Grupi “Minatori”, është një ndër grupet më të pëlqyera nga publiku shqiptar, këngët e të cilit dëgjohen përherë me nostalgji të madhe.
Këngët e këtij grupi i kanë rezistuar kohës dhe dëgjohen edhe në ditët e sotme, shkruan KultPlus.
Një ndër to është edhe kënga “A thua ëndërr ishte ti”.
Më poshtë KultPlus ua sjell videon dhe tekstin e këngës “A thua ëndërr ishe ti”.
A thua ëndërr ishe ti
Ne mendjen time, shpaloj kujtimet një nga një, dhe në njërën nga to, e gjej tregimin për ty, a thua ku je ti? a thua ënderr ishe ti?
Hej, më mundon kujtimi për ty, netët pa ty më janë të gjata dhe pa fund, i ngjaj udhëtarit që ecë dhe s´mrrin askund, a thua ku je ti? a thua ënderr ishe ti?
Hej, më mundon kujtimi per ty, më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend, se ishe ti në shpirtin tim, ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend, se të kaluarës i takon, më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend, se ishe ti në shpirtin tim, ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend, se të kaluarës i takon
Netët pa ty më janë të gjata dhe pa fund ngjaj udhëtarit qe ecë dhe s’mrrin askund a thua ku je ti? a thua ëndërr ishe ti?
Hej, me mundon kujtimi per ty, më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend, se ishe ti në shpirtin tim, ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend, se të kaluarës i takon, më mundon ky kujtim kur më bie ndërmend, se ishe ti në shpirtin tim, ky kujtim më mundon kur më bie ndërmend, se të kaluarës i takon hej, me mundon kujtimi per ty!. / KultPlus.com
Andrea Rosheen Finnigan, ishte vetëm tri vjeçe, kur babai i saj, David kishte vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nëna e Rosheen, Maria, shumë rrallë i kishte folur asaj për të atin, por përpara se të vdiste, ajo i kishte lënë të bijës një valixhe me disa letra, të cilat e tregojnë në detaje historinë e dashurisë magjepsëse, midis Davidit dhe Marisë, shkruan DailyMail, përcjell KultPlus.
Në njërën nga letrat, e cila daton që nga 8 maji i vitit 1943, David Francis i shprehë Marias, frustrimin e tij nga qëndrimi i tij në shërbimin e inteligjencës në Afrikë dhe pastaj në Indi gjatë luftës së dytë botërore.
Larg gruas dhe vajzës tashmë për më shumë se një vit, ai në letrat e tij tregonte se dëshira e vetme e oficerit të ri, ishte të shihte edhe njëherë familjen e tij, përpara se me gjasë do të humbiste jetën në atë luftë e cila e kishte lidhur të gjithë. Vetëm tri javë pas shkroi letrën e fundit, Francis vdiq dhe Rosheen Finnigan humbi babain e saj në moshën tre vjeçare edhe pse ajo nuk e kishte parë atë që kur ishte dy vjeçe. Nga ajo kohë ai u zhduk nga jeta e saj, pasi u zhdukën nga shtëpia fotografitë, shënimet dhe madje edhe gramafoni i lavdishëm i vjetër me lëkurë të cilin ai e quajti ‘Griselda’. Nëna e saj ndonjëherë përmendte se kishte një valixhe me letra të tij. Ajo shumicën e kohës nuk fliste për Francisin, për shkak të burrit të saj të ri, i cili frikësohej se nëse ajo vazhdonte të fliste për të, do të ushqente edhe dashuri për të, edhe pse ai kishte vdekur. Kështu vazhdoi deri në vdekjen e nënës së Rosheen, e cila para se të vdiste ia dorëzoi të bijës valixhen me letra nga i ati i cili kishte vdekur gjatë luftës së dytë botërore.
“Ajo ma dha babain tim më në fund”, tha Roshen, e cila më pas publikoi këto letra, përmes të cilave tregoi një histori shumë të veçantë dashurie, e cila përfshin hollësi të vlefshme me qëndrimet çuditërisht të sinqerta dhe bashkëkohore të Davidit dhe Marisë për çdo gjë, nga seksi në politikë.
Maria ishte e bija e një çifti emigrantëve irlandezë, e cila ishte arsimuar në gjuhën angleze. Por ata ishin të dy të zgjuar, energjikë, artistikë dhe ishin bërë anëtarë të përkushtuar të Partisë Komuniste Britanike, radhët e të cilave u rritën në përgjigje të kërcënimit fashist. Roshen me anë të këtyre letrave kishte mësuar aq shumë detaje nga jeta e edhe lidhja e prindërve të saj, të cilat ndoshta nuk do t’i mësonte edhe po të jetonin bashkë për një kohë të gjatë.
Sipas letrave të cilat Roshen i ka bërë publike, takimin i tyre i parë ngjanë më atë që shohim vetëm në filma. Ata ishin takuar në një festë të një miku, kur Maria ishte 21 vjeçe dhe Davidi ishte 20 vjeç. Letrat tregojnë detaje nga lidhja e një çifti, bisedat e tyre të thjeshta, bisedat mbi fëmijën e tyre, biseda erotik…, e me anë të së cilave Roshen lidhi dhe krijoi një histori për familjen e saj, të cilat i ndau edhe me publikun më pas.
“Babai im kurrë nuk erdhi në shtëpi, por falë nënës sime dhe letrave që ajo më la mësova gjithçka për të. Babai im ishte i pasionuar, i çmendur, cinik, i kujdesshëm, i padurueshëm , i mrekullueshëm”, ka thënë Roshen e cila për tërë jetën nuk dinte asgjë për të atin dhe menjëherë mësoi gjithçka, më shumë së sa secili mund të dijë për të atin e vet edhe nëse kanë jetuar gjithë jetën bashkë. / KultPlus.com
CZESŁAW MIŁOSZ – DUKE I DHËNË LAMTUMIRËN SIME SHOQEJE, JANINËS Përktheu Romeo Çollaku
Vajtojcat ia kthenin motrën e tyre zjarrit. Dhe zjarri, njëlloj si ai që soditnim së toku. Ajo dhe unë, martuar kaq vite. Bashkuar me besën për të keq e për të mirë, zjarri Në oxhakë dimrit, kampeve, qyteteve që digjen, Themelor, i kulluar, prej zanafillës së planetit Tokë, Ia zhvishte lumin gri të flokëve, I rrëmbente gojë e gushë, e gëlltiste, zjarri. Ai që në gjuhën njerëzore shpreh dashurinë. S’doja t’ia dija për gjuhë. As për fjalët e lutjes. E kisha dashur, pa ditur cila qe në të vërtetë. E kisha bërë të vuante, teksa gjurmoja vegime. E kisha tradhtuar me të tjera, veç asaj duke i qëndruar besnik. Jetuam mes një lumturie e fatkeqësie të paanë, Mes ndarjesh, arratish që s’kanë të rrëfyer. Dhe tanimë ky hi. Dhe deti rreh bregun teksa çapitem shëtitores së shkretë. Dhe deti rreh bregun. Dhe përvoja e gjithësishme. Si mund të mbrohesh prej hiçit? Cila forcë Mund ta ruajë atë që ish dikur, nëse kujtesa këputet? Se pak gjëra më vijnë në mend. Kaq pak gjëra më vijnë në mend. Vërtet, rijetimi i kujtesës do të ishte Gjyqi i Fundmë, Që Mëshira jonë ndoshta e shtyn nga dita në ditë. Zjarr, çlirim prej rëndesës. Molla s’rrëzohet përdhe, Mali tundet nga vendi. Përtej perdes së zjarrit, Një qengj që rri në livadhin e trajtave të pabjerrshme. Shpirtrat në Purgator përzhiten. Herakliti i marrë Sheh flakën tek përpin themelet e botës. A besoj në ringjalljen e trupit? Jo prej këtij hiri. Thërras, përgjërohem: shpërbëhuni, elementë! Rilindni në tjetrën, që ardhtë, Mbretëri! Përtej zjarrit tokësor ndërthuruni edhe një herë! / KultPlus.com
Pak më shumë se 400 vite dritë nga Toka është një ekzoplanet i ri. Kjo në vetvete nuk është aq e pazakontë. Shkencëtarët deri më tani kanë zbuluar mijëra ekzoplanetë, ose planetë jashtë sistemit diellor.
Por ajo që e bën të veçantë këtë planet të largët është se astronomët morën një pamje të drejtpërdrejtë të tij, gjë që është një rast shumë i rrallë. Gjegjësisht, planeti 2M0437b është një nga ekzoplanetët më të rinj, imazhi i drejtpërdrejtë i të cilit është shfaqur.
“Duke analizuar dritën që vjen nga ky planet, ne mund të mësojmë diçka rreth përbërjes së tij, dhe ndoshta se ku dhe si e ka origjinën, në diskun e zhdukur prej kohësh të gazit dhe pluhurit që u formua rreth yllit të tij mëmë”, tha astronomi Eric Gaidos nga Universiteti i Hawait.
Ka disa arsye pse është e vështirë të merret një imazh i drejtpërdrejtë i një ekzoplaneti. Ndryshe nga yjet që ata orbitojnë, këta planetë janë shumë të vegjël dhe me shkëlqim të ulët, që do të thotë se zakonisht janë shumë të errët për t’u parë nga teknologjia jonë aktuale.
Prandaj, shkencëtarët zbulojnë përgjithësisht ekzoplanetet në një mënyrë indirekte. Nëse një ekzoplanet kalon midis nesh dhe një ylli gjatë orbitës së tij, atëherë ne mund të regjistrojmë ndryshime të vogla periodike në dritën e tij.
Përveç kësaj, ekzoplaneti gjithashtu ka një efekt të dobët gravitacional mbi yllin, duke e bërë atë pak të “lëkundur”, domethënë duke shkaktuar një zhvendosje të lehtë në gjatësinë e valës së dritës së tij, shkruan Science Alert, transmeton KultPlus.
Ky vëzhgim indirekt i ekzoplaneteve është më i lehtë nëse planeti është shumë i madh dhe afër një ylli, kështu që shumica e ekzoplaneteve të konfirmuara janë masive dhe në orbita të ngushta.
Sa i madh është 2M0437b?
Exoplaneti 2M0437b është mjaft i madh, por është gjithashtu mjaft i largët nga ylli i tij – në rreth 100 njësi astronomike (Plutoni është rreth 40 njësi astronomike larg Diellit). Zakonisht ekzoplanetët e deritanishëm nga ylli i tyre janë shumë të ftohtë për të emetuar rrezatim infra të kuq, por këtu nuk është kështu.
Për shkak se është vetëm disa milionë vjet i vjetër, ky planet është ende relativisht i ngrohtë (1127 deri në 1227 gradë Celsius) për shkak të proceseve intensive që ndodhin gjatë formimit të tij. Kjo do të thotë se ne mund ta shohim atë edhe pse është 417 vite dritë larg nesh.
Shkencëtarët e regjistruan atë në vitin 2018 duke përdorur teleskopin Subaru në Hawaii, dhe më vonë e vëzhguan përmes Observatorit WM Keck. / KultPlus.com
Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, vendimet e ulëta e qesharake nga ana e gjykatave, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë së Kosovës, janë disa nga faktorët që, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.
Sipas të dhënave nga Kryeprokuroria e Shtetit, për nëntë muaj të vitit 2021, në Kosovë janë regjistruar 1.548 raste të dhunës, prej të cilave 1.396 janë regjistruara si dhunë në familje.
Në 445 raste, siç thuhet, ka pasur kërkesa për urdhër-mbrojtje të viktimave të dhunës në familje, kurse në 36 raste janë lëshuar urdhër-mbrojtje emergjente.
Adelina Berisha, menaxhere e programit kundër dhunës në baza gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, mostrajtimi i rasteve ashtu siç duhet, po bën që të ketë rritje të rasteve të dhunës ndaj grave, transmeton KultPlus.
“Policia shpesh e merr rolin e ndërmjetësuesit dhe ka tendenca për fajësimin e viktimës. Në Prokurori kemi mungesë të hetimeve dhe shpesh nuk dinë të bëjnë hetime siç do duhej, që do të çonin deri te zgjidhja. Nga gjykatat shpesh kemi vendime të cilat janë qesharake karshi veprës së rëndë që ushtruesit e dhunës e kanë shkaktuar”, tha Berisha.
Berisha ka treguar se gratë dhe vajzat, apo edhe persona të tjerë, të cilat drejtohen te autoritetet kompetente, hasin në vështirësi të mëdha.
“Edhe pse nuk është as në mandatin e shumë zyrtarëve policorë, dhe as të zyrtarëve tjerë nga qendrat për punë sociale, ata tentojnë ta bëjnë pajtimin mes çifteve edhe kur ka forma të ashpra të dhunës, apo kur dhuna është mes personave të panjohur, prapë mundohen ta minimizojnë dhunën dhe në njëfarë forme më shumë fokusi vihet te pajtimi i viktimave dhe ri-traumatizimi i tyre, sesa që të mblidhen prova dhe ushtruesi i dhunës të dalë para drejtësisë”, tha Berisha.
Nazife Jonuzi, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen edhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria”, konsideron se dënimet që marrin dhunuesit janë shumë të ulëta dhe se sipas saj, ky është një prej faktorëve që ka rritje të numrit të rasteve.
“Riintegrimi është një ndër sfidat më të mëdha. Çka pas strehimit? Ku shkojnë gratë? Është shumë e dhimbshme se 80 për qind e grave kthehen prapë në ambientet e dhunës për arsye të riintegrimit, pagesat e qirave, mungesa e punës. Ne e dimë se punësimi është shqetësim i madh edhe për burrat edhe për gratë, mirëpo këto raste janë më shumë të atakuara. Riintegrimi nuk është vetëm sigurimi i një qiraje, por mungojnë banesat sociale”, tha ajo.
Jonuzi thotë se në Kosovë ende ka pabarazi të mëdha dhe se, sipas saj, raportet në publik dallojnë shumë nga gjendja faktike në terren.
“Ende është ajo stigma, paragjykimi se gratë duhet ta mbyllin gojën, duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe nuk duhet ta denoncojnë dhunën. Pabarazitë në familje ende janë shumë të mëdha”, u shpreh ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë të hënën, më 25 tetor, në konferencën e organizuar nga Kryeprokuroria e Shtetit, me titull, “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, se dhuna ndaj grave është bërë sfidë, jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi.
“Ne nuk mund të heshtim ndaj kësaj gjendjeje, sikur nuk mund të heshtim as ndaj nevojës për mbështetje me të madhe të viktimave. Shkaktarët e krimit duhet të ndëshkohen, kurse viktimat duhet të rehabilitohen të inkurajohen dhe të mbështeten institucionalisht”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ndryshimet pozitive arrihen duke punuar në zbatimin e ligjit dhe se, sipas saj, mosndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë.
Kurse Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se përpjekjet e sistemit prokurorial janë të vazhdueshme në parandalimin e krimit.
Megjithatë, ai shtoi se autoritetet janë të vetëdijshme se ende duhet bërë punë dhe përkushtim nga institucionet e drejtësisë për të parandaluar dhunimet, keqtrajtimet dhe vrasjet.
“Këto çështje duhet të trajtohen me prioritet gjatë punës së përditshme të prokurorëve, policëve hetuesë dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë. Prandaj, përkushtimi ynë duhet të jetë në koordinim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë ndërmjet institucioneve ligj-zbatuese, që në asnjë moment të mos ketë neglizhim në ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre personave që cenojnë të drejtat, liritë themelore dhe vlerat tjera të garantuara me kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare”, tha Lumezi.
“Nuk kemi jetë për të humbur”
Ministrja Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka ftuar të hënën të gjithë bartësit e sistemit të drejtësisë që të marrin përgjegjësi që, siç tha ajo, t’iu dilet ballë këtyre rasteve.
“Thërras Policinë, prokurorët e gjyqtarët që të kryejnë detyrat e të mbrojnë jetët e vajzave dhe të grave. Nuk kemi jetë për të humbur. Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, këtë duhet ta dinë të gjithë. Prandaj si e tillë nuk mund të mbetet si e izoluar brenda mureve të shtëpisë”, tha Haxhiu dhe theksoi se është shqetësues numri në rritje i dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.
Nga janari i këtij viti, deri në muajin qershor, janë vrarë dy gra kurse në vitin 2020 janë vrarë shtatë gra.
Autoritetet në Kosovë kanë shqiptuar gjoba të ndryshme për dhunë në familje, përfshirë burgimin me kusht, me gjobë, apo dënime efektive.
Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:
Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999
Mbrojtësit e viktimave: 0800111112. /radioevropaelire/ KultPlus.com
Më 25 tetor të vitit 1922 lindi Abdurrahman Shala. Ai ishte aktor, producent, dhe skenarist filmi i gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare. Shala punoi si drejtor i parë i studios së parë filmike të Kosovës, të quajtur Kosovafilmi. Ai gjithashtu themeloi dhe udhëheqi Unionin e Artistëve të Filmit të Kosovës deri në vitin 1990.
Në librin ‘Vdekja e kolonisë’, shkrimtari Ibrahim Berisha sjell detajet të panjohura të aktorit të madh shqiptar, Abdurrahman Shala.
Shala, në fund të Luftës së Dytë Botërore, si partizan dhe si epror në një burg të Prishtinës, kishte ndal rutinën e vrasjes së shqiptarëve.
Këtë detaj e gjeni më poshtë
“Abdurrahman Shala, si ishte ndryshe?
Janë pak njerëz në Kosovë, të cilët aktorin e madh kosovar Abdurrahman Shala e njohin ndryshe. Siç ishte brilant në disa role filmi e dramash, ishte dinjitoz edhe në dramën e Luftës së Dytë Botërore.
Në librin ‘Vdekja e kolonisë’, shkrimtari Ibrahim Berisha shkruan për guximin e madh të Abdurrahman Shalës, i cili ua shpëtoi jetën qindra shqiptarëve nga partizano-çetnikët në fund të Luftës së Dytë Botërore. Fragmentin emocionues nga ky libër, po e sjell të plotë.
‘Nëpër burgjet e improvizuara sikur ai ku tash ndodhet Rilindja në Prishtinë afër Kuvendit të Kosovës, shqiptarët nuk regjistroheshin. Ata në një dhomë shënoheshin vetëm si numër. 20 veta, 22 veta e kështu me radhë. Aq sa pushkatoheshin natën, aq silleshin në mëngjes. Numri ishte gjithnjë i njëjtë.
Kjo kishte ndodhur disa muaj edhe në Prishtinë, derisa në këtë burg këtë masakër e kishte ndërprerë Abdurrahman Shala, i cili ishte sjellë epror. Ky që do të jetë artist më vonë, kishte shpëtuar qindra jetë, pasi që ditën e parë kur erdhi bëri regjistrat me të burgosurit.
Rexhep Bollogoshi që kishte jetuar deri në vitet tetëdhjetë më kishte rrëfyer: ‘Erdhën me uniforma, si përherë natën vonë. Në dhomë ra vdekja. Emrat që aty thirreshin, do të thoshte se atë natë ata bëheshin emra të vdekurish. Thirri emrin tim. M’u zu fryma. Nuk munda të flas as po as jo. Që atë çast unë isha i vdekur. Ishte një me emrin… I trishtuar, kishte menduar se gardiani thirri emrin e tij. Luftova kot me veten. Të ngritem dhe të them unë jam Rexhep Bollogoshi. Nuk mundja. Atë e morën në vend timin se ish i hutuar dhe kishte menduar se thirrën emrin e tij. Nuk u kthye kurrë më, unë mbeta gjallë, jetoj…’.
Rezak Shala, vëllai i Abdurrahmanit ishte po aq dinjitoz. Pas demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, ishte i pari që në forumet më të larta politike, publikisht kërkoi statusin e Kosovës Republikë.
Me lexuesit e mi dhe studentët e gjeneratës së viteve tetëdhjetë, dua të ndajë një kujtim që nuk harrohet kurrë. Shërbimi Sekret serb, përmes mënyrës së lashtë, shpifjeve ‘vesh më vesh’, mbillte dezinformata se ishte Rezak Shala gardiani, i cili në vitin 1968 mbrapa perdeve pengoi statusin e Kosovës Republikë!
Abdurrahman Shala u lind më 25 tetor të vitit 1922 në Vushtrri dhe i përket gjeneratës së parë të kinematografisë kosovare. Ishte aktor, producent e skenarist filmi. Ishte drejtor i parë i studios së parë filmike ‘Kosovafilm’ dhe themeloi e udhëhoqi disa vjet Unionin e Artistëve të Filmit të Kosovës (UAFK).
Abdurrahman Shala ndërroi jetë më 9 mars të vitit 1994. Presidenca e Republikës së Kosovës në vitin 2014 e dekoroi me urdhrin: Medalja Presidenciale e Meritave”, ka shkruar Mjeku. / KultPlus.com
Prej disa ditësh në mjediset e KultPlus Caffe Gallery në lagjen piktoreske Ulpiana në Prishtinë, mes gjelbërimit dhe ndërtesave karakteristike, piezazhit të pjerrët dhe godinave hijerënda e pakëz futuriste të gjysmës së dytë të shekullit XX, është hapur sakaq një ekpozitë tepër e veçantë, me emërtimin kuptimplotë “Naked Eye”.
Bëhet fjalë për ekspozitën vetjake të piktores Qëndresa Krasniqi, e cila është takuar me publikun artdashës me një sërë pikturash ku shpaloset, pikërisht e zhveshur për syrin artistik, pothuajse gjithë bota e saj të brendshme dhe frymëzimet e saj burimore, që kanë gjetur ravijëzimin e duhur përmes tablove të krijuara prej saj, ku vizitorët dhe ithtarët e pikturës së mirëfilltë, mund të hasin krejt larminë e universit ku autorja ka përthithur nektarin që më tutje është shndërruar në secilën prej pikturave të saj.
Në muret e mjediseve të brendshme të KultPlus Caffe Gallery, një vend (dhe gjithashtu portal letrar e artistik) që tashmë nënkupton vetvetiu cilësinë në art dhe letërsi në çdo kuptim, varen një sërë pikturash të ngjizura në telajo me ngjyrat e vajit, që nga piktorja Qëndresa Krasniqi janë përdorur pa kursim, herë me penel, herë mbase edhe drejtpërdrejt me duar të zhveshura, duke ndërthurur një ylber tematikash jetësore që shpërfaqen me ngjyrime të gjalla, nëpërmjet metaforave pamore, duke pasqyruar përherë besnikërisht edhe gjendjet shpirtërore të autores.
Tablotë që syri ynë i zhveshur kundron në këtë ekspozitë, na ofrojnë një diapazon gjithëpërfshirës të botës së filtruar artistikisht përmes syrit thelbësisht femëror të autores së tyre, e cila ia del mbanë përkryer që t’i shndërrojë mbresat e saj vegimore, në diçka tejet të pashlyeshme, siç janë pikturat ku galaksitë, qiejt, nuancat ujore, siluetat trupore, kornizat që duhen kapërcyer, njëlloj siç nevojitet të thyhen edhe barrierat mendjengushta mendësore (në art dhe jetë), shfaqen të gjitha si fryte të çmuara të frymëzimit të saj të pashtershëm.
Ndoshta nuk është rastësi që “Naked Eye” është përzgjedhur nga autorja si emërtim për ekspozitën e saj, ngaqë kjo fjalë është njëfarë sinonimi i padyshimtë i kësaj ekspozite, sepse edhe vetë arti i këtillë është, i zhveshur nga tepricat e padobishme, i zhveshur nga paragjykimet, i zhveshur nga kotësitë.
Pa qenë nevoja ta cilësojmë si impresionizëm, realizëm, onirizëm ëndërrimtar artistik, sidoqoftë piktura e krijuar nga Qëndresa Krasniqi, meriton pikësëpari përgëzimet tona më të çiltra si artdashës për mënyrën unike si është ngjizur dhe përvijuar në secilin krijim të sajin në tablo, ngase tashmë arti pamor në Kosovë, fiton një artiste të mirëfilltë.
ELVI SIDHERI
Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh./ KultPlus.com
Sot fryu erë, gjitha fletat ranë në tokë. Nga dritarja shikoja këtë spektakël ku si në një skenë filmi të vjetër, shija vetën, kur me nxënësit e tjerë bënim një truç me fleta dhe shtyheshim dhe hidheshim gjatë lojërave të tona fëminore aty në oborrin e shkollës, ku na çojshe nanë, mua dhe motrën e vogël. Ta lëshojsha dorën dhe hysha në klasë, si e madhe. E sot ti ma lëshove dorën, vërtetë mendove se u rrita, e se nuk kam më nevojë për ty? / KultPlus.com
Ndërsa Halloween është ende disa javë larg, për disa persona festimi zgjat gjatë gjithë muajit.
Kjo ndodh veçanërisht kur je një personazh i famshëm që në mënyrë të pashpjegueshme ndjen nevojën për t’u veshur jo me një, as dy, por afërsisht pesë kostume të Halloween të hartuara në mënyrë të ndërlikuar, transmeton KultPlus.
Dhe tani që festat, premierat dhe tapetat e kuq janë përsëri duke ndodhur, ne kemi pritshmëri të mëdha për përmbledhjen e këtij viti të kostumeve të famshëm.
Më poshtë ua sjellim personazhet që morën vëmendje deri më tani:
Njëzet e pesë tetori shënon Ditën Botërore të Operës, respektivisht ditëlindjen e kompozitorëve Georges Bizet dhe Johann Strauss II, të cilët konsiderohen krijuesit e operës dhe operetës më të famshme në botë.
”Në këtë ditë kur shtëpitë operitistike, teatrot dhe adhuruesit e muzikës bashkohen për të njohur vlerat e artit operistik, kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë posterin e Koncertit Inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës, i cili do të mbahet më 31.10.2021 në Sallën e Sporteve të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Operës së Kosovës u miratua më 3 gusht të këtij viti me 75 vota për dhe pa asnjë votë kundër apo abstenim. Opera e Kosovës do të hapë dyert për shfaqje operistike në vitin 2022. / KultPlus.com
Me mijëra shqiptarë u ekzekutuan nga sistemi i egër i komunizmit për faktin se dolën kundër diktaturës.
Ky regjim, nuk kurseu as femrat, ku të shumta janë ato gra dhe vajza që u vranë apo torturuan barbarisht për një veprim që për regjimin e egër ishte i papranueshëm.
Janë 6 femra nga Mirdita që kanë lënë gjurmë pasi u vranë nga komunizmit. Faji i tyre ishte sepse nuk donin komunizmin. Marie Tuçi Prejardhja e saj ishte nga dera e Gjomarkajve, Kapedanë të Mirditës. Ajo u lind në vitin 1928 dhe e vetmja si femër arrestohet në reprezaljet e vitit 1949. Ishte e shkolluar në shkollat e Motrave Stigmatine në Shkodër, ka punuar si mësuese në Fan. Torturohet nga hetuesit xhelatë dhe prej mundimeve vdes në hetuesi në vitin 1950, e futur në një thes me një mace të egër. Bardhe Cub Marku Ajo lindi në Kaçinar të Mirditës në vitin 1927. Studioi në shkollën e Motrave Stigmatine në Shkodër. Vdiq nga torturat e shumta në burgun e Shkodrës në vitin 1947.
Liza Moli Lindi në Kaçinarë, Mirditë po aty mori mësimet e para. Sigurimi i Shtetit i rrethuan shtëpinë. Për të shpëtuar miqtë që kishte në banesë, ajo me një pistoletë në dorë u hapi rrugën dhe i shpëtoi që të iknin. Ajo u vra në moshën 20-vjeçare bashkë me babin e saj nga komunizmi. Më pas i dogjën edhe shtëpinë.
Bardhe Bushkola Ajo lindi në Selitë të Mirditës. Për të mbrojtur jetën e vëllait të saj del para grykave të armëve të forcave të ndjekjes dhe vdes nga plumbat. Ishte vetëm 16 vjeçe kur e mbylli jetën e saj të re me një akt heroik të dashurisë së motrës për vëllain.
Gjela Llesh Biba Ishte nëna e tre fëmijëve që për të shpëtuar dhe nderin e shtëpisë, vritet me gjithë bashkëshortin nga Sigurimsat në Bukmirë, Mirditë në vitin 1947.
Dila Karaçi Ajo lindi në Orosh të Mirditës dhe u martua në Thirrë të Fanit. Kur i kërkuan që të dilte vullnetare për të punuar në hekurudhë, ajo kundërshtoi. Pas shumë kërcënimeve, familja e saj pranoi të largohet, por ajo tha se do të vetëvritet. Të nesërmen kur shkuan për ta marrë për në aksion, e gjetën të varur në një pemë në oborrin e shtëpisë. Ishte vetëm 22-vjeçe. / KultPlus.com
Filmi i animuar amerikan Simpsons, duket se ka parashikuar edhe satelitin shqiptar në hapësirë.
Në një video të publikuar nga seriali i famshëm, shfaqet një satelitë me simbolin e shqiponjës, e ndërsa një prej personazheve duket se flet shqip, ndonëse nuk kuptohet edhe shumë qartë po dëgjohet fjala “i drejtohet”, transmeton KultPlus.
Ndërkohë që ishin të shumtë ata që mbetën të habitur nga deklarata e kryeministrit Edi Rama i cili njoftoi se Shqipëria do të ketë së shpejti dy satelitë në orbitë, filmi i animuar amerikan “The Simpsons”, duket se e ka parashikuar ngjarjen vite më parë.
Në një video të publikuar nga seriali i famshëm, shfaqet një satelit me simbolin e shqiponjës, e ndërsa një prej personazheve flet shqip ku mes të tjerash dëgjohet fjala “i drejtohet”. Aty shfaqet edhe një godinë dhe disa oficerë që kanë në uniformë simbolin e shqiponjës si edhe teksa thonë “të thashë që nuk do të dështonte”, ndonëse e gjithë fjalia nuk është shumë e qartë.
Filmi i animuar amerikan The Simpsons, është i famshëm për parashikimet që ka bërë shpesh për ngjarje të mëdha siç ishte rrëzimi i Kullave Binjake, zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA, madje edhe përhapja e pandemisë COVID-19. /shqiptarja/ KultPlus.com
Më 25 tetor 1881, lindi Pablo Picasso, një nga artistët më të mëdhenj të historisë, themeluesi i kubizmit. Ai hapi studion e tij të parë në moshën 16-vjeçare dhe vdiq në moshën 92-vjeçare, duke lënë rreth pesëmbëdhjetë mijë vepra, përfshirë piktura, vizatime, skica, qeramikë. Fiksimi i tij – përveç artit – ishin femrat, burimi i krijimtarisë së tij.
“Për mua, ekzistojnë vetëm dy lloje të grave: perëndesha dhe lecka”, tha Pablo Picasso. Burri që i donte gratë, ose ndoshta i urrente ato. Në moshën 85-vjeçare, në një intervistë të rrallë televizive, ai tha: “E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është dashuria”.
Gjatë gjithë ekzistencës së tij, eksperimentimi i shkëlqyer artistik i piktorit që simbolizon shekullin e njëzetë, shkon paralelisht me udhëtimin e bërë në kufijtë ekstremë të universit femëror. Gruaja, dashnorja, partnerja, frymëzuesja, gruaja për t’u përdorur, intelektualja, muza, modelja. Gratë në zemër të imagjinatës së tij, nga periudha blu dhe rozë deri te kubizmi, nga përvoja e Guernicës te qindra vizatime dhe skica, por edhe gra me të cilat u martua, i tradhtoi, i la, i çmendi.
Gratë me të cilat ai pati përvojat e para seksuale përmes shtëpive publike kur ishte 13 vjeç, së bashku me të atin. Femra të tërhequra nga gjenialiteti i tij, të joshura nga sytë e tij të ndezur nga pasioni. Gratë që kur ishte fëmijë ishin në qendër të një ekzistence unike: doña Maria, nëna që ai adhuronte dhe nga e cila mori mbiemrin, tezja Pepa, motrat Lola dhe Conchita.
“Ndjeshmëria e Picasso-s ndaj grave varionte nga butësia ekstreme në njërën anë deri tek urrejtja e dhunshme në tjetrën. Rruga e mesme ishte e pamundur, nëse jo e egër”, shkroi Patrick O’Brian, një nga biografët e tij.
“Pas Pikasos vetëm Zoti”, tha Dora Maar, një nga perëndeshat e shumta të tradhtuara, e paaftë për të pranuar botën pa të. Edhe ajo, si gjithë të tjerët, është viktima e një ndërthurjeje fatale të trupit dhe shpirtit, mishit të gjallë dhe përfaqësimit në imazh, të rrëmbyer nga një forcë jetike, e cila më pas shndërrohet në të kundërtën e saj. Artisti i madh andaluzian joshi, por nuk ia lejoi vetes, të shihte të tjerët të shndërroheshin në të varur nga Pikaso.
Në vitin 1881, kur u transferua në Paris në moshën 19-vjeçare, talenti i tij ishte i padiskutueshëm, por gjithashtu edhe oreksi i tij i pangopur seksual. Pasioni i tij i parë i vërtetë ishte për modelen Fernande Olivier. Ishte viti 1904, të dy ishin 23 vjeç. Ai i dashuruar marrëzisht nuk donte që ajo të pozonte për të tjerët. Ishin tetë vite intensive, por të mjaftueshme për të shteruar shtytjen erotike të Pikasos, i cili e braktisi papritur të dashurën e tij të parë në vitin 1912. Një histori, ajo e Fernandes, e cila vdiq në vitin 1966 e varfër dhe e vetme, është një ogur i asaj që do të ndodhë në vijim, nga ato që iu afruan shumë piktorit. Por për cilën muzë e la Pikaso modelen? E dashura e re quhej Marcelle Humbert, por ai e quajti atë Evë dhe për artistin ajo ishte perëndeshë e dashurisë.
“Bota fillon tani dhe ti je Eva”, tha ai. Ajo e frymëzoi atë me një seri pikturash që shënuan një kthim në ngjyra të ndritshme, në pointilizëm. “J’aime Eva”, “Ma jolie”, gjejmë të shkruara në shumë prej veprave të tij, sikur të ishte një tatuazh dashurie: një pasion i dëshpëruar dhe i shkurtër, që kur Marcelle vdiq nga tuberkulozi në 1915.
Për Pikason humbja ishte e madhe. Por ndërsa Lufta e Parë Botërore po përparonte në Evropë dhe artisti po punonte në skenografinë e Paradës me muzikantin Erik Satie dhe shkrimtarin Jean Cocteau, për kompaninë “Ballets russes” nga Sergej Djagilev, gjatë një qëndrimi në Romë ai u mahnit nga balerina Olga Khokhlova. Ishte viti 1917. Rusja e ndoqi në Barcelonë dhe më pas në Paris, ai u martua me të vitin e ardhshëm në prani të Guillaume Apollinaire dhe Cocteau. Në një kohë kur arti i tij luhatet midis natyralizmit dhe kubizmit, ai pikturoi “Portreti i Olgës në një kolltuk”. Një martesë që nuk ishte në gjendje të frenonte vrullshmërinë e saj: instinkti erotik u sublimua duke krijuar qindra vizatime grash lakmitare, të rrethuara nga simbole falike apo figura groteske të organeve gjenitale femërore.
Në vitin 1921 lindi Paulo, djali i parë i Pikasos, i përfaqësuar në krahët e nënës së tij në veprat simbolike të pikturës moderne. Dhe ndoshta atëherë Picasso ishte shumë i matur në lidhje me punët e tij dashurore, por teksa shëtiste nëpër bulevard, artisti pa një pamje të re. Ishte Marie-Thérèse Walter, një vazjë e mitur bionde, me sy blu.
“Unë jam Picasso, do të doja të të pikturoja një portret”, i tha ai. Për vajzën, e cila jetonte me nënën e saj dhe nuk e kishte njohur kurrë të atin, transferimi me atë burrë tridhjetë vjet më të madh se ajo ishte i menjëhershëm.
Marie-Thérèse, dashnorja-fëmijë, e portretizuar në piktura të tilla si “Brenda me një vajzë që vizaton”, i riktheu piktorit energjinë e humbur. Picasso filloi të përjetonte një rigjenerim të jashtëzakonshëm të stilit që e çoi në simbolikën e minotaurit dhe krijimin e Guernicës. Marie-Thérèse, e cila pranoi të jetonte në hije pa ndërhyrë në jetën e të dashurit të saj, ishte perfekte për Picasso-n. Por kur ajo i tha se ishte në pritje të një fëmije dhe Olga e mori vesh, nisi ferri. Gruaja e tërhoqi zvarrë piktorin në gjyq dhe ia vulosën të gjitha pronat në emër të saj, përfshirë bojërat, penelat dhe pikturat në punim e sipër.
“Sa herë që ndërroj femrat, duhet ta djeg të parën. Kështu që unë do t’i hiqja qafe dhe nuk do të ishin të gjithë aty për të komplikuar ekzistencën time. Kjo ndoshta do të më rikthente edhe rininë. Gruaja vritet dhe e kaluara që ajo përfaqëson, fshihet”, tha Picasso. Fjalë profetike. Olga, e cila e kishte bërë të jetonte atë që ai e quajti “koha më e keqe e jetës së tij”, vdiq e çmendur 20 vjet më vonë. Edhe Walter nuk kaloi më mirë. Në fakt Pikaso, të cilit Maya e vogël i lindi në 1935, nuk u ngop kurrë.
Në vitin 1936, një grua tjetër i ndryshoi jetën. Ishte Dora Maar, 29 vjeç. Ai e takoi atë në një kafene në Paris. E shkurtër, me kurba, brune, sy blu, ajo ishte e kundërta e Marie-Thérèse dhe përfaqësonte sfidën intelektuale që kërkonte Picasso. Fotografe, elegante, e kulturuar, e pavarur, ajo ishte vajza e një arkitekti kroat, që kishte jetuar në Argjentinë dhe fliste spanjisht. Pa ndërprerë lidhjen me Walter-in, për të cilën ai gjeti hapësirën për të enjten dhe të dielën edhe për të parë vajzën e tij, Picasso filloi lidhjen me Dorën.
Një histori që zgjati 7 vjet në të cilën artisti gjithmonë e vinte përballë me Marie-Thérèse, duke i detyruar të dy gratë të darkonin së bashku. Ose i ka çmendur nga xhelozia duke i portretizuar në të njëjtën pozë, deri në përplasje fizike. “Vetëm unë e di se çfarë është ai. Është një instrument vdekjeje. Nuk është burrë, është sëmundje”, tha më vonë Dora, e cila në atë kohë u bë subjekti kryesor femëror i pikturave të tij.
Ndërkohë, i tronditur nga Lufta Civile Spanjolle, në vitin 1937 Picasso kishte pikturuar Guernicën, telajon që denonconte masakrën e civilëve në qytetin bask pas bombardimeve ajrore gjermane. Dhe Dora ishte aty, duke fotografuar fazat e veprës në një seri fotosh që janë bërë legjendare. Megjithatë, pak pasi ai e bindi atë të braktiste fotografinë dhe të rifillonte pikturën, duke e detyruar atë të vuante kritikat e tij shkatërruese. Por fati po përgatiste një hakmarrje për Pikason mizor.
Një tjetër grua që shenjoi jetën e tij quhej Françoise Gilot. Një nxënëse e një mikut të tij piktor kur e takoi, në vitin 1944, ai ishte 63 vjeç dhe ajo 22. Ata e gjetën veten të ngatërruar në një dashuri që për Picasson-n përfaqësonte një rinovim të ngarkesës sensuale. Françoise i lindi dy fëmijë të tjerë: Claude (1947) dhe Paloma (1949). Në pikturat e kësaj periudhe u kthyen temat e nënës me fëmijën. Por edhe me Françoise mekanizmi i vëmendjes së pakufishme dhe mizorisë së pashoqe u riaktivizua: kur ishte shtatzënë, Picasso e adhuroi, e refuzoi pas shtatzënive. Tejet xheloz, ai donte që ajo të vishej në mënyrë monastike, duke ndërthurur marrëdhëniet me të tjerët.
“Gratë vinin e shkonin në jetën e tij si xixëllonja të tërhequr nga një fener; i shikonte në telajo, i përdorte seksualisht dhe kur lodhej i hidhte”, tha Françoise, tashmë njëqindvjeçare. Paloma ishte 4 vjeç kur Gilot bëri një gjest të paprecedentë. Ajo u largua nga Picasso, duke i thënë gjithashtu se e urrente pikturën e tij. Nga inati i fiku një cigare në faqe dhe u përpoq ta bindte të qëndronte. Por Françoise nuk u dorëzua dhe u lirua duke u martuar me një tjetër dhe duke botuar Vita con Picasso, librin për të cilin piktori e çoi në gjykatë.
Në moshën 70-vjeçare, gratë nuk ishin një kapitull i mbyllur për Picasso-n. Ai iu afrua atyre, edhe kur ato ishin shumë të reja. Takimi me perëndeshën e fundit u zhvillua në vitin 1954 në rivierën franceze, ku ajo kishte jetuar prej vitesh midis Antibes, Mougins dhe Vallauris, duke krijuar qeramikë. Dashuri me shikim të parë mes vazove me 28-vjeçaren e divorcuar Jacqueline Roque. Për të ai bleu një kështjellë përrallash në Vallauris. Ai u martua me të në vitin 1961, pas vdekjes së Olgës më 1955, nga e cila nuk ishte divorcuar kurrë.
“I pabesi i pashërueshëm”, Pikaso kishte marrëdhënie të tjera. Por Jacqueline kurrë nuk e la atë dhe artistja kaloi periudhën më paqësore të jetës së saj me të. Kur vdiq më 8 prill 1973 në Mougins, sikur ajo që kishte mbjellë në jetë vazhdonte të prodhonte fruta të helmuara. Në vitin 1975, djali i tij Paulo vret veten. Në 1977 Marie-Thérèse u vetëvar. Në vitin 1986, Jacqueline bëri vetëvrasje me një të shtënë pistolete. Dora, e cila kishte bërë trajtime psikoanalitike, elektroshok, konvertime fetare, vdiq e vetme në vitin 1997, e harruar nga bota, por besnike e një pakti me veten: “Të gjithë menduan se do të vrisja veten pas braktisjes së tij. Pikaso gjithashtu. Arsyeja kryesore për të mos e bërë këtë ishte për t’i hequr atij këtë kënaqësi”. /a2news/ KultPlus.com
Një ditë lexoi mbi gjyqin e një vrasjeje të ndodhur në Francë, të kryer nga Pier-Fransua Lesnar. Ky ishte një tip në dukje i qetë, me një sjellje të përsosur në shoqëri, lexonte Rusonë; shkruante poezi. Por në fakt ishte një sociopat i çmendur, një lloj i ri njeriu
Jezusi takohet me Dostojevskin. Ai i hedh atij një vështrim, dhe për një çast depërton thellë në tunelet e errëta të atyre syve të munduar, dhe kryen një ekzorcizëm të menjëhershëm. Shpejt, me guxim, pa bujë, në stilin e Jezusit: Festa mbaroi, djall i vogël. Dil jashtë! Një gumëzhimë e lehtë, dhe ja ku u bë.
Dhe Dostojevski, me dëbimin e demonit, është i lehtësuar nga hemorroidet, vesi i bixhozit, dhimbjet e forta të kokës, ethet, depresioni, hipokondria, intuitat dhe obsesionet e tij të tmerrshme futuristike. Ai lirohet nga “qelia“ e kafkës së tij. Dhe ai nuk shkruan më libra, kurrë.
Në librin e tij “Mëkatari dhe shenjti”Kevin Birmingem i frymëzuar mbi historinë e gjenezës – filozofike dhe neurologjike – të romani“Krim dhe ndëshkim”, do t’ju lërë në mëdyshje mbi figurën e Dostojevskit, aq më tepër që vetë rusi i famshëm kishte të paktën dy mendime për veten e tij.
Nga njëra anë, ju do të keni frikë nga qëndrueshmëria e tij si shkrimtar, nga përkushtimi i tij ndaj përvojës, besnikërisë së tij artistike, brishtësia/qëndrueshmëria e tij, imagjinata e tij e pambrojtur, etj. Nga ana tjetër, do të pyesni veten nëse një pjesë e mirë e “Krim dhe ndëshkim” mund të mos jetë patologji e pastër.
Atë nuk mund ta quani as edhe një:Tërësia e kësaj vepre përshkruan vetëm 1 minutë dhunë. Raskolnikovi, një student arrogant dhe i varfër që vërdallosej nëpër lagjet e varfra të Shën Petersburgut, vret brutalisht një plakë të keqe-një fajdexheshë dhe motrën e saj që u ndodh rastësish aty.
Por pse e kryen ai atë krim? Pse e ngre sëpatën? Jo për para, dhe as për pasion. Ndoshta motivi qëndron pas pasionit ndaj ideve. Sepse përveç se është i çmendur, Raskolnikov
është një lloj filozofi:Ai abstragon mbi vlerën (ose mungesën e saj) të një jete të vetme njerëzore; mbi gabueshmërinë e kriminelëve; dhe mbi fuqinë e një akti, të një goditje vendimtare, për ta transformuar realitetin.
Shkëputja e tij nga shoqëria dhe nga matrica e mirësisë njerëzore, është e plotë. Ai është një ujk i vetmuar. Pra me fjalë të tjera, sa për të cituar grupin muzikor “Iggy Pop”, ai është thjesht një djalë modern. Ai paraqitet si i braktisur nga boa, si një personazh i Samuel Beket; ai sillet me vetëdijen e personazheve të Kafkës; dhe murmurit me vete si Trevis Bikëll, protagonisti i filmit të famshëm “Shoferi i taksisë” luajtur nga Robert De Niro.
“Të shohësh mbulesën mizore nën të cilën vuan Universi, ta dish se edhe një shpërthim i vetëm i vullnetit njerëzor mjafton për ta shkatërruar atë dhe bashkuar me përjetësinë, të njohësh veten dhe të jesh si krijesa e fundit… është e tmerrshme!”-i shkroi Dostojevski vëllait të tij Mikail para se të botonte “Krim dhe ndëshkim”.
Pora ishte ai krijesa e fundit, apo një nga të parët e një epoke të re?Biografia e tij është një sekuencë ngjarjesh për të cilat vetëm mbiemri “dostojevskian”mund t’i përshkruajë si duhet. E ëma i tij vdiq nga tuberkulozi kur ai ishte vetëm 15 vjeç.
Dy vjet më vonë, i vdes edhe babai në rrethana misterioze, me shumë gjasa i vrarë nga bujkrobërit. Me synimin për të nisur një karrierë letrare në Shën Petersburg, i riu Dostojevski zhytet në borxhe të mëdha. Ai u bë pjesë e politikave reformiste, për të cilat po ziente në atë kohë e Rusia cariste: takime sekrete, manifeste të zjarrta.
Në vitin 1849 u arrestua gjatë një vale spastrimesh nga shërbimet sekrete të Carit dhe u akuzua për kryengritje dhe komplot. I nxjerrë përpara një toge pushkatimi në Sheshin e Paradave Semenovski, në praninë e një turme të madhe, Dostojekski dhe shokët e tij i shpëtojnë vdekjes nga një gjest mëshire i minutës së fundit nga vetë Car Nikolla I.
Dënimi i tyre ulet. Jo vdekje, por internim në Siberi. Dostojevski kalon 4 vjet në punë të rëndë në kampin e të burgosurve në Omsk, dhe 5vite të tjera si ushtar në ushtrinë siberiane.
Pastaj në moshën 38 vjeçare rikthehet në Shën Petersburg. Birmingem është i shkëlqyeshëm në përshkrimin e mjedisit intelektual që e pret atje shkrimtarin rus. Nihilizmi, egoizmi, materializmi … Njeriu që po rikonceptohet. Një fiziolog boton një libër me ndikim me titull “Reflekset e trurit”.
Bazuar në eksperimentet e tij me një numër bretkosash fatkeqe, ai pretendonte se aktiviteti mendor është i gjithi reflekse. “Animacioni, pasioni, tallja, pikëllimi, gëzimi, etj, janë thjesht rezultate të një tkurrje më të madhe ose më të vogël të grupeve të caktuara të muskujve”-shkruante ai.
Dostojevski e kupton menjëherë se ku çonte e gjitha kjo:individi, i bllokuar në kokën e tij, i mbetur në mëshirën e neuroneve të tij. Ndërkohë truri i tij vazhdon t’i shkaktojë kriza – epilepsi të lobit temporal, atë që Dostojevski e quan “sëmundja e rënies”.
Dhe ka diçka tjetër. Ai lexoi një ditë mbi gjyqin e një vrasjeje të ndodhur në Francë, të kryer nga Pier-Fransua Lesnar. Ky ishte një tip në dukje i qetë, me një sjellje të përsosur në shoqëri, lexonte Rusonë; shkruante poezi. Por në fakt ishte një sociopat i çmendur, një lloj i ri njeriu.
Kur e fusin në gijotinë, ai e kthen kokën lart, në mënyrë që të shikojë tehun e mprehtë që zbriti mbi qafën e tij. Dostojevski botoi një ese 50faqëshe, të përkthyer nga frëngjishtja, për Lesnarin me titullin “Një personalitet i shquar”, në revistën e tij letrare “Vremya”.
Gjyqet e vrasjeve, shkruan ai në një shënim hyrës, janë “më emocionuese se të gjitha romanet e mundshme, pasi ato hedhin dritë mbi anët e errëta të shpirtit njerëzor, të cilave arti nuk pëlqen që t’i afrohet”.Ajo ngjarje çoi më pas në shkrimin e romanit “Krim dhe ndëshkim”, të cilin Dostojevski e nisi në shtatorin e vitit 1865, ndërsa ishte gjysmë i uritur dhe pa gjumë në një hotel në Vizbaden të Gjermanisë, pasi kishte humbur në ruletë të gjitha paratë e tij.
Është një roman me ndërtesa të rrënuara sikur kanë dalë nga lufta, me dyer plot blozë, dhe me dhoma të vogla që mbajnë erë minjsh dhe lëkurësh. Halucinacionet përzihen me realitetin dhe anasjelltas. Të dehurit thonë gjëra shumë të zgjuara.
Ai është mbi të gjitha është një roman i subjektivizmit:i shtypjes së tij, i vetmisë ulëritëse të protagonistit. “Detajet tërësisht të panevojshme dhe të papritura duhet të lihen mënjanë në çdo moment në mes të tregimit”- shkroi Dostojevskin në ditarin e tij. Motivet e Raskolnikovit, shpengimi apo mungesa e tij, kthesat e komplotit.
“Krim dhe ndëshkim” ka të bëjë me trurin tuaj, trurin tuaj të ngratë, që është “selia” e vetëdijes moderne. Ai ka të bëjë me atë se si ndihet njeriu vërtet. “Çfarë është Ferri?”pyet At Zosima në romanin tjetër të Dostojevskit “Vëllezërit Karamazov”. “Unë pohoj se është vuajtja nga pamundësia për të dashuruar”. Duke kërkuar çlirimin nga vetja, nga izolomi i plotë mendor, ju mund ta shkatërroni atë si Lesnar ose ta lini veten të bini në dashuri siç bën Raskolnikov në epilogun jo shumë bindës të “Krim dhe ndëshkim”.
Dashuria e gruas së tij, Sonja, arrin ta ngushëllojë dhe mendja e tij transformohet:“Tani ai nuk po vendoste asgjë me vetëdijen e tij; ai ndihej i vetmuar. Në vend të dialektikës, kishte mbërritur vetë jeta, dhe në vetëdijen e tij duhej të përpunohej diçka krejtësisht e ndryshme”. Siç ndodh në përgjithësi me Dostojevskin, Jezusi është diku këtu pranë, i buzëqeshur, i fshehtë. Raskolnikov i ka Ungjijtë nën jastëk, dhe ai kujton se si Sonja i lexoi dikur historinë e Llazarit. Dashuroni do të dilni nga gjendja e vdekjes. Po nëse nuk e bëni këtë?
Në të njëjtin epilog, Raskolnikov, i shtrirë në një spital të burgut në Siberi, sheh një ëndërr në mesin e etheve:Ai sheh një murtajë të madhe që vjen “nga thellësitë e Azisë”. Por prisni – është një plagë mendore. “Njerëzit që u prekën nga ajo, u bënë menjëherë të pushtuar nga djalli dhe të çmendur. Por asnjëherë këta njerëz nuk e konsideruan veten aq inteligjentë dhe aq të pagabueshëm ndaj së vërtetës sa kur ishin infektuar”.
Individualizmi ka arritur kulmin e tij; atomizimi është total. “Të gjithë ishin të shqetësuar, askush nuk kuptoi askënd tjetër, secili mendoi se e vërteta qëndronte vetëm tek ai dhe në lidhje me të gjithë të tjerët, vuajti, rrahu kraharorin e tij, qau dhe shtrëngoi duart”. /TheAtlantic/ KultPlus.com
Dyqani i Muzeut të Bankës së Shqipërisë ofron për shitje një koleksion të pasur për të gjithë të interesuarit në blerjen e kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, për qëllime numizmatike.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në këtë koleksion bëjnë pjesë monedha prerje që nga viti 1947 e deri në vitin 1976, kartëmonedha specimene të vitit 1976 si dhe monedha që përkasin periudhës që nga viti 1926 e deri në vitin 1937.
Gjithashtu pjesë e katalogut janë edhe monedhat prerje përkujtimore të indipendencës 1912-1937, që i përkasin viteve 1939 -1964. Monedha përkujtimi për 25-vjetorin e çlirimit 1944-1969. Ndërsa vend të rëndësishëm zënë monedhat e ndryshme prerje të viteve 1988 -2018. /atsh/KultPlus.com
Festivali i Filmit të Shkurtër BBB pas një udhëtimi njëmbëdhjetëvjeçar në Evropë shkon në Prishtinë, Kosovë për Edicionin e 12 -të me titullin ‘Lëkura në (Ekran në) Lëkurë’.
Festivali do të zhvillohet nga e enjtja, 28 deri të dielën, 31 tetor 2021 në Kino Armata.
Frymëzuar nga çështja e komunikimit që u sfidua përmes pandemisë, festivali do të shfaqë një Program Konkursi prej 33 filmash të shkurtër që përfaqësojnë kineastët e rinj ballkanikë.
Juria jonë Ndërkombëtare përbëhet nga Burcu Biricik, aktore turke, Luana Bajrami, aktore/regjisore franceze nga Kosova dhe Drita Lolla, drejtore e Festivalit të Filmit në Mal të Zi. Kineastët pjesëmarrës do të kenë mundësinë të shpërblehen me Çmimet: Çmimi më i mirë BBB, Hyrja e Parë, Publiku dhe Përmendje Speciale. Shuma totale e Çmimeve shkon deri në 1.800 €.
Për më tepër, tre shfaqje speciale do të përfshijnë programin e shfaqjeve: “BBB Fokus- Hungari”, “BBB Përtej” (Programi Ndërkombëtar) dhe BBB & co: Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë dhe festival të tjera partnere.
Publiku dhe palët e interesuara të ftuara do të kenë mundësinë të bashkohen me ngjarjet paralele të festivalit si: ‘BBB takon Femrat Cine-Ballkanike’, një ngjarje paralele e rrjetëzimit dhe ndarjes së përvojës dhe “Gala e Kurioziteteve”, pjesë e projektit ECHO II ” Traditat në Tranzicion “, bashkëfinancuar nga Evropa Krijuese e përbërë nga ekspozita dhe diskutime artistike.
Festivali i Filmit të Shkurtër BBB udhëton nga qyteti në qytet dhe krijon frymëzim përmes tematikës së tij të ndryshme çdo vit. I përkushtuar ndaj qëllimit të tij, BBB sfidon bashkëkohësinë duke motivuar të rinjtë që të përdorin krijimtarinë e tyre, ai thyen stereotipet e vazhdueshme për atë që është dhe çfarë nuk është “ballkanik” dhe siguron një terren të hapur për shprehje të lirë dhe zgjidhjen e problemeve. Të gjithë pjesëmarrësit bëhen pjesë e një qendre të rrjeteve kulturore e cila i ndihmon ata për bashkëpunimet e ardhshme. Festivali mbështetet nga Creative Europe dhe Komuna e Prishtinës dhe bashkëpunon me një numër të madh të organizatave kulturore dhe rinore në rajon./KultPlus.com
Nesër PEN Qendra e Kosovës fillon aktivitetin letrar Ora e Shkrimtarit, edicioni i dytë.
Në këtë cikël aktivitetesh do të përkujtohen shtatë shkrimtarë të ndjerë të Kosovës.
Aktiviteti i parë mbahet nesër, 26 tetor, në KultPlus Caffe Gallery dhe fillon në orën 17:00.
Në ditën e parë të Orës së shkrimtarit 2, nesër, do të përkujtohet shkrimtari Latif Berisha. Për këtë shkrimtar e veprimtar do të flasin Ibrahim Berisha dhe Sali Bashota.
Më 28 tetor 2021 do të përkujtohet vepra e shkrimtarit Enver Gjerqeku dhe për të do të flasin Milazim Krasniqi e Blerina Rogova,.
Azem Shkreli do të përkujtohet më 2 nëntor 2021. Për të do të flasin: Avni Spahiu dhe Naime Beqiraj.
Më 4 nëntor 2021 për shkrimtarin Din Mehmeti do të flasin Haqif Mulliqi dhe Qibrije Demiri Frangu
Shkrimtari dhe publicisti Ramiz Kelmendi do të përkujtohet më 9 nëntor 2021. Flasin: Ibrahim Kadriu dhe Binak Kelmendi
Shkrimtari Rrahman Dedaj do të përkutjohet më 11 nëntor 2021. Do të flasin: Anton Berishaj dhe Adil Olluri
Musa Ramadani do të përkujtohet më 16 nëntor 2021. Për të do të flasin: Osman Gashi dhe Agron Gashi.
Të gjitha këto aktivitete fillojnë në orën 17:00 dhe mbahen në ambientet e KultPlus Caffe Gallery , në Prishtinë.
Luljetë Belegu pronare e EBC (Elegance Beauty Cosmetics) ka nënshkruar kontratë për shitjen online të brendit DIOR si distributor i vetëm në rajon. Në platformën për blerje online të EBC përveç DIOR mund të gjeni edhe brende të tjera të njohura botërore si La Mer, Lancome, Tom Ford, Yves Saint Laurent, Giorgio Armani, Shiseido, Valentino , Hugo Boss dhe shume te tjera.
EBC Cosmetics operon në tregun tonë që nga viti 1993 dhe që atëherë ajo vazhdon të jetë lider sa i takon produkteve kozmetike.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta organizojë sonte manifestimin tradicional, të njohur si “Darka e Lamës”.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga Presidenca.
“Në orën 18:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në bashkëpunim me prodhuesit vendor, organizojnë festën e moçme shqiptare, Darka e Lamës”, thuhet në njoftim.
“Dita e Falënderimit – Darka e Lamës” është ceremoni tradicionale institucionale e organizuar nga Presidenti/ja e Republikës së Kosovës./KultPlus.com
Cineplexx organizon eventin Ladies Night me filmin Zgjoi këtë të enjte, më 28 tetor, në të dy kinematë, ku do të dhurohen shumë shpërblime në të gjitha sallat.
Për premierën e filmit vendor Zgjoi, Cineplexx organizon eventin “Ladies Night” në të dy kinematë, me shumë shpërblime nga brende të ndryshme. Biletat për këtë event tashmë kanë dalë në shitje, dhe ato mund ti bleni çdo ditë në të dy kinematë, nga ora 14:00, ose përmes aplikacionit Cineplexx KS.
Filmi pëcjellë Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.
Biletat për këtë eventi mund t’i blini çdo ditë prej orës 14:00 në Cineplexx, ose përmes aplikacionit të cilin mund ta shkarkoni në APP Store ose në Playstore. Për më shumë rreth eventit, klikoni këtu mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx.
A mund të kontrollohet muzika? A mund të kontrollohet zëri? Nëse teknika e muzikës dhe teknologjia e kanë arritur këtë, atëherë a mund të kontrollohet ndjesia e dëgjuesit të muzikës?
Ndoshta muzika ka qenë një ndër kështjellat e vetme, dhe të fundit ku është mbrujtur dhe thurur megalomania patriotike dhe kombëtare, në tërë botën! Dhe, shikuar logjikisht, e që del të jetë krejtësisht banale, për shkak të thjeshtësisë së saj, muzika – çahet – dhe “degjenerohet” nga patriotizmi dhe kombëtarja pikërisht me kompleksin e lindjes dhe të inaugurimit të xhaz muzikës. Xhaz i lindur nga përmbysja e muzikës së kaluar në impotencë e perëndimit, pikërisht për shkak të mbylljes së saj në një qark shprehjeje, e – çanë – për herë të parë këtë kështjellë, dhe atë pikërisht përkundër shtypjes dhe robërisë së saj, aty ku lind, në kolektivet afrikano – amerikane.
Xhaz është në të vërtetë një dhe i vetmi burim i – çarjes – së muzikës deri në bashkëkohoren tonë. Sa më shumë që eksplorohet estetika dhe teknika muzikore, së paku e asaj moderne, posaçërisht duke përshirë muzikën e ashtuquajtur – klasike, ajo del të ketë dy rrënjë: latino amerikanen dhe më thellë afrikanen. Aq më shumë duke përvijuar dhe duke hapur vetë historinë dhe ekzistencën e njerëzimit në tërë të diturën e tij.
Duke u nisur nga vetë zanafilla e mendimit, krijimit, dhe kritikës e filozofisë bashkëkohore, prej Heidegger dhe Maurice Blachot, le të gjurmojmë lindjen e kësaj – hapjeje – që u cek më lartë, si arti, si filozofia dhe si sociologjia jonë.
I pari, pra Heidegger, e sheh artin si – hapje, dhe më pas si – çarje – (‘rift’ nga anglishtja), ku përhershmëria e Tokës (si natyrë e fizike), dhe sajimi dhe ndërtimi njerëzor i asaj që e quajmë – Botë -, hapen përmes njëra tjetrës, dhe njëra në tjetrën, si masa dhe edhe psikë e vëzhgimit njerëzor, dhe aq më shumë janë në mishërim dhe konflikt me njëra tjetrën. Si hapje tej – vetëdijes – së sajuar, si hapje tej Publikes (prej Kierkegaard).
Pikërisht – çarja – dhe – hapja – e Heidegger, tek Maurice Blanchot, janë mungesa e kuptimit e cila për shkak të kësaj, gjithmonë ka qenë dhe kalon në shënjueshmëri të pafundme. Gjë që sipas tij, është vetë gjuha; dhe më thellë në këtë, vetë imazhi. Nëse një herë kemi – prerë – imazhin nga objekti, qoftë nga guri apo nga një sajesë njerëzore, kjo është pikërisht – çarja Hedegerriane – e cila më nuk ka kthim dhe më tutje është e pafundme. Gjë që ndodhë me gjuhën: nëse fizikja e objektit të cilin e emëron gjuha është bërë psikike, një herë, ajo në të vërtetë do të emërojë në përhershmëri dhe aq më shumë në pafundësi konotacione të saj, gjithherë në mungesë të kuptimit definitiv, dhe gjithherë në pamundësi të caktimit të një fundi të kuptimit. Gjë që në fund krijoi modernizmin, e themeloi atë (edhe pse kjo nisë me Niçe), dhe aq më shumë -hapi – pafundësinë e të vërtetës sonë.
Duke marrë shembull këtu Fashion, si masë sociologjike e njerëzimit, të shtrojmë pyetjen: nëse aktualisht vishemi si në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, a nuk është kjo eksplorim i kësaj pafundësie të – imazhit – siç u parafrazua Blanchot? Apo pafundësi e kuptimit, kjo duke qenë aporia në të veshurit sot si në atë që ka kaluar, dhe duke e quajtur më e reja, vetë e sotshmja.
Pastaj dhe duke ia shtuar këtij fenomeni edhe trendin e bartjes së emrit të disenjatorit, i cili as nuk ka qenë i lindur në periudhën të cilën e inauguron, pikërisht mbi veshjen tonë të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. A nuk është kjo – çarja – heideggeriane dhe pafundësia e shënjueshmërisë së Blanchot? Apo, për t’iu referuar bartësit të këtyre teorive, Derrida, a nuk është kjo – çarja – (differance) e të – tashmes -, të vërtetës më saktësisht? Duke qenë se të shkuarën e marrim si një gjë të prerë nga jeta jonë, të tashmen si të përhershme (duke bërë të pa vërejtshme vdekjen me këtë, Heidegger), a nuk është kjo hapje, dhe mishërim dhe – çarje (the rift Heideggerian) i asaj që një herë e kishim shndërruar në imazh nga objekti (Blanchot)? Thënë më thjeshtë, a nuk është kjo – differance – e qëniesimit?
Duke iu kthyer jazz, le ta shtrojmë po të njëjtën përmes muzikës jazz. Cila ishte e para, apo çka ndodhë së pari? Muzika, arti dhe ndër – kulturorja, si në rastin e Poetëve simbolistë francez, dhe pastaj modernizmi në filozofi e qoftë edhe në religjion: apo në të vërtetë së pari mendohet, arrin të etablohet në filozofi dhe pastaj kalon në mënyrë jete? Sepse, ishte jazz, në të njëjtën kohë me themelimin e filozofisë simboliste, modernizmin dhe edhe me Heidegger, dhe Blanchot, që ndodhën relativisht në të njëjtën kohë, dhe aq më shumë ushqyen njëra tjetrën, nëse jo në mënyrë direkte, së paku spontanisht. Sigurisht Heidegger nuk ishte shijues i Jazz, dhe aq më shumë jazz-i nuk kishte idenë e filozofisë së Heidegger, por në të vërtetë filozofia e Heidegger buron nga revolta dhe -kalimet në religjion, në kohën e tij. Më tutje, në të vërtetë, të gjitha ndodhën në të njëjtën kohë, dhe të gjitha ende vazhdojnë të hapen tutje dhe më thellë, në – çarje – dhe differance të shënjueshmërisë së pafundme. Në pafundësi kuptimi.
Pra, në të njëjtën kohë Fashion është hapje e, qoftë të – tashmes – sonë, qoftë të psikes sonë, qoftë të kohës në diakroni dhe rrënim të lineares së saj, dhe jazz duke thirrur (nëse muzika bën ndonjë gjë tjetër përpos që thirr!) kujtesën e tokës dhe të tërë historisë së njerëzimit. Dhe kjo duke mbetur dhe duke qenë vetë e – sotshmja jonë.
Natyrisht, ky është spekulim, dhe aq më shumë njëlloj revolte ndaj historicizmit dhe të referencave dhe të citimeve akademike, etj.; dhe aq më shumë është spekulim, në stilin dhe ndikimin e Kierkegaard (për autorin), si përvojë dhe përsiatje jetësore, por jazz muzika, është e pamohueshme në tërë teknikat dhe shprehjet e saj si lindje dhe bashkë – lindje e njerëzimit në një fazë të re të tij, dhe edhe bashkëkohore e jona e cila përballë këtë përsiatje me këtë kompleks dhe fenomen.
Jazz-i lindi dhe u etablua si revoltë, primitivizëm, naivitet dhe pasion e ikje nga skemat “shterpe” ku ishte kufizuar dhe kishte mbetur (imazhi) objekti i muzikës klasike (siç edhe e merr shembull Blachot gjuhën!). Ai lindi si që njihet në zhargonin dhe teorinë muzikore me teknikën dhe skemën e të bërit muzikë nga afrikano amerikanët përmes të ashtuquajturit – rag – të muzikuar. E që është braktisje, revoltë dhe përmbysje e skemave të kësaj kohe të lindjes së tij dhe të jazz: më tutje po e njëjta muzikë krijoi, dhe arriti të inaugurojë shpikjen më të madhe të njerëzimit deri në bashkëkohësinë tonë e që është – sinkopimi – , së paku në muzikë. Kjo duke qenë vetë – improvizimi – i themeluar si teori dhe teknikë në muzikë në përgjithësi, dhe aq më shumë në tërë qëniesimin tonë!
Saktësisht, jazz-i, – rag – i tij, sinkopimi muzikor, dhe improvizimi – mbi – skemat ekzistuese të muzikës, pra jazz është vetë – çarja – (the rift) e primitives njerëzore, duke u kthyer në kujtesë të Tokës (sikur që thotë Heidegger), dhe hapje e botës si ndërtim dhe sajesë e njeriut. Janë – çarje – dhe mishërim i të dyjave.
Nëse modernizmi, sipas teorive kreative (lexo: të guximshme) ishte paranojë e njerëzimit, thuhet se ajo që pasoi e që u nocionua si post – modernizëm, në të gjitha stratat e njerëzimit, është skizofreni. Por, kjo e ka edhe referencën, e po të njëjtës kohë me lindjen e fenomeneve që u cekën më lartë (simbolizmi, religjioni, filozofia etj) e që është puna e Melanie Klain rreth tri fazave të zhvillimit të psikes së fëmijës. Dhe nëse këto dyja na përputhen, referencat për skizoidësinë e njerëzimit dhe të punës së Melanie Klain, jazz është ekzakt skizoidësi në vetë tri motorët dhe karakteristikat e zhvillimit dhe të tij, e që janë: sinkopimi, rag dhe improvizimi. Janë ekzakt skizofreni.
Por çka nënkuptohet, si në punën e Melanie Klain dhe po ashtu edhe në nocionimin e post – modernizmit, bashkëkohësisë sonë, si skizoide? Kjo është në të vërtetë konflikti, ndërthurja dhe mishërimi i, thënë shkurt dhe në esencë, të keqes së përhershme dhe të prerë me të mirën po ashtu të përhershme dhe të prerë. Pandashmëria e tyre dhe pamundësia e të jetuarit të tyre prerazi.
Përfundim – Xhazi, jazz muzika
Shikuar dhe vëzhguar me kujdes, në të vërtetë, e tërë muzika, së paku duke vëzhguar muzikën jazz, janë kujtesë. E kujtesa kthim në naiven, në primitiven dhe më tutje në Tokën heideggeriane.
Janë po e njëjta – hapje – sipas Heidegger, dhe më tutje, -kalim në – differance – derridiane, prej ku edhe themelohet mendimi bashkëkohor i njerëzimit! Differance ndërmjet vetë të vërtetës dhe të ‘padrejtësisë së të vërtetës’. Differance ndërmjet vetë qëniesimit, sipas Heidegger, në kujtesë të Tokës, dhe në të – tashmen – e njerëzimit. Vetë pranimi i gjurmëve, dhe pashlyeshmërisë së tyre nga qëniesimi jonë. Vetë e vërteta e njeriut me vdekjen e panjohur, të papërjetueshme, apo edhe që ndodhë pavarësisht megalomanisë sonë mbi dijen dhe përvojën.
Jazz është përpjekja, lufta, çlirimi shpirtëror, dhe aq më shumë qëniesimi i një kolektivi të robëruar, dhe në ankth të zhdukjes.
Jazz është drejtësia poetike, dhe edhe ngadhënjimi i qëniesimit mbi çmendurinë e skllavërimit.
Jazz është gjurma e rikthimit të njeriut dhe qëniesimit të tij, nga rruga të cilën e kanë bërë të gjithë të robëruarit dhe të përballurit me ankthin e vdekjes dhe të zhbërjes, si autentike e njerëzimit.
Dhe, sigurisht, gjetje e kontrollit duke e humbur po të njëjtin, apo, ndoshta, në të vërtetë është humbja e kontrollit të të sajuarës për t’u kthyer në autentiken. E që është vetë alethea greke (Heidegger), e vërteta që përmban si të njohurën tonë, po ashtu edhe të panjohurën tonë./KultPlus.com
Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani” është kthyer nga Kumanova ku ishte pjesëmarrës në Festivalin e –I-rë Ballkanik ,,BALLKAN FEST 2021” në Kumanovë te Maqedonisë se Veriut.
Ansambli ,,GJILANI” pati paraqitje të suksesshme dhe nga juria profesionale u vlerësua me vendin e –I-rë , me ç’rast i falënderojmë jurinë për vlerësimin.
Para një publiku të shumtë e artdashës , u interpretuan valle burimore e koreografike, dhe këngë te përzgjedhura nga këshilli artistik i Ansamblit, me veshje kombëtare dhe kolorit të shkëlqyer dhe u prit jashtëzakonisht mire nga publiku.
Në këtë ngjarje kulturore Ansambli i Këngëve dhe Valleve ,,GJILANI” është paraqitur krahas shume vendeve pjesëmarrëse dhe janë vendosur kontakte të shëndosha me të gjitha Ansamblet dhe grupet e të gjitha shteteve të tjera.
Kjo pjesëmarrje e Ansamblit Gjilani në këso lloj ngjarjesh kulturore konsiderohet shumë e dobishme për shkëmbimin e eksperiencave te të rinjtë ku iu dha mundësia që të shkëmbejnë përvoja dhe vizione të ndryshme mes tyre.
Pjesëmarrja e Ansamblit si përfaqësues i Komunës së Gjilanit dhe Republikës së Kosovës ishte jashtëzakonisht e suksesshme dhe dinjitoze.
Falënderim i veçantë për organizatoret ne krye me drejtuesin artistik të festivalit Z.Ilir Latifi për organizimin e shkëlqyer dhe pritjen e jashtëzakonshme.
Pjesëmarrja e AKV “Gjilani” në këtë Festival është mundësuar nga kontributi i jashtëzakonshme i anëtarëve te ansamblit dhe Komuna e Gjilanit – Zyra e Kryetarit Z.Lutfi Haziri -Drejtoria për Kulturës, Rinisë dhe Sport.
Falënderojmë gjitha institucionet lokale dhe qendrore për mbështetjen e Ansamblit dhe Aktiviteteve te tilla, me synimin qe te ruhen dhe te kultivohen vlerat e tona tradicionale dhe shpirtërore, me shpresën që në të ardhmen mbështetja do te jete edhe me e fuqishme./KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” studiuesin e shquar nga Kosova, Prof.Dr. Eqrem Zenelaj dhe me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” atdhetarin e paepur Llambi Kota (Pas vdekjes).
Titulli “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” iu dha Prof.Dr.Eqerem Zenelaj me motivacionin “Në vlerësim të kontributeve të pakursyera në fushën e studimeve dhe botimeve për pasqyrimin e historisë së popullit shqiptar dhe prejardhjen tonë iliro-pellazge. Me mirënjohje për punën e vazhdueshme në promovimin e vlerave kombëtare të popullit shqiptar si dhe për kontributin në fushën e studimeve të albanologjisë dhe për veprimtarinë e nivelit të lartë në shërbim të historisë sonë kombëtare.”
Ndërsa me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Kreu i Shtetit çmoi atdhetarin e paepur Llambi Kota (Pas vdekjes) me motivacionin “Në vlerësim të veprimtarisë patriotike në favor të çështjes shqiptare gjatë viteve 1908-1923. Në nderim të patriotit, atdhetarit të shquar për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe për gjuhën shqipe. Me mirënjohje ndaj kontributit të veçantë të dhënë në mbështetje të Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe si dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe nën moton: Një komb, një alfabet.”
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh se “historia e popullit shqiptar, që nga prejardhja jonë iliro-pellazge, përpjekjet tona të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe shtet-formim, promovimi i vlerave, i kulturës dhe heronjve tanë kombëtarë, mbeten gjithmonë parësore për shoqërinë tonë dhe tejet të rëndësishme në shërbim të vendit”.
“Shqipëria ka një plejadë të artë atdhetarësh, mendimtarësh dhe studiuesish, të cilët nuk kanë reshtur të japin kontributin e tyre, përmes penës dhe aktivitetit patriotik, për ta ngritur lart çështjen shqiptare dhe vlerat më të çmuara të kombit tonë. Sot, kam kënaqësinë të vlerësoj një prej tyre, studiues i palodhur dhe tejet produktiv, shkencëtar, frymëzues dhe mbi të gjitha personalitet me virtyte të larta njerëzore, Profesor Eqrem Zenelaj, një emër i njohur në fushën e studimeve dhe botimeve për pasqyrimin e historisë së popullit shqiptar”, nënvizoi Meta.
Duke folur për Profesor Zenelaj, Meta tha se “ai është arsimuar dhe specializuar në Prishtinë, Austri, Francë dhe Gjermani. Ai është një hulumtues i pasionuar i arkivave të vjetra europiane dhe ka grumbulluar rreth 5 mijë dokumente të vjetra arkivore me rëndësi historike e kombëtare. Në këto dokumente përfshihen memorandume, telegrame, apele, fotografi, gravura, të dhëna të shumta mbi aktivitetin patriotik gjatë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si edhe mbi personalitete të njohura kombëtare shqiptare ndër shekuj si Papa Klementi 11-të me origjinë shqiptare, prejardhja e familjeve Vlora dhe Toptani, dhe një kronikë mbi jetën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
“Hulumtimet e tij të pakursyera janë bërë të njohura përmes ekspozimit, me gjashtë ekspozita me materiale të vjetra arkivore, të një rëndësie të veçantë historike e kombëtare, si edhe përmes botimeve të shumë librave, të cilat do mbeten një vlerë e madhe dhe me rëndësi në fushën e studimeve albanologjike, që ndihmojnë në njohjen më të mirë e të thelluar të historisë sonë”, shtoi Meta.
Duke folur për atdhetarin Llambi Kota, Meta tha se “Kota dha një kontribut të çmuar për vendin tonë, përmes veprimtarisë së tij të palodhur patriotike, në favor të çështjes shqiptare, gjatë viteve 1908-1923. Si një erudit i gjuhës shqipe, ai dha një kontribut të veçantë në mbështetje të Kongresit të Manastirit, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe nën moton: ‘Një komb, një alfabet’. Ai ia kushtoi jetën e tij misionit për një komb shqiptar të bashkuar, rreth idesë kombëtare me ndjenjën e shqiptarizmit mbi gjithçka, pa dallim feje apo bindjesh”.
Meta theksoi se “Kota njihet në histori si veprimtar i shquar i lëvizjes dhe Rilindjes Kombëtare, promotor i njehsimit të alfabetit të gjuhës shqipe, delegat në Kongresin e Dibrës, pjesëtar i Klubit Patriotik të shqiptarëve në Egjipt, anëtar i Klubit Patriotik ‘BASHKIMI’ në Manastir, i shoqërisë Kulturore-patriotike ‘Banda e Lirisë’, Kryetar i Pleqësisë së Përgjithshme të shqiptarëve të Egjiptit, e nxitës dhe promotor i shumë veprimtarive të tjera patriotike”.
“Vlen të përmendet letra që ai, në cilësinë e Kryetarit të Pleqësisë së Përgjithshme në Egjipt, i dërgoi Presidentit Amerikan Woodrow Wilson, të cilit i kërkoi ndihmë për të mbrojtur çështjen shqiptare, në Konferencën e Paqes në Paris. Ashtu sikurse ishte edhe firmëtar i letrës adresuar ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, me seli në Kajro, të cilëve u kërkohej ruajtja e sovranitetit të shtetit shqiptar në kufijtë e tij natyral”, tha Meta./KultPlus.com
Në hapjen e “Javës për mbrojtjen e viktimave të krimit” presidentja Vjosa Osmani tha se obligim i shtetit është mbrojtja dhe garantimi i së drejtës për jetë.
Ajo shtoi se statistikat janë trishtuese, ku dhuna tashmë është bërë sfidë e madhe për vendin. Osmani thotë se kryesit e veprave duhet të dënohen dhe të mos tolerohet asnjë lloj dhune.
“Obligimi i shtetit në raport me të drejtat dhe liritë e njeriut nuk është vetëm obligim negativ, por edhe obligim pozitiv, që nënkupton t’i mbrosh ato kur janë në rrezik, e qoftë ajo e mbrojtjes për jetë. Deri në shtator të këtij viti janë edhe tri gra viktima të dhunës në familje dhe statistikat janë trishtuese, kryesit e veprave duhet dënohen”.
Osmani, përkundër punës që po bëhet në luftimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ftoi institucionet të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim.
Madje ajo ka ofruar edhe mbështetjen e saj në mbrojtje të viktimave, raporton EO-ja.
“Më vjen mirë që po punohet pozitivisht nga profesionistët që të fitohet besimi në këto institucione. Dua të rikonfirmoj angazhimin tim personal që të bashkëpunoj me të gjitha institucionet ku integritetin dhe respektimin e ligjit e kanë parësore dhe bashkërisht të luftojmë krimin e t’i mbrojmë viktimat. Mbi të gjitha të zbatohet ligji duke siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët pa frikë, ne vetëm bashkë mund të sigurojmë qetësi për qytetarët. Heshtja ime ndaj padrejtësive kurrë nuk do të jetë një alternativë, sepse kështu i nxisim kryesit e veprave dhe dhunës që të vazhdojnë tutje, andaj ta ngrejë zërin sa më shumë”./KultPlus.com