Udhëtimi në Tequila për të zbuluar sekretin e prodhimit të pijes së famshme (FOTO)

Një vendbanim piktoresk, me ndërtesa shumëngjyrëshe dhe rrugët me kalldrëm, qyteti i Tequilas njihet si vendlindja e pijes alkoolike që mban këtë emër.

Qyteti i mbrojtur nga UNESCO, njihet nga Qeveria federale e Meksikës si “Qyteti magjik”.

Kultivimi i bimës “agave”, prej së cilës prodhohet pija e famshme historikisht u është lënë grave, që mendohet se filluan të merreshin me këtë punë, që në shekullin e 16-të. Nëse më parë, prej kësaj pune fitimet ishin të pakta, sot qyteza përveç se ka forcuar ekonominë përmes tregtimit të pijes, është e vizituar edhe nga turistë të shumtë.

Për t’u përcaktuar zyrtarisht si tequila origjinale, pija duhet të distilohet vetëm nga agavet e rritura në qytetin e Tequilas dhe komunat përreth. Toka e pasur vullkanike dhe klima e thatë e bëjnë ideale rritjen e agave të kaltra, një bimë vendase. Sapo prej kësaj bime merren frutat e saj, të ngjashme me ananasin, dërgohet në një fabrikë pijesh alkoolike, ku piqet për 36 orë, duke lëshuar sheqernat dhe lëngjet.

Në fabrikat e përpunimit të alkoolit, ku më e vjetra në Amerikën Latine është hapur më 1975, punon një staf i gjerë, por vetëm 10 gra janë të certifikuara si mjeshtre të tequilas, të cilat bazuar në përvojën e tyre janë të vetmet që zhvillojnë sot seminaret për njohuritë e prodhimit të kësaj pije.

Sekreti sipas tyre, në prodhimin e një pije cilësore varet drejtpërdrejt nga toka dhe klima e vendit ku bima kultivohet, por edhe nga përzgjedhja e filizave që mbillen, që kryhet vetëm nga gratë e “Qytetit magjik” të Tequilas. /a2news/ KultPlus.com

Me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së Aleksandër Moisiut, aktorja italiane rrëfente për maestron e madh

Nga Aurenc Bebja

“Radiocorriere” ka botuar, me 6 qershor 1936, në faqen n°42, homazhin ekskluziv të aktores italiane Wanda Capodaglio-Campo për Aleksandër Moisiun, me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes se talentit me origjinë shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Moisiu nga Wanda Capodaglio-Campo 
Burimi : Radiocorriere, 6 qershor 1936, f.42

Aktori i madh Aleksandër Moisiu, i cili vdiq në Vjenë vitin e kaluar, u kujtua në radio nga Wanda Capodoglio-Campo, aktorja jonë që ishte në krah të tij në atë që do të ishte faza e fundit e aktivitetit të tij artistik. Ne botojmë përkujtimin pasionant, të cilin aktorja e tha me thjeshtësi të admirueshme, e tradhtuar nga emocioni i saj intim aq i thellë, meqenëse aktori i madh ishte shumë i pranishëm në shpirtin e saj.

 “Në përvjetorin e parë të vdekjes së tij, ata që, si unë, patën fatin të jetonin pranë tij, ta admironin, ta donin për cilësitë e tij të shumta, nuk mund të mos ndiejnë mirënjohje të thellë për Inspektoratin e Teatrit Italian që dëshiroi të nënvizonte këtë datë, duke kujtuar këtë figurë të madhe të zhdukur në mënyrë të parakohshme.

 Unë e takova në qershor të vitit 1933 në Milano, kur ai erdhi për herë të parë në Itali për të recituar “Legjenda e Secilit (e të gjithëve)”. Dëshira për t’iu afruar këtij aktori të njohur, i cili për vite me radhë kishte mbushur Evropën me lavdinë e tij, më kishte shtyrë të kërkoja një pjesë të misterit të Ugo Hoffmansthal-it. Kur u gjenda në praninë e Moisiut, në skenën e Teatrit Lirik, përshtypja ime e parë ishte e habitshme: e kisha imagjinuar për interpretuesin e shumë klasikëve, për dishepullin e Reinhardt-it, një figurë imponuese, një zë bubullues, diçka heroike në çdo gjest, dhe përkundrazi ai m’u shfaq një krijesë krejt tjetër: flokëverdhë (bjond), i hollë, i përulur, naiv, me një maskë shumë të lëvizshme, dy sy të mëdhenj të qetë dhe depërtues, nga ku shkëlqente mundi (vlimi) i brendshëm.

Gjatë provave ai menjëherë zbuloi se ishte një maestro i madh; ai dinte se si të gjithë të ndiheshin mirë, për të gjithë kishte gati fjalën që bindte, sugjerimin që duhej, duke u shprehur me një ndrojtje dhe një ngrohtësi në të njëjtën kohë, që të bindnin. Të gjithë i jemi përkushtuar menjëherë: në mbrëmjen e parë të gjithë kemi qenë entuziastë dhe të lumtur me suksesin që solli interpretimi i tij. Mbrëmje e paharrueshme.

 Kisha e Sant’Ambrogio-s në Milano, me arkitekturën e saj që arrin lartësitë e bukurisë me një thjeshtësi të mrekullueshme, u identifikua në mënyrë të admirueshme me përfaqësimin e parë të “Legjendës së Secilit” që Aleksandër Moisiu dha në gjuhën e tij amtare italiane. Atë mbrëmje u duk se dridhja e thënies së tij për herë të parë në gjuhën që nuk kishte mundur ta mbyllte (burgoste) brenda tij, u bashkua me madhështinë e zhveshur të oborrit ambrosian, në një harmoni prekëse.

Dhe artisti u prek nga ky kthim në të cilin shpirti i tij prej fëmije njohu fjalët e gjuhës së tij. Fjalët e para të thëna në agimin e jetës me lutjet e para. Ndoshta ky ishte tërmeti që dridhej në Pater noster-in e tij, si jehona e dashur e një pastërtie që nuk harrohet.

Ai më tha atë mbrëmje: “Nëna ime do të ishte kaq e lumtur. Dëshira e saj e fundit ishte që unë të recitoj në italisht. Ia pata premtuar, dhe sot më në fund munda ta mbaj premtimin”.

Nëna e tij ishte italiane, ndërsa babai shqiptar. I lindur në një Trieste të përçarë dhe i rritur në një mjedis me intelektualitet ndërkombëtar, ai nuk mund ta ndiente veten si një qytetar i një toke të vetme. Ai kishte mbetur i tillë gjatë gjithë jetës së tij i lidhur vetëm me atdheun e madh të artit. Derisa Italia e Musolinit, duke rrezatuar mendimin dhe doktrinën e rinisë së tij të re në botë, pushtoi papritmas edhe Aleksandër Moisiun, duke krijuar tek ai nevojën e brendshme për të ardhur mes nesh, e cila iu zbulua atij si emocion i papritur i një riatdhesimi. Dhe e tillë ishte në fakt, sa që ai ndjehej shumë italian dhe me këtë entuziazëm të natyrshëm, pas suksesit të Milanos, ai donte të bënte një turne artistik në të gjithë gadishullin. Kush nuk e mban mend pasazhin e tij triumfal me “Kufomën e gjallë” dhe me “Hamletin”?

 Sepse arti i Moisiut në thelb kishte karakteristikën krejtësisht moderne të zvogëlimit (reduktimit) të shpirtit të personazheve, madje edhe të mbingarkuar nga sinteza ose të mbuluar nga simboli, në shpirtin e thjeshtë dhe spontan të njeriut.

Ishte fytyra intime, e fshehtë dhe, për këtë arsye, e butë, e shkëputur, pothuajse e ngathët e njerëzve që ai ju paraqiste, për të na dhënë të vërtetën më autentike. Moisiu artist dhe njeri ishin identikë në të gjitha aspektet. Personazhet që ai preferonte (luante) mbartnin gjithnjë diçka prej tij. Ai dëgjonte vetëm diktatet e zemrës dhe ndihej i qetë në shpirtrat e shqetësuar dhe të munduar. Ai nuk ishte aspak një borgjez : injoronte urdhrat, gjithçka në të ishte fantazi dhe temperament i egër. Ai urrente pedantrinë, njerëzit e ftohtë, të ndërlikuar, intelektualë, por pa shpirt. Jashtëzakonisht zemërgjerë, mund të thuhet mirë se dora e tij e djathtë injoronte atë që jepte e majta. Ai i përçmonte paratë. Ai ishte i prirur drejt të përulurve dhe të varfërve dhe askush nuk iu drejtua zemrës së tij kot.

Ai kishte besim te shpirtrat e mëdhenj, te poetët e mëdhenj: Dante, Shekspiri, Gëte. Mbi të gjithë, ai adhuronte Michelangelo-n. Ai ishte gjithashtu një njohës shumë i mirë i muzikës dhe zëri i tij ishte muzikor, i pagabueshëm, plot melankoli dhe trishtim. Ai e zbukuroi jetën për të gjithë: dhe përjetësisht i dashuruar në fjalët e poetëve, ai kërkoi vargjet me të cilat i bëri të dridheshin zemrat e dëgjuesve. Romeo afroi dhe rrethoi të gjitha Xhulietat me krahët e tij të ndezur (të ngrohtë); Hamleti, melankolik, meditues i thellë, zhvlerësonte njerëzimin; një Hamlet me një ndjeshmëri gati femërore; një Hamlet italian i cili dukej një i burgosur i shqetësuar i atmosferës nordike shekspiriane: Jedermann vdiq si një njeri i cili papritmas shikon kotësinë e jetës vetëm për t’u tërhequr në fund, kur thotë në një mënyrë të paimitueshme Pater noster-in. Ai këndoi, duke folur dhe ajo këngë ishte bërë një formë e shprehjes shumë personale që i dha atij një fytyrë të veçantë.

 Pasi pushtoi (fitoi) atdheun e tij, ai kishte krijuar një entuziazëm të ri pune: propozoi të kryente një program të gjerë klasik për këtë vit, kishte lidhur një kontratë të rëndësishme me Amerikën e Jugut, ku duhej të shkonte me Kompaninë tonë për një kurs recitimi në italisht.

 Gjithashtu për këtë turne ai dëshironte që përveç Shkëlqesisë së Tij Luigi Pirandello-s, i cili ia kishte besuar një nga veprat e tij, autorë të tjerë italianë të shkruanin për të. Ai kishte pranuar me gëzim të luante në një film personazhin enigmatik të Lorenzino de Medici. Ai ishte caktuar të luante Savonarola-n e Rino Alessi-t në Maggio Fiorentino.

 Vdekja shkatërroi gjithë këtë entuziazëm të realizimit; por ai sigurisht u ngushëllua nga lajmet për shtetësinë italiane shumë të dëshiruar dhe të marrë përfundimisht. 
Fatkeqësisht, ky lajm arriti në Vjenë në prag të katastrofës. Mjekët, për ta ruajtur nga një emocion i dhunshëm (i fortë), këshilluan që pacientit të mos i tregohet menjëherë; por kur e gjithë shpresa humbi, çaste para fundit, gruaja e tij donte t’i thoshte se ëndrra e tij e fundit ishte realizuar. Fytyra e zymtë e Aleksandrit të varfër u shndërrua, një dritë e tërë e pushtoi, ai dukej sikur po qetësohej, pastaj në një psherëtimë ai murmuriti: shumë vonë… shumë vonë!… Ai dremiti, pastaj erdhi deliri gjatë të cilit ai vazhdoi të murmuriste fjalët italiane, pasi që nga fillimi i sëmundjes së tij ai kishte folur vetëm në gjuhën tonë, mbase ndihej ngadalë të rikthehej një fëmijë… dhe fjalët e tij të fundit, para se të vdiste ishin: Venecia, Venecia e bukur… e bukur… kështu në vizionin e atdheut, të rizbuluar dhe kaq shpejt të humbur…, u shua ky shpirt i madh i një artisti shumë të veçantë, i një poeti të skenës, i një njeriu thellësisht të mirë.”

WANDA CAPODAGLIO CAMPO

https://www.darsiani.com/la-gazette/radiocorriere-1936-me-rastin-e-pervjetorit-te-pare-te-vdekjes-se-aleksander-moisiut-aktorja-italiane-wanda-capodaglio-campo-na-rrefen-maestron-e-madh/

Uta Ibrahimi paralajmëron ngjitjen e radhës me zero përkrahje financiare: Kur të kryhet, mos jeni krenarë

Alpinistja Uta Ibrahimi, vajza e parë nga Ballkani e cila ka ngjitur 5 majat e Himalajeve, po vazhdon rrugëtimin e saj deri në përfundimin e projektit të saj për ngjitjen në 14 Majat më të larta të tokës, shkruan KultPlus.

Në muajin janar, Uta u prit në takim nga Ministrja Vlora Dumoshi e cila i kishte ofruar mbështetjen e saj dhe të MKRS-së për rrugëtimet e saj drejt çative të botës, por këto premtime mbetën vetëm pjesë e atij takimi.

Përderisa ka njoftuar për ngjitjen  e radhës në MAJËN Anapurna – 8091, si maja e trembëdhjetë nga më të lartat në tokë dhe si më e rrezikshmja, Uta ka njoftuar që për këtë sfidë të re ka 0 përkrahje financiare pavarësisht premtimit që i është bërë nga Dumoshi.

Tutje, Uta ka kërkuar që në përfundim të kësaj ekspedite institucionet e vendit të mos jenë krenarë e të mos mburren me suksesin sepse vetëm sa po ja vështirësojnë.

Ky është postimi i plotë i Ibrahimit:

M’kan mbet edhe pak ditë për me u nis drejt ngjitjes së radhës, në Majen Anapurna 8091, si maja e trembëdhjetë nga më të nalta në tokë, edhe si ma e rrezikshmja .. për me e vazhdu projektin e ngjitjes së 14 Majave ma të nalta të Tokës.

Pak parase mu nis, i hina pak arkivsës … i gjeta këto dy video nga Ekspedita e ngjitjes në Lhotse South Face, njëra prej ngjitjeve ma teknike në Himalaya.

Këtu jam dikun afër 8000 metrave. Po më dridhet pak barku edhe komt … edhe mu, kur po e shoh tash … edhe kur po e dij se çka po më pret.

Po, pavarsisht krejt sfidave edhe pëkrahjes financiare 0 për këtë ekspeditë deri më tani ( edhe pse premtimet nga Ministrja Vlora Dumoshi.

nuk munguan në takim – e që sigurisht ky takim është bë veq për qëllime të PR dhe jo tamon pëkrahjes … unë nisem me 13 Mars, për me e vazhdu projektin ma madhor të alpinizmit…

Deri sa ti ngjes krejt, qofsha shnosh e mirë … e shpresoj që ndonjeher në të ardhmen problemi ma të madh – Financimin e Ekpseditave, nuk kom me e pas barr sikurse në secilën ekspeditë.

E kur të kryhet krejt, ju lutna mos jeni krenar e as mos u mburrni, sepse veq ma rond ma keni ba! / KultPlus.com

Bebe Rexha do të sjellë këngën e re me 5 mars

Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha ka paralajmëruar një projekt të ri.

Ajo përmes një statusi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se kënga e saj më e re do të publikohet më 5 mars.

Nuk është bërë e ditur se si do të titullohet kënga derisa këngëtarja ka lënë të kuptohet që do të jetë një këngë shumë e gjallë, duke postuar edhe një fotografi të saj bashkë me lajmërimin për këngën, e në të cilën duket me dhëmbë jashtë.

Kënga e fundit që Bebe ka sjellë për fansat e saj ishte “Baby I’m Jealous” në bashkëpunim me reperen Doja Cat. / KultPlus.com

Si jetonin shqiptarët, shfaqet pas 37 vitesh dokumentari që e ndaluan komunistët

Paul Lendvai, dikur një gazetar që nga Hungaria shkoi në Shqipërinë e viteve ‘80, sot profesor dhe njohës i shkencave politike, sjell për herë të parë për publikun shqiptar dokumentarin ‘‘Shqipëria nga Skënderbeu te Enver Hoxha’’.

Më shumë se 30 vite më vonë, përmes këtij filmi dokumentar do të mund të kthehet koka pas në Shqipërinë e atyre viteve ku edhe vizitat e gazetarëve planifikoheshin nga sistemi.

Filmi shoqërohet me vijën melodike të këngës ‘’Enver Hoxha tungjatjeta’’, ndërsa pamjet e para të dokumentarit e nisin rrugëtimin e tij në Tiranë me imazhin e Stalinit në shtatore. Radhët e gjata, mungesa e ushqimeve, “tollonat” dhe shumëçka që sot duket e harruar rikthehet me imazhet e këtij filmi.

“Në një moment, drejtuesve të udhëheqjes nuk i pëlqeu filmi, nuk mundet t’i pëlqente, dhe filluan të diskutonin mes tyre se kush i kishte mundësuar këtij ardhjen në Shqipëri”, kujton përkthyesi e atëhershëm i dokumentarit, Sokol Mici.

Filmi dokumentar shfaqet në kuadër të ditëve të kujtesës si një ndër ngjarjet e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë. \ a2news / KultPlus.com

Publikohen pamjet e para të “Scenes from a Marriage” me Jessica Chastain dhe Oscar Isaac

HBO ka zbuluar pamjet para të xhirimeve nga “Scenes from a Marriage”, me protagonistë Oscar Isaac dhe Jessica Chastain.

Një projekt i shumë pritur nga adhuruesit e kinemasë, filmi është bazuar në një tjetër film me skenar dhe regji nga Ingmar Bergman.

Ky film i cili u shfaq si mini seri në vitin 1973 luajti Liv Ullmann dhe Erland Josephson si një çift të pasur, martesa e të cilëve përshkruhet gjatë një dekade, nga shpërbërja te pajtimi dhe kthimi bashkë përsëri.

Seriali i ri është shkruar dhe drejtuar nga Hagai Levi, i cili për herë të fundit shqyrtoi një martesë të paqëndrueshme gjatë pesë sezoneve në “The Affair”, të cilën ai e krijoi bashkë me Sarah Treem.

Projekti shënon një ribashkim për Chastain dhe Isaac, të cilët luajtën rolet kryesore në filmin e J.C. Chandor të vitit 2014 “A Most Violent Year”.

Filmi origjinali suedez i Bergman-it u kondensua nga gjashtë pjesët e tij origjinale në një film të përshtatshëm për publikun amerikan, me kohëzgjatje prej 3 orësh.

Bergman e bazoi sagën në përvojat e tij, duke përfshirë lidhjen e tij të gjatë me muzën dhe partneren Ullmann, me të cilin ishte martuar nga 1965 në 1970./ KultPlus.com

Springsteen gjobitet me 500 dollarë, pasi konsumoi alkool në plazh

Bruce Springsteen është gjobitur me 500 dollarë pasi është deklaruar fajtor për konsumim të alkoolit në parkun nacional në New Jersey, ku është e ndaluar të pihet alkooli, raporton BBC.

Ylli 71-vjeçar i muzikës rok ka pranuar se i ka pirë dy gota tekuilla në plazhin Sandy Hook.

Por, prokurorët kanë hedhur poshtë akuzat për ngasje të veturës nën ndikim të alkoolit. Këngëtari ishte arrestuar në nëntor. Në një seancë online të mërkurën, ai ka pranuar se ka pirë alkool në plazh, që është pjesë e parkut nacional në New Jersey./ KultPlus.com

‘Kam mësue prej nanës se secilës shpi që ja kaloni pragun duhet me i ofru shërim’

Nga: Julia Kasdorf
Në shqip: Vlora Konushevci

Kam mësue prej nanës qysh me i dashtë
të gjallët, me pasë gjithnji vazo afër
nëse duhet nxitue për n’spital
me lule bozhuri t’freskëta prej lendine
milingonat të ngjituna ende për sythe. Kam mësue
me i ruejt qypat e thellë që mbajnë sallata frutash
për nji shpi të tanë në zi, me i coptue dardhat e pjeshkat
e reçelit, me hjek lëkurën e rrushit e
me teh thike farat e çiftimit me i nxjerr.

Kam mësue me shku në të pame edhe kur
të ndjerin njoftë se kam, me i shtrëngue duert e djersituna
të gjallëve, me i shikue në sy e me ofru ngushëllim,
sikur atëherë me e pasë kuptue dhimtën.

Kam mësue se çkado që flasim s’ka randësi,
njerëzit mbajnë mend se jemi kanë aty.
Mësova me besu se e kam fuqinë me lehtësu
dhimtë të trishta fizikisht si nji engjull.
Si nji mjek, mësova me kriju dobi prej vuejtjes
së tjetrit, e kur t’ arrini njiherë me e ba këtë punë
kurrë ma me refuzu s’keni me mujt.

Secilës shpi që ja kaloni pragun duhet
me i ofru shërim; nji ambëlsinë çokollate që e gatuni vet,
bekimin e zanit tuej, prekjen tuej të çiltër./ KultPlus.com

10 përfitime fizike dhe mendore të muzikës

Muzika ushtron një ndikim të fuqishëm te njerëzit. Mund të rrisë kujtesën, të forcojë durimin, të lehtësojë gjendjen shpirtërore, të zvogëlojë ankthin dhe depresionin, të largojë lodhjen, të përmirësojë përgjigjen ndaj dhimbjes dhe t’ju ndihmojë të punoni në mënyrë më efektive.

Megjithëse nuk mund të jemi të sigurt saktësisht për kohën kur qeniet njerëzore filluan të dëgjojnë muzikë, shkencëtarët dinë diçka për arsyen pse filluan.

Shkencëtarët  e evolucionit thonë se qeniet njerëzore mund të kenë zhvilluar një varësi nga muzika si një mjet komunikimi. Muzika mbetet një mënyrë e fuqishme e bashkimit:
– himnet kombëtare bashkojnë turmat në ngjarje sportive
– këngët e protestës shkaktojnë një ndjenjë të qëllimit të përbashkët gjatë marshimeve
–  këngët e dashurisë ndihmojnë partnerët e ardhshëm të lidhen gjatë njohjes
– ninullat u mundësojnë prindërve dhe foshnjave të krijojnë lidhje të sigurta

Atëherë, si përfitojmë nga muzika si individë?

Ndikimi në mendje

Ndikon te mësimi më i mirë: Mjekët në Johns Hopkins ju rekomandojnë të dëgjoni muzikë për të stimuluar trurin tuaj. Studiuesit tani e dinë që dëgjimi i muzikës mund t’ju bëjë të dëshironi të mësoni më shumë. Në një studim të vitit 2019, njerëzit ishin më të motivuar të mësonin kur prisnin të dëgjonin një këngë si shpërblim.

Forcon memorien: Muzika gjithashtu ka një efekt pozitiv në aftësinë tuaj për të mbajtur mend. Mayo Clinic tregon se muzika nuk e kthen humbjen e kujtesës te njerëzit me sëmundjen Alzheimer dhe forma të tjera të demencës, por është zbuluar se ngadalëson rënien njohëse. Kujtesa muzikore është një nga funksionet e trurit më rezistente ndaj demencës.

Ndikon te sëmundjet mendore: Muzika fjalë për fjalë ndryshon trurin. Studiuesit neurologjikë kanë zbuluar se dëgjimi i muzikës shkakton lëshimin e disa neurokimikateve që luajnë një rol në funksionin e trurit dhe shëndetin mendor. Megjithëse duhet të bëhen më shumë kërkime për të kuptuar saktësisht se si muzika mund të përdoret terapeutikisht për të trajtuar sëmundjet mendore, disa studime sugjerojnë që terapia muzikore mund të përmirësojë cilësinë e jetës.

Përmirëson gjendjen shpirtërore: Një nga përdorimet më të zakonshme të muzikës? Ndihmon njerëzit të rregullojnë emocionet e tyre. Ka fuqinë të ndryshojë gjendjen shpirtërore dhe t’i ndihmojë njerëzit të përpunojnë ndjenjat e tyre.

Redukton shqetësimet: Ka shumë prova që dëgjimi i muzikës mund t’ju ndihmojë të qetësoni në situata kur mund të ndiheni të shqetësuar.

Lehtëson simptomat e depresionit: Një përmbledhje kërkimore në vitin 2017, arriti në përfundimin se të dëgjuarit muzikë, veçanërisht klasike e kombinuar me xhaz, kishte një efekt pozitiv në simptomat e depresionit.

Ndikimi në fizik

Përmirëson shëndetin e zemrës: Muzika mund t’ju bëjë të doni të lëvizni – dhe përfitimet e vallëzimit janë të vërtetuara. Shkencëtarët gjithashtu e dinë se dëgjimi i muzikës mund të ndryshojë ritmin e frymëmarrjes, rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut, në varësi të intensitetit të muzikës.

Ul lodhjen: Kushdo që ka mbyllur xhamat e makinës dhe ka ngritur zërin e muzikës e di se muzika mund të jetë energjike. Ka një shkencë të fortë prapa kësaj përvoje. Në vitin 2015, studiuesit në Universitetin e Shangait zbuluan se muzika relaksuese ndihmonte në zvogëlimin e lodhjes dhe muskujve.

Rrit performancën e ushtrimeve: Entuziastët e stërvitjes e kanë ditur prej kohësh që muzika rrit performancën e tyre fizike. Një rishikim i hulumtimeve në vitin 2020 konfirmon që ushtrimi me muzikë përmirëson gjendjen shpirtërore, ndihmon trupin të ushtrojë në mënyrë më efikase dhe zvogëlon vetëdijen për sforcimin. Ushtrimi me muzikë gjithashtu çon në stërvitje më të gjata.

Ndihmon në menaxhimin e dhimbjes: Muzikoterapistë të trajnuar përdorin muzikë për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjeve të pacientit në ambientet e shtrimit. Një analizë e vitit 2016 në mbi 90 studime raportoi se muzika i ndihmon njerëzit të menaxhojnë dhimbjen akute dhe kronike më mirë sesa rastet kur marrin vetëm ilaçet./ KultPlus.com

Piktura e pa ekspozuar më parë e Vincent van Gogh, del në ankand publik

Një vepër e madhe në Paris e Vincent van Gogh që ka qenë pjesë e koleksionit privat të së njëjtës familje franceze për më shumë se një shekull, do të dalë në shfaqje publike për herë të parë që kur u pikturua, në pranverën e 1887.

‘Scène de rue à Montmartre’ është pjesë e një serie shumë të rrallë që përshkruan Moulin de la Galette të famshëm, në majën e kodrës me pamje nga kryeqyteti, pikturuar gjatë dy viteve që artisti holandez kaloi, duke ndarë apartamentin me vëllain e tij Theo, në rrugën Lepic.

I blerë nga një koleksionist francez në vitin 1920, ai ka mbetur në të njëjtën familje që atëherë dhe nuk është shfaqur kurrë në publik, pavarësisht se ishte i shënuar në shtatë katalogë. Ai do të ekspozohet në Londër, Amsterdam dhe Paris përpara se të shitet nga Sotheby’s në Mars kur pritet të arrijë midis 5 milion (4,3 milion and) dhe 8 milion Euro.

“Shumë pak piktura nga periudha Montmartre e Van Gogh mbetën në duar private, shumica janë në koleksionet e muzeve prestigjioze në të gjithë botën,” tha Aurélie Vandevoorde e departamentit të artit modern dhe impresionist të ankandit në Francë. “Shfaqja në treg e një pikture të këtij kalibri, nga një seri kaq ikonike, padyshim shënon një ngjarje të madhe”.

Claudia Mercier e shtëpisë së ankandeve Mirabaud Mercier, e cila është e lidhur me shitjen, tha se puna ishte “magjepsëse”.

Piktura tregon Moulin Dubray ose Moulin à Poivre, një mulli me erë në Montmartre, i shkatërruar në vitin 1911, së bashku me hyrjen e mbylljes së Moulin de la Galette në krye me fenerë dekorativë dhe një karusel pas gardhit prej druri.

Montmartre, i njohur gjithashtu si La Butte, po shndërrohej me shpejtësi në atë kohë nga një zonë rurale në një zonë argëtuese, të popullarizuar nga parizianët për kafenetë e saj dhe me një brez artistësh, intelektualësh dhe shkrimtarësh për atmosferën e saj bohem.

Dy vitet e Van Gogh në Paris nga 1886 deri në Shkurt 1888, kur u largua për në Arles, shihen gjerësisht si hedhja e themelit për stilin e tij të mëvonshëm unik, duke e ekspozuar atë ndaj ndikimit të impresionistëve si Monet dhe Pissarro por edhe një brez i ri artistësh. përfshirë Paul Signac, Émile Bernard dhe Henri de Toulouse-Lautrec.an/ KultPlus.com

Përkthehen në shqip dy librat e letërsisë suedeze

Dy vepra të rëndësishme të letërsisë suedeze janë përkthyer e botuar në gjuhën shqipe.

Bëhet fjalë për “Doktor Glas” të Hjalmar Söderberg dhe “Sekretet e Humlan Hansonit” me autor Kristina Sigunsdotter & Ester Eriksson. Të dy librat vijnë të përkthyer nga Qerim Raqi dhe janë botuar në shqip nga shtëpia botuese “Magjia e Librit”, në Prishtinë.

Romani “Doktor Glas”, është jo vetëm një nga veprat kryesore të Hjalmar Söderbergut, por edhe një nga romanet më të mira të letërsisë në përgjithësi. Në kohën kur u botua, kjo vepër zgjoi shumë debate dhe polemika të ashpëra në shtypin suedez, saqë kritiku Albert Engströmi veprën e cilësonte si të “rrezikshme” dhe “të kalbur”.

A kemi të drejtë ta vrasim një njeri për të shpëtuar një tjetër? Kjo është dilema kryesore morale, problemi qëndror që trajtohet në roman dhe kjo dilemë ishte flaka që ndezi debatin në shtypin suedez të kohës.

Mjeku i quajtur Glas, dashurohet em gruan e re Helga, e cila është gruaja e priftit Gregorius, një martesë kjo jo vetëm e palumtur, por edhe tmerrësisht torturuese në aspektin psikologjik dhe intim. Helga i kërkon ndihmë mjekut Glas, dhe ky i premton se do ta ndihmojë, dhe gjatë gjithë romanit lexuesi do ta përcjellë në formë ditari ”ndihmën” që do t’ia afrojë ai kësaj gruaje të re në të cilën ai do të dashurohet gradualisht, duke gjetur më në fund një ”zgjidhje” të pashmangshme, tronditëse dhe tragjike – vrasjen e priftit Gregorius, i cili është madje edhe pacienti i tij.

Kjo dilemë, ky reflektim i brendshëm i personazhit kryesor – Glas, na kujton Raskolnikovin e Dostojevskit, por derisa personazhi i Dostojevskit e ndjen fajin e veprimit të tij dhe dëshiron ta pranojë krimin, personazhi i Söderbergut, ndërkaq, nuk e ndjen fajin dhe e fsheh krimin.

Romani Doktor Glas është shkruar në formë ditari, dhe Söderberg është mjeshtër i përshkrimeve të botës së brendshme psikologjike të personazhit, sidomos përshkrimeve briliante të Stockholmit në fillimshekullin e XX-të.

Ndërsa libri ”Sekretet e Humlan Hansonit” është fitues i çmimit ‘August’, për vitin 2020 si libri më i mirë për fëmijë.

Romani trajton tema të vështira si vetmia, miqësia, sëmundja, dashuria, ëndrrat dhe sekretet e një vajze të re. Humlan, vajza njëmbëdhjetë vjeçe, nxënëse e klasës së 5-të, përballet jo vetëm me braktisjen nga shoqja e saj më e ngushtë- Nour, por edhe me dilemat tjera jetësore, si sëmundja psikike e hallës së saj Fani, duke bërë përpjekje që t’ia kthejë asaj vullnetin për jetë.

Humlan dëshiron të bëhet piktore, mu si halla Fani që merrej me pikturë para se të sëmurej. Nganjëherë duket sikur Humla shndërrohet në një akuarium lotësh dhe në ato raste ajo duhet të mbyllet në tualetin e shkollës për të derdhur lot…

Qerim Raqi është një shkrimtar dhe përkthyes i njohur që jeton prej kohësh në Halmstad të Suedisë. Atje ka studiuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi , me orientim të ngushtë Letërsi komparative. Ai aktualisht punon si mësimdhënës./KultPlus.com

Qentë që zbukuruan dasmën me pamjen e tyre të adhurueshme (FOTO)

Qentë e veshur bukur janë të adhurueshëm në festa të ndryshme e sidomos në dasmë.

Më poshtë janë fotografitë më të mira të dasmës në botë ku protagonistë janë qentë.

Këta këlyshë fotozhenikë na rrëmbyen zemrat me pamjen e tyre të ëmbël krahas të zotit në një ndër ditët më të rëndësishme të jetës./ KultPlus.com

Paul McCartney në një autoportret prej 154 këngësh

Autoportreti me 154 këngë i Paul McCartney, “The Lyrics: 1965 to the Present”, i kuruar dhe i prezantuar nga fituesi i Çmimi “Pulitzer”, Paul Muldoon, do të jetë në libraritë njëkohësisht në të gjithë botën në nëntor 2021.

“Nuk e di sa herë më kanë pyetur nëse do të shkruaj një autobiografi, por nuk ka qenë kurrë koha e duhur”, tha McCartney.

“E vetmja gjë që kam arritur gjithmonë të bëj, qoftë në shtëpi apo në rrugë, është të shkruaj këngë të reja”, vazhdon këngëtari.

“Kur arrin një moshë të caktuar, një ditar të ndihmon për të kujtuar ditët e kaluara, por unë kurrë nuk kam mbajtur shënime. Ajo që më ka mbetur janë këngët e mia, qindra këngë, të cilat janë ekuivalente me një lloj ditari. Në këto këngë është e gjithë jeta ime”, shtoi ai.

Ato janë dy vëllime në kuti, në të cilat McCartney rrëfen, me sinqeritet të jashtëzakonshëm, jetën dhe artin e tij përmes 154 këngëve, që mbulojnë të gjitha fazat e karrierës së tij, nga kompozimet e para në dekadën legjendare me “Beatles”, nga “Ëings” në albumet si solist.

Të organizuara në rend alfabetik, jo kronologjik, tekstet përfundimtare të këngëve janë mbledhur aty për herë të parë, së bashku me historinë e rrethanave në të cilat janë shkruar, njerëzit dhe vendet që i frymëzuan ato.

Në të, ka materiale të pabotuara dhe të çmuara nga arkivi i tij personal, dorëshkrime, letra, fotografi.

“Shpresoj që ajo që kam shkruar do t’u tregojë lexuesve diçka për këngët e mia dhe jetën time që nuk i kanë parë kurrë më parë”.

“Jam përpjekur të them diçka se si lind muzika, çfarë do të thotë për mua dhe çfarë shpresoj se mund të thotë edhe për të tjerët”, shpjegon Paul McCartney, i cili shkroi këngën e tij të parë në moshën 14-vjeçare.

Këto tekste, të nxjerra nga pesë vjet biseda me Paul McCartney, janë më të afërtat me një autobiografi./atsh/ KultPlus.com

Akademia e Shkencave premton tri vepra madhore albanologjike

Akademia e Shkencave e Shqipërisë po vijon punën për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i shqipes dhe Historia e shqiptarëve.

Në kuadër të projektit madhor të hartimit të këtyre tri veprave, që përbën një nga drejtimet kryesore të punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2021, e në vazhdim, u organizua edhe një takim me kreun e ASH-së, Skënder Gjinushi për përcaktimin e hapave të mëtejshëm për ngritjen e strukturave kryesore e atyre ndihmëse për hartimin e këtyre veprave madhore.

Të pranishëm ishin anëtarët e këshillit: prof. Emil Lafe, akad. Ilirjan Malollari, akad.Jani Thomai, prof. Valter Memishaj, akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Dhimitër Haxhimihali dhe drejtori ekzekutiv i QBAE prof. Irakli Koçollari.

Ndërsa janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve e në konsultim me ASHAK-un, si dhe është konfirmuar miratimi i tyre në parim, në takimin e kësaj të hëne u diskutua listimi i tërë stafeve të studiuesve të veprave përkatëse, me synimin që të përgatiten listat e plota të atyre që do të merren me hartimin e tyre.

Për të tria veprat u diskutuan format e bashkëpunimit me institucionet e tjera, nevojat për infrastrukturë e personel ndihmës.

Hartimi i Historisë së shqiptarëve u vlerësua që mund të fillojë punë shumë shpejt e të realizohet në kohën e parashikuar, duke u theksuar se ka mjaft të dhëna, prova e dokumente të reja që e bëjnë të domosdoshme shkrimin e saj.

Puna me Fjalorin e madh të shqipes do të nisë së shpejti. Në këtë vepër do të ketë mbi 100.000 zëra leksikografikë (mbi 90.000 fjalë dhe mbi 10.000 njësi frazeologjike).

Puna e studiuesve synon që të pasqyrojë sa më gjerë leksikun e shqipes me të gjithë përbërësit e tij: fjalë, kuptime, nuanca mbishtresore, lidhje sintagmatike të lira e frazeologjike, lidhje paradigmatike, të dhëna gramatikore, stilistike e të përdorimit, shënime plotësuese dhe etimologjike etj.

Në aspektin kombëtar Fjalori do të bëhet shprehësi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së gjuhës shqipe, i mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë e të krijimtarisë.

Enciklopedia shqiptare që përbën ndërmarrjen më të vështirë e më voluminoze, përfundimisht vlerësohet të realizohet në dhjetë vëllime e në një kohë sa më të shkurtër, për pesë vjet.

Në takim, për të tria veprat u diskutua edhe bashkëpunimi i ngushtë me ASHA-n në Kosovë dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe më pas u dhanë udhëzime për ngritjen e ambienteve të reja të punës për Qendrën e Botimeve  Albanologjike dhe Enciklopedike.

Marrja prej Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e rolit organizator e financues në hartimin e tri projekteve madhore shqiptare; Enciklopedisë shqiptare, Fjalorit të madh të gjuhës shqipe e të Kuvendit të Albanologjisë në nëntor të këtij viti realizon një prej objektivave kryesorë të reformës së këtij institucioni, atë kryerjes prej ASH-së të rolit strategjik në zhvillimin cilësor të shkencave albanologjike./diapsorashqiptare/ KultPlus.com

Neziraj thirrje TKK-së: Për hir tonin, t’publikut, shfaqjen e Bekim Lumit mbajeni në repertor

Një nga shfaqjet e fundit të Bekim Lumit ‘ArturoUi’, është dhënë sonte për herë të fundit në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nga Jeton Neziraj me anë të një postimi në Facebook i cili ka kërkuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës që të mbaj në reportor një nga shfaqjet më të rralla, por edhe të vetmet të Bekim Lumit që ende luhet në këtë teatër.

“I bëj thirrje publike TKK, ta konsideroj mbajtjen në repertor të kësaj shfaqjeje të rralle, të vetmen nga Lumi që akoma luhet- dhe mund të luhet. Për hir tonin, t’publikut, t’askujtë tjetër!”, ka shkruar ai.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Për ata që nuk e kan pa këtë shfaqje të mrekullueshme nga maestro, tashmë i ndjerë, Bekim Lumi! ARTURO UI – SONTE, 24 shkurt 2021 (e mërkurë), ora 19:00 – e me gjasë për herë të fundit!

P. s. I bëj thirrje publike TKK, ta konsideroj mbajtjen në repertor të kësaj shfaqjeje të rralle, të vetmen nga Lumi që akoma luhet- dhe mund të luhet. Për hir tonin, t’publikut, t’askujtë tjetër!

#mbaneArturoUi-ne/ KultPlus.com

‘S’je kurrniherë aq i vjetër sa mos me përqafu nanen tande, si me qenë gjaja e fundit qi’ t’mban mbi tokë’

Nga Beau Taplin

Me nji’ botë ku pritet kaq shumë prej teje, nja prej ma t’rëndësishme mësime që ki me msu asht’ se me u rritë s’do me than me lan prapa atë çka ti je! Se me u sill përkitazi me moshën, nuk nënkupton me u plak!

E vërteta është se, s’ke me kenë kurrniherë aq i vjetër sa mos me vallzu n’shi derisa t’bahet lëkura ngjyrë kaltër. As me vozit një biçikletë në mes të natës, në mes të erës që të përplaset në fytyrë dhe në mes të problemeve që lëngojnë pas teje.

S’je kurrniherë aq i vjetër sa mos me e lshu muzikën deri tek kupa e qiellit, nën tingujt e kangës t’preferume. As me e shkrujt emrin tand me nji pjesë t’lagun t’rrugës, se don me të mbajt mend bota se ke qenë këtu.

Kurrniherë s’je aq i vjetër sa mos me ik me vrap nga shpija. Me heqë dorë nga çdo gja që pritet prej teje, edhe me shku krejt jetën drejt të panjohurës së egër. S’je kurrniherë aq i vjetër sa mos me e rigjet vetën. Sa mos me mujt me ëndrrue e me shpresu se çdo gja mbi dhe asht e mundur. Se asht!

S’je kurrniherë aq i vjetër sa mos me ba dashni, si me qenë hera e parë. Plot me ankth e t’qeshun t’marrume me dy dure që s’din se çka duhet me ba. S’je kurrniherë aq i vjetër sa mos me e provue. Me qenë aq i pamatun e guximtar sa ishe me zemrën tande, vite tana ma parë se refuzimi me të lan cinik e me dyshime.

Kurrniherë s’je i vjetër mjaftueshëm sa mos me kërku ndihmë. Ndihmë për me ra butësisht n’kraht e nji miku. Me e përqafu nanen tande, si me e qenë gjaja e fundit qi’ t’mban mbi tokë.

S’je i vjetër kurrnihere, sa mos me qenë i ri në zemër.

Pjekunia, ka me t’pru zgjuarsi e forcë, ka me mbetë gjithmonë ai’ fmiu lozonjar e kurioz mbrenda teje që ka me e bo botën t’magjishme – qi e ban jetën të kandshme, t’vlefshme me jetue krejt!

Në një botë. / KultPlus.com

Peleshi tregon historinë e jashtëzakonshme të dy heronjve të heshtur të FA-së: Krenar për ta (VIDEO)

“Disa njerëz shkëputen nga toka dhe takojnë qiellin për të qenë heronj”. E këta janë heronjtë e heshtur të Forcave të Armatosura, të kudo gjendur në ndihmë dhe në mbështetje të qytetarëve.

Të tillë janë edhe rreshter Bledi Zaimi dhe tetar Ermir Locaj, të cilët rrezikojnë edhe jetën e tyre për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka publikuar historitë e jashtëzakonshme të dy anëtarëve të FA-së, Bledit dhe Ermirit, duke i cilësuar “heronj të heshtur”.

“Njerëz të zakonshëm në ditë të jashtëzakonshme pranë komunitetit. Rreshter Bledi Zaimi, aeroshpëtues në grupin e helikopterëve dhe tetar Ermir Locaj, vinçier në grupin e helikopterëve”, shprehet Peleshi.

Reshter Bledi Zaimi rrëfen një prej momenteve më të vështira më të cilat është përballur gjatë një operacioni shpëtimi në Mallkuç në 2017-ën. “Në vjen informacioni që në zonën e Mallkuçit rrezikohet jeta e një familje, si fillim. Në jetën time nuk isha përballur ndonjë herë me një tronditje aq të madhe. Shkojmë te familja e parë ku ndodheshin 8 persona”, rrëfen Zaimi, duke shtuar se të parët që u morën ishin gratë dhe fëmijët.

Edhe tetar Locaj tregon ato moment të vështira të shpëtimit të banorëve të cilët kishin dalë në tarracë dhe po kërkonin ndihmë.

Të shpëtosh jetë dhe të shohësh që shpresa rilind sërish nuk është thjesht një punë, por një mision i rëndësishëm për të cilin ata ndihen krenarë./atsh/ KultPlus.com

Hillary Clinton do të publikojë romanin e saj të parë

Hillary Clinton, ka shkruar romanin e saj të parë.

“State of terror”, i shkruar në partneritet me autoren kanadeze Louise Penny, eksploron një botë të “diplomacisë së rrezikshme dhe të tradhtisë”

Romani i Clinton do të publikohet më 12 tetor të këtij viti.

Botuesit premtojnë një dramë në prapaskenë “të informuar nga detaje që vetëm një person i brendshëm mund të dijë”.

Clinton, e cila ka qenë kandidate për presidente, edhe Zonjë e Parë, është autore e disa punimeve jofiktive.

“What happened”, libri i saj i fundit i publikuar në vitin 2017, shpjegon se përse ka dështuar të bëhet presidente.

Brenda një jave në SHBA janë shitur 300,000 kopje të tij./KultPlus.com

Bebe Rexha vallëzon nën ritmin e këngës ‘Bang’, reagon Ora: Të dua Bebe, gjithmonë

Këngëtaret shqiptare që tashmë kanë prekur edhe majat botërore nuk hezitojnë që të shfaqin përkrahjen kundrejt njëra tjetrës. Kështu ka bërë dhe Bebe Rexha me këngën e fundit të Rita Orës, shkruan KultPlus.

Rexha në Instagram ka publikuar një video ku shihet se ajo vallëzon me këngën “Bang” nga Rita Ora.

Por, kjo video nuk ka kaluar pa u parë dhe pa marrë reagimin e vetë këngëtares Ora. Kjo e fundit i ka shprehur mirënjohjen Bebe Rexhës.

“Të dua Bebe Rexha, gjithmonë”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se si Rita Ora, ashtu edhe Bebe Rexha janë duke punuar rreth albumeve të reja muzikore./ KultPlus.com

Armend Rexhepagiqi i rikthehet edhe një herë skenës

Armend Rexhepagiqi do ti rikthehet dhe një herë skenës për të sjellë përformancën e tij muzikore, me këngët që lanë një shenjë të pashlyeshme në muzikën tonë, shkruan KultPlus.

Ky rikthim i Rexhepagigjit do të bëhet në Klan Arena dhe në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës me datën 28 të këtij muaji.

E tërë performanca do të transmetohet live në Klan Kosova dhe në Facebook nga Komuna e Prishtinës.

Performanca rikthyese e Rexhepagiqit që titullohet ‘Edhe një herë’, do mbahet në fillim nga ora 20:45.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:

Komuna e Prishtines në bashkëpunim me KLAN ARENA prezanton performancën muzikore live të artistit tonë të dashur, Armend Rexhepagiqi, i cili na vjen EDHE NJË HERË në mënyrë fantastike në këtë periudhë kohore me një performancë të veçantë për ne, për muzikën dhe kulturën në pergjithësi.

Performanca do të mbahet me 28 Shkurt nga ora 20:45 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në:

KLAN KOSOVA TV

Facebook LIVE:

Komuna e Prishtinës

Shpend Ahmeti

Klan Kosova

Performanca muzikore mbështetet poashtu nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Komuna e Prishtines në bashkëpunim me KLAN ARENA prezanton performancën muzikore live të artistit tonë të dashur, Armend…

Posted by Komuna e Prishtinës on Wednesday, February 24, 2021

Shqiptari Ejup Deari pjesë e ekspozitës ndërkombëtare ArtWaves 2021, veprën e tij mund ta votoni online

Ejup Deari është pjesë e ekspozitës ndërkombëtare ArtWaves 2021, ekspozitë që është duke u organizuar në Britani të Madhe, por që këtë vit po mbahet në formatin online, shkruan KultPlus.

Deari ka njoftuar se pjesa në këtë garë është shumë e rëndësishme dhe ka kërkuar nga ndjekësit e tij që ta votojnë punimin e tij në formatin online, ku edhe do të ndahet çmimi për veprën më të pëlqyer online.

Për këtë vit ArtWaves do të ndajë  dy çmime:  çmimin e audiencës për pikturën më të mirë,  e cila do të bëhet përmes votimit online dhe çmimin që do të ndahet nga juria profesionale.

Organizatorët kanë bërë të ditur se mundësia për të votuar online është deri më 7 mars të këtij viti, dhe po në të njëjtën ditë do të shpallen edhe fituesit në të dy kategoritë.

Në këtë garë ku po marrin pjesë shumë artistë nga vende të ndryshme, në linkun më poshtë mund të votoni për veprën e Ejup Dearit, i cili ka treguar për KultPlus se po garon me një vepër me teknikë të përzier./ KultPlus.com

https://l.facebook.com/l.php?u=https%3A%2F%2Fpollunit.com%2Fen%2Fpolls%2Fartwavesopenexhibition%3Fq[content_or_subtitle_or_description_or_author_name_cont]%3DEjup%26fbclid%3DIwAR22I_3v963WJ_5JjCF098OLGQD2aRPRgDf9pXFbLYnEWHIvQwQy_QX0Hfk&h=AT0FoGn5J8ror2abCrXNbnf7ccZFdzss1LitTF9_LURMmlNUMzUirZ5_yGks1xN4hZSO3yCQihE1OrEfEjwZo1P3IbZPXnMYAzy2GIXjGAf8FfQj9AwwUQU-NhLUhkbLCw&tn=H-R&c[0]=AT0Z_JH9j5vSOkgwS4tfcKhDZHTTORTcf_BOAa3AruD3xoifdsVVgspI5n7TsmSv8cgFOLJUjbrzZ2RZ8Mg3stWEMZK6OWt99x3xBLdej3Sxag5SWPLj_M6JMM87DjvVdcDSmbYxlvpTovMVmXoQ_LoLYediA-RDe-IKuA

Obama tashmë edhe prezantues televiziv

Pas bashkëshortes Michelle, edhe ish-presidenti i SHBA, Barack Obama gjithashtu zyrtarisht ka startuar në botën e televizionit.

Obama në fakt do të bashkëprezantojë me Bruce Springsteen serialin ”Spotify ‘Renegades: Born in the Usa”.

”Renegades” do të trajtojë çështje të tilla si çështjet racore, politika, prindërimi dhe  martesa.

Seriali përbëhet nga tetë episode.

“Është një diskutim personal dhe i thellë midis dy miqve që eksplorojnë të kaluarën e tyre, besimet e tyre dhe vendin që ata e duan ashtu siç ishte, si është dhe si duhet të vazhdojë”, thuhet në një shënim nga ”Spotify”.

Obama dhe Springsteen janë miq prej një kohe të gjatë.

Ata u takuan për herë të parë gjatë fushatës presidenciale në 2008. / atsh / KultPlus.com

U.S. President Barack Obama addresses a rally during the last day of campaigning in the general election November 5, 2012 in Madison, Wisconsin. Obama and his opponent, Republican presidential nominee and former Massachusetts Gov. Mitt Romney are stumping from one ‘swing state’ to the next in a last-minute rush to persuade undecided voters.

Tenori Ramë Lahaj pjesë e kastit të operës ‘La Traviata’ në Sidnei

Tenori shqiptar Ramë Lahaj ka nisur provat përgatitore për shfaqjen e tij të radhës, ku pas rreth një muaji do të jetë pjesë e kastit të operës “La Traviata” në Gjirin e Sidneit.

“Pak më shumë se një muaj deri në hapjen e natës së parë, artistët tanë më në fund janë përsëri në punë, gati për të sjellë në jetë operën më të preferuar në botë, në mjedisin më të bukur të Sidneit.” – citohet nga përfaqësuesi i Operës së qytetit të Sidneit në Australi.

Në moshën 21-vjeçare nisi stërvitjen profesionale muzikore dhe një vit më vonë filloi studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku dhe u diplomua si nxënësi më i dalluar në vitin 2008.

Në moshën 21-vjeçare, tenori i ardhshëm nisi të ushtrohej në muzikë. Skena gjermane ishte ajo që do të mundësonte tenorin që të tregonte performancën e tij. Tenori erdhi me një rol tjetër të rëndësishëm për repertorin e tij, rolin e Rodolfos në opera (La boheme | La Boheme) në Dortmund. / KultPlus.com

Naim Spahiu emërohet zëvendësues i Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Piktori Naim Spahiu është emëruar si zëvendësues i Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky vendim është marrë më datë 22.02.2021 dhe sot GKK ka njoftuar përmes faqes zyrtare në facebook.

Naim Spahiu lindi më 18 mars 19678 në Mitrovicë, Kosovë. Më 1998 përfundon Akademinë e Arteve në Prishtinë, Kosovë, ndërsa në vitin 2002 diplomohet si piktor.

2005 Përfundon postdiplomimin në Prof. Esat Valla në Prishtinë. Deri në emërimin e tij si zëvendësues i Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Spahiu ishte koordinator për ekspozitat në po në këtë institucion. / KultPlus.com