6 veprat dhe autorët shqiptarë që do të përkthehen në gjuhë të huaja

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në praninë e Ministres së Kulturës, Elva Margariti, dhe të jurisë Znj. Diana Kastrati, Znj. Esmeralda Kromidha dhe Z. Ben Andoni, shpalli fituesit e Fondit të Përkthimeve të veprave nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj.

Ministrja Margariti dhe Drejtoresha e QKLL-së Znj. Alda Bardhyli shprehën rëndësinë e vazhdimësisë së këtij fondi për mbështetjen e letërsisë shqipe në gjuhën e huaja, ndonëse mbështetja për përkthimin e letërsisë shqipe është modeste.

Nga 13 aplikime që konkurruan pranë QKLL-së, juria përzgjodhi 6 vepra fituese. Ato janë:

  1. Eurasia 1618 LP, Arjan Leka, Hartë memece për të Mbyturit, Andrea Zarballa, Greqisht.
  2. Fauves Éditions, Zija Çela, Djalli Komik, Sebastien Gricourt, Frëngjisht
  3. Ginger Ape Book, Rudi Erebara, Epika e Yjeve të Mëngjesit, Maria Roces Gonzalez, Spanjisht.
  4. Besa Muci, Tom Kuka, Gurët e Vetmisë, Valentina Notaro, Italisht.
  5. Besa Editrice, Bashkim Shehu, Udhëkryqi dhe Humnerat, Mirela Alushi, Italisht.
  6. Grammata, Natasha Lako, Qiell Europe, Petro Çerkezi, Greqisht./a2/ KultPlus.com

“Në moshën pesëdhjetë vjeçare secili ka fytyrën që meriton”

George Orwell ishte një novelist, eseist, gazetar dhe kritik anglez. Ai ishte një njeri i fortë i cili shkroi për disa tema kryesore që lidhen me pikëpamjet politike dhe lëvizjet e kohës së tij.

Romanet e tij më të njohura janë Animal Farm dhe Nineteen Eighty-Four.

Puna e Orwell kishte një ndikim të madh në kulturën popullore dhe politike. Orwellian, i cili përshkruan një situatë, ide, apo gjendje shoqërore të identifikuar si destruktive për mirëqenien e një shoqërie të lirë dhe të hapur.

New York Times rendit Owell të dytin në listën e “50 shkrimtarëve më të mëdhenj britanikë që nga viti 1945” dhe në 2016, ndërsa  një statujë e tij është vendosur përpara  BBC-së në Londër.

Orwell kishte një ndjenjë të lartë morale dhe respekt për drejtësinë.

Ja thëniet më të njohura të tij:

“Në një kohë mashtrimi kur tregohet e vërteta është një akt revolucionar.”

“Mënyra më efektive e tyre për të shkatërruar njerëzit është të mohosh dhe të zhdukësh historinë e tyre.”

“Kush e kontrollon të kaluarën kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen kontrollon të kaluarën.“

“Nëse liria do të thotë asgjë për dikë,  kjo do të thotë e drejta për t’u treguar njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë.“

“Përballë dhimbjes nuk ka heronj.“

“Fuqia është në grisjen e mendjeve njerëzore në copa dhe bashkimin e tyre përsëri në forma të reja të zgjedhjes suaj.“

“Thelbi i të qënit njerëzor është se njeriu nuk kërkon përsosmëri.“

“Zgjedhja për njerëzimin qëndron midis lirisë dhe lumturisë dhe për shumicën e madhe të njerëzimit, lumturia është më e mirë.“

“Realiteti ekziston në mendjen e njeriut dhe askund tjetër.“

“Njerëzit flenë në mënyrë paqësore në shtretërit e tyre natën vetëm sepse janë të gatshëm ta bëjnë këtë në emër të tyre.“

“Në tërësi qeniet njerëzore duan të jenë të mira, por jo shumë të mira dhe jo mjaft të mira  gjatë gjithë kohës.“

“Ne e dimë se askush nuk e merr pushtetin me qëllim të heqjes dorë prej saj.“

“Nëse doni të mbani një sekret, duhet ta fshihni atë nga vetja.“

“Politikanët, mashtruesit, hajdutët dhe tradhtarët nuk janë viktima, por bashkëpunëtorë.”. / KultPlus.com

Dua Lipa si ‘palaço’ për videoklipin e ri

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa së shpejti do të lansoj këngën e saj të re, shkruan KultPlus.

Për fotografinë prezantuese të projektit të ri muzikor ajo ka vendosur të shfaqet më ndryshe se herë tjera, Dua është shndërruar në një ‘palaço’ për këngën e re.

‘Dashuroni përsëri, këtë të premte’, shkroi ajo në një fotografi të postuar në Instagram./ KultPlus.com

‘Ditëlindja’ dhe ‘Gogoli’, shfaqje premierë në Dodonë

Përgjatë muajit qershor në Teatrin Dodona do të jepen dy premiera, shkruan KultPlus.

Më 8 qershor me fillim nga ora 19:30 do të jepet premiera e shfaqjes “Ditëlindja” nga Ivo Martinić, në regji të Ilirjana Arifit, në skenën e mbrëmjes.

Kurse më 19 qershor me fillim nga ora 12:00 do të jepet premiera e shfaqjes “Gogoli” nga Arian Krasniqi, në regji të Mentor Berishës në teatrin për fëmijë./ KultPlus.com

Kënga mit “Bella Ciao” së shpejti një dokumentar

Bella Ciao, kënga italiane që ka bërë më shumë jehonë në botë, po bëhet një dokumentar, i titulluar “Bella Ciao – Historia përtej mitit”.

Me mbi një miliard shikime në internet, “Bella Ciao” është kënga më e dëgjuar italiane në botë në vitet e fundit.

Si një këngë e luftës dhe rezistencës, ajo është përdorur në çerek shekullin e fundit nga dhjetëra realitete protestuese, nga Pranvera Arabe, në protestat #occupy Usa dhe #occupy Mumbai, nga lufta kundër globalizimit, te lufta kundër ndryshimit klimatik, nga varrimi i karikaturistëve të Charles Hebdo, te trazirat në Sudan dhe lëvizjet rrugore në Liban, Kili dhe Turqi.

Por ajo është bërë, gjithashtu, edhe një fenomen tipik i globalizimit: një këngë simbol për serialin “Casa di carta”, tringëllimë për të shitur një produkt në Meksikë, muzikë për të promovuar Netflix në Arabinë Saudite.

“Midis shumë projekteve që na janë propozuar, ne kemi zgjedhur të prodhojmë “Bella Ciao – Historia përtej mitit”, sepse jemi të bindur se kjo këngë është trashëgimi e të gjithëve dhe sepse ne besojmë se përmes filmit nga Giulia G Japanese do të zbuloni qëllimin e saj dhe rëndësinë mbarëbotërore”, deklaroi Andrea Romeo, producent krijues i Palomar DOC.

Projekti, dokumentari i parë i klasifikuar në thirrjen për zhvillim të vitit 2020 të rajonit Emilia Romagna, tani do të paraqitet zyrtarisht në “Bio to B”, tregu ndërkombëtar i Festivalit Biografilm./atsh/ KultPlus.com

Gërmimet në Rashkë: 10 viktima të zhvarrosura deri më tani

Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit ka thënë se nga procesi i gërmimeve në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës mendohet se janë nxjerrë të paktën mbetjet mortore të nëntë personave.

“Janë nxjerrë së paku mbetjet mortore të së paku nëntë personave dhe një rast ribashkimi, pra gjithsejtë dhjetë persona. Nga procesi i zhvarrimeve i filluar në muajin nëntor janë identifikuar mbetjet e dy personave”, tha Gara në RTV Dukagjin.

Gara thotë se së pari do të bëhet analiza e ADN-së e më pas edhe identifikimi i mëtejmë i këtyre personave.

Ai thotë më tej se varreza masive në Kizhevak të Rashkës ka lidhje me varrezën masive në Rudnicë të Rashkës.

“Siç dihet nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës janë gjetur mbetjet e 54 viktimave përfshirë edhe 29 viktima nga Masakra e Rrezallës. Aktualisht janë edhe shtatë persona nga Masakra e Rrezallës, vendndodhja e të cilëve nuk dihet, si dhe tri viktima tjera nga Rrezalla por që janë të zhdukura në data të ndryshme”.

Gara thotë se me të identifikuar këto viktima do të njoftohen familjarët për të caktuar datën e rivarrimit.

Zyrtari nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit ka thënë se do të priten analizat ADN-së për të vendosur se si do të vazhdohet me gërmime në Rudnicë.

Ai ka thënë se janë edhe disa lokacione të dyshuara në Serbi për varreza masive siç është Liqeni i Rudnicës apo disa lokacione në Novi Pazar.

Gara thotë se se edhe në Kosovë do të vazhdojnë gërmimet për varreza masive.

“Varrezat në Mitrovicë, Shtime, Gjakovë dhe lagjen Arbana të Prizrenit janë lokacione të gërmimeve për varreza të mundshme”, deklaroi ndër të tjera Kushtrim Gara./KultPlus.com

Më 1 Qershor, Xhaxhi Piktori në KultPlus Caffe Gallery

KultPlus me mbështetje të Komunës së Prishtinës do të organizojë një punëtori me Kosta Zhongën, i njohur për fëmijët si Xhaxhi Piktori, i cili bashkë me fëmijët, për ditën e 1 Qershorit do të kalojë një pasdite kreative në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Ky organizim do të nisë në ora 16:00 dhe parashihet të zgjasë deri në ora 19:00, ku janë të ftuar fëmijët që të jenë pjesë e këtij organizimi, të cilët bashkë me Xhaxhi Piktorin do të kalojnë çaste të paharruara në krijimin e pikturës puzzle me 32 pjesë, të cilat në fund të krijimit do të bëhen bashkë dhe do të formësojë pikturën e krijuar nga fëmijët pjesëmarrës.

Poashtu do të ketë edhe realizime të tjera kreative, duke përfshirë ato me pipza, pjata plastike, letra jeshile, luledielli si të Van Gog në 3D dhe krijime të tjera kreative.

Fëmijët pjesëmarrës përpos që do të kënaqen duke krijuar, poashtu do të shoqërohen edhe me nga një pije. /KultPlus.com

Çelësi i tualetit të Adolf Hitlerit i gjetur nga piloti britanik shitet për 14,000 funte

Një çelës që besohet se ishte i tualetit personal të liderit nazist Adolf Hitler është shitur në Britani për thuajse 14,000 funte.

Sendi i rrallë u bë objekt i një lufte ofertash ankandi mes blerësit britanik që kaloi i pari shumën e pritur, dhe disa rivalë të tjerë nga Gjermania e Britania.

Çelësi i Hitlerit me shumë gjasa ishte marrë si ‘suvenir’ nga zyra e krye-nazistit, prej ushtarëve të forcave aleate, para se të shitej në ankand 76 vjet më vonë.

Bashkë me dy çelësat, janë të varura emblema me shqiponjë e kryq të thyer nazist, me mbishkrimet ‘Reicjskanzleri’ (Kanceleria e Rajhut) dhe ‘Herren W’ (tualeti i burrave) me një numër ‘166’ në të.

Objekti besohet se është gjetur në tavolinën e Hitlerit nga një pilot britanik, pas çlirimit të Berlinit në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Ai është sjellë si kujtim nga piloti lejtnant A.A Williams, i cili e kishte mbajtur deri në vdekjen e tij, madje kishte shkruar një letër për autenticitetin dhe prejardhjen e objektit.

Në letër Williams shpjegonte: “Çelësi i tualetit Reicjskanzlei është marrë nga unë prej tavolinës së vetë Adolf Hitler. A.a. Williams, leitnant fluturimi, Forcat Britanike Ajrore, korrik 1945.”

Objekti më pas i kaloi të ndjerit Reg Palmer, i cili e mbante në muzeumin e tij të vogël në Londër në vitet 1980-të e ’90.

Një koleksionist e kishte blerë atë 10 vjet më parë dhe tani e shiti me ankandet Ashford C&T Auctions, të cilët parashikonin se do të shitej për vetëm 300 funte.

Por një luftë e pandalur ofertash nga tre blerës britanikë online dhe të tjerë nga Gjermania, ngritën çmimin përtej parashikimeve.

Specialisti i ankandeve Matthew Tredwen tha: “Megjithëse i vogël, është një pjesë unike historie. U shit shumë shtrenjt, si blerësi dhe ne jemi të kënaqur me rezultatet. Çelësi është gdhendur ne fjalën ‘Herren’ që do të thotë ‘Burra’, prandaj është një zonë vetëm për meshkuj”.

“Hitleri kishte tualetin e tij privat dhe çelësi besohet se ishte për këtë qëllim”.

Hitler besohet se vdiq me vetëvrasje ku shanset që Gjermania naziste të fitonte luftën u shuan./kohanet/ KultPlus.com

Image

Ridvan Slivova, fotoreporteri i së bukurës, luftës dhe paqes

Suada Qorraj

“Në Shkollën e Mesme, kur unë ulesha në bankat e para të klasës, në njërën nga orët, përballë meje kisha profesoreshën e gjuhës shqipe të cilës ja kam bërë një fotografi. Kur unë kam shkrepur fotografinë, profesoresha ishte shtatzënë, mirëpo muaj më pas ajo e humbi fëmijën dhe më kërkoi mua që t’ia dërgoj atë fotografi. Gjatë kohës sa pritja në studio, në njërin nga katalogët unë shoh një foto të përafërt me atë që i kisha realizuar profesoreshës; Një grua e ulur afër dritares, me hijezim pothuajse të njëjtë. Këtu fillova të mendoj se dhe unë mund të bëjë këtë punë, dhe pikërisht këtu u motivova”, fillon kështu rrëfimin e tij fotoreporteri Ridvan Slivova, teksa tregon hapat e tij të parë drejt këtij profesioni.

Ndonëse numëron mbi 30 vite karrierë pune, Slivova përshkruan deri në detajet më të vogla secilin moment të rëndësishëm të punës e jetës së tij. ‘Më vonë u regjistrova në shkollë, kulturogji, sektorin e programit të redaksisë, pra Shkollën e Mesme të Gazetarisë’, vazhdon tutje ai, teksa shton se mësimdhënësit e tij ishin gazetarë dhe se prej aty kishte filluar bashkëpunimin me revista të ndryshme, shkruan KultPlus.

Slivova fillimisht kishte filluar të bashkëpunonte me revistën studentore ‘Bota e Re’, edhe pse ende nuk ishte student e nuk posedonte një numër indeksi që të mund të paguhej, por redaksia i kishte grumbulluar të gjitha të hollat që ai kishte bërë përgjatë një viti punë, dhe ia kishin dhënë ato kur ai ishte bërë student.

“Si adoleshent, kur mu botua fotografia në revistë, nga gëzimi që kishte dalë emri im e kam mbajtur revistën tërë kohën në duar, aq sa dhe filloi të shqyhej”, thotë ai për KultPlus.

Fotoreporteri që tashmë kishte filluar rrugëtimin e tij profesional, filloi studimet në Fakultetin e Gjuhës Shqipe, për të cilën ai thotë se ka një ndihmë të madhe në punën e tij si fotoreporter. Slivova kujton kohën kur fotoreporterët kishin për obligim të shkruanin foto shënimin, foto lajmin e foto reportazhin.

“Kemi pasur për obligim ti shkruajmë vet, krahas fotografisë kjo ishte detyra jonë”, tregon ai teksa thekson se pikërisht këtu bëhet dallimi në mes të një fotografi dhe një fotoreporteri.

Ai shton se ishte pikërisht njohja mirë e gjuhës shqipe kur dikush bënte gabime gjuhësore, qoftë në ndonjë firmë, apo lokal, ai e shndërronte atë në foto lajm.

Foto: Ridvan Slivova

Fotoreporteri thekson se krahas gjuhës shqipe edhe puna afër aktorëve e profesorëve, por dhe artit në përgjithësi e kishte ndihmuar atë të perfeksiononte edhe më tepër profesionin e tij. Sipas tij prezenca e tij në një ligjëratë të Faruk Begollit gjatë kohës sa punonte si fotograf i teatrit, ia ka mundësuar atij që të bëjë disa nga portretet më të mira fotografike.

“Kam marrë mësim gjatë ligjëratave kur unë isha fotograf i teatrit, kur Faruk Begolli u shpjegonte studentëve gjuhën e mimikës e të shprehurit. Pikërisht në atë ligjëratë që e kam dëgjuar unë e kam kuptuar çka është mallëngjimi, çka është pikëllimi, gëzimi e të gjitha portretet”, pohon për KultPlus Slivova.

Pas punës në revistën ‘Bota e Re’ Slivova kishte filluar të punonte edhe me revistën  ‘Zëri’ dhe revistën ‘Kosovarja’ ku ju dha mundësia të trajtonte edhe tema politike. Mirëpo bashkëpunimet e tij me media nuk u ndalën këtu, përgjatë viteve të ‘90-ta ai kishte bashkëpunuar edhe me gazetën ‘Rilindja’.

“Në vitet e ’90-ta unë fillova bashkëpunimin edhe me ‘Rilindjen’, kjo u ndal dhe filloi ‘Bujku’. Në atë kohë ‘Zëri’ ka qenë e përjavshme dhe ‘Kosovarja’ e përmuajshme, mirëpo pas përkeqësimit të situatës këto dy revista filluan të mbulonin gazetën ditore”, kujton Ridvan Slivova.

Foto: Ridvan Slivova

Ai tregon se në këto rrethana atij iu dha mundësia të tregonte më shumë vetën me fotografi artistike, peizazhe, por edhe fotografi të ngjarjeve ditore. Por, një punë e tillë, në një situatë jo stabile, mbart me vete edhe rreziqe.

“Momenti kur deputetët tek Kuvendi e shpallën Pavarësinë e Republikës së Kosovës, unë isha duke fotografuar. Aty kishte edhe delegacione nga jashtë vendit, mirëpo rreth 100 metra pasi jam larguar nga aty jam arrestuar dhe më janë marrë negativat”, vazhdon tutje ai.

Foto: Ridvan Slivova

Arti dhe Kultura – Gjallëria e jetës përtej të zezës

Pavarësisht kohës së vështirë në të cilën gjendej Kosova, gjallëria, arti, kultura, pra e bukura e jetës ende vazhdonte të mbahej në këmbë. Slivova kujton këto kohë si momente të bukura që kanë mundësuar shumëllojshmërinë e ngjyrave, e gjallërinë e jetës së asaj kohe.

Ai thotë se ndonëse ishte e pamundur të mbaheshin shfaqjet teatrore në Teatrin Kombëtar të Kosovës ato zhvilloheshin në teatrin e qytetit, ‘Dodona’ i dedikuar për teatër të kukullave.

“Nuk do të thoja se ka pasur gjithmonë zi, pavarësisht situatës. Në Kosovë ka ekzistuar teatri, janë mbajtë shfaqjet teatrore, janë mbajt baletet në rrethana të ndryshme. Shfaqjet teatrale në Teatër Kombëtar nuk kishin mundësi të mbaheshin, mirëpo janë mbajtur në Teatrin Dodona, ish teatrin e qytetit, i dedikuar për teatër të kukullave për fëmijë”, thekson Slivova.

Foto: Ridvan Slivova

Tutje ai tregon se njëlloj sikurse sot edhe në atë kohë janë mbajtur edhe koncerte, sporte të ndryshme e lojëra përplot gjallëri. Madje thekson se në atë kohë janë mbajtur edhe sfilata, e orë letrare. ‘Është zhvilluar jete në të gjitha segmentet’, përfundon ai rrëfimin për jetën kulturore në vitet e ’90-ta.

Gjthashtu fotoreporteri për KultPlus ka theksuar se në të ardhmen objekt i ekspozitës së tij do të jetë pikërisht kjo gjallëri e jetës kulturore në vend.

Foto: Ridvan Slivova

Profesionalizmi e atdhedashuria si gërshetim i luftës

Fotografitë nga ku dëshmohet historia, nga ku flitet më tepër se me fjalë, krahas historisë së personazheve që ndërtojnë ato, mbartin me vete edhe historinë e personave që qëndrojnë pas tyre. E pikërisht edhe Slivova qëndron pas dokumentimit të ngjarjeve të tilla, ai madje ishte prezent së bashku me familjen e tij në kolonën e Gollakut.

“Fotografitë që i kam bërë në pjesën e Gollakut kam qenë së bashku me familje, prindërit, gruan e vajzën dy vjeçe. Është shumë e vështirë të ndash anën profesionale prej emocioneve në rrethana të tilla kur është në pyetje jeta dhe familja jote”, tregon ai.

Tutje ai shton se pavarësisht kësaj ai ka trajtuar çdo herë realitetin e ngjarjeve që ndodhnin pavarësisht çmimit që duhet paguar. ‘Kjo ka qenë ideja ime, ky ka qenë profesioni im dhe i tillë do të mbetet’, ka pohuar për KultPlus Slivova.

Por, puna e tij nuk fillon e nuk mbaron vetëm në këtë kolonë, sepse Ridvan Slivova ka qenë fotoreporter edhe në Drenicë, por dhe të gjitha zonat e tjera të luftës. Fotografitë e publikuara deri më sot nga Slivova, shfaqin më tepër popullatën civile të asaj kohe, e që fotoreporteri ka një shpjegim për këtë.

“Unë kryesisht kam bërë fotografi me popullatë civile, arsyeja është se ata janë të pambrojtur. Edhe ushtar kam fotografuar por më pak, ose i kam publikuar më pak, sepse ushtari ka qenë në detyrë që të ruaj popullin. Për këtë arsye nuk i kam publikuar”, tregon ai.

Slivova ishte në po të njëjtën situatë edhe gjatë kohës së UÇPMB-së në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku primare kishte të ruante të tjerët e njëkohësisht të ushtronte denjësisht profesionin e tij.

“Më është dashur ti publikoj vetëm emblemën e ushtrisë që ti ruaj ushtarët, sepse ata e kanë një detyrë të shenjtë”, pohon Slivova për KultPlus.

Vite më pas fotoreporteri ka pasur fatin të takoj personat që dikur u bënë personazhet kryesore të fotografive të tij. Rasti i fundit është edhe ai i Remzie Setës të cilën Slivova e kishte fotografuar në Makoc.

Foto: Ridvan Slivova

“Fotografia e Remzies ka qenë në pllakatën e ekspozitës që kam mbajtur vitin e kaluar në Bibliotekën Kombëtare, e në shumë ekspozita tjera. Meqenëse arritëm ta gjejmë personin desha të ia dhuroj fotografinë, sepse edhe ajo me familje ka kaluar të njëjtën rrugë sikur unë”, tregon ai.

Tutje Slivova thekson se ky nuk është rasti i vetëm ku ai ka takuar personat që në një kohe lufte i kishe fotografuar. Fotografia me 16 anëtarët e një familjeje nga Mramori të cilën ai e kishte pjesë të njërës nga ekspozitat e tij, tashmë ka gjetur pronarët e saj.

“Mua më vjen mirë që janë gjallë, se në atë kolonë që kam bërë fotografi janë te ekzekutuar 124 persona”, rrëfen Slivova, teksa kujton kohën kur dhe vet ishte pjesë e kolonës së Gollakut.

Tutje ai shton se as sot nuk merr dot guximin që të publikoj fotografi nga ajo kohë me qëllim që të gjej se kush nga personazhet e atyre fotografive janë gjallë. ‘Ja kam lënë kohës që të gjejnë njerëzit veten’, përfundon ai.

Foto: Ridvan Slivova

Suksesi përballë njerëzores

Në një profesion ku numëron më shumë se 30 vite përvojë, sukseset janë të pashmangshme e madje flasin më shumë se çka do tjetër. Fotografitë e shkrepura ndër vite u bënë zëri më i fuqishëm i ekspozitave brenda dhe jashtë vendit.

Krahas Prishtinës, ato udhëtuan ne Pragë, Estoni, Austri, Belgjikë, Francë, Holandë e Gjermani. Kur i kërkohet të flas për to, ai zgjedh fjalët më të thjeshta për të shpjeguar punën e suksesin e tij të madh.

Teksa thekson se ekspozitat marrin shumë kohë, njëkohësisht e konsideron të habitshme se si njerëzit arrijnë të bëjnë një ekspozitë brenda një jave.

“Unë nuk kam një guxim të tillë, ka njerëz të guximshëm, unë jo”, pohon ai.

Slivova ka fituar edhe shumë çmime që nga fillimet e punës së tij e deri më sot. Viti 1992 shënoi një ndër çmimet e tij të para, ‘Ekologjia’ në Prishtinë. Ky sukses vazhdon edhe sot.

Krahas modestisë Ridvan Slivova ngërthen në karakterin e vet edhe njerëzoren, në profesion e në jetën e përditshme.

Ai nuk kufizohet që gjatë ditës të bëjë punën e një fotoreporteri. Krahas kësaj ai mbanë trajnime të ndryshme me persona të ndryshëm. Ndër ta janë edhe fëmijët me Sindromën Down.

“Ajo se çka më pengon tek institucionet dhe tek njerëzit është fakti se pse duhet bërë një ditë ndërkombëtare vetëm për ta, kur ata jetojnë 365 si të gjithë ne”, thotë Slivova teksa pohon se një ndër motivet më të mëdha për të punuar me ta është pikërisht kjo qasje e shoqërisë ndaj tyre.

Foto: Ridvan Slivova

Ridvan Slivova krahas punës në mediume të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, për një vit ai ka punuar edhe për gazetën online për art dhe kulturë KultPlus ku dashurinë e madhe që ka për artin dhe kulturën e ka shprehur përmes fotografive që ka bërë gjatë kësaj kohe.

Krejt në fund të kësaj interviste Slivova thekson se pavarësisht se sa mbërrijmë në jetë, ku shkojmë apo ku vijmë e rëndësishme është të mbesim çdo herë brenda njerëzores./ KultPlus.com

Foto: Ridvan Slivova

97 vite më parë lindi në SHBA personaliteti i filmit dokumentar shqiptar

Endri Keko lindi në Shtetin Maine të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një familje Korçare, më 31 maj 1924. Keko ishte një nga kineastët e parë shqiptarë, i cili u kthye në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me kthimin në Shqipëri në vitin 1930 dhe mbarimin e shkollës fillore në fshatin Dardhë të Korçës ku jetonin prindërit e tij, punon në punë të ndryshme si druvar në pyjet e Moravës, punëtor në kantierin e mirëmbajtjes së rrugës Korçë – Dardhë apo çirak në familjet e mëdha korçare të Abeshinjve dhe Sherkove.

Vjeshta e vitit 1942 e gjen partizan të çetës “Morava”, viti 1943 pjesë të batalionit “Fuat Babani”,  ndërsa çlirimi i vendit në radhët e Brigadës së XV – s.

Karrierën do ta niste si ushtarak, por në vitin 1947 u lirua e nisi punë në Ndërmarrjen Kinematografike prej nga ku në vitin 1950 do të dërgohej në Moskë për t’u përgatitur si regjisor filmi dokumentar.

Me kthimin në Atdhe në vitin 1952, fillon punë në Kinostudion “Shqipëria e Re” duke hyrë në histori si një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare.

Kur regjisori Endri Keko vendosi kutinë e parë në raftet bosh të filmarkivit, ishte data 10 Korrik 1952 dhe në kapakun e saj shkruhej “Kinostudio SHQIPERIA E RE – viti 1952 – Kinozhurnal nr. 1”. Nga ajo ditë e deri më 14 Maj 1979 kur u largua përfundimisht nga krijimtaria dhe vendosi kutinë e 338 në raftet e filmarkivit, ai realizoi 68 filma dokumentarë, 35 filma kronikalë, 38 kinozhurnalë dhe 1 film artistik. “Shqipëria”, “Dritë mbi Shqipëri”, “Pranvera e nëntë”, “Në shtigjet malore”, “Letër nga fshati”, “Ringjallje”, “Vallzim i shqipeve”, “Në flakë të revolucionit”, “Rruga jote, shok”, “Tregim në sytë e nënës”, janë vetëm disa nga titujt e realizimeve të tij ndër më të suksesëshmit e që për atmosferën, këndvështrimin dhe nivelin artistik, për studiuesit e kinemasë mbeten edhe sot një pasuri e çmuar e me vlerë.

Kanë kaluar 40 vjet nga dita kur regjisori Endri Keko u shkëput nga krijimtaria. Megjithatë, ai mbahet mend si regjisori që lëvroi me sukses të gjitha zhanret e saj, që nga filmi kronikal, kinoreportazhi, filmi muzikor e kinopoema deri tek filmi dokumentar e artistik. Fitues i Kupës për filmin më të mirë dokumentar në Festivalin e dytë të Filmit Shqiptar (1977) dhe Festivalin e tretë të Filmit Shqiptar (1979), fitues i Çmimit të Nderit në Festivalin e Karlovy Varyt (Çekosllovaki – 1952), Diplomës së Nderit në Festivalin e Moskës (BRSS – 1959), Medaljes së Bronxit në Festivalin e Parisit (Francë – 1962) dhe Diplomës së Nderit në Festivalin e Lajpsigut (DDR – 1962), fitues i Çmimit të Republikës në vitet 1959, 1970 dhe 1979, fitues i shumë çmimeve në konkurset letrare për skenarë filmash, Endri Keko vazhdon të konsiderohet edhe sot personaliteti më i spikatur dhe më i vlerësuar i gjinisë së filmit dokumentar shqiptar./ KultPlus.com

Aurela Gaçe telefonon live në TV Gjon’s Tears. Ja çfarë i thotë (VIDEO)

Gjon’s Tears këtë të hënë ishte në një intervistë ekskluzive për programin ‘Abc e Pasdites’ me moderatorin Ermal Peçi.

Ai tregoi gjithë emocionin që përjetoi në backstage, por edhe në skenën e Eurovision. Një moment tjetër dhe shumë i veçantë ishte takimi me shumë artistë që përfaqësonin vende të ndryshme. Gjoni tha se me Anxhelën ishte miqësuar aq shumë dhe se kishin suportuar njëri tjetrin.

Në këtë moment, gjatë programit ai emocionohet për fjalët qe Anxhela i ka dedikuar atij në një videomesazh. Anxhela nënvizoi se është shumë e lumtur për këngën e tij që u vlerësua maksimalisht në Eurovizion sepse ai e meritonte.

Ndërkohë Gjoni u shpreh se “Në momentet që kishim nevojë për energji ajo ishte aty. Është artiste shumë e mirë dhe me zemër të madhe. Duhet me i rujt keta njerez”.

Ai mbeti pa fjalë nga telefonata e këngëtares së madhe Aurela Gaçe. Ajo i tha se mbështetjen e ka bërë sepse ashtu e ndjeu, teksa më vonë mësoi se ishte më origjinë nga Vlora, nga fshati shumë afër vendlindjes së saj.

Në këtë moment, gjatë programit ai emocionohet për fjalët qe Anxhela i ka dedikuar atij në një videomesazh. Anxhela nënvizoi se është shumë e lumtur për këngën e tij që u vlerësua maksimalisht në Eurovizion sepse ai e meritonte.

Ndërkohë Gjoni u shpreh se “Në momentet që kishim nevojë për energji ajo ishte aty. Është artiste shumë e mirë dhe me zemër të madhe. Duhet me i rujt keta njerez”.

Ai mbeti pa fjalë nga telefonata e këngëtares së madhe Aurela Gaçe. Ajo i tha se mbështetjen e ka bërë sepse ashtu e ndjeu, teksa më vonë mësoi se ishte më origjinë nga Vlora, nga fshati shumë afër vendlindjes së saj./ ABCNews/ KultPlus.com

Nesër përkujtohet emblema kinematografike, Bekim Fehmiu

Në nderim të jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut, emblemës teatrore dhe kinematografike të Kosovës, do të organizohet ceremoni përkujtimore në 85 vjetorin e lindjes së tij, shkruan KultPlus.

Ceremonia e cila organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të mbahet nesër me filim nga ora 17:30 në objektin e Kino Armatës në Prishtinë ku do të përkujtohet jeta dhe vepra e Bekim Fehmiut./ KultPlus.com

Dua Lipa kryeson në listën “Top Global Albums” të Spotify

Dua Lipa, këngëtarja kosovare me famë të gjerë ndërkombëtare po korr suksese të njëpasnjëshme me albumin “Future Nostalgia”.

Këtë e tregon edhe vetë profili i Spotify në Instagram, të cilët kanë publikuar një postim me statistika të albumeve më të mira dhe Dua ishte në krye të top listës me “Future Nostalgia”.

Me anë të postimit të fundit, Dua lajmëroi fansat se ajo u rendit artistja me albumin në vendin e dytë./KultPlus.com

“Javët e Europës ’21” mbyllen në kalanë e Butrintit

“Javët e Europës 2021” u mbyllën mbrëmjen e djeshme, ndërsa delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri organizoi një aktivitet në Kalanë e Butrintit.

I ftuar për të bërë këtë mbyllje në një mënyrë dinjitoze ishte artisti virtuoz, pianisti dhe kompozitori unik shqiptar Robert Bisha. Koncerti u mbajt në një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti falënderoi në lidhje me këtë mbrëmje ku u ndërthur harmonia dhe bukuria e trashëgimisë tonë kulturore.

“Faleminderit zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë, që gjatë këtyre ditëve dëshmoi dimensionin europian të shqiptarëve” është shprehur Margariti.

Nisur që më 9 maj dhe deri të shtunën më 29 maj, “Javët e Europës 2021” u festuan me një udhëtim 21-ditor nga veriu në jug të Shqipërisë për t’u takuar me qytetarët dhe për t’iu gëzuar veprimtarive të veçanta, panaireve, koncerteve dhe debateve mbi BE-në dhe Shqipërinë./atsh/ KultPlus.com

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Ambasadës Britanike në Kosovë

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministri Çeku priti Ambasadorin Britanik në Kosovë, Nicholas Abbott. Gjatë këtij takimi u nënshkrua memorandum bashkëpunimi në fushën e prokurimit publik, përcjell KultPlus.

“Artistët, sportistët dhe të rinjtë e Kosovës do të kenë më të lehtë suksesin brenda dhe jashtë vendit kur mbështeten në mënyrë profesionale dhe u garantohen shërbime publike cilësore. Prokurimi publik transparent dhe konkurrues është thelbësor për ta garantuar këtë”, thuhet ndër të tjera në postimin e bërë nga ministra në Facebook.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është një nga tri Ministritë që do të mbështeten nga projekti i financuar nga #CSSF “Forcimi i prokurimit publik në Kosovë”, së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit./ KultPlus.com

Pse njerëzit bërtasin?

Një ditë, një mendimtar indian pyeti dishepujt: “Pse njerëzit bërtasin kur ata janë të zemëruar?”. “Bërtasin për shkak se e humbasin qetësinë e tyre”, tha njëri prej tyre. “Por pse të bërtasësh nëse personin e ke pranë?”, pyeti sërish mendimatri.

“Epo, ne bërtasim sepse duam që personi tjetër të na dëgjojë”, u përgjigj një tjetër dishepull. Dhe mësuesi u kthye me pyetjen: “A nuk mund të flisni me të me zë të ulët?. U dhanë përgjigje të tjera të ndryshme, por asnjëri nuk e ka bindur mendimtarin.

Pastaj ai shpjegoi: “A e dini pse i bërtisni një personi tjetër kur jeni të zemëruar? Fakti është se kur dy njerëz janë të zemëruar, zemrat e tyre largohen shumë. Për të mbuluar këtë distancë duhet të bërtisni për të dëgjuar. Sa më shumë të zemërohen ata, aq më fort do të duhet të bërtasin për të ndjerë njëri-tjetrin.

Nga ana tjetër, çfarë ndodh kur dy njerëz janë në dashuri? Ata nuk bërtasin, flasin me zë të ulët. Dhe pse? Sepse zemrat e tyre janë shumë afër. Distanca ndërmjet tyre është e vogël. Ndonjëherë zemrat e tyre janë aq afër sa që as nuk flasin, thjesht pëshpërisin.

Dhe kur dashuria është më intensive, nuk është e nevojshme të pëshpëritësh, thjesht shikohesh në sy. Zemrat e tyre janë bërë një e vetme. Kjo është ajo që ndodh kur dy njerëz që e duan njëri-tjetrin afrohen”.

Së fundmi, mendimtari përfundoi duke thënë: “Kur debatoni apo diskutoni, mos lejoni që zemrat tuaja të largohen, mos thoni fjalë që mund t’i ndalni, sepse do të vijë një ditë kur distanca do të jetë kaq e madhe saqë ata kurrë nuk do ta gjejnë më rrugën e kthimit”. (Gandhi) / KultPlus.com

‘Friends’ ka ndihmuar njerëzit që të mësojnë anglishten

E vërtetë apo e gabuar: Në shfaqjen televizive “Friends”, Monica Geller ishte e ftuar në dasmën e Rachel Green.

Pyetja është pjesë e një testi anglishteje për studentët ndërkombëtarë në San Hoze të Kalifornisë, që bazohet tërësisht në episodin pilot të shfaqjes, raporton The New York Times, përcjell KultPlus.

Ajo është krijuar nga Elif Konus, një mësuese nga Turqia, e cila dikur shikonte “Friends” për të përmirësuar anglishten e saj.

Klasa dhe zakonet televizive të mësuesit, ilustrojnë një fenomen ndërkombëtar që u shfaq në vitet 1990 dhe ka qëndruar në breza të tërë: Të rinjtë që nuk janë anglishtfolës amtarë, duket se kënaqen duke mësuar gjuhën me ndihmën e serialit.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas episodit të fundit të “Friends”, studentët dhe edukatorët thonë se shfaqja, funksionon mirë si një burim mësimi. / KultPlus.com

UP pas 52 vjetësh me rregullore për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale, kërkohen ndryshime

Era Berisha

Me rastin e reagimit të shoqërisë civile lidhur me miratimin e ‘Rregullores për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi në Universitetin e Prishtinës’ nga Universiteti i Prishtinës, sot u shpalos deklarata publike e pjesëtarëve nga shoqëria civile dhe universitetit të përfshirë në procesin e draftimit të rregullores para Rektoratit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës me 11 maj ka miratuar Rregulloren për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në Universitetin e Prishtinës e cila zbatohet për të gjithë personelin akademik, jo akademik dhe administrativ. Prandaj, Universiteti i Prishtinës ka aprovuar rregullore për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimi seksual pas dy dekadave kërkesave nga studentët, njësitë akademike dhe shoqëria civile.

Po ashtu është bërë e ditur se rregullorja e përkufizon ngacmimin seksual si ”çfarëdo forme të sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale apo fizike të natyrës seksuale dhe/apo psikologjike, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, degradues, nënçmues dhe fyes”.

Ngacmimi seksual është konsideruar formë e diskriminimit në bazë të gjinisë për shkak se i prek di proporcionalisht gratë dhe/apo i shënjestron ato për shkak se janë gra. Në 52 vite që nga themelimi i UP-së, nuk ka pasur asnjë udhëzues apo rregullore që e adreson problemin e ngacmimit seksual që nxit të gjithë studentët të raportojnë çfarëdo sjellje ngacmuese e diskriminuese në organet kompetente në UP dhe jashtë saj.

Rregullorja për mbrojtjen nga ngacmimi seksual është konsideruar hap i rëndësishëm historik për Universitetin e Prishtinës dhe respektimin e të drejtave të njeriut e në veçanti për të drejtën e trajtimit të barabartë.

Në këtë ngjarje u shpalosën aspektet pozitive të kësaj rregullore për mbrojtje nga ngacmimi seksual si:

1. Rregullorja e parasheh një pozitë pune të Zyrtarit/es për mbrojtje nga ngacmimi, i/e cila do të jetë përgjegjës/e, mes tjerash, për pranimin e denoncimeve për ngacmim dhe ngacmim seksual, për këshillim dhe informim të palëve lidhur me procedurat e paraqitjes së denoncimit dhe zhvillimin e procedurave disiplinore.

2. Zyrtari/ja mbrojtje nga ngacmimi do të raportojë një herë në vit para Senatit të Universitetit të Prishtinës për numrin e rasteve të paraqitura për këshillim, numrin e rasteve të hetuara, rasteve të përmbyllura dhe masave të shqiptuara ndaj personave përgjegjës për ngacmim dhe ngacmim seksual.

3. Procedura disiplinore për ngacmim seksual zhvillohet brenda universitetit pavarësisht nga procedura penale – pra edhe nëse ka paraqitur personi kallëzim penal në polici për rastin e njëjtë mund të zhvillohet procedura administrative brenda Universitetit.

4. Personat që nuk janë të sigurtë se a dëshirojnë të iniciojnë procedurë disiplinore mund ta denoncojnë ngacmimin seksual me raportim jo-formal, të cilin më vonë mund ta kthejnë në denoncim formal.

5. Në rastet ku pretendimet për ngacmim seksual konstatohen si të pasakta, denoncuesi/ja nuk mund të mbahet përgjegjës për deklarim të rrejshëm nëse denoncimin dhe informatat i ka paraqitur me mirëbesim.

Ndërsa, Qendra për Art dhe Komunitet ‘Artpolis’, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ‘ORCA’, Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore UP, Qendra Kosovare për Studime Gjinore ‘QKSGJ’, Rrjeti i Grave të Kosovës ‘RrGK’, Dr.Adriana Qosaj-Mustafa si dhe Rina Kika, gjithashtu kanë bërë të ditur edhe disa nga çështjet që do të vazhdojnë të kërkojnë ndryshimin e tyre në Rregullore si:

1. Afati për paraqitjen e raportimit të ngacmimit seksual, duke kërkuar që ky afat të jetë 5 vite, siç parashihet edhe me ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, ndërkaq në UP ka marrë vendim jo transparent që ky afat të jetë vetëm 1 vit. Pra, subjektet raportuese mund ta raportojnë rastin e ngacmimit seksual deri në 1 vit pasi të ketë ndodhë. Ne vazhdojmë ta konsiderojmë këtë afat shumë të shkurtër duke rikujtuar se viktimat pavarësisht nga afati 1 vjeçar i UP-së, mund të paraqesin ngacmimin seksual në polici si vepër penale ose të paraqesin padi për diskriminimin në gjykatë.

2. Ne kemi kërkuar që trajnimi për ta kuptuar ngacmimin seksual dhe mbrojtjen nga ai, duhet të jetë obligativ dhe për personelin akademik edhe për studentët, ndërkaq kjo është ndryshuar në fund duke ia lënë UP-së diskrecionin që sipas nevojës të përgatitë udhëzues për këto çështje.

3. Barra e provës është përcaktuar se bie në të dy palët procedurale, megjithëse kërkesa jonë ka qenë në përputhje me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, barra e provës të bie mbi subjektin e dyshuar.

4. Rregullorja përcakton se Denoncuesi/ja detyrohet të nënshkrua deklaratë për përgjegjësi morale, etike, disiplinore dhe penale që i bart lidhur me denoncimin. Edhe pse kjo mund të jetë menduar sa për ta rikujtuar denoncuesin/en për përgjegjësinë e raportimit, konsiderojmë se është formalizëm i tepruar që mund të ketë efekt frenues te viktimat e ngacmimit seksual në paraqitjen e rasteve të reja.

5. Zyrtari/ja në bazë të Rregullores ka afat 24 ditë pune për ta njoftuar Këshillin e Etikës për raportimin e denoncimit. Ky afat gjatë procesit të konsultimit dhe draftimit të rregullores ka qenë 24 orë. Afati 24 ditë pune është krejt i paprecedent në rregullore, ligje, akte administrative etj. Ky gabim është shembull i  pasojave të mos-transparencës në vendimmarrje, siç ndodhi në fazën e fundit të miratimit të rregullores ku ne nuk u konsultuam e as nuk u njoftuam me draftin përfundimtar.

Këto vërejtje dhe kritika janë parashtruar për arsye se Rregullorja duhet të jetë një kornizë që ofron mbrojtje nga ngacmimi seksual dhe inkurajim për të gjithë personat e prekur nga ky fenomen negativ dhe prandaj duhet të raportohet në Universitetin e Prishtinës.

Kështu krejt në fund, u bë thirrje ndaj Universiteti të Prishtinës që zyrtari/ja për ngacmim seksual të emërohet në një proces transparent të monitoruar nga afër prej organizatave të shoqërisë civile, me ç’rast u ofrua asistencë, ndarje të praktikave më të mira për zyrtarin ose zyrtaren e përzgjedhur për ngritjen e kapaciteteve në trajnimin e raportimeve të ngacmimit seksual, ndihma e tyre ndaj studentëve duke i informuar dhe vetëdijesuar ata mbi ngacmimin seksual. / KultPlus.com

Studentja kosovare përfiton bursë të plotë studimi në Universitetin prestigjoz francez, ‘Science Po Rennes’

Kolegji Universum lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë. Në kuadër të marrëveshjes së Kolegjit Universum me Universitetin prestigjoz francez “Sciences Po Rennes”, studentja e Kolegjit Universum Bleona Sylejmani ka fituar bursë të plotë për studime në Francë (dokumenti i bashkangjitur).

Bleona si shumë studentë të tjerë të Kolegjit Universum do ti vazhdon studimet në   “Sciences Po Rennes” një nga 10 institutet e shkencave politike në Francë, që konsiderohet nga shkollat më madhështore në botë.

Shumë krerë shtetëror kanë diplomuar në”Sciences Po Rennes” si Chandrika Kumaratunga, ish President i Sri Lanka, Sir Austen Chamberlain – Sekretar i Shtetit për Punët e Jashtme dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe, Pierre Trudeau – Kryeministër i Kanadasë, Rainier III – Princi i Monakos, Pierre Werner – Kryeministër i Luksemburgut, Esko Aho – Ish Kryeministër në Finlandë. Dhe presidentët francez Emmanuel Macron, François Hollande, Jacques Chirac, François Mitterrand, Georges Pompidou dhe shumë emra të tjerë të njohur.

Kolegji Universum, mbetet lider për mundësitë ndërkombëtarë për studentët! Deri sot 365 studentë të Kolegjit Universum dhe 115 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi.

Për informata shtesë kontakto Kolegjin Universum në [email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062.

(Shkrim i sponsorisuar nga Universim)

Korça mikëpret festivalin ‘Shpirti i Ballkanit”, promovohet folklori dhe traditat e raojnit

Në qytetin e Korçës u zhvillua edicioni i tretë i festivalit “Shpirti i Ballkanit” ku trupa të ndryshme nga vende të rajonit performuan valle dhe muzikë folklorike.

Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, njëkohësisht organizatore e festivalit tha se kjo nismë synon të ruajë folklorin si dhe është mënyra më e mirë për tu rikthyer në normalitet pas më shumë se një viti në pandemi

Ndryshe nga edicioni i parë këtë vit COVID-19 diktoi një formë tjetër organizimi në të cilën morën pjesë vetëm 3 ansamble, Ansambli i Bitolës së Maqedonisë, Ansambli i Skëndërbeut dhe ai i Shqiperisë së Mesme.

Kita tha se “ky festival synon të ruajë traditën e këmbimin e eksperiencave dhe ruajtjen e urave të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit”.

“Ne dëshirojmë që të ruajmë në vazhdimësi vlerat e folklorit tonë dhe prandaj e kemi marrë këtë iniciativë. Vjet u përpoqëm në një formë virtuale që të realizonim disa bashkëpunime me disa nga vendet e Ballkanit, ndërsa sivjet u rikthyem në skenë. Shpresojmë që pandemia do të marrë fund dhe ne vitin tjetër do të kemi një festival edhe më të madh në numrin e trupave pjesëmarrëse”, tha Kita.

Këngët popullore folklorike, vallet dhe muzika instrumentale u duartrokiten nga artdashësit korçarë, por dhe turistët e pranishëm në skenën e Pazarit të Vjetër të Korçës.

Një prej anëtarëve të ansamblit “Skënderbeu”, Ines Sulenjis, rrëfeu emocionet e një shfaqje përpara publikut pas një viti pandemi.

“Ishte një ndjesi e papërshkrueshme pasi gjithë trupat nuk ishin mbledhur kurrë pas kësaj kohe pandemie dhe mezi po prisnim të vinim në skenë”, tha ajo.

Një ndër artistët e ansamblit Bitola të Maqedonisë vlerësoi festivalin dhe uroi që vitin tjetër ai të organizohet më i madh.

“Festivali ka qenë i mrekullueshëm, organizimi gjithashtu. Jemi të lumtur që jemi pjesë e tij dhe shpresojmë që vitin tjetër të jetë më i madh”, tha një ndër artistët e Ansamblit Bitola.

Vitin e ardhshëm ky festival pritet të vijë me një program më të zgjeruar dhe pjesëmarrje më të madhe të shteteve të Ballkanit. /atsh/ KultPlus.com

Filmi i restauruar ‘Vdekja e Kalit’ me audiencë nga e gjithë bota

Filmi shqiptar me titullin “Vdekja e Kalit” pas restaurimit u shfaq për publikun me cilësi të re të figurës por edhe të zërit.

Filmi mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro, skenar të Nexhati Tafës dhe është realizuar më 1992. Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Niko Kanxheri janë ndër aktorët të cilët interpretojnë në mënyrë të shkëlqyer në këtë film.

Ky film u mendua që të rishfaqet edhe një herë tjetër për publikun, por tashmë me këtë cilësi maksimale. Shfaqja u bë në kanalin zyrtar të YouTube të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit nga datat 19 deri më 26 maj. Për publikun ndërkombëtar u mendua edhe shoqërimi i tij me titra në anglisht.

Restaurimi dhe prezantimi i filmit “Vdekja e kalit” (The Death of a Horse) u mundësua falë programit sezoni i filmave klasikë (A Season of Classic Films), nismë e Shoqatës së Kinematekave Europiane – ACE (Association des Cinémathèques Européennes) ku AQSHF është anëtare prej 2019, dhe me mbështetjen financiare të programit Creative Europe MEDIA. Gjithashtu filmi u restaurua falë punës së ekspertit izraelit të restaurimit Shai Drori, dhe kineastit australian, Steven Kastrissios.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën me dije se “gjatë ditëve që u shfaq ky film, u ndoq nga 2977 shikues kudo në botë. Shikuesit ndër të tjera ishin nga Japonia në Gjeorgji, të cilët e  ndoqën online restaurimin Vdekja e Kalit, ndërsa vijnë lajme të mira nga partnerët tanë në laboratorin Cinegrell, Zvicër – ku po restaurohet filmi i parë artistik shqiptar, Tana”.

AQSHF falënderon Cinegrell dhe supervizoren Louise Burkart. /atsh/ KultPlus.com

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Tetovë

Veprat e kompozitorëve botërorë dhe shqiptar si: Benjamin Britten, Jean Sibelius, Karl Jenkins, Valton Beqiri si dhe Drinor Zymberi do të gjallërohen nën dirigjimin e Agona Cupit, me rastin e realizimit të koncertit nga Orkestra Harmonike së Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Koncerti realizohet në kuadër të sezonit 2020/2021 dhe do të mbahet të premten duke filluar nga ora 19:00 në Qendrën e Kulturës “Ilo Anteski Smok‘’ në Tetovë, Maqedoni e Veriut.

Koncerti organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Komunën e Tetovës dhe KTV-së. / KultPlus.com



ETEA: Kopjimi në testin e arritshmërisë ishte në përmasa masive

Reagim lidhur me testin e arrtishmërisë

Organizata ETEA ka përcjellë me shqetësim zhvillimet përgjatë organizimit të testit të arritshmërisë, përkatësisht shpërputhjet e raportimeve të përsonave përgjegjës mbi mbarëvajtjen e testit dhe deklaratat e nxënësve mbi nivelin e lartë të kopjimit përgjatë testit.

Më 28.05.2021 në Kosovë u organizua testi i arritshmërisë për rreth 26000 nxënës të klasëve të 9-ta në 156 qendra të testimit në të gjithë territorin e Kosovës.

Por, cila në fakt është besueshmëria e rezultateve të testit të arritshmërisë?

Në komunikimet më të thjeshta të stafit të organizatës ETEA me nxënësit/et që i janë nënshtruar këtij testi, kuptohet se format e mashtrimit janë evidente dhe kopjimi në këtë test ishte në përmasa masive.

Janë 2200 administrues dhe 460 komisionerë të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij testi, të cilët, sipas deklaratës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – nuk kanë raportuar asnjë parregullësi. Por krejt tjetër çka, tregojnë fotot e bashkangjitura në këtë reagim.

Për më tepër, sipas nxënësve me të cilët stafi i organizatës ETEA ka komunikuar, janë vetë administruesit/et e testit (jo të gjithë) të cilët mundësojnë kopjimin dhe i kontribuojnë kësaj ndërmarrjeje masive për mashtrim. Njëri/a nga nxënësit/et tregon se administruesi/ja ishte në dijeni për ekzistencën e grupeve online për kopjim (shih fotot e bashkangjitura), me ç’rast i udhëzon nxënësit/et që të mos shkruajnë në ato grupe për shkak të identifikimit potencial dhe të dalin nga grupet menjëherë pas përfundimit të testit. Kjo dëshmohet edhe me faktin se nxënësve iu është lejuar mbajtja e telefonave dhe përdorimi i tyre pasi komunikimi mes nxënësve në këto grupe vërehet së është bërë përgjatë kohës së zhvillimit të testit.

Gjithsesi, organizata ETEA rezervohet nga qendrimet përkatëse lidhur me deklaratat e nxënësve për administruesit/et e testit, vetëm se i bëhet thirrje publike Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përfshirë Drejtorive Komunale të Arsimit, që të zhvillojnë komunikime me nxënësit/et dhe të zbulojnë më shumë informacion. Nuk janë dhe nuk duhet trajtuar vetëm komisionerët dhe administruesit/et e testit si burim informate.

Testi i arritshmërisë, i organizuar në këtë mënyrë, në fakt shkakton kundër efekt. Një nxënës/e i/e me nota të mira përgjatë viteve shkollore, në fund përballet me një situatë e cila ia vë në pah jorelevancën e përpjekjës së tij/saj për të nxënit e dijes dhe arritjen e notave të larta. Në ndërkohë që një nxënës/e me nota të dobëta arrin rezultate të mira në testin e arritshmërisë, gjë që e fut në dimensione iluzive duke i krijuar besim të rrejshëm mbi dijet dhe aftësitë e tij/saj. Fundja, sistemi e certifikon me të tilla rezultate.

Fenomeni i kopjimit është rrënjosur në shkollat tona. Në raportin hulumtues të organizatës ETEA me titull “Lexueshmëria në shkollat e mesme të ulëta publike të Komunës së Prishtinës”, publikuar në vitin 2019, 78.6% e nxënësve të klasëve të 9-ta vetëdeklarohen se kopjojnë referatet dhe detyrat shkollore.

Dhe kjo pashmangshëm se është e nënkuptueshme. Përderisa, nota mesatare e nxënësve kosovarë shpeshherë shkon në 4.5 dhe testet nacionale iu jepin atyre pikët më të larta, testet ndërkombëtare PISA dhe TIMSS pjesën dërrmuese të tyre i nxjerrin analfabetë funksional.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inoavcionit duhet urgjentisht të inicojë politika publike për ta minimizuar skajshmërisht fenomenin e kopjimit në sistemin arsimor paraunversitar të Kosovës dhe të marrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që në një a tjetër mënyrë e lejojnë apo mundësojnë kulturën mashtruese në mjediset edukativo-arsimore. / KultPlus.com

Ç’të bësh?

Poezi nga Dritëro Agolli

Ç’të bësh kur s’të flihet ,
Ç’të bësh kur je vetëm, me cilin të zihesh ,
Me cilin të rrihesh?

Ç’të bësh kur s’të flihet,
Ç’të bësh kur je vetëm, cigarja të pihet,
Çakmaku s’të ndizet!

Ç’të bësh kur s’të flihet,
Ç’të bësh kur je vetëm, me cilin të gdhihesh
Dhe natës t’i fshihesh? / KultPlus.com