Energjia e brendshme shpirtërore e cila portretizohej në interpretimin e pianistit Stephan Moller, shpalosi spektrin e një dëshpërimi dhe krize të thellë përmes së cilës pianisti gjeti një gjuhë me publikun duke i folur shpirtërisht secilit prej tyre për karakterizimin sharmant të kontrastit të veprave të Beethovenit, ku ndjenjat më të thella të cilat janë fshehur brenda qenies njerëzore u plasaritën në lojën e duarve që ngjanin në kthetrat e një tigri, të cilat furishëm rrjedhnin në melodi e tinguj, shkruan KultPlus.
Mbizotërimi i ngjyrës së kuqe nga tapeti i shtruar në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare, dritat e ngrohta të vendosura në skaje të sallës dhe reflektorët me ngjyrë të vjollcë po krijonin një atmosferë që pa marrë parasysh se mbetet e njëjta çdo herë, mos durimi i të pranishmëve për të dëgjuar talentin e pianistit Stephan Moller, ishte prezent dhe dallohej në fytyrat e secilit. Pas një pritje të shkurtër, publiku në ulëset e tyre priti pianistin austriak me duartrokitje të cilat intensitetin e tyre e shtonin pas çdo përfundimi të veprës së interpretuar nga ai.
Hapjen e natës së mbrëmshme të festivalit Chopin Piano Fest, e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lejla Pula, të cilat janë shprehur se ndjehen mjaft të lumtura që pavarësisht se kjo është hera e dytë që pianisti prek skenën e Prishtinës, ai mezi ka pritur për të performuar përsëri.
Ndërsa, është bërë e ditur se për nder të 250 vjetorit të lindjes së Ludwig van Beethoven, kjo mbrëmje sjell interpretimin e disa sonatave më të njohura të Beethovenit nga pianisti austriak dhe njëkohësisht vjen si pjesë e projektit të tij ‘32 sonata të Beethoven në 32 qytete të ndryshme’.
Pas këtyre informacioneve dhe urimeve për një natë të këndshme, heshtja absolute që tashmë është bërë pjesë kyçe e të pranishmëve, zuri vendin e saj në një pakufizim përjetësie që përcolli këtë natë së bashku me ndërrimin e ngjyrës së qiellit nga e kaltër e hapur në atë të mbyllur që vërehej nga dritarja rrethore e vendosur në mesin e objektit.
Në skenë, me një qëndrim të pakrahasueshëm, hedhje të hapave precize, kostum të denjë që portretizonte instrumentin bardh e zi si dhe pozita e tij e përuljes falënderuese dhe e uljes në karrigen e posaçme, veçse ishte fakti i parë që dëshmoi për një njeri që ka lindur për të performuar në piano. Moller nisi interpretimin e tij me veprën ‘Sonate G-Dur, op.31 Nr.1’, një fillim ky që nisi me melodi lozonjare dhe të lehta e humoristike por që aspak nuk po e parashikonte fundin e këtij koncerti.
Ndërveprimi i vazhdueshëm me pianon e vinte në pah lojën mjeshtërore të Moller, me ç’rast pozita e tij herë i afrohej afër instrumentit në një përqafim të afërt ku pothuajse i rrethonte komplet çelësat e pianos e herë tjetër shpina e tij shndërrohej në një vijë vertikale që largohej plotësisht nga çelësat për të sjellë melodi të cilat karakterizoheshin nga kthjelltësia e pastër që ato posedonin. Në ndërkohë, shprehjet e tij të fytyrës ishin kryevepra e cila shpaloste ndjeshmërinë artistike të Moller, për të cilin, përhumbja totale nën botën e tingujve diversive, ishte shndërruar në një vepër arti duke bërë që shikimi i tij as për një sekondë të vetëm të mos kthehej nga audienca por të futej thellë në ekstazën hyjnore që e kishte kapluar atë përgjatë gjithë natës.
Gishtërinjtë së bashku me vështrimin e tij po i qëndronin besnik çelësave bardh e zi kurse tingujt dhe meloditë që po përhapeshin në atmosferë, hynin në copëzën më të ndjeshme të shpirtit, aty ku edhe vështrimi më introvert nuk do mund të depërtonte. Ndikimi dramatik vinte rrjedhshëm nga sonatat e pianos që luanin mes vete në një ndërlidhje komplekse mjaft të pasur. Orientimet e lëvizjeve stoike të trupit të tij, ndonëse dukeshin precize e të vrazhda, ato i jepnin një frymë të mprehtë pasurore që nuk mungoi as për një moment të vetëm.
Moller, përgjatë dy orë interpretimi të veprave të njohura nga kompozitori Ludwig van Beethoven, shfaqi një posedim unik të interpretimit ku e tërë qenia e tij njerëzore dhe shpirtërore u rrëmbye vrullshëm nga lëvizjet e papritura e të paparashikuara për publikun. Kurse, lëvizjet e vogla të fytyrës së tij në dy anë, lëvizja e vetullave në një tkurrje përqendrimi dhe lëvizjet e tij trupore që dukeshin të dalura jashtë kontrollit, pasqyronin një univers të tërë ku publiku ishte bërë një me heshtjen dhe Moller ishte shndërruar në një pikturë lëvizëse që po admirohej për ngjyrat e ndezura e të thella muzikore të cilat ai i dhuronte me aq pasion.
Interpretimi në një nivel të madhështisë artistike dallohej edhe atëherë kur ai mbyllte sytë dhe shpirti i tij dilte jashtë guaskës me një adrenalinë dhe energji që vazhdimisht grabiste rrahjet e zemrave të audiencës duke i drejtuar ata drejt një fundi që do të lë një prekje pothuajse të mistershme në kujtesën tonë. Andaj, vepra e fundit e titulluar ‘Sonata op.57, f-mol, ‘Appassionata’, dhuroi një gërshetim të dëshpërimit, hidhërimit dhe dhimbjes, që Moller e solli në një nivel që ngjasonte tërësisht me ndjenjat që vetë Beethoven kishte ndjerë kur ka krijuar këtë kompozim.
Kështu, krejt në fund, pas dy orë interpretimi, fokusi i syve të njeriut sa vinte e zvogëlohej në një errësirë ku drita e vetme do të ishte Moller, pianisti që po i dedikonte melodi qenies njerëzore me një pasion që flakërohej nën zjarrin e tingujve të pashoq duke krijuar një përshtypje se meloditë vinin nga cicërima zogjsh të dashuruar marrëzisht pas muzikës.
Pas kësaj elegance të mahnitshme performimi dhe ndjenjave të pashpjegueshme, të pranishmit për 5 minuta interpretuan një ndërlidhje të duartrokitjeve dhe brohoritjeve që u shndërruan në një frymë që solli buzëqeshjen e shumëpritur të pianistit. Fytyra e tij jo vetëm që vezullonte nga pikët e djersës që po i binin, por buzëqeshja e tij vazhdonte të gjallërohej tutje sa herë që ai kthehej për ta falënderuar publikun për duartrokitjet e pa ndalura.
Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe atij interpretimi magjik, për KultPlus foli vetë pianisti, Stephan Moller, i cili numëron herën e dytë të performimit në Prishtinë.
‘’Ishte një mbrëmje e mrekullueshme, në njërën anë jam pak i mërzitur që mbaroi por në anën tjetër është një ngritje e mentalitetit dhe vërtet do të doja të filloja përsëri të luaj. Unë nuk jam i lodhur fare sepse muzika jep energji dhe nuk merr, e sidomos rrahjet muzikore dinamike”, thotë Moller.
Sipas tij, të gjitha sonatat e Beethoven janë të bukura dhe në fakt janë si fëmijët e tij dhe nuk mund t’i veçonte, por ajo që ai specifikoi ishte sonata e 31 që ka shumë aspekte të perfeksionit dhe prandaj ai edhe e ndjen atë më së shumti kur e luan.
“Më ka marrë kohë pak që të vija këtu, por unë u ndjeva si në shtëpi dhe shpresoj se nuk do të jetë hera e fundit sepse ishte shumë interesante që të ndjeja rezonancën e publikut që ishte shumë më e fortë në pjesën e dytë sepse pjesët e karakterit të errët u pëlqyen më shumë sesa ato të karakterit të lehtë dhe humoristike në pjesën e parë. Prandaj, ishte shumë e mirë që performova në këtë rend”, përfundon Moller duke na lënë me shpresë që shpejt do të përjetojmë një tjetër performancë nga ai.
Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 14 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e tretë e këtij festivali, vjen më datë 10 qershor ku do të interpretojë pianisti hungarez Gergely Kovács në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com
Aktorja e njohur britanike, Keira Knightley, ka folur së fundmi për atë se si ngacmimi seksual është shndërruar në një problem të madh për secilën grua, dhe ka treguar që nuk njeh asnjë person në jetën e saj që nuk ka qenë pre e këtij fenomeni të keq, përfshirë këtu edhe veten.
Ylli 36-vjeçar i kinematografisë ka bërë të ditur se, nga prekja fizike e deri tek zhveshja e pahijshme, secila grua është ngacmuar apo sulmuar në një mënyrë apo tjetër.
Në një intervistë për revistën “Harper’s Bazaar”, e cila del në shitje të mërkurën më 9 qershor, aktorja hollywoodiane tha se kjo situatë për të ishte shumë e rëndë dhe depresive.
E pyetur nëse është ngacmuar ndonjëherë, Knightley deklaroi: “Po! Dua të them, secila grua është ngacmuar ndonjëherë. Në kuptimin e plotë të fjalës, unë nuk njoh një grua të vetme e cila nuk ka përjetuar ngacmim në një formë apo tjetër, duke filluar nga prekja fizike, zhveshja e pahijshme apo sharja me fjalë kërcënuese si ‘do të ta pres fytin, apo do të të qëllojë grushte fytyrës. Vetëm kur gratë filluan t’i përmendin të gjitha masat e sigurisë që i ndërmarrin sa herë kthehen në shtëpi në orët e vona të natës, e kuptova që edhe unë i bëjë të gjitha këto gjëra për t’u siguruar që të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi. Më e keqja është se unë i bëjë këto gjëra pa i menduar fare, pra janë shndërruar në sjellje rutinore të jetës”.
Knightley në të kaluarën ka folur për faktin se nuk ndihet rehat të xhirojë skena intime në filma, dhe atë se si gratë pritet të jenë flirtuese ose amënore.
“Nëse ndonjëherë do të vendosja ta realizoja një film i cili e përshkruan rrugëtimin e të qenit nënë dhe fokusohet në pranimin e trupit tënd si grua, atëherë më vjen keq por këtë film do të pranoja ta realizoja vetëm me një regjisore. Nuk kam asnjë kufi në rolet që i pranoj, por tregohem e kufizuar kur punoj me burra”.
Kurse në intervistën e fundit, aktorja që është nënë e dy fëmijëve dhe e cila besohet se është tërhequr nga drama historike, “The Essex Serpent”, për t’u kujdesur për fëmijët e saj në kohën pandemisë, po ashtu tregoi se është kujdesur që ta mbajë familjen në disponim të mirë gjatë karantinës.
“Ne e kemi një trampolinë në kopsht dhe kështu vendosëm që sa herë të përdorim atë, të vishemi me fustane. Unë vendosja buzëkuq dhe e vishja secilin fustan të markës ‘Chanel’ që e posedoj, kurse vajza ime Edie vendoste fjongo ‘Chanel’ në flokë dhe krahë zanash. Dua të them, çfarë kuptimi ka të posedosh veshje kaq të bukura të cilat vetëm qëndrojnë të palosura në gardërobe, derisa jashtë ndihesh sikur ka ndodhur apokalipsi dhe gjithçka lidhet me frikën. Më dukej e rëndësishme që të gjithë të ndiheshim të lumtur, për të mirën e fëmijëve”.
Keira Knightley i ka dy fëmijë, Edie dhe Delilah, me bashkëshortin James Righton, i cili është muzikant dhe ish-anëtarë i bendit “Klaxons”. / KultPlus.com
Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë për media lidhur me aksidentet me fatalitet që po ndodhin në vendin tonë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti tha se kanë filluar të instalojnë një procedurë ku çdo aksident me fatalitet do të hetohet, madje ai tha se përgjegjësi për këto aksidente do të kërkohet edhe nga policia e deri tek eprorët për të kuptuar se a është mbuluar në mënyrë preventive ajo rrugë ku ka ndodhur aksidenti.
“Ne kemi filluar me instalua një procedurë ku çdo aksident me fatalitet duhet të bëhen hetime nëse rruga është mbuluar në mënyrë preventive, nëse ka pasur patrulla të policisë të mjaftueshme, nëse ka pasur plane opoeracionale, nëse janë shqiptuar gjoba në atë rrugë çfarë gjobash janë shqiptuar. në përudhën në vijim ne do të kërkojmë përgjegjësi prej çdo njërit brenda policisë rreth aksidentit prej policit e deri tek eprorët,“- është shprehur Mehmeti. /AtvLive / KultPlus.com
Kinematografia kosovare sot përjetoi edhe një lajm gëzimi. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, shkruan KultPlus.
Menjëherë pas këtij lajmi, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku bashkë me këshilltarin e tij, Liburn Jupollin, kanë pritur në kabinetin e tij regjisoren e këtij filmi, Luama Bajrami.
Luana në këtë takim ishte e shoqëruar nga producentja, Valbona Rrahmani, asistenti i produksionit, Lavdrim Krenzi, Arben Zharku, Drejtor i QKK dhe Lum Çitaku, zyrtar për marrëdhënie me publikun në QKK.
Gjatë këtij takimi, Ministri Çeku i uroj për suksesin ndërsa u diskutua për rëndësinë që kanë paraqitjet e tilla me vlerë për promovimin e Kosovës dhe gjithashtu punën e mirë që po bëjnë të rinjtë e vendit tonë, duke na bërë krenar në botë.
“Luaneshat e Kodrës”, flet për një histori që zhvillohet diku në një fshat të vogël në Kosovë, ku tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë.
Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim është përfshirë në një replikë të pazakontë në rrjetet sociale me një komentues, i cili e ka etiketuar atë si ‘kineze’.
Yuri Kim postoi një ditë më parë një foto me këngëtaren Ermira Babaliu në qytetin e Pogradecit, ndërkohë që një prej ndjekësve të saj në Instagram ka shkruar për dashurinë “shqiptaro-kineze”. ‘Dashuria Shqiptaro-Kineze është një histori e vjetër dhe e bukur”, shkruan komentuesi në “Instagram”.
Nga ana tjetër, Ambasadorja e SHBA-ve, i ka kthyer përgjigje ndjekësit, madje ka shkuar më tej duke e ftuar atë për një bisedë në zyrën e ambasadës Amerikane. Në mesazh, Kim thekson se do e sqaronte ndjekësin për Kombin e saj, ndërkohë që ai duhet t’i tregonte pse mendonte se ajo ishte ‘kineze’.
“Jam e çuditur nga komenti juaj. Ju mirëpres në zyrën time në Ambasadën Amerikane për një bisedë, ku mund t’iu tregoj për historinë krenare të vendit tim si një “Komb i Emigrantëve”, ndërsa ju mund të më thoni pse mendoni se jam “kineze. Ju lutem më thoni nëse dëshironi të vini për një kafe dhe bisedë. Kjo është një ftesë e sinqertë”, shkruan në replikë ambasadorja. Pas ftesës për një kafe dhe një bisedë në ambasadë, komentuesi e ka konsideruar vetën si njeriun më me fat në Shqipëri.
“Jam njeriu më me fat në Shqipëri! Askush nuk ka marrë një ftesë publike nga Ambasada Amerikane për një kafe dhe një bisedë të sinqertë! Unë e vlerësoj shumë ftesën tuaj zonjë, ne do të flasim për kulturat tona dhe të tjera. Zoti bekoftë Amerikën.”, shkruan komentuesi. / Mapo / KultPlus.com
Nora Gjakova ka arritur të kualifikohet në çerekfinale të Kampionatit Botëror të xhudos që po mbahet në Budapest të Hungarisë.
Gjakova në raundin e tretë e mundi garuesen nga Holanda, Sanne Verhagen me Wazari në Golden Score, shkruan Gazeta Express.
Paraprakisht, Gjakova kishte mposhtur polaken Julia Kowalczyk në raundin e dytë, kurse në raundin e parë kishte kaluar pa lojë.
Akil Gjakova është eliminuar pak më herët nga Kampionati Botëror i Xhudos 2021 në Hungari, pasi e humbi luftën e parë kundër italianit Giovanni Esposito të martën.
Ai i bashkohet Flaka Loxhës dhe Distria Krasniqit si tre nga pesë xhudistët kosovarë që dëshpëruan në këtë turne në Budapest.
Megjithatë, Kosova ende i ka edhe dy xhudistë në garë për medalje, Nora Gjakovën në kategorinë -57 kilogramë dhe Laura Fazliun në kategorinë -63 kilogramë. / KultPlus.com
Në ditëlindjen e 25-të të Denisit, nëna e tij sikurse në çdo ditëlindje tjetër, fillon përgatitjet për festë. Denisi që kohë më parë mund të ecte ngadalë, tashmë karrocën e ka mik të përjetshëm. Kurse nëna e tij jeton mes dhimbjeve dhe tendencës për të mohuar realitetin.
Pjesë e familjes ishte edhe gjyshja që jetonte në dy dimensione të ndryshme, të shkuarën dhe të ardhmen, por e plotë në asnjërën prej tyre. Mes harresës dhe kujtimeve që nuk ekzistojnë, për njerëz që kurrë s’kanë jetuar. Një motër që më shumë se kurrë i duhet një nënë për takimin e saj të parë, dashurisë, por mbi të gjitha këshillat mbi të cilat ndërtohet e ardhmja drejt së panjohurës, dashurisë së pafaj. Një baba që nuk duket e nuk flet kurrë, një gjysh që jeton më një këmbë mbi varr. Por, dhe një teze, që njëlloj sikurse nëna, jeton në vetëmohim të realitetit që e rrethon. Një mike, dashuria e së cilës shkon përtej miqësisë. E në mes të kësaj, djali i ditëlindjes, Denisi, i rrethuar mes dashurisë e kujdesit të madh, duke e izoluar kështu edhe më tepër.
Ky rreth përbënte gjithë dramën që kishte ngërthyer shfaqja ‘Ditëlindja’, titulli origjinal i së cilës është ‘Djali im vetëm ecë pak më ngadalë’, e që mbrëmë u dha premierë në teatrin ‘Dodona’.
Përballja e tre brezave të ndryshëm të një familjeje që krahas zbulimit të vetvetes dhe ndjenjave të tyre, fillojnë të njohin njëri tjetrin, u shpalos në mënyrën më të mirë.
Pikërisht kjo ‘Ditëlindje’ nuk është nga ato të zakonshmet që përfundojnë me festë të madhe e të lumtur. Kjo ‘Ditëlindje’ na bënë të reflektojnë për realitetin në të cilin shumica prej nesh jetojnë, e njëkohësisht edhe gatishmërisë sonë për tu bërë një me të. E kjo dramë e shkruar nga autori korat, Ivor Martinić, u jetësua për publikun kosovar nga regjisorja, Iliriana Arifi dhe nën lojën e aktorëve si: Rebeka Qena, Labinot Raci, Igballe Qena, Bislim Muçaj, Sheqerie Buçaj, Florenta Bajraktari dhe Alketa Sylaj.
Në një prononcim për KultPlus, regjisorja pohoi se kishte mbetur e magjepsur kur e kishte lexuar tekstin për herë të parë dhe pikërisht këtu kishte filluar dhe jetësimi i kësaj drame.
Tutje Arifi ka shtuar se beson që është përcjellë mesazhi i shfaqjes sepse personazhet e kësaj shfaqjeje janë ata që shpërfaqin ‘çlirimin’ nga dashuria e madhe familjare.
“Shpresoj dhe besoj fuqishëm që është pranuar mesazhi që kemi dashur ta përcjellim për shkak se nuk është veç personazhi i Denisit ai që sjell një mesazh, një lloj ‘çlirimi’ banal nga dashuria e madhe familjare që e rrethon sepse fundja duhet një çlirim i tillë për të vazhduar jetën dhe ta pranosh atë ashtu siç është” , ka thënë ajo.
Regjisorja mes të tjerash thekson se shfaqja sjellë dashurinë e pakusht të nënës ndaj fëmijës, dhimbjen dhe dilemat që e shoqërojnë atë, por mbi të gjitha shkëputjen që duhet të ndodhë mes fëmijës, që tashmë është rritur dhe kujdesit të tepruar të nënës.
“Është përballja e saj me realitetin, shkëputja e saj ndaj djalit, ajo rruga e qumështit që ndodhë mes fëmijës dhe nënës kur arrijnë në një moshë të pjekur. Këta është dashur ta bëjnë një shkëputje në të cilën djali veç se duhet të ndjehet i lirë, por të njëjtën kohë edhe nëna duhet të çlirohet nga ndjenja e kujdesit të tepruar ndaj fëmijës”, shtoi ajo.
Sipas saj dashuria e tepruar ndaj fëmijës, në këtë rast Denisit, fillon ta viktimizoj atë. Ndonëse një dashuri e tillë duhet të ekzistojë, nëna duhet ta kuptojë se duhet të tërhiqet dhe të lejoj fëmijën të jetoj i lirë.
‘Ditëlindja’, ngërtheu në vetvete emocione të përziera. Komedia dhe humori i zi që sillet aq mjeshtërisht nga aktorët të bënë të qeshësh e të qash në të njëjtën kohë. Të rikthen në situata që nëse jo krejtësisht të njëjta, përafërsia e tyre dikur është jetuar e përjetuar nga ana jote.
Portretizimi i tre brezave të ndryshëm shpërfaqë gjendjen e një familjeje tipike, e një shoqërie që jeton në mohim të realitetit.
Denisi, djali që feston 25 vjetorin e tij të lindjes, tashmë në karrocë, dikur ishte një fëmijë që vraponte, e më vonë një i rritur që lëvizte me paterica, erdhi mjeshtërisht natën e mbrëmshme nën lojën e aktorit, Labinot Raci.
Për Racin, portretizimi i këtij roli krahas punës dhe lojës që duhet bërë me karrocë ka qenë edhe një ngarkesë e ka sjell emocione të përziera gjatë tërë kohës. Sipas tij ‘Ditëlindja’ tregon një realitet të hidhur të shoqërisë tonë për faktin se kujdesi dhe vetëmohimi i tyre i bënë personazhet, sikurse ai i Denisit, të ndihen keq.
“Realiteti është i hidhur për të gjithë, jo për pjesën pse dikush është invalid dhe është në karrocë, por për pjesën se sa mund ta pranoj shoqëria jonë e sidomos familja. Ata pa dashur, me mendimin që të ju ndihmojnë e të kujdesen për ta, i bëjnë të ndihen keq”, tha për KultPlus aktori.
Tutje ai ka shtuar se ndjesia shpirtërore e gjithsecilit, dashuria që japim për njëri tjetrin në cilëndo situatë që ndodhemi është vetëm një nga mesazhet që përcjellë kjo shfaqje. Por, e bukura e kësaj shfaqjeje nuk ndalet këtu. Regjisorja Iliriana Arifi bëri bashkë në skenën e teatrit anëtarë të familjes që lanë gjurmë në artin dhe kulturën e vendit tonë. Ajo për herë të parë solli përballë publikut në një skenë e shfaqje të vetme, nënë e bijë, Igballe e Rebeka Qenën. Madje edhe në shfaqje ato portretizojnë nënën dhe të bijën. “Ka 50 vite që kam ëndërruar me qenë në skenë me vajzën – është një ndjesi shumë e veçantë, normal edhe afërsia si vajzë – nanë, por edhe si kolege. Ndonjëherë kemi kritiku njëra tjetrën, e herë të tjera kemi përkrah njëra tjetrën”, tha Igballe Qena për KultPlus, teksa shpjegonte ndjesinë e të qenurit për herë të parë në një skenë me të bijën.
Për Qenën e cila në shfaqje pati rolin e Anës, gjyshes së Denisit, e cila mes harresës së saj, jeton me familjen e vajzës, nënës së Denisit, përshtatja me këtë personazh nuk ishte aq e vështirë.
“Rol shumë delikat, por gjatë procesit të punës jam ndjerë shumë rehat, gjithashtu edhe me rolin”, pohoi ajo. Tutje tregoi se momentet që përjetohen përmes këtij roli janë të pandashme, por po aq të bukura dhe me peshë në vete.
“S’mund ti ndash se secila e ka atë peshën në vete, e bukura është kontakti me nipin që është i veçantë sepse gjithmonë gjyshërit kanë afërsi me nipa dhe mbesa dhe i ndajnë sekretet së bashku më shumë sesa me fëmijët e tyre. Brenda një dite ka ngjare ku shihet situata e një familjeje, secili moment është i veçantë dhe i bukur”, shtoi Igballe Qena.
Kurse për aktoren Rebeka Qena, realizimi i kësaj shfaqjeje ka qenë një punë interesante dhe intensive e përcjellë gjatë tërë kohës me harmoni. Ajo ka potencuar se shfaqja sjellë një realitet që ekziston në mesin tonë e që shumë shpesh mohohet.
“Flet për atë se çka do të thotë të jesh ndryshe dhe çka do të thotë kur nuk të pranojnë dhe sa e vështirë është dhe për veten ta pranosh pse je ndryshe, por njëkohësisht edhe sa ju dhemb kjo njerëzve përreth teje. Pikërisht këtu më lindin pikëpyetjet për mënyrën se si ne në rrugë diskriminojmë të tjerët që ballafaqohen çdo ditë me sfidat dhe problemet e veta. Në një formë është një porosi që të dashurohemi dhe të jetojmë jetën duke ndjerë momentin”, potencoi Rebeka Qena për KultPlus.
Pjesë e familjes ku problemet sa janë të dukshme prapë vazhdojnë të mbahen në vete, është edhe tezja e Denisit, gruaja që njëlloj sikurse motra e saj jeton në mohim të realitetit, ngase vetëm atëherë kur ulet në tavolinë mes rrëfimeve të së vërtetës gjen forcën të tregoj se i biri i saj është homoseksual. Pikërisht rolin e kësaj gruaje nën ndikim të përhershëm të tabletave dhe kërkimit të dashurisë, e jetësoj mbrëmë aktorja Sheqerie Buçaj.
Për KultPlus aktorja pohoi se jo vetëm roli i saj, por të gjitha personazhet së bashku nëpërmjet humorit të zi zbërthejnë një realitet të një jete në probleme dhe dashurisë së munguar.
“Mesazhi i shfaqjes është një rreth që jemi duke e bërë e gjithë bota, të gjithë njerëzit janë duke u përballur me problemet e veta e që nuk merret me të tjerët dhe s’ka dashuri”, përfundoi ajo.
Shfaqja ‘Ditëlindja’ – (Djali im vetëm ecë pak më ngadalë), publikun e teatrit ‘Dodona’ që për rreth një orë e gjysmë i dhuroi lot e të qeshura, e ngriti në këmbë për të dhuruar një duartrokitje të madhe e disa minutëshe. Por, kritikat e mira për këtë shfaqje nuk përfunduan brenda dyerve të këtij teatri. Dramaturgu, Jeton Neziraj, në një postim në Facebbok përgëzoi regjisoren dhe aktorët për pasionin, punën e ndjeshmërinë që përcollën përmes shfaqjes.
“Urime ekipit e teatrit Dodona për këtë shfaqje t ‘shkëlqyeshme! Bravo, Iliriana Arifi, për ndjeshmërinë, pasionin e punën me kaq përkushtim! Bravo aktorëve që na kanë mahnitë: Sheqerie Buqaj, Igballe Qena, Rebeka Qena, Alketa Sylaj, Labinot Raci, Bislim Muçaj e Florenta Bajraktari. Për publikun: shkoni e shiheni, kurdo qe ju jepet rasti, ia vlen, 1 milion herë!”, shkroi ai.
Ju kujtojmë që repriza do të shfaqet sonte në teatrin ‘Dodona’ me fillim nga ora 19:30. / KultPlus.com
Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë. Ky është rrugëtimi që na e sjellë Luàna Bajrami përmes filmit të parë të saj. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, përcjellë KultPlus.
“Unë jam rritur me kombësi të dyfishtë franceze-kosovare, kështu që është një nder për mua ta sjell këtë film kosovar në Festivalin e Kanës në Francë.
Jam shumë e gëzuar për njohjen dhe entuziazmin që veç i është dhënë filmit. Sidomos pasi që është filmi im i parë me metrazh të gjatë që merret me tema që janë shumë të rëndësishme për mua: rinia dhe dëshira e rinisë për liri”, u shpreh Luana, regjisorja e filmit.
‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).
Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami. Premiera do të shfaqet në kuadër të programit Director’s Fortnight të Festivalit të Kanës. / KultPlus.com
Një ekspozitë e modës mbretërore është hapur në Pallatin Kensington, ku është shfaqur pas 25 vitesh edhe një nga veshjet më ikonike të Princeshës Diana.
Bëhet fjalë për fustanin e nusërisë, të veshur ditën e martesës së Lady Diana Spencer me Princi Charles më 29 korrik 1981. Ai u vendos në ekspozitë në ish shtëpinë e saj në Londër.
Ekspozita u pagëzua “Royal Style in the Making. Me këtë fustan të cilin e disajnuan David e Elizabeth Emanuel, me material prej tetë metrash, Diana vulosi imazhin e saj në fronin britanik.
Claudia Acott Williams është kuratore e ekspozitës në pallatin Kensington. Ajo ka thënë se ky është fustani që po tërheqë më së shumti vëmendje në ekspozitë.
Për fustanin e nusërisë të princeshës së ndjerë Diana, Emanuel ka thënë se është e vështirë të besohet se ky fustan u krijua para 40 vitesh, sepse i duket sikur e ka punuar dje.
Emanuel ka treguar se kur Diana ka shkuar në studion e tij për ta provuar fustanin, çdo gjë i ka shkuar lehtë, se i kishte premtuar se fustani do të ishte përrallor.
Kuratorja e ekspozitës, Claudia Acott Williams shpreson se ky fustan do tu pëlqejë vizitorëve dhe të nxisë kureshtjen e tyre për ta parë atë.
Në ekspozitën “Royal Style in the Making” u ekspozuan edhe disa skica, fotografi dhe fustane të disajnuara për tri gjenerata të grave mbretëroe, përfshirë këtu atë të princeshës Margaret. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 2 janar të vitit të ardhshëm. /21Media / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti drejtorin Rajonal të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropën dhe Azinë Qendrore, Martin Schuepp, përcjellë KultPlus.
Në këtë takim Presidentja Osmani e njoftoi Schuepp me përkushtimin e institucioneve të reja të Kosovës për zbardhjen sa më të shpejtë të fatit të 1639 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së Kosovës.
“Për institucionet tona”, tha Presidentja Osmani, “zbardhja e fatit të tyre përbën jo vetëm prioritet politik, por edhe detyrim njerëzor”, prandaj ne nuk duam ta trajtojmë këtë proces vetëm si politik, por, mbi të gjitha madje, edhe si humanitar”.
Sipas Presidentes Osmani, është detyrë e institucioneve që ta dëgjojnë zërin e familjeve të të zhdukurve, të bëhen zëri i tyre dhe ne po sigurohemi që të bëjmë gjithçka që familjet të trajtohen dinjitetshëm dhe që të marrin sa më shpejt që të jetë e mundur informata mbi fatin e më të dashurve të tyre.
“Procesi po shkon tepër ngadalë”, tha Presidentja Osmani. ”Serbia nuk po tregon gatishmëri për ta zbardhur fatin e këtyre personave, prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta rrisë presionin mbi Serbinë, që ajo të ofrojë informata për secilin person të zhdukur dhunshëm”.
Schuepp, ndërkaq, e njoftoi Presidenten Osmani për përpjekjet që kjo organizatë po i bën për të siguruar të dhëna për personat e zhdukur. / KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Testit të Arritshmërisë, të cilit i janë nënshtruar rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta në gjithë Kosovën.
Nga MAShT kanë njoftuar se rezultatet e tashmë janë shpërndarë në shkolla dhe se këtë vit, rezultati i arritshmërisë në test është 57.1 përqind.
Testi i mbajtur më 28 maj, është organizuar në tri gjuhë: amtare, boshnjake dhe turke dhe është mbajtur në 156 qendra të testimit.
Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 460 komisionerë dhe afër 2.200 administrues. / Gazeta Express / KultPlus.com
Kinemaja New Beverly Cinema që tash është pronë e regjisorit Quentin Tarantino është hapur pas më shumë se një viti.
Kjo kinema ka qenë e mbyllur kaq gjatë si pasojë e masave kundër pandemisë COVID-19.
Filmi i parë që është shfaqur ishte i fundit i realizuar nga Tarantino, “Once Upon a Time in Hollywood”.
Për më tepër, disa fansa të film bërësit amerikan ishin veshur në rrobat e personazhit të Brad Pitt-it në film, Clifford Booth-it. / Klan Kosova / KultPlus.com
Zvicra mund të bëhet vendi i parë evropian që ndalon pesticidet artificiale në një referendum që pritet të mbahet më 13 Qershor.
Mbështetësit e iniciativës shpresojnë që kjo nismë të shërbejë edhe si nxitje për vendet e tjera.
Aktivistët janë shprehur se produktet artificiale shkaktojnë probleme serioze shëndetësore dhe ulin biodiversitetin. Por nga ana tjetër prodhuesit thonë se pesticidet e tyre janë testuar dhe mund të përdoren në mënyrë të sigurt.
Një iniciativë tjetër që do të votohet në të njëjtën ditë synon të përmirësojë cilësinë e ujit dhe ushqimit të pijshëm në Zvicër duke ndaluar subvencionet direkte për fermerët që përdorin pesticide artificiale dhe antibiotikë në bagëti.
Një sondazh i fundit tregoi se 48% e votuesve favorizuan iniciativën e ujit të pijshëm dhe 49% mbështetën ndalimin e pesticideve. Nëse miratohet, propozimet u japin fermerëve deri në 10 vjet për të bërë tranzicionin, i cili do të lejojë Zvicrën të bëhet një pioniere në ushqimin organik si dhe një shembull për pjesën tjetër të botës.
Nisma për ujë të pastër gjithashtu shpreson që fermerët të ndalojnë përdorimin e ushqimit të kafshëve të importuara, për të kufizuar numrin e lopëve, derrave dhe pulave në Zvicër së bashku me plehun që ata prodhojnë që mund të ndotë ujin e pijshëm.
Globalisht, vetëm Butani, një mbretëri budiste në pjesën lindore të Himalajave, ndalon pesticidet sintetike, sipas mbështetësve që synojnë të nxjerrin jashtë ligjit përdorimin e produkteve të bëra nga gjigandë agro-kimikë të tillë si Syngenta të Zvicrës dhe Bayer të Gjermanisë. Syngenta, me seli në Zvicër dhe në pronësi të Korporatës Kimike Kombëtare të Kinës, kundërshton të dy iniciativat, duke thënë se një ndalim do të ulte rendimentet bujqësore deri në 40%. / Gazeta Express / KultPlus.com
Nga Italia në Hong Kong, këto janë disa nga pishinat më të jashtëzakonshme në botë.
Pishinat “qiellore” me pamje nga Qqeani Indian ose në katin e 29 të një hoteli luksoz, ofrojnë adrenalinë dhe një eksperiencë krejtësisht unike.
– Pishina lidh dy prej qiellgërvishtësve më të rinj në Londër, të vendosur në lagjen “Nine Elms”.Bali, pishina luksoze 152 metra mbi Oqeanin IndianTë notosh në “qiell” në HawaiiItali, pishina në Alpin Panorama Hotel HubertusPishina luksoze ndodhet në Dubai në InterContinental Festival City HotelPishina ndodhet në Market Square Tower në Hjuston, TeksasPishina ndodhet në katin e 29-të të Hotel Indigo, Wan Chai, në Hong KongKanada, Vankuver
Dita Botërore e Oqenaneve, që shënohet më 8 qershor, është caktuar nga Kombet e Bashkuara për t’i mbrojtur oqeanet. Në këtë datë, njerëzit në mbarë planetin organizojnë festime për të mbështetur çdo aksion që mbron ujërat. Kjo ditë është caktuar që nga viti 2009 dhe është një rast për të nderuar oqeanet, për të kremtuar produktet që ofron oqeani, për ta çmuar vlerën e brendshme të oqeanit.
Projekti i Oqeanit, në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Oqeaneve, janë duke punuar në ngritjen e vetëdijes njerëzore për rolin e oqeanit në jetë, si dhe mënyrat të cilat njeriu mund të ndihmojë.
Dita Ndërkombëtare e Oqeaneve ofron mundësi për t’u kyçur drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të ardhmes, përmes iniciativave qytetare – pastrimi i plazheve, programet edukuese, gara, festivale, si dhe ngjarjet e aktivitetet e ndryshme, ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes se sa i rëndësishëm është oqeani për jetën. / KultPlus.com
Megjithatë nuk bëja asnjë llogari, isha njeri drejt e drejt ose pothuajse i tillë. Marrëdhëniet e mia me femrat ishin të natyrshme, të lirshme, të lehta, si thuhet. Në to s’kishte dinakëri ose kishte vetëm nga ajo, e dukshmja, që ato e quanin për nder. I doja, si i thonë fjalës, çka do të thotë se s’kam dashur kurrë ndonjë. Urrejtja ndaj grave më është dukur gjithmonë si një gjë e ulët dhe e trashë dhe pothuajse të gjitha femrat që kam njohur, i kam mbajtur me të mira se veten. Megjithatë, duke i ngritur kaq lart, më shumë i kam përdorur se sa u kam shërbyer. Si të bësh?
Sigurisht, dashuria e vërtetë është e jashtëzakonshme, ndodh dy a tri herë në shekull, pak a shumë. Pjesën tjetët të kohës ka vetëm kotësi dhe mërzitje. Sidoqoftë, sa për vete, nuk isha tip murgu shpirtkazmë. Nuk e kam zemrën gur unë, përkundrazi, e kam gjithë mallëngjim dhe lotët më dalin kollaj, bashkë me të. Veçse vrundujt më kthehen gjithmonë rreth vetes, mallëngjimet lidhen me mua. S’është e vërtetë në fund të fundit, që s’kam dashuruar kurrë. Në jetën time kam pasur të paktën një dashuri të madhe, duke qenë vazhdimisht objekt i saj. / KultPlus.com
Ditën e djeshme u bë i ditur lajmi se Harry dhe Meghan janë bërë prindër për herë të dytë. Meghan solli në jetë një vajzë të cilës çifti i vendosën emrin Lilibet Diana, në nder të Mbretëreshës Elizabeth dhe në kujtim të princeshës Diana.
Menjëherë pas lajmit, çifti mori dhe urimet e para nga Mbretëresha dhe nga Kate e William. Këta dy të fundit janë edhe të parët që i bënë dhuratë Lilibetit.
Burime për “Us Weekly” treguan se duka dhe dukesha e Cambridge i kanë dërguar një dhuratë vogëlushes menjëherë pasi morën lajmin. Ndërsa burime për revistën “In Touch” treguan se Meghan dhe Harry i kanë dërguar disa foto të Lilibetit Mbretëreshës, të cilës ia dhanë lajmin të parës./ KultPlus.com
Dua Lipa, këngëtarja kosovare me famë të gjerë ndërkombëtare po korr suksese të njëpasnjëshme me albumin “Future Nostalgia”.
Këtë e tregon edhe vetë profili i Spotify në Instagram, të cilët kanë publikuar një postim me statistika të albumeve më të mira dhe Dua ishte në krye të top listës me “Future Nostalgia”, përcjell KultPlus.
Me anë të postimit të fundit, Instagrami zyrtar i Spotify lajmëroi ndjekësit e tyre se këngëtarja shqiptare u rendit artistja me albumin në vendin e dytë.
Dua së fundi ka publikuar projektin e ri muzikor me titull “Love Again”.
Kënga po pëlqehet shumë nga fansat e këngëtares dhe deri më tani ajo ka grumbulluar 10 milionë klikime brenda dy ditësh./ KultPlus.com
Mirush Kabashi ka reaguar pas raportimeve të pavërteta për vdekjen e tij. Në një intervistë për TV Klan, aktori ka shpjeguar se si e priti këtë lajmi ai dhe familja e tij.
Ai ka shpjeguar se ka qenë një keqkuptim lidhur me një titull të një gazete që ka pasqyruar një ceremoni homazh për vdekjen e Pirro Manit e që nëntitull thuhej se “Artesti Mirush Kabashi rrëfen amanetin e tij të fundit…në kuptimin të Pirro Manit” që ishte keqkuptuar sikurse vet ai të ketë vdekur.
Aktori është shprehur që e ka marrë me sportivitet dhe i ka falur, por mediat televizive duhet të bëjnë më shumë kujdes me këtë gjëra sepse janë të pafalshme.
“Unë e mora me sportivitet, janë gjëra që ndodhin dhe duhet kaluar, por me thënë të drejtën nja dy mesazhe që më kanë ardhur, edhe më përpara një herë për t’u verifikuar nëse unë jam gjallë, por dhe më mbrapa për të më shprehur solidaritetin”.
Ai tha se kishte pranuar shumë mesazhe dhe tha se ishin të dhimbshme.
“Ishin të dhimbshme sepse thoshin që kemi qarë shumë kur morëm lajmin, por kemi qarë shumë pastaj nga gëzimi, kështu e formulonte një poete nga Italia. Kemi qarë akoma edhe më tepër me lot gëzimi, kur morëm vesh lajmin që nuk ka ndodhur”, shtoi ai.
“Janë gjëra që ndodhin, jemi në një fushë që jemi bërë njerëz publikë. Është një tërheqje veshi për gazetarët të cilët duhet ta rikonfirmojnë lajmin nga disa drejtime përpara se ta japin në ekranet e televizionit të cilët duhet të jenë sa më të sakta, nuk lejohen të tilla gabime, gjithsesi nga ana ime falen”, është shprehur mes tjerash Kabashi./ KultPlus.com
Ajo ka qenë një nga emrat më të rëndësishëm të modës. Stilistja Coco Chanel nuk kujtohet vetëm për stilimet e saj por edhe për këshillat dhe shprehjet e ndryshme që frymëzojnë femrat.
Më poshtë po ju lsitojmë disa nga këshillat e saj:
Stolitë, çfarë shkence në vete! Bukuria, çfarë arme e fortë! Modestia, çfarë elegance!
Një femër duhet të jetë dy gjëra: e stilit të lartë dhe e shkëlqyer.
Ngjyra më e mirë në botë është ajo që të përshtatet më së miri në trup.
Mos harxhoni kohë duke trokitur në mur, duke shpresuar ta shndërroni në një derë.
Eleganca nuk ka të bëjë me veshjen e një fustani të ri.
Një femër që shkurton flokët e saj, është e prirur të bëjë ndryshime në jetë.
Për t’u bërë e pazëvendësueshme, duhet të jeni gjithmonë ndryshe.
Jeta ime nuk më kënaqi mua, kështu që e krijova vet botën time në të.
Për aq kohë sa e dini, meshkujt janë si fëmijët, ju dini gjithçka!
Thjeshtësia është çelësi i hijeshisë së vërtetë.
Një femër mund të jetë e veshur tepër, por asnjëherë shumë elegante.
Një femër që nuk parfumoset, nuk ka të ardhme.
Mund të jesh e mrekullueshme në të tridhjetat, magjepsëse në të dyzetat, dhe e parrezistueshme përgjatë tërë jetës.
Moda ndryshon, por stili qëndron gjithmonë./ KultPlus.com
Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.
1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!
Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.
3 (…)
Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!
Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë. Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit. (…)
Disa ditë pasi një mjellmë ndërroi jetë në një park të Bostonit, fotografi amator Matthew Raifman, realizoi një fotografi mallëngjyese të babait mjellmë që kishte marrë në kurriz të vegjlit. Kjo fotografi tani është shpallur një prej më të mirave të vitit.
“Ndjeva ngjashmëri në këtë histori, pasi e di mirë çfarë do të thotë të jesh një baba i ri, në vështirësi”, tha Raifman për CNN. Ai dhe bashkëshortja kanë një fëmijë 20-muajsh, me të cilin Raifman thotë se është shumë i lidhur. “Ky baba po merr përgjegjësi përballë një sfide në të cilën e ka vendosur jeta”.
Autoritetet amerikane ekzaminuan trupin e pajetë të mjellmës nënë për të gjetur shkaqet e vdekjes, por nuk arritën në ndonjë përfundim./a2/ KultPlus.com