe.
Unë gjithashtu e kujtoj atë ditë si jashtëzakonisht të dhimbshme në zemrën time dhe se si dukej se dita nuk do të mbaronte kurrë. U habita se si askush në familjen e burrit tim nuk tregoi ndonjë ndjenjë apo dhembshuri për mua. Unë do t’u bindesha urdhrave si një e sapoardhur në familje.
Pas shumë ditësh konflikti midis familjes sime dhe tij, unë zgjodha ta fal atë për akuzat e tij të rreme dhe të vazhdoja. Dashuria që ndjeva për të ishte arsye e mjaftueshme për ta falur, edhe nëse në të vërtetë ishte e pafalshme.
Doli se ishte gabimi më i madh i jetës sime, sepse ai kurrë nuk kërkoi falje ose pranoi se ishte ai që bëri gabim. Ai vetëm më tregoi se ishte i gatshëm të vazhdonte lidhjen me mua.
Ajo që unë nuk e dija në atë kohë ishte se ai kurrë nuk do të hiqte dorë nga akuzat e tij të paarsyeshme dhe as nga mentaliteti i tij që i dha idenë se ai mund të vërtetonte virgjërinë e një gruaje duke parë nëse ajo rrjedh gjak apo jo.
Që nga dita kur unë hodha këmbën në shtëpinë e tyre më dukej sikur isha e mallkuar. Asnjë ditë nuk arrita të gjej paqe.
Kështu që, kur lexoj postime si ato që Mirja Lakso po poston, unë qaj çdo herë. Sepse unë mund ta ndiej secilin dhe çdo emocion sikur të ishte i imi.
Unë gjithmonë kam qenë e ndjeshme dhe e keqe në fshehjen e emocioneve të mia, por jeta më ka bërë edhe më të ndjeshme pasi ndonjëherë më kujtohen ndjenjat e vjetra që do të qëndrojnë brenda meje përgjithmonë.
Pra, në vend që të shkoni kundër Mirjas, e cila po përdor kohën e saj të çmuar për të krijuar ndryshime, lavdërojeni atë që përpiqet të bëjë diçka që mund të parandalojë që vajzat ose vajzat tuaja të ardhshme të përfundojnë në një lidhje si e imja.
Unë jam ulur këtu duke menduar se çfarë lloj mjetesh përdorin këto gra për të matur të vërtetën në ato që shkruan Mirja.
Po mendoj se si gratë mund ta gjejnë në vetvete që të akuzojnë përvojat e një gruaje tjetër si të rreme.
Fatkeqësisht nuk mund të arrij në një përfundim tjetër ose ta interpretoj ndryshe, sesa që disa prej nesh jemi shumë krenarë që jemi shqiptarë, për të pranuar se mentaliteti i lashtë ekziston akoma dhe përdoret edhe sot tek gratë.
Kosova nuk është një parajsë, dhe derrat ekzistojnë edhe në Kosovë, pa marrë parasysh nëse dikush zgjedh ta pranojë atë apo jo.
Për ju gratë që po përpiqeni të tërheqni prizën për ato që përpiqen të vendosin përvojat e grave në qendër të vëmendjes që bota të shohë; para se të pështyni predikimin tuaj për diçka që nuk e keni provuar kurrë vetë, thjesht jini shumë të lumtura që nuk ju është dashur kurrë ta kaloni atë ferr.
Ndërsa jeni duke bërë deklarata se si gjëra të tilla nuk ndodhin më, ki parasysh se diku një grua është ulur në një cep, krejtësisht e pashpresë, duke kërkuar një rrugëdalje nga ajo që ju po pretendoni se është e pavërtetë.
Mendoni se si mund të jenë këto gra që përpiqen të gjejnë shpresë diku, të cilat po lexojnë komentet tuaja, të cilat bëhen arsyeja që ato varrosen në vetmi në vend që të kërkojnë ndihmë.
Nuk mendoj se e kuptoni që jeni JU që krijoni frikën tek këto gra për të dalë me historitë e tyre. Jeni JU që vritni shpresën e këtyre grave.
Njerëzit janë shumë të frikësuar nga mendimet dhe trajtimi i njerëzve të tjerë. Por për një grua, e cila është tashmë e prekshme, e ndjeshme dhe e dobët, vetëvlerësimi dhe besimi i saj do të përkeqësohen kur lexon kritika nga gratë e tjera që po vënë në dyshim të vërtetën e situatës në të cilën ndodhet.
Unë thjesht mund të them se jeni JU që i vendosni këto gra në mendime të pashpresa, se një ditë mund të çojë në diçka të tmerrshme.
Ju gra që mendoni se vetmia dhe pashpresa janë duke marrë jetën tuaj – Ju KURRË nuk jeni vetëm. Shpresa do të jetë GJITHMONË. GJTHMONË ekziston një rrugëdalje.
Luftoni derisa të gjeni shkrepsën me të cilën ndizni qirië. Shtegu dhe pengesat në rrugë mund ta zgjasin udhëtimin, por mos harroni se të gjitha sfidat janë atje për t’ju forcuar para se të arrini në vijën e përfundimit. Mos u dorëzoni kurrë.
Nëse ka një gjë që ia keni borxh vetes, është që të mos dorëzoheni kurrë.
E di që mendoni; pse po me ndodh kjo? Çfarë kam bërë për të merituar këtë dhimbje dhe fatkeqësi?
Nuk ka të bëjë me atë se si e meritojmë që gjërat e këqija të na ndodhin. Kur ata e bëjnë nuk do të thotë që ne kemi bërë diçka për ta merituar atë.
Unë ende mendoja në atë mënyrë edhe shumë kohë pasi arrita të largohesha nga lidhja ime. Vetëm pasi kuptova përparimin tim, ndryshova pikëpamjen time për situatën dhe jetën time.
E kuptova që nuk isha futur në atë lidhje që të dënohesha për diçka.
Dita kur e gjeta veten përsëri; ishte si kur merr syzet e para. Ju mendoni se keni pasur shikim të shkëlqyeshëm më parë, derisa të vendosni syzet tuaja të reja dhe papritmas të shihni çdo detaj që nuk keni parë më parë.
Një zë ngushëllues i dhembshurisë është pikërisht ajo që ju nevojitet. Komoditeti që vjen me ndarjen e historisë suaj me të tjerët është ajo që do t’ju japë fuqinë të riktheheni në këmbë.
Njerëzit nënvlerësojnë kuptimin e një përqafimi të vetëm për një grua që vrapon bosh; njerëzit nuk e kuptojnë se çfarë mund të thotë gjesti më i vogël.
Në vend që të lejojnë që mësimi i dhembshurisë të krijojë shkëndijë për një grua të ndryshojë tërë situatën e saj, disa njerëz zgjedhin të pështyjnë deklarata pa ndonjë përvojë fare, gjë që e bën vetëm më të vështirë situatën për gratë e prekura.
Turp të keni!
Për një grua të bllokuar në këtë lloj situate, nëse vetëm një grua në një mijë bën një koment injorant, kjo mund të rezultojë në humbjen e vullnetit të saj për të jetuar.
Prandaj, mendoni dy herë para se të bëni deklarata për këto lloj përvojash të ndjeshme dhe personale. Mund të keni qenë ju ose vajza juaj.
Unë dua ta përfundoj tekstin tim duke thënë se unë jam gjithmonë e hapur dhe e gatshme të marr kohë për secilin prej jush që dëshiron të ndajë diçka që mban, sepse unë e di saktësisht se sa e rëndë është për zemrën t’i mbash gjërat afër kur dikush dëshiron vërtet të bërtasë me të madhe që bota ta dëgjojë. /insajderi/ KultPlus.com
Vepra e njohur e Fatos Kongolit, “I humburi” tanimë është më afër lexuesit japonez, shkruan KultPlus.
Kjo si pasojë e përkthimit të kësaj vepre nga profesori i Universitetit të Hiroshimës, dr.Iura Ichiro.
“I humburi” tanimë është botuar nga shtëpia botuese “Shoraisha” në Kioto.
Romani ‘I humburi’ është një pasqyrë e qartë dhe tronditëse e shoqërisë autoritare, tiranike, e deri edhe jo-njerëzore në Shqipërinë komuniste. Më shumë se një tregim për një shoqëri të caktuar, ky rrëfim ilustron se si funksionon një shoqëri e cila ekzistencën e saj e bazon në frikë dhe bindje, një analizë e tillë vlen për të gjitha kohërat e për të gjitha shoqëritë. Pushteti dhe mekanizmat e tij janë të pranishëm në një formë apo tjetrën, herë më të drejtpërdrejtë, e herë i fshehur nëpërmjet mekanizmave mbrojtës.
Kongoli është i dyti shkrimtar shqiptar, pas Ismail Kadaresë, që botohet në japonisht, nga e njëjta shtëpi botuese dhe nga i njëjti përkthyes. / KultPlus.com
Bebe Rexha është njëra ndër këngëtaret e famshme shqiptare, e cila përveç që na bën krenarë, tenton ta promovoj edhe kulturën tonë, shkruan KultPlus.
Kështu së fundmi ajo nëpërmjet publikimit të disa videove në InstaStory fillimisht ka shpërndarë një këngë shqipe, duke thënë se tanimë kjo është e preferuara e saj. Tutje ajo ka vazhduar duke theksuar steriotipet të cilat krijohen për dukje në Amerikë, teksa ka shfrytëzuar rastin të flas edhe për prejardhjen e saj.
Ajo është shpreur se do të vazhdoj ta promovoj kulturën shqiptare.
“Do të ndaj me ju më shumë nga kultura ime njerëz, sepse më ka ndryshuar mua. Kultura shqiptare më ka inspiruar mua si artiste dhe jam krenare për këtë. Kështu që kjo është e gjitha që dua të them”, janë fjalët e këngëtares.
Javë më parë doli nga shtypi libri i ri i autorit Shkumbin Munishi me titull “Projeksion i zhvillimeve sociolinguistike: rasti i bilinguizmit shqip – serbisht në Kosovë”.
Në këtë libër trajtohen çështje të natyrës sociolinguistike në fushën e kontakteve të gjuhëve.
Ky libër, i pesti me radhë nga ky autor, pasqyron kryekëput disa hulumtime sociolinguistike të kryera nga Munishi përgjatë një dekade, të cilat kanë në fokus çështjen dhe gjendjen aktuale të dygjuhësisë shqip – serbisht në Kosovë që dikur ishte mjaft e pranishme, sidomos te shqiptarët e Kosovës.
Tema qendrore e këtij libri lidhet, siç ka vënë në pah autori, me procesin aktual të shuarjes së dygjuhësisë shqip – serbisht te shqiptarët e Kosovës, sidomos te brezat e rinj, proces ky i cili dëshmohen edhe nëpërmjet studimeve sasiore që ka kryer autori në tri hulumtime të vazhdueshme me folës të shqipes dhe ata të serbishtes në Kosovë.
Në bazë të hulumtimeve të kryera, autori i librit vjen në përfundim se shuarja e bilinguizmit te shqiptarët e Kosovës është duke u zhvilluar pandalshëm dhe nëse vazhdon me një ritëm të tillë, në pak dekada në Kosovë folësit e shqipes që flasin edhe serbishten do të jenë krejtësisht të paktë dhe njohja e gjuhëve do të jetë një dukuri individuale.
Të dhënat e shumta që sjell Munishi në këtë libër janë dëshmi e aktuale kohës që e shënojnë këtë dukuri aktuale në vetë procesin e ndodhjes së saj. Autori po ashtu konstaton se këtë proces të shuarjes së dygjuhësisë janë duke e shoqëruar edhe dukuri të tjera sociolinguistike, siç janë shuarja e domeneve të kontaktit dhe reduktimi i dendurisë së komunikimit midis folësve të shqipes dhe të serbishtes në Kosovë, dukuri këto të cilat janë të shtjelluara nëpërmjet trajtimit të faktorëve të ndryshëm jashtëgjuhësore të cilat ushtrojnë ndikim në to.
Tema tjetër që është trajtuar në këtë libër lidhet me shqyrtimin e politikave gjuhësore që janë ndjekur dhe çështjen e statusit të gjuhëve në Kosovë. Përveç diskutimit historik të raporteve midis gjuhëve që fliten në Kosovë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, hulumtimi i autorit hedh dritë mbi zhvillimet e politikës gjuhësore dhe përcaktimin e statusit të gjuhëve shqipe dhe serbe pas vitit 1999. Në këtë kuadër, konstatohet se politikat gjuhësore të ndjekura në Kosovë lidhur me çështjen e statusit të gjuhëve kanë pasur për qëllim të mundësojnë barazinë gjuhësore midis shqipes dhe serbishtes në tërë territorin e Kosovës, por edhe garantimin e të drejtave gjuhësore për pakicat e tjera që jetojnë nëpër komunat e ndryshme të Kosovës. Për më tepër, autori ka diskutuar edhe shkaqet që ndikojnë në zbatimin praktik të dispozitave që lidhen me statusin e gjuhëve zyrtare, të cilat sipas autorit lidhen me faktorë të ndryshëm materialë dhe teknikë.
Përndryshe, dukuritë e diskutuara në këto hulumtime të Shkumbin Munishit janë trajtuar si rezultat i kontakteve të gjuhëve, por edhe si zhvillime të natyrës së konfliktit gjuhësor. Për këtë arsye. në tërësinë e librit janë shtjelluar dhe përshkruar faktorët e shumtë sociopolitikë e kulturorë, si dhe ata demografikë që kanë ndikuar në këto procese sociolinguistike, të cilat janë shqyrtuar në këtë libër.
Ndonëse libri është në tërësi i natyrës shkencore, për temën që trajton dhe për mënyrën se si është shkruar, bëhet i lexueshëm për të gjithë adhuruesit e librit. Në këtë kuptim, ky libër paraqet një prurje të rëndësishme studimore për hulumtimet gjuhësore e sociolinguistike në fushën e shqipes. / KultPlus.com
Regjisori i njohur Altin Basha është emëruar drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur ministjra për Kulturë e Shqipërisë, Elva Margariti.
“Jam e bindur se z. Basha do të verë në jetë platformën fituese, me të cilën u paraqit në thirrjen e hapur për pozicionin e drejtuesit të TKEKS”, ka shkruar Margariti.
Tutje ajo ka çmuar lartë përvojën e Bashës, duke besuar se do të ndikoj pozitivisht në këtë institucion kulturor.
“Eksperienca e tij e gjatë dhe e sukseshme do të shërbejë si një motor zhvillimi për këtë institucion të rëndësishëm”, ka shtuar Margariti
Ministrja në fund ka falenderuar publikisht tanimë ish-drejtorin e këtij Teatri, Kiço Londo për kontributin e dhënë. / KultPlus.com
Këngëtarja e famshme shqiptare, Dua Lipa beson se gratë e kanë më të vështirë ngritjen në karrierë për shkak se marrin më shumë kritika sesa kolegët meshkuj, shkruan KultPlus.
Në intervistën e saj dhënë CBS Sunday Morning ajo është shprehur se e ndjen nevojën që ta mbaj veten në standarde më të larta sesa kolegët e saj meshkuj, meqë industria e muzikës di t’i sheh gratë si “të fabrikuara”.
Lipa tutje u shpreh se si artiste femër, e veçmas përbrenda zhanrit pop, njerëzit mendojnë se je e fabrikuar.
“Askush nuk beson se ti i shkruan këngët vetë”, u shpreh Lipa.
Yli botëror poashtu tha se gratë janë ‘pre’ e kritikave më shumë se artistët meshkuj.
“Atakohemi me shumë më shumë kritika në aspektin e asaj çfarë veshim, çfarë bëjmë, si duket performanca, si vallëzojmë, si këndojmë, nëse këndojmë”.
Ndërkaq ajo kishte pasur mendimet të njëjta edhe në një intervistë tjetër, teksa kishte thënë se duhet punë më e madhe që të tjerët të të marrin më seriozisht. / KultPlus.com
Personat që kanë kursime deri në 9.999 mijë euro në Trust dhe i tërheqin, ato do të kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023.
Kjo pasi sot në seancën e Kuvendit u miratua Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
Votimi i këtij Ligji parasheh 4 amendamente të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.
Amemdamenti i parë është që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023.
Amendamenti i dytë, lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH.
Amendamenti i tretë thotë se të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështetën financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.
Amendamenti i katërt thotë se do të paguhen nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020 të cilët si pasojë e pandemisë Covid-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Këngëtari i njohur, Eugent Bushpepa sonte do të peformoj drejtëpërdrejtë, shkruan KultPlus.
Artdashësit e tij do ta kenë rastin ta dëgjojnë duke filluar nga ora 21:00 në kuadër të edicionit të 10-të të Green Festival.
Performanca e tij do të përcjellet drejtpërdrejtë në faqen zyrtrare të Festivalit, teksa ai do të sjell emocione te publiku me zërin e tij të fuqishëm.
“Me një paraqitje të jashtëzakonshme, Eugent Bushpepa, do t`i sjellë tek ne emocionet e të gjitha mbrëmjeve që këtë vit nuk arritëm t`i shijojmë”, ka njoftuar faqja e Green Festivalit.
Në pamundësi të performimit në qytetin e Mitrovicës, aty ku edhe ky organizim ka shtrirë aktivitetet e saj, performanca online do të jetë një moment i mirë për t’u lidhur me muzikën dhe për ta shijuar atë në pragë të Vitit të Ri.
Eugent Bushpepa ka përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision Song Contest”, në vitin 2018, në Lisbonë, me këngën “Mall”. / KultPlus.com
Nisi rrugëtimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me programin “Work and travel” (Puno dhe udhëto) në “Discover America” (Zbulo Amerikën), por synimet e Vlora Buzukut nuk përfunduan aty, ajo duke iu referuar edhe suksesit si studente në Kosovë, në drejtimin e psikologjisë, të njëjtën dëshirë që të perfeksionohej edhe më në SHBA, ajo arriti të regjistrohej në Universitetin “Walsh University” që ndodhet në Ohajo të Amerikës, me destinacionin për të marrë titullin “Bachelor of Science in Nursing”.
Vlora Buzuku ka njoftuar për KultPlus se për shkak të rezultateve të larta gjatë selektimit të studentëve për pranim, drejtuesit e Universitetit Amerikan ia ofruan një bursë prej 10 mijë dollarësh për çdo vit deri në përfundim të fakultetit.
Universiteti i Walsh-it është ndër universitetet më të mira në Ohajo të SHBA-së dhe shumica e studentëve që kanë përfunduar studimet në të, janë punësuar në “Clevend Clinic”, me nam amerikan e botëror. E veçanta e lidhjes së këtij rrëfimi të suksesit të Buzukut është edhe një ngjarje e rëndësishme që kishte ndodhur në këtë universitet: Nëna Terezë e kishte vizituar kampusin e Walsh-it në vitin 1982. Vizita të njohura dhe dekorata nderi përveç Shën Terezës shqiptare nga ky universitet, ishte edhe ajo e Willy Brandt-it.
Vlora pas përfundimit të studimeve themelore universitare, synon të vazhdojë në atë master, për t’u punësuar në “Cleveland Clinic”. Klinika Cleveland renditet vazhdimisht si një nga spitalet më të mira në Shtetet e Bashkuara, ku para dy vjetësh, u rangua edhe ndër spitalet më të ranguara për cilësi në SHBA.
Por së fundi ajo i vuri vetës edhe një mision, që flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë ta vendosë përkrahë shumë flamujve që janë brenda këtij kampusi. Andaj, ajo këtë kërkesë ia ka bërë presidentit të këtij Universiteti, kërkesë kjo që është aprovuar, ku tashmë flamujt e Kosovës dhe të Shqipërisë janë vendosur brenda këtij kampusi./ KultPlus.com
Janë duke vazhduar gërmimet në Kizhevak të Serbisë për mbetjet mortore të disa personave që dyshohet të jenë të të personave që janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka konfirmuar për Express se deri më tani kanë zbuluar pesë varreza.
“Po deri më tani janë zbuluar pesë varreza. Jemi duke gjetur mbetje mortore dhe do të punojmë deri sa të na lejojnë kushtet atmosferike”, ka thënë Gërxhaliu .
Në ndërkohë siç pati njoftuar EULEX thuhet që mbetjet mortore janë zbuluar në një gurore të madhe në Serbi, nga ekspertët e EULEX-it, të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur. Gjithashtu, EULEX-i sqaron se ekspertët e saj kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 dhe në vitin 2020, siç thuhet në komunikatë, ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.
Siç sqaron misioni i EULEX-it, pas kërkesës për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi këto imazhe fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019. Në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, ekspertët e EULEX-it i kanë analizuar fotografitë dhe në bazë të analizave, në muajin shkurt është përcaktuar vendndodhja e saktë e lokacionit.
Më pas, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisioni Qeveritar i Serbisë për Personat e Zhdukur, kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.
“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të pagjetur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.
Në ndërkohë Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, të premten, ka vizituar varrezën masive në Kizhevak, në afërsi të Rashkës.
Në këtë lokacion janë gjetur mbetjet mortore të 17 personave, cilët dyshohen se janë shqiptarë.
Delegacionin po e kryeson koordinatori Ibrahim Makolli, ndërsa me kryetarin e delegacionit të Serbisë, Veljko Odaloviq, kanë mbajtur edhe një konferencë për media.
Në Kosovë, edhe 21 vjet pas përfundimit të luftës, nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave./Gazeta Express/ KultPlus.com
Rreth 100 vjet më parë, fotografi i njohur gjerman, Kurt Hielscher botoi një katalog me fotografi të Jugosllavisë.
Casper Molenaar, një fotograf bashkëkohor holandez e bleu librin me foto gjatë studimeve të tij, nga ku vendosi t’i kërkonte vendet në fjalë dhe t’i rikrijonte fotografitë. Po kështu Hielscher pati edhe libra të tjerë me fotografi nga Spanja, Italia dhe Gjermania, çka e shtyu të udhëtonte në Evropë e të vinte në dukje ndryshimin që sjellin 10 dekada./ tch / KultPlus.com
Një pistoletë e përdorur nga Sean Connery në filmin e parë të James Bond u shit në ankand për 256 000 dollarë.
Pistoleta Walther PP u shfaq në filmin 1962 “Dr. No” dhe u përdor nga Connery në filmin e tij të parë ku ai luajti rolin e një agjenti sekret, 007.
Ankandet e kompanisë ”Julien” në Beverly Hills kishin vlerësuar se do të shitej për 150 000 deri në 200 000 dollarë.
Blerësi vendosi të mbetet anonim, por shtëpia e ankandit tha se ”ai ishte një amerikan që ka parë të gjithë filmat e Bondit”.
Connery vdiq në tetor në moshën 90-vjeçare në Bahamas.
Ai ishte aktori i preferuar Bond i shumë fansave. Ai luajti spiunin britanik shtatë herë midis 1962 dhe 1983.
Më shumë se 500 sende relike të Hollivudit u shitën në ankandin “Icons & Idols”, i cili përfshinte kostume dhe sende nga yje të tillë si John Wayne, Marilyn Monroe, John Travolta, Greta Garbo dhe Elizabeth Taylor./ /os/ KultPlus.com
Pesë orë e ka bartur mbi shpinë dritaren e shtëpisë së fshatit kur arriti në qytet e vendosi në shtëpinë e re i gëzuar hyri në dhomë dhe po shikonte nëpër dritare nuk e kuptonte pse nuk e shihte peizazhin e fshatit ishte e njëjta dritare nëpër të cilën kishte shikuar tërë jetën Pas nëntë muajve vdiq nga trishtimi. / KultPlus.com
Më në fund Kosova është bërë me Ligj të rimëkëmbjes ekonomike e që po konsiderohet edhe diskriminues. Të premten, 72 deputetë votuan pro në shqyrtimin e dytë të ligjit që ishte iniciuar para gjashtë muajsh. Pos votave të partive në pushtet, pro këtij ligji votuan deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Për votim në lexim të parë, ky ligj u votua vetëm në tentimin e shtatë. Atëkohë, votat i kishin dhënë edhe disa deputetë të LDK-së, që kishin thënë se nuk do ta votojnë në lexim të dytë nëse nuk plotësohet.
Dhe pa ta, Qeveria nuk i kishte votat deri tash kur mori përkrahjen e PDK-së, duke pranuar edhe kushtet e saj. E një prej kushteve të PDK-së që u fut si amendament në ligj, është edhe ajo që personat që tërheqin 10-përqindëshin e kursimeve nga Trusti e që kanë të kursyera më pak se 10 mijë euro gjithsej, të rimbursohen nga Qeveria në një fazë të mëvonshme.
Ata që kanë më shumë se 10 mijë nuk do të rimbursohen, madje do të kontribuojnë edhe që të rimbursohet grupi tjetër, meqë paratë do të dalin nga buxheti, ku kontribuojnë të gjithë.
Këtë ide e kishte vlerësuar se krijon pabarazi sociale edhe vetë ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kohë më parë. Në emisionin “Desku” në KTV në fund të shtatorit, Bajrami kishte thënë se kjo ide paraqet shkelje kushtetuese.
E këtë amendament të propozuar nga PDK-ja, kryeministri Avdullah Hoti e cilësoi “pasurim” të pakos së rimëkëmbjes.
Amendamentet tjera të PDK-së të përfshira në këtë ligj është edhe: Pakoja për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë.
Projektligji është me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2021.
Pos pikës së shumëpërfolur për tërheqjen nga Trusti, Projektligji parasheh ndryshime në TVSH e tatime në të ardhura për korporata. Pika kryesore e këtij projektligji konsiderohet ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ku synohet krijimi i kompetencave për FKGK-në që të plasohen skema dhe produkte të reja në treg, të rritet përqindja e mbulesës deri në 80 për qind për garancitë kreditore (aktualisht mbulon deri 50 për qind), të lëshojë garanci kreditore për zhvillimin e biznesit për fermerët e regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin e fermerëve që mirëmbahet nga ministria përgjegjëse për bujqësi dhe të pajisur me numër identifikues të fermës, edhe në rastet kur fermeri përkatës nuk ka të regjistruar shoqëri tregtare në ARBK, si dhe në rast nevoje, Qeveria e Kosovës autorizohet të mbulojë tarifat për shërbimet e FKGK-së ndaj institucioneve financiare./ Koha.net/ KultPlus.com
Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për Nuhi Mavrovqani nga Kamenica për vrasjen e gruas së tij me shufër metalike.
Gjykata atij i ka shqiptuar dënim të përjetshëm, nën akuzat për vrasje të rëndë.
Ai e kishte pranuar fajësinë pjesërisht për vrasjen e gruas së tij, teksa sot aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Gjilanit.
Rasti kishte ndodhur më 25 korrik në Kamenicë, teksa tanimë i dënuari e kishte kryer aktin me një mjet të fortë.
Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan i akuzuari me datë 25.07.2020 rreth orës 12:00 minuta, në shtëpinë e tyre të përbashkët në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare më parë dhe në ditën kritike, më dashje e ka privuar nga jeta anëtaren e familjes, bashkëshorten e tij tani të ndjerën S. M., në atë mënyrë që fillimisht janë fjalosur e më pas i pandehuri ka marr një shufër metalike – mjet të përshtatëm me gjatësi 73 cm, e godet fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe më pas njëherë në anën e majtë të kokës e cila rrëzohet në dysheme, më pas i pandehuri vazhdon të godas me shufër metalike disa herë në kohë dhe në anën e djathtë të kokës, në fytyrë afër syrit , duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, thyerje në anën e majtë të kafkës, të cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse.
Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, në përbërje të kryetarit, Zyhdi Haziri dhe anëtarëve Ramiz Azizi dhe Naser Maliqi, pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shtjellimit të provave, ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarin N. M.
Kolegji i gjyqtarëve nuk ka gjet ndonjë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin, por të gjitha rrethanat kanë qenë rënduese, duke marrë parasysh prezencën e fëmijëve në ditën kritike, gjendja e të ndjerës dhe fëmija i porsalindur (një muajsh), kanë dhënë arsye që dënimi të jetë kapital.
Fëmijët e çiftit u morën nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale në Kamenicë. Tre fëmijëve do iu ofrohet edhe një ndihmë sociale nga kjo qendër./Gazeta Expres/ KultPlus.com
Ka vdekur sot në moshën 65-vjeçare ish-futbollisti i Prishtinës, Shefqet Sinani.
Sinani ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës në vitet e 80-ta. Ish-mbrojtësi i majtë ishte pjesë e klubit nga kryeqyteti për dhjetë vjet, 1977-1987. Kishte mbyllur karrierën në moshën 31-vjeçare me më shumë se 300 ndeshje të zhvilluara.
Për vdekjen e Sinanit ka shprehur ngushëllimet e saj edhe ministrja e kulturës Vlora Dumoshi. Ajo shprehet se Sinani do të mbahet mend për cilësitë e spikatura si sportist dhe si një ndër futbollistët më të admiruar të viteve të 80-ta.
Ky është telegram ngushëllimi nga Vlora Dumoshi për vdekjen e Shefqet Sinanit.
“E nderuara familje Sinani,
Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit dhe trajnerit të shquar, Shefqet Sinani.
Shefqet Sinani punoi për vite të tëra në KF Prishtina dhe do të mbahet mend për cilësitë e spikatura si sportist dhe si një ndër futbollistët më të admiruar të viteve të 80-ta.
Sinani duke edukuar gjeneratat e reja dhe duke përkrahur talentet e futbollit në Kosovë, ka lënë gjurmë të pashlyeshme për futbollin e sportin kosovar në përgjithësi.
Në emrin tim personal dhe të MKRS-së i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Sinani, Federatës së Futbollit të Kosovës, Klubit Futbollistik Prishtina, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit sportiv në Kosovë.” / KultPlus.com
Qendra e Botimeve për Diasporën ka publikuar në faqen online te saj botimin e radhës të kolanës klasikët dy gjuhësh, përrallat në shqip dhe anglisht “Ushtari prej Plumbi” dhe “Borëbardha”.
Libri i sjellë në shqip nga Parid Teferiçi është i pajisur me ilustrime shumë të këndshme, ka një tekst të thjeshtë dhe me fjalët më të përdorshme në dy gjuhë që lehtësojnë mësimin e gjuhës në mënyrë argëtuese
“Ushtari prej Plumbi” shkruar nga autori Peter Holeinone, është historia e një ushtari prej plumbi, i cili megjithëse ishte derdhur në metal si shokët e tij, tregoi se kishte një zemër të ndjeshme. Fundi i tij dhe balerinës, ndryshon aq shumë nga përrallat e tjera.
“Borëbardha”, përralla më e famshme e Vëllezërve Grimm në të gjithë botën, vjen për lexuesit e vegjël në këtë libër në shqip dhe në anglisht.
Për ta shfletuar ose zbritur librin, klikoni këtu:
Studiuesit gjermanë zbuluan përmes tomografisë kompjuterike të tre mumieve moshën e vdekjes, gjatësinë dhe sëmundjet e njerëzve që jetuan 2 mijë vjet më parë.
Dy nga këto mumie kanë një histori të veçantë, ato gjenden në Gjermani, por u gjetën më shumë se 400 vjet më parë në një varr në shkëmb në Egjipt; së bashku me të tretën, e cila është tani në Egjipt, ato përfaqësojnë të vetmet “mumie me portrete llaçi” të njohura nga Saqqara, një nga nekropolet më të njohura egjiptiane.
Dekorimet. Stephanie Zesch, egjiptologe e Projektit Gjerman të Mumieve në Muzeun Reiss Engelhorn në Mannheim të Gjermanisë dhe autore e studimit, thekson se trupat e tyre, ishin vendosur në dërrasa druri, të mbështjella me qefinë dhe të zbukuruar me suva lehtësuese, duke përdorur edhe ar, në ndryshim nga mumiet e tjera, të cilat ishin varrosur në sarkofag.
Skanimet tani zbulojnë se mumiet ishin varrosur duke ruajtur organet e brendshme, përfshirë trurin (zakonisht mumieve iu hiqeshin organet) dhe dy femrat ishin varrosur bashkë me gjerdanët e tyre të bukur.
Pas vdekjes së këtyre njerëzve, që janë një burrë, një grua dhe një adoleshente, të cilët jetuan në një periudhë midis 30 para Krishtit dhe 395 pas Krishtit, skanimet treguan se mumiet e tyre u varrosën së bashku me objekte që konsideroheshin të dobishme në jetën e përtejme, të tilla si, për shembull, monedhat me të cilat do të duhej të paguanin Caronte-n, hyjninë greke dhe romake që mendohej se transportonte shpirtra përtej lumit Stige.
Problemet e shëndetit. Skanimet zbuluan gjithashtu disa probleme shëndetësore, përfshirë artritin e rëndë që kishte prekur gruan. “Ekzaminimi i individëve zbuloi se ata vdiqën në një moshë mjaft të re, megjithatë shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohej,” shpjegoi Zesch.
Dy nga këto mumje, para se t’i nënshtroheshin studimeve të thelluara, udhëtuan shumë. Në vitin 1615, kompozitori Pietro Della Valle (1586-1652), i bleu gjatë një udhëtimi në Tokën e Shenjtë dhe në Egjipt, i prekur nga ata qefinë të zbukuruar në një mënyrë kaq të veçantë dhe i çoi në Romë për t’i bërë të njohur, të cilët ishin diçka e re për Evropën.
Detaje. Më pas, mumiet kalonin nga dora në dorë midis pronarëve të ndryshëm, derisa u bënë pjesë e koleksioneve shtetërore të artit në Dresden, Gjermani, ku u radiografuan në fund të viteve 1980. Tani, tomografia ka zbuluar shumë më tepër sesa rrezet X. Përveç konfirmimit të pranisë së organeve të brendshme, ky ekzaminim zbulon shumë detaje të tjera. Për mashkullin ishte e mundur të përcaktohej një moshë e vdekjes midis 25 dhe 30 vjeç, gjatësia prej rreth 163 cm) dhe disa informacione të tjera të hollësishme, si prania e dy dhëmbëve të thyer dhe disa karies.
Për më tepër, disa nga kockat ishin të hapura dhe të pozicionuara në mënyrë konfuze, ndoshta sepse dikush e kishte hapur mumien menjëherë pas zbulimit të saj dhe e kishte mbyllur pa ndonjë kujdes. Tomografia kompjuterike zbuloi gjithashtu vulat që mund të jenë vulat nga laboratori i mumifikimit.
Për sa i përket gruas ishte e mundur të gjurmohej mosha e vdekjes, midis 30- 40 vjeç dhe gjatësia e saj rreth 151 cm. Gruaja vuante nga artriti i avancuar në gjurin e majtë. Adoleshentja, e cila, sipas skanimit me tomografi kompjuterike, kishte një karficë në flokët e saj, kishte vdekur mes moshës 17-19 vjeç dhe ishte e gjatë 156 cm. Ajo kishte një tumor beninj të shtyllës kurrizore dhe është e vetmja që e ka ruajtur mirë trurin e saj. Të dy gratë u varrosën me shumë gjerdanë, në shenjë dashurie për to nga njerëzit që i varrosën. / A2CNN / KultPlus.com
Historiani, profesori, akademiku Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920.
Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955.
Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999.
Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.
Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj.
Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).
Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, në Tiranë./ KultPlus.com
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti sot ka zhvilluar një takim me kryediplomatin shqiptar Gent Cakaj.
Këtë takim Cakaj e ka vlerësuar si të vyer, e ku ndër të tjera tha se me Hotin ka diskutuar për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për fshirjen e adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, si dhe për epilogun e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Shkrimi i plotë i Cakajt:
Një takim fort i vyer me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti !
Biseduam mbi rëndësinë e patjetërsueshme të qasjes së bashkërenduar, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Shprehëm shqetësimin e thellë lidhur me procesin e fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Ne do të vazhdojmë të punojmë pakursyer për për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.
Ndamë të njëjtën pikëpamje se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. / KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 65-vjeçare ish-futbollisti i Prishtinës, Shefqet Sinani, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës që i ka shprehur familjes ngushëllime.
Sinani ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës në vitet e 80-ta.
Ish-mbrojtësi i majtë ishte pjesë e klubit nga kryeqyteti për dhjetë vjet, 1977-1987. Kishte mbyllur karrierën në moshën 31-vjeçare me më shumë se 300 ndeshje të zhvilluara.
“Shefqet Sinani gjithmonë do të kujtohet me pietet dhe do t’i përkulemi karrierës së tij madhështore, e cila pa dyshim do të jetë e shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollist të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të FFK-së.
Sinani ka qenë i angazhuar edhe në FFK si koordinator në një projekt të gjeneratës U-15. / KultPlus.com
Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve në botë po tregohen të suksesshëm në shumë fusha të ndryshme, duke treguar pasqyrim të denjtë dhe rezultate të mira. Pjesë e këtij numri pa dyshim është edhe Mentor Bajrami që, përveç aktrimit, po shquhet edhe si fotograf, shkruan albinfo.ch.
Artisti dhe mjeshtri i fotografisë, Mentor Bajrami, ka realizuar disa fotografi të bukura nga kënde të ndryshme të Cyrihut.
Nga pamjet e ofruara mund të shihni magjinë e këtij qyteti, ku duket se e gjithë qetësia dhe ngjyrat më të bukura janë shkrirë në një vend të vetëm për festat e fundvitit.
Duhet theksuar se Mentori jeton dhe vepron në Zvicër. Ai është larguar nga Kosova gjatë luftës së fundit dhe është bërë një aktor në “Opernhaus” të Cyrihut.
Gjithashtu ai ka përfunduar shkollën e aktrimit në European Film Actor School EFAS në Cyrih, dhe jo rastësisht ishte pjesë e veprës operistike“Opernhaus”.
Kujtojmë se Mentori, para kësaj, kishte luajtur në shumë shfaqje dhe reklama gjatë studimeve. Po ashtu, prishtinasi kishte bërë video satirike në Youtube, të cilat i sollën krejt rastësisht famë të papritur në Zvicër. /Albinfo.ch / KultPlus.com
Një film i pazakontë ka nisur të marrë vëmendje në botë. Edhe pse i shkurtër vetëm dy minuta, filmi i titulluar “Thursday Appointment” ka nisur të marrë çmime në Afrikë.
Filmi që flet për martesën, e që nxjerr një mesazh të fuqishëm nga një bisedë e një çifti të moshuar brenda një veture, është shpërblyer me çmim në Festivalin e Filmit në Afrikë, “Luxor”.
Në film, çifti i moshuar ia reciton njëri-tjetrit poemën e Hafezit. Ndërsa kur vetura ndalet në semafor, çifti vëren një çift më të ri që bërtet ndaj njëri-tjetrit me të bijën e tyre të mërzitur të ulur prapa. Më pas çifti i moshuar bën një gjest që thotë shumë për mënyrën se si e ka çuar martesën e vet dhe se si ata që duhen mund të pajtohen pas përplasjeve. / KultPlus.com